• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZGJEDHJET E PARA PLURALISTE NË SHQIPËRI MARS/PRILL, 1991

April 2, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhënjet diplomatike më 15 Mars 1991, kur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Muhamet Kapllani dhe ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Raymond Seitz nënshkruan atë ditë Memorandumin e Mirëkuptimit, në prani të dhjetëra shqiptaro-amerikanëve dhe zyrtarëve nga të dy vendet.

Më 1945 Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike me Shqipërinë, ndër të tjera, me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, duke dërguar atë vit një mision në Tiranë për të biseduar mbi këtë çështje. Por, sipas Departmentit të Shtetit, qeveria komuniste e Enver Hoxhës i kërkoi misionit amerikan që të largohej nga Shqipëria.  Ashtu edhe ndodhi.  Diplomatët amerikanë u dëbuan ga Shqipëria komuniste, për të mos u këthyer në Tiranë deri në vitin 1991.

Pothuaj e njëjta procedurë qe ndjekur nga Amerika edhe në Mars/Prill 1991, kur menjëherë pas nënshkrimit të  rivendosjes së marrëdhnjeve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës më 15 Mars, Departmenti Amerikan i Shtetit vendosi që të dërgonte sa më shpejtë një delegacion diplomatik në Shqipëri për të hapur ambasadën e re dhe  njëkohësisht për të shërbyer si monitotues në zgjedhjet e para pluraliste, ndonëse jo të lira, që ishin në plan të mbaheshin në Shqipëri më 31 Mars, 1991.  Një delegacion i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Swartz, arrijti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit,dhe në javë para zgjedhjeve, duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që vizitonte Shqipërinë, ç’prej vitit 1946.

Ndonëse në raste të mëparshme kam shkruar mbi vizitën e misionit të parë amerikan në Tiranë më 199, si dhe për  marrëdhënjet shqiptaro-amerikane që kanë vazhduar të lulëzojnë ç’prej asaj date, kësaj rradhe deshta të përkujtojë shkurtimisht, atmosferën e zgjedhjeve të para pluraliste nga pikëpamja e një monitoruesi të atyre zgjedhjeve, si anëtar i delegacionit amerikan.  Megjithëse gjendja politike kishte ndryshuar shumë në një vend si Shqipëria që ishte sunduar nga thundra e hekurt e një prej regjimeve më barbare të botës komuniste — zgjedhjet e 31 Marsit, 1991 ishin hapi i parë drejtë liberalizimit, drejtë hapjes së Shqipërisë ndaj botës dhe procesit të gjatë të demokratizimit të jetës në vend, pas një izolimi të vet-imponuar prej pothuaj 50-vjetësh.

Procesi i zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri,  nuk ishte as i lirë dhe as i ndërshëm, sepse ligjet dhe rregullat për zgjedhjet e para pluraliste ishin përpiluar nga partia në fuqi, dmth. Partia e Punës — dhe  natyrisht ishin në favor të saj, duke u mohuar partive të tjera të posa formuara barazinë dhe të drejtën e barabartë për të zhvilluar një fushatë efektive.

Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi mjetet e komunikimit dhe median, ndërkohë që partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin patur kohë të majftueshme për tu përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as përvojën e nevosjhme për tu prëballur me Partinë e Punës që i kishte rrënjët thellë.  Në të vërtëtë, nga vizitat që bënim tek qendra e Partisë Demokratike dhe tek ajo e Partisë Republikane – që ishin dy partitë kryesore të opozitës — në Tiranë si edhe në zyrat e tyre në rrethe, shihej konfuzioni  i tyre, për të mos thënë  mbizotëronte një kaos i vërtetë, falë mungesës së përvojës për të organizuar një fushatë, sidomos kundër një partie që kishte kontrolluar dhe pentruar çdo aspekt të jetës së shqiptarëve, për pothuaj një gjysëm shekulli.

Listat e kandidatëve për rrethe të ndryshme të partive të opozitës, në shumë raste, nuk ishin të plota dhe në shumë zona të vendit, partitë e opozitës nuk kishin zgjedhur as kandidatë për arsye se koha për tu përgatitur për zgjedhjet ishte aq e shkurtër.  Në të vërtetë, Partia e Punës kishte vendosur që – për të minimizuar rolin e partive të tjera, zgjedhjet të mbaheshin në fillim të Shkurtit, ashtuqë opozita të kishte edhe më pak kohë për tu përgatitur, por më në fund kishte vendosur që – si   një gjest “vullneti të mirë” ndaj opozitës, zgjedhjet të shtyheshin  dhe të mbaheshin me 31Mars.  Megjithkëtë, ishte një atmosferë tejet e pafavorshme për kandidatët e partive politike të posa formuara, në krahasim me ata të Partisë së Punës, e cila manipulonte burimet dhe mjetet shtetërore në favor të kandidatëve të saj.

Në zyrat e partive të opozitës vihej re një mungesë dëshpëruese e mjeteve bazë për funksionimin e një zyre të thjeshtë, lere më të një qendre ose zyrë funksionale për drejtimin e zgjedhjeve kombëtare dhe për shpërndarjen e programit dhe mesazheve të opozitë elektoratit shqiptar.  Megjithëse votimet u cilësuan nga shumica e monitoruesve të huaj, sidomos europianëve, në përgjithësi si të drejta dhe të lira, delegacionet monitoruese amerikane refuzuan t’i cilësonin si të tilla. Një prej tyre, Instituti Kombëtar Republikan ka thënë në raportin e tij se “fushata e zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të karakterizohej as si e drejtë dhe as e lirë.”  Edhe Departmenti Amerikan i Shtetit, nepërmjet zëdhënses Margareth Tutwiler në Washington bëri një deklaratë me 3 Prill, 1991, duke informuar median amerikane se, “Duke u bazuar në raportet e monitoruesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, duket se procesi elektoral kishte mangësi serioze në disa fusha me rëndësi të standardeve të OSBE-së për zgjedhje të drejta dhe të lira.”  Zëdhënsja e Departmentit Amerikan të Shtetit, tha duke iu referuar Shqipërisë si një vend pa përvojë demokratike, se “tani është në dorë të të gjithë elementëve të shoqërisë shqiptare për të mbështetur që sistemi i ri pluralist të funksionojë në mënyrë efektive”, duke theksuar se, “Partia e shumicës duhet që të respektoj plotësisht të drejtat e partive më të vogëla”, dhe përfundoi duke shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara se ato “Do të mbështesin vendosmërisht parimet e demokracisë në Shqipëri, si edhe ata që veprojnë për të ndërtuar demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut.”, deklaroi para 23 vjetëve, zëdhënsja e Departmentit Amerikan të Shtetit, pas zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri.

Fitorja e Partisë së Punës shkaktoi revolta në disa qytete, përfshirë Shkodrën ku për fat të keq të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, pas zgjedhjeve, me 2 Prill u vranë Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, dhe  u plagosën afër 30 të tjerë.  Fatkeqsisht, edhe sot pas 23 vjetësh të këtyre vrasjeve, siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë e vendit,  nuk është zhvilluar ndonjë proces drejtësie për ata që ishin drejtë për drejtë përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerzve të pafajshëm. Thuhet se këto të shtëna, të cilat sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër  jehona e të cilave kumbon edhe sot për drejtësi në koridoret e instiucioneve qeveritare e shtetërore, 23 vjetë pas zgjedhjeve pluraliste.   Më kujtohet mirë se megjithë shpresat e mëdha për një fillim të ri, për një shoqëri më të drejtë dhe më tolerante për Shqipërinë post komuniste, vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, në radhët e delegacioneve të huaja në Tiranë, si një shënjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Mos zbardhja e këtyre vrasjeve deri më sot, justifikon dyshimet  e tyre, 23 vjetë më vonë.

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend në Mars/Prill 1991.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 1991, Frank shkreli, mars-prill, ne Shqiperi, Zgjedhjet e para pluraliste

KUR TAKOHEN PAPA DHE PRESIDENTI

March 30, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi, si pjesë e turneut të tij në disa vende të Europës, Presidenti i Amerikës Barak Obama bëri edhe një vizitë në Vatikan ku u takua me udhëheqsin e Kishës Katolike, Papa Françeskun.  Takimet midis presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe papëve të Romës kanë një traditë të gjatë, një histori prej pothuaj një shekulli.  Takimi i parë shënohet të jetë bërë midis Presidentit amerikan Woodrow Wilson dhe Papa Benediktit të XV në Vatikan, me në Janar, të vitit 1919, menjëherë pas mbarimit të Luftës së parë Botërore.  Monsinjor Robert Wisner, një profesor i historisë kishtare pranë universitetit Seton Hall, në shtetin amerikan Nju Xhersi tha për Agjencinë Katolike amerikane të lajmeve se ai takim, pothuaj 100-vjetë më parë, duhet të ketë qenë shumë interesant, për faktin sepse si Presidenti Wilson, ashtu edhe Papa Benedikti i XV, kishin pikpamje të njëjta dhe dëshirë të përbashkët për t’i dhënë fund luftës dhe për të promovuar paqën në Europë dhe anë e mbanë botës.  Monsinjor Wisner tha se plani i  famshëm i Presidentit Wilson për paqë prej 14-pikash, të cilin ai ja paraqiti Kongresit në Janar të vitit 1918, pasqyronte shumë prej ideve të njoftuara një vit më parë, nga Papa Benedikti i XV në propozimin e tij për paqë, në gusht të vitit 1917.  Wilsoni dhe Papa Benedikti i XV kishin shkëmbyer korrspondencë në lidhje me negocitatat për t’i dhënë fund Luftës së parë Botërore.  Në një prej korrespondencave dërguar Presidentit Wilson, Papa Benedikti i XV i shkruan Wilsonit se, “Njerëzimi i ka përqendruar shpresat dhe sytë tek Presidenti i madh, i demokracisë më të madhe në botë”, për t’i dhënë fund luftës.

Është vështirë të dihet se për çfarë u bisedua në hollësi midis Presidentit Obama dhe Papa Françeskut në takimin e parë midis tyre, javën e kaluar, takim ky që zgjati pothuaj një orë, siç komentoi një gazetë “Vetëm Zoti dhe ata të dy e dinë”. Por, pas takimit, të dy palët kanë bërë prononcime zyrtare mbi disa prej  çështjeve që u biseduan nga  Presidenti amerikan dhe Papa.  Presidenti Obama u shpreh se në takimin me Papën u bisedua mbi një numër çështjesh, por ata u përqëndruan, sipas tij, mbi dy çështje kryesore: Njëra, tha presidenti Obama, ishte “gjëndja e të varfërve, e atyre të lënë pas dore dhe për të cilët nuk kujdeset askush, për situatën e atyre për të cilët nuk kanë kurrfarë perspektive në jetë, si dhe mbi mosbarazinë  që eksziton dhe që është në rritje e sipër në botë.”  Zoti Obama shtoi se, “Ne i kushtuam shumë kohë edhe sfidave që paraqesin konfliktet për njerëzimin, dhe biseduam gjithashtu edhe për mungesën e paqës në botë.”  Besoj, tha Presidenti Obama, se mund të thuhet që tema kryesore e bisedimeve me Papën ishte, “rëndësia që duhet t’i kushtohet  identifikimit me qëndrimet dhe pikpamjet e ndryshme midis njëri tjetrit dhe nevojës për tu kujdesur për të afërmit — për të tjerët — madje edhe nëqoftse ata duken dhe flasin ndryshe, madje edhe nëqoftse ata mendojnë ndryshe dhe nuk ndajnë të njëjtën fillozofi me ju”.  Kjo është kritike, tha Z. Obama, pasi mungesa e identifikimit dhe mos pranimi i atyre që nuk mendojnë dhe nuk veprojnë si ne, e bën më të lehtë mundësinë që të zhytemi në luftë ose në konflitke me njëri tjetrin.  Është mungesa e këtij identifikimi dhe e pranimit të njëri tjetrit, pa marrë parasyshë ndryshimet midis nesh, që na shtynë të injorojmë dhe të anashkalojmë të tjerët, përfshirë  edhe të pastrefët në rrugë. Dhe natyrisht që “Baza e besimit tim të krishtërë”, tha Presidenti Obama, i cili është protestan, “është që t’i trajtoj të tjerët ashtu si unë do të dëshiroja që ata të më trajtojnë mua. Unë mendoj se kjo është arsyeja që Shënjtëria e Tij ka nxitur dhe tërheq kaq dashuri dhe ndjenja pozitive për veten, sepse duket se ai beson dhe jeton në bazë të kësaj fillozofie, dmth., se i afërmi duhet të trajtohet ashtu siç dëshirojmë që edhe të tjerët të na trajtojnë ne”.  Ky ishte vlerësimi i Presidentit Obama, për Papa Françeskun,  ndërsa komentoi mbi takimin që zhvilloi me ‘të javën e kaluar, në Vatikan.

Ndërsa në një deklaratë të Vatikanit thuhet për bisedimet dy palëshe, se në lidhje me çështjet ndërkombëtare, Papa Françesku dhe presidenti Obama, “patën një shkëmbim mendimesh mbi disa tema aktuale ndërkombëtare, ku u theksua shpresa se në zonat e konfliktit do të ketë respekt për ligjet humanitare dhe ndërkombëtare,   dhe një zgjidhje të problemeve me anë bisedimesh midis palëve në konflikt.”  Në deklaratë thuhet gjithashtu se “të dy palët u angazhuan për të luftuar trafikimin e qenjeve njerëzore në botë.”

Pas takimit me Papën, Presidenti Obama dhe këshilltarët e tij të politikës së jashtme, Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerry dhe Këshilltarja për Sigurimin Kombëtar, Susan Rice u takuan edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, për të vazhduar bisedimet mbi gjëndjen ndërkombëtare në botë.

Gjatë një konference me shtypin në Romë, Presidenti Obama vuri në dukje se megjithë ndryshimet në pikëpamje mbi disa çështje midis tij dhe Papës, udhëheqsi amerikan tha se është detyra e ne politikanëve që të përpilojmë politika për zgjidhjen e këtyre çështjeve aktuale, por Shënjtëria e tij, shtoi ai, ka kapacitetin që tu hapë sytë njerëzve që të shohin seriozitetin dhe të vlerësojnë rëndësinë e këtyre qëllimeve.

Një prej këtyre çështjeve mbi të cilën ai bisedoi me Papën, tha Z. Obama, ishte çështja e reformës së ligjeve mbi imigracionin në Shtetet e Bashkuara.  Ai shtoi se Papa dhe Vatikani, “kanë qenë transparent mbi qendrimet e tyre mbi një numër çështjesh të ndryshme, me disa prej të cilave unë nuk jam dakort”, theksoi Z. Obama, “por me shumicën e të cilave jam dakort” me qëndrimet e Papës.  Por megjithëse ka marrëveshje mbi një numër çeshtjesh, Zoti Obama u tha gazetarve se ai nuk pret që Papa Françesku të hyjë në ndonjë partneritet ose koalicion as me të as me ndonjë udhëheqës tjetër politik, dhe as nuk ka në mend  të promovojë ndonjë  çështje ose qëndrim politik, ose të ndonjë natyre tjetër.  Por, ai shtoi se beson se ekziston mundësia e një përafrimi të atyre qëndrimeve dhe programeve politike, për të cilat politikanët duhet të mendojnë dhe të punojnë dhe të çështjeve me rëndësi për të cilat flet Papa, nga pikpamja e një udhëheqsi fetar, i cili tha Presidenti Obama, ”na kujton se cilat janë përgjegjësitë tona morale dhe etike”, si politikanë dhe si udhëheqës.  “Duke marrë parasyshë autoritetin e tij të lartë moral”, tha Presidenti Obama në një intervistë me gazetën italiane Corriere della Sera, “kur flet Papa, fjala e tij ka peshë shumë të madhe.  Me autoritetin e tij, ai mund të bindë njerzit që të ri-shqyrtojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e vjetëra jo tolerante, të ngulitura në mendjen e tyre dhe të fillojnë të trajtojnë njëri tjetrin me më shumë respekt, dinjitet dhe mëshirë”, tha presidenti Obama.

Takimi i Presidentit Obama në Vatikan ishte pjesë e një udhëtimi prej gjashtë ditësh që ai bëri në Holandë dhe në Belgjikë dhe më në fund, në Arabinë Saudite.  Para se të shkonte në Vatikan, Presidenti Obama u takua me udhëheqës të lartë të Bashkimit Europian dhe të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, për të biseduar me aleatët, marrjen e masave konkrete ekonomike dhe strategjike ndaj Rusisë, si ndëshkim për invadimin rus të Krimesë.

Marrëdhënjet midis Vatikanit dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë shpesh indifirente dhe jo gjithmonë miqësore.  Kjo ka ndodhur për arsye historike sepse Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe kryesisht ende janë një vend me shumicë protestane, dhe shpesh në të kaluarën kanë shpërthyer ndjenja anti-katolike, ndërkohë që Vatikani, nga ana e tij, shpesh ka kritikuar politikën e jashtme amerikane si dhe politikat e mbrendshme të SHBA-ës, si abortin dhe çështje tjera, por gjithmonë në një nivel respekti midis dy palëve.   Megjithkëtë, presidentët amerikanë të 100- vieteve të kaluara, ashtu siç bëri edhe presidenti aktual, Z. Obama me rastin e vizitës së tij të fundit në Vatikan, vazhdimisht kanë shprehur admirimin e tyre për Selinë e Shënjtë, për udhëheqsit  e Kishës Katolike dhe për rolin e tyre në botë.  Por ishte Presidenti Ronald Reagan, ai i cili i ngriti këto marrëdhënje në një nivel të panjohur më parë.  Gjatë mandatit të tij të pare, Presdienti Reagan zbuloi në Papa Gjon Palin e dytë — Papën me origjinë polake –një aleat të ngushtë të Luftës së Ftoftë, një Papë ky i cili nuk hesitoi të sfidonte Moskën dhe komunizmin ndërkombëtar dhe të predikonte në favor të lirisë fetare dhe të drejtave të tjera bazë të njeriut, anë e mbanë botës komuniste.

Në lidhje me marrëdhënjet aktuale midis Washingtonit dhe Vatikanit, Departmenti Amerikan i Shtetit thotë në portalin e tij se Shtetet e Bashkuara dhe Vatikani konsultohen dhe bashkpunojnë mbi çështje të interesit të përbashkët, përfshirë të drejtat e njeriut, mirëkuptimin ndër-fetar, paqën, parandalimin e konflikteve, zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Shtetet e Bashkuara kanë njohur zyrtarisht Vatikanin më 10 Janar, 1984, kur Presidenti Ronald Reagan dhe Papa Gjon Pali II ranë dakort për vendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis Washingtonit dhe Vatikanit.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE PRESIDENTI, Frank shkreli, KUR TAKOHEN PAPA

DREJTËSI PËR VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

March 28, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/Më heret këtë muaj në Budapesht të Hungarisë filloi gjyqi i një prej ish-zyrtarëve më të lartë komunist të atij vendi, i akuzuar për krime që kanë lidhje me vrasjet e ndodhura pas revolucionit anti-komunist të dështuar hungarez, në vitin 1956.  Ish-zyrtari i lartë komunist hungarez, i cili gjëndet përball akuzës për krime lufte dhe krime kundër njeërzimit quhet Bela Biszku në moshën 92-vjeçare dhe ish-ministër i punëve të mbrendshme të regjimit komunist pas revolucionit anti-sovjetik.  Sipas burimeve të mediave të ndryshme hungareze dhe  ndërkombëtare,  ai akuzohet se kishte gisht në vrasjen e protestuesve paqësorë anti-komunistë dhe anti-sovjetikë.  Agjencia e lajmeve Reuters njofton se ky është një gjyq me rëndësi për Hungarinë, sepse mund të ndihmojë vendin që të përballet më lehtë me të kaluarën e vet komuniste.

Ndërkohë që Polonia dhe disa vende të tjera ish-komuniste kanë miratuar ligje lustracioni, gjë që e ka bërë më të lehtë periudhën e tranzicionit në atë vend,  Hungaria konsiderohet si ndër ato vende ish komuniste të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë plotësisht drejtësinë për viktimat e barbarizmave të regjimit komunist.  Njoftohet se ky gjyq ka tërhequr vëmendjen e medias mbrenda dhe jashtë Hungarisë dhe se tani zhvillimi i gjyqeve të tilla në atë vend, bëhet i mundur në saje të një ligji të ri hungarez, në bazë të cilit — krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerërzimit nuk u skadon kurrë afati.  Kjo është në përputhje me ligjet e shumë vendeve  në bazë të cilave, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njeërzimit nuk u skadon afati kurrë, ndërkohë që marrëveshjet dhe normat ndërkombëtare  i konsiderojnë krimet komunist, si krimet më të këqia që mund të jenë bërë ndonjëherë.

Bela Biszku, i cili ka shërbyer si ministër i punëve të mbrendshme nga viti 1957 deri më 1961, dhe njëri ndër udhëheqsit më të lartë komunist të Hungarisë, i ka mohuar akuzat kundër tij.  Dihet se pas shtypjes barbare të  revolucionit hungarez nga tanket sovjetike, me qindra anti-komunistë hungarezë u ekzekutuan dhe dhjetëra mijëra të tjerë u burgosën, gjatë kohës që Biszku shërbente si ministër i mbrendëshëm i regjimit komunist të Hungarisë.  Prokuroria thotë se Biszku si anëtar i lartë i të ashtuquajturit Komiteti i Përkohëshëm Ekzekutiv, ai ka marrë vendime dhe ka dhënë urdhëra për të eliminuar armiqët, dhe për t’i eliminuar ata pa mëshirë.

 

Partia e Kryeministrit të tanishëm të Hungarisë, Z. Viktor Orban, një anti-komunist i vendosur, është shprehur se gjyqe të tilla duhet të ishin mbajtur shumë kohë më parë, duke theksuar se ata që kanë kryer krime serioze gjatë sundimit të regjimit komunist duhet të mbahen përgjegjës njësoj si kriminelët nazistë të luftës.   Media vendore thotë se nga pikëpamja e jurisprudencës, ky gjyq përbën një pikëkëthesë me rëndësi në historinë ligjore të vendit, duke mundësuar kështu që shoqëria hungareze  të mësojë, më në fund,  të vërtetën mbi krimet e regjimit komunist në Hungari.  Por përveç kësaj, sipas historianit hungarez Tibor Zinner, i cili citohet të ketë thënë se gjyqi i ish-zyrtarit të lartë komunist hungarez Bela Biszku, sjellë një dobi tjetër me rëndësi, pasi shënon fundin e një standardi të dyfishtë, që ndryshe trajtonte krimet e nacizmit dhe ndryshe krimet e komunizmit.  Historiani hungarez ka thënë gjithashtu se ky gjyq ka rëndësi për faktin se ndonëse në të kaluarën, zyrtarë komunistë të nivelit më të ulët janë gjykuar dhe dënuar për krimet e tyre, asnjë prej ish-udhëheqsve më të lartë politikë të regjimit komunist hungarezë nuk kanë dalur për të dhënë llogari para gjyqit për krimet e tyre.

Edhe Shqipëria, ndonëse kishte regjimin më të egër komunist në Europën Lindore,    është një ndër vendet që ka bërë më pak ose aspak në këtë fushë, në krahasim me vendet e tjera, duke treguar një mungesë vullneti për tu përballur me të kaluarën e saj komuniste.  Duket sikur shoqëria shqiptare në përgjithësi nuk është aspak e disponuar dhe hiç e interesuar, përfshirë edhe median shqiptare, për të zbardhur atë histori.  Ndërkohë që mediat europiane dhe më gjërë ka shkruar dhe komentuar gjërë e gjatë për gjyqin në Hungari, si dhe raste të tjera gjyqesh të tilla në ish vendet komuniste, është interesant fakti se pse media shqiptare, me ndonjë përjashtim aty këtu, siç është gazeta Telegraf, nuk flet shumë për fatin e keq të viktimave të regjimit komunist në Shqipëri dhe as nuk përmend kurrë raste të tilla gjyqesh në vendet ish komuniste, duke ndejtë larg përmbajtjes si dhe simbolizmit historik që përcjellin këto gjyqe.

Pas më shumë se 20-viteve ç’prej rënjes së komunizmit në Europë, me përjashtim të Polonisë, Çekisë, Gjermanisë dhe të ndonjë vendi tjetër, vendet e tjera ish komuniste nuk kanë miratuar ligje të nevojshme për tu përballur me të kaluarën, ndërkohë që gjykatat e tyre janë treguar të paafta për të dënuar krimet kundër njerëzimit dhe torturat e diktaturës komuniste.

”Për të ndejë shtrembët dhe për të folur drejtë”, gjatë këtyre 20-viteve, as Përendimi nuk ka treguar ndonjë interesim të madh për të dënuar krimet komuniste, siç kishte bërë me dënimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore.  Kjo, sipas ekspertëve ka ndodhur për arsye se nazistët kanë kryer krime kundër popujve të tjerë, e si e tillë nevojitej një përgjigje ndërkombëtare ndaj krimeve të nazismit, ndërsa komunistët kanë torturuar dhe kanë vrarë popullin e vet.   Mos dënimi i krimeve të komunizmit është një çështje aq shqetësuese anë e mbanë Europës, sa që ka shtyrë disa ekspertë ligjorë dhe politikanë europianë, pjesëmarrës në një konferencë ndërkombëtare mbajtur kohë më parë në Bruksel –në përpjekje për të kapërcyer këtë mungesë drejtësie – të bëjnë thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të vendosur drejtësinë në vend për krimet komuniste anë e mbanë Europës — si një ndërmarrje kjo themelore që synon respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.  Konferenca e Brukselit ka theksuar rëndësinë e nevojës për vendosjen e drejtësisë për krimet komuniste, duke marrë parasyshë krizën e sotëme ekonomike, si dhe kërcënimet e rreziqet që vijnë nga lëvizjet ekstremiste të kohëve të fundit në Europë.  Një numër organizatash europiane kanë përkrahur idenë e krijimit të një gjykate të re ndërkombëtare për tu marrë me krimet e komunizmit. Nëse kjo nismë do të realizohet, kjo është një pyetje tjetër. Por, një gjë është e sigurt, se krimet ndaj viktimave të komunizmit do të mbeten një subjekt i gjallë i cili prekë thellë ndërgjegjen morale të të gjithë europianëve, përfshirë edhe shumë shqiptarëve, dhe do të mbetet i tillë përderisa të mos ketë një ballafaqim serioz me këtë murtajë të shekullit të kaluar.

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri hungarez i Drejtësisë, Tibor Navracsics në një ceremoni përkujtimi për viktimat e komunizmit muajin që shkoi në Muzeumin e Shtëpisë së Terrorit në Budapesht,kushtuar viktimave të komunizmit, tha se “personat që ne i quajmë viktima të komunizmit, nuk janë tulla të shtypjes, por janë blloqe themeli të lirisë tonë”.   Ai theksoi se fatet e secilit prej viktimave të komunizmit bashkohen në historinë e kombit, pasi ka aq shumë tregime e plagë, sa ka edhe njerëz. Ai tha se është e pamundur të përshkruhet se çka mund të kenë menduar ato viktima kur u është marrë toka, ose kur u është mohuar mundësia për të vazhduar studimet,  kur janë sëmur, kur janë prekur nga depresioni ose kur janë detyruar madje edhe të vrasin veten nga torturat.

Askush nuk kërkon hakmarrje për ato që kanë ndodhur, madje as vet ata që kanë vuajtur, e që kanë pësuar trajtimet më çnjerzore. Kërkohet vetëm drejtësi morale për viktimat e komunizmit.   Të këqiat e atij sistemi, përfshirë edhe krimet ndaj kunërshtarve të tij, po injorohen nga shoqëria, por nuk duhet të harrohen. Të pakën pjesa më e madhe e botës demokratike e pranon nevojën për t’i kundërshtuar ato barbarizma dhe për të njohur e kujtuar viktimat e komunizmit, megjitëse kompensimet e plota morale dhe materiale ndoshta janë të pamundura për tu realizuar për shumë prej tyre, kur të merret parasyshë numri i madh i viktimave dhe krimet në shkallë të gjërë që ata kanë pësuar gjatë atij regjimi.  Viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe të vendeve të tjera ish komuniste po presin për pothuaj një çerek shekulli për drejtësi. Fatkeqsisht, bazuar në këtë përvojë historike, ata mund të presin për gjithë jetën!

I nderuar lexues i këtyre rreshtave, a mendon se shoqëria shqiptare ka bërë aq sa duhet dhe aq sa ka mundësi — të pakën nga pikëpamja morale — për tu përballur me trashëgiminë e komunizmit dhe me dënimin e krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist?

Filed Under: Analiza Tagged With: Drejtesi per viktimat, e komunizmit, Frank shkreli

LUFTA NË KOSOVË ISHTE NË MBROJTJE TË VLERAVE NJERËZORE

March 26, 2014 by dgreca

   Nga Frank Shkreli/

Të hënën që kaloi udhëheqsit e vendeve më të industrializuara perëndimore u takuan në Hague për për të biseduar mbi ankesimin e Krimesë nga Rusia dhe si rrjedhim për të vendosur sanksione të tjera ndaj Rusisë si ndëshkim për këtë agresion,  një shkelje kjo e të drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit territorial të Ukrainës.  Një prej ndëshkimeve që udhëheqsit perëndimorë vendosën ndaj Rusisë ishte që të pezullohej antarësia e sajë në G-8.  Arsyeja për këtë, thanë udhëheqsit perëndimorë është se kur Moska u pranua si anëtare grupit të vendeve më të industrializuara në botë,  ata ishin të mendimit se Rusia ndante të njëjtat vlera njerëzore dhe universale me grupin. Është e qartë tani, thanë ata se, me aneksimin e Krimesë, Rusia jo vetëm që nuk ndanë të njëjtat vlera njerzore me vendet perëndimore, por ajo i ka shkelur brutalisht ato të drejta.

I pyetur të martën gjatë një konferencë shtypi me gazetarët në Hague në lidhje me paralelizmat — që janë bërë nga propaganda ruse, përfshirë Presidentin rus Vladimir Putin dhe ambasadorin rus në Tiranë — midis ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë 15-vjetë më pare, dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia kohët e fundit — Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama u përgjigj se, dy rastet janë krejtë të ndryshme nga njëra tjetra dhe se krahasimi i agresionit rus në Krime me rastin e Kosovës 15-vjetë më parë,  sipas tij, ”është një krahasim që nuk ka absolutisht asnjë kuptim”.

Lufta për çlirimin e Kosovës ishte një luftë për të ndaluar agresionin dhe gjenocidin serb kundër popullësisë shqiptare në Kosovë.  Ajo ishte një luftë në mbrojtje të vlerave njerëzore universal, të njohura ndërkombëtarisht dhe të pranuara me marrveshje të nënshkruara nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë nuk u ndërmorën për të aneksuar ose për të grabitur territor.  Ishte një luftë në mbrojtje të vlerave njerëzore. Ishte një ndërmarrje fisnike për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik të popullësisë shqiptare nga trojet e veta mijë vjeçare.

Kjo nuk ndodhi në Krime! Ka zero provë për ndonjë masë kundër rusëve etnikë atje, siç pretendon Putini. Asnjë provë nuk ka se rusët etnikë atje kërcënoheshin me barbarizmat me të cilat u përballën shqiptarët e Kosovës.  Të thuhet se kishte ngjashmëri midis Kosovës dhe Krimesë, është një propagandë përçmuese dhe poshtëruese, dhe është një fyerje ndaj mijëra viktimave shqiptare të masakruara nga forcat terrroriste serbe  të Millosheviqit, si dhe për familjet e tyre. Por, nëqoftse sipas tovarishq Putinit, ekzistojnë paralelizma midis Kosovës 15 vjetë më parë dhe Krimesë sot, atëherë pse nuk e njohe pavarësinë e shtetit të Kosovës?  Jo vetëm që nuk e njeh, por ti dhe diplomatët tu anë e mbanë botës dhe në të gjitha organizmat ndërkombëtare, vazhdoni ta kundërshtoni ekzistencën e shteti të ri të Kosovës, të njohur tanimë nga diplomacia e më shumë se 100-vendeve të botës.  Anton Çekov, një bashkombas i yti, ka pas thënë se “Hipokrizia është një gjëndje shpirtërore psikopatike revoltuese.”

Agresioni rus në Krime u bë me qëllim për të gëlltitur territor, pasi rusët etnikë në atë krahinë nuk i trazonte njeri, ndërsa sulmet ajrore të NATO-s në Kosovë u ndërmorën në emër të vlerave universale, në përgjigje të një gjenocidi të vërtetë dhe të spastrimit etnik të shqiptarve nga forcat terroriste serbe,  gjë që nuk ishte parë në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore.

15-vjetë më parë – më 24 Mars, 1999 — Organizata e Atlantikut Verior, NATO filloi sulmet ajrore kundër forcave serbe dhe objektivave ushtarake të saj, në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë.  Duke njoftuar fillimin e operacioneve ushtarake të NATO-s, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton iu drejtua kombit amerikan me një fjalim nga Shtëpia e Bardhë duke shpjeguar arsyet e fillimit të bombardimeve, siç tha ai, “Kundër forcave  të Serbisë që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë.  Ne po veprojmë kështu për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm nga një ofensivë ushtarake në rritje e sipër”, ka thënë presidenti Klinton. “Po veprojmë për të parandaluar një luftë më të madhe dhe për të shuar një fuçi baruti mu në zemër të Europës, që dy herë më parë në këtë shekull, ka ndezur kontinentin me rezultate katastrofale. Duke vepruar tani, ne po mbrojmë vlerat dhe interesat tona dhe po çojmë përpara kauzën e paqës”, ka deklaruar Presidenti Clinton.

Edhe dy protagonistë të tjerë, përkrahës të sulmeve ajrore kundër brutalitetit të forcave policore dhe ushtarake serbe ndaj popullësisë civile shqiptare — ish-Komandanti Suprem i forcave të  aleancës së NATO-s, Gjenerali amerikan Wesley Clark dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Javier Solana — në fjalimet dhe shkrimet e tyre, justifikonin sulmin ajror kundër Serbisë 15 vjetë më parë, si një akt në mbrojtje të vlerave njerëzore dhe të parimeve të lirisë dhe demokracisë.  Në rastin e Kosovës, Havier Solana ka thënë se, “Ato vlera duhet të mbrohen nga sulmet e një udhëheqësi brutal politik, politika e të cilit po mbjellë urrejtje anë e mbanë Europës.”  Me rastin e mbajtjes së konferencës së nivelit të lartë në Washington, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të NATO-s në prill të vitit 1999, Havier Solana ka thënë se mbledhja e nivelit të lartë, nja dy javë pas fillimit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë,  kishte si përqendrim të bisedimeve “Sa gjëndjen në Kosovë aq edhe të ardhmen e sigurisë euro-atlantike në përgjithësi, pasi  në këtë takim do ritheksohet rishtas angazhimi ynë ndaj këtyre vlerave bazë njerëzore…dhe ndaj detyrimit tonë për t’i mbrojtur ato kur të kërcënohen.”

Ndërsa ish-Komandanti Suprem i forcave të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Gjenerali Wesley Clark ka shkruar me atë rast se, “Të gjitha 19 vendet anëtare (aq kishte atëherë) të NATO-s — si dhe mbi 40 shtete partnere tona – e dinë se Republika Federale e Jugosllavisë përbën një sfidë ndaj vlerave të cilat aleanca e NATO-s i ka mbrojtur gjatë 50-viteve të kaluara: ndaj demokracisë, lirisë individuale dhe zbatimit të ligjit. Këto janë vlera të komunitetit ndërkombëtar, vlera të cilat ne do t’i mbrojmë edhe në 1000- vjeçarin e ardhëshëm.”  Vlerat e regjimit të Millosheviqit – të bazuara në urrejtje etnike dhe në një brutalitet sistematik kundër popullësisë shqiptare në Kosovë– ka thënë Gjenerali Clark – i përkasin një epoke të zezë mesjetare dhe si të tilla nuk kanë vend në botën e sotëme.

Deklaratave të Putinit dhe të zyrtarëve të tjerë rusë, se ekzistojnë paralelizma midis Krimesë dhe gjenocidit në Kosovë 15 vjetë më parë,  u janë kundërvenë   udhëheqsit dhe zyrtarët më të lartë amerikanë duke i hedhur poshtë ato krahasime, përfshirë presidentin Barak Obama, Sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry, si edhe ish-zyrtarë amerikanë të cilët, në atë kohë kishin përgjegjësi për përpilimin e politikës amerikane karshi Kosovës, ndër të tjerë   ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, ish-zevëndës Sekretari i Shtetit Strobe Talbot, ish-ambasadori Chris Hill si dhe dyzina komentatorësh dhe analistësh amerikanë. Të gjithë e kanë hedhur poshtë krahasimin midis dy rasteve. Në Kosovë shkeleshin vlerat bazë njërzore, aty bëhej gjenocid kundër shqiptarëve autoktonë të atyre trevave.  Ky është ndryshimi me Krimenë!

Andaj, në bazë të këtyre vlerave njerëzore, në emër të të cilave u çlirua Kosova, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, së bashku me autoritetet e Republikës së Kosovës,  duhet që në këtë përvjetor të angazhohen dyfish dhe të bëjnë ç’mos që të përshpejtojnë përpjekjet serioze për antarësimin sa më shpejt të Republikës së Kosovës në NATO dhe në organizmat e tjera euro-atlantike, ashtuqë vlerat e përbashkëta universale – liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut – shkelja brutale e të cilave 15 vjetë të shkuara bindën Përendimin të mbronte Kosovën — të avancohen dhe të çimentohen. Ashtuqë, edhe në Ballkanin Përendimor, më në fund, të krijohet një siguri euro-atlantike, e bazuar në këto vlera të përbashkëta njërzore, për hir të një paqeje stabile dhe afatgjatë në atë pjesë të Europës.

 

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Lufta e Kosoves, ne mbrojtje, te vlerave njerezore

TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS

March 25, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të hënën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama u takua në Hague me udhëheqsit e grupit G-7 të vendeve më të industrializuara të botës.  Udhëheqsit e  Kanadasë, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara , si dhe Presidenti i Këshillit të Europës dhe Presidenti i Komisionit Europian lëshuan të ashtuquajturën, ”Deklaratë e Hague-ës”, me të cilën shprehën qëndrimin e përbashkët në mbështetje të sovranitetit, integritetit territorial dhe të pavarësisë së Ukrainës dhe njëkohësisht dënuan agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.  Si ndëshkim ndaj Moskës, ata njoftuan gjithashtu edhe përjashtimin e Rusisë nga G-8 me arsyetimin se “ky grup ishte formuar për shkak të  vlerave, qëndrimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta”, duke thënë se veprimet e Rusisë javët e fundit ndaj Ukrainës, nuk janë në përputhje me këto vlera.  Udhëheqsit e G-8 njoftuan gjithashtu mos pjesmarrjen e tyre në takimin e nivelit të lartë të G-8 që ishte në plan të mbahej në qytetin rus Soçi, duke thënë se do të anullojnë pjesmarrjen në formatin e G-8 dhe në vend të saj do të takohen si G-7 në Qershor, në Bruksel.

Në deklaratën e tyre, udhëheqsit e 7 vendeve më të industrializuara të botës thanë se ligji ndërkombëtar ndalon grabitjen me forcë të territorit të një shteti, dhe dënuan përpjekjet ilegale të Rusisë për aneksimin e Krimesë, si një masë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe me detyrimet ndërkombëtare.  Në deklaratën e tyre ata theksuan qendrimin e përbashkët se masat e Rusisë do të kenë pasoja të rënda, duke thënë se si shtete individe dhe si grup kolektiv, ata kanë vendosur një seri sanksionesh kundër Rusisë, personave dhe entiteteve që janë përgjegjës për situatën e krijuar në Ukrainë.  Udhëheqsit e G-7 thanë gjithashtu në deklaratën e tyre, se ata janë të gatshëm të shtojnë masat ndëshkuese ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet që do të prekin sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, nëqoftse Moska nuk fillon të qetësojë gjëndjen, duke përdorur kanalet diplomatike, që sipas tyre mbeten të hapura për bisedime.  Ata nënvijuan se “Rusia ka një alternativë të qartë…Rusia duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe njëkohësisht të fillojë bisedimet me qeverinë e atij vendi dhe të jetë e hapur dhe e gatëshme për ndërmjetsim ndërkombëtar për zgjidhjen e shqetsimeve legjitime që ajo mund të ketë.”

Grupi G-8 njëherazi ritheksoi qendrimin e tyre të “vendosur, në mbështetje të popullit ukrainas, i cili po përpiqet të rivendosë unitetin, demokracinë, stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik të vendit”.

Pyetja është nëse kjo deklaratë e udhëheqsve të vendeve më të industrializuara, G-7, e bërë të hënën në Hague, është e mjaftueshme ose jo për të ndryshuar masat që Vladimir Putini ka ndërmarrë deri tani dhe nëse do të mund të parandalojë zbatimin e planeve të mëtejshme të tij për të grabitur territore të tjera të Ukrainës, ose ndonjë vendi tjetër në periferi të Rusisë.  Dhe nëse sanksionet e njoftuara deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian (BE), do të kenë ndonjë efekt negativ në ekonominë ruse, apo janë vetëm simbolike?

Paul Ivan, një analist i Qëndrës Europiane për Politikë në Bruksel tha për BBC-në, se “Rusia mund të humbasë shumë nga sanksionet. Rusët janë më të varur nga ekonomia europiane se sa varemi ne nga ekonomia e tyre”, shtoi Paul Ivan dhe nënvijoi se më shumë se gjysma e buxhetit të Rusisë vjen nga gazi dhe nafta që ajo shet në Europë dhe se sanksionet perëndimore ndaj këtij sektori të ekonomisë ruse mund të jenë më shumë se simbolike.  Për më tepër, Bashkimi Europian ka njoftuar se është duke marrë masa për të qenë më pak i varur nga burimet energjetike të Rusisë, megjithëse sipas burimeve nga kjo organizatë, vetëm 25% e gazit që përdorin vendet e BE-së importohet nga Federata Ruse.

Ndërsa, vërejtës të tjerë mendojnë se, historikisht, sanksionet nuk janë aq të efektshëme. Një ndër ta është Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, i cili thotë për REL se këtu kemi të bëjmë me të ardhmen e Ukrainës dhe se gjëja më me rëndësi tani është që të ndihmohet Ukraina, ekonomikisht dhe politikisht, që demokracia e re në atë vend të dalë me sukses. “Çdo ndihmë për Ukrainën”, sipas kryediplomatit suedez, “është një shkop për Moskën”.

Ndërkaq, edhe nga kjo anë e Atlantikut, Senati amerikan zhvilloi dje një debat duke avancuar një projekt ligj me 78 vota në favor dhe 17 kundër, për të imponuar sanksione amerikane kundër Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën ekonomikisht dhe politikisht, si dhe për të promovuar demokracinë dhe sigurimin në atë vend.  Shtëpia e Bardhë e mirëpriti masën e ndërmarrë nga Senati amerikan, duke thënë se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të luajnë rolin kryesor për të ndihmuar Ukrainën.

Por ka edhe zëra të tjera, kryesisht kritikë ndaj politikës së administratës së Presidentit Obama karshi gjëndjes së krijuar në Ukrainë si edhe për zhvillimin e marrëdhënjeve amerikano-ruse, në përgjithësi. Njëri ndër analistët e njohur amerikan Çarlës Krauthamer – komentet e të cilit lexohen anë embanë Amerikës — tha për rrjet televizionit Fox se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë Vladimir Putinin të mendojë mirë mbi koston e agresioneve të tjera, duke  sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet t’i ishin përgjigjur pozitivisht asaj që thuhet se ishte një kërkesë   nga Ukraina për furnizim me armë.  Komentatori amerikan shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë asnjë masë konkrete që t’a bëjnë Putinin të mendojë mirë se çfarë mund të ndodhë, nëqoftse ai ndërmerr ndonjë agresion tjetër kundër sovranitetit territorial të vendeve në periferi të Rusisë, dhe kjo sipas tij, në vetëvete është një skandal.

Ndërsa profesori Timothy Snyder pranë Universitetit Yale këtu në Shtetet e Bashkuara, në një kryeartikull për CNN thotë se nëqoftse Rusia lejohet të kapërdij Ukrainën, atëherë sistemi europian ka marrë fund.  Ai shkruan se kriza në Ukrainë po i detyron europianët të mendojnë përsëri për periudhën e idhët të viteve 30-të të shekullit të kaluar, si dhe mbi origjinën dhe shkaqet e Luftës së Dytë Botërore.   Profesori amerikan Timothy Snyder shkruan se, ashtu siç justifikon sot Putini agresionin e tij në Ukrainë  për të mbrojtur pakicën ruse atje, edhe Hitleri më 1938 në Austri pretendonte të mbronte pakicat etnike gjermane.  Me rënjen e Austrisë, shkruan ai, udhëheqsit europianë tradhëtuan Çekosllavakinë dhe pjesa tjetër është histori. Profesori Snyder përfundon duke nënvijuar se grabitja e Krimesë nga Rusia putiniste kishte për qëllim të paraqitej si një sfidë ndaj Europës — për të provuar se vlerat Europiane nuk mund të mbrojnë as vetveten.

Ky është një moment historik, sidomos për Europën, por edhe për botën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesin paqën në Europë nepërmjet një politike dhe masash të forta për të kundërshtuar agresionin e Rusisë putiniste në Ukrainë dhe më gjërë. Së bashku, duhet t’ia bëjnë të qartë Moskës se ata nuk do të injorojnë faktet e historisë, për të cilat flet më lartë profesori amerikan Timothy Snyder, dhe as nuk do të injorojnë politikën agresive të një udhëheqsi të çmendur që dëshiron të ri-krijojë atë që Presidenti amrikan Ronald Reagan ka quajtur, “perandoria e së keqës”. Kjo është një luftë midis të mirës dhe të keqes, e cila duhet të fitohet nga forcat e paqës në Europë dhe të stabilitetit në botë.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 146
  • 147
  • 148
  • 149
  • 150
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT