• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BASHKIMI KOMBËTAR NUK ËSHTË IDE ABSTRAKTE

October 3, 2016 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Tre tetori shënon Ditën e Bashkimit Gjerman.  Çdo vit në këtë datë, Gjermania feston ditën kur në vitin 1990 Gjermania lindore dhe Gjermania perëndimor u bënë një. Bashkimi paqësor i Gjermanisë pas ndarjes prej disa dekadash nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e vendosur të “miqëve tanë amerikanë”, thuhet në portalin e misioneve diplomatike të Gjermanisë, në Shtetet e Bashkuara.Në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, Presidenti gjerman Joachim Gauck theksoi se në këtë ditë, ne kujtojmë të gjitha ato që kemi arritur gjatë disa viteve të kaluara të historisë tonë.  “Ne festojmë”, shtoi ai, “dëshirën për liri, të kërkuar nga qytetarët në Leipzig, në Plauen, në Berlin dhe në shumë qytete dhe lokalitete të tjera të Gjermanisë lindore.  Ishte Revolucioni i tyre Paqësor që e bëri të mundur bashkimin e dy shteteve gjermane”, nënvijoi presidenti Gauck.  Presidenti gjerman theksoi gjithashtu se sot “festojmë arritjen e një shteti, në të cilin miliona qytetarë, me një ndjenjë vet-besimi, iu përveshën punës dhe realizuan objektivin kombëtar, që ishte bashkimi.”

 Udhëheqsi gjerman, në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, përmendi edhe gjëndjen aktuale në Gjermani që ai i cilësoi si “të turbullët dhe të vështirë”, ndërsa përballemi rishtas me detyrën për të siguruar bashkimin e mbrendshëm të vendit tonë, nënvijoi ai.  Duke folur për krizën aktuale të refugjatëve si një sfidë e veçantë për mbarë vendin, Presidenti Gauck u shpreh se ai është i vetdijshëm ndaj shqetsimeve të shumë qytetarëve në lidhje me gjëndjen e krijuar nga refugjatët, por theksoi se, “është me rëndësi që konfliktet të zgjidhen haptazi dhe me mënyra paqësore duke u bazuar në ligjet bazë të vendit”.  Gjermania, tha me këtë rast presidenti Gauck, megjith sfidat me të cilat përballet, është e fortë dhe stabile.  Në lidhje me situatën në radhët e Bashkimit Europian, udhëheqsi gjerman tha se qëllimi është që të rivendoset bashkimi i mbrendshëm dhe diversiteti.  “Në duhet ta bëjmë Europën më të fortë, me qëllim që të ruajmë paqën, lirinë, sigurinë dhe begatinë”, në mbarë kontinetin, tha ai.

 Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në emër të Presidentit Obama dhe të popullit amerikan i uroi popullit gjerman, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.  Në mesazhin e tij, kryediplomati amerikan kujtoi jetën e tij në Berlin në vitet 1950-ave, duke thënë se ishte vet dëshmitar i efekteve të dëmshme që kishte sjellur ndarja e dy gjermanive gjatë luftës së ftohtë.  Në atë kohë, shtoi ai, shumë besonin se Gjermania nuk do të bashkohej kurrë më dhe se qytetarët e dy gjermanive nuk do të lejoheshin kurrë më të jetonin së bashku nën flamurin e demokracisë.  Në mesazhin drejtuar kombit gjerman me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, kryediplomati amerikan shprehu mirënjohjen e tij për miqësinë e thellë që ekziston midis dy vendeve, duke venë në dukje lidhjet që ekzsitojnë midis dy shteteve, në fushën e sigurisë si dhe për vlerat dhe interesat që ndajnë këto dy vende në fushë të ndryshme, përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare.  Çdo ditë, theksoi John Kerry, në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, “Ne konsultohemi mbi mënyrat për të shënuar përparim drejtë objektivit tonë të përbashkët për një botë më stabile, më në paqë dhe më të begatë.”  Në këtë Ditë të Bashkimit të Gjermanisë, le të ritheksojmë angazhimin tonë të fortë ndaj aleancës midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, përfundoi Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerry.

Është e pamundur që me një rast si ky, siç është Dita e Bashkimit të Gjermanisë, të mos na pështillet në mend edhe endërra e shqiptarëve për bashkim kombëtar.  Gjermanët i dhanë fund ndarjes artificiale më 3 shtator, 1990 dhe bënë që kombi i tyre, megjith historinë e vështirë për veten dhe për të tjerët, e bënë shtetin gjerman që përsëri të respektohej në botë.   Edhe kombi shqiptar është artificialisht i ndarë, për më shumë se një shekull tashti.  Arsyet e ndarjes se Gjermanise pas Luftës së Dytë Botërore ishin të ndryshme dhe ndoshta të justifikueshme, në krahasim me ndarjen e tokave shqiptare, ku fqinjët e pangopur kërkonin dhe morën me dhunë tokat e Arbërit me miratimin e fuqive te mëdha evropiane te kohës. Të gjithë njerezit e vullnetit të mirë e dinë se nuk ka Shqipëri të madhe e as Shqipëri të vogël — ka vetëm një Shqipëri — atje ku flitet shqip, mbrenda territorit me homogjen në Evropë.  Ndjenjat dhe shpresat e Shqiptarëve për një shtet për të gjithë Shqiptarët në Ballkan e kanë zanafillën tek Gjergj Kastrioti, ndjenja këto që me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të parët e shqiptarëve — në prag të rrezikut të copëtimit të mëtejshëm të kombit — i thanë Evropës dhe botës, ndal se këtu ka Shqiptarë që I dalin zot këtij trolli.

Ka njerez që thonë se për shqiptarët nuk ka ardhur koha ende për bashkim.  Madje udhëheqsit më të lartë shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, kur pyeten në lidhje me këtë temë, thonë se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në kuadër të antarësimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian. Mrekulli, por ama këtu qëndron problemi për shqiptarët, pasi antarësimi në Bashkimin Europian nuk ka të ngjarë të ndodhë në një të ardhme të afërt, për arsye të një numri mos plotësimit të një numri kritiresh të kërkuara nga Bashkimi Europian për të gjitha vendet që kërkojnë antarësim, përfshirë zhvillimin e mirëfillët të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe në Kosovë.  Fatkeqsisht, pa konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe pa zbatimin e ligjeve që duhet të jenë të barabarta për të gjithë dhe ku të drejtat e njeriut të mos konsiderohen si të shënjta për të gjithë, është vështirë të merret me mend se Shqipëria dhe Kosova do të antarësohen së shpejti në Bashkimin Europian, ashtu siç pretendojnë disa zyrtarë në të dy anët e kufirit.  Frika është se pa konsolidimin e këtyre kërkesave nga të dy shtetet shqiptare, nuk do të ketë as antarësim në Bashkimin Europian dhe as bashkim e integrim të shqiptarëve në Bashkimin Europian.  Ndërsa pa bashkim dhe bashkrendim të qëndrimeve dhe të mendimeve të shqiptarëve, të të gjitha trojeve, për një jetë të përbashkët në të ardhmen me respekt për njëri tjetrin, fatkeqsisht nuk do të ketë as bashkim eventual të trojeve shqiptare.  Si rrjedhim, statuskoja do të vazhdojë, falë vet shqiptarëve.

Megjithëkëtë, bashkimi i shqiptarëve nuk është dhe nuk duhet të jetë një ide abstrakte, e pa arritshme.  Dihet se për shqiptarët kudo, bashkimi kombëtar mbetet ende një ëndërr që nuk shuhet.  Ashtu edhe duhet të jetë.  Kështuqë, ndërsa kombi gjerman feston bashkimin e Gjermanisë me 3 tetor, ashtu edhe shqiptarët  shpresojnë që të festojnë një ditë bashkimin kombëtar– nën flamurin e Gjergj Kastriotit Skëndërbe — mbrenda kufijve të vet natyror,  në paqë dhe bashkpunim me fqinjtë e tyre dhe si pjesë e integruar dhe e pandarë e Europës, aty ku historikisht e ka vendin kombi shqiptar, krah për krah edhe me kombin e bashkuar gjerman.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Bashkimi Kombetar, Frank shkreli, si opsion

70-VJETORI I MARTIRIZIMIT TË AVOKATIT MUZAFER PIPA

September 29, 2016 by dgreca

 

1-frank-shkreliNga Frank Shkreli/

”Si asht e mundun zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish-“teneqexhi”, (ishte fjala për Koçi Xoxen), e për prokuror një ish-“kafexhi”, (e kishte fjalën për Bedri Spahiun), të munden sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?”,

Kështu është shprehur Avokat Muzafer Pipa më 22 mars të vitit 1946, drejtuar trupit që gjykonte, ndër të tjerë, At Gjon Shllakun, At Gjon Faustin, At Daniel Dajanin, përfshirë studentët Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Lulashi, Fran Miraka, dhe Qerim Sadiku, të cilët u dënuan me pushkatim nga trupi gjykues në Shkodër.  Në këtë gjyq, ku Avokat Muzafer Pipa shërbente si avokat mbrojtës i tyre, ai, sipas dëshmitarëve, me të vërtetë pat treguar një guxim  dhe trimëri të paparë, por edhe altruizmin njerëzor, në mbrojtje të klerikëve katolikë.  Megjithse ai nuk kishte ndonjë lidhje me jezuitët, françeskanët, ose me klerikë të tjerë, Muzafer Pipa u shty nga guximi, ndershmëria, nga heroizmi dhe ndjenja e drejtësisë për të afërmin — si avokat besnik që ishte ndaj profesionit të tij, për t’u ardhur në ndihmë klerikëve të pafajshëm.Ndërgjegja e tij nuk e lejonte të rrinte duar kryq përball padrejtsishë të tilla, madje megjithse ishte i vetdijshëm se një mbrojtje e tillë e klerikëve katolikë nga ana e tij, mund të çonte edhe në dënimin e tij me vdekje, gjë që më në fund edhe ndodhi më 30-shtator, 1946.  Vëllai i Muzaferit, Profesor Arshi Pipa më ka thënë se avokati mbrojtës i klerit katolik, Muzaferi e bëri këtë punë krejtësisht në baza vullnetare, pa u marrë asnjë lek të akuzuarve për shërbimet e tij.  Për më tepër, ai e bëri këtë detyrë me pasion dhe me bindjen më të madhe, duke dhënë prova të pa-diskutueshme dhe duke bërë një mbrojtje të jashtzakonshme me fakte se akuzat shpifëse të gjyqeve komuniste kundër klerikëve shqiptarë ishin fals.  

Disa muaj pas këtij gjyqi dhe pas pushkatimit të klerikëve katolikë të lartë përmendur, autoritetet komuniste e arrestojnë edhe Muzafer Pipën duke i mohuar atij të drejtat e tija bazë, si avokat dhe si qytetar.  Ai u torturua nga autoritetet komuniste me një hakmarrje të egër për kurajon dhe vendosmërinë e tij civile dhe profesionale që ai tregoi në mbrojtje të të drejtave të klerikëve katolikë shqiptarë.

Profesor Arshi Pipa shënon në “Librin e Burgut” se, “Im vëlla, Muzafer Pipa, avokat, qe arrestue në Shtatuer, 1946 dhe mbasi u torturue deri në vdekje, u nxuer dhe u vra me nji batare automatiku në Degën e Sigurimit të Shkodrës, kinse kishte dashtë t’ikte”.   Arshi Pipa, në “Librin e Burgut” shënon gjithashtu se vrasjen e vëllait të tij Muzaferit ia kishin mbajtur të fshehtë dhe se e kishte mësuar vetëm gjatë procesit të dytë kundër tij, në Prokurorinë e Durrësit.  Në “Elegjinë Vëllaznore”, kushtuar vëllait Muzafer, në lidhje me këtë deshpërim të thellë, poeti shprehet se:

                        “Ma thonte zemra e ngrata

                          Se jeta t’kishte lanë

                          Edhe pse shokët e miqtë

                          Nuk dojshin me ma thanë”.

Fatkeqsisht, Muzafer Pipa si shumë intelektualë patriotë shqiptarë të kohës së tij e pësoi jo vetëm nga komunizmi por edhe nga fashizmi.  Me okupimin e Shqipërisë nga Italia, Muzafer Pipa, së bashku me shumë studentë të tjerë shqiptarë dërgohet në kampe përqëndrimi në Itali, ndërkohë që lirohet pas dy vjetësh dhe i jepet mundësia të vazhdonte studimet që përfunduan me diplomimin e tij në universitetin e famshëm të drejtësisë në Padua.  Profesor Arshi Pipa, në lidhje me vuajtjet dhe mundimet e të vëllait gjatë kësaj periudhe mundimesh për mbarë familjen Pipa, ka shënuar se, “Im vëlla pat qenë burgosë nga auktoritetet fashiste italiane në ishullin Ventottene, afër Gaeta-s, më 1940 dhe ma vonë qe internue në kampin nazist të Prishtinës, më 1944”, duke u shprehur në poemën Elegjia Vëllaznore, kushtuar vëllait të vrarë se:

                            “Ti vuejtje, ti rreziqe

                              Durove simbas stinës

                              Nga ishulli i Ventottenës

                              Ndër telat e Prishtinës”            

Në fund të vitit 1944, Muzafer Pipa lirohet nga kampi nazist i përqendrimit në Prishtinë dhe këthehet në Tiranë për të ushtruar detyrën e avokatit.  Megjith aftësitë dhe edukatën e tij si avokat i diplomuar në Itali, Muzafer Pipa refuzon t’i bashkohej regjimit komunist të posa vendosur në Tiranë, pasi kishte venë re qyshë heret shkeljen brutale të të drejtave bazë të shqiptarëve nga regjimi i ri komunist i Enver Hoxhës.

Në vitin 2008 Shkodra e tij i akordoi titullin “Qytetar Nderi”. Ndërkohë që ish-Presidenti i Shqipërisë Topi e ka dekoruar Muzafer Pipën me Urdhrin, “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) me motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri”.

Në kujtim të vëllait të martirizuar nga regjimi komunist, megjithse poeti nuk dinte për veten e tij nëse do të dilte i gjallë nga burgjet komuniste të  të asaj që ai e ka cilësuar si “kohës së robnisë”, i betohet vëllait të vet  të vrarë, Muzaferit se:

 

                         “Kur ndofta nga mizori

                          Po përgatitet ura,

                          Për mue këtë herë, e kanga

                          E mbramë asht kjo që thura.

                          Me gjakun tand deshmori

                          Vulosi sot nji be

                          Përbuzi komunizmin

                      E truhem për atdhe.”

Avokati Muzafer Pipa sakrifikoi jetën e vet me dinjitet dhe ndershmëri, duke luftuar për kauzën e drejtësisë dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut për bashkadhetarët e tij, pa marrë parsyshë përkatësinë e tyre fetare dhe as dallimeve të tjera.  Prandaj, është me vend që në këtë 70-vjetor të martirizimit të Avokatit Muzafer Pipa – këtij, “Armiku të shtypjes e bir besnik i Atdheut” — jo vetëm katolikët, por mbarë kombi shqiptar ta kujtojë me nderim dhe respekt ketë hero të kombit, me shpresën që gjaku i tij të mos jetë derdhur më kot dhe që shembulli i altruizmit të tij human, guximi, trimëria dhe vendosmëria e tij si shqiptar dhe si jurist, në mbrojtje të drejtësisë për bashkombasit e vet para xhelatëve sllavo-komunistë, të frymëzojë brezat e rinjë të shqiptarëve.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: - 70 Vjet, Avokati Myzafer Pipa, Frank shkreli, pushkatimi

PAK TOLERANCË POLITIKE, JU LUTEM!

September 27, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Për Shtetet e Bashkuara ky është një vit, që në sipërfaqe mund të duket sikurë Amerika është duke kaluar nepër një periudhë krize shoqërore, trazirash, terrorizmi dhe të një sezoni të nxehtë politik, si rrallë herë më parë. Shkaktarë për këtë janë lajmet kryesore të ditës, të kohëve të fundit, përfshirë problemet raciale me të cilat përballet gjithnjë ky vend  siç pasqyrohen në marrëdhëniet problematike, që ekzistojnë ende në disa pjesë të vendit, midis policisë së jurisdikcioneve të ndryshme të Amerikës dhe komuniteteve afrikano-amerikane. Sulmet e fundit terroriste që kanë përfunduar në humbje jete e bëjnë jetën e përditshme më të pasigurt për të gjithë, ndërsa Byroja Federal e hetimeve (FBI) ka paralajmëruar se kërcënimet nga terroristët e mbrendshëm dhe ndërkombëtarë do të vazhdojnë të paraqesin sfida serioze për Shtetet e Bashkuara edhe në të ardhmen. Dhe më në fund kësaj atmosfere nuk i ndihmon shumë as fushata politike për president, akuzat dhe kundër akuzat e ashpëra midis kandidatëve të dy partive kryesore për president si dhe mungesa e atij që konsiderohet “qytetërim politik” në debatet politike dhe publike shton shqetësimet e amerikanëve të rendomtë, shumica e të cilëve, sipas anketave të fundit të opinionit publik, mendojnë se vendi është duke shkuar në rrugë të gabuar.

Ekspërtët dhe vërejtësit e fushatave politike në Amerikë thonë se fushata për president e këtij viti është si asnjë tjetër më parë. Kryesisht, ndoshta për arsyen se kandidatët e dy partive kryesore nuk janë, historikisht, të “zakonshëm”. Për herë të parë në histori Amerika ka një kandidate femër për president në personin e Hillary Clinton, me përvojë politike dhe diplomatike, kandidate e Partisë Demokrate. Ndërsa Partia Republikane ka emëruar Donald Trump, pa përvojë politike, por një biznismen multi- miliarder, pa dyshim i suksesshëm në fushë të ndryshme të veprimtarisë së tij në të kaluarën. Ato që mund të cilësohen si ethet presidenciale kanë kaplluar vendin ndërsa votuesit amerikanë, mbi të gjitha, duan të dinë, se cili prej këtyre dy kandidatëve kreysorë për president do të mund ta nxjerrë vendin nga këjo situatë serioze shoqëroro-politike dhe ekonomike dhe cili prej tyre mund të menaxhojë më së miri krizat e tanishme dhe të ardhme, të pa- parashikuara, kombëtare dhe ndërkombëtare.

S’ka dyshim se debatet e ashpëra dhe sulmet politike midis kandidatëve kryesorë politikë — herë më pak e herë më shumë — kanë qenë gjithmonë dhe janë pjesë e fushatave elektorale jo vetëm në Amerikë por edhe në vende të tjera demokratike të botës. Është pjesë e paevitueshme e procesit dhe nuk është vetëm një fenomen i shoqërisë moderne amerikane. Në të vërtetë, ajo që mund të konsiderohet si mungesë e qytetërimit politik në fushata elektorale dhe diskurse politike në Shtetet e Bashkuara është aq e vjetër sa edhe ekzistenca e vetë Amerikës si shtet, pra nuk është diçka e re as këtu në Amerikë, një vend ky që ka një traditë të gjatë demokratike. Madje, ka qenë presidenti i parë i Shteteve te Bashkuara Xhorxh Uashingtoni, ai që në fjalimin e inaugurimit të tij si president i kombit të ri, duke e parë si problem të mundshëm që atëherë ka paralajmëruar kombin mbi nevojën për një qytetërim politik në marrëdhëniet dhe diskurset politike dhe publike ndërsa vetë ai u ka premtuar bashkadhetarëve të tij, "Një angazhim të ri për të realizuar premtimet e kombit tonë nepërmjet qytetërimit politik, guximit, mëshirës dhe karakterit moral. Mbi të gjitha, Amerika duhet të përshtatë dhe të harmonizojë angazhimet e saj parimore, me shqetësimet dhe me nevojën për një shoqëri politikisht të qytetëruar.

Toleranca politike jo vetëm në politikë por edhe në jetën e përditshme, nënkupton respektin dhe vlerën që ne kemi për një person tjetër me mendime ndryshe. Stiven Karter, një komentator amerikan, në librin e tij me titull “Qytetërimi’’, shkruan se sjelljet tona me të tjerët  me vepra dhe me fjalë “Janë shenjë e respektit tonë për bashkqytetarët tanë, që t’i konsiderojmë ata si të barabartë me ne , si para ligjit ashtu edhe para Perëndisë. Kështuqë, rregullat e qytetërimit politik janë, në të njëjtën kohë, edhe rregullat e moralit. Është e moralshme’’, ka shkruar ai, “që bashkqytetarët tanë t’i trajtojmë me respekt dhe është e pa-moralshme nëqoftse nuk bëjmë një gjë të tillë. Kriza e mungesës së qytetërimit civil e politik në kohën tonë, është pjesë e një krize më të madhe morale’’, ka thënë Stiven Karter.

Xhim Liç, një ish-kongresmen republikan i cili ka shërbyer 30 vjetë ne Kongresin amerikan, kohë më parë ka shkruar në një artikull se "qytetërimi politik nuk ka të bëjë vetëm me sjellje të mira dhe nuk do të thotë se debatet e ashpëra politike duhet të shmangen. Përkundrazi, gjëja që nevojitë qytetërimi politik është gatishmëria nga ana e një personi që të dëgjojë me respekt pikëpamjet dhe qendrimet e të tjerëve, madje edhe të kundërshtarit, duke qenë të vetdijshëm se të gjithë ne jemi të lidhur dhe varemi nga njëri tjetri. Kongresmeni Liç, vazhdon duke thënë se është krejtësisht e natyrshme dhe në të vërtetë është normale dhe e pritshme që qytetarët të mos jenë dakord me njëri tjetrin mbi çështje politike dhe me qëndrimet e kandidatëve të ndryshëm, por që, më në fund, është e rëndësishme që këto mosmarrveshje t’i shprehin me votën e tyre." Ndërsa ajo që është me e rëndësishme sipas tij, "Është fakti nëse kandidatët ose partia që më në fund fiton zgjedhjet, kanë seriozitetin e duhur dhe kurajon politike të nevojshëme për tu angazhuar për një bashkpunim me të gjithë, përfshirë kundërshtarët politikë, për të punuar në të mirën dhe për realizimin e interesave të përbashkëta madhore të kombit."

Fatbardhësisht, në Amerikë ka ekzistuar historikisht një tolerancë politike midis palëve opozitare. Ana tjetër e monedhës, kryesisht, tregon se pas përfundimit të zgjedhjeve, në shumicën e rasteve, palët kundërshtare pas debateve shpesh të ashpëra politike, bien dakort për realizimin e interesave të përbashkëta të kombit.

Të hënën mbrëma, u mbajtë debati i parë i tre debateve midis dy kandidatëve kryesorë për president, Hillary Clinton dhe Donald Trump. Debati ishte tepër i ashpër, me akuza dhe kundër akuza ndaj qëndrimeve të njërit tjetrit për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat përballet vendi, përfshirë ato që përmenda në fillim të këtij shkrimi. Por, pyetjes së fundit të moderatorit, nëse ata do të pranojnë rezultatin e votave të zgjedhësve amerikanë në nëntor, pa marrë parasyshë se cili prej tyre fiton, të dy u përgjigjen pa asnjë hesitim me po, se natyrisht do të respektojnë vendimin e zgjedhësve amerikanë. Donald Trump dhe Hillary Clinton janë të vetdijshëm se më në fund, janë votuesit ata që kërkojnë prej përfaqsuesve të tyre tolerancë politike ndaj kundërshtarve politikë në debatet për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi e bota dhe se qytetarët amerikanë njëkohsisht këmbngulin që ata t’u japin fund debateve të ligshta politike dhe sulmeve personale duke adaptuar tolerancën dhe respektin ndaj njëri tjetrit.

Megjithë debatet e ashpra politike midis dy kandidatëve kryesorë në fushatën e këtij viti për president dhe megjithë ndryshimet në programet përkatëse të dy kandidatëve për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi në përgjithësi, duket se prapseprap, çdo gjë është në rregull me traditën e tolerancës politike në Shtetet e Bashkuara.

Dëshmia më e fundit e kësaj tolerance politike ishte edhe inaugurimi fund javën që kaloi i Muzeut Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano- Amerikane në Washington, ku morën pjesë një numër personalitetesh nga jeta politike amerikane, përfshirë Presidentin Barak Obama dhe ish-Presidentin George W. Bush. Përqafimi i ish-presidentit republikan George W Bush nga Zonja e parë Michelle Obama – që u dokumentua me një fotografi e cila u përhap anë e mbanë botës si diçka e rrallë — është në të vërtetë një pasqyrim i kësaj tolerance politike, historikisht amerikane.

Amerika nuk ka pretenduar kurrë as nuk pretendon tani se është një shoqëri e perfeksionuar dhe gjithmonë tolerante, por siç u shpreh edhe Presidenti Obama në fjalën e tij me rastin e inaugurimit të Muzeut Kombëtar Afrikano- Amerikan fund javën që kaloi, “Vetë fakti i inaugurimit të këtij muzeu sot nuk vërteton se Amerika është një shoqëri e perfeksionuar, përkundrazi. Por, gjëja që vërteton inaugurimi i këtij muzeu është – se nga idealet e themelimit të këtij kombi, të këtij vendi të lindur nga ndryshimet, të këtij vendi të dalur nga revolucioni — ky vend mund të bëhet edhe më i mirë”, për të gjithë.

Duke iu referuar indirekt tolerancës politike dhe raciale ndaj njëri tjetrit, Presidenti i parë afro-amerikan përfundoi duke theksuar se, “Shpresojmë që ky muze të na ndihmojë të flasim me njëri tjetrin dhe për më tepër, që të dëgjojmë njëri tjetrin dhe të takohemi me njëri tjetrin”, pikërisht për të qenë më tolerant, ndaj njëri tjetrit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, PAK TOLERANCË POLITIKE

SHEMBUJ TË QYTETARIT GLOBAL

September 20, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të martën, më 20-shtator, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon hapi debatin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ës duke u bërë thirrje udhëheqsve botërorë të mbledhur në New York që, “Të jeni në shërbim të popujve tuaj.  Mos përmbysni demokracinë.  Mos vidhni dhe mos keqpërdorni burimet ekonomike të vendit tuaj.  Mos burgosni dhe mos torturoni kritikët tuaj.”   Fjalë të ashpëra këto të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ës drejtuar udhëheqsve të vendeve anëtare në fillim të punimeve të mbledhjes së 71-të të Asamblesë së Përgjithshme. Por megjith problemet që ekzistojnë anë e mbanë botës, Ban Ki Moon u tha përfaqsuesve botërorë se, “Duke punuar së bashku, duke vepruar në unitet, ne mund t’ia dalim”, shtoi ai, duke u përballur drejtë për drejë me sfidat botërore së bashku, ndërsa u kujtoi delegatëve të organizatës botërore fuqinë që posedon çdo individ për të ndryshuar botën.

Në kuadër të mbledhjes vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York —  Instituti “Atlantic Council” me qëndër në Washington, e që merret me studimin e çështjeve ndërkombëtare në fushën politike, ekonomike dhe intelektuale – dekoroi të hënen me çmimin vjetor “Global Citizen”, qytetarit global, tre individëve të dalluar, “lidershipi i të cilëve”, sipas këtij enti,  “ishte shembullor në përballimin e tyre me sfidat globale dhe në mbështetje të unitetit” ndërkombëtar.  Fituesit e këtij çmimi prestigjoz ishin Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe dhe muzikanti dhe kompozitori amerikan Wynton Marsalis.

Në darkën vjetore shtruar në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrale në New York për nder të fituesve të këtij çmimi morën pjesë rreth 500 udhëheqës qeveritarë, tregtarë, ushtarakë, mediatikë dhe përfaqsues të shoqërisë civile nga e mbarë bota, përfshirë edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili i dorëzoi Çmimin e Qytetarit Global, Kryeministrit italian, Matteo Renzi.

Kryetari i Atlantic Council, Jon M. Hunstman në fillim të darkës, theksoi rëndësinë që ka uniteti botëror në mbështetje të kauzave të përbashkëta, në përpjekje për të përmirësuar në përgjithsi gjëndjen në botë dhe për tu përballur me sfidat historike të kësaj kohe, me objektivin, shtoi ai, “që të krijojmë një botë më të lirë, më të hapur dhe më të begatë”, për të gjithë.

Duke i dorëzuar dekoratën e lartë Kryeministrit italian Renzi, personi më i ri nga mosha në atë detyrë,  Sekretari Amerikan i Shtetit Kerry iu drejtua pjesëmarrësve duke thënë se pa marrë parasyshë se nga vimë ose çfarë profesioni kemi, secili prej nesh si individë dhe të gjithë ne si grup, e konsiderojmë vetën atlanticistë.

Unë, shtoi kryediplomati amerikan, jam këtu sonte për të nderuar së bashku me ju kontributin e një udhëheqsi dinamik por edhe të një udhëheqsi gjithnjë e më të rëndësishëm në arenën e kontinentit europian.  Ai e cilësoi udhëheqsin e ri italian si një, “Reformator të guximshëm në vendin e tij dhe si një zë të fortë në fushën e sigurisë së përbashkët.”

Në fjalimin e tij kushtuar Kryeministrit italian, Z. Kerry përmendi Luftën e parë dhe të dytë Botërore, si edhe sundimin komunist anë e mbanë Europës për 50-vjetë, duke theksuar se para-ardhësit tanë, shtoi ai,  kishin arsye që themeluan Bashkimin Europian dhe organizatën e Atlantikut Verior, NATO.  Si rrjedhim, nënvijoi ai, “Kishte arsye që udhëheqsit vizionarë, duke filluar nga Çurçilli e Rusvelti e deri tek Adenauri e De Gasperi, u përpoqën të krijonin një komunitet transatlantik që do të shërbente si një platformë e qëndrueshme në mbështetje të stabilitetit, begatisë dhe paqës ndërkombëtare”.  Të gjithë ne — e sidomos personat që po nderojmë sonte shtoi ai — jemi mbledhur këtu si ruajtës dhe mbështetës të atij vizioni, tashëgimi e të para-ardhësve tanë europianë dhe amerikanë.

Kryediplomati amerikan foli gjithashtu edhe për marrëdhëniet e “mrekullueshme” që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Italisë, ndërsa përmendi njëkohsisht lidhjet e ngushta familjare, historike dhe kulturore që ekzistojnë  midis dy vendeve, dhe të cilat theksoi Z. Kerry, janë të çimentuara në vlerat tona të përbashkëta.

Këtu në Amerikë —  një vend dhe një kontinent i emëruar pas emërit të një biri tjetër të Firencës (Amerigo Vespucci) përfundoi Z. Kerry – jemi të kënaqur që Italia qeveriset sot në drejtim të duhur nga një udhëheqës guximtar dhe në përputhje të plotë me lidhjet dhe vlerat trasatlantike.

Nga ana e tij, duke pranuar dekoratën, Kryeministri italian foli mbi rëndësinë e udhëheqjes globale dhe shtoi se, “Qytetaria globale nuk është një çmim ose dekoratë në vetvete, por është një përgjegjësi që duhet të ushtrohet nga të gjithë.  Ne nuk mund të humbasim vlerat tona duke mos respektuar dinjitetin e çdo personi”, u shpreh udhëheqsi italian Matteo Renzi duke pranuar dekoratën e Këshillit të Atlantikut. Duke mbrojtur dinjitetin e secilit person, “Mund të humbasim disa vota”, përfundoi ai, “por ne nuk mund të humbasim vlerat njerëzore”, në këtë proces.

Këshilli i Atlantikut dekoroi edhe Kryeministrin e Japonisë, Z. Shinzo Abe për shërbimin e tij të gjatë publik dhe për udhëheqjen e tij të jashtzakonshme për sigurimin e paqës rajonale dhe për angazhimin e tij të vendosur në përforcimin e ekonomisë japoneze.

U dekorua gjithashtu edhe muzikanti i famshëm amerikan, Wynton Marsalis, i njohur botërisht jo vetëm për muzikën xhezë (jazz), por edhe si ambasador kulturor i cili i ka kushtuar gjithë jetën arteve dhe edukimit në fushën e arteve anë e mbanë botës dhe i cili me veprimtarinë e tij ka zhdukur pengesat midis artistëve dhe muzikantëve në të dy anët e Atlantikut.   Marsalis pranoi dekoratën e “Qytetarit të Botës”, duke u thënë të pranishmëve se, “Kur politika dhe financat humbasin rrugën e duhur, atëherë ne duhet t’u këthehemi rrënjëve tona – tek kultura.” .

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës, Ban Ki Moon u tha udëheqsve botërorë të martën se ndonëse një botë e përfeksionuar mund të duket shumë larg në horizont, mundësitë për realizimin e një bote të tillë ekzistojnë në secilin prej nesh, po të duam të veprojmë në të mirën e përbashkët dhe në unitet me njëri tjetrin.   Të tre të dekoruarit nga Këshilli i Atlantikut – Kryeministri i Italisë Matteo Renzi, Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe dhe muzikanti i njohur amerikan Wynton Marsalis – në mënyrën e tyre modeste dhe individuale janë shembuj të “qytetarit të botës” për tu ndjekur edhe nga të tjerët anë e mbanë botës.

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, SHEMBUJ TË QYTETARIT GLOBAL

MUZEU I NJË HISTORIE TË DHIMBSHME…

September 18, 2016 by dgreca

1-muzeu-afrikanFOTO:MUZEU KOMBËTAR I HISTORISË DHE KULTURËS AFRIKANO-AMERIKANE NË WASHINGTON/ Nga Frank Shkreli/Dhe realizimi i një ëndërre 100-vjeçare.  Bëhet fjalë për Muzeun Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në qendër të kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara, Washington DC, jo larg Shtëpisë së Bardhë dhe afër monumenteve dhe muzeve kryesore të kryeqytetit amerikan, përfshirë monumentin e babait të kombit, George Washingtonit. Presidenti Barak Obama, i pari president i Shteteve të Bashkuara me origjinë afrikano-amerikane, do të hapë zyrtarisht muzeun kombëtar kushtuar historisë afrikano-amerikane në këtë vend, në fund të kësaj jave, të premtën më 24 shtator, 2016.  

Përpjekjet për ndërtimin e këtij muzeu, të cilat e kanë origjinën e tyre në fillim shekullin e kaluar, ishin të gjata dhe të mundimshe, por përpjekjet serioze legjislative të Kongresit amerikan për themelimin e një muzeu të tillë, në të vërtetë, mund të thuhet se   filluan në fund të çerek shekullit të kaluar.  Ishte, pikërisht deputeti demokrat afrikano-amerikan nga shteti Georgia dhe njëri prej aktivistëve më të dalluar i të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, ai që pasi u zgjodh deputet në Kongresin amerikan në vitin 1988, John Lewis, ai që mori përsipër seriozisht realizimin e themelimit të këtij muzeu duke sponsorizuar projektligje të cilat më në fund çuan në nënshkrimin e projektligjit përfundimtar – nga presidenti republikan George W Bush në vitin 2003 – që përfundimisht autorizoi  ndërtimin e këtij muzeu.  Kongresi amerikan autorizoi gjysmën e shpenzimeve prej 500-milion dollarësh për ndërtimin e muzeut të ri ndërsa pjesa tjetër e fondeve është mbledhur nga donatorë privatë.

Burime të medias, të cilat kanë vizituar muzeun para se të hapet zyrtarisht për publikun të premtën e kësaj jave, njoftojnë se muzeu ve në dukje dhe nderon arritjet e afrikano-amerikanëve në fusha të ndryshme gjatë shekujve në këtë vend, ndërkohë që njëkohsisht tregon edhe të vërtetën “lakuriq”, mbi vuajtjet e komunitetit afrikan-amerikan gjatë shekujve, përfshirë skllavërinë.  Sekretari i Institutit Smithsonian, pjesë e të cilit është edhe Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, David Skorton u shpreh për median se gjatë planifikimit të muzeut, ishim të mendimit se,  “Është jetike dhe tepër e rëndësishme që të ndërtonim një muze i cili do t’i mundësojë Amerikës të kujtojë dhe të ballafaqohet me të kaluarën dhe historinë e saj raciste… por edhe që muzeu të shërbejë gjithashtu edhe për të zbuluar gëzimin dhe shpresën, ringjalljen dhe frymëzimin”,  që ndër të tjera, përveç vuajtjeve, ishin gjithashtu pjesë e historisë së komunitetit afrikano-amerikan, gjatë shekujsh.

Presidenti Obama dhe Drejtori i muzeut, Lonnie G. Bunch III  përmendën, me rastin e dedikimit të muzeut në vitin 2012 historinë e tmershme të skllavërisë dhe të racizmit të këtij vendi, por ata theksuan gjithashtu edhe atë që ata cilësuan si triumfin e shpirtit amerikan, duke nënvijuar se muzeu i ri në kryqetetin e Shteteve të Bashkuara nuk i dedikohet vetëm kulturës dhe historisë së komunitetit afrikano-amerikan në këtë vend, por i kushtohet gjithashtu edhe historisë së Amerikës në përgjithësi, me të mirat dhe me të këqiat, ashtu siç kanë ndodhur dhe siç i ka shënuar historia e vërtetë.  Presidenti amerikan, Barak Obama tha se duke vizituar këtë muze, “Brezat e ardhëshëm do të kujtojnë rolin, nganjëherë të vështirë dhe shpesh frymëzues, por gjithmonë jetik dhe tepër të rëndësishëm që kanë luajtur afrikano-amerikanët në jetën e vendit tonë.” 

Presidenti Obama, i cili do të hapë zyrtarisht të premten Muzeun e ri kushtuar Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, në të vërtetë muzeu i ka dedikuar atij një ekspozitë të posaçme si president i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Muzeu i ri ekspozon jetën dhe historinë e tmershme të skllavërisë dhe shtypjeve, por edhe historinë frymëzuese të kësaj pakice amerikane.  Afrikano-amerikanët kanë mbijetuar skllavërinë, kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën për lirinë e vet dhe të tjerëve, jo vetëm në Luftën Civile, por edhe në lufërat e tjera të Amerikës, përfshirë Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë historisë së kaluar. Ndërsa sot kanë krijuar një jetë domethënse dhe të lumtur për veten dhe familjet e tyre dhe kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribute të vlefshme për mirëqenjen e përgjithshme të këtij vendi. 

Amerika i kishte borxh brezave të ndryshëm të komunitetit afrikano-amerikan një muze të tillë.  Kjo për hir të së vërtetës së vet historisë së dhimbshme të këtij komuniteti, por edhe për arsye të rëndësisë që ka historikisht — për Amerikën si komb tani dhe në të kaluarën — ekspozita e vërtetë e historisë plot vuajtje të komunitetit afrikano-amerikan, në një muze siç është muzeu i ri kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane.  Muzeu i ri nuk do të mund të shlyej historinë as vuajtjet e afrikano-amerikanëve që e pësuan keq gjatë asaj historie të tmershme por njëkohsisht edhe frymëzuese.  Por ajo që bën muzeu i ri është fakti se  muzeu do të jetë aty në kryeqytetin amerikan me një prezencë të përhershme, si një kujtesë për krimet që janë bërë ndaj popullësisë afrikano-amerikane dhe njëkohsisht detyron brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të amerikanëve të të gjitha racave, që të mos e harrojnë atë histori të tmershme, me shpresë që një histori e tillë të mos  përsëritet kurrë më.

Frank Shkreli

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Muzeu i dhimbjes, Washington

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT