• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U NGUTËT TË NDERUAR KONGRESMENË

December 27, 2013 by dgreca

“Paqa pa drejtësi është tirani”- Uilliam Allen Uajt/

Nga Frank Shkreli/

Siç njoftohet në media të ndryshme, disa kongresmenë amerikanë, i kanë dërguar një letër Komisionit Nobel me të cilën kanë emëruar,  kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq si dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Katerinë Ashton, kandidatë për Çmimin Nobel të Paqës për vitin 2014.  Në letrën e përbashkët nënshkruar prej tyre, kongresmenët amerikanë thonë se kjo treshe duhet të nderohet për rolin kritik që ata luajtën për “normalizimin e marrëdhënjeve” midis Kosovës dhe Serbisë.  Ligjvënsit amerikanë i cilësojnë takimet e shumëta të dy kryeministrave me ndërmjetsimin e Bashkimit Europian gjatë këtij viti, si “pikëkëthesë dramatike” në marrëdhënjet midis Kosovës dhe Serbisë.

Para se të shkoj më gjatë, jam i detyruar të them se Kongresmeni Eliot Engel, njëri ndër nënshkruesit  e letrës,  është njëri prej ligjvensëve amerikanë që ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të veprimtarisë mbështetse të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe për interesat e shqiptarëve në përgjithësi.  Unë kam pasur fatin të kem qenë shpesh dëshmitar i mbështetjes së tij ndaj kauzës shqiptare, duke u bazuar në ato që ai ka bërë gjatë dy tre dekadave të fundit, në përkrahje të shqiptarëve e sidomos të çështjes së Kosovës.  Këtë, kongresmenit Engel nuk mund t’ia mohojë askush dhe jam i bindur se Zoti Engel do të vazhdojë të përkrahë të drejtat e shqiptarëve si më parë, pasi ai, si rrjedhim e kësaj përkrahjeje dhe me të drejtë gëzon një mbështetje të forte dhe të merituar edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan.  Unë këtë nuk e dyshoj,  dhe si një shqiptaro-amerikan i jam mirënjohës kongresmenit Engel, siç jam i sigurt dhe besoj se janë edhe shumica e atyre që e njohin mirë mbështetjen e tij për Kosovën  dhe angazhimin e kongresmenit Engel për të drejtat e shqiptarëve kudo.  Për këtë ai është nderuar nga Kosova dhe Shqipëria, dhe shqiptarët kudo, do t’i jenë atij përgjithmonë mirënjohës.

Por rekomandimi i këtij grupi kongresmenësh për të emëruar si kandidat për Çmimin Nobel për paqë, kryeministrin serb, më duket si një masë e ngutëshme dhe e pa menduar mirë.  Janë mbajtur bisedime dhe janë nënshkruar marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.   Por sipas analistëve në realitet, shumë pak ose hiç gjë nuk është arritur midis dy shteteve.Vazhdon “status quo ante” në marrëdhënjet midis Kosovës dhe Serbisë.  Për faktin se Serbia as që nuk e njeh shtetin e Kosovës si të tillë dhe si rrjedhim nuk mban ndonjë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara me një ”shtet” që ajo nuk e njeh, as de jure as de facto.  Për më tepër analistët thonë se deri tani, në bazë të këtyre marrveshjeve, Kosova jo vetëm nuk ka fituar asgjë, por edhe arritjet që mund të dalin nga këto marrveshje, për normalizimin e marrëdhënjeve midis dy palëve –mbeten për tu parë. E vërteta është se nga këto marrveshje të deritanishme ka përfituar vetëm Serbia, në rrugën e saj drejtë integrimit europian.Qëllimi i BE-ës është që marrëdhënjet midis Serbisë dhe Kosovës të “normalizohen”, por Beogradit nuk i kërkohet si kusht njohja diplomatike e shtetit të Kosovës.Kaq e tha edhe shefi i Zyrës së BE-së në Beograd, Majkël Davenport për gazetën serbe Novosti. Ai theksoi se“Njëra nga fushat kryesore është respektimi i marrëveshjes Beograd-Prishtinë dhe angazhimi se nuk do të bllokojnë njëra-tjetrën për në BE”.  Me fjalë të tjera, Kosova angazhohet që të mbyllë gojën dhe të mos pengojë antarësimin e Serbisë në BE, ndërsa Serbisë as nuk i kërkohet si kusht antarësimi, njohja e shtetit të Kosovës. Për më tepër, e drejtë ose jo, thuhet se në bazë të këtyre marrëveshjeve, Kosova po kantonizohet dhe se po krijohet një “srpska” në Kosovë, sipas modelit të Bosnjës dhe se komunitetit të vogël serb në Kosovë po i bëhen lëshime të papara dhe po i akordohen privilegje që nuk i gëzon asnjë pakicë tjetër etnike në Europë.

Është vështirë të shihet ndonjë “pikëkëthesë dramatike” në këtë mes në marrëdhënjet Kosovë-Serbi.  Nëqoftse deklaratat e Daçiqit janë ndonjë shënjë treguese, në të vërtetë, dhe ndonëse ka nënshkruar marrveshjet —  në qëndrimin e tij ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar asgjë.  Jo më largë se disa javë më parë ai tha se Serbia nuk do e harrojë kurrë veriun e Kosovës dhe se serbët atje duhet të ndëgjojnë Beogradin.   Gjithë këto qendrime pa kompromis të Beogradit ndaj Kosovës po theksohen e ritheksohen për të gjithë ata që duan të marrin vesh, ndërkohë që anë e mbanë Serbisë po zbulohen varreza të reja masive shqiptarësh të vrarë nga regjimi diktatorial i Millosheviçit, e të cilit Daçiqi i ka shërbyer me zell.  Ligjvënsit e nderuar amerikanë thonë në letrën e tyre drejtuar Komisionit Nobel se marrëveshjet e arritura në Bruksel  kanë çuar në “normalizimin e marrëdhënjeve” midis Prishtinës dhe Beogradit. Po çfarë normalizimi dhe me kë?  Kryeministri serb Daçiq gjithnjë insiston se “Ne nuk e  e njohim Kosovën si shtet, por si një territor të veçantë… ndaj të cilit ne nuk kemi ndryshuar qendrimin tonë.”

Daçiqi nuk ka treguar kurrë ndonjë vullnet të mirë ndaj shqiptarëve, qoftë ndaj Kosovës, qoftë ndaj Shqipërisë. Madje, kohët e fundit në një intervistë televizive, ai vuri në dukje ndjenjat e tij të thella antishqiptare, kur me inatin e tij primitiv anti-shqiptar u shpreh se nëqoftse Shqipëria antarësohet në Bashkimin Europian para Serbisë, atëherë sipas tij, serbët si komb duhet të bëjnë vetvrasje kolektive, duke thënë tërthorazi se Shqipëria është një vend i prapambetur që nuk meriton antarësimin e saj në BE.

Është e famëshme thënja se “pa paqë nuk ka drejtësi”.  Çdo marrëveshje për normalizim marrëdhënjesh dhe për vendosjen e paqës së vërtetë midis dy vendeve duhet të jetë e drejtë për të dy palët, por sidomos për viktimën.  Marrveshje të tilla do ishin shpresëdhënse, po të ishin të sinqerta, dhe do të përbënin një hap përpara për marrëdhënjet afat gjata midis serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan si dhe një pranim i të drejtave të barabarta universale të njeriut dhe  zbatimit të ligjit në atë rajon.  Por  kam drojë se marrëveshjet e arritura në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilat kongresmenët amerikanë propozuan Zotërinjtë Thaçi, Daçiq dhe  Zonjën Ashton për Çmimin Nobel për Paqë, nuk përmbajnë sinqeritetin e vullnetit të mirë dhe as frymën e kompromisit as respektin e ndërsjellët dypalësh. Prandaj si të tilla, është e vështirë të shihet se si këto marrëveshje do të çojnënë  rrugën drejtë një paqeje dhe drejtësie  dhe në normalizimin aq të nevojshëm të marrëdhënjeve midis dy popujve, si një parakusht për të dy vendet në përpjekjet e tyre për tu integruar në Europë.  Këto marrveshje të arritura midis Prishtinës dhe Beogradit siç duket janë një rast i humbur historik për t’i dhënë fund pa-ndëshkueshmërisë shtetërore të Serbisë e cila ka shkaktuar aq shumë vuajtje dhe dhimbje ndër shqiptarë për më shumë se një shekull.Andaj si i tillë të nderuar kongresmenë, megjithë respektin që kam për ju, vendimi i juaj ishte i nxituar sepsepërfaqsuesi i regjimit të Beogradit nuk meriton emërimin për Çmimin Nobel për paqë.Mund të ketë një paqë të brishtë midis Kosovës dhe Serbisë, por siç ka thënë gazetari i njohur amerikan, Uilliam Allen Uajt, “Paqa pa drejtësi është tirani”.  Dhe për ushtrim tiranie fizike dhe psikologjike, të pakën deri më sot, nuk është dhënë Çmimi Nobel për paqë.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, kongresmene, u ngutet

SHQIPTARËT MERITOJNË ANTARËSIMIN NË BASHKIMIN EUROPIAN

December 19, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ja më në fund edhe një zhgënjim tjetër! Europa i thotë JO edhe njëherë dhe me plotë gojë dhënjës së statusit kandidat Shqipërisë.  E shtynë vlerësimin edhe për gjashtë muaj të tjerë.  Ishte ky një vendim, jo i pa pritur i vendeve më të rëndësishme të Europës, si Gjermania, Franca, Anglia dhe më pak të rëndësishme si Hollanda e Danimarka.   Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian (BE) qe shumë i qartë për vendimin që mori të marten.  Është e qartë se Europa, megjith fjalorin diplomatik që përdorin përfaqsuesit e saj për përparimet e bëra deri tani në Shqipëri,  ky vendim nga Brukseli tregon se ajo nuk është e bindur se Shqipëria është serioze në luftën e saj kundër korrupcionit, ndaj krimit të organizuar dhe reformave në drejtësi, si dhe ndaj çështjes së pronësisë dhe reformave në administratën publike,  për të merituar statusin e vendit  kandidat për Shqipërinë.  Gjithashtu një ndër  thirrjet e perëndimorëve ndaj klasës politike shqiptare ka vazhduar të jetë nevoja për krijimin e një atmosfere të re politike bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, si një shënjë dhe doemosdoshmëri për një qeverisje të mirëfilltë demokratike.  Në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë thuhet se, “Dialogu  konstruktiv dhe i vazhdueshëm politik mbetet shumë i rëndësishëm për realizimin e suksesshëm të reformave.”  Me fjalë të tjera, mungesa e një dialogu të vërtetë politik, sidomos midis dy palëve kryesore politike, mbetet diçka për tu dëshiruar dhe si e tillë një pengesë në rrugën e integrimit.

Ndonëse pak më heret Komisioneri i BE-së për Zgjërimin, Stefan Fyle, kishte rekomanduar dhënjen e statusit kandidat Shqipërisë, ai ja ”hodhi topin” qeverisë shqiptare duke thënë se dhënja e statusit të vendit  kandidat, Tiranës, ”Tani është në dorë të qeverisë shqiptare”, nëqoftse është serioze për të plotësuar kushtet e BE-së, të cilat janë të njëjta për të gjithë.   Megjithëse besohej se gjatë vitit të kaluar ishte përmirësuar disi klima e qendrimit të Europës ndaj Shqipërisë dhe zbatimit të kushteve, vendimi i BE-së të martën erdhi si një pasqyrim i një doze të madhe të realitetit të gjëndjes, jo si një “tush i ftohët”, por si një goditje e rëndë ndaj aspiratave të Shqipërisë dhe Shqiptarëve, si njëri ndër kombet më të vjetëra të kontinentit për të zënë vendin e vet aty ku i takon, në bashkësi me kombet e tjera të Europës.

Si është e mundur që Shqiptarët të cilët janë kombi që favorizon me përqindje dërmuese antarësimin  në Bashkimin Europian, është më larg këtij qëllimi se pothuaj çdo komb tjetër, 20-e sa vjetë pas rënjës së komunizmit.   Pse këjo vonesë dhe pse kaqë gjatë?!  Kujtë i intereson mos integrimi i Shqiptarëve?  Statusi i kandidatit është vetëm fillimi.  Dhe dhënja e statusit, si të thuash, do të dukej vetëm si shënjë e vullnetit të mirë europian ndaj Shqipërisë — gjë që nuk ndodhi –në rrugën e saj të gjatë drejtë integrimit dhe asgjë tjetër. Sepse raporti i Komisionit Europian e bën të qartë se problemet  vërtetë të mëdha për negociata me Shqipërinë mbeten për periudhën kur të bisedohet për vet pranimin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që siç tha pardje për Deutsche Welle, Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, mund të marrë 8-10 vjetë.

Tani lind pyetja se sa serioze është Europa për antarësimin e Shqipërisë.  A nuk meritonte Shqipëria një konsideratë sa Rumania dhe Bullgaria, apo nga keq llogaria e parakohshme ndaj meritave të antarësimit të këtyre dy vendeve dhe ndofta ndonjë tjetëri, tani e paguan Shqipëria.  Pyetja tjetër më me rëndësi është se sa serioze dhe sa e sinqertë është në të vërtetë klasa politike shqiptare, që Shqipëria realisht të hyjë në rrugën drejtë integrimit europian.  Kërkesa e Europës duhet të jetë angazhimi njëherë e mirë i pozitës dhe opozitës shqiptare për të ndërmarrë reformat e nevojshme dhe për të adaptuar standardet politike dhe ekonomike që u janë kërkuar të gjithëve për anëtarsim.  Këto standarde dhe këto kritere për antarësim në  klubin që quhet Bashkimi Europian, nuk janë as të reja, as nuk kanë ndryshuar ç’prej miratimit të tyre 20-vjetë më parë në Kopenhagë.   Pra, janë gjithnjë aktuale, megjithëse kryeministri i tanishëm shqiptar, Z.Edi Rama deklaroi muajin e kaluar duke hedhur dyshim mbi angazhimin e tij, në një takim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër, se “Bashkimi Europian nuk është më ajo që kemi ëndërruar në fillim, kur nisëm përpjekjet për t’u bërë pjesë e saj.”  Zoti Rama foli me atë rast për “një situatë paradoksale pasi e gjithë kjo”, sipas tij ”, po ndodhë në një moment kur Bashkimi Europian nuk është tamam çfarë kishim në mendje kur filluam të luftojmë për të.  Dhe sa më shumë i afrohemi, aq më shumë duhet të trajtojmë me diçka ndryshe nga çfarë kishim ëndërruar”, theksoi Kryeministri shqiptar.  A  donte të hidhte dyshime kryeministri shqiptar me këtë deklaratë se Shqipëria kishte humbur interesimin për antarësimin e saj në BE dhe se ishte më e interesuar tani për aleanca rajonale, pasi ato nuk kanë kushte as detyrime?

As klima e politikës së polarizuar në Shqipëri  gjatë dy dekadave të fundit nuk ka ndihmuar në rrugën e integrimit të vendit.  Në të vërtetë, polarizimi politik, mund të jetë një ndër arsyet kryesore të hesitimeve europiane për t’i hapur Shqipërisë dritën jeshile.  Nuk më kujtohet emëri i një zyrtari europian disa vite më parë, por më kujtohet deklarata e tij në lidhje me diskursin e ashpër politik në Tiranë, sidomos të debateve në parlament, i cili pat thënë se, “nëqoftse këta (politikanët shqiptarë) nuk merren vesh me njëri tjetërin, si mund të presim që ata të merren vesh me ne.”  E vërtetë ose jo, varet nga pikëpamja e secilit prej nesh, por fatkeqsisht kjo është përshtypja që perëndimorët kanë për klasën politike shqiptare.  Debati politik në Shqipëri duket sikurë nuk le hapësirë për kompromis.  Shumicat qeverisëse, gjatë viteve, përfshirë edhe shumicën e tanishme qeveritare, kanë deklaruar me mburrje se duke pasur shumicën në parlament, mund të bëjnë çfarë të duan, pa marrë parasyshë qëndrimet  e opozitës ose të shoqërisë civile.  Kjo nuk është demokraci e vërtetë, pasi demokracia e vërtetë, përveç shumicës në parlament, është gjithashtu dhe ndoshta më me rëndësi, një proces i vazhdueshëm e gjithëpërfshirës, ku duhet të dëgjohen të gjitha palët dhe  të merren në konsideratë të gjithë zërat kundërshtarë, në një frymë tolerance dhe kompromisi për mendimet dhe qendrimet e të tjerëve.  Është i doemosdoshëm bashkpunimi dhe konsensusi politik mbi çështje madhore të kombit, siç është antarësimi në BE dhe integrimi njëherë e mirë i shqiptarëve, përfshirë edhe Kosovën, në organizmat euro-atlantike.

Ky ishte edhe mesazhi i Sekretares së Shtetit Hillari Klinton para parlamentit shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë vitin që kaloi.  Duke folur për veten e saj, ajo vuri në dukje se megjithëse kishte bërë një fushatë të ashpër kundër dhe kishte qenë kundërshtare politike e Presidentit Obama, ajo punoi për ‘të si Sekretare e Shtetit.  Pyetjes se si është e  mundur që si kundërshtare e tillë politike t’i shërbente administratës së Obamës, Hillari Klinton u përgjigj para parlamentarëve shqiptarë duke deklaruar se, “Është krejt e thjeshtë.  Ne të dy e duam atdheun tonë”, u shpreh Hillari Klinton para ligjvenësve shqiptarë.

Hillary Klinton, duke folur si mike e kombit shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, u bëri sfidë përfaqsuesve shqiptarë që të gjejnë rrugën e sinqertë të bashkpunimit, “sepse më në fund”, tha ajo, “udhëheqsit në një demokraci të vërtetë, vendosin interesat e kombit mbi interesat personale dhe partiake.”   Zonja Klinton me të drejtë tha me atë rast se ndonëse Shqiptarët kanë një histori mijëra vjeçare, është ekzaktërisht këjo periudhë në të cilën jetojmë, e cila mund të ketë pasojat më të mëdha që ka përballur ndonjëherë kombi shqiptar për konsolidimin përgjithmonë të demokracisë për brezat e ardhëshëm.  Në fjalimin e saj, Hillari Klinton, i drejtoi parlamentit shqiptar disa pyetje të mprehta që janë edhe sot aktuale, sidomos përballë shtyrjes së dhënjës së statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Ndër të tjera, ajo pyeti:  “A do vazhdojë Shqipëria të ndërtojë një qeverisje të mirë?  A do të vazhdojnë udhëheqsit  e saj të sigurojnë besimin e popullit se puna e qeverisë do të japë rezultate të mira?  A do të lini më një anë interesat personale dhe partiake, për të mirë të vendit tuaj?  A do të ndërmirrni bërjen e reformave që mbështesin rritjen ekonomike duke krijuar mundësi për të gjithë shqiptarët?  A do të luftoni korrupcionin që favorizon disa në kurriz të shumëve?   A do të vazhdoni të bëni punën e rëndë që nevojitet për t’u antarësuar në Bashkimin Europian, duke qenë të vetdijshëm se është rruga që ofron paqën dhe progresin për të gjithë qytetarët tuaj?”  Ishin këto pyetje që vetë Zonja Klinton tha se vetëm udhëheqsit shqiptarë mund tu përgjigjen, por janë pyetje që kërkojnë përgjigje dhe marrje masash vendimtare nëqoftse, siç tha ajo një vit më parë në Parlamentin shqiptar, “dëshironi të bëni përparim drejtë antarësimit të Shqipërisë në Be-në”, aty ku e kini vendin”, tha ajo.   Këtë detyrë, përfundoi Zonja Klinton ua kini borxh ”fëmijve dhe brezave të ardhëshëm…në një botë mundësishë, tolerance dhe gjithëpërfshirse.”

Shqiptarët meritojnë antarësimin në një Europë të bashkuar e cila i respekton ata si të barabartë me të gjitha kombet e tjera dhe njëkohësisht, Shqiptarët meritojnë një qeveri, një opozitë dhe një klasë politike, që do të bëjnë ç‘mosin për të bërë të  mundur realizimin e kësaj ëndërre shekullore të të gjithë Shqiptarëve kudo.

Filed Under: Analiza Tagged With: anetaresimin ne BE, Frank shkreli, Shqiptaret e meritojne

NED, 30-VJETË NË MBËSHTETJE TË DEMOKRACISË

December 17, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

30-vjetë më parë, më 16 Dhjetor 1983, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan inauguroi Entin Kombëtar për Promovimin e Demokracisë (National Endowment for Democracy) NED.  Kjo është një organizatë private, një fondacion jo fitimprurës që mbështetet nga të dy partitë kryesore të Amerikës, dhe misjoni i të cilës është rritja dhe forcimi i institucioneve demokratike në mbarë botën.  Veprimtaria e NED-it financohet  kryesisht me fonde publike nga Kongresi amerikan dhe sipas vetë kësaj organizate, çdo vit ajo mbështetë mbi 1000 projekte grupesh jo-qeveritare që punojnë për realizimin e objektivave demokratike në më shumë se 90 vende, anë e mbanë botës.

Krijimi i këtij enti e ka zanafillen në fjalimin e famshëm që Presidenti Reagan pat mbajtur në Qershor të vitit 1982 para anëtarve të parlamentit britanik në pallatin Uestminster, gjatë të cilit ai shpalosi vizionin e tij, “për të mbështetur infrastrukturën e demokracisë – e të një sistemi të lirisë së shtypit dhe sindikatave, të veprimtarisë së lirë të partive politike dhe lirisë në universitete, dhe për të bërë të mundur që çdo popull të zgjedhë vetë rrugën e zhvillimit dhe të mundësojë që ndryshimet në pikpamjet e tyre të zgjidhen me mënyra  paqësore.”   Duke folur për vizionin e tij në mbështetje të lirisë dhe të demokracisë anë e mbanë botës, Presidenti Reagan ka thënë 30-vjetë më parë se, “Kjo detyrë e ngutshme që i caktojmë vetes, do të mbijetojë edhe përtej brezit tonë.   Për hir të paqës dhe të drejtësisë, le të shkojmë drejtë një bote, në të cilën të gjithë popujt, më në fund, do të jenë të lirë të vendosin vet fatin e tyre.”   

Ky vizion i Presidentit Reagan ishte baza e themelimit të NED-it dhe e dy instituteve brenda tij, që për lexuesin njihen më së miri si Instituti Kombëtar Demokrat dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan, të cilët gjatë dy dekadave të fundit kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkan.  Themelimi i Entit Kombëtar Amerikan për Promovimin e Demokracisë nxiti rritjen e ndihmave amerikane në mbështetje të zhvillimeve demokratike në botë, duke krijuar njëkohësisht edhe një fushë të re të bashkpunimit ndërkombëtar.  Por, në të vërtetë ky ent, për nga natyra e tij, është një institucion unik edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, pasi aty si askund tjetër, së bashku punojnë demokratët, republikanët si edhe përfaqsues të puntorëve dhe biznesit amerikan, për të avancuar vlerat universale të lirisë, të demokracisë dhe të drejtave bazë të njeriut, në mbarë botën — si një prioritet ky i interesave kombëtare.

 

Historia e botës, e sidomos historia e Europës, ka ndryshuar shumë gjatë 30-viteve të fundit, ç’prej themelimit të “Entit Kombëtar Amerikna për Promovimin e Demokracisë” (NED), por misioni thelbësor i këtij enti, sipas presidentit të tanishëm të tij, Karl Gershman nuk ka ndryshuar, duke thënë se, “Misioni i NED-it mbetet i njëjtë, për të mbështetur Demokracinë….kjo veprimtari është përhapur tani anë e mbanë botës dhe është kënaqësi për të parë që aq shumë vende tani janë në këtë rrugë të zhvillimit të demokracisë.”  Duke folur me rastin e 30-vjetorit themelimit  të organizatës që ai kryeson,  Karl Gershman shtoi se, “Demokracia është një proces, dhe se si i tillë, demokracia mund të realizohet vetëm duke e praktikuar atë si system funksional.  Mund të jetë një gjë e vështirë për tu kuptuar, por ama është themelore për veprimtarinë tonë anë e mbanë botës”, tha ai.   Ai shtoi gjithashtu se “ne mund të ndihmojmë, por në të vërtetë janë individët dhe organizatat mbrenda një vendi, ato që janë forcat kryesore shtytëse për ndryshime positive në shoqëritë e tyre”.

Veprimtaria e NED-it në Europë, aty ku edhe ka filluar 30-vjetë më pare, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, vitet e fundit është përqendruar në mbështetjen e organizatave dhe grupeve vendase të shoqërisë civile me qëllim për të promovuar llogari-dhënjen nga ana e qeverisë dhe për të inkurajuar bërjen e reformave të nevojshme për integrimin euro-atlantik, duke inkurajuar dialogun politik midis partive politike, midis autoriteteve dhe grupeve të ndryshme si dhe për të ndihmuar rininë të angazhohet më shumë në procesin politik të vendeve të ndryshme.  NED-i thotë se vendet që ende nuk janë integruar plotësisht në organizmat euro-atlantike — megjithëse integrimin e kanë përcaktuar si prioritet të lartë — shumica e tyre duket se nuk kanë vullnetin e duhur për të ndërmarrë masat e nevojshme për plotësimin e këtij procesi.

Por megjithkëtë, Presidenti Ronald Reagan do ishte krenar sot për zhvillimet demokratike në Europë dhe anë e mbanë botës, 30-vjetë pas fjalimit të tij në Londër, që çoi në themelimin e entit NED, për promovimin dhe inkurajimin e demokracisë në mbarë botën.  Ai do ishte krenar gjithashtu edhe për përkrahjen që të dy partitë kryesore politike të Amerikës si dhe të gjitha administratat republikane dhe demokrate të këtij vendi, i kanë dhënë këtij enti, në përkrahje të të gjithë aktivistëve të guximshëm demokratë dhe të lëvizjeve paqësore kudo nepër botë, të cilët sipas NED-it, gjithmonë kanë qenë dakort mbi rëndësinë e avancimit të lirive universale dhe të të drejtave të njeriut në mbarë botën.  Gjatë 30-viteve të kaluar ishte ky një angazhim i mbarë politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj zhvillimeve paqësore demokratike, të vlerave universale dhe lirive bazë të njeriut në mbarë botën.  Kjo trashëgimi e presidentit Ronald Reagan vazhdon edhe sot, ndërkohë që Enti Kombëtar Amerikan për Promovimin e Demokracisë” (NED)  angazhohet në këtë 30-vjetor se do të vazhdojë gjithnjë të mbështesë mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Rusi, në Kinë dhe kudo tjetër nepër botë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 30 vjet NED, Frank shkreli, Regan

FILMI, “WALESA:NJERIU I SHPRESËS”

December 13, 2013 by dgreca

 “Pa Zërin e Amerikës unë nuk do të isha njeriu që jam sot” (Lech Valesa)/

Nga Frank Shkreli/

 Thuhet se çdo brez dhe çdo shekull i ka njerëzit e vet të cilët me jetën, me veprat dhe shpesh edhe me vuajtjet e tyre ndryshojnë shoqërinë në të cilën jetojnë, ndërkohë që jehona e veprave të  tyre ndryshon edhe botën.  Njëri prej tyre, Nelson Mandela, që u cilësua si “një gjigand i historisë”, ndërroi jetë ditët e fundit dhe do varroset këtë fund jave.   Një tjetër personalitet i historisë së shekullit të kaluar, vepra dhe guximi i të cilit ndryshuan jo vetëm vendin e tij, Poloninë,  Europën, dhe mund të thuhet edhe mbarë botën — është Lech Walesa, ish-elektricisti polak, themeluesi i sindikatës polake Solidarnost,  njeriu që tundi sistemin komunist anë e mbanë Europës dhe në ish Bashkimin Sovjetik, para se të zgjidhej, më në fund me vota të lira, presidenti i parë  i Polonisë, në vitin1990.  Si fitues i Çmimit Nobel të paqës për rolin paqësor që ai luajti gjatë asaj periudhe, së bashku me një patriot tjetër polak, Papa Gjon Palin e  dytë në rrëzimin e komunizmit në vendin e tij — historia e Lech Walesës njihet mirë tanimë në e mbanë botës.

Lech Walesa, Ronald Reagan dhe Papa Gjon Pali i dytë e kishin kuptuar mirë etjen e njerëzve për liri.  Secili në mënyrë të vet dhe me ardhjen në fuqi të Mikhail Gorbaçovit në Bashkimin Sovjetik, të gjithë së bashku përfshirë protagonistë të tjerë, ndihmuan në shkundjen e themeleve të diktaturës komuniste në Europë, me besimin se në këtë botë ekzistojnë disa të vërteta morale dhe të drejta bazë të cilat bashkojnë të gjithë njerëzit. Ata vepruan me bindjen se të gjithë njerëzit — secili prej nesh –gëzon të drejta të barabarta e themelore të njeriut, të drejta të cilat na i ka falur Perëndia.  Dhe se këto të drejta nuk janë pronë e ndonjë qeverie apo pushteti civil, ushtarak ose të ndonjë diktatori të kësaj bote, për t’u mohuar ose për t’u shkelur sipas rastit e dëshirës, por ato janë, sipas Kushtetutës amerikane, të pamohueshme dhe të patjetërsueshme për të gjithë njerëzit kudo dhe për të gjitha kohërat. Mbrojtja e këtyre të drejtave ka ndihmuar që raca njerëzore të mbijetojë duke i mbështetur ato kundër diktaturave të llojllojshme politike, ideologjike dhe ushtarake të këtij shekulli, përfshirë komunizmin, përball rreziqeve të mëdha.  Lech Walesa, si një elektricist i thjeshtë por i guximshëm gjatë viteve 1980, u përballua me komunizmin e egër ndërkombëtar, i cili i mohonte dhe i shtypte këto të drejta të njeriut popullit të tij, ndërkohë që ai ishte i bindur se këto të drejta themelore bazë për të gjithë njerëzit, përbënin parimet e nevojshme për një jetesë të përbashkët me të drejta të barabarta, në një shoqëri të lirë dhe në një botë të lirë, për të gjithë.

Bota më në fund njohu guximin dhe kurajon e Lech Walesës, ndërkohë që në vitin 1983 i akordohet Çmimi Nobel për Paqë, për përpjekjet e tija në favor të të drejtave dhe lirive njerëzore.  Ndonëse ai nuk shkoi në Oslo për të marrë çmimin Nobel nga frika se autoritetet komuniste polake nuk do e lejonin të këthehej në atdhe, ai dërgon  në vend të tij bashkshorten Danuta e cila lexoi fjalimin në emër të Ualesës, duke përmbledhur filozofinë e tij të thjeshtë në favor të drejtësisë dhe solidaritetit njerëzor dhe kundër shtypjes, duke thënë: “Ne dëshirojmë paqë — dhe kjo është arsyeja që ne nuk kemi përdorur kurrë dhunën fizike.  Ne dëshirojmë megjithë shpirt drejtësinë — dhe kjo është arsyeja se pse ne jemi të vendosur në luftën tonë në mbështetje të të drejtave tona.  Ne kërkojmë lirinë për bindjet dhe mendimet tona, dhe kjo është arsyeja që ne nuk jemi përpjekur kurrë të skllavërojmë ndërgjegjen e njeriut.  Ne respektojmë dinjitetin dhe të drejtat e çdo personi dhe të çdo kombi.  Objektivi për një të ardhme më të mirë për botën, duhet të arrihet nepërmjet një pajtimi të ndershëm të interesave të kundërta e konflitkuale dhe jo nepërmjet urrejtjes dhe gjakderdhjes.  Për të ndjekur këtë rrugë, është e nevojshme pasja e fuqisë morale dhe mbështetja e solidaritetit njerëzor.”   Eventualisht, këmbëngulja ndaj kërkesave të tija dhe të lëvizjes Solidarnost si dhe të disidentëve të tjerë, çoi më në fund në  mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Poloni dhe në vitin 1990, kur ai zgjidhet president i Polonisë me një mandat 5-vjeçar.

Për jetën dhe veprimtarinë e Lech Walesës, janë shkruar shumë libra dhe në gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe autobiografinë e tij, “Lufta dhe Triumfi”, por tani regjisori polak i filmave Andrzej Vajda, sipas tij “në përpjekje për të dëshmuar të vërtetën”, i paraqet botës  historinë e Lech Walesës dhe  të Lëvizjes Solidranost me filmin, “Walesa: Njeriu i Shpresës”, që u shfaq javën e kaluar në Uashington,  ku morën pjesë edhe një numër kongresmenësh dhe senatorësh amerikanë.   Filmi, që tani është emëruar për kategorinë e filmit të huaj më të mirë, mbulon një periudhë prej dy dekadash të historisë polake, duke filluar nga trazirat e vitit 1970 në qytetin bregdetar Gdansk, e deri në rrëximin e komunizmit më 1989.  Filmi, “Walesa: Njeriu i Shpresës”, i cili po shfaqet në Europë dhe në Amerikë, përmban edhe pjesë dokumentare origjinale nga jeta e udhëheqsit të Solidarnostit dhe nga ngjarjet e ndryshme ashtu siç kanë ndodhur në Poloni gjatë asaj periudhe.

Filmi paraqet të mirat dhe të këqiat  nga jeta e Lech Walesës, dhe kritikët në përgjithësi janë dakort se, Lech Walesa paraqitet si një individ i cili, megjithë të metat e tij, u përpoq të bënte atë që kishte mundësi si person, përballë jo vetëm vështirsishë të mëdha, por edhe përballë rreziqesh të pa-imagjinueshme për jetën e tij dhe të shokëve të tij.  Vet Lech Walesa, megjithëse sipas medias jo krejt i kënaqur me filmin, ka thenë se regjisori Vajda ka bërë përgjithësisht një punë të mirë, duke i thënë Zërit të Amerikës — me rastin e prezantimit, të filmit “Lech Walesa: Njeriu i Shpresës” në Uashington, se ndonëse regjisori ka bërë një punë të mirë duke e paraqitur atë si një “sindikalist dhe revolucionar të thjeshtë”, ai shtoi se filmi i ri mbi jetën dhe veprimtarinë e tij, në të vërtetë nuk përfshinë disa aspekte të rëndësishme nga jeta e tij. Por, “Jeta ime” shtoi ai, “është plot me ngjarje të ndryshme, dhe si e tillë është e pamundur që të përfshihen të gjitha në një film prej dy orësh.”

Në një intervistë të shkurtër javën e kaluar në Uashington me korrespondenten Vivian Çakarian të Zërit të Amerikës në anglisht, Lech Walesa, presidenti i parë i Polonisë që u zgjodh me vota të lira pas rënjes së komunizimit, theksoi rolin jetik, që sipas tij, ka luajtur Zëri i Amerikës në informimin e popujve nën thundrën e komunizmit gjatë luftës së ftohtë.  Duke pohuar se gjatë asaj periudhe, ai dëgjonte shpesh Zërin e Amerikës, u shpreh se, “Pa Zërin e Amerikës, unë nuk do të isha njeriu që jam sot”, ndërkohë që shtoi se, “Një e treta e fitores tonë i detyrohet Zërit të Amerikës.”

Filed Under: Kulture Tagged With: film, Frank shkreli, njeriu i shpreses, Walesa

NELSON MANDELA: GJIGANT I HISTORISË

December 10, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kështu e quajti Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, Nelson Mandelën, luftëtarin e lirisë, të burgosurin, simbolin e Afrikës  kundër shtypjeve dhe diskriminit racial dhe më në fund Presidentin e Afrikës së Jugut dhe fituesin e Çmimit Nobel për paqë, gjatë një ceremonie përkujtimore të martën në Xhohanesburg.   Nelson Mandela ndërroi jetë javën që kaloi në moshën 95-vjeçare.  Në shërbimin përkujtimor, sipas mediave të ndryshme, morën pjesë rreth 90-mijë vetë, përfshirë edhe udhëheqës nga 100 shtete, nga mbarë bota.  Delegacioni amerikan kryesohej nga Presidenti Obama dhe përfshinte tre ish-presidentë të këtij vendi, Xhorxh Bush, Bill Klinton dhe Xhimi Karter.

Presidenti Obama e cilësoi Nelson Mandelën si liberatorin e fundit të shekullit të 20-të, duke e quajtur atë, “një gjigant të historisë, i cili shtyri vendin e tij kah drejtësia”.  Presidenti amerikan e krahasoi Mandelën me gjigantët e shekullit të kaluar si Mahatma Gandhi dhe Martin Luther Kingu, duke thënë se ai, “vuajti pasojat e qëndrimeve të tija, duke kundërshtuar shtypësit e tij të fuqishëm.”  Gjatë fjalimit të tij,  Zoti Obama invokoi edhe emërin e Abraham Linkolnit, duke e krahasuar Mandelën me ish-presidentin amerikan të periudhës së luftës civile në Amerikë, si dhe me themeluesit e tjerë të Amerikës.  “Nevojitej një burrë si Mandela”, tha presidenti amerikan, që me veprën dhe qëndresën e tij paqësore, jo vetëm të, “lironte të burgosurin (vetveten) por njëkohsisht edhe rojën e burgut” (shtypësin e tij). Madje, madje, në ianugurimin e tij për president, Mandela kishte ftuar rojën e tij të burgut dhe e kishte ulur atë në rendin e parë me personalitete të tjera. I tillë ishte sensi i tij i pajtimit për një shoqëri të dalë nga një diktaturë e tmershme. Udhëheqsi amerikan iu drejtua afrikano-jugorëve duke thënë se, “Lufta e tij ishte lufta e juaj. Triumfi i tij ishte triumfi i juaj. Dinjiteti dhe shpresa e juaj gjenin shprehje në jetën e tij, ndërsa liria dhe demokracia që ju gëzoni sot, janë trashëgimia e tij e shtrenjtë”, tha presidenti Obama para më shumë se 90-mijë të pranishëmve në stadiumin e Sovetos.

Ndërsa Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon tha me këtë rast se, “Afrika e Jugut humbi një hero, humbi një baba, i cili ishte njëkohsisht edhe një prej mësuesve më të mëdhej.  Ai ishte shembull frymëzues vetmohimi që sakrifikoi aq shumë për liri dhe demokraci”, tha Ban Ki Moon, duke shtuar se “gjithandej ndihet dhëmbje për një humbje të madhe, por njëkohsisht është edhe një moment celebrimi i një jete të madhërishme.”

Mandela qe burgosur në vitin 1962, i akuzuar për konspiracion për të rrëxuar qeverinë raciste të Afrikës së Jugut. Në gjyqin që e dënoi atë me burgim të përjetëshëm, ai mbrojti veten,  duke mbajtur një fjalim prej katër orësh, ku ndër të tjera ka thënë se, “Unë kam luftuar kundër dominimit nga të bardhët dhe kam luftuar kundër dominimit nga zezakët”, tha ai.  “Unë mbështes dhe shpresoj në idealin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, ku të gjithë njerëzit, pa dallim, të mund të jetojnë së bashku në harmoni dhe me mundësi dhe të drejta të barabarta.  Është ky një ideal për të cilin dua të jetoj dhe të cilin më në fund shpresoj t’a realizoj. Por nëqoftse është e nevojshme, ky është një ideal edhe për të cilin jam gati të vdes.”

Pas 27 vitesh dhe vuajtjesh në burg, dhe pas lirimit të tij nga burgu, më 1990, Nelson Mandela realizoi ëndërrën dhe idealin e tij për një shoqëri të lirë dhe demokratike për vendin e tij.  Më 1994, ai zgjidhet president i Afrikës së Jugut.  Mandela ka thënë  në vitin 2004, me rastin e 10-vjetorit të demokracisë në vendin e tij se megjithëse bota priste një gjakderdhje dhe luftë civile raciale gjatë tranzicionit, “ne jo vetëm që mënjanuam një masakër raciale, por ne të gjithë së bashku, krijuam një prej sistemeve  demokratike, progresive, jo raciale më shembullorë të botës moderne.”

Në fjalimin me rastin e inugaurimit të tij në postin e presidentit të Afrikës së Jugut, më 1994, vetëm katër vjetë pas lirimit të tij nga burgu, Nelson Mandela, duke pasur parasyshë vuajtjet e veta dhe të bashkombasve të tij gjatë dekadave të aparteidit të egër, tha se, “Nga përvoja e kësaj tragjedie të jashtzakonshme njerëzore që zgjati aq shumë, duhet të lind një shoqëri e re, e cila do të jetë krenaria e gjithë njerëzimit.”  Ai ishte i vetdijshëm se këjo shoqëri e re nuk mund të lindëte pa një pajtim mbarë kombëtar, duke thënë me tonin e tij pajtues se për vendin e tij “kishte ardhur koha për shërimin e plagëve dhe se ishte momenti historik për të tejkaluar ndasitë që na përçajnë, me qëllim për të ri-ndërtuar vendin.”   Në fjalimin inuagurues që vuri bazën e qeverisjes së tij të ardhëshme dhe të procesit të pajtimit, Presidenti Mandela, u angazhua, se “do ndërtojmë një shoqëri në të cilën të gjithë afrikano-jugorët, të bardhë  e zezakë, do të jenë krenarë, pa kurrfarë frike në zemërat e tyre, të sigurt për të drejtat  dhe për dinjitetin e tyre njerëzor.”

Duke theksuar se dita e lirisë për ‘të dhe për bashkombasit e tij nuk ishte realizuar  pa vuajtje e sakrifica të shumëta, Mandela tha me atë rast se, “Ne, ua dedikojmë këtë ditë të gjithë heronjve dhe heroinave të këtij vendi dhe anë e mbanë botës, të cilët kanë sakrifikuar edhe jetën për të qenë të lire.  Ëndërrat e tyre janë bërë realitet. Shpërblimi i tyre, është liria”, përfundoi fjalimin e tij inagurues si president i parë zezak i Afrikës së Jugut, në vitin 1994.

Editorialet në media, analistët dhe komentues të ndryshëm, me të drejtë e cilësojnë Nelson Mandelën si njërin prej udhëheqësve më të dalluar modern jo vetëm në Afrikë por kudo në botë.  Ai triumfoi mbi të keqen dhe udhëhoqi duke nxjerrur popullin e vet nga gremina ku kishte renë shoqëria jug-afrikane për shkak të aparteidit racial, pa derdhur as një pikë gjak, megjithë ndasitë e mëdha shoqërore që ekzistonin në atë kohë.  Mbi të gjitha, atij i akordohet merita e madhe për mbikqyrjen e zbatimit të procesit të quajtur, “E Vërteta dhe Pajtimi”, një proces ky që më në fund, u njohu sadopak viktimave të aparteidit racial të Afrikës së Jugut,  vuajtjet, sakrificat dhe viktimizimin e tyre, nga njëri prej sistemeve më anti-njerëzore që ka njohur bota.  Nelson Mandela, siç theksuan edhe shumë nga folësit në cermeninë pëkujtimore të Martën, në Soveto të Afrikës së Jugut, me personalitetin e tij, ai dijti të përdorte fitoren mbi të keqen, duke e këthyer atë në një paqë dhe pajtim për bashkkombasit e vet.  Ashtu siç tha edhe Presidenti Obama në fjalimin e tij të Martën në Xhohanesburg, Nelson Mandela ishte një udhëheqës i cili tregoi me fjalë dhe vepra se, “është e nevojshme që t’u besosh  të tjerëve nëse dëshiron që të tjerët të besojnë ty dhe se që të praktikosh pajtimin shoqëror, nuk do të thotë se mohon ose justifikon të kaluarën, por  përkundrazi, pajtimi është një proces për tu përballur me të kaluarën, me gjithëpërfshirje, bujari dhe me të vendosjen në vend të së vërtetës”, përfundoi Presidenti amerikan Barak Obama, fjalimin e tij në përkujtim të Nelson Mandelës.

Ai ishte një model udhëheqsi për çdo shoqëri post diktatoriale, sidomos ai do mbetet shembull i pajtimit. Por mbi të gjitha, siç tha në një editorial, gazeta afrikano-jugore, Cape Tajms, “Kontributi më i madh i tij do të mbetet me siguri, roli që ai luajti si luftëtar i lirisë”. “Ajo që arrijti Mandela – me ndihmën e të tjerëve – është fakti se ai zbërthei zinxhirët e aparteidit dhe u paraqiti bashkombasve të vet alternativën demokratike”, përfundoi gazeta afrikano jugore.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, gjigant i historise, nelson Mandela

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 152
  • 153
  • 154
  • 155
  • 156
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT