Nga Gëzim Zilja/
Ka një debat të çudtshëm këto ditë të pasqyruar në shtypin shqiptar për një kishëz në Dhërmi, e cila ligjërisht është ndërtim pa leje. Kjo kishëz u rrënua plotësisht gjatë shekujve dhe mbi të pas viteve 90-të është ndërtuar një si biçim ngrehine një katëshe me blloqe dhe e pasuvatuar, që shërbeka si vend ku falen dhërmijasit. Kjo kishëz-haur është ndërtuar mbi rrënojat e kishës së Shën Thanasit pa marrë leje nga askush, duke e konsideruar objekt kulti ku njerëzit e asaj ane shkojnë e falen. Nga qeveria shqiptare është menduar që kjo kishë të rindërtohet dhe të sillet në gjendjen që ka ka qenë qindra vjet më parë si një objekt kulti. Deri këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar përkundrazi. Po gjithmonë do të gjenden andej dhe këndej kufirit surratqenë dhe antishqiptarë që do ta bëjnë qimen tra dhe do të kërkojnë sherr atje ku nuk ka shkaqe për të ndodhur ndonjë gjë e pazakontë.Çudia në të vërtetë është kur kjo ngjarje e stisur merret ‘’seriozisht’’ nga qeveria greke që me anë të zëdhënësit të saj të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kostandinos Kutras, kërkonte sqarime nga qeveria shqiptare lidhur me këtë incident dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave greke. Reagimi i Ministrisë së Jashtme shqiptare ishte i menjëhershëm, duke e cilësuar deklaratën e zëdhënësit Kutras, të nxituar dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Ndërkaq filogrekët e Dhërmiut, po shprehin solidaritet të plotë për mbrojtjen e kishës-haur.
Por janë dy pika që nuk duhen anashkaluar në këtë mikro-betejë të stërpërsëritur dhe të shplarë me provokacione dhe mohim të drejtash.
E para: në Dhërmi ka njerëz të besimit ortodoks që falen si gjithë besimtaret në objektet e tyre të kultit por jo pakica greke e minoritarë. Në Dhërmi jetojnë shqiptarë njëzetekatër karatë dhe jo pakica greke. Shqiptarë të konvertuar në grekë për një pension apo një pjatë supë mund të gjesh edhe sot edhe nesër. Këta palo-njerëz ia kanë shitur shpirtin parasë (jo grekut) e nuk e kanë për gjë të krijojnë incidente e protesta false, mjafton të paguhen. Këta lapanjozë i sheh rëndom në raste të tilla duke bërë trimin e besimtarin e devotshëm, por të gjithë e dinë që ata përdoren nga qarqe shoviniste sa herë u nevojiten. Përdorimi i fjalëve ‘’të mbrohen të drejtat e pakicave’’, është një hile e vjetër greke, ashtu si dhe ato të tjerat me varreza ushtarësh imagjinarë, që mbushen me kocka të gjithfarëllojshme. Ky fakt nuk duhet t’i kishte shpëtuar zëdhënësit shqiptar të Ministrisë së Punëve të Jashtme që duhet të theksonte që në Dhërmi nuk ka pakica greke.
E dyta: është rasti të përmendim që në krahinën e Çamërisë gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve është bërë kërdia me varret e xhamitë e myslimanëve. Pa marrë leje, pa respektuar të vdekurit e të gjallët, varrezave çame u është vënë buldozeri për të hapur tokë të re, për ndërtime vilash, hotelesh, kurse xhamitë nuk duken më gjëkundi. Ministria e Jashtëme shqiptare është në dijeni por nuk është ndjerë me ato arsyet idjote që sot ta shpifin, se grekët po na mbajnë me bukë, se kemi atje gjysëm milioni refugjatë, se nuk është çasti për polemika e servilizma të tjera që të kallin krupën. Disa vjet më parë deputeti çam Dashamir Tahiri, foli për një fakt rëqethës. ‘’Në Volë’’ deklaroi ai ‘’ mbi një varrezë çame është ngritur një hotel, dhe fadromat i shpërndanë kockat gjithandej’’
A nuk do të ishte normale që të thirreshin të afërmit andej dhe këndej kufirit e të bëhej një transferim i kësaj varreze në një parcelë tjetër? Po objektet e kultit, xhamitë e çamëve të besimit mysliman pse janë rrafshuar? Nuk mund të ketë dy standarde në të drejtat dhe liritë njerëzore. Konventat ndërkombëtare e shprehin shumë qartë këtë gjë. Ndoshta ishte një rast i përshtatshëm për krerët e PDIU-së të bënin një deklaratë të paktën sa për të shplarë gojën. Por si duket krerët janë të zënë me kërkesat për një kompozim të ri të qeverisë Rama, ku çamët në pozicione ministrash e drejtuesish të japin kontributin e tyre shembullor si në qeverinë Berisha.
Analiza e munguar e PD-së
Nga Gëzim Zilja/
Lidershipi e PD-së foli në mbledhjen e grupit parlamentar duke bër një analizë të shkurtër të rezultatit të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Vështirë të kuptoje në thelb gjithçka që ai tha por u premtua se do të bëhej një analizë e hollësishme zë për zë aty nga vjeshta e parë, nga degët te gjethet, e le të shpresojmë deri te rrënjët. Në sallën e mbledhjeve ndërsa kryetari fliste, të pranishmit aspak entuziastë, shikonin sa në tavan, sa në celular e sa majtas-djathtas. Pyetja që shtrohet është: Si është e mundur që pas një humbje të tillë të bujshme gjithë ata deputetë nuk kishin asgjë për të thënë? Duket e pabesueshme por ja që ndodhi. Më tej po dihet. Skifterët e PD-së (pa sqep e kthetra) nga mbledhja do të shkojnë në bazë e do të kërkojnë llogari strukturave në qytet e fshat që pse humbët. Do të hiqet pa u pyetur ndonjë apo dy gjynafqarë që dergjen kutive të votimit qofshin dhe Kryetarë PD-je dhe do të zëvëndësohet me dy a tre të tjerë besnikë partie apo të njohur të deleguarit. Kështu u veprua pas zgjedhjeve të vitit 2013. Bëhen shpejt e shpejt ndonjë palë zgjedhje por gjithmonë ai që zgjidhet domosdo do të jetë i caktuar ose favorizuar nga i deleguari, pavarësisht se ai vet mund të jetë një dështak dhe humbës. Me kaq do të mbyllet historia sërish, kupola do të jetë e paprekur, ata që humbën në 2013 e 2015 do të kandidojnë sërish në 2017, për fitoren kundër ’’ klikës, bandave dhe oligarkëve në pushtet’’.
