• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A DONI “TEK A ÇIFT ?!”…

June 22, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Kush di me luejtë cilendo prej lojnave din me hjedhë edhe shortin…

Shumica e lojnave kanë arbitra, të cilët hjedhin shortin para fillimit të lojës. Zakonisht ata pyesin njenin nga dy lojtarët se çka kerkon “çift a tek”? Zgjedhja e njenit i jep të drejten tjetrit me kenë fitues i anës tjeter të monedhës që albitri hjedhë me percaktue të drejten “me zgjedhë”… mbas ramjes monedhës në tokë. Ky asht shorti. Deri këtu arbitri asht i paanshem…

Në politikë nuk pyesin kurrë “a doni çift a tek ?!”, ata perdorin tjera fjalë që janë marrë nga ato që perdornin të huejtë kur na sundonin në shtëpinë tonë, p.sh. “a do turrë a jazë?”…ose kur në të shumten e rasave ata ishin arbitrat tonë, që drejtonin “lojen e vet” me lojtarët tanë.

Në kohen e osmanllinjëve nuk e kam idenë se çka mund të na kenë pyet ata ne. Dij se në këta 100 vjet të shkueme, pothuej askush nuk e ka pyet popullin as per qeverisje as qeveritarë.

Pleqtë tregonin se kur e kanë pyet Luigj Gurakuqin një rreth miqësh pse nuk martohesh, Luigji u ka thanë: “Per me u marrë me politikë dhe me kenë i drejtë në Shqipni, politikani nuk duhet kurrë me u martue!” Pra, duhet me kenë “tek”, që mos me lanë familjen rrugash…

Edhe Ahmet Zogut kur i hodhi “shortin” Pashiq në Bristol të Beogradit, në gusht të 1924, Ahmet Zogu i tha: “Due turrë” dhe i ra “turra”… E filloi me Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Hasan Prishtinen…e shkoi “turra” deri në fund të Shqipnisë…e besa, edhe të Dardanisë.

Në vitin 1941 erdhi në Tiranë një tjeter “trajner” politik nga Beogradi, njëfarë Dushan Mugoshet, të cilit nuk besoj se do t’ia harrojnë emnin Shqiptarët edhe nja 250 vjet tjera… Edhe ky i pat hjedhë “short” Enver Hoxhës, i cili i kerkoj “turrë”, ndersa “jaza” i takoi Qemal Stafës, Vasil Shantos, Zef Malës me “mbarë” Shkodren, e pak ma vonë edhe grupit Korçës… Edhe kur ndokush e pyeste Enverin “a do çift a tek?”, ky i pergjegjej “turrë”, pra kerkonte “çift” se me “tek” as nuk u ulte me fillue lojen e vet… Edhe në vitin 1948, vazhdoi me “çift” kur luejti me kokat e Koçi Xoxes e kompani… Prap vazhdoi me “çift” kur hodhi shortin per Tuk Jakoven dhe Bedri Spahiun… Prap me “çift” kur erdhi Hrushovi, me Liri Belishoven e të shoqin Maqo Çomo.

Në vitet 1970 – 74 nuk e perdori ma fjalen “çift”, po thonte “turrë”…e kriste turra nga ministria e mbrendshme e deri naltë në Byro politike, prej Kadri Hasbiut, Feqorr Shehut, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Beqir Ballukut dhe turrës gjeneralave…derisa, vetem njëherë i tha Nexhmijes, dua “çift” dhe ajo ia plotsoi dëshiren me “çiftin” Mehmet e Fiqrete Shehun… Kur u plak e nuk mujte me hjedhë ma as shortin, i la porosi Ramizit, që para se me thanë “turrë a jazë”, gjithmonë shiko në sy Nexhmijen, mbasi ai kurrë nuk kishte hjedhë short pa shikue ate. Asht kenë qefli taullet, aqsa kur dilte në balkon kur ishte budallosë dhe i bante rojeve të bllokut me dy pllambët e veta te vendosuna tek hunda, thërriste me të madhe “haps”; i dukej si taullë ambjenti perrreth…e kur vriste ndonjë njeri dhe harronte, i thonte Nexhmijes, “më ke fshehur gurin!!”

Ramizi ishte mjeshter i vjeter në hjedhje shorti. E pat fillue lojen me kosovarë në 1944, dhe njihej si mjeshter i zhdukjes së “turrave” të Shqiptarëve… Vetem njëherë kur iu desht me sigurue “t’ardhmen” e postit PPSh, kerkoj “tek” dhe na solli Hysni Kapon në arkivol nga Parisi.

Edhe në vitet 1990 – 91 kur lojen e fitoi Regan, dhe komunizmit i erdhi fundi… Ramizi, mbasi kishte vra Djelmët fatzezë nder kufinjë, në fjalen e vete në Byro politike tha: “Dua çift!” dhe zgjodhi “çiftin” Nano – Berisha… I çoi në Venecia…Atje një trajner italian, i hodhi shortin… Nano kerkoj “turrë” dhe i ra “turra e komunistëve”, ndersa Berisha, kerkoi “jazë”, dhe i rane të gjithë agjentët e sigurimit dhe të “persekutuemit politik ‘antikomunistë”…

***

Tashti, sigurisht, që koha e ka ba të veten… Jo vetem arbitrat, po edhe lojtarët janë shumë të specializuem dhe komunikues me grupet “turrë” të atyne, që shumica kujtojnë se me të vertetë janë kundershtarë me njenitjetrin. Sigurisht, kanë ndonjë keqkuptim kur bisedojnë per “turrat” e eurove apo të rrezervave nder banka, por shpejtë i pajton qellimi dhe prejardhja e vjeter…

Asht gja e bukur me i pa kur bajnë sikur janë zemrue…E mandej…i pajtojnë gratë! Sa të jetë gjallë Nexhmija nuk kanë nder mend me u prishë per gjana të vogla. As këta asnjeni nuk ia prishin as qejfin as zemren asaj… I ka dashtë fort qyshë të rijë…i ka rritë vetë (edhe si veten).

Tashti në zgjedhjet e vitit 2013, shorti do të hidhet mes Berishës dhe Ramës… Tashti nuk ka ma as Berisha “jazë” se gati – gati janë ba të dy grupet “turrë”…”të persekutuemit” u harruen!

Shqiptarët mundohen me hjedhë “short” po sa herë hjedhin monedhat nalt…u bijnë “jazë” se nuk janë mësue me lujtë me pare…vazhdojnë me kujtue se po lozin me “letrat me vlerë”…

Prap si dikur…kur të shkoni me votue hidhni shortin…kujt ti bijnë “turra” jepni voten!

Ka shkue puna; si ka turra si ka jaza… “qeverinë e ka n’ dorë masa…”!

Kam harrue si asht ajo fjala… a thohet: “Turrë, turrë, bahesh mur…”?

Uuuuuuaa…si i binte “turra” gjithnjë atij…!?

 

Kam vetem një shpresë: “Në dorë të Zotit”, se mjaft me dreqin!

Melbourne, 2013.

Filed Under: Featured, Opinion Tagged With: Fritz radovani, tek apo cift

KY GOMAR, KA MBETË NË BALTË…

June 15, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

  Shpesh ndodhë në jetë që gomari të bahet kenja ma e afert me të cilin kalon shumë kohë. Një fshatar porsa del drita në mengjes ma parë se gomarin nuk besoj se takon njeri…            Kështu ka ngja në një nga fshatrat e Mirditës, aty nga vitet 1946 – 47…

E mori i zoti gomarin dhe u nis në pyll me pre dru per shtëpi. Preu sa preu dhe filloi me ia ngarkue gomarit barren e druve. Njëfarë kohe u lodh fshatari aq sa mendoj mos me vazhdue ma ngarkesen pa ndezë një cigare. U ul mbi një cung aty afer gomarit dhe i merzitun nga mundi e lodhja iu drejtue Zotit në qiell: “Deri kur o Zot, po i len komunistat me na marrë Shpertin, aman bre, qiti faret këta t’ patenzonë !?”… Fiku cigaren me kujdes mos me marrë zjarr pylli, shterngoi barren e druve, mori gomarin perdore dhe u nisë tek shtëpia. Shkarkoi drutë dhe u ul tek votra. Nuk vonuen as dy orë e ia mërriten tek shtëpia e fshatarit forcat e ndjekjes me operativin e zonës.

E thirren me emen dhe hyne në shtëpi. Mbasi e pyeten ku ishe, pse shkove në pyll, dhe me cilin ke bisedue kunder pushtetit popullor, fshatari i topitun nuk dinte me mendue “kush e paditi até!” U mundue i shkreti me mohue fjalët e veta, po ata ngulnin kambë se ke folë kunder nesh, madje dhe “i kerkue Zotit me na qitë faret”!! Fshatari i shkretë vazhdonte me mohue edhe pse po bindej se me të vertetë ata po i dinin të sakta fjalët e tija. Kur operativi po ngulte kambë dhe i sigurtë iu drejtonte fshatarit se “çfarë i ké kerkuar Zotit per neve?!”.. Fshatari i zanun ngusht u tha: “Per qiell e tokë ju me Zotin, nuk keni punë, po pse edhe gomari em kenka ba spijuni juej s’ e kishe mendue! Të gjitha po i pranoj, po gomarin si e keni ba me folë kunder meje, që unë i shikoj atij sytë e ballit?!”…E morën me vete rrezikun fshatar dhe mbasi e ngordhën në hu…e dënuen.

Mbas disa ditësh mirditësi po i tregonte një shokut të vet kur e çuen në një kamp pune …tue vazhdue me dyshue se gomari ka kenë i vetem aty e askush tjeter nuk ka pasë mundsi me ndigjue çka ky iu drejtue Zotit… Miku i tij nga Mirdita filloi me qeshë dhe i tregoi se, “me siguri, nuk të ka shkue mendja me shikue naltë nder lisa, mbasi ka disa muej që forcat e ndjekjes po gjurmonin disa diversanta dhe rrinin nalt tue veshtrue lëvizjet e njerzëve poshtë me mujtë me i kapë diversantat ose ata, që shkonin nder pyje, me u çue bukë atyne…e ashtu, si ty, më ka ngja edhe mue me forcat e ndjekjes në një pyll tjeter, ata të kanë ndigjue kur ti i ke nêmë!”

Kishte kohë që fshatarit  i rrinte mendja tek gomari…

Pergjithsisht shqiptarët shumë ngjarje i lidhin me jeten e gomarit.

Aq per qejfë i kanë gomarët sa në perngjasim me ta, edhe votojnë tash 22 vjet…

A mund të marrin me mend kush se sa faqe të një librit të vet i ka kushtue edhe poeti i madh At Gjergj Fishta, një gomarit me emnin “Gomari i Babatasit”?!

Dhe ja, si e fillon librin e vet kushtue atij “gomari”:

Pra, nji herë e pikë ma s’parit

Po i diftoj rodit t’ Shqiptarit

Se un ktu s’ kndoj burrnin’e t’ Parit,

As trimnit e ndo’i luftarit,

Veç nji gaç, nji zog gomarit,

Qi, qyqari, për send tjetër

– N’ dashtë i ri t’ jet, n’ dashtë i vjetër –

S’ duhet gja, veç se me bártë

E me ngrânë, t’ thuesh, si Shqiptarët…

***

Një Burrë shumë i kulturuem më shkruen këto ditë, sigurisht, me keqardhje per gjendjen e krijueme në Shqipni… “Mbas 100 vjetësh, akoma nuk e kanë mësuar të vërtetën se është i zoti që e nxjerr gomarin nga balta.”…Ishte para ngjarjeve të partive të pista LSI, PISI, PQN, PSSh… e kush po i merr vesh shkronjat e tyne,  pra, prap si në 1941 me PKSh, kur shovenistët jugosllavë gjetën disa tradhëtarë, mbeturina osmanllijshë në Pazarin e Vjeter të Tiranës qamiliste, dhe formuen me terroristë atë “parti”, që s’ ka mbetë gomar që nuk po e drejton…

Po, nuk duhet harrue se: “Gomari asht ngulë në llomin e Shqipnisë e nuk po zhgulet!”

Mos asht i “zoti” i këtyne gomarëve që “drejtojnë” Shqipninë, B. Tadiç, R. Krivokapiç, Muhamet Budimliç, e disa të tjerë që nuk ndryshojnë nder surreten nga ata të 1941 ?

Grumbullimi i këtij llomi në Shkoder e ka domethanjen e vet!

Autorët e “2 Prillit 1991” kerkojnë persëritje “datash” të këtij muej!

Ata që kanë mbulue krimet e komunizmit në Shkoder tue mos dënue asnjë terrorist nder këta 22 vjet, ata kerkojnë vazhdimsinë e mbajtjes së pushtetit, krimit, vrasjeve dhe hajnisë!

Shkodranët, nuk duhet me u ba prè e terroristëve dhe tradhëtarëve që tash 22 vjet, vetem po i mashtrojnë e genjejnë…per me mbushë xhepat e vet.

Në Qershor, Asnjë Shkodranë, nuk duhet me hy në baltë per me nxjerrë “gomarin”…

“Gomarin” t’a nxjerrin “ata”, që tash 72 vjetë e kanë zhytë në llom dhe në gjak…

“Gomari” nuk asht as prej Barbullushit, as prej Shkodret !

Ai e ka “hanin e hajnave” në Tiranë… që në 1920…

Melbourne, 2013.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, ky gomar ka mbete ne balte

SHQIPNIA E TUNELEVE DHE BUNKEREVE…

June 6, 2013 by dgreca

Ne Foto: Marrshon Shqipnia e 700.000 bunkereve… !

Nga Fritz RADOVANI/ Melbourne/

Shqipnia ishte “një shkemb graniti në brigjet e Adriatikut”…na ishte ngulitë në tru dhe as nuk na shkonte mendja se ndonjëherë do të xirrnim koken me pa driten e diellit apo me veshtrue se çka bahet pak ma këndej apo andej Adriatikut tonë. Rrethimi i vendit nga kapitalistët dhe revizionistët nuk na lejonte me shikue askend sepse të gjithë jetonim “si në rrethim”!..Me siguri shumica e rinisë nuk i kuptojnë këto shprehje, ndersa, pjesa që perjetoi atë periudhë historike porsa lundroi ose fluturoi mbi Adriatik, filloi “me harrue” se Populli Shqiptar ishte betue që “bar do hanë po idealet nuk i shkelë!”…

Ky vetizolim i Shqiptarëve erdhi në një kohë pa u kuptue fare, madje në kohë “paqe”, në vitin 1961… në roje të një pabesije të injektueme në gjak.

Të gjithë mendonin “kunder nesh e si me na zhdukë né”.

Aq e fortë ishte drita e Lirisë sa askush nuk mund ta shikonte drejtë me sy!

Një ditë… aty ku mendohej me u vue automatiku e ku…veç, kur një grupi të rijshë në Shkoder, iu mbushë mendja se duhej hjekë monumenti i Stalinit, e ishte 14 janar 1990.

Edhe njëherë filluen arrestimet… Rinia Shqiptare nuk mbahej ma nen fre…

Turmat u versulen drejtë ambasadave, anijeve, kufijëve, piramidave, gomoneve dhe sejcili pa kuptue ku ven kambën veç kerkonte me dalë nga tunelet e bunkeret ku ishte ngujue gati një gjysë shekulli, tue pritë me padurim “diten” mbas natës pafund të robnisë komuniste.

Ata që thonë se “unë kam pa me sy ku po eci…” vetem genjejnë! Sytë ndoshta i kishim në ballë por me pa me ta nuk shihte asnjeri, veç ai që do me rrejtë… Marrakotja na kishte molisë dhe verbue. Na dukej se të gjithë ishim në shullanin e diellit e rrezet e tij na binin saç mbi kokë e na pervlonin si në ditët e para, kur njeriu çveshet e del në ranen e ngrohtë të plazhit mbas një acari të një dimni me ngrica, borë, ortiqe e rrëshina akulli…

E si mund të mendojnë ndryshej një shkodranë që nuk mund të shkapercente as andej urës së Bunës pa leje “qarkullimi” të degës së punëve të mbrendshme, kur edhe ajo mund të jepej nga sigurimi vetem mbasi ata bindeshin se ti nuk do me ikë jashta Atdheut.

E durrsakët apo vlonjatët si mund të kujtohen se të gjithë ata bunkera të ngulun në ranë nuk kanë ma asnjë vlerë!? Butrinti dukej sikur asht mbushë me statuja edhe pse pat edhe nga ata që me qellim të keq aty – këtu edhe vune dorë… filluen edhe i vodhen me i shitë. Korça e Pogradeci filloi me marrë frymë nga miqtë e ardhun mbas sa dhjetra vjetësh që gati u ishte harrue edhe pamja e fëtyres, që ishte tiposë nga fotot bardhë e zi me stergjyshat e kalbun në Maliq… Jo larg Kukësit flitej se ka edhe andej Shqiptarë! Asht kot me vazhdue me folë se gati askush nuk e beson se Shqiptarët, rretherrotull me Trojet e veta ishin ngujue nder tunele, bunkera dhe strofulla ujqish, aq sa kishin humbë shpresen se ndonjëherë mund të dalin jashtë nga telat me ferra që i rrethonin strehen dhe mendjen që nuk i lejonte me andrrue Lirinë.

Kur pashë në Fushen e Çelës në Shkoder, një djalë me një Flamur Shqipnije në një shtizë të shkurtë, me një “vrimë” që i kishte pré yllin dhe po ecte drejtë e nga sheshi mu në qender të qytetit, ku njerzit mblidheshin ndër mitingje tue brohoritë deri pak ditë ma parë për partinë… ”parti Enver, jemi gati kurdoherë!”, pse me rrejtë? Nuk i besova syve! A thue edhe Shqiptarët e perdhosen yllin e kuq që u pat zhigatë mbi shtrojen e kuqe të Flamurit të Kastriotit?!

Mendova me vete por nuk i tregova askujt se shka kishe pa nga frika se do të më thonin “jé çmendë!”. Mu kujtue në çast Kryengritja e Spaçit…Qafë Barit…Vlashuku, që Nana ime ishte kenë me pa ndër tela të rrethuem vllaun, dajen, e mendja fluturonte sa andej këndej kur kambët ecnin mbi trotuarin e asaj pjace ku dikur, Luigj Gurakuqi, ecte tue mendue si mund të bahet aty afer një lulishtë ku mund të argëtohen fëmijët e shkodranëve?!…

U kujtova se kishe humbë!..

U ktheva me vrap në shtëpi dhe fillova me bisedue kot me pa çka po më thonë të tjerët se jam apo nuk jam në vete!?… Të gjithë çka takova rrugës mu dukën si vetja!…

Vetem kerkonim Lirinë! A kishte që kerkonin ma shumë? – Nuk besoj!

Edhe dyertë e shtëpijave nuk na epej me i mbyllë ma me çelsa…

Po hajnat a binin me fjetë me né?! – As këte nuk e besoj! Thohej se disa prej tyne vazhdojnë me vjedhë dhe mbas perëndimit të diellit mblidhen ndër disa bunkera e tunele dhe atje naten vonë ndajnë “qarin” e hajnisë së ditës… Kishte edhe nga ata që flenin ndër tunele me ruejtë mallin e vjedhun…e kishte edhe nga “ata”, që vazhdonin e vrojtonin me kujdes kush po i afrohet derës së blindueme të atyne labirinteve ku kushedi sa vetë me “një plumb kokës” kishin humbë jeten në lule të Rinisë…e kafka e Tij, ishte pak meter ma andej ku hajnat, vazhdonin me numrue stivat e dollarëve…të fitueme nga trafiku i gomoneve…

Vetem dera u dukej atyne tuneleve…po fundi i tyne ishte fare i panjohun!

Një Popull në kambë tue thirrë: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!”…

E turmat që nata i zente në kerkim të Asaj rruge qindvjeçare, padashje humbnin drejtimin nder ata tunele e labirinte që në pritje të “Dritës së Diellit”, perfundonin dikund ka Lindja… gjoja tue pritë “Driten e ditës së ré” që do t’ agonte.

Të vjetrit tregonin se Gjergj Kastrioti e kishte vue në Flamurin e Tij me Shqipen me dy krena, se njena kokë veshtron nga Perëndimi, ndersa tjetra, veshtron nga Lindja…

Që në vitin 1925 një kasap nga Mati u mundue me i vue një litar kokës Shqipes nga Perëndimi…Në se Shqipja do të fluturonte andej “litari” kryente punen e vet…

Në 29 Nandor 1944 një kasap tjeter nga Gjinokastra, djal i një bulykbashit turk, mori një sopatë nga ata të fashizmit dhe ia këputi koken Shqipes nga Perëndimi…me dorë të vet e zhigati kuq dhe thirri: “Vdekje Fashizmit, Liria e Popullit”…e shumica i “besoj”!

Në vitin 1991 – 92 nuk u dukën se janë kasapë edhe pse ishin me bluza të bardha!

Ishin disa “mjekë” që i bane një operacion në zemer Shqipes, po gjatë operacionit u asht dashtë me i dhurue gjak…Kur Shqipja erdhi në vete nuk shihte fare nga Perëndimi!

Pyeti ku jam!? – Ata që ishin aty i thanë: “Jé me né, mos kij frikë!”…

Kur i pyeti të dyten herë po, ku jam?! – Ata u detyruen dhe i treguen të vertetën:

“Jé me né, né jemi vëllezër gjaku me turqit, jemi në “konferencen Islamike!… Mos u merzit, se jemi tue u mundue me u kthye atje ku ishim para 22 vjetësh…me yje e drapen, i thirri tjetri, mbas shpine…dhe me çekana…Po, po, me “yje e hana”, thrret ai hamshori…ja, 23 qershori!

Shqipja vazhdon n’ agoni…

I sollen një pasqyrë e porsa pau veten me një krye nga Lindja… e trupin e lamë me gjak:

“Kuq e zi”… nga “gëzimi”, i ra të fikët!..

Melbourne, 2013.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, marshon, Shqiperia e bunkereve dhe tyneleve

PAPA QË FOLI SHQIP…

June 2, 2013 by dgreca

Ne Foto: PAPA GJONI XXIII (1881 – 1963)/

Nga Fritz RADOVANI/

Angelo Giuseppe Roncalli (Papa Gjoni XXIII), ka lé me 25 Nandor 1881. Viti 2013 na kujton disa pervjetor të Kësaj Figure të Madhe Botnore.

Papa Gjoni XXIII, erdhi në Vatikan me 28 Tetor 1958, plot 55 vjet ma parë…Mori këte Emen si Papë me shlye nga historia një tjeter emen që nuk nderoi postin. Nga viti 1904 ka krye detyra të randsishme, ku perfshihet edhe kenja e Tij në vitin 1944, si Nunc Apostolik në Francë, kur Bota ishte e ndezun flakë në Luften e Dytë Botnore.

Në vitin 1953, Papa Piu XII, e shuguron Kardinal, një tjeter pervjetor me u kujtue… Në vitin 1962, me 8 Dhjetor asht hapë Koncili i Dytë Historik i Vatikanit.

Thirrja e Tij ishte: “Pacem in Terris!”, “Paqë në Botë!” e shpallun me 11 Prill 1963.

Mbylli jeten plot lavdi i nderuem me Emnin “Papa i Mirë” me daten 3 Qershor 1963, pra, plot 50 vjet perpara…vit i cili mbeti në historinë e gjithë Botës, viti që mori dy Figurat e Mëdha, të shpresave të mëdha per mbarë njerzimin, po që do të kujtohet si vit i shuemjes së atyne shpresave me vdekjen e Papës Gjoni XXIII, dhe pak muej ma vonë me vrasjen me atentat të Presidentit amerikan Gjon Kennedi, në SHBA me 22 Tetor 1963.

Papa Gjoni XXIII asht njohës i dy luftave botnore, të cilat i jetoi Ai vetë. Nga vitet 1925 – 1935, asht kenë Nunc Apostolik në Bullgari, Turqi dhe Greqi. Ka njohë mirë mardhanjet ballkanike.

Në vitin 1944 kur ishte në Paris, ka njoh tiparet e masonëve dhe të ebrejëve, per të cilët, me shumë perkushtim ka ndihmue në shpetimin e tyne nga nazizmi. Kur ishte në Turqi, ka vizitue me shumë dëshirë Palestinën. Shkruen nder kujtime per Sllovakinë, Rumaninë dhe Hungarinë.

Ardhja e Papes Gjoni XXIII në Vatikan ishte hapja e një rruge të re në mardhanjet e Kishës Katolike me Fuqitë e Mëdha e të vogla tue fillue nga acarimi i mardhanjeve mes SHBA – BRSS e deri tek Shqipnia Europjane, nën pushtimin komunist e diktatorial të pashoq.

Në 25 Dhjetor 1958, Papa i ri Gjoni XXIII, viziton një spital fëmijësh me të meta mendore, “Krishti Fëmij”, ku jep porositë e veta per kujdesin e shtetit në mirtrajtimin dhe edukimin e tyne.

Të nesermen me 26 Dhjetor, diten e Shen Shtjefnit, viziton burgun “Regina Coeli”, ku ishin të dënuemit e perjetshem per vrasje e krime të randa…ku, u tha atyne: “Nuk kam ardhë me më pa ju mue, sot do t’ ju shoh unë ju, unë i kam ngulë sytë tek ju…Eni të gjithë këtu, eni e më shikoni edhe ju e ngulni sytë tuej tek unë, sot due me ua hapë zemren time, e edhe ju, m’a hapni zemren tuej!”

Me fluturimet në hanë Gjoni XXIII shpjegon madhshtinë e Njeriut si krijesë e Hyut.

 

Në Diten e Pashkëve të vitit 1959, në pershndetjen që Gjoni XXIII i drejton Popujve të të gjithë Botës, që quhet “Mesazhi i Paqës”, per të paren herë në historinë e kësaj Feste të Madhe u ndigjue nga goja e Papës në Kishen e Shen Pjetrit, në gjuhën Shqipe: “Per shumë mot Pashkët!”

Sot ndoshta, kjo nuk çuditë asnjë njeri! Po, per né që e kemi jetue dhe ndigjue në radio, tue kumbue zani i Gjonit XXIII, nder dhomat tona të mbylluna hermetikisht që nga viti 1944… Kjo ngjarje mbetet e paharrueshme dhe e perjetshme nder kujtesat e dhunueme nga diktatura…

Papa Gjoni XXIII asht Papa që ka folë Shqip! Kujtesa e Tij, ishte shpresa ynë!

***

Me daten 22 Tetor 1962, ishim para një momenti shperthyes të një konflikti mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, i cili kishte instalue disa raketa missili në Kubë. Presidenti Xhon Kennedi kishte blokue anijet detare ushtarake në detin e hapun. Nikita Hrushov kishte ngritë Murin e Berlinit…

Kuba komuniste kishte shpallë edhe luften kunder fesë dhe Kishës Katolike…

Bota po perjetonte çaste frike dhe trishtimi. Konflikti sillte vetem luftë…

Papa mbyllet në kapelen e vet dhe fillon lutjet… Aty e zen nata nder gjunjë para Kryqit…

Askush nuk mundet me parashikue se shka mundet me ndodhë në sejcilin minut…

Me daten 25 Tetor 1962, Papa Gjoni XXIII, me anen e Radio Vatikanit i tregon të gjithë njerzimit “Thirrjen per Paqë” që Ai i drejton me anen e ambasadorëve Shteteve të Bashkueme të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, ku thekson se “Kisha Katolike kerkon Paqë dhe Vllaznim në mes të Popujve të të gjithë Botës, dhe …Kryetarët e Shteteve nuk duhet të mos respektojnë kerkesat e Popujve të vet…Uluni…bisedoni dhe zgjidhni mosmarrveshjet pa luftë, pa vrasje, me Paqë…

Atëherë, do të keni edhe Bekimin e Qiellit!”

Mesazhi u ba shkak marrveshje dhe kriza heshti.

Vetem në vitin 1989, kur ra Muri i Berlinit, kam rikujtue rolin e madh që kanë luejtë në të gjitha ngjarjet ma të randsishme të mbasluftës së Dytë Botnore Figurat e Mëdha, e mbas sa vitesh prap Gjon Pali II, Reagan e Gorbaçov…ndryshuen Boten e molisun nga diktaturat…

Edhe Gjoni XXIII, e mbas Tij, edhe Gjon Pali II kanë folë në Gjuhë Shqipe.

Papa Gjoni XXIII mbeti i perjetshem në kujtesen mbarë njerzimit perparimtarë si: “Papa i Dashunisë, Unitetit dhe Paqës në Botë!”

Melbourne, Qershor 2013.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, PAPA QË FOLI SHQIP…

KUJTOJME XHON F. KENNEDI NE DITEN E LINDJES

May 29, 2013 by dgreca

Shkruan:  Fritz RADOVANI/Melbourne/

 Xhon F. KENNEDI (John Fitzgerald KENNEDY), ka lé në Brooklin, Massachusetts, me daten 29 Maji 1917. Asht vra me atentat me daten 22 Nandor 1963, në Dallas, Teksas të ShBA.

Ishte me origjinë nga një familje irlandeze me besim katolik, i vendosun kur imigroi në Amerikë, në Boston. Me daten 20 Janar 1961, Xhon Kennedi, u betue si President i ShBA, dhe per tri vjet mbeti i perjetshem jo vetem në Historinë e Amerikës, po edhe até botnore. Njihej si një nder gjenialitetet e universiteteve amerikane, mbasi kishte mbrojtë titullin doktor me një studim të veçantë të zhvillimit ekonomik të ShBA, per 50 vjetët e ardhëshme. Në kjoftë se Europa Perëndimore, ku perfshihej edhe ShBA në zhvillimet politike, kishte arrijtë me krijue njëfarë stabiliteti edhe në ekonomi, Europa Lindore komuniste kishte humbë edhe atë ekonomi që kishte pasë para Luftës së Dytë Botnore, mbasi gjithshka shkonte në buxhetin ushtarak nder të gjitha shtetet që ishin nën dhunen e diktaturës stalinjane bolshevike të Bashkimit Sovjetik, ndersa t’ ardhunat nga kampet e punes dhe të shfarosjes, “rezervoheshin” nder bankat Perëndimore…

Kontrasti ma i madh mes dy bloqeve ishin “të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”. Mbas vdekjes së Stalinit, disa lëvizje me karakter demokratik në Europen Lindore, u shtypen me tanket blokut komunist tue e rikthye pushtimin e tyne nga sovjetikët, që gjoja në vitet 1956 – 58 kishin dënue kultin e Stalinit, me të cilët aso kohe u bashkue edhe “udhëheqja” e Tiranës komuniste, pra edhe Shqipnia, që mbas viteve 1961 – 62 filloi me dënue “revizionizmin modern sovjetik”, mbasi Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, nuk ishin dakord me lëshue postet drejtuese të tyne dhe me ba ndryshimet që vendet e “demokracive popullore” të Lindjes po banin ata vite. Perballë me ShBA, ishte edhe Kuba komuniste, që kishte fillue instalimin e luftanijeve e raketave sovjetike në portet e saja, gja që kishte zgjue prej gjumit edhe amerikanët. Data 14 Prill 1961 sjelli até që Kennedi me avionet e Tij, i tregoi Botës se politika që do të ndjekin shkon drejtë ndryshimeve.

N.S.Hrushov në vitin 1959 ishte kenë “mysafir” i Ajzenhauer në Kemp Devid, të ShBA, por gjithshka mbeti e “mësheftë” mes dy kryetarëve të shteteve ma të fuqishme të Botës.

Ndaj veprimeve të Kennedit kunder Kubës, si kunderveprim Hrushovi, me daten 13 Gusht 1961 filloi mu në zemren e Europës ngritjen e Murit të Berlinit. Gjithshka dukej se bahet në një prag të një gjendjes së re dhe të rrezikshme botnore…

Kennedi ishte nder Presidentët ma të rij (43 vjeç), kur kandidoi si President në ShBA.

Me daten 22 Nandor 1963, Presidenti Kennedi në një limousine me të shoqen Zhaklin Kennedi, shoqnuesin dhe shoferin arritën në Dallas, për zgjedhje të reja. Nga një dritare në një kthesë, Lia Harvei Osvald gjuejti dy here dhe Presidenti, mbas pak kohe vdiq në një klinikë ku e operuen pa sukses. Ngjarja atje ka ngja rreth ores 12.30’. Pra me daten 23 në mengjes në Europë, u hap lajmi i vrasjes së Xhon J. Kennedit. Tue shkue tek stacioni i urbanit me dale në punë, tek Dugajt’ e Reja, lajmin ma dha spijuni Pjerin Vata, i cili ishte i gzuem per suksesin e zhdukjes së Presidentit amerikan, që né e konsideronim President të “ndryshimeve të pritëshme”…

Me daten 24 Tetor (në ShBA), kur policia po çonte Lia Osvald nga burgu per në një burg tjeter, një “qytetar” amerikan i “zemruem” per vrasjen e Presidentit, i quejtun Xhek Rubi (Jack Ruby), në mes rojeve shtinë me pistoletë dhe vret atentatorin Osvald. Në dukje çeshtja u mbyll!

Presidenti Kennedi, ishte i 35-ti President i ShBA, dhe i treti që vritet me atentat në moshen 46 vjeçare, mbas  Abraham Linkoln dhe Mc. Kinley, në vitin 1901.

Nga Raporti Worren kam veçue një frazë: “Historia rrallë perpilon spjegime të plota dhe bindëse mbi vrasjet e Burrave të shtetit. Një njeri i vetem shumë rrallë kryen ndonjë vrasje.” Po në Raportin Worren, thohet se mbas 50 vjetësh, do të zbulohet e verteta e vrasjes…pra, në 2013.

Në një kohë rekord Ai ka lanë një dafinë lavdije per shpresat e popujve të shtypun.

Në Amerikën moderne, Xhon Kennedi asht Presidenti i parë që u nderue nga zezakët.

Në vitin 1961 erdhi në Europë dhe me 2 Qershor, në Pallatin Shaijo, në  Paris, mbas bisedimeve me Presidentin e Francës Sharl De Gol, deklaroi: “Mund të ketë turbullira prapa perdes së hekurt, për shkak të lidhjeve të dobëta që ekzistojnë, në një gjendje në të cilën Shqipëria është radhitur përkrah Kinës komuniste në grindjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik. Kjo është arsyeja,” – tha Kennedi – “për të cilën ai mendon se rrota po rrotullohët në favor të Botës së Lirë, dhe jo të komunistëve.” (Gazeta “Zëri i Popullit” dt. 9 Qershor 1961, Nr. 139, (3982), fq. 4. Artikulli “Përgjigje zotit Kennedi”).

 

Mbas pak ditësh Presidenti Kennedi u takue me N.S.Hrushovin në Vienë.

Kur Nanë Tereza kerkoi me ardhë në Shqipni, me takue Nanen e vet dhe motren që aso kohe jetonin në Tiranë, terroristi Enver Hoxha, jo vetem, nuk pranoi kerkesen e Saj, por edhe me një mllef të turpëshem shprehi mendimin e vet në gazeten “Zëri i Rinisë” aso kohe… (E ndoshta, ajo deklaratë e tija pengon edhe sot Kuvendin Popullor, “mos me ia prekë tituj e dekorata”!!).

Nanë Tereza iu drejtue Presidentit Kennedi, i cili, iu pergjegjë: “Unë e detyroj qeverinë e Shqipnisë me Ju lejue me shkue mbrenda 24 orëve, por nuk e quej me vend shkumjen Tuej atje, mbasi drejtuesi i shtetit shqiptar jo vetem asht vetshpallë ateist, po asht edhe një terrorist vrasës i shumë klerikëve katolik të pafajshem. Shkuemja e Juej atje asht një nderim që i bahet atij…e ai, nuk mendoj se e meriton këte.”

 

Xhon F. Kennedi në Berlin.

         Me 13 Gusht 1961 Xhon Kennedi shkoi tek Muri i Berlinit dhe aty tha:

“Unë sot jam një Qytetar Berlinez!” dhe vazhdoi:

“Kush mendon se asht i mirë komunizmi të vijë e të shohin Berlinin!..”

Kjo flakë nuk fiket!

Kjo flakë nuk fiket as nder zemrat e mendjet e Atdhetarëve Shqiptarë!

Kjo flakë nuk fiket…Presidenti Kennedi e ka ndezë per mos me u shue kurrëma!

Kjo flakë nuk fiket se asht e ndezun me dashuninë e Tij per jeten, Njeriun, Lirinë!

Ajo flakë, perditë ndritë Boten me virtytet e Shpirtit të Tij human,…

Me “të Drejtat e Liritë e Njeriut”, për të cilat Kennedi, dha edhe jeten e vet.

Melbourne, 2013.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, John Kennedy, Kujtojme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT