• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qëkur na mallkoi Zoti, s’kanë ç’na bëjnë munxët e robit…

March 4, 2013 by dgreca

Fragment nga romani “ Lumi i Vdekur “/

Nga Jakov Xoxa /

I/
Koha, atë mëngjes, aty qante, aty qeshte.
Karvani dy qerresh i të zbuarve posa kishte lënë pas mullirin e beut, kodrën e Shkozës dhe kishte hyrë në Fier. Qerret ndaluan përpara urës së gurtë e të ngushtë të Gjanicës dhe po pritshin të kalonte përtej vargu i gjatë i grave. Me kanistrat bosh në duar, po me gojën plot llafe, ato kthehesin nga kisha e Shën-Gjergjit për në shtëpi. Shiu sa kishte pushuar, megjithatë, nga ijet e teruara të buajve, nga halat e gjata të qepallave të tyre, nga lelet e shkurtëra, nga veshët llapushë të qenit që kishte zënë vend atje poshtë qerres, rrëshqisnin rrëke të holla uji që vinin e binin mbi llucën e rrugës. Rrogozet prej kashte frytje, që mbulonin qerret dhe ruanin robt e plaçkat nga kullimi i reve, si kishin pirë e ishin fryrë tërë rrugës me shi, të ngopur, po villnin tani ujët e tepërt. Lart, në qiell, nga një dritare e madhe hapur përmes reve, dielli po vërviste mbi qytet tufën e rrezeve të tija, që ngjanin me vandakë zhukash të thata, të arta, që një dorë e fshehtë i flakë poshtë në fushë.
-Tyt, të marrtë djalli, të marrtë!… foli Pilo Shpiragu, në krye të qerres, kur bishti i kaut, ngarkuar me një baltë, i spërkati mustaqet. Po kafsha s’i kishte faj. Një mizë kali, e kishte gudulitur keq nën vehte.
Qetë, sikur t’u kishte folur njeri në gjuhën e tyre, morën përpara. Qerrja hyri në urë. Gratë, që ndjenë në vithe frytjen e vakët të kafshëve, bënë mënjanë të lemerosura. Një kanistër fluturoi në lumë. Një tufë borziloku mbetur nga gjithë ç’pati ena e përshpëritjes, shkoi të pagëzohet në ujët e turbullt të Gjanicës.
-Po këta të flamosur nuk shikojnë njëherë ç’kanë përpara, po çajnë kështu si të ndërliqur!… foli një nuse duke hequr mënjanë vjehrën.
-Sikur i preu gjëkafshë, që i preftë pika, i preftë!… mallkoi plaka.
– Na hodhët në lumë, o të mallkuar, që më ju hedhtë perëndia në ndonjë hendek, o zot!… Që mos i vafshi të gjallë, O Shënmëri!… truante e nëmte një tjetër, duke u mbajtur fort pas telave të çkundisur të parmakëve të urës, kur Gjanica e trubullt, që shkonte atje poshtë, po ia mirrte mëntë me vehte.
Qerret vazhduan në udhë të tyre, si lumi atje nën urë, që shkon pa i vënë veshin njeriut. Vetëm kur dolën përtej e morën drejt rrugën e Semanit, Piloja hoqi frymë e mërmëriti me vehte, sikur në qerre të mos kishte tjetër veç tij:
– Qëkur na mallkoi zoti, s’kanë ç’na bëjnë munxët e robit… – Mos, mos, o bir, mos truaj dhe ti; kemi nusen në të dhëmburat e lindjes e s’është mirë… S’bën të na gjejë ajo orë me mallkim në buzë.
Kjo që foli ishte plaka e Pilos.
Në qerren e parë të karvanit, ngushtuar nga rregullinat e shtëpisë, përveç Pilos që e ngiste, ishte edhe e reja me të vjehrën. Plaka e ndënjur te koka e nuses, te koka i thënçin, se gruaja që po çaplehej në të dhëmburat e hidhura të lindjes (ku vinte kokën, s’vinte këmbët) kishte kryqosur duart në krahëror me një pikëllim të madh dhe s’dinte ç’të bënte. Vetëm kur ranë kambanat e Shën-Gjergjit, që lajmëronin se po dilte kisha, plakës iu kujtua zoti i madh dhe filloi t’i lutej shenjtit t’i lehtësonte dhëmbjet së resë e t’i ipte lirim të mbarë. Me gjithë të keqtë e atij çasti nuk harroi të falej që t’i gëzonte shtëpinë me një djalë.
Të gjithë këto i bëri me mënt e saj, vetëm këtë të fundit e tha me zë, sikur kërkonte që ta dëgjonte dhe e reja.
Nusja që kishte rënë një hop në atë qetim të shkurtër në të cilin bien rëndom gratë shtatzëna kur janë duke mbledhur fuqi për shtërzimin e fundit, u dha buzëve të mavijosura një fije gazi të hidhur. -Ashtu, vërtet, moj nënë, djalë qoftë, çupë mos u bëftë, se ne gratë na ka nëmur zoti qëkur na bëri gra…
Qerrja që hidhej sa më një krah, më një krah nga një herë në tjetrën, po bënte të sajën, lehtësonte dhe afronte orën e madhe të dritës e të qetësisë.
Atë hop, kur Piloja shpoi rëndë kazilin që të bënte djathtas e të linte mënjanë një pellg të thellë me ujë, nusja lëshoi një klithmë të thekëshme:
– Uf, nëno moj! – sikur hosteni të ishte ngulur në trup të saj e jo në lëkurën e argasur të kaut.
Kio ndjenjë e çuditshme e zaptoi menjëherë Pilon, që në hop hoqi hostenin nga vithet e kafshës dhe ktheu kokën të shikonte ç’kishte e shoqja. Qetë, lënë në punë të tyre, i ranë lerës përmes.
Shtatzëna në të dhëmbura e sipër, u shpëtoi duarve të plakës që e mbanin të mos briste e ta dëgjonin bota dhe u kthye më krah, sikur ashtu do të gjente lehtësimin që kërkonte. Gjunjët, mbledhur mbi bark, iu përpoqën në faqen e një dengu me plaçka. Rrangullat e shtëpisë u rrokullisën nëpër qerre dhe një trastë shkau e ra në tokë. Trahanaja e imët dhe e thatë kërckë u përhap mbi baltë.
-Uaha kazil, uaha kuqo! U foli Piloja qeve që të ndalojnë dhe vetë, si pështeti hostenin në tokë, u hodh poshtë.
Edhe qerrja e dytë pushoi së qari. Qetë duke shfryrë jashtë avullin e dendur e të ngrohtë, zhytën turinjtë në trahana dhe nisën të përtypen me qejf. Një shkumë e bardhë filloi t’u rrjedhë si zlnxhir i hollë nga të dy anët e bulgive.
Nga bishti i qerres së pasme kërceu në rrugë dhe ndau drejt së parës një vajzë nja gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Pa ngjeruar asgjëkundi, i ra baltës përmes dhe doli në krye të karvanit. Ishte Vita, çupa e madhe e Pilos.
– Ç’kërkon, moj bijë, që erdhe!… i foli gjyshja. – Nuk bën të rrish, këtu, po shko… je çupë e rritur tashti…
-Nëna, ç’ka nëna?,…
Prindi, pasi u vuri qeve përpara e më këmbë hostenin e gjatë, si shënjë që s’duhej të lëviznin nga vendi, i ra qerres rrotull dhe doli në bisht të saj.
_Po ty, moj, kush të thirri të vish?
Kur vajza pa t’anë kaq të ngrysur e tek vetulla e mëngjër i epte fët-fët poshtë e lart si për kohë të lirë, uli kokën dhe mërmëriti:
-Erdha se mos më do gjëkafshë nëna… dhe, sikur të kishte në duar ndonjë palë kriga, kapërceu gishtërinjtë me njëri-tjetrin pa ditur ç’të bëjë tjetër.
-Shko, shko te qerrja, se s’mbeti jot’ëmë për ndihmën tënde! i foli i ati, duke i bërë me kokë, sikur kërkonte ta shtynte tutje.
Si u largua çupa, Piloja iu afrua s’ëmës.
-E, plakë, si duket puna, a do të mbajë dot gjer në Seman?
-Zor, o bir.. Më duket se po e mundojmë e po hyjmë në gjynah me zotin dhe me të… Ktheje më mirë qerren për në Bishtanakë, tek hani. Gjyshja ngriti kokën dhe pa të birin në sy, si për t’i zgjidhur mendjen.
-Ma desh zemra të lindte fëmija në dhè të ri, se, kush e di, mund të na sillte të mbarë… Po, nejse, kur s’do perëndia, s’ka ç’bën robi… – tundi kokën dhe u largua drejt kreut të karvanit. Mori hostenin, hodhi lart dhe shpoi kuqon që të kthente, më të djathtë.
Qerrja e parë u nis. Me të luajti nga vendi dhe mori rrugën edhe e dyta.
Vita, si ngriti fustanin nja një pëllëmbë mbi gju, pështeti kërcinë mbi kapitalin e pramë, mbërtheu shtizën e madhe, i dha vehtes dhe u hodh brenda. Mori pastaj në dorë tërkuzën me të cilën ishte pas rrapinës lopa e vetme e shtëpisë dhe e tërhoqi për të shkurtuar pashin e lirë. Qerrja po kthente udhë dhe ishte frlkë mos lopa mirrte nëpër hendek.
-Pse qan ata, mos e rrahu tata?… pyeti vëllai i vogël zgjuar në kohën kur qerrja kishte pushuar së tunduri e përkunduri.
-jo, vëllaçko, nuk qan ata, por prit dhe pak, të shohësh se kush do të qajë:vëllai apo motra… iu përgjigj Vita, duke tërhequr me një dorë tërkuzën e lopës dhe me tjetrën duke shtrirë të vëllanë.
Qerrja filloi të lëkundej përsëri dhe boshti i palyer ia nisi vajit të tij: “criu-criu flq…” avaz që po e mbante që atë mëngjes kur i zoti i harroi, apo s’pat nge, t’hedhë masën e katranit. Kjo e qarë zvarrëzvarrë, si ajo tërkuza e lëshuar e lopës që Vita e kish lënë nga dora, shiu i imët i fushës së Myzeqesë, që s’priti gjersa karvani të zinte Kilin e vogël. Koka, lëshuar gjumit dhe ëndrrave, po i shkonte sa mënjanë nga troshitja.

Reja e dëndur e shiut, që sa vinte e po afrohej qerreve që çanin në mes të fushës së shkretë, kishte mbuluar si në një shparg me thekë të thinjtë gjithë ç’la pas karvani atë mëngjes: Tomorin, Shpiragun, Shën-Kollin, Fierin. Sytë e vajzës, si kaluan një çast vështrimin e plogët e të qullët të kafshës që vinte pas, u mbushën përnjëherë me lot. Bulzat e ujit mbi faqen e një pellgu të rrahur nga shiu, dukeshin si barka të vogla që kishin ngritur velat për udhëtim, ashtu si lotët e vajzës që kishin marrë teposhtë faqeve. Kapur fort pas hunjve të qerres, kokën pështetur mbi faqen e rrogëzit që mbulonte plaçkat dhe binte gjer poshtë, vështrimin mbytur në atë re të madhe shiu, as Vita s’e kuptonte dot kush ja ndillte gjithë këtë trazim e pikëllim: arratia nga fshati ku kishte lerë e ishte rritur, lëngimi dhe dhembjet e nënës, apo ndonjë duf i ri që s’e pati ndierë gjer atë ditë në kufijt e fshatit të saj, në gjerdhet e kasolles së saj.

II
Vita, si të gjitha vajzat e bujqve myzeqarë, ishte rritur në mes të pocaqisë dhe varfërisë. Po jeta ka rrugën e vet, që e ka filluar kush e di se ku e kush e di se si, saqë njeriu ngre supet përpara çudive të saj. Grizarakja ishte zhvilluar aq mirë, sa që të kujtonte atë lekoin e bukur të kënetës, që çel si për mrekulli të botës mbi ujët e pocaqisur të moçalit.
Shtatin e kishte pak si më të vërvitur për moshën e saj dhe për kockën pakëz të shkurtër të femrës myzeqare. Këmbët e gjata, (ja, tani, atje, në buzë të qerres, kërcinjtë e saj të varur jashtë sa nuk mirrnin dhè), i dukeshin akoma më gjatë nën fustanin e vjetër, shkurtuar shumë, se shumë ishte rritur brënda këtij viti të fundit. Thimkat e gjinjëve të vegjël, si ai bisku i fasules që ngre kokën e fryn tokën e ardhur nga vakësia e pranverës, ia kishin hedhur kraharorin përpjetë. Vetëm kurrizi i mirrte pak përpara, sikur t’i ishte thyer nga barra e punëve të shtëpisë. Po jo, në këtë moshë, s’ka çi bën puna shtait të një vajze si Vita. Shpatullat e mbledhura varfërisht e sipër të futur e të fshehur nën vehte krahërorin e përhedhur, do të kenë ndonjë shkak tjetër.
Vita ishte vajza më e madhe e shtëpisë së Shpiragajve. Si vajza më e rritur në mes atyre djemve në moshë, ajo ndjente një lloj drojtje, turpi, për ato shenjat e femrës që me ditë po i piqeshin e me orë po i shquheshin. Andaj nisi, një nga një, t’ia fshehë botës: në fillim, nën qepallat e gjata, si halë gruri, mbuloi sytë levarashë, pastaj zgjati fustanin nja dy gisht, për të fshehur kufíjtë e kofshëve dhe më vonë, kur pa se s’po ia dilte me të ndrydhur e me të shtypur të gjoksit që po shpërthente pa e pyetur atë, përktheu kurrizin përpara dhe mundi,
një farë kohe, t’i bëjë ballë sulmit të moshës së bukur, po të paturpshme. Po a e dini? … Vita sikur t’i kishte bërë të gjitha këto për të hequr më tepër sytë e botës: Qerpikët e ulur përgjysmë mbi gropëzat e syve, që lëshuan mbi mollëzat e faqeve një hije të lehtë, thelluan akoma më tepër gjallërinë e bebzave të saj të zjarrtë, pothua ashtu si thellon e nxinë nata grykën e pusit; teksa kurrizi, përkulur pakëz përpara e pajtuar aq mirë me sytë e ulur përgjysmë, i mësoi një të ecur të drojtur, që mori, me kohë, hijen e nazes.
Gjithë djelmuria e Grizës shkallonte pas asaj çupe. Duke fshehur bukuritë që natyra ia kishte falur me të dy duart ajo shtonte akoma më shumë, pa e ditur, nepsin e çapkënëve dhe remashëve të fshatit. Por gjer ahere asnjë s’ia kishte ngritur dot sytë dhe shtatin: siç duket, qerpikët e Vitës kishin qëlluar shumë të rëndë.
Çuditej e linte mëndjen vajza me ato çupat e qytetit: Si bajamet e pranverës edhe ato… që s’presin sa të çelin lulet e para, për të ndjellur në gjirin e tyre bletët që do t’i trazojnë dhe gudulitin!…
Kurse ajo?… Ajo turpërohej edhe nga njerëzit e shtëpisë, edhe nga vehtja e saj.
Po gjer kur do ta fshihte e ndrydhte kraharorin?…
Ja pse buza e poshtme, shpërveshur posi fiera e njomë e trëndafilit në pisk të vapës, po i mirrej atë kohë; ja pse po i mbusheshin me lot atë orë. Shiu i dendur që po fshinte qiellin, fushën, rrugën, thua se donte ta shuante nga bebëzat e vajzës gjithçka që kishte gëzuar e jetuar gjer atë ditë, (njëlloj si shuhen nga dërrasa e zezë, me një të fshirë, shkronjat e bardha) i bëhej se po ja ndrydhte akoma më shumë gjirin, zemrën.
Më duket sikur po e marrim kot nëpër gojë myzeqarkën e vogël. Gjer më sot asaj s’i kishte rrahur zemra për asnjë nga djemtë e fshatit…
Po ah!… Kjo drita e bardhë e dashurisë së parë është posi rrezia e yllit të ditës: duket në qiell e mbush botën me dritë edhe pa dalë dielli mirë…
Karvani i qerreve qëndron përpara hanit të Bishtanakës.

E ku kuptohet ndonjëherë nga çastisin rrëketë që mbushin lumin dhe e bëjnë të buçasë nga shtrati dhe udha e tij!…

Filed Under: Kulture Tagged With: fragment, Jakov Xoxa, Lumi i Vdekur

KRISTO KIRKA- Emigrimi në SHBA

November 17, 2012 by dgreca

Nga Uran Butka*/

   Mërgimi  i shqiptarëve në Amerikë kishte nisur në fund të shek.XIX, ndërsa në shek.XX Amerika u bë vendi kryesor dhe më i lakmueshëm i emigracionit shqiptar. Dallohen tri etapa të emigracionit shqiptar drejt Amerikës: e para fillon nga fundi i shek.XIX dhe mbaron në vitin 1920, me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar; etapa e dytë përfshin periudhën midis dy luftërave botërore dhe etapa e tretë  përfshin periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Periudha  e parë e këtij emigrimi ngërthen vitet 1892-1920, kohë e ndryshimeve të mëdha politike e kombëtare në Ballkan dhe në Shqipëri. Ajo ka si tipar kryesor  fluksin në përmasa të konsiderueshme të emigracionit shqiptar në Amerikë, përmirësimin e tij ekonomik, fillimin dhe zhvillimin e një lëvizjeje të fuqishme kombëtare në mbështetje të pavarësisë, shtetit  shqiptar dhe mbrojtjes  së integritetit territorial e kombëtar të Shqipërisë të rrezikuar nga pushtuesit fqinjë, por edhe nga pazarllëqet dhe interesat e Fuqive të Mëdha.[1]

   Edhe pse kishte shkuar më parë ndonjë shqiptar i vetmuar, viti 1894 shënon vajtjen  në SHBA të  një grupi prej 17 korçarësh, me udhërrëfyes Kol Kristoforin, duke  formuar  bërthamën e diasporës shqiptare në Amerikë.[2]

   Motivi parësor i shqiptarëve që emigronin nga vendi i tyre, ishte ai ekonomik.

Gjendja ekonomike e Shqipërisë në fillimet e shek.XX ishte e shkatërruar plotësisht. Ende nën pushtimin e të “sëmurit të Bosforit”, ajo vuante, veç të tjerash, edhe nga një krizë e rëndë ekonomike e pashpresë, e shkaktuar nga regjimi feudal otoman, prapambetja e gjithanshme, rrënimi total i bujqësisë dhe  taksat  e papërballueshme.

   Krahas emigrantëve ekonomikë, u shfaqën edhe emigrantët politikë, që gradualisht përbënin numrin më të madh ndër ata. Faktori politik ka luajtur një rol të rëndësishëm për emigrimin shqiptar drejt Amerikës. Madje, sipas burimeve të ndryshme, ky faktor ka rolin kryesor. Shpërthimi i kryengritjeve shqiptare antiosmane, trazirat e shpeshta brenda Perandorisë Turke dhe kriza e saj e thellë politike, luftërat e vazhdueshme, sidomos  Lufta italo-turke, shpërthimi i luftërave ballkanike, por edhe i mynxyrave të brendshme, shkelja e Shqipërisë nga ushtritë e huaja, pasiguria e jetës e të tjera kanë qenë  faktorët kryesorë që shkaktuan një valë të madhe emigracioni nga Shqipëria, kryesisht nga Shqipëria e jugut drejt SHBA. Ndër ta, duhet veçuar pushtimi i Shqipërisë së jugut nga ushtria greke në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, masakrat dhe terrori që  bënë  gjatë këtij pushtimi.[3]

   Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit, shkruante: “Nuk jemi më tepër se 50 e ca, që ne, duke marrë shembuj të tjerët, erdhëm këtu në Amerikë, e cila pas pakë do të jetë vendi, që do të ketë më shumë shqiptarë” [4]

   Emigrantët e parë shqiptarë u vendosën në qytetin e madh të Bostonit, por  u përhapën edhe në qytetet e tjerë të shtetit Massachusetts. Mandej, për arsye pune,  u përndanë edhe  në shtetet e New York-ut, Pennsylvani-së, Michigan-it, Missour-it, Ohio-s  etj.  Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë New England, që përfshinte shtetet: Maine, New Hampshire, Massachusetts, Rhode Island dhe Connecticut.[5]

   Emigantët shqiptarë u punësuan kryesisht në fabrikat e tekstileve, të këpucëve dhe industrinë e rëndë, por një pjesë e tyre u mor me tregti e biznes të vogël. Sipas gazetës “Kombi”, shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane dhe kishin hapur 6 restorante, tri furra buke, një berberhanë etj. Në faqet e kësaj gazete botoheshin reklamat për hotel-restorant “Skënderbeg”, hotel “Korça”, hotel “Albania”, restorant “Tomorri”, hotel “Ali Pasha” dhe biznese të tjerë.

   Megjithatë, mendoj se emigrimi për shkaqe politike ka qënë determinant, sepse gjatë kësaj periudhe ( 1900-1920) në hapësirën shqiptare ndodhën ngjarje të rëndësishme politike, siç ishte lufta e armatosur për çlirim kombëtar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, zaptimi i vendit  nga ushtritë greke e serbo-malazeze, që bënë masakra të padëgjuara, mandej pushtimi nga ushtritë italiane, austriake dhe franceze përgjatë Luftës së Parë Botërore, kryengritja antikombëtare e Haxhi Qamilit dhe rrëzimi i shtetit shqiptar, kthimi i Shqipërisë në një shesh lufte dhe interesash politike të forcave ndërluftuese ballkanike dhe europiane etj. Të gjitha këto situata kombëtare, por edhe mjaft ngjarje të rënda  lokale, e tronditën dhe e rrezikuan seriozisht jetën, qenien dhe ekzistencën shqiptare në trojet e tyre etnike, ndaj një pjesë e popullsisë shqiptare u largua nga Shqipëria për në vendet e tjera, kryesisht në  Turqi, Misir, Rumani, Bullgari, ku ekzistonin kolonitë e mëparshme të emigracionit shqiptar, por, më së shumti, në Amerikë, ku u mundësohej punësimi dhe jetesa.

   Studiuesi J.S. Roucek, i njohur për hulumtimin e emigracionit shqiptar dhe jugosllav në Amerikë, thotë se refugjatët politikë përbënin shumicën  e emigracionit shqiptar në SHBA.[6]

   Ky fakt bëri që edhe veprimtaria e tij kryesore të ishte politike, e lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

   Kjo periudhë e parë përkon edhe me migrimin dhe veprimtarinë e Kristo Kirkës në SHBA, refugjat për motive politike, por që u bë një nga veprimtarët më të shquar të çështjes sonë kombëtare.(Lexo me Shume en Diellin special te 100 vjetorit te Pavaresise)



[1] Beqir Meta Federata panshqiptare “Vatra”, 2002

[2] Kostandin  Demo, The Albanians in Amerika, Boston Mass 1960

[3] B. Meta,Federata Panshqiptare “Vatra”, Tiranë 2002

[4] Gazeta “Kombi” 30 qershor 1906

[5] J.S.Roucek, The Albanian and Yugoslav immigrants in Amerika,  1937-1938.

[6] Po aty

Filed Under: Histori Tagged With: dielli, fragment, Kristo Kirka, Monografia, Uran Butka

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT