• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË SHKUPIN SHQIPTAR,2015?!

April 29, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Besojeni ose jo, por është e vërtetë — kjo është një demonstratë që u zhvillua të premtën në sheshin para xhamisë së Murat Pashës në Shkup, në mbështetje të tezës së Turqisë se gjenocidi kundër popullit armen nga otomanët, fillim shekullin e kaluar, nuk ishte i tillë. Agjencia e lajmeve INA njofton se protestuesit — me flamuj boshnjakë, turqë dhe shqiptarë — “Kanë theksuar se në protestë janë mbledhur shqiptarë, turq e boshnjakë për të kundërshtuar siç thuhet pretendimet e armenëve se ndaj tyre është bërë gjenocid gjatë luftës së vitit 1915 nga ana e Turqisë”. Kjo është një çështje për historianët, për të vendosur më në fund nëse masakra turke kundër armenëve ishin gjenocid ose jo, por pyetja është se ç’duan shqiptarët në protestë në mbrojtje të një politike që kishte për synim zhdukjen e një populli. Sikurë shqiptarët në Maqedoni nuk kanë mjaft probleme të vetat për të cilat duhet të dilnin në protesta?!
INA njofton se protesta është kritikuar në rrjetët sociale, ku komentues të ndryshëm shfaqin zemërimin e tyre duke u shprehur se është “turp për shqiptarët” që në vend të kësaj proteste, në favor të interesave interpretimeve turke të historisë, “Nuk organizojnë protesta kombëtare kundër diskriminimit dhe montimeve kundër shqiptarëve në atë vend”, nga ana e shtetit sllavo-maqedonas. Në vend që të mbrojnë të drejtat, interesat, gjuhën dhe kulturën e tyre kombëtare, shqiptarët në Shkup protestojnë në favor të interesave dhe agjendave të qarqeve të huaja, të cilat nuk kanë të bëjnë as me çështjen shqiptare në Maqedoni dhe as me interesat kombëtare të shqiptarëve në të kaluarën as tani — në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi.

Fatkeqsisht, gjëja e vetme që simbolizon kjo demonstratë është zhdukja dal ngadalë e identitetit kombëtar në Shkup dhe në krahina të tjera shqiptare të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Por,përveç kësaj, kjo protestë demonstron gjithashtu edhe depërtimin e thellë agjenturave të huaja, kryesisht turko-sllave në ato vise shqiptare, të cilat jo vetëm tashti, por historikisht, kanë punuar kundër interesave kombëtare të shqiptarëve — duke bërë ç’mos që të zbehet dhe më në fund të zhduket identiteti i shqiptarëve, siç ka venë në dukje gazetari Marin Mema i Top Channel Albania në këtë raport, https://www.youtube.com/watch?v=OEfd940Lwhs, ku dokumenton një realitet tepër të dhimbshëm në Ohër — zhdukjen e identitetit të shqiptarëve në atë qytet dikurë me shumicë shqiptare.
Realiteti është se armiqët e kombit shqiptarë kanë punuar gjithmonë dhe punojnë tani kundër interesave kombëtare historike të shqiptarëve në trojet e veta, madje disa prej zyrtarëve më të lartë të këtyre vendve bëjnë thirrje zyrtare, jo vetëm për rishkimin, por edhe për ndryshimin e historisë së shqiptarëve në trojet e veta shekullore, për tua përshtatur historinë e trojeve shqiptare interesave të tyre afatgjata.
Dihet se armiqtë shekullorë të kombit shqiptar nuk do të heqin kurrë dorë nga politikat e tyre antishqiptare — por fatkeqsisht duket se, siç ka thënë Faik Konica, armiku më i madh i shqiptarëve kanë qenë dhe janë vet shqiptarët!

Filed Under: Analiza Tagged With: 2015, Frank shkreli, NË SHKUPIN SHQIPTAR

GJERMANIA: HAPNI DOSJET!

April 23, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të martën që kaloi, Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman mori pjesë në ekspozitën “Diktatura dhe demokracia në epokën e ekstremeve: Fasha drite mbi historinë e Evropës së shek. XX“, në Galerinë e Artit “Edward Lear” në Berat. Sipas ambasadës gjermane në Tiranë, ekspozita e cila është shfaqur edhe në Tiranë fund vitin që kaloi, tregon Evropën e shekullit të XX, si një histori dramatike mes lirisë dhe tiranisë, mes demokracisë dhe diktaturës. Në njoftim thuhet se shkas për këtë bëhet edhe njëkohshmëria e ngjarjeve historike, të cilat ilustrojnë më së miri ndërthurrjen e historive kombëtare në “epokën e ekstremeve”, siç ishte Lufta e Parë Botërore që shpërtheu në vitin 1914. Gjermania pastaj filloi Luftën e Dytë Botërore në vitin 1939. Në nëntor 1989, me shëmbjen e Murit të Berlinit filluan dhe revolucionet paqësorë duke i dhënë fund ndarjes së Evropës, dhe në vitin 2004 Bashkimi Evropian pa valën e parë të zgjërimit drejt lindjes ish-komuniste. Të gjitha këto ngjarje dhe zhvillime patën pasoja të menjëhershme edhe për Shqipërinë, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane në Tiranë,me rastin e hapjes së ekspozitës në Berat, eqë është e bërë e mundur nga Instituti i Mynihut për Historinë Bashkëkohore, Radio gjermane Kultura, Fondacioni Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED dhe me mbështetjen e Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme.
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffman e përdori rastin e hapjes së kësaj ekspozite për tu bërë thirrje përsëri autoriteteve shqiptare nga qyteti i mbi 1000 dritareve që të hapin dosjet, pasi sipas diplomatit gjerman, me të vërtetë ka ardhur koha për një gjë të tillë. Kryediplomati gjerman në Tiranë u shpreh se, “Në gjykimin tim personal mendoj që ka ardhur koha për të hapur dosjet e ish sigurimit të shtetit. Mendoj që ky është një proces i dobishëm për të gjithë shqiptarët dhe shpresoj shumë që ai proces të përmbyllet në mënyrë të suksesshme”.Por, fatkeqsisht ky proces në Shqipëri nuk ka filluar ende seriozisht, ndonëse gjatë 25-viteve të fundit, është folur e përfolur për këtë problem, madje janë krijuar komisione, janë përpiluar edhe projektligje, por procesi për të cilin Ambasadori gjerman shpreson se do të “përmbyllet me sukses” në Shqipëri, nuk ka giasë të përfundoj askund, do të mbetet në hava — as me sukses as pa sukses. Kjo sepse për t’u përballur me të kaluarën e egër komuniste, në atë vend nuk ekziston vullneti i mirë as dëshira politike. Për t’u marrë me dosjet e komunizmit, njëkohsishtka munguaredheguximi politik, moral dhe njerëzor nga të gjithë krahët politikë, institucionet përkatëse të qeverisë dhe të shtetit si dhe nga protagonistët kryesorë të politikës shqiptare, të periudhës së ashtuquajtur post-komuniste, të çerek shekullit të kaluar.
Ambasadori Hellmut Hoffman,ambasador i një vendi të rëndësishëm në Europë, ndryshe nga ambasadorët e tjerë perëndimorë, ka treguar një interesim të veçantë në lidhje me çështjen e dosjeve të ish-Sigurimittë regjimit komunist shqiptar, ç’prej ardhjes së tij në Shqipëri në vitin 2013.Kjo ekspozitë që fillimisht është shfaqur në Tiranë fund vitin e kaluar,siç duket ka për qëllim tënjohë shqiptarët me përvojën gjermane të ballafaqimit me të kaluarën e saj naziste dhe komuniste.Por njëkohsish duhet tësensibilizojë dhe të inkurajojë politikën shqiptare dhe opinionin publik në Shqipëri me qëllim që më në fund të nxisë zhvillimin e një debatitë hapur dhe seriozrreth mënyrës se si duhet trajtuar historia e tiranisë komuniste dhe trashëgimisë së saj në në atë vend,i cili, siç është shprehur ambasadori Hoffman, “për pothuaj një gjysëm shekulli ka pësuar një diktaturë staliniste të paskrupullt, me të gjitha tragjeditë dhe vuajtjet njerzore që mund të mbartë ajo.” Por, ai është shprehurnjëkohsishtse debati as përballimi me të kaluarën dhe me trashëgiminë komuniste të vendit, “nuk mund tu imponohet shqiptarëve, pasi janë ata vet që duhet të zhvillojnë këtë debat mes vetes.”
Ambasadori gjerman, me mbështetjen që është duke i dhënë hapjes së dosjeve të komunizmit në Shqipëri –si përfaqsues i një vendi të rëndësishëm në Europë dhe në botë — ai shpreh politikën dhe vullnetin e Gjermanisë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë duke i bërë thirrje Tiranë zyrtare për përmbylljen me sukses të këtij procesi, siç është shprehur ai. Duhet të lavdërohen deklaratat si dhe veprimtaria e Ambasadorit gjerman Hellmut Hoffman, si dhe gatishmëria e vendit të tij për të ndihmuar Shqipërinë në lidhje me këtë çështje, të cilën ai e ka cilësuar si të vështirë, por tepër të nevojshme për vendin. Kryediplomati gjerman në Tiranë ka shprehur në shumë raste bindjen e tij për hapjen e dosjeve dhe për nevojën e ballafaqimit me historinë 50-vjeçare të komunizmit shqiptar si dhe me trashëgiminë e njërit prej regjimeve komuniste më diktatoriale të botës.
Fund vitin që kaloi Ambasadori Hoffmanu shpreh se, “Këtë Nëntor festohet me krenari të përligjur 70-vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit gjermanë, por nga ana tjetër nuk mund të imagjinohet se ata dhanë jetën e tyre apo ata që vuajtën gjatë luftës, të kenë dëshiruar për pothuaj gjysëm shekulli, sistemin e një diktature në përbuzje të njeriut.”Nga ish kampi i të burgosurve të ish regjimit të Enver Hoxhës në Tepelenë, ambasadori gjerman theksoi, nëntorin që kaloi, se pa marrë parasyshë,të gjitha viktimat duhet të përkujtohen, “prandaj është e rëndësishme të thërrasim në kujtesë viktimat e diktaturës së Enver Hoxhës dhe njëherazi të përballemi hapur me të shkuarën e dhimbshme.”
Tirana zyrtare duhet të përdor rastin dhe vullnetin e mirë të këtij ambasadori me ndjenja përgjegjësie morale si individpor edhe si përfaqsues i një vendi mik,i cili duket se është gati tu vejë autoriteteve shqiptare në dispozicion përvojën e tij personale në këtë fushë si historian,por për më tepër ai është duke ofruar përvojën e suksesshme të vendit të tij në procesin e hapjes së dosjeve të shërbimit famëkeq të sigurisë,Stasi të Gjermanisë Lindore, ish-komuniste.
Përfaqsuesi i lartë diplomatik i Gjermanisë në Tiranë ri-pohoi gjatë qëndrimit të tij në Berat të martën, atë që e kanë thënë shumë historianë dhe ekspertë të ndryshëm gjatë këtyre 25-viteve të fundit se hapja e dosjeve të ish regjimeve komuniste të Europë Lindore, është tepër e rëndësishëme për një vend siç është Shqipëria, duke theksuar se, “Nëse një komb nuk di të kaluarën e tij, ai e ka të vështirë të dijë të sotmen”. Synimi i kësaj ekspozite pra ka thënë ambasadori Hoffman, “Është që të ndihmojë sadopak që të kuptohen më mirë tragjeditë e tmerrshme të shekullit të shkuar, arsyet pse uarrijt deri aty, dhe mbi të gjitha, që njerzit të mësojnë se angazhimi konstruktiv dhe bashkpunimi paqësor mund të sjellë frute madje edhe kur pengesat janë të mëdha.”
Kontrasti nuk mund të jetë më i madh se ai që ekziston në gatshmërinë për tu përballur me të kaluarën se ç’është dallimi i theksuar mbi këtë çështje midis Gjermanisë, një vendi i cili i ka hapur dosjet dhe është përballur dhe vazhdon të përballet me të kaluarën e saj naziste dhe komunist nga një anë, dhe Shqipërisë nga ana tjetër, një vend i cili ngurron të hap dosjet e regjimit komunist dhe refuzon të shqyrtojë ndërgjegjen gjë që do të rezultonte nga një përballim serioz me trashëgiminë e saj komuniste.Gjermania, një vend i zhvilluar me një prej ekonomive më të forta në botë mundi, që nepërmjet hapjes së dosjeve dhe të përballimit me të kaluarën e saj të tmershme, të sigurojë një paqë shoqëroredhe begati ekonomike si rradhë ndonjë vend tjetër. Shqipëria, nga ana tjetër, një vend ish-komunist që refuzon të përballet seriozisht me të kaluarën dhe me trashëgiminë komuniste, pjesë e tëcilës është edhe hapja e dosjeve, por që qytetarët e së cilës të lodhur e të dëshpëruar nga situata e krijuar në shoqërinë e tyre, po braktisin vendin duke ia mësyrë me mijëra veta, pikërisht Gjermanisë, këtij vendi i cili është përballur me historinë e vet dhe e ka pëmbyllur këtë proces me sukses.(Megjithëse nuk është subjekt i kësaj teme, largimi në masë i shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, është një fenomen i trishtueshëm dhe pasqyron dështimin moral të politikës që po ndiqet.Është një çështje drejtësie dhe përgjegjësi morale e kësaj klase politike që më në fund të vejë gishtin në ball dhe të reflektojë mbi shpërnguljen që po ndodhëanë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan. Ndoshta hapi i parë duhet të jetë, pikërisht që të merren parasyshë thirrjet e kohëve të fundit të ambasadorit gjerman në Tiranëpërhapjen e dosjeve, dhe këshillat e tija për një përballim serioz me të kaluarën dhe njëkohsisht të përcaktohen përgjegjësitë, pasi kjo, sipas një ankete të kohëve të fundit, është edhe e dëshira e pjesës dërmuese të qytetarve shqiptarë.) Kjo thirrje e diplomatit gjerman duket se ka mbështjetje të fortë në radhët e shqiptarëve.Bazuar nëfirmën“The Pacific Institute of Research and Evaluation” që citohet nga Birn, rreth 83 qind e shqiptarëve mbështesin hapjen e dosjeve të Sigurimit afër 71 për qind e qytetarëve shqiptarë janë në favor të “lustrimit”, duke shprehur kështu besimin e tyre, në mënyrë dërmuese, se institucionet publike të vendit duhet të pastrohen nga ish-agjentët dhe bashkpuntorët e mbetur të Sigurimit. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffman ka theksuar përvojën e vendit të tij në këtë fushë, duke u shprehur se përveç dobive të mbrendshme shoqërore, “Kjo lloj përballje me të shkuarën, për gjermanët ishte një mënyrë për të vendosur edhe një herë besimin tek fqinjët e vet në Europë”.Për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, sipas ambasadorit Hoffman, është një mënyrë që viktimave — të gjallë e të vdekur – të atij regjimi, “tu këthehet një pjesë e dinjitetit të tyre.”
Unë do të thosha që me përballimin me të kaluarën komuniste, duke hapur dosjet dhe me ligj për lustracionin – me punë të përbashkët dhe në solidaritet – përveç viktimave të komunizmit, do t’i këthehej dinjiteti dhe nderi mbarë kombit shqiptar, do të luftohej korrupcioni dhe do të de-kriminilizohej shoqëria dhe institucionet shtetërore – ashtuqë shqiptarët përsëri ta ndjejnë veten krenarë dhe të ndërtojnë të ardhmen e vet në paqë e mirëkuptim me njëri tjetrin, aty në trojet e veta mijavjeçare.Kjo është dëshira e miqëve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.Për më tepër kjo është edhe dëshira e pjesës dërmuese të qytetarve shqiptarë.Kjo është një doemosdoshmëri ndër prioritetet kombëtare, që kërkon vëmendjen urgjente të autoriteteve kompetente të vendit.