Nuk duan të kuptojnë se kemi 25 vjet demokraci, se njerëzit janë tejet të zhgënjyer me politikën në përgjithësi dhe demokratët me partinë e tyre. Mekanizmi që funksionon në PD, ashtu si dhe në partitë e tjera është shumë i thjeshtë. Sot komandoj unë me njerëzit e mi, nesër vjen rradha jote e do të komandosh ti me njerëzit e tu. Duket si një lojë e zakonshme ku partitë nuk ndeshen për shndërrime thelbësore për të cilat shoqëria shqiptare ka nevojë. Përndryshe çfarë të reje mund të sjellin një sërë ish ministrash e drejtuesish të lartë të PD? Është e qartë për ata që kanë mend më shumë se një peshk, se të paktën 50% e tyre, janë dështakë dhe servila. Nëse ata do të drejtojnë analizat në rrethe, teoria e tyre është ajo e gënjeshtrës dhe e mosmbajtjes së përgjegjësisë, sepse ata nuk dinë të bëjnë dot ndryshe. Nuk janë të besueshëm, nuk janë të qartë, nuk janë vizionarë dhe sigurisht nuk janë të sinqertë. Nuk bëhet analiza e humbjes duke sharë non stop 24 orë, për 24 orë maxhorancën me fjalët banda, armiq, kriminelë, hajdutë, oligarkë etj, etj. Opozita duhet të heq dorë nga fjalori banal i trashëguar deri tani, duke e konsideruar kundërshtarin politik armik e bandit e duke sharë me nënë e babë. Unë nuk besoj se gjithë drejtuesit e PS-së janë të tillë aq më shumë antarët e thjeshtë. Vend për kritika ka plot, por përdorimi vend e pa vend i sloganeve që përmenda më lart e që janë mbetje të ideologjisë komuniste vetëm shtojnë urrejtjen dhe hendekun e ndarjes midis shqiptarëve. Kjo kategori bashkë me përkrahësit e tyre presin të marrin pushtetin, duke sharë me gjithsej ata që janë në pushtet pa dhënë alternativë me njerëz e projekte për shndërrimin themelor që ka nevojë gjithë sistemi i organizimit të shoqërisë shqiptare. Ata thjesht presin rradhën të marrin pushtetin si rezultat i gabimeve të kundërshtarit. Për shembull: Sulmi i tyre ndaj LSI-së është i çuditshëm dhe jo i besueshëm. Është po ajo LSI, me po ata drejtues, me ato pikëpamje, me ato taktika e strategji të rekrutimit të njerëzve e drejtimit të ministrive, që qeverisi ‘’për bukuri’’ katër vje bashkë me demokratët. Po atëherë a nuk ishin banditë e kusarë ata? Këta lloj intelektualësh që gjenden me shumicë në të gjitha partitë mund të mbrojnë çdo parim, çdo teori, mjaft që të shërbejnë dhe të mbeten në politikë. Madje janë të gatshëm të ndryshojnë dhe rregullat e formulat matematike me lloj lloj sofizmash. Në se forca që ndryshon botën është DYSHIMI, kjo lloj specie (majtas dhe djathtas) vazhdon të gjej, e shpik argumente, duke humbur sensin kritik ndaj vetes, duke u bërë një b….lëpirës i lidershipit dhe i partisë, duke mos thënë asnjëherë të vërtetën. Tundimi për të mos thënë të vërtetën është përqafuar nga një aradhë analistësh e filozofësh partiakë që lëvrijnë penën në letër për para e favore. Tundimi për të mos thënë atë që mendojnë porse atë çka duket se drejtueve u pëlqen ( në të dy krahët) është buka e përditëshme e këtyre intelektualëve, megjithëse ka një hendek të madh midis asaj që ata thonë në publik e asaj që mendojnë realisht. Kjo është drama e të gjithë atyre intetektualëve politikanë e deputetë, që ndodheshin në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
Fjala analizë në PD është një term që i ka humbur kuptimi që kurse kjo parti u krijua. Në PD është bërë luftë klanesh, bërrylash, mashtrimesh me këdo që ka guxuar të konkurojë jo vetëm me lidershipin por edhe pa dijeninë e tij. Këtë e dinë mirë ata që kanë guxuar. Edhe në vitin 1997, kur ndodhi gjëma, PD-ja nuk bëri analizë e të mbante përgjegjësitë e veta, megjithëse u dogj e u shkretua Shqipëria. Edhe ca zëra që mendonin ndryshe për atë që ndodhi, u anatemuan e u quajtën karrigethyer, kollonë e pestë dhe spiunë. Fitorja e vitit 2005, erdhi më shumë si rezultat i zullumeve, hajdutërive e babëzive, të qeverisë së socialistëve sesa i besimit që kishte populli te PD-ja. Humbëm në 2013 dhe në demokraci pas tetë vitesh qeverisjeje, kjo është e zakonshme. Sigurisht u thanë shumë gjëra si po thuhen edhe sot po analizë nuk u bë. Me sa duket e njëjta taktikë do të përdoret edhe për 23 qershorin. Dhe këtu nuk është fjala për të kryqëzuar X-in apo Y-in. Analizat bëhen duke u mbështetut në statutin e partisë, me platforma të studiuara, me grupe pune, me njerëz të ditur e vizionarë, jo me delenxhinj e servila dhe jo ditë të premte për të shtunë. Lidershipit të ri që të bëje një analizë të vërtetë për ringritjen e PD-së ashtu si tha e premtoi në atë mbledhje i duhet të lëvizë malet, se eksperienca e këtyre 24 viteve është ajo e diktatit, dhe e mospranimit të gabimeve dhe fajeve. A do ta bëjë dot këtë kryetari i PD-së? Të presim e të shohim…
Edhe Tritani ka fituar
Nga Gëzim Zilja*/
Ndoshta nuk do ta kisha marrë kurrë mundimin të shkruaja një artikull lidhur me rezultatet e arritura nga Partia Demokratike në këto zgjedhje por është e pamundur të jem indiferent kur dëgjoj disa borizanë dhe daullexhinjë të PD-së t’u fryjnë burive e daulleve të fitores a thua njerëzit janë aq budallenjë, të mos kuptojnë se çfarë ka ngjarë. Pas kryetarit të grupit parlamentar, kryetarit të PD-së, një aradhe me keltistë e bogdanistë, që janë fitimtarë, del dhe një nga veteranët, nga njerëzit me të spikatur të PD-së, me merita të padiskutueshmë në përmbysjen e komunizmit, deputeti Tritan Shehu, të na mbush mendjen që ka fituar. Në një intervistë dhënë në TV një ditë më parë ai shprehet së është gjysëm i kënaqur ( i kënaqur fillimisht) për përfundimin në Gjirokastër dhe se atje PD-ja ka fituar me 1800 vota në raport me vitin 2011; se PD-ja po gatitet për betejat e ardhëshme e të tjera, e të tjera.
Një sërë analistësh me sofizma nga më të çuditëshmet rreken të na mbushin mëndjen se Halim Kosova paska fituar, se në krahasim me atë dhe këtë vit…, se ai është fituesi moral i zgjedhjeve madje ambasadori amerikan e lavdëroi fushatën e tij. Pra ai nuk paska humbur, megjithëse në fronin e bashkisë së Tiranës do të ulet Erion Veliaj. Ish kandidati i PD-së për Bashkinë e Vlorës deklaron: Nuk mund të them që jam i gëzuar por jam në paqe me veten për sprovën e parë… Sikur të kishte humbur në një ndeshje futbolli me shokët në Plazhin e Vjetër, por radhën tjetër do përpiqet të fitojë. Ky avaz i PD-së i përsëritur çdo herë që humbet zgjedhjet është i papranueshëm dhe po bëhet i neveritshëm. Gjithmonë nëse PD-ja humbet ne do të shohim përfaqësuesit e saj të deklarojnë se u kanë vjedhur votat, se bandat në pushtet kanë ushtruar terror mbi popullsinë madje del dhe ndonjë Pavël Korçagin e thotë se kjo bandë në pushtet nuk rrëzohet dot me votë, duke nënkuptuar metodat revolucionare. Asnjë nga ata që dalin në TV nuk kthen gishtin nga vetja e të thotë: Ne humbëm dhe do merremi seriozisht me të gjithë faktorët që çuan në humbje.
Po le të kthehemi te dukuria Tritan e të bëjmë një analizë sa lejon një artikull gazete.
Ti Tritan vjen nga rradha e luftëtarëve të vijës së parë, që me guxim e zgjuarsi ndihmuan në përmbysjen e komunizimit në Shqipëri. Për këtë populli do t’u të jetë mirënjohës ty dhe gjithë ‘’pardesyve të bardha’’ që krijuat Partinë Demokratike. Po ç’ndodhi më vonë me ty dhe shokët e tu? Kaluat nga biçikletat me kopertona të mballosur e komerdare vrima-vrima te
makinat luksoze. Nga apartamentet dhomë e guzhinë ku gatuhej në banjë,
shumë shpejt u bëtë jo me një por me disa apartamente, me vila e dashnore
(jo Tritani) shëtitën botën anembanë dhe u shkëputët nga njerëzit e hallet e tyre. Për ju pushteti dhe paratë kaluan në plan të parë.
Po e them që në fillim: me rrogë deputeti, presidenti apo ministri do shumë vite të blesh një apartament 100m2, e jo disa të tillë në mal e në det, për dy e katër vjet madje të mobiluar. Të kujtohet kur Frrok Çupi në vitin 1997 shkruante te gazeta ‘’Koha Jonë’’ se zonja jote lahej në vaskë floriri? Unë nuk e kam besuar dhe nuk e besoj edhe sot. Ti me Arben Imamin, Neritan Cekën, Genc Rulin, Genc Pollon, Dash Shehun, Eduart Selamin etj, u akuzuat rëndë nga lidershipi i PD-së në vitin 1997 si spiunë të sigurimit, si të korruptuar e shkaktarë të humbjes. U zemëruat dhe u larguat nga PD-ja. Shtypi pranë PD-së ju punoi qindin madje Genc Pollos që bëri parti të re, iu fut deri në dhomën e gjumit. Shumë menduan atëherë se ju ishit kundër dorës së hekurt të Njëshit, se po kërkonit më shumë demokraci në PD, se po kërkonit të votohej e garohej realisht, po kërkonit depolitizimin e policisë, ushtrisë e gjyqësorit, që njerëzit duhet të emëroheshin sipas meritave, të ishin të barabartë para ligjit, etj. etj. Po ç’ndodhi me disa nga ju luftëtarët e përmbysjes së madhe dhe shpresëdhënësit e atyre viteve? PD-ja vazhdoi të mpakej e të përjashtonte sisematikisht nga rradhët e saj ata që mendonin ndryshe sa i ‘’SHPORRI’’ pothuaj të gjithë. Në Partinë Demokratike ka mbi 15 vjet që nuk votohet ose votohet formalisht e vetëm emërohen njerëz që i njeh Njëshi apo Dyshi. Dhe më tej? Veç cicërimave e belbëzimave pati nga ju dhe të tillë që hapën depot e ushtrisë, u organizuan në komitete lufte dhe pasi çliruan Jugun iu drejtuan Tiranës për të vendosur demokracinë e vërtetë, për të rrëzuar ‘’malokun” se ndryshe ai nuk zbriste nga kali. Fjalori dhe etiketimet e tyre për kryetarin e PD-së asokohe ja kalojnë dhe fjalorit erotik të Edmond Tupjes. E ç’bëtë më tej? U kthyet përsëri në PD dhe mirë bëtë se ajo është shtëpia jonë e përbashkët. Por tashmë as të belbëzoje ndryshe nuk lejohej aty. U dhuruan kolltukë ministri, e deputeti dhe ju filluat të bënit zërin e parë në korin e qeverisë që dalëngadalë po mbushej me jesmenë e njerwz tw korruptuar. Të gjithë e kuptuan se atë që e pështytë e lëpitë dhe se nënteksti i lidershipit ishte i qartë: Ka kocka edhe për ju. Po u hedh ca juve dhe mos mjaullini me posht e përpjetë. Siguruat sërish makina, para, e qejfe që të jep pushteti por dëmi që i sollët demokracisë dhe aspiratave të viteve 90-të, është i pallogaritshëm. Ju dhatë shëmbullin më të keq se para idealit, para Shqipërisë tonë të dashur janë paratë e favoret e panumërta që të jep pushteti. Madje Selami, shpresa e demokratëve erdhi që nga Amerika e largët, u bë deputet dhe një zot e di se nga i digjet nuri. Nëse ju kështu e kuptoni demokracinë aferim, por nuk keni pse vazhdoni ende të na mbushni mëndjen se kemi fituar, kur në biseda me miqtë e shokët flisni krejt ndryshe. Unë e kam të qartë pse e bëni këtë. Doni që nga lista e artë e xhepit të lidershipit të ri apo të vjetër të shënohet sërish emri juaj në zgjedhjet e vitit 2017. Po ç’të hyn ne punë një karton deputeti para emrit të mirë? E sa për atë përse ne humbëm është e qartë si drita e diellit: Humbëm se u nisëm të fitonim po me ata njerëz, po me ato figura të korruptuara qw diskredituan PD-nw e që votuesit u dhanë dërmën në vitin 2013. Në Vlorë psh. kandidati i emëruar, u shoqërua jo rrallë, në rreshtin e parë, nga figura që tetë vjet rresht shitën vendet e punës, rryshfetxhinjë, kumarxhinjë, delenxhinjë, me precedentë penalë, madje edhe nga ata që kanë vjedhur arkën e PD-së. Edhe lista e këshilltarëve erdhi nga Tirana dhe kryetari i PD-së kërcënoi se do të jepte dorëheqjen se nuk kishte dijeni. Karta kryesore që duhej të luante PD-ja ishte ajo morale. Jo vetëm kandidatët por edhe gjithë stafet e tyre duhet të ishin me njerëz idealistë, të mençur, të ndershëm e të besueshëm. Dhe PD-ja ka të tillë me mijëra e mijëra. Unë i kuptoj keltistët, bogdanistët e lepurushistet, që kanë ardhur me lugë në brez në PD, si miq e mikesha të X-it apo Y-it, që përherë fitojnë, paçka se të tjerë branisen rrugëve e kutive të votimit. Por nuk të kuptoj ty dhe shokët e tu që e latë përgjysmë rrugën e nisur. Mardhënia e një politikani matet me kontributin e tij për mbrothësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ju u nisët për të bërë një Shqipëri si Europa por u mundët nga pushteti e paraja dhe ngritët një shtet të miqve, shokëve e servilave. E patë Shqipërinë si një lopë që duhet mjelë ( sa qumësht paska pasur e varfëra) dhe e molët fillimisht nga dera dhe sot nga penxherja. Ti Tritan dhe ne të gjithë nuk kemi fituar por kemi humbur e do të humbasim gjithmonë po nuk i pamë mardhëniet në raport me Shqipërinë e pastaj me xhepin tonë. Wshtw e pafalshme qw Shqipwria 25 vjet pas vendosjes sw demokracisw tw jetw 90% e kuqe. Nga viti ‘97 e këndej Partia Demokratike ka pasur deputetë e titullarw të dalë vetëm nga lista e lidershipit. Asnjë nuk është votuar nga forumet. Për derisa nuk do të krijohet klimë besimi e mirëkuptimi, përderisa nuk do të lejohet diskutimi i lirë e nuk do të krijohen kushte të garojë çdo demokrat që dëshiron, nga seksionet e lagjeve e deri në majë, dështimi i rradhës na pret. Mund të marrësh sërish ti dhe të tjerët një karton deputeti, por shiko çfarë shteti wshtw ndërtuar këta 25 vjet? Një karikaturë e demokracisë.
Këto sigurisht janë mendimet dhe bindjet e mia dhe kanë të bëjnë me raportet tuaja me politikën dhe nuk kanë të bëjë me atë që ju përfaqësoni në jetën private, jashtë politikës.
26.06.2015
* Falenderojme autorin qe e ndau kete analize per zgjedhjet ne Shqiperi me lexuesit e Diellit
QELBESIRAT
Ngjarje e jetuar/
Nga Gëzim Zilja/
Atë kohë isha deputet i Kuvendit Popullor dhe detyra më bënte të takoja mjaft njerëz, që më tregonin hallet e tyre dhe më bënin kërkesa nga më të thjeshtat deri te më të çuditshmet. Kërkesat ishin të njejtat: punësimi i gruas, djalit, nipit, padrejtësitë e gjykatave në dhënien e vendimeve, e rregjistrimit të pronave në hipotekë e gjithfarë padrejtësish të tjera të shoqërisë në atë tranzicion të pafundëm. Këto më shkaktonin një lodhje dhe trishtim të madh. Nuk kuptoj edhe sot nuk e kuptoj pse zyra e deputetit duhet të kthehej në një zyrë të mirfilltë pune dhe ankesash. Një ditë erdhi një miku im i vjetër i fëminisë, njeri i drejtë, i ndershëm dhe fare i pa ngatërruar në atë marramendje të shfrenuar, ku të gjithë rendnin, për mbijetesë, disa për favore e disa për para.
– Dalim jashtë-, më thotë. – Nuk mund ta bëj muhabetin në zyrë. Kam një hall të madh ku jam pleksur kot së koti.
Ngrita kokën dhe e pashë në fytyrë. Pashë dy sy të lodhur, ku trishtimi prej kohësh ishte ulur këmbëkryq.
– Dakord- iu përgjigja. – Hajde pas orës katër. Jam i mbytur në punë. Pimë një kafe dhe çmallemi se kemi kohë pa u parë.
Buzëqeshi hidhur dhe u largua duke më parë me sytë e ulur, që shprehnin haptazi mosbesim. Në orën katër e gjysëm kur po dilja nga godina e pashë poshtë shkallëve, duke pirë cigare. E thirra në emër dhe pas dhjetë minutash u gjendëm në një nga kafenetë pranë bregdetit.
Këmbyem disa fjalë ashtu kot më kot por duke kuptuar që e kishte të vështirë, hyra drejt në temë:
-Po hë-! i thashë duke qeshur më shumë për të shtensionuar situatën.
– Ma thuaj hallin që ke se ti nuk je nga ata që vjen kollaj për t’u ankuar nëpër zyra.
– Vallahi nuk di nga të filloj-, vazhdoi me sytë e ulur. Dukej qartë që halli ishte i madh.
-Filloje nga të duash. Të shikojmë se ç’mund të bëjmë me aq sa kemi në dorë.
– Mirë e ke ti po si t’ia filloj unë? Më ka pickuar gjarpri atje ku nuk thuhet. Më duket se në trup më qarkullon vetëm helm e jo gjak.
Prapë nuk i ngriti sytë dhe rrinte i menduar. Nuk i fola derisa ngriti kokën dhe mu drejtua:
– E mban mend nipin tim inxhinier, atë djalin e vëllait që më vdiq shpejt, e qysh fëmijë e mbaja pas vetes? Tani është bërë goxha burrë dhe ka ca kohë që është martuar. Nusen nuk e ka nga qyteti ynë. Ka mbaruar mesuesi dhe po përpiqeshim ta punësonim në ndonjë shkollë. Nuk të erdha se e di që është shumë e vështirë. Nuk doja të të të bija më qafë. Më thanë që drejtori është i ri por pa paguar diçka nën dorë nuk bëhet fjalë për punësim. Atëherë mora përsipër një rol që do e luaja për herë të parë në jetën time. Kisha ca para mënjanë të kursyera ashtu çika-çika ca nga rroga e ca nga ato që më dërgonin të afërmit në emigracion. Pa i thënë askujt, madje as gruas, duke dashur të ndihmojë nipin që ti e di, e kam pasur shumë për zemër, i shkova drejtorit të DAR-it në zyrë. Ishte një burrë rreth të dyzetave, i veshur bukur, në kostum e kollare, rruar parfumosur dhe energjik në dukje.
– Ju çfarë halli keni-? mu drejtua me një mirësjellje të shtirur.
Pasi iu prezantova hyra direkt në temë. I thashë:
– E di sesi janë këto punë dhe kam hequr mënjanë tre mijë euro, që nusja e nipit të punësohet në një nga shkollë, këtu në qytet. Por nëse duhen më shumë e bisedojmë sërish-, përfundova.
Mu duk se kisha hequr një mal nga kurrizi. Nuk e kuptova që më kishin mbuluar djersët. Kurrë në jetën time s’kisha dhënë e as kisha marrë ryshfet. Ata që më çuan atje ma kishin bërë të lehtë:
-Mjafton t’i tregosh paratë dhe halli yt merr fund. Mirpo pasi nxorra ato fjalë nuk isha më i sigurt dhe mendimet filluan të më ngatërroheshin.
Po të mos ishin të vërteta ato që thuheshin për të? Po sikur në një cast të më thoshte: Me kë flet ti kështu? Hajt qërohu i pa turp! Ose mund të më quante provokator, të thërriste policinë dhe të më denonconte. Po njeriu që kisha përballë nuk po ndihej fare. Në një çast shikimet tona u kryqëzuan. Sytë e akullt të atij njeriu po më vrojtonin gjithandej me një gjakftohtësi kriminale. Mu duk vetja si send që ai po e çmonte sesa vlente. Nuk më la të hapja gojën.
– Do ta rregullojmë xhaxha-, më tha. Mori disa të dhëna që i shkroi në bllokun e tij dhe mu drejtua sërish me ata sytë e thatë, pa kurrfarë lëngu: Brenda muajit do të të thërras vetë. Bisedojmë sërish-, e la muhabetin të hapur. Bëra sikur e harrova zarfin dhe u ngrita të ikja.
– Merri, ato merri-, më tha qetë-qetë. –Këtu do të jemi. Të mbarojmë punën njëherë.
Ato fjalë i kuptova që pagesën do ta bëja pasi të më më punësonte nusen e nipit.
– Jam në pritje-, i bëra me shenjë, duke i lënë të nënkuptonte që paratë mund t’i merte kur të donte.
U ndjeva i poshtëruar, i keqpërdorur por edhe i lehtësuar. Kisha bërë një pazar të pistë. Vërtetë do të paguaja por ama nusja e nipit do të punësohej për gjithë jetën. Nipit i thashë që brenda muajit nusja do të fillonte punë se po më ndihmonte një miku im deputet. Sigurisht nuk i tregova që punësimi kushtonte tremijë euro dhe ndoshta më shumë. Ti e njeh more mik, e mban mend nipin tim, sa i urtë dhe i drejt është. Vetëm më tha: Xhaxha nuk kam fjalë për të të falënderuar. Po bën më shumë sesa do të bënte im atë nëse do të ishte gjallë. Po edhe nusja po përgatitet për konkursin…
Vazhdova të ndiqja me vëmendje tregimin e tij që i dihej tashmë përfundimi: Kishte paguar paratë, ndoshta mund t’i kishte kërkuar edhe ndonjë mijëshe tjetër dhe nusja e nipit kishte filluar punë.
Nuk mu durua dhe i thashë:
– Po pse ke ardhur te mua or mik? Ti vetë i ke vajtur, vetë i ke dhënë paratë? Në këtë rast ligji u dënon të dyve pothuajse njëlloj.
Qemali qeshi hidhur, ma bëri me dorë që të kisha durim dhe vazhdoi.
– Kaloi një muaj e gjysëm dhe megjithëse i dhashë numrin e telefonit nuk më njoftoi për asgjë. Çdo ditë shikoja zarfin me eurot fringo të reja por telefoni nuk më ra. Një ditë si zakonisht në pritje të telefonatës së premtuar, duke pirë kafen e mëngjesit në klubin e lagjes dëgjoj pas krahëve të mi:
– I fortë paske qenë o Qemal, thëngjill i mbuluar. Po si ore e fute nusen e nipit në punë dhe ku, në mes të qyetit dhe nuk na the një fjalë. Tinëzar i madh paske qenë.
Nuk po kuptoja asgjë ç’po më thoshte, duke bërë të pakënaqurin.
-Çne-, i thashë. – Kam bër një bisedë me drejtorin e DAR-it por nuk kam marrë ende përgjigje .
-Ore leri ato se ata kanë qenë si shkollë edhe për eskursion andej nga bregdeti i Durrësit-, këmbëguli. U ndodha i papërgatitur nga fjalët që më ranë shumë rëndë.
-Ti këtë punë bën gjithmonë, llapaqen ke qenë gjithë jetën. Lere atë muhabet se pastaj zemërohem e nuk ndahemi mirë bashkë-. I fola më shumë për të dalë nga situata e sikletshme që më vunë fjalët e tij.
– Mirë ore mire, po pyet një herë se ti nuk e ditke fare që nusja e nipit ka filluar punë…
Fjalët e tij më kafshuan si ata qentë që nuk lehin fare, veç kur ndjen dhëmbët e futura në pulpën e këmbës dhe ulërin i tmerruar nga frika dhe dhimbja. Pastaj kërkon të shpëtosh dhe t’ía mbathësh sa më parë, duke u ulur instiktivisht për ta kapur një hu a një gur për ta trembur.
Nuk vajta në shtëpi derisa të mblidhja veten por si duket paskish qenë e vështirë. Dikur aty nga pasditja hyra në shtëpi. Gruaja me atë humorin e saj të veçantë, duke më parë të vrenjtur e të menduar, më thotë:
– E nga ka rënë shi që je bër qull se këtej nga ne diell ka bër gjithë kohën.
E pashë në sy por nuk mund t’i shmangesha.
–Ashtu më doli një punë por nuk ka lidhje me familjen tonë. Punë llafazanësh e pijanecësh,- u përpoqa ta kaloja gjendjen.
Ajo nuk foli më, e sigurt se si zakonisht do t’ia thosha nëse ishte një ndodhi që mund t’i interesonte. Tani pas një javë pa gjumë erdha te ti për të qarë hallin meqë merresh me politikë dhe të dëgjohet llafi.
– E ç’mund të bëj unë -? iu përgjegja krejt i papërgatitur.
– Nuk e di se ç’mund të bësh ti… Të kam shok dhe s’mund t’ia thosha njeriu tjetër prandaj mendova të ta tregoja ty. Tani më duket se kam hequr një të keqe të madhe nga shpirti. Sinqerisht ndjehem i lehtësuar.
– Po nipi di gjë-? më shpëtuan fjalët për të cilat u bëra pishman sa i nxorra nga goja.
– E ç’rëndësi ka? Pastaj ti e di që ai është njeri shumë i ndershëm, por i plogët. Ai mendon se e shoqja e meriton dhe ka fituar konkursin… Se… zhvillohen dhe konkurse e kupton ti? Unë e besoj atë që ka ngjarë. Logjika ime mund të gjejë shtigje sa të dojë për të shpëtuar nderin e nipit por instikti dhe vetëdija më bëjnë të jem fare i qartë. Ajo ka ndodhur. Në këmbim të një vendi pune, nusja e nipit ka ngritur këmbët përpjetë, me qejf apo e detyruar, këtë nuk e them dot. Pastaj llogje mund të bëjmë sa të duam. Prandaj nuk më telefonon ai bir kurve dhe nuk m’i kërkon paratë. Nuk di si janë takuar e si janë marrë vesh apo si e kanë bërë pazarin. Kisha dëgjuar plot nga këto histori me rryshfete e kurvërira, ca i kisha besuar e ca jo, por kur të ndodh te shtëpia tënde qënka e rëndë plumb. Të duket sikur bota fillon e rrotullohet krejt ndryshe e kurrë si më parë. Sytë iu rëmbushën nga lotët. Nga syri i djathtë i rrëshqiti si rruazë e tejdukshme një pikë loti që as u mundua ta fshijë.
-Mirë që po na marrin paratë por po na shkërdhejnë dhe nuset në këmbim të bukës së gojës!?
Nuk ishte rati i parë që dëgjoja palavira të tilla… Ndjeva një revoltë të brendshme dhe kuptova që në atë ngjarje isha i përfshirë, të paktën moralisht si përfaqësues i popullit. Pas dy dekadash në të ashtuquajturën demokraci, kjo farë e keqe ishte shtuar shumë. Metastazet e saj kanceroze po përhapeshin me shpejtësi në të gjitha strukturat drejtuese të shtetit.
Ashtu i inatosur dhe i revoltuar, mora në telefon sekretaren e kryeministrit.
– Jam Tanush T.-, thashë sekretares. Dua një takim urgjent me kryeministrin.
Pas pak nga ana tjetër më erdhi zëri miklues i sekretares së Kryeministrit, të cilën e njihja në rrethana pune.
- Kryeminstri ju pret në zyrë kurdo që të vini sot ose nesër. Kryeministri më priti menjëherë dhe më ofroi kafe.- Një raki më mirë por nuk di sesi do të qetësohem.- Më lidh me ministrin e arsimit menjëherë,- urdhëroi sekretaren e vet. Pa dhënë asnjë sqarim artikuloi këto fjalë.Ashtu u bë. E hoqën nga puna si drejtor të DAR-it, brenda ditës dhe e çuan në një shkollë, si mësues të thjeshtë. Gjeta një lloj ngushëllimi por ama, ai nxitim i Kryeministrit nuk më la shije të mirë edhe pse atë qelbësirë e qëruan nga puna.
- Gjashtë muaj më vonë u riemërua në po atë detyrë si drejtor i DAR-it të qytetit dhe vazhdoi të merrte rryshfete si më parë. Këtë herë shkova te ministri, i cili katër vjet kujdesej vetëm për tenderat, për festat dhe për prerje shiritash, kur inaugurohej apo meremetohej ndonjë shkollë e re.
- – Zoti ministër, X-i, drejtori i DAR-it në qytetin Y, të pushohet menjëherë nga puna. Të qërohet!
- I rashë fare shkurt. I fola qartë, shkoqur, ashpër. Më dëgjoi me vëmendje pa më ndërprerë, duke u nxirë në fytyrë, të paktën ashtu mu duk mua.
- – Apo do një raki-, shtoi – se ti e heq nga pak.
- – Nesër, nesër në mëngjes…
- Më thanë që keni riemëruar sërish në detyrë X-in- i fola ashpër. As mori mundimin të më sajdiste duke më thënë të paktën të ulesha në karrige siç bëri kryeministri gjashtë muaj më parë. Më hodhi një vështrim hetues mbi syzet prej miopi me skelet floriri dhe mu përgjigj:
- Po – , duke më parë tashmë në një mënyrë të tillë sikur të më thoshte: Kjo nuk është puna jote, ç’më çan kokën e më vjen në zyrë?
- E mban mend që e ke pushuar nga puna me urdhër të kryeministrit?
- Si nuk e mbaj?,- qeshi me ironi.
- E atëherë?
- E atëherë, e morëm sërish në punë se kishim nevojë për të.- E di kryeministri që ti e ke riemëruar në detyrë?- Jo nuk kam zoti ministër-, i thashë.
- Mu duk vetja si ai pushi i plepit që mbush rrugët dhe hendeqet e qyteteve në fillim pranvere, që endet në mënyrë kaotike sipas korrenteve dhe drejtimit të erërave, duke bezdisur orë e çast kalimtarët. Po më rëndonte pa masë kartoni i deputetit, që e kisha me vete. Nuk po kuptoja përse më duhej dhe për çfarë mund të më hynte në punë në të ardhmen…
- – Po ti si thua që unë emëroj titullarë pa dijeninë e tij? Gjë tjetër keni zoti deputet…? Kam një mal me punë…
- Doja t’i thoshja nuk mund të gjenit dot një burrë tjetër, por nga goja më dolën fjalë të tjera.
“Vëllai i pengut”, një libër i vlefshëm për të tria kohët
Nga Gëzim ZILJA/
Reshat Agaj ishte nga ata të paktët shqiptarë i viteve tridhjetë që pasi mbaroi studimet jashtë shtetit, u kthye në atdhe për të punuar e jetuar. Ishte një nga intelektualët e spikatur të asaj kohe jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me shkollën e kryer jashtë shtetit e diplomën e ekonomistit, ai ndoshta do të bënte një jetë si gjithë njerëzit e kësaj bote të lidhur fort me familjen dhe tokën që e lindi. Por nuk qe e thënë. Në fund të jetës së tij ai shkroi kujtimet e veta si një amanet për njerëzit e afërt dhe të fisit të tij. Për librin është shkruar edhe më parë dhe në këto shënime të mia nuk dua të përsërisë ato që janë thënë por dua të diskutoj për disa aspekte të tjera të veprës. Po të qe për gjithë sa shkruan Reshat Agaj, nuk do të mjaftonin dy-tri fletë A4, por sigurisht një libër tjetër, ndoshta me më shumë faqe se ai i Reshatit. Në shtator të vitit të kaluar, doli në qarkullim ribotimi i librit “Vëllai i pengut”, i shkruar nga Reshat Agaj, i plotësuar dhe me komente nga shkrimtarë e personalitete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këtë libër me kujtime që autori e quan “radhor” tregohet jeta e tij e kaluar në vuajtje e tortura të pabesueshme, thjesht se u ndodh apo ishte në anën tjetër të barrikadës jo në atë të komunistëve. Ashtu si shkruan ish-Kryeministri i qeverisë së parë demokratike pas diktaturës Aleksandër Meksi: “Fajet e tij ishin dashuria për atdheun, dashuria për liri dhe drejtësi shoqërore.” Ndërsa vetë Reshat Agaj për librin e vet shprehet: “I shkruaj kujtimet e jetës sime, jo se janë të rëndësishme për historinë se unë jam njeri i thjeshtë pa ndonjë pozitë politike të lartë, por sepse ato janë të rëndësishme për njerëzit e fisit tim që do të vijnë pas meje. Këtë radhor dhe të tjerë radhor ua lë kujtim fëmijëve të mi”. Tridhjetë e dy vjet pasi ka mbaruar së shkruari kujtimet e veta, vërejmë se ato kanë vlerë jo vetëm për pasardhësit e fisit të tij, por për gjithë shoqërinë shqiptare, për të shkuarën, për të sotmen dhe për të ardhmen. Ne duhet të njohim historinë tonë, ne duhet të dimë nga vijmë dhe ku shkojnë, ne duhet të kuptojmë se ajo luftë vëllavrasëse dhe regjimi komunist dyzetvjeçar, e përçau dhe u përpoq të ngrinte si kult urrejtjen ndaj njeriut, duhet të kuptojmë se urrejtja të çon drejt greminave, shkatërrimit e vdekjes dhe se vetëm me dashuri mund të ndërtohet e të ngrihet një shoqëri ku njerëzit të ndihen të barabartë para ligjit. Ky është një nga mesazhet më të fuqishme që jep Reshat Agaj në kujtimet e tij.
Jo pak është shkruar këto njëzetë vjet për atë periudhë sidomos nga një grup i madh njerëzish që provuan burgjet dhe tmerret e tjera të diktaturës. Ne i lexojmë dhe kuptojmë (dhe ky është një mesazh tjetër i autorit) se për të jetuar në një botë më të mirë njerëzit duhet të punojnë me këmbëngulje, ndershmëri, vetëmohim e duke sakrifikuar. Ndryshe e keqja e zezë mund ta pllakosë sërish shoqërinë shqiptare ose progresi drejt një bote më të mirë do të shënohet me hapa breshke.
Ndoshta pak nga idealistët dhe atdhetarët e asaj kohe e kuptuan që në fillim se komunizmi sllav në Shqipëri, do të shkaktonte aq gjakderdhje, vuajtje dhe varfëri. Kur ajka e shoqërisë shqiptare do ta quaja, ai grup intelektualësh dhe luftëtarësh e kuptoi se çfarë përfaqësonte në të vërtetë komunizmi, e panë veten në burgje, në internime apo para togës së pushkatimit. Ndoshta Reshat Agës kurrë nuk ia merrte mendja se shokët e tij me të cilët ishte rritur si Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu e Hysni Kapo do të shndërroheshin në kriminelë të atij kalibri sa të vrisnin pa iu dridhur qerpiku vëllezërit dhe të afërmit e tyre të pafajshëm në emër të idealit absurd komunist. Takimet e tij gjatë burgut me këta dy “shokë fëmijërie” janë të dhimbshme dhe tronditëse. Ja si thotë njeriu i mirë dhe patrioti Reshat Agaj në një takim me Mehmet Shehun shokun e dikurshëm të shkollës, që madje i kishte dedikuar edhe vargje ku shprehte dashurinë vëllazërore për Reshatin. Kjo ndodhte në vitin 1937. Dymbëdhjetë vjet më vonë Mehmet Shehu, tashmë njeri i rëndësishëm i diktaturës, takon autorin e librit në burg. Ka një dialog aty të riprodhuar me aq vërtetësi, ku del hapur humanizmi, trimëria dhe zgjuarsia e Reshat Agës dhe cinizmi, mashtrimi dhe padrejtësia kriminale e Mehmet Shehut. Zoti Agaj shkruan; Kur erdhi pranë meje (Mehmet Shehu. shën. im) që isha midis Xhelal Shaskës dhe Rrok Gerës u ndal, më njohu menjëherë dhe tha këto fjalë: “ E more Reshat, është mirë këtu ku je nashtinë? Ti deshe të sillje këtu, mua dhe miqtë e mi, por ne qemë më të zotët dhe të suallmë tyj këtu, bashkë me shokët e tu”. Unë i tretur dhe i rraskapitur u çudita kur dëgjova këto fjalë nga numri një i regjimit… E mora veten dhe i thashë: “Unë shoku Memet s’kam dashur të sjell asnjë njeri në burg e jo më tyj, që kemi qenë njëherë shokë të dashur.” Ky dialog me Mehmet Shehun dhe të tjerë me Kadri Hazbiun, tingëllojnë aq aktualë sot kur njerëz gjithfarësh ish-komunistë ish-sigurimsa dhe lloj-lloj qelbësirash, shkruajnë në shtyp e dalin në TV, duke dashur të rehabilitojnë këto figura gjakësorësh që vranë, izoluan e varfëruan popullin shqiptar për dyzet e pesë vjet me radhë. Reshati nuk pati fatin (vdiq më 1981) të shoh me sytë e vet si përfunduan udhëheqësit komunistë Shehu e Hazbiu. Ndoshta në ëndrrat e tij profetike Reshati ynë i dashur e ka parë fundin e tyre, edhe pse nuk na e thotë në kujtimet e veta.
Pas një endjeje të gjatë në perëndim dhe një eksperience të jashtëzakonshme Reshat Agaj, tashmë një burrë i pjekur, shkruan për komunizmin duke i bërë një analizë të shkëlqyer: “Që komunizmi është një sistem jete dhe një filozofi ekonomike që mbahet në këmbë vetëm me fuqinë e diktaturës dhe të shtypjes në çdo llojshmëri të shtetit komunist u provua katërcipërisht në këtë pasluftë. Ai s’ka asgjë të përbashkët me lirinë e individit dhe liritë që ai premton janë liri nën kërbaçin e partisë jo liri personale në kuptimin e gjerë të fjalës liri. Njeriu në këtë sistem është një vegël e pakuptimtë në makinën e madhe të partisë …” Por ai rrëfen e rrëfen dhe ne mësojmë jo vetëm për jetën e tij tragjike personale, por edhe për një brez të tërë njerëzish të shkëlqyer që diktatura internoi, burgosi, vrau madje i la dhe pa një varr. Me pak fjalë, por me një ngarkesë të madhe emocionale, z. Agaj na përshkruan fatin e intelektualëve që ndihmuan në tharjen e kënetës së Maliqit. Ai përmend disa nga ata që u dënuan në gjyqin e famshëm të Maliqit, veçanërisht figurën e inxhinier Kujtim Beqirit, diplomuar me Medalje të Artë në Vjenë, shokut dhe mikut të tij të ngushtë, qëndrimin e tij burrëror para bishave komuniste që e dënuan me varje në litar. Ja si përshkruan ai një ditë terrori në kënetën e Maliqit: “Aq i tmerrshëm ishte terrori i asaj dite saqë, kur e pashë veten në pasqyrë të dielën që erdhi, vura re se që nga mesi i ballit e deri prapa kokës një vijë e bardhë ishte formuar në flokët e kokës time. Këta flokë më ishin zbardhur në çast”
Kur lexon vuajtjet e të burgosurve që punonin në Kënetën e Maliqit, mendja të shkon te ferri. Pa shumë ngarkesa letrare, por me një gjuhë të rrjedhshme e të kuptueshme, me durim, deri në hollësi e me një vërtetësi që të çarmatos përshkruhet sesi rropateshin të burgosurit e pafajshëm në mes mushkonjave, shushunjave e morrave, nën kërbaçin e pushkët e policëve që në çdo çast nuk e kishin problem tua merrnin jetën me një plumb pas koke skllevërve të kënetës. Nëse ka një ferr, nëse ka pasur një Aushvic, Buhenvald e Treblinka ku njerëzit piqeshin në furra e mbyteshin në dhoma gazi, në Shqipëri ka pasur një kënetë Maliqi ( dhe jo vetëm kjo) ku njerëzit janë masakruar, janë varrosur të gjallë e të vdekur, në baltën e ujërat e ndenjura të asaj kënete. Faleminderit Reshat që nuk na lë të harrojmë se ç’është e çka bërë komunizmi shqiptar me ato që shkrove në atë radhorin tënd të çmuar.
Në kujtimet e Reshat Agës ne njihemi me një njeri të mirë patriot, të besës e të fjalës por edhe me një njeri të ndjeshëm të dashur që do e respekton familjen, fisin, vëllanë, gruan e fëmijën. Si një njeri i traditës shqiptare ai habitet dhe nuk është dakord me martesën e Leka Zogut me një grua të divorcuar e me fëmijë. Dhe i vjen keq. Por nga ana tjetër ngrihet deri në madhështi figura e gruas shqiptare. Ka disa gra të fisit të tij që ai përmend në librin e tij që të mahnitin me vlerat e sjelljet e tyre. Vetë gruaja e tij është një shembull i pabesueshëm I ndershmërisë dhe qëndresës. Vetëm njëzet e dy vjeçe, tremuajshe shtatzënë, pas arratisjes së burrit të vet ajo vuri shaminë e zezë në kokë, i vuri shpatullat familjes, rriti plot sakrifica dhe dinjitet vajzën e saj të vetme dhe nuk u martua kurrë. Pas 44-vjetësh, ajo “takoi” burrin e vet atje në SHBA, ku i vendosi një tufë lulesh mbi varr. Asnjëherë njeriu nuk e di sa i fortë është, do të thosha, derisa fati nuk e ka përballur me fatkeqësinë. Megjithatë, Reshat Agaj është optimist. Ja si shkruan ai që unë mendoj se është amaneti i tij i fundit: ”Unë besoj ngulmërisht, besoj në një ditë lirie për popullin e shumëvuajtur shqiptar dhe këtë besim të thellë ma kanë frymëzuar ëndrrat e mia të cilat unë i besoj thellësisht me tërë fuqinë e shpirtit të shumëvuajtur. Vetëm Zoti i jetës e di nëse unë do t’ia arrij kësaj dite ose jo”. Kjo të kujton një nga thëniet e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri: “Që do të bëhet Shqipëria unë e di, po a do të arrij unë i varfëri të shoh gjë”. Po Shqipëria do të shtoja unë, i zgjat pambarimisht punët e mira, e i bën aq ngadalë sa që një jetë njeriu nuk mjafton.
Së fundmi, dua të përmend punën e kujdesshme e të palodhur të bashkëshortëve Finlanda Agaj-Gjonzeneli, Teki Gjonzeneli dhe fëmijëve të tyre për të na i dhënë këto kujtime në formën e një guri të çmuar. Gjaku nuk humbet, soji është soj, më thoshte im atë dikur. Në këtë rast kjo thënie e tij vërtetohet plotësisht.(kortezi REPUBLIKA)
- « Previous Page
- 1
- …
- 14
- 15
- 16