• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THIRRJE AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË: MOS DERDHNI FONDE TË TJERA PËR TË SHPËTUAR NJË KAUZË TË DËSHTUAR

April 30, 2020 by dgreca

  “DON’T THROW GOOD MONEY AFTER BAD”/

  Nga Frank Shkreli/E vërteta është se e kam të vështirë të kritikoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, qoftë atë në Tiranë qoftë atë në Prishtinë.  Më vjen keq sepse si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan, për 50-vjet tani, por edhe si një shqiptaro-amerikan që kam patur privilegjin dhe nderin të punoj nga afër me shumë diplomatë amerikanë të akredituar në trojet shqiptare për disa dekada dhe për të cilët ruaj gjithnjë kujtime shumë të mira dhe respekt.  Kishim pritur për pothuaj një shekull – që Kombi amerikan, më në fund, të zyrtarizonte lidhjet historikisht mike me Kombin shqiptar, të ndërprera për një kohë të gjatë nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës.  Falë nderës Zotit, sot kemi dy ambasada amerikane në trojet shqiptare: një në Tiranë e tjetra në Prishtinë — në Kosovën e çliruar, falë, kryesisht, ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë.  Për këto lidhje midis dy kombeve tona, unë si shqiptaro-amerikan dhe ne si komunitet këtu në Shtetet e Bashkuara, besoj se jemi shumë krenarë për punën e dy ambasadave tona në Tiranë dhe Prishtinë dhe në përgjithësi, gjatë tri dekadave të fundit kemi mbështetur veprimtaritë e tyre në të gjitha fushat, ose në ndonjë rast të pakëndëshëm edhe kemi heshtur për ndonjë gjë, për hir të rrethanave të mbrendshme politike në Shqipëri dhe në Kosovë. 

Por, kjo nuk do të thotë se ne si taksapagues amerikanë, me origjinë shqiptare, nuk kemi të drejtë të bëjmë vërejtje e madje edhe të kritikojmë mënyrat se si shpenzohen fondet e miratuara nga Kongresi amerikan, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.  Shtetet e Bashkuara, nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, për disa vite tani, kanë mbështetur fuqimisht me fonde dhe me ekspertiza të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi”, e cila sipas disa ekspertëve ka dështuar tanimë dhe sipas të tjerëve, në minimum, është e vonuar dhe nuk po zbatohet, megjithë derdhjen e fondeve të mëdha në këtë fushë nga ana e Shteteve të Bashkuara.  Nuk kam asnjë dyshim se qëllimet e ambasadës amerikane në Tiranë, historikisht, kanë qenë dhe janë qëllim-mira dhe pa hile.  Por, ama sot në fillim të vitit 2020, pas shumë vjet përpjekjesh, duhet të pranohet se megjithë masat serioze të ambasadës amerikane për reformën në drejtësi në Shqipëri, ato përpjekje, sot për sot janë, fatkeqësisht, të deshtuara.  Jo se ambasada amerikane nuk ka bërë mjaft në këtë drejtim, por për arsye se kjo klasë politike, duke filluar nga kryeministri e poshtë, nuk e do këtë reformë dhe as nuk do e zbatojnë edhe po të arrihet në letër.

Prandaj u habita kur pashë një njoftim në faqen fejsbuk të Ambasadës amerikane në Tiranë sipas të cilit, në bazë të një Memorandumi të nenshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, është arrijtur një marrëveshje, “për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme”, me qëllim për të zgjidhur problemin e Gjykatës së Lartë e cila sipas njoftimit të ambasadës na paska aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura, për tu shqyrtuar.  Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt.”  More, vërtetë ka njerëz që besojnë se pas historisë së dështimeve të deritanishme në reformën e drejtësisë në Shqipëri, tani do të identifikohet, “Një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë”, që do ta zbërthejnë njëherë e mirë sekretin e problemeve në sistemin juridik shqiptar, përfshirë dhe 35.000 dosjet e prapambetura dhe që nga puna e tyre të gjithë do të mbeten të kënaqur?  Beson njeri?  Ku ishin deri tani këta “juristë të zotë”?  Mos janë edhe këta pjesë e atyre juristëve të “zotë” që e kanë sjellur sistemin e drejtësisë në Shqipëri në këtë katastrofë, në të cilin gjëndet tani!  Keni ndonjë barometër të besueshëm për të matur pikëpamjet e shqiptarëve ndaj përpjekjeve për “reformën në drejtësi”, dhe ndaj juristëve të “zotë” shqiptarë në përgjithësi, megjithëse jam i sigurt se në radhët e tyre ka edhe të ndërshëm dhe profesionistë?

Vërtetë pret ambasada amerikane në Tiranë se me këtë Memorandum të nënshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, dhe me gjithë fondet amerikane që do të derdhën përsëri “për reformën shqiptare në drejtësi”, megjithëse shuma nuk përmendet në njoftim — numri i këtyre 35.000 çeshtjeve të prapambetura, do të zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur, siç thuhet në njoftim!?

Është një thënje amerikane, “throwing good money after bad”, që në thelb i referohet një situate kur dikush shpenzon fonde shtesë, në përpjekje për të shpëtuar një plan të mëparshëm të dështuar.  Si një taksapagues amerikan, më duket se kjo nismë nuk duhej të ndodhte në këtë rast.  E kuptoj se në të kaluarën janë harxhuar shumë fonde qeveritare amerikane dhe shumë kohë është kaluar nga eskpertë amerikanë gjatë viteve në Tiranë dhe se është shumë e vështirë të pranohet se të gjitha ato shpenzime e mundime gjatë viteve kanë shkuar kot.  Por shpenzimi i fondeve të tjera shtesë, siç propozohet me Memorandumin e lartë- përmendur, mund të jetë një aventurë tjetër e rrezikshme, jo vetëm e pa dobishme për objektivin e caktuar, por mund të jetë katastrofike për systemin e drejtësisë.  Pas 30-vjetë përvojë në Shqipërinë post-komuniste, duhet të jeni të vetdijshëm se dollarët në vetvete nuk do të zgjidhin problemet në Shqipëri dhe aq më pak problemet në sistemin juridik të atij vendi.  Po të kishte qenë një firmë private amerikane që do të kishte derdhur aq shumë fonde dhe investime pa sukses në fusha të ndryshme, sa ka derdhur qeveria amerikane në Shqipëri gjatë 30-viteve të marrëdhënieve dy-palëshe– dhe jo vetëm qeveria amerikane – një firmë e tillë do të kishte falimentuar me kohë. 

Kur flasim për vlera të përbashkëta, shqiptarët mund të jenë pro-amerikanë, por jo kjo klasë politike, megjithëse, sa për sy e faqe, ata shprehen se janë më pro-amerikanët në botë dhe u pëlqen të dalin në fotografi me zyrtarë të lartë amerikanë. Pretednimet e tyre pro-amerikane janë një hipokrizi e shekullit!  Të jesh pro-amerikan do të thotë të ndajsh të njëjtat vlera me Amerikën, përfshir sensin e drejtësisë dhe respektin për njerzit, të drejtat e tyre themelore, trajtimin e barabart dhe mirëqenjen e tyre.  Janë pra një serë idesh e parimesh dhe vizionesh që përbëjnë vlerat e përbashkëta.  Nëqoftse do të merret seriozisht kjo klasë politike shqiptare, ajo duhet të bëjë më shumë në mbështetje të këtyre vlerave të përbashkëta dhe jo vetëm të flasin për to.

Shumë prej këtyre politikanëve shqiptarë, nuk kanë asgjë të bëjnë me Amerikën, as me vlerat amerikane, fatkeqësisht.  Kam drojë se kjo klasë politike e ka përcaktuar tanimë veten se në ç’drejtim do ta çojë Shqipërinë duke e vrarë të ardhmen e brezave, ndonëse në përgjithësi, animet politike autoritare të udhëheqjes janë kundër vullnetit të popullit të saj, një pjesë e të cilit po voton me kembë duke u larguar nga vendi për në perëndim, për arsye të gjëndjes së krijuar ekonomike dhe politike – përfshir mungesën e një reforme të sistemit juridik.  Kryeministri i vendit shpreh haptas admirimin e tij për udhëheqsit autokratë të rajonit dhe për sistemet politike të kontrolluara prej tyre.  A është kjo një politikë që duhet të mbështetet me fondet e taksa paguesve amerikanë?  Së fundmi, qeveria e kryeministrit Rama i ka kërkuar KE-së që Shqipëria të tërhiqet nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, sikur vetëm Shqipëria po përballet me pandeminë.  Është modeli i drejtësisë autoritare dhe jo ai i bazuar në sistemin amerikan, që kjo klasë politike po ndërton në Shqipëri.  Jo vlerat amerikane, të ndarjes së pushteteve, përfshir sistemin juridik dhe qeverisjen demokratike, “të popullit, nga populli dhe për popullin”.  Është e qartë se këta nuk kanë dashur as nuk duan reformë në drejtësi dhe as antarësim në Bashkimin Evropian.  Kjo marrveshje midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar më duket si një shpenzim i kotë.

Si një shtetas amerikan, i them këto fjalë në frymën e mesazhit që kishte ndarë me kolegët e tij ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në Munich në vitin 2104:

”Jemi krenarë”, ka thënë ai se -”Ne përpiqemi që të përsosim sistemin tonë në mënyrë të hapur e transparente, me përgjegjësi për ta reformuar, për ta ndrequr ku e kur është e nevojshme dhe për ta përforcuar atë kur duhet.”  Kështuqë, ka thënë ai, ne i bashkohemi këtij dialogu me ju këtu në Munih, “duke ditur dhe duke pranuar të metat tona, por pranimi i mangësive tona nuk do të thotë se ne nuk do themi gjërat ashtu siç i shohim në vende të tjera, duke u bazuar në pikëpamjet dhe vlerat tona”.

Prandaj, është më mirë të pranohet pra se përpjekjet, sado të drejta dhe të nevojshme që janë për një reformë rrënjësore në drejtësinë shqiptare, kanë dështuar!  Jo për arsye të mungesës së vullnetit të ambasadës dhe ndihmës amerikane për reformën në drejtësi, por në saje të mos vullnetit të klasës politike e cila mbron me çdo kusht interesat e veta dhe të oligarkëve të tyre mbështetës, në kurriz të interesave dhe të drejtave dhe lirive të popullit.  Si një shtetas krenar dhe taksapagues amerikan protestoj që të vazhdohet në këtë mënyrë — që taksat e mia të përdoren për aventura dhe kauza të dështuara, për të mbajtur në pushtet një klasë politike të dështuar dhe moralisht të korruptuar e cila në thelb nuk ndanë asnjë vlerë njerëzore, morale, politike, as drejtësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e them me plot bindje por edhe me dhimbje në zemër për bashkatadhetarët e mi sepse shoh, që siç është shprehur John Kerry, 6-vjet më parë në konferencën e Munichut në lidhje me influencat e oligarkëve, sidomos në Ballkan, se 6-vjet më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në Shqipëri as në Kosovë. 

“Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave ndërkohë që përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar në ambientin e tyre”, ka thenë Xhon Kerri.  Kjo kritikë e Zotit Kerri ndaj disa vendeve ku oligarkët, sidomos në Ballkan, kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, e ku ata në shumë raste kontrollojnë dhe përdorin median për manipulimin e politikanëve dhe të zgjedhjeve — është një referencë e qartë se në këtë mes bota perëndimore nuk ndanë me këta politikanë dhe oligarkë pasurinë e përbashkët të vlerave universale, për të cilat u fol në Konferencën e Munihut.  Oligarkët dhe interesat e tyre i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj demokratik dhe kanë helmuar e korruptuar klasën politike dhe median, për interes të tyre.

Prandaj është më mirë, që përsa i përket reformës së dështuar në drejtësi — dhe para se të derdhen fonde të tjera amerikane si në pus pa fund — të fillohet nga e para ose të hiqet dorë fare nga një përpjekje e tillë sado e dobishme dhe sado e nevojshme që të duket të jetë kjo nismë fisnike, por e gabuar.  Për ndryshe, si përfundim, rrezikohet që populli shqiptar të humbas besueshmërinë tek ambasada dhe shpresën tek Shtetet e Bashkuara, ashtu si shumica e shqiptarëve e kanë humbur me kohë shpresën tek kjo klasë politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe gjithë spektrit politik shqiptar, pa dallim.  Mbaj mend një këshillë nga një redaktor i vjetër kur kisha filluar punën tek Zëri i Amerikës në fillim të 1970-ave — natyrisht në kontekstin e gazetarisë radiofonike të asaj kohe — i cili më pat thënë se do bëjsh gabime në karierën tënde, por kujdes e mos humb besueshmërinë tek dëgjuesit, sepse nëqoftse humb besueshmërinë tek dëgjuesit, ke humbur çdo gjë dhe të shkon mundi kot.

Frank Shkreli

U.S. Embassy-Tirana

6 hrs · 

?? | Gjykata e Lartë ka aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura. Për të zgjidhur këtë problem, USAID dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor Shqiptar nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi më 29 prill, për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme. Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt. Ashtu siç Shtetet e Bashkuara mbështetën fuqimisht miratimin e reformave gjyqësore, ashtu ne mbështesim fuqimisht zbatimin e plotë dhe në kohë të këtyre reformave. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne presim të shohim numrin e prapambetur të këyre çështjeve që zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

?? | The High Court currently has a backlog of almost 35,000 cases. To address this problem, USAID and the Albanian High Judicial Council (HJC) signed a Memorandum of Understanding (MOU) on April 29 to provide necessary technical assistance. Under the MOU, a special team of bright Albanian lawyers will be hired to assist the court to operate more efficiently and allow judges to make decisions more quickly. Just as the United States strongly supported the adoption of judicial reforms, we strongly support the full, timely implementation of these reforms. Justice delayed is justice denied. We look forward to seeing the backlog of cases reduced as quickly as possible

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasades amerikane, Frank shkreli, thirrje, Tirane

KOSOVA KËRCËNOHET NGA SERBIA E MADHE

April 27, 2020 by dgreca

DY LIBRA NË ANGLISHT MBI KOSOVËN TË AUTORIT ENVER BYTYÇI/

                                                 Nga Frank Shkreli/

 Autori dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare dhe të Evropës jug-lindore, Profesori i shkencave politike dhe i historisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Enver Bytyçi, pati mirësinë të më dërgonte kohët e fundit dy librat e tija të përkthyera në anglisht: “Kosovo Threatened by the Greater Serbia” (Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe) dhe “Coercive Diplomacy of Nato in Kosovo” (Diplomacia e Imponuar e Nato-s në Kosovë).  Libri, “Diplomacia e NATO-s në Kosovë” e studiuesit dhe historianit Enver Bytyçi është botuar në anglisht në vitin 2015 nga Shtëpia Botuese Cambridge Scholars Publishing, ku trajtohet, siç sugjeron edhe titulli, diplomacia e NATO-s në Kosovë, duke i ofruar lexuesit një pasqyrë të gjithëanshme të ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës.  Por, po përqendrohemi tek libri “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, botuar kohët e fundit, në përgjigje të hedhjes së tezës për korigjimin e kufijve të Kosovës me Serbinë.

Libri “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, është botuar anglisht dhe shqip nga Instituti i Studimeve të Evropës Jug-lindore dhe është promovuar nga fundi i Janarit që kaloi në Tiranë dhe në Prishtinë.  Kjo monografi është një përmbledhje dokumentacioni mbi ngjarjet historike mbi Kosovën, ku në thelb, autori trajton çështjen e kufijve të Kosovës me Serbinë, duke argumentuar se ndryshimi, rishqyrtimi, korrigjimi i kufijve, rregullimi ose demarkacioni, ose sido që ta quajnë sot mbështetsit e kësaj teze ndryshimin e kufijve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë – është një precedent tepër i rrezikshëm për paqën dhe stabilitetin afat-shkurtë dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.  Profesor Bytyçi me të drejtë e konsideron ndryshimin e mundëshëm të kufijve midis dy vendeve, si një akt që është në interesin e Serbisë dhe që si i tillë kontribon drejt realizimit të planit afatgjatë dhe ëndërrës shekullore të Beogradit, për krijimin e Serbisë së Madhe.

Autori ka zgjedhur kohën më të përshtatëshme për të botuar në anglisht monografinë “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndërkohë që qendrat kryesore botërore – Washingtoni dhe Brukseli – po përgatiten të rifillojnë bisedimet e planifikuara, ose siç e qujanë ato, “dialogun” midis Prishtinës dhe Beogradit për një marrëveshje “gjithëpërfëshirse”, e cila sipas shumë eskpertëve do të përfshijë edhe ndryshimin, ose të pakën rishqyrtimin e kufijve midis dy vendeve.  Megjithëse zëdhënës të ndryshëm, sidomos në Washington, pretendojnë se propozimi për ndryshim të kufijve nuk është në tavolinë, përfshir edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump, Ambasadorin Richard Grenell, ndërsa evropianët janë shprehur kundër ndryshimit të kufijve midis dy vendeve.  Megjithkëtë, në këtë ndërkohë, duke parë se diçka po vlon në ketë mes, Kongresisti amerikan dhe mik i kahmotshëm i shqiptarëve në Kongresin amerikan, Eliot Engel, në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Dhomës së Deputetëve për Punët e Jashtme, ka shprehur, ditët e fundit, shqetësimet e tija mbi politikën aktuale amerikane ndaj Kosovës. 

Ndërkohë që Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e kryesuar nga ish-deputeti amerikan Joe Dioguardi, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të largojë ambasadorin Richard Grenell nga detyra e tij si i Dërguari Special i tij për dialogun Kosovë -Serbi,  “Meqenëse Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një ndërmjetësuesi të paanshëm”, thuhet në deklaratën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA).  Kjo organizatë lobiste shqiptaro-amerikane, njëkohësisht, kritikon ashpër edhe klasën politike të Kosovës në krye me Presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se nga një ndryshim i kufijve, jo vetëm që do të humbiste Kosova, por do të fitonte Serbia dhe jo vetëm Serbia, por edhe aleatja e saj historike, Rusia: “Pa dyshim, ndarja do të trimëronte si Serbinë ashtu edhe Rusinë dhe aspiratat e tyre hegjemone për dominim në Evropën Juglindore dhe hyrjen në detin Adriatik”, thuhet në letrën e hapur të LQSHA-s.  Me fjalë të tjera, punët shqiptare janë ndërlikuar shumë keq dhe për fat të keq, mund të keqësohen e dhe më shumë.  Libri i historianit Enver Bytyçi “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe” e përkthyer në anglisht, është një kontribut i vlefshëm në debatin aktual të këtyre çështjeve madhore në këtë moment të historisë së shqiptarëve.

Do të sugjeroja që të gjithë protagonistët në këtë mes — kombëtarë dhe ndërkombëtarë — të lexojnë monografinë e Profesor Enver Bytyçit.  Në debatin aktual, Enver Bytyci ofron, jo vetëm, fakte e dokumentacion të dobishëm për gjëndjen e krijuar por ofron edhe këshilla se si duhet të dilet nga ky qorrsokak i politikës shqiptare në Kosovë, por edhe politikës së ngatërruar ndërshiptare, midis Tiranës dhe Prishtinës.  Ndajë shqetësimin tim me autorin e nderuar dhe jam dakort me të — ashtu siç kam shkruar edhe disa herë në të kaluarën — se mungesa e këshillimeve dhe bashkrendimeve të qëndrimeve në radhët e udhëheqësve shqiptarë, për një politikë aq me rëndësi, siç janë bisedimet Kosovë-Serbi dhe ndryshimi i mundëshëm i kufijve — është një politikë e papërgjegjëshme nga ana e kësaj klase politike, për të mos thenë edhe skandaloze, ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve.  Siç është i papërgjegjëshëm edhe i ashtuquajturi procesi “minishengen”, i udhëhequr nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, një proces ky që kundërshtohet nga Kosova pasi nuk merr aspak parasyshë shqetësimet dhe as interesat e Kosovës, në këtë proces. 

Ku është strategjia kombëtare e platformës mbarë-shqiptare për “minishengenin” ballkanik dhe ku janë këshillimet dhe bashkrendimet e politikave me institucionet përkatëse midis dy shteteve shqiptare?  Mos pasja e një politike të bashkrenduar midis Shqipërisë dhe Kosovës, për parimet e mëdha të interesit kombëtar, jo vetëm që është skandaloze, por mund të konsideorhet edhe kriminale ndaj interesave kombëtare.

Pajtohem edhe me mendimet dhe kritikat e Profesorit Enver Bytyçit, autorit të monografisë, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndajë politikës së gabuar të Tiranës përsa u përket shumë çështjeve të pazgjidhura Kosovë-Serbi – e sidomos, procesit ndaj procesit “minishengen” të kohëve të fundit, si një politikë e gabuara që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare, po vendos përsëri Beogradin në qendër të politikës ballkanike, si një “mini-jugosllavi e re”, e cila i shërben kryekëput interesave të Serbisë së Madhe, ndërkohë që njëkohësisht, i hap dyert edhe influencës ekonomike, politike dhe ushtarake të Moskës në Ballkanin Perëndimor.  Dikush prej këtyre udhëheqësve shqiptarë që mbështesin këtë proces, duhet të shpjegojë se si një rol i përforcuar politik, ekonomik dhe ushtarak i Rusisë në Balkan dhe në Evropën Jug-lindore, është në favor të interesave kombëtare të shqiptarëve?!

Për ata që duan të dinë se pse kjo politikë është e gabuar, le të lexojnë librin e posa botuar në anglisht dhe shqip të Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”.  Eksperti i politikës dhe i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare bën paralajmërimin e tij se Tirana zyrtare me politikën e saj, sidomos, me politikën minishengen për Ballkanin Perëndimor, po dëmton dhe mund të shkatërrojë pavarësinë shtetërore të Republikës së Kosovës.  Ai e quan këtë politikë si terësisht anti-shqiptare sepse, shkruan autori, ky proces thekson dhe mbështetë një politikë që drejtohet nga Beogradi dhe jo nga Brukseli, drejtë integrimeve të plota euro-atlantike të shqiptarëve, një ide dhe dëshirë kjo e kahmotëshme e shumicës së shqiptarëve. Tridhjetë vjet pas shembjes së komunizmit dhe pak më shumë se 20-vjet nga çlirimi i Kosovës dhe pas 12-vjetë pavarësi, Kombi shqiptar, si asnjëherë më parë gjatë kësaj periudhe, gjëndet përballë një krize të një rreziku të përmbrendshëm, një rreziku të shkaktuar nga vet shqiptarët.

Kjo krizë për të cilën kanë kontribuar vet me politikat e tyre të papërgjegjëshme nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, fatkeqësisht, i gjenë udhëheqësit politikë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të pa përgatitur, të zbuluar krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror, duke mos ditur se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjenden, pa asnjë ide të re dhe pa asnjë strategji politike kombëtare, se si duhet shkuar përpara.  Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa ofruar asnjë marrëveshje as vizion të përbashkët se si duhet vazhduar.  Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht hesht, aktualisht, pasi ka “hedhur gurin e tani fsheh dorën”.  E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare.  Ekziston pra një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën kombëtare, për sa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çështjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë dhe jo vetëm kërcënimit, por edhe mundësisë së krijimit të një Serbie të Madhe, në kurriz të interesave të Kosovës dhe të shqitarëve në përgjithësi. 

Fatkeqsisht, për fatet tona, kriza shëndetsore botërore e shkaktuar nga koronavirusi vdekjeprurës, i ka ndërlikuar edhe më shumë punët e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe interesimin e miqëve tradicionalë të shqiptarëve, të cilët ashtu si e gjithë bota përballen me hallet e veta, si përfundim i kësaj epidemie dhe është vëshitër që ti kushtojnë vëmendje një zone të largët të Balalkanit, me të cilën edhe mund të jetë lodhur edhe opinion public amerikan dhe perëndimor. 

Prandaj, para se të fajësojmë amerikanët por edhe të tjerët për ngërçin e punëve tona, duhet që të drejtojmë gishtin e akuzës atje ku në të vërtetë duhet ta drejtojmë: ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjendjes aktuale kaotike kombëtare dhe politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme.  Libri i Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, furnizon në gjuhën anglisht — jo vetëm lexuesin e thjeshtë por edhe protagonistët ndërkombëtarë që merren me punët e Ballkanit Perëndimor — me analiza të dobishme, dokumentacion, fakte dhe ide, nga të cilat, sipas Wolfgang Grossruck, ish-presidenti Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, gjithashtu “do të përfitojnë edhe politikëbërsit rajonalë që të mendojnë dhe të veprojnë në mbështetje të demokracisë, paqës dhe sigurisë në rajonin e Evropës Jug-lindore”.

                              Autori i librit, Profesor Enver Bytyçi

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Frank shkreli, Kosova e Kercenuar nga Serbia e Madhe

QËNDRO, SHQIPËRI!

April 25, 2020 by dgreca

    Nga Frank Shkreli/

25 Prilli, 2020 shënon 27-vjetorin e vizitës së Papës Gjon Palit II në Shqipëri.  Vizita e Papës në Shqipëri, 27-vjet më parë, ishte një datë historike — dhe për brezin që ishte dëshmitar i asaj vizite do të mbetet përgjithmonë e paharrueshme, për një kohë të gjatë, për ta dhe për Kombin shqiptar.  Papa Gjon Pali i II, me atë rast, “shkeli në tokën shqiptare, duke e puthur e bekuar truallin e nepërkëmbur të shqipeve”, komenton radio Vatikani, duke shënuar këtë ditë historike në historinë e Kombit shqiptar dhe të marrëdhënieve të tij shekullore me Vatikanin. 

Ajo vizitë ndodhi pas një dimri të gjatë e të egër nën regjimin ateist të komunizmit.   I vetdijshëm dhe i mirë informuar për gjëndjen e shqiptarëve, nën pothuaj gjysëm shekull komunizëm, në vizitën e parë të një Pape në Shqipëri, me 25 Prill, 1993, Papa Gjon Pali i dytë, e cilësoi vizitën e tij në Atdheun e shqipeve, si “Një ditë që na e dhuroi Zoti”.  Ishte gjithashtu një ditë, që sadopak mundi të bindëte shqiptarët se bota nuk i kishte harruar ata, me gjithë vet-izolimin e Shqipërisë komuniste nga pjesa tjetër e botës, e sidomos izolimit nga Perëndimi, për pothuaj gjysëm shekulli.

Kudo që shkoi dhe me këdo që u takua, gjatë asaj vizite, Papa Gjon Pali II vetëm shprehi dashurinë, mirëkuptimin dhëmbjet e tij për vuajtjet dhe për martirizimin e njerëzve të pafajshëm gjatë periudhuës së komunizmit, ndërkohë që vuri në dukje edhe fisnikërinë e shqiptarëve tani dhe gjatë historisë, si popull e si komb.  27-vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit në Shqipëri, kujtojmë fjalët e tija dashamirëse drejtuar shqiptarëve: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur!  Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhëshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.  

Me të drejtë, Radio Vatikani e ka cilësuar vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, jo vetëm si historike dhe të paharrueshme, por edhe si fillimi i një shprese, që nuk zhgënjen.  Vizita e Papës Gjon Palit më 1993 në tokën arbërore, megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij, qofshin ato për arsye fetare ose politike, tregon se gjithçka ngjallet e përtërihet.

Duke dëshmuar entuziazmin e shqiptarëve për demokraci në fillim të 1990-ave, ai u tha shqiptarëve se, “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.  Por, me atë rast, Papa Gjon Pali II pati edhe një porosi për shqiptarët, një amanet që është aq aktual edhe sot, ndërkohë që për arsye dhe rrethana krejt të tjera, Shqipëria, Kosova, shqiptarët në përgjithësi dhe bota mbarë, po kalojnë nepër një periudhë tepër vështirë e dramtaike, si përfundim i përhapjes së koronavirusit, në mbarë planetin:“Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, e thirrja për kujtesën e përhershme: “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”, ”kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Perëndinë është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë.Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet.  Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror”, ka porositur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipër me 25 prill, 19, dhe ka theksuar se, sado të vështirat qofshin sfidat ato janë më të lehta për tu përballur me, kur sipas tij,”Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, është shprehur ish-udhëheqsi i Kishës Katolike.  

Në këtë përvjetor të vizitës së Papa Gjon Palit II, të dates 25 prill, 1993 le të kujtojmë porositë e asaj dite të paharrueshme, si tejet aktuale edhe përball realitetit të sotëm shoqëror të vendit dhe për aktualitetin e sotëm politik e shoqëror.  Ç’rregullimet politike, shoqërore dhe shëndetsore — përfshir edhe epideminë e koronavirusit, gjithëçka është më e lehtë për tu përballur me to, nëqoftse përballë këtyre sfidave sillemi si vëllezër dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, siç porosiste Papa Gjon Pali II, 27 vjetë më parë në Shqipëri.   Kjo është e vetmja mënyrë për të ulur tensionet aktuale politiko-shoqërore në botën shqiptare dhe për të hapur shtigje të reja drejtë një demokracie të vërtetë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Ashtu që, shqiptarët, “të fluturojnë sa më lartë si shqiponjat, që nuk e lenë kurrë folenë e tyre”, — sipas fjalëve që Papa aktual – Papa Françeskut – deklaroi gjatë vizitës së tij në Shqipëri vite më vonë.  “Shqipëri, qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, sepse gjithçka ngjallet dhe përtërihet.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, qëndro!, shqiperi

ZI NË FAMILJEN E XHIM XHEMËS

April 21, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/ Ndërroi jetë bashkshortja e Xhim Xhemës, Mrika — një bashkshorte e dedikuar, mike dhe e dashur për të gjithë ata që e njohën dhe filantropiste e dalluar e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe më gjërë. Fillimisht, dëshiroj që mikut dhe bashkatdhetarit tonë Xhim Xhema dhe familjes t’i shprehi ngushëllimet — e mia dhe të familjes time — më të sinqerta për këtë pikëllim.  Me ketë rast të dhimbshëm jemi afër bashkatdhetarit dhe dashamirsit tone të kahmotshëm, njëherazi edhe përkrahsit të ndritur të çështjeve madhore kombëtare, duke marrë pjesë në pikëllimin e tij, me ndjenjat më të gjalla miqësie, ndërsa i dërgojmë përdhimbtimet tona më të sinqerta.  Lutem që Xhimit,  i Madhi Zot t’i japë forcë për të bartë këtë humbje të rëndë, për të, familjen dhe për farefisin e tyre. 

                                     Vet Xhim Xhema, të cilin unë e konsideroj si njeriun në krye të listës të aktivistëve më të dalluar, në mos dhe më i efektshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan për çështjet shqiptare, por edhe familja e tij kanë preferuar gjithmonë të bëjnë një jetë private, por për dekada kanë bërë punë të mëdha dhe pa zhurmë, “pa rrahur gjoksin” se unë bëra këtë,  e unë kontribova këtu, e tjera, siç thotë një fjalë popullore.  Si rrejdhim, besoj se është e dobishme të ndajmë me publikun shqiptar, këtu në Amerikë dhe në trojet tona në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë pak hollësi mbi jetën dhe veprimtarinë e të ndjerës Mrikë, ashtu siç janë shënuar në nekrologjinë e botuar në median amerikane, me rastin e kalimit në amshim të Mrikës, nga shkrimtari amerikan Rob Taub.  

Mrikë Xhema ka jetuar me bashkshortin e saj Xhim Xhema prej një kohe të gjatë në qytetin Greenwhich të shtetit Konetikut.  Ajo ndërroi jetë më 17 prill, 2020. Mrika ka lindur në Tivarin shqiptar, nën Malin e Zi më 26 Shkurt, 1946.  Në vitin 1969, ajo ka ardhur me bashkshortin e saj Xhimin në Shtetet e Bashkuara ku ajo punoi si Sekretare Ekzekutive në ndërmarrjen e ndërtimtarisë të bashkshortit të saj Xhim Xhemës, “Xhema Industries”.

Autori amerikan Rob Taub shkruan në nekrologjinë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Mrika Xhemës, se ajo ishte një katolike e devotshme, anëtare e Kishës St. Mary në qytetin Greenwich, ku ajo njihej për njerëzinë dhe aktet e shumta filantropike.  Ajo është shpërblyer shumë herë për aktet e saja bujare dhe zemërgjërsie, sidomos për dhuratat e konsiderueshme të familjes Xhema për ndërtimin e Katedralës Shën Nënë Tereza në Prishtinë, Republika e Kosovës, që siç dihet është ndërtuar pas luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për çlirimin e Kosovës, në vitin 1999.  Ajo njihej në rrethin ku vepronte, sipas autorit Taub, nga miqtë dhe anëtarët e kishës që ajo frekventonte si një, “person i pa kursyeshëm, e gatshëme për të ndihmuar gjithmonë njerëzit më në nevojë, e cila nuk kishte kurrë asnjë fjalë të keqe për të thënë, për askënd.”

Ata që e kanë njohur, shkruan Rob Taub, se megjithë sëmundjen e gjatë nga e cila vuante, Mrika ishte gjithmonë e qeshur, e lumtur dhe optimiste dhe këto cilësi i reflektonte pozitivisht edhe tek njerzit me të cilët bisedonte e punonte.  Mrika njihej edhe për humorin e saj, sipas miqëve dhe bashkpuntorëve të saj.  Një mikeshë e saj e ngusht e përshkroi Mrikën kohët e fundit si “një grua të jashtzakonshme, plot dinjitet, njerzillëk, inteligjencë dhe bukuri.”  Megjithëse vitet e fundit ishin të vështira për Mrikën për arsye të sëmundjes së rëndë që e kishte goditur, ajo kurrë nuk ankohej.

Kur ishte në gjëndje të mirë shëndetsore, Mrikës i pëlqente të kalonte kohë në shoqëri dhe të udhëtonte me bashkshortin e saj Xhimin dhe me miqtë e tyre të shumtë.  Mrika ishte mirënjohëse për të gjitha të mirat në jetë dhe ndjehej sinqerisht e bekuar për përvojën që kishte patur mundësi të vizitonte aq shumë shtete e kultura të ndryshme.  Ajo fliste katër gjuhë të huaja dhe kishte një memorie të përsosur.  Ndërsa shëndeti i saj po keqësohej, në ditët e saj të fundit, ajo gjithnjë veshej në mënyrë elegnate e të përsosur çdo ditë, edhe pse disa nga ato ditë, ajo nuk mund të dilte nga shtëpia, thuhet në nekroligjinë e saj. 

Mrika Pecaj Xhema la pas burrin e saj Jim Xhema dhe një familje të madhe dhe krenare, e prëhapur në të gjithë zonën tre-shtetërore.  Ajo i mbylli sytë në paqë e rrethuar nga bashkshorti Xhimi dhe miqtë e saj ndërsa dëgjonte muzikë Jazz. 

Njoftohet se për shkak të rregullave të distancës sociale në këtë kohë epidemie, Mrika Xhema do të varroset gjatë një ceremonie katolike private.   Një meshë e plotë funerali dhe celebrimi i jetës së saj do të planifikohet sa më shpejt që të jetë e mundur, thuhet në njoftimin për kalimin në amshim të Mrika Xhema, bashkshortes së aktivisti dhe patriotit të njohur shqiptaro-amerikan, Xhim Xhema.

NJË SHËNIM I SHKURTËR PËR XHIM XHEMËN —

Xhim Xhema nuk ka nevojë për paraqitje. Shqiptaro-amerikani, Xhim (Xhemail) Xhema, është biznesmeni dhe njëri prej aktivistëve më të dalluar në tërë historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.  Xhimi, siç njihet nga miqtë dhe dashamirësit e tij, jeton e punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte vendosur prej më shumë sëe një gjysëm shekulli. Ai ka lindur në fshatin Tupallë të Medvegjës të “Shqipërisë lindore”, por pohon se familja e tij e ka origjinën prej Shkrelit të Malësisë së Madhe. Për të gjithë ata që e njohin, Xhimi është tepër modest dhe nuk flet për veten dhe për as sukseset e tij në jetë, si njëri prej biznesmenëve më të dalluar – i njohur si i tillë në qarqet amerikane dhe ato shqiptare, jo vetëm si mjeshtër i madh i profesionit të tij në ndërtimtari, por i njohur edhe në fushën politike si patriot, që e ka provuar veten gjatë veprimtarisë së tij politike 40-vjeçare këtu në Amerikë.  

Ai ishte dhe, me të vërtetë, mbetet i pa-arritshëm në këtë fushë. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), të cilin ai me bashkëpunëtorë të tjerë shqiptaro-amerikanë, kishte ndihmuar në themelimin e tij, e që falë përkushtimit të Xhimit, luajti një rol të rëndësishëm, ndoshta të pazëvendësueshëm, në mbrojtje të Kosovës gjatë viteve ’90 dhe në mbështetje të interesave shqiptare në përgjithësi. KKSHA – e kishte dekoruar Xhimin më 2003, me medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: “Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë përmirësimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”

Përkushtimi dhe devocioni i Xhim Xhemës – dje dhe sot – ndaj interesave shqiptare në Shtetet e Bashkuar dhe në trojet e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, nuk kanë kufi.  Xhim Xhema e kishte kuptuar shumë mirë, se fati i shqiptarëve në të kaluarën kishte qenë i lidhur me Amerikën.  Ai ishte i vetëdijshëm për rolin që kishte luajtur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Fan Nolin -në fillim të shekullit XX – me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Woodrow Wilson, në favor të pavarësisë së Shqipërisë.  Xhimi me disa pjesëtarë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan kishte ardhur në përfundimin, se vetëm Amerika do të ndihmonte shqiptarët dhe të drejtat e tyre edhe në fund të shekullit XX. Ai filloi të trokiste në dyert e senatorëve dhe kongresmenëve më të njohur të jetës politike amerikane, për t’i njohur ata me situatën tepër të vështirë, përballë të cilës gjendeshin shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta.  Dyert e tyre nuk ishin kurrë të mbyllura për Xhimin.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Frank shkreli, Zi ne familjen e Jim Xhemes

NË PËRKUJTIM TË NJË DASHAMIRSI TË FISIT SHQIPTAR

April 21, 2020 by dgreca

 Fishta dhe Koliqi për Norbert Joklin/

  Nga Frank Shkreli/Izraeli dhe bota hebraike në përgjithësi shënojnë Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Holokaustit duke filluar nga mbrëmja e ditës së Hënë të 20 Prillit e deri të Martën me 21 Prill.  Është kjo një ditë solemne që përkujtohet eliminimi i 6-milionë hebrejve gjatë Holokaustit.

Fund javën që kaloi, Qendra e njohur Hebraike në Nju Jork, “The Temple Emanu-El Streicker Center”, në përgatitje të shënimit të kësaj dite përkujtimore, ftoi Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Besiana Kadare në shërbimet e ditës së Premte për të folur, siç thuhet në njoftim, mbi historinë e “pabesueshme dhe kryesisht të pa njohur”, se si Shqipëria u bë një vend i sigurt strehimi për hebrenjët gjatë Holokaustit. 

At Gjergj Fishta, Asdreni, Ernest Koliqi dhe Lasgush Poradeci.

Gjatë fjalimit të saj, Përfaqësuesja e Përhershme dhe fuqi-plotë e Shqipërisë pranë OKB-së foli për ndihmën që kanë dhënë shqiptarët e rendomtë, pa dallim, për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.  Shefja e Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së foli gjithashtu edhe për rolin që kanë luajtur edhe “autoritetet zyrtare” të qeverisë shqiptare në atë kohë në Tiranë, të cilat, shtoi ajo, kanë refuzuar të dorëzonin nazistëve listat me emëra hebrenjësh.  Pa përmendur emra konkret, ambasadorja shqiptare foli për “guximin moral të shqiptarëve”, duke i cilësuar përpjekjet e autoriteteve dhe të shqiptarëve të thjeshtë për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri, si një “trashëgimi qytetërimi dhe një mësim për brezat e ardhëshëm”.  Ajo përmendi veçanërisht rolin e ambasadës shqiptare në Berlin, e cila tha ambasadorja Kadare, në atë kohë, lëshonte viza për hebrenjtë e kërcënuar nga cilido vend evropian qoftë, gjë që mundësonte largimin e tyre për në vende të sigurta për ta, përfshir edhe Shqipërinë.

Mund të jem gabim, por është hera e parë që dëgjoj një zyrtar/e të Shqipërisë post-komuniste që pranon, duke përmendur rolin që ka luajtur qeveria shqiptare, ministra dhe përpjekjet e autoriteteve të asaj qeverie në atë kohë, për të bërë ç’mos që të shpëtonin hebrenjtë nga likuidimi fizik, roli i të cilëve ende konsiderohet, zyrtarisht, si një tabu në Shqipëri.  Është meritë e ambasadores Kadare që të pakën përemendi  megjithëse tërthorazi, por publikisht, këtë të vërtetë historike.  Është kjo një temë që nuk duhet harruar por duhet kujtuar roli dhe përpjekjet e autoriteteve shqiptare të asaj periudhe, për hir së vërtetës historike, por edhe si një “trashëgimi e qytetërimit dhe si një mësim për brezat e ardhëshëm”, siç u shpreh ambasadorja Kadare.  https://telegraf.al/analize/frank-shkreli-pse-nuk-e-permendet-roli-unik-i-kol-bib-mirakes-per-shpetimin-e-hebrenjeve/

Kemi të bëjmë me njerëz guximtarë e trima, me personalitete shqiptare të cilët megjithëse shërbenin në një qeveri mike me Gjermaninë naziste të asaj kohe — për shpëtimin e hebrenjve, ata jo vetëm që rrezikuan pozitat që kishin, por mund të rrezikonin edhe jetën gjatë Hollokaustit, si rezultat i përpjekjeve tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit dua të përmend përpjekjet e Ernest Koliqit dhe të At Gjergj Fishtës për të shpëtuar jetën e Norbert Joklit, albanologut të njohur austriak, me origjinë hebraike, që konsiderohet edhe si njëri prej themeluesve të albanalogjisë modern.  Ai vdiq në muajin Maj të vitit 1942, nën rrethana ende të panjohura, pasi kishte marrë urdhër nga nazistët që të largohej nga Vjena brenda 30 ditësh.  Si albanolog i njohur, Norbert Jokli gëzonte miqësi dhe mbante lidhje të ngushta me intelektualët më të njohur shqiptarë të kohës, si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, e shumë të tjerë.  Thuhet se Jokli ishte admirues i madh, ndër të tjerë i Fishtës, Konicës, Naimit, por edhe i traditës bektashiane.  Në shënimet e rreth tij, thuhet se ai njihte mirë veprat e Jeronim De Radës dhe ishte simpatizues i Koliqit dhe i Dom Lazër Shantojës, publicistit dhe përkthyesit të veprave të shkrimtarëve të mëdhej gjermanë, priftit të parë katolik i vrarë nga një skuadër pushkatimi e regjimit të Enver Hoxhës, në Mars të vitit 1945.  Thuhet se Norbert Jokli vizitoi vetëm njëherë Shqipërinë, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, me ç’rast u prit me nderime të mëdha dhe iu akordua çmimi i lartë kombëtar “Urdhni i Skenderbeut”. 

Ernest Koliqi, ish-Ministër i Arsimit ka përshkruar në revistën Shëjzat 1-4 dhe 5-8 të vitit 1972, shkurtazi, përpjekjet e autoriteteve të atëhershme shqiptare për të shpëtuar Albanologun e njohur Norbert Joklin, nga “fati mizuer që ia këputi jetën”, siç shprehet Profesor Koliqi.  Si një provë të këtyre përpjekjeve nga ana e tij dhe të tjerëve për të shpëtuar jetën e Joklit, ai ka botuar letrën origjinale të Ministrisë së Arsimit që ai kryesonte dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim për t’a sjellur në Shqipëri për t’i shpëtuar atij jetën nga nazistët që i ishin venë pas, Norbert Jokli emërohet nga Ministria e Arsimit në detyrën si “Organizatuer të Bibliotekave Shqiptare me 6 tetuer, 1941”, me qëllim për ta larguar atë nga Vjena për në Shqipëri, për t’i shpëtuar jetën nga nazistët.  Mjerisht, shënon Profesor Koliqi, ky emrim i marrur nga autoritetet shqiptare me qëllim për t’ia kursyer albanologut të madh vuajtjet dhe mbarimin tragjik, nuk solli rezultatin e dëshiruar.  Por kjo tregon, shkruan Koliqi se, “Për mik, simbas zakonit shqiptar, edhe qeveria e asokohëshme e vendit tonë nuk dreshti me ia hy nji pune që mund të acaronte marrëdhëniet me ndonji prej autoriteteve të fuqishme”, të asaj kohe.

Ndërkaq, ndër të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës, përfshir Lasgush Poradecin e të tjerë që ishin angazhuar për të shpëtuar jetën e albanologut të njohur duke dashur ta strehonin atë në Shqipëri — ishte edhe At Gjergj Fishta, i cili në një letër të datës 23 Shtator, 1939 drejtuar ish ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Franceso Jakomonit, i propozon atij që  mundësonte që të sillej në Shqipëri, “Ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë, Profesor Norbert Jokli, me kombsi çfute, që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e profesor gjuhsije në të njajtin universitet. Tashti, më shkruen prej Vjenet, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem që të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut”, njofton Gjergj Fishta Jakomonin

Fishta i shkruan Jakominit se do të ishte fatkeqësi për gjuhën kombëtare shqipe nëqoftse Norbert Jokli detyrohet të braktisi Evropën dhe i bën thirrje zyrtarit të lartë italian, “në emën të t’ gjithë intelektualëve shqiptarë”, që të marrë, “në konsideratë dashamirse këtë propozimin tem” ashtuqë “Shkelqësia e Juej të mundet me gjetë mundsinë e t’a bajnë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitim prues, megjithate të pershtatshëm për famën e tij si shkenctar e gjuhëtar i shquem”, përfundon At Gjergj Fishta letrën, dërguar Francesco Jakomonit, në përpjekje për të shpëtuar jetën e mikut të tij të ngushtë, Norbert Joklit. 

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit, me përvujtëni kujtojmë njërin prej më të mëdhejve albanologë, Norbert Joklin dhe miqtë e tij të kohës — ndër më të mëdhejt intelektualë shqiptarë — të cilët megjithë rreziqet që mund tu kanoseshin, megjithse u munduan ta ndihmonin, fatkeqsisht, nuk ia dolën ta strehonin atë në Shqipëri dhe as t’ia shpëtonin jetën e mikut të tyre të shtrenjtë dhe dashamirsit të madh të fisit shqiptar.  

Për hir të vërtetës historike, kujtojmë e nuk harrojmë, por edhe falënderojmë shqiptarët e rendomtë dhe autoritetet shqiptare të asaj kohe për guyimin dhe kurajon e tre civile, përbalalë rreziqeve.  Kujtojmë veçanërisht, Norbert Joklin, këtë dashamirës të fisit shqiptar, për jetën dhe veprën e tij kushtuar gjuhës dhe kulturës dhe historisë së fisit të lashtë shqiptar.

Kujtojmë dhe falënderojmë së bashku me Drejtorin e Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris, i cili në deklaratën që bëri dje me rastin e Ditës Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit u shpreh se, “Ne kujtojmë guximin e Danimarkës, por edhe të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Finlandës, për përpjekjet e tyre të jashtzakonshme në mbrojtje të komuniteteve të tyre hebraike.  Ne kujtojmë shembullin e mijëra Personave të Drejtë, të cilët rrezikuan edhe jetën e tyre, ashtuqë të tjerët të mund jetonin”, ka thënë në deklaratën e tij Drejtori i Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris, 

Frank Shkreli

                               

                               Profesori dhe albanalogu austriak Norbert Jokl

      Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së, Besiana Kadare

Filed Under: Analiza Tagged With: Fishta, Frank shkreli, Koliqi, Robert Jokel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT