• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARI TRIM SI KY, NUK VDES KURRË!

July 28, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Ne Foto: AT PJETER MËSHKALLA S.J.
(25 Shtator 1901 – 28 Korrik 1988)/
(Portret me lapsë, nga F.Radovani)/
Me datën 28 korrik 1988, populli i Shkodrës, pa dallim Feje, përcolli për në banesën e fundit AT PJETËR MËSHKALLËN, Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij… Dijetarin mendjendritun e punëtorin e palodhun për unitetin e Atdheut, Misionarin e vërtetë, Ushtarin e zdathun të Krishtit, Luftëtarin e paepun të Demokracisë dhe të të Drejtave Njerëzore në Shqipni, Mësuesin e pavdekshëm të Rinisë Shqiptare dhe kundërshtarin e papërkulun e të pathyeshëm përballë Gjenocidit komunist.
Shqipja me kthetrat e Saja, atë ditë… ka skalitë në një shkamb:
“Edhe një Hero ma pak!”…
●Plot 60 vjetë perpara At Pjeter Mëshkalla, në vitin 1954, kur ishte në Burgun e Burrelit i dënuem që në vitin 1947 ka shkrue këte poezi, e cila asht nxjerrë si shumë të tjera nga djelmët e rij që ma vonë… dolën të plakun nga burgu…
●Autori i Pavdekshem i saj, si gjithmonë, me optimizmin e Tij, kje frymzues i idealeve të nalta tek Rinia Shqiptare!

JETË E RÉ

Në kthesën e një djali të ri:
“Kaq i vogël fëmi e kaq i madh mëkatar!”
Sh’ Augustini
Në zemrën teme lindi jeta,
shpirti asht mbushun me dëshirë,
me ndriti mendjën e vërteta,
vuejtjet më duken gurrë me hirë.

Lindi Krishti në zemrën téme,
më pruni paqë e dashuni,
më rreshi forcë e ngushëllime,
zhduku errësinën e burgut të zi.

Unë dikur me mburrje shkojshe
për pusina, kurtha e léqe;
krime n’ têrr unë farkëtojshe:
holla vrapin për rrugë të kéqe…

Epshi e faji janë veriga
që tue lëmue, të skllavënojnë;
shpirti s’ka qetësi në punë të liga,
që veç rrathët ma fort shterngojnë.

Mallkue kjoftë për jetë mbrapshtia,
rruga e turpit sot kjoftë pré!
U thyen prangat, ktheu liria ,
shtegu u hap për J E T Ë TË R É !

BB(Burgu Burrel) 1954.

●Shenim nga FR: Poezia asht botue pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Melbourne, 26 Korrik 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: At Pjeter Meshkalla, Fritz radovani, NUK VDES KURRË!, SHQIPTARI TRIM SI KY

I PAPËRSËRITËSHMI I SKENËS SË TEATRIT TË SHKODRES ARTISTI ZEF JUBANI 1910-1958

July 6, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Artisti i madh i skenës së teatrit të Shkodres, aktori i papërsëritëshem i Shek. XX, Zef Jubani, ka lé në Shkoder në vitin 1910 dhe ka vdekë në vitin 1958.
Aty nga viti 1952, ishe fëmijë kur një shok i imi Nikolin Prendushi na çoji në një shtëpi të vjeter shkodrane, në rrugicen e kinema Verorës, tek Cin Jubani. Pritja e asaj familje bujare na dha shkas me shkue edhe herë të tjera… Shtëpia kishte një oborr të madh dhe me pemë frutore. Kalonim orë tue luejtë n’ atë ambjent të bukur e terheqës.
Një ditë porsa mërrijtëm na doli tek dera axha i Cinit, aktori i teatrit Zef Jubani, dhe na drejtoi nga një pemë e madhe me fiq… Poshtë kishte ndertue Ai vetë disa vija uji, ku kishte vue edhe disa anije të vogla prej druni që dukeshin se po lundronin nder ata vija lumejsh mbi të cilat, me shumë kujdes ishin vendosë edhe dy ura. Nga një cep i atyne vijave Zefi hidhte ujin me një kovë dhe kalimi nder kthesa tue marrë me vete edhe anijet e vogla, krijonte një lojë aq të kandshme per moshat tona, sa Zefi na dukej se edhe Ai tashti, ban pjesë në shoqninë tonë. Ishte knaqësi e madhe kur qeshej me shpirtë!
Gjithnjë mendonte per një tjeter lojë të panjohun prej nesh! I dashtun, i pritun, i palodhun dhe dashamirës tej mase e shpesh, edhe “moshatarë” me né!
Mbas pak vitesh, mërrijta me kuptue se kush ishte në skenen e teatrit Ai Artisti që lonte tre ase kater vjet perpara me ne fëmijët në oborrin e shtëpisë së Tij! Shfaqja e parë që e kam pa në skenë Zef Jubanin, asht kenë “Koprraci” i Molierit… As atëherë, as sot, nuk mund të pershkruej emocionet që u sillte gjatë shfaqjes spektatorëve shkodranë!
Ndoshta, pershtypjet tona që nuk kishim pa shka bahet nder skenat jashta vendit tonë, asnjëherë nuk do të percaktojnë kush ishte aktori Zef Jubani? Ndersa, nga shumë intelektualë të njohun si Profesorët Simon Rrota, Gasper Ugashi, Kolë Ashta, Don Mark Hasi etj., që kanë pa edhe skenat e teatrit t’ Italisë, kam ndigjue pothuej nga të gjithë se: “Po të ishte artisti Zef Jubani nder skenat e tyne, dhe të lonte rolet që ka luejtë si aktor në Shkoder, Ai do të lente gjurmë të Pavdeksisë së Tij edhe nder skenat e tyne atje!”
Vlersimet per rolet dhe interpretimet e Zef Jubanit, pothuej nuk kanë mungue…
Po, nuk besoj, se mund të kishte ngja në një tjeter vend t’ Europës, që dy ditë para se të inaugurohej një teater i ri nder ata qytete, me vdekë në skenën e atij teatri një artist kaq i madh sa Zef Jubani, dhe mbas dy ditësh teatrit të rij me i vue emnin e një prej shkrimtarëve që nuk besoj se ka mendue me kenë ndonjëherë “artist”!?
Migjeni si shkrimtar ka vlerat e veta, dhe as nuk kam nder mend me i analizue ata, po, në skenen e teatrit të qytetit të Shkodres, nder ata “germadha” që kanë mbetë deri nder ditët tona, janë krijue vepra të mëdha, janë interpretue dhe kanë lanë gjurmë aty artistë që nuk i vijnë kurrma Shkodres, janë trashigue brez mbas brezi të gjitha ato vlera që nuk po persëriten asnjëherë, dhe mbi të gjitha edhe pse temelet e artit teatral në Shqipni ishin të vueme mbi Gurët e Rozafës Ilire, prapseprap “antishkodranizmi” i terbuem nuk u denjue me nderue me Emnin e Zef Jubanit, as teatrin e ri… Kjo nuk asht pakujdesi ase imponim, po asht injorancë e shartueme me fanatizem!
Ata ngjarje që po “lulzojnë” në Shkoder, janë shumë tronditëse!
Po Rinia Shkodrane, a do të pajtohet neser me veprat e baballarëve të vet?!
Nuk besoj! Bashkia e Shkodres nuk asht “hotel”…
Zgjohuni! Veni Emnat e Nderuem aty ku duhet!

Melbourne, Korrik 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani, I PAPËRSËRITËSHMI, I SKENËS SË TEATRIT, TË SHKODRES ARTISTI, ZEF JUBANI

“KURR MË… NUREMBERG” !!..

June 28, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Perdorej një shprehje nga të vjetrit në Shkoder: “Nuk janë do punë si do punë!..”
Atëherë, kur i ndigjuem emnin këtij Gjyqi na dukej se në Botë nuk ka ma “padrejtësi”!
Shtetet fituese të Luftës së Dytë Botnore nder këta tavolina do të zhduknin nga fletet e historisë së kohës së mbasluftes perfundimisht perdorimin dhe fjalen renqethëse “Gjenocid”, që deri atëherë kishte endè fjalor që nuk e kishin nder fletët e tyne… Viti 1945 ishte fillimi i Gjyqit.
Bota europjane dhe aziatike u “çlirue” nga ankthi i frikës nazi – fashiste…Sigurisht, u bane edhe ndryshime në perdorimin e terminologjisë juridike në gjithë Boten, deri në Australi, Brazil, Argjentinë e kudo ku mund të kishte vue kamben kjoftë edhe një nazi – fashist. Ndersa, nder shtetet e mëdha europjane fjala “diktaturë nazi – fashiste” u zevendsue me fjalen e re që do të perdorej me kuptimin e “mirë”; “diktatura e proletariatit”, e shpikun dhe e vume në jetë në Rusi “bolshevike”, që njihej me emnin Bashkimi Sovjetik, nga V.I.Lenin në 1917.
Né na i mësuen këto fjalë dy komunista jugosllav që “shoku” Tito” i solli në vitin 1941 tek “profesori” pashkollë i Korçës në Tiranë, “shoku” Enver Hoxha…që, ma vonë u instruktue per zbatimin e saj me “baben e vet” Stalin. Qendrat kryesore në Shqipni ishin nder të gjitha qytetet kinematë e tyne. Në Tiranë mbahet mend kinema “Kosova”, ndersa në Shkoder kinema “Rozafat”…Shumica e Atyne që u konsideruen “bashkpuntorë” të nazi – fashizmit nuk u muer mundimi me i çue nder kinema, mbasi partizanët “çlirimtarë” me “kengën e tyre në gojë” “bijtë e Stalinit jemi ne!” u jepnin nga një breshni automatiku dhe i hudhnin nder prroska, shpella ose lumej…Kështu u zhdukën edhe shumë intelektualë që u lidhën me vetë komunistët por që nuk kishin studjue nder shkolla ku ata kishin perfundue studimet fjalen “diktaturë e proletariatit” …Flitej “mirë” për një grup njerzish që ishin angazhue me disa “brigada ndjekje” që ndiqnin kamba-kambës “armiqt’ e popullit”, që jo, vetem i kapnin ata, po edhe i masakronin aqsa shumica e tyne ishin “mirnjohës” kur “shokët” e brigadave u jepnin plumbin dhe i pushkatonin pa i sjellë në “kinema”…
Ma vonë ky grup u quejt “sigurimi i shtetit komunist”, që kishte disa zyre nder qytete. Nuk mbahet mend kurrë që këta agjentë të këtij “sigurimi të shtetit” të jenë quejtë “sigurimi i popullit”…Të pakten unë nuk e kujtoj, se kur mora mend kam pa me sy kur njerzit ishin tue ecë në rrugen e re në Shkoder, ku ishte dega e punëve të mbrendshme apo “sigurimi i shtetit” për qytetin, aty secili ulej nga trotuari dhe ecte në asfaltin e rrugës së makinave, mbasi kalonte deren e “sigurimit” rreth 10 ml. ma andej hypte prap në trotuar, por ky veprim bahej instinktivisht dhe jo nga kujdesi…kjo do të thotë se “frika” u kishte hy qytetarëve shkodranë per palc, sa edhe ecnin pavetdije në rrugë të automjeteve. Nuk do të zgjatem me até që mund të ngjiste aty!
Shteti ma i vogel në Europen komuniste ishte RPS e Shqipnisë. Në vitin 1974 shifra e të vramëve, të mbytunëve nder hetuesi e burgje apo kampe pune dhe interrnimi, i ka kalue 50.000 vetë ndonse, edhe vetë të “burgosunit politik” flasin per një shifer që nuk dij ku asht gjetë!..
Shifra e popullsisë shqiptare që asht burgosë, dëbue, interrnue dhe asht perfshi në “luften e kllasave” i kalon 500.000 njerëz, kur popullsia nuk ishte gati as 2.000.000 njerëz…
Vetem shifra e Klerikëve Katolik Shqiptar të pushkatuem dhe të mbytun nder burgje e kampe të shfarosjes asht 61 klerikë, ndersa të burgosun me shumë vite i kalon 130 klerikët…kjo ngjante kur shifra e pergjthshme e Klerit Katolik Shqiptar ishte gati 200 klerikë.
Popullsia çifute në gjithë Gjermaninë e vitit 1933, ishte vetem 5% e së pergjithshmes.
Popullsia katolike në Shqipninë e vitit 1946 ishte 12%, kur gjithë popullsia ishte rreth 1.200.000 njerëz, nga rregjistrimi i atij viti. E megjithate tek ne, as ky nuk qyhet Gjenocid!..
Prof. Sami Repishti, ish Antar i Amnesty International në USA, bashkvuejtës i At Çiprian Nikës dhe Klerikëve të të gjitha besimeve të arrestuem, torturuem dhe pushkatuem në vitin 1946 e ma vonë në Shkoder, pak ditë ma parë shkruen: “Me çfarosjen fizike të klerit katolik shqiptar, krimi komunist ka ba edhe nji hap tjeter në zbritjen poshtë drejt ferrit: Gjenocidin! Teorikisht, ky Gjenocid asht planifikimi dhe ekzekutimi qellimisht në zhdukjen fizike të nji pakice të caktueme (këtu kleri katolik shqiptar) vetem sepse kanë qenë kundershtarë të vendosun të sistemit, jo thjeshtësisht si indidividë, por si nji grup shoqënor në vete, i cili kishte pranue vullnetarisht misionin e perhapjes dhe ruejtjes së fesë katolike në Shqipëri.” Dhe rikujton një nga vizitat ma të randsishme të bame në Shqipni, ku: “ Vetë Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së Tij në vitin 1993, deklaroi se ajo që ka ngja në Shqipëri nuk ka ngja në asnji vend të Europes, dhe Europa duhet ta dij këte!”
(Prof. S. Rrepishti, “Nji koment”, korrik 2012).
E Europa, tash 21 vjet shka bani!?..
***
Edhe pse dihet nga të gjithë se veprimtaria Atdhetare, fetare, gjuhsore, letrare artistike, ajo politike dhe shoqnore, per ndertimin e shtetit dhe të së Drejtes, ku nuk ka mungue asnjëherë rruga diplomatike dhe ajo etike mbi bazen e dialogut mes besimeve dhe krahinave, tue shkri dhe sakrifikue edhe jeten per “Atdhé dhe Fé”, e kryesisht, per formimin dhe mbarvajtjen e Shtetit të Pavarun dhe të Lirë Shqiptar, prapseprap në Shqipni, vazhdon me dominue e me dhunue ligjin e Gjenocidit shteti anadollak – komunist, kur edhe shtetet tjera “socialiste” e kanë dënue até.
Jam i sigurt se, sikur në vitin 1945 kur gjithë Bota dënoi Gjenocidin kunder Ebrejëve, të ishin kushtet politike dhe shoqnore të Europës së sotme të islamizueme, kurrë nuk do të dënohej Gjenocidi nazi – fashist, ashtu si sot, nuk dënohet Gjenocidi komunisto –anadollak i kryem tek né në Shqipni nga komunistët e Enver Hoxhes dhe Ramiz Alisë, që janë vetshpallë “vëllezërit e gjakut me turq”, kunder Katoliçizmit Shqiptar… e per ma teper sot, kur Shqipnia “socialiste” dhe “demokratike”, asht edhe tash 20 vjet antare e “Konferencës Islamike”…
Deklarata e Qeverisë Shqiptare sot do t’ishte: “Kurrmë Nuremberg!”
Tashti që u njohëm si vend kandidat i BE… A do të themi: “Kurr më Nuremberg”! ?

Melbourne 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: “KURR MË..., Fritz radovani, NUREMBERG” !!..

20 MAJI… PER JU JETIMë…

May 20, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Nanë Tereza thshe:
■Fëmijët janë dhurata ma e bukur e Zotit.
Çdo fëmij ka të drejtë të vijë në këtë Botë pamvarsisht dëshirës sonë.
■Në shtëpinë tonë jetonte një fëmijë shumë i thatë, që nuk hante asgja.
Ishte i dëshpruem sëpse ato ditë i kishte vdekë Nana. Kërkova një murgeshë që i përgjante Nanës së tij dhe e porosita murgeshën që të mos bante tjetër vetëm të luente me voglushin. Mbas pak kohe ky fëmij u qetësue dhe filloi jetën normale.
■Jam e bindun se tortura ma e madhe kundër njeriut asht ndjenja e braktisjes.
■Mendo: Se, Krijuesi i Gjithësisë ka krijue kohë për ne, për krijesat e tij të vogëla.
Ka vetem nje Zot dhe Ai asht Zot tek të gjithë. Asht e rendësishme të kuptohet se gjithësejcili shihet si i barabartë perpara Zotit.
Gjithmonë kam thanë se ne duhet të ndihmojmë një Hindu të bahet Hindu ma i mirë, një Mysliman të bahet Mysliman ma i mirë, një Katolik, të bahet katolik ma i mirë.
***
■Shqiptarët sot duhet të krenohen per Figuren Botnore të Nanë Terezës, e cila në qendren e Shpirtit Saj, kishte të ruejtun dashunin dhe sakrificen per jetimët e gjithë Botës…
■Per një fakt jam shumë i sigurtë se, Jetimët, as nuk mendojnë, as nuk andrrojnë, as nuk e dishrojnë dhe, as nuk punojnë kurrë, dhe asnjëherë, gjithë jeten e vet që nga veprat e tyne Bota që i rrethon me pasë të pakten edhe një jetim ma shumë se ka!
■Nga zemra Ua uroj atyne fatzezëve që kanë këte emen, që e ardhmja të mos iu randojnë sado pak ndergjegjen e tyne me pamundsinë me i sherbye familjes e shoqnisë, me evitue në çdo kohë mundsinë me shtue edhe një jetim ma shumë në çdo vend ku i ka shpernda jeta.
■Me shumë dashuni, u uroj Jetimëve Diten e Tyne… 20 Maji 2014 !

Melbourne, 20 Maji 2014.

Filed Under: Sociale Tagged With: ... PER JU, 20 MAJI, Fritz radovani, JETIMë...

“MASAKRA ME KNAQË SHPIRTIN E TYNE…”

May 6, 2014 by dgreca

Imz. Jul Bonatti (4 Maji 1874 – 5 Maji 1951)/
Nga Nga Fritz RADOVANI/
Vështirë me u besue këto, e vështirë me u besue çka po u shkon mendja “disave”!
Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Jul Bonatti, në Vlonë, pra, pak muej mbas kthimit të Tij nga Italia.
Hapët dosja nr. 3616… “…Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.”
Imz. Bonatti deklaron në hetuesinë e Vlonës dhe asht fat i madh se, në disa fletë që ruhen në shpjegimet biografike janë detaje që me siguri nuk do të ishin dijtë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.” Tregon me shka asht marrë edhe në vitet e fundit në Itali.
Një opinjon që vazhdoi mbi 47 vjet në hetuesitë e sigurimit shqiptar:
“… përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik.” (dt. 10 qershor 1946).
Prokurori Beqir Isufi shënon po aty: “Prifti spijun i djallzuar…”
Namik Cakrani shënon: “… Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.”
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “… agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi…”
Me datën 27 tetor 1947, jepet vëndimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”
Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: ”Dënohet me 5 vjet heqje lirie…”.
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né.
Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit nga e cila nuk mund të shkëputej asnjë çast atëherë,.. dhe sot.
***
Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i Tij me té. Njëditë Ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”.
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë… Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohun i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni…. dhe çohet në manikomjo…
Fantazia e kriminelit asht e pafund….
Imzot Prof. JUL BONATTI, njëditë thanë se ndrroi jetë!
“Ndrroi jetë…”, një fjalë goje!
U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!!
Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e… ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mëshefun mbas fustanit Nexhmije Hoxhës, kobres së zezë të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij.
***
A thue pasojë e sllavokomunizmit ishte kjo, apo dishka ma shumë..?!
Imz. Jul Bonatti deklaron: “Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës!” Kjo thanje e Profesorit më ka terhjekë vemendjen që atëherë kur e kam lexue. Kam shkrue dhe mendoj mos me u ndalue këtu!
Imz. Prof. Jul Bonatti ishte Klerik Katolik Shkodranë, teolog, filozof, studjues dhe perkthyes i njohun i letersisë dhe gjuhës shqipe, një humanist i persosun, poliglot dhe mbi të gjitha një Klerik me pikpamje europjane, në vizionin e të cilit qendronte një nga perpjekjet e vazhdueshme të Atdhetarëve tanë: Unifikimi i Kishave Shqiptare!
Përgatitja e Tij n’ Austri, Itali, dhe sherbimi në Stamboll mbi 16 vjet, në Durrës, Vlonë, Siçili, dhe njohja atje e Kishave Unite Shqiptare prej Tij, duhet të bahet piknisje per një studim të plotë të perpjekjeve të dy palëve; katolikë dhe ortodoksë per unifikim.
E ky unifikim nenkupton Unitetin e Trojeve të Shtetit Shqiptar!
Një veper e tillë Atdhetare, ishte fillue me kohë nga Imz. Kristofor Kissi.
Kjo etapë e re fillon me kohë, madje vite perpara At Shtjefen Gjeçovi kur ishte në Vlonë, flet per perpjekje të dy kishave per Bashkim, dhe kam parasyshë edhe vlersimet.
Nga studjuesi z. Nelson Qiriaku, kam mujtë me u sigurue per fillimet e Kishës Ortodokse Autoçefale Shqiptare KOASH, e cila me disa nga drejtuesit e saj të nderuem filloi marrveshjet per unifikim dhe bashkpunim me Kishen Katolike Shqiptare, që në vitin 1920. Menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë në 1912 shihen dokumentat. Perpjekjet e Hirsisë së Visarion Xhuvanit, Kristofor Kissit, Irene Banushit, etj., dhe lidhjet e Tyne me Famullitarët e Vlonës, Durrësit dhe së fundi të Tiranës, dhe janë një prej episodeve ma të lavdishme të mardhanjeve mes Kishave tona Shqiptare.
Porsa Kisha Ortodokse Autoçefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga kishat sllave e greke në vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë që në Kongresin e Beratit (1922), vendosën KOASH, dhe perdorimin e gjuhës Shqipe.
Patriarku i Konstantinopojës emnoi në Shqipni Hierotheos A. Jahon (Peshkop i Miletupolisit) si zevendsin e tij të plotfuqishem, i cili, i shoqnuem nga Imz. Kristofor Kissi, Peshkop i Sinadonit, mërriti në Korçë në vjeshten e vitit 1923, dhe shuguruen Fan Nolin, me 21 Nandor 1923, në katedralen e Shen Gjergjit.
Hierotheosi emeroi Imz. Kristofor Kissin, Peshkop të dioqezës së Beratit, e cila permblidhte edhe Vlonen; Fan Noli në 1924 u largue nga Shqipnia. Në nandor 1927 vizitoi Rusinë stalinjane, pra Bashkimin Sovjetik, si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit…
Po, nuk mungoi me i ba urimet edhe Enver Hoxhës në Janar 1946, per “varësinë e Republikës Demokratike Shqiptare nga Jugosllavia komuniste e Titos”…
Ishte koha kur Peshkopët e KOASH Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Irene Banushi(u burgos në 1947), Kozma Qirio, At Dhimiter Leka (u pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli(u pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, me 11 Dhjetor 1972), vetem pse vazhduen me punue per unifikimin e Kishave Shqiptare, njëherit me persekucionin e Tyne të vazhdueshem kryesisht mbas 1944.
Me këte “Bashkim Kishash”, nuk ishte i knaqun as Ahmet Zogu, as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe Enver Hoxha, derisa shkatrroi këte Bashkim dhe Fenë!
Kryepeshkopi metropolit Kristofor Kissi drejtoi KOASH derisa dha doreheqjen me 1949. Ai jetoi në pension pak kohë në manastirin e Ardenicës e me vonë në manastirin e Shën Prokopit afer Tiranës. Thohej se vdiq nga hemoragjia cerebrale (po, ma shumë mendohet se aty u helmuem nga Sigurimi komunist) me 16 qershor 1958.
Patrikana e Konstantinopojës e njohu Kishen e Shqipnisë si autoqefale vetem nga autoriteti i Imz. Kristofor Kissit. Ai ishte personi ma i respektuem per të gjitha palët e interesueme, per patrikanën e Konstantinopojës, per Popullin Shqiptar, per Klerin Ortodoks dhe lidhjet e KOASH me Kishen Katolike Shqiptare. Ndersa, Martiri At Josif Papamihali… asht mbulue me baltë i gjallë në kampin e shfarosjes, në këneten e Maliqit të Korçës, me 26 Tetor 1948 vetem, per lidhjet fetare me Klerin Katolik Shqiptar.
Kjo ishte Kisha e vertetë Ortodokse KOASH, per të cilen ruej respekt edhe sot!
Ishte pikrisht koha kur në Shkoder Hafiz Derguti torturohej në 1947, dhe po i tregonte një bashkvuejtësi: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”
Cili kje qendrimi Europjan i Hafiz Ibrahim Dalliut në gjyqin e Tij në 1946 ?
Kush mundet me mohue veprat e Hafiz Ali Tarit, ndaj Klerit Katolik në Burrel ?
Ndersa, vrasjet e masakrat e sllavokomunistëve ndaj Bektashijve vazhdonin me korrë koka njerzish, vetem per qendresen e Tyne në perkrahje të katolikëve Shqiptarë.
Ashtusi mbyten At Papamihalin, ashtu shkyene dhe Imz. Jul Bonattin…
Historia pa të vertata e saja, nga Populli Shqiptar quhet “rrenë”!
***
Komunistët shovenistë sllavobolshevikë, ashtusi paraardhësit e tyne anadollakë, gjithnjë, kudo ku kanë sundue kanë perdorë metoden “Perçaj e sundo!”, jo “pa rezultat”.
Në Sheshin Skenderbe, Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ ju harrojë…
Por me një kusht, që të mbetët përgjithmonë në kujtesën tonë, ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njejtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proces pajtimi të vërtetë.”
Pajtimi i vertetë arrihet vetem me hapjen e dosjeve…Dënimi i diktatorëve që kanë ushtrue Gjenocid kunder Klerit Katolik dhe Atdhetarëve Shqiptar asht detyrë!
Shqiptarët duhet gjithnjë ti bajnë vetes një pyetje:
Deri kur do të vazhdojë me u mashtrue Populli Shqiptar?!
Melbourne, Maj 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: “MASAKRA ME KNAQË, Fritz radovani, Imzot Jul Bonatti, SHPIRTIN E TYNE...”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT