• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kujdes Votën tuaj!

May 28, 2014 by dgreca

Udhëheqësit e Kosovës, gati që të gjithë, janë njerëz me pak dije të cilët vetëm pasi u kthyen nga aksionet partizane, vijuan disa shkolla si të komisarëve politik gjatë kohës së Mujë Rugovës dhe Ibrahim Gashit, duke i mbaruar të gjitha me sukses të “shkëlqyer”dhe arritur në kohë rekord, tituj marramendës, doktorë e Akademik të gjithfarëllojshëm, të „shkencës“ dhe „politikës“.
Ndaj, që nga fillimi, mënyrë sundimi e disa prej tyre mbeti gjithnjë-gënjeshtra dhe mashtrimi, gjë që i bëri jo vetëm figura të pabesueshme por skajshmërisht edhe të frikshme të cilët, siç kemi rastin të lexojmë çdo ditë në shtypin vendor e të huaj, jo vetëm se nuk dinë të sillen si njerëz koherent me pozitat që mbajnë, por fatkeqësisht ata kanë probleme edhe me drejtësinë…
Ndaj, nëse nuk shtyhen zgjedhjet apo të paktën nuk bëhet pastrimi i listave të shfaqura me kandidatë të dyshimtë, dinak e primitiv, karriera e tyre politike definitivisht duhet të përfundohet me votën e popullit dhe të marrë fund një herë e mirë, që më 8 qershor të vitit 2014.
Tanimë nuk ka mbetur rrugëdalje tjetër, përveç se estrada mashtruese të përballet publikisht me refuzimin e vendosur të votës shqiptare, pasi që ata vet na kanë bindur që moti të gjithë neve se nuk e meritojnë besimin e këtij populli, nëse nuk arrijnë ta vjedhin dhe përvetësojnë dhunshëm edhe një herë vullnetin e votuesit,si më parë.
Përndryshe sa më gjatë që të rri Kosova nën sundimin e tyre, ekspansioni i nepotizmit të tipit „Pronto“ dhe skamjes e varfërisë së skajshme do të qoj në izolim të plotë dhe destabilizimin total të vendit.
Në këtë drejtim, duhet patjetër të ndihmoj edhe pjesa e intelektualëve të paindoktrinuar me pandershmëri si dhe njerëzve të vuajtur,të cilët nuk janë të gatshëm ta shesin votën për 5 apo 10 Euro, për të vuajtur vet dhe familjet e tyre edhe 4-vjet tjera.
Ta dini se Jetë-nuk do të thotë të besosh në të gjitha premtimet e imagjinuara të politikanëve të cilat nuk i kanë realizuar asnjëherë dhe të presësh e pajtohesh me çdo gjë që ata veprojnë,mirëqenien duhet merituar qoftë edhe duke “luftuar” me votën tënde për të drejtat tua dhe sigurimin e një jetë më të mirë për vete dhe familje, tash, në të ardhmen dhe gjithmonë…
Populli ynë nuk duhet të turpërohet që të paktën një herë në 4 vite,qoftë edhe me VOTË-tu thotë JO, të gjithë atyre që nuk e kanë për turp të flasin dit e natë për lirin që na e sollën të tjerët, pavarësinë që na e mundësuan Amerika dhe vendet e mëdha evroperëndimore, madhështinë e veprave të cilat i bëri NATO-derisa ata të vetmen gjë që ende e kanë në dorë, si pasuria e atdheut dhe vendet tona të punës të parapara për të gjithë njerëzit në mënyrë proporcionale, i ndajnë njëanshëm për vete- dhe i rezervojnë dhunshëm e pa asnjë të drejtë- vetëm për të afërmit e tyre,në formën më jonjerëzore e të njohur si- PRONTO!…
Ndaj, në këto momente kaq të rëndësishme për fatin dhe të ardhmen e fëmijëve të tij, Populli i vuajtur Shqiptar, duhet të jetë më i vetëdijshëm se kurrë, disidenti më i fortë dhe kundërshtari më i rreptë,ndaj gjithë atyre tipave rebelist që ende mbajnë raporte intime edhe me shërbimet e huaja sekrete, të cilët për kaq vite shkaktuan dhe nxitën shumë fatkeqësi e drama njerëzore në këtë vend.
Ata,patën ndikim vendimtar në gjithçka që ka bërë të izolohet dhe shkatërrohet ky vend, duke zhvilluar debate të frikshme e ndoshta edhe duke projektuar aventura të përgjakshme, derisa akuzojnë pa fije turpi të tjerët, përndjekin dhe tregojnë secilin me gisht, duke tentuar tua mbyllin gojën dhe tu merret tërësisht e drejta e fjalës, gjithë atyre që mund të dinë diçka, mbi shantazhet dhe shërbimet e tyre policeske.
Pra është koha t`ia veni gishtin kokës dhe mendoni hollë e mirë, se cilët janë ata që meritojnë të vijnë në pushtet për katër vjetët e ardhshme, me votën tuaj! Ndaj, mos u mashtroni,kujtojeni të kaluarën e afërt me sundimet agresive dhe vendosni tash, përndryshe nesër do jetë vonë, për të gjithë.
Votuesit shqiptar, të paktën përmes VOTËS, duhet të shfaqin pakënaqësinë me trajtimin që u bëhet dhe zhvillimet në vend, e nëse ata nuk pati opozitë ti organizoj gjatë mandateve të kaluara për shprehjen e kundërshtimeve të nevojshme, tani e kanë rastin ti dënojnë fajtorët me kokrrat e tyre, duke mos i votuar përgjegjësit e kësaj gjendje të rëndë.
Ky popull, më në fund duhet ta thotë hapur mendimin e tij se nuk mund të durojnë më tutje mosbarazinë në trajtimin ligjor si dhe padrejtësinë e thellë në politikën e punësimit nepotik,pasi që shqiptarët vetëm në letër janë të barabartë, derisa të privilegjuar dhe me mundësi të pakufizuara, gjithmonë mbeten familjarët e prontove dhe formave tjera të familjarizmit, për çka njerëzit që moti nuk ndjehen të trajtuar drejtësisht nga udhëheqësit e vendit, ndaj edhe duan të gjithë të ikin sa më parë.
Ne, edhe nëse nuk kemi miq e të njohur në qeveri, të gjithë jetojmë në një shtet, ndaj me asnjë kusht nuk duhet të lejohet që të na ikë nga dora kjo mundësi ideale për dënimin me votë të fajtorëve dhe rregullimin e padrejtësive tjera të ushtruara ndaj të pa-krahëve, ngase votimet nuk mbahen çdo muaj, por njëherë në katër vjet, poqese nuk ndodhin zgjedhje të parakohshme,siç jemi mësuar tanimë disa herë.
E, nëse populli i Kosovës as kësaj radhe nuk bënë më të mirën për vete, fëmijët dhe familjet e mbytura në skamje, mjerim e papunësi, vendi dhe njerëzit e tij, do të kthehen edhe një herë 20-30 vite prapa, dhe një ditë si në kohën e okupimit, të gjithë njëri pas tjetrit do të detyrohen ta braktisin atdheun përgjithmonë duke e lënë atë në duart e tipave pronto që kanë abuzuar pa asnjë të drejtë, kriter e princip, dhe okupuar çdo pore të jetës me sistemin e NEPOTIZMAVE të Tyre!

Gani Qarri Cyrih, 29 maj 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, Kujdes, Votën tuaj!

Të ndalohen edhe me dhunë protestat?!

April 14, 2014 by dgreca

Pse, masakrimi i Kumes, i ligjshëm ishte?/!
Nga Gani QARRI/
Torturimi i paradoditshëm dhe masakrimi deri në vdekje i Kudret Kumes (Ilia Karelit) në qelitë e burgut grek të Nigritas, të cilit në mënyrën më makabre iu nxor edhe zemra nga trupi i sakatuar, shkaktoi indinjatë dhe zemërim të thellë jo vetëm tek bashkëkombësit e Kudretit në burgjet greke, por edhe tek të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.
Pas kësaj ngjarje të rëndë dhe trishtuese, me të drejtë të rinjtë e vendit u ndjenë të indinjuar deri në revolt nga hakmarrja e ulët institucionale greke edhe për faktin se vrasja e gardianit të burgut nga Iliri ,ndodhi në rastësi dhe gjendje afekti.
Ajo erdhi nga një zënkë spontane ndërmjet Kumes dhe gardianit, të cilit Kume më parë i kishte dhënë një shumë të madhe parash si shpërblim,në mënyrë që atij, ti mundësohej takimi me të ëmën, gjë të cilën edhe pse gardiani grek kishte marrë parat, nuk e realizoi apo edhe parandaloi vet drejtpërdrejt me ndërhyrjen e tij.
Ndaj,konflikti ndërmjet tyre,nuk erdhi në mënyrë të organizuar, por ishte spontan dhe pasoj e mosmbajtjes së premtimit nga ana e gardianit grek edhe pse ai kishte marr ryshfetin e kërkuar. Pra,ky nuk ishte sulm i parapërgatitur as paramendim për mbytjen e tij.
Në anën tjetër, shteti grek, bëri një “vrasje institucionale”, ku autorët e krimit ishin vet zyrtarët e burgut të Nigritës,përfshi edhe drejtorin të cilët shihen në të gjitha filmimet e bëra publike deri më tani.
Të revoltuar nga kjo ngjarje makabre e cila nuk është e para as e vetmja ndaj migrantëve shqiptar në Greqi, ku shqiptarët trajtohen më keq se në cilindo vend tjetër kudo qoftë ai, disa qindra të rinj me flamuj kombëtar në duar, me të drejtë u hodhën në protestë.
Ata sipas rregullit, së pari kënduan Himnin Kombëtar,për të grisur nga indinjata dhe më pastaj vënë edhe zjarrin, një flamuri të shovinistëve grek.
Protestuesit u përpoqën të shprehnin revoltën e tyre edhe para ambasadës greke në Tiranë, ku donin të paraqitnin pezmin dhe bënin të ditur indinjatën e tyre të thellë, ndaj masakrimit makabër të Kudret Kumes,(Ilia Karelit) nga zyrtarët grek, në qelit e zymta të burgut në Nigrita të Greqisë.
Por,forcat speciale të policisë, megjithëse protestuesit me asgjë nuk e merituan një trajtim aq brutal, ato nga ana e tyre, sado që për koincidencë mbanin edhe emrin “Shqiponja” u vërsulën pa mëshirë ndaj shqiptarëve, sikur të ishin sigurimsa grek në mes të Athinës dhe nën urdhëratë direkte të komandës së gjeneral Janullatosit, të cilët jo vetëm fyen por edhe goditën sa mundën faj e pa faj me shkopinj gome, ngrehën zvarrë dhe burgosën një numër të konsideruar protestuesish, duke e quajtur edhe protestën “Grumbullim të paligjshëm”
Pse, masakrimi i Kumes, i ligjshëm ishte ?!

Megjithatë,mese 26 protestues u morën në pyetje nga policia, dhjetëra të tjerë u rrahën e lënduan, dhe për çudi pak zëra u dëgjuan të mbronin protestuesit e pafajshëm. Madje,një pjesë e mirë e tyre u trajtuan edhe në spital nga goditjet policore, ani-pse ata nuk bënë asgjë më tepër sesa një veprim simbolik i cili nuk kishte asnjë të keqe, përveç një porosie të shenjt për mbrojtjen e jetës së njeriut-si vlerë universale dhe civilizuese e mbarë njerëzimit.
Por pasi që vrasësit na qenkan grek, u dashka edhe me dhunë të ndalohen protestat?!….
Gani Qarri
14 Prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, me dhunë, protestat, Të ndalohen edhe

Dënime për predikuesit e vdekjes

April 5, 2014 by dgreca

Fakti se grupet terroriste në Siri,luftuakan për një shteti islamik,ishte arsye e mjaftueshme që vahabistat e infiltruar në vendin tonë,të lidhur me rrjetin terrorist “Al-Kaida” në shtetin mbi shtet të Naim Tërnavës që vepron jo vetëm në-por mbi Kosovë, të dërgojnë djem të ri shqiptar si “ushtarë të allahut” për të shkaktuar terror dhe mbjell vdekje e shkatërrim në vende të huaja.

Këto grupe militantësh vahabisto-salafist,bashkë me luftëtarët e indoktrinuar që do kthehen nga andej, ëndërrojnë që jo vetëm në Siri e Irak, por edhe në Kosovë të krijojnë një shtet islamik me kryetar Shqfqet Krasniqin,ku do të qeverisej sipas “ligjeve” të sheriatit dhe rregullit të kamxhikut,prerjes së duarve dhe sakatimit të pjesëve tjera të trupit në mënyrën më primitive dhe kriminale, siç veprohet në vendet përhumbura arabe me stad mesjetar zhvillimi.

Brengës se në Siri u vranë dhjetëra terroristë shqiptarë ku luftojnë disa qindra sish nga Kosova, Shqipëria dhe trojet tjera etnike,këto ditë i`u shtua edhe një rast i një kamikazi trushpëlar nga “fjalimet” me porosi islamiko-terroriste të Shefqet Krasniqit, i cili vrau hiq më pakë se 52 irakian të pafajshëm në atdheun e tyre të përçarë, ani pse me shqiptarët dhe vendin tonë, ata nuk patën kurrë luftë as konflikt.

Fajtor për të gjitha këto sa ndodhin me të rinjtë tanë të varfër e të papunë, janë imamët e tipit ekstremistë, vahabisto-salafist, të cilët nëpër xhamitë e Kosovës, kanë përjashtuar historinë dhe traditën tonë kombëtare e humane, duke i zëvendësuar ato me xhihad e doktrina islamiko-vrastare, dhe rekrutuar pa dijen e prindërve, dhjetëra e qindra të rinj për agjendat e “Al-Kaidës” dhe terrorizmit ndërkombëtar, si në Siri, Turqi e Irak deri më tani,e kushedi edhe në sa vende tjera nesër dhe në të ardhmen.

Krasniqi dhe disa hoxhallarë të tjerë që me sa duket poshtërimin dhe nëpërkëmbjen e popullit shqiptar e kanë shndërruar në pjesë të jetës dhe misionit të tyre antikombëtar, derisa edhe festimin e ditëlindjes së të rinjve shqiptar e konsiderojnë devijim, në anën tjetër mu ata nuk prajnë duke mashtruar dhe keqpërdor pozitën për të rekrutuar të rinj,nxitur urrejtje e dhunë mes njerëzve,me keqpërdorimin e fesë për luftëra, terrorizëm,dërgim shqiptarësh në beteja të huaja dhe kontrabandim të gjithfarë-llojshëm antikombëtar.

Mashtrues të prapambetur dhe agresiv si Shefqet Krasniqi, Enis Rama, Fuad Ramiqi, Irfan Salihu e të tjerë, janë kthyer jo vetëm në rrezik serioz për vendin, por edhe si predikuesit më vdekjeprurës për të rinjtë tanë, të cilët me Kuran në dorë dhe “allahun” në gojë, pa kursyer jetërat dhe vuajtjet e tyre, i vjedhin nga familjarët pa paralajmërim për ti quar në luftëra dhe fushëbeteja të huaja, pa i njoftuar kurrë mbi shkakun as destinimin.

Ata keqpërdorin pa asnjë respekt traditat,tolerancën dhe të kaluarën tonë njerëzore,duke shfrytëzuar çdo mundësi veprimi, përfshi edhe keqpërdorimin e mjeteve të informimit publik për nxitjen e mosdurimit, shpërndarjen e urrejtjes në mes të njerëzve dhe shkelur me të dy këmbët mbi historinë,të kaluarën dhe të tashmen tonë,të cilët jo vetëm se sot përdhunojnë kushtetutën e vendit,por nesër mund të kërkojnë shtet islamik me ligje të sheriatit edhe në Kosovë.

Heqja e kokave, dhe prerja e njerëzve për së gjalli (në anën e sipërme të qafës) me shpata dhe hanxhar, shoqëruar me ulërima trishtuese “allahu akbar”, para masës se ekzaltuar, është vepër terroriste, është terrorizmi vet .Kjo nuk ka të bëj asgjë me fe as me Zot.

Se nga e morën këtë ide oportuniste dhe utopike hamam- imamët e tillë, se Zoti i pranuaka shqiptarët vetëm si vrasës në parajsë, këtë nuk mund ta dijë askush përveç “kogjabashëve”(qeveritarëve) vendor të cilët, pasi që e rjepën shtetin me hajni,nepotizëm e korrupsion,nuk e patën aspak problem tu epnin aq shumë fushëveprim dhe liri të pafund edhe folkloristëve agresiv të terrorizmit islamik në vendin tonë.

Atyre të cilët pa fije turpi, ndrojtje as kontrolli ligjor ,për vite të tëra vazhdojnë ti mashtrojnë të rinjtë tanë dhe ti dërgojnë në vdekje të parakohshme, duke i mashtruar dhe mësuar mbrapsht se tek “perëndia shkohet vetëm duke vrarë”,duhet treguar vendi, dhe paguar haku,një orë e më parë, siç e duan rregullat e ligjit kundër terrorizmit dhe civilizimit mbarënjerëzor kudo në Botë.

Përveç qindra arsyeve tjera, kemi edhe aktin më tragjik të këtyre ditëve nga një shqiptarë i indoktrinuar nga Shefqet Krasniqi, i cili kreu një sulm terrorist në Irak,ku la 52 të vrarë.

Përveç qeverisë e cila u ka hequr tërë frenjat predikuesve të terrorizmit islamik në Kosovë, na bëri të gjithëve ta përjetojmë rëndë këtë ngjarje dhe ktheu kujtesën e plagëve tona të cilat ende kullojnë gjak, që nga lufta jonë -jo e largët, kur islamistët jo vetëm se solidarizoheshin me vrasjen e fëmijëve tanë, që kryenin pushtuesit, por ndanin një m… bashkë me ta, siç vazhdojnë ta hanë edhe sot me Serbinë, shumica prej tyre.

Ndaj në këtë rast,natyrshëm ne solidarizohemi me familjarët e viktimave të pa fajshme nga një terrorist që për fat të keq doli të jetë pjesëtar i kombit tonë dhe nxënës i Shefqet Krasniqit i cili sipas mësimeve të tij “hyjnore” u mori jetën pa hak as hile gjithë atyre njerëzve në vend të vet.

Poashtu çdo shqiptar i Kosovës që e ndjen veten ende të tillë dhe besimtar i ndershëm e tradicional, pajtohet plotësisht me deklaratën e SPBI (Sindikata e Punëtorëve të Bashkësisë Islame) e cila me të drejtë theksoi se të gjithë ata imam të cilët thërrasin të rinjtë tanë për të shkuar në fushëluftime të huaja,janë njerëzit më të ligë të fesë dhe të kombit.

Kjo edhe për faktin se ne si popull liridashës, për afro një shekull robëri,kemi bërë luftë e përpjekje për çlirim,por kurrë nuk kemi përdor, as kundër pushtuesve tanë akte terroriste.

Vrasja tinëzare dhe hedhja në erë duke marrë jetën e mbi 50 shtetasve të huaj dhe lënë jetim qindra fëmijë të pafajshëm, në vendet e popujve tjerë, pa qenë në konflikt as në luftë me ta,nuk kanë qenë kurrë karakteristika të popullit tonë.
Ky, akt terrorist dhe turp i papresedan,mund të jenë vetëm mësime të terroristëve islamik dhe predikuesve të vdekjes-vahabisto “shqiptar” ndaj, në mënyrë që akte të tilla të mos përsëriten më,këta predikues duhet gjykuar dhe dënuar, sa më shpejtë, rëndë dhe me shumë vite burg.

Të gjithë ata të ashtuquajtur imam që për vite të tëra guxojnë të nxisin urrejtje dhe mbjellin terror në shpirtrat e të rinjve tanë,duke i dërguar edhe në luftëra të huaja për ti bërë mish për top, në vende të largëta e të panjohura për ne, me të cilat dëshirojmë të rrimë në distancë kështu si jemi dhe nuk duam as vdekja të na bashkojë,duhet izoluar në karantina të veçanta,vënë shenjat dalluese të vdekjes në ballë, dhe të vendosen tabela me shënime për rrezikun që u kanoset të gjithë atyre që bien në kontakt me ta.

Predikuesit shqipfolës të vdekjes dhe tradhtarët më të rrezikshëm që tash për tash ka kombi shqiptar me aktet e tyre duan që bota e civilizuar e cila ndihmoi çlirimin e vendit tonë,të na kthej shpinën përgjithmonë. Ata, janë shëndrruar në një drogë psikike të cilët pa asnjë ndrojtje, mashtrojnë dhe marrin në qafë fëmijët tanë të pafajshëm. Ndaj,sa nuk është mbytur çdo masë durimi dhe shpërthyer ndonjë luftë civile, e cila nëse vazhdojnë këto trende,nuk mund të shkojë largë,të mbyllen ideatorët dhe programuesit e vrasjeve. Përndryshe një ditë do të detyrohemi që me të gjitha mjetet, ti mbrojmë fëmijët tanë nga indoktrinimi dhe përgatitja për vdekje të paarsyeshme dhe të parakohshme nga predikuesit e terrorizmit. Dhe sa s’është bërë vonë, duhet medoemos që për kategorinë e përmendur të keqbërsëve, të vihen në fuqi ligjet e luftës dhe frymëzuesit e këtyre tragjedive të ndiqen penalisht për terrorizëm ndërkombëtar.

Të njëjtit “predikues”dje kërkonin shamia,sot luajnë me luftë e eksploziv në Siri, Turqi e Irak, nesër do të kërkojnë bomba për hedhjen në erë të besimtarëve shqiptar nëpër faltoret tona, nxënësve nëpër shkolla, udhëtarëve nëpër stacione trenash, autobusësh,aeroport etj, ndaj për të çliruar plotësisht shpirtin e popullit tonë të shumëvuajtur nga “katil” të tillë të shpirtit dhe jetës së njerëzve të pafajshëm, duhet që sa më parë, të gjithë predikuesve shqipfolës të vdekjes dhe terrorizmit në vendin tonë, me urgjencë tu hiqet shtetësia dhe dëbohen përgjithmonë në vendet me mësime terroriste, prej nga kanë ardhë, pa të drejtë kthimi në Kosovë, Shqipëri dhe të gjitha trojet tona shqiptare kudo që ato janë.

Gani Qarri Cyrih 4 Prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Denime per predikusit, e vdekjes, Gani Qarri, grupet terroriste në Siri

Peja dhe shkarkimi i një profesionisti

April 1, 2014 by dgreca

A u bë edhe më keq pa Kolonel Ahmet Hasin/

Pas rreth dy vitesh, nga shkarkimi jo-fatlum i Kolonel Ahmet Hasit nga udhëheqja e stacionit rajonal policor të Pejës, problemet në këtë qytet sa vinë e shtohen. Sfidat nuk kanë të ndalur, ndërsa vrasjet e shpeshta kërcënojnë jetën dhe sigurinë e pejanëve padrejtësisht tash e 15 vjet,ani pse një fat të tillë nuk e ka merituar ky qytet dhe banorët e tij.

Fatkeqësia atje,u përsërit edhe një herë më tepër,mu ditën e fillim pranverës së këtij viti,ku duart e trishta të krimit,për më tepër se një dekadë e gjysmë, terrorizojnë gjithë Pejën.
Krismat,helmuan prapë freskinë e bjeshkëve për rreth e cila mjerisht,që sa kohë  mjegullohet nga tymi e përflakja e plumbave duke rritur numrin e vrasjeve më shumë se kudo tjetër në Kosovë.
Ndaj,pejanët të lodhur nga vrasjet “enigmatike” numri i të cilave tanimë ka arritur shkallën alarmante treshifërore,në këto 15 vite “lirie” më në fund sikur e mundën frikën dhe një pjesë e konsiderueshëm qytetarësh, arritën të organizojnë një protestë modeste “ Kundër krimit të organizuar”në qytetin e tyre.

Protestuesit me të drejtë kërkuan dorëheqjen e zyrtarëve më të lartë të sigurisë. Ata u dërguan edhe dy kurora mortore organeve kryesore të cilat për vite të tëra mrizojnë në komë të gjatë mosveprimi, njërën gjykatës dhe tjetrën prokurorisë duke i shpallur edhe ato figurativisht të vdekura, ngase ku kris pushka për 15 vite pa reshtur dhe asnjëherë nuk ndërmerret diçka konkrete nga organet përkatëse,aty nuk kanë më peshë fjalët as premtimet kote.
Për çdo stinë në Pejë,drita e diellit ngryset dhe mjegullohet trishtueshëm,herë pas here nga zhurmat e kallashëve që vrasin edhe kalimtar rasti,duke shtuar emrat e tyre në listën e gjatë të viktimave, bashkë me mallkimet e hijeve mortore që mbisundojnë në këtë qytet.
Atmosfera disavjeçare e “luftës”,vazhdon edhe më tej, nga moszbatimi i ligjit, i cili që nga shkarkimi misterioz i Kolonel Ahmet Hasit, sikur ka marrë edhe më keq tatëpjetën, duke arritur deri në atë shkallë degradimi sa që lirisht mund të thuhet se shteti atje nuk ekziston dhe për rastet që këtu shpesh përsëriten, ligji as që funksion fare, megjithë shënimin delikat dhe me stil “evropian” të tij mbi letrën e bardhë.
Këtë më së miri e vërteton fakti se asnjë nga të ashtuquajturat operacione hetimore, deri më tani,për mbi 300 vrasjet në këtë qytet, nuk rezultoi me zbulimin qoftë edhe të një rasti të vetëm dyshimi.
Kështu, policia rajonale dhe organet e (jo)ndjekjes dhe të (pa)drejtësisë, janë bërë shembulli më i keq i mosveprimit, nëse jo edhe vet pengesa e zbardhjes së krimit,në Pejë dhe pothuajse kudo në Kosovë.
Shqiptarët për afro 100 vite okupimi, të vetmin mision patën-çlirimin e vendit dhe krijimin e një shteti normal me sistem funksional të drejtësisë,ku liritë dhe të drejtat e njeriut do të ishin të shenjta dhe të paprekshme nga korrupsioni,vrasjet dhe haraçi.

Megjithatë, zhvillimet e papritura në 15 vitet e fundit, quan në hiq më pak se 1800 viktima, dhe shkatërruan vizionin e popullit tonë liridashës,i cili shekuj me radhë ka kërkuar rrugë dhe mënyra të mundshme e të pa mundshme,për çlirimin e trojeve të veta.

Në atdheun tonë të helmuar nga politika dhe të trishtuar nga krimi,lufta sikur nuk pushoi asnjëherë.

Këtu jo vetëm se edhe pas lufte ndodhëm mijëra vrasje,por për të qenë fatkeqësia edhe më e madhe, pothuajse asnjë prej këtyre rasteve, nuk u zbulua kurrë nga kuazi drejtësia vendore e nënshtruar tërësisht nga politika,e cila rrezikon të qojë vendin në dështim të plotë të shtet-ndërtimit.

Madje, për të arritur kulmin ironia më e madhe, në Kosovë si në asnjë vend tjetër në rajon, u vodhën dy herë edhe vet dhomat e dëshmive. E para më 2009 në Prishtinë dhe tjetra më 2012 në Pejë.

Por,përderisa në kryeqytet të vendit, nuk u arrestua as shkarkua, asnjë nga përgjegjësit e sigurisë, në Pejë u suspendua vet kreu i komandës regjionale, pa ndonjë arsyetim bindës. U largua për kohë të pacaktuar,njeriu më i zoti dhe kuadri më i përgatitur përkatës, kolonel Ahmet Hasi, i cili nga të gjithë ata që kanë pasur rastin ta njohin,konsiderohet si njëri nga oficerët më të mirë policor në vend.

Ndoshta,mu ky epror profesionist dhe burrë i  ndershëm e i pa korruptuar asnjëherë, që zbatonte ligjin me devotshmëri e seriozitet dhe mbahej fort në popull, me të cilin dinte të bashkëpunonte ngushtë dhe mirëkuptohej njerëzisht, si duket nuk i pëlqente dikujt.

Madje,pas shkarkimit të Kolonel Ahmet Hasit,jo vetëm se nuk u zbulua as fol më kurrë për hajnin e majme që u krye në dhomën e dëshmive,nga hijet e “padukshme” që mbajnë çelësa rezervë për çdo derë hetimi, por edhe problemet në Pejë sa erdhën e u shtuan gjithnjë e më tepër.

Nga kjo mbetet e pa kuptueshme se pse u dashtë,patjetër të shkarkohej Koloneli !? Ishte ky një vendim për zvogëlimin apo vazhdimin e krimeve atje.

Në shtypin ditor që disa herë përsëritet se 24 përgjegjës të lartë policie, të cilët nuk e kaluan testin e përshtatshmërisë, kanë qasje në dokumente e akte të ndjeshme të sigurisë e ndoshta mbajnë shumë çelësa rezervë dyersh të ndryshme dhe janë të ngarkuar me përgjegjësi që nuk do duhej ti kinin.

Edhe marrëveshja e fundit me Serbinë parasheh  inkuadrimin e pjesëtarëve të MUP-it serb, në policinë e vendit, të cilët nuk e kanë pranuar asnjëherë shtetin që do ti punësojë dhe ende kundërshtojnë me këmbëngulje pavarësinë e Kosovës.

Fatkeqësisht,menjanimi i profesionistëve,nepotizmi dhe përzierjet e pandërprera shumëvjeçare të politikës me vendosjen e familjarëve, jaranëve, njerëzve partiak e jo adekuat në postet kryesore, si në gjyqësi, polici, siguri, etj, quan në kolapsin total të drejtësisë dhe moszbardhjen e pothuajse të asnjë rasti nga cilado vepër-qoftë e krimit të organizuar në vend.

Kjo logjikë veprimi e politikanëve vendor, qoi në dëshpërim të thellë,shumicën e banorëve të këtij vendi,madje irritoi aq shumë shqiptarët sa që edhe nga Kosova e “lirë” dhe në shekullin XXI,të simpatizojnë vende dhe qeveri të huaja për ne,për të shkuar aq largë sa disa prej tyre festuan edhe “fitoren”e diktatorit turko-islamik, Taip Erdogan, me të cilin nuk na lidhë asgjë.

Për të arritur kulmin ironia,u kujdesën edhe tragjik-komikët më të mëdhenj që aktualisht ka Kosova,si Bajram Rexhepin dhe vartësin e tij Shpend Maxhuni, të cilët pa u skuqur fare, guxuan të deklaronin se 70% e rasteve të “këtij viti” (tre muaj),pa zënë në gojë vitet tjera dhe tragjeditë e pafundme në Pejë, për të cilin ministri i brendshëm “sugjeron” opinionin se është më i koklavitur dhe duhet gjurmuar më thellë, na qenkan “zbuluar” duke mos dhënë asnjë shembull të vetëm konkret për “sukseset” e tyre.

Amullia e krijuar politike,ekonomike dhe sociale nga ministra si këta dhe tërësisht udhëheqja vendore,e 15 viteve të fundit, siç duket nuk i lanë rrugëdalje as Amerikës dhe BE-së, të cilat si në asnjë vend tjetër në rajon,u detyruan të miratojnë krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për gjykimin e rasteve të krimit të organizuar të para dhe pas luftës në Kosovë.

Për arsye si këto dhe të ngjashme,kudo qoftë në botë,do të dorëhiqej pa kusht e tërë udhëheqësia vendore. Por ja që kjo nuk ndodhë edhe në Kosovë. Ndaj, lind pyetja e pashmangshme se edhe çka u dashka të ndodhë në këtë vend që politikanët tanë deficitar më në fund ta kuptojnë sesa shumë dëme i kanë shkaktuar këtij vendi dhe duhet të  shkojnë? A ishte ky shërbimi më i mirë i mundshëm që ata ditën ti bënin popullit dhe atdheut?!…

Gani Qarri/Cyrih

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, Peja dhe shkarkimi i një profesionisti

Muja ka “të drejtë”

March 15, 2014 by dgreca

Nga Gani Qarri/Nuk është traditë e njerëzve të këtij vendi kjo, askush nuk jep dorëheqje kaq lehtë në këtë shtet…edhe ata që mbajnë mbi supe nga disa dënime,nuk dorëzojnë pushtetin me të parën as vullnetarisht deri në vendimin përfundmitar dhe burgosje. Pse pra u dashka vetëm Ramadan Muja të jap dorëheqje, çfarë bëri ai më tepër se të tjerët që ta dorëzoj qysh në goditjen e parë,postin e fituar me votën e lirë të qytetarëve. Cili funksionar shtetëror apo komunal, veproj deri më tani në këtë mënyrë. Se mos dha dorëheqje Bujar Bukoshi nga pozitat e tij ministrore… Edhe Muja i bjeshkëve tona, si shumë të fuqishëm të tjerë deri më tani, ndoshta edhe për shumë kohë mbetet vetëm i dyshuar, pas parashtrimit të ankesës që planifikon mbrojtja e tij….Kjo tanimë është bërë traditë gjyqësore për shumë raste në Kosovë…

Madje, si ka mundësi që të gjithë bashkëpartiakët e Mujës të ngarkuar me nga dy e tri vepra penale, të dënohen poashtu me vetëm nga dy-tre vjet burgim, apo kohëzgjatje pothuajse të njëjtë sa edhe ajo e Ramadan Mujës me vetëm një precedencë të supozuar. Sikur nuk e di njerëzimi se homologët e tij, bënë vepra shumë më të rënda. Bajrush Xhemajli me kolegët e dehur i mori jetën në lulen e rinisë një djalosh 19 vjeçar, dhe me gjithë dënimin tragji-komik, prej vetëm dy vjet e gjysmë,ai për më tepër se dy vjet pas vendimit të parë, jo vetëm që nuk shkoi asnjëherë në burg por tanimë i erdhi edhe “bakshishi” i radhës nga gjykata, duke zbritur dënimin “kapital” nga 2 vjet e gjysmë në vetëm dy vjet.Kjo është forca ,ky është pushteti,ndaj me sa mend në kokë duhet të jenë ata “misionar” të vetmuar që mund të dorëzojnë aq lehtë pozitën dhe funksionin me të cilin shalojnë ligjin e pjerrin edhe mbi shtetin duke shpëtuar veten nga gjithçka…

Njerëzit pyesin me habi,çfarë nënkupton vendimi i fundit. Asgjë, apo ndoshta edhe një udhëtim më tepër jashtë, i njëjtë me atë të homologut Zharku.
Edhe Bajrushit tashmë mund ti jetë prerë bileta dhe përgatitur valixhet për ikje nga vendi, në mënyrë që të mos e vuaj as dënimin e zbritur.
Xhabir Zharku, tash e sa kohë,kalon vitet i lirë dhe i pa cenuar në Suedi?!
Madje ai, jo për një, por për disa vepra penale ishte dënuar me vetëm dy-tre vjet burgim, të cilat as ato nuk i mbajti kurrë. Përkundrazi, i veshur me kostum të shtrenjtë dhe kravatë të zgjedhur si njeriu “më i pafaj” i pikur nga qielli i paqësor në tokën tonë të varfër, kaloi i lirë përmes dyerve të hapura të Aeroportit “turko-kosovar” me lejen e Hashimit dhe bekimin e Erdoganit, pa therrë në këmbë për në Suedi ku sot bën kokrrën e sefasë.

Ndoshta edhe nga atje ai tani ndjen sesi vendlindjen e thërret që të vij e ta vuaj dënimin,  ndaj edhe heq mërzitë restoranteve të huaja,për lehtësimin e dhembjeve të atdheut me “serenata” patriotike mbrëmjeve të veçanta muzikore,organizuar enkas për te dhe sponsorizuar nga buxheti i Kosovës,me pagën që sigurisht ende merr, njëjtë si ish ambasadori ynë në Shqipëri.

“Mirë” të gjithë, po Sylejman Selimit, ç`ju desh të vinte në Kosovë, apo nuk e dinte ai se çfarë e priste këtu?!
Të paktën,luftëtari i orëve të para, duhej të mësonte nga veprimet e varësit të tij, Xhabirit i cili edhe me grada ishte më i vogël se Komandanti, apo ndoshta Gjeneralin e “lidhën” shokët me tradhti.

Sidoqoftë, para se të vazhdojmë me “arsyetimin” e Ramadan Mujës,kujtojmë se edhe për Sami Lushtakun sikur është kërkuar ndalimi i ushtrimit të “funksionit”.

Megjithatë, sipas shtypit vendor, ai jo vetëm se nuk e la pozitën e “fituar” me ” aq djers e mund” dhe 96 % të votave të “merituara”, por së pari atij i`u mundësua që edhe nga “azili” ku ishte dërguar për precedencë penale të kthehej për pak kohë në objektet e komunës dhe “betohej me tërë qenien, për korrektësi para ligjit”, mënyrë  e “drejtë” kjo të cilën më vonë kërkoi ta shfrytëzonte edhe Oliver Ivanoviqi të cilin tanimë EULEX-i, e ktheu në Mitrovicë ti vazhdoj atje pushimet me flladitje kondicionale nëse nuk është liruar krejt.

 

Sidoqoftë,ajo që është më kryesore, “heroi i popullit” vazhdoi të mbetet kryetar i “nderuar” komune- në Skënderaj, lartmadhëria e të cilit përveç benificioneve tjera, sa herë i ng…. ups nevojitet atij, shfrytëzon edhe “dramafilin” e kryetarit, për të shkuar “urgjent” në Spital.
E po pse u dashka tani të jap dorëheqje vetëm Ramadan Muja pra, i cili për krahasim me të tjerët u dënua vetëm me kusht, padrejtësisht dhe për asgjë, madje po aq “rëndë” sa edhe homologët nga partia, me shumë precedenca penale.

Për aq më keq,kryetari i Prizrenit, gati se u dënua kot dhe siç thotë populli vetëm për një “kerr kashtë” të cilën siç dëshmohet edhe nga gjykimi, nuk e hëngri të gjithën vet, por më tepër i`a hëngrën shokët e këqij e të pa hajr, ata që e morën në qafë edhe Mujën plak.

Dorën në Zemër, ai si kryetar i Prizrenit mjaft ka punuar, bile më tepër se shumë udhëheqës tjerë komunal anë e mbanë Kosovës. Me këto që po them mund të bindet secili, sidomos banorët e trevës sonë, për çka do të bëjë vetëm një krahasim të thjeshtë.

Për shembull, jo vetëm vendlindja ime Demjani që kufizohet me fshatrat e komunës së Prizrenit, por edhe në të gjitha fshatrat hasjane që shtrihen në hartën komunale të Gjakovës, prapambetja në infrastrukturë vërehet kudo, bile që nga paslufta, përveç asfaltimi të rrugës kryesore, pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë.

Për dallim nga fshati parë fqinj (pjesë e komunës së Prizrenit) Kushnini, i cili njëjtë si të gjitha fshatrat tjera të kësaj komune, vetëm gjatë udhëheqjes së Ramadan Mujës, ka të rregulluar të gjithë infrastrukturën rrugore, kanalizimet përfshi edhe shtrimin e rrugicave me pllaka deri para dyerve të çdo institucioni dhe shtëpie banimi.

Pra, edhe nëse kryetari  i dënuar detyrohet në këtë hap të vështirë dhe mëse të padëshiruar për te, ai para se të jap dorëheqje duhet që së pari të kërkoj me këmbëngulje shkarkimin e plotë ose të paktën ndalim kandidimin e batakgjiut Eqrem Kryeziu nga LDK, për postin e kryetarit,i cili poashtu pritet të dal para gjyqit për keqpërdorime.

 

Muja këtë duhet ta vej si kushtin kryesor për dorëheqje, ngase po ndodhi rastësisht,që mu meselexhiu Eqrem të vij si kryetar, mund ta degradoj gjithë punën dhe arritjet e deritashme në komunën e Prizrenit.

Pa u zgjatur shumë në fjalë, duhet theksuar fort dhe me zë, se shumica e fshatrave hasjane nën administrimin komunal të Gjakovës, përveç ekonomive private, kanë ngelur si mos më keq, derisa në pjesën e administruar nga Komuna fqinje e Prizrenit që nga fshati Gjonaj, Zymi, Krajku, Romaja, Lugishtë e Hasit, Kushnin e deri në pjesët më të thella malore mbi Pashtrik si Mazrekë e Planejë, e tërë infrastruktura rrugore, ujërat e zeza, përrenj e kanalizime, janë rregulluar që të gjitha në mënyrën më bashkëkohore të mundshme për kushtet tona.

Duke u nisur nga këto sa u thanë më lartë, në Kosovë puna me kryetar e funksionar të dënuar tanimë është bërë modë, ai nuk është i vetëm,ka shumë të tillë këtu, njerëzit sikur i kërkojnë vet ata,  bile ekziston rreziku që me kohë të infektohen edhe komunat tjera të cilat deri më tani nuk patën fatin ti kenë kryetarët e dënuar, dhe tash e tutje të rebelohen edhe ato dhe vejnë si kusht të parë, vendosjen e kryetarëve me vendime dënimi nga njëra prej gjykatave të vendit, kurse  gjithë kandidatët pa precedencë ligjore, të shpallen të padëshirueshëm për poste udhëheqëse dhe funksione komunale apo shtetërore.

Kjo është moda më e re,këto janë prodhimet vendore me të cilat ne duhet të “krenohemi”,ndaj hiq animet partiake,me vet faktin se pozita as opozita, nuk kanë ndonjë kandidat serioz dhe më premtues për mbarëvajtjen e komunës me rrethinë,nuk do të preferoja që Ramadan Muja të dorëhiqej as shkarkohej nga posti i udhëheqësit të cilin,shikuar nga perspektiva momentale dhe rezervat e përgjithshme fraxhile të kuadrove partiake, me gjithë fajësinë e “dëshmuar”,tani për tani edhe nga kandidatët sot për sot-të padënuar,në Prizren ende nuk ka kush ta bëjë si duhet, punën e të parit të komunës….

Cyrih, 15 Mars 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, Muja ka te drejte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT