Nga Frank Shkreli/
Dua të përshëndes Vatrën për organizimin e këtij tubimi sonte për të shënuar kujtimin e Profesor Arshi Pipës me rastin e 95-vjetorit të lindjes. Është me vend, në fakt është detyrim, që ky përvjetortë shënohet ashtuqë të mos hidhet në harresëky burrë i madh i Shkodrës i cili me aktivitetin dhe veprat e tija që ka lënë pas, ai ka nderuar veten dhe kombin.
Sonte pra,jemi mbledhur këtu për të kujtuar atë të cilin shumë prej nesh kemi patur fatin ta njohim për së afërmi, e disa prej jush kini patur rastin të punoni me të, kur ai ka shërbyer si Kryetar i Vatrës dhe Editor i Diellit.
Marrim pra pjesë në kujtimin e një shqiptari të madh, për ta kujtuar sontejo vetëm me miqë të vjetër të Arshi Pipës, por edhe me dashamirë të ri, të cilët ndoshta nuk kanë patur rastin ta njihnin sa ishte gjallë. E kujtojmënë shënjë nderimi dhe respekti për veprën dhe kontributin e tij në fushë të ndryshmepor edhe si patriot,dhe të një veprimtarie të shumëanëshme krijimtarie si në letërsi, në filozofi, në poezi, kritikë letraredhe në fushën e studimeve politike, përfshirë shkrimet dhe veprate tija mbi stalinizmin shqiptar dhe mbi Kosovën.
Si shqiptarë dhe si mërgimtarë, i kemi borxh Profesor Arshi Pipës dhe familjes së tij të vuajtur dhe të sakrifikuar. Në të vërtetë, kemi një detyrim moral që ta kujtojmëjo vetëm atë dhe vuajtjet e tija personale, por dhe sakrificat sublime të familjes Pipa në përgjithësi nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, siç ishte vrasja e vëllait të tij dhe mbrojtësit të të pafajshëmve të elitës së kulturës shqiptare — përfshirë klerikët më të njohur katolikë të Shkodrës — avokatit të shquar shkodran, Muzafer Pipës. Pas arrestimit dhe torturave çnjerzore, vëllai i Arshiut, Muzaferi u vra nga regjimi komunist me porosi të teneqexhisë, Koçi Xoxe në shtator të 1946. Siç dihet Koçi Xoxe ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes dhe Ministër i Mbrendshëm në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe ishte aleat i ngushtë i komunsitëve jugosllavë.
Familja Pipa është njëra prej familjeve shkodrane dhe shqiptare, e cila deri në arratisjen ose në zhdukjen fizike të anëtarve të saj, me vendosmëri luftoi për të drejtën dhe për lirinë e çdo individi, për demokracinë e Shqipërisë dhe kundër vendosjes së diktaturës komuniste në atë vend.(te plote e lexoni ne Diellin e printuar)
DR. SAMI REPISHTI,VEPRIMTAR I SHQUAR I TË DREJTAVE TË NJERIUT
Nga Frank Shkreli*/
Është kënaqësi të jem me ju këtu për të festuar 90-vjetorin e lindjes së Profesor Sami Repishtit. Natyrisht se ky është një jubile i gëzueshëm, në të cilin jam krenar të marrë pjesë — për të shënuar këtë moment të rëndësishëm në jetën e Profesorit në rrethin familjar dhe me miqët e dashamirët e tij. Por njëkohsisht edhe për ta falenderuar atë për kontributet e shumëta në fusha të ndryshme të veprimtarisë së tij patriotike, akademike dhe humanitare gjatë viteve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut.
Për dekada, Profesor Repishti ka qenë një shtyllë e fortë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Autori dhe historiani Peter Prifti, një anëtar tjetër i dalluar i Komunitetit shqiptaro-amerikan ka shkruar se, “…Prof.Dr. Sami Repishti qëndron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta”.
Profesor Repishti i ndoqi dhe i zbatoi këto ideale të larta në të gjitha veprimtaritë e tija, por mbi të gjitha duhet theksuar se përpjekjet e tija, për të promovuar, për të zhvilluar dhe për të mbështetur të drejtat e njeriut për të gjithë, sidomos për shqiptarët kudo, para dhe pas shëmbjes së komunizmit, janë të pakrahasueshme me ndonjë tjetër në botën shqiptare.
Prandaj, kemi ardhur këtu sot për të nderuar një ikonë shqiptaro-amerikane të të drejtave të njeriut dhe për të celebruar një trashëgimi të një mbështetsi të idealeve të të drejtave të njeriut, si vlera njerëzore për të gjithë ne — vlera këto të cilat Profesor Repishti i ka jetuar, i ka mbështetur dhe i ka zbatuar gjithë jetën e tij, deri në ditët e sotëme.
I përket një personi të veçantë që t’ia dedikojë jetën mbrojtjes dhe promovimit të drejtave të njeriut. Një person i tillë duhet të jetë një individ vlerash dhe virtytesh! Gjithë jetën e vet, Profesor Repishti ka treguar një forcë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe ka pasqyruar vlerat dhe një besim të fortë, për t’ia pasur gjithkush lakmi, të pakën nga ata që i respektojnë këto vlera.
Ai kurrë nuk është dorëzuar në luftën për të drejtat e nejriut. Madje edhe në moshën 90-vjeçare, asgjë dhe askush nuk e ndalon atë që të shprehet dhe të shkruaj në mbështetje të të drejtave të njeriut, të vlerave dhe të drejtave universale dhe të integritetit të individit. Kjo, për arsye se Profesor Repishti nuk ka pasur kurrë frikë të merrte qendrime të prera dhe të vendosura në mbështetje të parimeve në të cilat ai beson. Madje edhe në rrethanat më të vështira në burgjet e komunizmit shqiptar dhe jugosllav, ai nuk mund dhe nuk dëshironte të heshtë. Gjatë gjithë jetës së tij, Profesor Repishti ka besuar se kur kemi të bëjmë me respektin për të drejtat e njeriut, pa marrë parasyshë rrethanat, njeriu nuk mund të mbetet asnjanës, sepse siç ka thënë aktivisti i të drejtave të njeriut dhe fituesi i Çmimit Nobel, Elie Wiesel, “Të jeshë asnjanës, vetëm ndihmon shtypësin dhe kurrë viktimën dhe heshtja inkurajon gjithmonë torturuesin dhe asnjëherë të torturuarin.”
Të nderuar miqë, Profesor Repishti, pa marrë parasyshë rrethanat dhe rreziqet, ai nuk ka qëndruar kurrë larg interesimit dhe mbështetjes për të drejtat e njeriut.
I nderuar Profesor, Perëndia u ka bekuar me një jetë të gjatë dhe me shëndet për një arsye – dhe ju nuk e keni tradhëtuar atë. Jeta juaj është një jetë shërbimi ndaj të tjerëve. Ju keni punuar gjtihë jetën dhe vazhdoni të jepni kontributin tuaj ndaj njerëzimit, i bindur se misioni i jetës suaj nuk ka marrë fund, se ju gjithnjë mund të frymëzoni të tjerët dhe se pa marrë parasyshë rreziqet me të cilat mund të përballeni, ju nuk keni qëndruar atëherë dhe nuk qëndroni asnjanës as tani, përball shtypjeve e terrorit. Mbi të gjitha, ju jeni kujdesur për të drejtat e njeriut dhe për mirëqenjen e të gjithë njerëzve, qofshin ata shqiptarë ose të tjerë kudo në botë, të drejtat e të cilëve janë shkelur historikisht nga regjimet komuniste në trojet shqiptare për një gjysëm shekulli ose nga diktatorë të tjerë të ngjyrave të ndryshme, anë e mbanë botës.
Profesor Repishti është dëshmitar i cili ka përjetuar regjimin brutal të Enver Hoxhës – njërit prej regjimeve më totalitare të shekullit 20. Por, ai njëkohsisht është edhe dëshmitar i gjallë i heroizmit të atyre shqiptarëve, viktimave të atij regjimi, të cilët së bashku me Profesorin rezistuan forcën brutale të të ashtuquajturit “pushtet popullor”. Ne jemi të privilegjuar që Z. Repishti vazhdon të shkruaj dhe të flasë për vuajtjet e veta dhe viktimave të tjera të komunizmit, të cilët kundërshtuan komunizmin së bashku me të.
Ndërkohë që propaganda dhe terrori i komunizmit shqiptar kishte përfshirë vendin, duke filluar nga viti 1945, ishte e pamundur që Z. Repishti të heshtë për ato që kishte parë. Megjithë rreziqet që i kanoseshin atij dhe familjes së tij, ai vendosi të mbante një qëndrim të prerë kundër diktaturës komuniste dhe të mbronte të drejtat e njerëzve të pafajshëm.
Siç ka ndodhur edhe me mbështetës të tjerë të mëdhej të të drejtave të njeriut gjatë 50-viteve të fundit, Profesor Repishti kishte filluar të interesohej për të drejtat e njeriut, në një periudhë kur po përballej vetë, drejtë për drejtë me të keqen – dmth., me rendin e ri komunist në Shqipëri – regjim i cili e torturoi për 14 muaj dhe e burgosi atë për 10-vjetë, vetëm e vetëm se e kundërshtonte atë regjim.
Kjo rezistencë e tij ndaj komunizmit, ka shkruar Profesor Repishti, “Më ka obliguar moralisht për të ndarë me të tjerët ato që kamë parë, sidomos krimet e diktaturës së proletariatit, duke venë në dukje, jo vetëm vuajtjet e popullit tonë, por edhe karakterin e popullit shqiptar, i cili i qëndroi besnik vetvetes, përball kërcënimeve të ndryshme, përfshirë edhe kërcënimet me vdekje.”
Kështuqë, interesimi i Profesor Repishtit për t’iu dedikuar mbrojtjes së të drejtave të njeriut nuk kishte filluar në 10-20 ose 30-vitet e fundit, kauza e të drejtave të njeriut ishte bërë pasion i jetës së tij qyshë në fillim. Angazhimi i tij për të drejtat e njeriut e ka zanafillën atje, në vitet e vuajtjeve të tija në burgjet komuniste, si i burgosur politik në Shqipëri, ku vuajti 10-vjetë burgim, së bashku me intelektualët më të dalluar të Shqipërisë së asaj kohe, përfshirë edhe klerikët katolikë shqiptarë më të shquar, ndërkohë që kishte qenë dëshmitarë i tmerreve që ata vuajtën në duar të torturuesve komunistë.
Në lidhje me vuajtjet e klerikëve katolikë shqiptarë, Profesor Repishti ka shkruar në vitin 1966, pasi kishte arritur në Amerikë se, “I ndjeja thellë mizoritë e ushtruara mbi ta: masakrat dhe torturat, shpifjet e organizuara dhe trajtimet poshtëruese ndaj tyre ishin aq të rënda, sa që nuk mund të pranoheshin, të harroheshin dhe as të faleshin”.
Profesor Repishti ka shkruar se ai është frymëzuar nga, “dashuria e tyre fisnike për bashk-të-burgosurit, për faljen dhe mëshirën që ata treguan ndaj torturuesve të tyre të verbër, nga shpresa e tyre që buronte nga ndjenjat e shëndosha se aspiratat tona, për liri, drejtësi dhe paqë, hereto se vonë, do të realizoheshin. Këto ishin të vërteta aq të qarta!…” ka theksuar Repishti. “Këto të vërteta”, ka pohuar Profesor Repishti, “më kanë prekur thellësisht në zemër, më kanë ushqyer mendjen dhe më kanë ndihmuar shumë që të kuptoj madhështinë e natyrës njerzore. Është kjo një ndjenjë që unë e ruaj dhe e kultivoj sot e kësaj dite”, ka deklaruar Profesor Repishti me rastin e 20-vjetorit të tragjedisë së viktimizimit të klerit katolik shqiptar.
Është e qartë se kleri katolik shqiptar, të burgosur, të vuajtur e të masakruar nga regjimi komunist enverist – jo vetëm sa ishin gjallë por edhe të vdekur, gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij, Profesor Sami Repishti e ka provuar me fjalë dhe me vepra se — ata nuk kanë pasur as nuk kanë një mbështetës më të madh për të drejtat e tyre njerzore dhe fetare, se sa këtë kampion të të drejtave të njeriut, Prof. Dr. Sami Repishtin — këtë bir të një kleriku të shquar e të nderuar mysliman nga Shkodra jonë.
Lufta e dytë Botërore dhe komunizmi kishin lënë një ndikim të madh moral dhe filozofik në personin e këtij mbështetësi të ardhëshëm të të drejtave të njeriut. Pasi mbijetoi vuajtjet në burgjet komuniste të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, ai emigron në Shtetet e Bashkuara në fillim të 1960-ave. Përvoja e Z. Repishti në ato burgje duket se kishte lëkundur qëndrimin e tij në besimin ndaj mirësisë së njerëzve, por megjithëkëtë, ai kurrë nuk humbi besimin në shpirtin njerëzor.
Në një letër që ai i ka dërguar, Fondacionit Woodrow Wilson në vitin 1964, në lidhje me këtë, Repishti bën pyetjen: “A është e keqja me të vërtetë aq e thellë e rrënjosur në shpirtin e njeriut, sa që njeriu të identifikohet me të keqën?”
Komunizmi, ka shkruar ai, kishte këthyer për së mbrapshti një numër parimesh të jetës sonë, duke an kërkuar që të hiqnim dorë nga individualiteti ynë personal, me qëllim për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, një njeri të ri. Përballë kësaj situate, ka pohuar ai, ne ishim të detyruar të vendosnim nëse të pranonim ose jo këtë drejtim të ri. “Ishim para një alternative të pa evitueshme, për të dëmtuar të tjerët (fizikisht dhe moralisht) ose për të pësuar sulmet nga të tjerët. Në lidhje me këtë nuk kishte kompromis”, ka nënvijuar Profesor Repishti, duke shtuar se ai vet kishte vendosur që të mos dëmtone të tjerët, por të pësonte kritikat dhe sulmet nga të tjerët, dmth. nga kundërshtarët e tij.
Profesor Repishti ka pohuar gjithashtu se përvoja e tij në burgjet komuniste, jo vetëm që e ka bërë atë të identifikohej më mirë me problemet e përditshme të bashkatdhetarve të vet, por njëkohsisht e kishte detyruar të përballohej me disa pyetje morale, për të mos thënë teologjike, në lidhje me natyrën njerëzore dhe mbi të drejtat e njeriut në këtë botë. “Cila është gjëndja shpirtërore në ditët tona? Cili është reagimi ndaj tendencave për ta bërë njeriun si një frymë pa bazë morale, thjeshtë për ta shëndërruar atë në një objekt? Si lufton njeriu për sigurinë e vet, për afirmimin e tij, për lirinë dhe pavarësinë personale dhe më në fund për ekzistencën e vet, për një ekzistencë kuptimplotë?” Z. Repishti ka shkruar që nga viti 1964 se, “Për të zbuluar përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve të vështira dhe të ndërlikuara të ditëve tona, unë kam vendosur t’i kushtohem kauzës së të drejtave të njeriut, me qëllim për të kontribuar diçka më të vlefshme dhe më fisnike ndaj fjalës “njeri”, sepse kjo kauzë do të bëhej një ideal dhe shpresë për mua”, ka thënë ai.
Për ne që e njohim Profesor Repishtin dhe për ata që ndjekin shkrimet e tija rregullisht, nuk është vështirë të vihet re se ai nuk ka devijuar asnjëherë nga ky qëndrim. Pothuaj në çdo artikull, në çdo ese ose intervistë, subjekti i të drejtave të njeriut është gjithmonë dominues në fjalorin e Profesorit, siç është edhe angazhimi i tij real në mbrojtje të këtyre të drejtave, jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë njerëzit kudo, pasi të drejtat e njeriut janë të drejta universale për të gjithë njerzit në mbarë botën.
Si rrjedhim, Profesor Repishti ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetës dhe aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo që ata jetojnë në trojet e veta në Ballkan. Profesori është dalluar gjatë dekadave të kaluara sidomos me aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta autoktone në Kosovë dhe trojeve të tjera në ish-Jugosllavi, por pa harruar gjithashtu as të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Ai e ka zhvilluar luftën në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët me mënyra të ndryshme si individ dhe si anëtar i organizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International, por mbi të gjitha ai është aktivizuar si qytetar i lirë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ushtruar të drejtën e tij, me shkrime dhe në kontakte personale, gjithmonë me qëllim për të influencuar përfaqsuesit politikë amerikanë që polikisht, diplomatikisht dhe më në fund edhe ushtarakisht me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, të ndihmonin shqiptarët dhe të mbronin të drejtat e tyre.
Sa herë gjatë viteve, ka udhëtuar Profesor Repishti nga New Yorku në Washington për takime zyrtare me udhëheqsit më të lartë të qeverisë dhe të Kongresit amerikan për t’i sensibilizuar ata mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta anë e mbanë Ballkanit. Kontaktet e tija me Washingtonin zyrtar kanë qenë të shumëta dhe të vazhdueshme, ndërkohë që ai konsiderohej si një këshilltar i besueshëm dhe i drejtë në marrëdhënjet e tija me Departamentin Amerikan të Shtetit, me përfaqsues të Shtëpisë së Bardhë dhe sidomos me udhëheqës të Kongresit amerikan të dy partive kryesore amerikane, republikanë dhe demokratë.
Marrëdhënjet e Profesor Repishtit me Kongresin Amerikan kishin filluar menjëherë pas arrijtjes së tij në Amerikë. Në të vërtetë, ai ruan nderin e shqiptaro-amerikanit të parë që është paraqitur në Kongresin Amerikan për të dëshmuar mbi gjëndjen e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka qenë 17 dhe 18 maji i vitit 1965 kur Nënkomisioni për Punët Europiane i Dhomës së Përfaqsuesve ka mbajtur një sesion mbi gjëndjen e atëhershme në vendet komuniste të Europës Lindore dhe të Baltikut. Gazeta “Shqiptari i Lirë” ka dokumentuar dëshminë e parë të një shqiptari në personin e Sami Repishtit, me kryeartikullin: Marrëdhënjet e Tiranës me Moskën e me Beligradin dhe Problemi Kosovar: Një dëshmi shqiptare në Parlamentin e Shteteve të Bashkuara”. Ishte ky një shkëmbim mendimesh mbi gjëndjen e shqiptarëve midis Profesor Repishtit dhe anëtarëve të Komisionit në fjalë, përfshirë edhe kongresistit Lee Hamilton, njërin prej ekspertëve të politikës së jashtëme për shumë vjetë në Kongresin amerikan. “Shqiptari i Lirë” theksonte në atë kohë se dëshmia e Profesor Repishtit, përbënte, “Deklaratën e parë të qartë mbi të drejtat e shqiptarëve nën Jugosllavi, para Kongresit të Shteteve të Bashkuara.”
Paraqitja e tij para Kongresit amerikan më 1965 ishte vetëm fillimi i kontakteve të Dr. Repishtit me autoritetet amerikane. Ç’prej asaj dite, ai nuk i është ndarë paraqitjes së çështjes shqiptare në qarqet më të larta politike dhe akademike amerikane. Profesor Repishti gjithmonë ka gëzuar respektin më të madh në këto qarqe si njeri i besueshëm dhe i drejtë, por është njohur edhe për angazhimin e tij të fortë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, këshillat e të cilit duhej të merreshin parasyshë.
Në një letër që Zëvendës-Presidenti Al Gore i kishte dërguar Profesor Repishtit me rastin e 75-vjetorit të lindjes, duke i dërguar atij “urimet më të përzemërta për ditëlindjen” i shkruan: “Jeta jote është një shëmbull i shkëlqyer, e asaj që është e madhërishme në Amerikë… E dijë se familja dhe komuniteti i juaj, me të drejtë janë krenarë për karierën tuaj të profesorit prej 25 vjetësh, për guximin tuaj të papërkulshëm dhe për aktivizmin tuaj në fushën e çështjeve shqiptare.”
Ndërsa nga ana tjetër e spektrit politik amerikan, Kongresisti republikan nga Long Island e New Yorkut, Peter King në të njëjtin rast shënon në gazetën zyrtare të Kongresit, “Congressional Record”, lavdërime për Sami Repishtin, të cilin ai e cilëson si një “bashkqytetar shëmbullor”, duke theksuar se, “Gjatë gjithë jetës së tij, Dr. Repishti i është dedikuar luftës kundër shkeljes së të drejtave të njeriut, shkelje të cilat ai vet i kishte përjetuar për një kohë të gjatë.” Kongresisti King thekson rolin që ka luajtur Profesor Repishti në udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), “një organizate e dedikuar për të luftuar shkeljet e të drejtave të njeriut të shqiptarëve”, ka shkruar ligjvensi amerikan Peter King në “Congressional Record”.
Por, 90-vjetori i lindjes së Profesor Repishtit, ka një domethënje sa për të kaluarën aq edhe për të ardhmen. Nga përvoja e tij e urtë si mbijetues i ferrit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, por edhe nga përvoja e gjatë në fushën e të drejtave të njeriut gjatë 50-viteve të kaluara, jam i sigurtë se Profesori, secilit prej nesh kudo që jemi në Shqipëri, në Kosovë, këtu në Shtetet e Bashkuara – besoj që dëshiron të na bëjë thirrje sot, të na nxisë me fjalën e tij bindëse duke na kujtuar detyrën dhe obligimin tonë si individë, për të folur dhe për të vepruar në mbështetje të të drejtave të njeriut për të gjithë dhe pa dallim, për të folur dhe për të mbajtur qëndrim kundër padrejtësive, sidomos padrejtësive dhe keqtrajtimeve nga qeveria dhe nga autoritetet që duhet të jenë në shërbim të popullit – madje edhe në raste kur bota rreth nesh duket se futet në fshehësinë e heshtjes së historisë.
“Historia shkon e vjen”, ka pas thënë ish presidenti amerikan Ronald Reagan, “por parimet qëndrojnë, ato mbijetojnë si garanci që brezat e ardhëshëm të mbrojnë të drejtën e lirisë – e cila nuk është dhuratë nga qeveria – por një bekim nga Krijuesi ynë.”
Miku ynë i nderuar – ju jo vetëm ishit dëshmitar i një historie të tmerrshme, për të cilat ka folur shpesh Ronald Reagan, por për më tepër, ju edhe keni vuajtur nga krimet e asaj histori, nga krimet më çnjerëzore që mund të ndërmerrte një regjim kundër qytetarëve të vet. Por ju, megjithë vuajtjet kishit forcën, vendosmërinë dhe guximin për të mbrojtur parimet e lirisë dhe të drejtat e njeriut, si shëmbull për brezat e ardhëshëm. Kjo është tepër e rëndësishme, sepse për shumë shqiptarë, siç e dini, pasojat nga abuzimet e të drejtave të tyre të njeriut në të kaluarën, mbeten ende plagë të gjalla jo vetëm në kujtimet e tyre personale por edhe në shoqëri, në përgjithësi si shënja të pashlyeshme të krimeve dhe abuzimeve nga regjimet diktatoriale nën të cilat ata kanë jetuar – madje edhe 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit.
Siç tha edhe Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulc në fjalimin e tij këtë javë në Kuvendin e Shqipërisë, është e rëndësishme që të kujtohet historia, ashtuqë të mos harrohen ngjarjet tragjike të historisë së kaluar, pasi nuk mund të ketë pajtim, pa kujtesë. “Pajtimi”, u tha deputetëve shqiptarë udhëheqsi europian nga Gjermania, “nuk mund të ndodhë nëqoftse nuk pranohen dhe nëqoftse nuk flitet për vuajtjet dhe dhimbjet e së kaluarës dhe nëqoftse nuk pranohen si të tilla.”
Të nderuar Zonja dhe Zotëri –njeriu që ne nderojmë sot, ky mbështetës i shquar dhe luftëtar për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut – miku i ynë Profesor Sami Repishti, jo vetëm tashti, por me fjalët dhe veprat e tija, ai gjithmonë na ka ftuar dhe kujtuar dhe ka bërë thirrje shpesh që jo vetëm të mos harrojmë abuzimet e së kaluarës, por është e rëdnësishme për pajtimin shoqëror dhe kombëtar ka thënë ai, që ato të korrektohen, me qëllimin dhe shpresën që të mos përsëriten më. Mendoj se Sami Repishti do na porositë sot që të bëjmë më shumë në mbështetje të drejtave të njeriut – duke thënë se megjithëse anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, shqiptarët kanë shënuar përparim të dukshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë — si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë shumë për të bërë në këtë fushë dhe në fushë të tjera, — sidomos në fushën e pajtimit shoqëror — për të siguruar që të drejtat e njeriut, dinjiteti njerëzor për secilin person, barazia para ligjit dhe liria për të gjithë, të nguliten njëherë e mirë dhe përgjithmonë anë e mbanë trojeve shqiptare.
Ky është një objektiv, për realizimin e të cilit ka punuar gjithë jetën e tij Profesor Sami Repishti dhe nga i cili nuk e besoj se ka në mend të heqë dorë. Ai na këshillon sot se puna për sigurimin e të drejtave të njeriut nuk kryhet kurrë, por do të thoshte se shqiptarët kanë çdo arsye që të kenë shpresë, se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më e sigurt se e kaluara e tyre e hidhur dhe më e mirë se e tashmja zhgënjyese.
I nderuar mik dhe koleg, të falenderoj dhe të uroj nga zemëra për një jetë plot veprimtari, në mbështetje të të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo dhe kurdoherë gjatë 50-viteve të fundit të një historie të hidhur për ta. Më lejoni ju lutëm, nëqoftse kam mundësi, që tu paraqesë një falenderim të veçantë për mbrojtjen dhe kujtimin e vazhdueshëm që keni treguar dhe tregoni për bashkvuajtsit tuaj në burg, klerin katolik shqiptar, të cilët siç keni shkruar shpesh ka “pësuar mizoritë, masakrat dhe torturat” e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si asnjë pjesë tjetër e shoqërisë shqiptare. Ju nuk lini asnjë rast të volitshëm pa përmendur sakrificat e tyre, përfshirë edhe intervistën e fundit që patët me rastin e 90-vjetorit, me kryeredaktorin e gazetës Illyria, Ruben Avxhiu. Ata bashkvuajtës tuaj ishin atëherë të pambrojtur, të abuzuar dhe të torturuar nga regjimi komunist, por është merita juaj, i nderuar Profesor, që kujtimi i tyre nuk është harruar kurrë nga ju, e si rrjedhim as nga të gjithë ne, ndonëse nuk i kemi njohur.
Edhe njëherë falenderimet tona më të përzemërta për përpjekjet tuaja shëmbullore në favor të të drejtave të njeriut për shqiptarët, e sidomos për luftën tuaj të pa ndërprerë dhe këmbëngulëse prej dekadash për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Të jeni të sigurtë se shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri si edhe komuniteti shqiptaro-amerikan jemi tepër krenarë për arrijtjet tuaja në fushën e të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët në veçanti, dhe për njerëzimin në përgjithësi.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë ju dëshirojmë: Ad Multos Annos!
* (Fjala e mbajtur në simpoziumin me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Profesor Sami Repishtit)
GRABITQARËT ANTI-SHQIPTARË PËRSËRI U TURREN TROJEVE ARBËRORE
Nga Frank Shkreli/
Nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, duket se hienat shekullore anti-shqiptare vazhdojnë me lakmi tua mësyjnë trojeve shqiptare, me qëllim për t’i çkombëtarizuar ato. Për pasqyrim të kësaj situate, dy raste të ditëve të fundit kanë tërhequr vëmendjen e medias në trojet shqiptare. Njëra ka të bëjë me vizitën e Kryeministrit turk, Ahmet Davutogllu në Maqedoni ku ai deklaroi nga Shkupi se vendi i tij, “po punon për të rilindur kulturën turke në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni”. Ai u citua të ketë thënë gjithashtu se, “Ne do të dërgojmë nga një fjalor turqisht në çdo familje të Shkupit.” Kjo nuk është një deklaratë as politikë e re, por kjoështë një politikë, konstante, e llogaritur mirë nga Turqia, e cila prej disa vitesh tani ka vepruar në fushën politike, diplomatike, ekonomike dhe fetare për të shtuar influencën e saj në Ballkan, e sidomos në trojet shqiptare. Kjo vjen pas deklaratave të mëparshëme nga zyrtarët më të lartë të Ankarasë, të cilët, ndër të tjera, kanë kërkuar edhe rishikimin e teksteve shkollore, sidomos në Kosovë të historisë së shqiptarëve, me qëllim për ta ndryshuaratë .
Rasti tjetër ndodhi disa ditë më parë në rrethin e Ulqinit. Portali “Ulqini Online” njofton se popi i Kishës Ortodokse sllave në Ulqin, Radojica Bozhoviç paska shkuar në Shas për të bërë një shërbim liturgjik të fesë ortodokse. Problemi është se Shasi dhe as historia e tij nuk kanë të bëjnë aspak me fenë ortodokse serbe as me kulturën dhe historinë sllave. Shasi që gjëndet midis Shkodrës dhe Ulqinit, sipas historianëve, ka qenë dikur një prej katër “qyteteve satellitë” të Shkodrës, me shekuj qëndër me rëndësi e Kishës Katolike Shqiptare dhe e kulturës iliro-arbërore.
Gjatë sundimit të regjimit komunist jugosllav nuk flitej asgjë për historinë e lashtë të këtij qyteti.E mbajë mend si fëmij, pasi jam lind e rritur jo larg qytetit të vjetër të Shasit, kur të moshuarit na thonin se sipas gojdhanave Shasi ka patur dikur 365 kisha, secila e pagëzuar pas një shënjti ose shënjtëreshe të Kishës Katolike, një kishë për çdo ditë të vitit. Megjithëse për çdo ditë kalonim aty afër gërmadhave të qytetit të vjetër të Shasit, askush nuk fliste për historinë mijëra vjeçare të tij, madje as mësuesit e shkollës fillore që frekuentonim aty afër në Katërkollë.
Tashtimësohet se, politika komuniste sllave i kishte dhënë urdhër historianëve dhearkeologëve të sajqë të mos bënin hulumtime por ta lënë në heshtje pa e zbuluar historinë e Shasit, “Qytetit ilir që u fsheh nga sllavët”, duke mos dashur dhe duke mos lejuar, për arsye etnike dhe politike, të zbulohej historia e tij e vërtetë iliro-arbërore.
Fatbardhësisht viteve të fundit vihet re një interesim i ri për Shasin dhe historinë e këtij të qyteti të lashtë iliro-arbëror nga banorët shqiptarë të atyre viseve por edhe nga intelektualët shqiptarë tëmbledhur rreth organizatës jo-qeveritare Ora dhe të tjera, të cilët disa vjetë më parë në Ulqin organizuan një simpozium shkencor i titulluar: “Shasi i lashtë –Monument i Kulturës”, ku u përfshinë kumtesat e 13 studiuesvembi historinë e Shasit, këtij thesari të pa çmueshëm të trashëgimisë iliro-arbërore.
Si qëndër fetare me rëndësi, historianët përfshirë edhe ata shqiptarë si Prof Ruzhdi Ushaku, Prof Luan Maltezi, dhe Prof. Shaban Sinani, kanë shkruar se Shasi në bazë zë zbulimeve arkeologjike të deritanishme, “prekë Krishtërimin dhe periudhën ilire” dhe përveç rolit fetar, Shasi antik është njohur në kohërat e lashta edhe si qytet me rëndësi, me një tregti dhe zhvillim urban të dalluar për ato zona. Është një kulturë dhe histori që përputhet me atë të Komanit, kulturë e cila sipas historianëve i dallon bartësit e saj — shqiptarët –nga fqinjtë e tyre të ardhur shumë vonë në ato zona sllavët dhe grekët e vjetër. Prandaj, zbulimi dhe studimi i historisë së Shasit ka rëndësi natyrisht për hir të së vërtetës në përgjithësi, por për më tepër ka një rëndësi të veçantë për historinë e rajonit të rrethit të Ulqinit, si pjesë e pandarë e historisë së trojeve shqiptare dhe e historisë dhe të gjeografisë së kombit shqiptar në përgjithësi.
Prandaj lindë pyetja, ç’lypë popi Bozhoviç i kishës ortodokse sllave të Ulqinit, në gërmadhat e kishave katolike shqiptare të stilit romak në Shas, ku deri pak para disa viteve, historiografia sllave i kishte lënë në heshtje dhe si rrjedhim në shkatërrim e sipër ato monumente duke mos dashur të zbulonte origjinën e vërtetë iliro-arbërore të tyre. Tashti, popi Bozhoviç dhe kushdo qoftë pas tij – që siç duket është Kisha Ortodokse Serbe – duan të vjedhin historinë iliro-arbërore në trojet shekullore shqiptare, duke pretenduar se tashti ky monument i trashëgimisë iliro-arbërore na qenka për tu përdorur për ceremoni liturgjike të ortodoksizmit serb.
Ky rast nuk është i vetmi i përpjekjeve të Kishës Ortodokse për të përvetësuar objektet dhe vendet me rëndësi historike për fenë, kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Në maje të malit të Rumisë, ku nuk ka pasur kurrë kishë sllave, është vendosur kohët e fundit një kishë ortodokse megjithë kundërshtimet e ashpëra të vendorëve. Në Shas janë raportuar raste të tilla edhe më heret ku njerëz të paidentifikuar, si hajdutë janë futur në gërmadhat e kishave të vjetëra të Shasit për të venë simbole të ortodoksizmit sllav, në përpjekje për të ndërruar identitetin e këtij monumenti historik fetar dhe kulturor iliro-arbëror — një përpjekje kjo e shëmtuar nga ana e përfaqsuesve të ortodoksizmit sllav që në këtë proces, duke ndryshuar simbolet fetare aty, mendojnë se do të ndryshohet edhe historia e mjedisit gjeografik iliro-arbërore të asaj zone në favor të asaj sllave.
Ulqinionline njofton se në festën e Lindjes së të ashtuquajturit, “Svetog Jovana Preteçe” (siç thuhet) prifti i kishës ortodokse të Ulqinit Radojica Bozhoviç këtë vit shërbeu Liturgjinë mbi rrënojat e Kishës së Shën Gjonit në Shas.(Shiko foto më poshtë). Portali në fjalë komenton se zonat historike të shqiptarëve nën Mal të Zi, vazhdojnë të jenë në shënjestren e ”Pravoslavna Mitropolija Crnogosrko primorska”, e cila është e lidhur ngushtë me Kishën ortodokse serbe.
Këto dukuri, natyrisht kanë shkaktuar shqetësime të mëdha në radhët e popullësisë shqiptare të asaj zone. Fatbardhësisht, përpjekjeve të këtyre hienave grabitqare antishqiptare për të vjedhur ose për të ndryshuar historinë e shqiptarëve në trojet e veta, u janë kundërvenë banorët e Shasit dhe të Anës së Malit.Meritë të veçantë në këtë mes ka Shoqata Ora, e cila për disa vite ka punuar dhe punon për të ruajtur, sipas saj “këtë vend të shënjtë për shqiptarët e kësaj zone”, si dhe Bashkësia lokale e Katërkollës e cila ka kundërshtuar për një kohë të gjatë tani paraqitjen e këtyre personave dhe simboleve të huaja fetare në Shas, duke u bërë thirrje autoriteteve vendore që tu dalin zot këtyre monumenteve kombëtare. Ata kanë kundrshtuar vazhdimisht përpjekjet e këtyre personave prej hajdutësh, për të vjedhur historinë kombëtare, kulturore dhe fetare të shqiptarëve të atyre trojeve, duke mbajtur ceremony fetare ortodokse dhe vendosur simbolet e tyre fetare të ortodoksizmit sllavo-serb aty ku nuk duhet dhe ku nuk përkasin, as për nga kultura, as për nga feja as për nga historia, as për nga kombësia.
Sipas medias vendore, në të kaluarën, një numër organizatash jo-qeveritare të shqiptarëve të asaj zone, përveç shoqatës Ora, përfshirë Art Club, Illyricum dhe Gjon Buzuku, kanë promovuar dhe kanë mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe fetare iliro-arbërore të objekteve të Shasit. Ato njëkohsisht kanë kërkuar nga autoritetet kompetente vendore dhe shtetërore që të zbardhen qëllimet e dukurive të tilla të pautorizuara dhe që të ndalohen përpjekje të tilla në të ardhmen, me qëllim që të mënjanohen edhe incidentet e mundëshme, pasi qytetarët janë tepër të shqetësuar dhe të zemëruar nga përpjekje të tilla të personave dhe institucioneve që fshihen pas tyre, të panjohur dhe të pa autorizuar, për të zhvilluar ceremoni të tilla në mjedisin e qytetit të lashtë të Shasit.
Në të kaluarën, organizata Ora dhe Bashkësia Katërkollë u kanë drejtuar thirrje Komunës së Ulqinit, Kryeipeshkvit të Tivarit, Ministrisë së Kulturës të Malit të Zi, Ministrisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pjesëtarëve të Grupeve Etnike dhe Nacionale, Qendrës për Kulturë Ulqin, Ministrisë së Punëve të Brendshme – Sektorit të Sigurisë Ulqin dhe Entit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturo-Historike që të ndërhynin për të ndaluar aktivitetete të tilla. Por, përveç këtyre enteve, hulumtimet dhe mbrojta e së vërtetës së zbulimeve shkencore të historisë së Shasit është jo vetëm detyrë e autoriteteve vendore shqiptare, por nevojitë edhe mbështetjen e qarqeve politike dhe shkencore të Tiranës dhe Prishtinës, pasi ajo është një histori e pandarë dhe thesar i çmueshëm i trashëgimisë dhe identitetit kulturo-fetar të mbarë kombit shqiptar.
Në reagimin e fundit ndaj ceremonisë së liturgjisë ortodokse sllave nga popi I kishës së Ulqinit tek gërmadhat e kishave të Shasit, Organizata Ora dhe Bashkësia Katërkollë bëjnë thirrje që tu thuhet JO veprimtarive dhe dukurive të tilla qëllim këqia sllave, të cilat thuhet në reagimin e më poshtëm janë, “në kundërshtim me rrjedhën historike” të qytetit të vjetër të Shasit.
Pason reagimi i plotëi Bashkisë së katërkollës dhe i organizatës Ora, për ata që janë të interesuar.
Opština Ulcinj
Komuna e Ulqinit OJQ ‘’ORA’’
Mjesna Zajednica- Vladimir Nr. 40/15
Bashkësia Lokale- Vladimir Ulqin, 12.07.2015
Br./Nr. 04-07/15
Vladimir/Vlladimir, 12.07.2015
REAGIM
BL Vlladimir dhe shoqata Ora reagojnë në lidhje më organizimet e ceremonive fetare në objektet kulturore-historike që gjenden në Qytetin e Vjetër të Shasit të cilat janë publikuar në disa media të shkruara.
Qyteti i Shasit me shtresat kulturore arkeologjike që njihen deri më sot dëshmojnë rrjedhën e jetës në një periudhë prej rreth 8000 viteve. Me këtë rrjedhë historike trashëgimia kulturore e Shasit përfaqëson: historinë e kulturës neolitike (6000 – 3300 të eres së hershme) me të cilën zën fill historia e vendbanimit të Shasit, trashëgiminë kulturore të kohës së metaleve (3300 – 400 të eres së hershme) e cila fillon me kohën e bakrit (3300-2100) dhe vazhdon me kohen e bronzit (2100-1200 të eres së hershme) dhe te hekurit (1200-500 të eres së hershme) që është periudha kur vendbanimi i hershem i Shasit ishte i fortifikuar me mure ilire; trashëgiminë kulturore ilire të periudhës së Shtetit Ilir , kur Ana e Malit me qendren e saj të Shasit si trevë qendrore e hapsires ku merr vrullë zhvillimi i qyteteve ilire që fillon nga koha e dinastisë së Bardhylit (400 – 335 të eres së hershme) e vazhdon gjatë periudhës së dinastisë së Glaukut e dinastisë së Agronit zën një vend te rendesishem njëjtë si dhe gjatë gjithë periudhes antike kur dhe është e deshmuar rruga Ulqin-Shas-Shkoder; trashëgiminë kulturore të shekullit VI që përkon me periudhën e mbretërimit të perandorit ilir Justinianit, kur Ana e Malit është pjesë integrale e teritorit që administrohej prej kryeqendrës ilire – Justinianës; trashëgiminë kulturore arbnore apo të komanit; trashëgiminë kulturore të periudhës së Balshajve; trashëgiminë kulturore të kohës së re; trashëgiminë e kohës bashkëkohore e plot momente e ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, shumë prej të cilave popullësia e Anës së Malit i ka ruajtur në legjenda e tregime.
Me këtë rrjedhë historike lokaliteti arkeologjik i Shasit perfaqëson rrjedhen e plotë të historisë së Anës së Malit dhe dëshmon identitetin shqiptarë të trevës sonë prej zanafillës e deri në ditët e sotme.
BL. Vlladimir dhe Shoqata Ora do të kërkojnë nga institucionet kompetente të mos lejojnë mbajtjen e aktiviteteve që bien në kundershtim më rrjedhen historike që është argumentuar në mënyr shkencore në lokalitetit arkeologjik të Shasit, me statusin që ka dhe që duhet të ketë lokaliteti arkeologjik i Shasit i cili është në procesin e hulumtimit shkencor së bashku më të gjitha objektet kulturo-hitorike që gjenden në këtë lokalitet i cili është në procesin e hulumtimit shkencor.
BL. Vlladimir dhe Shoqata Ora në bashkëpunim më institucionet kompetente do të finalizojë:
– Vënies në administrim e të gjithë lokalitetit arkeologjik të Shasit ashtu siç obligon ligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore (“Fl. zyr.”, nr. 49/10 e dates 13. 08. 2010);
– Revitalizimit të trashëgimisë kulturore të Shasit në harmoni më legjislacionin e Malit të Zi dhe konventave ndërkombëtare duke i venë të gjitha objektet kulturore hitorike në funksion të vlerave muzeale duke mos cenuar asnjë moment të rrjedhes historike të monumenteve kulturoro-historike dhe të lokalitetit.
– Vendosjes së eksponatave arkeologjike të Shasit në objektet kulturore-historike të këtij lokaliteti.
Në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, Organizatën Turistike, Qendrën për Kulturë si dhe institucionet qëndrore kompetente do të vendosim qendrën turistike-informative, rojen e lokalitetit , si dhe vendosjen e zonës arkeologjike të Shasit nën mbikëqyrjen e kamerave.
Kryetari i Këshillit të BL Vlladimir Kryetari i Shoqatës “Ora
Sabri Salaj Bajram Mehmeti
Nga gërmadhat e qytetit të vjetër të Shasit
Fotografitë e botuara në Ulqinionline nga pjesëmarrja në shërbimin fetar të popit ortodoks, Bozhoviç në gërmadhat e Shasit
RUSIA DHE GJENOCIDI SERB NË SREBRENICË
Nga Frank Shkreli/
Me rastin e 20-vjetorit të masakrës serbe mbi popullatën civile boshnjake në Srebrenicë të Bosjnjës, Britania e Madhe kishte paraqitur një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të cilësuar masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, me emërin që i takon dhe që meriton, dmth., një krim gjenocidi kundër njerëzimit. Ky përvjetor shënon pra vrasjen e nja 8-mijë burrave dhe djemëve boshnjakë civilë të paarmatosur nga forcat kriminale serbe.
Rusia e tregoi edhe njëherë veten se sa do të neveritshme të kenë qenë krimet serbe ndaj popujve të ish-Jugosllavisë gjatë luftërave të 1990-ave në Ballkan, aq më tepër Moska i jep mbështjetjen e saj Serbisë, madje edhe në nivelet më të larta ndërkombëtare siç është OKB-eja. Projekt-rezolutës së sponsorizuar nga Londra i vuri veton përfaqsuesi rus në OKB, Vitaly Churkin, duke e quajtur atë si, “ballafaquese” dhe si të “motivuar politikisht”. Ambasadori rus ka arsyetuar përdorimin e vetos ruse kundër kësaj rezolute duke thënë se miratimi i saj nuk do të ndihmonte paqën në Ballkan, por do të “zhytëte rajonin në tensione të përhershme”. Por, sponsorizuesi i kësaj rezolute, ambasadori britanik Peter Wilson me të drejtë akuzoi Rusinë se po mohon faktet historike të luftës në Bosnje, fakte të cilat janë provuar tashmë nga një Gjykatë e posaçme ndërkombëtare. Diplomati britanik citohet të ketë thënë të mërkurën se, “Është përgnjeshtrimi i këtyre fakteve të provuara dhe të dokumentuara — dhe jo projekt-rezoluta, ajo që do të shkaktojë ndasi dhe përçarje. Gjenocidi ka ndodhë në Srebrenicë”, pohoi ai. “Ky është një fakt ligjor dhe jo një vlerësim politik. Në lidhje me këtë nuk ka kompromis”, ka theksuar ambasadori i Londrës pranë OKB-ës. Përfaqsuesi britanik në New York, citohet të ketë thënë se, mohimi i krimeve dhe i gjenocidit përbën fyerjen përfundimtare ndaj vikitmave të pafajshme.
Ndërkaq, Kryediplomatja amerikane pranë Kombeve të Bashkuara, Samantha Powers, e ka cilësuar veton ruse si “Një veto kundër fakteve të provuara dhe të dokumentuara mirë”, dhe shtoi se projekt-rezoluta pot ë miratohej nga Këshilli I Sigurimit, do të kishte dënuar rëndë gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë, 20-vjetë më parë. Ajo shtoi edhe se vetoja e Rusisë ndaj projekt-rezolutës, jo vetëm se ishte pikëlluese për familjet e viktimave, por si e tillë përbën edhe një pikë të zezë në punën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, theksoi ambasadorja e Shteteve të Bshkuara pranë OKB-ës.
Masakra e Srebrenicës, e cila është cilësuar si një krim gjenocidi jo vetëm nga Gjyktata e Posaçme mbi krimet në ish-Jugosllavi, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, konsiderohet si një dështim moral dhe politik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara si edhe i disa shteteve perëndimore të cilat nuk parandaluan gjenocidin e burrave dhe djemëve boshnjakë, pikërisht në Srebrenicë që ishte caktuar nga vet OKB-ja si një oazë strehimi i civilëve nga lufta. Masakra në Srebrenicë të Bosnjës konsiderohet si më e tmershme e këtij lloji ç’prej Luftës së Dytë Botërore dhe sot gazeta New York Times e cilësoi përdorimin e vetos nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si një masë që, “Shënon një pikë të re poshtëruese në marrëdhënjet midis fuqive botërore.”
Nuk është për tu habitur as nga reagimi i Serbisë ndaj përdorimit të vetos ruse kundër projekt-rezolutës britanike që do të kishte përcaktuar masakrën e Srebrenicës si një krim gjenocidi. Reagimi nga Beogradi ishte i shpejtë dhe i pa pikë turpi nga Presidenti i Serbisë, Nikoliq — i cili e cilësoi ditën që Rusia përdori veton në OKB kundër rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, si “Një ditë e madhe për Serbinë”. Ndërsa agjencia e lajmeve franceze raporton reagimin e organizatës së Nënave të Srebrenicës, e cila akuzon Moskën duke u shprehur se nuk habiten nga vetoja ruse në OKB, pasi Rusia në të vërtetë “Po mbështet kriminelët, ata të cilët vranë fëmijtë tanë”, dhe citon kryetaren e Nënave të Srebrenicës, Munira Subasic, e cila ka paralajmëruar se vetoja ruse në OKB sipas saj “ka lënë derën hapur për një luftë të re.”
Ndërkaq në Washington, vetëm disa orë pasi Rusia përdori veton ndaj rezolutës së Kombeve të Bashkuara në New York për të dënuar masakrën në Srebrenicë 20-vjetë më parë nga forcat serbe kundër rreth 8-mijë burrave dhe djemëve boshnjakë, Dhoma e Përfaqsuesve e Kongresit Amerikan miratoi unanimisht legjislacionin e paraqitur nga kongresmeni Chris Smithqë e cilëson masakrën e Srebrenicës si një “Krim Gjenocidi”. Rezoluta e Kongresit përcakton se agresioni dhe spastrimi etnik i kryer nga forcat serbe në Bosnje, përbën gjenocid dhe njëkohësisht masa e Kongresit dënon deklaratat që mohojnë se masakra e Srebrenicës nuk përbënte gjenocid.Në një deklaratë për media, sponsoizuesi i rezolutës së Kongresit, Kongresmeni Smith ka theksuar se, “KomunitetiNdërkombëtar duhet të ri-angazhohet për të sjellur para drejtësisë njëherë e mirë, të gjithë ata që kanë kryer këto krime të shëmtuara”, duke shtuar se, “Këto vrasje brutale nuk janë kryer në fushë të betejës”, dhe thekson se, “ato ishin vrasje kundër njerëzve të pa armatosur dhe të pa ndihmë, ndërkohë që ata ishin siguruar nga forcat paqësore holandeze se nuk do tu ndodhte gjë e keqe nëqoftse do të dorëzoheshin” forcave serbe të kriminelit Mladiq. Kongresmeni amerikan shtoi se, “Rezoluta ime rithekson edhembështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj faktit se masakra në Srebrenicë ishte në fakt gjenocid – dhe u përcjellë njëkohësisht ngushëllimet më të thella familjes, dhe miqëve të viktimave.”Legjislacioni amerikan i miratuar nga Kongresi të mërkurën i bën gjithashtu thirrje Shteteve të Bashkuara që të vazhdojnë të mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, si dhe paqën dhe stabilitetin në Europën Jug-lindore, në përgjithësi.
20-vjetori i gjenocidit ndaj 8-mijë boshnjakëve në Srebrenicë shënon ngjarjen e tmershme të vrasjeve më të shëmtuara gjatë konfliktit në Bosnje nga Prilli 1992 e deri në Nëntor 1995 – gjatë së cilës periudhë u çvendosën nga shtpëpitë e tyre më shumë se 2-milion veta ndërkohë që u vranë më shumë se 100-mijë të tjerë, ndërsa u përdhunuan, u torturuan dhe për ndryshe u abuzuan dhjetëra mijëra të tjerë.
Ky përvjetor u shënua dje edhe nga Zëri i Amerikës në Washington me një simpozium titulluar: “Bosna: 20-vjetë pas Srebrenicës”, ku ishin të ftuar për të diskutuar ekspertë të çështjeve të Ballkanit, gazetarë dhe diplomatë të huaj përfshirë Ambasadoren e Shqipërisë në Washington Floreta Faber, ndërsa Republika e Kosovës u përfaqësua nga Këshilltari i Ambasadës së Kosovës në Washington, Sami Kastrati.Simpoziumi vlerësoi ngjarjet në Bosnje në kushtet historike dhe në kontekstin zhvillimeve drejtë pajtimit, zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendit. Njëri prej pjesëmarrësve në simpoziumin e VOA-s dhe njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Profesori Daniel Serwer theksoi nevojën e angazhimit të vazhdueshëm perëndimor në Bosnje, ndërkohë që shtoi ai, “Vemë re se disa qarqe po përpiqen të shlyejnë fjalën gjenocid nga historia, unë shoh vazhdimin e përpjekjeve të kohës së luftës në atë vend.”
Gjenocidi serb në Srebrenicë është cilësuar si barbarizma më e tmershme në Europë ç’prej hollokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore kur janë masakruar 6-milion hebrejë.Është një përvjetor që thërret për drejtësi, për llogaridhënje dhe për dënimin e të gjithë atyre që kryenë këtë gjenocid dhe të tjera maskara si kjo, përfshirë gjenocidin e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.Në këtë mënyrë do të nderohen viktimat dhe mundësisht do të parandalohet përsëritja e barbarizmave të tjera si këto në të ardhmen. Por venja e vetos dje nga ana e Rusisë ndaj rezolutës së OKB-ës që do ta cilësonte gjenocidin serb në Srebrenicë me emërin që meriton, dhe shpallja e kësaj “fitorje” nga presidenti i Serbisë si një “Ditë e madhe për Serbinë”, tregon fatkeqsisht se bota nuk ka mësuar asgjë nga historia fatkeqe e 20-viteve më parë dhe si e tillë nuk përjashtohet mundësia se ajo histori – sado e tmershme të duket në këtë 20-vjetor — mund të përsëritet në rajonin e Ballkanit. Pa një pranim të së vërtetës dhe pa përballim nga ana e Serbisë me atë histori të përgjakshme dhe pa marrë përgjegjësi morale, dhe ndërkohë që Beogradi dhe populli serb nuk kërkon falje sinqerisht dhe botërishtpër barbarizmat ekryera në emër të tij ndaj popujve tjerë të atij rajoni – është vështirë se Ballkani nuk mund t’i këthehet normalitetit.
HUMBI ZGJEDHJET, POR DOLI FITUES
Nga Frank Shkreli/
Të dielën që kaloi në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore anë e mbanë vendit, por ajo që tërhoqi vëmendjen më të madhe ishte natyrisht konkurenca për Bashkinë e Tiranës midis kandidatit të Partisë Demokratike, Dr. Halim Kosova dhe rivalit të tij socialist, Z. Erion Veliaj. Pas një fushate agresive progandistike në ekran dhe mbështetjes së fortë nga partia e tij — gjë që i mungonte kandidatit demokrat Dr. Halim Kosova — kandidati i Partisë Socialiste shënoi një fitore dërmuese në kryeqytetin shqiptar.
Por, ajo që më bëri përshtypje duke e ndjekur fushatën nga larg, është fakti se Dr. Halim Kosova ishte një kandidat ndryshe nga ç’kemi parë në Shqipëri këto 25-vitet e fundit. Duke pranuar humbjen, ai falenderoi përzemërsisht qytetarët e kryeqytetit, siç u shpreh ai, “pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë”, për mbështetjen që i dhanë atij dhe platformës së tij. Njëkohësisht ai uroi kundërshtarin e tij për fitoren në postin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ishte kjo një shfaqje qytetërimi politik dhe njerëzor ndaj një kundërshtari politik, që i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë politikës shqiptare të 25-viteve të fundit. Fenomeni tjetër pozitiv i fushatës së tij ishte se si një kandidat i cili nuk konsiderohet si politikan i karierës, në vend që të zhvillonte fushatën nga studiot e freskëta të televizionit, “Unë zgjodha kontaktin me qytetarin dhe jo fushatën e luksit në ekran”, tha Dr. Kosova në fjalën e tij pas humbjes së zgjedhjeve për kryebashkiakun e Tiranës.
Ndonëse Dr. Kosova i humbi zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë, ai duhet ta ndjejë veten krenar sepse me kulturën e tij politike që tregoi gjatë kësaj fushate, ai mund të ketë sjellur një frymë të re në zhvillimin e fushatave politike në vend si dhe një shembull për tu ndjekur në të ardhmen, sidomos në relacionet midis humbësit dhe fituesit në zgjedhje, gjë që deri tani ka munguar — në nivel vendor dhe kombëtar. Madje edhe rivali i tij politik, Z. Veliaj vlerësoi zhvillimin e fushatës duke i njohur meritën Dr. Kosovës, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, siç tha ai, “Kundërshtarit tonë, Dr. Halim Kosovës, i cili meriton respektin tonë, për përpjekjet që bëri për tu ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij me kulturën e shpifjes, përgojimeve e goditjeve nën brez që e helmojnë politikën tonë.”
Kjo është gjysma e së vërtetës, sepse po të ishte i sinqert Z. Veliaj do ta pranonte se edhe partia e tij ka ndjekur të njëjtën kulturë politike, duke u angazhuar në të njëjtat “shpifje, përgojime e goditje nën brez që e helmojnë politikën tonë”, për të cilat ai akuzon partinë rivale në opozitë. Atmosfera dhe kultura politike që mbizotëron në Shqipëri është “meritë” e të dy partive kryesore të Shqipërisë. Por në të vërtetë, qe Dr. Halim Kosova ai i cili me fushatën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës u përpoq ta ndryshonte këtë kulturë politike dhe atmosferë shpifjesh e akuzash politike dhe personale, me vend e pa vend.
Është pozitiv fakti se Dr. Kosova u premtoi tiranasve se do të mbetet i angazhuar në shërbim të interesave të tyre, edhe në të ardhmen. Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë për udhëheqës të cilët vendosin interesat e qytetarit dhe të vendit mbi interesat politike, partiake, personale dhe financiare. Mbi të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një politikë të qytetëruar për ta nxjerrur vendin nga moçalet politike të Ballkanit ku ka mbetur tash një çerek shekulli. Kandidatura e Dr. Halim Kosovës, ndonëse humbi në zgjedhjet vendore, mund të shënojë fillimin e diçkaje ndryshe.
Erion Veliaj është fitues i zgjedhjeve për kryebashkiak të Tiranës, por Dr. Halim Kosova, me fushatën e tij tregoi se ai ishte i interesuar në diçka më tepër se në postin e Kryebashkiakut të Tiranës. Se, siç ka thënë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Uashingtoni në inaugurimin e tij si president i kombit të ri amerikan, ai ishte për “një angazhim të ri për të realizuar premtimet e kombit nepërmjet qytetërimit politik, guximit, mëshirës dhe karakterit moral.” Dr. Kosova u përpoq të tregonte respekt për të gjithë qytetarët e Tiranës pa dallim partiak ose dallime të tjera, duke i konsideruar rregullat e fushatës dhe të qytetërimit politik, njëkohsisht edhe si rregulla të moralit. Mungesa e qytetërimit civil e politik në një shoqëri, ka thënë një ekspert amerikan, simbolizon jo vetëm një krizë politike, por për më tepër pasqyron një mungesë më të madhe morale shoqërore.
Në një shkrim disa vite më parë mbi nevojën për një politikë më të qytetëruar zhvillimet politike dhe në fushata elektorale nënvijohet ato që cilësohen si qytetërim ose sjelljet të mira politike, për të cilat në anglisht përdoret fraza, “political civility” dhe në frëngjisht përdoret fjala, “civilite” e që e ka të njëjtën rrënjë etimologjike me fjalët “qytetërim”, ose i “qytetruar”, e që me fjalë të tjera nënkupton një grup njerëzish të shtëpisë, ose pjesëtarë të një familjeje. Normalisht, në jetën e çdo familjeje ka disa rregulla që mundësojnë anëtaret e familjes të jetojnë në paqë e harmoni me njëri tjetrin. Edhe në sistemin dhe jetën politike të çdo vendi, ekzistojnë disa rregulla të qytetërimit politik që, nëqoftse zbatohen, duhet të bëjnë të mundur të jetuarit në paqë me dhe në respekt për njëri tjetrin, si dhe duke treguar tolerancë për mendimet e ndryshme të njeri tjetrit, qofshin ata edhe kundërshtarë politikë dhe sidomos për rivalët politikë. Ashtu siç ka përgjegjësi çdo anëtar i familjes për mirëvajtjen e familjes së vet në terësi, në të njëjtën kohë, secili prej nesh si pjesëtarë të shoqërisë ku jetojmë, kemi përgjegjësi dhe obligime jo vetem karshi njëri tjetërit, por edhe ndaj shoqërisë, kombit dhe shtetit ku jetojmë. Kjo vlenë sidomos për klaësn politike.
Xhim Liç, një ish-kongresmen republikan i cili ka shërbyer 30 vjetë ne Kongresin amerikan, thotë në një artikull mbi këtë subjekt se, “qytetërimi politik nuk ka të bëjë vetëm me sjellje të mira dhe nuk do të thotë se debatet e ashpëra duhet të shmangen. Përkundrazi, ajo që nevojitë qytetërimi politik është gatishmëria nga ana e një individi ose grupi individësh, për të dëgjuar me respekt pikëpamjet dhe qendrimet e të tjerëve, duke qenë të vetdijshëm se të gjithë ne jemi të lidhur dhe varemi nga njëri tjetri”, pa marrë parasyshë dallimet ose ndryshimet në pikëpamje. Ky siç duket ishte edhe mesazhi i fushatës që zhvilloi Dr. Kosova, por fatkeqsisht ishte një zë që nuk u dëgjua nga elektorati. Ishte një zë që u duk se mund të ishte një fillim të ri në diskursin politik shqiptar jo vetëm gjatë fushatës por edhe në jetën demokratike në përgjithësi, duke lënë pas armiqsitë politike të së kaluarës dhe frustrimet e shumëta të popullit me proceset politike në vend. Procese këto që gjatë viteve kanë përfunduar vetëm në fortifikimin e mëtejshëm të dy kampeve politike të vendit, të cilat suksesin e kërkojnë në debate dhe argumente për të poshtëruar kundërshtarin dhe jo në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve me të cilat përballen Tirana dhe e mbarë Shqipëria. Është pjesë e demokracisë dhe është krejt normale që udhëheqsit politikë dhe votuesit të kenë mendime të kundërta me njëri tjetrin përsa u përket kandidatëve dhe partive, por këto mosmarrveshje zgjidhen më në fund me anë të votës së lirë.
Zgjedhsit e kryqytetit e kanë thënë fjalën e tyre. Mbetet për tu pa nëse kandidati dhe partia që fitoi Bashkinë e Tiranës kanë seriozitetin e duhur dhe kurajon e nevojshme për të ndjekur shembullin që tregoi Dr. Kosova gjatë fushatës elektorale, për tu angazhuar për një bashkpunim me të gjithë pa dallim politik ose partiak, për të mirën dhe në favor të interesave të përbashkëta madhore të qytetarëve të kryeqytetit shqiptar dhe të mbarë kombit.
Dr. Halim Kosova zhvilloi një fushatë politike ndryshe nga e kaluara dhe ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë në zgjedhjet e fundit dhe më parë. Ai dha shembull duke evituar debatet e ligshta politike dhe duke mos ra në kurthën e sulmeve të dobëta personale ndaj kundërshtarit dhe partisë së tij, sulme të cilat janë bërë tani pjesë e debatit të përditëshëm politik . Dr Halim Kosova humbi zgjedhjet, por jo reputacionin që gëzon si mjek dhe si indidvid dhe tani edhe si politikan. Si i tillë, ai doli fitues! Xhorxh Uashingtoni ka thënë, “Bën shoqëri me burra me cilësi të mira nëqoftse vlerëson reputacionin tënd, sepse është më mirë të jeshë vetëm se sa të jeshë në shoqëri të keqe” politike. Edhe për Dr. Kosovën, humbja në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës të djelën që kaloi duhet të jetë më e lehtë se humbja e reputacionit të tij dhe besoj se e ndjenë veten se është më mirë të jetë vetëm, se sa në një shoqëri të keqe politike. Dr. Halim Kosova kishte thënë gjatë fushatës elektorale se po të fitonte postin e kryebashkiakut ai do të bashkpunonte me Kryeministrin Rama. Pa marrë parasyshë meritat ose jo të qeverisë Rama, besoj se ishte hera e parë që një politikan shqiptar i periudhës post komuniste të ketë deklaruar një gjë të tillë për bashkpunim me një kundërshtar politik. Fushata e Dr. Halim Kosovës vlerësohet në përgjithësi se shënoi një hap të ri përpara në diskursin midis kundërshtarëve politikë në Shqipëri. Si i tillë, megjithë humbjen në zgjedhjet e së dielës që kaloi për Bashkinë e Tiranës, Dr. Kosova doli fitues me kontributin e tij ndaj një diskursi më të qytetëruar politik midis palëve rivale, për të cilin ka aq nevojë Shqipëria.
- « Previous Page
- 1
- …
- 125
- 126
- 127
- 128
- 129
- …
- 175
- Next Page »