Filed Under: Analiza Tagged With: dosjet, Frank shkreli, gjermania, HAPNI, Hoffman

PINJOLLI I NJË FAMILJEJE REFUGJATËSH PËR PRESIDENT TË SHTETEVE TË BASHKUARA?

April 22, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Javën që kaloi, Senatori i Partisë Republikane nga shteti Florida dhe bir i një familjeje imigrantësh të arratisur nga Kuba, Marc Rubio shpalli kandidaturën e tij për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të vërtetë, ky njoftim nuk ishte krejtsisht i papritur pasi e ardhmja politike ekëtij senatori konservator në mosh të re, ishte bërë burim spekulimesh në qarqet politike dhe në median amerikane gjatë dy tre viteve të fundit, gjë që ia ka ngritur edhe më shumë profilin e tij si kandidat i Partisë Republikane për president në zgjedhjet e vitit që vjen.
Senatori Rubio e njoftoi kandidaturën e tij për president duke thënë se ai mund të jetë udhëheqsi i ri, siç e cilësoi ai, i një “Shekulli të ri Amerikan”, nëqoftse zgjidhet president vitin që vjen. Ai tha se beson që shekulli 21 ka mundësi të jetë gjithnjë Ahekulli amerikan (ashtu siç ka qenë shekulli i 20-të) duke theksuar se ai është personi që mund t’a udhëheq vendin drejtë atij qëllimi.
Senatori i shtetit Florida, në mënyrë simbolike njoftoi kandidaturën e tij për president nga ndërtesa e quajtur “Kulla e Lirisë” të qytetit Miami, ku gjatë viteve të 1960-ave dhe 1970-ave aty regjistroheshin imigrantët kubanë të arratisur nga Kuba komuniste, për arsyen se sepse sipas tij, kjo ndërtesë është, “simbol i identititetit tonë si vendi i mundësive”, për të gjithë. Senatori Rubio foli për fatin e dhjetëra mijëra refugjatëve kubanë që janë arratisur nga Kuba e Fidel Castros, ashtu siç kihste ndodhur me familjen e tij, për të filluar një jetë të re në Amerikë. “Përvoja e tyre” tha ai, “Është pjesë e një tregimi më të madh, është pjesë e asaj që quhet mrekullia amerikane. Tregon” shtoi ai, “se si — të bashkuar me besimin në të drejtat që u ka falë Perëndia për të realizuar të gjitha ëndërrat, që puna dhe talentet e tyre ua bëjnë të mundur — një grumbull njerzish, imigrantësh, refugjatësh dhe ish skllëvërish, nga të gjitha anët e botës, të bëhen një popull dhe së bashku të krijojnë dhe të ndërtojnë kombin më të lirë dhe më të begatë që ka njohur ndonjë herë bota.”
Duke folur nga përvoja e tij si pjesëtar i një familjeje refugjatësh, ndërsa njoftoi kandidaurën e tij për president të Amerikës, ai tha se, “Shumica e njerzëve në botë janë viktima të rrethanave të vendit ku kanë lindur, të destinuar të jetojnë siç kishin jetuar prindërit e tyre. Por, Amerika, shtoi ai, është ndryshe. “Këtu, ne jemi fëmijë, nipa dhe mbesa të atyre që kanë refuzuar të pranonin një jetë të tillë.”
Të tillë, tha Senatori republikan, ishin edhe prindërit e tij që rrjedhin nga familje të varfëra kubane, por të të cilët refuzuan të pranonin një jetesë në varfëri dhe diktaturë, vendosën të emigronin në Shtetet e Bashkuara në vitin 1956,sipas Senatorir Rubio, “në vendin e vetëm në botë, ku aspiratat e personave si ata mund të këthehen në diçka më shumë se vetëm ëndërra.” Prindërit e tij, tha Senatori Rubio, “ndonëse nuk ishin të pasur, asshtu si shumë refugjatë të tjerë në Amerikë të cilët erdhën në këtë vend pa para dhe pa ndonjë arsim të lartë, ata i siguruan vetes një jetë më të mirë dhe fëmijve të tyre një të ardhëshme dhe përspektivë më të mirë se ç’kishin ata.”
Snatori Rubio pohoi se prindërit e tij kishin realizuar “ëndërrën amerikane”, por sipas tij, tani shumë amerikanë kanë filluar të dyshojnë nëse realizimi i asaj ëndërre është gjithnjë i mundur duke shtuar se kjo është një prej arsyeve që ai shpalli kandidaturën e tij për president të Shteteteve të Bashkuara. Kjo situatë e krijuar, tha ai, është pasojë e politikave që kanë ndjekur, “shumë prej udhëheqsve tonë dhe e ideve të tyre, politika këto që i përkasin shekullit të kaluar.” Kjo është arsyeja që ne nuk mund të kethehmi tek udhëheqsit dhe idetë e së kaluarës, nenvijoi Senatori republikan i shtetit Florida. “Ne duhet të ndryshojmë vendimet që jemi duke marrë tani në vendin tonë, duke ndryshuar njerëzit që po marrin këto vendime.” Kjo është arsyeja, tha ai, që i bazuar në përvojën e historisë së vendit tonë dhe i frymëzuar nga premtimi i të ardhmes, unë po shpallë kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara.
Senatori Rubio i cili është në moshën 43-vjeçare, paraqiti veten para votuesve amerikanë si një kandidat ndryshe, me pikpamje përparimtare dhe largpamse, si një udhëheqës i brezit të ardhëshëm — në krahasim me kandidatin e mundëshëm republikan Jeb Bush, i cili është në moshën 62-vjeçare dhe familja e të cilit ka dominuar Partinë Reublikane për pothuaj tri dekada dhe Hillary Clnton në moshën 67-vjeçare, bashkshorte e ish presidentit Clinton dhe e cila, sipas analistëve — në mungesë të ndonjë kandidati tjetër demokrat që mund ta akundërshtojë më vonë — pritet të emërohet si kandidate e Partisë Demokrate për presidente në zgjedhjet e viti që vjen. Në një referencë të drejtë për drejtë ndaj Hillary Clinton, por pa përmendur emërin e saj, Senatori Rubio, duke njoftuar kandidaturën e tij pë president, kritikoi Zonjën Clinton, e cila një ditë më parë kishte njoftuar zyrtarisht kandidaturën e saj. Ai u shpreh se, “Jo më larg se dje, një udhëheqëse e djeshme filloi fushatën për president duke premtuar të na sjellë përsëri tek e djeshmja. E djeshmja nuk është më, dhe ne nuk do të kethehemi kurrë më tek e djeshmja”, deklaroi ai në një thënje që tani media e ka bërë si frazë simbolike të fushatës së tij. Ndërsa në një kritikë të tërthortë ndaj mikut dhe mbështetsit të tij të mëparshëm, ish-governatorit të Floridës, Jeb Bush-it, djali dhe vëllai i dy presidentëve të mëparshëm të familjes Bush, dhe i cili pritet që së shpejti të njoftoi kandidaturën e tij për president — por edhe në një vërejtje ndaj dyshimeve të skeptikve nga vendet e huaja mbi kandidaturën e tij — Senatori Rubio u shpreh se, “Unë jetoj në një vend të veçantë, një vend ku djali i një bufetjeri dhe i një pastrueseje, mund të ketë të njëjtat ëndërra dhe aspirata për të njëjtën të ardhme si të gjithë ata që rrjedhin nga familje në zë dhe me privilegje”, duke shtuar se në shumë vende të botës, posti më i lartë në vend është i rezervuar për më të pasurit dhe më të fuqishmit e shoqërisë.
Senatori Rubio gjithashtu nënvijoi idetë e tija në lidhje me politikën e jashtme amerikane duke kritikuar tërthorazi ato që ai konsideron si gabime të politikës së jashtme të administratës së Presidentit Obama. “Ata kanë harruar”, tha ai, “se kur Amerika dështon të udhëheq në botë, ndërkohë që ndjekë një politikë që kënaqë armiqtë, tradhëton miqët, dhe e cila njëherazi dobëson edhe forcat tona të armatosura, atëherë pasojë e këtij dështimi është një gjëndje kaosi në mbarë botën.” Ai ritheksoi rëndësinë për të ruajtur sigurinë e Amerikës në një botë të rrezikshme dhe shtoi se duhet ndryshsuar politika e tanishme, duke hequr dorë nga pasiviteti përball agresionit rus dhe kinez në rajonet e tyre dhe duke i dhënë fund mos interesimit ndaj zhdukjes së demokracisë dhe të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Vetëm atëherë kombi ynë do të jetë më i sigurt, gjëndja në botë do të jetë më stabile dhe populli ynë do të jetë më i begatë”, kur Amerika të luaj rolin ndërkombtar që i takon.
Duke folur për politikën e mbrendshme të Amerikës, ai tha se në fillim të shekullit të 19-të, nënvijoi ai, një brez amerikanësh filluan një epokë industriale me të cilën transformuan këtë vend duke krijuar ekonominë më të madhe të botës. Si rrejdhim, tha ai, shekulli i 20-të u cilësua si Shekulli Amerikan. “Ka ardhur koha që brezi ynë të udhëheq drejtë një Shekulli të ri Amerikan”, deklaroi Senatori Marc Rubio. Në fjalim e sipër, Senatori Rubio tha se duhet të kujtojmë se është familja — dhe jo qeveria — institucioni më i rëndësishm i shoqërisë dhe se jeta e njeriut duhet të mbrohet me çdo kusht. Ai pohoi se “Jam tepër i vetdijshëm se Amerika nuk më ka asgjë borxh mua. Përkundrazi, unë kam një borxh që detyrohem t’ia këthej Amerikës. Sepse ky nuk është vetëm vendi ku kam lindë.Amerika është vendi që ndryshoi historinë e familjes time prej refugjatësh.”
Është tepër heret në fushatën për president të Shteteve të Bashkuara për zgjedhjet e vitit të ardhëshëm dhe si rrjedhim është vështirë të parashikohet se cili më në fund do të jetë kandidati përfundimtar nga pothuaj një dyzinë kandidatësh të mundshëm të Partisë Republikane. Por, nëqoftse Senatori Marc Rubio është më në fund kandidati që do të sigurojë emërimin nga zgjedhësit republikanë anë e mbanë vendit, mbetet për tu parë nëse familja e madhe Amerikane, pra votuesit amerikanë — në garën përfundimtare nëntorin e vitit 2016, midis tij dhe kandidatit demokrat — do t’i besojnë postin më të lartë të vendit, Senatorit Marc Rubio, pinjollit të një familjeje refugjatësh nga Kuba komuniste.
Vet fakti se, Senatori Rubio, i lindur në një familje refugjatësh kubanë në shtetin Florida — beson në endërrën për tu bërë president i Shteteve të Bashkuara — tregon se kjo në të vërtetë është një provë, se “në këtë botë ende ekziston një vend ku prejardhja etnike apo fetare nuk përbën ndonjë pengesë për realizimin e ëndërrave dhe aspiratave të çdo njeriu.”, pohoi kanditati i Partisë Republikane për President të Shteteve të Bashkuara, Senatori Marc Rubio.

Filed Under: Analiza Tagged With: bir refugjatesh, Frank shkreli, per president USA, Rubio

KOL BIB MIRAKAJ: VETVRASJA E NJË KOMBI

April 15, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Kohët e fundit më ra në dorë libri me titull, “Vetvrasja e një Kombi”, me autor Kol Bib Mirakaj, njëri prej protagonistëve kryesorë të ngjarjeve të periudhës kritike për Shqipërinë e viteve të Luftës së Dytë Botërore. Libri i botuar kohët e fundit nga Shtëpia Botuese Fiorentina në Shkoder është një vëllim prej 250-faqesh i dorëshkrimeve të përfunduara nga autori në vitin 1951, por që vetëm tani panë dritën e botimit dhe më në fund i vihen lexuesit në dispozicion.
Kol Biba, si shumë nacionalistë anti-komunistë të asaj kohe, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, u detyrua të arratisej për në Itali, ku qëndroi për një kohë, ndërsa më vonë emigroi për në Shtetet e Bashkuara ku edhe ndërroi jetë në New York në vitin 1968. Duke marrë përgjegjësinë e plotë për dorëshkrimin dhe për botimin e këtij vëllimi, Kol Biba shkruan se qëllimi i kësaj kronologjie të ngjarjeve është që të, “nxjerrë kartat në shesh dhe me ia shtrue haptas pengjët Gjyqit të Historisë”.
Si protagonist kryesor dhe si pjesëmarrës aktiv në nivele të larta, në ngjarjet kronologjike të 50 e ca viteve të para të shekullit të kaluar dhe si njohës i mirë i Shqipërisë dhe Shqiptarëve të kohës së tij, Kol Bib Mirakaj na parashtron një libër, me qëllim që e “vërteta të jetë e dokumentueme” sepse sipas tij, “Me pranue me heshtjen tonë një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet së vërtetës, mua më ashtë dukë se bajmë krim kundra vetvetes, kundra historisë e kundra fëmijve e njerëzve tanë, që do të mbeteshin me krye-ultë për breza të tanë para shoqnisë”. Por, shton autori, një qëllim tjetër i këtij libri është për t’i “Lanë historishkruesit të së nesërmes nji dokument që t’a kenë të gjithë Shqiptarët për studim”.
Autori thotë se u shty që librit t’i jepte titullin, “Vetvrasja e Kombit”, pasi është i bindur se po të dinin protagonistët kryesorë të asaj periudhe realitetin e situatës së viteve 1942-1944, si dhe rrezikun që i kanosej kombit shqiptar, Shqipëria sipas tij, nuk do të kishte ra “ndër këthetrat e bolshevizmit tiranik”. Ai shkruan se “Që prej 7 Prillit 1939 kam qenë pa ndërpremje në furrë të të gjitha ngjarjeve historike” dhe shton se ka pasur “përgjegjësi të përcaktueme politiko shtetnore”. Kjo përvojë, thotë ai, i dha atij mundësi të njihte mirë Shqipërinë dhe shqiptarët me përgjegësi dhe njëkohsisht të ishte dëshmitar i ngjarjeve historike të asaj kohe në Shqipëri si edhe në mërgim, pas arratisjes nga Atdheu. Si protagonist i këtyre ngjarjeve, Kol Biba pranon se me botimin e librit dikush mund ta konsideroj atë si “pjesë e interesueme” dhe si i tillë “jo i përshtatshëm si dëshmitar”, për të reflketuar mbi ato ngjarje, por pohon se ndonëse kjo është një vërejtje jo e pa vend, ajo që ai i paraqet këtu lexuesit, “ashtë e vërteta e çveshun lakuriq e ngjarjeve.”
Sikurë dëshiron t’i kërkoj ndjesë lexuesit, autori paralajmëron lexuesin se fjalët e tija mund të duken më tepër si një polemikë se sa një dokumentim, dhe për këtë ai ia ve fajin, “shpirtit të përvluem për tragjedinë e kombit”, ndërkohë që shpreh bindjen e tij se “po të kishin qenë partitë politike antikomuniste më të bashkuara do të kishin fituar kundër komunistëve”, ose siç thotë ai “kundër kolonës së pestë të slllavizmit”. Është kjo një temë që Kol Biba e ndjekë dhe e thekson prej fillimit e deri në mbarim, ndërsa përshkruan ngjarjet në Shqipëri dhe më vonë marrëdhënjet dhe kontaktet e tija me protagonistë të tjerë antikomunistë në mërgim, për të formuar një bllok të bashkuar antikomunist.Ai ankohet për veprimtarinë e atyre që sipas tij “penguan bashkimin e forcave antikomuniste në Shqipëri, e që po vazhdojnë akoma sot ta pengojnë në mërgim”, shkruan Mirakaj në vitin 1951. Ai posaçërisht ankohet për mungesën e bashkpunimit nga ana e Ballit Kombëtar dhe udhëheqsit të kësaj lëvizjeje Mithat Frashërit, karshi të cilit thotë ai ne i “drejtuem sytë e përpjekjet, tue e çmue si njeriun e kohës.” Kol Biba personalisht shpreh respekt për Mit’hat Frashërin, duke thënë se, “Rrallë kujt ndër burrat e Shqipënisë ia kishin sjellë rastin ngjarjet e historisë si Mit’hat beut, që ta lidhte emnin e Tij me fatin e Atdheut në mënyrë të pashlyeshme”, por ai shton se, “Mjerisht, nuk dijti të tregohet në naltësinë e misionit që e priste”, dhe si rrjedhim, gjatë viteve 1943-1944 si dhe më vonë në mërgim, “Ai vet i mungoi pikëpjekjes me historinë”. Për këtë mungesë, Kol Bib Mirakaj fajëson më shumë njerëzit rreth Mit’hat Frashërit, të cilët i cilëson si, “ekstremistë vocrrakë”. Autori shkruan se ai kurrë nuk do të vinte në dyshim atdhedashurinë dhe as qëllimet e mira të udhëheqësve të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, por nga ana tjetër Kol Biba ve në dukje bashkpunimin e “Nacionalistëve (Balli e Zogistë) me komunistët që prej mbledhjes së Pezës e deri në mbledhjen e Mukjës.” Ky flirtim me komunistët nga ana e nacionalistëve dhe mungesa e bashkpunimit midis forcave antikomuniste, ishte sipas tij, arsyeja që solli fitoren e komunizmit në Shqipëri.
Përveç asaj që ai e cilëson si mungesë të bashkpunimit midis forcave anti-komuniste shqiptare, Kol Biba ngarkon me faj edhe botën perëndimore për triumfin e komunizmit në Shqipëri dhe në botë në përgjithësi, duke thënë se, “Përgjegjësinë kryesore për të shpëtue sot njerëzimin e Botës së lirë nga helmatisja e propagandës komuniste e kanë intelektualët dhe borgjezia kapitaliste.” Ai akuzon rëndë edhe udhëheqsit e botës së lirë për një qëndrim krejtë “indiferent ndaj popujve që kanë ra nën këthetrat moskovite staliniste”, dhe shprehë zemërimin e tij, posaçërisht ndaj Anglisë dhe Amerikës, që lejuan që Shqipëria të binte nën influencën e Rusisë. Kol Biba shkruan se fatkeqsisht udhëheqsit e atëhershëm të botës së lirë nuk e kishin kuptuar se komunizmi nuk ishte një lëvizje e proletariatit siç reklamohej nga propaganda staliniste, por ishte një lëvizje e “imperializmit pansllav”, trashëguar nga carët e Rusisë me ndryshimin e vetëm se carët synonin shtrirjen e perandorisë së tyre përtej Dardaneleve deri në grykë të Otrantos, ndërsa carët e kuq, thotë autori, “synojnë të dominojnë gjithë lamshin e botës.” Këtë të vërtetë historike dhe efektet e saj mbi fatin e mbarë botës, nuk e kuptojnë udhëheqsit e botës së lirë dhe borgjezia kapitaliste dhe intelektualët perëndimorë, shkruan ai në dorëshkrimet e tia.
Kol Biba në librin e tij nuk u shmanget as akuzave të kundërshtarëve që e paraqisnin atë dhe të tjerët si ai, të grumbulluar rreth Bllokut Kombëtar Indipendent, duke i cilësuar ata si “fashistë dhe kolaboracionistë”. Pasi thotë se — në Shqipëri nuk kishte fashistë dhe antifashistë në kuptimin e vërtetë të fjalës — ai nuk mohon se ka shërbyer në funksione të ndryshme të Partisë Fashiste Shqiptare, por e konsideron se nën rrethanat e atëhershme, ishte e vetmja mënyrë për t’i shërbyer çështjes kombëtare dhe Atdheut. Mirakaj shpreh bindjen e tij, se siç thotë ai, “ajo fazë historie ndoshta ishte e vetmja rasë që i paraqitej Shtetit shqiptar për me arrijtë Bashkimin e Tij, ndër kufijtë që na caktojnë Gjaku, Gjuha, Historia dhe Ekonomia, pra ndër Kufinjtë Etnikë.” Kol Bib Mirakaj arsyeton se, “Kishe bindjen e plotë se ishte pikëpjekja e Kombit tonë me Historinë, për me realizue aspiratën ma të madhe e të drejtë të Tijë, për t’i afirmue drejtësinë kundër tregjeve diplomatike që ishin ba në kurizin e Tij prej shekujsh.” Kjo bindje e tij, shton ai, “u vërtetua tansisht në Prill të vitit 1941 me zmadhimin e Shqipnisë ndër kufinjtë etnikë”, me realizimin pra të “lirimit të tokave irredente dhe këthimit të Kosovës, Çamërisë dhe të tjera krahinave në gjiun e Nanës Shqipëni.” Edhe kundërshtarët më të egër të Kol Bib Mirakës besoj e kanë të vështirë të thonë se kjo ishte një ide e gabuar — pasi ishte hera e parë që të gjitha trojet shqiptare, përfshirë Kosovën, Tetovën, Dibrën e Madhe dhe zonat bregdetare të Ulqinit, u bashkuan në një shtet duke realizuar kështu ëndërrën e të gjithë brezave të shqiptarëve. Ishte kjo gjithashtu një periudhë kur qeveria shqiptare hapi një numër shkollash shqipe dhe dërgoi mësues në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve të tjera shqiptare. Dr. Rexhep Krasniqi në një shkrim mbi zhvillimin arsimor në trojet shqiptare gjatë atre viteve, nënvijon faktin se me urdhër të Ministrit të Arsimit, Profesor Ernest Koliqi, dërgohen rreth 200 mësues e mësuese anë e mbanë trojeve shqiptare. Rexhep Krasniqi shkruan se Ernest Koliqi i kishte prioritetin kryesor dhe rëndësinë e jashtzakonshme zhvillimit të arsimit kombëtar, sidomos në Kosovë.
Duke qenë i vetdijshëm ndaj kritikave, Kol Bib Mirakaj si burrat deklaron se, “Na nuk i mohojmë përgjegjësitë tona, por kemi dokumentue e dokumentojnë kurdoherë rrethanat që na kanë shty të marrim ato përgjegjësi”, dhe shton se ia “lamë historisë të gjykojë nëse ndër rrethanat e kohës duhej të merreshin përgjegjësitë a jo — se a jemi fajtorë, a po jo?”
“Vetvrasja e Një Kombi” mendoj se ka vlera historike dhe si e tillë, është një vepër me rëndësi megjithse vet Kol Biba thotë se ky vëllim nuk ashtë histori, por kronikë besnike e ngjarjeve për t’i shërbyer mendimit të përgjithshëm shqiptar dhe historianëve të ardhëshëm. Ai ia paraqet lexuesit këtë vëllim duke uruar që të jetë i dobishëm për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë nga e kaluara — nga tragjedia e madhe që pësoi populli shqiptar, por që sipas tij, mund të ishte zmbrapsur nga gremina, po të mos kishin qenë egoizmat vehtjake”.
Nuk besoj të ketë ndonjë familje shqiptare që të ketë pësuar një tragjedi më të madhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës se sa familja e Kol Bib Mirakës. Për 45 vjetë familja Mirakaj pësoi me të vërtetë golgotën komuniste, ku antarët e saj vetëm për mbiemërin që bartin, u vranë, u burgosën, u internuan dhe u dërguan në kampe përqendrimi. Duke u mbështetur në të dhënat e këtij libri familja Mirakaj ka vuajtur si familje gjithsejt 950-vjetë dënim në burgje dhe në kampe të ndryshme të internimit anë e mbanë Shqipërisë, përfshirë atë në Lushnje, Tepelenë e tjera. Libri i kushtohet Nënës së autorit, e cila ka vdekur në internim, me këto fjalë:
E tash o nanë….,
Ti, kujtimi ma i ambël e i dhimbshëm i kësaj jete!
Nuk ke mbetë gja tjetër veç nji kujtim
e nji grusht Eshtna të Bekuem,
nën nji grumbull dheut.
Pa asnji shënjë Varrit, pa nji Kryq drunit…
Afër Kështjellës së Tepelenës,
Që nuk di as vet se ku!
Syrgjyn edhe për së vdekuni!
Mbi familjen Mirakaj dhe mbi vet figurën e Kol Bib Mirakës, siç shkruan edhe Fritz Radovani në parathënjen e këtij libri, me të pa drejtë dhe pa asnjë arsye është hedhur vetëm baltë për pothuaj 70-vjetë. Kol Bib Mirakaj, me anë të këtij libri ka lënë pas testamentin e tij politik mbi ngjarjet kronologjike të kohës që jetoi, si një vepër dokumentare, jo vetëm për familjen e tij padrejtsisht shumë të vuajtur, por edhe një shërbim për historiografinë shqiptare të periudhës që ai jetoi. Është një burim i dorës së parë, nga njëri prej protagonistëve kryesorë të nacionalizmit shqiptar, që në mendimin tim – duke marrë parasyshë fazën dhe rrethanat historike nën të cilat jetoi e veproi — kontribon shumë në zhdukjen e perceptimeve të gabuara, të paragjykimeve negative mbi arsyen dhe të disa mjegullimeve që gjithnjë mbizotërojnë në disa qarqe, rreth emërit dhe veprimtarisë së Kol Bib Mirakës dhe familjes së tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: E NJË KOMBI, Frank shkreli, KOL BIB MIRAKAJ: VETVRASJA

“ATA TË CILËT U MOHOJNË LIRINË TË TJERËVE, NUK E MERITOJNË AS PËR VETEN”

April 14, 2015 by dgreca

ABRAHAM LINKOLNI ME RASTIN E 150-VJETORIT TË VRASJES/
Nga Frank Shkreli/
Abraham Linkolni u zgjodh presidenti i 16-tët i Shteteve të Bashkuara në vitin 1861 dhe dy vjetë më vonë më 1863 nënshkroi Proklamatën e Emancipimit me të cilën deklaroi lirinë e përhershme për skllevërit mbrenda Konfederatës. Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit president, Linkolni paralajmëroi shtetet e Jugore të Amerikës të cilat ishin kundër heqjes së skllavërisë se: “Është në duartë tuaja, bashkatdhetarët e mij të pakënaqur dhe jo në dorën time, çështja e rendësishme e luftës civile. Qeveria nuk do t’ju sulmojë…Por as ju nuk keni ndonjë të drejtë Hyjnore për të shkatërruar qeverinë, ndërkohë që unë kam detyrën dhe përgjegjësinë e shënjtë për ta ruajtur, për ta mbështetur dhe mbrojtur atë.” Si president, Abraham Linkolni punoi shumë për një organizim të fortë të Partisë Republikane dhe mundi të siguronte edhe përkrahjen e shumë demokratëve në favor të kauzës për bashkimin e shteteteve dhe kundër skllavërisë.
Linkolni e konsideronte ndarjen e vendit veri-jug si të paligjshme dhe ishte i gatëshëm të përdorte forcën në mbrojtje të Bashkimit dhe të ligjeve Federale. Por kur forcat e shteteve jugore sulmuan “Kështjellen Sumter” duke detyruar dorëzimin e saj forcave të jugut, Linkolni u bëri thirrje shteteve të veriut për regjistrimin e 75.000 vullnetarve për të kundërshtuar këtë akt dhe kështu filloi Lufta Civile amerikane. Lufta Civile ishte një luftë e tmershme, njëra ndër më të përgjakshmet e atij shekulli gjatë së cilës, nga të dy palët, humbën jetën mbi 600.000 veta, por megjith sakrificat e pa imagjinueshme njerzore, ishte një luftë kundër skllavërisë, një luftë që më në fund siguroi të drejtat dhe liritë e barabarta për të gjithë brezat e ardhëshëm në Amerikë dhe frymëzoi mbarë botën. Si përfundim i këtyre sakrificave të mëdha, Amerika doli nga kjo luftë si një komb më i mirë, më i fortë dhe më i drejtë, për të gjithë. Kjo është një meritë e madhe e Abraham Linkolnit, e këtij emancipatori të madh të Amerikës dhe të botës, 150-vjetori i vdekjes i të cilit po shënohet në kryeqytetin e kombit në Washington si dhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara.
Linkolni bëri ç’mos që bota të mos harronte se Lufta Civile kishte të bënte me një çështje shumë më të madhe dhe më të rëndësishme se sa edhe Bashkimi i kombit. Ai e deklaroi këtë bindje në mënyrën më emocionale që është e mundur, në fjalimin që ka mbajtur në varrezat ushtarake në Gettysrburg duke thënë se, “Jemi këtu për të vendosur njëherë e mirë që këta ushtarë të rënë të mos kenë vdekur kotë — se ky komb nën kujdesin e Perëndisë, do të ketë një lindje të re të lirisë — dhe se qeveria e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga faqja e dheut.” Ishte ky një mesazh për Amerikën po se spo, por edhe për mbarë botën.
Vetëm pesë ditë pasi mori fund Lufta Civile në Shtetet e Bashkuara dhe para pajtimit të Veriut dhe Jugut, më 14 prill, 1865 u plagos rëndë Presidenti Abraham Linkoln nga plumbi i një vrarësi, simpatizant i kauzës së Jugut gjatë Luftës Civile. Një ditë më vonë, më 15 prill, Linkolni vdiq nga plagët e marra. Ishte ora 7:30 në mengjes, kur zemëra e tij e madhe pushoi së rrahuri, e një burri që është cilësuar si, “miku i të varfërve, emancipuesi i të shtypurve dhe kampioni i zgjedhur i lirisë”. Shpirti i tij u këthye tek Perëndia në të cilin ai besonte fuqishëm dhe me plot bindje se sipas tij, me punën dhe veprat ai ishte në rrugën e drejtë të planeve dhe të gjykimeve të Krijuesit. Në lidhje me këtë, Linkolni citohet të ketë thënë me një rast se, “Nëqoftse Zoti do që murtaja e keqe e luftës (civile) të vazhdojë deri në përmbytjen dhe shkatërrimin e pasurisë së grumbulluar gjatë 250 vjetëve me punë të detyrueshme dhe derisa çdo pikë gjaku e shkaktuar nga përdorimi i kamxhikut, të paguhet me një tjetër pikë gjaku shkaktuar nga shpata, atëherë, ashtu si ka është thënë tre mijë vjetë më parë, të vazhdohet të thuhet edhe tani se, “Gjykimet e Zotit janë të drejta dhe të vërteta.”

Kombi amerikan ka përjetësuar kujtimin e tij me një përmendore madhështore prej mermeri në Washington, ku pas trupores së Linkolnit, lartë në faqen e murit janë të shkruara këto fjalë: “Në këtë tempull – si dhe në zemërat e njerzëve për të cilët ai shpëtoi bashkimin e kombit – Kujtimi i Abraham Linkolnit – Është i shënjtëruar për gjithmonë”. Por kujtimi i Abraham Linkolnit tejkalon kufijtë e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që jeta dhe veprimtaria e tij ka gjetur jehonë kudo në botë ku popujt janë historikisht shfrytëzuar nga regjime dhe diktatorë të ndryshëm, e ku historia ka shënuar krimet e njeriut kundër njeriut në pothuaj çdo vend të botës dhe në të gjitha periudhta e historisë së njerëzimit. Jeta dhe veprimtaria e Presidentit Abraham Linkoln është përjetësuar gjithashtu edhe me botimin e numrit më të madh të librave mbi jetën dhe veprimtarinë e tij, në krahasim me presidentët e tjetër amerikanë — duke marrë parasyshë edhe botimet në gjuhët e huaja — përfshirë edhe të pakën dy libra në shqip, për të cilët kam dijeni unë — libri i Xhevat Kallajxhiut me titullin thjeshtë Linkoln, një biografi e botuar në New York në vitin 1961 dhe në vitin 1926, Konstantin Çekrezi ka botuar shënime mbi jetën e këtij udhëheqsi amerikan.

Vdekja e parakohshme e Abraham Linkolnit ishte një humbje e madhe për kombin amerikan, ndërkohë që shumë historianë amerikanë dhe të huaj thonë se ai tani u përket brezave të të gjitha kohërave dhe mbarë botës. Jo vetëm Amerika, por edhe bota e atëhershme mbajti zi për vdekjen e tij, 150-vjetë më parë. Revista amerikane Atlantic në numrin e fundit sjellë reagimet botërore të para 150-vjetëve mbi vrasjen e Linkolnit nga njerëz të thjeshtë dhe nga qarqet zyrtare dhe diplomatike të asaj kohe. Madje bota e atëhershme, sipas revistës, konsideronte se vdekja e Abraham Linkolnit mund të kishte pasur të njëjtin efekt në historinë e ndryshimeve në botë sa edhe vrasja e Jul Cezarit, ndonëse për arsye të ndryshme. Revista thotë se sidomos europianët shikonin në presidentin Linkoln dhe në eksperimentin amerikan një vlerësim të idealizuar edhe të aspiratave të tyre. “Abraham Linkolni nuk është vetëm i juaji — ai është gjithashtu edhe i yni”, shkruanin në atë kohë qytetarët e qytetit të vogël Sicilian, Acireale, “sepse ai ishte një vëlla, mendja dhe ndërgjegjëja e guximshme e të cilit udhëhoqi një popull drejtë bashkimit dhe trimërisht çrrënjosi skllavërinë.” Por reagimi më domethënës thotë revista në fjalë mbi vdekjen e Linkolnit, erdhi nga gazeta la Opinion në Bogota të Kolombisë, e cila shkruante se në kuptimin e fjalës të gjuhës së përditshme, “Abraham Linkolni nuk mund të thuhet se ishte një njeri i madh. Ai nuk gëzonte prestigjin e një fituesi të ndonjë lufte. Ai nuk pushtoi popuj e shtete. Por, ai posedonte diçka shumë më tepër se të gjitha këto së bashku, e që nuk mund të barazohet me asnjë nga glorifikimet e kësaj bote. Abraham Linkolni ishte një instrument i Perëndisë. Burri i quajtur Abraham Linkolni ishte liberatori dhe shpëtimtari i një republike madhështore të kohërave moderne…mishëruesi i një ideje që vlonte si flakë në zemrën e tij e që e ngriti atë në nivelet më madhështore humane — të një shpëtimtari të një race të tërë njerzish. ”
Në Gettysburg, Abraham Linkolni ka mbajtur atë që konsiderohet si fjalimi më i rëndësishëm që mbahet mend në historinë e Shteteve të Bashkuara. Duke dedikuar varrezat ushtarake për mijëra ushtarë që ishin varrosur aty pas Betejës së Gettysburgut e ishte zhvilluar vetëm katë muaj më heret, Presidenti Linkoln megjithë periudhën e vështirë nepër të cilën po klaonte kombi i tij, ai deklaroi besimin dhe bindjen e tij, për një të radhme më të mirë, për themelimin e një, “Kombi të ri, i bazuar në liri dhe i dedikuar ndaj objektivit se të gjithë njerëzit janë të krijuar me të drejta të barabarta.”
Presidenti Linkoln u ri-zgjodh në vitin 1864 ndërkohë që fitorja e shteteve veriore kundër jugut solli mbarimin e luftës. Duke planifikuar të ardhmen e vendit të tij në periudhën e paqës, Linkolni u tregua i gatëshëm për bashkpunim dhe tepër i njerzishëm ndaj kundërshtarve plitië dhe ushtarakë duke inkurajuar shtetet e Jugut që të dorëzonin armët dhe të rindërtonin vendin. Në këtë frymë, ai iu drejtua të gjithë bashkombasve të vet me rastin e inaugurimit të dytë, me fjalë të cilat tani janë shkruar në Memorialin Linkoln në Washington: “Me keqdashje kundër askujt, me dashuri e bamirësi për të gjithë, me vendosmëri në mbrojtje të së drejtës, ashtu si na e bën të mundur Perëndia ta shohim të drejtën — le të përpiqemi të përfundojmë punën që kemi filluar dhe të shërojmë plagët e kombit….”
Historianët dhe shkencëtarët politikë amerikanë e konsideorjnë Abraham Linkolnin si presidentin më me influencë të Amerikës, madje disa e venë në vendin e parë për nga arrijtet dhe trashëgimia historike, në krahasim edhe me më të dalluarit siç janë, Franklin Roosevelt, George Washington, Theodore Roosevelt, Thomas Jefferson, Andrew Jackson, Woodrow Wilson, Harry Truman dhe Ronald Reagan. Kështuqë sipas vlerësimit të shumë historianëve por edhe të publikut, Abraham Linkolni konsiderohet edhe sot –150-vjetë pas vdekjes së tij — si Presidenti më i mirë i këtij vendi. Ata vlerësojnë se asnjë president tjetër në historinë e Amerikës nuk është përballur me ndonjë krizë më të madhe se ç’ishte Lufta Civile amerikane, dhe asnjë president deri tani nuk ka arritur aq sa mundi të arrinte dhe të realizonte për kombin e vet Presidenti Abraham Linkoln.

Filed Under: Histori Tagged With: Abraham Linkolni, Frank shkreli, liria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 128
  • 129
  • 130
  • 131
  • 132
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT