• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERI DHE IDENTITETI I KOMBIT SHQIPTAR NË SHITJE

July 5, 2016 by dgreca

* Përfaqësuesi i qeverisë së Kryeministrit grek,një i quajtur Makropulos… foli në kongresin e PDIU-s në prani, jo më pak se të Kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare…. përfaqësuesi i qeverisë greke, ball për ball me krerët e politikës së Tiranës foli për shqiptarët e Çamërisë si bashkpuntorë të nazistëve, temë e preferuar kjo e grekëve për të mbuluar gjenocidin kundër shqiptarëve të Çamërisë… Në minimum, sjellja e përfaqsuesit grek, të paktën në një shënjë simbolike duhej që kjo deklaratë të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla…/

* Rasti i dytë dhe i freskët këto ditët e fundit ishte edhe më shqetësues, pasi ishte një sulm i drejtë për drejtë kundër kryeheroit, kryetrimit të historisë dhe simbolit të identitetit dhe të bashkimit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skendërbe.

Nga Frank Shkreli/

I nderuar lexues, nëqoftse gjëndesh në pushimet verore dhe nuk ke ndjekur lajmet e ditëve të fundit, duhet ta dishë se nderi, identiteti dhe interesi kombëtar janë venë në tallje, mund të thuhet janë venë në shitje, në ankandë, për këdo që paguan më shumë. Kjo, në të vërtetë, nuk është diçka e re – e mbani mend deklaratën e Rexhep Taip Erdoganit se Turqia është Kosovë dhe Kosva është Turqi? Por meriton të përmenden rastet e fundit të këtyre përpjekjeve antishqiptare të cilat denigrojnë historinë dhe identitetin e kombit shqiptar, ndërkohë që përbëjnë edhe një ndërhyrje flagrante në interpretimin e historisë së shqiptarëve. Për më tepër, përfaqsues të këtyre rrymave antishqiptare, kohët e fundit madje lëshuan edhe kërcënimet e rastit. Si gjithmonë, në krye të radhës për të bërë ofertat në ankandë janë të njohur, ata që historikisht nuk ndalen së turruri trojeve shqiptare kurdo që shohin një hapje, në kohë lufte e në kohë paqeje: sllavët, turqit dhe grekët.

Kohët e fundit në Tiranë u mbajt kongresi i Partisë për Bashkimin për të Drejtat e Njeriut (PDIU) ku mori pjesë përfaqësuesi i qeverisë së Kryeministrit grek, një i quajtur Makropulos. Ai foli në kongresin e PDIU-s në prani, jo më pak se të Kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare. Se pse ftohet një njeri i tillë të marrë pjesë në një takim politik të kësaj natyre është e pakuptueshme, por sidoqoftë, përfaqësuesi i qeverisë greke, ball për ball me krerët e politikës së Tiranës foli për shqiptarët e Çamërisë si bashkpuntorë të nazistëve, temë e preferuar kjo e grekëve për të mbuluar gjenocidin kundër shqiptarëve të Çamërisë. Ai citohet nga media vendase të ketë thënë se “Ajo që mua më shkakton problem është vullneti dhe dëshira e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me të gjitha forcat. Si është e mundur që pasardhësit e luftëtarëve kundër Gjermanisë të pranojnë dhe të tolerojnë pranë disa pasardhës të nazistëve.”

Atëherë, përfaqsuesi grek, sikur po u drejtohej me një leksion nxënsve të klasave fillore, u thotë pjesëmarrësve në kongresin e partisë PDIU se “Ju e dini se cilët janë njerëzit për të cilët unë po

flas. Nuk është e mundur që unë të fyej Shqipërinë me ato thënie që ato kanë ngritur, por ata fyejnë Shqipërinë dhe jo Greqinë,historinë e rezistencës së Shqipërisë dhe ky është një problem”, iu drejtua Makropulos, përfaqësuesi i qeverisë greke, Ramës dhe përfaqsuesve të opozitës shqiptare.

Në minimum, sjellja e përfaqsuesit grek, të paktën në një shënjë simbolike duhej që kjo deklaratë të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla. Ndonëse dikush mund të thotë se ne shqiptarët nuk e kemi zakon të sillemi ndaj mikut në këtë mënyrë. E vërtetë, por miku i mirë nuk të ofendon në shtëpinë tënde, në sofrën të tënde. Makropulos nuk u suall si mik i mirë, por si provokues dhe si kërcënues dhe si tillë shkeli mikpritjen shqiptare!

Rasti i dytë dhe i freskët këto ditët e fundit ishte edhe më shqetësues, pasi ishte një sulm i drejtë për drejtë kundër kryeheroit, kryetrimit të historisë dhe simbolit të identitetit dhe të bashkimit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skendërbe. Pas vizitës në Turqi të Kryeministrit Rama, ku presidenti turk Erdogan shërbeu si shofer i tij, siç duket për të treguar respektin personal dhe miqësinë e ngushtë me kreun e qeverisë shqiptare nga Lezha vjen lajmi se një i ashtuquajtur historian turk me emërin Talha Uğurluel paska vizituar varrin e Skënderbeut. Para se të citoj këtë halldup otoman për ofendimet ndaj heroit kombëtar të shqiptarëve, ia vlen të theksohet se nuk është një koincidencë se ky na qenka një përfaqësues i shoqatës Tika, organizatë kjo që financohet nga Erdogani e misioni i të cilës është të “zbulojë” rrënjët otomane në Ballkan. Sipas një videoje në youtube ai është shprehur, aty pranë varrit të heroit kombëtar të shqiptarëve në Lezhë se, ”Skenderbeu nuk beri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, femijë dhe pleq të pambrojtur. Ai ishte sikurse është sot PKK-ja ….” Por, ky farë historiani, i cili siç duket fletë me mbështetjen, me porosinë dhe në emër të autoriteteve të larta në Ankara, nuk e la me kaq. Pas ofendimeve që ndeshën në duartrokitje të pranishmëve, ai madje i kërcënon shqiptarët, aty në shtëpinë e tyre, në vatrën e kombit, në vendin më të shënjtë të historisë dhe të identitetit kombëtar të Arbërit, duke paralajmëruar me autoritetin e tij, se shqiptarët kanë një alternativë që ose të jetojnë “si Mehmet Akif Ersoy, shqiptar por besnik i Osmanëve, ose si Skënderbeu, tradhëtar.”

Në minimum, siç thashë më lartë, sjellja e përfaqsuesit grek në një takim politik në Tiranë, të pakën në një shënjë simbolike, duhej që deklarata e tij të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla. Ndërsa, përfaqsuesi i Erdoganit, Talha Uğurluel duhej të dëbohej aty për aty nga Shqipëria si ofendues i nderit, i historisë dhe i simbolit më të shënjtë të shqiptarëve. Dikush mund të thotë, më ngadalë se ne shqiptarët nuk e kemi zakon të sillemi ndaj mikut në këtë mënyrë. E vërtetë, por miku i mirë nuk të ofendon në shtëpinë tënde, në sofrën të tënde. Për më tepër, miku nuk të kërcënon në shtëpinë tënde, siç bënë këta dy halldupë. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, Makropulosi grek dhe turku Uğurluel nuk u sollën si miqë të mirë por si provokuesë, kërcënuesë dhe mohues të historisë dhe identitetit të shqiptarëve. Si të tillë, të dy këta e shkelën mikpritjen shqiptare!

Si të tillë, ata ishin të pa besë dhe të pa dëshirueshëm në sofrën e shqiptarit. Këta dhunuan mikëpritjen dhe bukën e shqiptarit, por për ata që dinë diçka dhe që duhet të gjykojnë më mirë, në radhë të parë përfaqsuesit e sotëm politikë të kombit shqiptar të cilët duhet të jenë të vetdijshëm se me këtë rast u dhunua diçka më shumë se sa mikpritja shqiptare nga këta dy halldupë. U dhunua historia, identiteti dhe nderi i kombit. Këto, në të vërtetë ishin ato që turku dhe greku, secili sipas interesave të veta, donin të arrinin. Donin që mbi të gjitha të njollosnin dhe të dëmtonin historinë dhe simbolet e kombit shqiptar, para vet shqiptarëve, aty në trojet e veta autoktone shekullore. Ata ia dolën qëllimeve të tyre!

Kombi shqiptar dhe historia e tij vazhdon të njollosët dhe njëkohsisht mbeten të dëmtuar dhe të dhunuar nga deklarata siç është kjo e përfaqsuesit të qeverisë greke në Tiranë dhe të përfaqsuesit të presidentit turk, Erdogan, aty pranë varrit të Skënderbeut në Lezhë. E gjithë kjo ndodhi kur në Prishtinë po celebrohej një meshë në Katedralën Nënë Tereza kushtuar viktimave të terrorit në Turqi dhe në të njëjtën kohë kur vet kryeministri shqiptar po pritej e gostitej nga Erdogani gjatë një vizite në Turqi, vizitë e dokumentuar krenarisht me fotografitë e rastit në facebook-un e kryeminstrit shqiptar. “Something is wrong with this picture!” Diçka nuk është në rregull me këtë situatë!

Fatkeqsisht, kjo nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë e fundit, që jo vetëm përfaqsues të tillë turq e grek, por edhe zyrtarët më të lartë të këtyre dy vendeve kanë bërë, nga koha në kohë, deklarata fyese ndaj historisë së shqiptarëve, madje duke bërë thirrje për rishkimin dhe rishkrimin e saj, sipas epsheve të dobëta të armiqëve historikë të shqiptarëve.

Nuk e di se ç’është me keq: deklaratat ofenduese antishqiptare të këtyre halldupëve, apo heshtja dhe indiferenca ndaj këtyre ofendimeve prej vetë përfaqsuesve të shqiptarëve kudo, nga qeveria e Shqipërisë, nga Kosova ose nga institucionet e tjera të shqiptarëve sidomos ato akademike. Pyetja që duhet bërë është se kush i del sot zot historisë, nderit dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, përballë këtyre halldupëve që mbështeten dhe financohen nga nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore e që përfaqësohen nga njerëz të tillë dhe në emër të cilëve ata flasin. Po kush flet sot në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të historisë së shqiptarëve?

Mos reagimi zyrtar i përfaqsuesve politikë të kombit shqiptar sot ndaj këtyre ofendimeve që fatkeqsisht tashti janë bërë të zakonshme kundër historisë dhe sidomos kundër simbolit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe — nuk është asgjë më pak se një dëshmi që flet për një dobësi morale dhe për një mungesë atdhedashurie të këtij brezi. Mos Zot më keq!

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, NDERI DHE IDENTITETI I KOMBIT, SHQIPTAR NË SHITJE

JO HISTERISË!

June 28, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ndërsa udhëheqsit e Bashkimit Evropian (BE) po mblidhen në Bruksel për të biseduar mbi krizën “Brexit”, të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama në një intervistë të martën, paralajmëroi kundër çfaqjeve histerike, anë e mbanë botës dhe sidomos në fushën financiare, si përfundim i votës së britanikëve për t’u larguar nga BE-ja.

Në një intervistë me Radion Publike Kombëtare (Amerikane), (NPR) udhëheqsi i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama u shpreh se, “Pas votës së britanikëve për tu larguar nga BE-ja, është venë re një valë histerie, sikurë, si rrjedhim i kësaj vote po ndodhë fundi i gjithshkafes, se lidhjet transatlantike dhe NATO po marrin fund dhe se çdo vend po tërhiqet në kështjellën e vet.  Kjo nuk është duke ndodhur”, tha Z. Obama.  Ajo që mund të ndodhë si rrjedhim i kësaj vote, shtoi Presidenti amerikan, është se integrimi evropian mund të ngadalësohet, duke shënuar një “pauzë” në përpjekjet integruese, por siguroi se marrëdhënjet bazë në fushën e sigurisë dhe të marrëdhënjeve ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës nuk do të ndërpriten.

Siç dihet, Britania e Madhe ka ekonominë e pestë më të madhe në botë dhe historikisht, politimisht dhe ushtarakisht është aleati më i ngushtë i Shteteve të Bashkuara në kontinentin evropian.  Gjatë ditëve të kaluara, Presidenti u përpoq që me deklaratat e tija të qetësonte shqetësimet e shprehura këtu në Amerikë, në Evropë dhe anë e mbanë botës, përfshirë edhe reagimin negativ në tregjet botërore ndaj votës për largimin e Londrës nga organizata politike dhe ekonomike e Bashkimit Evropian, ku sot për sot, bëjnë pjesë 28 vende anëtare.

Menjëherë pas votës javën e kaluar në Britaninë e Madhe, për tu shkëputur nga BE-ja, udhëheqsi amerikan reagoi duke thënë se megjithëse e ka kundërshtuar largimin e Londrës nga Bashkimi Evropian,  ai tha se e respekton votën e britanikëve në favor të largimit të vendit të tyre nga BE-ja, dhe siguroi njëkohësisht amerikanët dhe botën se, “marrëdhënjet e veçanta” që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe nuk do të pësojnë ndonjë ndryshim, si përfundim i kësaj vote.

Gjatë intervistës dhënë Radios Publike Kombëtare këtu në Amerikë, Presidenti Obama shprehu mendimin e tij se arsyeja e votës së britanikëve për tu larguar nga BE-ja ishte sigurisht në përgjigje të ndryshimeve dhe sfidave që paraqet globalizmi, por edhe si një reagim ndaj “Një projekti evropian që ndoshta po zhvillohej më shpejt se ç’duhej dhe pa konsensusin e nevojshëm”, që një projekt i tillë duhej të ketë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Presidenti Barak Obama, në intervistën me radion NPR në Shtëpinë e Bardhë të martën, shprehu njëkohsisht optimizmin dhe shpresën e tij se e gjithë Evropa do ta “përdorë votën e britanikëve për tu larguar nga BE-ja, si një moment për një pauzë, për të parë dhe për të reflektuar se si, gjatë procesit të integrimit, të mund të ruhen disa prej identiteteve kombëtare dhe njëherazi, se si të ruhen edhe përfitimet që vijnë nga integrimi dhe njëherazi si të zgjidhim disa prej problemeve, zhgënjimeve dhe sfidave me të cilat përballen madje edhe votuesit tanë”, këtu në Shtetet e Bashkuara, nënvijoi Presidenti Obama.

Në lidhje me rezultatin përfundimtar të negociatave midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian — për largimin e Londrës nga BE-ja e të cilat pritet të zgjasin deri në dy vjetë — udhëheqsi amerikan u shpreh se shpreson që më në fund, Britania e Madhe të ketë të njëjtin status si statusi që tani gëzon Norvegjia në marrëdhënjet e saja me BE-ën. Norvegjia ka marrëdhënje të ngushta tregtare me Bashkimin Evropian dhe njëkohsisht pranon një lëvizje të lirë, por të kufizuar, të punëtorve imigrantë.

Sidoqofrë, Presidenti Obama në fund të intervistës u shpreh se megjith pa mundësinë për të parashikuar se si do të zhvillohen gjërat në muajt dhe vitet e ardhëshme, ai nuk pret që dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian të përfundojë në një këthesë historike ose në  ndryshime të papritura “kataklizmike”, siç i quajti ai.

Por, ndërkohë që gjatë intervistës me radion amerikane NPR të marten, Presidenti Obama në deklaratat e tija u tregua i matur dhe deri diku shpresëdhënës dhe optimist se vota e britanikëve në favor të largimit të vendit të tyre nga BE-ja nuk është mbarimi i botës, në reagimin e tij ndaj votës në Britaninë e Madhe, Zëvëndës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden qe më pak diplomatik dhe foli troç.  Të premtën e kaluar gjatë një vizite në Irlandë, duke komentuar votën e britanikëve për të dalur nga BE-ja, Zëvëndës presidenti amerikan përdori një gjuhë më të ashpër se bosi i tij duke kritikuar dhe duke paralajmëruar kundër veprimtarisë së atyre që ai i quajti, “politikanë reakcionarë dhe demagogë të cilët promovojnë ksenofobinë, nacionalizmin dhe izolacionizmin.”

Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerry u shpreh gjithashtu të premtën që kaloi mbi votën e britanikëve duke thënë në një njoftim për median se ndonëse Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian, populli britanik, në asnjë mënyrë nuk po tërhiqet nga parimet dhe vlerat që dallojnë partneritetin trans-atlantik dhe as nuk po heq dorë nga roli i tij që luan në promovimin e paqës dhe të stabilitetit në botë.  Me këtë rast, Kryediplomati amerikan ritheksoi gjithashtu edhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Bashkimit Evropian dhe agjendës së përbashkët mbi çështje siç janë Ukraina, mos-përhapja e armëve bërthamore, ndryshimet klimateriake, tregëtia dhe të drejtat e njeriut.

Më në fund, Sekretari Amerikan i Shtetit Kerry siguroi të gjithë aleatët amerikanë në Evropë se, “Një gjë që absolutisht nuk do të ndryshojë në vitet e ardhëshme, është mbështetja e fortë e Amerikës për të gjithë aleatët dhe miqtë tanë si dhe për marrëdhënjet Euro-Atlantike, bazuar në mbështetjen e përbashkët për demokracinë, si dhe për angazhimin tonë ndaj paqës dhe sundimit të ligjit”, përfundoi kryediplomati amerikan, Xhon Kerry reagimin e tij ndaj votës së qytetarëve britanikë për tu larguar nga Bashkimi Evropian.

Ka giasë se vota për largimin e Londrës nga antarësimi i saj në BE, do të jetë temë kryesore edhe në mbledhjen e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet në Varshavë të Polonisë më 8 dhe 9 korrik. John Kerry u shpreh të hënën gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Z. Stoltenberg se ky do të jetë një takim jashtzakonisht me rëndësi dhe se vota në Britaninë e Madhe nuk do të ndryshojë asgjë përsa i përket angazhimit britanik ndaj NATO-s.  Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Stoltenberg tha se sidomos pas vendimit të Britanisë së Madhe për tu larguar nga BE-ja, aleanca NATO shtoi ai, është edhe më e rëndësishme për rolin që luan në bashkpunimin jo vetëm midis Evropës dhe Amerikës Veriore por gjithashtu edhe për rolin e saj në fushën e mbrojtjes dhe të bashkpunimit në çështjet e sigurisë së përbashkët dhe midis vetë aleatëve të NATO-s në Evropë.  Roli i NATO-s përfundoi udhëheqsi i aleancës perëndimore, ka qenë gjithmonë me rëdnësi, por tani merr një rëndësi edhe më të madhe pas vendimit britanik për tu larguar nga BE-ja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, JO HISTERISË!

TALLJET ME VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NUK KANË TË NDALUR

June 23, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Fondacioni Konrad Adenauer, zyra në Shqipëri    dhe Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë organizuan të mërkurën tryezën e rrrumbullakët,  “In Memoriam – Së bashku në nder dhe respekt të kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”.  Sipas Fondacionit Adenauer, qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi dhe sjellja në vëmendje të vendim-marrësve shqiptarë dhe palëve të interesuara mbi domosdoshmërinë e ndërtimit të një Memoriali Kombëtar për viktimat e komunizmit në Shqipëri.  Sipas një njoftimi të fondacionit gjerman, në këtë takim morën pjesë aktorë të ndryshëm, të cilët diskutuan mbi nevojën e ndërtimit të këtij memoriali, formës dhe simbolikës.

Në atë takim morën pjesë Avokati i Popullit, Igli Totozani, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqsues të qeverisë,  Drejtuesi i Institutit të të Përndjekurve politikë, Bilal Kola dhe përfaqsues të organizatatve të tjera të të përndjekurve politikë.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Tiranë, Ilirian Agolli në raportin e tij, “Diktatura, të burgosurit, persekutorët dhe memoriali”, raportoi se pjesëmarrsit në këtë tryezë, “Kërkuan më shumë vëmendje dhe kujdes për rehabilitimin e gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë, trajtimi i të cilëve ende nuk është kryer prej 25 vjetësh”.  Ndërsa,  në fjalën e tij, Avokati i Popullit Igli Totozani theksoi vonesat çerek shekullore në rehabilitimin e viktimave të komunizmit dhe foli për çështjet ende të pazgjidhura të të ish përndjekurve politikë, duke theksuar se në Shqipëri, “Kultura demokratike po ndeshet vazhdimisht me kulturën komuniste të zvarritjeve për të nderuar viktimat e komunizmit, zvarritjeve me lustracionin e nëpunësve të diktaturës dhe mos-hapjen e dosjeve të Sigurimit famëkeq të Shtetit.”

Bazuar në fjalimin e tij të shpërndarë për media, Avokati i Popullit, Igli Totozani ishte siç duket më realisti ndër folësit kryesorë të tryezës së rrumbullakët.  Ai u tha pjesëmarrësve se arsyeja për mos vullnetin dhe mos dëshirën e politikës shqiptare për tu ballafaquar me të kaluarën dhe me viktimat e regjimit komunist, është se, “Ende kultura e vjetër komuniste është prezente në Shqipëri dhe ndihet kudo, në mungesën e komunikimit, në mospranimin e kritikës, në mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve dhe së fundi edhe vetë moszbatimi i ligjit për hapjen e dosjeve lidhet pikërisht, me ekzistencën e kësaj kulture.  Është kultura e vjetër që e pengon” pohoi Igli Totozani.  

Në reportazhin e tij mbi punimet e takimit, korrespondenti i VOA-s shqip, Ilirian Agolli përmendi ndër folësit e tjerë në tryezën e rrumbullakët, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajn, i cili sipas VOA-s, u angazhua se enti që ai drejton do të bashkfinancojë ngritjen e një Memoriali Kombëtar për viktimat e regjimit komunist, ndërsa drejtuesi i Institutit të të Përndjekurve politikë, Bilal Kola, u citua të ketë thënë se, “Memoriali i kujtesës për viktimat e komunizmit do t’i ndihmojë të gjithë të reflektojnë për atë fatkeqësi”.  Në raportin e VOA-s  theksohet se  ndonëse “Shqipëria dhe Parlamenti Europian kanë miratuar disa rezoluta për zbardhjen e krimeve të diktaturës komuniste ndaj popullit shqiptar, si dhe për të shtuar kujdesin ndaj ish të dënuarve politikë, për të ri-integruar dhe rehabilituar ata në shoqëri, edhe sot, pas 25 vjetësh, shumë prej tyre jetojnë në të njëjtat zona internimi, ku i hodhi diktatura, dhe vuajnë ende probleme të rënda shëndetësore, ekonomike dhe mbijetojnë në varfëri.  Ndërkaq persekutorët e tyre gjatë diktaturës arrijnë të depërtojnë në administratën shtetërore të demokracisë, dhe ligj për lustracionin nuk ka”, përfundon reportazhin e tij korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ilirian Agolli.Kur pyeta një pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët se me çfarë përshtypjesh u largua nga takimi i djeshëm, ai u përgjigj duke përdorur një thënje popullore, “për çfarë dëgjova i lumi unë, e për çfarë pashë, i mjeri unë”.  Një pjesëmarrës tjetër, gjithashtu i dëshpëruar nga tryeza e rrumbullakët, u shpreh se ish të përndjekurit u larguan së andejmi me mesazhin se, “Ne ju vramë, ne u japim dëmshpërblimin dhe ne, madje u ndërtojmë edhe memorialin, por lustracion nuk ka”.

Po ish-të persekutuarit e Shqipërisë, kush janë dhe çfarë duan? Ata, siç u shpreh edhe Avokati i Popullit Igli Totozani në fjalën e tij përmbyllëse në tryezën e rrumbullakët, “Kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë qytetari dhe bashkëjetesë paqtuese për shoqërinë tonë.  Megjithë kalvarin e vuajtjeve të shkuara, ata në asnjë moment nuk kanë kërkuar hakmarrje, por vetëm drejtësi.   Me anë të këtyre zhvillimeve, ne duhet të dëshmojmë se kemi vullnetin t’u japim drejtësinë e merituar dhe kemi detyrimin e bartur të një shoqërie që kërkon ndjesë ndaj ndëshkimeve degraduese, të kryera dhunshëm në emër të saj”.

 Bazuar në histori, ashtu si edhe gjatë 25-viteve të kaluara, fatkeqsisht as nga kjo tryezë nuk pritet të dalë gjë pozitive për viktimat e ish-regjimit komunist, megjith premtimet e zyrtave shqiptarë në atë takim.  Por megjithëkëtë, duhet falënderuar Fondacioni Konrad Adenauer për sponsorizimin e kësaj tryeze, ambasada e Gjermanisë dhe ish ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffman, që çështjen e viktimave të komunizmit në Shqipëri, të drejtat e tyre dhe nevojën për tu përballur me të kaluarën komuniste, e kanë përvetësuar si një çështje morale personale. Fatkeqsisht, kam drojë se megjithë vullnetin e mirë, dëshirën dhe angazhimin e tyre të madh për të sjellur Shqipërinë në shekullin 21, nuk besoj se janë të vetdijshëm se me kë kanë të bëjnë.

Zhgënjim pas zhgënjimi! Prandaj është vështirë të ketë njeri që tu besojë më qeveritarve shqiptarë në lidhje me këtë çështje, megjith premtimet e tyre boshe para ndërkombëtarve si dhe deklaratave të tyre në tryezat e rrumbullakta si kjo që u mbajt në Tiranë të mërkurën, e sponsorizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer. Fjalët e mira e gurët në strajcë, thotë populli.  Klasa politike shqiptare ka vazhduar, për 25 vjetë tashti, ta paraqesë dhe ta shtrembërojë çështjen e viktimave të komunizmit sipas interesit dhe trillimeve të rastit, duke bërë premtime, por pa asnjë vullnet as dëshirë për tu përballur me të kaluarën.  Ndoshta shembulli më i fundit i kësaj hipokrizie është se në fillim të vitit të kaluar Kuvendi i Shqipërisë pat miratuar ligjin për dosjet dhe mandatohej që një muaj pas aprovimit, parlamenti duhej të emëronte dhe të votonte komisionin prej 5-anëtarësh për tu marrë me këtë çështje.  Ja, më shumë se një vit më vonë nuk është caktuar komisioni as nuk është vendosur  asgjë në këtë drejtim.

Tashti jemi mësuar me talljet, me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe të  radhës, shprehur nga përfaqsues të ndryshëm të Tiranës zyrtare,  se më në fund po angazhohen seriozisht për tu marrë me fatin e të përsekutuarve të regjimit komunist dhe në një mënyrë ose një tjerë për të kujtuar viktimat.  Andej nga vi unë, themi se “Nuk kam gajle se po më rren, por më vjen keq se kujton se ia besoj rrenat.”  Në mungesë të provave konkrete dhe veprave serioze se qeveria shqiptare nuk po tregon “nder dhe respekt ndaj kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”, askush më nuk beson premtimet tuaja, e sidomos të përndjekurit e zhgënjyer herë pas here.

Ndonëse këto premtime bëhen tani nga një brez i ri politikanësh siç është kryetari i Bashkisë së Tiranës, nuk besoj të ketë ndryshuar gjë në këtë mes, pasi është kultura e vjetër që ju pengon,  siç u shpreh edhe Avokati i Popullit Igli Totozani në tryezën e rrumbullakët të mërkurën. Prandaj, sa më parë që kultura e vjetër komuniste dhe përfaqsuesit e saj — që gjatë 25 viteve post-komunizëm kanë depërtuar duke i zënë frymën administratës qeveritare dhe shtetërore — të hidhen në koshin e plehrave të historisë, aq më mirë për ish-të përndjekurit politikë të regjimit komunist si dhe për mbarë shoqërinë shqiptare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, NUK KANË TË NDALUR, TALLJET ME VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

IA ZBARDHËN FËTYRËN KOMBIT

June 21, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Java e kaluar ishte një javë historike për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Shqipëria mori pjesë në Kampionatin Evropian të futbollit. Në ndeshjet e saja me më të mirët e Evropës, skuadra kombëtare shqiptare pati dy humbje dhe më në fund fitore, në ndeshjen e saj me Rumaninë.

Ishte një javë pothuaj e pashembullt në histori për imazhin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, për sjelljen e skuadrës kombëtare po se po, por më tepër kampionati evropian pasqyroi sjelljen dinjitoze të dhjetëra mijëra tifozëve shqiptarë që kishin shkuar në Francë nga të gjitha trojet shqiptare, nga diaspora në Europë e madje edhe nga Amerika. Dukej se i kishte ardhur koha shpalosjes me krenari të ngjyrave kuq e zi të flamurit kombëtar të shqiptarëve, në një Evropë që shpesh nuk i ka dashtë dhe shpesh ka marrë vendime historike të gabuara në kurriz të shqiptarëve dhe të interesave të tyre. Por ja erdhi koha, pas shumë shekuj vuajtjesh të këtij kombi të vogël por krenar që shqiptarët t’i tregonin Evropës dhe botës qytetarinë dhe kulturën e tij njerëzore dhe kombëtare. Gjatë ndeshjeve, skuadra shqiptare e futbollit dhe tifozët e saj e treguan veten të denjë të emrit shqiptar.

Të vetëdijshëm se nderi i Atdheut tregohet më së miri dhe në rend të parë me sjellje të mira ndaj njëri tjetrit dhe ndaj të tjerëve, futbollistët shqiptarë dhe mbështetësit e tyre, gjatë kampionatit të futbollit evropian, ia përmirësuan imazhin Shqipërisë dhe ia rritën namin kombit shqiptar më shumë se çdo gjë dhe çdo kush tjetër, për një kohë të gjatë. Si pasojë e propagandës së armiqëve të shqiptarëve gjatë dekadave, Evropa dhe bota dinin pak ose aspak për shqiptarët dhe ato që dinin nuk ishin zakonisht pozitive. Sjelljet e mira të shqiptarëve në Francë duket se habitën jo vetëm atë vend por edhe mbarë Evropën, ndërsa media franceze e cila siç duket nuk priste sjellje të tilla nga shqiptarët gjatë kampionatit, me kënaqësi u bëri thirrje shqiptarëve që të vizitonin Francën sa herë të duan dhe kur të duan. Shqiptarët e pranishëm në Francë për ndeshjet futbollistike të kampionatit evropian, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, me të vërtetë shpalosen për mbarë botën vetitë më të mira kombëtare dhe njerëzore të kombit shqiptar.

Ngjarje të tjera që i dhanë një hov tjetër imazhit të mirë të shqiptarëve e që njëkohsisht pasqyroi edhe tolerancën fetare ndër shqiptarët — ishte edhe inaugurimi javën që kaloi i shtatores së Nënë Terezës në Phafenfohen të Gjermanisë, në prani tënjë numri të madh shqiptarësh dhe gjermanësh. Mirëpo, ishte pjesëmarrja e përfaqsuesve fetarë të shqiptarëve ajo që la përshtypje të thellë në të pranishmit dhe popullësinë vendase. Sipas burimeve të medias në Kosovë në këtë inaugurim, të pranishëm ishin Ipeshkvi katolik i Kosovës, Dodë Gjergji, Imami Xhevat Kryeziu, At Nikollë Marku dhe Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Edhe me këtë rast, shqiptarët përsëri i treguan Gjermanisë dhe Evropës urat historike që ekzistojnë midis besimeve fetare të shqiptarëve, si dhe bashkëjetesën, harmoninë dhe lidhjet e gjakut midis tyre. Ndërkaq parada vjetore në New York, kushtuar gjithashtu Nënë Terezës, veshi kuq e zi rrugët e lagjës Manhattan, duke parakaluar para mijëra shikuesve vendas dhe të huaj dhe duke lënë përshtypje jashtzakonisht pozitive në radhët e banorëve të New Yorkut dhe të turistëve të shumtë.

Ajo që të bie në sy në të gjitha këto raste të shpërthimit të krenarisë kombëtare shqiptare — qoftë pjesëmarrja e kombëtares në kampionatin evropian, qoftë kujtimi i Nënë Terezës para shënjtërimit të saj në shtator — është fakti se shumica dërmuese e pjesëmarrësve në kët ngjarje ishin në moshë të re. Ky fakt në të vërtetë është një gjë pozitive që mund të jetë shenjë e mirë për të ardhmen, se ndoshta — ky brez i shqiptarëve, 25-vjetë pas shembjes së komunizmit, ndryshe nga klasa e tanishme politike anë e mbanë trojeve shqiptare – ka filluar të hedhë poshtë frymën e ideologjive dhe influencave të huaja të shekullit të kaluar dhe tu këthehet rrënjëve dhe vlerave kombëtare. Duket se kjo brezni — ndryshe nga klasa politike që udhëheq sot shqiptarët – është e vetdijshme për vlerat kombëtare, shpirtërore dhe historike të kombit shqiptar, dhe si e tillë ka vendosur, me qa sa ka mundësi, të shkojë përpara me hapa të shpejt dhe të sigurt drejtë botës përëndimore, aty ku kombi shqiptar e ka pasur gjithmonë vendin. Megjithë anarkinë politike shqiptare të këtyre dekadave të fundit, duket se shpirti shqiptar kërkon të dalë njëherë e përgjithmonë nga errërsirat shpirtërore shekullore dhe të shkojë drejtë dritës dhe vetive të vërteta stërgjyshore që e kanë dalluar gjithmonë kombin shqiptar.

Kjo gjeneratë e re e shqiptarëve – ndonëse e dhunuar, e abuzuar dhe shpesh e detyruar të largohet nga trojet e veta ka një potencial të madh, por të shtypur dhe të shtrydhur – po pret gjithnjë për hapjen e një rruge për një të ardhme politike që do të mundësojë që këto potenciale intelektuale dhe shpirtërore të këtij brezi që mbeten ende për tu shfrytëzuar, të shfytëzohen në përputhje me kulturën dhe qytetarinë që treguan para botës tifozët shqiptarë dhe skuadra kombëtare në Francë. Nuk bëjnë keq ata që janë venë sot në krye të politikës anë e mbanë trojeve shqiptare të marrin shembull nga sjelljet e mira, nga uniteti dhe nga kultura e futbollistëve dhe e tifozëve shqiptarë në Francë, por edhe nga toleranca dhe harmonia fetare e shfaqur në Gjermani dhe në rrugët e New Yorkut, ku shqiptarët pa dallim feje a krahine nderuan Nënë Terezen para Shënjtërimit të saj në shtator.

Politika pa kulturë dhe pa qytetari nuk vlenë asgjë. S’do mendë se ne në mërgim kënaqemi për imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kudo dhe kurdoherë që ndodhë, sepse duam dhe dëshirojmë ta shohim Shqipërinë dhe kombin shqiptar të nderuar dhe të respektuar nga miqtë dhe nga armqitë dhe jo vetëm në fushën e topit. Por e duam dhe e dëshirojmë gjithashtu edhe të përparuar politikisht dhe ekonomikisht, ashtuqë ky brez, i cili shpresojmë se është i vendosur t’i japë një imazh të ri kombit, të qëndrojë dhe të ndërtojë një jetë më të mirë dhe më të begatë në trojet e veta. Për këtë është përgjegjëse drejtë për drejtë ky brez politikanësh që sot janë venë në krye të kombit, pasi për mirë ose për keq, këta janë ndërtuesit e të ardhmes së kombit shqiptar.

Ashtu siç bënë lojtarët e kombëtares dhe tifozët e tyre gjatë këtyre javëve në Francë, presim që edhe ata të pakën të tregojnë vullnet të mirë e të “mahnitin” botën me qytetarinë, me atdhedashurinë dhe me kulturën politike, duke pasqyruar për momentin jo vetëm simbolet kombëtare, por edhe drejtësinë shoqërore dhe vlerat morale si dhe bashkjetesën politike dhe harmoninë shoqërore në radhët e shqiptarëve pa dallim, duke i hapur kombit shqiptar shtigje të reja në historinë e tij të shumë vuajtur. Vetëm kështu do të ketë një përmirsim më të qëndrueshëm të imazhit pozitiv duke i zbardhur fëtyrën kombit me një kulturë politike dhe me sjellje qytetarie ndaj të gjthëve, përfshirë edhe kundërshtarët politikë.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: FËTYRËN KOMBIT, Frank shkreli, IA ZBARDHËN

POROSITË E AMBASADORIT GJERMAN PËR T’U PËRBALLË ME TË KALUARËN KOMUNISTE

June 14, 2016 by dgreca

– Fatkeqsisht, klasa politika dhe shoqëria shqiptare në përgjithsi, gjatë 25-viteve të kaluar, kanë dështuar mizorisht në trajtimin e kësaj çështjeje – ndërsa ndryshe nga shumë vende ish-komuniste, Shqipëria nuk katreguar as më të vogëlin interesim as vullnet të mirë për tupërballur me historinë dhe krimet e regjimit komunist të gjysëmshekullit të kaluar./

Nga Frank Shkreli/

Vizita zyrtare e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier të martën në Shqipëri, shënoi gjithashtu edhe ditën e fundit të shërbimit diplomatik të Ambasadorit gjerman në Tiranë, Zotit Hellmut Hoffmann.  Dëshiroj të rrëfej që nga fillimi, se ndërsa e kam ndjekur nga larg veprimtarinë e tij diplomatike në kryeqytetin shqiptar gjatë tre viteve të fundit, kam zhvilluar një respekt dhe admirim për punën e tij si përfaqsues i një vendi mik që ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Në të vërtetë, këtë admirim e kam shfaqur në disa shkrime modeste për aktivitetin në përgjithësi të ambasadorit Hoffmann dhe të ambasadës që ai kryesonte deri dje në Tiranë. Por ajo, që mbi të gjitha, më ka bërë përshtypje, ishte serioziteti me të cilin ai trajtoi nxitjen e një dialogu publik, krejtësisht të munguar në Shqipëri,rreth të kaluarës komuniste në atë vend.

Kryediplomati gjerman deri dje në Tiranë, gjatë shërbimit të tij diplomatik tre vjeçar vizitoi zona të ndryshme të Shqipërisë për tu njohur me historinë e vendit, përfshirë edhe ish-kampet e përqëndrimit si dhe burgjet e ish regjimit komunist, përfshirë Spaçin dhe Tepelën.Për më tepër, ambasada gjermane nën drejtimin e Z. Hoffmann ka mbajtur konferenca dhe ka zhvilluar takime me publikun shqiptar, kushtuar të kaluarës komuniste në Shqipëri. Konkretisht, ambasadori Hoffman, në bashkpunim me zyrën e OSBE-s në Tiranë,gjatë mandatit të tij,kishte sponsorizuar një projekt për të matur njohuritë dhe përceptimet e publikut shqiptar mbi historinë komuniste si edhe mbi trashëgiminë e regjimit të Enver Hoxhës.  Në deklaratën e përbashkët me atë rast ata thanë se qëllimi i këtij projekti ishte, “Për të nxitur shqiptarët që të diskutojnë mënyrat për të trajtuar historinë e shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës”.

Gjatë mandatit të tij, Ambasadori Hoffmann e ka paraqitur këtë temë, në përpjekje për të zbardhur sadopak të kaluarën kriminale të regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u bazuar kryesisht në përvojën gjermane në këtë fushë, përvojë që i dha atij kredibilitet ndërsa i mëshoi kësaj teme si përfaqsues i një vendi që është përballur drejtëpërdrejtë me të kaluarën e tij naziste dhe komuniste. Qëllimi i tijishte që, duke u bazuar në ekperiencën e vendit të tij, pore dhe në përvojën e vendeve të tjera ish-komuniste evropiano-lindore, të nxiste sadopak një dialog në radhët e klasës politike, të elitës intelektuale dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi mbi këtë kapitull të tmerrshëm të historisë së kombitshqiptar.

Megjithë përpjekjet e tij serioze në këtë fushë, ambasadori Hoffmann ishte i vetdijshëm se ai mund të bënte vetëm aq të inkurajonte një dialog të tillë dhe të mbështeste projekte mbi këtë temë, ndërkohë që nuk hezitonte tu kujtonte shqiptarëve se përballja me të kaluarën e regjimit komunist në Shqipëri është një detyrë morale dhe e domosdoshme që, nëse do të dalë me sukses, duhet të ndërmerret nga vetë shqiptarët. Ambasadori Hoffmann ka folur shpesh mbi të shkuarën e dhimbshme nepër të cilën ka kaluar Gjermania, ndërsa ka venë në dukje se nuk është i lehtë procesi i përballjes me të kaluarën komuniste, por është i rëndësishëm dhe se duhet të shikohet si një detyrim ndaj viktimave të asaj periudhe. “E di mjaft mirë që kjo është një temë tepër delikate për politikën shqiptare, por do të ishte një kënaqësi nëse asaj do t’i kushtohej më shumë vëmendje, qoftë në opinionin publik, qoftë në jetën politike të vendit”, është shprehur Hoffman.

Fatkeqsisht, klasa politika dhe shoqëria shqiptare në përgjithsi, gjatë 25-viteve të kaluar, kanë dështuar mizorisht në trajtimin e kësaj çështjeje – ndërsa ndryshe nga shumë vende ish-komuniste, Shqipëria nuk katreguar as më të vogëlin interesim as vullnet të mirë për tupërballur me historinë dhe krimet e regjimit komunist të gjysëmshekullit të kaluar. Është e vërtetë, siç ka pohuar edhe Ambasadori Hoffmann, se kjo mund të jetë një histori tepër e vështirë për tumarrë me të, por as heshtja nuk i sjellë ndonjë dobi askujt, e aq më pak të mirës së përbashkët.  Përkundrazi, disa ekspertë besojnë se problemet me të cilat përballet sot Shqipëria, siç janë ndër të tjera(mos)reforma në sistemin e drejtësisë dhe korrupsioni,i kanë rrënjët pikërisht këtu, në krimet dhe në trashëgiminë e një sistemi që nuk njihte drejtësi. Përballja me tëkaluarënkomuniste, kanëthënëata, nukështëthjeshtëvetëmnjëhapjedosjeshdhelustracion, porduhettëjetë, siçkathënëpër DWedheeskpertigjerman Roland Jahn, njëndërmarrjetransparentedhe multi-dimensionale, duke theksuar se“trajtimi i së shkuarës nuk është thjesht punë shqyrtimi dosjesh, pasi në qendër janë njerëzit e vuajtur, janë viktimat e prekura — që atyre t’u garantohet drejtësi dhe një impakt pozitiv nga procesi”. Me fjalë të tjera, procesi i përballimit me të kaluarën komuniste kërkon dhe i nevojitet DREJTËSI! (Mos)Reforma në drejtësi ishte subjekti kryesor i bisedimeve të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier me zyrtarët shqiptarë në Tiranë, në ditën e fundit të Ambasadorit gjerman Hellmut Hoffmann, si përfaqsues i vendit të tij në kryeqytetin shqiptar.

Ndërkaq, Deputeti social-demokrat gjerman Michael Roth dhe ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, në një intervistë për Deutsche Welle tha se për vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, të cilat aspirojnë antarësimin në BE, nuk do të ketë lëshime në këtë fushë.  Ato duhet të jenë të qartë, shtoi ai se “Nëqoftë se duan të bashkohen me BE-në, duhet të luftojnë korrupsionin, duhet të forcojnë sundimin e ligjit, duhet të garantojnë pavarësinë e medias dhe natyrisht pluralizmin e medias. Këto nuk janë fjalë boshe, por gjëra thelbësore. Ne si BE jemi në radhë të parë një komunitet vlerash dhe jo një projekt tregu. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”, ka theksuar zyrtari gjerman.

Kemi të bëjmë pra me çështje vlerash dhe jo me ndonjë projekt tregu!  Këtë, politikanët shqiptarë ose nuk e kanë kuptuar deri tani ose nuk duan ta kuptojnë. Një ndër këto vlera, për të cilat foli deputeti gjerman, është edhe përballimi i shoqërisë dhe i politikës shqiptare me të kaluarën komuniste në atë vend, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Evropës Lindore, tani krejtësisht të integruara në organizmat euro-atlantike. Po Shqipëria?

Ishte kjo një ndër vlerat që Ambasadori Hoffman u përpoq, gjatë mandatit të tij, të bindëte shqiptarët se përballimi me të kaluarën është një vlerë e doemosdoshme politike dhe morale drejtë të cilës ia vlente të punohej dhe nga e cila do të përfitonte mbarë shoqëria shqiptare. Mbetet për tu parë nëseporositë dhe veprimtaria diplomatike e ambasadorit gjerman në këtë fushë do të ketë lenë gjurmët e veta.

Porsidoqoftë, Ambasadori Helmutt Hoffmann, në një intervistë lamtumirëse me Deutshe Welle shqip, ashtu si të gjithë miqët perëndimorë të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, iu drejtua me një porosi të fundit klasës politike shqiptare, duke theksuar se,“Përsa u përket politikanëve: më e rëndësishmja për mua është që njerëzve t’u përcillet në mënyrë të besueshme — përmes një angazhimi dhe pune konkrete — që veprimtaria politike duhet të orientohet për nga e mira e përgjithshme dhe jo për nga interesat personale ekonomike apo interesat partiake në kuptimin e luftës për ruajtjen apo rifitimin e pushtetit pa marrë në konsideratë dëmin, që i shkaktohet kulturës demokratike. Nëse zgjidhet kjo qasje, atëherë njerëzve mund t’u përcillet shpresa e arsyetuar për përmirësimin e gjendjes së tyre në Shqipëri, çka unë e konsideroj si jashtëzakonisht të rëndësishme.”

I pyetur mbi sfidat dhe arritjet në fund të mandatit të tij në Tiranë, Ambasadori Hoffman gjatë intervistës lamtumirëse u shpreh gjithashtu se ai konsideron si një prej arritjeve të tija më me rëndësi gjatë mandatit tre vjeçar në Tiranë, përpjekjet e tija për sensibilizimin sado pak tëpolitikës dhe të shoqërisë shqiptare mbi nevojën për tu përballur me të kaluarën komuniste.Ai u shpreh tekstualisht se, “Në fund dëshiroj të përmend përballjen me historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri, për rëndësinë e së cilës kam pasur rastin të shprehem në shumë raste, gjë që në përshtypjen time ka ndikuar që kjo temë e rëndësishme të shkojë më përpara.”

Për veprimtarinë tuaj në këtë fushë iu falenderojmë i nderuar Z. Ambasador, por kam drojë se fjalët dhe këshillat e juaja fisnike dhe miqësore janë si daullja që bie në veshë të shurdhit.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, KALUARËN KOMUNISTE, POROSITË E AMBASADORIT GJERMAN PËR T'U PËRBALLË ME TE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 113
  • 114
  • 115
  • 116
  • 117
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT