• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KORRUPSIONI DHE TË DREJTAT E NJERIUT

March 6, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Protestat dhe demonstratat anti-qeveritare të cilat shkaktuan dhunën dhe trazirat politike në Ukrainë gjatë disa javëve të fundit, e që  çuan në largimin nga froni të ish-presidentit Viktor Janukoviç dhe më në fund në agresionin ushtarak të presidentit rus Vladimir Putin kundër sovranitetit territorial të Ukrainës — ishin një pasqyrim dhe një shpërthim i zemërimit dhe i moskënaqsive ndaj dhunës dhe korrupsionit të regjimit të ish-presidentit Janukoviç dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë.  Në të vërtetë, enti ndërkombëtar që kryeson përpjekjet anti-korrupsion, “Transparency International”, i cilësoi ngjarjet e fundit në Ukrainë si “një revolucion kundër korrupsionit”, megjithëse vendimi i Janukoviçit për të mos nënshkruar marrveshjet për lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian, në favor të marrëdhënjeve më të ngushta me Moskën, luajti gjithashtu një rol kryesor në shpërthimin e protestave.  Në një deklaratë, Transparency International tha se  mbështet  përpjekjet e ukrainasave për të jetuar një një shtet, ”pa politikanë dhe burokratë të korruptuar”.  Organizata anti-korrupsion  thotë se ndonëse regjimi Janukoviç mund të jetë rrëxuar nga pushteti dhe si përfundim, së shpejti do mbahen zgjedhjet,  kjo në vetvete nuk do të shërojë plagët e disa viteve të fundit dhe nuk do të zgjidhë problemet e mëdha që ai ka lën pas, ndërkohë që ukrainasit po shohin tani se çfarë jete luksoze bënte ish-presidenti i tyre Janukoviç, në pallatet e tija të shumta moderne, me makina luksoze antike, me restorante private, me llogari bankare jashtë vendit, e tjera.

Por korrupsioni nuk është vetëm një problem për Ukrainën, është një problem, në të vërtetë është më shumë se një problem, është një sëmundje globale.   Në raportin e fundit vjetor të Departmentit Amerikan të Shtetit (DASH) botuar muajin që kaloi mbi të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, theksohet se vitin që kaloi, korrupsioni ishtë njëri prej problemeve kryesore i shkeljes së të drejtave të njeriut në botë, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën.

Në raportin mbi Shqipërinë thuhet se problemet kryesore në fushën e të drejtave të njeriut në Shqipëri, kanë të bëjnë “me korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht brenda sistemit të drejtësisë” përfshirë “bllokimin e reformave në lidhje me luftën kundër korrupsionit”.   Raporti thekson se pandëshkueshmëria është një problem kryesor në Shqipëri, duke shtuar se politikanë dhe zyrtarë të lartë, përfshirë edhe gjykatës si dhe përfaqsues të interesave të mëdha të biznesit, shpesh i ikin drejtësisë.  Raporti vjetor i DASH mbi të drejtat e njeriut thotë se megjithëse disa zyrtarë të nivelit të ulët janë ndëshkuar për keqpërdorime të pozitës së tyre, të tjerë zyrtarë më të lartë të qeverisë, që sipas raportit — ishin përfshirë qartazi në raste abuzimesh — thjeshtë janë hequr nga postet e mëparshme për tu vendosur në detyra të tjera qeveritare, pa kurrfarë ndëshkimi ligjor.

Edhe në Kosovë, sipas raportit të DASH ka korrupsion, ndërkohë që qeveria kishte ndërmarrë hapa për të ndjekur penalisht dhe për të dënuar zyrtarët që kanë kryer shkelje, si në shërbimet e sigurisë ashtu edhe në sektorë të tjerë të qeverisë, por megjithkëtë thekson raporti, shumë zyrtarë të lartë të Kosovës të dyshuar, ishin të përfshirë në korrupsion dhe vepruan pa asnjë ndëshkim nga ligji.

Në parathënje të raportit të DASH mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në botë, Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri, tha se “Qeveritë që  zbatojnë dhe mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të cilat janë përgjegjëse për veprimtarinë e tyre ndaj qytetarëve të vet, janë më të sigurta, njëkohësisht mbështesin paqën dhe sigurinë ndërkombëtare dhe njëherazi gëzojnë gjithashtu begatinë e përbashkët me vendet e qendrueshme demokratike.  Ndërsa vendet të cilat nuk mbështesin zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, mund të përballen me privime ekonomike dhe izolim ndërkombëtar”, tha kryediplomati amerikan.

Por nuk është vetëm Raporti i Departmentit Amerikan të Shtetit ai që ka  theksuar lidhjen midis fenomenit të korrupsionit dhe mos respektimit të të drejtave të njeriut në botë.  Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Bashkimi Europian (BE) e kanë lidhur gjithashtu korrupsionin me mos zbatimin dhe me mos respektimin e të drejtave të njeriut të qytetarve.  OKB-ja thotë se, “Të drejtat e njeriut janë të pandara dhe të ndërvarura dhe se pasojat e një qeverisjeje të korruptuar janë të shumëta dhe se ato prekin të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut — ato civile, politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore.  Korrupsioni çon në shkeljen e detyrimeve që kanë marrë përsipër qeveritë me nënshkrim, për të marrë masa — me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion — për realizimin dhe zbatimin e plotë të të drejtave që njihen nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.”  OKB-ja thotë se parimet bazë të të drejtave të njeriut, siç janë transparenca, llogari-dhënja,mos diskriminimi dhe pjesmarrja serioze në jetën politike të vendit — kur të zbatohen këto parime, ato janë mjetet më efektive për të luftuar korrupsionin.

Muajin që kaloi edhe Komisioni Europian botoi për herë të parë “Raportin mbi Korrupsionin” në vendet e Bashkimit Europian në të cilin pasqyrohen sukseset dhe dështimet në luftën kundër korrupsionit në eurozonë.  Raporti identifikoi të meta serioze në luftën e vendeve anëtare kundër korrupsionit anë e mbanë Europës.  Në një deklaratë për media, Transparency International, komentoi raportin e (BE) duke thënë se, “Besimi në udhëheqsit e Europës po bie sepse marrveshjet midis biznesit dhe sektorit publik bëhen në terr, pa transparencë, duke i lënë qytetarët të pa informuar dhe duke pyetur ata veten se interesat e kujt po merren parasyshë në këtë mes”.   Transparency International këshillon se “Për të zhdukur hendekun  e mos besimit midis politikës dhe popullit, duhet të ketë një transparencë më të madhe në jetën politike dhe se më shumë zyrtarë publikë e politikë duhet të mbahen përgjegjës për shkeljet dhe abuzimet e tyre korruptive.”

Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë për Europën, sipas raportit të parë të posa botuar mbi këtë problem nga Komisioni Europian.  Sipas raportit, korrupsioni prek të gjitha vendet anëtare të BE-së, me një kosto prej 120 miliardë euro në vit, në dëm të ekonomisë.  Sipas disa sondazheve të kohëve të fundit, pothuaj gjysma e europianëve besojnë se korrupsioni në vendet e tyre është shtuar gjatë tre viteve të fundit.  Thuhet se gjatë kësaj periudhe, vendet anëtare kanë ndërmarrë një numër nismash për të luftuar korrupsionin, por Komisioni Europian thotë se duhet bërë më shumë për të parandaluar dhe për të ndëshkuar dukuritë e korrupsionit në çdo vend.  Ndërkaq, edhe Transparency International përkrah tezën se lufta kundër korrupsionit është njëherazi edhe luftë në mbështetje të të drejtave të njeriut, dhe si e tillë duhet të mbetet një objektiv i përbashkët i politikës, biznesit dhe i qytetarëve anë e mbanë Europës.

Prandaj siç dëshmuan ngjarjet e fundit në Ukrainë, një qeveri që në zemër të sistemit politik ka korrupsionin,i cili pasuron disa dhe varfëron shumicën, nuk mund të vazhdojë gjatë pa revoltuar masat mbarë popullore.  Kështu ndodhi edhe me diktatorin Viktor Janukoviçin e Ukrainës, pasi korrupsioni që ka prekur atë vend, ishte një prej arsyeve kyçe për protestat në masë dhe me dhunë në Kiev, protesta  këto të  cilat shkaktuan ngjarjet e fundit që tani po kërcënojnë jo vetëm paqën e sigurinë midis Ukrainës dhe Rusisë, por edhe të mbarë Europës dhe po rrezikon gjithashtu të zhytë botën në një luftë tjetër të ftohtë.

Ja, ky është çmimi i korrupsionit!

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, korrupsioni, te drejtat e Njeriut

FUNDI I NJË EUROPE TË TËRË, TË LIRË DHE NË PAQË?

March 3, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

25 vjetë pas fjalimit të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush në Mainz të Gjermanisë më 31 Maj, 1989 mbi vizionin e tij për krijimin e një “Europe të tërë, të lirë dhe në paqë”, Ukraina dhe bota e qytetëruar po akuzojnë Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin se është në proces e sipër të një invadimi ushtarak brutal të territorit të një shteti të pavarur dhe sovran.  Kriza filloi si përfundim i refuzimit të  ish-presidentit ukrainas, Janukoviç që të  nënshkruante një marrveshje politike dhe ekonomike me Bashkimin Europian,  gjë që u pasua me protesta të përgjakshme në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës, ku gjetën vdekjen dyzina protestuesish paqësorë.  Është kjo një atmosferë që i përngjanë periudhës së luftës së ftohtë, një situate që ka shkaktuar reagime dënuese nga Shtetet e bashkuara dhe nga Bashkimi Europian.  Presidenti amerikan, Barak Obama tha se, “Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara nga lajmet mbi masat ushtarake që ka ndërmarrë Federata Ruse, mbrenda territorit të Ukrainës.”  Presidenti Obama shtoi duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krah për krah me komunitetin ndërkombëtar për të theksuar se do të ketë pasoja serioze për çfarëdo ndërhyrje ushtarake në Ukrainë.  Dhunimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial të Ukrainës do të ishte një akt tepër mos-stabilizues”, u shpreh presidenti amerikan dhe shtoi se çdo ndërhyrje ushtarake nga forcat ruse do të konsiderohej si një përzierje e thellë në të drejtën e popullit të Ukrainës për të vendosur vet të ardhmen e tij.

Gjatë intervistave në programet televizive të së djelës, përfaqsues të administratës Obama, përfshirë edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, si dhe anëtarë të Kongresit, shfaqën shqetsimet e tyre mbi kërcënimin e fillimit të një lufte të re në Europë.  Sekretari Kerri në intervistën e tij në rrjetin e televizionit amerikna, ABC i dënoi masat ruse në Krime si, ”Një akt i paturpshëm agresioni në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.” Ky, tha Xhon Kerri, është një akt i shekullit të 19-të, në shekullin 21-të.   Në një deklaratë tjetër, kryediplomati amerikan e cilësoi agresionin rus, si një “Kërcënim ndaj paqës dhe sigurisë së Ukrainës dhe rajonit më të gjërë.”

Ndërkaq zëdhënës të Partisë Republikane në opozitë dhe të të tjerë reaguan më ashpër se përfaqsuesit e administrates Obama ndaj agresionit ushtarak rus në Ukrainë.  Senatori republikan nga shteti Florida, Mark Rubio, prindërit e të cilit janë arratisur nga Kuba komuniste si kundërshtarë të regjimit të Fidel Kastros, tha se  “qeveria ruse është një qeveri gënjeshtarësh”. Ndërsa në përgjigje të intervistuesit të rrjetit të televizionit amerikan NBC, nëse rusët janë një popull armik i Shteteve të Bashkuara, Senatori republikan u përgjigj pa hesitim, duke thënë se, “Besoj se ata po sillen gjithnjë e më tepër si armiqë të paqës  dhe të normave ndërkombëtare. Me mbarimin e Luftës së dytë Botërore dhe sidomos ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë, përhapja e demokracisë dhe e lirisë ka vendosur disa normame qëllim qëkombet të mënjanojnë mundësinë e shpërthimit të një lufte tjetër botërore. Duket se Rusia, nën udhëheqjen e Presidentit Putin nuk është e interesuar për këto norma ndërkombëtare. Kështuqë nga kjo pikpamje, po, ata janë armiqtë tanë… armiqë të Shteteve të Bashkuara.  Dhe po të shikosh qëndrimet që ata kanë marrë vazhdimisht mbi çështje të ndryshme, Rusia paraqet pengesë pas pengese ndaj interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, ish-senatori Xhim DeUit  i shtetit të Karolinës së Jugut dhe tani kryetar i Fondacionit  Konservativ, Heritage, kritikoi deklaratat e Presidentit Obama në lidhje me gjëndjen në Ukrainë. Ndërsa u shpreh se presidenti, si kryekomandant i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, “meriton mbështetjen tonë në këtë krizë ndërkombëtare”, në deklaratën e tij ai tha se, “Do e s’do krahu i majtë i partisë së tij, ai është udhëheqsi i botës së lirë dhe prandaj është e natyrshme që në këtë periudhë historike, bota shikon kah Shtetet e Bashkuara për udhëzim. Popujt liridashës e kanë ditur gjithmonë se, megjithë të metat tona, ata kanë gjeturkurdoherë  një mik tek Shtetet e Bashkuara”.  Nuk është mjaft, shtoi ai,të thuhet — siç tha Presidenti Obama se Shtetet e Bashkuara, “do të qëndrojnë krah për krah me komunitetin ndërkombëtar. Bota pret që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin në situate të tilla.”   Kryetari i Fondacionit Heritage, tha se, “Ajo, që jo vetëm miqët por edhe armiqët tanë duhet të dëgjojnë në këtë moment nga Shtëpia e Bardhë duhet të jetë një deklaratë e fortë bindëse në mbështetje të lirisë dhe të vet-vendosjes, por njëkohësisht të përfshijë edhe kërcënimin për vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që i shkelin këto parime ndërkombëtare.  Ukrainasit, të cilët u ngritën në këmbë për të kërkuar lirinë, kanë nevojë të ngushëllohen nga fjalët dhe qëllimet tona dhe njëkohësisht vrasësit dhe gangsterët e Kremlinit duhet tua kenë frikën”, përfundoi ish-Senatori Xhim DeUit, që tani drejton Fondacionin Heritage.

Janë interesante  reagimet e Shqipërisë dhe të Kosovës mbi agresionin ushtarak rus, — e sidomos ai i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, deklarata e së cilës nuk përmend fare Rusinë si agresoren kundër integritetit territorial të Ukrainës. Gjëja tjetër që bie në sy është se deklarata tepër e butë dhe e pa parim, po të merret marrë parasyshë serioziteti i situatës së krijuar,prononcohet në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtëme, e jo në emër të Shqipërisë. A është kjo deklaratë në emër të Ministrit të Jashtëm po në emër të shtetit shqipgtar?  Për më tepër, kush e shkaktoi këtë situatë, a janë këta dhunues të sovranitetit ukrainas të ardhur nga Marsi,ende të paidentifikuar?  Në deklaratën e Ministrisë së jashtëme të Shqipërisë  nuk dënohet agresioni, vetëm shprehet shqetësim, sikurë nuk duan të zemërohet Putini. Putini thotë se ndërmori agresionin në Krime për të mbrojtur rusët atje.Edhe Millosheviqi dikurë arsyetonte para botës gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë, me pretekstin se serbët në Kosovë ishin në rrezik.Shqiptarët, si askush tjetër duhet të mbrojnë të drejtën e popujve për vetvendosje, për liri dhe demokraci, pa ndërhyrje nga jashtë.Ja deklarata në emër të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë mbi situatën në Ukrainë:  “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për përshkallëzimin e situatës në Ukrainë. Ministria e Punëve të Jashtme çmon rëndësinë e patjetërsueshme të integritetit territorial dhe unitetit të Ukrainës. MPJ beson se respektimi i së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjeve të nënshkruara dhe evitimi i përdorimit të forcës, që sjell me vete efekte destabilizuese për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare, është kuadri i vetëm që ofron zgjidhje të situatës. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh besimin se një veprim i sinkronizuar dhe vendimtar i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për stabilizimin e situatës dhe për krijimin e frymës së besimit”,- përfundon deklarata e MPJ-së e Shqipërisë.

Kosova nga ana tjetër, mori një qëndrim më të fortë, ashtu siç e kërkon edhe situate, duke e bërë deklaratën në emër të Republikës së Kosovës — e jo në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtëme — duke theksuar se “Republika e Kosovës dënon agresionin mbi territorin e Ukrainës nga Federata Ruse, dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, në kundërshtim të plotë të detyrimeve të Federatës Ruse sipas Kartës së OKB-së, Aktit Final të Helsinkit dhe Memorandumit të Budapestit të vitit 1994. Veprimet e ndërmarra nga Federata Ruse janë një kërcënim ndaj paqës dhe sigurisë së Ukrainës dhe të rajonit më gjerë”.

Megjithëse okupimi rus i territorit dhe sovranitetit ukrainas është një shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara e Marrveshjes Përfundimtare të Helsinkit dhe e Memorandumit të Budapestit, nuk besoj se agresioni rus në Ukrainë do të shkaktojë shpërthimin e Luftës së tretë Botërore, por sipas ekspertëve  do të prekë për një kohë të gjatë marrëdhënjet e Rusisë me shtetet europiane, dhe veçanërisht  marrëdhënjet e Moskës me Shtetet e Bashkuara, ndërsa sipas disa ekspertëve ndoshta mund të shkaktojë edhe rikëthimin e Luftës së Ftoftë numër II.  Por, agresioni rus i udhëhequr nga ish agjenti i policisë sekrete sovjetike, KGB, Vladimir Putin kundër sovranitetit të Ukrainës, mbi të gjitha, i dha një grusht të rëndë  ëndërrës dhe vizionit të Presidentit Xhorxh Bush të vjetër,i cili   para 25 viteve, u deklarua për një “Europë të tërë, në liri dhe në paqë”, dhe përbën njëkohësisht njëgoditje serioze  ndaj përpjekjeve prej jë çerek shekulli, për realizimin e këtij vizioni.  Një vizion dhe nocion ky që sipas, ish-presidentit Xhorxh Bush, bota perëndimore e kishte kuptuar me kohë se, “Baza e një sigurie të qëndrueshme nuk garantohet nga tankset, nga forcat e armatosura e policore, dhe as nga telat me gjemba — por ajo ndërtohet mbi vlera të përbashkëta humane dhe në bazë të marrveshjeve që lidhin popujt e lirë me njëri tjetrin.”

Ish-Zëvendës Sekretari i Shtetit për Çështjet Politike, Nikolas Burns i tha gazetës Miami Herald se “Nëqoftse Putini del me sukses në ofensivën e tij ushtarake kundër Ukrainës”, atëherë shtoi ai, “Europa është në rrezik të ndarjes”.   Ironia e kësaj situate është se mundësia e ndarjes së re të Europës, po ndodhë pikërisht për arsye të Krimeas, pikërishtaty ku më 1945 u mbajtë Konferenca historike e Jaltës, për të biseduar ndarjen e Europës të pas Luftës së dytë Botërore.

25 vjet më parë, Presidenti Xhorxh Bush ka thënë se, Lufta e Ftohtë pat filluar me ndarjen e Europës.  Kjo luftë, e cila falë agresionit rus në Ukrainë duket se po rikthehet  në marrëdhënjet ndërkombëtare, mund të marrë fund vetëm kur Europa të jetë e tërë, në liri dhe në paqë me vetveten.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, FUNDI I NJË EUROPE TË TËRË, TË LIRË DHE NË PAQË?

KUJDES BALLKANIN!

February 27, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Zona e Ballkanit Përendimor dhe vendet  e atij rajoni janë si fëmija që nevojitë të mbahet gjithmonë për dore ashtuqë mos të rrëxohet nga pakujdesi.  Zhvillimet e përgjakshme të kohëve të fundit në Ukrainë  duhet të jenë një kambanë për elitat politike  të  vendeve të Ballkanit si dhe për Bashkimin Europian dhe për Shtetet e Bashkuara që kësaj zone t’i kushtohet një vëmendje më e madhe para se të jetë vonë.   Protestat me dhunë anë e mbanë Bosnje Hercegovinës të kohëve të fundit, papunësia, që në shumicën e këtyre vendeve arrinë në 30 për qind ose më shumë,  si dhe një numër çështjesh të pazgjidhura në rajonin e Ballkanit Përendimor, pothuaj 15 vjetë pas përfundimit të luftërave atje, janë arsye për shqetësime serioze për kët rajon.   

Kuptohet se situata në të cilën gjënden vendet e Ballkanit Përendimor është kryesisht përgjegjësi e elitave politike të këtyre vendeve, pasi kuptohet se demokracia nuk mund të imponohet nga jashtë,  por komuniteti ndërkombëtar –Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara — kanë gjithashtu përgjegjësitë e tyre në këtë mes.  Procesi për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian pothuajse është në vend numëro për më shumë se një decade tashti, gjë që pasqyron kryesisht mos aftësinë ose mos vullnetin e klasës politike të këtyre vendeve që të adaptojnë standardet europiane të integrimit — një klasë politike kjo që në shumicën e vendeve të rajonit konsiderohet si grabitqare e pasurisë, duke përdorur mjetet ligjore dhe jo ligjore që ka në dispozicion, për veten dhe mbështetsit e tyre politikë.  Por gjithashtu kjo gjendje stagnante, reflekton gjithashtu edhe mungesën e një  vullneti më serioz politik dhe diplomatik të vendeve të Bashkimit Europian (BE) që  shtetet e kësaj zone të integrohen në organizmat euro-atlantike.  Është e  vërtetë se Europa me të drejtë insiston në zbatimin e standardeve të saja për vendet që dëshirojnë t’i bashkohen atij klubi — dhe si përfundim as Bashkimi Europian as Washingtoni nuk mund dhe nuk duhet që këtyre vendeve  t’u imponojnë rregullat e demokracisë dhe të ekonomisë së lirë.   Kjo është detyra dhe përgjegjësia e nomenklaturave politike të vendeve, anë e mbanë këtij rajoni, nëqoftse me të vërtetë dëshirojnë vlerat e demokracisë dhe integrimin europian të vendeve të tyre.

Siç duket, të shqetësuar nga mungesa e përparimit të këtyre vendeve ndaj zbatimit të standardeve për integrimin në BE-në, por edhe nga zhvillimet e fundit në Ukrainë, kohët e fundit, po vihet re një interesim më i madh nga Washingtoni dhe nga Bashkimi Europian për ato që po ndodhin ose nuk po ndhodhin në Ballkanin Përendimor.  Shpeshëherë, interesimet ose shqetsimet e Washingtonit zyrtar mbi zhvillimet në Ballkan, ose kudo tjetër, shprehen publikisht nepërmjet seancave që thirren nga Kongresi amerikan.  Siç duket ,të shqetësuar mbi mungesën e prëparimit në shumë fushë të vendeve të këtij rajoni,  disa ditë më parë,  Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara — i cili përbëhet nga 9 anëtarë të Senatit dhe 9 anëtarë të Dhomës së Përfaqsuesve, si dhe nga një përfaqsues i Departmantit Amerikan të Shtetit dhe të Pentagonit — njoftoi mbajtjen e një seance të posaçme javën që vjen, me 5 Mars, për të diskutuar  zhvillimet e fundit në Ballkanin Përendimor si dhe për të konsideruar marrjen e masave politike në përgjigje të situatës së krijuar.  Komisioni amerikan i Helsinkit njofton se të ftuar për të dhënë dëshmi para Komisionit janë, Hojt Jee, Zëvëndës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Punët Europiane dhe Euro-Aziatike, Tanja Fajon, anëtare e Parlamentit Europian nga Sllovenia dhe Kurt Volker, Drejtori Ekzekutiv i Institutit McCain.  Në njoftimin për mabjtjen e seancës mbi Ballkanin thuhet se, “Vendet e rajonit të Ballkanit Përendimor në Europë –Shqipëria, Bosna-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia — e kanë filluar vitin 2014 me një numër sfidash, pritjesh dhe shpresash.  Zgjedhjet, dialogu dhe bërja e reformave do të përcaktohen nga shpresat për të hedhur hapat e duhur drejtë integrimit europian dhe euro-atlantik, me kuptimin se secili vend gjëndet në një periudhë të ndryshme gatishmërie të këtij procesi, por të gjitha ndajnë të njëjtin interesim për avancimin e stabilitetit në mbarë rajonin.”   Në njoftim thuhet se gjatë seancës, përveçse do të pasqyrohen pikëpamjet zyrtare dhe qëndrimet politike të Shteteve të Bashkuara karshi vendeve të Ballkanit Përendimor, do të ketë edhe analiza të ekspertëve nga të dy anët e oqeanit.

Njoftimi për mbajtjen e seancës dëgjimore në Kongresin amerikan u bë, ndërkohë që në Londër u mbajtë disa ditë më parë Konferenca e Bankës Europiane për Rindërtim dhe  Zhvillim, ku morën pjesë Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Përendimor, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.  Objektivi i kësaj konference, në të cilën mori pjesë edhe Komisioneri për Zgjërimin e Bashkimit Europian, Stefan Fyle, ishte sipas Bankës Europiane,  për të, “nënvijuar potencialet dhe mundësitë për investime në rajon dhe për të promovuar investime të huaja si dhe projekte të përbashkëta investimesh.”

Në serinë e këtyre takimeve dhe konferencave mbi Ballkanin Përendimor mund të përmendet edhe mbledhja në Tiranë në fillim të javës e përfaqsuesve të parlamenteve të rajonit  ku u diskutua rreth forcimit të bashkëpunimit në kuadër të Kartës së Adriatikut, një nismë kjo që është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar anëtarësimin e këtyre vendeve në Nato.   Në Tiranë gjithashtu javën që vjen, do të bëjë vizitën e tij Komisioneri Stefan Fyle, ku do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë  mbi procesin e zhvillimit të reformave që nevojiten në rrugën e këtij vendi, drejtë integrimit europian.

Të gjitha këto aktivitete dhe nisma duket se po bëhen me qëllim që të parandalohen rreziqet e mundshme për një këthim mbrapa në zhvillimet e këtij rajoni në marrëdhënjet midis tyre dhe më gjërë me pjesën tjetër të Europës.  Problemet ekonomike të rajonit janë tepër të mëdha, siç u vu në dukje në mbledhjen e Bankës Europiane në Londër, por pa zgjidhjen e problemeve politike të mbrendshme dhe të jashtme të vendeve të rajonit ballkanik, është vështirë të flitet për një rimkëmbje ekonomike dhe sigurimin e investimeve të huaja në vendet e Ballkanit Përendimor.  Nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik as për standarde drejtë integrimit europian pa një pajtim ndërmjet kombeve dhe pa një kërkim faljeje për krimet e Serbisë në Kosovë dhe anë e mbanë ish-Jugosllavisë gjatë luftërave në 15 më pare në atë rajon.  Atje ndasitë historike midis grupeve etnike janë tepër të theksuara gjithnjë.  Megjithëse bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë për normalizimin e marrëdhënjeve midis dy vendeve, Beogradi vazhdon të këmbëngulë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Republikës së Kosovës.  Një frymë e tillë armiqësie ndaj Kosovës nga ana e Serbisë, nuk krijon një atmosferë të volitshme për bashkjetesë paqësore as nuk mund të nxitë investimet e huaja në atë rajon dhe as nuk duhet të lehtësojë procesin e Serbisë drejtë integrimti europian.  Qëndrimet fanatiko-nacionaliste të Serbisë ndaj mos njohjes së Kosovës, mbajnë hapur dyertë e konfliktit dhe të mos stabilitetit në rajon.

Prandaj, mesazhi nga Bashkimi Europian si dhe nga seanca e Kongresit Amerikan, javën që vjen mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duhet të jetë  se Washingtoni dhe Brukseli nuk do të tolerojnë  përjetësimin e një situate ku siguria dhe paqa në Ballkan të mbeten peng i politikës nacionaliste serbe e përkrahur nga Rusia, e cila gjithmonë përpiqet të peshkojë në ujëra të turbullta.  Edhe ”janukoviçëve”  të atij rajoni duhet t’u jepet mesazhi se ata nuk do të kenë përkrahjen e vet popujve të tyre, por as të komunitetit ndërkombëtar.   Zhvillimet e fundit në Ukrainë duhet të jenë një kambanë për të gjithë ata që janë të interesuar për një Europë të tërë, të lirë, të bashkuar dhe në paqë, e cila nuk mund të realizohet pa zgjidhjen e problemeve serioze ekonomike dhe politike të mbrendshme të secilit vend, dhe pa një  stabilitet të qëndrueshëm për të gjithë  rajonin e Ballkanit Përendimor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, KUJDES BALLKANIN!

KUSH ËSHTË MË (ANTI) ENVERISTI?

February 25, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

”Unë do të isha shumë i interesuar, që duke u bazuar në fakte, të zgjidhë disa situata bazë ekzistenciale të jetës së njeriut — për tu përballur jo vetëm me frikën që kemi për të ardhmen, dhe frikën që ndiejmë ndaj lirisë si një fenomen i ri, por tani duhet të vendosim se si të merremi  edhe me frikën që kemi nga e kaluara.”  (Vaclav Havel 1991)

Problemet e tranzicionit në Shqipëri nga diktatura komuniste në demokraci vazhdojnë.   Jo vetëm në çdo përvjetor të rrëximit të monumentit të Enver Hoxhës, siç ndodhi edhe javën e kaluar, por pothuaj në çdo debat publik — përfshirë edhe seancat e parlamentit shqiptar — gjatë këtyre dy dekadave të tranzicionit politik, ka mbizotëruar një atmosferë që të bindë se edhe i vdekur, Enver Hoxha edhe sot e luan rolin e tij shkatërrues në jetën e shqiptarëve.  Hija e turbulltë e Enver Hoxhës  fatkeqsisht vazhdon të pengojë ato që duhet të ishin rrezet e një transformimi dhe të  një dekomunistizimi të vërtetë të vendit dhe të shoqërisë, ashtu siç ka ndodhur dekada më parë në  shumicën e vendeve të tjera ish-komuniste.  Kjo hije e zezë e ka zënë dritën e zhvillimit të një demokracie të vërtetë, të përparimit të një shoqërie që dëshiron integrimet europiane dhe euro-atlantike — aty ku shqiptarët gjithmonë e kanë pasur vendin.  Por fatkeqsisht, duket sikurë kjo klasë politike është e pa-aftë të heqë dorë, njëherë e mirë, nga trashëgimia e një sistemi që ka lënë rrënjë të thella në psikikën e shoqërisë dhe të politikës shqiptare.  Nga ky debat, është shumë e vështirë të dallohet se kush është “enveristi” dhe kush është “anti-enveristi”.

Ëndërrat  shekullore të 23 viteve më parë për krijimin, e një shoqërie shqiptare të lirë dhe me vlera demokratike, janë këthyer gjatë dy dekadave të fundit në një zhgënjim dhe jo siç pritej, në një demokraci funksionale, për të cilën ka qenë dhe është aspirata e të gjithë shqiptarëve kudo.  Në vend të një shkëputjeje përgjithmonë nga ai sistem, edhe kohët e fundit vihet re një nostalgji për ish-diktatorin dhe regjimin e tij që fatkeqsisht vazhdon të frymëzojë dhe të drejtojë jetën politike të vendit. Ishte ky një sistem që dallohej nga mos tolerance dhe I cili bazohej në zhdukjen e kundërshtarit politik me çdo mjet.   23 vjetë pas rënjes së atij regjimi, lufta për vlerat e vërteta të demokracisë është zëvëndësuar me një luftë të re politike të klasave, për të siguruar interesat personale dhe partiake, kryesisht të një natyre materiale.

 

Pothuaj në asnjë vend tjetër ish-komunist nuk ndodhë që 20- e sa vjetë pas rënjës së komunizmit, debatet politike në parlament dhe në media të mbizotërohen nga akuzat dhe kundër-akuzat se kush ishte më shumë ose më pak mbështetës i atij regjimi dhe idhullit të tij, sikurë vendi nuk ka probleme të tjera serioze.  Në përgjithësi, ky debat pothuaj ka marrë fund anë e mbanë Europës ish-komuniste, pasi në shumicën e këtyre vendeve, gjatë kësaj periudhe, ishin zgjedhur disidentë dhe kundërshtarë të regjimit komunist për president dhe detyra të larta qeveritare dhe shtetërore. Andaj debate të tilla, sidomos në parlamentin e kombit, nuk i bëjnë nder shqiptarëve dhe duken më tepër si një përbuzje dhe nënçmim i parlamentarizmit demokratik dhe rregullave të tij, se sa një forum i përfaqsuesve të popullit, ku duhen debatuar zgjidhjet e problemeve të vjetëra e të reja të vendit, përfshirë edhe dekomunistizimin e politikës.
Andaj duhet më shumë se kujtimi i një përvjetori që të zhduket hija dhe trashëgimia e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij të errët.  Por, nëqoftse me të vërtetë urrehet aq shumë figura e Enver e Hoxhës, siç u përpoqën të tregonin anti-enverizmin e vet në debatet e parlamentit shqiptar javën që shkoi pozita dhe opozita,  atëherë ky mund të jetë momenti historik që të dy palët, me përpjekje të përbashkëta, të tregojnë seriozitetin  dhe gatishmërinë e tyre për tu marrë me këtë çështje dhe  të ulen në një tryezë e të miratojnë ligje për de-komunistizimin e vendit, bazuar në ligjet dhe në përvojën e vendeve të tjera ish-komuniste, si dhe në një numër rezolutash të Këshillit të Europës dhe të Parlamentit europian.  Ky duhej të ishte debati i vërtetë që duhet të bëhet aty në tempullin e demokracisë, në parlament duke ulur poshtë gishtin akuzues, për lidhjet me ish regjimin e Enverit, ndaj njëri tjetrit dhe të drejtonin akuzat dhe të dënonjnë hijen e atij regjimi që ende mbizotëron politikën dhe jetën shoqërore.  Ekziston nevoja për një marrveshje  mbi standardet morale dhe cilësi jetese ekonomike dhe shoqërore europiane, nëqoftse klasa politike shqiptare, me të vërtetë, dëshiron t’i bashkohet Europës.  Është shënjë e mirë që shoqëria shqiptare ka elementë që megjithëse të zhgënjyer nga periudha e tranzicionit, ata nuk pushojnë t’i bëjnë thirrje klasës politike, që të dalë nga ky qorrsokak e të shkëputet nga kjo e kaluar.  Ndër këta zëra u dalluan thirrjet e përfaqsuesve të Lëvizjes Studentore të vitit 1991. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa! nuk janë realizuar nga bartësit e pushtetit politik në të dy krahët politikë”, tha për median Ilir Dizdari, Kryetar i Lëvizjes Studentore.  Ndërsa Blendi Gonxhe, një tjetër ish-student i asaj Lëvizjeje deklaroi javën e kaluar duke i bërë thirrje   shoqërisë shqiptare se, “Duhet t’i themi të gjithë ndal kësaj lufte klasore që vazhdon për 23 vite, ku njëra palë del dhe konteston palën tjetër dhe pas një paqeje 4-mujore jemi përsëri në prag të një lufte dhe përsëri në prag të një mohimi total të gjithçkaje dhe pastaj gjithë shoqëria gjendet përballë këtyre dy krahëve që sa herë përplasen, krijojnë këtë lloj stanjacioni ku ndodhemi gjithmonë”.   Edhe deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, gjithashtu pjesëmarrëse në Lëvizjen Studentore të vitit 1991, e konsideron gjëndjen në të cilën ndodhet vendi, si pasojë e mbizotërimit të filozofisë komuniste në jetën politike të Shqipërisë dhe i kërkon, “Të gjithë spektrit politik shqiptar që të distancohen nga krimi politik i 45 viteve të shkuara dhe nga mentaliteti i kohës”, që sipas saj ”është nj mentalitet që po na mban të mbërthyer të gjithë krahët e politikës shqiptare.”

Veç këtyre, javën e kaluar u dëgjuan edhe zëra të tjerë, përfshirë edhe grupet dhe zëdhënsit e të përndjekurve të regjimit komunist, të cilët bënë thirrje për dekomunitizimin e shoqërisë shqiptare për hapjen e dosjeve tani të famëshme.  Por ndërkaq, disa të tjerë bënë thirrje për rivlersimin pozitiv të veprës dhe jetës së Enver Hoxhës, madje shkojnë aq larg sa e fusin ish-diktatorin në të njëjtin thes me Nënë Terezën dhe Gjergj Kastriotin Skënderbe, si njërin ndër figurat kombëtare që po fyhen këto kohët e fundit.  Është kjo një përpjekje e këtyre revizionistëve të historisë – në mungesë të një shprehjeje më të përshtatshme — që të konfuzojnë brezin e ri duke fshehur faktet dhe traumat e tiranisë komuniste.   Një konfuzion i vërtetë moral!  Është e vështirë të merret me mend se cilat, sipas këtyre njerëzve, janë vlerat morale dhe njerëzore që Enver Hoxha ndanë me Nënë Terezen dhe me Gjergj Kastriotin -Skendërbe!
Nëqoftse kjo klasë politike dhe jo vetëm klasa politike, nuk ballafaqohet me të kaluarën komuniste, atëherë sipas shkrimtarit gjerman Jurgen Fuchs i cili ka folur nga përvoja gjermane, hija e asaj historie do të ndjekë përgjithmonë ata vet dhe vendin e tyre, me pasoja të dëmshme dhe afatgjatë për politikën shqiptare.   Ka qenë dhe është detyra e qeverive të këtyre 20- viteve të fundit që të përpilonin një strategji — ashtu siç ka ndodhur në vende të tjera — për t’u ballafaquar me atë histori, në mënyrë të drejtë dhe të balancuar, dhe për të vendosur përgjegjësitë — pa hakmarrje — për krimet dhe abuzimet sistemike dhe sistematike kundër të drejtave të njeriut.  Ky është një obligim moral për çdo qeveri!   Vendosja e drejtësisë, madje edhe në nivelin  simbolik, do të ndihmonte në procesin e pajtimit kombëtar,  në ndërtimin dhe në zhvillimin e një shoqërie morale, të një shteti përgjegjës dhe llogari -dhënës dhe njëkohësisht do të shërbente si mjet frenues për abuzime të tilla në të ardhmen.

Përballimi me të kaluarën, përveç zbulimit të fakteve dhe të së vërtetës, nevojitë edhe kujtesa të përherëshme siç janë monumentet, muzeumet  dhe të përcaktohen me ligj ditë përkujtimi për viktimat  e tiranisë komuniste dhe të abuzimeve të të drejtave të njeriut, ashtu siç ka bërë e gjithë Europa.

Viktimat e komunizmit janë vrarë e kanë vdekur, ndërsa shumë prej tyre as varrezat nuk u dihen dhe si të tillë nuk kërkojnë dëmshpërblime as nuk kërcënojnë pozitat politike të asnjë njeriu. Andaj, enveristët e dikurshëm dhe anti-enveristët e sotëm, si hap të parë, nëqoftse janë serioz për  dekomunistizimin e vendit të propozojnë:  Një minutë heshtje, njëherë në vit në Kuvendin shqiptar për viktimat e komunizmit si dhe të caktojnë me ligj një ditë kushtuar viktimave të atij regjimi. Një propozim i tillë, do të ishte — të pakën simbolikisht — një hap përpara në këtë drejtim.   Një gjë e tillë, nuk nevojitë as fonde as debate maratone, por vetëm kurajo morale për të bërë atë që është e drejtë.  Kjo është rruga që është ndjekur nga shumica e vendeve ish-komuniste të Europës Lindore.   Mos kini frikë nga e kaluara!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: (anti) Enverist, Frank shkreli, kush eshte

POLITIKA GREKE NË BALLKAN

February 20, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Këtë javë, zëvendës Kryeministri dhe Ministri i jashtëm i Greqisë,  Zoti Evangelos Venizelos po bën një turne në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kapacitetin e tij si President i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.  Zoti Venizelos, sipas Ministrisë së jashtme greke, vizitoi të hënën Beogradin ku u takua me udhëheqsit më të lartë të Serbisë, dhe një ditë më vonë ai qëndroi në Podgoricë për takime me udhëheqsit malazezë.  Ai gjithashtu vajti në Sarajevë dhe u ndalua edhe në Prishtinë për një vizitë të shkurtër ku u takua me Kryeministrin, Zotin  Hashim Thaçi dhe me Ministrin e Jashtëm, Zotin Enver Hoxhaj. Nga Prishtina, zyrtari i lartë grek shkoi në Shkup ku zhvilloi takime me udhëheqsit e atij vendi, përfshirë edhe kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Zotin Ali Ahmeti.   Nga Shkupi ai udhëtoi për në Tiranë ku, sipas Ministrisë së Jashtme greke,  ai do të takohet të premten me udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare, përfshirë Kryeminstrin Edi Rama, “vetëm për vetëm”, ose “kokë më kokë”, sipas njoftimit të Ministrisë së jashtme greke, e që do të pasohet me takime të tjera përfshirë Ministren për Integrimin Europian, Klajda Gjosha, presidentin, Zotin Bujar Nishani,  kryeparlamentarin, Zotin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demorkatike në opozitë, Zotin Lulëzim Basha.    Në njoftimin e Ministrisë greke të Punëve të Jashtme theksohet gjithashtu  fakti se në agjendën e  zyrtarit të lartë grek në Kryeqytetin shqiptar është edhe darka ku “do të  marrë pjesë Kryepeshkopi  Anastasios i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë”, thekson njoftimi i Ministrisë greke. 

 

Duhet pritur për të parë se cilat janë përfundimet e vizitës së Zotit Venizelos në Tiranë, por nga ato që janë njoftuar deri tani nga vizitat e kësaj jave në kryeqytete të tjera të Ballkanit, politika e jashtme greke karshi  këtyre vendeve, sidomos karshi Serbisë dhe shqiptarëve, është e njëjta si gjithmonë, kryesisht në favor të Serbisë dhe jo në favor të shqiptarëve.  Në Prishtinë, ai u deklarua se është në favor të integrimit të Kosovës, por dihet se Greqia  është njëra prej pesë vendeve të Bashkimit Europian (BE) që nuk e njehpavarësinë e Kosovës, por ai njëkohësisht tha se vendi i tij nuk do e pengojë Kosovën në rrugën e saj drejtë integrimeve euro-atlantike, ndërsa ai nuk u prononcua se si presidente e BE-së për gjashtë muajt e ardhëshëm, Greqia nuk do e ndihmojë Prishtinën drejtë integrimit europian.   As nuk e pengon as nuk e ndihmon!

 

Ndërsa në Beograd, aty ku edhe e filloi turneun e tij, sipas medias vendase, Zoti Venizelos në takimet e tija me udhëheqsit serbë, tha se Athina do të bëjë çdo gjë të mundur për të ndihmuar Serbinë drejtë integrimit europian, megjithëse, Zoti Venizelos, si president i Këshillit të Ministrave të jashtëm të BE-së, e di se një prej kërkesave themelore të BE-së për pranimin e Serbisë është pikërisht normalizimi i marrëdhënjeve të saj me Kosovën.  Në të vërtetë për sa kam mundur të shoh në shtyp, nuk kam parë se në bisedimet e tija në Beograd te jetë  përmendur kund fjala ”Kosovë”, megjithëse ka  mundësi të jetë censuruar nga vet media.  Gjatë vizitës së tij në Beograd, Zoti Venizelos ra dakord me udhëheqsit e serbë, se Serbia nuk ka mik më të madh se Greqinë në Bashkimin Europian dhe njëkohsisht ata theksuan investimet e mëdha që Greqia ka derdhur në Serbi gjatë viteve.  Ata njëherazi njoftuan marrveshjen për një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, gjatë këtij viti.

Ndërkaq, revista e njohur britanike, The Economist njofton sot se akuzat për zbulim korrupsioni në sektorin publik grek vazhdojnë duke thënë se kësaj radhe akuzat i drejtohen Ministrisë së Jashtme të Greqisë, e cila sipas  The Economist, ka keqpërdorur fondet e dhëna grupeve jo qeveritare greke që veprojnë jashtë vendit, kryesisht në rajonin e Ballkanit.  Sipas revistës  britanike shumica e këtyre enteve jo qeveritare nën umbrellën e organizatës “Ndihma Helene”, u themeluan me aprovimin e ish kryeministrit  Xhorxh Papandreu, nga viti 2000 deri më 2008.  Revista Economist thotë se dyshohet se disa prej këtyre fondeve mund të kenë shkruar drejtë mbrojtjes dhe strehimit të kriminelit  të luftës serbo-boshnjakut  Radovan Karaxhiq, kur ai ndiqej nga forcat e NATO-s për tu arrestuar për krime lufte.  Revista britanike shkruan, për atë që ishte e qartë gjatë luftërave në ish- Jugosllavi se, “aktivistë të Pasokut (Partia e Papandreut) ishin mbështetës të fortë të serbëve gjatë shpërbërjes së Jugollavisë.”, ndërsa shton revista se, “gjatë kohës që Andreas Papandreu (I ati i Xhorxh Papandreut) ishte kryeministër i Greqisë, partia Pasok furnizoi regjimin e Slobodan Millosheviqit me ndihma financiare dhe teknike, dhe se deri në arrestimin e tij, Karaxhiqi pritej me krah hapur nga zyrtarët grekë në Athinë.   Revista The Economist thotë se Xhorxh Papandreu përgnjeshtron të ketë bërë ndonjë gjë kundër ligjore.

Duke u bazuar në historinë e re dhe të vjetër të Ballkanit, politika e jashtme greke ka nevojë për një ushtrim vullneti më të mirë dhe për një transparencë  më të madhe në marrëdhënjet me vendet Ballkanit Perëndimor, por sidomos ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, nëqoftse me të vërtetë Athina dëshiron që — siç tha edhe vet Zoti Venizelos — të çojë përpara përspektivat europiane dhe euroatlantike për rajonin. Atëherë kjo duhet të bëhet për të gjitha vendet e rajonit pa përjashtim, si një hap i rëndësishëm  që e kërkon koha tashmë, për stabilitetin dhe paqën në rajon dhe në kon tinetin europian.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, ne Ballkan, Politika Greke

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT