• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË DITËLINDJEN E IBRAHIM RUGOVËS

December 2, 2020 by dgreca

Në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë/

 Nga Frank Shkreli/

Më 2 dhjetor të vitit 1944, ka lindur Ibrahim Rugova, njëri prej themeluesve dhe ish-Kryetari për një kohë të gjatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.  Ibrahim Rugova u rizgjodh me vota dërmuese kryetar i Kosovës në zgjedhjet e mbajtura nën okupimin serb, në mars të vitit 1998.  Vdiq me 21 janar të viti 2006, u varros me nderime dhe pjesëmarrje të larta shtetërore dhe ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Sivjet po e kujtoj ditëlindjen e këtij burri të madh të Kombit, jo me fjalët e mia, por me fjalët e tija: Pasi jemi ende në frymën e festës së Pavarësisë së Shqipërisë, me kënaqësi po shpërndaj një artikull të Ibrahim Rugovës, shkruar me rastin e 28 Nentorit, të vitit 1968, në një prej gazetave të Prishtinës së asaj kohe.  Titulli i shkrimit është, “Pavarësia Kombëtare -28 Nëndor 1912- 28 Nëndor 1968.

Për ata që mund të kenë harruar, e sidomos për ata fatzezë, shumë prej të cilëve – atëherë e sot — të influencuar nga idetë sllavo-komuniste, ende flasin keq dhe gjithnjë nuk duan të njohin meritat e këtij udhëheqësi unik të Kombit shqiptar – duhet kujtuar se viti 1968 – kur është shkruar artikulli — ishte një periudhë e rendë në historinë e Kosovës, por edhe e lavdishme – ndoshta ndër datat më të spikatura të historisë kombëtare të shqiptarëve.

 Ishte viti i demonstratave të shqiptarëve të Kosovës për të drejtat e tyre, demonstrata që fillimisht shpërtheu në Prizren me 6 Tetor, 1968, e që më vonë u përhapen anë e mbanë duke kërkuar të drejtën e përdorimit, lirisht, të flamurit kombëtar dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës.  Demonstratat e vitit 1968 ishin vërtetë një kryengritje popullore e shqiptarëve që shkundi nga themelet regjimin komunist jugosllav të asaj kohe, megjithse demonstratat u shtypën brutalisht nga regjimi komunist jugosllav. Por demonstratat patën edhe suksesin e tyre, pasi çuan në themelimin e universitetit të Prishtinës dhe në miratimin e ligjeve të reja të favorshme për shqiptarët, përfshir Ligjin Kushtetues për Krahinën Autonome të Kosovës.

Ishte pra, në këtë periudhë të tensionuar politike dhe mjaft të rrezikshme për intelektualët e Kosovës, të asaj kohe, siç ishte Dr. Ibrahim Rugova, kur Presidenti i ardhëshëm i Republikës së Kosovës shkruante artikullin “Për Pavarësinë Kombëtare” që po ju sjellim më poshtë në faksimil, të botuar në Nëndor, 1968.  Më thenë të drejtën, mua nuk më habiti fare ky shkrim – pasi bazuar në aq sa e kam njohur Dr. Rugovën, ai ishte një atdhetar i pa lëkundur në mendimet e tija dhe në besimin e tij në vlerat kombëtare, sidomos në pavarësinë dhe bashkimin kombëtar – siç kishte titulluar edhe shkrimin –çrej vitit 1968, pra.

“Viti 1912. Zgjedha otomane  zenë të hiqet.  Ketë e benë ata që me shekuj ndien peshën e saj, peshën e saj të ndyet çkombtarizuese, vëllavrasëse due coptuese. Edhe toka e Memdheut eshte e zgjuar. S’duron më kë,mbën e ndytë poshtëronjese që fikte njomsitë pa lindë fare. Bota dëgjon për ketë. Ballkani ushton. Trimat ende, në të gjitha anët…”, shkruante ndër të tjera Ibrahim Rugova në nentor të vitit 1968.

Ndonëse shkrimi ishte botuar dy muaj pas demonstratave në Kosovë është kollaj të shihet se Rugovës, “gjuha i shkon aty ku i dhemb dhëmbi”, ndonëse i referohet “kuçedrës së Anadollit”, ai sikur shkruante edhe për situatën e atëherëshme të shqiptarëve nën kuçedrën komuniste të Jugosllavisë: “…nuk kemi asgjë se kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po, ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë, që i çoi në këmbë prore shpirtrat tonë të djegur për tokën e strëgjyshorëve. S’u harrua porosia e stërgjyshëve. E shpurrëm mëtej dhe do ta shpiem gjersa të gjallërojmë mbi ketë tokë të dashur…”

“Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”, ka thenë Ibrahim Rugova. Ata që e kanë njohur Dr. Ibrahim Rugovën gjatë viteve, besoj se e dinë se Dr. Rugovës mund t’ia prisje kokën, por mendimet e tija nuk mund t’ia ndryshonin kurrrë. 

Ky shkrim më poshtë, është edhe një provë tjetër për këtë thënje. Lexim të këndërshëm.

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Ditelindja e Rugoves, Frank shkreli

AD MULTOS ANNOS, DON PJETËR POPAJ

November 27, 2020 by dgreca

  Nga historia e komunitetit shqiptaro-amerikan: AD MULTOS ANNOS, DON PJETËR POPAJ/

-Me rastin e 35-Vjetorit të Meshës së Parë në Nju Jork-

Nga Frank Shkreli/

Ishte Nëntori i vitit 1985, kur Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, me qendër në Nju Jork, lajmëronte me një njoftim të posaçëm, komunitetin shqiptaro-amerikan të asaj kohe për shugurimin e priftit të ri katolik shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, nga Kardinali i Nju Jorkut, John O’Connor, në Katedralën e madhe të Shën Patrikut në Manhatan me 16 Nëntor, 1985. Në këtë ceremoni morën jesë qindra shqiptaro-amerikanë.

Komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim, ftohej gjithashtu të merrte pjesë me 24 Nëntor, 1985 edhe në ceremoninë fetare kur meshtari i ri dhe i pari prift katolik shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, do të kremtonte Meshën e parë në Kishën e lartëpërmendur.  Njoftohej gjithashtu mbarë komuniteti, se përveç ceremonisë fetare për të shënuar atë ditë të rëndësishme në jetën e Don Pjetrit,  të Kishës katolike shqiptare në Amerikë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi – me këtë rast, do shtrohej edhe një darkë madhështore në Imperial Manor — njërin prej lokaleve më të njohura të shtetit fqinj, Nju Xhersi, një darkë që u kryesua nga aktivisti i njohur për shumë dekada i komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Tonin Mirakaj –një darkë që ende kujtohet si ndër më të dalluarat e komunitetit, me një pjesëmarrje prej më shumë se 1000-bashkatdhetarëve, përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve në Amerikë.

Ndër këta pjesëmarrës kisha nderin të isha edhe unë i pranishëm në këtë ceremoni historike – i ardhur enkas nga Washingtoni – për të festuar së bashku me shumë shqiptarë të ardhur nga shumë vende të Amerikës, por edhe nga Evropa dhe Kanadaja. Ishte një ditë që do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën e shumë shqiptaro-amerikanëve dhe kjo është pikërisht edhe arsyeja që sot po e kujtojmë si një ngjarje, ndër më të dalluarat e komuntetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, për nga pjesëmarrja dhe për nga rëndësia historike e vet ngjarjes – e që u përshëndet edhe nga i pari i shtetit të Nju Jork-ut, ish-governatori Mario Cuomo, i cili kishte bërë një deklaratë të veçantë me këtë rast.

Në një shkrim të ditëve të fundit për gazetën Illyria në Nju Jork, kryetari i asaj darke,  35 vjetë më parë, Z. Tonin Mirakaj kujton se në darkën e cilësuar si “Darkë Gazmore” në “Imperial Manor”, në Paramus, Nju Xhersi, me një pjesemarrje të më shumë se 1000-personave, që në mes tyre dalloheshin, Mons. J.Dougherty, udhëheqës Episcopal i Bronxit, Mons. Simon Filipaj, i ardhur enkas nga Ulqini, priftërinjt shqiptarë në Amerikë, Mons. Zef Oroshi, Don Prenk Ndrevashaj, At Andrea Nargaj, Don Lazer Sheldia, Don Rrok Mirdita e të tjerë klerikë amerikanë vendas. I ftuar nga Z. Mirakaj për të marrë pjesë në darkën madhështore të shqiptarëve, ishte edhe Guvernatori i atëhershëm i Shtetit të New York-ut, i ndjeri Mario Cuomo, por në pamundësi të merrte pjesë, Krye-ekzekutivi i shtetit Nju Jork, pat lëshuar me atë rast, një Deklaratë të posaçme duke thekësuar dhe duke përshëndetur Dom Pjetër Popaj si të parin shqiptar, i shuguruar prift katolik në New York, për të cilin u shpreh se, Don Pjetër Popaj “ka sjellur krenari dhe gëzim në radhët e komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork.”  Këte deklaratë e lexoi ndihmësi i Governatorit Cuomo për Marrëdhënie Etnike, z. John Nikas.

Z. Tonin Mirakaj, Kryetari i Këshillit të Kishës “Zoja e Këshllit të Mirë” dhe drejtuesi i darkës duke hapur ceremoninë e darkës dhe duke përshëndetur të pranishmit në shqip dhe anglisht.

“Vlen të shënohet se kjo darkë madhështore kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht vëllazërore dhe shoqërore”, do të shkruante Gjekë Gjonlekaj, në një kronikë për gazetën Dielli, duke i akorduar meritat për suksesin e kësaj ngjarjeje me rëndësi për komunitetin edhe sot e 35-vjetë më parë — komisionit përgatitës të kryesuar nga Don Rrok Mirdita më vonë i emëruar nga Vatikani si Kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, tani i ndjerë  —  dhe Z. Tonin Mirakaj i cili jeton në Nju Jork, gjithnjë aktiv në komunitet — ndonëse, aktualisht, në pension.

Shugurimi i Don Pjetër Popaj, 35-vjet më parë, ishte një ngjarje me rëndësi për të dhe për familjen e tij, por ishte gjithashtu një rast krenarie për ta dhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, atëherë dhe sot, sidomos kur reflektojmë sot,  mbi veprimtarinë e këtij prifti të dalluar shqiptar, jo vetëm në fushën fetare, por edhe si udhëheqës në fushën kulturore dhe patriotike të komunitetit shqiptaro-amerikan. Nën drejtimin e Don Pjetrit, famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, ai vet dhe qendra, “Nëne Tereza” pranë kësaj kishe, i ka gjithmonë dyertë e hapura për të gjithë komunitetin pa dallim feje a krahine.  Gjatë 35 viteve të kaluara, si udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork, Don Pjetri ka inkurajuar dialogun vëllazëror dhe bashkpunim me të gjitha grupet e komunitetit, për të mirën edhe zhvillimit të vlerave të përbashkëta morale e kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje e krahine, përfshir edhe bashkpunimin dhe respektin për njëri tjetrin midis përfaqësuesve të feve të tjera. 

Dom Pjetri, është një pasardhës i denjë,  si famullitar në Kishën Zoja e Shkodrës në New York — i Monsinjor Zef Oroshit dhe ish-Arkipeshkvit Tiranë-Durrës, të ndjerit Rrok Mirdita — famulli kjo që siç dihet tani –kishte mbrenda  praninë e të Madhit Zot — i cili gjatë një periudhe kur dukej se katolicizmi shqiptar po zhdukej nga regjimi komunist në Shqipëri – në të vërtetë, po mbillte një farë të re rritjeje e lulëzimi, që është sot Kisha Katolike në Shqipërinë post-komuniste, me të gjitha veprimtaritë e saja, në të mirë të besimtarëve dhe të Kombit shqiptar.

Këtu në Amerikë, me veprimtarinë e tij të palodhëshme, Don Pjetër Popaj ka bërë të mundur rrjeshtimin e denjë të kombit shqiptar në radhën e grupeve të kombeve te tjera këtu në Amerikë, duke berë të mundur dhe duke orgnaizuar dhe inkurajuar pjesemarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në evenimente, parada e shfaqje kulturore e muzikore që organizohen në New York — duke shpalosur kështu pasurinë tonë kulturore, kombëtare e folklorike, para popullit amerikan dhe para botës.

Me veprimtaritë e Kishës “Zoja e Shkodrës”, ne New York dhe me jehonën e fjalës se tij, Dom Pjetri ka nderuar gjithëkund dhe gjithëherë Kishën Katolike Shqiptare, por në të njejtën kohë ai ka promovuar edhe virtytet dhe emrin e mirë të Kombit shqiptar.  Don Pjetri, për nga arritjet e tija në shumë fushë, me krenari, rreshtohet në listën e gjatë te klerikëve katolikë shqiptarë të cilët në trojet tona në Ballkanin Perëndimor dhe në diasporë, kanë qenë shtylla të rendësishme të ajkës se patriotizmit dhe ndërtimit e zhvillimit të kulturës dhe gjuhës shqipe.  Dom Pjetri këte vazhdon ta bejë cdo ditë, — ndër të tjera aktivitete— edhe me botimin e vazhdueshëm të revistës Jeta Katolike, si dhe me organizim simpoziumesh, konferencash, e akademishë, në përkujtim të personaliteteve me të dalluar të historisë kombëtare.

E falenderojmë të Madhin Zot dhe “Zojën e Shkodres”, Zojën e Këshillit të Mirë, që veprimtaria fetare e kombetare e Don Pjetrit dhe atyre që bashkpunojnë me të, të vazhdojë të jetë ashtu si nëtë kaluarën, tani dhe gjithmonë, në dobi të përparimit shpirtëror, kombëtar e kulturor të komunitetit shqiptar këtu në Amerikë due  më gjërë. Urojmë në këtë përvjetor që ai të vazhdojë të jetë një trashëgimi e pavdekëshme e historisë sonë këtu në Amerikë dhe një kujtim i martirëve të shumtë të klerit katolik shqiptar, të cilët me dashuri të pamasë dhe me vendosmëri të patundur, ia kushtuan jetën e veprën predikimit të Fjalës së të Madhit Zot, në rrethana shpesh shumë të vështira, ndërkohë që ata i dedikuan dijen, pendën dhe jetën e tyre, ngritjes së Kombit shqiptar.

Në rastin e 35-vjetorit të shugurimit tuaj si meshtar, e kemi gojën plot me falënderime (në këtë ditë të Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara) duke të uruar: Ad Multos Annos i nderuar Don Pjetër, në shërbim të Kishës dhe të Kombit.

Frank Shkreli

*Fotot e bashkangjitura janë furnizuar nga Z. Tonin Mirakaj

Tavolina e nderit në darkën madhështore 35 vjetë më parë me rastin e shusgrimit meshtra të Don Pjetër Popaj. Në këmbë nga e majta: Don Prënk Ndrevashaj,Don Lazër Shëldia, Don Simon Filipaj, Prof. John Cardino, Don Mark Sopi, patër Andrea Nargaj, Frank Shkreli, Kryetari i darkës, Tonin Mirakaj, Diakoni Gjeto Bajraktari, Dodë Gega dhe Don rrok Mirdita –ulur nga e majt: Mons Zef Oroshi, Motra Bernardina Gazivoda. Lina Popaj dhe Ndoc Popaj, prindërit e Don Pjetrit, Don Pjetri dhe disa klerikë amerikanë.

    Don Pjetër Popaj ulur midis babait Ndoc dhe nënës Lina Popaj gjatë darkës me rastin e shugurimit të tij, 24 Nëntor, 1985. Si ]ç duket në fotografi të asaj nate, Kryetari i darkës, Z. Tonin Mirakaj buçonte nga gëzimi me këtë rast.

Argëtimin e darkës e benë dy orkestra, njëra shqiptare dhe tjetra amerikane, si edhe grupi i kercimtarëve “Rozafati”, i Kishës Katolike Shqiptare, udhhequr nga Miljana Mirakaj, antarët e të cilës ishin të veshur me kostume kombëtare dhe përformuan këngë dhe valle nga të gjitha trojet shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: 35 Vjet nag Mesha e Pare, don Pjeter Popaj, Frank shkreli

A ËSHTË KY KRYEDIPLOMATI AMERIKAN NË ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT TË ZGJEDHUR XHO BAJDËN?

November 21, 2020 by dgreca

    Nga Frank Shkreli/

Ne foto: Nënpresidenti Joe Biden duke biseduar me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Tony Blinken ndërsa helikopteri i tyre zbret në Aeroportin e Prishtinës në Kosovë, të Premten, 22 Maj 2009./

Portali i lajmeve The Hill, me burime të besueshme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në qeverinë amerikane në Washington — njofton se Presidenti i zgjedhur Xho Bajdën ka emëruar tanimë Sekretarin (e ardhëshëm) Amerikan të Shtetit, ndërkohë që vazhdon përpjekjet për të përzgjedhur antarët e tjerë të administratës së tij të ardhëshme.  

Sipas portalit në fjalë, i cili citon një burim të mirë informuar me procesin e përzgjedhjes së kabinetit të ri, Z. Xho Bajdën ka vendosur të emërojë diplomatin veteran dhe bashkpuntorin e tij të ngusht, Z. Tony Blinken në detyrën e Kryediplomatit të ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara.  Sipas burimit në fjalë, pritet që Z. Bajdën të njoftojë, zyrtarisht, javën që vjen, të preferuarin e tij për Sekretar Amerikan të Shtetit.  

Disa burime të tjera thonë se Z. Bajdën po konsideron ish-diplomatin Tony Blinken edhe për detyrën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, por duket se të gjitha shënjat tregojnë se Z. Blinken do jetë Kryediplomati i ardhëshëm amerikan – një zyrtar që gëzon respekt nga të dy palët në Kongres – duke pasur gjithashtu parasysh se zyrtarët e lartë të administratës së ardhëshme duhet të miratohen nga Senati, i cili mund të kontrollohet nga republikanët për katër vitet e ardhëshme, diçka që do të vendoset përfundimisht me zgjedhjet për Senat, që do të zhvillohen në shtetin Xhorxhia, në janar 2021.

Kush është Tony Blinkey? Sipas biografisë zyrtare botuar në faqën e Departamentit Amerikan të Shtetit kur ishte në detyrë, në mandatin e dytë të ish-presidentit Barak Obama, Z. Antony J. Blinken ka shërbyer si Zevëndës Sekretar i Shtetit — numri dy i diplomacisë amerikane – si zevëndës i Z. Xhon Kerry.  Blinken, Antony J. (state.gov)

Z. Blinken ka mbajtur pozicione të larta të politikës së jashtme në dy administrata, për dy dekada. Ai ka shërbyer si Ndihmës i Presidentit dhe Zëvendës i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Në atë kapacitet, ai ka kryesuar Komisionin Ndër-qeveritar të Kongresistëve, forum kryesor ky i administratës për formulimin e politikës së jashtme. Gjatë mandatit të parë të Administratës Obama, ai ishte Zëvendës Ndihmës i Presidentit dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Zëvendës Presidentit Xho Bajdën.  Z. Blinken ka shërbyer për gjashtë vjet si zyrtar i lartë administrativ në Kongres (2002 – 2008) si Drejtor i Personelit demokrat për Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan. 

Z. Blinken ka qenë gjithashtu anëtar i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Clinton në Shtëpinë e Bardhë nga 1994-2001. Nga 1999 në 2001, ai ishte ndihmës i posaçëm i presidentit dhe drejtor i lartë për çështjet evropiane – Këshilltari kryesor i Presidentit Klinton për marrëdhëniet me vendet e Evropës, me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Nga viti 1994 deri në vitin 1998, Z. Blinken ishte Ndihmës i posaçëm i Presidentit Klinton dhe Drejtor i Lartë i zyrës që merrej me përpilimin e fjalimeve me rëndësi të presidentit mbi politikën e jashtme dhe më pas ka shërbyer edhe si Drejtor i Planifikimit Strategjik: si mbikqyrës i përpilimit të politikës së jashtme, komunikimeve dhe politikës së jashtme në përgjithësi të Presidentit Klinton. Z. Blinken ka filluar shërbimin e tij në diplomaci në Departamentin e Shtetit ku nga viti 1993 në 1994 ai ka shërbyer si Ndihmës i posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Kanadeze. Pas largimit nga Administrata e Klintonit, ai ka punuar si zyrtar i Lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare një qëndër me rëndësi studimesh botërore në Washington. Para se t’i bashkohej Administratës së Presidentit Klinton, Z. Blinken ushtronte profesionin e avokatit në New York dhe në Paris. Ai ka qenë aktiv edhe në fushën e gazetarisë, duke shërbyer si korrespondent i revistës “The New Republic”, ndërkohë që ka botuar artikuj me subjekt të politikës së jashtme, përfshir “New York Times”, “The New York Times Magazine”, “Foreign Affairs”, e të tjera.  Ai është diplomuar në Harvard College, Magna cum Laude dheka kryer jurisprudencën në Universitetin Columbia.

Gjatë fushatës për president, Z. Tony Blinken ishte zëdhënsi kryesor i Presidentit të zgjedhur Bajdën për politikën e jashtme. Është e qartë se  në cilëndo detyrë të lartë të politikës së jashtme ose të sigurisë kombëtare —  si Sekretar i Amerikan i Shtetit ose Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë – që Xho Bajdën do ta emëroj atë, Tony Blinken ka përvojën dhe duket se do të ketë edhe mbështetjen e emërimit të tij në detyrën e kryediplomatit amerikan edhe nga Senati, që mund të jetë në dorë të republikanëve, sesjonin e ardhëshëm të Kongresit amerikan.  

Përsa i përket njohurisë së Z. Blinken për punët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Ballkanit – ai duhet të jetë i informuar shumë mirë për gjëndjen në dy shtetet shqiptare dhe në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi. Mjafton t’i hedhim një shikim të shpejt karjerës së tij në Washington, gjatë dy administrave të mëparshme dhe detyrave tjera të tij të rëndësishme, brenda dhe jasht qeverisë: Të gjitha detyrat e tija të larta kanë qenë të lidhura ngusht me politikën e jashtme të Shteteve të  Bashkuara, duke pasur në fokus të veçanti politikën amerikane karshi Evropës dhe NATO-s gjatë dekadave të fundit. 

Gjithashtu, është interesant fakti se gjatë 1990-ave – periudha më  kritike e politikës së angazhimit amerikan ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi — Tony Blinken ishte pjesë e stafit të Presidentit Klinton në Shtëpinë e Bardhë, gjatë njlë periudhe që u morën vendime me rendësi, sidomos për Kosovën.  Emërimi i Z. Blinken në cilëndo detyrë qoftë, është një ogur i mirë për politikën e ardhëshme amerikane ndaj Kosovës due Shqipërisë, për vet faktin se ai ka punuar për Zevendës Presidentin Xho Bajdën — si këshilltar i sigurisë kombëtare — kur ky ishte numri dy i këtij vendi, ndërkohë që dy vitet e fundit ka shërbyer si zëdhënës numër një i politikës së jashtme gjatë fushatës së Z. Bajdën për president.  Në një intervistë para disa koshë, Z. Blinken e përmblodhi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë nën administratën e Z, Bajdën me tri fjalë: Rivendosja e “rolit udhëheqës” të Amerikës në botë, “bashkpunim dhe demokraci”.

 Z. Xho Bajdën kur ishte senator por edhe më vonë, ishte njëri prej mbëshetësve politik amerikanë më të vendosur të Kosovës, Shqipërisë dhe të të drejtave të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Kështuqë, në cilëndo detyrë të politikës së jashtme ta emërojë Presidenti i zgjedhur, Z. Blinken — qoftë si kryediplomat i Amerikës ose si Këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë – për shqiptarët është një gjë tepër pozitive që Zoti Tony Blinken është një person i mirë-informuar për gjëndjen në Shqipëri, në Kosovë si dhe për gjithë shqiptarët në Ballkanin perëndimor, ashtu siç është i mirë-informuar edhe bosi i tij i ardhëshëm, Presidenti i zgjedhur Xho Bajdën. Kur të vijë puna tek çeshtjet shqiptare, nuk besoj se as njëri as tjetri të kenë nevojë të kërkojnë nga stafi i tyre dosje të posaçme mbi ndonjë problem shqiptar. Joe Biden supporting Albanians early time – YouTube

Frank Shkreli

                                Photo of Antony J. BlinkenAntony J. Blinken, i besuar i Presidentit të zgjedhur Xho Bajdën dhe i përfolur si i emëruar prej tij në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit ose Këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare në administratën e ardhëshme amerikane.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Joe Biden, Tony Bliken

TOLERANCA SI NJË VIRTYT I DOMOSDOSHËM NJERËZOR DHE SHOQËROR

November 18, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Çfarë është toleranca? Është e domosdoshme për njerëzimin. Të gjithë jemi plot dobësi dhe gabime; le të falim reciprokisht marrëzitë tona – ai është ligji i parë i natyrës.” – Volter/

16 Nëntori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, e shpallur si e tillë nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) në vitin 1993, me nismën e UNESCO-s.  OKB-ja ka për mision të vetin angazhimin e saj për forcimin e tolerancës duke nxitur mirëkuptimin e ndërsjelltë midis kulturave dhe popujve.  Ky zotim është thelbi i Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.  Ky angazhim është më i rëndësishëm se kurrë në këtë periudhë të ekstremizmit të dhunëshëm në rritje dhe konflikteve të shtuara që karakterizohen nga mos respekti i përgjithshëm dhe themelor për jetën e njeriut, thekëson OKB-ja, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës, ditë që shënohet ndërkombëtarisht çdo vit me 16 Nëntor, nga të gjitha vendet anëtare të organizatës botërore, ç’prej miratimit të rezolutës, për këtë qëllim, në vitin 1996, në përputhje me Deklaratën e Parimeve mbi Tolerancën, sipas OKB-së.

Me një të hedhur sy medias në trojet shqiptare, nuk shoh të jet përmendur në mediat kryesore shqiptare kjo ditë ndërkombëatre kushtuar tolerancës në botë.  Megjithse flitet shumë për tolerancën fetare midis shqiptarëve të feve të ndryshme – veçanërisht nga politikanët shqiptarë, sidomos, para të huajve — toleranca është diçka më shumë se vetëm ajo fetare, sado e mirë dhe e nevojshme është ajo dhe për të cilën të gjithë shqiptarët jemi krenarë. 

Në Deklaratën e Parimeve mbi Tolerancën, miratuar në Paris me 1995 nga shtetet anëtare të UNESCO-s, të cilën nuk e gjeta të përkthyer në shqip në asnjërin prej portaleve të institucioneve shqiptare ku duhej të ishte, toleranca në kuptimin e Kombeve të Bashkuara, sadddo e rëndësishme që është, nuk është vetëm për marrëdhëniet ndërfetare, por përfshin të gjitha fushta dhe larmitë e veprimtarisë njerëzore, politike kulturore, gjuhësore e të tjera. 

Në Deklaratën e lartëpërmendur thuhet se tolerance do të thotë se njerëzit kudoqoofshin duhet të respektojnë njëri-tjetrin, në të gjithë larminë e tyre politike, besimit, kulturës, gjuhës dhe dallimeve tjera midis tyre.  Nuk duhet pasur frikë nga dallimet dhe nuk duhet që ato të jenë objekt shtypjesh, brenda dhe midis shoqërive, por dallimet të vlerësohen si një pasuri e çmuar, jo vetëm të një vendi, por mbarë njerëzimit. Toleranca pra ka një kuptim shumë më të gjërë – përveç atij fetar, me të cilin u pëlqen shqiptarëve të mburren para botës – përfshir tolerancën politike, në nivelin kombëtar të shqiptarëve.  Në vitin 1996, Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare që të marrin përsipër, në nivel kombëtar, zbatimin e Deklaratës së Parimeve mbi Tolerancën. Prandaj ia vlen që të kujtojmë me këtë rast se për çfarë tolerance bëhet fjalë në Deklaratën e OKB-së mbi Parimet e Tolerancës, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ja një përkthim jo formal i disa prej parimeve më të thekësuara të deklaratës në fjalë:

“Toleranca do të thotë respekt, pranim dhe vlerësim i larmisë së pasur të kulturave të botës sonë, formave tona të shprehjes dhe mënyrave të jetës së njeriut.  Ajo nxitet nga dija, sinqeriteti, komunikimi dhe liria e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit…Ushtrimi i tolerancës nuk është vetëm një detyrë morale, por është edhe një kërkesë e nevojshme politike dhe ligjore. Toleranca, është virtyti që bën të mundur paqën dhe që kontribon në zëvendësimin e kulturës së luftës me kulturën e paqës.” 

“Toleranca është, mbi të gjitha, një qëndrim aktiv i nxitur nga njohja e të drejtave universale të njeriut dhe lirive themelore të tjerëve.  Në asnjë rrethanë nuk mund të përdoret për të justifikuar cenimin e këtyre vlerave themelore. Toleranca duhet të ushtrohet nga individë, grupe dhe shtete”.

 “Toleranca është përgjegjësia që mbështet të drejtat e njeriut, pluralizmin (përfshirë pluralizmin kulturor), demokracinë dhe shtetin e së drejtës.  Toleranca përfshin gjithashtu refuzimin e dogmatizmit dhe absolutizmit dhe afirmon njëherazi standardet e përcaktuara për tolerancën në instrumentet ndërkombëtare të drejtave të njeriut”. 

“Në përputhje me respektimin e të drejtave të njeriut, ushtrim i tolerancës nuk do të thotë aspak që të tolerohen padrejtësitë shoqërore ose të braktisen dhe të shtypen bindjet e dikujt. Tolerancë do të thotë se njeriu është i lirë t’u përmbahet bindjeve të veta dhe të pranojë që të tjerët t’u përmbahen dhe të ruajnë bindjet e tyre. Do të thotë të pranosh faktin se qeniet njerëzore, natyrshëm, të ndryshme në pamje, nga rrethanat e jetës, ndryshimet në të folur, në sjellje dhe për nga vlerat e tyre individuale, kanë të drejtë të jetojnë në paqe dhe të jenë ashtu siç janë.  Kjo gjithashtu do të thotë që pikëpamjet e dikujt nuk duhet t’u imponohen të tjerëve”. 

Këto pra, janë pikat kryesore në Deklaratën e Parimeve mbi Tolerancën të OKB-së, deklaratë që e cilëson ushtrimin e tolerancë, jo vetëm si një detyrë morale, por edhe si nevojë dhe kërkesë politike dhe ligjore për individët, për grupet e ndryshme shoqërore dhe politike, e sidomos për autoritetet shtetërore dhe qeveritare. Ata duhet të jenë të parët që të japin shembull për tolerance. Shtetet dhe qeveritë duhet të miratojnë ligjet e nevojshme për të garantuar drejtësinë dhe trajtim të barabart për të gjitha grupet dhe individët, pa dallim. Përveç politikës, një rol të rëndësishëm në promovimin e tolerancës luan edhe edukimi, i cili duhet të ndikojë tek të rinjtë që të zhvillojnë kapacitetet për gjykim të pavarur dhe për mendim e arsyetim kritik, sipas interpretimit të Deklaratës së Parimeve mbi Tolerancën.

Mund të thuhet se asnjë vend në botë, pa marrë parasyshë sistemet qeverisëse, nuk është imun nga të këqiat që vijnë nga mungesa e tolerancës zyrtare dhe shoqërore ndaj atyre personave ose grupeve që i konsiderojmë si ndryshe nga ne, qoftë edhe për nga pikëpamjet politike. Vendet normale e kanë kuptuar tanimë se toleranca – sidomos toleranca politike — dhe pajtimi janë gurthemeli i një shoqërie të drejtë dhe të barabart për të gjithë dhe pa dallim.  

Në fillim të këtij muaji, bota shqiptare shënoi 100-vjetorin e lindjes së Anton Çetës, pajtimtarit të Kombit. Duhet thekësuar se, historikisht është provuar se, toleranca dhe pajtimi nuk janë të lehtë për asnjë shoqëri, madje as për shoqëritë më të zhvilluara, e sidomos nuk janë të lehta për shqiptarët me një të kaluar të tmershme përçarëse komuniste. Por, megjithë vështirsitë me të cilat përballet një shoqëri, toleranca ndaj njëri tjetrit – sidomos në radhët e politikës – por dhe pajtimi janë të domosdoshëm, sepse në mungesë të tolerancës dhe pajtimit kombëtar, sidomos kur konfliktet midis palëve janë tepër të acaruara në një shoqëri me institucione politike pa tradita demokratike — siç është shoqëria shqiptare — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, gjëndja mund të përkeqësohet mëtej, duke çuar në konflikte të reja. 

Prandaj është detyrë dhe përgjegjësi madhore e udhëheqësve më të lartë të vendit që me deklaratat e tyre të papërgjegjshme – dhe grindjet e llojit që kemi dëgjuar javët dhe muajt e fundit në Tiranë dhe në Prishtinë — të mos i fryjnë erës së konfliktit, mos-tolerancës dhe mos-pajtimit ndër shqiptarët, por të punojnë drejtë vendosjes së besimit dhe bashkpunimit midis palëve në konflikt dhe shoqërisë, në përgjithësi.  Mos-toleranca nxitë mos-tolerancën, paralajmëron OKB-ja, duke theksuar se për të luftuar mos-tolerancën në shoqëri — si individët ashtu edhe qeveritë — duhet të jenë të vetdijshëm për lidhjen që ekziston midis sjelljeve të tyre jo tolerante ndaj kundërshtarëve politikë dhe atyre që mendojnë ndryshe — dhe ciklit të mbrapsht vicioz të mos besimit dhe dhunës politike dhe kriminale në shoqëri, të cilat janë domosdoshmërisht pasojë e mungesës së tolerancës politike dhe shoqërore në të gjitha nivelet e jetës.

                      

Filed Under: Opinion Tagged With: Dita e Tolerances, Frank shkreli

NJË FRYMË E RE ANTI-SOCIALISTE/ANTI-KOMUNISTE NË KONGRESIN E ARDHËSHËM TË SHBA

November 15, 2020 by dgreca

  Nda Frank Shkreli- Është një fenomen i ri dhe interesant i zgjedhjeve të fundit këtu në Shtetet e Bashkuara për të cilin po flitet pak ose aspak, pasi të gjithë janë përqëndruar në zgjedhjen e presidentit.  Mundt ë jem gabim, por për herë të parë në histori, në Kongresin e ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara — të dalë nga zgjedhjet që posa u mbajtën këtu në Amerikë – siç duket do të formohet një grup anti-socialist/anti-komunist kongresistësh të rinjë.  Sipas lajmeve në media, ndër kongresistët e rinjë të Partisë Republikane që fituan në zgjedhjet e 3 Nëntorit janë edhe dy anëtarë të cilët kanë lindur dhe janë rritur nën socializëm/komunizëm: Carlos Gimenez, tani përfaqsues i shtetit Florida, i lindur në Kubë dhe Victoria Sparts e lindur në Ukrainë si dhe dy kongresiste të reja republikane, me prindër të ardhur këtu, nga Kuba: Nicole Malliotakis dhe MaElvira Salazar – përfaqësuese të reja republikane në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Si shembuj të këtij fenomeni të ri politik, po paraqes për lexuesit — në profil të shkurtër — dy femra të reja, kongresistën Victoria Spartz nga shteti Indiana e lindur në Ukrainë dhe Nicole Malliotakis nga Nju Jorku, nëna e të cilës ka lindur në Kubë. Këto janë dy nga 35 femërat republikane që do të shërbejnë në sesionin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, që fillon punën me 20 Janar, 2021, duke sjellur, kështu, edhe njerëz të rinjë që zgjidhen për herë të parë në Kongresin amerikan. 

Nicole Malliotakis, nëna e të cilës ka lindur në Kubë do të jetë një prej 10 anëtarëve që e konsiderojnë veten kubano-amerikanë, në Kongresin e ardhëshëm të Amerikës.  Deputetja e re tha për median amerikane se në fushatën e saj për Kongres, ajo pati mbështetjen e Senatorit Mark Rubio dhe të Kongresistit Mario Diaz-Balart, të dy kubano-amerikanë nga shteti Florida dhe se njihet due është në kontakt gjithashtu edhe me kubano-amerikanë të tjerë, të posa zgjedhur në Kongres.  Ajo u shpreh se këta anëtarë të Kongresit do të formojnë, “Grupin Kuban” të interesit, ose (Cuban Caucus). “Kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh ajo, “sepse kubano-amerikanët dinë më shumë se çdo kush tjetër se çdo të thotë të jetosh nën komunizëm e socializëm dhe janë mjaft vigjilent ndaj individëve që dëshirojnë të na mohojnë liritë individuale dhe të na çojnë në rrugën drejt socializmit.  Zërat tonë do të jenë me rëndësi dhe do të formojmë një grup anti-socialist në Kongres”, për të kundërshtuar idetë e përfaqësuesve të majtës ekstreme demokrate në Kongres, ka thenë kongresistja e re republikane nga Nju Jorku, Nicole Malliotakis për rrjetin televiziv Fox. 

Ajo shtoi se ka familjarë të saj që ende jetojnë në Kubë, ndërsa thekësoi se ajo i njeh shumë mirë shtypjet (e regjimit komunist atje) nën të cilat ata jetojnë në atë vend komunist prej dekadash.  Ajo thekësoi gjithashtu se për të, si bijë e një refugjati kuban, Shtetet e Bashkuara, “Duhet të bejnë çdo gjë që të jetë e mundur për të vazhduar që Amerika të jetë gjithnjë udhëheqëse e botës së lirë, për të promovuar lirinë dhe demokracinë, kudo në botë.” 

Nicole Malliotakis

@NMalliotakis

We have quite a few Republican Members in the new class who are either children of those who escaped socialism/communism or fled themselves like 

@CarlosGimenezFL

who left Cuba 60 years ago today. We will work together to preserve freedom, opportunity & the American Dream 

”Do të punojmë së bashku për të ruajtur lirinë, mundësitë më të mira për jetesë dhe Ëndërrën Amerikane”

11:34 AM · Nov 13, 2020·Twitter for iPhone

Aktualisht, nënvijoi kongresistja e ardhëshme republikane në Kongres, është kongresistja Alexandria Ocasio-Cortez me “brigadën” e saj socialiste, e quajtur “Squad”, por tani ne kemi individë me prejardhje dhe përvoja të ndryshme – shumë prej të cilëve janë arratisur nga komunizmi/socializmi, e të cilët janë ashtu si edhe unë që jam bijë e një refugjati kuban, tha ajo. Do të jemi ne, ata të cilët do të themi — bazuar në përvojën tonë ose të familjeve tona — se pse socializmi është një sistem i keq dhe, njëkohësisht, do të luftojmë për të mbrojtur liritë tona dhe për të ruajtur sistemin kapitalist i cili siguron punësime dhe mundësi të reja”, tha ajo në një intervistë pas fitores së saj.

Këta kongresistë të ri republikanë janë imigrantë nga Korea, nga Kuba dhe nga Ukraina, ndër të tjera vende, të cilët do sjellin në Kongresin amerikan përspektivat, alternativat dhe qëndrimet e tyre anti-komuniste dhe anti-socialiste, u shpreh ajo.

Disa prej antareve dhe antarëve të rinjë republikanë, që fituan në zgjedhjet e fundit, duke zvogëluar numrin e shumicës së demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan

Nga kongresistet e reja republikane bie në sy sidomos, Victoria Spartz, e lindur në Ukrainë, ardhur në Amerikë para 20-vitesh, dhe e cila mishëron atë që cilësohet si “endërra amerikane”.  E lindur dhe e rritur në një vend socialist/komunist si Ukraina, ajo ka përjetuar personalisht anën e errët të socializmit. Si pasojë e asaj përvoje, ajo ka adaptuar në Amerikë një filozofi politike konservatore, sipas të cilës një qeverisje e kufizuar është gjithmonë më e mirë për qytetarët, ndërkohë që vendimet financiare, ekonomike dhe shëndetësore duhet të merren nga vet individët, në një treg të lirë dhe jo nga burokratët dhe përfaqësues të grupeve të interesit.

Pllakat fushate e Kongresistes së re republikane Victoria Spartz nga shteti Indiana, por e lindur në Ukrainë – “Luftë Socializmit” – me moton: E Kualifikuar, e Sprovuar, Konservatore

Gjatë punës së saj në Legjislaturën e shtetit Indiana, Kongresistja e re republikane njihej si një konservatore fiskale që mbështet kufizimet e pushteteve të qeverisë mbi qytetarët, si një grua e cila nuk ka frikë të trajtojë çështje të vështira dhe në përgjithësi të sfidojë status-quo-në.  Në profilin e saj thuhet se ajo ka luftuar për të shfuqizuar rregulloret e panevojshme qeveritare, për të reformuar kujdesin shëndetësor, për të përmirësuar rezultatet arsimore, për të mbrojtur të drejtat e pronës private dhe për të sjellë transparencën dhe llogaridhënien për qeverinë e shtetit Indiana. Victoria Spartz është aktive në komunitetin e saj lokal, ku thuhet se ka sponsorizuar, vullnetarisht, kauza të shumta bamirësie dhe ka ndihmuar shumë fushata politike të Partisë Republikane në qarkun zgjedhor ku jeton, të cilin tani do e përfaqësojë në Kongresin amerikan.

Duket se edhe në Senatin amerikan është përhapur kjo frymë anti-socialiste/anti-komuniste në vend. Kandidatja e Partisë Republikane për në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Kelly Loeffler, në portalin e saj u premton qytetarëve të shtetit jugor të Amerikës, Xhorxhia se ajo “NUK DO TË LEJOJË KURRË QË AMERIKA TË BËHET SHTET SOCIALIST”.  Zgjedhjet e posaçme për në Senat në shtetin Xhorxhia do të mbahen në janar 2021 – zgjedhje nga të cilat do të varet edhe nëse Partia Republikane fiton një shumicë të ngushtë në Senat, dhoma e epërme e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.  

Mbetet për tu parë, nëse kjo frymë e re anti-socialiste/anti-komuniste e grupit të rinjë të legjislatorëve të posa zgjedhur republikanë në Kongres, do të këthehet ose jo në vepra konkrete për të luftuar prirjet socialiste të krahut të majtë ekstrem të Partisë Demokrate, të promovuara nga ish-kandidati demokrat për president, Senatori Bernie Sanders i shtetit Vermont.

Por duke pasur parasysh se zgjedhjet në Shqipëri janë caktuar të mbahen prillin që vjen, ndërkohë që zgjedhjet në Kosovë duket se janë në “hava”, nuk mund ta përmbajë veten e të mos bëj pyetjen pse jo edhe në Shqipëri e në Kosovë? Pse pas 30-vjet post-komunizëm, kemi të njëjtat parti dhe të njëjtit politikanë që po e çojnë Kombin shqiptar drejt një gremine historike, ekonomike, politike dhe kombëtare duke shkaktuar, ndër të tjera tmere nga politikat e tyre të papërgjegjëshme, që jo vetëm, prekin jetën e përditëshme të shqiptarëve, por po shkaktojnë edhe zbrazjen fizike, katastrofike të trojeve shqiptare. Pas tre dekadash, PSE në trojet shqiptare nuk ka individë ose grupe individësh që të dalin me ide dhe programe ose me alternativa të reja për t’u përballur me sfidat e mëdha, për të cilat jam i sigurt se të gjithë, pa dallim, e dinë dhe i ndjejnë në palc se janë reale dhe të frikshme për të ardhmen e shqiptarëve, nëqoftse vazhdohet kështu, anë e mbanë trojeve të tyre. KU është brezi i ri i shqiptarëve (djem dhe vajza që e duan Kombin) të pas 1990-tës, që nuk angazhohen për të shpëtuar të ardhmen e vet dhe të shqiptarëve në përgjithësi?  Shikoni fytyrat e reja dhe angazhimin në politikë të rinjëve dhe shumë të rejave amerikane, nga të dy partitë kryesore politike të vendit. Merrni shembull! Atdheu ju thërret, sot më shumë se kurrë!

 Kandidatja republikane nga shteti Xhorxha, për në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Kelly Loeffler

Kelly Loeffler

@KLoeffler

US Senate candidate, GA-Special

Our campaign has gained nearly 90k followers since Election Day. Georgians are rising up to REJECT socialism & save our country. Here’s my promise to the great people of Georgia: I WILL NEVER LET AMERICA BECOME A SOCIALIST NATION.

                      About Victoria Spartz.      . See the source image

Kongresistja e re amerikane Victoria Spartz nga Ukraina dhe Nicole Malliotakis me origjinë nga Kuba, pjesë e një grupi antarësh të rinjë republikanë që siç duket po sjellin një frymë të re politike në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

               ”Skuadra” është emri i femërave kongresiste të krahut të majtë të Partisë Demokrate, të zgjedhura dy vjetë më parë në Kongresin amerikan, të frymëzuara nga ideologjia majtiste e Senatorit demokrat, Bernie Sanders

See the source image

“Skuadra socialiste” e katër femërave kongresiste të krahut të majtë ekstrem demokrat në Kongresin amerikan

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Fryme antisocialiste, Kongres SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT