• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Televizioni Boin është CNN-i i Malësisë dhe i Diasporës

June 9, 2022 by s p

Nga Gjekë Gjonlekaj/

Në verën e vitit 2000 një grup malësorësh shqiptarë udhëtuam nga New York-u për në Prishtinë, për të vizituar Kosovën tonë të lirë. Arritëm atje në Itakën tonë pas një çerek shekulli. Ishim dënuar nga pushteti i atëhershëm jugosllav, sepse kishim qënë aktiv në lëvizjen e shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për bashkimin kombëtar, edhe pse të gjitha aktivitetet tona kishin qënë në pajtueshmeri me Kushtetutën dhe ligjet amerikane. Ndërsa po kalonim me aeroplan nëpër qiellin e kaltërt të Dardanisë nga dritaret e aeroplanit po shikonim fushat dhe malet e bukura të asaj treve historike dhe legjendare.

Përveç qytetarëve të Kosovës, në Prishtinë kishin ardhur edhe një grup malësorësh nga Mali i Zi, midis të cilëve dalloheshin Tomë Bojaj dhe Luigj Berishaj të emisionit televiziv në gjuhën shqipe në Podgoricë për të marre pjesë në Panairin e Librit. Aty po merrja pjesë edhe unë me disa vepra të botuara anglisht dhe shqip në New York. Organizatorët e këtij Panairi e pritën mirë ndërmarrjen time botuese Gjonlekaj Publishin Company. Gjatë atyre ditëve në Prishtinë shumicën e kohës e kaluam me Tomën Bojaj dhe Luigjin Berishaj. Tomë Bojaj ishte njeri i veçantë. Ky djalë i ri të jepte përshtypjen e një profesionisti që aspironte punë të mëdha dhe të mira. Toma ishte shumë i matur dhe i ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare. Fliste ngadalë dhe nuk premtonte shumë. Kishte alergji ndaj fjalëve të mëdha e punëve të vogla. Ishte optimist në jetë, por ajo çka shkëlqente në sytë dhe fytyrën e tij ishin cilësitë e tij të mrekullueshe prej një patrioti të vërtetë. Fliste me pasion për historinë, kulturën dhe traditat tona, e veçanërisht ato të Malësisë së Madhe.

U miqësuam në Prishtinë, mbase ndikim të madh kishin idealet dhe profesionet tona të përbashkëta. Toma ishte elegant dhe çdo punë i kishte hije. Ishte shumë i brengosur lidhur me shtypjet dhe diskriminimet sërbo-malazeze ndaj malësorëve. Këto cilësi fisnike dhe patriotike e shtynë që një vit më vonë, pikërisht Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 2001 të themelonte Televizionin e pavarur në gjuhën shqipe.

Data të cilën e kishte caktuar për inagurimin e këtij televizioni tregonte më së miri kush ishte Tomë Bojaj. Këtij televizioni i dha emërin BOIN që ishte vendlindja e tij në Grudën historike të Malësisë së Madhe, ku kishin jetuar shumë familje të përmendura . Puna dhe përpjekjet për themelimin e këtij televizioni kishin qënë tepët të vështira, por Toma dhe bashkëshortja e tij Sandra Bojaj ia kishin vënë themelet e forta që për më shumë se dy dekada nuk e lëkundën asnjë herë stuhitë e ndryshme, bile as ato shoviniste. Ky televizion u themelua për qëllime të mira kombëtare dhe Zonja Bojaj meriton respekt gjithëkombëtarë sepse po e vazhdon amanetin e burrit të saj të ndjerë.

Tragjedia e tij personale sëmundja dhe më vonë vdekja kishin qënë katastrofë e papërshkrueshme për familjen e tij dhe për të gjithë malësorët në Malësi e në diasporë.Toma u përcoll me nderime të mëdha. Dom Nosh Gjolaj në një intervistë që u transmetua në TV BOIN e krahsoi Tomë Bojajn me burrat më të përmendur të Malësisë së Madhe. Në ato kohë të vështira dëgjoheshin përshpërima se ky televizion mund të ndërpriste transmetimet. Por shikuesit e rregullt të këtij televizioni i luteshin Zotit që të mos ndodhë një gjë e tillë.

Zonja Sandra Bojaj ishte para dy provave të mëdha e të vështira: jeta, edukimi dhe arsimi i katër fëmijëve të moshës tepër të re. Por edhe vazhdimi i Televizionit BOIN, që ishte amanet i burrit të saj.

Ajo mori dy përgjegjësi të mëdha në jetë, duke vazhduar kujdesin e gjithanshëm të fëmijëve dhe të Televizionit BOIN me nder e dinjitet. Qëndrimi i saj na kujton ato malësoret fisnike të shekullit të kaluar, të atyre malësoreve te mrekullueshme të cilat pas vdekjes së burrave ruanin shtëpinë, nderin e familjes dhe fisit. Ky rast i veçantë evokon një zonjë amerikane e cila mori përsipër vazhdimin e gazetës “The Washington Post” pas vdekjes tragjike të burrit të saj. Kjo grua e famshme amerikane quhej Katharine Graham e cila e menaxhoi këtë gazetë, duke hyrë në historinë e Amerikës për guximin dhe aftësitë e saj të veçanta në përparimin e gazetarisë. Ajo ishte gruaja e parë në Amerikë e cila kishte krijuar “Tryezën e Rrumbullakët”, për t’u ulur të gjithë njësoj. Zonja Katherine Graham vdiq në vitin 1991 dhe u përcoll për në amëshim me nderimet më të mëdha nga elita politike dhe intelektuale e Washingtonit, ku kishte marrë pjesë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara George H. Bush dhe dy ish-presidentë amerikanë.

Sot qytetërimi botëror e konsideron televizionin si fuqinë e katërt të shoqërisë njerëzore, ku bëjnë pjesë ekzektivi, legjislativi dhe gjyqësori. Televizioni BOIN shkëlqen si drita e diellit në ekranet televizive të Malësisë mbase edhe me shumë në diasporën e Amerikës dhe Evropës. Malësorët e Amerikës bile edhe ata që e kuptojnë mirë gjuhën angleze, përsëri qëndrojnë gjithë ditën dhe në mbrëmje deri vonë me këtë kanal të dashur. Qëndrojnë edhe më shumë ata që kanë nostalgji për vendlindjet e tyre. TV BOIN është një pasqyrë e vërtetë e Malësisë dhe Tuzit. Gazetarët dhe punëtorët teknikë janë të mrekullueshëm. Gazetaret e TV BOIN bisedojnë me popullin shumë të qeta dhe pa provokime. Edhe telespektatorët e diasporës ndihen mirë kur i shikojnë emisionet të cilat i drejtojnë ato. TV BOIN është shumë i kujdesshëm ndaj te varfërve, që tregon se janë edhe humanistë. Të gjitha këto veprime bëhen me sugjerimet e Drejtoreshës Ekzekutive Zonjës Sandra Bojaj dhe personelit të këtij televizioni. TV BOIN ishte iniciator për ndërtimin e gjithë atyre shtëpive për më të varfërit. Kameramanët Mark Ujkaj dhe Xhenan Dresheviq janë specialistë të xhirimeve më të bukura të ngjarjeve dhe natyrës piktoreske të maleve dhe fushave tona. Edhe këta meritojnë respekt njësoj si personeli i gazetarisë.

TV BOIN luan rol të shkëlqyeshëm në afirimin e të rinjëve dhe të rejave duke filluar nga shkollat fillore deri në shkollën e mesme të Tuzit. Ky emisin televiziv është shumë korrekt dhe i balancuar me instituconet fetare, qofshin ato të krishtera ose islame. Ata përciellin me shumë kujdes të gjitha aktivitetet kulturore, duke qënë të pranishëm në gëzime dhe hidhërime të mëdha. TV BOIN ishte pranë Tuzit dhe Malësië për kërkesat e tyre politike, sidomos për themelimin e Komunës së Tuzit. Ky televizon transmeton me përgjegjësi dhe përpikmëri të gjitha mbledhjet e Kuvendit të Tuzit dhe festat tjera të kësaj Perfekture shumë të re, duke qënë shumë objektiv kur është fjala për përparimet e medha gjatë këtyre viteve të fundit. Në këtë ekran ne shqiptarët e Malësië në diasporë e shohim vendlindjen tonë sikur t’i kishim në shuplakë të dorës. Kjo është meritë e kameramanëve dhe gazetarëve të cilët punojnë me mish e shpirt për dëshirën e popullit të Malësisë dhe diasporës. Shumica e bashkëvendasve tanë nga ato treva janë shumë të kënaqur me punën që bën TV BOIN.

Ky televizion ka bërë gjithë ato dokumentare filmike dhe reportazhe. Marrim si shembull reportazhin e fundit në lidhje me “Kullën e Çun Mulës dhe pasardhësve të tij. Ky reportazh zgjoi ndjenjat e respektit dhe dashurisë në diasporë për këtë familje heroike dhe fisnike, ku bën pjesë edhe autori i këtij shënimi. Te mos harrojmë vlerën e madhe të Arkivit të TV BOIN.

Për më shumë se dy dekada, e nuk kam dëgjuar dhe as nuk kam parë asnjë përpjekje ose thirrje serioze shoqërore për të ndihmuar vazhdimisht këtë emision televiziv. Është e vërtetë se disa individë kanë dhënë kontribute të dukshme për të mirën e këtij mediumi, por numri i tyre është i vogël. Kohët po ndryshojnë dhe ekonomia po stagnon, sidomos pas rritjes së çmimeve të karburantit dhe lëndëve tjera djegëse.

Automjetet të cilat duhet t’i vëjë në veprim TV BOIN kërkojnë shumë gaz dhe riparime dhe kjo gjëndje që filloi pas sulmit të Rusisë në Ukraian e përkeqësoi gjëndjen, sidomos ekonominë e cila varet tek nafta. Televizioni BOIN për ne në Amerikë është si një dritare, jep dritë dhe pa këtë dritare ne jemi në gjysëm errësirë. Tani është koha të mendojmë shoqërisht dhe sinqerisht për një mbështetje serioze dhe të qëndrueshme për një kohë të gjatë. Zonja Bojaj ka kaluar ditë të vështira sidomos pas vdekjes së burrit të saj, ngase disa njerëz të mbrapshtë të pabesë të Malësisë në bashkëpunim me oraganet antishqiptare e kanë kërcënuar shumë herë me gjoba dhe kërcënime të tjera shumë shqetësuese. Të gjithë e dimë se në të gjitha veprimtaritë serioze çështja financiare luan rol vendimtar. Dëgjohen fjalë të mira për Boinin.

Po një fjalë e urtë popullore thotë: “fjalët e mira dhe gurët në strajcë nuk ndihëmojnë gjë”. Dëgjoj fjalë të mira por siç duket ato janë gurë në strajcë e jo bukë në strajcë. Në Kosovë populli thotë: “është me të dhënme e jo me të thënme”. Sikur mijëra familje të jepnin vetëm 25 cent amrikane ( një quarter) në ditë TV BOIN do të shkëlqente. Ata do të kishin mundësi të dërgonin bashkëpunëtorë dhe korrespondentë në të gjitha shtetet ku jeton diaspora. Diaspora e Malësië në Amerikë dhe në Evropë mund të kontribojë qindra mijëra dollarë në vit. TV BOIN duhet të hapë një llogari rrjedhëse për depozitimin e mjeteve drejtëpërsëdrejti, mundësisht edhe ndonjë llogari tjetër elektronike moderne për grumbullimin e fondeve. Ashtu siç është nderuar Tomë Bojaj gjatë jetës dhe vdekjes, ashtu do të nderohet edhe Sandra Bojaj. Ajo sot është ndër gratë më të mëdha që ka dhënë Malësia dhe mund të krahasohet me gratë dhe bijat më fisnike ku bëjnë pjesë Tring Smalja e Grudës dhe Nore Kolja e Hotit.

Viti i parë i dekadës së tretë të këtij Televizioni duhet të jetë viti më i sukseshëm i mbështjes financiare. Në qoftë se ne e plotësojmë këtë mbështetje, atëherë edhe Televizioni BOIN do plotësojë dëshirat tona.

Im zot Noli do të kishte thënë mbahu Sander e mos ki frikë se ke vëllezrit në Amerikë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjek Gjonlekaj

DY VETORI I RËNIES HEROIKE TË KRISTJAN LEKËS

November 3, 2017 by dgreca

1 Kris Leka
Nga Gjek Gjonlekaj/New York/
Dy vjet më parë më 31 tetor natën e Halloween, humbi jetën tragjikisht në moshën 25-vjecare shqiptaro-amerikani Kristjan Leka. Në muzgun e asaj nate tragjike, Kristjan Leka kishte vajtur për të shoqëruar  motrën Fionën 10-vjeçare dhe të dashurën Gretën. Kishin  shkuar në Morris Park Avenue, ku organizimet e këtij festimi ishin më të përgatitura. Natyrisht se motra dhe e dashura  e tij ishin përgatitur për aktivitetet e këtij festimi shumë të njohur në shoqërinë amerikane.  Nata e Halloween është festë pagane shumë e vjetër, bile keltët qysh në kohët antike  kishin filluar të parët të kremtojnë këtë natë që për qytetërimin e sotëm mund quhen ndonjëherë qesharake. Në malësitë tona shqiptare “dita e halloween” quhej “dita e koreve”. Ato karnevale ishin shumë të ngjajshme me ditën e halloween të Amerikës. Atje nuk jepte kush dhurata siç bëjnë në Amerikë. Në ato lojëra nuk kishte shtriga, por në vend të tyre kishte  burra të veshur për hukubet, bile disa nga ata dukeshin si majmuna. Lojrat e tyre shumë herë ishin qesharake por disa herë edhe banale. Këtu në Amerikë këto ceremoni pagane shumë herë janë shoqëruar  me incidente e tragjedi. Kështu ndodhi edhe me  Kristjan Lekën. Ata ishin përgatitur për çaste të gëzuara por sa filluan aktivitetet e atij argëtimi nje veturë që kishte humbur kontrollin total, kishte dalur nga rruga dhe ishte përplasur në anën tjetër në trotuar ku po kalonin Kristjani,Fiona e vogël dhe Greta. Pas pak sekondash kjo rrufe do të shpërthente në tragjedi. Ndjenjat e tij supërhumane e çuan Kristjanin drjetë fill në vdekje, duke shpëtuar  kështu motrën e të dashurën. Ungjilli i Ri thotë se nuk ka vepër më të madhe se të japësh jetën për të shpëtuar dikë tjetër. Fundi i jetës së Kristjanit ishte shumë i ngjajshëm me fundin e jetës së Shëlbuesit, emërin e të cilit e mbante me shume krenari.  Fionën dhe Gretën  i largoi nga vdekja,por ai vet u godit nga ajo veturë si të kishte qënë shkëmbë meteori. Kristjani e pau vdekjen e tij me sy por nuk iu shmang vetëm për të shpëtuar motrën dhe të dashurën. Shoferi vuante nga epilepsia dhe nuk kishte marrë ilaçe ato ditë. Pasi kishte goditur Kristjanin, vetura u vërsul kundër 65-vjecarit Louis Perez dhe mesës së tij Nyanna Aquill. Gjyshi dhe mesa u goditën për vdekje. Edhe ata dhanë shpirt në vend. Louis Perez ishte dalluar në Luftën e Vietnamit  dhe mbante titullin hero.
Për rënjen tragjike të Kristjan Lekës  dhe Louis Perez e Nayanna Aquill njoftuan me shpejtësi rrufeje të gjitha kanalet radio-televizive të Shteteve të Bashkuara. Shkuan atje korrespondetët më të njohur të Amerikës për të dhane lajme nga vendi ku ndodhi ajo tragjedi. Të gjitha kanalet e fillonin emisionin me këtë ngjarje tragjike dhe heroike. Aty për aty Kristjan Lekën e quanin hero, duke treguar për origjiën e tij kombetare. Heroizmi i tij u nderua me shumë dhimbje e lot nga qytetarët amerikanë e shqiptarë. Njrerëzit e kishin parë me sy aktin e tij heroik. New Yorku e përjetoi rëndë këtë tragjedi. U komentua nga autoritetet më të larta të këtij qyteti. Bile edhe gazetat e mëdha siç është “The New York Times” dhe “The Wall Street Journal” e cilësuan rënjen tragjike të Kristjan Lekës si një akt të përkryer heroik. E nderuan me fjalët më të bukura të gjuhës anglishte. Gaztarët amerikanë njoftonin me lot në sy për këtë hero që kishte lindur në Bushat afër Shkodrës.
Familja Leka imigroi në Shtetet e Bashkuara 20 vjet më parë. Kristjani pasi kishte mbaruar shkollën e mesme  kishte filluar punën në një ndërmrrje të madhe transportime madhërash. Atje bënte fitime të mëdha dhe ishte shumë i lumtur në punë. Shokët dhe shoqet e punës e nderonin sepse ishte shumë i dashur dhe bujar. Perëndia i kishe dhënë nje hijeshi të jashtzakonshme. Kristjani  adhuronte të gjitha sportet. Ai kishte pamjen e një aktori. Prindërit e tij Martini dhe Landa tregojnë shumë për sjelljet e tij të shkëlqyeshme në familje. Ishte tëpër i dashur me vëllaun Aldo dhe motrën Fiona. Kristjani nuk kursente asgjë për familje. Në një rast tregon Martini, isha në përgtitje e sipër për një vizitë në Shqipëri. Kur e mori vesh se do të qëndroj atje disa  javë më ofroi 25 mijë dollarë nga kursimet e tij për të meremetuar shtëpinë ku kishte lindur në Bushat. Respekti i shqiptarëve dhe i amerikanëve shihet edhe sot pas dy vjetësh.
Në  2 vjetorin e rënjes së tij shkuan shumë shokë dhe shoqe tij për ta parë atë vënd tragjik ku kishte humbur jetën Kristjani. Bile në një prej atyre lokaleve organizuan një mbrëmje përkujtimore. Në vendin ku humbi jetën është vendosur një pllakë  përkujtimore. Këtë nderim e realizoi asambleisti Mark Gjonaj. Ky politikan i mirënjohur shqiptaro-amerikan është treguar shumë i kujdesshëm ndaj familjes së Kristjan Lekës. Me rastin e dy-vjetorit të rënjes së Kristjanit vizituam këtë familje ende shumë e tronditur. Ishin shumë të pikëlluar për djalin e tyre. E qanin me lot njësoj si para dy vjetësh.
Gazeta “The Wall Street Journal” shkruante dy vjet më parë se në Washington D.C do të ndërtohet një memorial ku do të gdhënden  emërat e të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për shpëtimin e të tjerëve. Në këtë monument do të gdhëndet me germa të arta edhe emëri i Kristjan Lekës. Kjo mund të quhet njëra prej veprave më heroike të shqiptarëve të Amerikës. Për Kristjan Lekën janë shkruar e kënduar shumë këngë nga shqiptarë  dhe amerikanë. Këngën “Kristjan Leka-Nderi i Kombit ” e këndoi artisti i mirënjohur Frederik Noci. Edhe rapsodët shqiptarë kënduan për këtë hero të diasporës shqiptare të Amerikës. Këtu shquhet rapsodi Gjovalin Shani për vargjet e tij të dhimbshëm dhe me shumë emocione.
Ky kalorës që ishte si yll drite meriton nderimet më të larta të kombit shqiptar. Trima të tillë nuk ka shumë shoqëria njereëzore. Për trima si Kristjan Leka janë bërë vepra të mëdha poetike dhe artistike qysh në kohërat biblike. Gazetat më të mëdha të Amerikës I dhanë titullin shumë të merituar ‘Kristjan Leka is an Albanian-American hero”. Varri ku pushon Kristjan Leka në përjetësi në “Gates of Haven” duhet të vizitohet dhe të nderohet nga shqiptarët e Amerikës dhe ata që vijnë këtu nga trojet shqiptare. Krstjan Leka meriton nderimet më të larta të kombit shqiptar. Ai është nderi i kombit.

Filed Under: Opinion Tagged With: DY VETORI I RËNIES HEROIKE, Gjek Gjonlekaj, TË KRISTJAN LEKËS

SHQIPTARI QË KALOI OQEANIN ATLANTIK DHJETËRA HERË PËR MORTE NË VENDLINDJEN E TIJ

June 10, 2015 by dgreca

Nga Gjekë Gjonlekaj/New York/
Dyert e shpërnguljeve biblike të shqiptarëve nga Mal i Zi u hapën në fund të viteve 60’ dhe qysh atëherë e sot nuk u mbyllën kurrë. Lamtumira(goodbye) vendlindjes është akt trishtues,sidomos për gra e burra në moshë të shtyrë. Prindërit tonë relativisht të moshuar nuk erdhën në Amrikë për një jetë më të mirë, dhe jo se jo për t’u pasuruar,por për të mos u ndarë nga njerëzit e tyre më të dashur.Kjo periudhë mërgimesh të mëdha meriton studime dhe analiza të shumta nga ekspertët e shoqërisë shqiptare. Rrugët e shpernguljeve nuk ishtin të shtruara me lule,por me lot e dhimbje të mëdha. Historia e mërgimit ishte ndonjëherë edhe tragjike. E tillë kishte qënë për familjen e Kolë Mirit të Hotit. Dy djemtë e Kolës dhe nusja e djalit të madh kishin emigruar nga vendlindja në vitin 1971,dhe ishin vendosur në Itali. Gjatë pritjes për emigrim ata ishin vizituar shumë herë nga të dashurit e tyre. Nëna e tyre Djellushë Lekja i kishte vizituar 9 herë brenda një viti,ngase ajo e përjetonte rëndë mungesën e tyre.Para nisjes së tyre për në Shtetet e Bashkuara,prindërit kishin shkuar në Romë për t’u thënë udhën e mbarë. Pasi kjo bijë fisnike e shtëpise së përmendur të Zek Nikut të Kojës ishte përqafuar e përshëndetur me djemtë e saj aty në vend i kishte rënë pika në zëmër dhe një ditë vonë kishte dhënë shpirt në spitalin e Romës,në moshën 43-vjecare. Ndërsa ata kishin arritur në New York ,nëna e tyre qëndronte e vdekur në morgun e Romës në pritje për t’u kthyer në Hot të Malësisë. Përsëri Kolë Miri “mes dy zjarresh”,do të kishte kënduar rapsodi shqiptar Sali Mani. Kola kishte mbetur qyqe vetëm në rruget e Romës. Për vdekjen e gruas së tij kishte njoftuar menjëherë kushririn e tij besnik Patër Daniel Gjecaj. Ky meshtar françeskan shqiptar shumë i nderuar i kishte qëndrua pranë deri atë ditë që Kola dhe gruaja e tij e vdekur ishin nisur për në vendlindje. Kolë Mirit kjo vdekje i kishte shkaktuar çrregullime që nuk i kishte paramenduar kurrë. Njëra nga ato ishte vendimi për t’u larguar njëherë e përgjithëmonë nga Malësia. Kola nuk e kishte imagjinuar asnjëherë largimin nga ajo tokë.Por pas vdekjes së gruas kishin ndryshuar planet e tij familjare.Nuk shihte rrugë tjetër përveçë bashkimit familjar.Një vit më vonë, së bashku me 4 fëmijet e tij, imigroi në Shtetet e Bashkuara. Ashtu siç e kishin traditë ata punuan ditë e natë dhe pas disa vjetësh u rregulluan shumë mirë në pikëpamje ekonomike. Kolë Miri gëzonte respekt të madhe tek malësorët shqiptarë dhe emëri i tij ishte garanci për shumë suksese të familjes dhe shoqërisë. Ai bënte fushata për ngritjen e qëndrave fetare dhe shoqërore në New York dhë në Detroit. Merrte pjesë aktive në mbledhje e ceremoni të ndryshme dhe vepronte si një misionar për paqë e marrëveshje midis malësorëve kudo. Kolë Miri dhe Mark Miri kishin një të kaluar të lavdishme sepse ishin kryqëzuar në “Kalvarin e Hotit” nga bandat kriminale komuniste të Toger Babës dhe Bajo Stankut. Marku dhe Kola kishin pësuar mundimet e Krishtit për të shpëtuar kapiten Gjelosh Luli nga mizoritë barbare staliniste. Për qëndresën e tyre legjendare flitet sot e kësaj dite. Kolë Miri ishte tepër i sinqertë dhe modest. Ai ishte natyrisht i zgjuar,fliste nga përvoja dhe përjetimet personale. Nuk kishte prirje për dukje as për krye të vendit.Ai ishte natyrisht i mirë dhe besnik. Per mortin e tij para 23 vjetësh me rastin e vdekjes e kisha shkruar se besa e Kolë Mirit ishte më e fortë se Mali i Veleçikut. Për çudi, Kola i kishte mësuar përmendësh lagjet e New Yorkut ku jetonin malësorët. Nuk lexonte dhe nuk shkruante por në aparatin e tij të kujtesës ishin fotografuar pikat kryesore te orientimit.Kur i mbushej mendja Kolës për vizita nuk bente lutje e duva për ndihmë ,por merrte shkopin dhe nisej tek miqtë dhe dashamirët e tij. Pavarësisht se nuk ishte i shkolluar Kolë Miri ishte malësori shqiptar më i nderuar në këtë vend. Merrte pjeë në dhimbjet e mëdha shoqërore,sidomos në morte qofshin ato në Shtetet e Bashkuara ose në Malësi, Prej vitit 1975 e deri në vitin 1990,Kolë Miri kishte kaluar Atlantikun, vajtje e ardhje mbase 100 herë, të gjitha për morte në vendlindjen e tij.Ai mbante titullin e kampionit për udhëtime të kësaj natyre. Asnjë shqiptar ose amerikanë,bile as ndonjë i huaj tjetër nuk mund të ketë bërë aq shumë udhëtime për vdekje jashtë Amerikës. Shumë herë malësorët pyesnin pse nuk po e mbyllim këtë ceremoni cka po presim? Dikush atje më largë përgjigjej po presim Kolë Mirin nga Amerika.Gjatë këtyre udhëtimve Kola kishte përjetuar episode të ndryshme,ngase nuk fliste asnjë gjuhë tjetër përveç gjuhës shqipe. Në një rast në Londër e kishte humbur lidhjen e aeroplanit për New York. Dhe për këtë autoritetet e aeroportit kishin sjellur një përkthyes nga gjuha shqipe në sërbisht,por Kola nuk merrte vesh sërbisht. Pas pak ata kishin prurë një përkthyes shqiptar,por as atë nuk e kuptonte sepse perkthyesi fliste dialektin tosknisht. Mosha e shtyrë dhe vështirësit e komunikimit kishin qënë pëngesë e madhe gjatë këtyre udhëtimeve.Para Luftës së Dytë Botërore,Kola kishte jetuar në Shqipëri në Hot të Ri në Shtoj të Mbishkodrës. Kishte jetuar atje një çerek shekulli me vëllezër e motra.Ai ruante kujtime të mrekullueshme nga jeta në Shqipëri. Kolë Miri tregonte shumë për Shqipërinë e asaj kohe. Kishte parë e takuar personalitete të larta të shoqërisë shqiptare. Ai e kishte pëlqyer shumë kohën e Zogut. Pavarësisht se nuk merrte pjesë në mbledhje partish politike,Kola ishte zogist i vërtetë. Në vitin 1944 ishte kthyer përgjithëmonë në vendlindjen e tij në Traboin të Hotit në Mal të Zi, ku jetoi deri në vitin 1973. Kolë Miri vdiq me 21 Maj te vitit 1992 në moshën 82-vjecare. Gjatë kohës në spital e kisha vizituar disa herë,duke i thënë fjalë të mira e kurajo se do të bënte më mirë,por ato ditë nuk ishte aspak optimist. Nje ditë më vonë vdiq në Spitalin Lawrence në Bronxville të New Yorkut,në qytetin ku kishin jetuar shumë familje të njohura amerikane,midis tyre edhe Familja Kennedy. Nderimet dhe ceremonitë mortore u bënë për dy ditë me radhë në Memorial Day Weekend. Për Kolë Mirin si për asnjë shqiptar tjetër ishin bërë tri ceremoni mortore. Një në New York, një në Hot të Ri në Shtoj të Mbishkodrës në Shqipëri tek nipat dhe mesat e tij ku kishte jetuar 25 vjet dhe nderimet më të fundit dhe varrimi ishin bërë në Vuksanlekaj të Hotit në Mal të Zi. Historianët amerikanë thonë se për Abraham Lincolnin ishin bërë ceremoni mortore në disa qytete të Amerikës para se të bëhej varrimi në vendlindjen e tij në Illinois.Misioni i Shqipërisë pranë OKB në New York ia dha vizën Kolës së vdekur dhe 32 malësorëve tjerë për varrimin e tij në vendlindje. Ky ishte malësori i parë i vdekur që kaloi nëpër tokën e Shqipërisë pas rënjes së diktaturës.Ky ishte mort i madh dhe ceremonial,që nuk ishte parë asnjëherë më parë dhe natyrisht kishte pasur shumë gojtarë,vajtore e gjëmtarë. Por një tragjedi shumë herë më e madhe se kjo u përsërit edhe një herë në shtëpinë e Kolë Mirit në New York më 11 Shtator 2001,kur nipi i tij Simon Dedvukaj ra dëshmor në Kullën Binjake(World Trade Center) në Manhattan. Kjo tregonte se rrugët e tyre të mërgimit kishin qënë të shtruara me gjëmba e jo me lule. Por kjo familje fisnike i përballoi të gjitha me nder e faqe të bardhë.Prej Kolë Mirit mësuam të gjthë.Ai ishte mësuesi ynë më i mirë i jetës,sepse fliste nga përvoja personale. Kurrë nuk kam parë asnjë shqiptarë si Kolë Mirin që mund t’i ketë zbatuar aq bindshëm normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe urdhënimet e Tëzot që janë 10. I tillë kishte qënë edhe vellau i tij Mark Miri. Por Markun e kam takuar vetem një herë gjatë një vizite në New York. Mark Miri dhe Kolë Miri kishin një kod të tyre moral të veçantë dhe për këtë meritojnë monument në tokën shqiptare. Ata ishin nderi i kombit,dhe duhet të respektohen si të tillë sot e përgjithëmonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gjek Gjonlekaj, kalimi i Atlantikut, Kol Miri, vendlindje

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT