• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Situata politioko-ushtarake deri në krijimi e shtetit të parë modern shqiptar

November 25, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Çeshtja kombëtare shqiptare, qysh nga lindja e saj, pati përballë jo vetëm pushtuesin shumë shekullor osman, por edhe shtetet e reja  kufitare, ato helene, serbe, bullgare. Menjëherë apo paralel me krijimin e shteteve të tyre, në kushtet e së ashtuquajturës “Kriza Lindore”, me një përmbajtje të theksuar nacionaliste, ato përpunuan, që në vitin 1844, platformat apo programet famëkeqe të emërtuara “Megali Idhea” (Greqia), “Narçetania” (Serbia), si dhe Traktati i Shën Stefanit për (Bullgarinë). Thelbi i tyre qëndronte në përfshirjen, në përbërjen të shteteve greke, serbe dhe bullgare, të viseve të vendeve fqinje. Ambicje më të theksuara ato kishin për trojet shqiptare, ende të pushtuara nga Perandoria Osmane. Parashikohej aneksimi i plotë i tyre me vijë takimi të përbashkët e vijëndarëse lumin Shkumbin. Fatkeqësisht, si gjithmonë, Lëvizja jonë Kombëtare, në momente të caktuara, por tepër jetësore në mbrojtje të viseve të veta, u përball edhe me indiferentizmin e Fuqive të Mëdha të kohës e pse jo edhe me kundërshtimin e tyre e deri në marrjen e vendimeve antishqiptare.

Në mesin e shek. XIX, kur hartoheshin planet aneksioniste të fqinjëve, sipas edhe shumë vëzhguesve të huaj, të cilët e njohën nga afër gjeografinë njerëzore të Gadishullit Ballkanik, trojet me popullsi etnike shqiptare kishin një shtrirje të gjerë. Kështu, sipas euriditit francez Ami Boue (1840), vëzhguesit britanik E. Spencer (1847), austriakut J. Hahn (1853) etj, hapësirat gjeografike me popullsi autoktone shqiptare shtriheshin:

-Në Veri deri në Nish, Leskovac dhe Vranjë;

-Në Lindje deri në Kumanovë, Perlep dhe Manastir;

-Në Jugë deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë, përkatësisht krahinat ekstreme. (Akademia e Shkencave e RSH, “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, botim i vitit 1998, Tiranë, f. 6). Këta studiues e vëzhgues pranonin se në këto krahina kishte edhe banorë të kombësive fqinje ballkanike (grek, vëlleh, maqedon, serb, malazes, turq). Por këto përbënin vetëm  pakica shumë të vogëla, në kuadrin e shtrirjes së madhe të popullsisë shqiptare. Trojet me banim nga shqiptarë autoktonë, edhe pse në atë kohë, me emrin, Shqipëri, nuk njihej ndonjë ndarje administrative, ato emërtoheshin me emrat e katër vilajeteve,  Kosova, Shkodra, Manastiri, dhe Janina dhe ishin ndarë nga qeveria osmane. Sipas disa studiuesve popullsia shqiptare shtrihej në një sipërfaqe prej 90.000 km. (Arben Puto, “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, Vëll. I, Tiranë 1985, f. 20). Por, para Kongresi  të Berlinit, që shënon edhe coptimin e madh të parë të trojeve shqiptare, i cili u shkëputi atyre rreth 25.000 km2 sipërfaqe, del se në vitin 1878, sipërfaqja me popullsi shqiptare shtrihej deri në rreth 105.000 km2.

Traktati i Shën Stefanit u konsiderua në të gjithë Turqinë si një dënim me vdekje i dhënë kundër Perandorisë. Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Ai do ti shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore, Rusia do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome. Brutaliteti i politikës perandorake ruse dukej sidomos në trajtimin e problemit shqiptar. Shqiptarët nuk u trajtuan fare si kombësi më vete. Emri i tyre nuk zihej fare, në gojë në Traktatin e Shën-Stefanit. Për Rusinë, Shqipëria nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike e kombëtare. Rusia nuk e njihte Shqipërinë as si shprehje gjeografike, jo pse nuk kishte informacione për shqiptarët, por këtë e bënte më qëllim që t’ua mundësonte shteteve sllave zgjerimin territorial në këto vise pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane. Për më tepër trojet e saj u copëtuan midis katër shteteve. Pjesa më e madhe e tyre mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane kurse një mori visesh periferike u jepeshin aleatëve sllavë të Rusisë. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, rrethet e Korçës, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës dhe Kaçanikut. Serbia do të aneksonte, viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi do të përfshinte brenda kufijve të tij, ndër të tjera krahinat shqiptare të Ulqinit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Gucisë, Plavës dhe Rugovës, pra edhe toka të cilat nuk i kishte pushtuar ushtarakisht gjatë luftës. Kufiri i ri do të kalonte përmes liqenit të Hotit, liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës. Ky copëtim i trojeve shqiptare ndryshonte ndarjen e deriatëhershme të njësive administrative në kuadër të Perandorisë Osmane.

Tani tokat shqiptare do të bënin pjesë jo në katër, por në tre vilajete pasi që Vilajeti i Manastirit do të kalonte krejtësisht nën administrimin bullgar. Midis tre vilajeteve që do të mbeteshin nën zgjedhën osmane, njëri prej tyre, vilajeti i Janinës, do t’i nënshtrohej një reforme administrative të veçantë. Sikurse thuhej në nenin 15, në viset e tij, do të zbatohej ashtu si dhe në Thesali, një rregullore e njëllojtë me atë që ishte vendosur për ishullin e Kretës më 1866. Rregullorja do të përgatitej nga Porta e Lartë, e cila do të detyrohej të merrte pëlqimin e Rusisë, para se ta vinte atë në zbatim. Në këtë mënyrë shqiptarët e shpërndarë në tre vilajetet do të administroheshin nga rregullore të ndryshme, gjë që do t’i vështirësonte më tej marrëdhëniet e tyre politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Shqiptarët e kuptuan përmbajtjen e Traktatit të Shën Stefanit në prili të vitit 1878, kur ai u shpall zyrtarisht. Ata u informuan për copëtimin e tokave të tyre dhe territoret që do t’i kalonin Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Sikurse shkruante Abdyl Frashëri, më 12 prill 1878, perandori nuk do të ndalej vetëm me këtë copëtim të trojeve shqiptare. Sipas tij, Traktati i Shën-Stefanit shënonte vetëm hapin e parë drejt asgjësimit të plotë të Shqipërisë. Një vlerësim të tillë të situates e bënte edhe Sami Frashëri. Pasi vinte në dukje tendencën e Rusisë për ta shtrirë Bullgarinë deri në brigjet e Adriatikut, ai shkruante disa muaj më vonë: -“Sikurse kuptohet nga harta e Traktatit të Shën-Stefanit, (Rusia) pasi ta ketë bullgarizuar mesin e Shqipërisë, pjesët që mbeten në veri të saj, domethënë sanxhaqet e Prishtinës, Prizrenit dhe Shkodrës, do t’ia falë Serbisë dhe Malit të Zi, kurse pjesën që mbetet në jug, domethënë sanxhaqet e Prevezës, Janinës dhe Gjirokastrës do t’ia japë përkohësisht Greqisë, duke e zhdukur Shqipërinë, bile duke e fshirë atë nga harta”. (Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 1997, f. 60).

Duke e ndier rrezikun nga afër sidomos pas sukseseve të Rusisë, ideologët shqiptarë mendonin për organizimin e shqiptarëve për çlirimin e tyre. Kjo ide përparimtare u jetësua në maj të vitit 1877 kur u formua në Janinë një Komitet Shqiptar në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri. Pas konsolidimit, Komiteti i Janinës vuri kontakte me oficerë shqiptar që shërbenin në ushtrinë osmane të cilët u treguan të gatshëm për tu bashkuar në luftën çlirimtare.

Shqiptarët kishin filluar të organizoheshin edhe në veri të Shqipërisë. Ata kishin formuar një komitet në krye të cilit qëndronte Pjetër Gurakuqi, i ati i Luigj Gurakuqit i cili sipas konsullit austriak në Shkodër Lippih njihej si proitalian.

Në rrethanat e reja të ndërlikimit të situatës ndërkombëtare kur Rusia me aleatët e saj po përparonin, Greqia e ndjente të nevojshme vazhdimin e bisedimeve me shqiptarët. Abdyil Frashëri kishte kërkuar nga pala greke që ta tërhiqte nga delegacioni Mavromatin sepse sipas tij ai ishte pengesë serioze për arritjen e ndonjë marrëveshje eventuale. Athina në vend të Mavromatit, dërgoi Stefanos Skuludhin i cili ishte deputet në parlamentin grek. Skuludhi arriti në Stamboli më 15 dhjetor 1877. Takimi në mes të delegacioneve, me kërkesën e Abdyl Frashërit u shty për disa ditë me qenë se ai dhe përfaqësues të tjerë ishin të zënë me organizimin e një aktiviteti kombëtar. Në fakt patriotët shqiptar kishin udhëtuar nga vende të ndryshme të Shqipërisë për të marrë pjesë në bashkimin në një organizate kombëtare e cila do të formohej në Stamboll. Kjo organizatë u formua më 18 dhjetor 1877 dhe u njoh me emrin “Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”. Edhe këto përpjekje për lidhjen e ndonjë marrëveshje shqiptaro-greke me interesa dypalëshe dështuan. Madje urdhri nga qeveria greke dërguar Skuludhit për t’u tërhequr nga bisedimet me shqiptarët më 25 dhjetor 1877 ishte sinjal i qartë se Greqia po përgatitej të pushtonte tokat shqiptare në Jug.

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.
Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Por delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha.  Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. 

Shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomie. Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi. Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj, ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit që nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike, Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale.

Kuvendi i Lidhjes së Prizërenit, më 10 qershor 1878 do të hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110. Abdyl Frashëri në fjalen e tij do theksonte: -“Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. 

Lidhja e Pejë e vitit 1899, u vlerësua si një organizatë unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Me urdhërin e drejtuesve të Lidhjes dhe në zbatim të vendimeve të saj u ndalën gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta për ata që do të nxirrnin hakmarrjen, dhe për veprimet e tjera që cënonin rendin publik. Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvajtje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërrmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Serbia dhe shtete të tjera  të Ballkanit e pritën me shqetësim formimin e Lidhjes së Pejës. Ndaj kësaj Lidhje Shqiptare nuk shfaqën dashamirësi as Fuqitë e Mëdha sidomos Rusia dhe Austro-Hungaria. Pretendimet e Lidhjes Shqiptare binin ndesh me politikën pan sllaviste ruse kurse Austro-Hungaria ishte e interesuar që të përfitonte nga çdo dobësim i Perandorisë Osmane në mënyrë që të pushtonte këtë territor. As Britania e Madhe nuk shfaqi ndonjë shenjë përkrahje apo ndonjë trajtim më pozitiv në krahasim me Fuqitë e tjera. 

Në mars të vitit 1903 mijëra shqiptarë të armatosut u grumbulluan në rrethinat e Prizrenit e të Mitrovicës dhe zunë gjithë zonën midis Gjakovës e Pejës. Rreth 5000 kryengritës u mblodhën në Drenicë, ku nën drejtimin e udhëheqësve të tyre Ahmet Delia, Ukë Kamberi etj., mbajtën në fushë të Morinës kuvendin e tyre, në të cilin u kërkua nga qeveria turke të hiqte dorë nga reformat që rrezikonin tërësinë e Shqipërisë dhe të dëbohej konsulli rus nga Mitrovica. Karakter të ashpër morën ngjarjet në rrethet e Mitrovicës, ku në mars 1903 u përqëndruan 2000-3000 kryengritës, të cilët, ashtu si në Kuvendin e Drenicës, protestuan kundër “reformave që po dëmtonin interesat e atdheut”.

Lëvizja kombëtare shqiptare e vetmuar dhe pa asnjë përkrahje politike nga shtetet e pavarura të Ballkanit dhe Fuqitë e Mëdha nuk kishte shumë mundësi për zgjedhje në veprimet e saj politike. Shtetet ballkanike me çdo kusht përpiqeshin të pengonin aktivitetet dhe luftën e shqiptarëve për çlirim kombëtar. Në këto rrethana, patriotët shqiptar edhe më tutje gjendeshin para një dileme e cila iu afronte dy mundësi: E para, të rreshtoheshin përkrah popujve të krishterë të Ballkanit të cilët e mohonin ekzistencën e popullit shqiptar dhe pretendonin ta copëtonin territorin e Shqipërisë dhe e dyta, të rreshtoheshin përkrah sulltanit dhe të mundoheshin të përfitonin disa nga kërkesat e tyre. (Georges Castellan, Histori e Ballkanit (shekulli XIV-XX), Tiranë 1991, f. 381).

Kryengritjet shqiptare të viti 1910-1911, pavarësisht se nuk i dhanë rezultatet e pritura, megjithatë tërhoqën vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare. Britania e Madhe pavarësisht se nuk i përkrahu zyrtarisht lëvizjet kryengritëse shqiptare, diplomacia e këtij vendi që përbënte njërin nga më të fortit në kuadrin e Fuqive të Mëdha nuk pati qëndrim zyrtar as kundër interesave të shqiptarëve. Kjo vinte nga që rrethanat e përgjithshme dhe njohjen e pamjaftueshme të kauzës shqiptare në qarqet diplomatike dhe nga mungesa e një qendre të vetme politike ku mund të kordinoheshin aktivitetet politike, diplomatike dhe organizimi i kryengritjeve antiosmane, pra mungesa e përgatitjes në masën e duhur të faktorit të brendshëm. Mungesa e këtyre aspekteve ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë e shndërrimit të “kauzës shqiptare” në interes strategjik të Fuqive të Mëdha.

Fillim viti 1912 nisi me probleme të vjetra të pazgjidhura në trojet shqiptare. Marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe qeverisë osmane jo vetëm që nuk kishin shënuar përmirësime, por ishin ndërlikuar edhe më tepër duke hyrë kështu në një rrugë njëdrejtimëshe pa mundësi reale për t’u riparuar. Vilajeti i Kosovës si zonë më e rëndësishme gjeostrategjike, për shkak të rrethanave të krijuara ishte në qendër të vëmendjes jo vetëm të shteteve ballkanikë, por edhe të Fuqive të Mëdha.

Serbia për të formuar shtetin e vet vranë e masakruan si dhe shpërngulën me dhunë popullsinë shqiptare të Kosovës. Beogradi i Pashicit synonte që “Serbia të bëhej shtet i pastër, thjesht serb, nacional”. Planet e shfarrosjes së shqiptarëve dallohen qartë kur gjeneralët serbë pranonin haptazi se “ne i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ç’qenë shqiptarë”. Synimi i ushtrisë serbe ishte: “Të shfarosim shqiptarët!” dhe kudo shkelën serbët, në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë, ata mbollën vdekje e shkatërrime. Sekretari i Pashiçit shkruante: “në rrugën midis Prizrenit dhe Pejës kishte vetëm fshatra të djegura, ndërsa banorët e tyre ishin masakruar”. Vetëm në dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor 1912, u vranë 25.000 shqiptarë. Vrasja e shqiptarëve ishte programuar zyrtarisht nga Beogradi, që kishte urdhëruar “të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise”. Qytete të tëra, si Prishtina, Vuçiterna, Ferizaj, Gjilani, Kumanova, Presheva, Prizreni, Peja etj., iu nënshtruan shkatërrimeve. Në Pejë në tetor, nëntor 1912 vriteshin çdo ditë 25 shqiptarë. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë 1200 veta. Serbet pasi shtypën qëndresën e 2 000 lumjanëve në Kukës, në tetor 1912, masakruan 700 veta në Lumës, duke përfshirë pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata të sapo lindur që u therrën ose u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën e rrafshuan pothuajse të gjitha fshatrat e Lumës. Në shumë fshatra të Kosovës nuk mbeti i gjallë asnjë njeri. Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, u vranë 3000 veta, nga të cilët 2000 në Shkup dhe rrethinat e itj, ku u arrestuan edhe krerë të lëvizjes shqiptare. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pushtimi u shoqërua me shpërngulje e 150.000 shqiptarëve vetëm gjatë Luftës së Parë Ballkanike. 

Në këto rrethana Lëvizja Kombëtare Shqiptare, duke parë qartë dobësimin e Perandorisë Osmane dhe rrezikun  që u kërcënohej trojeve shqiptare nga qarqet shoviniste fqinje, po përgatitej për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, si e vetmja rrugë për të detyruar qeverinë osmane tu njohë shqiptarëve të drejtat e tyre.

New York Nëntor 2023

Filed Under: Komente Tagged With: gezim mustafaj

EMIGRACIONI NJË PLAGË E PASHERUESHME PËR POPULLIN TONË

April 15, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Emigrimi ndërkombëtar, lëvizjet e njerëzve nga një territor në një tjetër kanë luajtur një rol thelbësor në historinë e njerëzimit. Kështu, popullsi fare të papërfillshme morën përmasa madhore, ndërkohë që shtete të fuqishëm janë dobësuar, apo forcuar, falë lëvizjeve ndërkombëtare të njerëzve. Bota do të kish qenë krejt ndryshe pa modelet historikë të emigrimit ndërkombëtar.

Fenomeni i emigracionit, ka qënë i pranishëm edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjitha vendet e tjera të botës, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomiko-shoqëror. Pas vdekjes së Skënderbeu, shumë shqiptarë të detyruar nga pushtimi osman, emigruan kryesisht në  Italinë Jugore dhe në Greqi. 

Gjatë shekujve  XVI-XIX, për motive tregtare, kulturore por edhe patriotike, janë krijuar koloni të emigrantëve shqiptarë, kryesisht në qytete të Gadishullit Ballkanik si në Stamboll, Athinë, Selanik, Bukuresht, Sofie, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

Nga fundi i shekullit të XIX dhe fillimi i shekullit të XX emigrantët shqiptarë janë drejtuar në vendet kapitaliste të zhvilluara si në Sh.B.A, Itali, Francë, Kanada, Australi, Argjentinë. Në të gjitha vëndet apo shtetet ku kanë shkuar, emigrantët shqiptarë kanë bashkëjetuar në mirëkuptim me popullsinë e këtyre  vendeve.  Fakti që Shqipëria e Jugut dhe e Mesme janë përgjithësisht më të zhvilluara se pjesa tjetër e vendit i dedikohet edhe fenomenit të emigracionit i cili ka qënë më i dendur në këto pjesë të vendit. Duhet thekësuar se këtë e favorizonte edhe qënja afër detit, pasi lëvizja e njerëzvë në këto perjudha ishte shumë e vështirë. Krahas luftrave dhe vdekshmëris së lartë, duke i shtuar edhe emigracionin gjatë gjithë këtyre perjudhave, kemi një rënje të numrit të popullsisë, duke arritur në 800 mijë  në vitin 1920 dhe me shumë pak ndryshim në vitin 1944.

Popullsia e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore u karakterizua nga ritme të shpejta të rritjes së saj. Gjatë kësaj periudhe afro gjysmëshekullore, vendi ynë pati një rritje të madhe të popullsisë si rezultat i lindshmërisë shumë të lartë dhe i moslejimit të emigracionit.  Nga 800 mijë banorë që ishte në vitin 1920, arriti në 1.003.000 në 1940 dhe në vitin 1990 arriti në 3.256.000. Në periudhen 50 vjeçare të regjimit komunist popullsia e vendit u trefishua, duke zënë vendin e parë në kontinentin europian përsa i përket ritmeve të rritjes së popullsisë.

Pas viteve 90-të, emigrimi u kthye  në një nga sfidat më të mëdha socio-ekonomike për shoqërinë shqiptare. Megjithatë, ky problem ka ngjallur  pak vëmendje tek vendimmarrësit.  Emigracioni masiv, largimi i trurit dhe qëndrimet e përkohshme jashtë vendit për qëllime arsimimi jo vetëm kanë vështirësuar, por po shkohet drejt një mungese të theksuar të fuqisë punëtore brenda vendit. 

Emigracioni është një shqetësim i madh për Shqipërinë për shkak se aktualisht me shqetësim, por duhet të pranojmë se afërsisht 60 – 65% e popullsisë është larguar nga vendi gjatë 32-të viteve të fundit, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me nivelin më të lartë të flukseve të emigracionit në botë.

Duke qenë se Shqipëria është një vend, i cili është prekur masivisht nga  emigracioni, mund të kuptohet qartë edhe dobësimi ynë në drejtim të burimeve njerëzore. Deri tani shqiptarët kanë  zvogëluar një prej elementeve  përbërës të sigurisë kombëtare, popullsinë. 

Po ti referohemi histories së emigracionit shqipëtarë, do të verenim se; Pas emigrimit masiv të popullsisë shqiptare të shekujve 15-17, kryesisht drejt, Itali dhe Greqi si rezultat i pushtimit të Shqipërisë nga Turqia, gjatë gjysmës së parë të shekullit 20, kemi emigrimin e popullësië gjatë viteve 1912 – 1923, kur ekonomia bujqësore ishte rrënuar si pasojë e Luftës së Parë Botërore dhe mungesa e industrisë solli si pasojë faktin që në këtë periudhë, 21 000 familje shqiptare të lënë atdheun e tyre. Nga viti 1923 – 1939, prapambetja ekonomike dhe lëvizja e lire solli largimin e 110 000  personave. Gjatë periudhës 1940-1945, afërsisht 19 000 persona kanë emigruar, shumë nga të cilët ishin kundërshtarë politikë të regjimit komunist. Pas luftës së dytë botërore, emigracioni nga Shqipëria ishte i ndaluar.

Shkalla e emigrimit pas vitit 1990, në raport me popullsinë shqiptare, ka qënë më e larta në Europë dhe një nga më të lartat në botë. Sipas të dhënave të INSTAT në 32 vitet e fundit, emigrantët jashtë vendit kanë arritur në 1.6 milionë persona, ose 59% e popullsisë banuese në vend. 

Do tu referohem disa statistikave në një raport për migracionin neto të Ballkanit Perëndimor, Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, përllogariti se gjatë 2011-2020 ikën nga Shqipëria 499 mijë persona. Po kështu vlerësohet se 42 mijë përsona emigrojne çdo vit.

Të dhënat u morën nga Eurostat për vendet e BE-së dhe nga vende jo anëtare të BE-së. Numri i emigrantëve për Shqipërinë u përllogarit nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë nga këto vende.

Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë. Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë, sipas Bankës Botërore. Për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta emigratore.

Në 2020-n në vend kishte rreth 769 mijë familje, ose 2,637 familje më pak se një vit më parë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve. Edhe në 2019-n, numri i familjeve ra me rreth një mijë, ndaj një viti më parë. Në 10-vjeçarin e fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare. Në totalin e familjeve të larguara jashtë, numrin më të madh e ka Tirana, ku raportohet se janë larguar 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug. Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë. 

Pas përfundimit të Covid-19, vala e ikjeve nga Shqipëria është rritur ndjeshëm, sidomos në vitin 2022, ku një kanal i ri emigracioni në Britanin e Madhe, me gomone nga Franca po zbraz me shpejtësi vëndin.

Fenomeni i emigracionit të shqiptarëve drejt vendeve të tjera të botës, me të cilin po përballet gjithnjë e më shumë shoqëria, duhet të shikohet si një rrezik për kombin shqiptar, zhvillimin ekonomiko-social të Shqipërisë, si dhe për sigurinë e saj në të ardhmen. Ky emigracion masiv, ka krijuar dhe shumë probleme sociale. Duke qenë se pjesa më e madhe e emigrantëve janë meshkuj, ka ndryshuar struktura e popullsisë sipas seksit. 

Emigracioni në vendin tonë ka ndodhur kryesisht për arsye ekonomike. Kjo shpjegohet me faktin se tek ne varfëria ishte shumë e madhe dhe se diktatura komuniste ishte më e ashpër se në vende të tjera të Europës Lindore. Nëse deri dje emigrimi ishte kryesisht nga shtresa e varfër e popullsisë, sot këmbanë alarmi duhet të jetë, sepse po largohet truri i kombit shtresa e mesme e popullsisë dhe kjo ka një ndikim jo vetëm në numrin absolut të popullsisë dhe të shpërndarjes së saj gjeografike, por gjithashtu edhe në strukturën e brendshme të popullsisë sepse po  ndryshon raporti sipas seksit dhe moshës, sipas grupeve social ekonomike, etj.

New York Prill 2023

Filed Under: Ekonomi Tagged With: gezim mustafaj

KONTRIBUTI I SHBA DHE NATO-s NË PAVARËSINË E KOSOVËS

February 8, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ
Presidënt i Shoqatës “Skëndërbej”/

Pavarsia e Kosovës u gatua ndër vite nga populli i saj luftëtar e liridashës dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s me operacioni “Forca Aleate”të drejtuara dhe udhëhequra nga SHBA.
Operacioni “Forca Aleate” është modeli më domethënës i luftës së sotme, i ndryshimeve thelbësore që ka pësuar ajo në të gjitha drejtimet. Ai përfaqëson një luftë unike, e para dhe e vetmja që ka zhvilluar aleanca euroatlantike, luftë që tregoi fuqinë e saj, karakterin e saj demokratik dhe human, vendosmërinë e saj për dënimin e dhunës, terrorizmit shtetëror e gjenocidit, si dhe vërtetoi në praktikë nevojën e mbijetesës së NATO-s, pas dilemës mbi ekzistencën e saj me përfundimin e Luftës së Ftohtë.
Më 27 dhjetor 1992, administrata e presidentit Bush e paralajmëronte Millosheviçin se “në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga forcat serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përgatiten për angazhimin e forcës ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”.
Në dhjetor të vitit 1997 ministrat e jashtëm të NATO-s deklaruan se interesi i NATO-s në stabilitetin e Ballkanit nuk qëndronte vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, por në të gjithë rajonin dhe shprehën shqetësimin për rritjen e dhunës etnike në Kosovë.
Gjatë vitit 1998, konflikti midis forcave ushtarake e policore Serbe dhe UÇK-së shkaktojë vrasjen e mbi 2000 kosovarëve dhe largimin nga trojet e tyre e rreth 400 mijë civilëve të pafajshëm. Komuniteti ndërkombëtar më në fund u shqetësua për konfliktin me përmasa të mëdha humanitare, dhe rrezikun që kishte zgjerimi i tij edhe në vendet fqinje.
Në 28 maj 1998, Këshilli i Atlantikut të Veriut, nëpërmjet ministrave të jashtëm e shtroi problemin në dy plane: së pari, u bënë thirrje të gjitha palëve për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës, dhe së dyti, u angazhuan për sigurimin e stabilitetit e të sigurisë në vendet fqinjë, me theks të veçantë në Shqipëri dhe Maqedoni.
Më 12 qershor 1998, Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kërkuan një vlerësim mbi masat që duhen marrë në të ardhmen, në përputhje me zhvillimet e krizës në Kosovë.
Në shtator të po këtij viti, udhëheqësit politikë të vendeve europiane arritën të bindin veten e tyre se revanshi i Millosheviçit duhej të ndalej me çdo mjet. Shkak për këtë u bë sulmi brutal i forcave serbe i ndërmarrë muaj më parë (Mars) ndaj familjes Jashari në Prekaz ku mbetën të vrarë shumë civilë të pafajshëm, (vetëm nga familja Jashari 22 anëtarë të familjes nga 2 deri në 74 vjeç). Këtu fillon rritja e mbështetjes politike europiane për sulmin ajror dhe ndalimin e dhunës serbe.
Më 24 dhe 25 shtator 1998, në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, Sekretari i Mbrojtjes, Kohen, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Havier Solana, argumentuan me forcë se shmangja e katastrofës humanitare duhet të zëvendësonte nevojën për një rezolutë të OKB-së. Në fund të këtij takimi ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s vendosën të kërcënojnë Millosheviçin me goditje ajrore nëse ai nuk ndalonte dhunën në Kosovë.
Në 18 tetor 1998, tre zyrtarët më të lartë të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Solana, Kryetari i Komitetit Ushtarak gjenerali Nauman dhe Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Europë gjenerali Klark, vizituan Beogradin, për t’i dhënë mesazhin se urdhri i aktivizimit ishte gati dhe do të ishte më mirë që Millosheviçi të zbatonte kërkesat.
Në të njëjtën kohë Grupi i Kontaktit dërgoi në Beograd Riçard Hollbrukun me misionin për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën. Millosheviçi asnjëherë nuk e zbatoi premtimin e bërë, por përkundrazi vazhdoi sulmet kundër shqiptarëve deri sa në janar 1999, forcat serbe masakruan më shumë se 45 shqiptarë të paarmatosur (Raçak), ngjarje që i detyroi vendimmarrësit amerikanë dhe europian të lënë mënjanë marrëveshjen e arritur nga Hollbruku dhe të kërkojnë për një diplomaci më të rreptë.
Mbas këtij evolimi të situatës, Këshilli i Atlantikut Veriut (NAC) i dha Sekretarit të Përgjithshëm Solana autoritetin të urdhërojë një operacion të Aleancës me faza. Më 23 mars 1999, Hollbruk iku nga Beogradi pa marrë ndonjë konsesus nga Millosheviçi. Solana urdhëroi Gjeneralin Klark të fillonte operacionin “Forca Aleate” mbi ish- Jugosllavi.
Megjithatë, deri në fillimin e operacionit, komunitetit ndërkombëtar dhe NATO-s ju desh të kalonte shumë vështirësi që kishin të bënin në radhë të parë më arritjen e konsensusit brenda vetë aleancës.
Operacioni filloi pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusia, si aleatja tradicionale e Serbisë, kundërshtoi fuqishëm ndërhyrjen ushtarake dhe pritej që ajo të vendoste veton në Këshillin e Sigurimit të OKB. Për të shmangur këtë situatë, NATO nuk e kërkoi mandatin e Këshillit të Sigurimit. Kjo shkaktoi shumë polemika dhe brenda vetë NATO-s për ligjshmërinë e operacionit, pasi në Nenin V të Traktatit të Washingtonit (1949) përcaktohet qartë se NATO futet në luftë në rast se njëri prej anëtarëve të saj sulmohet. Siç dihet, Kosova nuk ishte anëtare e NATO-s. Atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë e detyroi Aleancën të sulmonte Serbinë?
Sipas analistëve të ndryshëm, SHBA dhe aleatët e NATO-s kishin tre interesa të forta gjatë krizës kosovare:
Së pari, agresioni serb në Kosovë kërcënonte direkt paqen në të gjithë Ballkanin dhe stabilitetin në rajonin juglindor të NATO-s. Vazhdimi i luftimeve në Kosovë kërcënonte:
a. prishjen e procesit të suksesshëm të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë;
b. ri-inicimin e kaosit në Shqipëri;
c. destabilizimin e Maqedonisë me minoritetin e saj të madh shqiptar dhe,
d. përhapjen e destabilitetin në vende të tjera fqinje, duke përfshirë Bullgarinë e Greqinë.
Së dyti, represioni i Beogradit në Kosovë krijoi një krizë humanitare të përpjesëtimeve të mëdha. Operacioni famëkeq “Patkoi” nga serbët, kjo fushatë spastrimi etnik, ishte planëzuar muaj më parë nga Millosheviçi si një mjet brutal për t’i dhënë fund krizës sipas mënyrës së tij.
Së treti, drejtimi dhe rruga që ndoqi Millosheviçit, e cila çoi ne operacionin “Forca Aleate”, sfidoi direkt kredibilitetin e NATO-s, një aleancë e cila kishte formuar themelin e sigurisë transatllantike për 50 vjet.
Në fushën diplomatike, në fund të janarit 1999, Grupi i Kontaktit (Francë, Gjermani, Itali, Angli, Rusi e SHBA) u kërkoi serbëve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të takoheshin na Rambuje, Francë, për të arritur një marrëveshje, e cila u realizua në dy raunde (6-23 shkurt në Rambuj e pasuar nga raundi i dytë 15-18 mars në Paris). Në bisedime (rreth 20 ditë) shqiptarëve iu afrua autonomi e gjerë, nën garancinë e NATO-s, por jo pavarësi dhe serbëve të pranonin dhënien e autonomisë, por jo sovranitetin, duke e lënë statusin e Kosovës përfundimisht të hapur.
Në raundin e dytë delegacioni kosovar i nënshkroi propozimet e bëra, ndërsa ai serb nuk i pranoi. Në fushën ushtarake, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s i dhanë Sekretarit të Përgjithshëm Solana fuqinë për të autorizuar goditje ajrore sipas vendimit të tij. Kjo gjë i bëri goditjet ajrore më të besueshme, sepse e kaloi autoritetin e vendimmarrjes nga një komitet prej 19 anëtarësh tek një person i vetëm.
Planëzimi u bë i plotë, duke përfshinte mbështetjen e NATO-s për monitorët e OSBE-së, mbështetje për detyrimin e embargos kundër Serbisë, dislokime trupash në Shqipëri dhe Maqedoni për të parandaluar përhapjen e konfliktit. Realizimi i këtyre opsioneve do të kërkonte angazhimin e 7000 deri në 23000 trupave të NATO-s. U planëzuan gjithashtu dhe mundësitë e tjera për një përdorim me të madh të forcës, që përfshinte një fushatë ajrore të ndarë në tre faza.
Me gjithë këto përpjekje komuniteti ndërkombëtar ndërmori përpjekjen e fundit diplomatike. Më 21 mars 1999, tre ditë para fillimit të operacionit, Ambasadori Hollbruk shkoi në Beograd për ta paralajmëruar për të fundit herë Millosheviçin.
Më 22 mars, në përgjigje të paralajmërimit, Millosheviçi vazhdoi represionin duke i bërë një sfidë të hapur përpjekjeve diplomatike amerikane e ndërkombëtare.
Objektivat politike brenda Kosovës ishin:
Të ndalonte vuajtjet dhe t’ i jepte fund shtypjes dhe dhunës Serbe.
Të detyronte Milosheviçin të ndryshonte sjelljen e papranueshme jo vetëm nga pikëpamja humane, por se kërcënonte edhe shtetet fqinjë.
Të realizonte një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Objektivat politike jashtë Kosovës ishin:
Të stabilizonte vendet fqinjë.
Të ruante unitetin e aleatëve.
Të kufizonte dëmtimin e marrëdhënieve me Rusinë.
Fushata ajërore nuk kishte si objektiv as shkëputjen e Kosovës nga Serbia me forcë, as mbështetjen e UÇK-së dhe rrëzimin e Milosheviçit nga pushteti.
Duke folur per nevojën e kryerjes së këtij operacioni dhe duke argumentuar se pse duhej që NATO të ndërhynte në Kosovë Lordi Robertson, në atë kohë Sekretari i Pergjithshëm i NATO-s thekson: “For ajo (Lufta në Kosovë kundër forcave serbe) gjithashtu ka implikime për vlerat tona. Në qoftë se do të lejonim këtë pastrim etnik të shkonte më tej, ne do të kishim një grryerje fatale të komunitetit modern euroatlantik të cilin ne po mundohemi ta ngremë, pikërisht tani që po hyjmë në shek.e XXI me të vërtetë ne duhet që kurrë më të mos lejojmë rikthimin e Holokaustit.”
Operacioni “Forca Aleate” u realizua në tre faza.
Faza e parë, nga 24 deri më 27 mars, bombardimet në këtë fazë kishin si qëllim të shihej sjellja e presidentit Milosheviç, me qëllim që ai të detyrohej të reflektonte. Milosheviçi në vend që të reflektonte bën të kundërtën ai e thelloi edhe më tej fushatën e tij ushtarake për spastrimin etnik të Kosovës me shpresën se do të krijonte një krizë humanitare për shtetet fqinje e do ta detyronte perëndimin të tërhiqej. Objektivi kryesor i kësaj faze ishte, nxjerrja jashtë funksionit e sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore dhe krijimi i kushteve që pilotët të kishin superioritet në ajër.
Faza e dytë, nga 27 mars deri më 23 prill. Objektivat kryesore të kësaj faze ishte, izolimi dhe shkatërrimi i njësive ushtarake, paraushtarake dhe policore, të ndërpriste furnizimin dhe përforcimet duke goditur vendkomandat, logjistikën, linjat e komunikimit, njësitë e MB, si dhe njësi ndihmëse. Në këtë fazë u përdorën municione të preçizionit të lartë, u përdorën sistemet e drejtimit me satelit, u futën në luftim mjete të reja si dhe u goditën trupat serbe në terren, rrugët, urat mbi Danub, depot e municionit, bazat dhe këto jo vetëm në territorin kosovar, por edhe në Serbi, përfshi dhe kryeqytetin e Beogradit.
Faza e tretë, filloi në ditën e Samitin të Washingtonit, më 23 prill 1999. Kjo fazë ishte e ndarë në dy nën faza. Objektivat e kësaj faze ishin; Në këtë Samit u vendos që të intensifikoheshin sulmet kundër Serbisë, me objektiv kryesor të neutralizonte ose të shkatërronte kapacitetet që mund të kryenin, të monitoronin, apo të vazhdonin operacionet ushtarake, duke goditur objektiva të zgjedhur taktikë dhe strategjikë si, dëmtimin e forcave ushtarake serbe në Kosovë, infrastrukturën, selitë e presidentit, ministritë, industrinë ushtarake, energji, karburantet etj. Synimi ishte që këto objektiva të goditen kudo që ndodhen në të gjithë Federatën.
Vlen të theksohet se Këshilli i Atlantikut të Veriut nuk mori ndonjë vendim zyrtar për të kaluar në Fazën 3 (nën fazën e dytë).
Në operacionin “Forca e Aleate” gjatë 78 ditëve të sulmeve ajrore, me pjesëmarrjen e 13 shteteve dhe 1090 avionë, duke kryer rreth 37.225 misione ose afërsishtë 300 sulme ajrore në ditë, nga të cilat 10.484 ishin sulme goditëse – pa asnjë dëm të pësuar nga Aleanca. U hodhën 22.00 bomba ndaj 410 objekteve fikse e 520 objekteve taktike me një saktësi 99.6 %, vetëm 30 bomba shkaktuan dëme anësore.
NATO kishte siguruar të dhëna të rëndësishme për objektet ushtarake serbe, sasinë, vendodhjen e njësive e reparteve, aerodromeve, të sistemeve të mbrojtjes kundërajrore, karburanteve, vendkomandave, sistemet e telekomunikimit etj.
Në dispozicion të aleancës veç bazave ushtarake që kishte në Itali (Avjano) dhe në det të hapur u vunë edhe ato të Turqisë, Hungarisë si dhe hapësira ajrore e Bullgarisë dhe e Shqipërisë. Aleanca deri në gjysmën e fazës së dytë të sulmeve kishte goditur 150 objekte strategjike, ishin asgjesuar 50% e avionëve Mig-29 që kishin Forcat e Armatosura Serbe, dy vendkomandat ushtarake kryesore të serbisë, si dhe 40% e rezervave të karburanteve në tërë Serbinë. Në vazhdim u intensifikuan sulmet mbi objekteva të rëndësisë së veçantë si Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, Ministria e Punëve të Brendëshme, TV shtetëror Serb, selia e PS e Milosheviçit etj. Sipas komadantit të skuadriljes që u fut e para mbi territorin Kosovar nënkolonelit Amerikan Dejv Nikols, për çdo objektiv që goditej bëheshin më parë 8 lloje zbulimi që nga ai satelitor, më tej me avionët pa pilot, me mjet me rreze lazer, me mjete optiko-pamore etj. Përdorimi i një sasie kaq të madhe zbulimi ishte në parimet e aleancës e cila kërkonte shkatërrimin e makinës së vjetër Serbe dhe dhënies fund genocidit në Kosovë.
Pas gjithë këtyre sulmeve më në fund, Millosheviçi u detyrua të plotësojë kushtet politike të vendosura nga Aleanca:
Lindë pyetja, pse Millosheviçi pranoi në heshtje kushtet e NATO-s? Disa nga arsyet sipas mendimit tim janë:
Dëmi i madh njerëzor e material që po rritej çdo ditë nga bombardimet
Solidariteti i vendeve të aleancës dhe këmbëngulja për ta çuar operacionin deri në fund.
Përpjekjet e vazhdueshme të aleancës për të angazhuar Rusinë në diplomaci. Kur përfaqësuesi i BE Ahtisari dhe ai rus Çhernomyrdin u takuan me Millosheviçin dhe folën me një zë, Millosheviçi e kuptoi se kishte mbetur i izoluar dhe nuk mund të priste më ndihmë nga Rusia.
Ndërtimi i fuqisë luftarake tokësore të NATO-s (helikopterët apache në Shqipëri, forcat e implementimit të paqes në Maqedoni dhe përgatitjet e dukshme për dislokimin e forcave të tjera)
Këmbëngulja e UÇK-së ishte një pengesë serioze, veçanërisht ringritja e tyre në javët e fundit të fushatës, demostroi tek Millosheviçi se ai nuk mund ta eleminonte këtë rrezik.
Vendet e NATO-s përdorën edhe mjete të tjera politike dhe ekonomike si forcimi i sanksioneve ekonomike, kufizimet e udhëtimeve, ngrirja e financave serbe në banka etj.
Padia e Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës i bindi disa nga mbështetësit e tij më të fortë se konsesusi politik i aleancës kundër veprimeve serbe, në vend që të dobësohej, vazhdonte të forcohej më tej.
Në sulmet ajrore duhet thekësuar se rrethë 80% e të gjitha kontributeve të përdorura ishin të SHBA.
Pas 11 javësh sulme ajrore më 9 qershor u nënshkrua marrëveshja taktiko-ushtarake në Shkup ku mes të tjerash kryesore ishte tërheqja e trupave serbe nga Kosova.
Më 12 qershor 1999 forcat e KFOR-it fillojnë operacionin “Mbrojtja e Bashkuar”.
New York Shkurt 2023
Foto: PortAlb

Filed Under: Opinion Tagged With: gezim mustafaj

KOSOVA DHE USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVES (UÇK)

February 1, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ

Presidënt i Shoqatës “Skëndërbej”

Kosova është krahinë Shqiptare në Europën Juglindore, ka një sipërfaqe 10877 km2 me shtrirje nga veriu në jug ka gjatësi 147 km dhe nga lindja në perendim 152 km, me vise malore 63.5% dhe kodrinore fushore 36.5%. Kufizohet me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e ZI, një kufi tokesorë 570 km. 

Në pikpamje gjeografike Kosova ndahet në dy pjesë të mëdha, Fushë Kosovë dhe Rafshi i Dukagjinit. Toka e trevave kosovare  është mjafte e pasur dhe pjellore, në veçanti Fushë – Kosova, Kombinati i Trepces ndër prodhuesit më të mëdhenjë  të plumbit e zingut në Europë.

Në aspektin gjeostrategjik dhe gjeopolitik gadishulli i Ballkanit është mjaftë i rëndësishëm. Ai është udhëkryqi që lidh Europën, Azinë dhe Afikën.

Kjo rëndësi  shprehet qartë në fjalimin e ish Presidentit Bill  Klinton, se: “Kosova është një  vend shumë i vogël, por ajo shtrihet pikërisht në vijën ndarëse të Evropës, Azisë dhe   Lindjes së Mesme, është shenja ndarëse ndërmjet islamit dhe kristianizmit; pranë aleatëve tanë turq dhe grekë në jug, aleatëve tanë të rinj Hungarisë, Polonisë dhe Republikës Çeke në veri.” 

Eshtë kjo arsyeja që kulturat, njerëzit dhe ushtritë e të tre kontinenteve janë përplasur dhe mposhtur në këtë gadishull. Kosova shihet si nyje nëpërmjet së cilës kontrollohen të gjithë boshtet natyrore të Ballkanit, prandaj quhet  ‘‘zona kritike e Ballkanit” pasi ndodhet në trekëndshin gjeografik Kraljevo-Shkup-Sofje. 

Pozita gjeografike e Kosovës është e volitshme dhe kundrejt vendeve të Europës Qëndrore, për shkak të relievit fushor dhe me shumë lugina lumore. E ndodhur brënda trekëndëshit gjeografik Kraljevo-Shkup-Sofje me një sipërfaqe rrethë 20, 000 km katrore, në qëndër të së cilës ndodhet qyteti i Nishit dhe ku kryqëzohen akset më të rëndësishme të ballkanit si: aksi Vjenë-Nish-Stamboll; Budapest-Nish-Selanik; Varnë-Sofje-Nish-Prishtin-Durrës. Brënda këtij trekëndëshi  strategjik përfshihet  dhe Kosova Lindore, ndërsa po ta shëndërronim trekëndëshin në rreth, Kosova përfshihet tërsisht brënda tij.

Në këndvështrimin gjeostrategjik zona e Nishit e cila konsiderohet si ‘‘qëndra e rëndesës”  e trekëndëshit gjeostrategjik, është e lehtë për tu pushtuar si, nga veriu nëpërmjet luginës së Moravës, nga jugu nëpërmjet luginës së Vardarit, dhe nga lindja nëpërmjet Pirotit, por Kosova ka një mbrojtje natyrore nga çdo lloj sulmi tokësor. Pikërisht për t’u mbrojtur nga inkursionet pushtuese që vinin nga veriu, në shekullin e 13-të, Patriakana Serbe u transferuan nga Zica në Pejë.

Kosova nuk ka dalje të drejtpërdrejtë në det. Lidhjet e saj me Detin Adriatik realizohen nëpërmjet Grykës së Rugovës me gjatësi 20 km në veri perëndim të luginës së lumit Ibër nga  ku dilet në Malin e Zi, në Ulqin e Tivar, si dhe rruga e Kombit që lidh Kosovën me Shqipërinë. Lugina e Drinit të Bardhë  lidh Kosovën me Shqipërinë, e më tej me Detin Adriatik e Mesdheun. Lugina e Lepenicit  përmes grykës strategjike të Kaçanikut, e lidh me luginën e Vardarit dhe më tej me Selanikun. Kështu gjatë Luftës së Parë Botrore, ushtria serbe megjithëse e rrethuar nga të gjitha anët nga ushtria Austro-Hungareze dhe Bullgare, u tërhoq dhe u strehua në Alpet Shqiptare të Kosovës, një zonë mjaft strategjike në pikpamje ushtarake, ku mundësuan edhe të shpëtonin.

Gjatë sundimit pesë shekullor otoman, Kosova konsiderohej një nga 4 vilajetet e Shqipërisë së nënshtruar.  Më pas, në kohët moderne, Kosova u vu nën sundimin serb pas luftrave ballkanike (1913). Gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore e  ndihmuar nga Austro-Hungaria dhe Gjermania, ajo njihej e bashkuar me Shqipërinë. Theksojmë se Gjermania e njihte dhe si shtet neutral.

Serbia gjithmonë ka tentuar që problemin e Kosoves ta zgjidhë nëpërmjet debimit me dhunë të shqiptarëve:

Shqiptarët të vriten ndonëse gjithmonë kanë qënë paqësorë. Të burgosen mijëra djem e vajza, të diskriminohet  inteligjenca, arsimi, gjuha e kultura shqiptare, të pastrohen trojet shqiptare për të zhdukur lashtësin e banimit, sa më tepër shqiptarë të zhdukur, aq më të mëdha janë meritat e çdo serbi para atdheut (Serbisë), kjo me qëllim zhdukjen e identitetit të  tyre. 

Të shfarosen krerët më të rrezikshëm shqiptarë, të çarmatosen të gjithë shqiptarët dhe të  armatosen serbët, kryesisht ata me banim në Kosovë dhe në kufirin me Serbinë. Çdo shqiptar duhet të pagëzohet me fenë ortodokse, duke bërë të mundur që brenda disa brezave të serbizohet e gjithë Kosova. Analfabetizmi të jetë një nga fushat e mbajtjes së shqiptarëve nën sundim. 

Duke ndjekur këtë rrugë  gjatë periudhës nga viti 1912 deri në vitin 1976, nga serbët jane zhdukur fizikish 227 mijë shqiptarë dhe janë shperngulur nga trojet e veta 973 mije të  tjerë. 

Historikisht, por në  veçanti pas viteve 80-të, në Kosovë ekzistonte një frymë e përgjithshme proteste. Shqiptarët e Kosovës i kishin shpallur tashmë qëllimet politike dhe rrugët e arritjes së tyre. Për më shumë se një dekadë iu përmbajtën vendosmërisht rrugës së protestave paqësore, por autoritetet serbe, formave demokratike të shprehjes së vullnetit të shqiptarëve iu përgjigjën me anullimin e të gjitha institucioneve politike dhe kulturore të vetëqeverisjes krahinore, duke arritur deri në mosnjohjen e Kosovës si  njësi federative shtetformuese, status që ajo e trashëgonte nga Kushtetuta e vitit 1974. 

Në vitin 1981 në Prishtinë u zhvillua një nga manifestimet më populiore të asaj periudhe e cila ishte vullnet i një populli të tërë për qëndresë paqësore. 

Rigrupimet politike që ndodhën në Kosovë në fillimet e viteve 90-të bënë që nisma e rezistencës paqësore dhe aktive të kalonte në duart e protagonistëve të rinj. Klasa e re poiitike ndërtoi programin e forcave të reja, duke premtuar se Republika e Kosovës do të formohej e do të njihej nëpërmjet bisedimeve politike dhe me dialog. Ajo i ben thirrje popullit të Kosovës të ruajë gjakftohtësinë, të ketë durim, të besojë në “institucionet paralele”, të shmang luftën, të ruajë traditat kombëtare, duke siguruar se një proces referendumi dhe vetëvendosjeje do të kurorëzonte së fundi shpresat e shqiptarëve për ndryshimin e statusit të tyre politik. Një ndikim pritës dha  dhe faktori i jashtëm politik, i cili mendonte se problemi shqiptar do të zgjidhej me rënien dhe ndryshimin ideoiogjik në shkallë botërore, si dhe me demokratizimin e rendit politik në ish Jugosllavi.

Megjithëse premtohej se, do të gjendej një zgjidhje politike për shqiptarët. Konferenca e Dejtonit ia delegoi problemin e Kosovës Grupit të Kontaktit, pra duke e bashkuar me çështje dytësore të saj. Në situatat e krijuara, shqiptarët në Kosovë u nxitën të besonin, se tashmë e kishin shtetin e tyre, kishin kushtetutë, qeveri, parlament etj, si dhe iluzioni se pak nga pak Kosova po shndërrohej në nje subjekt më vete sipas së drejtës ndërkombëtare. Këto dhe propaganda të tjera se, problemet e shqiptarëve do të zgjidheshin me vonë, shkaktuan një mpirje të përkohshme të lëvizjes për pavarësi. Kjo gjëndje përkohësisht ishte edhe në interes të regjimit të Beogradit, i cili tashmë ishte i angazhuar në një luftë të tmerrshme në Bosnje. 

Ishte pikërisht kjo periudhë, kur në Europë dhe më gjërë mendohej se çështja shqiptare në Kosovë do të zgjidhej vetëm “duke njohur barazinë e të drejtave të qytetarëve”,

Zgjedhjet parlamentare të 22 Marsit 1998 u kontenstuan edhe nga faktorët e brendshëm në Kosovë. 

Dhuna policore e ushtarake serbe, shkatërrimi i të gjitha institucioneve shqiptare, zhgënjimi prej rrugës paqësore, dhe humbja e shpresës të faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes kosovare, bënë që në vitin 1998 në Kosovë të shpërthente një lëvizje popullore me karakter çlirimtar. 

Pas vitit 1989 Millosheviçi likuidoi përfundimisht autonominë e Kosovës. 

Pjesa më e madhe e Shqiptarëve u ngritën në një lëvizje të gjërë për demokraci, ku në krye të kësaj lëvizje u vunë intelektualët më të mirë dhe më në zë të Kosovës. E gjithë kjo arriti që 114 deputet shqiptarë të Kuvendit të  Kosovës më 2 korrik 1990 të shpallnin “Republikën e Kosovës” brënda Federatës Jugosllave. 

Si domosdoshmëri e kohës dhe e vetmja alternativë për të ardhmen e Kosovës dhe të popullit të saj kishte mbetur lufta çlirimtare. Pavarësisht se populli i Kosovës nuk ishte i përgatitur sa dhe si duhet për luftë, pavarësisht se forcat politike  kishin krijuar një lloj komoditeti nën robëri  duke propaganduar kundër luftës, pjesa më e vetëdijshme e popullit të Kosovës, e bindur se nuk ka ngelur asnjë rrugë tjetër për të realizuar lirinë, demokracinë dhe progresin, i hynë këtij projekti madhor dhe organizuan luftën çlirimtare.

Qysh në mesin e viteve 80-të në Perëndim ekzistonte një organizatë me ndikim në mërgatën e re shqiptare, që njihej me emrin Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), e cila trashëgonte mendimin e atdhetarëve për të krijuar një bashkim të ri të shqiptarëve, dhe që gëzonte anëtarësinë edhe të simpatizantëve me veprim ilegal brenda në Kosovë. Në vitin 1992, në kushtet e reja që u krijuan pas shpalljes së Republikës së Kosovës, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK ndërroi emrin dhe riformuloi strategjinë e veprimit, duke nënkuptuar me “Kosovë” të gjitha viset shqiptare në Jugosllavinë e mbetur.

E njohur më tej si “Lëvizja Popullore e Kosovës” ajo mbajti një qëndrim të kujdesshëm ndaj të  gjitha veprimeve që kryente, por pa hequr dorë nga përpjekjet për organizimin e shqiptarve të Kosovës në një lëvizje proteste që do të konsolidonte vetëveprimin për pamvarësi. 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi për t’i dalë zot Kosovës. Misioni i saj kombëtar ishte: Shporrja me luftë të armatosur dhe pa kompromis i të gjitha forcave ushtarako-policore serbe nga trojet e Kosovës, rikthimi i lirisë dhe i krenarisë së humbur të çdo qytetari dhe ndërtimi i një shteti demokratik  e ligjor të standarteve Europiane në të ardhmen. 

Në këtë kohë u krijua edhe fondi “vendlindja thërret” i cili ishte edhe struktura e mbështetjes financiare për UÇK-në. Në maj të vitit 1993 UÇK-ja u pagëzua për herë të parë me emrin që e njohim edhe sot. Aksioni i parë ku u shfaq UÇK-ja ishte në nëntor 1994 në Gllogovc, aksion pas të cilit u shpërnda një  komunikatë ku UÇK-ja merrte përsipër të gjitha goditjet kundër policisë e ushtrisë serbe të bëra deri në atë  kohë.

UÇK-ja doli hapur me uniformen e saj në varrirnin e mësuesit dëshmor Halit Geci, më 28 nëntor 1997. Në mars 1998, vrasja e Adem Jasharit shënoi pikën kulmore të rritjes së shpejtë e të menjëhershme të UÇK-së e cila tashmë nga njësitë e formacionet e vogla kaloi në formacione të mëdha luftarake. Duke qënë nën presion shumë të madh nga propoganda serbe e eila e quante atë, herë “organizatë terroriste”, herë “marksiste” dhe herë “fondamentaliste”, në maj të vitit 1998 u mor vendimi për krijimin   e Drejtorisë Politike të UÇK-së, e cila do të ishte edhe busulla e kësaj ushtrie.

Duke parë me vëmendje kronologjinë e ngjarjeve të mëvonëshme do të vëmë  re se udhëheqja politike e UÇK-së kreu me sukses katër detyra mjaftë të rëndësishme, të cilat do t’i jepnin një shtytje jo vetëm opinionit brënda vendit, por do të sensibilizonin dhe faktorin ndërkombtar, si:

-Paraqitjen e misionit të saj si ushtri e rregullt.

-Bindjen e faktorit ndëkombëtar, se UÇK nuk ishte ashtu, siç e paraqisnin qarqet serbe.

-Sigurimin e mbështetjes së mundeshme nga Shqipëria duke shmangur përfshirjen e Shqipërisë në luftë.

-Sigurimin e  mbështetjes Europiane, dhe NATO-s, me SHBA-në në krye.

Në qershor 1998 në Junik, Ricard Hollbruk u takua me përfaqësues të UÇK-së, ky ishte edhe një moment historik për vetë UÇK-në që shënon edhe njohjen e saj nga SHBA. Më tej pas takimit të 6 nëntorit të 1998 me Kristofer Hill (në atë kohë Ambasadori i SHBA në Maqedoni), Amerika dhe faktori ndëkombëtar e vlerësonin UÇK-në si një partner serioz në bisedimet për zgjidhjen e çështjes  Kosovare.

Veprimtaria rezultative në terren, veprimtaria diplomatike e politike, si dhe mbështetja e panderprerë e SHBA, sollën Rambujenë. Në këtë proces të vështirë e intensiv një rol të padiskutueshëm në njohjen e UÇK-së kanë luajtur SHBA me diplomatet e tyre. Aq i fuqishëm ka qënë roli i SHBA dhe në mënyrë të veçantë i zonjës Ollbrajt në këtë luftë saqë operacioni i NATO-s në Kosovë shpesh u quajt nga shtypi i kohës edhe “Operacioni Ollbrajt”.

Në të njëjtën linjë me strategjinë politike ka qënë edhe strategjia ushtarake e UÇK-së. Fillimisht ajo u shfaq si një luftë guerile deri në kalimin në luftë të përgjithëshme por pa vijë fronti. Në këto kushte UÇK-ja organizoi edhe operacione si ai “shigjeta”, beteja e Llapushnikut, apo ndonjë tjetër. “Shigjeta” është një operacion historik për vetë faktin se ai zhduku njëherë e mirë kufirin midis shqiptarëve. Në fjalët e Gjeneralit Amerikan Wesli Klark dallohet lehte se si po ecte UÇK-ja,  kur ai theksonte: “ në kohën kur përpjekjet diplomatike po lëviznin përpara, unë me komandantët po përcillnim se si javët e fundit Ushtria Çlirimtare e Kosovës ngadalë po ringjallej”.

Presidenti Klinton ka shprehur hapur simpatinë dhe vlerësimin e tij për UÇK-në, kur thotë “Megjithëse Milosheviçi, ka dëbuar me qindra mijëra shqiptarë kosovare nga shtëpitë e tyre, ai nuk ka mundur të eleminojë UÇK-në. Madje radhët e saj po shtohen dita ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’u shpëtuar goditjeve”. Ja si e përkufizon Mira Milosheviç, një gazetare serbe që jeton në Spanjë rolin e UÇK-së: “ Gandi i Bailkanit” (kështu e quan ajo Rugovën) ka njëzet vjet që  denoncon gjëndjen e shqiptarëve të Kosovës, porse këtij problemi ju kushtua vëmendje vetëm kur u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Gjatë vitit 1998 UÇK-ja pati një rritje jashtëzakonisht të madhe në të gjitha drejtimet, dhe pikërisht kjo bën që të ndryshojë rrënjësisht vlerësimi politik për UÇK-në. E cilësuar për një kohë të gjatë si një “lëvizje ideologjike dhe sektare marksiste-leniniste”, “fondametaliste islamike”, ose si një “produkt i terrorizmit ndërkombëtar” etj, për herë të parë gjatë kësaj kohe UÇK-ja, u njoh nga administrata Amerikane si një “bashkim luftëtarësh të lirisë”. 

Deri në mesin e viteve 1998, UÇK-ja kontrollonte gati 80% të territorit të Kosovës. Ne luftë e sipër ajo bashkoi vullnetarizmin popullor me përpjekje të suksesshme për përgatitjen dhe veprimet luftarake, jo vetëm në shkallë taktike e operative, por edhe në shkallë strategjike. Tashmë e parë në këndvështrimin  strategjiko-politik, UÇK-ja ishte përcaktuar për “lufte të armatosur dhe pa asnjë kompromis në çlirimin e Kosovës”. Ajo vijoi të organizohej në shumë njësi të reja, brigada dhe zona operative, dhe, në të gjitha nivelet, u krijuan komandat eprore. Gjatë kësaj periudhe u afirmuan aftësitë komanduese të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe hap pas hapi u krijuan shërbimet e specializuara, duke përfshirë Policinë Ushtarake dhe Drejtorinë Politike të Ushtrisë.

Brigada ishte njësia bazë e UÇK-së në përberje të së cilës kishte 800-1000 luftëtarë. Në strukturën organizative të saj ishin, komandanti, zëvendëskomandanti, shefi operativ, i zbulimit, i personelit, i informacionit, i stërvitjes, i punëve publike dhe shefi i komunikimit të mbrojtjes. Në organikën e brigadës kishte edhe një togë të forcave speciale, të ndërlidhjes, të policise ushtarake, të shendetësisë, të transportit, si dhe deri një kompani artilerie me 9-12 gryka zjarri. 

Çdo gjë ishte e centralizuar dhe zbatohej në bazë të kompetencave dhe hierarkisë ushtarake. Me probleme të rëndësishme politiko-ushtarake merrej Shtabi Qendror i (Përgjithshëm) i UÇK-së, i organizuar me pesë drejtori kryesore, prej të cilave më me influence ishte Drejtoria Politike. 

Shtabi Përgjithshëm kishte një personel me rreth 16 veta. 

Roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës ishte tepër i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm si për fillimin e fushatës ajrore të Aleancës ashtu edhe për zhvillimin dhe përfundimin me sukses të saj. Merita e parë  më e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dalja e saj hapur në luftë kundër regjimit serb, si një drejtuese luftarake e organizuar e popullit Shqiptar të Kosovës, duke luajtur një rol të madh në ngritjen e ndjenjës kombëtare dhe në kurajimin e popullit të Kosovës për kundërshtimin e regjimit diskriminues të Millosheviçit. 

Nga shumë studjues pranohet se gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër Millosheviçit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës jo vetëm që ishte aleate e NATO-s, por edhe realizoi misionin e saj si forcë tokësore e Aleancës. Në radhë të parë ajo ndihmoi NATO-n në sigurimin e të dhënave për objektivat që do të goditeshin si dhe të dhëna të tjera zbulimi mbi lëvizjet dhe dislokimin e forcave serbe.

Bashkëpunimi i UÇK-së me NATO-n u vu re në mënyrë të veçantë me fillimin e mësymjes së UÇK-së në malin e Pashtrikut, ku NATO siguroi asistencën e saj nëpërmjet sulmeve ajrore kundër forcave serbe që vepronin në këtë rajon. Aviacioni i NATO-s ishte mbështetja ajrore e Brigadës që sulmoi në këtë rajon. Drejtuesit e lartë ushtarakë të NATO-s e quajtën të rëndësishëm këtë sulm dhe e mbështetën atë.

Duke folur për këtë sulm, gjenerali Klark, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Europe, thotë se “unë e kuptova plotësisht se çfarë do të thoshte për ne sulmi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse ajo do të ishte e suksesshme, ajo do të tërhiqte disa batalione serbe në fushë të hapur, ku ne mund ti sulmonim”. Nga ana tjetër, mbajtja nga UÇK-ja, e Malit të Pashtrikut dhe e lartësive të tjera  pargjatë kufirit Shqipëri-Kosovë, shikohej nga NATO si shumë e rëndësishme për sigurimin e futjes në luftim të forcave tokësore të aleancës në të arrdhmen, nëse një gjë e tillë do të ishte e nevojshme. 

Lufta e një populli për liri e pavarësi dhe përpjekjet e tij për ruajtjen e identitetit kombëtar ka gjithmonë kulmet e veta. Edhe lufta e popullit të Kosovës gjatë viteve 1998-1999 është një nga këto periudha historike kulmore në jetën e kombit shqiptar. Rezistenca paqësore Rugoviane, lufta e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrja  e NATO-s me operacionin “Forca Aleate” u kurorëzuan me sukses, me spastrimin e Kosovës nga bandat ultranacionaliste çetnike dhe ushtria represive Serbe. Fati i Kosovës u gatua nga populli i saj luftëtar e liridashës dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s.

New York Janar 2023

Filed Under: Kronike Tagged With: gezim mustafaj

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT