• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BURRI I BESËS DHE BURRI I SHTETIT

December 3, 2020 by dgreca

SHKRUAN: GEZIM ZILJA/

-Si i shpëtoi jetën i burgosuri politik Bedri Çoku, Kryeminstrit Fatos Nano-

-Nano në Shtëpinë e Bedriut: Ty Bedri të detyrohem jetën dhe kurrë nuk kam për ta harruar nderin që më ke bërë. Prania  jote në helikopter, nga Tepelena deri në Tiranë dhe anasjelltas, në atë kohë, rrezikonte edhe jetën tënde. Po t’i them këto edhe në sy të gruas…

– Sa morën pushtetin komunistët Bedri Coku u  shkarkua nga detyra….

Shkruan: Gezim ZILJA/DIELLI

Bedriu Çoku është nga miqtë e mi më të mirë. Ka kryer 22 vjet burg politik dhe bashkë me vitet e të atit dhe të dy vëllezërve të ndjerë bëhen plot 63 vjet burg. Bedriu është fare ndryshe nga disa të burgosur politikw, qw unë kam njohur. Nuk ankohej, nuk tregonte vend e pa vend ato që kishte hequr, nuk urrente, veç kërkonte të dënohen krimet e komunizmit, përndryshe thoshte, nuk do të ketë demokraci. I kërkoja shpesh të më tregonte nga jeta e burgut, por mezi ia nxirrja fjalët me çengel. Kur këmbëngulja, më drejtohej me atë humorin e tij të hollë prej fusharaku babaxhan, pa e ngritur zërin: – Më rokanise kokën. Ore nga Fieri jam unë. Mos prit ndonjë gjë të madhe! Për mua është fat, që e njoh dhe e kam mik. 

Bedriu në kohën e trazirave në mars 1997, drejtonte sistemin e burgjeve të republikës. Nga burgjet e Sarandës dhe  Bënçës, nën presionin e bandave të armatosura ishin arratisur gjithë të burgosurit, me përjashtim të dymbëdhjetë pushtetarëve të diktaturës dhe ish-kryeminstrit Fatos Nano ( dënuar për shpërdorim detyre,) që nuk pranuan të largoheshin nga burgu. Bedri Çoku kërkoi takim urgjent me Ministrin e Drejtësisë dhe i propozoi masa sigurie, veçanërisht për Fatos Nanon, kryetar i partisë socialiste, të transferohej në Tiranë, në burgun 313.   

Afër mesnatës, e thirri Ministri i Drejtësisë, dhe e njofton se me urdhër të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, duhet të nisej menjëherë me helikopter, për të marrë Fatos Nanon. Nuk u mendua gjatë Bedri Çoku, mori helikopterin dhe u nis, i shoqëruar nga një oficer i Ministrisë së Brendshme. Dhjetëra banda nga Tepelena, Memaliaj e Gjirokastra, vigjëlonin me kundërajrorë, mitralozë të rëndë e automatikë dhe në çdo çast mund të godisnin “alikopterin qeveritar”  edhe për argëtim. Edhe pse komisariati ishte i pushtuar me forcën e armëve, nga bandat e Komitetit të Shpëtimi Publik (KSHP) të Tepelenës, ia doli të lidhej me shefin e komisariatit Bernard Caushaj, të cilin e njoftoi të ndizeshin zjarre rreth vendit, ku do të ulej helikopteri, detyrë që oficeri trim e kryeu me sukses. Reth orës 1.00 helikopteri u ul pa problem. Bashkë me rojet e burgut shkuan në qelinë e Fatos Nanos, që rrinte shtrirë në krevat me kokën e futur nën batanie. Edhe pse Drejtori  hyri në qeli  buzagaz, i dënuari nuk e uli batanien, që e mbulonte deri te hunda. – Ngrihu se do të shkojmë në Tiranë! Kam ardhur vetë të të marrë me helikopter për në burgun 313, se aty je më i sigurt. Urdhëri për të larguar prej këtu është dhënë nga Presidenti i Republikës.-  Fatos Nanua dukej i trembur dhe mosbesues. Ndihej më i sigurt atje, në atë vrimë të burgut të Bënçës, duke menduar se shteti kishte marrë rrokullimën. Me të njohur drejtorin, largoi mbulesën dhe hodhi këmbët në dysheme.

 – Më fal se nuk të njoha…Epo, me ato që po dëgjojmë …kohë të vështira po kalojmë…  – Duhet të kesh besim tek unë. Do të jem edhe vetë në helikopter. Nuk ka pse trembesh. Çdo veprim bëhet për të siguruar jetën tënde…

– I burgosuri, tashmë i ngritur në këmbë, plot gjallëri deklaroi: – Kam besim te ty Bedri! Me ty kaloj  oqeanin në këmbë po deshe, nuk e kam problem. Njihesh Bedriu me Fatos Nanon. Si njeri i drejtë e pa paragjykime e respektonte ish zv/drejtorin e institutit të studimeve M.L. tashmë  kryetar i partisë socialiste. Madje, në çdo inspektim që bënte, ai e pranonte ftesën e të burgosurit, për një kafe në qelinë e tij. Asnjë e shtënë me mitraloz apo pushkë nuk qëlloi helikopterin, që po ngrihej, ndërkohë që nata po venitej e po ia linte vendit ditës.

Me sa dukej KSHP-të, që kontrollonin plotësisht qytetin e Memaliajt e Tepelenës, ishin informuar se ç’po ndodhte andej nga  burgu i Bënçës. Të burgosurin e çuan drejt e në qeli në masa të rrepta sigurie. -Tashmë je plotësisht i sigurt,- i tha Bedriu duke u larguar. I burgosuri i hodhi dorën në sup, miqësisht, dhe deklaroi: – Kurrë nuk kam për të ta harruar. Jetën time ta detyroj ty… Nesër me siguri do të vish të më takosh apo jo?- Nënteksti dhe pasiguria ishte e qartë: -Mirë që më solle këtu,  por a do të jem gjallë, nesër?-  Drejtori qeshi, i ra krahëve dhe u largua,  pa i thënë asnjë fjalë. Po atë ditë, të dy pinin kafe te qelia numër 47. Muaj më vonë, para shtëpisë së Bedri Çokut qëndruan disa makina me targa qeveritare dhe në derë të shtëpisë u shfaq së bashku me avokatin e tij besnik, ish i burgosuri, tashmë me kostumin e Kryeministrit të Shqipërisë. Bedriu i habitur i ftoi brenda. Kryeministri me humorin e zakonshëm,  plot batuta, s’pushonte së foluri për vuajtjet e tij në burgun e Bënçës, ku nuk i mungonte asgjë. Njeriu që kishte bërë pesëfishin e kohës së tij në burgjet e diktaturës, e dëgjonte dhe buzëqeshte hidhur pa e ndërprerë mysafirin hokatar e të zhurmshëm. 

Para se të ngrihej, Fatos Nano përsëriti fjalët që kishte thënë, kur u transferua në burgun 313. -Ty Bedri të detyrohem jetën dhe kurrë nuk kam për ta harruar nderin që më ke bërë. Prania  jote në helikopter, nga Tepelena deri në Tiranë dhe anasjelltas, në atë kohë, rrezikonte edhe jetën tënde. Po t’i them këto edhe në sy të gruas  dhe  mikut tonë, avokatit të nderuar, se, në ka njeri që shpëtoi Shqipërinë nga lufta civile, ky je ti,- burri yt-, iu drejtua pastaj gruas së drejtorit të burgjeve. Po të isha eliminuar unë, pa diskutim që do të shpërthente lufta e përgjakshme. Yt shoq vuri jetën në rrezik për të më shpëtuar mua, por edhe për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga një katastrofë të madhe… 

Disa muaj më vonë, me fitoren e PS-së, pjesa dërrmuese e ish të burgosurve dhe internuarve politikë të punësuar në burgje e polici, megjithëse të trajnuar e diplomuar, u pushuan nga puna. Bedri Çoku transferohet si zv/drejtor në burgun 325. Duke parë se në drejtimin e  burgjeve, e policinë e shtetit ishin vendosur njerëz të ish sigurimit të shtetit e gjithfarë militantësh, banditësh e kokëpalarësh të Komiteteve të Shpëtimit Publik, tepër i fyer edhe pse me dy fëmijë të vegjël, nuk e pranoi detyrën e re. Hapi një dyqan të vogël ushqimesh atje në lagje… Kryeminstri nuk ishte bërë më i gjallë, qysh prej vizitës në shtëpi. Dikur Bedriu dërgoi një letër dorazi te Fatos Nano. Përgjigje nuk mori kurrë.  Ja çfarë tregon më tej burri i besës dhe shqiptari i mirë, Bedri Çoku: Mbeta pa punë, edhe pse isha diplomuar jurist në Fakultetin Juridik të Tiranës. Gjeta ngushëllim, ngaqë borxhin që i mbeta  Partisë së Punës së Shqipërisë, sepse u lirova para kohe, pasi më kishin mbetur edhe tetë vjet burg, ua shleva pasardhësve të  diktatorit, që më lanë tetë vjet pa punë…Marrë nga tregimi me të njejtin titull. Pershtatur për shtypin e ditës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bedri Coku, Burri Beses, Burri i shtetit, Gezim Zilja

Arianita bija e Petro dhe Safo Markos…

December 2, 2020 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA*/

Portret i pa autorizuar/

Këto shënime i kam hedhur në maj të vitit 2010, kur kam qenë në shtëpinë e Petro Markos. Në një hyrje dy dhoma e një guzhinë e para viteve 90-të, jetonin Safua, e shoqja shumë e sëmurë, Jamarbëri, i biri dhe ky i sëmurë dhe e bija Arianita që na priste. Të më falë Arianita, por nuk mundem të mos them një të vërtetë të dhimbshme, (mbas dhjetë vitesh) dhe të nxjerr një sekret, për të cilin isha betuar që do ta mbaja si të tillë për shumë kohë. Shkova me një shoqen time dhe të Arianitës, sepse kjo do të shiste nja dy piktura të Safos, e detyruar nga gjendja jo e mirë ekonomike. Kisha qenë edhe një herë tjetër në shtëpinë e saj, thjesht për të parë pikturat e Safos ( para se të bëhej ai emision aq i bukur televiziv dhe ekspozita në vitin 2008) që për mendimin tim janë një pasuri kombëtare. Pasi pamë një pjesë të tyre, sepse jo të gjitha janë të varura në mure, iu luta të më shiste ndonjë gjë sado të vogël, boll të kisha një pikturë të Safos, në shtëpinë time. Arianita buzëqeshi hidhur, më pa në sy dhe tha: “Jo! Në çfarëdo situate që të ndodhem, këto vepra të mamasë, unë nuk do t’i shes. Ajo i ka krijuar thjesht për të bër art, jo për t’i shitur. Le të ngelen pasuri e familjes.”

Dhe tani po shkonim të blenim dy piktura. Ç’kishte ndodhur, që betimi ishte shkelur dhe amaneti nuk ishte mbajtur? Në holl ishin ekspozuar disa piktura nga të cilat ne kishim të drejtë të zgjidhnim vetëm dy, që me këmbënguljen tonë të madhe u bënë tre. Ishte e vështirë të zgjidhje sepse të gjitha ishin të përkryera. Shuma që na kërkoi ishte modeste në krahasim me vlerën reale të tyre. Meraku i vajzës së Petro Markos, ishte që t’i shiste në njerëz të besueshëm e që lajmi të mos merrte dhenë se po i shiste për bukën e gojës. Kur ne po i gëzoheshim pikturave të blera dhe po mendonim për transportin, vura re që Arianita po qante me dënesë. U tronditëm pa masë dhe e pyetëm:

“ Pse po qan, çfarë ke, çfarë të ndodhi? ” Përgjigja e saj më la pa frymë dhe nuk mund t’a harroj kurrë:

“Po më duket sikur po jap një pjesë të shpirtit tim, sepse unë nuk dua t’i shes ato. Ju e dini që isha betuar.” U përpoqëm ta ngushëllonim duke i thënë: “ Në shtëpitë tona hyjnë plot njerëz që njohin artin, kulturën, kështu ato do të shikohen edhe nga shumë të tjerë e do të çmohen e vlerësohen më shumë,”

Vajza e Petro Markos, duke më parë me sytë e thellë, ende të bukur, ku pasqyroheshin  thellësitë e detit Jon me gjelbërimin e përjetshëm të Bregut, e lotët nuk po pushonin për asnjë çast tha diçka tjetër:

“ Do t’u kërkoj një gjë, por iu lutem të mos ma merrni për keq! I mbani mirë, dhe i vendosni në vende të dukshme.” Pastaj ashtu, sërish  midis lotësh shtoi: “A mundem ndonjëherë të vij t’i shoh!?” Për një çast m’u duk vetja si një kusar a bandit, e jo si një blerës pikturash e dashamirës arti. E ngushëllova veten se do t’i mbanim ato piktura ashtu si duhej dhe sigurisht që kishin për t’i parë shumë njerëz të tjerë që e duan dhe e kuptojnë artin e pikturës. Pamja e Arianitës, te dera e shtëpisë nuk ka për të m’u hequr kurrë nga mendja. Na përcolli me shikim, pa luajtur nga dera, derisa zbritëm në katin e parë. Me sa kuptova i dukej se kishte bërë një tradhëti, një pabesi, që fshehurazi nënës së vet, kishte thyer amanetin dhe i kishte shitur tre piktura. Pashë në portretin e saj të lodhur fisnikërinë dhe shpirtin human të pathyeshëm, trashëgim nga ajo familje e shquar e Petro dhe Safo Markos dhe kuptova se në familjen e Petro Markos, qëndronte tashmë si heroinë e vërtetë, Arianita. Dy të tjerët kishin nevojë për shërbim. Safo, e dërrmuar nga jeta, lëngonte e sëmurë në shtrat; Jamarbëri trupmadh , ende i pa kërrusur, i bukur si kreshnikët e përrallave, por mjerisht thuajse i alkolizuar. Ai vetë zgjodhi rrugën e poezisë dhe të jetës së ndershme, por diktatura ia theu ëndrrat dhe shpresat në burgjet e saj mesjetare. I prekur nga ajo që pashë shkruajta diçka në gazetë si një thirrje për ta ndihmuar familjen. Pak shpresa kisha se me atë shkrim do të lëvizte ndonjë gjë andej nga zyrat e shtetarëve, (ashtu ndodhi) që e kishin mundësinë të lidhnin pensione apo të jepnin ndihma të vazhdueshme për këto raste. As se do të prekte ndonjë zemër prej guri të parallinjëve të atëhershëm të tenderave, të trafiqeve, të kontrabandës e rryshfeteve,  as të OJQ-ve dhe OJF-ve. Të parët do të thoshnin se nuk ka ligj, se duhet të dalë një ligj i ri, se ai ligj duhet të përfshijë edhe të tjerë, se duhet të japë urdhër ndonjë i madh etj, etj. E njoh mirë këtë race të fëlliqur nëpunësish që për interesin e tyre kthejnë përmbys edhe ligjet e parlamentit. Të dytët po dihet se ç’do të thonë, që është krizë dhe nuk ka para. Të tretët nuk di ç’të them veç që numri i tyre shtohet e shtohet si fara e sinapit. Familja e Petro Markos vazhdoi të jetojë në varfëri dhe nuk di sot (Safo dhe Jamarbëri nuk jetojnë më) se çfarë ka ndodhur me pikturat e Safo Markos. Por di shumë mirë që shpirtrat e Petro Markos, Safos dhe Jamarbërit vërtiten e vërtiten ditë e natë rreth pallatit ku jetuan, pa gjetur prehje e qetësi. Ndoshta është koha që para pallatit ku jetoi e punoi, në anë të bulevardit “Zogu i Parë”,  ku bashkia plot zell “rilindas” po ia nxjerr brinjët dhe po zhduk çdo gjurmë të historisë, të ngrihet shtatorja e shkrimtarit të madh Petro Marko.

*Shkrimi i publikuar me pare ne shtypin e Tiranes u dergua nag autori per Gazeten”Dielli”

Filed Under: ESSE Tagged With: Arianita, e bija e Petro dhe Safo Marko, Gezim Zilja

Nëse e ndërron Atdheun…

November 19, 2020 by dgreca

Nga Gezim ZILJA/

Në një shkrim para dy javësh botova shkrimin me titull: Do të duhet të presësh shumë o mërgimtar. Mërgimtari mu përgjigj me këtë pohim: Atdheu im është ai që më jep bukë, punë, liri, mundësi të rris e të shkolloj fëmijët e mi. Unë respektoj mendimin e këtij njeriu; që e do jetën dhe punon ndershmërisht për të rritur e edukuar fëmijët, por i qëndroj mendimit se kushdo që e ka një atdhe, ka detyrime ndaj tij, se ai nuk mund të harrohet e se me kalimin e kohës, malli për të kthehet në zjarr që djeg e përvëlon. Ka shumë mënyra për ta shprehur dashurinë për atdheun edhe kur je larg edhe kur je afër. Naim Frashëri me një shqipe të kulluar, ku nuk gjen një fjalë të huaj, 140 vjet më parë këndonte himnin e pavdekshëm të mallit e dashurisë për vendlindjen e shtrenjtë: Kur dëgjon zëthin e s’ëmës, qysh e le qengji kopenë/Blegërin dy a tri herë, edhe ikën e merr dhenë/ E nëse i presin rrugën e ta trembin njëzet a tridhjetë vetë/ Ai s’ndalet po ecën para si shigjetë… Mirëpo zemra e poetit që i këndon në mërgim atdheut, nuk bindet; ajo shkallmon kraharorin dhe fluturon larg me vargjet e magjishme: Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu tek jam mua/ Vjen me vrap e me dëshirë, atje ndër viset e tua. Shpërthen më tej Naimi ynë i madhërishëm, dhuratë e zotit për Shqipërinë e shqiptarët: Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar/ Zemrën ti ma gatove, plot me dëshirë e me zjarr. Ai përkulet plot nder e respekt, me një ndjesë do ta quaja naimjane sepse është unike, e papërsëritshme ( ne vetëm mund ta citojmë atë) dhe betohet: Shqipëri o mëma ime, ndonëse jam i mërguar/ Dashurinë tënde, kurrë zemra s’e ka harruar. Çfarë e shtynte Poetin Hyjnor, Mëndjendriturin e Rilindjes, të përkulej e betohej për Atdheun, kur ai gjeografikisht ekzistonte por zyrtarisht ishte Turqi? Retë e zeza të pushtuesit turk që pllakosën Shqipërinë nuk mund të mbysnin shpirtin e lirë të shqiptarëve.  I ndaluan të shkruanin shqip por nuk ia dolën dot të ndalonin kodin e besës dhe të nderit, që ishin nenet themelore, të pashkatërrueshme të kushtetutës së popullit shqiptar, gur themeli në ato troje. Qëndrueshmëria dhe papërkulshmëria tashmë do të shpreheshin, plot vendosmëri edhe në ruajtjen me çdo çmim të gjuhës amtare, të eposit të kreshnikëve e baladave, historisë së Skënderbeut, të riteve, zakoneve,  këngëve të trimërisë, të lindjeve e dasmave, vajeve e ninullave, të valleve, veshjeve, e gjithçka, që dallon një komb nga një tjetër.  Zjarri nuk ishte i madh por si ai prushi i vatrës nuk u shua kurrë deri ditën që shpërtheu si vullkan dhe solli shtetin e pavarur shqiptar. Te këto virtute të shqiptarit e ngjyeu penën De Rada, arbëreshi i famshëm, që i pari, pas një gjumi të thellë risolli në vemëndje të shqiptarëve Heroin Kombëtar Skënderbeun, aty e gjeti frymëzimin Naimi kur shpallte me penën-shpatë gjithë krenari e mllef: ” Bota që kur është zënë /Shqipëria gjallë ka qenë….” Shembulli i Rilindasve mahnit edhe sot, mjafton të lexosh krijimtarinë e tyre. Ata shkrinë jetën, pasurinë, diturinë e gjithçka kishin, derisa ia arritën, që shqiptarët të jetonin të lirë në Mëmëdheun e tyre. Si arritën ata të ndërgjegjësonin e të ngrinin me armë në dorë një popull analfabet pas katërqind viteve robëri?! U trete Gjonlekë u trete/ Tuke rënë asaj trumpete/ Sos u përpoqe për vete/ Por për gjithë vilajete. Dhe më tej: Pse lëfton a derëzi/ As për mua as për ti/ Po për gjithë Shqipëri, do të këndonte populli qysh më 1848. Tridhjetë vjet më vonë luftërat do të kulmonin me Lidhjen e Prizrenit dhe Evropa do të dëgjonte përsëri pushkën e shqiptarëve nga Preveza deri në Ulqin.  Përsëri populli do të përjetësonte luftën e shenjtë: Sef  Kosharja i pari i fisit/Hije t’paska maj’ e lisit/Hije m’paska o djelmt e mi/Kam dhanë shpirtin për Shqipni.  Ky popull do t’ia dalë edhe këtë herë megjithëse tashmë është pushtuar nga vetë shqiptarët. Një grup hajdutësh e renegatësh, që i shërbejnë parasë dhe dreqi e di se kujt tjetër, po e mbajnë peng Shqipërinë prej tridhjetë vitesh, duke  ndërruar karriget me njëri-tjetrin. Sa herë hipin në pushtet shpallin armiq pjesën tjetër, jo në pushtet. Ia kanë mbërritur që shqiptarët të ndarë, të zihen e të urrehen midis tyre për hir të partive nga nëpunësi i arsimuar e punëtori që gatuan llaç deri te fshatari që jeton me njëzet kokë dhi e një dynym tokë. Kjo ndarje lehtëson punën e sundimtarëve, prandaj e ushqejnë atë çdo ditë atë, duke etiketuar si tradhëtarë, armiq, kriminelë e hajdutë njëri-tjetrin. Duket sikur gjendja është pa shpresë po shqiptarët do të munden ta shporrin te keqen që i ka zënë. Ti mërgimtar thua: Atdheu im është ai që më jep mundësi të punoj, ushqehem, e të rrisë fëmijët. Po “bukë” hanë Larua e Balua, Pikalorja e Pikpiku e plot kafshë e shpendë, të buta e të egra. Madje është proverbiale mbrojtja, që i bën klloçka pushëverdhëve të saj dhe luanesha këlyshëve të vet. Po deri këtu. Më tej historia e njeriut dhe ajo njerëzore është krejt ndryshe nga ajo e gjallesave të tjera…. Dakord! Shko ha “bukë të bardhë” o shqiptar me diplomë, ndërroje dhe atdheun nëse kjo të bën të ndihesh më mirë! Po fshatin, qytetin ku ke lindur, malet, lisat e gjatë, fushat e gjëra me lule, bregoret bukuroshe, çukat, brigjet, kodrat, pyjet e gjelbëruar, lumenjtë, detet e liqenet  e Atdheut nuk i merr dot me vete. Ka ende miliona shqiptarë të vegjël e të mëdhenjë, në Shqipëri dhe jashtë saj, që e duan Atdheun, që na lanë të parët: se nënat që i lindën ishin shqiptare, se gjaku që u rrjedh ndër deje është gjak shqiptari, se në këtë tokë, janë varrosur baballarët, nënat, gjyshet e vëllezërit që u ikën para kohe. E duan Shqipërinë se është toka ku kanë lindur, se shkolla dhe mësuesit, që u mësuan gërmat e para ishin shqiptarë, se gjuha që flasin është shqipja,  se gjithçka që i rrethon e mirë ose e keqe është shqiptare. Ka ende shqiptarë të ndershëm, të pa lëkundur që luftojnë kundër korrupsionit, varfërisë e padrejtësisë. Ka të tjerë që jetojnë në dhe të huaj, por kurrë nuk e kanë harruar vendin e tyre dhe përpiqen për ta bërë më të begatë. Një ditë jo të largët, të mirët do të jenë më të shumtë e do ta rradhisin Shqipërinë  në kombet e qytetëruara evropiane. Fëmijët tanë meritojnë një jetë më të mirë, një atdhe më të denjë dhe këtë shqiptarët do ta bëjnë pa e ndërruar atë. Kjo do të ndodhë!

Filed Under: ESSE Tagged With: e ndërron Atdheun, Gezim Zilja, Nëse

Për kulturën dhe ringritjen shpirtërore …

February 10, 2020 by dgreca

Requiem për  vitin 1997/

Nga Gezim ZILJA/Po mbushen gati 23 vjet nga ngjarjet e vitit 1997, që nuk u zbardhën kurrë megjithëse dihet se vrasësit e ”shpëtimtarët” e Shqipërisë ishin të njëjtit njerëz. Pjesa më e madhe e shkaktarëve të trazirave vitit 1997 janë sërish në majat e pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik e vazhdojnë po atë gjuhë urrejtjeje dhe shkatërruese.

“Ju, ju e bëtë! Ju vodhët paratë e popullit. Ju jeni kriminelët dhe shkaktarët e atyre ngjarjeve. Ju i kthyet pushkën popullit. Ju veshët nënat me të zeza,” ulërin njëra palë, duke sjellë shëmbuj, fakte, e veprime të vërteta e të pavërteta të qeverisë dhe institucioneve të asaj kohe. 

“ Ju hapët depot e armëve dhe organizuat revolucionin e armatosur evgjito-fshatar sipas formulës komuniste të marrjes së pushtetit me dhunë. Ju dogjët bashkitë, shkollat e bibliotekat, sulmuat komisariatet, vratë policët dhe bashkëpunuat me bandat e kriminelët…” gjëmon pala tjetër duke sjellë më shumë fakte e shëmbuj të veprimeve të opozitës së atëherëshme të vërteta dhe të pavërteta. 

Të analizosh pas kaq shumë vitesh bardhezi, pa ndjerë pendesë e keqardhje, kur një shtet i gjithë u gjunjëzua, u shpartallua me gjithësej dhe u kthye në tokë të djegur nga bijtë e vet, kjo të ngjall jo vetëm trishtim por edhe një pesimizëm gati të pashërueshëm. Çaste çmendurie ka pasur në kohë dhe periudha të ndryshme edhe në popuj të tjerë, por pas stuhisë vijnë ditë të bukura e shndrit sërish dielli. Pas ngjarjeve të vitit ’97 populli shqiptar priste nga bijtë e vet drejtues, dënimin e dhunës dhe të njerëzve që e shkaktuan, sipas ligjeve dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Dënimi i nja dy-tre caushëve dhe xhepexhinjëve ishte i pamjaftueshëm dhe nuk e vendosi në vend drejtësinë. Qeveritë shqiptare, me klanin e miqtë në njërin krah dhe në tjetrin servilët e intrigantët iu vërsulën Shqipërisë, duke e vjedhur e plaçkitur e dalëngadalë u shkrinë duke u bënë njësh me trafikantët, hajdutët, vrasësit e antishqiptarët. Kjo ndodhi e do të ndodhë në një shoqëri të molepsur e të sëmurë, që nuk analizon kurrë veten e vet, rrugën nga vjen e ku shkon, që shkruan, rishkruan e falsifikon historinë  sipas interesave klanore e partiake, duke e zhytur thellë e më thellë në varfëri e padrejtësi vendin e shqiponjave. Sipas statistikave zyrtare të nxjerra nga Ministria e Rendit për periudhën 01.01.1997 – 15.07.1997 në shkallë vendi janë këto pasoja:

Të vrarë me dashje           875

Të plagosur me dashje      825

Të vrarë aksidentalisht     101

Të plagosur aksidentalisht  278

Policë të vrarë                    43

Policë të plagosur              201

Kush do t’i mbajë në ndërgjegje këta njerëz të vrarë si shkak i shpërbërjes së shtetit, në harkun kohor të gjashtë muajve? Si reaguan qeveritë e post ’97-ës për të vendosur drejtësinë? A kemi ne sot vrasës, zjarrvënës ose bashkëpunëtorë të tyre, në institucionet e larta shtetërore? Për djegien e Bashkisë së Vlorës dhe arkivit u arrestuan mbi 20 persona dhe u shpallën në kërkim shumë të tjerë, të filmuar e dokumentuar gjatë aktit. Të gjithë u liruan dhe disa prej tyre arritën të bëhen shefa policie, prefektë e ndonjëri ministër. Nuk dihet se ç’bëri me atë dosje voluminoze prokurori vlonjat E. H. që lëshoi fletë arrestet atë kohë.  

 Që një grup banditësh të quajtur heronjë  ( Zan Caushi, Albert Shyti, etj.) nga disa gazetarë, zunë faqet e para të revistave e gazetave shqiptare, grabitën bankat e morën njerëz peng në shkëmbim të parave e kuptoj. Po “nuk kuptoj” pse ata iu vërsulën, dogjën e shkatërruan arkivat e shtetit,  muzeumet, bibliotekat, shkollat, universitetet, teatrot, vendet ku ruhej trashëgimia kulturore, duke futur duarte tyre të ndyra deri te Memoriali i Skënderbeut, kur dihet që në ato vende nuk ka para? Atëherë kush i drejtoi andej dhe i pagoi ata? 

Në librin “Skaner 1997”, janë dy foto të pikturave me ngjyra në vaj-kanavacë, 120cmx80cm, të Ismail Qemalit, njëra e grisur me thikë në formën e kryqit dhe tjetra gjithë vrima plumbash. Shkatërrimi i bibliotekës së qytetit të Vlorës, grisja dhe vënia e zjarrit qindra e qindra volumeve, ia kalonte dhe skenave të inkuzicionit mesjetar. Vërtet nuk u hodh në turrën e zjarrit ndonjë Xhordano Bruno, por u dogjën e grisën veprat e qindra shkencëtarëve, shkrimtarëve e poetëve përfaqësues të kulturës botërore dhe shqiptare. Ishte sikur të digjje ata vetë. Ironia dhe poshtërsia shprehej po ato ditë, me gojën e buzët gjithë yndyrë arapashi, të një (jo i vetmi) prej përfaqësuesve të letërsisë shqiptare dhe analist i përditshëm në ekranet e sotme që shprehej më 06.04.1997: “… Kjo që po them ka vlerë për ata që nuk janë informuar së fundmi e nuk kuptojnë gjërësinë e raporteve tona me Vlorën, me këtë Bastijë të Shqipërisë, që na i bëri të prekshme idealet e lirisë, drejtësisë, barazisë e vëllazërimit…” Po të kemi parasysh se ndërkohë në Vlorë i kishin vënë zjarrin bashkisë, komisariatit, prokurorisë, bankës së shtetit, ishin hapur depot e reparteve ushtarake, armët e kriminelëve vrisnin çdo ditë njerëz të pafajshëm e varrmihësit atje në varreza punonin me orar të zgjatur, komenti është i tepërt. 

 A ishin gjithë këto rastësira? Turmat e përfaqësura nga segmente të gangsterëve të dalë nga burgjet dhe të tjerë të hurit e të litarit, të nxitura nga intelektualë të paguar, i vunë zjarrin Shqipërisë dhe u përpoqën të godisnin për vdekje kulturën e historinë shqiptare. Ishte e njëjta dorë ( e shfaqur dhe në vitet ’90-’91) që vepronte në të dy anët e kufirit, që nuk u pa dhe analizua asnjëherë nga organet e specializuara. Politikanët, gazetarët, filozofët, historianët, shkrimtarët e poetët që i hodhën benzinë zjarrit, u shërbyen lloj-lloj larove të huaj,  dhe vunë partinë para Shqipërisë, mirë do të ishte të ulnin daullet e trumpetat e luftës (ata kurrë nuk kërkojnë falje) e të mos shkruajnë e flasin me gjuhën e urrejtjes midis shqiptarëve, duke bërë patriotin e nacionalistin e thekur. Kjo gjuhë mund të jetë në favorin e tyre partiak, personal apo korrenteve të huaja ekstremiste, por kurrsesi në favor të drejtësisë, të përparimit e të ardhmes së popullit shqiptar. Ata duhet të ngjallin shpresën, besimin se ky vend meriton të shkojë përpara, duke i dhënë përparësi rilindjes shpirtërore e të mos shndërrohen si deri sot në vajtojca, (gra që paguhen për të vajtuar të vdekurit) duke bërë, që në shumë emisione televizive, të këndojnë kukuvajkat e korbat, që mbjellin pesimizmin, urrejtjen, kaosin, pasigurinë, duke përjetësuar sundimin e korruptuar të qeverive, për hir të një page mujore disamilionëshe. 

Filed Under: Politike Tagged With: Gezim Zilja

Lul Çapari Sipas epikës historike

May 9, 2017 by dgreca

1 Gezim Zilja ok
Nga Gezim Zilja/
Lul Çapari, ishte nga dera e famshme e Çaparenjve, të fshatit Luarat në kazanë e Margëllëçit. Si luftëtarë të tjerë çam, qysh në moshë të re, ka qenë në shërbim të Ali Pashë Tepelenës. Më vonë në vitin 1847 mori pjesë në ‘’Besëlidhjen Shqiptare’’.  Anëtarët e Besëlidhjes i dërguan një letër mbretit Oto të Greqisë për ndihmë, që me gjithë premtimet nuk mbërriti kurrë. Letra u firmos nga 89 krerë të Besëlidhjes, ku nga krahina e Çamërisë spikasin emrat e Lul Çaparit, Muhamet Abazit, Muho Pre(o)njos, Zahir Pronjos, Xhafer Demit, Ahmet Dinos, Muharrem Behlulit, Latif Elmazit, Xhate Selfos etj.
Kënga thotë: Shqipëtarët anembanë/u mblodh e fjalën dhanë/mbretit s’i japim nizamë/ të parë Çelo Picarë/… dhe pastaj gjithë me radhë/ Zenel Gjolekë Kuçjoti/ Hodo Ali nivicjoti, Fejzo Çikë i borshjoti,/ Spiro Stoja nga Labova/që kudo ia bënte fora/çorrajt më Foto Kopalë/Qeparoi Gjikë Thanasnë/edhe kapedan Sokratnë/Të gjithë trima me pallë/ bashkë me Lulë Çaparë/ erdhën e zunë Picarë/Te rrapi me dega tëndë/ Atje e bënë Kuvendë. Dhe më tej: Lumi i Vlorësë nëntëmijë/ Delvina me Çamërinë/Berati me Toskërinë.    
Pas dështimit të Lidhjes, Lul Çapari si shumë kryengritës të tjerë kalon në arrati. Turqit me dredhi e pabesi arritën të kapin një pjesë të madhe të udhëheqësve të kryengritjes së vitit 1848. Disa prej tyre i eliminuan fizikisht ose i mbyllën në burgjet e errëta të perandorisë; një pjesë tjetër e falën, duke i vënë nën armë, në luftën e zhvilluar kundër Greqisë dhe Mali të Zi.
Nga ndjekjet e shumta që iu bënë, çdo herë ai do të shpëtonte, duke luftuar, derisa rrethohet keq në fshatin e tij Luarat. Foli një zë kaha mali/Të iki Lule Çapari/Luli mori të rrëpjetë/iu mbush sharkëza me vesë/Vlleh e vllaha treqind vetë/Luli u kërkoj fushekë/ata klenë të pabesë. Në disa këngë ai thirret Lulo, Lule ose në trajtën e shquar Luleja. Ndoshta bëhet një paralelizmë midis emrit të tij dhe bukurisë fizike që e karakterizonte. Në vargjet e mëposhtëme të bëjnë përshtypje fjalë e shprehje të një bukurie të rrallë: Mirënata morfanjotë/ Keni vënt për mua sonte?
Lul Çapari me sa shihet ka arritur në muzg, sapo fillon të erret. Ai nuk thotë mirëmbrëma, shprehje e zakonshme kjo sot, por mirënata, pra mirë se u vjen nata ose t’u gjejë mirë nata! Dhe më tej: Ti moj plaka shenicjote/keni vend për mua sonte?/Bujrum Lul Aga zotrote/ kemi sonte dhe si sonte. Plaka shenicjote e pret me gjithë zemër ‘’Bujrëm’’, por fjalët ‘’kemi sonte dhe si sonte’’ ‘’përkthehen’’: kemi sot plot dhe gjithë ditët e tjera janë si kjo e sotmja. Ndërkaq Lul Çaparin, në ecejaket e tij të pafundme në fshatin e lindjes ku kishte gruan dhe fëmijët e spiunojnë. Në një situatë të tillë i duhet të marrë një vendim të shpejtë sepse vonesa do të ishte vdekja e tij. Ai veproi si gjithmonë pa iu trembur syri. Lul Çapari ia hipi diçit(kalë i bukur)/ çajti mal’ e Margëlliçit/Lulo me nishan në ballë/kur more turtje mejdanë/Njëqind e njëzetë të ranë/Njëqindenjëzetë fushekë/Bir o Lulo çi dogje vetë. Nga pas si gjithmonë e ndiqte miku i tij i ngushtë, trimi tjetër i Çamërisë Memet Kollovi. Lul Agai arriu e dolli/ pas e pas i ra Kollovi/Kollovi i Saqe Meçesë/pas e pas i ra Lulesë. Mirpo Luli i kishte lënë amanet gruan dhe fëmijët shokut të tij. Kur pa që po e ndiqte nga prapa e pyeti: Ç’i bëre djelt e Lulesë/Në shtëpi i lash të zestë/lumi i marrtë e zjarri i djektë/se u s’di ku kam krie’të. Në këto kushte Lul Çapari kthehet prapa dhe i dorëzohet komandantit turk Çollak Gegës, me kusht të linin të lirë gruan me fëmijët. Me të shkon dhe Haxhi Demi me shpresën se valiu i Janinës do t’i falë. U kthe Lulia e rreth i vunë /Në Janinë lidhur e shpunë/ Lulenë që s’trembej kurrë/Kur e panë morfaqotë/palë palë u vanë lot/ Në qafë të Belbestenit/i dha selam Haxhi Demit/Hajd’ or Haxhi Dem’ të vemi/se ftuar na ka sadrazemi/të mir’ a të keqe kemi? Thuhet se i çuan në Stamboll te Sulltani ku së bashku me Xhaferr Demin u zhdukën në mënyrë misterioze. Por këngët japin dhe një variant tjetër të vdekjes së tij, kur e dërguan në Janinë:  Lul Agai hip shkallatë/xhelati trois pallatë/… Në Janinë lidhur e shpunë/ Lulenë që s’trembej kurrë/ Mu ne portë e dervenit/ia prenë kokënë si demit.
 Në gjithë këngët epike hasim një qëndrim të ashpër për tradhëtinë e tradhëtarët,  qoftë dhe vendi i lindjes si në këtë rast. Ra mjegulla e zuri fshanë/ Atë fshanë Luaranë/Luarat këmbë mos mbetë/se zunë Lulinë e shkretë. Sigurisht që Luarati nuk u shua dhe këtë këngë Lul Çaparit, ia ngritën vetë luaratasit. Mallkimi ‘’Luarat këmb’ mos mbetë’’ ka të bëjë më shumë pendesën dhe keqardhjen, që nuk mundën ta shpëtonin dot birin e tyre. Është si ajo shprehja që përdoret edhe sot për një njeri të afërm që e kemi lënduar pa dashur:, që ka kuptim vetqortimi ‘’Më hëngërt  mortja!’’ ose ‘’Mu thaftë dora!’’.

Filed Under: Histori Tagged With: Epika historike, Gezim Zilja, Lul Çapari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT