NGA VULLNET MATO/
Hapuni, në çdo kanat, o porta të lashta të kombit tim!/
Se na thërret të gjithëve nënëmadhja jonë arbërore,/
të ribashkohemi si bijtë e saj të zanafillës në krijim, /
këtë fillim shekulli, kur po afrohen shpirtrat njerëzore! /
Hapuni, o porta të rënda të kohës së hershme të gurit,/
porta iliriane të gdhendura nga trungjet e fortë të lisit,/
porta mesjetare të rrethuara me avllitë e larta të murit,/
porta qëndrese me frëngjitë e kullave vigjiluese të fisit!/
Hapuni, të dalim në oborret me diell për të pritur nusen,/
mbi kalin e bardhë me bajrakun e shqiponjës dykrenore,/
të festojmë sa të gjëmojnë malet nga daullet shungulluese,/
të pimë dollitë me njëqind shëndete në sofrat vëllazërore! /
Hapuni, o porta kosovare në Veriun e Eposit kreshnik,/
porta çame në Jugun e valles magjike të Osman Takës,/
porta shkupjane ku majëmalet ndrisin më herët në agim,/
porta ulqinake ku dielli perëndon mes kuqëlimit të flakës!/
Hapuni, të çlodhemi në dy dete e në dy burime të Drinit,/
të çmallemi me vëllezërit tanë në të katër stinët e motit,/
të dëfrejmë së bashku nga Pramëthia në brigjet e Ulqinit,/
të na puthen të rinjtë në të katër puthitjet e horizontit!/
Hapuni, porta mikpritëse për gjithë miqtë e këtij vatani,/
vështrimin e penguar ta hedhim më së fundi gjerë e gjatë!/
Se ndarja me hanxhar e trojeve nga kasapët e Ballkanit,/
nuk ndodh më kurrë në këtë tokë ku jemi krijuar bashkë./
Hapuni, në çdo kanat, o porta të lashta të kombit tim!/
Se na thërret të gjithëve nënëmadhja jonë arbërore,/
të ribashkohemi si bijtë e saj të zanafillës në krijim, /
këtë fillim shekulli, kur po afrohen shpirtrat njerëzore! /
E dergoi per Diellin vete autori. E falenderojme.