• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRISTI KONDAKÇI-DIRIGJENTI QË PO NDERON SHQIPËRINË NË AMERIKË

December 15, 2015 by dgreca

-Ky program, ishte kartolina më e bukur për ne në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të cilën na i dhuroi Kristi, u shprehën pjesëmarrësit pas shfaqjes së ditëve të fundit, që dirigjoi ai./

Nga Fuat Memelli/

Boston- Këto ditë në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, isha i ftuar në një koncert këtu në Boston, që do ta dirigjonte i riu shqiptaro-amerikan, 24 vjeçari, Kristi Kondakçi. Kisha dëgjuar të flitej për këtë të ri të talentuar, por nuk më ishte dhënë rasti të shoh nga afër dirigjimin e tij. Një sallë në North And, zonë shumë e njohur në Boston e bizneseve dhe e banimit nga italiano-amerikanë, ishte mbushur plot. Muzika e zgjedhur, ishte “Messiah” (si gjini është oratorio, gjini vokale-orkestrale) e kompozitorit të shquar,George Frederik Hendel. Qysh me hyrjen në sallë të dirigjentit Kristo Kondadakçi, pjesëmarrësit e duartrokitën fort , që me sa duket i njihnin talentin e tij.

Për një orë e gjysëm, ata ndoqën orkestrën dhe korin e dirigjuar nga i riu shqiptar. Në mbyllje të programit, ishte lënë pjesa “Hallelujah”.Ajo  shënoi  edhe momentin më kulmor të shfaqjes. Duartrokitje të shumta, vazhduan për minuta të tëra. Kristi përkulej para spektatorëve të ngritur në këmbë, për t’i falenderuar. Si “shpërblim” për vlerësimin e bërë, Kristi  i kërkon orkestrës, për ta përsëritur edhe një herë këtë pjesë. Kthehet me fytyrë nga salla duke dirigjuar njëherësh , orkestrën dhe publikun. Kur duartrokitjet pushuan, pjesëmarrës të ndryshëm afrohen te Kristi , i shtërngojnë dorën dhe e falenderojnë.-Ky program ishte kartolina më e bukur për ne në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të cilën na i dhuruat ju, u shprehën ata. E falenderojnë edhe pjesëtarë të orkekstrës e të korit. Afrohet edhe shqiptari Petrit Alibej, i cili e ka ndjekur ndër vite ecurinë e Kristit. Pasi e falenderon, bën edhe një foto me ‘të.- Ky djalë, na ka nderuar ne si shqiptarë, thotë Petriti. Fatkeqësisht atë më shumë e njohin amerikanët , se sa shqiptarët. Duhet ta bëjmë më të njohur këtë djalë mes shqiptarëve të Bostonit si dhe shqiptarëve të tjerë të Amerikës, thotë Petriti. Organizatorët e pasqyruan veprimtarinë brenda natës, te faqja: messiah by kristo kondaci.com (Ata që duan të shohin veprimtaritë e tij, i gjejnë te kjo faqe.) Por, cili është Kristi Kondakçi?

Kanë kaluar rreth 18 vjet kur familja e tij, bashkë me gjyshin, të ndjerin Beqir Omari, ish i përndjekur nga regjimi komunist, emigroi nga Shqipëria në Amerikë dhe u vendos në Boston. Për ta arsimuar sa më mirë, familja e dërgoi në shkolla private, ku u shqua si nxënës i shkëlqyer. Paralelisht vazhdoi edhe shkollë private për piano, nën drejtimin e mësueses së shquar ruse, Tatjana Dodoçki. Më pas vazhdon për katër vjet “New England Conservator”, në degën e kompozimit, të cilën e mbaron më rezultate të larta. Në vitin 2009, merr çmimin e parë në shkollë për kompozim. Krahas kompozimit, vazhdon studimet edhe për dirigjim, duke u shkolluar në dy fusha. Ai tani jo vetëm dirigjon , por edhe luan në piano. Aktualisht është asistent dirigjent në dy orkestra: “Landmarks  Orchestra”si dhe në Filarmoninë e Bostonit. Është një pozicion jo i vogël ky , për një djalë 24 vjeçar, në qytetin e Bostonit, një nga qytetet më të njohura të Amerikës.

Brenda një kohe të shkurtër,  ka dhënë 18 shfaqje, të cilat janë vlerësuar nga specialistët e fushës si dhe spektatorët. Kohët e fundit, ka krijuar edhe orkestrën e tij me emrin “Eureka”, e cila përbëhet nga 49 instrumentistë të moshës 18 vjeçare. Janë të talantuar, ashtu siç është vetë Kristi. Me pasionin dhe këmbënguljen që ka ai, kjo orkestër nesër mund të bëhet me emër në Boston. Dëgjuam se shpesh Kristi komunikon me fjalë shqipe me trupën e orkestrës. Dhe kjo, nuk është rastësi. Është dashuria që ai ka për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, e cila e nxit t’u mësojë atyre edhe ca fjalë shqipe.( Një i ri i kësaj trupe, ka mësuar 50 fjalë shqip nga Kristi.) Megjithëse ka ardhur fare i vogël në Amerikë dhe është shkolluar në anglisht, e flet shumë mirë gjuhën shqipe.Dashurinë për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, ia kanë rrënjosur jo vetëm prindërit, por edhe gjyshi i tij, i ndjeri Beqir Omari,  që ndrroi  jetë këtu në Boston para tre vjetësh.

“Magneti” i Shqipërisë e tërheq vazhdimisht, ndaj në shtator të vitit të kaluar , i ftuar nga drejtori  i Teatrit të Operas dhe Baletit, Ilir Kërni, shkoi aty dhe drejtoi orkestrën e këtij  institucioni. Pjesa që dirigjoi, ishte sinfonia ” Titani” e kompozitorit Gustav Mahler.Kish marrë me vete partiturat dhe në një kohë rekord prej 5 ditësh, arriti të verë në skenë këtë pjesë të vështirë dhe të panjohur në Tiranë. Nuk ishte parë që në kohë kaq të shkurtër, të përgatitej për shfaqje një sinfoni nga një dirigjent i ri (23 vjet vitin e kaluar ) me moshë shumë më të re se pjesëtarët e orkestrës dhe që nuk i njihte më parë. Me pasion dhe këmbëngulje, dy “armët” e tij të forta,e bëri për vete trupën dhe shfaqja pati një sukses të merituar. Në fakt dha dy shfaqje njëra pas tjetrës.

Një cilësi e veçantë e Kristit, është thjeshtësia e tij.Ai komunikon me trupën  e orkestrës, me korin dhe spektatorët, si shok i tyre.-E gjithë grupi: orkestra, kori dhe dirigjenti,duhet të funksionojnë si një trup i vetëm. Ndryshe nuk ka sukses, thotë ai.

Ky është shkurtimisht portreti i dirigjentit të ri shqiptaro-amerikan, Kristi Kondakçi, i cili po nderon Shqipërinë. Është i vetëdijshëm se ndodhet në hapat e para të karierës së tij, ashtu siç është i vendosur për të hedhur hapa të tjerë edhe më të mëdhenj në të ardhmen. Në mëndje ka plot plane, por nuk do të nxitohet. Do të ecë i sigurt. As reklamë nuk kërkon.-Reklama më e mirë është puna, thotë ai. Sipas Kristit, një nga planet më të afërta është përgatitja e një koncerti me pjesë nga kompozitorë të shquar shqiptarë si Çesk Zadeja, Tish Daia,  Preng Jakova ,Feim Ibrahimi, etj. Do të jetë ky program edhe një mirënjohje për këta kompozitorë të shquar shqiptarë. Synimin e ka që shfaqja të jetë gati  në muajin maj të vitit që vjen dhe të jepet në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston. Në orkestër kërkon të ftojë muzikantë shqiptarë që jetojnë në Boston e qytetet rreth tij si dhe nga Shqipëria. Plane të tjera ka për shfaqje në Amerikë si dhe në vënde të ndryshme të Botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Në mëndje ka shumë plane, në zemër plot tinguj. Jeton në një botë tjetër, në botën e tingujve, ashtu si gjithë muzikantët e shquar.

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Fuat Memelli, KRISTI KONDAKÇI-DIRIGJENTI, ne Amerike, QË PO NDERON SHQIPËRINË

SINICA-MODEL I BASHKËJETESËS FETARE

July 20, 2015 by dgreca

-Mbresa nga kremtimi i ditës së Shën Kollit dhe 165 vjetorit të kishës së këtij fshati-/
Nga Fuat Memelli/
Qysh në fillimet e demokraciasë , fshatarët e Sinicës në rrethin e Devollit, çdo vit më 20 Maj, festojnë së bashku ditën e Shën Kollit.( Këtë emër e mban edhe kisha e fshatit.) Kështu ndodhi edhe sivjet por festa ishte më e madhe dhe më e bukur .Dhe kjo kishte arsyen e vet.Tok me ditën e Shën Kollit, u festua edhe 165 vjetori i kishës së fshatit.Veç sinicarëve të krishterë, ashtu si çdo vit, pjesëmarrës ishin edhe bashkëfshatarët e tyre muslimanë. Sinicarët kishin ardhur në vendlindje nga Korça, Elbasani, Tirana, Durrësi, etj, por edhe përtej Atdheut. Josif Kotemelua, vinte nga Çikagua, Kajsjani e Koço Tahiri, Stavri Panua e Albert Hysolli nga Greqia, etj.Për të festuar tok me sinicarët, kishin ardhur edhe nga fshatrat fqinjë si Dardha, Arza e Qyteza. Mysafirë në këtë festë ishin edhe nën prefekti i Devollit, Artan Keco, kryetari i Shoqatës “Devolli” Guri Seferi, drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik të Devollit, Valter Nallbati, etj.Atmosferën festive e zbukuronte flamuri shqiptar si dhe parulla “1850-2015, 165 vjetori i kishës së Sinicës”. Një flamur shqiptar si dhe parulla: “Ta shpëtojmë këtë vatër të dijeve tona dhe ta kthejmë atë në muze”, ishte vendosur në oborin e shkollës. Me rastin e kësaj dite të shënuar, ishte përgatitur edhe një fletëpalosje me ngjyra, titulluar: “Sinica- e bukura e Devollit”, e cila ishte financuar nga sinicarët, Jovan e Jorgo Themeli. Çdo pjesëmarrësi që shkonte në kishë, i vendosej një stemë nga vajzat sinicare, Dajana Hysolli e Megi Memelli. Stema e përgatitur me rastin e 165 vjetorit të kishës, ishte dhuratë nga Jorgo Braholli, me origjinë nga Arëza, fshat fqinj me Sinicën. Gjatë meshës së drejtuar nga priftërinjtë Viktor Konomi e Pabvli Dimashi, besimtarët u lutën për paqe, mbarësi e harmoni.
* * *
Pas meshës, festa “zbriti” në qilimin e blertë të ish shkollës 8 vjeçare. Sinicari F. Sinica, i ardhur nga Bostoni, pasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve, theksoi se në këto ditë të ngarkuara me politikë, ne sinicarët duam të japim një mesazh bashkëjetese dhe harmonie fetare, tè cilat kanë spikatur ndër shekuj nè fshatin tonè. At Viktor Konomi , i cili shërben në kishën e Sinicës dhe disa kisha të tjera të Devollit, uroi pjesëmarrësit për këtë ditë të shënuar, në emër të Mitropolitit të Korçës, Imzot Johanit. Kryetari i Shoqatës “Devolli” Guri Seferi, i kudondodhur në vepriaritë e devollinjve, nuk mungoi edhe në këtë festë të sinicarëve. Në fjalën e tij, ndër të tjera ai theksoi: “Sinica është një model i bashkëjetesës fetare, jo vetëm në zonën e Devollit por edhe në qarkun e Korçës e në gjithë Shqipërinë. Harmonia fetare e sinicarëve, është shfaqur edhe në martesat që janë bërë mes të krishterëve e muslimanëve. Një nga këto martesa është edhe ajo e një vajze nga fshati im, Arëza, me një djalë të krishter nga Sinica. Harmonia e çiftit si dhe e famileve të tyre, është një tregues tjetër i bashkëjetesës fetare të këtij fshati”.
Fjalët pëshëndetëse, gërshetohen me këngë e valle.Orkestra e ardhur nga Bilishti, e ndez atmosferën. Ajo bëhet edhe më e bukur, kur në qilimin e blertë të oborit të shkollës , dalin vallëtarët e Asamblit të Fëmijëve të Shoqatës “Devolli”, drejtuar nga koreografi, Agron Kordalli. Vallja “Devolliçe” mer zjarr nga kërcimi i tyre. Me vallëtarët e vegjël, bashkohen edhe shumë pjesëmarrës dhe lozin së bashku vallet ”Pogonishte” “Isuf Arapi”, etj.
Mikrofonit i afrohet mësuesi veteran, Pëllumb Agolli, i ardhur për këtë festë nga Bilishti.-Kjo është një ditë e veçantë, jo vetëm për sinicarët por për gjithë pjesëmarrësit. Këtu takova dhe u shmalla me shumë kolegë dhe ish nxënës të mi. Për herë të parë në këtë festë, merte pjesë edhe një përfaqësuesi i pushtetit vendor në rrethin e Devollit. Ishte nën prefekti, Artan Keco. –Sinica, ky fshat i bukur i Devollit të Sipërm, meriton më shumë vëmendje. Bashkia e re e Bilishtit, ku Sinica do të jetë pjesë, besoj se do t’i hedhë sytë më shumë te ky fshat i lashtë, me histori e traditë të pasur.
Nga Amerika e largët, u lexuan dy përshëndetje , drejtuar sinicarëve me rastin e ditës së Shën Kollit dhe 165 vjetorit të kishës së këtij fshati. Njërën e dërgonte Peshkop Ilia Ketri, me origjinë nga Sinica ndërsa tjetrën, miqtë e Sinicës: dardharët Sotir Pani e Kiço Çeku si dhe korçari, Jani Plasa. Edhe një risi tjetër pati në festën e këtij viti .Në emër të komisionit oganizator të festës, i riu Marijon Pano, shpërndau dëshmi “Mirënjohje” për priftërinj që kanë shërbyer ndër vite në këtë kishë si dhe për besimtarë të përkushtuar.
Por, në këtë ditë të shënuar, sinicarët nuk harruan të ngrenë edhe disa shqetësime. Engjëll Memelli si dhe disa sinicarë të tjerë, si problem të parë ngritën shtrimin e rrrugës Miras –Sinicë –Dardhë( sidomos pjesën Shkallzë-Sinicë –Dardhë) e cila është lënë në harresë dhe nuk dihet kur do t’i vijë rradha, ndërkohë që janë shtruar me asfalt pothuajse gjithë rrugët e Devollit. Emigracioni si dhe kjo rrugë e shkatëruar, ka bërë që Sinica të tkuret.Vitin e kaluar, komuna e Mirasit ku përfshihej deri tani Sinica, ka bërë një projekt vetëm për segmentin Miras-Arzë, duke anashkaluar Sinicën. Projekti në fjalë, është dërguar në Fondin e Zhvillimit të Zonave Malore. Është e dyta herë që anashkalohet rruga e Sinicës. ( Theksoj se kjo është rruga e vjetër e ndërtuar para afro 85 vjetësh dhe që mbyll unazën: Miras-Sinicë-Dardhë-Korçë.) Sinicarët thonë: -le të bëhet edhe segmenti i Arzës, pasi edhe aty jetojne njerez, por jo të shmanget rruga e Sinicës.
Frenimi i prerjes së pyjeve si dhe i pemëve të Sinicës nga disa fshatra të Devollit, ishte një shqetësim tjetër që ngritën atë ditë sinicarët. Shpëtimi nga rrënimi i ish shkollës 8 vjeçare të fshatit dhe kthimi saj në muze,ishte problemi që ngriti sinicari Albert Hysolli, tok me disa sinicare të tjerë. ( Është vendi të theksojmë se Alberti si individ ka financuar ndërtimin e ujësjellësit të Sinicës, duke bërë atë që nuk bëri shteti për këtë fshat.) Sinicarët kanë filluar të mbledhin vetë lëkë për rikostruksionin e kësaj shkolle, por kërkojnë edhe mbështetjen e shtetit, për të arritur këtë qëllim. Për problemin e shkollës,ku kanë mësuar nxënës nga Sinica, Dardha, Qyteza, Arza e Mirasi, foli me shqetësim edhe mësuesi veteran nga Dardha, Koli Skënde. Studjuesi Ibrahim Memelli, informoi të pranishmit se është në përfundim të librit për Sinicën dhe do ta promovojë brënda këtij viti, ndërsa Niko Balli, kryetar i Shoqërisë Dardhare “Shpresa”, solli përshëndetjet e bashkëfshatarëve të tij për sinicarët dhe gjithë të pranishmit.
* * *
Përsëri këngë e valle, takime shokësh e miqsh, fotografi e filmime. Sinica përjetoi një ditë nga më të bukurat e saj. Mesazhet që u përcollën në këtë ditë të shënuar, le të shërbejnë si një apel për gjithë sinicarët, në Shqipëri dhe emigracion, për të kontribuar më shumë për vendlindjen e tyre. Le të jenë këto mesazhe, edhe një thirrje për pushtetin e ri vendor në Bilisht,për qarkun e Korçës e deri lart në strukturat shtetërore, për të hedhur më shumë sytë nga ky vendbaim i lashtë, që i përket shekullit të 7-6 të Para Erës së Re, te ky fshat me bukuri të rralla për zhvillimin e turizmit.
Maj, 2015

Filed Under: Reportazh Tagged With: fetare, Fuat Memelli, SINICA-MODEL I BASHKËJETESËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT