• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISHTE 35 VJEÇ… KUR E PUSHKATUEN…

May 21, 2013 by dgreca

Foto: Don Marin SHKURTI (1933 – 1969)/ Nga Fritz RADOVANI/

Don Marin Shkurti, ka lé në vitin 1933 në fshatin Samrish, fshat kufitar në breg të lumit Buna, jo larg qytetit të Shkodres. Shkollën 7 vjeçare e ka krye në Dajç ku, famullitar ishte Don Kolec Prennushi. Mbas vitit 1950, kur vdes Don Koleci, në Dajç vjen famullitar Don Dedë Malaj, tek i cili Marini paraqet dëshirën me u ba meshtar. Ai thonte: “…Kur isha fëmijë, tue pa figurën e priftit tonë Don Kolecit, kur vdiq Ai mue më thirri një za: Marin, katundet janë pa prift! Menjëherë ato ditë shkova tek Don Deda dhe i tregova dëshirën time dhe vëndimin që kisha marrë. Ai më tha: Edhe pse ndoshta mund të burgosin dhe të torturojnë si Don Kolecin dhe Meshtarët tjerë, mos u tremb! Forca e Krishtit asht ma e madhe se e djallit, të lumtë!…” Kështu, Ky djalë fshatar mori rrugën e vështirë e plot rreziqe tue mësue me një vullnet të hekurt nga mësuesi i Tij Don Deda, mësimet e nevojshme teologjike dhe filozofike. Duhet vue në dukje se Marini nga mësuesi i vet mori edhe cilësitë morale e burrnore që Don Dedës, nuk i mungonin. Në vitin 1958 Marini detyrohet me ndërpre studimet sëpse aso kohe mësuesi i Tij arrestohet dhe mbas pak muejsh, me 10 maji të vitit 1959 Don Dedë Malaj pushkatohet. Sigurisht, qendrimi burrnor e fisnik i Don Dedës në gjyqin e zhvilluem në kinema “Republika” të Shkodres, ngjallë ata virtyte që për meshtarin e rij janë të domosdoshme. Guximi, vendosmënia, qendresa dhe mbi të gjitha pathyeshmënia kundrejt torturave dhe masakrave të sigurimit shtetit komunist ndaj Don Dedës, formojnë tek Marini, atë karakter meshtarak që pa pikë frike Ky pranon salvimin për Fenë dhe Atdheun e djegun e të bamë zhari… Në vitin 1961, në muejn dhjetor, Marini shugurohet meshtar nga duert e Imzot Ernesto Çobës dhe, me 8 dhjetor të po atij viti Don Marin Shkurti, thotë Meshën e Parë në Katedrale të Shkodres. Shkon me sherbye si meshtar në famullinë e Mësuesit të vet, në Dajç të Bregut të Bunës dhe mbas pak vitesh shkon në fshatin Stajka. Ishte një meshtar model në ata fshatra ku ushtroi veprimin fetar e laik, jetonte në mes të njerëzve të varfën kooperativistë, si ma i varfni… Asht i papritueshëm e korrekt në shërbimet ndaj fshatarëve, të cilët punonin gjithë ditët e vitit për 30 lekë të vjetra në ditë, nder kooperativa për me mujtë me mbajtë frymen gjallë. Për asnjë shërbim fetar Don Marini nuk kërkonte shpërblim, por kujtohet edhe sot nga fshatarët e atyne krahinave, vetëm për ndihmat që Ai u jepte të tjerëve.

Plot mbas 6 vjetësh si meshtar, në shkurt të vitit 1967, Ai me të gjithë Popullin Shqiptar asht në epiqendren tronditëse të “Revolucionit Ideologjik e Kultural”, të shpallun pa pikë turpi nga anadollaku Enver Hoxha. Asht pikërisht ai “Revolucion” që vetë shpiksit dhe zbatuesit e tij, sot mundohen mos me e kujtue se si u zhvillue në Shqipninë e vogël evropjane, po edhe kanë harrue jo vetem Ata që janë pushkatue, po edhe Trimin që guxoi me e kundershtue Gjenocidin e bamë kunder Klerit Katolik Shqiptar, simbolin tjetër të pathyeshëm dhe të përjetshëm, që me dy faqe fletorje me kuadrate të shkrueme me dorën e Tij të shugurueme, At Pjetër Meshkalla,  pat guximin me u thanë diktatorve: “Ju jeni inkuizitor të shek. XX-të!”

Don Marini nuk ndërpret vëprimet fetare edhe pse ata ndalohën me ligjë nga shteti komunist. Pagëzon, rrëfen, kunorzon, vojon të sëmurë dhe vazhdon shërbimet fetare në fshatrat ku Ai kishte sherbye. Sigurimi i kudondodhun fillon me e gjurmue dhe survejue. Sinjalizohët se mund ta arrestojnë për vëprimet fetare që Don Marini nuk i kishte ndërpre. Me datën 14 nandor 1968 Ai arratiset në Jugosllavi, bashkë me të gjithë vllaznit e familjet e tyne të përbame me 17 vetë, tue pre lumin Buna përballë shtëpisë ku kishte lindë në Samrish.

Sigurimi i shtetit bie në marrveshje si gjithmonë me UDB jugosllave dhe, mbas tri ditësh me 17 nandor 1968, Don Marinin bashkë me 17 pjestarët e familjes e këthejnë në Shqipni, dhe ia dorzojnë sigurimit shtetit. Torturohen mizorisht të gjithë paperjashtim. Don Marini në dosjen e Tij ngulë kambë me shfajsue një nuse të vllaut, e cila ishte shtatzanë, se gjoja, ajo nuk ka ditë asgja për vëprimet e burrave të familjes, sigurisht për mos me rezikue jetën e saj dhe të bebes. Një mjek i maternitetit të Shkodres kërkon që me këte grue të ndërpriten hetimet, po hetuesi vazhdon punën e tij. Ajo dënohët me 10 vjet heqje lirije dhe lindë fëmijë në burg.

Me datën 5 mars 1969, trupi gjykues i përbamë nga kryetar Jorgo Dhroso dhe anëtarë Xhemal Gramshi dhe Gita Baci, me prokuror Kostaq Shandro, hapin gjyqin në fshat kundër “armikut të Popullit dhe trathtarit të atdheut” Don Marin Shkurti, si dhe 17 anëtarëve të familjes së Tij. Dosja mbyllet me vendimin e pushkatimit të Don Marinit dhe me dënimet e randa mbi 20 vjetë për katër vëllaznit e Tij. Pjesa ma e madhe e familjes dënohet mbi 10 vjet burg e punë të detyrueme në kampet e punës dhe të shfarosjes komuniste. Vendimi i dënimit me vdekje i Don Marinit nuk u ndryshue as nga gjykata e naltë, as nga Kuvendi Popullor.

Don Marini në dosje tregon se arësyeja e arratisjes së Tij, ishte frika e arrestimit dhe pasojat që do ti sillte familjes së vet, kryesisht vllazenëve… Ai nuk ka as veprimtari spijunazhi dhe as sherbime në favor të shteteve të huaja. Në tri ditët e mbajtuna në Jugosllavi, Ai nuk asht pyet nga askush dhe as nuk ka dhanë as informata me karakter fetar, ushtarak apo spijunazhi…

Qendrimi i Tij në zhvillimin e hetuesisë dhe gjyqit asht shumë burrnorë.

Ma poshtë shënohet: “Unë vëndosa me u ba prift dhe jam i lumtun që po vdes për Fenë e Krishtit! Mësimet që kam marrë nga Don Deda, për mue janë kenë aq të mëdhaja, sa e tham pa frikë, Ai më ka mësue me vdekë ashtu si ka vdekë Ai vetë…

Ju mendoni se me këte “Revolucion” do të fitoni mbi Fenë tonë katolike, por mos harroni, se gjaku i jonë që derdhet tash dymijë vjet rrëkajë ndër thëmelët e Kishave, Ai prap do ti rindertojë këto Kisha që ju po i prishni!…” Me daten 1 Prill 1969, me urdhen nr. 620, të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme në Tiranë, ekzekutohet me pushkatim, kur ende nuk ishte as 36 vjeç…Në fjalën e fundit Ai tha: “Ju jeni tue më pushkatue vetëm se unë jam prift, mbasi unë jam i pafajshëm! Rrnoftë Feja e Krishtit! Rrnoftë Shqipnia!”.

Fjala e fundit asht një dëshmi e pakundërshtueshme e Tij, e cila, tregon burrninë me ua përplasë për surrat padrejtësinë diktatorëve anadollakë dhe pasuesëve të tij. Ai demaskon rendin e tyne të flligtë e terrorist si dhe pasuesit besnikë të tyne në shërbimet antiatdhetare.

Ai vdes për Atdhé, sëpse asht rruga e zgjedhun prej vetë Don Marinit, asht rruga e sigurtë që e naltëson në Elterin e Martirëve të pavdekshëm të Shqipnisë së Martirizueme…

 Don Marin Shkurti, asht nxanës i Don Dedë Malaj, mbas pushkatimit të Tij, vazhdon studimet me Don Pjeter Gruden, shugurohet nga Imzot Ernesto Çoba…të gjithë të masakruem nga diktatura anadollake e E. Hoxhës dhe Ramiz Alisë, gjatë Gjenocidit komunist.

Ja pra, me fakte se katili fanatik Enver Hoxha, me pasuesit e vet tradhëtarë nuk i vriste klerikët katolik vetëm për kulturën që Ata kishin, por për té, duhej masakrue, torturue dhe zhdukë çdo Njeri i veshun me veladon dhe zhgun që i sherbente Fesë Katolike.Don Marin Shkurti mbetët ndër Ata Martirë të Kishës Katolike dhe Heroike Shqiptare të masakrueme, sëpse kur, anë e kand qytetit të Shkodres, tue fillue në Zallin e Kirit, Stom Golem, Bardhej, kodra të Rrencit e deri në fushën e liqenit të Shkodres, ku Don Marini kishte vorrin e Mësuesit të vet, nuk kishte një pëllambë tokë pa një gropë ku kalbej një klerik… E megjithate, Ai vendosë në shembullin e Tyne, në moshen 35 vjeçare me vdekë Hero i Atdheut dhe i Fesë.

Melbourne, 2013.

Filed Under: Histori Tagged With: Don Marin Shkurti, Fritz radovani, ishte 35 vjec, kur e pushkatuan

Artikujt e fundit

  • Truri dhe kozmosi
  • DIAMANTËT E FESTIVALIT
  • Ta ruajmë, ta flasim dhe të na rrojë në jetë të jetëve gjuha jonë e bukur dhe hyjnore shqipe
  • Në ditën e lindjes së Heroit, Fehmi Lladrovci
  • The White House issues a Prayer for Peace Proclamation on Memorial Day
  • Pikniku i parë shqiptar madhështor në Staten Island, New York
  • DUKE PRITUR TË HËNËN E MEMORIES – ABDULLA RAMI – PËRTEJ HARRIMIT
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apel organizatave ndërkombëtare të gazetarëve për kërcënimet ndaj gazetarëve në detyrë në Kosovë
  • QEVERIA RAMA KAP GJITHÇKA, DO TË KONTROLLOJË EDHE KËRKIMIN SHKENCOR
  • Frank Shkreli merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i Malësisë së Madhe
  • Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra
  • KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?
  • Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave
  • “Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, një përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët
  • Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT