• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË MOS PRISHET HARMONIA FETARE E SHQIPTARËVE

January 3, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Media të ndryshme botërore, përfshirë edhe ato shqiptare, kanë shpërndarë një lajm gjatë ditëve të fundit të pa konfirmuar nga Vatikani, se Papa Françesku do të vizitojë Kosovën gjatë vitit 2016. Natyrisht se një vizitë e tillë në Kosovë nga udhëheqsi shpirtëror i Kishës Katolike do të ishte një lajm i mirë për një vizitë që do të ishte historike për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar. Besoj se ky lajm për një vizitë të mundshme të Papës në Kosovë, gjatë vitit që posa filloi, është një lajm i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine ose aleancash dhe qendrimesh politike.
Mirëpo, lajmi i gëzueshëm mbi një vizitë të mundshme të Papa Françeskut në Kosovë, megjithëse i pa vërtetuar zytarisht, u pasua pothuaj menjëherë nga një lajm tjetër në mediat e Kosovës, një lajm që është njëkohësisht aq i keq sa ishte edhe i papritur kur të merret parasyshë harmonia fetare midis shqiptarëve gjatë shekujve, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan dhe në diasporë. Nëse ky lajm i keq dhe i hidhur ka të bëjë me vizitën e mundshme të Papës në Kosovë ose jo këtë vit, kjo mbetet për tu parë. Por sido të ta merrësh, ky ishte një lajm që që nuk ishim mësuar të dëgjonim dhe i cili sipas shumë komenteve në portale të ndryshme, shikohet dhe po komentohet si një përpjekje për të goditur rëndë harmoninë fetare shekullore me të cilën shqiptarët janë treguar dhe tregohen edhe sot krenarë para botës. Konsiderohet si një lajm i keq ky i cili, sipas shumë reagimeve në portale të ndryshme, turbulloi shpirtërat dhe shkaktoi dhëmbje të madhe dhe tronditje shqetësuese në radhët e shqiptarëve vullnet mirë të të gjitha feve pa dallim dhe kudo.
Bëhet fjalë për një lajm të turbullt i ditës së shtunë nga Kosova, i cili sipas mediave është konfirmuar edhe nga Policia e Republikës së Kosovës në Prizren e cila njoftoi se ka filluar bërjen e hetimeve për kapjen e keqbërësit ose keqbërësve. Fjala është për prishjen e disa varrezave të komunitetit katolik shqiptar në fshatin Romajë të Hasit, Komunë e Prizrenit. Ndërsa kanë filluar hetimet, Policia e Kosovës nuk bëri ndonjë koment mbi arsyen e mundshme të prishjes së varrezave katolike, ndërkohë që deklaroi se deri tani nuk ka as të dyshuar.
Prifti katolik Don Ndue Ballabani, përgjegjës për ato varreza, është shprehur për gazetën Express se varrezat e banorëve Dedaj të Romajës kanë qenë objekt sulmesh edhe më parë, por sipas tij, nuk e kanë bërë të madhe këtë çështje, siç duket në përpjekje për të ruajtur harmoninë dhe marrëdhënjet ndërfetare të asaj zone. Don Ballabani ka deklaruar se “Çdo gjë që ka të bëjë me kryqin është demoluar” në varrezat e Romajës, të cilat sipas tij “janë 200 vjetë të vjetëra”, citohet t’i ketë thënë ai gazetës Express dhe shprehet se ka uzdajë se organet e drejtësisë do ta zbardhin këtë rast dhe që ata që kryen këtë vepër penale, të kapen dhe të marrin dënimin e meritueshëm nga drejtësia.
Autoritetet e Republikës së Kosovës e dënuan menjëherë dhe ashpër dëmtimin e varrezave. Në reagimin e qeverisë së Kosovssës thuhet se “thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës. Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Ndër reagimet e tjera të para ndaj prishjes së varrezave të shqiptarëve katolikë në fshatin Romajë, ishte edhe komenti që bëri Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Z. Ramush Haradinaj në faqen e tij Facebook i cili e karakterizoi prishjen e varrezave katolike në Romajë si, “një akt qyqan dhe si një përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë”. Ish-Kryeminsitri i Republikës së Kosovës e dënoi ashpër këtë akt dhe kërkoi nga “Organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, i cili i qet hije të keqe, jo vetëm kësaj ane, por gjithë Kosovës”, shtoi ai. Ramush Haradinaj shkruan se, “Varrezat janë objekte të shënjta dhe kushdo ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë. Prandaj nuk do të lejojmë askend që të na i rrezikojë këto vlera”. Z. Haradinaj shprehet se dëshiron të besoj se ky është një akt kriminel dhe keqbërsish ordiner, por përfundoi ai reagimin e tij duke thënë se “Pavarësisht prej kësaj, zbardhja e këtij rasti, është me interes të jashtëzakonshëm për të gjithë ne”.
Në pritje të zbardhjes se këtij rasti të shëmtuar nga Policia e Republikës së Kosovës dhe pa dashur të arrijë në ndonjë konkluzion pa pasur fakte mbi motivin dhe mbi identitetin e personave që kanë kryer këtë akt të shëmtuar — akte të tilla si ky i javës që kaloi dhe herë të tjera më parë në fshatin Romajë të Hasit të Komunës së Prizrenit, janë shënja të këqia dhe përbëjnë sulme që godisin drejtë për drejtë mu në zemër të bashkjetës dhe harmonisë fetare ndër shqiptarët, të cilët deri më sot ishin shembëll për botën në këto marrëdhënje.
Në interesin e kujt është që të mbytet harmonia fetare shekullore midis shqiptarëve dhe të zhduket respekti që shqiptarët kanë gëzuar dhe kultivuar gjatë historisë me njëri tjetrin? Ata që me akte të tilla — siç është prishja e varrezave katolike në Romajë të Hasit — dëshirojnë dhe shpresojnë të mbjellin urrejtje midis shqiptarëve në baza fetare, nuk besoj se do t’ia dalin, por ata duhet të izolohen dhe të luftohen na shoqëria sa më parë që të jetë e mundur, para se të jetë tepër vonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: e shqiptareve, Frank shkreli, Harmonia Fetare, TË MOS PRISHET

DHIMITËR BERATI – MBROJTËS I INTERESAVE TË KOMBIT

December 29, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ndonëse po merr fund ky vit, që shënon 45 vjetorin e vdekjes së Dhimtër Beratit në shtator të vitit 1970, thashë me vete — mbasi edhe ky është dhe mbetet ndër ata të harruarit, por i cili ka dhënë një kontribut të madh dhe ka luajtur një rol të shquar në veprimtarinë kombëtare — të kujtohet shkurtimisht për meritat e tija të veçanta në 45-vjetorin e vdekjes. Fatkeqsisht, atij iu shkurtua jeta nga një aksident kur një makinë e goditi nga shpejtësia duke e lënë të vdekur në vend në vitin 1970 në kryeqytein italian.
Nuk e kisha njohur Dhimitër Beratin megjithëse shtatorin e vitit 1970 ndodhesha gjithnjë në Itali si refugjat duke pritur miratimin për të udhëtuar drejtë Shteteve të Bashkuara. Por miku i tij Ernest Koliqi fliste me admirimin më të madh për të dhe për veprimtarinë patriotike të Beratit në fushën politike dhe publistike. Dhimitër Berati dallohet qyshë në moshë të re për vepprimtarinë e tij patriotike në fillim të shekullit të kaluar. Ai ishte njëri prej atyre fatbardhëve që nënshkruan Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në Vlorë. Si përfaqsues i kolonisë shqiptare në Rumani, ai veproi me çka kishte dhe me çka dinte për rilindjen e Shqipërisë dhe si përfaqsues i komunitetit shqiptar me influence në atë kohë në Rumani, ai udhëtoi për në Vlorë nga Rumania së bashku me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin. Nënshkrimi i Dhimitër Beratit dallohet qartë ndër nënshkrimet e 40-patriotëve të asaj kohe që e shpallën Shqipërinë të pavarur. Veprimtaria e tij ishte e shumëllojshme dhe në fushë të ndryshme. Ku e kërkonin interesat kombëtare, aty gjëndej Dhimitër Berati. Pas Luftës së parë Botërore në vitin 1919, kur Shqipërisë i kërcënohej pavarësia dhe kufijtë e saj, ku tjetër të gjëndej Dhimitër Berati përveçse si anëtar i delegacionit shqiptar për të mbrojtur të drejtat e kombit në Konferencën e Paqës në Paris së bashku me patriotë të tjerë të dalluar të kombit, përfshirë At Gjergj Fishtën dhe Imzot Luigj Bumçin. Ishin këta lisa të mëdhej të kombit me rrënjë të thella dhe të pamohueshme në historinë e kombit shqiptar, pa marrë parasyshë trajtimit të tyre çnjerzor dhe anti-kombëtar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që jo vetëm i kishte dëbuar nga atdheu për të cilin vepruan dhe punuan aq shumë, por rdhe për faktin se gjatë sundimit të tij, ai regjim u përpoq që rrënjët dhe kontributet e çmuara të këtyre burrave në historinë kombëtare, të shlyheshin përgjithmonë. Fatbardhësisht, Enver Hoxha dhe regjimi i tij nuk ia dolën këtij qëllimi, pasi veprat dhe kontributet e tyre flasin vet dhe historia e vërtetë që do të shkruhet një ditë pa pasione ideologjike dhe interesa partiake, do t’i njohë të gjithë këta vigana të kombit shqiptar për meritat e tyre të veçanta ndaj mbrojtjes së interesave të kombit të tyre. Por, megjithëse regjimi enverist nuk ia doli të fshinte kujtimin e tyre nga historia, fatkeqsisht Dhimitër Berati dhe figura të tjera të kohës së tij vazhdojnë të hidhen në harresë — edhe sot pas 25 viteve të rënjes së atij regjimi — nga apologjetët e regjimit komunist të historiografisë së sotëme orëzezë, gjithnjë nën influencën e praktikave dhe mentalitetit të atij regjimi, duke mos i përfillur ata si kontribues të veçantë në jetën dhe historinë e kombit, por ende konsiderohen si “kollaboracionistë”.
Si mund të konsiderohet Dhimitër Berati kollaboracionist, që nënkupton anti-atdhetar, kur të merret parasyshë kontributi i tij i shquar si pjesëmarrës në ngjarjet më me rëndësi të historisë së shqiptarëve, përfshirë Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve në Konferencën e Paqës në Paris, aty ku kundërshtoheshin dhe sulmoheshin të drejtat e shqiptarëve nga armiqët dhe aleatët e tyre historikë?
Përveç kontributit të tij në fushën politike dhe patriotike, Dhimitër Berati njihet edhe për veprimtarinë e tij dhe kontributin e vlefshëm edhe në publistikën shqiptare. Ai ishte botues i gazetës me përmbajtje politike, “Përlindja e Shqipërisë”, një gazetë që botohej në Vlorë me nëntitullin, “Organ për të Mbrojtur të Drejtat Kombëtare”. A mund të merret me mend sot botimi i një gazetë me një nëntitull të tillë?
Në shtator të vitit 1970 para se të ndërronte jetë, Dhimtër Berati ishte i vetmi dëshmitar ende i gjallë ndër ata që kishin shpallur dhe nënshkruar Pavarësinë e Shqipërisë, por i cili ishte detyruar të largohej nga atdheu nën kërcënimin e diktaturës komuniste, vetëm e vetëm, se para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai kishte pasur detyra të ndryshme në disa dikastere të qeverive të mëparshme.
Por pa marrë parasyshë moshën e shkuar, as në mërgimin e detyruar, Dhimitër Berati nuk pushon së punuari për të mirën e Atdheut të tij megjithëse e kishte dëbuar atë për arsye politike. Në mërgim, ai ndër të tjera, ishte bashkpuntor i ngushtë i Profesor Ernest Koliqit dhe kontribues me shkrimet e tija në revistën Shëjzat. Në një shkrim të Beratit në revistën Shëjzat të vitit 1961, siç shënon Karl Gurakuqi — edhe ky njëri prej të harruarve — në librin, “Nepër Vullajt e Shëjzave”, Dhimitër Berati botoi me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, artikullin, “Pater Gjergj Fishta – Kujtime e shënime”. Gurakuqi shkruan se miqësia midis këtyre dy gjigantëve kishte filluar në vitin 1908 në Kongresin e Bashkimit të Alafabeteve në Manastir dhe ka zgjatë sipas Beratit deri sa Fishtën e “Ndieu Perendija në vjetin 1940”. Karl Gurakuqi nënvijon se Fishta dhe Berati kishin një miqësi të fortë dhe shton se në shkrimin e tij kushtuar mikut të tij të madh Gjergj Fishtës, Bberati kujton ngjarje të bashkjetuara, fjalë e fraza të paharrueshme, vizitat që kishin bërë bashkarisht, por edhe talljet që e karakterizonin Poetin. Prandaj nuk është për tu habitur që Berati vlerëson mikun e tij të ngushtë me këto fjalë: “Për ne të gjithë”, shkruan Dhimitër Berati, “Gjergj Fishta është poeti në kuptimin që kishte kjo fjalë për Grekët kur kujtonin Omirin. Oliadha dhe Odisea ishte Bibla, ishte Ungjilli i tyre; ata dy poema ishin për ta udhëheqsa si për doctrine fetare, si për njoftime historike ashtu edhe për çmuarjen vetiake e shqoënore të njeriut…Po ashtu duhet të jenë për kombin shqiptar, “Historija e Skëndërbeut” e Naimit dhe “Lahuta” e Fishtës. T’i këndojmë, t’i mësojmë e t’i nderojmë veprat e tyre më duket si një prirje e natyrshëme ndaj atdheut, si një shënjë dashurie ndaj popullit t’onë.”
Siç dihet me ardhjen e pushtetit komunist në Shqipëri, Dhimtër Berati nuk këthehet më në Shqipëri, por vendoset në Romë të Italisë ku siç thashë më lartë bashkpunon ngushtë me Profesor Ernest Koliqin dhe rëvistën Shëjzat dhe ndonëse në moshë të shkuar merrte pjesë në çdo aktivitet të shqiptarëve në raste përkujtimesh kombëtare dhe kulturore. Madje, ai kishte ardhur edhe në Shtetet e Bashkuara në vitin 1969 për të marrë pjesë në kremtimet e organizatës Vatra.
Miku dhe bashkpuntori i tij Koliqi ka shkruar për këtë burr të madh të historisë së Shqipërisë se Berati, “Ishte dekani i gjallë i Rilindasve ende në jetë dhe simboli i gjallë i idealeve që frymëzuen lëvizjen për Rilindjen Kombëtare dhe kunorëzimin e saj me 1912, mbas sa mundit e gjakut të derdhun”.
Dhimitër Berati nuk duhet të harrohet as të anashkalohen meritat e tija, por të kujtohet dhe të nderohet për kontributin e tij të gjatë dhe për meritat e veçanta në shërbim dhe në interes të kombit shqiptar, ashtu si i ka hije një populli që jeton në shekullin 21.

Filed Under: Histori Tagged With: Dhimiter berati, Frank shkreli, Mbrojtesi i intersave kombetare

NUK KUPTOJNË, A PO NUK DUAN TË KUPTOJNË!

December 22, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ende nuk e kuptojnë!
Njoftohet se Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Izrael ditët e fundit, vizitoi edhe Muzeun e Holokaustit. Duket se Kryeministri shqiptar kishte mbetur i emocionuar nga ato që kishte parë në atë muze. Po kush nuk do të mbetej i emocionuar nga ekspozita e krimeve të tilla kundër njerëzimit dhe e gjenocidit që Hitleri dhe regjimi i tij kanë bërë kundër hebrenjve në Gjermani dhe anë e mbanë Europës, gjatë Luftës së Dytë Botërore? Z. Rama, ashtu i emociounar çoi mendjen tek Tirana– duke bërë krahasim të muzeut izraelit me ndërtimin e bunkerit pranë Ministrisë së Mbrendshme — citohet të jetë shprehur, se “Çfarë mësimi i paçmuar për çdo indidvid dhe popull”, ishte vizita për të në Muzeun e Holokaustit në Izarel. “Për mënyrën se si duhet mbajtë gjallë kujtesën e vuajtjeve që nuk duhen përsëritur kurrë.”Me këtë rast ai kritikoi ashpër ata që kundërshtuan ndërtimin e bunkerit në Tiranë, të cilin sidomos shtresa e të përndjekurve e konsideroi si një simbol i regjimit komunist.”Është për të venë duartë në kokë nga trishtimi e zemërimi bashkë”, se si mund të kundërshtohet një simbol i tillë i komunizmit, qëllimi i të cilit është “për të kuptuar më mirë të shkuarën e vendit tonë”, është shprehur udhëheqsi shqiptar gjatë vizitës në Izrael.
25 vitet e fundit të tranzicionit shqiptar, — se deri kur do quhet tranzicion veç një Zot e di — Izraelin e kanë vizituar edhe të tjerë zyrtarë të lartë shqiptarë, por siç duket asnjë prej tyre nuk ka nxjerrur ndonjë mësim për nga mënyra se si populli izraelit kujton gjenocidin dhe krimet kundër tij dhe as se si kjo mënyrë mund të përdorej edhe në Shqipëri për të kujtuar vrasjet, persekutimet, burgosjet dhe internimet në masë të kundërshtarve të regjimit enverist. Zyrtarë të ndryshëm shqiptarë gjatë viteve kanë vizituar edhe Muzeun e Holokaustit në Washington dhe kanë bërë deklarata të tilla emocionuese. Çdo shtet ish-komunist, në një mënyrë ose në një tjetër, ështëpërballur me të kaluarën e tij komuniste, duke i kujtuar viktimat e atij regjimi. Shqipëria është vendi që ka bërë më pak, ose aspak në këtë drejtim — lere më në krahasim me Izrelin pasi ky është një rast i veçant – por edhe në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Europës, Tirana zyrtare tash 25 vjetë — me përjashtim të ndonjë keste dëmshpërblimi që u është dhënë ish-të dënuarve nga komunizmi– ka berë pak ose aspak për t’u përballur me të kaluarën komuniste, as në mëyrë konkrete dhe as nga pikëpamja historike.
Të nderuar udhëheqës të Shqipërisë — të tanishëm dhe të këtyre 25 viteve të fundit –nëqoftse jeni serioz për përballimin me atë histori dhe nëse jeni të sinqertë për të kujtuar viktimat e komunizmit me qëllim që ajo histori të mos përsëritet më, duhet të bëni diçka më shumë se ç’është bërë deri tani, dhe jo vetëm me fjalë dhe jo vetëm duke vizituar muzetë e të tjerëve, përfshirë edhe atë të Holokaustit, qoftë në Izrael apo Washington.
Ja gjëndemi para festave të fund vitit dhe një viti të ri, Vitit 20016. Pse të mos jetë ky viti i një reflektimi në nivel kombëtar në lidhje me këtë çështje. Më në fund kjo është një stinë reflektimi se si mund të bëhen gjërat më mirë. Janë disa gjëra që mund të bëhen më mirë dhe mund të ishin bërë në të kaluarën pa asnjë shpenzim të madh, por që nevojitin kurajo morale dhe vendosmëri njerëzore, por edhe ndjenja patriotike.
Cili udhëheqës shqiptar deri më sot ka vizituar ndonjë prej qëndrave të përsekutimit dhe të internimit të mijëra shqiptarve nga regjimi enverist. A nevojitet vizita e Ambasadorit amerikan në Spaç për t’i bindur zyrtarët shqiptarë se një gjë e tillë është detyrim njerëzor, moral dhe patriotik karshi bashkatdhetarve të tyre të pafajshëm të cilët e kanë pësuar shumë keq për pothuaj 50-vjetë — atyre që u ekzekutuan dhe atyre të cilët u persekutuandhe vdiqën në duartë e xhelatëve anë e mbanë kampeve te regjimit komunist, në të gjitha anët e Shqipërisë? Për më tepër, çfarëmesazhi u jep shqiptarëve dhe botës një qeveri që dekoron pikërisht dhunuesit e këtyre viktimave, të gjallë e të vdekur?Kush kujtohetme këtë rast, xhelati si përfaqsues i asaj të kaluare të tmershme, apo viktima e atij sistemi?
I kushton gjë Kuvendit të Shqipërisë të caktojë një ditë në vitdedikuar kujtimit të viktimave të komunizmit, ashtu siç kanë bërë shumë vende të tjera ish-komuniste, por edhe BashkimiEuropian dhe Këshilli i Europës, me rezoluta të ndryshme gjatë viteve?Ku qëndron puna e komisioneve të ndryshme të Kuvendit të Shqipërisë që gjoja u formuan për të bërë hetime mbi krimet e komunizmit?
Shqipëria ka nevojë të kujtojë viktimat e komunizmit në mënyrën e vet, por ka nevojë gjithashtuedhe për një muze të madh të krimeve të komunizmit, prap ashtu siç kanë vepruar shumë vende të tjera.Një muze, ashtu si ai në Izrael, nga i cili me të drejtë është impresionuar Kryeministri shqiptar, me fjalimet dhe të gjitha krimet e Hitlerit, të bërat dhe të pa bërat, ashtu që asgjë të mos i iki historisë.Edhe Shqipëria duhet të ndërtojë një muze të tillë, me të gjitha fjalimet edhe krimet e Enver Hoxhës dhe bashkpuntorëve të tij ndaj kundërshtarve dhe viktimave të atij regjimi. Duhet të dokumentohet çdo minutë e jetës së atij regjimi në një muze të tillë, por jo të vendoset publikisht në shënjë nderimi portreti i Enver Hoxhës në raste përkujtimesh kombëtare, ku janë të pranishëm udhëheqsit më të lartë të qeverisë dhe të shtetit e të cilit janë venë re duke u përkulur para tij.
Kryeministri Rama shpreh habinë se pse kundërshtohet ndërtimi i një bunkeri në Tiranë duke u shprehur se e ndjenë vetën të trishtuar dhe të zemëruar nga kundërshtimi i tyre ndaj atij monumenti.A e pyesin vetën udhëheqsit shqiptarë se si e ndjejnë veten viktimat e gjalla të regjimit komunist, kur shohin portretet e diktatorit Enver Hoxha — jo në në muze – por një paradë zyrtare me rastin e festave kombëtare. Duke marrë parasyshë vuajtjet e tyre, është kjo shtresë e shoqërisë shqiptare sot, e cila me të drejtë dhe bazuar në eksperiencën e saj të vuajtjevedhe të diskriminimeve,ajo qëme të vërtetë e ndjenë veten,jo vetëm të trishtuar dhe tëzemëruar, por edhe tëfrikësuar dhe gjithnjë të përjashtuar nga jeta dhe politika e vendit.
Duhet të kuptohet më në fund se përballimi i Tiranës zyrtare me të kaluarën komuniste është tepër i rëndësishëm dhe urgjent.Vazhdimi i politikës së këtyre 25 viteve të fundit në lidhje me krimet e regjimit komunist, vetëm tregon mungesën e moralit politik dhe shoqëror të klasës politike të çerek shekullit të kaluar, të një politike të dështuar për të tashmen dhe për të ardhmen e kombit shqiptar. Duke besuar për një trajtim më me dinjitet dhe më të denjë nga autoritetet shqiptare për këtë shtresë të përndjekurish që janë ende gjallë e të cilët kanë mbijetuar kampet komuniste, duhet shpresuar — ndoshta kundër shpresës — se së shpejti do të dokumentohet brutaliteti çnjerëzor i sistemit komunist në Shqipëri, ashtu siç ka dokumentuar Izraeli krimet e nazizmit në Muzeun e Holokaustit, të cilin posa e vizitoi Kryeministri shqiptar dhe siç kanë bërë shumë vende të tjera europiane. Me vullnet të përbashkët të të gjitha forcave politike mund të bëhet një gjë e tillë — për tu përballuar më në fund me atë të kaluar trishtuese dhe për të kujtuar pra viktimat e komunizmit, që po harrohen me qëllim, me kalimin e kohës. Kjo është shpresa dhe urimi për festat e fund vitit!
Por fatkeqsisht –nëqoftse historia është mësuesja –duke u bazuar në përvojën e këtyre 25 viteve të ashtuquajtur post-komunizëm në Shqipëri, shpresat janë të paka se një përballim i tillë zyrtar me të kaluarën komuniste, pothuaj gjysëm shekullore dhe me krimet e atij sistemi do të ndodhë shpejt. Është shumë vështirë të merret me mend se një gjë e tillë mund të realizohet nga ata që ndërtuan bunkerin, por as nga ata që ivunë zjarrin, pasi të dy palët kanë pasur kohë të mjaftueshme për tu përballur me të kaluarën komuniste, por gjithmonëe kanë lënë pas dore për mungesë vullneti të mirë por edhe përmungesë morale dhe mos vendosmërie politike, për tu përballuar me atë histori.

Filed Under: Analiza Tagged With: A PO, Frank shkreli, NUK DUAN, NUK KUPTOJNË, TË KUPTOJNË!

SHËNJTËRESHA E SHQIPTARËVE, NËNË TEREZA

December 18, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Lajmi u përhap zyrtarisht të premtën nga Vatikani me një njoftim të posaçëm për median dhe për të gjithë të interesuaritse të ënjën, me rastin e 79-vjetorit të lindjes së tij, Papa Françesku miratoi Dekretin, që do të çojë në shenjtërimin e Age Gonxhe Bojazhiu e njohur si Nënë Tereza. Në njoftimin e Vatikanit thuhet segjatë një audience të posaçme të ënjtën me Kardinalin Angelo Amato, Prefektin e Kongregacionit të Kauzave të Shënjtërimit, Papa Françesku pranoi Dokumentin në bazë të cilit, Udhëheqsi i Kishës Katolikenjohu dhe miratoi ndërmjetësimin e Nënë Terezës në mrekullinë e shërimit të menjëhershëm, të papritur, të plotë dhe të pashpjegueshëm të një burri me kombësi braziliane, i sëmurë rëndë nga një goditje në tru. Burri Brazilian u shërua në vitin 2008.
Në vitin 2008 braziliani u shërua në mënyrë të papritur, të jashtëzakonshme e të plotë, sipas hetimeve të Vatikanit. Në njoftimin zyrtar të Vatikanit thuhet në lidhje me shërimin e mrekullueshëm se më 10 shtator 2008, një inxhinier brazilian, I cili ishte në gjendje kome për shkak të një sëmundjeje të trurit, u mbart në sallën e operacionit për një ndërhyrje kirurgjikale, gati-gati të pashpresë. Gruaja e tij lutej në kapelën e spitalit, së bashku me një meshtar e disa familjarë. Një natë më parë i qe lutur me gjithë zemër Nënë Terezës: “Mjekojeni Ju vetë tim shoq”.Gjithçka ndodhi në pak minuta.Kirurgu, që kishte dalë një gjysëm ore më parë nga salla e operacionit, duke e shtyrë për pak çaste ndërhyrjen, u rikthye përsëri dhe çuditërisht, e gjeti të sëmurin ndenjur mbi shtrat, të zgjuar e plotësisht të vetëdijshëm. I mrekulluar, e dëgjoi t’i thotë: “Ç’bëj unë këtu?”.Shërimi, që u vërtetua më pas, ishte i menjëhershëm, ndërsa abseset e shumta të trurit, me hidrocefale obstruktive, ishin zhdukur krejtësisht, në mënyrë fare të pashpjegueshme, sipas ekspertëve të mjekësisë.Sipas Vatikanit, mrekullia që i atribohet Nënë Terezës, është një nga rastet e rralla të mrekullisë së “shkallës së parë”, asaj pra që kundron ngjalljen prej të vdekurve ose të ashtuquajturës “restitutio ad integrum”, domethënë, shërimin e plotë të të gjitha organeve të shkatërruara nga sëmundja, thuhet në njoftimin e Vatikanit.
Pranimi dhe miratimi nga Papa i Dokumentit në lidhje me mrekullinë e Nënë Terezës, është mrekullia e dytë dhe akti përfundimtar që i hapë derën shënjtërimit të Nënë Terezës, “Ëngjëllit të të varfërve”, siç e ka cilësuar vet miku i shqiptarëve, Papa Françesku.Ishte një Papë tjetër, Papa Gjon Pali i dytë, i cili gjithashtu konsiderohet mik i shqiptraëve, i cili, ndonëse rregullat kishtare kërkojnë një pritje prej pes vitesh para se të mund të fillojë procesi për shënjtërim, Papa Gjon Pali i II ndryshoi rregulloren me këtë rast dhe beatifikoi Nënë Terezën më më 2003, që është hapi i parë drejtë shënjtërimit.Vatikani refuzoi të përcaktonte një datë për shënjtërimin e Nënë Terezës, por media të ndryshme italiane dhe europiane kanë spekulluar se mund të bëhet shtatorin që vjen, që përkon me përvjetorin e ndarjes së saj nga kjo jetë.
E lindur në Shkupin shqiptar më 26 gusht të vitit 1910, e lumtura Nënë Tereze dhe urdhëri murgeshave të themeluar prej saj njihet anë e mbanë botës si bamirëse dhe mbështetse e më të varfërve të kësaj bote.Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator, 1997, në moshën 87-vjeçare.Për punën e saj, ajo është shpërblyer edhe sa ishte gjallë e vepronte në këtë jetë, me shumë dekorata kishtare dhe ndërkombëtare të kësaj bote në të cilën jetojmë, përfshirë Medaljen Presidenciale për liri nga Presidenti amerikan Ronald Reagan, Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan, si dhe me dekorime dhe çmime nga shtete dhe organizata ndërkomëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në vitin 1979, Nënë Tereza mori Çmimin prestigjioz të Nobelit për paqë. Më atë rast ajo pat thënë se nuk e meritonte një çmim të tillë, por do e pranonte në emër të “uriturve, atyre të pa streh, sakatëve, të verbërve dhe në emër të gjithë atyre që e ndjejnë veten të pa dashur dhe të pa kujdesur nga shoqëria ku jetojnë”.
KryeipeshkviThomas D’Souza i Kalkutës së Indisë, ku ka shërbyer më së shumti Nënë Tereza, vendimin e Papa Françeskut për miratimin e Dokumentit për shënjtërimin e Nënë Terezës e cilësoi si një “Dhuratë të vërtetë me rastin e Krishtlindjes që Ati i Shënjtë i ka dhuruar Kishës”, sidomos Kishës në Kalkuta. Ai i tha Radio Vatikanit se kemi pritur për një kohë të gjatë për këtë moment dhe tani që ky moment është realitet, jemi jashtzakonisht shumë të kënaqur me vendimin e Papa Françeskut.
Mund të thuhet se edhe shumica e shqiptarëve kudo, jo vetëm katolikë, por tëgjitha feve, janë të kënaqur sot tej mase për këtë vendim të Papa Françeskut për të shënjtëruar Bijën më të madhe të kombit shqiptar, Nënë Terezën, të cilën Dr. Lush Gjergji, biografi i jetës dhe veprimtarisë së saj, e ka cilësuar si, “Shënja dhe shpresa e mbarë njerëzimit, simbol i mirërisë dhe idashurisë vetmohuese e cila nuk ka skaj, por në plotësi jepet për Zotin dhe për të afërmin.” Dom Lush Gjergji ka shkruar gjithashtu në librin “Nëna Jonë Tereze” se ajo është, “Dhurata më e madhe që ne, ipeshkvia jonë dhe populli i jonë, i dhamë Zotit, Kishës dhe botës dhe njëkohsisht” shkruan ai, ajo është një, “Dhuratë — dhantia dhe ngushëllimi më i madh që Zoti i na i dha neve sot, në ditët tona.”
Në një artikull me rastin e 103-vjetorit ë lindjes së Nënë Terezës, kisha komentuar se, ndërkohë që bota sot — për arsye ideologjike, politike, materiale dhe ndasive të ndryshme dhe urrejtjeve — përballet me terrin e shpirtit dhe me mungesën e dashurisë për njëri tjetrin, Nënë Tereza gjithnjë, por sidomos në këtë moment, qëndron para botës si një simbol i një shprese të qëndrueshme, për një jetë më të mirë dhe si simbol i mundësisë së ndryshimeve pozitive përballë sfidave personale dhe shoqërore të njeriut dhe të shoqërisë ku jetojmë.
Kjo shpresë dhe besimi në mundësinë për të kryer vepra të mira në shërbim të tjerëve të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë, rrjedhë nga fakti se ajo besonte se çdo njëri prej nesh posedon aftësinë, mirësinë dhe dashamirësinë për vepra të mëdha. Vetë Nënë Tereza nuk besonte se ajo ishte unike ose e veçantë dhe nuk kishte ndonjë sistem shtetëror ose të ndonjë organizate botërore që të mbështeste veprimtarinë e saj, ndaj për këtë arsye, trashgëmia e kësaj murgeshe katolike shqiptare mbetet edhe sot e respektuar anë e mbanë botës, nga pothuaj të gjithë njerëzit e ideologjive dhe feve të ndryshme, përfshirë edhe ata që nuk besojnë.Ky mesazh i Nënë Terezës – që është dashuria për njërin tjetrin — është sot më i nevojshëm se kurrë, sidomos në radhët e shqiptarëve, por edhe për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë kudo dhe kurdoherë. Për realizimin e respektit dhe të dashurisë,megjithë ndryshimet midis nesh, tashti kemi Nënë Terezën, shënjtoren tonë, ndërmjetëse pranë Perendisë – që t’i drejtohemi për ndihmë: Nëna Tereze lutu për Shqiptarët!

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, Nene Tereza, SHËNJTËRESHA E SHQIPTARËVE

TË DREJTAT E NJERIUT SI STANDARD NDËRKOMBËTAR

December 11, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Dita e të Drejtave të Njeriut shënohet nga komuniteti ndërkombëtar çdo vit me 10-dhjetor, date kjo që përkujton ditën kur në vitin 1948, Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut. Dy vjetë më vonë, Asamableja e Përgjithshme miratoi një rezolutë me të cilën u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare dhe organizatave të interesuara për të mbrojtur të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, duke u kërkuar atyre që të shënojnë çdo vit, 10-dhjetorin si Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Edhe sivjet, me këtë rast, nuk munguan festimet dhe deklaratat e shumë udhëheqsve botërorë dhe organizatave të të drejtave të njeriut në mbështetje të  këtyre të drejtave. Konventat e Kombeve të Bashkuara (OKB)mbi të drejtat e njeriut përcaktojnë se të drejtat civile, politike, kulturore, ekonomike dhe shoqërore janë të drejta për të gjithë njerëzit pa dallim ç’prej lindjes.  Tema e aktiviteteve të  këtij viti e caktuar nga Kombet e Bashkuara është: “Të Drejtat tona. Liritë tona.

Gjithmonë”, fushatë kjo që ka për qëllim, që gjatë vitit, të nxisë dhe të promovojë interesimin ndaj Konventave Ndërkombëtare mbi liritë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, me rastin e 50-vjetorit  të miratimit të tyre.

Dy konventat ndërkombëtare, njëra për të Drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore dhe tjetra për të Drejtat civile dhe politike, së bashku me Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut, kanë shërbyer si mjete të pa-zëvendësueshme në mbështetje të drejtave të njeriut, sidomos gjatë periudhës komuniste në Europë dhe të cilat mbeten edhe sot të tilla. Megjithse gjatë 50-viteve të kaluara, kanë ndodhur një mori ndryshimesh themelore pozitive në mbarë botën përsa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sipas Kombeve të Bashkuara, mbeten ende sfida të mëdha në këtë fushë, në shumë vende të botës.   Sipas OKB-ës,   edhe 50-vjetë pas ratifikimit, shumë njerëz anë e mbanë botës, madje as nuk dinë se ekziston një dokument i tillë ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut dhe se shumë vende në të gjitha kontinentet kanë ende shumë për të bërë për të krijuar institucione politike dhe juridike, por edhe mundësi ekonomike, që do të mundësonin që njerëzit e thjeshtë kudo të jetonin me dinjitet. Një sfidë tjetër, sipas OKB-ës është edhe urrjetja në rritje e sipër kundër pakicave fetare dhe raciale, në emër të luftës kundër terrorizmit si dhe kufizimi i të drejtave ekonomike dhe shoqërore në emër të krizës ekonomike dhe sigurisë.  Megjithëse sfidat e mëdha me të cilat përballet bota në fushën e mos-zbatimit të të drejtave të njeriut, Komisioneri i Lartë OKB-ës për Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein tha me rastin e Ditës së të Drejtave të

Njeriut, se megjithë problemet, “Respekti për lirinëvauzhdon të jetë baza e paqës,sigurisë dhe zhvillimit për të gjithë.Ndërsa në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Të Drejtave të Njeriut, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon foli mbi fatin e miliona refugjatëve të ç’vendosur nga shtëpitë e tyre nga lufta, dhuna dhe nga padrejtësitë. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos mbylli dyertë por t’i hapi ato për azilkërkuesit, duke siguruar të drejtën e të gjithëve, pa dallim, për të kërkuar strehim. Udhëhqesi i OKB-së bëri gjthashtu thirrje që në Ditën e të Drejtave të Njeriut, “Le të angazhohemi përsëri për të garantuar liritë themelore dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut për të gjithë.”

Eleanor Roosevelt, bashkshortja e Presidentit amerikan Franklin Roosvelt, aktiviste, diplomate dhe mbështetse e të drejtave të njeriut, — frymëzoi dhe përpiloi projekt dokumentin që më vonë u quajt Deklarata Universale e të Drejtave Njeriut, document historic ky të cilit ajo i është referuar edhe si “Magna Carta ndërkombëtare për mbarë njerëzimin” — duke mbajtur një kopje të kësaj Ndërkohë në Washington, Kryetari i Komisionit të Kongresit amerikan për Siguri dhe Bashkpunim në Europë, Kongresmeni Chris Smith, Ditën e të Drejtave të Njeriut e shënoi me një deklaratë në të cilën shprehu shqetësimin e tij mbi fatin e atyre që ai cilësoi si të “burgosur politikë” në vendet anëtare të OSBE-ës. Kongresmeni Smith i cili është i njohur si mbështetës i të drejtave të njeriut kudo në botë, tha se, “në disa vende të OSBE-ës, po shtohet numri i i të burgosurve politikë. ” Si shembull ai citoi organizatën ruse “Memorial” të të drejtave të njeriut, e cila, sipas tij, llogaritë se “Në Rusi sot ka 50 të burgosur politikë”.

Kongresmeni Smith shtoi gjithashtu se situata nuk është aspak e mire as në vendet e Azisë Qëndrore, “ku numri i të burgosurve politikë ka vazhduar të jetë i lartë për një kohë të gjatë, tani.” Ditën e të Drejtave të Njeriut,  Kryetari i Komisionit të Kongresit Amerikan për Siguri dhe Bashkpunim në Europë bëri gjtihashtu një deklaratë me të cilën i bëri thirrje administrates së Presdientit Obama që të , “sanksionojë qeverinë e Kinës për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut.”

Ndërsa, duke folur në emër të Administrates së presidentit Obama, Sekretari Amrikan i Shtetit, John Kerry, në deklaratën e tij me rastin e 10- dhjetorit, Ditës së të Drejtave të Njeriut, theksoi se, “Sot ne riangazhohemi  në mbrojtje ndaj së vërtetës se të gjithë njerëzit e çdo feje, përkatësie etnike, orientiemi seksual ose prejardhjeje janë të paisur dhe gëzojnë, “të drejtat e barabarta dhetë patjetërsueshme.”   Kryediplomati amerikan e përmbylli deklaratën e tij duke theksuar se, “Avancimi vigjilent dhe mbështetja e vendosur e këtyre të drejtave do ta bëjë botën më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë ne.”

Ky ishte edhe qëllimi i Eleanor Roosevelt, arkitektes së Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, një botë më e mirë dhe më e begatë, ku të gjithë njerëzit pa dallim të gëzojnë të drejtat e tyre bazë të njeriut – një dokument ky që konsiderohet si dokumenti më i rëndësishëm dhe më i mirë që është përpiluar ndonjë herë në mbrojtje të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e botës. Eleanor Roosevelt kishte mundësi të ndërmirrte çdo aktivitet tjetër, por ajo vendosi të punonte si vullnetare për Kombet e Bashkuara dhe zgjodhi mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë dhe standardet për ushtrimin e këtyre të drejtave nga të gjitha qeveritë, për shtetasit e tyre. Është ky një dokument nga i cili kanë përfituar qindra miliona, ndoshta miliarda persona anë e mbanë botës, ndërsa njëkohsisht qeveri, shtete dhe diktatorë të ndryshëm anë e mbanë botës e kanë urrejtur dhe e urrejnë gjithnjë.

Prandaj, ndërsa anë e mbanë botës shënohet Dita e të Drejtave të Njeriut, është me vend që të kujtohet gjithashtu edhe kontributi i një prej arkitektëve kryesorë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Eleanor Roosevelt.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, SI STANDARD NDËRKOMBËTAR, te drejtat e Njeriut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT