• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Z.FRANK SHKRELI- GËZUAR 70 VJETORIN E LINDJES DHE 50 VJETORIN E ARDHJES NE SHBA

June 9, 2020 by dgreca

VATRA & DIELLI: Z.FRANK SHKRELI- GËZUAR 70 VJETORIN E LINDJES DHE 50 VJETORIN E ARDHJES NE SHBA!/

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “VATRA” i uron gazetarit Frank Shkreli 70 vjetorin e Lindjes dhe 50 vjetorin e Ardhjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shëndet, Lumturi në Familje!

Me këtë rast po sjellim shkrimin e tij, publikuar mbrëmë në faqen e Gazetës Dielli në Facebook”- THANK YOU, AMERICA!

***

THANK YOU, AMERICA!

-GJYSËM SHEKULLI NË AMERIKË- NJË FALËNDERIM

Nga një fshat i humbur i Ulqinit, në Ëndërrën Amerikane

Nga Frank Shkreli

“Lindur në vende të tjera, por duke besuar se mund të jeni të lumtur në këtë vend, ligjet tona e pranojnë të drejtën tuaj për t’u bashkuar me ne në shoqërinë tonë, të bindur se do të respektoni rregullat dhe ligjet tona”.

–Komunikim i Thomas Xhefersonit me bashkohasin e tij dhe politikanin, Hugh White, 1801, mbi politikën amerikane të imigracionit-

Këtë shkrim modest po e shkruaj si një reagim ndaj një interesimi të një miku, i cili, si të gjithë ne është i shqetësuar nga ngjarjet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas vrasjes brutale të një afrikano-amerikani nga një polic i bardhë në Miniapolis të shtetit Minesota dhe protestave të mëdha që vazhdojnë ende – disa madje mjaft të dhunëshme — anë e mbanë vendit — më pyeti nëse e dua gjithnjë Amerikën, si përpara. Duke qenë se ky vit shënon 50-vjetorin e arritjes time në këtë vend dhe me 9 Qershor festoj 70-vjetorin e lindjes, m’u duk si një rast i përshtatëshëm që t’i përgjigjëm mikut tim, me këtë rast.

Viti 2020 është një vit shumë i rëndësishëm për mua dhe për familjen time. Ky vit shënon dy ngjarje të rëndësishme në jetën time. Është një vit jubilar, mund të them, pasi shënon 70-vjetorin e lindjes dhe njëkohësisht edhe 50-vjetorin e ardhjes time dhe të familjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kërkim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, i bindur se do i gjëja këtu dhe se do të isha i lumtur në këtë vend. Gjatë dekadave të kaluara, në një mënyrë ose në një tjetër, jam munduar të shënoj çdo përvjetor të ardhjes në Amerikë, herë në heshtje, herë me ndonjë të veçantë të rastit — dhe nga koha në kohë — kam kujtuar me ndonjë shkrim modest edhe individë ose organizata në këtë vend që kanë lehtësuar ardhjen time këtu ose që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën dhe karrieren time. Por në këtë 50-vjetor të ardhjes time në Amerikë, e shoh të arsyeshme, pikë së pari, të falënderoj të Madhin Zot për të gjitha të mirat dhe bekimet që më ka dhënë mua dhe familjes time në këtë vend të adaptuar dhe, njëkohësisht, të ndajë me miqtë, dashamirët dhe shokët e mi, një mirënjohje të thellë personale dhe të veçantë ndaj Amerikës — një falënderim pra nga zemra ndaj këtij vendi që më ka pranuar me krahë hapur, duke më ofruar të gjitha mundësitë për të qenë i suksesshëm dhe i lumtur në këtë vend, siç ishte shprehur Xhefersoni. Këtë falënderim, këtë mirënjohje të thellë, e konsideroj si një obligim timin moral, personal dhe familjar, që madje edhe gjysëm shekulli pas arritjes time në këtë kontinent, mund t’i them këtij vendi me gojë plot: THANK YOU AMERICA! Faleminderit Amerikë! Jo se ky vend nuk i ka problemet e veta politiko-shoqërore, siç jemi dëshmitarë të protestave masive aktualisht, disa prej tyre edhe të dhunëshme për vrasjen brutale të një afrikano-amerikani nga një polic i bardhë. Dhe jo se jeta ime në këtë vend ka qenë pa sfida dhe pa vështirësi të llojlojshme, por jam mirënjohës për mundësitë që ky vend të ofron për një jetë më të mirë –që me punë të rëndë dhe disiplinë – mund t’i përballosh me sukses sfidat dhe problemet dhe të shkosh përpara në jetë. Është e vërtetë se askush në këtë vend nuk të jep asgjë falas, por duhet ta fitosh me mund e djersë. Atëherë dhe sot, imigrantëve si unë — Amerika u ofron lirinë dhe mundësitë për të qenë i suksesshëm — çdo gjë tjetër është në dorë tënde.

Në shkrimet e tija mbi imigracionin, Thomas Xhefersoni, krye-autori i Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, e ka cilësuar shpërnguljen nga një vend në tjetrin, si një e “drejtë natyrale” të njeriut. Ai ka shkruar se në Amerikë –“Ne dëshirojmë të sigurojmë një vend-strehim të shenjtë për të gjithë ata që keq-qeverisja në Evropë mund t’i detyrojë të kërkojnë liri dhe lumturi në vende të tjera…”, ka shkruar Xhefersoni në kohën e tij. Ky premtim, në thelb, vazhdon edhe sot, megjithëse situatat gjatë historisë amerikane kanë ndryshuar, ashtu siç po ndryshojnë edhe sot.

Për fat të mirë timin, dhe për “arsye të keq-qeverisjes në Evropë” shekullin e kaluar, siç është shprehur Thomas Xhefersoni — duke justifikuar pranimin legal të imigrantëve në Amerikë në zanafillat e këtij shteti – pikërisht 50-vjetë më parë (1970), Amerika më ofroi mua dhe familjes time, ashtu si shumë të tjerëve, një “vend-strehim të shenjtë”, siç e kishte cilësuar Xhefersoni strehimin politik të imigrantëve të ardhur në atë kohë në atdheun e tij të ri, kryesisht nga Evropa.

Fillimisht, me të ardhur në Amerikë 50-vjetë më parë, un u vendosa në Nju Jork ku jetova për 3 vjet e gjysëm — me prindërit të cilët kishin ardhur këtu nja 6 muaj para meje –edhe ata, si shumë familje të tjera shqiptare, emigruan me qëllim për të filluar një jetë të re në Amerikë, ashtu siç bënin shumica e bashkatdhetarëve tanë në atë kohë azil-kërkues politikë, kryesisht, kundërshtarë të komunizmit, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare në Amerikë, aty nga fundi i 1960-ave dhe fillimi i 70-ave, kryesisht nga trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi.

I ri nga mosha, isha plot shpresë dhe entuziazëm për të ardhmen time në botën e re, për një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara, megjithëse xhepat i kisha bosh. Është përfolur dhe flitet shumë për “ëndrrën amerikane”, në kuptimin se mundësitë e barabarta këtu shërbejnë si një fyrmëzim për sukses dhe arritje të mëdha, sidomos në pikëpamje materiale. Por, 50-vjetë më parë, si refugjat politik në Amerikë, unë kisha vetëm një ëndërr, si shumë të ri të arratisur nga komunizmi në atë periudhë: për të jetuar i lirë, duke nënkuptuar se në liri do ia dilnim, megjithë vështirsitë në të cilat mund të hasnim. Kur kam zbritur në Nju Jork në vitin 1970, as nuk dija, as nuk kisha dëgjuar se cila është kjo “ëndërrë”, por për të cilën dëgjova më vonë, dhe natyrisht si e tillë, as nuk e prisja realizimin e kësaj ëndërre, pasi ishim të kënaqur me një “kafshatë bukë, në liri”. Thuhet se liria nuk është asgjë tjetër, veçse një ëndërrë: liria e mohuar për tu fituar, liria e vërtetë për t’u gëzuar dhe për t’u jetuar – me të drejta dhe me përgjegjësi indivduale, në përputhje me “ligjet tona”, sipas Xhefesonit. Por, në të vërtetë, gjatë viteve, më në fund, unë e zbulova këtë ëndërrë duke përjetuar “ëndërrën” time amerikane.

Nuk do ta harroj kurrë vitin 1976 – jo vetëm se shënon vitin që kemi lidhur martesën me bashkshorten time Vitoren – por që ka shënuar edhe 200-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara – viti i këtij përvjetori historik të këtij vendi — kur në një gjykatë të Washingtonit ngrita dorën për të bërë betimin si shtetas i ri i Shteteve të Bashkuara, me të gjitha të drejtat, privilegjet dhe përgjegjësitë e një qytetari të lirë amerikan. Në vetevete, kjo ishte një ëndërrë që e kisha të vështirë ta besoja. Pesë vjetë e gjysëm pasi kisha zbritur në aeroportin Kennedy të Nju Jorkut, tani, zyrtarisht, kisha të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi si çdo amerikan tjetër që jetonte këtu gjysh pas gjyshi.

Pjesën më të madhe të jetës time prej gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara e kam kaluar në Washington, ku kam punuar për 30-vjet për Zërin e Amerikës dhe ku, me bashkshorten time Vitoren — kemi rritur e shkolluar djalin e dy vajzat. Ishte kjo periudha e jetës time në kryqytetin e Shteteve të Bashkuara që, në të vërtetë, ka përmbledhur pikat më kulminante të jetës dhe të karrjerës time dhe deri diku mund të them se ajo përvojë ka ndikuar, së bashku me traditën time familjare, edhe në formimin e identitetit tim, sot e kësaj dite.

Po flasë për përvojën time në përgjithësi, duke qenë i vetdijshëm se pse jo të gjithë ata që kanë ardhur para dhe pas meje në këtë vend – përfshir shumë bashkatdhetarë shqiptarë – të kenë pasur të njëjtin fat. Por si rrjedhim, modestësisht, më duhet të them — në këtë 50-vjetor të ardhjes time në Amerikë — se për çdo gjë që mund të kem arrijtur në jetë, në karrierë dhe në familje, ia kam borxh Amerikës: Për mundësitë që më ka ofruar dhe për të drejtat dhe liritë që më ka garantuar, siç çdo qytetari tjetër. Këtij vendi, i cili nuk pyet se nga vjen, çfarë feje ke, çfarë gjuhe flet ose kush janë prindërit tu. Amerika më dha lirinë dhe mundësitë dhe me punën time, shpesh jo të lehtë — i ardhur nga një fshat i humbur në rrethin e Ulqinit — kam jetuar ëndërrën amerikane, me të mirat dhe me sfidat, si shumë bashkatdhetarë të mi nga të gjitha trojet shqiptare. Jo, jo nuk isha unë i vetmi, kishte dhe ka shumë si unë, madje edhe shumë më të suksesshëm se unë, të cilëve Amerika ua ka dhënë mudësinë për të zhvilluar talentet e tyre në fusha të ndryshme. Në këtë fakt, qendron ai misteri tërheqës i Amerikës, se të drejtat dhe mundësitë janë të barabarta për të gjithë, nëqoftse i përveshesh punës, seriozisht.

Por unë dhe shumë bashkatdhetarë të mi shqiptarë që kanë gjetur strehim në këtë vend, nuk e duam Amerikën, vetëm e vetëm, për arsye dhe interesa vehtjake, materiale e tjera. Jo! Ne shqiptaro-amerikanët, dhe veçanërisht unë, në këtë 50-vjetor të ardhjes time këtu, e dua Amerikën edhe për rolin e veçant që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur gjatë historisë, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve dhe të identitetit Kombëtar të tyre, anë e mbanë trojeve të veta. Fan Noli ka thenë se i kemi shumë borxhe Amerikës. Dihet tanimë roli i Amerikës në mbrojtje të Shqipërisë nga përpjekjet grabitqare tokësore të fqinjëve të saj në fillim të shekullit të kaluar, që kishin për qëllim të venin në dyshim edhe vet ekzistencën e Shqipërisë si shtet i pavarur në veçanti dhe identitetin e shqiptarëve si komb, në përgjithësi. Unë si shqiptaro-amerikan jam i bindur se Kombi shqiptar – megjith baticat dhe zbaticat gjatë historisë — nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e Kombit amerikan për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës në fillim të këtij shekulli dhe mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë ç’prej fillimit të shekullit të kaluar. E dua pra Amerikën sepse nuk besoj të ketë ndonjë tjetër komb në botë, që ndihma dhe roli i Amerikës të ketë qenë aq i pazevëndsueshëm, siç ishte për ekzistencën e dy shteteve shqiptare — Shqipërisë dhe Kosovës. Se çfarë bëjnë sot Shqipëria dhe Kosova me këtë histori mbështetje të Amerikës ndaj Kombit shqiptar, është krejtësisht në dorë të tyre. Kjo është një pyetje tjetër dhe një shqetësim serioz për të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë dhe Kosovës. Kam drojë se “Pro-amerikanizmin” e pushtetarëve shqiptare, vetëm me fjalë, nuk e beson kushë më, pasi gjithkush shikon veprat tuaja! Pro-amerikanizëm do të thotë, mbi të gjitha, ndarje vlerash, përfshir, vlerat e lirisë, barazisë, drejtësisë, të drejtat e njeriut dhe zgjedhje të lira, ndër të tjera vlera njerëzore.

Pothuaj 50-vjet më parë kisha shkruar një artikull modest në anglisht, për gazetën e kolegjit Lehman në Nju Jork, me të cilin isha përpjekur të shprehja ndjenja e para dhe falënderimet e mia ndaj Amerikës që më kishte pranuar si refugjat, duke më ofruar mua dhe familjes strehim dhe liri. Megjithëse i ardhur rishtas si refugjat në këtë vend të madh, në shkrimin e gazetës së kolegjit Lehman si student kisha theksuar disa prej arsyeve se pse e doja Amerikën, bazuar në përvojën e shkurtër vetëm prej 2-3 vitesh në këtë vend. 50-vjet më vonë, arsyet dhe ndjenjat se pse e dua Amerikën për mua sot, në moshën 70-vjeçare, nuk kanë ndryshuar shumë ç’prej asaj kohe. Në thelb, arsyet mbeten të njëjta, Nuk ishte as ana materiale për një jetë më të mirë as edhe karriera për të cilën jam krenar, por ishte Liria! Liria për të ndjekur lumturinë.

Jo se Amerika ishte, atëherë ashtu si edhe sot, një vend i përsosur dhe që nuk kishte problemet e veta 50-vjetë më parë, ashtu siç i ka edhe sot sfidat dhe problemet e mëdha me të cilat përballet si shoqëri, siç po përjetojmë sot protestat massive, disa edhe me dhunë, anë e mbanë Amerikës. Vrasja e një afrikano-amerikani nga policia ishte një akt vrasës dhe kriminal. Si të tillë e konsideron shumica e amerikanëve, prandaj ndodhin protesta, madje edhe me dhunë, me shkatërrime pronash — si një mjet për të tërhequr vëmendjen ndaj një situate që nuk mund të tolerohet më. Unë jam i bidnur se pasi të jenë ftohur gjakrat, edhe ky incident i tmershëm do të shërbejë për diçka më mirë. Shoqëria amerikane, ashtu si edhe në të kaluarën në raste të tilla protestash të mëdha shoqërore, do nxjerr mësime serioze nga kjo vrasje si dhe nga reagimet e popullit amerikan ndaj këtyre ngjarjeve. Ku tjetër kemi parë që policët, madje edhe shefat e policisë, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara tu bashkohen protestuesve për të dënuar vrasjen e një njeriu të pafajshëm nga një polic i radhëve të tyre? Edhe kjo është një arsye se pse e dua Amerikën –për të drejtën që të ofron që të kritikohet çdo gjë dhe gjithmonë, duke filluar nga presidenti e deri tek polici i nivelit më të ultë, me qëllim përmirësimi të gjëndjes.

Por, si atëherë ashtu edhe sot, për një refugjat që arrinë në këtë vend, me gjithë të metat e saja, Amerika mbetet, prapseprap, një vend që gjithnjë inkurajon realizimin e ëndërrave tua. Mbetet si një vend ku me punë të rëndë dhe duke respektuar rregullat dhe ligjet, jo vetëm që mund të përparosh, por madje nëqoftse i përveshesh punës me disiplinë, mund të realizosh enëdrrat tua sado ambicioze qofshin ato. 50-vjetë më vonë, Amerikën e dua edhe sot sepse mbetet gjithnjë një vend që frymëzon, një vend që beson në aftësitë tua dhe mundëson një të ardhme më të mirë për ty dhe familjen, nëqoftse vet je serioz për të ardhmen tënde e të familjes. Është, pikërisht, ky besim në mundësitë që të ofron Amerika, ai që bindë çdo vit, miliona njerëz nga e mbarë bota, të largohen nga vendlindja, ashtu siç jam larguar edhe unë 50-vjetë më parë –për arsye të ndryshme — por kryesisht, për të gjetur lirinë në këtë vend dhe “për të qenë të lumtur”, siç është shprehur Thomas Xhefersoni në agimin e këtij shteti planet.

50-vjet më parë, për mua ishte – pikërisht, ky besim, i këthyer në premtim, në mundësitë dhe në garancinë që ofronte ky vend për të gëzuar të drejtat dhe liritë si një refugjat politik si unë — i pa dëshiruar në vendlindje, i nepërkëmbur, pa të drejta dhe pa liri – një njeri i pa shtet dhe i pa atdhe – zyrtarisht i klasifikuar si refugjat,“stateless”, nga autoritetet ndërkombëtare të imigracionit në Itali.

Ishte kjo ndjenjë se nuk i përkisje askujt dhe se askush nuk interesohej as nuk kujdesej për ty, por ishte gjithashtu ajo forca dhe vendosmëria që i kishin rrënjët në këtë besim dhe premtim që më ka shtyrë mua dhe shumë të tjerë si unë, në atë kohë, që të rrezikonim edhe jetën duke kapërcyer ilegalisht kufijtë shtetrorë, për një jetë më të mirë dhe të lirë në Perëndim.

Mikut tim i cili donte të dinte nëse e dua gjithnjë Amerikën megjithë problemet e mëdha që ka ndeshur gjatë historisë, përfshirë edhe protestat masive të ditëve të fundit, është realizimi i këtij premtimi, si atëherë ashtu edhe sot – që mbetet një besim i patundur i imi në fjalët e Thomas Xhefersonit se,“Duke besuar se mund të jeni të lumtur në këtë vend” dhe në besimin se ligjet e këtij vendi garantojnë të drejtën time, sipas Xhefersonit, “për t’u bashkuar me ne në shoqërinë tonë, i bindur, se do të respektoni rregullat dhe ligjet tona” — mbetet, mik I dashur, ajo FORCA e mbrendshme që më detyron të jem mirënjohës ndaj këtij vendi edhe në këtë 50-vjetor të strehimit tim në Amerikë.

Është pra, ky detyrim moral personal, që në këtë 50-vjetor të arritjes time dhe të familjes në këtë vend, të them: Faleminderit, Amerikë, përgjithmonë, si në kohë të mira ashtu dhe në kohë të vështira. Thank You! Ashtu si edhe 50-vjetë më parë edhe sot: I love America! Një shprehje kjo po aq e bindshme, domethënse dhe moralisht e detyrueshme për mua — në këtë 50-vjetor dhe në 70-vjetorin e lindjes — ashtu siç ishte për mua edhe para 50 vitësh kur kam zbritur në Nju Jork, për herë të parë. Si atëherë kur kam shprehur të njëjtat ndjenja mirënjohjeje dhe falënderimi ndaj këtij vendi, ashtu po bejë edhe sot me këtë shkrim modest për informacion për familjen time të ngushtë dhe më të gjërë, si dhe për miqtë, kolegët dhe dashamirësit e mi të shumtë — të cilët i falënderoj gjithashtu nga zemra për miqësinë, mbështetjen dhe respektin e vazhdueshëm në këtë 50-vjetor të strehimit tim në Amerikë dhe në 70-vjetorin e lindjes –kudo qofshi në Amerikë,Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
****
NE VEND TE EMERTIMIT TE FOTOGRAFIVE-

1- Megjithë problemet që mund të ketë pasur dhe ka edhe sot Amerika dhe megjithë sfidat që kam hasur në jetë dhe karrierë gjatë 50-viteve të fundit–ashtu si gjysëm shekulli më parë kur kam filluar këtë rrugëtim të gjatë — gjithnjë dhe pa hezitim falënderoj dhe i jam mirënjohës këtij vendi që më ka pranuar dhe për mundësitë që më ka dhënë mua dhe familjes time gjatë dekadave. Ashtu, si 50-vjet më parë, i ardhur rishtas në këtë vend, kisha shprehur ndjenjat e mia për Amerikën në një shkrim modest si student në Kolegjin Lehman në Nju Jork, edhe sot e kësaj dite jam krenar të them gjithnjë me zemër dhe bindje: I love America! Të Dua Amerikë!

NGA MALËSIA NË AMERIKË

Kujtime me fotografi për familjen dhe kolegët—vetëm disa kujtime nga origjina, jeta dhe veprimtaria ime – Kurrë mos i harro rrënjët e origjinës, nëqoftse do të jesh i suksesshëm në jetë, sipas një shprehjeje të vjetër.

2- Lugina e Shkrelit, Malësi e Madhe


3-Trojet stërgjyshore të autorit në katundin Amull afër Ulqinit (lartë) ku kam lindur 70-vjetë më parë,me 9 Qershor, 1950

4- Gjyshi im Luk Toma i Shkrelit (krenaria e familjes dhe shtylla e fisit tonë të madh) para shtëpisë ku kam lindur, Amull – Ulqin, 1950.

5 Kisha e Shkrelit, Malësi e Madhe, afër të cilës i kemi trojet origjinale stërgjyshore të familjes tonë. Mbiemrin Shkreli e kemi ruajtur në familje, si trashëgimi e të parëve tanë nga kjo krahinë e Shqipërisë. Me ketë emër do u njohin se kush jeni!

6 Prindërit e mi të paharrueshëm, Nana Mrika dhe Baba Gjeto Shkreli –me shumë vuajtje e mundime na kanë rritë ne 4 fëmijtë e tyre: Dranja, Toma, Frani e Terezja

7 Gjimnazi klasik (shkolla e Mesme) në Rijeka të Kroacisë, 1965-1969, para se të arratisesha për në Itali. Si seminarist, aty mora bazat e shëndosha të një edukate klasike.


8 Autori – refugjat politik në Romë,1969 – SHBA -2015

9 Viti 1970 – 50-vjetë më parë –“Mirësevjen në Shtetet e Bashkuara –Në emër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe të popullit Amerikan, ne të urojmë mirëseardhjen në të ketë vend të madhërishëm”

10- Statuja e Lirisë në Nju Jork –ikonë e lirisë dhe e Shteteve të Bashkuara: shenjë mikpritëse për emigrantët që vijnë nga larg, me mbishkrimin: “Më jepni të lodhurit, të varfërit, turmat e kruspulluara, ata që dëshirojnë të marrin frymë lirisht”.

11 Washington: Kryeqendra e Zërit të Amerikës, në afërsi të Kongresit Amerikan, ku kam kaluar 30-vjetët më të bukura dhe më të frutshme të jetës time 1974-2003

12 Në hyrje të ndërtesës së Zërit të Amerikës, “Zërit të së Vërtetës”, siç njihet nga shumë shqiptarët –si vizitor – 2020. “Zëri i Amerikës ka mbi supe një përgjegjësi të madhe si mbartës i së vërtetës. Barra për të thënë të vërtetën nuk është e lehtë të mbartet…”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Xhon Kenedi në fjalimin me rastin e 20-vjetorit të Zërit të Amerikës, në vizitën e tij në kryeqëndrën e VOA-s, 26 Shkurt, 1962. Për 30-vjetë jam munduar ta mbroj të vërtetën, si një përgjegjësi morale dhe si një barrë shoqërore.

13 Bashkia e qytetit Nju Jork, New York, Nëntor, 2019

14- Zyra e vogël ku e kaloj të shumtën e kohës tani, në pension

15- Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend, Mars/Prill 1991. Rrugët ishin bosh si sot në kohën e koronavirusit.

16- Dita e pensionimit nga Zëri i Amerikës, 2003

17- Me botuesin e gazetës Telegraf, Z. Agim Çiraku dhe me dhe Kryeredaktorin e kësaj gazete, Z.Engjëll Musai, në promovimin e tre vëllimeve të,”Demokracia Nuk Pret” — një përmbledhje e nja 25-30% e shkrimeve që tani kanë arritur në rreth 1000-artikuj, e që botohen rregullisht në gazetën Telegraf të Tiranës, Shtator, 2018

18- Nga promovimi i tre vëllimeve “Demokracia nuk pret” në Tiranë, Shtator, 2018

19- Bashkshortja ime Vitorja, gjithmonë pranë meje

20 Në fund të fundit, asgjë nuk ka më të shënjtë se familja. Krenar për secilin prej tyre!

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Gezuar ditelindjen, Vatra -Dielli

TË NDERUAR DIPLOMATË PERËNDIMORË NË TIRANË: KUSH PO E HUMB SHQIPËRINË?

June 5, 2020 by dgreca

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasadore ne tirane, Frank shkreli, Kush po e humb, shqiperine

PROTESTAT SI FORCË MORALE PËR TË BËRË NDRYSHIMET E NEVOJSHME

June 4, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli /

Protestat që filluan në shtetin Minnesota pas vrasjes brutale nga policia të një afrikano-amerikani u përhapën shpejt anë e mbanë Shteteve të Bashkuara dhe në shumë vende të botës, ndërsa vazhdojnë gjithnjë në disa qyztete të mëdha e të vogëla amerikane.  Shumica e protestave ishin paqësore, por pati edhe shumë raste ku protestat u shfrytëzuan nga huliganë dhe grupe ekstremistësh, përfaqsues të ideologjive të ndryshme esktreme, të cilëtmorën pjesë në veprime dhune, vjedhje dhe thyerje dyqanesh.  Nga ana tjetër, në një shfaqje solidariteti të pa parë më përpara në Amerikë, e në botë jo se jo, disa prej këtyre protestave paqësore në shumë qytete të Amerikës, iu bashkuan edhe oficera të policisë, në solidaritet me kërkesat e protestuesve për drejtësi dhe kundër përdorimit të dhunës nga policia, siç u pasqyrua në Minneapolis të shtetit Minnesota para një jave, një ngjarje kjo që shkaktoi reagime të ashpra anë e mbanë vendit.  Për arsye të dhunës dhe shkatërrimit nga disa individë dhe grupe ekstremiste, disa qytete janë detyruar të shpallin orarin e ndalim-qarkullimit dhe disa governatorë shtetesh mobilizuan Gardën Kombëtare për të ruajtur qetësinë dhe për të mbrojtur pronat. 

Personalitete të njohura të jetës politike dhe shoqërore kanë komentuar vdekjen e afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd në duart e policisë së qytetit Minneapolis, përfshir ish-presidentët Barak Obama, Xhimi Carter, Bill Clinton e Xhorxh W. Bush, ndër të tjera perosnalitete të fushave të ndryshme të shoqërisë amerikane.  Më tërhoqi vëmendjen, veçanërisht, deklarata e ish-presidentit republikan Xhorxh W Bush, i cili i shikon protestat paqësore – ndoshta jo si një kërcënim ndaj rendit e qetësisë – por edhe si një forcë morale për reflektim dhe si një shtytje të re për bërjen e ndryshimeve të nevojshme në shoqërinë amerikane, kur është fjala, sidomos, për trajtimin e afrikano-amerikanëve nga policia dhe nga forcat e rendit — – një trajtim ky që komuniteti afrikano-amerikan deri tani e ka konsideruar si të njëanshëm dhe të disfavorshëm ndaj afrikano-amerikanëve, sidomos ndaj të rinjëve të këtij komuniteti.

Megjithëse ish-Presidenti Bush dhe bashkshortja e tij Laura shprehen të pikëlluar për vrasjen brutale të Xhorxh Floyd-it dhe të shqetësuar për gjëndjen e krijuar në vend si rrjedhim i kësaj vrasjeje, thonë se tani nuk është koha të japim mësime e leksione, por është koha që të dëgjojmë dhe të reflektojmë për “dështimet tona tragjike”.

“Mbetet një dështim tronditës që shumë afrikano-amerikanë, veçanërisht të rinjtë afrikano-amerikanë, ngacmohen dhe kërcënohen në vendin e tyre të lindjes. Është një forcë morale”, theksoi ish-presidenti Xhorxh Bush, “kur protestuesit paqësorë, të mbrojtur nga forcat, përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe përzbatimin e ligjit, marshojnë së bashku me protestuesit paqësorë, për një të ardhme më të mirë.  Kjo tragjedi – e një serie të gjatë tragjedishë të ngjashme – shtron pyetjen që është dashur të bëhej shumë më heret:  Si t’i japim fund racizmit sistemik në shoqërinë tonë?  Mënyra e vetme për të parë veten në një dritë të vërtetë për këtë çështje është të dëgjojmë zërat e aq shumë personave të lënduar dhe të pikëlluar.  Ata që mund të kenë vendosur për t’i heshtur ato zëra, nuk e kuptojnë Amerikën dhe as mënyrat se si ky vend duhet të bëhet një vend më i mirë”, për të gjithë, u shpreh Z. Bush, në reagimin e tij ndaj vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd në Minesota.  

Në deklaratën e tij, ish-presidenti republikan shkruan se, “Sfida më e madhe e Amerikës, për një kohë të gjatë, ka qenë dhe është se si të bashkojë njerëz me prejardhje të ndryshme nga e gjithë bota, në një shtet të vetëm drejtësie dhe mundësishë të barabarta”, për të gjithë.  Z. Bush paralajmëron se “Doktrina dhe sjelljet e bazuara në një superioritet racial që dikur gati kishte përçarë vendin tonë – kërcënojnë gjithnjë unitetin e këtij vendi”, ka deklaruar Z. Bush.

Ish-presidenti Xhorxh Bush u shpreh se shumë njerëz, me të drejtë, kanë dyshimet e veta në sistemin e drejtësisë në vendin tonë.  Afrikano-amerikanët, shtoi ai, janë dëshmitarë të shkeljes së përsëritur të drejtave të tyre, ndërkohë që nuk shohin ndonjë përgjigje ose zgjidhje urgjente dhe adekuate nga institucionet amerikane. Por Zoti Bush thotë se beson në drejtësinë e qendrueshme në Amerikë dhe se ajo do të realizohet me mjete paqësore, duke marrë një qendrim kundër dhunës së përdorur nga grupet dhe individë ekstremë, në protestat e ditëve të fundit. “Vjedhjet nuk janë çlirim dhe shkatërrimi i pronës nuk është përparim.  Por, ne gjithashtu jemi të vetdijshëm se paqja e qëndrueshme në komunitetet tona kërkon drejtësi të barabartë.  Sundimi i ligjit, në fund të fundit, varet nga drejtësia dhe nga legjitimiteti dhe kredibiliteti i sistemit juridik.  Vendosja e drejtësisë së barabart për të gjithë, është gjithashtu detyrë e të gjithëve” theksoi Z. Bush.   Kjo, sipas ish-presidentit Xhorxh Bush do të nevojit, “Përpjekje të qëndrueshme, të guximshme dhe krijuese.  Ne u shërbejmë më mirë fqinjëve tanë kur përpiqemi të kuptojmë hallet dhe përvojën e tyre.  Ne i duam fqinjët tanë si veten kur i trajtojmë ata si të barabart me ne, duke i mbrojtur dhe duke treguar dhembëshuri ndaj tyre.  Ekziston një mënyrë më e mirë – mënyra e mirëkuptimit, e angazhimit të përbashkët dhe veprimit të guximshëm dhe në paqën e rrënjosur në drejtësi.”, nënvijoi ish-presidenti Bush.  Ndonëse në deklaratën e tij me rastin e vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd nga policia në Minnesota, Z. Bush shfaqi shqetësimet e tija në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, e të cilat rezultuan në protesta të mëdha anë e mbanë vendit—ai prapseprap shprehu besimin e tij se vendi do bëhet më i mirë nga kjo përvojë sado e hidhët, ashtu siç ka ndodhur edhe në shumë raste të tilla në historinë e Amerikës.  “Jam i sigurt, se së bashku, amerikanët do të zgjedhin mënyrën më të mirë”, për të zgjidhur problemet e tyre, ka përfunduar deklaratën e tij, ish-presidenti Xhorxh W. Bush, duke thënë se, “Zgjidhjet e problemeve të shoqërisë amerikane mund të realizohen më së miri duke jetuar e vepruar në bazë të idealeve themelore amerikane – në bazë, pra, të vërtetës themelore se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta dhe të paisur nga Perëndia me disa të drejta të veçanta.

Ndërkaq, për zhvillimet e fundit në Amerikë – përfshir protestat gjithëpërfshirse kundër vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd nga policia e qytetit Minneapolis u shprehen të gjithë ish-presidentët që ende jetojnë – përfshir edhe ish-Presidentin Barak Obama — i pari president i Amerikës me origjinë afrikano-amerikane.  Në reagimin e tij, Z. Obama tha se ka ardhur koha që të nxirren në pah problemet raciale të shoqërisë dhe për të venë, njëkohësisht, “njerëzit në pushtet në një pozitë të pakëndshme”, përsa u përket këtyre sfidave shoqërore.  Ish-presidenti demokrat u bëri thirrje protestuesve që të kenë “Shpresë edhe pse ndiheni të zemëruar…se ndryshimi po vjen…ndryshime epike në vendin tonë”, që sipas tij, “do të jenë po aq të rëndësishme sa ato që kam parë në jetën time”.  Z. Obama e mbylli mesazhin e tij  duke thenë se këto protesta masive sot dallohen nga lëvizjet për të drejtat civile të 1960-ave, sepse sipas tij, kësaj radhe,“Këtu ka diçka ndryshe”, duke shtuar se ata që protestojnë e marshojnë sot, përbëjnë një përfaqësim shumë më të madh të Amerikës sesa 50 vjet më parë. 

Fuqia e të pafuqishmëve, do ta cilësonte ish-disidenti, aktivisti i të drejtave të njeriut dhe ish-presidenti çek, Vaclav Havel!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, per ndryshimin, protestat, si force moralie

SOT MË SHUMË SE KURRË KEMI NEVOJË PËR UDHËHEQËS QË DUAN DREJTËSINË DHE NJERËZIMIN

June 1, 2020 by dgreca

                                            Nga Frank Shkreli

Bota sot është e prekur nga turbullira dhe trazira politike, ekonomike dhe shoqërore, ndoshta si asnjëherë më parë.  Shtojë kësaj situate edhe përhapjen anë e mbanë botës të korona virusit vdekjeprurës, që pothuaj nuk ka lenë vend pa prekur në botë.  Një periudhë si kjo, nevojitë udhëheqës të mëdhej e frymëzues për tu marrë me sfidat dhe me problemet me të cilat përballet sot bota, në përgjithësi dhe vendet e ndryshme të botës, në veçanti.  “Bota ka nevojë për udhëheqës që janë në dashuri me drejtësinë”, ka thënë Martin Lurther King-u dekada më parë. Jo për autoritarë dhe zbatues masash diktatoriale, por “Kemi nevojë për udhëheqës që janë në dashuri me njerëzimin”, na duhen udhëheqës — ka thekësuar mbrojtësi i të drejtave civile në Amerikë dhe në botë dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqë – për udhëheqës të cilët duan t’ia kushtojnë talentet, pasionin, dashurinë dhe veprat e tyre, drejtësisë, lirisë dhe paqës në botë, si dhe zgjidhjes së sfidave dhe problemeve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, me të cilat përballet bota në këtë moment – në fund të dekadës së tretë të shekullit 21. 

Bota sot ka nevojë, natyrisht, dhe pikësëpari për udhëheqës si Dr. Martin Luther Kingu, prifti protestan, mbrojtësi i të drejtave civile dhe të drejtave të njeriut në Amerikë dhe në botë – fjalët e të cilit edhe sot, dekada më vonë, vazhdojnë të frymëzojnë njerëzit vullnet-mirë, anë e mbanë botës.  Historia botërore ka prodhuar gjithmonë udhëheqës në kohë krizash e luftërash rajonale dhe botërore – qoftë luftëra të nxehta si Lufta e Parë dhe e Dytë Botorëre, qoftë Lufta e Ftohtë e shekullit të kaluar.  Shekulli i kaluar do mbetet shekulli famëkeq që solli gjenocidin, fashizmin dhe komunizmin, por për fat të mirë, prodhoi edhe liderë të mençur dhe njerëzor, të cilët, me gjithë humbjet fatzeza, u përballen drejtë për drejtë me këto të këqia dhe tragjedi anti-njerëzore, duke shpëtuar botën nga katastrofat dhe tragjeditë që këto regjime po i përgatisnin botës.  Bota sot, fatbardhësisht, nuk përballet me ndonjë luftë të përmasave të tilla, por ama gjëndet përballë sfidave dhe problemeve të mëdha shoqërore, politike, dhe ekonomike – përfshir pandeminë e koronavirusit, e cila mund të ketë në mos të njëjtat pasoja, atëherë aq sereioze, por edhe më të këqia se ato të luftërave të shekullit 20.  Thonë se çdo gjeneratë në cilëndo shoqëri, në çdo vend dhe bota në përgjithësi, i qet udhëheqsit e mëdhej të aftë e frymëzues, për tu marrë me sfida të mëdha dhe për të zgjidhur problemet me të cilat përballet sot njerëzimi. 

Nëqoftse “historia magistra vitae est”, nëqoftse pra historia është mësuesja e jetës, atëherë mund të themi se periudha në të cilën jetojmë sot, ka nevojë për udhëheqës, siç ka thënë Martin Luther Kingu, të cilët duan njerëzimin dhe drejtësinë, paqën dhe lirinë, për të gjithë dhe pa dallim.  Njerëz të cilët kanë mëshirë ndaj fatit të keq të tjerëve dhe të cilët bëjnë gjithëçka të mundur për të ndihmuar njerëzimin.  Sot kemi nevojë për shembuj të udhëheqjes së mirë, shembuj që kishte bota në shekullin e kaluar, në fusha të ndryshme aktiviteti, nga politika e deri tek bamirësia.  Udhëheqës dhe njerëz të thjeshtë — të cilët megjithë tmeret anti-njerëzore të shekullit të kaluar – siç përmenda më lartë, gjenocdi, fashizmi e komunizmi – falë disa personaliteteve botërore, shekulli i kaluar u mbyll me më shumë njerëz të lirë, anë e mbanë botës, se kurdoherë tjetër në historinë e njerëzimit.  Ishin këta udhëheqës të cilët meritojnë falënderimet dhe mirënjohjen e të gjithë njerëzve vullnet mirë kudo në botë – pasi në vendin dhe në kohën e duhur, ata treguan kurajo dhe guxim duke mbrojtur dinjitetin njerëzor, liritë dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi, kur ato po kërcënoheshin nga diktatorët dhe autoritarët e të gjithave ngjyrave.  Ia vlen t’i kujtojmë, shkurtimisht, disa prej këtyre udhëheqësve të shekullit të kaluar të cilët kanë lenë gjurmë në histori – shembulli i të cilëve duhet të kopjohet dhe të ndiqet nga udhëheqsit më të mirë sot, jo vetëm në politikë, por edhe në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, ashtuqë ta lemë ketë botë për brezat e ardhëshëm, pak më mirë se ç’e kemi gjetur.

E fillojmë listën me Nenë Terezën, bijën e gjakut dhe të Kombit tonë — shqiptare e cila ia kushtoi jetën të varfërve ndër më të varfërve, të sëmurve dhe atyre në prak të vdekjes anë e mbanë botës, por sidomos në Indi. Prania e saj dhe motrave të Urdhërit të saj që Nënë Teresa themeloi shekullin e kaluar, përhapet në më shumë se 130-vende të botës.

Sipas historianëve, në listën e udhëheqësve që frymëzuan njerëzimin shekullin e kaluar ishte edhe Martin Luther Kingu, predikuesi i krishtër protestan amerikan, i cili organizoi dhe frymëzoi lëvizjen për të drejtat civile, njëri prej oratorëve më të famshëm në historinë e Amerikës, i cili me fjalët e tija frymëzuese dhe me guximin e tij personal, bindi vendin dhe botën se nuk mund të vazhdohej më me padrejtësitë dhe mos tolerancën raciale. 

Ndër udhëheqsit e mëdhej – të cilët me veprat e tyre prej udhëheqsish të dalluar, kanë lenë gjurmë të mira në historinë botërore, konsiderohen të jenë tre udhëheqsit e periudhës së Luftës së Ftohtë: Presidenti Ronald Reagan Mikhail Gobaçov dhe Margareth Thatçer, të cilët i dhanë fund Luftës së Ftohtë — me një nënshkrim — pa shkrepur asnjë fishek dhe pa hedhur asnjë raketë kundër palës tjetër, duke sjellur kështu lirinë nga zgjedha komuniste, për më shumë se 350-milion banorë të Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik.  Në këtë grup, historianët përfshijnë edhe Papa Gjon Palin e Dytë, i cili gjithashtu konsiderohet se luajti një rol të rëndësishëm në shembjen e komunizmit në atdheun e tij në Poloni dhe anë e mbanë Evropës lindore dhe qëndrore, duke frymëzuar themelimin e levizjes së puntorëve polakë, Solidarnost.

Nelson Mandela ish-i burgosuri politik në Afrikën e Jugut, njeriu i pajtimit, megjith vuajtjet e tija në burgjet e atij vendi për 27 vjet, pa zemërim dhe hidhërim, por gjithmonë për pajtim– pas lirimit nga burgu – iu përvesh punës për vendosjen e demokracisë në Afrikën e Jugut dhe në kontinentin afrikan, në përgjithësi. Falë shembullit të tij prej lideri, lartë nga 20 shtete afrikane të nen-Saharës, sot gëzojnë demokracinë, falë shembullit të tij, sipas historianëve.

Megjithë mandatin e shkurtër si president, John F. Kennedy jeton gjithnjë në kujtimin pozitiv të amerikanëve dhe njerëzve vullnet mirë kudo në botë si një udhëheqës i njohur i shekullit të kaluar, ndërkohë që veprat dhe fjalët e tija frymëzojnë ende, jo vetëm amerikanët por edhe njerëzit vullnetmirë kudo në botë: “Mos pyetni se çfarë mund të bejë vendi yt për ty, por pyet se çka mund të bëjsh ti për vendin tend”, një thirrje që tingëllon gjithmonë aktuale.  

Në listën e udhëheqsve që kanë lënë gjurmë në historinë botërore, mund të vendoset edhe emri i Dwight Eisenhower, Gjenerali Suprem i cili udhëhoqi forcat aleate në fitoren e Luftës së Dytë Botërore kundër nazizmit, ndërsa në historinë amerikane, ai njihet edhe si presidenti që krijoi “Amerikën moderne”.

Mahatma Gandhi njihet dhe nderohet si babai i kombit indian, sot vendi më i madh demokratik në botë me një popullsi mbi një miliard banorë.  Gandhi është arkitekti i pavarësisë së Indisë nga Perandoria britanike, por ai denoncoi përdorimin e dhunës për arritjen e atij objektivi.  Filozofia e tij ishte, “Fuqia e së vërtetës” dhe mos përdorimi i dhunës për realizimin e objektivave, që vazhdon të konsiderohet edhe sot si trashëgimia e tij në botë.  

Lista është tepër e gjatë për tu përmendur këtu e udhëheqësve botërorë të shekullit të kaluar që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për të mirën e njerëzimit. Mirëpo, koha në të cilën jetojmë sot nuk është hiç më pak kritike se periudhat në të cilat jetuan dhe vepruan udhëheqsit e mësipërm.  Rrjedhimisht, sfidat dhe problemet me të cilat përballet sot bota, kërkojnë udhëheqës, jo vetëm frymëzues dhe të guximshëm, por edhe udhëheqës që, njëkohësisht e duan kombin e vet, e duan njerëzimin, drejtësinë dhe lirinë për të gjithë, sipas shembujve të lartë përmendur të shekullit të kaluar.  Fatkeqësisht, sot për sot, nuk shoh në horizontin e afërt as të largët udhëheqës të tillë, të aftë dhe të vullnetit të mirë që duan dhe që kanë mundësinë, frymëzimin dhe atdhedashurinë që të përballen me problemet e sotëme serioze botërore – në nivel shtetëror, rajonal dhe as ndërkombëtar.  Lutemi, që ashtu si në kaluarën, i Madhi Zot t’i çojë kësaj bote udhëheqës frymëzues dhe të drejtë siç ishin personalitetet e lartëpërmendura.  Vetëm disa prej të cilëve kemi hapësirë për t’i dalluar për gjurmët dhe trashëgiminë që kanë lenë pas, si frymëzues dhe guximtarë, si njerëz dhe si udhëheqës që do i përmend historia për mbështetjen e tyre ndaj drejtësisë dhe njerëzimit. Ndihma e Zotit qoftë me ne!

*Frank Shkreli-Ish Drejtor i Divizionit te Euro-Azise ne Zerin e Amerikes.

Filed Under: Politike Tagged With: Drejtesine, DUdheheqes qe duan, Frank shkreli, njerzimin

DY PILOTËVE AMERIKANË QË RANË PËR LIRINË E KOMBIT SHQIPTAR U DËMTOHET MEMORIALI NË PRIZREN

May 28, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Po dëmtohen dhe po shkatërrohen memoriale të merituara dhe po ngrihen memoriale të rremë, anë e mbanë trojeve shqiptare.  Nuk ka të ndalur shembja, prishja dhe dëmtimi i monumenteve në trojet shqiptare.  Duke filluar nga shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë nga autoritetet shqiptare, qoftë zhdukja e gjurmëve të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup dhe sot në rrjetët sociale  qarkullojnë fotografi të monumentit të dëmtuar në Prizren — kushtuar dy heronjëve amerikanë, David A. Gibbs dhe Kevin L. Roichert,  që dhanë jetën për lirinë e Kombit shqiptar në operacionet e para të luftës së NATO-s — të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara – kundër forcave terroriste serbe të Millosheviçit me 5 Maj, 1999.

Është interesant fakti se ky dëmtim i rëndë që i është bërë monumentit të ushtarëve amerikanë në Prizren i është njoftuar publikut – fillimisht, jo nga media por nga artisti– prizrenasi Z. Arbnor Morina, i cili siç duket ka hedhur në qarkullim edhe fotot e para të monumentit të dëmtuar rëndë në Prizren – siç mund të shikoni më poshtë nga fotot e Z. Morina.  Të pakën deri më tani, pra pothuaj 20 orë pas dëmtimit të monumentit, nuk shoh asnjë media me rëndësi në trojet shqiptare të ketë raportuar për këtë sulm ndaj historisë së re të Kombit shqiptar dhe të luftës për çlirimin e Kosovës. 

Por sipas një lajme të fundit, kryetari i bashkis së prizrenit, Z. Mytafer Haskuka shprehet në lidhje me njoftimet në rrjetët sociale për demëtimin e Monumentit në Prizren të kenë ndodhur për “arsye atmosferike” Ai shkruan: “Disa portale dhe në rrjete sociale sot janë shpërndarë dezinformata lidhur me dëmtimin e memorialit të dy ushtarëve amerikanë, David A. Gibbs dhe Kevin L. Roichert, të cilët dhanë jetën gjatë luftës më 5 maj 1999, derisa ishin duke fluturuar me aeroplanët e NATO-s për misionin paqësor. E vërteta e dëmtimit të këtij memoriali është se ka ndodhur për shkak të kushteve atmosferike, dhe jo për shkak të dëmtimeve të qëllimshme prej ndonjë personi. Kjo është dëshmuar edhe pas verifikimit në terren nga zyrtarët komunalë”, thotë Z. Haskuka.

Për fat të keq, shembja dhe sulmet kundër monumenteve historike e të merituara në trojet shqiptare, nuk kanë të ndalur, ndërkohë që me miratimin e autoriteteve shqiptare — po ndërtohen monumente që kanë për qëllime shtrembërimin e historisë dhe mohimin e identitetit të shqiptarëve, në trojet e tyre.  Ku është zemërimi i shqiptarëve dhe i përfaqësuesve të tyre!!!???   E kam fjalën për monumentet turke, greke dhe sllave që janë ndërtuar vitet e fundit në Shqipëri, por edhe për përpjekjet sllave për të përvetësuar historinë e lashtë arbërore në trojet shqiptare në Mal të Zi dhe Kosovë, po pa përjashtuar edhe trojet e tjrea shqiptar. Sidoqoftë, ky është një problem dhe përgjegjësi e autoriteteve aktuale shqiptare, kudo në trojet kombëtare, por sidomos atyreve në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët duhej të ishin mbrojtësit dhe kultivuesit e kësaj histori kombëtare.  Po të ishte e mbara, janë këto autoritete që sot duhet të reagojnë dhe të marrin masat e nevojshme për ruajtjen dhe mbështetjen e historisë kombëtare, përfshirë monumentet që janë pjesë e kësaj historie, siç është monumenti në Prizren kushtuar dy pilotëve amerikanë.  Dëmtimi i këtij monumenti është bërë nga njerëz djallëzorë që dinë se ç’bejnë pasi e kanë prishur monumentin në Prizren me qëllim për të shënuar 6-vjetorin e ndërtimit të tij dhe me dëmtimin e tij sikurë kanë shënuar Ditën e Përkujtimore të Veteranëve të Shteteve të Bashkuara.   Dje ishte shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë, pastaj fshirja e gjurmëve të shtëpisë së Nënë Teresë në Shkup dhe sot ja, “kryeqyteti” i shqiptarëve, Prizreni.  Nuk mund të mos ndodhte ndryshe.

Është interesant fakti se ky dëmtim i rëndë që i është bërë monumentit të ushtarëve amerikanë në Prizren i është njoftuar publikut – fillimisht, jo nga media por nga artisti– prizrenasi Z. Arbnor Morina, i cili siç duket ka hedhur në qarkullim edhe fotot e para të monumentit të dëmtuar rëndë në Prizren – siç mund të shikoni më poshtë nga fotot e Z. Morina.  Të pakën deri më tani, pra pothuaj 20 orë pas dëmtimit të monumentit, nuk shoh asnjë media me rëndësi në trojet shqiptare të ketë raportuar për këtë sulm ndaj historisë së re të Kombit shqiptar dhe të luftës për çlirimin e Kosovës. 

Por le ti këthehemi shkurtimisht lajmit të 24-orëve të fundit, në këte seri dëmtimesh të munumenteve në trojet shqiptare – pikërisht — historisë së monumentit, kushtuar dy ushtarëve amerikanë, të dëmtuar keq në Prizren. Monumenti u është dedikuar dy pilotëve, Oficerit David A. Gibbs, 38 vjeç, i lindur në Massillon të shtetit Ohio dhe Oficerit Kevin L. Reichert, 28 vjeç, i lindur në Chetek, të shtetit Wisconsin.  Ata humbën jetën në kulmin e rinisë së tyre për lirinë e Kosovës dhe për paqën në Ballkanin Perëndimor, kur helikopteri i tyre i tipit AH-64 Apache ishte rrëxuar në malet, në afërsi të Tiranës me 5 Maj, 1999.

            See the source imageOficeri David A. Gibbs dhe Oficeri Kevin L. Reichert dhanë jetën për lirinë e shqiptarëve gjatë operacioneve të para të NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë

Ishte qeveria e Republikës së Kosovës ajo që ishte kujdesur për ngritjen e këtij memoriali në Prizren, kushtuar dy pilotëve të Ushtrisë amerikane, të cilët bënë sakrificën e fundit duke dhënë jetën për lirinë e Kosovës, gjatë një operacioni në terr natën në territorin shqiptar, në fillim të operacioneve ushtarake të NATO-s në Kosovë, në vitin 1999.  Memoriali ishte një simbol nga populli i Kosovës për të nderuar dhe për të kujtuar ketë sakrificë të tyre, por ishte njëkohësisht, edhe përmendorja si mirënjohje në shënjë falënderimi për bashkpunimin e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara gjatë dhe pas çlirimit të Kosovës.

Fatkeqsisht, pjesë të këtij memoriali, që ishte ndërtuar për të kujtuar për gjithmonë, ushtarakët dhe ushtaraket e Shteteve të Bashkuara që luftuan pë të sjellur paqë, liri dhe për të ndaluar gjenocidin serb kundër shqitarëve në Kosovë –është sot i dëmtuar dhe i rrëxuar për dhe, pikërisht aty në qytetin e Lidhjes së Prizrenit.  Çfarë simbolike për shqiptarët dhe çfarë mesazhi po dërgon personi ose personat anti-shqiptarë që morën pjesë në ketë akt terrorist!  

Për fat të keq, dikush është i interesuar të shuaj frymëzimet, sado të paka që duken sot për sot, për horizonte të reja në marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Ata që heshtin përballë këtyre akteve barbare– sidomos autoritetet shqiptare në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë — ndajnë përgjegjësitë e mëdha me këta terroristë që duan të shlyejnë, jo vetëm historinë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, por të dëmtojnë rëndë edhe lidhjet dhe miqësinë e “përhershëme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara”, siç thoshte dikur Presidenti Ibrahim Rugova. 

Këtë shkrim të pa dëshiruar, po e mbyll me fjalët e artistit nga Prizreni, Z. Arbnor Morina, i cili ka përhapur fillimisht edhe fotot e memorialit të dëmtuar në rrjetët e tij sociale: “Shikoni në çfarë gjendje është memoriali në Prizren, kushtuar këtyre dy ushtarëve amerikanë!  Imagjinoni sikur ta vizitonin këtë memorial familjarët e ushtarëve të rënë!  Për ta parë se për kon e kanë dhanë jetën këta dy”, është shprehur Z. Morina në reagimin e tij rrjetët sociale, kur ka parë monumentin e dëmtuar në Prizren. Vërtetë, “Për kon e kanë dhanë jetën këta dy” ushtarë

Amerikanë!?

Filed Under: Komente Tagged With: Demtohet Memoriali, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT