• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“LULI I VOCERR” … NË TEATRIN “MIGJENI”…

May 27, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

A ka shkodranë që nuk e kujton “Lulin e vocerr” ?!

As vetë Migjenit nuk i ka shkue mendja sa ishte gjallë se me 22 prill 2013 “Luli i vocerr” ka me shkue në Teatrin që mban emnin e tij, Migjeni, në Shkoder, megjithse, atij nuk ka pasë si me i shkue mendja 75 vjet perpara, tek “ai” Luli i vocerr, per të cilin, atëherë shkruente:

“Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që perpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mirë me thanë se e njofin, por ata lozin per hesap të vet e Luli i shikon per hesap të vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe qeveritarët, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punen tande!

Dhe kur Luli e ka ftyren e dlirë dhe pa puça, një shok ia ledhaton faqet, gushen, e Luli i afrohet, ja merr doren, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’ i falë diçka… Por vjollca nuk ka. Veç ne i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojen si me dashtë me e hanger…

Po, po, tollumbat e Lulit të vocerr kanë me e hanger edhe atë “shokun” perbrijë…”

Shumë njerëz mendonin se komunistët “hanë njenitjetrin” dhe kujtonin deri tashti vonë se kjo veti i perket atij sistemi! Migjeni e shpjegon kjartë se kjo ngjet nga “tollumbat” e tyne dhe jo, se komunistët hanë njerëz! E ka pa kush me sy Enver Hoxhen tue hanger “shokët” e tij!? As nuk kemi pa Ramiz Alinë me ndonjë kockë në gojë, kur thonte “edhe gjak do bëjmë”… As pasuesit e tyne nuk i kujtoj tue hanger ndonjë njeri… Per tollumba ase shkarpat e tyne nuk dij çka të tham! Nder shumë shtëpija shihen tollumbat ose shkarpat tek dera jashtë… E, simbas shkrimit që na ka lanë Migjeni, ata, tue qendrue mbas derës kanë mundësi edhe me të hanger! Migjeni, nuk asht kenë shkrimtar i “ndaluem” nga rregjimi komunist, edhe pse ka nxjerrë një sekret të atij sistemi. Tashti mund të thohet edhe arsyeja pse nuk u ndalue Migjeni nga sistemi komunist? Ma mirë se me thanë që komunistët “hanë njenitjetrin”, le të thonë, se kur u shkon kush tek shtëpija e tyne “tollumbat ose shkarpat e tyne të perlajnë”… Kjo që ngjet nder dyertë e tyne edhe justifikohet me thanjen se kjo asht një trashigimi nga “vëllezërit e gjakut turq”, që edhe ata i lanë shkarpat mbas dere, kjoftë edhe kur vijnë në shtëpinë tande! “Siguria” asht e mirë, prandej edhe “sigurimi” ishte kudo dhe në çdo lëvizje të tyne, e po mos t’ ishte “sigurimi”, nuk dihet cila shkarpë të han!

Çka nuk po mendojnë per Ty o Shkoder, këta koka gjarpijshë?

***

Sa shumë o Shkoder, po të takon me pa e me provue! 100 vjet shka ke groposë nder oborret e atyne shtëpijave të mbrojtuna vetem nga Zoti…

100 vjet shka nuk të ka rrezikue o Shkoder, vuejtjet, uria, fukaralleku, vorfnia, urrejtja, dashakeqja, shtypja, mizoria, burgosjet, vrasjet, torturat, burgjet, hetuesitë, kampet, plaçkitjet, smira, vjedhjet, shpifjet, dhuna, paditunia, shnderimi, perçamjet, tradhëtia, topat, mitralozat, pabesia e komshijve, brigadat e ndjekjes, brigadat e pushkatimit, agjentat e sigurimit të shtetit, “çlirimtarët” poshtnues, thirrjet “plumbin ballit”, ”Ik në Zallin e Kirit…atje është i pushkatuar!”…

Betohen…tash 72 vjet veç, betohen, se “do t’ a shkatrrojmë kulm e temel” Rozafen…

Ashtu si u betue Enveri me Titon në vitin 1941, ku në sofren e tradhëtisë ishin Mugoshat e Popoviqët…në krye të vendit, prap me 22 prill 2013, po shovenistët serb, Boris Tadiç, Milo Doukanoviç (trashiguesi i Krajl Nikollës së Malit të Zi), Ranko Krivokapiç, Svetozar Pudariç, Muhamed Budimliç,  me tollumbat e Lulit të vocerr, erdhën mysafirë në shtëpinë e Migjenit…

Vazhdojnë “amanetin” e të parëve të vet…”Amanetin” e 1467, 1479…

Sa gjaku asht ba n’ Atë Vend…

Vazhdojnë “amanetin”…

“Amanetin” e tradhëtarit…1913, 1925, 1941, 1944, 1967, 1985, 1989, 1991…1997…

Edhe tue ngordhë “tradhëtari la amanet”: “Gjak, vetem gjak e parimet mos i ndryshoni!”

“Shkodra duhet shkatrrue, Ajo pengon triumfin e “tradhëtarëve” të Ballkanit!”…

Kanë kalue plot 100 vjet dhe asnjë ndryshim në qeverisjen e anadollako sllave të 1913…

Shkon një palë e vjen një tjeter, të gjithë vetem me një qellim të paracaktuem që në 1469: “Me e shkatrrue dhe pergjakë kulm e temel Shkodren, ashtu si porositën sulltanët tash 100 vjet, por edhe tue vjedhë, tue mbushë xhepat dhe tue trashigue pushtetin..!”

22 prill 2013… Tek dera e Teatrit “Migjeni”, “Luli i vocerr” prap ka vue tollumbat…

E prap se prap, unë të shoh krenare Rozafë!

Melbourne, 2013.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, Luli i vocerr, ne Teatrin "Migjeni"

ISHTE 35 VJEÇ… KUR E PUSHKATUEN…

May 21, 2013 by dgreca

Foto: Don Marin SHKURTI (1933 – 1969)/ Nga Fritz RADOVANI/

Don Marin Shkurti, ka lé në vitin 1933 në fshatin Samrish, fshat kufitar në breg të lumit Buna, jo larg qytetit të Shkodres. Shkollën 7 vjeçare e ka krye në Dajç ku, famullitar ishte Don Kolec Prennushi. Mbas vitit 1950, kur vdes Don Koleci, në Dajç vjen famullitar Don Dedë Malaj, tek i cili Marini paraqet dëshirën me u ba meshtar. Ai thonte: “…Kur isha fëmijë, tue pa figurën e priftit tonë Don Kolecit, kur vdiq Ai mue më thirri një za: Marin, katundet janë pa prift! Menjëherë ato ditë shkova tek Don Deda dhe i tregova dëshirën time dhe vëndimin që kisha marrë. Ai më tha: Edhe pse ndoshta mund të burgosin dhe të torturojnë si Don Kolecin dhe Meshtarët tjerë, mos u tremb! Forca e Krishtit asht ma e madhe se e djallit, të lumtë!…” Kështu, Ky djalë fshatar mori rrugën e vështirë e plot rreziqe tue mësue me një vullnet të hekurt nga mësuesi i Tij Don Deda, mësimet e nevojshme teologjike dhe filozofike. Duhet vue në dukje se Marini nga mësuesi i vet mori edhe cilësitë morale e burrnore që Don Dedës, nuk i mungonin. Në vitin 1958 Marini detyrohet me ndërpre studimet sëpse aso kohe mësuesi i Tij arrestohet dhe mbas pak muejsh, me 10 maji të vitit 1959 Don Dedë Malaj pushkatohet. Sigurisht, qendrimi burrnor e fisnik i Don Dedës në gjyqin e zhvilluem në kinema “Republika” të Shkodres, ngjallë ata virtyte që për meshtarin e rij janë të domosdoshme. Guximi, vendosmënia, qendresa dhe mbi të gjitha pathyeshmënia kundrejt torturave dhe masakrave të sigurimit shtetit komunist ndaj Don Dedës, formojnë tek Marini, atë karakter meshtarak që pa pikë frike Ky pranon salvimin për Fenë dhe Atdheun e djegun e të bamë zhari… Në vitin 1961, në muejn dhjetor, Marini shugurohet meshtar nga duert e Imzot Ernesto Çobës dhe, me 8 dhjetor të po atij viti Don Marin Shkurti, thotë Meshën e Parë në Katedrale të Shkodres. Shkon me sherbye si meshtar në famullinë e Mësuesit të vet, në Dajç të Bregut të Bunës dhe mbas pak vitesh shkon në fshatin Stajka. Ishte një meshtar model në ata fshatra ku ushtroi veprimin fetar e laik, jetonte në mes të njerëzve të varfën kooperativistë, si ma i varfni… Asht i papritueshëm e korrekt në shërbimet ndaj fshatarëve, të cilët punonin gjithë ditët e vitit për 30 lekë të vjetra në ditë, nder kooperativa për me mujtë me mbajtë frymen gjallë. Për asnjë shërbim fetar Don Marini nuk kërkonte shpërblim, por kujtohet edhe sot nga fshatarët e atyne krahinave, vetëm për ndihmat që Ai u jepte të tjerëve.

Plot mbas 6 vjetësh si meshtar, në shkurt të vitit 1967, Ai me të gjithë Popullin Shqiptar asht në epiqendren tronditëse të “Revolucionit Ideologjik e Kultural”, të shpallun pa pikë turpi nga anadollaku Enver Hoxha. Asht pikërisht ai “Revolucion” që vetë shpiksit dhe zbatuesit e tij, sot mundohen mos me e kujtue se si u zhvillue në Shqipninë e vogël evropjane, po edhe kanë harrue jo vetem Ata që janë pushkatue, po edhe Trimin që guxoi me e kundershtue Gjenocidin e bamë kunder Klerit Katolik Shqiptar, simbolin tjetër të pathyeshëm dhe të përjetshëm, që me dy faqe fletorje me kuadrate të shkrueme me dorën e Tij të shugurueme, At Pjetër Meshkalla,  pat guximin me u thanë diktatorve: “Ju jeni inkuizitor të shek. XX-të!”

Don Marini nuk ndërpret vëprimet fetare edhe pse ata ndalohën me ligjë nga shteti komunist. Pagëzon, rrëfen, kunorzon, vojon të sëmurë dhe vazhdon shërbimet fetare në fshatrat ku Ai kishte sherbye. Sigurimi i kudondodhun fillon me e gjurmue dhe survejue. Sinjalizohët se mund ta arrestojnë për vëprimet fetare që Don Marini nuk i kishte ndërpre. Me datën 14 nandor 1968 Ai arratiset në Jugosllavi, bashkë me të gjithë vllaznit e familjet e tyne të përbame me 17 vetë, tue pre lumin Buna përballë shtëpisë ku kishte lindë në Samrish.

Sigurimi i shtetit bie në marrveshje si gjithmonë me UDB jugosllave dhe, mbas tri ditësh me 17 nandor 1968, Don Marinin bashkë me 17 pjestarët e familjes e këthejnë në Shqipni, dhe ia dorzojnë sigurimit shtetit. Torturohen mizorisht të gjithë paperjashtim. Don Marini në dosjen e Tij ngulë kambë me shfajsue një nuse të vllaut, e cila ishte shtatzanë, se gjoja, ajo nuk ka ditë asgja për vëprimet e burrave të familjes, sigurisht për mos me rezikue jetën e saj dhe të bebes. Një mjek i maternitetit të Shkodres kërkon që me këte grue të ndërpriten hetimet, po hetuesi vazhdon punën e tij. Ajo dënohët me 10 vjet heqje lirije dhe lindë fëmijë në burg.

Me datën 5 mars 1969, trupi gjykues i përbamë nga kryetar Jorgo Dhroso dhe anëtarë Xhemal Gramshi dhe Gita Baci, me prokuror Kostaq Shandro, hapin gjyqin në fshat kundër “armikut të Popullit dhe trathtarit të atdheut” Don Marin Shkurti, si dhe 17 anëtarëve të familjes së Tij. Dosja mbyllet me vendimin e pushkatimit të Don Marinit dhe me dënimet e randa mbi 20 vjetë për katër vëllaznit e Tij. Pjesa ma e madhe e familjes dënohet mbi 10 vjet burg e punë të detyrueme në kampet e punës dhe të shfarosjes komuniste. Vendimi i dënimit me vdekje i Don Marinit nuk u ndryshue as nga gjykata e naltë, as nga Kuvendi Popullor.

Don Marini në dosje tregon se arësyeja e arratisjes së Tij, ishte frika e arrestimit dhe pasojat që do ti sillte familjes së vet, kryesisht vllazenëve… Ai nuk ka as veprimtari spijunazhi dhe as sherbime në favor të shteteve të huaja. Në tri ditët e mbajtuna në Jugosllavi, Ai nuk asht pyet nga askush dhe as nuk ka dhanë as informata me karakter fetar, ushtarak apo spijunazhi…

Qendrimi i Tij në zhvillimin e hetuesisë dhe gjyqit asht shumë burrnorë.

Ma poshtë shënohet: “Unë vëndosa me u ba prift dhe jam i lumtun që po vdes për Fenë e Krishtit! Mësimet që kam marrë nga Don Deda, për mue janë kenë aq të mëdhaja, sa e tham pa frikë, Ai më ka mësue me vdekë ashtu si ka vdekë Ai vetë…

Ju mendoni se me këte “Revolucion” do të fitoni mbi Fenë tonë katolike, por mos harroni, se gjaku i jonë që derdhet tash dymijë vjet rrëkajë ndër thëmelët e Kishave, Ai prap do ti rindertojë këto Kisha që ju po i prishni!…” Me daten 1 Prill 1969, me urdhen nr. 620, të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme në Tiranë, ekzekutohet me pushkatim, kur ende nuk ishte as 36 vjeç…Në fjalën e fundit Ai tha: “Ju jeni tue më pushkatue vetëm se unë jam prift, mbasi unë jam i pafajshëm! Rrnoftë Feja e Krishtit! Rrnoftë Shqipnia!”.

Fjala e fundit asht një dëshmi e pakundërshtueshme e Tij, e cila, tregon burrninë me ua përplasë për surrat padrejtësinë diktatorëve anadollakë dhe pasuesëve të tij. Ai demaskon rendin e tyne të flligtë e terrorist si dhe pasuesit besnikë të tyne në shërbimet antiatdhetare.

Ai vdes për Atdhé, sëpse asht rruga e zgjedhun prej vetë Don Marinit, asht rruga e sigurtë që e naltëson në Elterin e Martirëve të pavdekshëm të Shqipnisë së Martirizueme…

 Don Marin Shkurti, asht nxanës i Don Dedë Malaj, mbas pushkatimit të Tij, vazhdon studimet me Don Pjeter Gruden, shugurohet nga Imzot Ernesto Çoba…të gjithë të masakruem nga diktatura anadollake e E. Hoxhës dhe Ramiz Alisë, gjatë Gjenocidit komunist.

Ja pra, me fakte se katili fanatik Enver Hoxha, me pasuesit e vet tradhëtarë nuk i vriste klerikët katolik vetëm për kulturën që Ata kishin, por për té, duhej masakrue, torturue dhe zhdukë çdo Njeri i veshun me veladon dhe zhgun që i sherbente Fesë Katolike.Don Marin Shkurti mbetët ndër Ata Martirë të Kishës Katolike dhe Heroike Shqiptare të masakrueme, sëpse kur, anë e kand qytetit të Shkodres, tue fillue në Zallin e Kirit, Stom Golem, Bardhej, kodra të Rrencit e deri në fushën e liqenit të Shkodres, ku Don Marini kishte vorrin e Mësuesit të vet, nuk kishte një pëllambë tokë pa një gropë ku kalbej një klerik… E megjithate, Ai vendosë në shembullin e Tyne, në moshen 35 vjeçare me vdekë Hero i Atdheut dhe i Fesë.

Melbourne, 2013.

Filed Under: Histori Tagged With: Don Marin Shkurti, Fritz radovani, ishte 35 vjec, kur e pushkatuan

NJE DITE QE HARROHET-DITA E JETIMËVE… “20 MAJI”

May 17, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/ Melbourne-Australi/

20 Maji asht “Dita Nderkombtare e Jetimëve”! Ndoshta, nder ma të veçantat…
Hana ka një pjesë të sajen që njerzimi nuk e ka pa kurrë! Edhe Toka ku jetojmë na ka një pjesë të veten që shumica e njerzimit nuk e ka njohtë kurrë këte emen! Ata janë “jetimët”!
Asht kohë e gjatë, shumë e gjatë, që mendoj me shkrue per këte ditë, me të cilen, më lidhi perjetsisht data 13 Tetor 1943. Plot 70 vjet! Një pjesë e trunit tim nuk dijti kurrë me thirrë Babë!
Të gjitha luftat në Botë, sjellin nder mija e mija fëmijë perditë “harresen” e emnave ma të dashtun, ma të shtrenjtë dhe të pazevendsueshem për ta në gjithë jeten, Emnat “Nanë e Babë”!
E sa pak “jetimë” janë bijtë e atyne perbindshave që i fillojnë e i mbarojnë ato lufta!
Shqipnia asht një nder shtetet ku fjala “jetim” asht e kudondodhun, mbasi rrethanat e saj historike në të gjitha kohët kanë “punue” me shtue perditë e pernatë këte mjerim dhe tmer në shumë nga familjet që perjetsisht, rritën e ushqyen me shumë sakrifica jetimët e tyne. Sa shumë do të shkruhej po të donim me tregue se kush punoi dhe vazhdon pa pikë mëshire me i shtue në Botë këta fëmijë që perjetsisht thirren “jetima”, dhe shpesh, edhe perbuzen se janë pa prind. Me një mimikë ftyre të perçudnueme ashtu si kanë edhe zemren ndigjon nga goja e tyne: “Lene mor ma, as mos u merr me té, ai asht jetim i rritun nder brefotrofe…”, sikur flet per lebrozë… E të tilla raste nuk janë të pakta aq sa mos me u perfillë nga shoqnia e sotme. Menjëherë mbas Luftës së Dytë Botnore, ndryshuen shumë koncepte në shumë shtete. Edhe jetimët u perfshine aty me ata ndryshime, dhe ma vonë kur filluen me u rritë, u percaktue edhe “kllasa” së ciles i perkiste edhe pse gjithë jeten e filluen dhe e mbyllen në vorfni pa njohtë fare prindët e vet.
Kujdesi per jetimët perfshihej nder grupe të percaktueme kryesisht nga prejardhje e tyne. Ndoshta, kjo bante që porsa fillonte një jetim me u rritë, ai duhej të percaktohej menjëherë edhe me etiketen “i kënaqur ase i pakënaqur”, që kushtëzohej me prejardhjen familjare të tij. Jo pak prej tyne ma vonë u shpallën të “pakënaqur” dhe banin pjesë në grupimin e “luftës së kllasave”. Ndersa, “ata” që mendoheshin të “besueshem”, vazhdonin shkollat e nalta ose në “specializime sekrete”, prej ku vinin kuadro të “besuara”…dhe, u sigurohej puna dhe e ardhmja e tyne…
Sot, mbas sa vjetësh, nepermjet këtij shkrimi due të tregoj se jo gjithmonë PPSh, ka pasë sukses në “rritjen e këtyne jetimëve”, në sherbimin e saj. Lexuesit duhet të me falin per tregimin tim me siglat FS, të emnit të nderuem per të cilin due me shkrue, mbasi ka mbi 25 vjet që nuk i dij rrethanat e personit. Ishte ditë vere e vitit 1969. Trokiti në derë dhe e ftova me hy mbrendë. Erdhi në dhomë dhe mbasi u pershndet me gruen time, e cila shkoi me pergatitë kafet, kjo më tregoi se një mësues që kishim punue me té, i kishte kerkue nder ato ditë, që kjo, me pranue per me denoncue per mue se “unë i kam tregue atyne barceleta me karakter politik kunder pushtetit”, gja e cila nuk ishte aspak e vertetë. Kjo me një qendrim autoritar të natyrës së saj, menjëherë e kishte shikue me perbuzje dhe i kishte thanë: “Çfarë më kujton ti mua, si mund të keni guxim jo vetem per të shpifur per Fritzin, per diçka që nuk e kam dëgjuar kurrë nga ai, por edhe kerkoni që të bëni edhe të tjerë shokë si veten shpifës, per të shkatrruar familje dhe jetë njerëzish! Turp të kini per këte dhe të lutem, mos e zini më emrin tim në gojë, se nuk dua t’iu shikoj as fëtyren!”
Mbas tri ditësh ka ardhë tek unë dhe më ka sinjalizue për këte tradhëti të organizueme nga ai bashkpuntorë i sigurimit të shtetit… Nuk po e publikoj emnin e tij (FL) se ka ngordhë.
Ju them të verteten se kushedi sa kohë kam ndejë tue mendue me vete: “Si mundet me ngja që një vajzë që e njihja shumë pak, dijshe se asht jetime, po jo, se asht Burrneshë e vertetë.”
Ajo nuk ishte as nga Shkodra…ndersa, spijunët organizatorë banonin tek çinari…
Ajo ishte rritë deri në moshen 20 vjeçare pa njoh as Nanen e vet dhe as baben, të cilët e kishin braktisë fëmijë disa ditësh nder brefotrofe…e ma vonë në shtëpija fëmije, po duhet thanë dhe një e vertetë, se Ajo kishte pasë fatin me punue në arësim katundesh dhe me bashkjetue me shumë mësues të perfshimë nga “lufta e kllasave”, gja që i kishte brumosë në Shpirtin e Saj, një dhimbje dhe keqardhje të madhe, per persekucionin që u bahej nga komunizmi njerzëve vetem tue u nisë nga prejardhja e tyne shoqnore e mjaft shpesh, edhe krahinore apo fetare.
Ajo ishte shumë e sinqertë dhe, si e tillë, nuk i pranonte veset e gënjeshtres, mashtrimit, perbuzjes klasore, urrejtjes së besimtarëve katolikë…e per ma teper të shokëve të punës.
Ndoshta, sot mbas 40 e sa vjetëve, shumë kujt mund t’i duken të pabesueshme ngjarjet që kemi jetue para sa kohe, nder rrethana me rrezik jete…Por, jo vetem, i kemi jetue këta tmere, po as nuk duhet ti harrojmë edhe ata që vuejten me ne, e pra këta ishin “jetimë”…që PPSh mendonte me i pasë per vete dhe në sherbimin e saj, në sigurimin e shtetit terrorist…
Nuk duhet harrue thanja popullore: “Njeriu i lajmëruem, gjysë i shpetuem”!
Kushtet e jetës së tyne i detyruen me kenë nder konvikte apo shtëpija fëmije ku mengjesi dhe mbramja mbyllej me fjalët “parti Enver”…nga kujdestarët e atyne institucioneve.
Kam njoh prej tyne njerëz të mbrekullueshem që në dukje qendronin të ndrojtun, por në të vertetë mbrenda Shpirtit tyne ndrynin virtytet ma të mira të edukatës qytetare.
Shqiptarët sot duhet të krenohen per Figuren Botnore të Nanë Terezës, e cila në qendren e Shpirtit Saj, kishte të ruejtun dashunin dhe sakrificen per jetimët e gjithë Botës…
Per një fakt jam shumë i sigurtë se Jetimët, as nuk mendojnë, as nuk andrrojnë, as nuk e dishrojnë dhe, as nuk punojnë kurrë dhe asnjëherë, gjithë jeten e vet, që nga veprat e tyne Bota që i rrethon me pasë të pakten edhe një jetim ma shumë se ka!
Nga zemra iu uroj atyne fatzezëve që kanë këte emen, që e ardhmja të mos iu randojnë sado pak ndergjegjen e tyne me pamundsinë me i sherbye familjes e shoqnisë, me evitue në çdo kohë mundsinë me shtue edhe një jetim ma shumë në çdo vend ku i ka shpernda jeta.
Me shumë dashuni, u uroj jetimëve Diten e Tyne… 20 Maji 2013 !

Melbourne, Maji 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: dita e jetmive-20 maji, Fritz radovani

AUSTRO – HUNGARIA DHE “MOSMIRNJOHJA” SHQIPTARE !

May 3, 2013 by dgreca

100vjet nga viti 1913…/

Vetem fakte e data: (Do t’ i referohem pjesërisht studjuesit Gjush Sheldija)./

Nga Fritz RADOVANI-Melburn/ Australi/

Në vitin 1856 vijnë në Shkoder pesë austriakë, per me bisedue me sundimtarin turk dhe ikin pa u marrë vesh prej askujt bisedimet. Edhe nga Stambolli po atë vit, vjen një i derguem me bisedue me konsullin austriak në Shkoder. Ai u takue me Ipeshkvin e Shkodres dhe Pashen. Në vitin 1858 hidhet Guri i Parë i Kishës Katedrale të Shkodres. Kushë Micja lejohet me hapë shkollë per vajza. Asht viti 1859, kur themelohet Seminari Papnor i Shkodres. Në Gusht të vitit 1861, Françeskanët ndertojnë Kuvendin e tyne në Shkoder. Lejohen me u botue librat e Don Ejëll Radojës, të gjithë me karakter kombtar e historik, në gjuhen shqipe. Në shkurt 1867, Shkodra bahet Seli Argjipeshkvnore.

Me 1 Shtator 1871 zhvillohet Konçili i II Shqiptar. Në Tetor 1874, hapet shkolla e parë laike në Shirokë, ku mësohet gjuha shqipe dhe aritmetikë. Në Shkurt 1878, Malet e Veriut protestojnë kunder qeverisë Athinës, per çeshtjen e Epirit. Në 1899, Abati i Mirditës Imz. Preng Doçi krijon në Shkoder Shoqninë Letrare “Bashkimi”. Në vitin 1902 Shkolla Françeskane jep mësimet në gjuhen Shqipe. Në vitin 1903 Shoqnia “Agimi” në Shkoder, fillon botimin e librave me Alfabetin e vet. Në vitin 1908, Shkodra dergon në Kongresin e Manastirit At Gjergj Fishten, Don Ndre Mjedjen, Luigj Gurakuqin, Mati Logorecin dhe Hilë Mosin, ku aprovojnë Alfabetin e Gjuhës Shqipe të krijuem nga At Fishta. Po në Shkoder, formohet klubi “Gjuha Shqipe”. Në vitin 1909 në Shkoder dalin gazetat “Koha” dhe “Bashkimi”, me karakter letrar e Atdhetar. Në korrik 1910, vjen në Shkoder Xhavit Pasha me 20 taborre me shtrue Shkodren. Bahet luftë në Kaçanik, dhe çohet në kryengritje gjithë Malësia e Madhe. Në 1911 plasë Kryengritja e Kastratit dhe me 6 Prill 1911, në Maje të Bratilës së Deçiqit, Atdhetari Dedë Gjo’ Luli, ngriti Flamurin Kombtar të Gjergj Kastriotit. Malësia e Madhe lufton per Liri dhe Pavarësi Kombtare. Në Maji 1911, Kryengritja kunder Turqisë perfshinë Malet e Veriut. Në qelen e Gerçës, me 10 Qershor 1911, Malësorët e Veriut nenshkruejnë Memorandumin e Gerçës, të cilin, ua dergojnë Fuqive të Mëdha dhe Turqisë. Aty shenohet: “Malësorët janë të vendosun për mos me ulë armët derisa, të pranohen nga qeveria turke të 12 pikat e këtij Memorandumi…” Në Tetor 1912, plasë Lufta Ballkanike dhe po në fillim të muejt Tetor rrethohet Shkodra nga malazezët…Ashtu si tjera herë Miss Mary Edith Durham, me përkushtimin e Saj ndaj Shqipnisë, do t’i bajë të kjartë qarqeve angleze dhe atyne ndërkombëtare se: “…egzistonte në qarqet katolike austriake vendosmëni për mos me lejue që Shkodra dhe hinterlandi i saj, të bahen respektivisht një qytet apo rajon malazez ose serb.” (P.R.O.F.O. 371. 1758, fq. 447. Mr. Nevinson, Podgorica. 26. 02. 1913. M.E.Durham.). Shkodra vazhdon me kenë e rrethueme…

Me 28 Nandor 1912, në Vlonë shpallet Pavarsia Kombtare. Nga Shkodra atje shkon Luigj Gurakuqi. E po mos t’ ishte kamngulja e Tij, pjesmarrësit tjerë e lane Shqipninë në duertë e qeverisë turke, e cila kerkonte me “krijue një Shqipni të vetqeverisun, në suazen e Perandorisë Otomane”.

Me daten 30 Janar 1913, Esad Pashë Toptani vret Hasan Riza Pashen, i cili donte me ngritë Flamurin Kombtar në kumbonare të Kishës Katedrale të Shkodres, dhe me 23 Prill 1913, Esad Pasha ia shet Shkodren malazezëve per 2 miljon florinta, dhe ata hyjnë në Shkoder nga Taraboshi, Fusha e Shtojit dhe Bardhanjorët. Me 14 Prill malazezët djegin Pazarin e Vjeter dhe mbasi grabisin mallin ia dorzojnë Shkodren Ushtrive Nderkombtare, austriake, italiane, franceze, angleze dhe gjermane. Me daten 13 Qershor ngritet Flamuri Kombtar në Kështjellen Rozafat, dhe fjalen e rastit e mbajti Atdhetari Karlo Suma. At Gjergj Fishta vendosë një Flamur në kumbonaren e Fretenëve të Gjuhadolit, dhe rinia shkodrane kendon Hymnin e Flamurit të krijuem nga At Gjergj Fishta nder rrugët e Shkodres…Qyteti i Lirë, nën kontrollin e forcave nderkombtare Feston Lirinë!

Esad Pashë Toptani ikë në Durrës dhe shpallet sundues. Princ Wiedi len Shqipninë me 5 Shtator 1914. Në 1915 edhe Esad Pasha ikë nga Durrësi, prej protestave kunder tij.

Me 23 Janar 1916 ushtria austro – hungareze pushton Shqipninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi e dalin në Durrës. Në 1916 forcat austriake hyjnë në Shkoder. Në 1917, formohet në Shkoder “Komisija Letrare”. Me 30 Tetor 1918 ushtritë austro – hungareze dalin nga Shkodra dhe hyjnë Aleatët. Në Mars 1920 formohet i pari Parlament Shqiptar…

Nga viti 1856 e deri në vitin 1918, Austro – Hungaria asht i vetmi shtet Europjan që ka krijue të gjitha kushtet per Formimin dhe Shpalljen e Pavarsisë Kombtare të Shtetit Shqiptar.

Po mos t’ ishte kambëngulja e Vienës Europjane me formue inteligjencën Atdhetare Shqiptare dhe Klerin Katolik Shqiptar të papersëritshem me idealin “Atdhe e Fe”, me hapë shkolla, fletore, shoqata, shtypshkronja, me botue libra, me shpenzue edhe fonde monetare të sajat…sot as në hartë të Ballkanit nuk do t’ ishte fare emni i Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, as i Popullit Heroik Shqiptar dhe as Flamuri i Tij me Shqipen dykrenare, mbi shtrojen e pergjakun nder Shekuj!

At Pjeter Mëshkalla ka thanë: “Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar, e për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë.” (F.R. tek libri “At P.Mëshkalla S.J.” fq 23, 1993)

***

Dhe vetem faktet do të flasin…

Vetem nga Klerikët Shqiptar të pergatitun në Austri, shikoni se çfarë Gjenocidi ka ngja mbas vitit 1944, nga tradhëtarët dhe diktatorët anadollakë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia…të cilët, kanë ardhë në kolltukët e qeverisjes së shtetit shqiptar me ndihmen e fqinjëve, shitën trojet tona, dhe në mënyren ma barbare zbatuen diktaturen ma të mnershme të shek XX mbi Popullin Shqiptar.

Sot pasuesit e tyne hajdutë, deklarohen “vëllezër gjaku me turqit” dhe serbët e kolltukut!

 

          Klerikë Katolik Shqiptarë të zhdukun nga Gjenocidi komunist mbas vitit 1944:

  1. Don Lazer Shantoja, pushkatue me 5 Mars 1945.
  2. Don Ndre Zadeja, pushkatue me 25 Mars 1945.
  3. At Anton Harapi O.F.M., pushkatue.
  4. At Mati Prennushi O.F.M., pushkatue.
  5. At Çiprian Nikaj O.F.M., pushkatue.
  6. At Bernardin Llupi O.F.M., pushkatue.
  7. Don Dedë Plani, vdekë në tortura.
  8. Imzot Nikollë Deda, pushkatue.
  9. Don Aleksander Sirdani, mbytë në hetuesi.
  10. Imzot Jul Bonatti, mbytë në çmendi…
  11. Don Shtjefen Kurti, pushkatue.
  12. At Leonard Targaj O.F.M., pushkatue.
  13. Don Nikollë Gazulli, vra tradhëtisht.
  14. Imzot Vinçenc Prennushi O.F.M., vdekë në burgun e Durrësit.
  15. Don Anton Zogaj, pushkatue.
  16. At Bernardin Palaj O.F.M., mbytë në hetuesi.
  17. Don Nikollë Laskaj…vdekë në kampin e shfarosjes Beden…
  18. Don Nikollë Shelqeti…vdekë në kampin e shfarosjes Beden…
  19. At Klement Miraj O.F.M., vdekë në burgun Burrel.
  20. Don Rrok Frisku, vdekë në burgun Burrel.
  21. At Rrok Gurashi O.F.M., vdekë në kamp shfarosje.
  22. At Gasper Suma O.F.M., vdekë në burg…
  23. Don Kolec Prennushi, vdekë mbas hetuesisë.
  24. Imzot Frano Gjuraj, vdekë mbas hetuesisë.

Klerikë të burgosun që vuejten shumë vite nder burgje e kampe shfarosje…

  1. At Pjeter Meshkalla S.J. burgosë dy herë.
  2. At Leonard Shajaku O.F.M., burgosë e interrnue.
  3. At Marjan Prela O.F.M., burgosë e interrnue.
  4. Don Nikollë Dragusha, burgosë.
  5. Don Lekë Dredhaj, burgosë.
  6. At Mark Harapi S.J. burgosë.
  7. At Frano Kiri O.F.M., burgosë e interrnue.
  8. At Marin Sirdani O.F.M., burgosë e interrnue.
  9. At Alfons Çuni O.F.M., burgosë.
  10. Don Ndre Lufi, burgosë.
  11. Don Ndue Suma, burgosë.
  12. Don Jakë Zekaj, burgosë.
  13. Imz. Bernardin Shllaku O.F.M., burgosë.

Klerikë që vdiqën shpejtë pa u perfshi nga Gjenocidi…

  1. Imz. Gasper Thaçi, vdes në 1946, i izoluem në Argjipeshkvi të Shkodres.
  2. Imzot Gasper Guirakuqi.
  3. AT Simon Mikeli O.F.M., vdes në 1945…
  4. At Anton Kiri O.F.M., vdes në 1945
  5. At David Pepa O.F.M..
  6. Don Ast Koka.
  7. Don Nikollë Dajçi.
  8. Don Mati Fishta.
  9. Don Nikollë Lazri.
  10. Don Pashko Zojzi.
  11. At Justin Rrota O.F.M..
  12. At Pashko Prela O.F.M..

 

Shenim i Autorit:

Në listat emnore të Klerikëve katolik, nuk perfshihen asnjë nga ata që u pergatiten në

universitetet tjera Europjane, perveç Austrisë, para vitit 1944.

Melbourne, Prill 2013.

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Austro-Hungaria, Fritz radovani, Mosmirenjohja shqiptare

PARA 100 VJETËSH E KA THANË I NDJERI MARK KAKARRIQI…

April 12, 2013 by dgreca

Në 100 vjetorin e Shkodres së Lirë…/

 Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: Mark KAKARRIQI (1891 – 1942) /

Se ku e kam gjetë këte Shkodren e “Lirë”… as unë nuk e dij!

Edhe në kjoftë se gjithë Shqipnia e pranon fjalen “Shqipni e Pavarun”, kur dy të tretat e Saj janë edhe sot të zaptueme, në se jo ushtarakisht, ato s’ janë të Pavaruna mendsisht…Shkodra duhet të pranojmë se nuk e di a i bahen sot 12 muej e “Pavarun”, nga pushtuesit “kulturorë”!

Në vitin 1911 Dedë Gjo’ Luli ngriti Flamurin mbi lamen e Gjakut të Djelmëve të Hotit, pa i marrë leje as turqëve dhe as malazezëve, kur Shqiptarët që kemi nder permendore mbas një viti kerkonin që të “shpallemi shtet nën varsinë e turqëve” e sa e sa “ideve” të tjera, per të cilat u derdhë shumë gjak, edhe pse Ata që kerkuen “Liri dhe Pavarsi” u vranë tradhëtisht nga veglat anadollake, tue fillue nga Luigj Gurakuqi, i cili nxori patllaken në godinen e Vlonës në diten e 28 Nandorit 1912, dhe u tha të pranishëmëve: “Pa u ngritë sot Flamuri, asnjë nuk dalim të gjallë nga kjo shtëpi!” pikrisht, kur Ismail Qemali, po ngurronte me dalë në balkon me vue Flamurin e Pavarsisë, sepse u kishte premtue turqëve “se do të ruejnë kontrollin e tyne në tokat Shqiptare”. E këte veper sa Atdhetare aq Burrnore të Gurakuqit, e persëriti në 1995 në Teatrin “Migjeni” të Shkodres, At Konrrad Gjolaj, në Pervjetorin e “Hyllit të Dritës” kur tha: “Ismail Qemal beg frikacaku…”, ashtu si kishte shkrue atëherë Revista, se edhe këte sot shumica e Shqiptarëve nuk do ta dinte. Askush nuk zen me gojë Memorandumin e Gerçës të firmosun nga Burrat e Malësisë, vetem pse Emnat e Tyne ishin Katolikë, dhe se Ky Memorandum u ba me nisiativen e Imz. Lazer Mjedjes e At Mati Prennushit, bashkpuntorit Dedë Gjo’ Lulit në Maje të Bratilës, dhe jo t’ atyne “frikacakëve” që u atribohet nga pseudohistorianët “prof. dr” fallsifikatorë sot.

Në vitin 1957 – 58 studjuesi i njohun shkodranë Gjush Sheldija, rreshton në një studim të Tij datat kronologjike dhe disa shenime historike të sakta nga viti 635 para Krishtit. Janë lëshue i madh e i vogel tue kopjue në atë studim, madje edhe tue marrë edhe “tituj e grada shkencore” nga ata shenime të Tija, po askush nuk ka burrni me e permendë as me zanë me gojë emnin e Gjush Sheldisë, e pse? – Edhe ky katolik Shkodret! I ndjeri Gjush e pat guximin me thanë se ky material i punuem në 1957 asht bazue në arkivat e Kryeipeshkëvisë Metropolitane të Shkodres dhe Dioqezat Sufragane, arkiva të cilat, edhe ata mbas vitit 1967 u “administruen” nga “kryetari i komisionit përzgjedhjes leteraturës fetare dhe kishtare Jup Kastrati” i cili, i vodhi dhe plotsoi koleksionin e plaçkitun të At Justin Rrotës, bashkë me “tituj dhe dekorata” të dhana nga Ramiz efendi Alia, si shperblim i poshtersisë së tij. Jupi filloi botimet e tyne me emnin e vet e sot zen vend ngjitë me ish oficerin shpifes të sigurimit të shtetit anadollakun Rakip Beqja, në faqe të parë të revistës “Drita Islame”, vetem pse materialet e këtyne shpifësëve agjentë me mllef të madh kanë shkrue kunder Klerit Katolik që e vodhën, po dhe Atdhetarëve Katolikë që vranë!

Kjo ngjet pikrisht në prag të 100 vjetorit të Pavarsisë së 1912…

Po rreshtoj disa data të nxjerruna nga studjuesi Gjush Sheldija:

1858 – Hidhet guri i parë i themelit të Katedrales së Shkodres.

1858 – Kushë Micja çelë shkollën për vajza shkodrane.

1859 – Lindë në Shkodër poeti i Rilindjes Filip Shiroka.

1859 – Themelimi i Seminarit Papnuer të Shkodrës me nxanësat: Prengë Doçi, Ndue Bytyçi.

1860 – Lindë në Shkodër artisti piktor Kolë Arsen Idromeno.Vdiq me 12. XII. 1919.

VIII.1861- Françeskanët ngrisin Kuvendin e tyre në Shkodër.

2.1866 – Lindë në Shkodër poeti e shkrimtari Dom Ndre Mjedja.

1871 – Zef Jubani Ndokillia boton disa rapsodi shqiptare.

10.1874 – Çelet shkolla e Shirokës nga Dom Zef Ashta.

7.1875 – Themelohet Kuvendi i Françeskanëve në Gjuhadol.

X.1877 – Jezuitët çelin Kolegjen Saveriane në Shkodër.

2.1878 – Malet e Veriut protestojnë kundër qeverisë së Athinës për çështjen e Epirit.

4.1878 – Themelohet “Lidhja e Prizrenit”.

1878 – Lidhja e Prizrenit proteston me memorandum kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit.

Shkodra    proteston pranë Kongresit të Berlinit për shkëputjen e Podgoricës, Tivarit, Plavës dhe Gucisë.

18.6.1878 – Mirdita, Malsia e Lezhës dhe Lura i luten Kongresit të Berlinit me i dhanë autonominë.

13.7.1878 – Traktati i Berlinit i lëshon Malit të Zi, Ulqinin e Tivarin, Plavë, Guci e Triepsh dhe Greqisë një       pjesë të Epirit. 11.1878 – Nga frika qeveria turke rrethon Shkodrën me 20.000 ushtarë.

2.1879 – Lindë në Shkodër patrioti dhe shkrimtari Luigj Gurakuqi.

1879 – Ushtritë malazeze thehen keqas nga vullnetarët shqiptarë që mbrojnë Plavë e Guci.

1899 Imzot Prengë Doçi, Abat i Mirditës themelon në Shkodër Shoqninë Letrare “Bashkimi”.

28.6.1897 – Murgeshat Stigmatine çelin kopshtin për fëmijë të vogjël me drekë, falas.

1902 – Shkolla françeskane jep mësimet në gjuhën shqipe.

1904 – Lush Kola nga Barbullushi mëson në fshatin e tij. Pse përhapë idena nacionale, pushohet nga puna.

1907 – Themelohet azili i jetimëve nga motrat Saleziane në Shkodër; ma vonë dhe i pleqve të vorfën

1908 – Shkodra merr pjesë në Kongresin e Monastirit ku dergohen: At Fishta, Gurakuqi, Dom Ndre Mjedja, Mati Logoreci, Hilë Mosi. 

– Krijohet klubi “Gjuha Shqipe” në Shkodër. 

1909 – Del në Shkodër gazeta “Koha” e “Bashkimi”. Kërkohet nga Shkodra njohja zyrtare e kombit, e arsimit të detyrueshëm, shërbimi ushtarak në vend, e një sundimtar i përgjithshëm shqiptar…

24.7.1910 – Xhavid Pasha me 20 taborre (batalione) vjen me shtrue Shkodrën.

1910 – Luftë në Kaçanik ndermjet shqiptarëve dhe turqve. Kryengritje e Malsisë së Madhe. 

26.7.1910 – Shefqet Turgut Pasha vjen në Shkodër me shtrue Malsinë. Luftime të përgjakshme në Qafë t’Agrit e në Qafë Shtamë të Shalës ndermjet Dukagjinasve dhe ushtrisë turke.

1911 – Plasë kryengritja e Malsisë së Madhe, në Kastrat.

6.4.1911 – Dedë Gjo’ Luli ngulë në Bratile në majë të Deçiqit flamurin kombëtar dhe Malsia e Madhe lufton për pavarësi e liri.

18.5.1911 – Kryengritësit shqiptarë i përgjegjen Shefqet Turgut Pashës se nuk përulen e se ata, do të luftojnë tue derdhë gjakun deri në fitimin e plotë të lirisë.

23. 6. 1911 – Memorandumi i Gerçes, drejtue Fuqive të Mëdha.

5.7.1911 – Kryengritje e përgjithshme kunder Turqisë për liri.

X. 1912 – Nisë rrethimi i Shkodres nga malazezët.

28.11.1912 – Shkodra merr pjesë me Luigj Gurakuqin në Shpalljen e Pavarësisë Shqiptare në Vlonë, në Qeverinë e përkohshme nën kryesinë e Ismail Qemalit e Don Nikoll Kaçorrit.

30.1.1913 – Esad Pashë Toptani shtin e vret trathtisht Hasan Riza Pashën, dalëzotës i Shkodrës, që donte me ngritë flamurin shqiptar në kështjellë e në kumbonare të Katedrales së Shkodrës.

2 3. 4.1913 – Esad Pasha ia shet Shkodrën malazezve për dy milion florinta, të cilët futen në qytet në tre drejtime: nga Taraboshi, nga Fusha e Shtojit e nga Bardhanjorët.

14.4.1913 – Malazezët djegin Pazarin e Shkodrës, mbasi e grabitën dhe dalin këtej tue ia lëshue vendin në dorë t’ushtrisë nderkombëtare (austriake, italiane, franceze, angleze, gjermane).

13.6.1913-Naltohet në kështjellën Rozafat të Shkodrës Flamuri Kombëtar Shqiptar, dhe atdhetari Karlo Suma mban fjalimin.

7.1913 – Esad Pasha shpallet sundues i Shqipnisë së Mesme. (Nenvizimet F.R.)

1913, Në Vjenë z. Mark Kakarriqi, deklaron: “Shkodranët do të vazhdojmë luften per Liri, kur të vriten të gjithë Burrat, luften do ta vazhdojnë Gratë…”

 Sot në prag të 100 vjetorit të Shkodres së “Lirë”, kur shoh perditë e ma t’ ashper luften ndaj Kulturës së Veriut, Historisë së Lavdishme të Trojeve Shqiptare, perpjekjet dhe kambnguljen e “prof. dr. e akademikëve” me fshi nga Ajo Histori e lavdishme Emnat e nderuem të Atdhetarëve, dijetarëve, luftarëve, klerikëve, intelektualëve të Veriut dhe Gjuhës së Shenjtë të Tyne, Gegënishtes…apo si e quejtën anadollakët komunistë “Gjuha e Krishtit”, edhe pse Shkodranët kam besim se edhe në të ardhmen e ndritun tek e cila do të shpresojmë,  Ata do t’a vazhdojnë luften e Tyne, po kur të mbarohen Burrat…

Po persërisë, të Ndjerin Mark Kakarriqi:  

“Luften per Gegënishte… do ta vazhdojnë Gratë Burrnesha Shkodrane!”

 

Melbourne, 2013.

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet, e ka thane, Fritz radovani, i ndjeri, Mark kakarriqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT