• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

70-VJETORI I DEKLARATËS UNIVERSALE MBI TË DREJTAT E NJERIUT

June 20, 2018 by dgreca

2 Franku

Nga Frank Shkreli/

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënon çdo vit më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, ditë kjo e cila kujton datën kur Asamblea e Përgjithshme e OKB-ës ka miratuar në vitin 1948 Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, duke shpallur se parimet e kësaj deklarate janë “Standarde të përbashkëta për t’u realizuar nga të gjithë popujt dhe nga të gjitha kombet.”  Kjo deklaratë në tërësi, ndoshta si asnjë marrveshje tjetër ndërkombëtare, potencon se të gjithë njerëzit pa dallim, kanë lindur të lirë, në dinjitet, me të drejta dhe liri të barabarta — një ide kjo që në sipërfaqe duket e thjesht, por është radikale në kuptimin dhe zbatimin e saj.  Ky vit pra, shënon 70-vjetorin e kësaj deklarate të miratuar nga Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 Dhjetor, 1948, në Paris.  Gjatë këtij përvjetori, OKB-ja po shqyrton ndikimin e këtij dokument të rëndësishëm në historinë njerëzore dhe në jetën e përditëshme të njerëzve, anë e mbanë botës.

Sipas OKB-ës, lëvizja për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka shënuar përparime të dukshme gjatë 70-viteve të kaluara, por, fatkeqsisht, abuzimet me të të drejtat e njeriut vazhdojnë me një ritëm të vazhdueshëm, anë e mbanë botës.  Prandaj, ky përvjetor i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, është një rast i mirë, jo vetëm për të lartësuar sukeseset e arritura, por edhe për t’u angazhuar rishtas ndaj respektimit dhe zbatimit të parimeve të përmbledhura në 30 artikujt e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut. Ashtu siç thuhet në parathënien e këtij dokumenti, “Njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqës në botë”.

Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut na jep të drejtë, secilit prej nesh, jo vetëm që të mbrojmë të drejtat tona njerëzore, por edhe të drejtat e të tjerëve. Si  një frymëzim për të mbështetur të drejtat e njeriut për veten dhe për të tjerët, ju sjellim më poshtë, në këtë 70-vjetor, Deklaratën e plotë Universale mbi të Drejtat e Njeriut, si një dokument i gjallë, sa universal për nga hapësira, aq edhe i rëndësishëm për çdo individ dhe shoqëri – njëkohësisht, sipas OKB-ës, edhe dokumenti më i përkëthyer në botë, në më shumë se 500-gjuhë të ndryshme.

deklarataunivZonja Eleanor Roosevelt (bashkshortja e ish-Presidenti Franklin D. Roosevelt),njëkohsisht edhe kryetarja e Komisionit që përpiloi dokumentin në fjalë, mban pllakatën e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut–UN Photo (1949).Ashtu si gjatë viteve, OKB-eja u ka bërë thirrje të gjithë popujve dhe shteteve anëtare të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre për zbatimin e këtyre të drejtave, jo vetëm në këtë 70-vjetor të miratimit të Deklaratës, por edhe në përvjetore të tjera, për të gjithë njerëzit pa dallim dhe për 365 ditët e vitit.  Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë gjatë më shumë se një gjysëm shekulli, ç’prej miratimit të saj më 10 dhjetor, 1948 — diskrediton tiranitë e sotëme dhe ato të shekullit të kaluar që i kanë shkelur brutalisht këto të të drejta, si komunizmin dhe fashizmin, si dhe diskriminimet, krimet dhe abuzimin e këtyre të drejtave ndaj personave ose grupe personash, sepse vetëm e vetëm, nuk pajtoheshin me këto ideologji.

Bota shqiptare, fatkeqsisht nuk dallohet shumë për kujtimin e përvjetorëve të tillë të datave ndërkombëtare në mbështetje të drejtave të njeriut. Por, nëqoftëse autoritetet, si në Shqipëri ashtu edhe në Republikën e Kosovës, përfillin thirrjen e OKB-ës për të shënuar, jo vetëm këtë përvjetor, por edhe për të promovuar çdo ditë të vitit këto të drejta bazë të njeriut “për të gjithë dhe përgjithmonë” dhe pa dallim – atëherë, ky përvjetor duhet të shikohet jo vetëm nga realiteti i sotëm, por edhe nga një perspektivë historike e së kaluarës.Fryma e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, duhet të frymëzojë në këtë 70-vjetor të miratimit të saj, promovimin e këtyre të drejtave sot, por duhet të shërbejë edhe si një rast për të kujtuar gjithashtu shkeljet dhe dhunën serioze ndaj këtyre të drejtave bazë të njeriut ndaj mijëra viktimave shqiptare të regjimeve shtypëse komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë, ashtuqë të pakën viktimat që janë ende gjallë, më në fund, pas vuajtjeve të shumta, ta ndjejnë veten se janë pjesë e pandarë e shoqërisë shqiptare dhe se të pakën tani 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe pavarësisë së Kosovës, të gëzojnë të drejta të barabarta, dinjitet dhe liri të plotë për veten dhe për familjet e tyre, në krahasim me të tjerët, ashtu siç bëhet thirrje në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut.Trajtimi dhe ndriçimi i këtyre krimeve ndaj këtyre viktimave dhe i shkeljeve të   drejtave të njeriut do të çonte drejtë një shoqërie më të hapur dhe më normale, në pajtim me vetveten dhe me të tjerët. Mos trajtimi dhe mos zbardhja e kësaj historie tragjike gjysëm shekullore për shoqërinë shqiptare vazhdon ta mbajë atë në një ngërç konfliktesh politike dhe ekonomike deri në ditët e sotëme.  Është e nevojshme që trajtimi i krimeve të regjimit komunist dhe krimet kundër shqiptarëve në trojet e veta në përgjithësi — nga pikëpamja e shkeljes së të drejtave bazë të njeriut — të konsiderohet brënda kontekstit të këtyre parimeve dhe të drejtave universale të Deklaratës mbi të Drejtat e Njeriut. Një gjë e tillë do t’i shërbente jo vetëm të vërtetës historike, por edhe lartësimit të nderit dhe interesit kombëtar të shqiptarëve.  Le të jetë ky një angazhim nga të gjithë pa dallim — në këtë 70-vjetor të miratimit të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut.

Sepse, siç është shprehur edhe Eleanor Roosvelt, “Në fund të fundit, ku fillon zbatimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut? Në vende të vogëla dhe në hapësirën ku jetojmë, e të cilat mund të jenë aq të vogëla sa që nuk mund të dallohen as në ndonjë hartë të botës. Nëqoftse këto të drejta nuk kanë ndonjë domethënje dhe rëndësi atje ku jetojmë, atëherë ato nuk kanë rëndësi askund tjetër.  Pa një angazhim të përbashkët të qytetarëve, në mbështetje dhe në mbrojtje të këtyre të drejtave njerëzore aty në rrethin ku jetojnë ata, atëherë presim më kot që këto të drejta universale të njeriut të zbatohen në botën më të gjërë”,ka theksuar Eleanor Roosevelt.

 

***
Më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, tekstin e plotë të së cilës po e botojme në faqet që vijojnë. Mbas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

1 deklarata70

      DEKLARATA E PËRGJITHSHME MBI TË DREJTAT E NJERIUT 

                                                             HYRJE

Mbasi njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqës në botë; mbasi mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut ka çuar drejt akteve barbare, të cilat kanë ofenduar ndërgjegjen e njerëzimit, dhe mbasi krijimi i botës në të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës, të besimit dhe lirinë nga frika e skamja është proklamuar si dëshira më e lartë e çdo njeriu;

mbasi është e nevojshme që të drejtat e njeriut të mbrohen me dispozita juridike, kështu që njeriu të mos jetë i shtrënguar që në pikën e fundit t’i përvishet kryengritjes kundër tiranisë dhe shtypjes;

mbasi është e nevojshme që të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis kombeve;

mbasi popujt e Kombeve të Bashkuara vërtetuan përsëri në Kartë besimin e tyre në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerën e personit të njeriut dhe barazinë midis burrave dhe grave dhe mbasi vendosën që të nxitin përparimin shoqëror dhe të përmirësojnë nivelin e jetës në liri të plotë;

mbasi shtetet anëtare u detyruan që, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, të sigurojnë respektimin e përgjithshëm dhe zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore;

mbasi kuptimi i përbashkët i këtyre të drejtave dhe lirive është më i rëndësishëm për realizimin e plotë të këtij detyrimi:

Nenet e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut

Neni 1. Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi.

Neni 2. Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjindet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit.

Neni 3. Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak.

Neni 4. Asnjeri nuk duhet të mbahet si skllav ose çifçi; skllavëria dhe tregtia e skllevërve janë të ndaluara në të gjitha format.

Neni 5. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit, veprimit ose dënimit të egër, jonjerëzor ose poshtërues.

Neni 6. Gjithkush ka të drejtë që t’i njihet kudo personaliteti juridik.

Neni 7. Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë pa asnjë diskriminim të mbrohen barabar nga ligji. Të gjithë kanë të drejtën për t’u mbrojtur barabar kundër çdo diskriminimi që cënon këtë Deklaratë, si dhe kundër çdo nxitje për një diskriminim të tillë.

Neni 8. Gjithkush ka të drejtë për mjete juridike të frytshme para gjykatave kompetente kombëtare për veprimet me të cilat shkelen të drejtat themelore të garantuara nga kushtetuta ose ligjet.

Neni 9. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit.

Neni 10. Gjithkush gëzon njëlloj të drejtën për një proces gjyqësor objektiv e publik para një gjykate të pavarur e të paanshme, në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të veta dhe për vendimin mbi çfarëdo lloj akuze penale.

Neni 11. Kushdo që është i akuzuar për një vepër penale ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajsia në bazë të ligjit dhe në një proces publik në të cilin ka pasur të gjitha garancitë e duhura për mbrojtjen e vet.

Asnjeri nuk duhet të dënohet për veprime ose mosveprime të cilat nuk përbëjnë një vepër penale, sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, në kohën kur janë kryer. Gjithashtu nuk mund të vendoset një dënim më i rëndë nga ai që ka qenë zbatuar në kohën kur është kryer vepra penale.

Neni 12. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën, familjen, banesën ose korrespondencën vetjake, si dhe sulmeve kundër nderit dhe prestigjit personal. Gjithkush ka të drejtën të mbrohet nga ligji kundër ndërhyrjeve ose sulmeve të tilla.

Neni 13. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti.

Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë këtu edhe të vetin, si dhe të kthehet në vendin e vet.

Neni 14. Gjithkush ka të drejtë të kërkojë dhe gëzoje në vende të tjera azil nga ndjekjet. Këtë të drejtë nuk mund ta gëzojë askush në rast se ndiqet për krime jopolitike ose për vepra në kundërshtim me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara.

Neni 15. Gjithkush ka të drejtën e një shtetësie.

Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga shtetësia e tij si dhe as nga e drejta që të ndërrojë shtetësinë.

Neni 16. Burrat dhe gratë në moshë të pjekur kanë të drejtë të lidhin martesë dhe formojnë familje, pa kurrfarë kufizimi për sa i përket racës, shtetësisë ose besimit. Ata kanë të drejta të barabarta si në rastin e lidhjes së martesës, gjatë martesës si dhe në rast shkurorëzimi.

Martesa duhet të lidhet vetëm me pëlqimin plotësisht të lirë të personave që do të martohen. Familja është bërthama e natyrshme dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtën e mbrojtjes nga shoqëria dhe shteti.

Neni 17. Gjithkush ka të drejtën të ketë pasuri, si vetëm ashtu edhe në bashkësi me të tjerët. Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij.

Neni 18. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare.

Neni 19. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë.

Neni 20. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mbledhjes dhe bashkimit paqësor.

Asnjeri nuk duhet të detyrohet të bëjë pjesë në ndonjë bashkim.

Neni 21. Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet, drejtpërdrejt ose me anë të përfaqsuesve të zgjedhur lirisht.

Gjithkush ka njëlloj të drejtë të hyjë në shërbimet publike në vendin e vet.

Vullneti i popullit është baza e pushtetit shtetëror; ky vullnet duhet të shprehet në zgjedhje periodike dhe të lira të cilat duhet të jenë të përgjithshme dhe votimi i barabartë, si dhe me votim të fshehtë ose sipas procedurës përkatëse të votimit të lirë.

Neni 22. Si anëtar i shoqërisë, gjithkush ka të drejtën e sigurimit shoqëror dhe realizimit të të drejtave ekonomike, sociale, kulturore të domosdoshme për dinjitetin e vet dhe për zhvillimin e lirë të personalitetit, me ndihmën e shtetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përputhje me organizimin dhe mundësitë e çdo shteti.

Neni 23. Gjithkush ka të drejtën për punë, të zgjedhë lirisht profesionin, të ketë kushte të favorshme pune dhe të jetë i mbrojtur nga papunësia.

Gjithkush, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që për punë të njëjtë të marrë rrogë të njëjtë. Gjithkush që punon ka të drejtën për një shpërblim të drejtë dhe favorshëm, në mënyrë që t’i sigurojë atij dhe familjes së tij një jetë që i përgjigjet dinjitetit njerëzor dhe, në qoftë se do të jetë e nevojshme ky shpërblim të plotësohet edhe me mjete të tjera të sigurimit shoqëror.

Gjithkush ka të drejtë të formojë sindikatë dhe të bëjë pjesë në të për mbrojtjen e interesave të veta.

Neni 24. Gjithkush ka të drejtë për pushim dhe kohë të lirë, duke përfshirë kufizimin e arsyeshëm të orarit të punës dhe pushimin e paguar periodik.

Neni 25. Gjithkush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm i cili t’i përgjigjet shëndetit dhe jetës së përshtatshme si të atij personalisht, ashtu edhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjeksor dhe shërbimet e nevojshme sociale, si edhe të drejtën për të qenë i siguruar në rast sëmundjeje, papunësie, vejanie, pleqërie dhe raste të tjera të humbjeve të mjeteve për jetesë për shkak të rrethanave të pavarura nga vullneti i tij.

Nënat dhe fëmijët kanë nevojë për kujdes dhe ndihmë të posaçme. Të gjithë fëmijët, të lindur brenda ose jashtë martese, gëzojnë të njëjtat mbrojtje sociale.

Neni 26. Gjithkush ka të drejtën e shkollimit. Arsimi duhet të jetë falas, të paktën në shkollat fillore dhe të ulta. Arsimi fillor është i detyrueshëm. Arsimi teknik dhe profesional duhet të zgjerohet e arsimi i lartë duhet t’u bëhet i mundshëm të gjithëve në bazë të aftësisë.

Arsimi duhet të drejtohet nga zhvillimi i plotë i personalitetit të njeriut dhe nga forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ai duhet të nxisë kuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjithë popujve, grupeve të racave dhe besimeve, si dhe veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes.

Të drejtën për të zgjedhur llojin e arsimit për fëmijët e tyre e kanë në rradhë të parë prindërit.

Neni 27. Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore të bashkësisë, të gëzojë artet dhe të përfitojë nga përparimi shkencor dhe dobitë e tij.

Gjithkush ka të drejtë të mbrojë interesat morale dhe materiale, që rrjedhin nga çdo krijimtari shkencore, letrare dhe artistike, autor i të cilave është ai vetë.

Neni 28. Gjithkush ka të drejtë për një rend shoqëror dhe ndërkombëtar në të cilin mund të realizohen plotësisht të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë.

Neni 29. Gjithkush ka detyrime vetëm ndaj asaj bashkësie në të cilën është i mundur zhvillimi i lirë dhe i plotë i personalitetit të tij. Në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të veta, gjithkush do t’u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve të cilat janë parashikuar me ligj, ekskluzivisht me qëllim që të sigurohet njohja dhe respektimi i nevojshëm i të drejtave dhe lirive të të tjerëve e që të plotësohen kërkesat e drejta të moralit, rendit publik dhe mirëqenies së përgjithshme në shoqërinë demokratike. (3)Këto të drejta dhe liri nuk mund të zbatohen në asnjë rast kundër qëllimeve dhe parimeve të Kombeve të Bashkuara.

Neni 30. Asgjë në këtë Deklaratë nuk mund të interpretohet si e drejtë e një shteti, grupi apo personi për të kryer çfarëdo veprimtarie ose për të bërë një akt drejtuar kundër çdo të drejte ose lirie të shpallur në këtë Deklaratë. (Burimi: Marrë nga United Nations Department of Public Information, NY)

 

Filed Under: Histori Tagged With: 70 vjetori, Frank shkreli, I DEKLARATËS UNIVERSALE MBI, te drejtat e Njeriut

PËRSËRI ANASHKALOHET SHQIPËRIA

June 18, 2018 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi të shtunën se Ndihmës Sekretari Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell, filloi të djelën një vizitë prej pothuaj një jave në Evropë. Në njoftimin e DASH thuhet se kësaj radhe, Ndihmës Sekretari i Shtetit do të ndalet në Bukuresht të Romanisë ku pritet të takohet me udhëheqës të lartë të vendit dhe me analistë të pavarur për të diskutuar mbi sigurimin rajonal dhe për bashkpunimin ekonomik.  Gjatë qëndrimit të tij në Rumani, zyrtari i lartë amerikan për punët evropiane do të kryesojë delegacioni amerikan I cili po merr pjesë në Dialogun e gjashtë amerikano-rumun dhe do të mbajë një fjalim në Universitetin e Bukureshtit.  Pas Bukureshtit, diplomati i lartë amerikan Wes Mitchell do të vizitojë Zagrebin ku do të takohet me 19 qershor me zrytarët  më të lartë kroatë për të biseduar me ta mbi zhvillimete fundit në Kroaci dhe në rajon, duke përfshirë, sipas njoftimit të DASH edhe stabilitetin në rajon dhe sigurinë energjetike.

Nga Kroacia, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë do të niset për në Pragë për të marrë pjesë në Dialogun Strategjik-amerikano-çek dhe do të mbajë një fjalim të sponsorizuar nga Samiti Evropian i Pragës dhe Instituti Globsec. Në vazhdim të vizitës së tij në Evropë, diplomati i lartë amerikan do të shkojë në Bruksel ku përveç takimit me Zevëndës Kryeministrin belg, Alexander De Croo, pritet të diskutojë me zyrtarët e lartë evropian, bashkpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe të mbajë një fjalim në Institutin Carnegie të Evropës, para se të këthehet në Washington.  Një vizitë në Shqipëri nuk pasqyrohet në itinerarin e vizitës në rajon të zyrtarit më të lartë amerikan për Evropën dhe Euroazinë.

Marsin që kaloi, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell, si i ri në këtë detyrë, zhvilloi vizitën e tij të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke vizituar me atë rast, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë dhe Qipron.  Në Prishtinë, zyrtari i lartë amerikan zhvilloi takime me zyrtarë të laartë të Republikës së Kosovës, përfshirë Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe me përfaqsues të tjerë politikë dhe të shoqërisë civile të Kosovës, ku u bisedua për marrëdhëniet e ngushta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, për forcimin e sundimit të ligjit, rritjen ekonomike, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për tejkalimin e sfidave rajonale që do të bëjë të mundur stabilitetin dhe integrimin në organizmat perëndimore.  Edhe kësaj radhe Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell nuk vizitoi Shqipërinë, megjithëse ishte si të thuash aty në mahallë.

Diplomati i lartë amerikan për çështjet evropiane dhe aziatike as në vizitën e tij të parë në Evropë, nëntorin e vitit të kaluar, nuk e kishte në shënjestër Shqipërinë duke e anashkaluar edhe me atë rast Tiranën, megjithëse vizita e tij ishte kryesisht në kryeqytetet e mëdha evropiane, si Parisi, Londra, Berlini, Vrashava e Kievi, qëllimi i të cilës ishte që të ritheksohej angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës transatlantike dhe ndaj partneritetit amerikano-evropian, nga administrata e Presidentit Trump.

Kuptohet që gjatë kësaj vizite të kryediplomatit amerikan për punët evropiane dhe euro-aziatike në vendet kryesore aleate të Amerikës, të mos përfshihej vizita e tij në Shqipëri, por është pak e vështirë të kuptohet ose të arsyetohet se pse është anashkaluar Shqipëria dy herë gjatë vizitave të këtij diplomati, në rajonin e Ballkanit perëndimor.

A po ndodhë diçka në Shqipëri që po tundë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë duke afektuar kështu negativisht edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikano?  Është e pamundur të mos bëhet pyetja se pse po anashkalohet Shqipëria nga vizita të tilla të zyrtarëve të lartë amerikanë, sidomos kur janë aty për vizita zyrtare në Ballkanin Perëndimor, duke vizituar vendet kufitare me Shqipërinë?  Anashkalimi i Shqipërisë është krejt në kundërshtim me vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë që po ndodhin në rajon dhe i pa shpjegueshëm.  Është një “hap pele”, siç thotë fjala popullore, nga Prishtina, Shkupi ose Athina, por edhe nga Beogradi e Zagrebi, për të shkuar në Tiranë, por duket se është një anashkalim i qëllimshëm.

Duhet bërë gjithashtu pyetja se ndonëse anashkalimi i Shqipërisë nga vizitorë të lartë amerikanë si Dr. Wes Mitchell është i dukëshëm ose më mire të themi është i qartë, është më pak e qartë se cila është arsyeja ose arsyetë që shkaktojnë një anashkalim të tillë?

Këto janë pyetje që duhet të bëhen nga të gjithë ata të cilëve u interesojnë marrëdhëniet e mira midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe për të gjithë ne të cilët kemi shfaqur shqetësim me kohë se diçka nuk po shkon mirë në këto marrëdhënie.  Marrëdhëniet e ngrira midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë nuk janë në interesin afat gjatë të Shqipërisë, të shqiptarëve në përgjithësi dhe as të paqës dhe sigurisë në rajon.  Nëse zhvillimi normal i këtyre marrëdhënieve po preket negativisht nga flirtimet me influenca të huaja, siç janë Turqia, Rusia dhe Kina, ose nga gjëndja e mbrendshme politike në Shqipëri, ie. nga trafikimi i drogës, nga krimi i organizuar e korrupsioni, nga mungesa e sundimit të ligjit, ose nga vet marrëdhëniet personale (ose mungesa e tyre) të udhëheqsve më të lartë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, kjo mbetet për t’u parë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Anashkalohet Shqiperia, Frank shkreli, Ndihmës Sekretari Shtetit për Evropën, vizita

GJERGJ KASTRIOT SKENDERBEU SIPAS XHEVAT KALLAJXHI

June 14, 2018 by dgreca

1 Kallajxhiu Skenderbeu ok

ME RASTIN E 550-VJETORIT TË GJERGJ KASTRIOTIT-SKENDERBE/

Frank.JPG

Nga Frank Shkreli/

Para disa ditësh isha duke hapur një kuti me libra të vjetra dhe gjeta një dorëshkrim me një dedikim të posaçëm nga autori — mbi Gjergj Kastriotin-Skenderbe, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar, shkruar nga i ndjeri Xhevat Kallajxhiu, një ish-koleg me të cilin kam punuar në Zërin e Amerikës për disa vjet gjatë ’70-ave dhe ish-Kryeredaktor i gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra.  Dorëshkrimi i titulluar thjeshtë “SKENDERBEU”, është një vepër e thjeshtë siç e cilëson edhe vet autori, “bazuar në fakte historike dhe në legjenda”,e shkruar nga fundi i verës së vitit 1967 dhe botuar në atë kohë, pjesë pjesë, në gazetën Dielli.  Xhevati e kishte shkruar këtë broshurë prej mbi 50-faqesh, sipas tij, si “Një kontribut të vogël në përpjekjen e madhe që bënë  shqiptarët kudo për të përkujtuar 500-vjetorin e vdekjes së Skenderbeut.”

Në parathënien e broshurës autori i referohet vitit 1968, si viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe përmendë një numër të madh veprimtarishë nga shqiptarët në mërgim, “Në kujtim të Fatosit të paharruar të Kombit”, shkruan Xhevat Kallajxhiu.  Ai shënon se gjatë vitit 1968 janë botuar një numër studimesh, librash dhe dokumentash, në shqip dhe gjuhë të huaja, mbi jetën dhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit-Skendërbe.  Në Amerikë dhe në botën perëndimore kudo që kishte shqiptarë, sipas autorit, u mbajtën mbledhje të posaçme, në të cilat u paraqitën kumtesa shkencore-historike.  Revistat dhe gazetat e shqiptarëve të mërguar në botën e lirë, kishin botuar edicione të posaçme mbi Krye-Heroin e tyre, duke e përkujtuar në mënyrë madhështore vdekjen e Skenderbeut, ashtu siç e meriton Heroi i Pavdekur i Kombit Shqiptar, ka theksuar ai.  Veçanërisht, autori Xhevat Kallajxhi, thekson manifestimet e shumta në Vatikan dhe në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, ku morën pjesë arbëreshë të Italisë dhe shqiptarë të mërguar në botën e lirë, përfshirë një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, të cilët me atë rast, gjatë qëndrimit të tyre në Romë, ishin pritur në audiencë edhe nga Papa Pali i VI. Autori sjellë përshëndetjen e Papës drejtuar shqiptarëve, me fjalët: “Bij fort të dashtun Shqiptarë! Po ju sjellim juve një mirëseardhje të veçantë, mbasi jemi mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbet, Fatosit të Kombit tuaj e të Krishtërimit, pranë kësaj Selije Apostolike, të cilën mund ta quani si shtëpinë tuaj. Na po ju shohim me kënaqësi, sepse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë rast është shpirti i hershëm i fisit tuaj, i cili gjithnjë, për mbi çdo interes, ka venë vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit dhe të Burrerisë”.  Këto tri fjalë, Papa Pali i VI i ka thënë në gjuhën shqipe, shënon autori Xhevat Kallajxhiu në dorëshkrimin e tij.

Në këtë përkujtim të madh të shqiptarëve 50-vjet më parë, hynë edhe kjo vepër e vogël dhe e thjeshtë, në të cilën, përveç vdekjes së Skenderbeut, përshkruhen shkurtimisht edhe disa ngjarje kryesore që u zhvilluan nga 17 Janari 1468 – dita në të cilën Fatosi i Kombit dha frymën e fundit në Lezhë – e deri më 28 Nëndor 1912 kur populli shqiptar shpalli përsëri Pavarësinë Kombëtare në Vlorë.

Autori e fillon tregimin historik me sëmundjen që shkaktoi vdekjen e Gjergj Kastriotit në Janar të vitit 1468 dhe me pikëllimet që pasuan, si përfundim i zhdukjes së Kryetrimit të shqiptarëve, në radhët e bashkpuntorëve më të ngushtë të Skendërbeut dhe në popullësinë e thjeshtë.

Luani i Kombit vuan tmerësisht, por nuk mposhtet përpara hijes së vdekjes në çastet e fundit të jetës së tij. Megjithkëtë,  shkruan Kallajxhiu në tregimin e tij historik, Gjergj Kastrioti Skenderbe e merr veten dhe me frymën e fundit u drejtohet  princëve dhe kapedanëve me këto fjalë:

“Ej trima, mos e humbni burrërinë, se vdekjen borxh e kemi. Mbani lartë zemrat si kurdoherë dhe prëballojeni të keqen me guxim dhe gjakftohësi. Ju lë porosi të jeni të bashkuar — dhe amanet Shqipërinë. Luftoni për të si gjithmonë dhe mbrojeni nga sulmet e armikut deri në pikën e fundit të gjakut tuaj…Mos t’ju dhimbet jeta për Atdhe dhe për liri, se s’ka vdekje më të ëmbël se vdekja për to. Mua nuk më frikëson vdekja, por më vjen keq që e mabroj jetën në këtë shtrat dhe jo në fushën e betejës me shpatë në dorë. Ju priftë e mbara dhe Zoti qoftë gjithmonë me ju”, ishte porosia e Gjergjit drejtuar princëve dhe popllit që e kishin rrethuar.

Autori përshkruan atmosferën, pas vdekjes së Skendërbeut, në çdo qytet, fshat  shtëpi dhe kasolle të Shqipërisë së asaj kohe, ku nuk dëgjohej gjë tjetër veç vaj, dhe sjellë një vajtim tradicional të grave të Labërisë kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbe:

“Ç’u nxi jeta u bë sterrë

Vaj për Shqipërinë e mjerë.

Jetim na mbeti Atdheu

Tash që na la Skënderbeu,

Mynxirë e madhe na gjeti,

Mjer Arbëria, mjer mileti….”

Këtë hidhërim mbarë kombëtar për vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skendërbe, në vepren e tij, “Skenderbeu”, Xhevat Kallajxhiu e pasqyron edhe me fjalimin që mbajti Lekë Dukagjini, në varrimin e Heroit Kombëtar, në emër të princërve dhe kapedanëve të Arbrit: “Shpirti im është aq i tronditur sa është edhe shpirti juaj dhe i gjithë shqiptarëve. Nuk gjejë fjalë të përshtatëshme për të shprehur hidhërimin e thellë për këtë tragjedi që ka mbuluar kombin tonë. Sot kemi fatin e zi të varrosim burrin më të madh që lindi raca arbënore, pas shumë shekujsh…Tani kemi një barrë të rëndë dhe nuk di nëse do ia dalim mbanë, por ajo që varet nga dora jonë është që të veprojmë sipas porosive të Prijësit tonë të paharruar: të qëndrojmë të bashkuar dhe të vazhdojmë të mbrojmë Atdheun dhe lirinë.  Ky është nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të Skendërbeut, fryma e të cilit duhet të na udhëheq edhe tani që është i vdekur. Ky është edhe misioni më i lartë që mund të kryejmë përkundrejt Atdheut dhe popullit tonë. Zoti na ndihmoftë”, ishin fjalët e Lekë Dukagjinit në varrimin e Skenderbeut, sipas autorit.

Ai shkruan se pas vdekjes së Skenderbeut, Shqipëria hyri në një periudhë të errët, ndoshta më të errët në historinë e saj. Duke cituar Fan Nolin, i cili ka shkruar: “Në kohën kur Evropa dilte nga Koha e Mesme dhe hynte në Rilindjen e Qytetërisë, Shqipëria shuhej nga lista e shteteve të lira dhe hynte në zgjedhën e urryer të një fuqie barbare, nën të cilën vuajti  më tepër se katër shekuj. Vendi i shkretua fare. Tregëtia u venit. Qytetëria u shua. Çdo lidhje me Evroppn u pre…”.

Megjithë këtë periudhë të errët, siç e cilëson Fan Noli, Xhevat Kallajxhiu shkruan se përpjekjet e Shqiptarëve për liri, si në veri ashtu edhe në jug, filluan më në fund të jepnin fruta për realizimin e endërrës së shqiptarëve për një shtet të pavarur. “Pas 500-vjetë robërie, Flamuri i Skendërbeut filloi të valojë përsëri i lirë në qiellin e Shqipërisë. Simbol i Gjergj Kastriotit, që kishte mbetur i fshehur për pesë shekuj në zemrat e popullit shqiptar, u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 Nëndor, 1912, që koincidoi me datën fatlume të ngritjes së tij në Krujë nga Skenderbeu më 28 Nëndor, 1443”, shkruan autori në fund të dorëshkrimit të tij.  Në përfundimin e dorëshkrimit të tij modest me titull, “Skenderbeu”, shkruar 50-vjetë më parë, e kushtuar 500-vjetorit të të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe, autori Xhevat Kallajxhi është shprehur se, jeta, veprat dhe heroizmat e Skenderbeut janë pavdekësuar jo vetëm në botimet e shumta të shkrimtarëve të huaj, por edhe në botime të zgjedhura të autorëve shqiptarë. “Shqipëria dhe Skendërbeu janë bërë për popullin shqiptar një binom, dy emra të bashkuar në mënyrë të pashqitur me njëri tjetrin”, prandaj, përmbyllur ai dorëshkrimin e tij, ashtu siç e ka vjershëruar edhe patrioti martir i paharruar, Kol Tromara,

“Sa të rrojë gjithësija

Sa të rrojë gjithë dheu

Do të rrojë Shqipërija

Edhe emri Skendërbeu”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Skenderbeu, Xhevat Kallajxhi

ERDHI E SHKOI EDHE 140-VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

June 12, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Në pritje të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 Qershor 2018), muajin që kaloi botova një shkrim modest me titull, “Na ishte një herë Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, ku e kisha filluar artikullin duke theksuar se, viti 2018 është shpallur zyrtarisht, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, si “Viti i Gjergj Kastriotit-Skendërbeu”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes.  Por, që ky vit shënonte gjithashtu edhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke shpresuar se një përvjetor i tillë i rëndësishëm duhej të festohej me një pjesëmarrje mbarëkombëtare dhe me dinjitetin kombëtar që meriton.

Ka kaluar pothuaj gjysma e vitit dedikuar Heroit Kombëtar dhe vihet re se shumë pak, ose pothuaj aspak aktivitete me rëdnësi të jenë shënuar deri tani në kujtim të këtij përvjetori, në trojet shqiptare.  Mund të jem gabim — isha shprehur tre javë më parë — por më duket se për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, hiç e hiç, të pakën deri tani as nuk është përmendur fare.  Duke shpresuar kundër shpresës, kam shkruar se patjetër diçka to të bëhej në mënyrë më të organizuar mbarëkombëtare për të kujtuar me dinjitet dhe ashtu si i ka hije 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor, 2018.

Në të vërtetë, më 10 qershor aty në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit u mbajtë një ceremoni me rastin e 140-vjetorit të saj, ku mori pjesë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i dhënë këtij momenti historik një karakter kombëtar dhe e ngritën në një nivel të merituar me pjesëmarrjen e këtyre dy udhëheqsve të lartë shqiptarë.  Duket se Zotërinjtë Meta dhe Haradinaj bënë aq sa mundën me këtë rast.  Por, në Prizren, ku ishin paraparë të mbaheshin aktivitetet kryesore me këtë rast, mungonin shumë përfaqsues të politikës shqiptare, përfshirë Presidentin e Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama, të cilët e shënuan këtë përvjetor vetëm me nga një përshëndetje të shkurtër në rrjetët sociale.  Fatkeqsisht, organizimi jo i mirë i aktiviteteve të këtij përvjetori në Prizren– për të cilin u ankua vet Kryeministri i Kosovës Haradinaj — lente shumë për t’u dëshiruar.  Aq sa vëmendjen kryesore nga ky aktivitet në Prizren e tërhoqi më shumë se prania dhe fjalimet e dy udhëheqsve të lartë shqiptarë të pranishëm në atë ceremoni, Presidenti Meta dhe Kryeministri Haradinaj — ndërhyrja jashtë programit zyrtar, e një zonje e cila me këmbëngujen e saj, tërhoqi interesimin e medies dhe të publikut, ndërkohë që u përpoq të thonte fjalën e vet me këtë rast, gjë që nevojiti intervenimin e vet Kryeministrit Haradinaj, që ta largonte nga podiumi.

Kisha shkruar muajin e kaluar, se duan e s’duan sot sllavët e turqit, na ishte dikurë (140-vjetë më parë) Lidhja historike Shqiptare e Prizrenit e cila meriton të kujtohet, jo si një relikë nga historia por në mënyrën më dinjitoze, sidomos në këtë kohë të turbulltë tranzicioni nepër të cilën po kalojnë shqiptarët, për t’i treguar botës, se nëqoftse nuk na bashkon asgjë tjetër, atëherë Lidhja e Prizrenit, në këtë 140-vjetor, duhej të shërbente dhe të kujtohej nga të gjithë së bashku, si një pikë referimi për të sotmen dhe për të ardhmen e shqiptarëve.  Kjo fatkeqsisht nuk ndodhi ashtu siç meritonte 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!

Ngjashëm deri diku me situatën e sotëme, ndërkohë që jemi dëshmitarë të lojrave dhe influencave të të huajve mbi fatin e Kombit, autoritetet shqiptare të Lidhjes së Prizrenit 140-vjet më parë, pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve të Kongresit të Berlinit dhe të fuqive të mëdha të kohës, megjithë vështirsitë e shumëta politike dhe ushtarake me të cilat përballeshin, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar për të luftuar në mbrojtje të interesave tokësore të shqiptarëve dhe të interesave të kombit në përgjithësi.  Për tu përballur me sfidat e asaj periudhe, aty kishin marrë pjesë së bashku, përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim — për herë të parë ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe — për të biseduar mbi fatet e Kombit, siç theksoi edhe Presidenti Ilir Meta në fjalën e tij me këtë rast. “Krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastriot –Skënderbeu, shekuj më parë dhe shënonte në vetvete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të Kombit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtet-formim dhe për t’ia bërë ato të ditura të gjithë botës”, ka theksuar Presidenti shqiptar, Z. Ilir Meta në fjalimin e tij në Prizren, me rastin e  140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare.  Ndërsa Kryeminsitri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj u shpreh se, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte frymëzim për të gjitha përpjekjet tona për liri e pavarësi! Me Presidentin shqiptar, Ilir Meta, dhe me bacën Rifat, sot bashkë në përkujtim të 140-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike”.

Edhe mesazhi i atij shkrimi, muajin që kaloi, ishte që të kujtohej kjo ngjarje e madhe historike për Kombin Shqiptar, 140-vjetë më vonë, si një frymëzim edhe për brezat e sotëm dhe të ardhmen të shqiptarëve — me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit, në vend të shfaqjeve të egoizmave politike dhe interesave ekonomike, të klasës aktuale politike të shqiptarëve.  Por, pritshmëritë që kisha një muaj më parë, për një kujtim më dinjitoz mbarëkombëtar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit javën që kaloi, fatkeqsisht më duken sot më tepër si një retorikë e shterpët nga ana ime, se sa një realitet për të cilin mund të ëndërrojmë.

Ia kisha mbushur mendjen vetes se 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sidomos në 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skenderbe, do t’i mblidhte të gjithë burrat e burrëreshat shqiptare nga të gjitha trojet – pa dallim, si dikur motit — për të festuar solemnisht dhe për të kujtuar me entuziazëm, të gjithë së bashku, njërën prej ngjarjeve më me rëndësi të historisë së Kombit.  Me shkrimin e muajit të kaluar, me jehonën që Poeti i Kombit, At Gjergj Fishta i kishte bërë Lidhjes së Prizrenit, kushtuar “Krenëve të Shqyptarisë”, pritsha siç duket më kot, që në 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përfaqsuesit aktual politikë të Kombit shqiptar, të gjithë së bashku, të pakën për një ditë, do linin mënjanë grindjet dhe konfliktet politike – të frymëzuar nga ky përvjetor – do të shpalosnin një ndërgjegje më të pastër kombëtare, pa të cilën tashti është e qartë për të gjithë, se nuk mëkëmbet as Shqipëria as Kosova – veças as të bashkuara.  Pritsha me shpresë se ky vit, kushtuar 550-vjetorit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që erdhi dhe shkoi — në vend të pakënaqësive dhe ndasive politike aktuale — do të na frymëzonte, do të na i ngrohte dhe jo të na i ftohte zemrat dhe shpresat tona për një të ardhme më të mirë dhe më të bashkuar për të gjithë shqiptarët në trojet e veta.

Filed Under: Politike Tagged With: Erdhi dhe iku, Frank shkreli, Lidhja e Prizrenit

VAZHDOJNË IMPONIMET RUSO-TURKE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

June 8, 2018 by dgreca

 “ÇFARË ËSHTË MIRË PËR SERBINË, ËSHTË MIRË PËR RUSINË”/

                                           Nga Frank Shkreli/1 Cari Nikolla II

Ne Foto:Statuja e Carit rus Nikolas II vendosur kohët e fundit në qëndër të Beogradit, përballë presidencës serbe/

Kështu ka deklaruar kohët e fundit ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Çepurin, sipas disa medieve në Kosovë.  Duke folur në Beograd në lidhje me marrëshëniet midis Serbisë dhe Republikës së Kosovës, fund muajin e kaluar, ambasadori rus në Serbi u shpreh se vendi i tij do të përkrahte çdo “zgjidhje”, përfshirë ndarjen e Kosovës, nëse sipas tij, kjo është “ zgjidhja më e mirë për të”, dmth. për Serbinë dhe se për Moskën është, “me rëndësi vetëm zgjidhja e cila ofrohet, të jetë në interes të Serbisë.”  

Ambasadori rus flet duke shprehur qendrimin e shtetit që ai përfaqëson, sikur Republika e Kosovës të ishte një plaçkë për tu ndarë sipas interesave të përbashkëta të plaçkatarëve ruso-serbë.   Çështja e Kosovës është zgjidhur me çlirimin e saj nga forcat e Aleancës Perëndimore, NATO dhe me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. Këtë e ka marrë vesh e gjithë bota, me përjashtim të Moskës dhe Beogradit.  Marrëdhëniet e ngushta midis Rusisë së Putinit dhe Serbisë si dhe deklaratat e përfaqësuesve të dy vendeve, siç është deklarata e kohëve të fundit e kryediplomatit rus në Beograd se, “Çfarë është mirë për Serbinë, është mirë edhe për Rusinë”, vazhdojnë të shkaktojnë shqetësime në rajon dhe në kryeqytetet perëndimore, përfshirë Washingtonin.  

Më heret,  Shefi i Komandës ushtarake amerikane në Evropë, Gjenerali Curtis M. Scaparrotti e ka cilësuar “influencën keqdashëse” të Rusisë në Ballkanin Perëndimor si një prej shqetësimeve kryesore të tija, shkruan gazeta e pavarur e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, “Stars and Stripes”.  “Rusia është e angazhuar në Ballkan, ndërkohë që ne i kemi larguar sytë nga ai rajon”, ka thënë zyrtari i lartë ushtarak amerikan, gjatë një deponimi para Senatit amerikan. Ai është shprehur se, “Rusia ka ndërmarrë një fushatë destabilizimi për të ndryshuar rendin ndërkombëtar, për të përçarë NATO-n dhe për të minuar lidershipin dhe influencën e Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës.”

                           Por, fatbardhësisht, duket se kohët e fundit, paralajmërimet e Shefit të Komandës Ushtarake Amerikane në Evropë, Gjeneralit Curtis M. Scaparrotti, po merren seriozisht jo vetëm në Washington, por edhe nga Aleanca NATO dhe në kryeqytetet evropiane, pasi provat në terren të infiltrimit rus janë të bollëshme në Ballkanin Perëndimor, për tu pa dhe për tu prekur, përfshirë Malin e Zi — ku Moska u përpoq që me agjentët e saj të shkaktonte një grushtshteti në Podgoricë, me qëllim për të parandaluar antarësimin e atij vendi në NATO.  

Ka vite që Rusia ka ndjekur një politikë komplotesh për të influencuar politikat dhe për të shkaktuar destabilitet në Ballkanin Perëndimor, të pakën ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke përdorur marrëdhëniet “historike të veçanta” ose të imagjinuara midis Rusisë dhe sllavëve ortodoksë, në vende të ndryshme të Ballkanit.  Historikisht, si në kohën e carit, ashtu edhe nën komunizëm, por edhe sot nën rrethana të reja politike post-komuniste, rusët mendojnë se që të konsiderohen si një komb i madh, Rusia duhet të jetë e pranishme në Ballkanin Perëndimor, me qëllim të bashkimit të sllavëve, ideja pra e “pan-sllavizmit”, sipas të cilës pretendohen marrëdhënie të veçanta midis popujve sllavë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.  Historikisht, kjo politikë e Moskës në rajonin e Ballkanit, është zhvilluar dhe zbatuar gjithmonë kundër interesave kombëtare të shqiptarëve në trojet e veta. Për të gjithë ata që duan të hapin e veshët e sytë, deklarata e kohëve të fundit e ambasadorit rus në Beograd, tregon se asgjë nuk ka ndryshuar përsa i përket politikës ruse ndaj interesave dhe mbijetesës së kombit shqiptar në trojet e veta. Këtë realitet politik në Ballkan, përveç miqëve perëndimorë të shqiptarëve, duhet ta kuptojë më së miri klasa aktuale politike e shqiptarëve në Tiranë dhe në Prishtinë dhe të veprojnë si është më mirë në interes të kombit.  Ana tjetër e monedhës është natyrisht, politika e Presidentit turk, Rexhep Erdogan ndaj vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës. Politikë kjo që në shikim të parë duket se ndjekë interesat “historike dhe fetare” turke në rajon, por influenca në rritje e sipër e Turqisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, nën presidentin Erdogan, sipas ekspertëve, pështjellon shumë punët në atë rajon dhe duket sikur është e bashkrenduar me përpjekjet aktuale ruse për të zgjëruar influencën e tyre atje dhe për të penguar afrimin e këtyre vendeve eme perëndimin.

Në përhapjen e influencës së tyre në vendet ballkanike, fatkeqsisht, Turqia dhe Rusia po sigurojnë mbështetje të fortë nga zyrtarë të korruptuar të rajonit, pasi politikat autoritare erdogano-putiniste u përshtaten shumë mirë mënyrës së qeverisjes të udhëheqsve të këtyre vendeve.

Qëllimi i përbashkët ruso-turk, përveç interesave të tyre individuale për influencë në Ballkan, është për të penguar antarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në organizmat e tjera euro-atlantike. Drejtë këtij objektivi, Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan po derdhë miliarda dollarë në rajon, përfshirë Serbinë, ndërkohë që ka premtuar të financojë autostradën Beograd-Sarajevë, si një projekt i madh në rajon, por jo vetëm.  Aeroporti i Prishtinës, disa banka dhe premtime të tjera për investime në Shqipëri, përfshirë ndër të tjera një aeroport në Vlorë dhe ndërtimi në Tiranë i xhamisë më të madhe në Ballkan, si dhe ndërtimi i rrugëve dhe fabrikave në Maqedoni, shkollave dhe xhamive anë e mbanë rajonit — janë ndërtuar, financuar ose janë pronë e interesave turke. Nuk ka dyshim se investimet e mëdha turke dhe ruse në projekte si këto, ushtrojnë ndikim dhe influencë të madhe në fushën politike dhe në tregjet ekonomike të rajonit.   Ekspertët thonë se prova e influencës turke në rajon, si rrjedhim i këtyre investimeve, u pa kur Kosova arrestoi dhe deportoi gjashtë shtetas të Turqisë, që kërkoheshin në lidhje me të ashtuquajturin grusht-shteti, dy vjetë më parë në Turqi.  Media raportoi me këtë rast se Bashkimi Evropian e konsideroi këtë ngjarje si një pasojë e drejtë për drejtë e zgjërimit të influencës turke në një vend të Ballkanit siç është Kosova, duke u dhënë përparësi interesave turke, në dëm të rendit dhe ligjeve ndërkombëtare, por edhe në dëm të interesave të vet shtetit të Kosovës.

Ndërkohë që si Putini ashtu edhe Erdogani po bëjnë çmos që të minojnë, ose të pakën të pengojnë influencën dhe interesat strategjike të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s në Ballkan, Michael Roth, Ministër Shteti për Evropën pranë Ministrisë së Jashtme Federale, në një artikull botuar në gazetën Telegraf të Tiranës, porosit se pas rekomandimit të Bashkimit Evropian për  çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedonisë, “Tani është e rëndësishme të merren vendime të mençura duke mbajtur në konsideratë faktorë gjeo-politikë dhe strategjikë, sikurse edhe interesat tona ekonomike dhe ato të sigurisë. Por për se bëhet fjalë? Çfarë është në lojë?” pyet ai. “Me këtë rajon (Ballkanin) nuk na lidh vetëm afërsia gjeografike, por edhe marrëdhënie të larmishme historike, kulturore dhe ekonomike.  Ne jemi të interesuar në mënyrë esenciale që Ballkanin Perëndimor ta ankorojmë fort në Evropë e ta bëjmë rezistent – si kundër faktorëve destabilizues brenda vendit ashtu edhe ndaj ndikimeve të dëmshme së jashtmi…Të përafrohesh me Bashkimin Evropian nuk do të thotë asfare të jesh i detyruar të ndërpresësh marrëdhëniet politike, ekonomike dhe kuturore me shtetet e tjera. Por çdo vakuum politik që u krijojmë evropianeve dhe evropianëve, do të mbushet pashmangshmërisht nga të tjerë, që janë të interesuar më shumë për destabilitetin dhe që vënë në pikëpyetje modelin tonë të një rendi demokratik të orientuar nga vlerat, e të mbështetur në rregulla.” Pas pothuaj 30-vjetë zhgënjimesh, alternativa se cilën rrugë duhet të ndjekë klasa aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, është e qartë: drejt një destabiliteti permanent politik dhe ekonomik që frymëzohet nga ndikimet e jashtme, sidomos ato ruso-turke, a po drejt një modeli të rendit demokratik të orientuar nga vlerat perëndimore?  Çka është mirë për shqiptarët? Koha nuk pret!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ballkani Perendimor, Frank shkreli, Imponim ruso-turko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT