• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRISHTLINDJA… PRAPË NË SHKODER , 24 DHJETOR 1990

December 22, 2013 by dgreca

Foto: Rrëmaji, 24 Dhjetor 1990…(Foto A. Nenshati)/

Nga Fritz RADOVANI/

Rruga per me shkue në Vorrezat e Rrëmajit në Shkoder, mbas dates 4 Nandor të vitit 1990 nuk merrej vesh ma a asht “pjacë shetitje” apo rrugë vorrezash… Vizitorë nga të gjitha anët e vendit drejtimin e kishin nga vorrezat katolike, ata nuk largoheshin pa u ndalue tek Çinarët e Rrëmajit… Edhe muri kufizues nga Zalli i Kirit ishte rrëzue!

Vorrezat vazhdonin deri tek Penda e Kirit, aty ku shenjat e plumbave nder gurë ishin per sa vite mbas 1944, plumba që kishin rrëzue perdhe mija Atdhetarë… Filloi tragjedia e pergjakëshme Shqiptare me 25 Mars 1945, dhe vazhdoi deri në vrasjet mizore të demokratëve Shkodranë me 2 Prillit 1991… E kur, u duheshin shkrepë “gotat” me gjakun e Rinisë Shqiptare, Ramiz Alia i mbushte ato nder piramidat e kufinit…

Me 24 Dhjetor 1990, Naten e Këshndellave drejtë Rrëmajit ishin drejtue prap si me 11 Nandor njerëz nga të kater anët e Shqipnisë. Nuk besoj se mujte kush me tregue se sa mijë vetë mund të ishin atë natë nder Vorre. Vetem ardhja e një Heroi ishte që sillte heshtjen e plotë! Vetem gjurmët e Tij në zhavorin e rrugës mes selvijave ndiheshin kur vinte mes djelmëve trima që e shoqnonin…E kur vazhdonte ecjen burrnore me atë gjoks luani perpara, plasnin duertrokitjet e pershëndetjet pa u kuptue as nga vetë Populli…

Ishte Don Simon Jubani! Kleriku Katolik Shqiptar i Shkodres së Lirë… Bash i asaj Shkoder, që me 11 Nandor 1990, Ai i kishte këputë pergjithmonë vargojt e prangave të robnisë ma të përgjakuna komuniste të anadollakëve terroristë Enver Hoxha e Ramiz Alia, dy nga diktatorët ma barbar që ka provue per 47 vjetë Shkodra e Shqipnia Martire.

Dritat e ndezuna festive nga të kater anët dhe vargjet e tyne të varuna nder të gjitha selvijat, qira e kandila vaji nder të gjitha Vorrezat apo fëtyrat e gzueme dhe të qeshuna të të gjithë të pranishemëve, e banin atë ambjent të bukur, një Natë Feste!

Shumë shumë vite kishte kalue Shkodra pa mujtë me u afrue tek dyertë e Kishës apo, pa ndigjue tingujt e bukur të kumbonëve në mesnatë që lajmonin se ka lé Mesia! Gati ishte harrue kanga tradicionale e Këshndellave: “O e qeta Natë!…” Fëmijët kishte kohë që nuk mendonin me zbukurue Betlemin e vogel që sillte festen në shtëpijat e të gjithë besimtarëve bashkë me buzmin pranë vatres Shkodrane, ku dikur, rreth saj nuk i mungonte as ma fukarasë vargu i fiqëve të thatë, arrat, bukfikja e gota e venës…

Gjithë qyteti i Shkodres dukej si një “Betlem”…dikund, aty brijë Cukalit…

Shkodra e dhunueme në pranga festonte prap Krishtlindjen…

Selvijat e vorreve të zbukurueme me drita ndriçonin rrugen mes tyne, ku grumbuj të rinjshë e pleqësh pothuej kishin harrue se Kryqat perrreth edhe veshtrojnë…e sejcili, pyeste veten: “A thue me të vertetë mori fund terrori komunist edhe në Shqipni?”

O Zot, sa vetë janë nder vorrezat e Shqipnisë, që vdiqën tue pritë këte ditë!

Shikoheshim me sy të perlotun e uronim njenitjetrin… “Per shumë mot!…”

Asht e vertetë që brezi ynë mujti me mbijetue në një nga qendrat ma të egra dhe të pashpresë shpetimi nga kthetrat e diktaturës së mnershme komuniste, po humbjet dhe zhdukjet që nuk mujtën me lanë as gjurmët e veta janë kenë shumë të mëdha.

Humbjen e tregon ma shumë se gjithshka mungesa e theksueme e lirisë fjalës dhe mendimit, dhe kryesisht, tek trashigimtarët e mija e mija të persekutuemëve politik të cilët, nuk kanë mujtë me ruejtë asgja nga kujtimet e paraardhësve të vet. Diktatura tek né ishte e pakrahasueshme me vendet tjera komuniste… Nuk mund të ruhej një foto, një fletore me shenime kujtimesh, dhe as nuk bahet fjalë per dorshkrime librash…

Ajo që e ban Shkodren me mendue ma shumë asht vransina e mbramjes në një kand të largët të malit Taraboshit, që quhet Rumija e Krajës…Aty ku dy rê në darkë, i sjellin Shkoderloces së nesermën shtergaten e rrebeshin që shoqnojnë fortunen…

Qyteti kje i permbytun mbi 47 vjet nen robni e terror…

Janë pikrisht rêtë e zeza shoqnue me rrufé që sivjet u dukën diten e 29 nandorit, nder vorrezat e Deshmorëve të Tiranës,..gati më shkoj goja me thanë Tiranës së “kuqe”!

Fatkeqësi…

***

Don Simon Jubani nuk jeton ma! Kështu, kujtojnë “disa” që nuk perkujtojnë as Veprat e Tija të Mëdha, tue fillue nga Heroizmi e vuejtja në Burgun e Burrelit…

Don Simon Jubani nuk zehet me gojë kur flitet per thyemjen e Perdes së Hekurit në Rrëmaji të Shkodres, me daten 4 e 11 Nandor 1990…

Don Simon Jubani nuk mund të kujtohet vetem se, guxoi me shpreh të Verteten që parashikonte nga larg…se do të ngjasin shumë afer, dhe pikrisht me 29 nandor 2013, diten e vdekjes së Lirisë së Popullit Shqiptar, në vitin fatzi të robnisë sllave të 1944…

Don Simon Jubanit, ashtu si të gjithë Atyne Burra e Gra Shkodrane që dhanë jeten per Liri dhe Demokraci, nuk besoj se i kanë vue as tek dera e Vorrezave të Rrëmajit një pllakë perkujtimore, në shenjë mirnjohje… po, edhe kujtese ndaj vepres së Tij!

Don Simon Jubani solli në Shkoder Lirinë e Fesë!

Kurrë mos harroni, se edhe Gurtë e thëmelit të Asaj Pendë Kirit, janë të zhytun në Gjakun e Martirëve të Shkodres, që dhane jeten per Një Shqipni të Lirë e Demokratike!

E Demokracia, gjithmonë asht fryt i Lirisë dhe i Drejtësisë…

Shkodranë, mos kujtesa sjellë harresen dhe…

Harresa, sjellë edhe “persëritjen” e Historisë…

Jo, Vllazen e Motra Shqiptarë, mbas 47 vjetësh Gjenocid komunist…

Né, nuk e harruem urimin…

Per shumë mot Krishtlindjen!

Melbourne, Dhjetor 2013.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Fritz Radovanai, Krishtlindja, prape ne Shkoder

JA PSE P K SH (PPSH)… ME PASUESE,ISHIN DHE MBETEN: PARTI TERRORISTE !

November 7, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/Australi/

Shqipnia dhe Shqiptarët në vitin 1941 nuk ishin të angazhuem në asnjë front të Luftës së Dytë Botnore, dhe tue pasë mundsi me u bashkue me Trojet e veta, tue krye pra, këte bashkim në mënyrë paqsore me evolucion, pa asnjë konflikt, dora sllave gjeti terroristin Enver Hoxha, që me megallomaninë e tij çoi Popullin Shqiptar në një luftë civile, dhe per 47 vjetë Shqipnia ishte nder shtetet ma diktatoriale të Europës. Fillimi i kësaj katastrofe historike asht data 8 nandor 1941, dita e zezë e themelimit PKSH.

Instruktimi i tyne në interesin e nenshtrimit të Popullit Shqiptar, dhe premtimet e mercenarëve jugosllavë ndaj Enver Hoxhës per kolltukun e drejtuesit të shtetit vasal, sollën ate, që ky me tradhëti e spastrim tue vra shokët e bashkpuntorët e vet, mërrijti per 40 vjetë me qendrue në krye të PKSH (PPSH) dhe të shtetit, ku viktimat e masakrueme dhe të zhdukuna nder hetuesi e kampe shfarosje i kalojnë tmerret e Luftës II Botnore.

Tue iu referue gjithnjë librit “Diplomacia” me autor z. H. Kissinger, në kjoftë se Rusvelti shihte tek Stalini: “…një mik të vertetë!” dhe si dhuratë të “simpatisë” së tij prej paralitiku, i dha diktatorit Stalin “të drejten e vendosjes së pushtetit sovjetik në qendren e Kontinentit Europian…” (fq. 465) që pasohej me “mospranimin e zbarkimit të trupave amerikane në Ballkan, tue i dhurue “Jugosllavisë, perveç tokave Shqiptare të humbuna që në 1913, e që ishin të çlirueme që në vitin 1941, bashkë me ta edhe Shqipninë Nanë.”

Duhet pranue se, u “harrue” shpejt thelbi i fatkeqësisë: “Idetë ruse të drejtësisë shoqnore dhe ekonomike do të udhëheqin gati një të treten e Botës!” (fq 469). Dy shtetet ballkanike “Jugosllavia dhe Shqipnia, ishin të vetmit shtete diktatoriale komuniste mbas Luftës së Dytë Botnore, në gjithë Europen. Ndersa, nder shtetet tjera të Europës Lindore pranohet me paturpësi se: “demokracia nder ata vende asht e mbulueme me një gjethe fiku”… Kur Ushtria e Kuqe arrijti në lumin Elba: “Sunduesit e Rusisë ishin në gjendje të realizonin ambicjet e Perandorisë Ruse dhe qellimet ideologjike të komunizmit.”

Edhe pse Shteti Shqiptar i shpallun në vitin 1912, nuk kishte as një gjysë shekulli që njihej në Europë si Shtet i Pavarun, edhe pse hundët sllave kullonin nder të gjitha zyrat e të gjithë drejtuesëve të Shtetit, që nga 1913 e deri me 1939…Populli Shqiptar në gjithë historinë e kenjes së vet, asnjëherë nuk e ka pranue zgjedhen sllave as turke aqsa atë italiane, apo të ndonjë shteti tjeter të imponuem nga Fuqitë e Mëdha!

Kjo krenari kombtare duhej shpartallue me të gjitha mjetet antikomtare!

Ishte pikrisht PKSH (e ma vonë PPSH) vegla ma adapte në doren sllave, per me shkatrrue perfundimisht deri në temel binanë e Shqipnisë së ngritun me gjak dhe me sakrifica të pashembullta, gja që e vertetojnë edhe sot fletët e Historisë së Shqipnisë, ku Emnat e Atdhetarëve Shqiptarë, që dhane edhe jeten per një Shqipni të Pavarun dhe me pikpamje Europjane Perëndimore, “nuk janë askund ndër fletët e saj”! Dëshmia ma e saktë e këtij fakti asht Monumenti i Pavarsisë së 1912, i ngritun në Vlonë në vitin 1972.

PKSH dhe drejtuesi i saj terrorist Enver Hoxha, i dha provat e para me shitje të Trojeve dhe i garantoi per “besnikërinë” ndaj politikës tyne antikombtare, me të gjitha gjyqet, ndjekjet nder male, vrasjet me gjyq e pagjyq, interrnimet, shfarosjet, shnderimet, dhunimet, terrorin dhe perkufizimin e të gjitha këtyne në “luftën e kllasave, vepra më e shkelqyer e organizuar dhe drejtuar nga PKSH (PPSH), dhe udhëheqësi i saj E. Hoxha.”

Kur BRSS ishte rreth 200 miljon rob nen diktaturën e perbindshit Stalin, numri i të vramëve në luftë, në burgje e kampe shfarosje apo gulagët e tij, arrinte në 50 miljon. Kjo shifer e mnershme asht pranue edhe nga e bija e tij në vitin 1992.

Shqipnia në vitin 1944 kishte 1.200 000 banorë. Pa shenue këtu të vramit në luftë civile (të ashtuquejtun “Nacional Çlirimtare”), para vitit 1944 dhe të kosovarëve të premë në besë nga Kukësi e deri në Masakren e Tivarit, ku ishin mbi 12.000 vetë… Dy drejtuesit komunistë, (dhe asnjeni Shqiptar), anadollakët Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, kanë vra dhe kanë krye të gjitha krimet që ka ba Stalini, por besoj, se edhe ia ka kalue jo vetem per numrin e popullsisë… por edhe me ate që nuk ka arrijtë as Lenini e as Stalini, me “Gjenocidin kunder Klerit Katolik Shqiptar 1944 – 1990”, ku janë perfshi mbi 131 Klerikë nder rreth 200 Klerikë, që ishin në vitin 1944. Pa shenue Klerikët e besimeve tjera!

Numri i të vramëve dhe të shfarosunëve nder hetuesi, kampe dhe burgje, deri në vitin 1974 në gjithë Shqipninë, i kalon 50.000 Shqiptarë të masakruem…Ndersa, numri i të burgosunëve dhe të interrnuemëve nga viti 1944, i kalon mbi gjysë miljoni njerëz.

Duhet percaktue shifra e saktë e krimeve të kryeme nga PKSH (PPSH) nga viti 1944 deri në vitin 1991, kur PKSH (PPSH) e drejtonte terrosti Enver Hoxha dhe pasuesi i tij Ramiz Alia. Mosdenimi i krimeve të komunizmit në Shqipni, asht pasojë fatkeqe që vjen nga trashigimia e qeverisjes nga bashkpuntorët e djeshem dhe të sotëm me PKSH (PPSH), qeverisë dhe vegles terroriste e masakruese të tyne: Sigurimin e shtetit.

Krimet, vrasjet, vjedhjet dhe plaçkitjet e miljona miljona dollarëve nga drejtuesit e Shtetit Shqiptar, po vazhdojnë mbas 1992… e do të vazhdojnë prap… perderisa, terroristët që vodhën e vranë Atdhetarët tanë, “më vështirësi i banë shtrati i topit”, kur ngordhin!

Pa u dënue krimet e kriminelët e Popullit Shqiptar, Asnjëherë në Shqipni nuk do të arrihet Pajtimi Kombtar, elementi i domosdoshem per Vllaznimin e Shqiptarëve mbi bazat e Paqës, Drejtësisë dhe vendosjes së Shtetit Demokratik.

Pa këta elemente kurrë Shqiptarëve nuk do t’ ua hapin askush Dyertë e Europës Perparueme. Arritja e Pajtimit Kombtar në Shqipni, siguron Qeverisje Demokratike!

Qeverisja Demokratike nga Shqiptarët e vertetë, asht mjeti ma i sigurtë edhe per arritjen e Marrveshjeve të Drejta dhe Paqësore me të gjitha Shtetet Fqinjë, ku interesat dhe detyrat e ruejtjes së mardhanjeve reciproke dhe Paqësore janë të Baraspeshueme!

***

Kurrë mos e harroni thanjen e Fratit të dijtun të Shkodres, me intelektualët e Korçës, kur Shqipnia po zharitej nga PKSH në vitin 1944… At Anton Harapi, u ka thanë:

“…Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj.; e, jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë, se, sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël…

Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej.

Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive dhe kemi pa e prekë me dorë se, një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue…

A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé! Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer…. Nuk shpeton, jo sot, as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.”

Melbourne, Nandor 2013.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz Radovanai, me pasueset e veta, parti terroriste, PKSH

KUR BIE DITA E “TË SHUEMËVE” ?..

October 31, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Nga viti në vit po ndryshohen kalendarët dhe me ta edhe datat…e festave, perkujtimore, dhe të tjera shenja të veçanta që ishin të shenueme aty. Nuk asht problemi tek festat fetare, se ato merren vesh dhe pa kalendar, u mësuem mbas 1967, kur nuk kishim ku me i gjetë të shenueme.

Bashkë me datlindje festohej edhe dita e emnit… Festat fetare ishin të mëshefta!

Kujtoj, shumë vite perpara kur pata lexue një prozë të shkurtë të At Gjergj Fishtës, per Ditën e të Shuemëve, në Rrëmaj të Shkodres. Një kryeveper, si shumë shkrime të tjera të Tij!

Ajo ishte një ditë krejt e veçantë në Shkoder. Edhe pergatitjet në Rrëmaji fillonin disa ditë perpara, ku sejcili, mendonte per një tubë lule apo per pastrimin e vorreve të familjes së vet.

Me datës 2 Nandor, ku shenohej në kalendarin fetar katolik “Dita e të vdekunëve”, ishte fillimi i perkujtimoreve, që vazhdonin deri tek e diela që mbyllej edhe java e atyne kujtimeve…

Disa i thonin “Java e Purgatorëve”, mbasi edhe lidhej me “jeten e lumtur” të Shkodres!

Në Shkoder nuk perdorej fjala e “të shuemëve”, na dukej se tingllon keq, mbasi fjala “me u shue”…sikur, merrte kuptimin e vrashtë të “shfarosjes”…dhe, perdorej per fise që komunistët i kishin “shue”, “qitë fare”, “zhdukë” pra, “pa trashigimtarë”…E këta fise nuk ishin pak! Nuk do ti rreshtoj këtu ata fatzezë që kam mërrijtë me njoh unë, mbasi qellimi i këtij shkrimi nuk asht ai.

Kjo foto që shihni këtu, na kujton një prej ngjarjeve ma të mëdha të Historisë sonë!

Plot 135 vjetë maparë, në vitin 1878, në Prizrenin Shqiptar u krijue “Lidhja e Prizrenit”…

As Kryetari i Delegacionit Shkodres tek ajo Lidhje, Daut Efendi Boriçi, endè sot nuk e ka një bust në qendren e qytetit të Shkodres, edhe pse përfaqsia e Tij atje ishte një nderim per ne!

 

Prizreni i 1878…

At Gjergj Fishta i këndoi:

Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,

Eja e t’kndojm, oj Zana e malit,

Eja e t’kndojm më Lahutë t’ Malcis,

Si ata Krenët e Shqyptaris

Në Prizren na janë bashkue

Për me folë me bisedue,

Shqyptarinë se si m’e pshtue

***

Sa per Mbretin e Stambollit,

***

Mund t’i thoni, se Shqypnija

Nji shportë fiqash nuk ka qillue,

Per m’u a da miqve peshqesh.

Por asht toka e t’ Parvet tonë,

Asht Atdheu, po i Skanderbegut,

Asht Atdheu, po, i Mojs Golemit

E i atij Lekë Dukagjinit,

Edhe i Kukës edhe i Muzakut

Edhe i Strezës e i Aranitit,

Qi e kan la t’ tanë me gjak t’Turkut.

Prandaj s’ka as Krajl as Mbret,

Qi ket tokë e falë a e shet,…

 

Dhe pikrisht, në këte 135 vjetor, mendoni Ata Shqiptarë të Prizrenit t’ atëhershëm… me 23 Tetor 2013, të mbledhun me ndigjue nga këta tre “kryeministra” hyqimetesh, një tjeter “vaki”: “Kosova është Turqi e Turqia është Kosovë”…

 

 

Nuk deshta me u besue syve… Po, kur lexova deklatën e Imz. Dodë Gjergjit, ku tregon:

“…sikur në fund të çdo dite bie muzgu dhe errësira i vë nën pushtetin e vetë të gjitha gjërat, ashtu ndodhi dje pasdite në Prizren, ku doli në pah ligështia nostalgjike e disa shqiptarëve, ambiciet neotomane të miqëve (“vëllezërve të disave”) dhe dëshira e kryeministrit turk Erdogan, që të jetë padroni i shqiptarëve. Kjo e la një hije të keqe mbi bukurinë e ditës së djeshme…”

Ajo deklaratë ishte: Një qendrim i duhun, në kohë dhe burrnor!

Sa mirë do t’ ishte që politikanët mos të ndotin pusat ku ka pij ujë Nanë Tereza, dhe as rrugët e Dardanisë, ku kanë shkelë të zbathun Atdhetarët tanë! E nuk janë aq pak sa me u harrue!

***

Erdogan kerkon me ngulm nga “vllezërit e vet”: Edhe “Historia e Shqipnisë”…duhet “ndryshuar”, pra, “ngjarjet e ditëve xhuma, duhen vue me datat e kalendarit turk”… Jo, me ate “arnaut”! Një monument i Haxhi Qamilit do të duhej tek Akademia e Shkencave të R.Sh., pranë “pasuesit të vet”, Sabri Godo…që vërtetë me veprat e veta i paraprinte “vllezërve të gjakut”..!

 

■Mos ndoshta, “Dita e të SHUEMËVE”, me kalendarin turk, bie me 23 Tetor 2013…

KUR “KËTA”… MENDOJNË E VEPROJNË, “ME SHUE” TROJET SHQIPTARE ?

 Melbourne, Nandor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz Radovanai, kur bie Dita e te shuemeve, Lidhja e Prizrenit

KUJTESE- PJETER DOMETHANË…GUR

July 27, 2013 by dgreca

25 vjet ma pare ka nderrue jete Pjeter Meshkalla/

Nga Fritz RADOVANI/

Shkoder, 28 Korrik 1988.

25 vjet ma parë…Një ditë krejt e veçantë në qytetin ku Pjetri, u kishte tregue “dyerve të ferrit” forcen e Gurit në Shkoder, të vendosun që në vitin 65 mbas Krishtit, në Kështjellen “Rozafat”. Dielli ishte marrë dhe dukej krejt qyteti në pragun e një eklipsi, kur “gjysëhana” po i merrte driten e frymen… Vapa kishte kalue kufinin, frymëmarrja e njeriut ishte randue, sa dukej se je në një gropë të thellë ku ngjet edhe shembja!

Fjala u hap si rrëfeja e mori dheun… Ka vdekë At Pjeter Mëshkalla S.J…Vetem termet nuk ra…atë ditë! Muret e Gurit të skalitun të Kështjellës ishin trandë me kohë! Pikë shiu nuk binte…

Vorret e Rrëmajit, jo ma larg se 200 ml. larg shtëpisë së Tij, ishin mbyllë që në vitin 1970… At Pjetri do të vorrosej në vorrezat e Stom Golemit… Edhe atje kishte nevojë per Prift!..

Në vitin 1967, kur Nana ime e takon në rrugë P. Mëshkallën, i cili e thirri në shtëpi dhe i dha me vedi disa skica që kisha fillue me ilustrue vjershat e Tija tue i thanë: “…Merri me vedi mbasi unë nuk do t’i mbajë ma, sepse mund të më arrestojnë e nuk due me m’i gjetë kush skicat e Fritzit këtu!..”, Nana e pyet nëse kishte dëgjue gja në lidhje me arrëstimin, Ai i tha: “Jo!..por, kjo do të ndodhë, mbasi para pak ditësh jam ulë në gjunjë para statujës së Zojës (aty ku Ai thonte meshën çdo ditë në dhomën e Tij) dhe i kërkova Asaj me më mësue se shka me ba në këte kohë kaq të vështirë. Zoja ma shndriti mendjën dhe unë i shkrova një letër Mehmet Shehut, kështu kjo letër do të bahet shkak me më arrestue; njëkohësisht këta do të më dënojnë për përmbajtjën e letrës që i kam shkrue atij dhe nuk kanë me më pyet se shka kam bisedue sa në një shtëpi e sa në një tjetër, mbasi unë ashtu do të marr në qafë gjithë njerëzit, sepse unë kam hy e dalë në të gjitha shtëpijat e Shkodrës. Mbasandej, ajo që ka randësi asht se edhe ndonjë meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtar, mbasi ndër burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe vuejtjet e randa, që janë tue kalue tash sa vite. Asht e nevojshme prania  jonë aty...” Mandej i kishte lexue letrën që i kishte dërgue xhelatit …

At Pjeter Mëshkalla asht arrestue me 21 nandor 1946, dhe ka ba 15 vjet burg në Burrel…

Me daten 29 Prill 1967, At Mëshkalla u arrestue per të dyten herë…dhe, ka ba 10 vjet burg.

Imz. Mikel Koliqi, ka thanë: “Ai e meriton me u dekorue, mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën na të tjerët nuk e kemi ba.”  (1992)

Ja dhe disa kujtime nga bashkvuejtësit e At Mëshkallës:

●Prof. Arshi Pipa: “ …në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Meshkalla e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.” (Intervistë e dhanun për revistën “Kumbona e së Diellës” Shkodër, 1993).

●Xhemal Alimehmeti, bashkvuejtës i Tij në Burrel: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfarë krimineli i regjun, Njazi Tunxhi, po u fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë… Pader Mëshkalla nga rreshti i kërkon me hapë shkolla në burg për të rijtë, por drejtori e ndërpret: -Të qanë zemra ty për rininë, ke për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! Pader Mëshkalla qeshet. Ai nervozohët dhe i thotë: – Ç’e ke atë buzëqeshje, or jezuit i poshtër?….Pader Mëshkalla i thotë: -Unë po qeshi me ty! Ende nuk e keni kuptue, se unë do të ishe i lumtun  me vdekë i kryqëzuem si Zoti  em, Jezu Krishti! Ende nuk e keni kuptue? E çka ke me më ba ti ma shumë se aq sa i kanë ba shokët tuej Krishtit?”…

●Zotni Pjeter Dedë Deda, i pranishem në gjyqin e parë tregon: “Ai, nga i akuzuem u kthye në akuzues, dhe mund të themi në kuptimin e plotë të fjalës, e mbërtheu me shpatulla për muri trupun gjykues… At Meshkalla u përgjegj, se dy letra i kishte dërgue Enver Hoxhës, tue ia vu në dukje këto shkelje të lirisë së fesë e të mendimit, por asnjë përgjegje nuk kishte marrë as nga ai…Unë nuk dij kujt me i shkruar më nalt, tha Ai…” (1947)

●Zotni Agim Musta, bashkvuejtës i At Mëshkallës, shkruen: “Padër Mëshkalla ishte kthyer në një mësues shpirtëror i të gjithë bashvuajtësve të çdo Feje. Atë e respektonin të rinjtë, pleqtë dhe e adhuronin të gjithë për forcën e Tij shpirtërore”.

● Zotni Leka Toto, shkruen: “Ai të tëra gjërat që kishte, i ndante me të burgosurit e varfër, pa bërë asnjë dallim. Ai i ndante ato, siç do t’i ndante vetë Jezusi!”.

●Zotni Riza Kuçi, shkruen: “Në vitin 1972 ra një epidemi e rendë gripi në kampin e Ballshit. Në një moment, tek shtrati ku lëngoja unë, u afrua Pader Mëshkalla dhe më dha një gotë çajë të ngrohtë, të përgatitur nga Ai vetë. Mund të merret me mend se çfarë emocionesh shkaktoi në përsonin tim vëprimi njerëzor i Padër  Mëshkallës…”

●Kryeministri Mehmet Shehu ishte në burgun e Burrelit me gjeneral Gjin Markun, dhe tue vizitue të burgosunit e ngucën At Mëshkallën, për me pa a ia ka dobësue guximin vuejtja, e Ky u tha atyne:  “Na jemi nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”.

●Tregon një plakë në Gjuhadol (Shkoder): “Ishte tue kalue rrugës Dava, një murgeshë që ka shkue ndër dyert e të gjitha burgjeve e kampëve  të shfarosjes së komunizmit, mbasi ndër të gjitha e gjithnjë kishte priftën. Ajo lypte ndihma nga të vorfnit për me ushqye të uritunit… Në kthesë të rrugës ajo takon  P. Mëshkallën dhe i tregon se mbas pak ditësh donte me shkue në një kamp pune, mbasi kishte grumbullue paksa të holla e ndonjë plaçkë… P. Mëshkalla, menjëherë, i thotë Davës me e pritë një minut aty dhe drejtohet nga plaka që ishte në derë të oborrit… Ajo habitet për një çast, kur Ky hyn mbas kapakut të derës që nuk hapej, i jep asaj xhaketën me ia mbajtë, çveshë një xhup që kishte të veshun dhe mbi këmishë veshë xhaketën, e ashtu në atë natë të ftohtë vjeshte del dhe drejtohet nga Dava, tue i thanë: “Sa mirë që të takova para se me ikë ti atje, na këte xhup dhe nepja X, se ai nuk ka shka me veshë e po afrohet dimni!..”.

● Prof. Arshi Pipa, shkruen këto fjalë me rastin e vdekjës së At Pjetër Mëshkallës, viti 1989: “Çka i ndriste syni, ia shkrepte gjuha…”.

***Disa thanje të At Pjeter Mëshkallës: (Dosja 4191|1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998)

●”…Këtu, në Shqipni, jo vetëm që nuk lejohet asnjë parti politike opozitare dhe asnjë shtyp opozitar, por për një fjalë të vetme në kundërshtim me vijën e partisë komuniste, arrëstohesh dhe të sjellin para gjyqit, siç keni veprue me mue.”(1946).

●“Pushtetin komunist e kam luftue në të gjitha predikimët e mija… unë nuk jam pajtue me komunistët… Aktivitetin propagandistik kundër Partisë Komuniste Shqiptare e kam fillue në vitin 1943. Kjo parti atëherë drejtonte Luftën N.Çl., por unë, tue kenë kundër komunizmit, kam luftue edhe punën e tyne… Mendimi em ishte se, në Shqipni, Pushtetin nuk duhet ta marrin komunistët, mbasi nuk do të na ndihmojnë shtetet e Europës.”

●“Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut”.

●“Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni.”

●“Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë…me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!… Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku, sepse, jemi të gjithë Shqiptarë… Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’u durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet… Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni… Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse, të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës…”

●“Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij… Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi… Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX…Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje….Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija.”

●“Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot  këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!”

●Kishin hy në zyrën e drejtorit te kampit dy oficera nga Tirana dhe kanë kërkue nga             Padër Mëshkalla mos me shkue ma në punë tek kryporia, por me u angazhue me përkthime në një dhomë të veçantë, sigurisht mbrenda kampit. Materiali që do të përkthente Ai aty ishte në gjuhën gjermane dhe do t’i sillej nga Tirana. Bahej fjalë për veprat origjinale të materializmit… Por P. Mëshkalla, i fortë, i palëkundun dhe trim si gjithmonë, nuk i le me vazhdue bisedën tue ua ndërpre fjalën: “Nuk pranoj me u marrë me këte punë mbasi nuk i jap as rinisë, as pleqëve, të përkthyem me dorën teme helmin e marksizëm – leninizmit, atë helm  kundër të cilit jam kenë gjithë jetën teme!”. Atëherë, ata e pyesin: “Çfarë punët tjetër di me ba ti?” –Ai u përgjigjët: “Vetëm Meshtar!”.(1968)

●“Po të shprehin lirisht mendimët e tyne (njerëzit), ky Pushtet nuk ka për të zgjatë shumë.”(1967)

●“JU MË DËNONI SA TË DONI, MBASI MUE NUK KENI SHKA MË BANI, UNË PRAP SE PRAP DO TË DAL, SEPSE JU, SHPEJT KENI ME MBARUE, MBASI SHOSHOJNË KENI ME HANGËR E ATY ASHT FUNDI JUEJ!

FEJA E KRISHTIT NUK MBARON KURRË!” (Fjala e fundit në gjyq, 1967)

***

●“VËLLAZEN ME TË GJITHË!

Kësodore kemi me provue me fakte se, asht e mundun bashkëjetesa ma paqësore e ma e frytëshme, me besime të tjera: Pa kenë nevoja me e mënjanue Fénë tonë, madje, ma shumë tue e ndjékë  besnikrisht.”

•At  Pjeter Mëshkalla thonte: “Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pergatitun për një parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës, ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pergatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha fushat, sëpse, as që, mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike. Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!”

 ●Prof. Arshi Pipa, shkruan për Padër Mëshkallën: “…Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”. 

***●Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha: “Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot! Ju, prishni  Kisha e Xhamija, por Ata, do të ndërtohen prap njëditë!..”(1967)

•Ky klerik… “Nuk asht vue në listë… per Shejt” !!

Melbourne, Korrik 2013.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: 25 vjet ma pare, Fritz Radovanai, ka nderrue jete, Pjeter meshkalla

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT