• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË TAKIM I PËRZEMËRT NË NJU JORK ME IPESHKVIN E KOSOVËS, IMZOT DOD GJERGJI

October 31, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

Ishte një kënaqësi e veçant takimi para disa ditësh me Ipeshkvin e Kosovës, Shkëlqesinë e tij, Imzot Dodë Gjergji, në Nju Jork. Imzot Gjergji ishte në udhtim e sipër duke u këthyer në Prishtinë nga Detroiti ku kishte marrë pjesë në festimet me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Kishës së parë Katolike, Zoja Pajtore e Shqiptarëve, në Southfield, afër Detroitit, në shtetin Miçigan, Frank Shkreli: Në shërbim të Zotit dhe Atdheut | Gazeta Telegraf

Në Nu Jork, morëm pjesë në këtë darkë miqësore me Ipeshkvin e Kosovës, një grup i ngushtë, të ftuar nga Paulin dhe Drita Mrnaçaj, vatranë, aktivistë të komunitetit dhe anëtarë të njohur të familjes anti-komuniste Mrnaçaj nga Kelmendi i Malësisë së Madhe. 

Në takimin me disa shqiptaro-amerikanë, Imzot Dodë Gjergji shkëmbeu me të ftuarit në këtë darkë, mbresat e tija nga celebrimet dy-ditëshe kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Kishës Pajtore të Shqiptarëve në Detroit dhe mbi jetën dhe veprimtarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan në atë shtet dhe në përgjithësi këtu në Shtetet e Bashkuara. Ai tha se sa herë që vjen në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikë e ndjenë veten si në shtëpinë e vet dhe falënderoi mikëpritsit, miqtë dhe dashamirsit e tij të shumtë në këtë vend të lirisë e demokracisë – me të cilët, siç tha ai, është gjithmonë një takim midis vëllëzërish.  Ai u shpreh gjithashtu se vlerson shumë rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan — përpara, gjatë dhe pas çlirimit të Kosovës — duke shtuar se roli i diasporës së madhe shqiptare anë e mbanë botës — por sidomos asaj në Amerikë dhe në Evropë, mbetet jetësore për të ardhmen e Kombit shqiptar – Kosovës dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve anë e mbanë trojeve në Ballkanin Perëndimor.  Prelati i lartë i Kishës Katolike në Kosovë ndau me të pranishmit edhe informacione mbi gjëndjen aktuale të Kishës që ai kryeson në shtetin më të ri të Evropës, për të kaluarën dhe për përspektivat e saja në të ardhmen. Ai u shpreh entuziast për zhvillimet dhe gjëndjen e Kishës që ai drejton, në përgjithësi.

Në një atmosferë miqësore, Imzot Dodë Gjergji ndau me pjesëmarrësit, në këtë darkë të shtruar nga familja Mrnaçaj në Nju Jork, edhe veprimtarinë e tij publicistike dhe prej autori, duke folur për botimin e kohëve të fundit të trilogjisë rrëfimore, “Kthimi”.  Vepër kjo e cila është vlerësuar nga autorë e historianë, qoftë nga Kosova ashtu dhe nga Shqipëria, si një libër i së vërtetës historike të identitetit kombëtar e shpirtëror të shqiptarëve dhe si një rrëfim i bashkjetës fetare ndër shqiptarët, gjatë historisë.

Darka me Udhëheqsin e lartë të Kishës Katolike në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe u përshëndetëm me të duke falënderuar Ipeshkvin e Kosovës për kohën që kaloi me ne atë darkë, ndërsa i uruam rrugë të mbarë për në Atdhe, duke shprehur shpresën dhe deshirën që të shihemi përsëri dhe sa më parë, qoftë në Kosovë qoftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Frank Shkreli

Disa prej pjesëmarrësve në darkën e shtruar nga familja Mrnaçaj në Nju Jork për nder të Imzot Dodë Gjergjit, Udhëheqsit të Kishës Katolike të Kosovës.  

                                    Autori duke përshëndetur Imzot Dodë Gjergjin

          Autori me Z. Paulin Mrnaçaj në pritje të Imzot Dodë Gjergjit

May be an image of 7 people, people sitting and indoor

Para se të vinte në Nju Jork, Imzot Dodë Gjergji me disa nga pjesëmarrsit në Konferencën kushtuar 50-vjetorit të themelimit (nga i ndjeri Dom Preke Ndrevashaj) të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield afër Detroitit.  Nga e djathta në të majtë: Disidenti dhe ish i burgosuri i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Visar Zhiti, Mons. Lush Gjergji, Biografi i njohur i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës Dom Fred Kalaj, Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Rrok Gjonlleshaj, Ipeshkvi i Tivarit, Patër Pashk Gojçaj, Udhëheqsi i Provincës Shqiptare të Françeskanëve dhe Dom Anton Kçira, ish=famullitari i Kishës Shën Pali në Detroit.

Nga promovimi i librit tre vëllimesh “Kthimi” i Imzot Dodë Gjergjit, më heret këtë vit, në Qendrën Bogdanipolis, që gjendet në Katedralën Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

GËZUAR DITËLINDJEN, AT GJERGJ FISHTA!

October 24, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image

Thuhet se ditëlindja e njerëzve të mëdhej duhet shënuar, por jo, domosdoshmërisht, edhe kalimi i tyre në amshim, pasi njerëz të mëdhej – siç është At Gjergj Fishta për Shqiptarët – nuk vdesin kurrë.  23 Tetori (i vitit 1871), shënon datën kur ka lindur Gjergj Fishta, kolosi i madh, Nderi i Kombit, fati i kombit që e lindi — At Gjergj Fishta, fati i kombit për Shqipërinë e Lirë | Gazeta Telegraf —  Sot, kujtimi, veprat dhe emri i Fishtës nuk janë të ndaluara me ligj në Shqipëri, në Kosovë dhe as në trojet shqiptare në përgjithësi. Por ama as nuk promovohen, zyrtarisht, as veprat e tija dhe rrallë herë, ose pothuaj aspak, as nuk shënohet ndonjë datë që ka të bëjë me jetën dhe veprat e poetit dhe shkrimtarit të madh Gjergj Fishtës. Por edhe kur ndodhë që shënohet, duket sikur bëhet me gjysëm zemër, sa për sy e faqe. — Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë një hap përpara, dy mbrapa | Gazeta Telegraf —

Gjatë komunizmit në Shqipëri, por edhe në ish-Jugosllavinë fqinje komuniste, veprat dhe emri i At Gjergj Fishtës ishin rreptësisht të ndaluar, ndërsa Poeti i Kombit shqiptar konsiderohej si armik i popullit, fashist dhe madje edhe anti-shqiptar.  As që mund të bëhej fjalë për kujtimin e emrit të tij ose të veprave të tija, gjatë asaj periudhe fatzezë për Shqipërinë dhe Kombin shqiptar.  Por këtë boshllëk të madh kulturor mundohej ta plotësonte – sipas mundësive të saja – diaspora anti-komuniste shqiptare e pas Luftës së Dytë Botërore.

Një rast i tillë, që ma kapi syri duke iu referuar disa revistave të vjetra të diasporës shqiptare në Perendim, ishte 23 Tetori i vitit 1961. I binte të ishte 90-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës.  Duke marrë parasysh trajtimin e keq që regjimi komunist shqiptar dhe ai jugosllav i bënin emrit të mirë dhe veprës madhështore të Fishtës – intelektualët e asaj kohe, një brez që nuk besoj të përsëritet më –një grup që mund të thuhet se përfaqësonte ajkën e kulturës shqiptare, ndoshta e të gjitha kohërave. Një grup që ishte arratisur nga komunizmi, në krye me Redaksinë e revistës “Shëjzat” , kishin vendosur që në mungesë të shënimit të 90-vjetorit të lindjes së Gjergj Fushtës në trojet shqiptare, të kremtonin 90-vjetorin e lindjes së Fishtës me 23 Tetor të vitit 1961, me një numër të veçant të revistës së njohur Shejzat.   

Komiteti i nderit për të përkujtuar 90-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës (me 23 tetor 1961), përbëhej nga rreth 25 anëtarë ndër më të dalluarit e intelektualëve shqiptarë anti-komunistë të asaj periudhe dhe rreth 20-shkrimtarë dhe intelektualë të fushave të ndryshme, kontribuan artikuj shkencorë, “për t’i dhënë shkëlqim të denjë përkujtimit të Poetit Kombëtar”, në atë numër të veçant të Shëjzave, kushtuar At Gjergj Fishtës, në 90-vjetorin e lindjes (1961).

Në kryeartikullin e tij me titull, “Apostullata Kombëtare e Fishtës”, botuesi i Shejzave, Prof. Ernest Koliqi e kujtonte Fishtën, “Si Poet Kombëtar i cili synonte ndërtimin e Atdheut. Vjerrshimi për Të, ishte sidomos mjet për të nxjerrë nga thellësistë e shpirtit të popullit idenë e Shqipërisë që një robëri dërmuese pesë shekujsh kishte kredhë a zhytur në terratisje të plotë…Fishtës, ashtu si edhe më të mëdhejve të apostuj të shqiptarizmit nuk i shpëtonte fakti se varra më dëmprurse e mbetur në trup e në shpirt të Kombit nga e kaluara fatkqeqe ishte ndasia në mes Shqiptarëve… Me çiltërinë e vet burrërore, Ai na tregon mënyrën se si të arrihet bashkimi i vërtetë kombëtar, jo duke fshehur shkaqet e ndasive, por duke i zbuluar ato për të gjetur barin mjekues. Mësimin e lartë të këtij Apostulli të Madh të vëllazërimit shqiptar duhet t’a mbajmë gjallë sot e mot në zemrat tona, nqëoftse duam që të mos fiket hylli i Kombit në hapësirës e kupës qiellore”, ka porositur Ernest Koliqi në përkujtimin e tij, kushtuar At Gjergj Fishtës me rastin e 90-vjetorit të lindjes së  tij (1961).

Ndërsa Dhimitër Berati në “Kujtimet dhe Shënime” kushtuar mikut dhe bashkpuntorit të tij Gjergj Fishtës, në konferenca ndërkombëtare në mbrojtje të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve, se veprat e përsosura të shkrimtarëve të mëdhej, si Lahuta e Malësisë e At Gjergj Fishtës dhe Historia e Skenderbeut  e Naim Frashëri, “Duhet t’i këndojmë, t’i mësojmë e t’i nderojmë veprat e tyre si një prirje e natyrshme ndaj Atdheut, si një shenjë dashurije për popullin tonë. Ato na e pasqyrojnë  ashtu si është, me të mirat e me të metat, me ndjenjat e mendimet që ka trashëguar nga gjysh-stërgjyshi, me zakonet e traditat që kanë ruajtur fisin e farën, gjatë shekujve”, ka shkruar Dhimtër Berati, bashkpuntor i ngusht i At Gjergj Fishtës.

Një tjetër bashkohas i Fishtës dhe njëri prej burrave nënshkrue të Pavarësisë së Shqipërisë, Ekrem Vlora,  në përkujtimin e ditëlindjes së Fishtës shkruante se Lahuta e Malësisë e Gjergj Fishtës, “Na shtiu në radhën e popujve të qytetëruar. Thash të qytetëruar! Mos u çuditëni! Sepse nuk është vetëm përparimi lëndor teknik që i jep një populli të drejtën të cilësohet i qytetëruar. Janë ndofta më tepër vlerat morale, mentore dhe shoqnore që e rreshtojnë në radhët e njerëzimit të përsosur. Shqiptari që ka qenë përherë i përbuzur  nga fqinjt e tij për këtë  pikëpamje ka vendin e vet në radhët e qytetërimit shpirtnor dhe ka një vend të lartë që e ka zenë që me kohë. E ka zenë se pse që nga koha e historisë së tija më të lashtë ka qenë i pajisur me gjithë ato cilësi me gjithë ato vlera shpirtënore me të cilat hyjnon Fishta në Lahutën e Malësisë. Por, Lahuta me të cilën ka kënduar Fishta vlerat e asaj Malësisë së tij kreshnike nuk ka tingëlluar vetëm për rrethin e ngusht. Ka tinglluar dhe vazhdon të ushtojë si kumona e kushtrimit anë e mbanë Shqipërisë”, ka shkruar Ekrem Vlora për jetën dhe veprën e At Gjergj Fishtës.

Është e pamundur që në këtë përvjetor, në një artikull të shkurtër përkujtimor si ky  me këtë rast, të pasqyrohen kujtimet e rreth 20-shkrimtarëve ndër më të mirët e Kombit, të shprehura me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Fishtës në numrin e posaçëm të Shëjzave, kushtuar atij në vitin 1961. Por po e përmbyll me disa fjalë nga parathënja e kolegjumit përgatitës të këtij botimi të posaçëm për jetën dhe Veprat e Poetit, që janë një pasqyrim i mendimeve të tyre: “Në Shkodrën e Gencit, bri Rozafës ilirjane, (Fishta) nguli kvartierin e shtatmadhorisë së Shqiptarizmit. Të rijve që e rrethuan, ai ma i pari, në shkollën e vet u mësoi gjuhën gjyshore (1902), duke nisur nga alfabeti (1908) e deri në hovet më të nalta lirike. Të rriturve u dha në dorë LAHUTËN magjike për t’i këthyer këta në ushtarë të vatanit. Neofitët e rij të atdheut i radhiti të armatosun  mbas Marash Ucit e Oso Kukës, Abdyl Frashërit e Ali Pashës, Dedë Gjo’ Lulit e Vrionit, Patër Gjonit e Hafiz Myslimit. Në ball të luftës kundra armiqve të jashtëm, shpalosi flamurin me shkabën kastriote, të lirë e sovrane, të ndarët ndër fise e krahina, nga ndryshimet fetare e kulturore, i pushoi embël në prehërin e Barazimti kristjan”,  shkruajnë anëtarët e nderit të kolegjumit të numrit të veçant të Shëjzave kushtuar Gjergj Fishtës me rastin e 90-vjetorit të lindjes, në vitin 19961.

Në vlerësimet e tyre për Fishtën, ata kanë shkruar se Gjergj Fishta, “Mbas Zotit e Fesë ai dashuroi Atdheun dhe këtij i kushtoi mundin e vet e djersën, veç për t’a parë të lumtun e të përparuar. Hatroi zhgunin që bajti dhe hijen e tij e bëri të bekuar”.  Si i “bekuar” e thirrën kahdo që i shkelte këmba si përfaqsues i Shqipërisë dhe kombit në Konferencën e Parisit 1918, në Athinë në 1930, në Stambollë, 1931, në Bukuresht në 1932, në Amerikë, 1919, e në Romë, 1939.

At Gjergj Fishta pra, si i përkushtuar ndaj Fesë dhe Atdheut – “Shqiptar jetoi gjithë jetën. I varfën lindi dhe ma i varfër vdiq. Nuk grumbulloi pasuni, por i la Kombit pasuninë më të madhe, veprat që nuk dijnë kurrë mort!”, është shprehur  Karl Gurakuqi, njëri prej shkrimtarëve që kontribuan në numrin e posaçëm të revistës Shëjzat kushtuar 90-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, botuar në numrin Nentor-Dhetor, 1961. 

Gëzuar Ditëlindjen At Gjergj Fishta! Ndonëse gjithnjë i harruar dhe i anashkaluar, zyrtarisht, anë e mbanë trojeve shqiptare, në këtë përvjetor të lindjes, urojmë që vlerat e Tua të shprehura në Lahutën e Malësisë, të jenë një pasqyrë udhërrëfyese për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, në mbrojtje të vlerave historike kombëtare dhe në shpëtimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve nga ndërhyrjet e ideologjive të huaja dhe të kulturave gjysmake sllavo-aziatike, historikisht, dashakeqse ndaj vlerave dhe interesave shqiptare. 

Frank Shkreli 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli

NË PRAG TË 50-VJETORIT TË THEMELIMIT TË FAMULLISË, “ZOJA PAJTORE E SHQIPTARËVE” NË MIÇIGAN TË SHTETEVE TË BASHKUARA — KUJTOJMË DOM PREK NDREVASHAJ

September 23, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

Në një njoftim paraprak për komunitetin shqiptaro-amerikan në Detroit dhe për publikun e gjërë, famullitari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield afër Detroitit, në shtetin Miçigan, i përndershmi Dom Ndue Gjergji ka njoftuar para disa javësh se kjo famulli do të organizojë festimin e 50-Vjetorit të themelimi të kishës së tyre. Dom Ndue Gjergji e cilësoi kremtimin e Jubileut të 50-vjetorit të themelimit te saj,(me 8 dhe 9 tetor, 2022) si një gurthemel i punës, përpjekjeve dhe historisë së saj gjatë 50- dekadave të kaluara. Këto 50 vite kanë qenë vite sfidash të mëdha për famullinë tonë, është shprehur ai. Kemi pasur probleme, humbje njerëzore, aktivitete të shumta dhe arritje të mëdha, por falë ndihmës së Zotit tonë Jezu Krishtit, dhe ndihmës dhe kontributeve tuaja, famullia jonë ka ecur vetëm përpara dhe historia e saj në këtë 50-vjetor ka qenë e suksesshme”, ka thenë i përndershmi Dom Ndue Gjergji për famullinë e tij dhe për mbështetsit e bashkpuntorët e Kishës, Zoja Pajtore e Shqiptarëve, që ai drejton.

Duke iu referuar themeluesit të kësaj kishe 50-vite më parë, të ndjerit Dom Preke Ndrevashaj, Dom Ndue Gjergji në njoftimin e tij shprehet se, “E kemi kujtuar në çdo festë dhe në lutjet tona, edhe sot shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për themeluesin e kësaj famullie, të përndershmin Dom Prenk Ndrevashaj, emri i të cilit asht i gdhendun, përjetësisht, me shkronja të arta në historinë e kësaj Kishe, si dhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin Dom Prenkën. I kujtoj me respekt të gjithë atë brez kontribuesish që janë nda nga kjo jetë, si dhe jam mirënjohës për të gjithë ju anëtarë të mrekullueshëm të kësaj Famullie, që në ditë të mira dhe të vështira që kemi kaluar, më keni qendruar pranë, e që keni qenë energjia, shtysa, motivimi i punës time në këto 25 vite në drejtimin e kësaj Kishe”, ka shkruar Dom Gjergji në njoftimin paraprak të programit për kujtimin e 50-vjetorit të themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, përsa vijon e ku thuhet se:

“Festa jonë do të mbahet në ambientet e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës tonë me datat 8 dhe 9 Tetor 2022.

Festa konsiston në tri aktivitete madhore:

1-Simpoziumi shkencor mbi jetën e Famullisë së Kishës Zoja Pajtore, ditën e Shtunë, datë 8 Tetor,

2-Mesha Shenjte kushtuar këtij përvjetori, datë 9 Tetor,

3-Darka Festive Gala e këtij Jubileu, ditën e Diele, datë 9 Tetor.

Do të ketë edhe detaje të tjera për të ciat do të njoftoheni në ditët në vazhdim.

Do të jenë të ftuar personalitete të larta të Kishës, përfaqësues të shteteve tona shqiptare, përfaqësues të shtetit amerikan, si dhe figura të shquara të Diasporës shqiptare.

Ftoj Këshillin e Kishës dhe anëtarët e Famullisë që të punojmë të gjithë së bashku dhe të përgatitemi në mënyrë që ky Jubile, të jetë një festë e madhe, e gëzueshme dhe e paharruar për Famullinë tonë dhe komunitetin. Le të jetë ky përvjetor edhe një frymëzim për brezat më të ri për një jetë të gjatë, të suksesshme dhe nën dritën e Zotit të Famullisë tonë.

I juaji, Dom Ndue Gjergji”, përfundon njoftimi për publikun dhe median, në lidhje festimet e 50-vjetorit të kësaj kishe.

Një dokuemntar kushtuar themeluesit të Kishës  Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prekë Ndrevashaj dhe pasuesve të tij të denjë në Miçigan , USA Dokumentar, Dom Prek Ndrevashaj, Kisha Zoja Pajtore, Zef Pergea, Marash Mirashi – YouTube

Emri dhe vepra e Dom Prekë Ndrevashaj janë të njohura dhe të vlerësuara nga të gjithë ata shqiptarë që e kanë njohur, por sidomos në radhët e mijëra shqiptaro-amerikanëve, në jetën e të cilëve Dom Preka ka luajtur një rol kyç – përfshir autorin e këtyre rreshtave përkujtimor — për fatin e tyre dhe të familjeve të tyre.  Në një kohë kur shumë prej nesh kishim nbetur rrugëve të Italisë dhe nuk dinim kah t’ia mbanin.  Ai u nëp mbrojtsi ynë në dhe të huaj. Ai u bë shpëtimtari ynë.  Pa kujdesin e Dom Prekës, shumë prej nesh do të kishim mbaruar rrugëve të Evropës, pa asnjë përspektivë as udhëzim, të arratisur nga trojet tona shekullore prej murtajës së komunizmit. Pasi na ndihmoi të vinim në Amerikën e bekuar, ai këtu u bë për shumë prej nesh edhe frymëzimi për të përparuar, për të shkuar përpara, duke mos harruar kurrë se kush jemi, nga vimë dhe kah duhej të shkonim.

Andaj ky përkujtim – në këtë 50-vjetor të themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve – për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij komuniteti në Miçigan.  E tashmja dhe e ardhmja janë në dorë të pasardhsit të Dom Prekës, Dom Ndue Gjergjit dhe famullisë së tij. E kaluara është e të ndjerit Dom Prekës.   Prandaj, Dom Ndou me bashkpuntorët e tij po organizon këtë ceremoni, me plot kuptim fetar dhe kombëtar, por edhe për tu përulur me nderim e respekt para kujtimit dhe kontributit Dom Prekë Ndrevashaj, themeluesit të kësaj famullie.

Dom Prek Ndrevashaj, i cili u përket atyre burrave të Kombit, të cilët me besimin dhe me patriotizmin e tyre, dijtën të frymëzojnë breza të tërë shqiptarësh, drejtë së ardhmes.  Të asaj të ardhme që është sot është Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve me Dom Ndue Gjergjin në krye.  Kjo kishë kur udhëhiqej dikur nga Dom Prenk Ndrevashj e tashti nga Dom Ndou, i ka dhenë dhe i jep edhe sot këtij komuniteti, Kombit dhe Kishës katolike shqiptare, në përgjithësi, nam e za, si një prej qendrave më të njohura fetare e kombëtare, ndër shqiptarët.

Përvjetorët shënohen dhe shërbejnë si një kujtesë!  Në 50-vjetorin e  Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve kujtojmë themeluesin e saj, Dom Prekë Ndrevashaj — jo vetëm si besimtar e kishtar, por edhe si atdhetar. Për tu përulur me respekt dhe nderim të madh para kujtimit të tij, që së bashku të shprehim me të gjithë ata që e kanë njohur Dom Prekë Ndrevashajn – njërin prej klerikëve më të shquar të Kishës Katolike shqiptare, jo vetëm në në diasporë, por edhe anë e mbanë trojeve tona. 

Dom Prenk Ndrevashajn, një prej burrave më të njohur që i përket brezit të shqiptarëve, të cilët me besimin dhe me patriotizmin e tyre dijtën të frymëzojnë shqiptarët drejtë së ardhmes më të mirë.  Një të ardhme më të mirë, më demokratike dhe më të lirë për shqiptarët, anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor, pore dhe në diasporë, përfshir sot Kishën Zoja Pajtore të Shqiptarëve me Dom Ndue Gjergjin në krye, në 50-vjetorin e themeliemit të saj.  Kjo kishë kur udhëhiqej nga Dom Prenk Ndrevashaj e tashti nga Dom Ndou i ka dhenë dhe i jep edhe sot këtij komuniteti, Kombit dhe Kishës Katolike Shqiptare, në përgjithësi,  shpresë e frymëzim për të ardhmen. I ofron shqiptarëve, jo vetëm besim në Zotin, por edhe gjuhë e kulturë, atdhetarizëm, nder e tradita. Kjo në traditën më të mirë të klerikëve shqiptarë, mbrenda dhe jashtë Atdheut, klerikë si Dom Prekë Ndrevashaj, Imam Vehbi Ismaili, Peshkop Fan Noli e Artur Liolini, Mons. Zef Oroshi e Baba Rexhepi, ndër shumë e shumë të tjerë përfaqsues të tre feve kryesore të shqiptarëve.

Pasi jemi në përvjetorin e kujtimit të Nanës tonë Shën Nenë Terezes – Ajo kujdesej për të gjithë të varfërit pa dallim.  Ajo nuk pyeste – para se të kujdesej për dike – nëse ishte katolik, mysliman, ortodoks ose ateist, i pa fe. Është meritë e kësaj kishe – e themeluesit të saj Dom Prekë Ndrevashajt dhe e famullitarit aktual, Dom Ndue Gjergjit – që ndonëse Kisha Pajtore e Shqiptarëve — në thelb dhe në temel — është një qëndër e krishtër katolike – kjo ka qenë, është dhe jam i bindur se do të mbetet një qëndër ku përveç fjalës së Zotit predikohen me zemër e me shpirt ndjenjat e shqiptarizmës, bashkjetesën, harmoninë dhe vëllazërimin midis të gjithë shqiptarëve të Amerikës, pa dallim feje a krahine.

Më në fund, në këtë 50-vjetor të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve të themeluar nga Dom Prekë Ndrevashaj, i kam boxh, një falënderim të madh personal dhe mirënjohje të thellë  mikut tim dhe mikut tonë të përbashkët, klerikut të madh të Kishës Katolike Shqiptare, Patriotit të shquar të idealeve për një Shqipëni me Zotin, të përparuar në qytetërimin perëndimor – besim ky që pasqyrohej gjithmonë në  veprat dhe fjalët e tija — Dom Prekë Ndrevashaj.

I kemi shumë borxhe Dom Prekë Ndrevashaj – mirënjohje për miqësinë dhe ndihmën e dhenë në kohën më të vështirë për mua personalisht dhe për shumë shqiptarë.  Dom Preka më njoftoi me Ernest Koliqin, më njoftoi prej së largu me Prof. Martin Camaj, se ai në atë kohë nuk ishte në Romë por në Munich të Gjermanisë dhe me personalitete të tjera të shquara të emigracionit anti-komunist shqiptar të asaj kohe në Romë dhe në Shtetet e Bashkuara. Mbi të gjitha, Dom Preka me njoftoi me veprat e At Gjergj Fishtës, të cilat i ruaj edhe sot si kujtimin më të mirë prej tij — dhe për të cilin deri atëherë nuk dijsha asgjë, përveç emrit të Fishtës që kisha dëgjuar në familje. Siç dihej, emri dhe veprat e Fishtës ishin të ndaluara jo vetëm në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, por edhe në ish-Jugosllavinë sllavo-komuniste të Titos.  Shkurtë me i ra bisedës, Dom Preka ishte njeriu i parë  – që me njerëzit që më njoftoi,  me librat (e ndaluara nga komunizmi) që më dhuroi dhe me këshillat e porositë që më jepte, më hapi sytë, mendjen dhe zemrën ndaj një bote tjetër, ndajë fjalës së lirë, lirisë në përgjithsi dhe demkrkacisë perëndimore, krejt ndryshe nga bota komuniste ku kisha lindur e rritur deri në atë moshë.

Urimet e mia më të përzemërta Dom Ndue Gjergjit dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë për nismën për të festuar 50-vjetorin e kishës dhe për të kujtuar themeluesin e Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prenk Ndrevashaj. Sepse, ju, jo vetëm po kujtoni të shkuarën, por njëkohësisht, ju edhe po ndertoni te ardhmen. 50-vjetori i themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve – është një përvjetor i art – golden aninnversay – që ven në dukje trashëgiminë e lenë pas nga Dom Prekë Ndrevashaj, por që shënon edhe arrijtjet dhe sukseset e udhëheqsit aktual të kësaj kishe Dom Ndue Gjergjit dhe antarëve të famullisë, në përgjithësi. Urimet e mia më të përzemërta për këtë jubile historik. Uroj që të vazhdoni lumnisht si deri tashti në veprimtarinë tuaj fetare dhe atdhetare – si përherë, në dobi të Kishës dhe të Kombit.

Unë kam nderin dhe privilegjin të jem ftuar në këtë ceremoni me 8 dhe 9 tetor, port ani për tani po dërgoj edhe me nal të këtij shkrimi edhe njëherë, urimet e mia Dom Ndue Gjergjit dhe famullisë, që kështu po kujtoni e përjetoni trashëgiminë e mikut tonë të përbashkët – mikut të shumë shqiptarëve, pa dallim feje a krahine, Dom Prekë Ndrevashajt. Sepse kështu nderoni veten dhe trashëgiminë e Dom Prekës me të cilën pasurohet shpirti i kësaj famullie e i këtij komuniteti dhe njëkohësisht rritet bujaria dhe begatohet edhe shpirti i kombit.

Bekimet e të Madhit Zot, sot dhe përgjithmonë! Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin Shqiptar, ndër shekuj!

Frank Shkreli                                                        

Autori me Dom Prekë Ndrevashaj dhe Dr. Elez Biberaj — gjithashtu mik i Dom Prekës — duke dalur nga ndërtesa e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, 1985. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

Në zyrën e Dom Prekës në Romë, (njëkohësisht edhe strehimi im si refugjat në Romë, 1970) — Dom Gjeto Radi me lahutë, Dom Preka me fyell dhe autori me çifteli, (me Dom Gjeto Radin), viti 1970.                                           

Dom Prekë ndrevashaj me mikun dhe bashkvendasin e tij dukagjinas., Prof. Dr. Martin Camaj

Nga e djathta, Imam Vehbi ismajli, Dom Jak Gardini, Dom Prekë Ndrevashaj dhe Padër Andre Nargaj

               Me autor Ndrek Guri                              

              Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield të shtetit Michigan

Filed Under: Komunitet Tagged With: Frank shkreli

RËNDËSIA E LIRISË SË SHTYPIT PËR DEMOKRACINË DHE PAQËN   

September 19, 2022 by s p

Mbrojtja e lirisë së shtypit, mbron demokracinë!    

Nga Frank Shkreli

15 shtatori 2022 shënoi 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar si e tillë qysh në vitin 2007, me anë të një rezolute nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara, (OKB) me qëllim që të promovohen dhe të zbatohen parimet e demokracisë dhe të lirisë. Në këtë ditë,  njëherazi, u kërkohet shteteve anëtare të OKB-së që të shënojnë këtë ditë, në mënyra sa më të përshtatshme, duke promovuar vlerat dhe parimet e demokracisë dhe të lirisë, në vendet e tyre. Sipas OKB-së, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë ofron një mundësi për të shqyrtuar gjendjen e demokracisë në botë dhe poër të promovuar vlerat demokratike, lirinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.  Demokracia është po aq proces sa edhe një qëllim dhe vetëm me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e plotë, nga bashkësia ndërkombëtare, organizmat qeverisëse kombëtare, shoqëria civile dhe individët, mund të realizohet ideali i demokracisë dhe lirisë, për të gjithë dhe kudo, pa dallim, thuhet në njoftimin e OKB-së. Si temë e e këtij viti për të shënuar 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë është zgjedhur Liria e Shtypit dhe Demokracia.  Liria e shprehjes është njëra nga të drejtat themelore të njeriut, e mbrojtur nga neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.  A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Në deklaratën e OKB-ës në këtë përvjetor thuhet se ndërkohë që kriza e COVID-19 ka shkaktuar sfida të mëdha globale, një krizë e re në Evropë na kujton se parimet tona demokratike gjënden përballë kërcënimeve të ndryshme, anë e mbanë botës.  OKB-ja paralajmëron me këtë rast se, sot më shumë se kurrë, Demokracia po tkurret, hapësira për debat shoqëror po ngushtohet, mosbesimi dhe keq-informimi po shtohen, ndërkohë që kërcënimet, kundër lirisë së gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias vijnë duke u shtuar, nga ditë në ditë. Prandaj, si përfundim i kërcënimeve ndaj lirisë së medias në botë, OKB-ja ka vendosur që në këtë 15-vjetor të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë të përqendrohet mbi rëndësinë dhe rolin që luan liria e shtypit në zhvillimet demokratike dhe në sigurimin e paqës në botë. Media e lirë, e pavarur dhe pluraliste, e aftë për të informuar shoqërinë mbi çeshtje të interesit publik, është një pjesë përbërse e Demokracisë së mirëfilltë.  OKB-ja thekson me këtë rast se, gjithnjë e më shumë, vihet re se gazetarët, anë e mbanë botës, përballen me pengesa të llojllojshme ndaj lirisë së tyre për të kryer detyrën si gazetarë – gjë që ka pasoja të rënda për të drejtat e njeriut dhe për zhvillimet demokratike kudo.  

Në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shprehet se “Demokracia nuk mund të mbijetojë pa lirinë e shtypit dhe pa lirinë e të shprehurit.”  Kjo është edhe arsyeja që mbrojtja e lirisë së medias konsiderohet si një pjesë përbërse — kritike — për ndërtimin e një demokracie të shëndosh, ka thënë ai. “Pa lirinë e shtypit, demokracia nuk mund të mbijetojë. Pa lirinë e të shprehurit, nuk ka as liri të tjera”, theksoi udhëheqsi i organizatës botërore, ndërsa u bëri thirrje qeverive të mbarë botës që të “sigurohet liria dhe të mbrohen të drejtat e të gjithë njerëzve, pa dallim dhe kudo në botë”. International Day of Democracy | Messages | United Nations.

Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden bëri një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë — Statement by President Joseph R. Biden, Jr. on the International Day of Democracy – The White House — “15-vjet më parë, shtetet anë e mbanë botës janë bashkuar për të deklaruar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë – një ditë kjo për të treguar mbështetjen tonë të përbashkët për qeverisje përfaqsuese, transparente; për të reflektuar mbi barazinë, respektin për të të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor dhe për shtetin e të drejtës”, tha ndër të tjera, Presidenti Biden. Udhëheqsi amerikan pranoi se vitet e fundit, “demokracia anë e mbanë botës ka pësuar disa sfida të dukshme”, ndërsa ai fajësoi ata që i quajti “autokratë dhe forca të tjera, të cilat bëjnë trysni ndaj atyre që luftojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore.”  Në 15-vjetorin e shpalaljes së Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë nga OKB-ja, Presidenti Biden shtoi se, “Shtetet e Bashkuara po bashkpunojnë me shtetet e tjera demokratike në mbarë botën për të zgjidhur sfidat më të mëdha me të cilat përballet bota”sot, ndërsa përmendi “luftën brutale dhe të pajustifikueshme të Rusisë kundër Ukrainës”, si një nga ato sfida.   

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë të tijën nga Departamenti i Shtetit, kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë — Commemorating the International Day of Democracy – United States Department of State — u shpreh se në “Këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, ne theksojmë angazhimin tonë ndaj demokracisë ndërsa përpiqemi për një botë më gjithëpërfshirëse, më të barabartë dhe më paqësore.  Siç ka theksuar edhe Presidenti Bajden, shtoi diplomati lartë amerikan, “… ne duhet të fillojmë me diplomacinë e rrënjosur në vlerat demokratike më të dashura dhe më të shtrenjta të Amerikës, e që janë: mbrojtja e lirisë, mbështetja e mundësive të barabarta për të gjithë, respektimi i të drejtave universale, respektimi ndaj sundimit të ligjit dhe trajtimi me dinjitet i çdo personi… Duke vendosur të drejtat e njeriut në zemër të politikës sonë të jashtme, Shtetet e Bashkuara avancojnë respektin për liritë themelore, edhe në nivel global.  Ne e dimë se respekti, për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, është thelbësor për paqën e qëndrueshme dhe begatinë e vazhdueshme në botë. Ky respekt bazohet në përvojën tonë si shtet demokratik, ndonëse jo i përsosur, por, vazhdimisht, duke punuar për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë”, për të gjithë, është shprehur, ndër të tjera, Kryediplomati amerikan Antony Blinken me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, me 15 shtator, 2022.

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënohet  çdo vit më 15 shtator me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin publik vlerave të demokracisë dhe lirive të njeriut, në përgjithësi. Veprimtari të ndryshme të sponsorizuara nga ente qeveritare dhe ente jo-qeveritare zhvillohen anembanë botës për të promovuar demokracinë në këtë ditë dhe gjatë gjithë vitit. Udhëheqës shtetesh si Presidentët e Amerikës dhe të tjerë anë e mbanë botës, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, e shënojnë këtë ditë me deklarata në mbështetje të demokracisë dhe lirive bazë të njeriut. 

Ashtu ndodhi edhe sivjet. Por m’u duk se përjashtim këtë vit, ashtu si në të kaluarën, Shqipëria dhe Kosova, bënin pjesë me vendet që nuk e shënuan Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, zyrtarisht, dhe jo me vendet demokratike si Shtetet e Bashkuara, ku kjo ditë u shënua nga udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe qeverisë. Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, në deklaratën e tij pranoi se megjithë përvojën e gjatë demokratike – megjithëse jo të përsosur — është e nevojshme që edhe Amerika ta kujtojë Ditën Ndërkomëtare të Demokracisë, si një angazhim i përherëshëm ndaj vlerave demokratike, përfshir promovimin e të drejtave të njeriut, përfshir lirinë e shtypit dhe lirinë e të shprehurit për individët.

Fatkeqsisht, më duket se, në këtë tranzicion tepër të zgjatur prej 32- vitesh, dielli i demokracisë së vërtetë shqiptare, të ketë humbur rrugën në vranësirat e jetës konfliktuale politike të korruptuar shqiptare. Ose të pakën të ketë devijuar shumë keq nga rruga që duhej të ndiqte në zhvillimin e demokracisë dhe lirive bazë të

njeriut, në tranzicionin e pafund “post-komunist” në Shqipëri, e deri diku edhe në Kosovë. Për fat të keq, paralajmërimi im jo aq i kahershëm se, “Demokracia Nuk Pret”, vazhdon të jetë aktual sot e kësaj dite, kur bota shënon 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë dhe lirisë së shtypit, në Shqipëri as nuk përmendet fjala Demokraci. Në vend të Demokracisë së vërtetë, kemi autoritarizëm, jo përmirësim të vlerave të lirisë e demokracisë, përfshir lirinë e shtypit. Por një përkeqësim të tyre – ashtu siç reflektohet në shumë raporte ndërkombëtare të të drejtave të njeriut —   ndoshta më keq se kurdoherë në këto tre dekada “post-komunizëm. Kapja e drejtësisë Në 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, jo vetëm që “Demokracia Nuk Pret”, por sipas vlerësimeve të analistëve të brendëshm dhe të jashtëm, demokracia — sidomos në Shqipëri — është në rrezik. Kapja e drejtësisë nga qeveria, nepëmjet një “reforme” që mbështetet dhe financohet nga ndërkombëtarët, nuk i shërben thellimit të demokracisë as mbrojtjes së vlerave të lirisë e demokracisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët, padallim.

“Demokracia nuk mund të mbijetojë pa lirinë e shtypit dhe pa lirinë e të shprehurit”, porositi Sekretari i Përgjithëshpëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 15 shtator, 2022.  Demokracia Nuk Pret! 

Frank Shkreli

See the source image

               Jo vetëm që Demokracia nuk pret më, por duket se ajo është në     rrezik…”Mbrojtja e lirisë së shtypit, mbron demokracinë”!

See the source image

        Në një demokraci të vërtetë, qytetarët ushtrojnë pushtetin duke votuar

protest march

         Mesazhet e tyre me rastin e Ditës ndërkombëtare të Demokracisë

António Guterres
A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

   Presidenti Joe Biden                            Antonio Guterres                                Antony Blinken

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

SHQIPËRIA SI PJESË E BOTËS RUSE –  “RUSKI MIR” DHE “BALLKANI I HAPUR”

September 16, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane”, njofton VOA shqip – kjo kur ishte kryetar i saj Lulzim Basha.  Sipas VOA-s, zyrtari që foli me median, nevijoi se ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit, i cili ka analizuar financimet e Rusisë, “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.

“Ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur që të mënjanojmë kërcënimet e mundëshme ndaj Ballkanit. Andaj, nuk duhet të ushtrohet më trysni ndaj Serbisë që t’i imponojë sanksione Rusisë.  Sanksione të tilla nuk mund të ndërmerren sepse pa Rusinë, Serbia nuk mbijeton dot. Për më tepër, qeveria dhe Presidenti Aleksandër Vuçiq nuk do u mbijetonin sanksioneve (të Serbisë) kundër Rusisë.”  Kryeministri Rama, Intervistë me gazetën austriake Die Presse, para disa ditësh.

“Derisa unë të kem ndikim, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.  “Unë nuk do të heq dorë nga lufta ime legjitime për interesat shtetërore dhe kombëtare, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, tha lideri serb, sipas Radios Evropa e Lirë. 

Eh, sikur Tirana zyrtare sot do mbronte interesat legjitime dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, me kaq këmbëngulje dhe vendosmëri siç mbron Vuçiqi interesat nacionaliste serbe anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, me ndihmën e Rusisë së Putinit. “Serbët dhe Rusët, vëllëzër përgjithmonë…”, një parullë kjo që dëgjohej në rrugët e Beogradit dhe qyteteve të tjera në mbështetje të pushtimit të paprovukuar të Ukrainës nga forcat putiniste ruse 6-muaj më parë.

Ndonjë lexuesi aty këtu, mund t’i kujtohet ndonjë shkrim imi modest vite më parë, me të cilat jam përpjekur të zgjoj ndërgjegjen por edhe të parlajmëroj për rrezikun që, sipas mendimit tim atëherë dhe sot, i kërcënohet interesave të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, si rrjedhim i përhapjes së influencës së Rusisë putiniste dhe shteteve të tjera autoritare të botës, si Kina dhe Turqia. 

Po i sjellë këto citime të ditëve të fundit, jo për të thenë: ja kisha të drejtë, por si një ilustrim i rreziqeve të mundshme që i kanosen Kosovës dhe interesave të shqiptarëve në përgjithësi. Se kam drojë që protagonistët e sipërpërmendur shqiptaro-serb, po punojnë, dashtë e pa dashtë, me interesat ruso-serbe në dëm të interesave të shqiptarëve dhe si rrjedhim edhe në dëm të interesave afatgjata gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, interesa të cilat do duhej të përputheshin me interesat kombëtare të shqiptarëve.

Fatkeqsisht, disa prej këtyre, ditën flasin dhe shfaqen si “pro-amerikanë” të mëdhej të cilët, na thonë se “ndajnë vlerat perëndimore”, ndërsa natën sjellin ujë në mullijtë e armiqëve të Kombit shqiptarë dhe të interesave të aleatit strategjik, historikisht, më të sinqert të Shqipërisë e Kosovës – Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Me miq “proamerikanë” si këta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë nevojë për armiq.  

Shtoi këtyre deklaratave të fundit nga liderët ballkanas si dhe raportit të zbulimit amerikan — në lidhje me financimin e raportuar nga burime amerikane të Partisë Demokratike të Lulzim Bashës – edhe njoftimin e javës së kaluar të doktrinës së re të politikës së jashtme ruse, të nënshkruar nga Presidenti Vladimir Putin.  Kjo doktrinë e re e politikës ruse, njoftuar në fillim të këtij muaji, sipas mediave ndërkombëtare, përqendrohet rreth konceptit të ashtuquajtur, “Bota Ruse”, në bazë të cilit justifikohet ndërhyrja e Kremlinit në mbështetje të të drejtave rusisht-folës në hapësirën ish-sovjetike. Por, sipas raporteve në media, ky dokument prej 31- faqesh – nënshkruar na vet Putini — shkon përtej konceptit të ndërhyrjes së Rusisë në mbështetje të “rusisht-folësve” jashtë kufijve të Rusisë – të asaj pra që konsiderohet si “Bota Ruse”, ose hapësira ish-sovjetike, të cilën regjimi i Putinit e konsideron si zonë të infleuncës së saj, nepërmjet një “politike humanitare”.  Sipas medias ndërkombëtare, ky dokument shkon përtej Botës Ruse”, duke u paraqitur edhe si një përdorim i të ashtuquajturës strategji ruse e “pushtetit të butë”. Në dokumentin e ri të politikës së jashtme ruse, bëhet gjithashtu thirrje, për shtimin e bashkpunimit dhe influencës së Rusisë me shtetet sllave, dhe për përforcimin e marrëdhënieve të saj me Kinën dhe Indinë, Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe Afrikën, me qëllim “për të mbrojtur, ruajtur dhe avancuar traditat dhe idealet e Botës Ruse.”

Kur një Kryeministër i Shqipërisë mbron Serbinë dhe justifikon  politikën pro-ruse të Beogradit si një politikë për mbijetesë të Sebisë dhe të regjimit serb të Vuçiqit Rama for “Die Presse”: Let’s keep away the threats from the Balkans – Politikë (tiranapost.al) dhe kur një raport i shërbimeve sekrete amerikane njofton se Rusia ka financuar parti politike në dhjetra vende ku mes tyre përmenden 500 mijë dollarë që i janë dhënë PD-së në Shqipëri në 2017 kur Lulzim Basha ishte në krye të saj  — unë e konsideroj si një situatë emergjente që rrezikon sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës — SHBA: Rusia ka financuar parti politike në dhjetra vende; mes tyre përmenden 500 mijë dollarë që i janë dhënë PD-së në Shqipëri në 2017 (zeriamerikes.com) –

“Ruski mir” dhe “Ballkani i Hapur” janë një dhe të pandarë. Aleksandër Vuçiqi është aleati më i ngusht i Vladimir Putinit dhe i politikave të tija eskpansioniste të “Botës Ruse”, mbështetur nga Kishat Ortodokse ruse dhe serbe. “Bota Ruse” e Putinit është si “bota serbe” e Vuçiqit. “Ballkani Perëndimor”, pjellë e Serbisë e mbështetur qartë nga Moska, mundëson shtrirjen e influencës ruse në Ballkan përtej hapësirës së Serbisë. Sot, pretendimet e Vuçiqit kundër Kosovës janë të njëjtat me ato të Rusisë për të justifikuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, 6 muaj më parë nga Rusia. 

Për ata që ende nuk e kuptojnë se ç’ është, “Ballkani i Hapur”, ua shpjegon njëri prej analistëve më të njohur amerikanë për çeshtjet ballkanike dhe evropiane, Janusz Bugajski: “Ballkani i Hapur është një nismë që favorizon Moskën, një nismë që mban rajonin larg Bashkimit Evropian, që mban të ngrirë konfliktin në Kosovë dhe në Bosnje Hercegovinë. Një nismë që do të kontrollojë Malin e Zi dhe të shtrijë influencën e Serbisë edhe më shumë në rajon.”  Shumë mirë e thenë nga analist i njohur, që përmbledh thelbin e kësaj nisme. 

Zgjohu o shqiptar! Zhvillimet e fundit tregojnë se Ballkani i Hapur po shkon përpara, krah për krah, me politikën e jashtme të strategjisë së “Botës Ruse”, të nësnhkruar nga Putini javën që kaloi.  “Ballkani i Hapur” nuk është asgjë tjetër veçse një projekt i menduar mirë dhe i përpiluar në korridoret më të errëta të Beogradit dhe Kremlinit – që në përputhje me objektivat strategjike të “Botës Ruse” të përforcojë edhe më tepër influencën e Serbisë në Ballkan dhe nepërmjet saj, edhe influencën ekonomike, politike dhe ushtarake të Moskës në rajon.

Një gjë e tillë nuk mund të jetë assesi në interes të Shqipërisë e të Kosovës as në interes të miqësisë dhe të marrëdhënieve afatgjata midis kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Hapni sytë! Shqiptarët e lirë nuk nuk duan kurrë të jetojnë një vend nën sferë influence të Moskës as të këlyshave të Rusisë dhe bashkpuntorëve të tyre rajonal. Fatkeqësisht, “manipulimi i demokracisë në vend”, në Shqipëri po vazhdon, para syve të përfaqsuesve diplomatikë perëndimorë.  Prandaj shqiptarët po zbrazin vendin se ua kanë hëngër çorbën për më shumë se një shekull influencave të huaja sllavo-komuniste dhe majtiste serbo-ruse, përball mos interesimit perëndimor.  

Hiqni dorë njëherë e mirë nga Ballkani i Hapur! Shqiptarët nuk kanë dashur kurrë as nuk duan sot të jenë pjesë e Botës Ruse as Botës Serbe!

Frank Shkreli

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT