• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POLITIKA SHQIPTARE NËNSHTRUESE NDAJ INTERESAVE HUAJA

October 22, 2013 by dgreca

…Sa ironik është fakti që Kryeministri i Turqisë, pasardhëse e Perandorisë Otomane, Z.  Rexhep Taip Erdogan kërkon të shkojë në Prizren së bashku me dy kryeministrat shqiptarë, aty në Prizrenin e Abdyl Frashërit, aty në zemrën dhe në shpirtin e Lidhjes së Prizrenit, aty ku shqiptarët e të gjitha krahinave i deklaruan botës së ka Shqiptarë  dhe se ka Shqipëri, aty ku u dha kushtërimi për bashkim qëllimi  e ideje.  Sado tërheqse që të jenë premtimet  për ndihma financiare dhe investimet nga të huajt, siç ka thënë edhe Midhat Frashëri me një rast, “Përpjekja për Atdhe nuk është si puna e ryshveteve, që njeriu bën hesap a del a s’del, behet hesap a fitohet a humbet — por jo në çështjen kombëtare.”/

Nga Frank Shkreli/

Gjatë disa viteve të fundit Turqia ka ndërmarrë një fushatë, që disa e quajnë si një ofensivë të gjithanshme, diplomatike, politike, shoqërore dhe fetaro-kuturore në Ballkanin perëndimor, kryesisht e përqëndruar në vendet me shumicë myslimane, si Shqipëria, Kosova dhe Bosna-Hercegovina.  Siç duket në frymën e kësaj fushate diplomatike, Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Kosovën të Mërkurën, ë 23 tetor.  Mediat e Prishtinës  njoftojnë se zyrtarisht udhëheqsi turk po viziton Kosovën për të inauguruar  terminalin e ri  të aeroportit, “Adem Jashari” në kryeqytetin e Kosovës, por sipas të njëjtave burime, Z. Erdogan do të vizitojë edhe Prizrenin, kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, i shoqëruar nga Kryeministri i Kosovës, Z. Hashim Thaçi.  Dhe ajo që e bën këtë vizitë në Prizren edhe më interesante, është fakti se Kryeministrit të Turqisë dhe atij të Kosovës do t’i bashkohet edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, e gjithë këjo gjatë një fushate elektorale për zgjedhjet vendore në Kosovë, gjë që disa analistë e kanë cilësuar si një përpjekje për të influencuar zgjedhjet në favor të partisë në pushtet dhe për më tepër si një ndërhyrje në punët e mbrendshme të Kosovës.

Fatkeqsisht, influencat e huaja ashtu si edhe në të kaluarën, po gjëjnë edhe sot mbështetje në trojet shqiptare, për arsye të përkohëshme politike, ekonomike e të tjera.  Duket se asgjë nuk është mësuar nga historia.  Fushata diplomatike turke e viteve të fundit për të ushtruar një influencë dominuese, sidomos në vendet me shumicë myslimane si Shqipëria dhe Kosova po bëhet me një zhurmë të madhe dhe në një mënyrë arrogante sa që kërkohet edhe rishqyrtimi i historisë së okupimit 5-shekullorë të trojeve të kombit shqiptar nga otomanët.   Ndërkohë, Rusia një perandori tjetër të cilës shqiptarët gjithmonë ia kanë pa sherrin, influenca politike dhe financiare e së cilës gjithnjë vjen e shtohet në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se çdo përkrahje për pavarësinë e Kosovës është ilegale dhe imorale, ndërkohë që sa për sy e faqe zhvillon bisedime me Prishtinën në Bruksel.   Në këtë boshllëk të një politike dhe diplomacie të vendosur dhe të bashkrenduar mirë ndaj interesave kombëtare nga Tirana dhe Prishtina — Kryeministri serb Daçiq — deklaroi ditët e fundit se  është duke menduar që në vend të bisedimeve të Brukselit — dialogun ta vazhdojë me Kryeministrin e ri të Shqipërisë, Z. Rama.  Kemi të bëjmë gjithnjë me arrogancën e atyre që për shekuj donin të zhduknin racën shqiptare nga Ballkani.  Në prak të vizitës në Kosovë, Kryeministri turk Erdogan deklaron se,“Turqia dhe Kosova kanë marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore që rrjedhin nga thellësitë e historisë, por është e vogël dhe nuk ka të drejtë të flas kundër Islamit,”  ka thënë  Erdogan për televizionin turk TRT.
Kosova, është tepër e vogël për të folur kundër Islamit!  Se kush në Kosovë është duke folur kundër Islamit, veç ai e di, por në të vërtetë është duke thënë se Kosova është tepër e vogël për çdo gjë dhe si e tillë  është nën mëshirën e tij.  Por megjithkëtë, shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e Kosovës në veçanti, ashtu siç i shkruan Z. Erdogan në prak të vizitës së tij në Kosovë, edhe deputetja e pavarur e Kosovës, Alma Lama, “Ne në Kosovë, por shqiptarët edhe më gjerë jemi shumë të interesuar të kemi raporte të mira me shtetin e sotëm turk pavarësisht nga e shkuara jonë e hidhur.  Krijimi i raporteve të mira do të thotë në radhë të parë respekt reciprok, do të thotë respektim i kulturës dhe traditës së tjetrit.  Ne, si ish-pjesë e perandorisë turke, të pushtuar prej saj jo vetëm politikisht por edhe kulturalisht e fetarisht, para një shekulli bëmë përpjekje të jashtëzakonshme si komb për të rilindur vetveten.  Ia dolëm. Sfida numër një për ne ishte pikërisht feja.  Vendosëm që asaj të mos i jepnim rëndësi të dorës së parë, por kombi të ishte formula jonë e ekzistencës. U përcaktuam për këtë dhe ecëm përpara. E kundërta do të na kishte fundosur.  Ashtu sikurse mund të na fundosë tani, nëse ne nuk tregohemi të vëmendshëm”, i shkruan deputetja e Kosovës Alma Lama, Kryeminsitrit turk në vigjiljen e vizitës së tij në Kosovë.

Edhe udhëheqsi serb Daçiq, ndërsa sa për sy e faqe zhvillon bisedime në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, në një ëndërr teatrale të tijën, ai nënçmon udhëheqsit shqiptarë të Kosovës duke deklaruar se për fatin e Kosovës, ose më mirë të themi, për ndarjen e Kosovës, tani ai dëshiron të flasë me Tiranën zyrtare, pikërisht me Kryeminsitrin e ri, Z. Rama.  Hajde dreq e merre vesh këtë punë.   Edhe Greqia nga jugu i kufijve të kombit, vazhdon me politikën e saj të pandërprerë anti-shqiptare.   Asnjë përgjigje as deklaratë zyrtare as nga Prishtina as nga Tirana! Quo vadis, Kombi Shqiptar?

Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre nuk kanë sulmuar askënd as nuk kanë pretenduar toka e territore të tjerëve, nuk kanë imponuar fenë dhe as nuk gjykojnë historinë e të tjerve.  Shqiptarët megjithë vuajtjet e tyre nga pushtime të ndryshme nga fqinjtë dhe mbështetsit e tyre, sot më shumë se kurrë janë tepër të interesuar për marrëdhënje të mira me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Turqinë, Serbinë dhe Greqinë.  Por siç thotë edhe deputetja e Kosovës Alma Lama në letrën drejtuar Z. Erdogan, një gjë e tillë kërkon mirëkuptim të dyanshëm.  “Ne nuk mund t’ju akuzojmë ju për atë që kanë bërë paraardhësit tuaj” thotë deputetja shqiptare, “por në momentin që na kërkoni që ne të ndërrojmë historinë, që të zezës t’i themi e bardhë, të përgjakshmes lulëzim, në momentin pra kur ju nuk distancoheni nga prapësitë e paraardhësve tuaj, por përkundrazi na kërkoni që edhe ne t’i shohim me sytë tuaj, atëherë mos pritni prej nesh mirëkuptim.”

Duke shprehur ato që unë mendoj se janë ndjenja të shumicës së shqiptarëve kudo, deputetja e Kuvendit të Kosovës, në letrën e saj drejtuar Kryeminstrit Erdogan thotë gjithashtu se, “Ne si komb kemi luftuar shumë hegjemoninë e të tjerëve, dhe tani që po shijojmë lirinë, kurrsesi s’mund të pranojmë që dikush, sado i fuqishëm, të na e shkruajë historinë sipas qejfit të vet.  Asnjë shtet perëndimor, as ata që na çliruan nga pushtuesi tjetër Serbia, nuk na ka ardhur me një kërkesë të tillë primitive. Primitive, pasi së pari historinë e shkruajnë historianët, jo politikanët, aq më tepër politikanët e vendeve ish-pushtuese; dhe së dyti, sepse bie tërësisht ndesh me fondamentin tonë, iluminizmin dhe të vërtetat që burojnë nën dritën e tij”, shkruan deputetja e pavarur në Kuvendin e Kosovës.

Sa ironik është fakti që Kryeministri i Turqisë, pasardhëse e Perandorisë Otomane, Z.  Rexhep Taip Erdogan kërkon të shkojë në Prizren së bashku me dy kryeministrat shqiptarë, aty në Prizrenin e Abdyl Frashërit, aty në zemrën dhe në shpirtin e Lidhjes së Prizrenit, aty ku shqiptarët e të gjitha krahinave i deklaruan botës së ka Shqiptarë  dhe se ka Shqipëri, aty ku u dha kushtërimi për bashkim qëllimi  e ideje.  Sado tërheqse që të jenë premtimet  për ndihma financiare dhe investimet nga të huajt, siç ka thënë edhe Midhat Frashëri me një rast, “Përpjekja për Atdhe nuk është si puna e ryshveteve, që njeriu bën hesap a del a s’del, behet hesap a fitohet a humbet — por jo në çështjen kombëtare.”

Në takimin e Prizrenit me kryeministrin turk, kryeministrat shqiptarë duhet të jenë të vetdijshëm dhe ndërgjegjës ndaj parimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që shqiptarët pas pesë shekuj robërie, më fund të vendosnin vet fatin e tyre, që të shpëtonin Shqipërinë dhe Shqiptarët.  Obligimet e tyre morale dhe politike ndaj këtyre parimeve si përfaqsues të kombit shqiptar sot, janë po aq të rëndësishme dhe historike sa ç’ishin edhe më 1878.
 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e interesave, Frank shkreli, nenshtruse, Pilitika shqiptare, Prizren, te hauja

AMANETI I ÇUAR NË VEND!

October 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javën e kaluar, Z. Servet Pëllumbi, një ish-funksionar i lartë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në një intervistë televizive zbardhi mëtej dokumentin e Ramiz Alisë, të bazuar në platformën e Mikhail Gorbaçovit, të ashtuquajturën “Katovice” duke rrëfyer vendimin e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë për të zbatuar vendimin sekret të Byrosë politike të Shqipërisë, në lidhje me këtë platformë.   Në Shqipëri gjithnjë duket si tabu përmendja e këtij këtij dokumenti, dhe si rrjedhim tërheq vëmendje e interesim sado herë që përmendet.  Është i rëndësishëm fakti që Z. Servet Pëllumbi, i cili ka qenë pjesmarrës dhe është në dijeni të plotë të ngjarjeve të 20 e sa viteve të jetës politike në Shqipëri, flet për këtë fenomen të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare.   Deklaratat e tija kanë peshë dhe janë një kontribut në diksursin politik për zbardhjen e së vërtetës së historisë moderne të vendit.  Platforma “Katovice”,  në të vërtetë, ishte sajuar nga ish-udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçev.  Duke parë se komunizmi si ideologji dhe sistem qeveritar kishte dështuar anë e mbanë ish perandorisë sovjetike, ai në vitin 1987, mblodhi ish-udhëheqsit e partive komuniste në Katowice të Polonisë për tu paraqitur atyre platformën e kalimit nga komunizmi në “demokraci’’.

Megjithëse Partia e Punës e Ramiz Alisë nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Katowicës, pasi e konsideronte veten gjithnjë si shpëtimtarja e fundit e marksizëm-leninizmit në botë, Zoti Pëllumbi thotë se megjithëkëtë platforma “Katowice” i kishte ardhur Ramiz Alisë nga Gorbaçovi dhe sipas tij, diktatori komunist shqiptar e zbatoi atë me përpikmëri — në mendimin tim më me përpikmëri se në çdo vend tjetër komunist të Europës.  Zoti Pëllumbi drejton gishtin ke Ramiz Alia, si njeriu i cili në bazë të plaformës “Katowice”, megjithëse në prapaskenë,   luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit edhe pas vitit 1990 duke caktuar udhëheqsit e partive politike, si dhe reformat që duhen bërë në fushën ekonomike dhe politike të vendit.  Për mua elementi më i rëndësishëm në këtë platformë është amaneti i Ramizë Alisë se si të trajtohen (ose jo) ish-të përndjekurit politikë.   Pyetjes së gazetarit në televizionin “Channel One”,  nëse Ramiz Alia kishte gisht në zbatimin e platformës “Katovice” në Shqipëri, ish-udhëheqsi socialist, Z. Servet Pëllumbi, ndër të tjera tha këto:  “Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri.  Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87.   Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë.  Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete.  Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës.  Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji.  Dokumenti që po ju tregoj është një facsimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike”, tha ai në intervistën televizive për “Channel One”.

Në përgjigje të gazetarit, nëse ka ndonjë pikë referimi ndaj këtij dokumenti, Zoti Pëllumbi tha se dokumenti është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë në vitin 1989,  nga i cili ai lexoi në ekran pjesët më thelbësore të dokumentit, bazuar në materialet e Gorbaçovit ku sipas tij, thuhet:   “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?”  Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”.  Dhe kështu u bë.  Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.  Momenti i dytë është ai i të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”.  Problemi i tretë, lidhet me pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne”. Dhe  më në fund, sipas Z. Servet Pëllumbi, Ramiz Alia ka thënë se sipas kësaj strategjie,  “brenda dy tre legjilstaurave do kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”.

Megjithëse kam besim tek deklarata e Z. Servet Pëllumbi, është shumë vështirë të zbulohet e vërteta mbi zbatimin e këtij dokumenti, siç është vështirë të zbulohet e vërteta për shumë gjëra të historisë komuniste dhe post-komuniste të Shqipërisë.  U mbetet  historianëve të paanshëm që më në fund të  hedhin dritë mbi këtë fenomen dhe të tjerë të kësaj natyre.  Por një gjë është e qartë.  Nëqoftse Ramiz Alia kishte gisht në vendosjen e udhëheqsve të     Shqipërisë post-komuniste dhe në krijimin e partive politike, historia e 20-viteve të fundit tregon se amaneti i ish-udhëheqsit komunist shqiptar – në bazë të platformës “Katovice” — është zbatuar si një skenar i ndjekur me përkushtim,pa ndryshuar pikë as presje.  Mund të ketë qenë këjo një koincidencë, ose mund të ketë qenë një aksident historik, që gjërat në Shqipëri të kenë rrjedhur pothuaj përpikëmërisht në përputhje me strategjinë e platformës “Katovice”.

Në vizitën e parë në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991,  me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ishim dëshmitarë të një vendi të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht, por njëherazi u gjëndëm edhe përball një populli plotë pritje, i cili ëndërronte për një të ardhme më të mirë, për një jetë të lirë dhe në drejtësi.  Shqiptarët dëshironin integrimin me Perëndimin, rivendosjen e pronës private, të demokracisë, të zbatimit të ligjit. Dëshironon lirinë e shtypit, gjykata të pavarura dhe privatizim.  Por sot pas 20 e sa vjetësh, megjithë dukjet dhe retorikën demokratike, Shqipërisë fatkeqsisht i mungon substanca e vlerave të vërteta demokratike dhe është kaplluar nga një kulturë politike e rrënjosur në mos besim dhe mungesë tolerance ndaj kundërshtarit politik, që e ka lënë vendin pas në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.

Sipas Z. Servet Pllumbi, në skeletin e programit të Ramiz Alisë thuhet se “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin”, një amanet ky që është mbajtur, pasi jo vetëm që ata nuk kishin asnjë mundësi që të merrnin pushtetin, por ata u anashkaluan dhe as nuk u pranuan si pjesë e qeverive të 20-viteve të fundit.  Është e mundur që asnjë përson nga rradhët e të ish-përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe as nga bijtë e bijat e tyre të kësaj shtrese të shoqërisë së vuajtur shqiptare të ketë pasur përgatitjet dhe kualifikimet e duhura për ndonjë  detyrë me rëndësi në qeveritë socialiste dhe demokratike të  20-viteve të fundit?  Kombi shqiptar do të përparojë vetëm atëherë kur të gjithë trajtohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Vetëm atëherë kur nuk bëhen përjashtime, por kur të inkurajohet pjesëmarrja dhe përdorimi i talentit  dhe potencialit të plotë të çdo personi pa marrë parasyshë të kaluarën familjare ose  bindjet politike të tij. Kombi do të përfitojë dhe të shkojë përpara vetëm atëherë  kur të tërheq talentet më të mira nga të gjitha shtresat e shoqërisë – pa ndonjë barometër politik – me qëllim realizimin e ëndërrave të shqiptarëve të para 20-viteve dhe vetëm në këtë mënyrë Shqipëria dhe Shqiptarët do të jenë në gjëndje të përballojnë sfidat e mëdha tani dhe në të ardhëshmen. A është e drejtë që bijtë dhe bijat e të përndjekurve të mos përfshihen në qeverisjen e Shqipërisë demokratike? Fatkeqsisht praktikat e qeverive të 20-vietve të fundit, më shumë kanë  ndarë e përçarë se sa kanë bashkuar e pajtuar.

Trashëgimia komuniste nuk mund të zhduket lehtë, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada ç’prej rënjes së komunizmit zyrtar. Këjo trashëgimi është pjesë përbërse e individëve, e grupeve dhe klasave shoqërore shqiptare dhe si e tillë, këjo trashëgimi fatkeqsisht është vendosëse për fatin e shqiptarëve tani dhe në të ardhmen.  Sidomos në Shqipëri, përballimi me të kaluarën duket se është tepër i vështirë — mos i pamundur — pikërisht për ndasitë e mëdha që kanë ekzistuar dhe që  ekzistojnë midis viktimave dhe  atyre që në emër të regjimit komunist dhunuan dhe shkelën të drejtat njerëzore të këtyre viktimave, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim.  Shoqëria shqiptare ka nevojë për krijimin e një hapsire të lirë publike ku qytetarët mund të debatojnë të pa penguar dhe pa ndërhyrje mbi çështjet e rëndësishme për fatin e tyre.  Martin Luter Kingu ka thënë se, “Jeta jonë fillon të marrë fund, pikërisht në ditën kur ne heshtim për gjërat e rëndësishme.

Z. Servet Pëllumbi hapi një debat për një gjë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare të 20-viteve të fundit.  Dhe në një seminar të organizuar ditët e fundit nga Ambasada e Polonisë në Tiranë mbi standardet e të drejtave të njeriut dhe bashkpunimin me shoqërinë civile, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani theksoi se mbrojtja e  të drejtave të njeriut  është problemi kryesor politik dhe ekonomik që pnegon zhvillimin normal të vendit duke thënë se “familja europiane, ku dëshirojmë të rikthehemi pas një mungese të gjatë dhe ku aspirojmë të jemi të barabartë mes të barabartëve, kërkon ndërgjegjësim të madh të shoqërisë, promovimin e një barazie, tolerancë dhe gjithpërfshirje më të madhe se ai me të cilin është mësuar shoqëria tradicionale shqiptare”.

Si e sheh Shqipëria të ardhmen e saj gjatë 20-viteve të ardhëshme? Cilat janë vlerat dhe objektivat mbi të cilat do të ndërtohet këjo e ardhëme.  A do të jenë gjithëpërfshirëse a po do të vazhdojnë të jenë përjashtuese?  Pa vlera dhe pa ideale të përbashkëta dhe pa të drejta të barbarta për të gjithë, përfshirë dhe ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, por sidomos bijtë dhe bijat e tyre, të cilët janë në moshën për të kontribuar — dhe pa marrë parasyshë amanetin e Ramiz Alisë —  duhet të kenë të drejtën e konkurencës që t’i shërbejnë Atdheut në çdo kapacitet dhe detyrë për të cilën kanë kualifikimet e nevojshme.  Për ndryshe, Shqipëria do të vazhdojë të çalojë drejtë përparimit, zhvillimit dhe integrimit europian për të cilin ka aq shumë nevojë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Gorbacovi, servet Pellumbi

AKUZË GJENOCIDI PËR KRIMET KOMUNISTE NË RUMANI

October 8, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli /

Gjatë dy dekadave të fundit, shtetet ish-komuniste të Europës Lindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik  — dikush më shumë e dikush më pak, e disa prej tyre aspak — janë përpjekur që të përballen me krimet dhe me abuzimet e të drejtave të njeriut, që ishin karakteristikë e jetës së përditëshme  të regjimeve komuniste për pothuaj 50-vjetë.    Megjithëse ky proces ndryshon nga vendi në vend, në përgjithësi shtetet ish-komuniste janë përpjekur të zbatojnë një sistem drejtësie që të mundësonte, që këto shoqëri të përballeshin me të kaluarën e tyre tragjike komuniste, duke mare vendime për ligjet e lustracionit, ndalimin për të marrë pjesë në jetën politike të ish-zyrtarëve komunistë dhe të ish-zytarëve të policisë sekrete të shteteve komuniste, përfshirë edhe spiunët.   Disa vende kanë hapur të gjitha dosjet duke bërë të mundur që qytetarët e thjeshtë të mund të shikojnë arkivat dhe informatat e mbledhura për ta nga ish-sigurimi i shtetit komunist.   Ky proces i përballimit me krimet e regjimeve komuniste në shumë vende ka përfshirë  gjyqe dhe procedura ligjore kundër ish-zyrtarëve komunistë dhe ish-agjentëve të sigurimit të shtetit, të cilët  dyshohet se kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe brutalisht kanë dhunuar dhe kanë shkelur të drejtat bazë të njeriut, të bashk-kombasve dhe bashk-qytetarëve të tyre.

Kohët e fundit media amerikane dhe ajo rumune dhe europiane, përfshirë media të njohura si gazeta Nju Jork Tajms,  kanë shkruar për vendimin e prokurorëve rumunë të cilët kohët e fundit njoftuan vendimin për të akuzuar zyrtarisht për kryerje gjenocidi, një komandant të burgjeve të regjimit komunist rumun.  Prokurorët rumunë kanë akuzuar ish-komandantin Aleksandru Visinescu për krimet  që sipas dëshmitarëve ai ka bërë kur ishte përgjegjës i burgut famëkeq Ramnicu Sarat,  nga viti 1956 -1963.  Thuhet se në atë burg mbaheshin kundërshtarët më të dalluar politikë të regjimit komunist rumun, përfshirë elitën politike para- komuniste të Rumanisë si dhe intelektualët dhe klerikët më të njohur të vendit.   Siç duket, këjo masë nga prokurorët rumunë është një përpjekje serioze nga ana e auoriteteve rumune për tu përballur me të kaluarën komuniste të vendit të tyre, duke sjellur para drejtësisë ish-komandantët e burgjeve, të cilët mundësuan qendrimin në fuqi të një prej regjimeve më brutale në Europën Lindore.

Akuza për gjenocid, është një akuzë e rëndë, pasi gjenocidi përcaktohet nga Kombet e Bashkuara si një krim ndërkombëtar, dhe si një “akt që kryhet me qëllim të për zhdukur në terësi, ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar”.    Ish komandanti i burgjeve të regjimit komunist rumun, Aleksandru Visinescu është personi i dytë në Rumani që mban mbi shpatulla akuzën e gjenocidit, pas ish-diktatorit komunist rumun Nikolai Çausesku dhe bashkshortes së tij, të cilët u gjykuan dhe u ekzekutuan në vitin 1989.    Prokurorët rumunë, në deklaratën për median, janë shprehur se Visinescu, si komandant i burgut Ramnicu Sarat, i trajtonte aq barbarisht të burgosurit politikë sa trajtimi i tyre shtazarak kishte për qëllim zhdukjen fizike të kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.

Ishte Instituti Rumun për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe të Kujtimit të të Mërguarve Rumunë, një organ qeveritar, ai që mblodhi provat kundër Visinescu-t dhe bëri një listë që përfshinë emërat e të pakën 35 ish-zyrtarëve komunistë, të cilët instituti në fjalë i akuzon ata për shkelje të të drejtave të njeriut dhe abuzime e krime të tjera.  Instituti qeveritar për Hetimin e Krimeve të Komunizmit në Rumani, në një prononcim për median tha se, “mirëpret këtë vendim historik (të Prokurorisë rumune) duke nënvijuar  njëkohësisht vedosmërinë  e tij për të vazhduar përpjekjet për identifikimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për abuzime dhe krime të rënda politike gjatë periudhës komuniste.”   Duke thënë se ky vendim është historik jo vetëm për Institutin që ai kryeson por edhe për të gjithë shoqërinë rumune, Presidenti i Institutit Andrei Muraru u shpreh për median se, “Këjo është hera e parë që një ish-nëpunës i sistemit të burgjeve komuniste akuzohet për gjenocid, për krimet politike dhe abuzimet e bëra gjatë regjimit komunist.”  Ai shtoi se akuza kundër ish-komandantit të burgut famëkeq Ramnicu Sarat, Aleksandër Visinecu-t, “përbën një pikë-këthesë në zhvillimin dhe dënimin e krimeve të regjimit komunist”, në vendin e tij.

Para një jave, gazeta Nju Jork Tajms në një artikull të gjatë në faqen e pare, tha se akuza zyrtare kundër ish-komandantit të burgut Visinescu ka shtuar shpresat se më në fund edhe Rumania po ndjekë shembullin e shumicës së fqinjëve të saj në Europën Lindore dhe Qëndrore për të “shkundur amnezinë kombëtare mbi të kaluarën e saj brutale dhe që të rishqyrtojë kulturën e mos-ndëshkimit e cila ka nxitur korrupcionin e papërmbajtur në shoqëri, gjë që ka ngadalësuar dukshëm përparimin e vendit, megjithëse është anëtare e Bashkimit Europian ç’prej vitit  2007.”   Gazeta Nju Jork Tajms shkruan se vazhdimësia midis elitës komuniste dhe post-komuniste është një fakt që shpjegon se pse në Rumani ekziston një rezistencë aq e fortë ndaj përballimit me krimet e regjimit komunist.   Gazeta citon, Laura Stefan,  një eksperte rumune të ligjit e cila thotë, duke iu referuar vendit të saj se, “Ne rrjedhim nga ujëra të thella dhe shumë të ndyra. Korrupcioni është arsyeja kryesore që ne nuk flasim për të kaluarën”, tha ajo për Nju Jork Tajms.   Megjithëse e sheh akuzën zyrtare ndaj ish-komandatit Visinescu si diçka pozitive, ajo dyshon se  autoritetet janë serioze për të dënuar dhe burgosur Visineskun dhe të tjerët si ai të akuzuar për krime gjatë regjimit komunist.   Edhe profesori  rumun D. Voinea citohet nga gazeta Nju Jork Tajms se elita  politike dhe ekonomike e Rumanisë gjithnjë dominohet nga ish-komunistët dhe të afërtmit e tyre,  të cilët si të tillë duan të sigurohen se krimet e komunizmit  nuk do të zbulohen kurrë dhe ata që i kryen ato krime nuk do të dënohen kurrë për to.

Tranzicioni nga regjimet komuniste në demokraci ka qenë dhe vazhdon të jetë i vështirë për shumë vende të ish-bllokut komunist, përfshirë Rumaninë, por edhe për Shqipërinë dhe Kosovën si vende ish-komuniste.   Ekspertët në përgjithësi janë dakort se konfliktet e pazgjidhura që rrjedhin nga mos vullneti për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe të gjitha të zezat e saja vazhdojnë të pengojnë zhvillimin dhe stabilizimin e një sistemi të vërtetë demokratik, megjithëse në pushtet tani janë përfaqsues të një brezi tjetër, por pinjollë të regjimit të vjetër komunist.  Tranzicioni ka qenë më i vështirë në shtetet ish-komuniste siç janë Shqipëria dhe Rumania, vende këto të cilat, ndryshe nga shumë vende ish-komuniste, nuk kanë dënuar as nuk kanë mbajtur përgjegjës asnjë person për krimet dhe masakrat e kryera gjatë periudhës komuniste ndaj kundërshtarëve të pafajshëm të regjimit komunist.  Madje në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë,  individë që kishin marrë pjesë në shtypjet brutale dhe  në zhdukjen e kundërshtarëve të regjimit komunist, gjatë 20-viteve të fundit, janë këthyer në pozita të larta të pushtetit qeveritar dhe shtetëror.

Siç duket, në një mungesë të plotë të vullnetit politik për tu marrë me krimet e së kaluarës, në disa vende ish-komuniste dhe jashtë, do të vazhdojë debati në lidhje me hapjen ose jo të dosjeve, me lustracionin,  me gjyqet dhe me dënimin e atyre që kryen krimet dhe masakrat gjatë diktaturës komuniste kundër popullit të vet.  Pyetja është se pse disa vende përballen me të kaluarën e tyre diktatoriale e shtypëse duke hapur dosjet e sigurimit të shtetit, duke ndaluar pjesëmarrjen në politikë të ish-zytarëve të regjimeve komuniste dhe duke dënuar abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të bashkombasve të vet, ndërsa disa vende të tjera me të njëjtën histori krimesh e abuzimesh ndaj popullit  të tyre, nuk bëjnë asgjë për tu përballur me të kaluarën e tyre tragjike.   Shekspiri ka thënë, “What is past is prologue”, që pak a shumë do të thotë se ato që kanë ndodhur më heret vendosin faktorët sundues tani dhe për të ardhmen, me fjalë të tjera nëqoftse e kaluara nuk gjykohet për ato që ishte, në këtë rast për krimet dhe brutalitetin e regjimeve komuniste, atëherë historia do të prësëritet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Akuze gjenocidi, Frank shkreli, krimet komuniste, Rumani

GABOVE Z. KRYEMINISTËR

October 1, 2013 by dgreca

Ne Foto:Kryeministri Edi Rama ne foltoren e darkes gala te Keshillit Shqiptaro-Amerikan nga ku sulmoi Konsullin e Pergjithshem te Shqiperise ne NY, Dritan Mishto/ Foto-Dritan HAXHIA/

Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi, Kryeministri i ri i Shqipërisë, Z. Edi Rama ishte njëri ndër personalitetet e larta politike shqiptare dhe amerikane të ftuara në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA).   Me këtë rast, ai si dhe personalitetet e tjera të pranishëm në darkë, mbajti një fjalim i cili në mendimin tim ishte një fjalim i mirë për nga mënyra e shprehjes, por nga përmbajtja u gjykua nga shumë pjesëmarrës  si ofendues ndaj diasporës në përgjithsi dhe diasporës së vjetër në veçanti.  Megjithëse kishte zhurmë dhe fjalimi dëgjohej keq, shumë vetave u ra në sy mënyra se si Z. Rama foli (ase nuk foli) për diasporën në Amerikë.  Përmendi punën dhe kontributin e Nolit e të Konicës në fillim të shekullit të kaluar, dhe pothuaj injoroi fare emigracionin e pas luftës së dytë botërore, duke këcyer tek kontributi i emigracionit të ri i 20-viteve të fundit, megjithëse shumica e pjesëmarrësve në darkë ishin bijtë e bijat e atij emigracioni të arratisur nga regjimi komunist.  Disa vërejtës nuk u duruan të shpreheshin se mos vallë ishte këjo një përpjekje ndoshta e paqëllimt, por sidoqoftëfatkeqe për të pëçarë komunitetin, i cili ndryshe nga koha e regjimit enverist kur diplomatët e tij s’bënin gjë tjetër veç të përçanin komunitetin shqiptaro-amerikan – sot emigracioni i vjetër dhe i ri kanë gjetur një modus vivendi të mrekullueshëm.  Zot na ruaj!  Shpresojmë që edhe këjo të ketë qenë një shprehje ose mungesë shprehjeje e pamenduar mirë, thjeshtë një gafë.  Askush nuk duhet të ketë dyshim se ky komunitet ka punuar dhe vazhdon të punojë për të mirën e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, pa marrë parasyshë se cila parti politike mbanë frenat e qeverisë në Tiranë.

Por ajo që ra më së shumti në sy dhe habiti të pranishmit ishte njoftimi  i udhëheqsit të qeverisë shqiptare të shkarkimit nga puna të konsullit shqiptar në Nju Jork. Sipas shumë të pranishmëve, përfshirë edhe amerikanët, ishte  ky një veprim i gabuar dhe aspak diplomatik për një kryetar qeverie, që para një audience të tillë,  të njoftonte me inat e zemërim,  dhe  tani po marrim vesh sipas raporteve në media të ndryshme, për hakmarrje të vjetëra,  shkarkimin nga puna të  një përfaqsuesi të lartë shqiptar, pikërisht largimin nga detyra të Konsullit të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, Z. Dritan Mishto.   Në fjalimin e tij, Kryeministri Rama deklaroi me një ironi, pasi Presidenti  Bujar Nishani i dorëzoi Kongresistit Eliot Engel  dekoratën e lartë të shtetit shqiptar, “Gjergj Kastrioti-Skënderbe”, duke thënë se ai nuk kishte sjellur dekorata për të dhënë por  tha se po njoftonte, sipas tij, lajmin e  mirë të emërimit  të  një “konsull nderi nga radhët e juaja”.   Kryeministri u shpreh duke thënë tekstualisht këto:

“Jam shumë i kënaqur t’u njoftoj se Ministri ynë i Punëve të Jashtëme i ka propozuar qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të pasur në këtë qytet madhështor një konsull nderi, në vend të një konsulli burokrat, të cilin tanimë e kemi pushuar nga puna.   Ky konsull i ri nderi do të jetë njëri prej jush, i cili do punojë me ju dhe me ne, dhe jo i ardhur nga Shqipëria për punë propagandistike, e ai është Sal Rusi”, tha Kryeminsitri shqiptar Edi Rama.

Nuk është e qartë nga deklarata e kryeministrit shqiptar nëse dhe si “konsulli i nderit” do kryej punët zyrtare konsullore, pasi Shqipëria ka edhe të tjerë “konsuj nderi” në Amerikë dhe me sa di unë ata nuk merren me punë konsullore, por vetëm me gostitje, me pritje e përcjellje dhe një titull itillë u akordohet atyre për ato që ata mund të kenë bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por nuk mund të zevëndsojnë kryerjen e detyrave të përditëshme të një konsullate siç është ajo në Nju Jork me komunitetin  më të madh shqiptar në Amerikë.  A do të thotë Kryeministri Rama se Konsullata Shqiptare në Nju Jork do mbyllet?

Sidoqoftë,  një prononcim i tillë në darkën vjetore të KKSHA-së, ishte diçka e paparë dhe e pa dëgjuar për shumë pjesëmarrës, që një kryetar qeverie të përdorte një foltore të tillë për të njoftuar shkarkime diplomatike për inate të vjetra, në këtë rast shkarkimin nga detyra të konsullit shqiptar në Nju Jork, Z. Dritan Mishto.  Kishim mbetur gojë hapur.   Këjo ishte një deklaratë e nxituar nga zemëra e jo nga mendja.  Mendja duhej t’i thonte atij dhe këshilltarëve të tij se ishte gabim të bëhej një njoftim i tillë, pasiaty nuk ishte vendi as rasti për të bërë një deklaratë të tillë.  Sidomos para një audience ku kishte shumë amerikanë, e të cilët si pjesë e kulturës së tyre, gjëra të tilla i konsiderojnë si pjesë e paprekshme e privacisë së personit dhe jo si një çështje as rast për të larë të palaratë në publik.  Pa marrë parasyshë problemet që Kryeministri Rama mund të ketë apsur në të kaluarën me Konsullin Mishto, një gjë e tillë nuk i jep nder personit as qeverisë së kryeministrit të ri.

Ndërkaq, Konsulli i Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, Dritan Mishto u ka dërguar drejtuesve të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan një letër me të cilën ai “shpreh keqardhjen dhe shqetsimet në lidhje me sulmet personale kundër personit tim gjatë fjalimit të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama në darkën tuaj vjetore më 27 Shtator, 2013.”   Në letrën e tij drejtuar udhëheqsve të KKSHA-së, Konsulli Mishto shkruan më tej se, “vlerësoj shumë seriozitetin e organizatës suaj dhe jam i bindur se ju, në asnjë mënyrë, nuk do të lejoni  që foltorja e organizatës suaj të përdoret për sulme personale dhe politike”, dhe i kërkon kësaj organizate që të distancohet nga ky akt.

Largimi nga puna është një gjë normale në çdo shoqëri,por rotacioni i diplomatëve i ka rregullat e veta në çdo vend.  Qeveria ka të drejtën e vet të pushojë diplomatët dhe  të emërojë njerëzit që dëshiron për ta përfaqsuar atë në botë.  Edhe Shqipëria ka rregulla të tilla.  A u ndoqën këto në rastin e pushimit nga detyra të Dritan Mishtos dhe të tjerëve?   Mirë a keq, në sytë e Kryeminsitrit të tanishëm, a i shërbyen këta, përfshirë edhe Dritan Mishton e të tjerët, një qeverie të mëparshme shqiptare e cila ishte zgjedhur nga populli shqiptar, e njohur nga bota, përfshirë Shtetet e Bashkuara.  A kanë të drejta diplomatët shqiptarë, cilës do qeveri që ata i shërbejnë?  Po familjet e tyre, të cilat në të vërtetë janë viktimat kryesore të vendimeve të tilla të papritshme dhe të parakohëshme?Fëmijtë në shkollë, bashkshortet në punë, e tjera.   Ata që i dinë mirë kushtet nën të cilat jetojnë diplomatët shqiptarë në Amerikë dhe anë e mbanë botës këto 20-vitet e fundit, nuk habiten për sjellje të tilla nga Tirana ndaj përfaqsuesve diplomatikë shqiptarë në botë.   Unë e them këtë  jo vetëm për këtë qeveri, por e kam thënë edhe për qeverinë e mëparshme, për mungesat e saja ndaj ambasadës së Shqipërisë në Uashington, e cila për një kohë ishte mbyllur për mungesë fondesh.

Ish-Senatori amerikan Uilliam Fullbrajt do të na këshillonte se pushteti nuk është virtyt dhe pat paralajmëruar udhëheqsit e këtij vendi të kohës së tij që të kenë kujdes nga arroganca e pushtetit. Një porosi e vlefshme këjo për të gjithë e kudo, edhe sot.

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Frank shkreli, gabove z. Kryeminister

SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE POLITIKANËT SHQIPTARË

September 29, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Çdo vit, udhëheqsit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera  shqiptare në Ballkan vijnë në metropolin  amerikan të New Jorkut për të marrë pjesë  në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara  dhe si të ftuar për të marrë pjesë në organizime të tjera siç është mbledhja vjetore e organizuar nga Fondacioni Klinton i ish-presidentit Bill Klinton. Përveç takimeve zyrtare, udhëheqsit shqiptarë marrin pjesë edhe në darka e takime të shumëta të organizuara nga  shoqata dhe organizata të ndryshme, por edhe nga qendrat fetare të komunitetit shqiptaro-amerikan. Gjatë qendrimit të tyre në Nju Jork javën që kaloi, ata u pritën, ndër të tjera, nga organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, Vatra. U takuan me pёrfaqёsues tё Rrjetit tё Profesionistёve dhe Sipёrmarrёsve Shqiptarё (APEN) dhe gazeta Illyria organizoi një pritje për Presidentin Nishani.  Të gjitha këto pritje e takime arrijtën kulmin me darkën vjetore gala të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku zakonisht ftohen  udhëheqsit shqiptarë nga të gjitha trojet dhe përfaqsues të gjithë partive politike, në pushtet dhe në opozitë.Kjo është tradita e kështu ndodhi edhe sivjet.Në Nju Jork kishin ardhur, ndër të tjerë, edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, udhëheqës politikë shqiptarë nga Maqedonia dhe përfaqsues nga të gjitha trojet tona në Ballkan.  Gjatë këtyre takimeve dhe darkave, përveç se atyre u jepet rasti të takohen me përfaqësues të komunitetit dhe me njëri tjetrin — vizitat e tyre në Amerikë paraqesin gjithashtu një mundësi të mirë që ata të shkëmbejnë mendime me shumë  politikanë e diplomatë amerikanë, miqë e dashamirës të shqiptarëve, të cilët gjatë dekadave të fundit kanë punuar në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së shqiptarëve kudo.

Udhëheqsit shqiptarë gjatë kësaj jave përfaqësuan Shqipërinë dhe Kosovën para botës dhe para Amerikës.  Ata u prononcuan për median si në intervista dhe në fjalimet e tyre, se kishin siguruar përkrahje nga udhëheqsit botërorë dhe amerikanë me të cilët u takuan.  Ata theksuan “mbështetjen”, nga udhëheqës ndërkombëtarë me të cilët patën takime dhe bënë bisedime për zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë, të Kosovës dhe të rajonit.

Por ishin takimet dhe shmallimet me komunitetin shqiptaro-amerikan në Boston, Detroit dhe në Nju Jork, në lokalet dhe në qëndrat fetare ku ata u pritën si vëllezër e motëra, ato që dallojnë në mënyrë të mallëngjyeshme këto takime, e pse jo edhe festime, që organizohen njëherë në vit në Nju Jork.  Si çdo vit, edhe sivjet, në fund të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, në këto darka e takime me shqiptaro-amerikanët, duket sikur midis politikanëve shqiptarë nga të gjitha trevat — të pakën për një moment dhe larg problemeve në vend — thyhet edhe akulli politik midis tyre. Kështu, siç duket ndodhi të premtën mbrëma në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ku të gjithë ishin ulur së bashku rreth një tavoline të gjatë. Nuk është e qartë nëse kishte ndonjë shkëmbim bisedash midis protagonistëve të ndryshëm, por  megjithëkëtë është shënjë e mirë se të pakën nuk refuzuan të uleshin ball për ball në të njëjtën tavolinë, gjë që mund të mos ndodhë në vendlindje.

Për këtë dhe për faktin se rreth asaj tavoline ishin shqiptarë nga të gjitha trevat dhe shumë miq amerikanë, këto darka e takime kanë një rëndësi të lartë simbolike, sepse duket sikurë përtrijnë dhe nënvijojnë faktin e vëllazërimit dhe bashkimit mbarë shqiptar, megjithë ndryshimet politike, krahinore e fetare, që mund të ekzistojnë midis shqiptarëve, sidomos konfliktet politike. Ndoshta simbolizmin përbashkues të këtyre takimeve e shprehu më së miri, Dom Pjetër Popaj, famullitar i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Nju Jork, i cili në darkën e Vatrës,  shtruar për nder të Presidentit Nishani dhe delegacionit të tij, u shpreh duke thënë se “Si shqiptarë,  jemi të përbërë prej dy besimeve, të Krishterë dhe Myslimanë, por besojmë në një Zot të vetëm.  Kemi dy dialekte, por kemi një gjuhë të përbashkët. Kemi shqiponjën dykrenare, por një flamur.  Kemi dy shtete, por një Komb.  Kemi një hero Kombëtar Kastriotin dhe një të Lumturën Nëna Terezën.  Ne, në diasporë, gjithmonë kemi treguar solidaritet ndaj vendit tonë duke qëndruar pranë njëri tjetrit.  Si fetarë të besimeve të ndryshme qëndrojmë një me Zotin dhe një me popullin.

Theksojmë gjërat që na bashkojnë dhe jo gjërat që na ndajnë”.

Ne këtu në Amerikë, jemi nga të gjitha trojet tona, nga të gjitha krahinat dhe i përkasim feve të ndryshme.  Natyrisht se si në çdo komunitet tjetër, ekzistojnë mosmarrveshje dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i ka problemet e veta.  Madje këto mosmarrveshje shpesh pasqyrojnë konfliktet dhe grindjet politike në Atdhe.  Por megjithë ndryshimet politike e të tjera, në raste, kur është nevojitur bashkimi i komunitetit për t’i ardhur në ndihmë çështjes kombëtare, shqiptaro-amerikanët kanë theksuar të përbashkëtat dhe jo ato që i ndajnë.

Kjo përkrahje dhe “mbështetje” që  zyrtarët shqiptarë thonë se siguruan, sidomos gjatë takimeve me autoritetet amerikane në vizitat e tyre në këtë vend, ndodhë për faktin se komuniteti shqiptaro-amerikan ka vazhduar të jetë i bashkuar për çështjet madhore dhe interesat e kombit, duke ua paraqitur atyre hallet tona me një zë dhe pa kurrfarë interesi personal, por vetëm e vetëm në mbështetje të interesave kombëtare të popullit shqiptar kudo qoftë.  Ky aktivitet i komunitetit shqiptaro-amerikan e ka zanafillën në fillim të shekullit të kaluar me Fan Nolin e Faik Konicën dhe me përpjekjet e tyre për të siguruar përkrahjen amerikane për pavarësinë e Shqipërisë dhe ka vazhduar deri në ditët e sotëme për të fituar mbështetjen e qeverisë, Kongresit dhe të popullit amerikan, fillimisht për çlirimin dhe më në fund për sigurimin dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.  Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama folën për sukseset dhe arritjet e komunitetit shqiptaro-amerikan në fusha të ndryshme, por nuk ka fushë më të sukseshme dhe as më të rëndësishme, të pakën deri tani, se sa bashkimi i komunitetit shqiptaro-amerikan në çastet kur e ka thirrur fati i Kombit.

Pa marrveshje dhe bashkpunim serioz midis shqiptarëve dhe sidomos të faktorit politik shqiptar për fatin e kombit dhe për zgjidhjen e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët kudo, “mbeshtetja” nga jashtë, me të cilën mburren aq shumë politikanët shqiptarë, shpeshëherë edhe pa e pasur atë, nuk vlen pesë pare.  Edhe regjimi i Enver Hoxhës kishte përkrahjen nga jashtë, fillimisht të komunistëve jugosllavë, sovjetikë e pastaj të kinezve, por ishte në luftë të përhershme me vetveten dhe me popullin e vet.  “Mbështetja” nga jashtë vlenë vetëm atëherë kur të asgjësohen konfliktet politike të mbrendshme, kur të zhduket gardhi shpirtëror dhe të krijohet një frymëmarrje e lirë për të gjithë Shqiptarët, të bashkuar me një mendim e me një qëllim, në mbështetje të vërtetë të lirive dhe të të drejtave të barabarta për të gjithë dhe të interesave kombëtare, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe të Lidhjes së Prizrenit.

Është e vërtetë se Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë gjithmonë nevojë për mbështetjen e miqëve, por Shqipërinë do ta bëjnë vetëm Shqiptarët, mbi të gjitha, në bashkpunim dhe mirëkuptim me njëri tjetrin, duke vlerësuar lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, respektin për njëri tjetrin dhe për mendimet e njëri tjetrit.  Është në dorë të vet shqiptarëve kudo që janë sot – në diasporë dhe në trojet tona në Ballkan — që të largohen nga ajo që disa thonë se është “nama” që mund të na ketë ndjekur gjatë gjithë historisë.  Për ndryshe, nëqoftse nuk vlerësojmë dhe keq përdorim dhuratën e lirisë që sot gëzon kombi shqiptar mund të na dënojë i Madhi Zot, sipas vjershës tronditëse të Fan Nolit, “Moisiu në mal”.  Edhe Perëndia mund të na përgjigjet ashtu si iu përgjigj Moisiut, i cili i kërkonte atij tokën e premtuar për veten dhe izraelitët, për të evituar mërgimin e përjetshëm dhe jetën në skllavëri, i Plotfuqishmi i përgjigjet atij me zemërim në përshkrimin plot trishtim të  vjershës së Fan Nolit:

“Ti dhe të tjerët, pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni
Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni
Se liri s’doni!”

Me gjithë të metat e tyre, takimet vjetore të udhëheqsve shqiptarë me komunitetin shqiptaro-amerikan mbartin vulën e bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve pa dallime politike, krahinore apo fetare, duke e gëzuar lirinë së bashku për herë të parë, pas rrethanave fatmjera që na kanë ndarë për aq kohë të gjatë.  Kështu ka ndodhur gjatë dy dekadave të fundit në Nju Jork dhe në qytete të tjera amerikane. Shpresojmë që këjo traditë plotë bujari të vazhdohet këtu në Amerikë dhe të përsëritet edhe në trojet tona dhe kudo në botë ku ka shqiptarë, si një frymëzim për qëllime të larta kombëtare dhe për lartësimin e emërit shqiptar kudo, por mbi të gjitha në trojet tona.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe politikanet shqiptare, Frank shkreli, Shqiptaret e Amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 155
  • 156
  • 157
  • 158
  • 159
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT