Nga Gëzim Zilja/
Ne Foto:Godina ku u ngrit flamuri kombëtar./
Në Ankara, ku u ndodha ditë më parë me një grup audituesish të KLSH-së për shkëmbim eksperience, miqtë turq na çuan të vizitonim dhe Kompleksin Muzeal të Ataturkut ose thënë ndryshe, babait të krijimit të Turqisë së Re. Ishte një vepër moderne e shtrirë në disa hektarë tokë, e ndarë në disa pavione. Pasqyrohej aty lufta heroike e popullit turk për pavarësinë e Turqisë së re, reformat për një shtet të fuqishëm, ngritur mbi gërmadhat e perandorisë otomane. Është një Muze mahnitës, i kuruar deri në detaje, nga reliket e shumta, jeta private, nëna, babai, të afërmit, shokët e luftës dhe të pas-luftës, pamje madhështore të betejave luftarake, ku bijtë e Turqisë jepnin jetën për atdheun e shumë e shumë hollësi të tjera, që nxjerrin në dritë dhe e bëjnë të pavdekshme atë figurë historike. Sigurisht një ‘’ditë pune’’ tetë orëshe nuk mjafton ta vizitosh, por përshtypja dhe mbresat të mbeten për një kohë të gjatë në mendje. Mendon: ja vlen një jetë e tillë dhe si qytetar kujtohesh që edhe ti ke një atdhe, që ja vlen ta duash, ta respektosh, të punosh dhe të ndjehesh krenar për të. Sot nuk kërkohet të japësh jetën për Shqipërinë por është detyrë të jesh e të bëhesh më i mirë për të e shoqërinë shqiptare. Shëmbulli i Ataturkut dhe ai muze madhështor, të çojnë të mendosh për atdheun tënd dhe babanë e kombit, Ismail Qemalin. Mendja, duke vizituar Muzeun fluturon vetvetiu atje në Vlorën e Dashur, në një shtëpi tepër modeste dykatëshe, (flamuri nuk është ngritur këtu) në breg të detit, ku ndodhet muzeu i Babait të Kombit, themeluesit të Shqipërisë. Janë gjashtë dhoma gjithsej, që pasqyrojnë një luftë 500 vjeçare për liri e pavarësi të popullit shqiptar. Nuk është vendi të përmendim përpjekjet mbinjerëzore të popullit shqiptar kundër grekëve, serbëve e malazezëve për ta mbrojtur atë Shqipërizë, që njohën Fuqitë e Mëdha. Do të duheshin të paktën dyzetë pavione nga një për secilin firmëtar të Kartës së Pavarësisë, një dyzinë për ata që nuk firmosën me penë por me pushkë dhe disa të tjerë për heronjtë që dhanë jetën në mbrojtje të trojeve shqiptare. Më ka shkuar edhe më parë mendja, në një pyetje , në një shqetësim në një merak, në një të drejtë që kërkoj ta did he ta kërkoj me zë të lartë: Përse nuk ndërtohet një Muze që të pasqyrojë atë epope që përfundimisht çoi në Themelimin e Shtetit Shqiptar? Si fillim është e domosdoshme të ringrihet godina e vërtetë që sot nuk ekziston (foto 1), ku u ngrit flamuri dhe u vendos përkohësisht Qeveria e Parë Shqiptare me kryeministër Ismail Qemalin. Sa kushton kjo godinë trekatëshe e ndërtuar me gurë me gjithë anekset e saj? Nuk duhen shumë para, kjo është e sigurt, por më shumë dashuri e kujdes për veten, për figurat dhe historinë tone kombëtare.
Shikoni se ç’kanë bërë disa bijë të Vlorës, ata të sotmit, kanë ngritur një përbindësh betoni, atje ku mund të ngrihej e të sundonte Sheshin (foto 2) kompleksi Muzeal i Pavarësisë, ku të ndodhej edhe godina mëmë. Ndoshta do të gjendet aq tritol (mendimi im) që kjo godinë-qelbësirë që i ka zënë frymën Sheshit të Flamurit të hidhet në erë.
Një vit më pare, një grup patriotësh vlonjatë me shpenzimet e tyre, me nismën e vlonjatit e mirë, Bujar Leskaj, e çuan Ismail Qemalin në atdheun e munguar, në Kosovë. Shtatorja e tij e punuar nga skulptori Luan Mulliqi ngrihet madhështore në një nga sheshet e bukura të Prishtinës. Mos ndoshta duhet të përsëritet historia? Në gazetën ‘’Kombi’’ të vitit 1920 është një listë e gjatë, ku tregëtarët por edhe qytetarët vlonjatë, dhuruan shuma në Franga Ar, për Avni Rustemin para se ky të nisej për në Paris.
Jam dyshues, por prap dua të besoj se një Kompleks Muzeal ashtu si e kanë gjithë kombet e qytetëruara do të ngrihet një ditë. Monumenti i Pavarësisë, Lulishtja dhe Varri, ku prehen eshtrat e Ismail Beut, Monumenti i Ushtarit të Panjohur, Shtiza e Flamurit, janë aty. Duhet ngritur përballë pjesa që mungon por… duhet marrë leje te pronari i ri i ‘’Sheshit të Flamurit’’, ose ‘’Mister Çimentua’’, nëse ky ja ka haberin se ç’është Atdheu dhe historia e tij.
Një libër historie me teza te islamit radikal
Vështrim mbi librin “ Historia Osmane dhe Institucionet” të Prof. Dr. Mehmet Maksudoglu./
Nga Gezim ZILJA/
Vitet e fundit (2013) është hedhur në qarkullim libri i Prof.Dok. Mehmet Maksudoglu me titull “Historia Osmane dhe Institucionet”. Është një libër me 714 faqe, që ngjall interes sa i takon fakteve historike, i ndarë në tre pjesë dhe 17 kapituj. Pjesa e parë (1289-1453) pasqyron periudhën që nga themelimi i Devletit Osman dhe vazhdon deri në rënien (hapjen) e Kostandinopojës (Stambollit ) në vitin 1453. Pjesa e dytë (1453-1699) ka të bëjë me shtrirjen e Perandorisë (Devletit) Osman. Pjesa e tretë (1699-1922) është një studim i rënies graduale të perandorisë Osmane.
Pjesa e fundit merret me shtjellimin dhe përcaktimin e Institucioneve sociale si Vakëfi, Tarikati, Imaret, Kervansaraj, Hamami, Spitali, Arsimimi, Xhamia, Sibjan mektebi, Medreseja, Enderun. Pa pretendime të shumta si lexues do të ngre disa probleme lidhur me tezat argumentat dhe përfundimet e nxjerra në këtë libër.
Si një lexues i rregullt i librave historikë, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë dhe me historinë e Shqipërisë, dëshiroj të shpreh mendimet e mia lidhur me librin e profesorit turk, duke e ilustruar me kundërshëmbuj që lidhen kryesisht me pushtimin osman. Tezat kryesore që hedh autori shpesh janë kontradiktore, nuk përputhen me historinë e vërtetë të pushtimeve turke në Ballkan dhe Evropë dhe në disa raste ka interpretime të gabuara të fakteve historike. Do të ndalem vetëm në tri çështje që kanë të bëjnë me fakte dhe interpretimet e zotit Maksudoglu, të ngritura në libër që për mendimin tim nuk qëndrojnë madje janë tepër të diskutueshme sepse justifikojnë luftërat që zhvillohen për xhihad, si luftëra që janë porosi e Allahut.
1. Perandori Osmane apo Devleti i mrekullueshëm.
Autori që ë fillim bën një arsyetim lidhur me përdorimin e termit “Perandori Osmane‘‘. Nuk është dakord me këtë emërtim pasi sipas tij nuk ka qenë perandori dhe në dokumentat osmane, korrespondencat zyrtare, traktatet e librat e asaj kohe nuk është përdorur titulli „Imparatoryye-i Osmaniyye‘‘ por Devlet-i Sublim Osman dhe Devleti i Mrekullueshëm.
Mehmet Maksudoglu shkruan:
Largimi nga ky emërtim (perandoria osmane.Shen im.) i përveçëm gjithsesi do të nënkuptonte një vlerësim subjektiv dhe më e pakta shfaqjen e një qëndrimi jomiqësor… Veçanërisht termi perandori nuk është i përshtatshëm për të gjithë strukturën social-politike osmane… Si racizmi ashtu dhe nacionalizmi ishin të panjohur për strukturën osmane… M.Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet.faqe 31.
Nëse shikojmë shpjegimin e fjalës perandori si ‘‘një shtet i përbërë nga shumë kombe ku pushteti është i trashëgueshëm dhe në krye ka një tiran (Sulltan apo Perandor) që vendos mbi këdo dhe kudo me dorë të hekurt‘‘, në rastin e Sulltanit dhe qeverisjes së tij pavarësisht nga emërtimet, pushteti absulut i tij dhe trashëgimia e fronit e justifikojnë plotësisht emërtimin Perandori Osmane. Gjithsesi ndryshimi i emërtimit nuk e ndryshon thelbin e shtetit osman si pushtet absolut i një njeriu të vetëm.
Sa i përket racizmit që nuk paska ekzistuar në Devletin osman, vetë autori më shumë se një herë thekson në libër se të krishterët kishin taksa më të rënda se muslimanët dhe një karrierë në perandorinë osmane, në administratë apo ushtri ishte e pamundur nëse nuk ishe mysliman ose nuk konvertoheshe në të tillë.
Le t‘i referohemi Tursun Beut, shkrimtarit më të rëndësishëm turk të kohës së vet dhe kronikanit zyrtar të Sulltan Mehmetit të II, pushtuesit të Kostandinopojës, Ballkanit dhe të Shqipërisë. Si kronikan pothuaj në të gjitha ekspeditat pushtuese, ai përshkruan me hollësi ngjarjet. Pavarësisht nga disa teprime të justifikuara për kohën, për fushatën e dytë të Sulltan Muratit në Shqipëri ai shkruan:
Kurse arsyeja e kësaj fushate të dytë në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rrebelimi dhe arroganca. Dhe ajo çka për natyrë nuk zhduket dot nga peripecitë e jetës! Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit. … Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe i lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim në prani të sundimtarit u ekzekutuan me një të rënë të shpatës aq shumë të pafe sa qe e
pamundur të llogariteshin. Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjenë. (Kronikat e Tursun Beut, Bot shqip. fq.152).
Pesëqind vjet më vonë profesori turk shkruan se racizmi dhe nacionalizmi ishin të panjohur për strukturën osmane madje siç do ta shohim më poshtë shton “ se njerëzit nën devletin osman ishin të lumtur“.
Natyrisht Sulltani, krijoi një sistem të mençur, për të zgjatur sundimin, dhe shfrytëzoi popullsitë vendase, duke u dhënë privilegje një pkese të saj, por gjithmonë nën kontrollin ose vasalitetin e Portës së Lartë. Shëmbulli më tipik i shfrytëzimit dhe racizmit në këtë drejtim është ushtria jeniçere. Ata përbëheshin nga ajka e rinisë së Krishterë të të gjithë Ballkanit, që grabiteshin qysh fëmijë dhe edukoheshin në kushte të ashpra si ushtarë besnikë të sulltanit, të kthyer tashmë në myslimanë. Në të gjithë vendet e pushtuara qindra e mijëra gra rrëmbeheshin, kryesisht të krishtera, shiteshin e bliheshin duke mbushur haremet e Sulltanit dhe të komandantëve të Perandorisë. A nuk ishte kjo një skllavëri?
Në gjithë faqet e librit rreket të shpjegohet se Devleti Osman, (Perandoria Osmane) iu është nënshtruar mësimeve të Islamit dhe si i tillë është i pagabueshëm. Lidhur me këtë problem ai shkruan ‘‘… Nëse ata (të krishterët shën.im) nuk do të kishin qenë të lumtur, nën sundimin osman ata do të kishin ngritur në kryengritje kundër tij, duke tërhequr kështu vëmendjen nga zhvillimi i xhihadit kundër të krishterëve të tjerë. Kjo tregon që administrata osmane ishte e drejtë dhe tolerante ndaj dhimmive të saj dhe ne tani kemi dëshmi të mjaftueshme për ta pranuar si të vërtetë se ata parapëlqenin sundimin osman në vend të atij të krishterë. .. M.Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet fq.169‘‘
Në të vërtetë historia e pjesës së pushtuar të Europës dhe Ballkanit është mbushur plot luftra e kryengritje, ku mizoria turke është mëshiruar në thënien e urtë që e kanë të gjithë popujt e gadishullit: ku shkel turku nuk mbin bar.
Çdo kryengritje e çfardo natyre që ishte kundër Sulltanit mbytej me zjarr e me hekur. Nuk kishte mëshirë për kundërshtarin, kështjellat rrafshoheshin, kundërshtarëve u priteshin ose u nguleshin kokat në hunj dhe e u rrëmbehej gjithë pasuria. Në librin e tij “Memorie“, botuar në vitin 1510, Gjon Muzaka shkruan:
“Sulltani hyri në këtë pjesë të Epirit dhe zoti Gjin Muzaka, mbeti përkundruall Vlorës të siguronte vendin që quhej Muzeqe dhe vise të tjera. Jo shumë kohë më pas Murati s’la mjet pa kërkuar që të gjente një mënyrë që të merrte drejtimin e Shqipërisë e vijonte të gjente shkak të ndërhynte e të bënte inkursione të ndryshme: të plaçkiste ata, dmth Shqipërinë dhe çdo ditë rrëmbente nga një numër të madh robërish dhe i kthente në skllevër. Muzaka, Memorie. U shkrua në vitin 1510 dhe u zbulua për herë të parë nga historiani i shquar gjerman Karl Hopfi (1832-1873 në bibliotekën Brankaçiane të Napolit më 1863. Bot shqip fq.83
Nga botimi i Institutit të Historisë, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Lufta shqiptaro-turke e shek XV, viti 1967, fq. 109, citojmë pa koment:
Lufta e gjatë që u zhvillua midis shqiptarëve dhe turqve i shkaktuan Shqipërisë mjerime të mëdha. Masakrat në masë e pakësuan në një shkallë të konsiderueshme popullsinë. Një rrënim të plotë pësoi ekonomia e vendit. Veçanërisht ato krahina ku u zhvilluan luftime. Një përmbysje të madhe pësuan qytetet. Një pjesë etyre ishte braktisur qysh në fund të shek të XIV e në fillim të shek të XV, kur filluan sulmet turke. Të tjerë u rënuan kur ranë në duart e turqve popullsia e tyre u dëbua ose iku vetë për t‘i shpëtuar
skllavërisë.
2. Osmanët nuk ishin Pushtues.
Lidhur me pushtimet turke dhe luftërat e përgjakëshme që e shoqëruan atë autori shprehet:‘‘ Por Pushtimi nuk është i njejtë me Fet‘hin. Ndërkohë që pushtimi nënkupton nënështrim me dhunë, fet’hi i një vendi do të thotë fjalë për fjalë hapja e një vendi ndaj Islamit, jurisprudencës së tij (sheriatit) dhe vlerave, por pa i detyruar njerëzit në asnjë mënyrë të pranojnë Islamin. M.Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet Fq.36.
Ai shkon edhe më tej duke nxjerrë përfundimin e pasaktë:
Është e rëndësishme të theksojmë këtu se ushtria osmane ishte tepër e kujdesëshme për të mos i shkaktuar dëmtime të panevojshme popullit dhe pronës së tyre.. M. M. Historia Osmane dhe Institucionet.Fq.207
Dihet botërshit se ushtria osmane kishte dy shtylla mbështetëse: Islamin dhe plaçkitjen. Pas pushtimit të qyteteve pjesa më domethënëse për ushtrinë osmane ishte vjedhja, plaçkitja, dhe përvetësimi i pasurisë së popujve të mundur. Mjafton të lexohen kronikat e kohës lidhur me pushtimin e Kostandinopojës sesi u plaçkitën e u shkretuan ato vende, aq sa më vonë me urdhër të Sulltanit u organizua ripopullimi i saj ngaqë pjesa më e madhe e popullsisë u shkua nën tehun e shpatës ose u dëbua.
Profesori Maksudoglu gabon që në krye të herës ose për padituri ose qëllimisht. Nëse do të ishte ashtu si thotë ai, Devleti do të kishte një ushtri dishepujsh ose predikatorësh të fesë islame në trevat e banuara nga “të paudhët“ dhe “të pafetë“ siç quheshin padrejtësisht besimtarët e feve të tjera. Por në fillim ishte shpata, lufta, pushtimi ushtarak. Një shtet apo mbretëri pushtohej me forcën e ushtrisë së famshme osmane e njohur për ekzektimet, plaçkitjet dhe rrënimin e qyteteve. Po le të citojmë sërish kronikanin e famshëm, gjatë ekspeditave turke në Shqipëri:
Kronikat e Tursun Beut, faqe 149.
“Çdo çadër ishte mbushur me plaçkë të rrëmbyer. Atëherë u dha urdhëri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye në çdo vendqëndrim silleshin para sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatësfap-fap i ekzekutonin . I bënë kështu ata njerëz që aq të etur e të dëshiruar qenë pas vdekjes të shijonin verën e rrënimit që derdhej prej shpatës së shndritshme. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë katë mijë shtatë mijë nga të pafetë. Prej kufomave të shumta lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra. Prej gjakut të derdhur rrafshina të gjera tani ngjasonin si Amudarja (lumë në Persi. Shen.im) që rridhet.
A nuk është ky një pushtim me dhunë, ku gjaku i kundërshtarit rrjedh si lumë e luginat kthehen në kodra nga kufomat e të mundurve? Ç’kuptim ka fjala Fet’h ose hapje ndaj islamit, kur shpata dhe zjarri kanë shkatërruar gjithçka? Po le të shkojmë më tej. Citojmë:
“Nga perspektiva ekonomike pretendimi se shtrirja osmane drejt territoreve të tjera për të përfituar lëndën e parë për industrinë e tyre është i gabuar. Psh. Vajtja e tyre në Jemen nuk ishte për shkak të naftës por për t’i parandaluar fuqitë evropiane që t‘i afroheshin rajonit të Detit të Kuq dhe dy qyteteve të shenjta islame Mekës dhe Medinës. Me pak fjalë Devleti Osman nuk kishte për qëllim shfrytëzimin e popullsisë së territoreve të aneksuara prej tij. Në fakt tregëtia dhe industria ishin në duart e popujve jo myslimanë. M.Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet.fq31
Mund të ishte dhe ashtu si thotë historiani turk. Por dihet madje kjo pohohet disa herë në libër që tokat e pushtuara (hapje, fet’hi) shpalleshin prona të Devletit Osman, të Sulltanit dhe si sundimtar në to caktohej një ushtarak i lartë osman ose jo. Ai qeveriste si vasal i Sulltanit dhe duhet të paguante një shumë të madhe (haraç) në monedhat e kohës. Veç kësaj gjithë populli duhet t‘i paguante përfaqësuesit të Sulltani (spahiut) deri në pesëmbëdhjetë lloje taksash (haraç e xhelepe s’ka/ është vendi fukara/jetojmë me lakëra/ katër shtëpi me një ka, Këngë popullore e kohës së pushtimit osman.) dhe të nxirrte ushtarë çdo herë për fushatat e pafundme ushtarake të perandorisë.
Popullsia veç taksës që i shkonte direkt Sulltanit paguante taksa të tjera lokale. Në të gjithë perandorinë popujt e nënshtruar ishin të detyruar që në çdo luftë që zhvillonte sulltani të rekrutonin shpesh me forcë djem të rinj që linin kockat në territoret e pafundme të perandorisë në një luftë që nuk kishte kuptim për ta. ( O djema buzë burbuqe/Do vemi te Molla e Kuqe/Do na flasë yzbashi turçe/Moj Turqi a mbeç e shkretë/Qysh s’më le asnjë nga djemtë? Këngë nizamësh). Ku mund të flitet për lumturi e drejtësi të fshatarit shqiptar, bullgar, rumun, grek, serb nën sundimin osman? Mjafton të lexohet “Historia e Ballkanit‘‘ në vitet e sundimit osman të kujtdo autori, për të kuptuar absurditetin e këtij arsyetimi. Citojmë gjithashtu pa koment: Fan.S. Noli Vepra III, fq 295. Kritobuli (Critoboulos) nga Imbri (shek XV) Jeta e Mehmetit të II, Libri III, fq. 367,368
Atëherë Sulltani si përparoi më të tërë ushtrinë u derdh brenda vendit të tyre në kohën që gruri kishte filluar të lulëzonte duke i rënë anë e mabanë pjesës më të madhe të vendit prishi të mbjellat dhe mori me vete një plaçkë të madhe njerëzish dhe koesh të çdo lloji Pastaj shtiu në dorë kështjellat disa me sulm të tjerat me rrethim dhe i bëri rrafsh me tokën.Me një fjalë gjithë çgjeti në rrugën e tij e shkrtoi e grabiti e plaçkiti e rrënoi më së miri.
Bënë plaçkë shumë të madhe (rënia e kështjellës së Krujës) me skllevër burra gra e fëmijë me bagëti të çdo lloji shkurt me çdo lloj pasurie të tundëshme dhe të gjitha këto i zbritën poshtë në fushim.
3. Xhihadi si luftë e shenjtë e diktuar nga Allahu.
Teza e tretë, shumë e diskutueshme është, që lufta për xhihad (lufta e shënjtë) është një luftë e drejtë kudo dhe kurdo që ajo zhvillohet.
Autori shpjegon që është i natyrshëm dhe i drejtë pushtimi i tokave në Evropë pasi ato iu dedikuan qyteteve të shenjta të islamit. Ai shkruan:
Kur Tirjaki Hasan Pasha u rrethua në Kështjellën Kanixhe në vitin 1601nga Duka i Madh Ferdinand i Austrisë dhe nga një ushtri e madhe hungareze, komandanti i rrethuar i nxiti moralisht ushtarët e tij duke iu thënë: Kanixha dhe territori rrethues i saj janë kthyer në Vakëf, për qytetin e shenjtë Medine el-Munevvveres, që do të thotë se të ardhurat e përfituara nga ky vend do të shkonin për qytetin e Pejagamberit dhe se krijuesi nuk do të lejonte që kjo pjesë toke të binte në duart e jo besimtarëve. M.Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet. fq 48. Dhe më tej
Ekspasioni i osmanëve ishte domosdoshmëri e ‚‘besimit‘‘ ‚‘të qenët‘‘ një devlet që zbatonte Urdhëresat e shenjta mbi tokë.. Po aty. fq 195
Personalisht gjithçka e shkruar më sipër më ngjason mjaft me tezat e ekspasionit të fesë islame nga grupimet radikale në ditët e sotme. Meqënëse këto toka të Austro-Hungarisë, dhe shumë të tjera të pushtuara me luftë ishin toka shpallur vakëf nga Sulltani, ku jetonin njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me islamin, që nuk ishin të pafe (ishin të krishterë, shen.im), ishte e mjaftueshme sipas Maksudoglu-së që të derdhej gjak e të mos i merrnin tokat dhe qytetet ata, që jetonin në tokat e tyre. Dhe më tej:
Një luftë e zakonshme mund të bëhet për shkaqe territoresh apo tregëtie, hakmarrjeje apo lavdie ushtarake- “të gjitha këto të mira të përkohëshme të kësaj bote‘‘ Një luftë e tillë është e dënueshme. Por një luftë xhihadi ndërrmeret në kushte të rrepta të caktuara nga rregullat e islamit, dhe vetëm në emër të çështjes së Allahut.. Të gjitha motivet e tjera të ulëta përjashtohen rreptësisht. M.Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet. fq.206.
Dhe meqënëse Allahu është i pagabueshëm del që lufta për xhihad në kundërshtim me çdo luftë tjetër ishte (është) një luftë e drejtë. Po cili është këtu ndryshimi me tezat e myslimanëve radikalë sot për luftën e shenjtë dhe vendosjen e Shtetit të Kalifatit në të gjithë botën? Nëse flitet për luftë të shenjtë dhe pushtime në emër të zgjerimit të fesë islame, cilët popuj dhe shtete do të ishin ata që do të pranonin të pushtoheshin se pëlqejnë islamin?
Nëse libri do të shkruhej për historinë e perandorisë osmane nuk do të ishte ndonjë gjë e re. Por nëse tezat për pushtimet osmane si hapës (Fet’h) të fesë islame do të merreshin si një vullnet i Zotit, kjo jo vetëm nuk është e vërtetë por është një teori mjaft e rrezikshme. Asnjë kombi nuk mund t’i imponohesh me shpatë dhe ta konsiderosh “te pafe‘‘, thjesht se nuk është i fesë myslimane.
Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë dhe Çështja çame
Nga Gëzim Zilja/
Pak kohë më parë nëpërmjet shtypit u bëmë me dije se në Hollandë në fillim të tetorit u formua Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë me qendër në Hagë, Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh z. Lisien Bashkurti, kryetar biri i Çamërisë Festim Lato. KNÇ ka 50 anëtarë nga SHBA-ja dhe BE-ja, është organizëm ndërkombëtar, bazuar në eksperiencat juridike e diplomatike ndërkombëtare.
Më 7 nëntor nëpëmjet shtypit njoftohet se u themelua në Prishtinë, Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë për Kosovën dhe Luginën e Preshevës i përbërë nga 74 personalitete polititikë, akademikë, klerikë e mediatikë. Le të shpresojmë që gjithë këto të jenë të vërteta frytdhënësë dhe të ndihmojnë çamët të marrin pronat e tyre edhe pa u vënë në dijeni.
Në këto njoftime të bëjnë përshtypje dy teza që kundërshtojnë njera tjetrën:
E para KNSH-ja mer përsipër të zgjidhë problemin madhor çam me anë të ndërkombëtarizimit tw çështjes por pa pjesëmarrjen e faktorit të brendshëm dmth çamët e Shqipërisë dhe dy organizata që përfaqësojnë atë: PDIU-ja me deputetët e saj dhe Shoqata Atdhetare Çamëria, por thuhet në njoftim : ‘’… Faktorët politikë të brendshëm nuk janë pjesë e këtij organizimi, por janë të mirëpritur për bashkëpunim’’!?
Kjo organizatë me seli në Hagë me 50(pesëdhjetë) anëtarë nga SHBA-ja dhe BE-ja merr përsipër të ndërkombëtarizojë problemin por pa faktorin bazë, atë çam. Shumë e çuditshme kjo dhe e padëgjuar kurrë më parë. Po cilët qenkan këta europianë dhe amerikanë diplomatë, juristë, shkencëtarë, që nuk shkruajnë emrat, kur kjo organizatë është legale dhe aq më tepër do të punojnë falas?
E dyta: Me pjesëmarrjen e Sekretarit Organizativ themelohet në Prishtinë Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë për Kosovën dhe Luginën e Preshevës. Edhe si frazë kjo nuk ka kuptim në vetvete, por po përpiqem ta kuptojë. Pyetja është: Kur përjashtohet faktori çam në Shqipëri (ose të vijë po të dojë) si mund të ndihmojë Kosova me ballistët e vet dhe aktivistët e Preshevës çështjen çame, kur Kosova dhe Presheva kanë shumë probleme ende për të zgjidhur, e para për konsolidimin e shtetit të ri dhe e dyta për të drejtat si pakicë etnike në shtetin sërb? Pse kërkohet ndihmë në Prishtinë (nuk ka gjë të keqe) dhe nuk kërkohet edhe në Tiranë?
Kësaj i thonë miun se nxe vrima e do të marrë edhe fshesën me vete.
Do të ishte me vlerë të bëheshin të ditur ato 70 (shtatëdhjetë) personalitete të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës, që janë angazhuar në këtë problem madhor të paktën për t’i falënderuar. Në të dhënat e pasqyruara në Internet përmenden vetëm tre emra duke përfshirë edhe Kryetarin e Ballit Kombëtar të Kosovës Selman Berisha.
Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë si fillim po përgatit katër dosje për t’i paraqitur në Hagë dhe në DPA. Dosja e katërt ka të bëjë me kthimin e pronave çamëve të Çamërisë. Mund t’i japë pak ndihmë KNÇ-së.
Në vitin 2006 PDI(U) ka dorëzuar në Strasburg dosjen e mohimit të të drejtave të çamëve në shtetin grek. Në dhjetor 2008 në Komisionin e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut PDI(U) dorëzoi një dosje tjetër të çështjes çame. Në vitin 2009 PDI(U) u përfaqësua institucionalisht në DASH në ditën e genocidit dhe mohimit të të drejtave të njeriut në botë ku dorëzoi dhe një dosje për genocidin grek.
Në nëntor 2010 në SHBA shkojnë dy deputetë çamë Dashamir Tahiri dhe Shpëtim Idrizi me ftesë të DASH-it. Me këtë rast deputetët çam dorëzuan në Departamentin Amerikan të Shtetit një dosje dhe u siguruan, sipas atyre vetë, që kjo dosje do të shqyrtohet. Pra nëse KNÇ-ja po përpiqet për të hartuar dosje ato janë, ekzistojnë dhe janë dorëzuar në institucionet ndërkombëtare. Ndoshta dosjet e reja do të jenë më interesante dhe më të plota, por KNÇ-ja nuk ka pse e kap veshin e djathtë me dorën e majtë duke e kaluar pas kurrizit.
Vlen të theksohet se deputeti Dashamir Tahiri, ka kërkuar nga parlamenti shqiptar dy javë më parë zbatimin e detyrimve që rrjedhin nga Rezoluta për Çamërinë të aprovuar nga parlamenti shqiptar dhe futjen e Çështjes çame në Strategjinë e Sigurimit Kombëtar. Të dy problemet e mësipërme kanë të bëjnë edhe me ndërkombëtarizimin e problemit. Sygjerimi im është që KNÇ-ja nëse vërtet është aq serioze me aq shumë dijetarë, shkencëtarë, juristë, shqiptarë e të huaj e me zyra në Hagë (kush e paguan qiranë?) duhet të bashkërendisë punën me faktorin e brendshëm sidomos me elementin çam në Shqipëri. Sepse siç po shikohet, punët do të kryhen nga dy e tre herë dhe sërish thesi (problemi çam) do të jetë bosh si deri më sot.
10.11.2015
Bisedë me nënën time për demokracinë
Nga Gëzim Zilja/
Vajtëm dhjetë ditë që u mbytëm dhe uji e balta, e pluhuri ka pllakosur qytetin. Nuk ka njerëz të gjallë ky qytet, të vdekur janë të gjithë?
Nëna ime është në moshën 83 vjeçare dhe gëzon shëndet relativisht të mirë. Pjesën më të madhe të kohës e kalon duke parë në televizor sidomos lajmet. Nuk e ka dashur asnjëherë rregjimin e kaluar për shumë arsye, duke përfshirë edhe vuajtjet e familjes dhe të burrit të vet nga politika. Po dje ajo më befasoi.
-Mos u mërzit,- më tha. -Po disa gjëra këta të sor(t)mit nuk i kanë hiç mirë. Nuk them se Enver Hoxha ishte i mirë, po ja ca gjëra nuk ishin keq atëherë.
-Pa hë?- i thashë duke e përkëdhelur butësisht. – Cilat janë ato gjëra që ishin të mira.
– Po ti mos u mërzit a të keqen nëna. Po unë do t’i them se ashtu i mendoj.
Dhe ime më, qetë e qetë, pa inat, pa mllef, shtruar por me një brengë të madhe në shpirt filloi të rradhiste një e nga një ashtu si i vinin në mendje, të mirat që kishte ai rregjimi i mëparshëm:
-A të kujtohet ‘’Bar Lulishtja’’ atje te ‘’Sheshi i Flamurit’’, ku kishte muzikë dhe kërcente çdo darkë gjithë njerëzia dhe nuk i trazonte kush? Nuk ka më të tilla. Tani futen nëpër ca vrima nëpër pabe e pube, hotele e motele pinë hashash e drogë e therren me njeri-tjetrin.
-Mbushur me lulishte ishte Vlora, plot me limona e portokalle, kishte stola edhe për pleqtë. Rrugët i fshinin përditë, nuk kishte pocaqira si tani. Unë të keqen nëna nuk dal dot as te dera sot, se rrugët janë gjithë baltë e pellgaçe, i ke parë vetë ti.Nuk kishte ushqime fallco atëhere, se të fusnin në burg, tani një zot e di se çfarë hamë.
Por po të të hiqnin nga puna shkoje e ankoheshe te sindikata dhe nuk të linin pa sqaruar. Tre vjet ju bënë sat motre që e kanë hequr nga puna këta qenbirqensh, mbeti gjyqeve dhe hajde ta gjejë të drejtën. Tani na ka zënë rrugën një fshatar nga Lumi i Vlorës se ka bërë shtëpi e duhet t’i bijem rreth e qark për të shkuar në shtëpinë tonë. Kujt t’i ankohemi?
-Ç’u bë gjithë ai kombinat i konservave që prodhonte për ne e për jashtë shtetit? Pse e prishën dhe e vodhën? Me punën në kombinat unë dhe shoqet e mia rritëm nga një tufë fëmijë.
-Po kjo hataja e re që i ka gjetur njerëzit tani? Këta komshijtë tanë që nuk kanë lekë për bukë i futën në burg për ujin e dritat? Po qysh do i paguajnë lekët kur i fusin në burg? Se po nuk punuan…?
– Enveri një herë në kaq kohë dilte në televizor, këta ngelën natë e ditë duke dalë. Po punën kush ua bën këtyre se këta rrinë gjithë ditën duke llapur e sharë njeri-tjetrin. Është mbushur me policë por njerëzit nuk po gjejnë derman. I ke parë vet ti si vriten në mes të ditës sidomos këtu në Vlorë. Një polic, Zylfon, kishim ne në lagje dhe nga ‘’shtatë’’ u shkonte juve të gjithëve. Dhe një peligaç (shume i shkurtër, një pëllëmbë) ishte, po juve s’guxonit ama… Sa dilte ai në lagje, në shtëpi e mbanit frymën. Vija nga turni i dytë unë, nga puna në shtëpi po nuk të trazonte njeri. Tani gjetëm belanë edhe në mes të ditës se të marrin çantën e të heqin vëthët nga veshët. Mos o zot, kemi a s’kemi kohë e takat, po duhet të çojmë e t’i marrim kalamajtë nga shkolla me prindër. Nuk mbaj mend unë të shkonit në shkollë ju me prindër. Vetë shkonit e vet vinit madje edhe kur shkollën e kishit te ‘’Fabrika e Orizit’’.
– Vajtëm dhjetë ditë që u mbytëm dhe balta, uji e pluhuri ka pllakosur qytetin. Nuk ka njerëz të gjallë ky qytet, të vdekur janë të gjithë? Gjynah mor bir gjynah…
-E ku i kanë pasuritë Enver Hoxha me shokët e tij, se nuk po shoh gjë? Po këta të sor(t)mit që deri dje nuk kishin brekë në bythë, nuk kanë lënë gjë pa vjedhur për sojin e sorollopin e tyre, e janë bërë me vila,me toka, me nga katër e pesë shtëpi, me pyje e male. Po pasuri e popullit është ajo se nuk kanë ku vjedhin tjetër. Edhe detin po e vjedhin, e kanë bërë me gardhe a të keqen nëna se po e sheh vet me sytë e tu. Ne edhe atë copë tokë në ‘’Çole’’ të babait tim dhe atë në ‘’Kume’’ të babait tuaj nuk po e marrim dot se ua kanë zaptuar çamët e gorishjotët. Vajtët dhjetë vjet me gjyqe e dale pa, ku jemi.
– Më dëgjon ti mua apo po sheh në televizor se nuk të vjen mirë,- mu drejtua pastaj duke e ngritur pakëz zërin. –Po ja që mendja më shkon dhe ca gjëra si këto që të thashë nuk më pëlqejnë. Kam edhe një dhe e do mbyll se e shikoj që të mërzita,- më tha ajo plakë e mrekullueshme që ka punuar gjithë jetën dhe ka rritur jo vetëm neve por edhe një pjesë të fëmijëve tanë dhe kurrë nuk është ankuar dhe nuk ka bërë of e uf. Ngriti dorën, më drejtoi gishtin dhe më pa me ata sytë e saj të lodhur por gjithë dritë:
-Po ç’janë gjithë këta skafistë, hajdutë e bakabonë që kini futur në parlament… Po ju i njihni shumë mirë se me ta jini rritur dhe e dini sesi i kanë bërë paratë. Turp është, turp i madh… – Në majë të gjuhës e kisha përgjigjen t’i thoshja se ata nuk i kam vënë unë moj mama, se ashtu e kështu, por zoti më dha aq mendje sa të kafshoja gjuhën e të mos përgjigjesha menjëherë. Dikur i thashë: -Ke të drejtë mama, ke të drejtë, ne i vumë, unë me shokët e mi i kemi vënë-. Dhe ajo grua tetëdhjetëvjeçare aq e mirë, e dashur dhe e duruar mu përgjigj:
-Ah! Ju e keni bërë atë mut, ti me shokët e tu!? Atëherë i rrini sipër, se mirë e keni-. As mora mundimin ta sqaroja më.
– Çoje televizorin tani te ‘’Bidaiu’’ se më duket vajti ora dhe thuaji asaj çupës të na i lexojë se nuk shohim tani se jemi pleq-. Kështu u mbyll paqësisht biseda për demokracinë me time më, ndërkaq që në TV filloi filmi indian.
Beteja fallso e PDIU-së
Nga Gëzim ZILJA/
Kohët e fundit në skenën e ngatërruar dhe pa rregulla loje të politikës shqiptare doli sërish PDIU-ja e Idrizit. Nga takimet e mbidheshme dhe të nëndheshme me drejtuesit e dy partive kryesore PS dhe LSI, Partia për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, zhgrapsi dhe një kolltuk tjetër, atë të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, veç një morie drejtorash e nëpunësish të lartë të administratës shtetërore. Tani është në kërkim si thuhet lart e posht, të një kolltuku ministror. S’është çudi që dhe kjo të realizohet.
Asnjë nuk e di se çfarë ka biseduar Rama dhe Meta me Idrizin dhe sesi u pollën dy koqeve të mëdha dhe disa të vogla për PDIU-në. Sjellja e Ramës duke ofruar Idrizin në qeveri, bëhet për të pasur një siguri votash në rast të rritjes së mosmarrveshjeve PS-LSI. Nga ana tjetër Meta, duke e afruar Idrizin bën dhe ky lojën e tij duke dhënë të nënkuptohet se Idrizi është më afër LSI-së sesa PS-së. Hamendësime të tilla ka mjaft dhe Idrizi duke u ndjerë i përkëdhelur dhe me gjasa i rëndësishëm, ashtu si dhe kur qeveriste PD-ja, kërkon të gëlltisë thela të tjera në favor të grupeve ose klaneve afër tij. Në koalicionin me PD-në, ia hodhi paq duke u siguruar përkrahësve të vet poste të shumtë dhe të rëndësishëm, të cilat më vonë u konvertuan në vota në zgjedhjet lokale, por këtë herë në aleancë me kundërshtarin e dikurshëm.
Por sa ka përparuar, sa ka përfituar zgjidhja e problemit çam (njohja dhe kthimi i pronave të çamëve si pronarë të ligjshëm) nga gjithë këto ‘’fitore’’ dhe aleanca të PDIU-së ?
Në gjithë praktikën botërore madje dhe në vendet e pazhvilluara aleancat ose koalicionet për qeverisje të përbashkët bëhen me marrëveshje paraprake midis të dy palëve, ku nënshkruhet një dokument mbi të drejtat, detyrat, angazhimet, përfshirë dhe postet e çdo rangu. Ky dokument nënshkruhet ditën me diell dhe u bëhet i ditur të gjithë antarëve dhe drejtuesve të partisë në qendër dhe në bazë me të gjitha detyrimet që rrjedhin prej saj.
Një dokument të tillë partia e Idrizit nuk e ka nënshkruar as dje me PD-në dhe as sot me PS-në. Në këtë kontekst, duke qenë një marrëveshje e fshehtë midis dy personave, ‘’Më jep këtë, të jap atë’’ ajo nuk ka seriozitet dhe bie erë pazar.
Së dyti nëse PDIU-ja ka në themel të programit të vet zgjidhjen e problemit çam ajo para se të kërkojë kolltukë nga PS-ja, duhet të ushtrojë trysni mbi qeverinë të njohë problemin çam dhe tjetra shumë e rëndësishme, duke respektuar të gjitha kartat europiane të kërkojë nga qeveria shqiptare ngritjen e komisionit të përbashkët greko-shqiptar për të shqyrtuar problemin e pronave të çamëve të dëbuar me dhunë nga tokat e tyre. PDIU-ja nuk ka një marrëveshje të tillë bashkëpunimi, madje as me gojë nuk e ka zënë një gjë të tillë. Atëherë e theksoj se futja e PDIU-së në qeveri bie erë të keqe, madje kutërbon, duke e kthyer këtë çështje jetike për komunitetin çam në një Pazar për miqtë e shokët. Komuniteti çam, ata që duan dhe ëndërrojnë që një ditë të marrin pronat, tokat e gjyshërve dhe të baballarëve të tyre, duhet të kuptojnë se PDIU-ja tashmë është kthyer në një parti elektorale, ku postet qeveritare dhe të tjera privilegje që jep qënia në pushtet janë qëllimi i saj final. Komuniteti i respektuar çam duhet të rishikojë politikat dhe veprimet e veta që çojnë në zgjidhjen e problemit. PDIU-ja dhe lidershipi i saj me veprimet e tyre praktikisht janë jashtë problemit çam dhe po e përdorin komunitetin si fasadë për qëllime të tjera.