“Jam miku i Platonit, por ca më tepër mik i së vërtetës”-Sokrati/
Nga PjetërJaku/
Me datën 23 Gusht 2014, në “The Imperial House” promovohet ACTV, i cili kalon në pronësi të biznesmenit Ndue Ftoni. Më pare kjo vale televizive me një orë program në ditë ishte në pronësi të Armando Shtizes.
Moderatori i këtij takimi, Zef Përgega mbajti fjalen mbi historikun e mediave në Komunitetin Shqiptar të Detroitit.
Nuk i falet gazetarit Pergega të mos di se:
Me Gjon Lulgjurajn dhe Radion “ Zani i Komunitetit Shqiptar në Detroit”, para Kujtim Qafes e Julian Çefës kanë punuar Gjergj Dedivanaj e Nikollë Pashku.
Në shtëpinë e piktorit Ndue Gjelaj, Mark Prelë Gjokaj dhe Rrok Kalaj ( së bashku me Nduen) botuan Revisten “Arbri”, të parën revistë shqiptare ne Michigan.
Në Michigan, për më shumë se dy vjet transmetoi rubrika shumë interesnate dhe cilësore, sidomos konkursin historik, TV “ A-2” me pronar Agustin Shqalsin dhe kryeredaktor të talentuarin Bardhyl Ukcamaj.
Gazeta “Tema Shqiptare” me pronar Adritaik Shekon u publikua po këtu.
Gazeta e njohur Illyria e pati botuesin Ekrem Bardha nga komuniteti ynë dhe në mesin tonë.
Gazeta më e vjetër shqiptare “ Dielli” për dy vjet u botua në Detroit.
Është e pamundur kur flet për mediat të lësh pa përmendur klerikun dhe dashamirësin e letërsisë e historisë shqiptare, Imam Vehbi Ismailin, i cili ribotoi në kushte shumë të vështira, duke i radhitur libra të tërë me makinë shkrimi, vepra nga më të njohurat të Letërsisë Shqipe, që regjimi hoxhian i kishte ndaluar.
Zef Paloken, gazetarin e njohur të Televizionit Shqiptar, i cili ndihmoi në hapjen e televizionit te pare në komunitetin tonë, me parametrat cilësor të kohës, duke realizuar, falë punës së tij “ Miss Shqiptaren në Michigan”, për të vetmen here deri më sot, s’ke si e harron!
Patjetër që ka dhe emra, të cilët duhen nderuar e për të cilët duhet shkruar.
Harresa është tjetër gjë me mospërmendjen e qëllimshme. E rëndësishme është e vërteta! Gazetaria nuk shkruhet me inate. Ngjarjet nuk deformohen, pse ato i priu dikush qe nuk te pëlqen ty. A-ja e gazetarit është e vërteta. Në shumë raste ndodh që historianët t’i referohet një kronike, e si do të shkruhet historia kur kronikat janë të pavërteta? A nuk u mbush historia jonë me të pavërteta, që sot e kësaj dite po na kushtojnë rëndë?!
Kronikanët pushtues dhe vendas i shkruan kronikat, ashtu siç i donin eprorët e tyre, ndaj dhe Shqipëria mbeti e copëtuar kështu siç është. Shumë data i fiksuam gabim, duke i kthyer deri në festa kombëtare, siç është, fjala vjen, dita e mësuesit. Thua se shkolla e pare shqipe të jetë vetëm pak më shumë se 100 vjet më parë, kur shekuj më parë Durrësi kishte universitet!
Gazetari Përgega “ harron” të përmend Revistën “ Kuvendi” të printuar me më shumë se 150 faqe në muaj, në të cilën ishte editor, “funksion” që e shënoi dukshëm në ndonjë kopertinë libri të tij, ose kur i nevojitej.
Kjo nuk përbën asnjë rëndësi për Revisten Kuvendi, u tha apo s’u tha nga Zef Përgega në një takim si ky.
Gazetarët kanë sakrifikuar jetën për të vërtetën, e jo të mos e shkruajn saktësisht një periudhë të caktuar të një komuniteti, në të cilin kanë jetuar.
E, kur “harron veten”, s’ke se si të mos harrosh të tjerët!
Revista Kuvendi u publikua e printuar rregullisht per 12 vjet pa ndërprerje. Në gushtin e vitit 2012 u ndalua sa për të marrë frymë për një nisje të re, por nuk u deklarua e mbyllur asnjëherë, pasi këtë vjeshtë do të rinis prapë me një drejtim tjetër publikimi i saj, për here në vazhdim të atij Kuvendi, me të cilin për më shumë se një dekadë u përcollen aktivitete, jo veç të komunitetit shqiptar në Amerikë, por edhe disa here ngjarjet dhe historinë, kulturen dhe arritjet e shqiptarëve kudo që ishin dhe janë.
Para se të merrte përsipër raportin e mediave, duhet t’i ishte drejtuar , së paku librit arshivë: “Shqiptarët në Detroit”, ose botimeve të tjera të Shoqërisë Botuese “ Kuvendi”, të cilat edhe jashtë deshirës së tij ekzistojnë. “Dielli nuk mbulohet me shoshë”, – thotë populli.
Ky shënim është vetëm një kujtesë miqësore, jo vetëm për rastin konkret, por të gjitha mediat dhe gazetarët që punojnë për to, të mos harrojnë në punën e tyre të thonë vetëm të vërtetën, ashtu siç ndodh. Në një kronikë gazetari s’ka pse të bëj komente nga vetja.
Me këtë rast, i urojmë pronarit të ri të Televizionit të Komunitetit Shqiptar të Detroitit ( ACTV ), Ndue Ftoni suksese dhe kurajo në pasqyrimin e saktë dhe në kohë të jetës së këtij komuniteti vital.
Sotir Peci, kontributi i patriotit, gazetarit dhe politikanit
Ne Foto:Sotir Peci ne krah te djathte te Nolit ne Boston/
Në shkurt 1919, qeveria e Durrësit e emëroi Pecin drejtor të arsimit për Tiranën. Po atë muaj, një dërgatë amerikane e kryesuar nga konsulli Jozef Haven, kërkon takime me patriotë shqiptarë për të krijuar një ide sa më të saktë për të ardhmen e Shqipërisë. Një nga figurat kryesore që takoi ishte Sotir Peci
Kush është Sotir Peci
Sotir Peci (1873-1932) lindi në Dardhë të Korçës, në një fshat që e meriton të jetë një kapitull më vete, për hir të zhvillimit të tij social, arsimor e kulturor jashtëzakonisht të rrallë në Shqipërinë e shekujve 19-20. Ishte i biri i Jovan Pecit, një tregtar i pasur druri që si edhe dardharë të tjerë bënte prerjen e tregtinë e lëndës së drurit nga Greqia e Veriut deri në Anadoll. (Prej këtij profesioni ka mbetur edhe shprehja: “Ta pret me sopatën e dardharit”) Nga nëna, rridhte prej familjes së famshme të Themelinjve. Dy vëllezërit Themeliu, Jovani e Athanasi, gjatë një lëvizjeje greke për të shkëputur troje të tjera nga perandoria otomane rreth viteve 1850, që njihet si lëvizja e Limbozit, kishin armatosur 400 burra që i mbanin me pagë. Lëvizja dështoi dhe ata u gjendën të rrënuar. Për kompensim, mbreti Othon iu fali një çiflig në Gavrolimbi, të cilin Sotir Peci, si trashëgimtar i vetëm nuk e mori kurrë. Pas studimeve të larta në Athinë, më 1905 Pecin e gjejmë në SHBA. Ishte nga të rrallët, në mos i vetmi mërgimtar me Universitet, i bashkohej turmës së hallexhinjve, prandaj u prit krahëhapur prej atdhetarëve.
Shkruar nga Teodor Laço/
Disa njerëz, hyjnë në kujtesën e historisë si për inerci të një posti të lartë që kanë pasur dikur dhe pastaj, si pa kuptuar fillojnë të dalin prej saj, të shtyrë nga brrylat e padukshëm të figurave të tjera, lavdiveshura me hak apo të vëna më kot, mbi piedestale prej rëre. I tillë është edhe rasti i Sotir Pecit. Emrin e tij e mban ndonjë rrugë, nga ndonjë stendë muzeu të ndjek prapa syzeve optike shikimi i tij i qetë, paksa ironik, por veprimtaria e tij është thuajse e pazbuluar. Në 70-vjetorin e vdekjes së tij, më vuri në ngasje për të zgjedhur si kryetitull të këtij shkrimi, vlerësimi i Mitrush Kutelit të ri, njërit prej emrave më të mëdhenj të letrave shqipe, bërë në gazetën “Shqipëria e Re” të Konstancës. Kuteli e përcjell vdekjen e Pecit me këto fjalë: “Tani trupi i tij i rraskapitur prej dyzet vjet veteranërie, shlodhet në tokën e zhuritur të Atdheut, të cilin e pat dashuruar aq bujarisht… se virtytet e tij patën qenë regëtimat e mëse kthjelltës shqiptarizme. Ky apostull i shndërritshëm që shqipëzoi shqipen dhe kombësoj kombin, kalon që nga jeta në jetë…”
Nga “Kombi” tek alfabeti i Manastirit
Më 1906 Peci boton gazetën “Kombi”. Kjo nuk ishte gazeta e parë e mërgatës shqiptare. Para saj dy nga gazetat më të njohura ishin “Albania” e Faik Konicës dhe “Drita” e Shahin Kolonjës, por pa dyshim “Kombi” ka qenë gazeta me më shumë lexues, pikërisht sepse delte në Boston, ku po dyndej një turmë e madhe mërgimtarësh. Ishte meritë e veçantë e Pecit tërheqja në gazetë dhe përfshirja në lëvizjen kombëtare e Fan Nolit dhe pavarësisht marrëdhënieve të tyre të mëtejshme që shumicën e kohës mbeten të acaruara për shkak të pikëpamjeve të ndryshme (thelbi i tyre mund të përmblidhet ndoshta në fjalët evolucion apo revolucion) dyshja Peci-Noli, “Kombi” dhe shoqatat e shumta të shqiptarëve të Amerikës, patën një rol të dorës së parë në përgatitjen e ditës së Pavarësisë. Nga gazetaria e Pecit, zgjodha një fragment nga artikulli “Vetëm bashkimi mund të na shpëtojë” (“Kombi” Nr.5, 15/7/1906).
“Nuk është nevoja, sic thonë ca, për një njeri me rëndësi, i cili të na bashkojë se ky bashkim nuk është bashkim me rrënjë, duhet të na bashkojë dashuria e Atdheut, duhet të na bashkojë gardhi i interesave të kombit, duhet të na lidhin qëllimet dhe dëshirat për lirinë dhe qytetërimin e Shqipërisë, vetëm kjo lidhje është e shëndoshë, vetëm këtë nuk mund ta këputin armiqtë tanë”. Le të vihet re se edhe para një shekulli, Peci është kundër kultit të individit, të liderit të vetëm e të pakundërshtueshëm, psikozë nga e cila shqiptarët vazhdojnë të vuajnë edhe sot e kësaj dite, duke dëshmuar prapambetjen e tyre në mendësitë demokratike.
Në Kongresin e Manastirit që njihet si Kongresi i Shkronjave, Peci ishte delegat i shqiptarëve të Amerikës dhe i kolonisë së Bukureshtit. Duke u nisur drejt Manastirit, as vetë nuk e priste që kjo të qe ndarja e fundit me Amerikën. Rrjedhat e patriotizmit do ta rrëmbenin për ta lënë përfundimisht brenda mëmëdheut.
Debati për shkronjat latine të shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës apo alfabetit të Stambollit, ishte ndezur tek “Kombi” dy vjet para Kongresit. Që në numrin e parë, “Kombi” kishte dalë me shkronja latine duke marrë mbi vete akuzat si “përçarës” nga shumica e mërgimtarëve jugorë, të cilët ishin mësuar me alfabetin e Stambollit. Peci mundohej qetësisht t’i bindte se formimi i një alfabeti është problem i vështirë dhe punë shkencëtarësh. Noli u binte druve më shkurt. Ai thoshte se në SHBA nuk gjendeshin gërmat e alfabetit të Stambollit, midis të cilave kishte cirilike e greke. Në Manastir, Fishta, Gurakuqi, Peci, etj., ia dolën të vendoset për alfabetin që kemi edhe sot, duke dëshmuar një prirje të dukshme pro perëndimore.
Nëpër shkolla, tekste, fjalorë
Veprimtaria pedagogjike e Pecit zë fill në shtator 1909 në trupën mësimore të shkollës së parë Normale në Elbasan, ku jepte lëndët e Shkencave të Natyrës dhe mbaron me detyrën e Ministrit të Arsimit, në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Normalja e parë, vazhdoi aq sa një flakë që shkrepet e fiket, me shpresë për t’u rindezur, por pas mbylljes së saj të parë, skeptik siç qe për shumë gjëra, Peci nuk iu rikthye më aty dhe drejtoi për një vit “Mësonjëtoren e Parë” në Korçë. Përvoja e parë si pedagog si dhe kultura e gjerë, i ngjallën zellin për të hartuar tekste mësimore. Bënte projekte për 24 tekste të fushës së shkencave, por… si çdo ëndërrim i pambështetur prej forcës së parasë, projektet u rudhën vetëm tek një “Viti premtar i gramatikës” për klasat 3-4. Ndërkohë, për 20 vjet, me atë durimin e thneglës që rrokullis barrë të rënda, ai skedoi një leksikon apo fjalor të gjuhës shqipe me rreth 25.000 fjalë e me trajta krahasuese në 4 gjuhë të huaja që ai i njihte mirë. Fjalor që ndodhet në Arkivin e Shtetit, duke pritur ndonjë studim serioz. Siç do të duket edhe në dokumenta të mëvonshme kur ishte ministër, ky jugor i thekur parapëlqen shumë trajta eleksikografi të veriut, duke dëshmuar një vizion krejt modern për mënyrat e formësimit të një gjuhe të përbashkët shkollore. Ai nuk ngutet në parapëlqimet vetjake dhe ngulmon që gjuha letrare të mos formësohet me urdhëra administrativë, por të lihet një kohë e mjaftueshme konkurimi midis dy dialekteve.
Peci në fushën e politikës
Mbi të gjitha, Peci shkëlqen në fushën e politikës. Qëkurse themeloi “Kombin” dhe derisa mbylli sytë, kudo ku ngjyen penda e gazetarit dhe pasioni i mësuesit, kudo ku ndërhyn humanizmi dhe filantropia e tij, intelekti dhe guximi qytetar, ai shfaqet jo thjesht si një pasues i Rilindasve, por më gjerë, më lart, si një vizionar i drejtimit perëndimor e demokratik të vendit. Në ditët e luftës ballkanike, i ndodhur në Korçën e pushtuar nga grekët, që në rrethana të tilla (kujtojmë edhe vitin 1941) nuk mënonin të rishpallnin “Koricën” helene, Peci gjendet nën një trysni të fortë. Guvernatori ushtarak Kondulis, me gjak fshatari nga arvanitasit që asokohe thirreshin edhe “barbaçe”, u mundua ta joshte me premtime për pronat e Gavrolimnit dhe me para, por kjo “shpirtmadhësi” nuk pinte ujë tek Peci. Nën kërcënime të përditshme, i maskuar si fshatar i rëndomtë mysliman, Peci ikën drejt Vlorës ku magneti i lirisë po thithte cdo ditë grupe patriotësh. Vëzhgues kritik siç qe “i hidhur” e quan Noli, ai dhe të tjerët vënë re se në qeverinë e Ismail Qemalit, shumë gjëra nuk vinin siç duhej. Nëpër zyrat e administratës, flitej e shkruhej ende turqisht, kishte poste parazitare të paguara me rroga të majme… Por ajo që nuk ia falnin plakut të Vlorës, ishte projekti i tij për ndarjen e Shqipërisë në tre kantone, sepse edhe duke qenë e bashkuar ajo rrezikonte copëtimin e jo më e ndarë në kantone. U mendua formimi i një partie opozitare që duhej t’i jepte shtytje qeverisë për reforma të guximshme. Nëpër kujtimet e bashkëkohësve, kjo parti herë quhet Kombëtare e herë Nacional-Liberale. Por projekti mbeti vetëm një ide propagandistike edhe partia nuk u formua. Qeveria e Ismail Qemalit u ndodh nën kërcënimin e një kryengritjeje xhonturke dhe pastaj të Esat Toptanit. Inisiatorët e një opozite politike, midis të cilëve edhe Peci, nuk mund të viheshin në një front me antikombëtarët. Të njëjtin qëndrim mbajti ky grup (Hil Mosi, Dervish Hima, S. Peci, Sabri Qyteza etj) edhe ndaj qeverisë së Princ Vidit, kur ky u kërcënua nga Esat Pasha. Në vitet ’14-’18, me refugjatë të tjerë të mbledhur pas ikjes së Vidit si I.Buletini, S.Nivica, Ç.Topulli, B.Curri, I.Kosturi etj., Peci strehohet në Shkodër, ku bashkë me patriotë vendas të prirë nga Nikollë Ivanaj, krijojnë organizatën “Krahu Kombëtar” që në ato vite, pati një rol tepër të madh. Veprimi politik më i spikatur i Pecit në atë kohë, mbetet të nënvizohet reagimi i tij ndaj konsullit italian De Faccenti, i cili u mundua ta bindte se ishte në dobi të interesit kombëtar shqiptar, që Italia të pushtonte Vlorën e Sazanin, çka duhej përkrahur nga patriotët e “Krahut Kombëtar”. Ai premtoi një ndihmë prej 2000 lirash për “Refugjatët” që vuanin për bukën e gojës. Peci i refuzoi të dyja.
Në shkurt 1919, qeveria e Durrësit e emëroi Pecin drejtor të arsimit për Tiranën. Po atë muaj, një dërgatë amerikane e kryesuar nga konsulli Jozef Haven, kërkon takime me patriotë shqiptarë për të krijuar një ide sa më të saktë për të ardhmen e Shqipërisë. Një nga figurat kryesore që takoi ishte Sotir Peci. Ky ngulmoi fort që Haveni ta kuptonte se qeveria e Durrësit dhe delegacioni i saj në Paris ishin lart aspiratave të vërteta të popullit shqiptar. Dokumenti më domethënës për këtë është përgjigja me shkrim që Peci i jep zv/ministrit P.Poga, i cili e pat urdhëruar që, si nënpunës i qeverisë, të mos merrej me veprimtari politike. Ja ç’shkruan Peci, ndër të tjera: Qeveria e dalë nga Kongresi historik i Lushnjes, duke njohur vlerat e Pecit, e futi në kabinetin qeveritar si Ministër të Arsimit. Ishte 47 vjeç dhe mbarte mbi supe jo vetëm përvojë, por mbi të gjitha një figurë të pastër morale. Sipas “Gazeta e Korçës” 12.4.1932, Peci ishte në Lushnje një nga hartuesit kryesorë të Statusit të parë themeltar të shtetit shqiptar. Shumë nene, sidomos ato që flasin për të drejtat e njeriut, u hartuan e u vunë me propozimin e tij. Në vitet që pasuan, Pecin e gjejmë deputet, ministër dhe njërin nga 4 anëtarët e Këshillit të Lartë, apo regjentë siç quheshin.
Viti 1924, qëndresa dhe arratija
Në historinë e Shqipërisë, viti 1924 është nga më të turbulltit e më vendimtarët. Në qershor, erdhi në pushtet qeveria e Fan Nolit. Ndërkohë, Peci mbeti i vetmi nga katër regjentët që nuk u largua. Noli iu bëri kërkesë gjithë vendeve të mëdha ta njihnin qeverinë e tij, mirëpo qeveritë perëndimore, besnike të parimit të tyre për ardhjen në pushtet vetëm me rrugë legale, pra me zgjedhje të lira, nuk mund të pranonin një qeveri të dalë nga një lëvizje e armatosur, aq më shumë kur këtu mpleksej edhe ngutja e qeverisë ruse për ta njohur. Tipik është deklarimi anglez. Meqenëse qeveria e tanishme shqiptare kishte ardhur me forcë, Forign Office nuk ka ndërmend të largohet nga qëndrimi tradicional në raste të këtij lloji. “Në këto rrethana, Peci, që në fillim ishte një nga përkrahësit e lëvizjes, pati një rol kyç si asnjëherë në jetën e vet. Më 1 korrik sipas statutit të Këshillit të Lartë, ia ngarkon Nolit formimin e qeverisë dhe vetë largohet “për arsye shëndetësore”. Vetëm më 3 tetor, pasi pa rrjedhat që po merrte qeverisja, rikthehet nga Dardha në Tiranë. Përderisa qeveria nuk po njihej, me largpamësi Peci ia njeh vetes të drejtën për t’u paraqitur si i vetmi përfaqësues i shtetit legal. Mosmarrëveshjet e Pecit me Nolin, të vjetra dhe pa këtë situatë, kthehen në konflikte të përditshme. Kontradikta kryesore lidhej me legalizimin e qeverisë. Peci mendonte se përderisa njohja e saj po mohohej nga Fuqitë e Mëdha, përderisa Lidhja e Kombeve ia mohoi Shqipërisë një hua të kërkuar prej saj, përderisa vendimi i 28 qershorit për të hyrë në marrëdhënie diplomatike me qeverinë bolshevike shkaktoi një reaksion zinxhir kundërshtimesh në botën tjetër dhe në opinionin publik europian, qeveria u cilësua si “komuniste”, mbetej vetëm një rrugë: legalizimi i qeverisë nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare. Peci e paralajmëroi Nolin se nuk do t’i nënshkruante asnjë dekret, përveç atij për zgjedhjet parlamentare. Sipas Nolit, ky ishte një qëndrim i hapur pengues që i bëhej revolucionit, i cili gjithë sipas Nolit, dhunës feudale duhej t’i përgjigjej me dhunën e masave kryengritëse. Peci, si liberaldemokrat, ishte kundër çdo dhune. Ai mendonte se si regjent, duhej të qëndronte përmbi klasat e luftrat klasore, me “pa anësinë e lypun” siç shprehej dhe të ruante në çdo rrethanë funksionin e ligjit. Në akuzat e tij, Noli arrin ta quajë Pecin si mik të klasit të bejlerëve dhe të Zogut, por ky është një vlerësim emocional dhe i pabazuar. Me të vërtetë, gjatë Kongresit të Lushnjes, Peci dhe mjaft politikanë të vjetër, e përkrahën Zogun duke parë tek ai një djalosh me të ardhme, por fill pasi ky hyri në Shqipëri me trupat e tij dhe të huaja për ta përmbysur qeverinë e Qershorit me po ato metoda që kishte përdorur edhe ajo, Peci, si besnik i parimit të tij të shenjtë të ligjshmërisë, u largua nga vendi dhe nuk u pajtua deri në fund të jetës me këtë akt të Zogut.
Në vitet 25-32, i dënuar fillimisht si edhe të tjerë me vdekje në mungesë dhe i falur më pas, Peci mbeti një emigrant politik, fillimisht në Itali dhe më pas në Greqi! Megjithëse iu bënë oferta për ofiqe e shpërblime, ai mbeti kokëfortë siç qe në bindjet e veta. I sëmurë e pa mjete financiare për t’u kuruar, i varfër, pa mbushur të 60-të vitet, mbylli sytë në Follorinë më 10 prill 1932. U varros në Korçë, me nderime të mëdha zyrtare, mbi shtratin e një topi. Nuk mund të mohohet, Zogu dinte si të sillej edhe me kundërshtarët e tij…(Dielli Vol. 93,N 2)
TË QENURIT NJERI, KA BRENDA VETITË, QË TË JETOSH E TË PUNOSH SI QYTETAR
-thotë poeti, shkrimtari dhe gazetari Vlonjat në mërgim Arqile Gjata/
Nga Sokol Demaku/
Të flasësh e të vlerësosh veten, mendoj se ka një kufi, përtej së cilës është mendjemadhësia dhe egoizmi!
Jeta, në çdo stinë të saja është e bukur dhe duhet jetuar dhe atëhere kur mendon se nuk ka më hapsira për ti shkelur! Këtij parimi i jam përmbajtur gjatë ecurisë së jetës time.Të qenurit Njeri, ka brenda vetitë, që të jetosh e të punosh si qytetar.Kur të pyesin, apo dhe kur vetvetja të bënë pyetje, ‘’se si e ndjen veten në emigrim?’’, është shumë të thuash, shumë mirë, të thuash e të shkruash se po përjeton ditë të lumtura. Gënjen veten dhe opinionin po të pranosh se, tani ke gjetur një Atdhe si Atdheu që lam pas ikjes prej tij..!
Atdhe ka vetëm një!
Të qenurit ‘’Poet’’ nuk është titull, as relikte që blihet, apo shitet.Nuk them, as kam për ta pranuar se unë jam –poet, pasi nuk është dëshira dhe vullneti im që vendos.
Nuk do dëshëroja një bashkim mekanik të trojeve tona, por një ribashkim shpirtëror, institucional e demokratik me rrënjë të thella në traditat tona e duke mos lënë teritore bosh me pikësynime për të populluar zona të tjera për interesa të çastit e jo perspektive.
Shqiptarë janë krenarë për qenien Shqiptarë, mund të them, se ka kohë që Athina flet shqip, këndon shqip, botohen gazeta në shqip, fëmijët, në pjesën më të madhe flasin shqip! Në Athinë ka një jetë shumë aktive artistike, letrare e shoqërore!
Zoti Arqile Gjata, ju jeni i lindur në qytetin e Vlorës.Shqipëri, ju lutem një vështrim të shkurtër rreth vetes tuaj!
Arqile Gjata:-Është kënaqësi e vlerë të bashkëbisedoj me Ju Zoti Sokol! Ju falenderoj që po më jepni mundësinë , që nëpërmjet këtij bashkëbisedimi të shpreh disa çaste jete, dhe pse janë jetuar, ato duhen të rizgjohen.
-Për ata që nuk më njohin…Unë jam Arqile Vasil Gjata, qytetar nga Vlora, lindur më 24-6-1942 në një nga lagjet më të vjetra të qytetit me emrin ‘’Vrenes’’, më saktësisht në Shenin e Kateqit. Rrjedh nga një familje qytetare me të kaluar zanatçinj! Dhe gjyshi nga babai dhe xhaxhallarët e nënës time provuan qysh në vitet 1914 emigrimin. Xhaxhallarëve të nënës time iu kanë ngelur eshtrat në Amerikë.
Keni ndjekur shkollën shtatëvjeçare dhe të mesmen, më pas Institutin e lartë të Shkodrës për Gjuhë-letërsi Shqipe…
A.Gjata:-Sigurisht, jam shkolluar në sistemin shtatëvjeçar të asaj kohe, më pas vazhdova Gjimnazin ‘’Ali Demi’’, të cilin nuk e mbarova normalisht, pasi nevojat ekonomike ishin të atilla, që unë të ndihmoja me punën time familjen, e cila nuk e përballonte dot jetën në ato vite.Gjimnazin e mbarova vite më vonë në sistemin pa shkëputje nga puna. Mbas përfundimit të gjimnazit dëshëroja të studjoja për gjuhë-letërsi në universitetin e Tiranës si student i zakonshëm, por për fatin tim jo të mirë, pas disa vjetësh më dhanë të drejtën të studjoja me korespondencë në Institutin e Lartë të Shkodrës, në degën gjuhë-letërsi shqipe. Këmbëngulja ime për të studjuar për letërsi e gjuhë shqipe ishte e përligjur,pasi kam ëndëruar(kisha pasion) për letërsinë. Në familjen tonë libri ishte pjesë e jetës së përditshme, ku vazhdimisht librat e ndryshëm mbushnin raftet dhe tavolinën ku rrinim ne, fëmijët për të lexuar.
Qysh në vitin 1958 fillova punën fillimisht si nxëns në ekonomi(ndihmës) në profesionin elektriçist dhe shkallë-shkallë u kualifikova deri në shkallën më të lartë profesionale në profesionin elektriçist. Kam punuar në disa ndërmarje në qytetin e Vlorës, 20-të vitet e fundit punova në Uzinën e riparimit të anijeve luftarake në Pashaliman. Gjatë dekadave të jetës, në çdo kohë kam qenë njeri punëtor i përkushtuar për profesionin, duke mos lënë mënjanë punën artëdashëse e letrare në shumë aktivitete të atyre viteve, sidomos puna me rininë më ka dhënë shumë energji, vizion dhe aftësi organizuese. Ato vite të jetës time kanë qenë të mbushura me dëshirë e zell për t’u pasuruar me kulturë, dije e për të lexuar sa më shumë. Kam provuar të shkruaj dhe vargje, artikuj të ndryshëm dhe reportazhe në gazetën lokale të qytetit të Vlorës, në gazetën ‘’Zëri i Rinisë’’. Ato pak vargje, që më mbetën i kam pasqyruar shumë vite më vonë kur iu qasa së afërmi artit të të shkruarit pas viteve 1996 e deri më sot!
Çka ju shtyti të emigronit nga Shqipëria dhe çfarë njohurish kishit për shtetin fqinjë Greqin ju atë kohë?
A.Gjata:-Nuk mund të them se jam i ardhur rishtas në Greqi.Kam afërsisht 18-të vjet që jetoj e punoj me familjen time në emigrim-Athinë. Erdha jo rastësisht, por me mendim dhe dëshirë që të ‘’largohesha’’ nga një fatkeqësi që na ndodhi! Pas humbjes së dhëndrit(ata ishin 10-të vet të ikur me varka të ndërtuara vet për në itali në Qershor të vitit 1991, që nuk u gjend deri më sot dhe nuk ka akt vdekje.) Për të ‘’harruar’’ sado pak dhimbjen e vajzës së madhe u nisëm për në Athinë me mënyra që na i diktoi koha. Shkalla e njohurive të mia për historinë, kulturën dhe artin nuk ishte e ulët përsa i përket gjeopolitikës së saja, kulturës dhe artit të antikitetit Grek. Po kështu kisha njohuri shumë të mjaftueshme gjeografike dhe ekonomike për shtetin Grek. Natyrisht që e njihja, jo shumë, por mjaftueshëm i kisha njohuritë rreth letërsisë dhe autorëve Grekë.
Jeni ardhacak në greqi, si e ndjeni veten në këtë shtet fqinjë?
A.Gjata:-Dihet, që,edhe kur ndërron një vend banim nga një shtëpi në një shtëpi tjetër jashtë lagjes, do ndjesh vështirësi. Më e madhe është dhimbja, lodhja, shqetësimi, sidomos kur emigron matanë kufijve që realisht ishin ditë, javë e muaj shumë të vështira për t’u përshtatur jetës ndryshe…Nuk mund të them, se erdhëm në parajsë, as në një lumturi të përhershme, por me punë, me sakrifica, me ndershmëri dhe respekt ndjaj popullit grek mundëm të mbijetonim, të ndërtonim një jetë me dinjitet, me kulturë e të mira materiale, pa iu nënshtruar politikisht e shpirtërisht askujt!
Kur të pyesin, apo dhe kur vetvetja të bënë pyetje, ‘’se si e ndjen veten në emigrim?’’, është shumë të thuash, shumë mirë, të thuash e të shkruash se po përjeton ditë të lumtura. Gënjen veten dhe opinionin po të pranosh se, tani ke gjetur një Atdhe si Atdheu që lam pas ikjes prej tij..! Atdhe ka vetëm një!
Të qenurit Njeri, ka brenda vetitë, që të jetosh e të punosh si qytetar. Qysh në muajtë e parë këtu në Athinë pas viteve 90-të rashë në gjurmë dhe në idetë e bashkëatdhetarëve të mi, disa dhe i njihja qysh në Vlorë.Ishte formësuar një grupim shoqëror e intelektual, të cilët kërkonin ura dhe forma lidhje midis emigrantëve. Nga fillimi i vitit 1996 i jam bashkëngjitur të parës Shoqatë të emigratëve Shqipëtare pas vitit 90-të, asaj me Emrin Shoqata Atdhetare ‘’Vëllazërimi’’. Shoqata ‘’Vëllazërimi’’ tashmë është një pjesë e jetës time. Si shumë të tjerë dhe unë kam dhënë ndihmesën dhe kontributin tim modest gjatë gjithë këtyre viteve dhe për këtë jam krenar. Shoqata ‘’Vëllazërimi’’ ka një histori të ngjeshur me suksese për punën e saj ndër vite, për ruajtjen dhe promovimin e vlerave atdhetare, kulturore, të traditave më të mira të popullit tonë, në veçanti për të ruajtur e mbajtur gjallë gjuhën tonë Shqipe. Unë, familja ime dhe qindra e qindra emigrantë Shqiptarë janë krenarë për qenien Shqiptarë, mund të them, se ka kohë që Athina flet shqip, këndon shqip, botohen gazeta në shqip, fëmijët, në pjesën më të madhe flasin shqip! Në Athinë ka një jetë shumë aktive artistike, letrare e shoqërore!
Me çka merret sot A.Gjata?
A.Gjata:-Dhe pse në moshë ca të madhe, unë përsëri punoj kur gjej punë në profesionin tim si elektriçist.Në këto 17-18 vite kam punuar në çdo skaj të Athinës në profesionin tim. Këto dy vjetët e fundit kohën më të madhe ia kushtoj punës time modeste krijuese, duke pasur dhe si dëshirë të merem me organizimin e shumë aktiviteteve letrare e artistike.Nuk mund të mohoj se, mbi njëqindshkrime të ndryshme me tematikë të larmishme në gazetat që botohen këtu në Athinë në gjuhën shqipe janë frut vetjak . Jam munduar që krijimtarinë time letrare mos ta reduktoj vetëm tek mesazhet që mund të përciell, por dhe të krijoj një realitet individual në fushën krijuese, që sigurisht sot, apo nesër do më gjykojnë. Dëshëroj të shpreh një të vërtetë, një dukuri timen që vazhdimisht e kam kultivuar. Më është rrënjosur thellë në ndërgjegjen time porosia e Anatol Frans se: ‘’Ligji i parë i artit është: në se ke gjë për të thënë, thuaje dhe mos gënje, në të kundërt hesht.’’ Koha është e rreptë me këdo, por më e rreptë është në fushën krijuese. Them, se fjalët i mer era, e shkruara, e jetuara vizive mbetet.Por sa vlerë kanë ato çka një individë lë pas? I lumtur do isha të kujtohesha dhe si një gjethe e veçantë! Si kudo, dhe këtu në emigracion ndihet një mangësi, një formë jo e natyrshme për ti thënë gjërat.Do të doja ta bëja pjesë të punës time një mësim, një të vërtetë që ka thënë Abraham Linkolni, se si duhet të bashkëbisedojmë midis njeri-tjetrit. Kam parë tek njerëz të veçantë në sjellje vlerësuese me takt, ashtu si thotë A.Linkolni: ‘’Takt do të thotë ti përshkruash të tjerët në atë mënyrë, ashtu siç e shikojnë ata veten e tyre.’’
Ju jeni aktiv në jetën kulturore të emigrantëve(të Komunitetit) Shqiptarë. Si është përvoja juaj?
A.Gjata:-Të flasësh e të vlerësosh veten, mendoj se ka një kufi, përtej së cilës është mendjemadhësia dhe egoizmi! Nga kushdo, të folurit për vetveten duhet të jetë ‘’memece’’. Nuk është në natyrën e karakterit tim të flas për Unin tim, mjafton të citoj disa vargje nga krijimtaria ime:
‘’Në shumë vite mblodha një grusht me dritë. E dhurova…e shpërndava, por ende dritë nuk pashë!’’.
Gjithëkush që krijon në letërsi duhet ta dijë mirë një aksiomë që thotë: ‘’Krijimtaria poetike (letrare) i ngjanë vijës së horizontit, të cilës sa më shumë i afrohesh, aq më shumë ne (krijuesit) i jemi larg asaj’’. Botimet e mia janë në një periudhë kohore të shkurtër prej vitit 2000 mijë e deri më sot, ato jan në gjininë e poezisë, të prozës dhe të estetikës letrare. Kam gati për botim vëllimin e gjashtë me poezi, në se gjej mundësi finaciare për ta botuar.Vëllimi i fundit të porsa përgatitur ka një tematikë sa të ndryshme e të shumëllojtë, aq dhe të veçanta në problematika, të cilat kanë individualitet e pozicionime të qarta estetike e kompozicionale.
Sa për ta ravizuar realitetin që thashë, po paraqes për lexuesin një nga ato poezi.
NJË DITË FESTE ME TË ÇMENDURIT
Në nderim të kujtesës!
Unë e di…
ku e kanë derën e mendjes të çmendurit.
Ata,
janë kalimtarë të ëndrrave, shtratin e kanë të thyer,
brohorasin,
si epshorë tundin mendjen e tyre!
Nuk janë të dhunshëm,
me kokë poshtë e shikojnë kohën,
janë pa sy,
kujtesën e kanë të ngujuar në nervin e ballit!
Të çmendurit numërojnë kokrrizat e rërës,
nuk ndjejnë uri, as ngopje
festë kanë në çdo orë në mendjen e tyre.
Një ditë
më ftuan…
më gostitën me fjalë çmendurisht të bukura,
nuk ju gënjej, kanë fantazi e trillime reale!
Janë të besueshëm
e kanë njohur botën pa mëkate e dëshira seksuale!
Në kopsht,
aty ku dëfrehen, nuk shajnë
veç përgjërohen për dashurinë.
Në gji,
kanë të palosur një letër
a fotografi të heronjve të tyre.
Qajnë e qajnë deri sa qeshin me veten e të thonë:
-Nuk jemi të çmendur…
Ju të qytetit jeni të sëmurë, vidhni dashuri,
fëlliqni biblioteka e shtëpi publike!
Më dhanë shumë kartolina e letra…
më dhuruan nga një buzëqeshje pa maska!
Dy Nëntor 2012
Çfarë konsideroni si suksesin më të madhdhe si është nga natyra Arqileja?
A.Gjata:-Suksesi më i madh për mua do jetë: ‘’unë të jem deri në fund të jetës -Njeri!’’ e si një Shqiptar dua më shumë Mëmëdhenë, Familjen dhe dinjitetin tim! Por, jo vetëm kaq, është koha të jemi aktivë e të përkushtuar për çështjet që janë madhore për jetën në emigracion. Dhe në këtë drejtim, këtu në jetën intelektuale e krijuese ka një dukuri shumë pozitive dhe të vazhdueshme.Bëhet jetë e mirëfilltë letrare e kulturore nga shoqatat, nga grupimet me drejtim letrarë e individë të veçantë. Në këtë kënd vështrim, dhe unë kam një pjesë modeste të punës time si dhe shumë të tjerë ndër vite. Jam një njeri shumë i ndjeshëm, sakrifikoj e dua të nderoj më shumë shokun,mikun e të jem pjesë e atyre që kanë dëshirë e vullnet për ti dhënë komunitetit tonë në emigracion sa më shumë vlera dhe arritje!
Tham se jeni poet i shquar, nga vjen inspirimi juaj çfarë është temetika në veprat tuaja?
A.Gjata:-Të qenurit ‘’Poet’’ nuk është titull, as relikte që blihet, apo shitet.Nuk them, as kam për ta pranuar se unë jam –poet, pasi nuk është dëshira dhe vullneti im që vendos. Si shumë e shumë të tjerë, kam dhe unë ca vëllime të botuara me vjersha. Duke ndjerë peshën e moshës, nga një përvojë jetësore të përfituar nga koha jam munduar të mos përsërisë të tjerët, jam munduar të kem një mendim poetik ndryshe , por se sa ia kam aritur qëllimit… veç lexuesi e koha e di! Sapo kam mbyllur vëllimin e gjashtë me vjersha, kam besim se diçka do i përciell lexuesit…‘’Me krahë të hedhur mbi dritën e njohjes/pashë veten time aq të vogël,/sa një fije kashte.’’
Ku mendoni konkretisht që duhet ndryshuar diçka për të mirë?
A.Gjata:-Kur jeton në emigracion, për një intelektual, për një krijues detyrimet ndaj Komunitetit janë më të mëdha, sidomos në fushën e publicistikës, të informimit dhe detyrimit që ke ndaj jetës shoqërore për të dhënë maksimumin e mundshëm. Mundësitë dhe problematika e jetës sot është e atillë që duhet të veprojmë për të mbrojtur dinjitetin tonë Kombëtar, intelektual, artistik e në shtrirjen sa më shumë të mësimit të gjuhës shqipe tek fëmijët.Mendoj, se ky dhe kryesisht vëmendja e Komunitetit Shqiptarë duhet të përqëndruar tek gjetjet e rrugëve, mundësive dhe bërja realitet mësimi i gjuhës Shqipe nga fëmijët emigrant, jo vetëm hapjen e disa klasave me kontribut vullentar e me një numër të kufizuar nxësish, por në rrugë ligjore, të hapen klasa të mirëorganizuar e të ligjëruar nga Shteti Grek që fëmijët e Komunitetit të mësojnë gjuhën e tyre amtare si një detyrim ligjor!
Çfarë kushte kanë krijuesit emigrant për krijimtari letrare e poetike?
A.Gjata:Gjithkush krijues duhet të jetë i ndërgjegjshëm se, krijimtaria e seicilit është vetjake, dhe si e tillë, në kushte të një ekonomie tregu ndaj pronës tënde krijuese do i përgjigjesh vet, nuk ka detyrim askush të botojë ato çka ka krijuar dikush. Në këtë këndvështrim dhe këtu në emigracion ndihet shumë pamundësia finaciare për të botuar. Askush nuk të pengon të shkruash, të krijosh e të botosh. Kjo ka sjellë dhe një det me botime letrare, ku një pjesë e madhe, që dallohen si zhurmuese e mediokre e kanë mbushur shtëpitë botuese dhe tregun e librit artistik.Mendoj se, disa Shtëpi Botuese janë ende shumë larg për të përzgjedhur botimet e tyre, ato janë kthyer në biznese jo të ndershme dhe aspak dinjitoze.
Sa jeni ju të kënaqur me punën në shkollat në emigrim për mësimin e gjuhës Shqipe dhe sa produktiv realisht është mësimi i gjuhës Shqipe nga fëmijët?
A.Gjata:-Stadi i tanishëm i komunitetit Shqiptar në Greqi ka arritur në pika të përcaktuar mirë, të dallueshme dhe me problematikë të specifikuar.Dhe ajo më e qënësishmja, më e domosdoshmja është ndërgjegjësimi i tërë shtresës së intelektualëve, të Shoqatave dhe të vet Shtetit Shqiptar,por në veçanti Shoqata e Mësuesve (që deri tani ka bërë një punë shumë të lavdërueshme me programe të hartuara e të miratuara dhe nga Ministria e Arsimit në Shqipëri.) Është detyrë e kusht i këtyre hallkave që, me punë të mirëorganizuar për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës Shqipe në tër hapsirën ku jetojnë emigrant Shqiptarë të punohet sistematikisht e të bëjnë realitet që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën e Nënës. Mendimi im është, që këtij objektivi i duhet një përkushtim dhe organizim cilësor, jo thjesht për të hapur kurse për mësimin e gjuhës shqipe…por ka ardhur çasti të bëhen përpjekje të mëdha për çeljen e shkollave shqipe në vendbanimet me shumicë shqiptare.Por, por, kjo nuk është thjeshtë çështje vullneti e dëshirash! Ky problem madhor për fatet e mijëra fëmijëve emigrantë në masën më të madhe varet nga politikat arsimore që shteti e Qeveria Shqiptare ka vullnet, kapacitete e vendosmëri politike për ta zgjidhur e për ta çuar realisht në rrugën e realizimit të një nga të drejtat kushtetuese e ligjore që ia jep Kushtetuta e vendit tonë!
Çka mendoni ju për gjendjen politike shqiptare në përgjithësi, parë në prizmin Shqipëri-Kosovë dhe troje të tjera!?
A.Gjata:-Sa për gjendjen politike në Atdheun tim, shpreh indinjatën dhe revoltën time personale se, klasa politike në Shqipëri është e konsumuar moralisht, e korruptuar deri në qelizat e saja më të thella dhe më e keqja, atje nuk ka pavarësi pushtetesh, mbizotëron krimi, jeta në varfëri ekstreme dhe një kaos në institucionet qeverisëse në të gjitha nivelet.
Nuk do dëshëroja një bashkim mekanik të trojeve tona, por një ribashkim shpirtëror, institucional e demokratik me rrënjë të thella në traditat tona e duke mos lënë teritore bosh me pikësynime për të populluar zona të tjera për interesa të çastit e jo perspektive.
Krahas punës krijuese, si e kaloni kohën e lirë?
A.Gjata:-Jeta, në çdo stinë të saja është e bukur dhe duhet jetuar dhe atëhere kur mendon se nuk ka më hapsira për ti shkelur! Këtij parimi i jam përmbajtur gjatë ecurisë së jetës time.Krahas punës pak a shumë sistematike për të lexuar dhe krijuar kam detyrime familjare, sidomos në përkujdesjen ndaj nipërve e nbesave e familjes time. Vend të veçantë në jetën e përditshme ka dhe kontaktet e herëpasherëshme me shokë e miq, por sidomos për të qenë sa më pranë Shoqatës ‘’Vëllazërimi’’, por sidomos takimet e shpeshta me miq e koleg krijues ku bisedojmë për letërsinë. Ka kohë, që këtu në Athinë është krijuar një shtrat krijuesish që tashmë njihen për vlerat e tyre letrare në prozë, poezi e në gjini të tjera si: Myslim Maska, Murat Aliaj, Nase Jani, Novruz Abilekaj, Grigor Jovani, Stefan Martiko, Alush Avduli, Thanas Boçi, Filip Prifti, Gëzim Strora, Andrea Petromilo,Luan Xhuli, Leon Leka e të tjer!
Çka ju bënë të lumtur dhe çka ju mundon më shumë në jetë?
A.Gjata:-Të lumtur më bën realiteti i shëndetshëm i familjes time, i fëmijëve dhe nipër e mbasave, vëllezërve e motrave të mi! Dhe kundërta…ajo që më mundon…të këthehem në qytetin tim të lindjes e të shijoj deri në çastet e fundit lindjen dhe perëndimin e diellit, hënën përmbi Karaborun, këngët e pavdekshme të detit dhe aromën e këngëve popullore vlonjate!