• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Koço Kota – Për një Shqipëri oksidentale

November 8, 2017 by dgreca

Libri i ri “Koço Kota – Për një Shqipëri oksidentale”, një ridimensionim i leximit real të historisë shqiptare/1 Koco Kota

 Prof. dr. Bardhosh Gaçe & Albert Z. ZHOLI/Sado që kohët kanë ecur përpara, kanë lëvizur me një progres të habitshëm, janë zbuluar arkiva shtetërore, arkiva familjare, na kanë ardhur në kronikat e të vërtetave dokumente dhe opinione jashtëzakonisht me vlera të nevojshme, në opinionin vlerësues njerëzor dhe të vërtetave historike është shtuar referenca e anashkaluar, mohuar dhe refuzuar për një kohë relativisht të gjatë. Ditë pas dite e kohë pas kohe në duart e lexuesit shqiptar po vijnë libra të rëndësishëm historiko-politik, histori të pazakonta, të cilat po u vijnë në ndihmë shumë çështjeve që ose kanë qenë të errësuara, ose kanë qenë të pastudiuara, ose janë harruar fare. Pavarësisht një prurjeje të shumtë, veçmas pas viteve ‘90-të, të një lloj letërsie dhe historie tematikisht të nevojshme për zhvillimet e kohës dhe të çlirimit për të qenë të lirë në të shprehurin për shumë çështje të prekshme dhe të përjetueshme nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, që kishin lidhje kryesisht me kompleksin totalitar, gjatë këtyre dy dekadave e më shumë ka pasur dhe një prurje të rëndësishme historiografike dhe monografike, e cila ka plotësuar një lloj boshësie të dukshme dhe djerr, e cila në historiografinë shqiptare, ose është lënë ashtu, ose është mbushur me temën e propagandës. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht me dëshminë dhe tregimin e nevojshëm të personaliteteve të dijes dhe të aktivitetit politiko-shtetëror të paraçlirimit të vendit. Ndërmarrje të tilla dhe për figura emblematike të politikës dhe të historisë shqiptare është një zhvillim pozitiv gjatë kësaj periudhe, pasi, edhe pse ka pasur një prurje të veçantë, në letërsi dhe në përvojën e të shkruarit, koha është një mekanizëm racional dhe efektivisht veprues në verifikimin dhe seleksionimin e tyre, në këtë rrjedhë të vrullshme dhe të shumtë librash, ne kemi pasur fatin e mirë të na vijnë libra të rëndësishëm, të cilët kanë zënë vendin e vet në historinë shqiptare, pavarësisht se vonë, siç është edhe studimi monografik “Koço Kota –Për një Shqipëri oksidentale” të autorit të mirënjohur, Harallamb Kota.

Në historinë e popujve të vegjël dhe të njohur në botë, ka raste unikale të mekanizmave dhe fakteve të çuditshme se si është shkruar historia e këtyre popujve dhe vendeve. Kështu në historinë më emblematike të Izraelit ka një fakt të çuditshëm, që lidhet me konsideratën e mirë, shpeshherë dhe preferenciale të një personi të vetëm, i cili gjatë jetës së tij kishte ruajtur me mijëra dokumente të natyrave të ndryshme, për t’i paraqitur si dëshmi të nevojshme në shërbim të vendit të tij dhe historisë së Izraelit. Në këtë lloj rrugëtimi bashkëkohor, lexuesit shqiptar po i vjen dhe njëri nga librat më të rëndësishëm të tij, që lidhet me njërin nga personalitetet intelektuale, politike, shtetërore, diplomatike, sociale, Koço Kota të studiuesit Harallamb Kota.

Deri në vitet ’90-të Koço Kota nuk njihej, dhe nëse njihej, mbi të rëndonte anatema politike, etiketimi politik i ndërtuar mbi perceptimin ideologjik-politik të sistemit totalitar, nëse njihej, ai konsiderohej armiku i pushtetit popullor, ndërsa e gjithë vlera e tij, e cila ka ardhur në librin “Koço Kota- Për një Shqipëri Oksidentale”, të autorit Harallamb Kota, nuk ishte e mundur të bëhej e njohur, pronë shoqërore dhe historiografike, e për më tepër në një botim voluminoz, në të cilin kërkohet të thuhet gjithçka lidhet me të, referuar kohës, politikës, zhvillimeve kombëtare dhe ballkanike, në një lidhje dhe konvencionalitet të thellë shkencor dhe interpretues. Libri që po i vjen në dorë lexuesit shqiptar përmbush një detyrim shoqëror dhe historiografik, pasi në të nuk flitet për Koço Kotën në vetvete, as për bëmat e tij, as udhëtimet, raportet e tij me dijen dhe kulturën, por përmes tij ka një valorizim të gjerë në të gjithë historinë tonë kombëtare, një jetë dhe një veprimtari që lidhet me një kohë relativisht të gjatë dhe aktive, të përfshirë nga zhvillimet historike, politike, të qeverive dhe mbretërisë, të marrëdhënieve me Lindjen dhe Perëndimin, të problemeve të thella jetike të natyrës së besimit, të ligjit dhe të zhvillimit. Koço Kota është një personalitet i përfshirë dhe i gjendur në zhvillimet më të rëndësishme të Shqipërisë, që nisin që në fillimin të shek. XX për të vazhduar me një temp të jashtëzakonshëm deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Fillimvitet 1900, e gjatë tre dekadave të para të shekullit të kaluar kanë qenë të mbushura me zhvillime jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, që nga Shpallja e Pavarësisë, e cila kulmoi të gjithë aktivitetin dhe veprimtarinë kulturore, politike, historike, shoqërore, luftarake dhe intelektuale të Rilindjes Kombëtare, e cila me të drejtë është konsideruar njëra nga epokat më të arta të historisë shqiptare, pas kohës së Skënderbeut. Koço Kota ka lindur në një kohë (1886) dhe zhvillimet politike e shoqërore të viteve 1900 e kanë nxënës të pjekur, të shkolluar dhe një intelektual universitar, i cili më shumë se kushdo mund ta “lexonte” realitetin brenda vendit dhe rrethanat dhe zhvillimet rajonale dhe ato ndërkombëtare. Harallamb Kota është gjendur para një “mali” të madh veprimtarie, aktiviteti dhe kontributesh të Koço Kotës, që ishte i shkolluar si mos më mirë, që nga Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, pastaj në gjimnazin e njohur “Zosimea”, studimet në Universitetin e Athinës për Shkenca Politike-Juridike-Administrative, arsimin pasuniversitar në Boston të SHBA-ve, mbrojtja e gradës shkencore “Doktor në Jurispondencë” po në SHBA, të cilat e bëjnë të rëndësishme veprimtarinë e Koço Kotës në Shqipëri, e cila fillon që nga viti 1911, si kryetar i shoqërisë “Malli i Mëmëdheut” në SHBA, pastaj si bashkëthemelues i Federatës Panshqiptare “Vatra” po në SHBA, e më pas i gjithë aktiviteti i tij (1912) në Shqipërinë e mbushur me ngjarje, beteja politike, luftarake, koniunktura dhe kthesa të jashtëzakonshme për shkakun e raporteve të lëkundura me fqinjët, për shkakun e koniunkturave të politikës dhe diplomacisë së kohës me Perëndimin, brenda zhvillimeve të qeverive dhe shtresave të shoqërisë shqiptare. Aktiviteti jetësor, patriotik në SHBA dhe në Shqipëri, aktiviteti shtetëror që nga vitet 1912 deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, përbëjnë një prerje historike dhe analitike të zhvillimeve shqiptare përmes një personaliteti, shtetari, dhe politikani kalibri, i cili ka arritur ta njohë në imtësi dhe në detaj çdo zhvillim, që në historiografi është interpretuar në asnjë rast me të njëjtin kriter, e për këtë arsye në historiografinë shqiptare gjithmonë ka pasur vakume.

Koço Kota ka lindur në Korçë, një qytet i njohur për kulturë dhe traditë qytetare dhe arsimore, qytet i dijes dhe i njerëzve reformatorë, qyteti i intelektualëve dhe mërgimtarëve të ndritur, të cilët mbajtën lidhje të forta gjithmonë me vendin dhe qytetin e tyre, me fatin e njerëzve dhe me perspektivën e vendit të tyre. I dalë nga një familje me dashuri dhe sakrificë për dije dhe arsim, ai e ruajti, e përçoi dhe e reklamoi mjaft mirë këtë shembull familjar, duke u treguar një atdhetar i spikatur në të gjitha mjediset patriotike brenda dhe jashtë vendit. Në studimin monografik të Harallamb Kotës, gjithashtu personaliteti i tij shpërfaqet më së pari si një patriot i vërtetë, duke e vënë në shërbim të vendit dhe të prosperitetit të gjithë dijen që ai mori në familje dhe në shkollë, brenda dhe jashtë vendit, duke iu vënë në shërbim vendit që në Shpalljen e Pavarësisë me Plakun Ismail Qemali, e më pas në të gjithë zhvillimet politike dhe qeverisëse të vendit, duke qenë një qeveritar dhe një udhëheqës i vazhdueshëm.

Koço Kota ka qenë senator, deputet, prefekt, ministër, kryetar parlamenti dhe kryeministër, pra, ka qenë një nga personalitetet e politikës dhe të drejtimit të vendit në të gjitha shkallët e hierarkisë. I pranishëm në të gjithë këtë diapazon politik dhe qeverisës të vendit, Koço Kota duket si një pasqyrë reale në të cilën janë reflektuar mirë të gjitha këto zhvillime, të cilat siç janë të njohura në historinë e vendit tonë kanë qenë të vështira, të ngadalta në zhvillimet e veta e në shumë raste konfliktuale. Në këto zhvillime, siç dhe zbulohet përmes njohjes së veprimtarisë së Koço Kotës, ka pasur një sërë faktorësh, të cilat lidheshin me traditën turke të politikës dhe drejtimit të vendit, me koniunkturën ballkanike, e ndihmuar dhe nga koniunktura ndërkombëtare, me mungesën e njohur të drejtimit të vendit me ligje të dala nga parlamenti i zgjedhur me votën popullore, me mungesën e theksuar të shkollës dhe të nivelit arsimor dhe një sërë faktorësh të tjerë, që zbulohen herë drejtpërsëdrejti dhe herë kontekstualisht, në këtë monografi. Lidhur me një çështje të tillë, mjafton të prekim tangjentalisht një lloj pasqyre që autori Harallamb Kota na jep në referencën mbi reformat që Koço Kota bëri gjatë të qënit të tij si kryeministër i vendit si: krijimi i Policisë e Sigurimit Botnor, hapja e shkollës së policisë, hartimi i programit 5-vjeçar i Ekonomisë Kombëtare, vendosja e monopolit të shtetit mbi pasurinë kombëtare, krijimi i ministrisë së Kulturës Popullore, ndërtimi i ministrive, ndërtimi i Bulevardit të Madh, përurimi i Sheshit “Skënderbej”, ndalimi i martesave të nëpunësve dhe ushtarakëve me gra të huaja, ndërtimi i stadiumit kombëtar, ligji i heqjes së mbulesës tek gratë, hapja e kurseve falas kundër analfabetizmit, zyrtarizmi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1937), ligji mbi ndryshimin e emërtesave me origjinë të huaj, orientimi dhe marrëveshjet me qeveritë perëndimore si SHBA, Itali dhe Angli etj.

Libri i Harallamb Kotës “Koço Kota për një Shqipëri Oksidentale” është interesant për lexuesin dhe historiografinë shqiptare, pasi ai ka nën interpretim dhe analizë të thukët zhvillime të rëndësishme të vendit që nga Pavarësia, lufta e vazhdueshme e fqinjëve në bashkëpunim me Fuqitë e Mëdha për ta zvogëluar sa të mundeshin Shqipërinë, Konferencën e Londrës, ndarjen e kufijve, luftërat për çlirim kombëtar, Konferencën e Parisit, Luftën e vitit 1920, si lufta e parë imperialiste e fashistëve italianë për pushtimin e Shqipërisë, zhvillime të tjera ballkanike dhe evropiane. Koço Kota ka qenë njëri nga politikanët, shtetarët, qeveritarët dhe intelektualët që i kanë përjetuar, janë përballur dhe kanë kontribuar në këto zhvillime në favor të Shqipërisë. Libri voluminoz, i ndërtuar mbi shumë detaje të kësaj natyre, e kanë çuar studiuesin Harallamb Kota në dokumente, ngjarje, dëshmi dhe burime të tjera preferenciale që i vijnë në ndihmë dhe shumë fakteve të tjera historike. Po ashtu, që nga Ismail Qemali, i quajtur “Babai i Kombit” e në shumë raste nga autori “profeti Ismail Qemali”, më pas Princ Vidi, ngjarjet luftarake dhe zhvillimet e brendshme politike në kohën tranzitore deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore, ngjarjet e Kongresit të Lushnjës (që me të drejtë është quajtur parlamentarizmi i parë shqiptar, ku Koço Kota është shpallur senator), pastaj zhvillimet e Revolucionit Demokratike të 1924, që krijuan një nga zhvillimet politike më interesante në vend, me Nolin, figura të tjera të njohura, me Ahmet Zogun, duke qenë Kryeparlamentar dhe Kryeministër, duke qenë ndër aktorët më të rëndësishëm të Kushtetutës së parë shqiptare, promovuar nga Mbretëria Shqiptare, Koço Kota nyjëton dhe reflekton në personalitetin, në jetën dhe veprimtarinë e tij, pjesën më të rëndësishme, më problematike dhe më emblematike shqiptare zhvillimet në historinë, të cilat kanë qenë vërtetë të vështira për t’u reflektuar në trilogjinë e autorit. Të gjitha këto kohë të brendshme shqiptare dhe të jashtme diplomatike ndërkombëtare, e bëjnë librin të peshuar mirë, të orientuar në fakte, argumenta, në lexime të gjerësishme dhe të thella, në një diapazon gjithëpërfshirës, ku kuptohet lidhja e ndërsjelltë e individit social-historik, Koço Kota, me vendin dhe të vendit me kontributin e tij. Është një marrëdhënie e ndërsjellë, ku asnjëra nuk bën pa tjetrën, të cilën autori e ka kuptuar mirë. Harallamb Kota në faqet e kësaj monografie na sjell ndërmend lëvizjen më madhore shqiptare, e cila përbën dhe themelin më të qëndrueshëm të historisë sonë kombëtare për atë që Shqipëria dhe kombi shqiptar vazhdoi rrugën e tij më pas, kryesisht Rilindjen Kombëtare, e cila u mishërua në një front të gjerë të zgjimit kombëtar dhe të ideologëve të saj të shquar, që përbënë njëkohësisht dhe thelbin e saj iluminist. I mbështetur si një model i mrekullueshëm, autori është përpjekur që në dritën e zhvillimeve të shekullit kur veproi njëri nga njerëzit e ditur Koço Kota, ta rindërtojë “metaforën” e veprës iluministe të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” dhe në kushtet e reja të zhvillimeve historike, politike dhe shoqërore të vendit. Kësisoj autori përveçse ruan një lidhje të fortë me vijimësinë e zhvillimeve politike dhe kulturore të Rilindjes në kushtet e reja, ajo I shërben atij për ta nxjerrë më në pah figurën e Kotës, e cila nyjëtohet në tri etapa të rëndësishme kohore mbështetur në zhvillimet e reja. Ka një të vërtetë që nuk mund ta mohojmë në këtë rast, sepse natyra rilindëse e zhvillimeve politike dhe historike të fillimviteve 1900 është gati e natyrës së viteve 1878 e në vijim, qoftë në natyrën kulturore, atë politike për çlirim, dije dhe pavarësi, po ashtu dhe zhvillimeve të brendshme edhe ato të jashtme. Epokat ndarëse të modelit të Sami Frashërit, Harallamb Kota i ndan sipas ngjarjeve historike, që nga lashtësia e në vijim. Kështu pjesa e parë “Shqipëria ç’ka qenë” elementin kohën mes viteve 1443 deri në vitin 1912. Është një periudhë e gjatë, disashekullore, e cila është shkruar ngjeshur dhe me referenca të njohura, por të interpretuara mirë nga autori. Pavarësisht natyrës njohëse që ka vepra, pasi natyra monografike e saj, e cila “qerthullohet” rreth një personazhi historik të njohur, siç është Koço Kota, autori është treguar racional dhe interesant në mbushjen e skeletit historik të librit me ngjarje dhe elementë të tjerë racional, interpretues dhe analitik. Harallamb Kota kërkon ngjarje dhe dukuri interesante në këto zhvillime, siç janë ato që lidhen me legjendën dhe mitologjinë, të dhëna, dëshmi dhe vlerësime origjinale për Skënderbeun (bien në sy 65 këshillat e tij para vdekjes), pashallëqet shqiptare, lëvizjet shqiptare për vetëqeverisje, lëvizja “Unite”, një lëvizje interesante e hershme, për të cilën është folur shumë pak, lëvizja për një “Kish shqiptare”, çështjet e ringjalljes së kombit, profeti Ismail Qemali, Fan Noli etj. Në këtë pjesë të rëndësishme të librit “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” hyn dhe pjesa e lindjes, shkollimit, përfshirja në aktivitetin politik dhe intelektual të Koço Kotës, takimi dhe njohja me Ismail Qemalin, ngjarjet historike në jugun dhe në veriun e vendit, të cilat përkojnë me aksionin politik më të rëndësishme të Shqipërisë, me luftën për çlirim kombëtar dhe për ruajtjen e territoreve tokësore të vendit. Pjesa e dytë e trilogjisë “Shqipëria ç’është?” shtrihet në hapësirën kohore 1912-1920, e cila me të drejtë është konsideruar periudha më e vështirë dhe me zhvillime të brendshme për fatet e shqiptarëve, të Shqipërisë, eksponentëve të politikës dhe lëvizjes për çlirim kombëtar. Harallamb Kota ka arritur të sjellë në vëmendje të lexuesit momente kyçe, njerëz të niveleve të ndryshme të dijes dhe të luftës, të mendimit dhe të diplomacisë, ku shkëlqen si diell Ismail Qemali. Koço Kota ka qenë përfaqësuesi i “Vatrës” krah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë, duke dëshmuar mbështetjen e madhe të kombit më të përparuar në botë, të kombit amerikan. Në këtë pjesë autori sjell në vëmendje ndjeshmëritë dhe përjetimin e këtij fakti të madh (atë të Shpalljes së Pavarësisë) në jugun e vendit, në qendrën e njohur kulturore të Beratit, Korçës, Voskopojës, duke qenë ndërkohë dhe nëpunësi i parë i qeverisë së Vlorës si nënsekretar i Ministrisë së Arsimit dhe këshilltar i Luigj Gurakuqit. Në këtë kapitull të konsiderueshëm dhe të ngjeshur me ngjarje dhe zhvillime interesantë në reflektimin e aktivitetit dhe veprimtarinë e Koço Kotës janë insinuatat e njohura që lidhen me personazhet historikë të kohës si Esat Toptani, Ahmet Zogu (1913), shënime të natyrës: “Noli mbështet qeverinë e Vlorës”, “Esat Pasha kundër Ismail Qemalit”, “Noli program për lëvizjen kombëtare”, “Ismail Qemali mbështet Vidin”, “Lufta e Parë Botërore” etj.

Dhe në historiografinë shqiptare dilemat dhe interpretimet e natyrës, për çështje të kësaj natyre kanë qenë të pranishme, për shkakun e lënies në hije të figurave të nivelit të Koço Kotës. Në këtë pjesë duket se Harallamb Kota i jep një këndvështrim të ri jo vetëm Nolit dhe Ahmet Zogut që në të ardhmen do të jenë figura të rëndësishme të politikës, por dhe për çështje të tjera të brendshme të zhvillimit shoqëror, siç janë çështje të asimilimit, koha e depërtimit francez në Korçë dhe në Shkodër, të cilat janë parë në një qasje ndoshta më afër realitetit për shkakun e një personazhi aktiv dhe aktualizues si Koço Kota. Në këtë pjesë, Harallamb Kota përpiqet të hedhë dritë mbi çështje të rëndësishme të zhvillimeve kombëtare si: “Takimi i Zogut me Pashiqin” (1918), “Misioni amerikan në jug të Shqipërisë”, “Memorandumi i Aleksandrisë”, drejtuar Konferencës së Paqes në Paris (1918), i përgatitur në Kajro, anëtarë i të cilit ishte dhe Koço Kota. Pjesa e tretë e trilogjisë së librit “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” zë një hapësirë të konsiderueshme, duke marrë në konsideratë dhe interpretuar një opinion interesant për Koço Kotën si ideator i civilizimit të politikës shqiptare, periudha kohore ku preket dhe shkëlqimi i Koço Kotës në majë të politikës dhe drejtimit të vendit që nga Kryeparlamentar e deri Kryeministër, pastaj rënia dhe eliminimi i tij, shtrihet në hapësirën analitike të veprës nga viti 1921 deri në vitin 1947. Në këtë pjesë vërtetohet se historia e shtetit shqiptar është dhe vepër meritore prej shtetari dhe njeriu të aftë dhe të ditur dhe e Koço Kotës.Në këtë periudhë zhvillimesh thelbësore, pavarësisht konflikteve dhe mjedisit në të cilin zhvilloheshin debate politike, lëvizjet dhe reformat, Shqipëria ka përfituar dhe ka vendosur gurë të rëndë në themelet e shtetit, që në një mënyrë apo tjetër ata i kanë rezistuar kohës deri në kohët moderne. Qeveritë e njëpasnjëshme, herë të rrëzuara dhe herë të dorëhequra, përplasjet mes Nolit dhe Ahmet Zogut kanë qenë sfida dhe horizonte gjithashtu të një zhvillimi të pazakontë në orientimin politik dhe ekonomik të vendit në kushtet e një prapambetje të madhe të Shqipërisë. Koço Kota ka qenë njëri nga njerëzit e përfshirë realisht në këto zhvillime, duke qenë ndër udhëheqësit më jetëgjatë politik në parlamentin e kohës, në detyrën e kryeministrit të kohës, në rolin e deputetit të kohës, i cili solli në vëmendjen e kohës, dhe shtroi për zgjidhje çështje thelbësore për vendin, që nga rendi, arsimi, shëndetësia, rrugët, zhvillimet e qytetit, financat dhe bujqësinë.

Detajet e natyrës“Situatë politike parazgjedhore”,“Grupimi i Koço Kotës tërhiqet nga kandidimi”,“Memorandumi i të krishterëve shqiptarë”,“Laicizmi dhe toleranca fetare”, “Zogu dhe Noli: mbrojtësit e Shqipërisë”, “Dr. Koço Kota, përkrahës i lëvizjet Unite”,“Dr. Koço Kota, deputet i Prefekturës së Korçës”,“Rritja e pushtetit të Ahmet Zogut”,“Koço Kota, përkrahës i Kishës Ortodokse Autoqefale”, “Ahmet Zogu Kryeministër”,“Ushtar i Mbrojtjes së Shtetit Ligjor”,“Koço Kota, Kryeministër i Parë Mbretëror” (1928-1930), “Platforma liberale e

Mbretit Zog I” dhe shumë zhvillime të tjera, të cilat gjejnë një pasqyrim të gjerë në këtë libër, sjellin një kontribut madhor për një figurë emblematike shqiptare në një hapësirë kohore gati 40-vjeçare në zhvillimet politike të Shqipërisë.

Libri monografik “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” për shkakun e natyrës gjithëpërfshirëse, pasi ai zë një kohë të zhvillimeve më delikate dhe më të larmishme të Shqipërisë, është një libër që duhet të studiohet dhe jo të lexohet, pasi brenda tij ka një informacion të dendur historik, politik, kulturologjik, social, i cili është referuar në këto zhvillime interesante dhe shumë të rëndësishme të vendit. Rrugëtimi i një personaliteti si Koço Kota është një rrugëtim prej udhëheqësi,njeriu reformator, i një njeriu të ditur dhe të pushtetshëm, i cili në një mënyrë apo tjetër ishte i lidhur me zhvillimet, me faktorin e jashtëm dhe të brendshëm, me autoritetet e besimit dhe të dijes, me zhvillimet shpirtërore njerëzore, me njerëzit e ditur dhe politikanët e shquar të kohës, kështu që trilogjia e Harallamb Kotës është një kontribut i rëndësishëm dhe një referencë po e rëndësishme për dijen historike shqiptare. Figurën e Koço Kotës nuk e bën emblematike vdekja e tij në mënyrën më tragjike të mundshme në burgun famëkeq të Burrelit, por veprimtaria e tij, aftësitë e tij të sprovuara si gurë themeli në funksionimin e shtetit shqiptar, në krijimin dhe vënien në punë të ligjeve shqiptare, në investimin intelektual dhe mendor në arsim, financa, politikë dhe sektorët jetikë të një vendi, në bashkëpunimin e rëndësishëm prej shtetari të vërtetë me të gjithë udhëheqësit e kohës, pavarësisht diferencave ideologjike dhe fetare, standardit për drejtësi dhe drejtim të vendit, çfarë e bëjnë Koço Kotën një figurë që shkëlqen sa herë i duhet të kthehemi historisë sonë.

Libri i Harallamb Kotës “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” është një lloj thirrjeje qytetare, një ridimensionim i leximit real të historisë shqiptare, një lloj rimësimi për politikën dhe qeverisjen e vendit dhe në kohët moderne.

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Zholi, Bardhosh Gace, Harallamb Kota, Koço Kota - Për një Shqipëri oksidentale

Me Kongresin e Lushnjes nis historia e Shqiperise moderne

January 21, 2017 by dgreca

Kongresi Kombëtar i Lushnjes dhe zgjedhjet e para Parlamentare pluraliste/

1 Kongresi Lushnjes-21 Janar 1920 nisi punimet ne qytetin e Lushnjes Kongresi Historik Kombetar i Lushnjes/
-Kongresi Kombëtar i Lushnjës solli rimëkëmbjen dhe rifitimin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, nisi një kthesë historike
– Këshilli i Ministrave hartoi më 5 dhjetor 1920, projektligjin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar
– Zgjedhjet e para pluraliste, u organizuan në muajin janar 1921 nga Kryeministri Iliaz Vrioni
– Kandidatët që u pëfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim
-Përse u tërhoq grupi i Koço Kotës nga kanditimi
/

Shkruan: Harallamb Kota, studiues i historisë/

Situatat Politiko –Shoqërore dhe Kongresi i Lushnjës
Vitet 20-të, me vendimet që mori Kongresi Kombëtar i Lushnjës lidhur me Rimëkëmbjen dhe Rifitimin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, nisi një kthesë historike, një epokë e re, ku procesi historik kishte përmbajtje e synime të reja. Pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve më 9 nëndor 1921, u forcuan pozitat ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Sadopak u lehtësua barra e madhe që u diktonte shqiptarëve nevoja e mbrojtjes së vëndit dhe shtetit. Kjo situatë e re, krijoi kushte të favorshme që gjithë forcat politike të shtetit shqiptar të saporimëkëmbur, tu kushtoheshin zgjidhjes së problemeve të brendshme. Në skenën politike shqiptare, dominoi lëvizja për demokraci liberale, që mori tiparet, madje të shprehura fuqishëm në shtypin e atyre viteve si “Lëvizja për OKSIDENTALIZIM”. Gazeta “Fjal e Lirë”, që botohej në Vlorë, duke shprehur dhe zbërthyer në mënyrë origjinale konceptin e qarqeve liberalo-reformatore për Oksidentalizimin e Shqipërisë, bënte këtë zbërthim: Operacione (shkurtime) në nëpunësa, Koncensione për zhvillimin ekonomik, Shkurtime në çdo degë të administratës, Veçim i të ligut dhe të pamoralit, Demokraci me fakte e jo me fjalë, Energji në Legalitet të Drejtësisë, Nacionalizëm me tru e jo me ngjyrë, Taksa të lehta sipas fuqisë, Asamble Kushtetuese në rast të favorshëm, Liri për shtyp por me frana llastiku, Irredentizëm për moralin kombëtar, Sinqeritet në shpenzime e në urdhra, Miqësi me shtetet që u shkon fjala, Afrim i elementit të duhur të opozitës në bashkëpunim.
Situatë problematike parazgjedhore
Në situatat politiko-shoqërore të krijuara pas Kongresit të Lushnjës, Shqipëria po i drejtohej zgjedhjeve të para për legjislativin. Këshilli i Ministrave hartoi më 5 dhjetor 1920, projektligjin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, që u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 dhjetor 1920. Sipas ligjit zgjedhjet do të bëheshin me votim të tërthortë, dyshkallësh. Kandidat për deputet mund të ishte çdo shtetas, i cili dinte shqipen me shkrim e me gojë dhe nuk “ishte shërbëtor i kurkujt”. Të varfërit përjashtoheshin nga konkurimi, ndërsa gratë dhe ushtarakët nuk kishin të drejtë vote. Emëri i kandidatit duhej të shkruhej me dorë nga votusi. Duke qenë se 80% e popullsisë ishte analfabete, ligji e lejonte që emërin e kandidatit ta shkruante edhe një person i tretë. Kjo mënyrë votimi do krijonte mundësi për të shkelur vullnetin e lirë të pjesës më të madhe të zgjedhësve. Nën trysninë e forcave të jashtme e të brendshme, qeveria dhe Këshilli Lartë pranuan të drejtën e komuniteteve fetare që të dilnin në zgjedhje me listë të veçantë deputetësh. “Ligji për zgjedhjet, -shënohet në f.178 të volumit Historia e Popullit Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave viti 2007, u kritikua nga rrethet atdhetare e përparimtare, sidomos nenet që në procesin e zgjedhjeve i ndanin shtetasit sipas përkatësisë fetare, ç’ka nuk i shërbente bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Por këto kundërshtime nuk arritën të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve.
Zgjedhjet e para pluraliste
Zgjedhjet e para pluraliste, u organizuan në muajin janar 1921 nga Kryeministri Iliaz Vrioni, sipas listave të miratuara nga prefekturat e Shqipërisë. Kandidatët që u pëfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim, apo të dalë nga shkolla revolucionare e turqve të rinj, (oficerë e civilë), për të organizuar dhe drejtuar “Lëvizjen Kombëtare” dhe për mbrojtjen e stabilizimin e Shtetit Shqiptar; pjesa tjetër ishin figura atdhetare të arësimuar në europë e amerikë, si dhe patriotë shqiptar të diasporës që kishin përqafuar mentalitetet perëndimore. Në zgjedhjet e para pluraliste, kjo organizatë politike atdhetare, kishte si synim zgjedhjen për deputetë të personave: “Me parime politike të Kongresit të Lushnjës”, i cili sipas Dr.Prof. Hysen Kordhës shënuar në referimin Studime Historike, solli kthesën historike për fatet e popullit tonë dhe nisën përpjekjet për ndërtimin e forcimin e shtetit të saporiformuar shqiptar, për demokratizimin e jetës socialo-politike, për zgjidhjen e problemit agrar dhe sidomos për afrimin e Shqipërisë me Evropën, ose siç thuhej atëhere për oksidentalizimin e Shqipërisë. Veç të kandituarve nga “Krahu Kombëtar”, në zgjedhjet e para pluraliste, morën pjesë edhe kandidatë të propozuar nga klasa e pronarëve të mëdhenj të tokave, nga nacionalistët dhe nga elementi kosovar që vinte nga “Komiteti Mbrojtja e Kosovës”. Megjithatë, zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, krijuan edhe situata problematike, sidomos në zonat e Shqipërisë së Mesme, ku ende qarkullonin mjaft elementë turkoman, të cilët nxisnin fshatarësinë e atyre anëve që të mos pranonin të votonin dhe të zgjidhnin deputet për në parlamentin e Shqipërisë. Elementë të ndryshëm me tituj dhe ofiqe perandorake, kërkonin ende që Shqipëria të ishte “Principatë Turke”. Ata frynin urrejtje karshi administratës shqiptare, flamurit shqiptar, gjuhës shqipe dhe elementit të krishterë shqiptar.
Krahas elementit turkoman….
Krahas elementit turkoman, në Shqipërinë Juglindore vepronte energjikisht elementi grekoman. Më 3 shkurt 1921, sipas Kastriot Dervishit shkruar në librin e tij “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005” botim i v.2006, nëprefekti i Gjirokastrës Kolë Tromara, i telegrafonte MPB, se shtypi grek shkruante se: “ishin bërë përpjekje deri në Konferencën e Paqes për të mos zhvilluar zgjedhje në jug të Shqipërisë dhe se ky lajm kishte bërë përshtypje të thellë në Shqipëri”. Përfaqësuesi i prefektit, Hasan Dosti, telegrafonte po ato ditë se klubet “vorioepirote” kishin protestuar për shkak të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Lufta politike, citohet në librin “Historia e Popullit Shqiptar” faqe 179, botim i Akademisë së Shkencave, gjatë fushatës zgjedhore qe tepër e ashpër. Madje në dy prefektura, në atë të Korçës e të Shkodrës, u spekulua edhe me ndarjen fetare të popullsisë. Kështu disa kandidatë për deputetë të “grupit popullor” të Korçës të kryesuar nga Koço Kota me të kaluar të mirë atdhetare, por të pakënaqur me listën e kandidatëve të propozuar nga partia e tyre, u bënë thirje të krishterëve që të bojkotonin zgjedhjet.
Nga ana tjetër vlonte propaganda e organizimit të zgjedhjeve sipas përkatësisë krahinore e fetare, e cila binte ndesh me vlerat e mendimtarëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sipas teorisë së këtyre propogandistëve, shprehet Sejfi Vllamasi; “Ç’do geg që bashkëpunon me toskët nuk është geg. Geg i vërtetë është ai që është kundër toskëve”. Më tej Sejfiu deklaron:Mustafa Kruja ka mendimin dhe çfaqur me bindje se; “gegët duhet të sundojnë toskët”. Për këtë qëllim, qysh në kohën e shpalljes së idipedencës kombëtare, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi dhe Ahmet Dakli, krijuan “Kuadrumviratin”.
Komisioneve zgjedhore i diktohen listat Qeveritare
Bazuar në librin “Mbi Lëvizjen Kombëtare dhe Demokratike Shqiptare në vitet 1918-1924” botim i Institutit të Historisë e Gjuhësisë të USHT, në Korçë “lufta elektorale mori një karakter të ashpër”. Në Korçë, ndryshe nga krahinat e tjera, kishte një nivel më të lartë politik dhe pregatitjet për zgjedhjet u ndien më shumë se kudo. Lufta politike që u zhvillua në Korçë me rastin e zgjedhjeve parlamentare ishte më tepër një luftë midis personerve të të njënjtit grup politik, por që kishin qëndrim të ndryshëm për sa i përket asamblesë kushtetuese, si dhe për listën e personave që do të zgjidheshin. Grupi që kryesohej nga Koço Kota nguli këmbë që zgjedhjet të bëheshin për asamble kushtetuese, kurse grupi Cale-Frashëri ishin për zgjedhje parlamentare. Prefekti i Korçës dr.Koço Kotta dhe Kryetari i Bashkisë Sotir Kotta, ngritën Komisionin Zgjedhor dhe morën të gjitha masat e duhura që kandidatët për deputet, pjesëmarës në këto zgjedhje të paraqiteshin para popullit në zonat e ndryshme të prefekturës, në fshatra, katunde dhe qytete. Për të shmangur keqkuptimet midis kandidatëve për tu zgjedhur deputet, Koço Kota i kërkoi Ministrit të P.Brëndëshme z.Fuad Dibra, dorheqjen nga detyra e Prefektit të Korçës, me arësyetimin e kandidimit si deputet, kërkesë e cila u pranua. Në vendin e tij, prefekt i prefekturës së Korçës u caktua provizorisht Nikolla Zoi, që ishte përkrahës i Pandeli Cales. Lidhur me emërat që u përfshinë në listën e kandidatëve për deputet në Prefekturën e Korçës, referuar sa shënon Sejfi Vllamasi, ato u organizuan qysh në Tiranë nga Eshref Frashëri dhe Pandeli Cale. Qëllimi i tyre, shprehet Vllamasi, ishte për të formuar një grup deputetësh solidarë në mendime, mentalitete dhe interesa, për ta përfaqësuar Korçën në emër të “bejlerëve, turqve e kaurëve të lidhur me ta”. Prandaj, thotë Vllamasi; “Ata më zëvëndësuan mua me Xhafer Ypin”. Po kështu vepruan edhe me Koço Kotën, i cili përfshihej në listat për kanditat për deputet. Ai ishte anëtar i vjetër i “Krahut Kombëtar”, shok i pandarë i Sotir Pecit dhe i emi, por ishte kundra Eshrefit dhe Pandeli Cales me shokë. Kundërshtia e tij me ta, nuk ishte nga mospajtim idesh e mentalitetesh, por rridhte sepse Koço Kota figuronte në listën e kandidatëve që përbëhej prej 4 të krishterëve dhe 4 muslimanëve. Koço nguli këmbë që të hynte në listë vetë i tretë, bashkë me Kol Rrodhen dhe Llambi Bimblin, që të tre patriotë të vjetër. Atëherë Pandeli Cale edhe ay veteran patriot, mbetej automatikisht përjashta listës. Pasi përfunduan zgjedhjet e para, të zhvilluara nëpër fshatra, katunde dhe qytete, komisioni zgjedhor shpalli zgjedhjet e dyta. Sipas ligjit zgjedhor, zgjedhësit e dytë u thirrën në godinën e prefekturës dhe në prani të titullarëve përkatës të prefekturës, të këshillave administrative e të katunarive e të gjykatës vendore u ftuan të hedhin votën e tyre në kutinë e votimit me emërat e aq deputetëve sa kishte prefektura.
Grupi i Koço Kotës tërhiqet nga kanditimi
Në kulmin e kësaj situate, për të ruajtur qetësinë dhe unitetin kombëtar shqiptar të popullit Korçar, i cili sapo ishte mëvehtësuar nga francezët e grekët dhe sapo i ishte bashkuar shtetit shqiptar, Koço Kota me cilësitë patriotike që karakterizonin pinjollët e familjeve Kota, me moton “Shqipëria mbi Gjithçka”, e tërhoqi listën e grupit që përfaqësonte. Komisioni Zgjedhor, mori në shqyrtim vetëm Listën e paraqitur nga Pandeli Cale, e cila përbëhej nga: Tefik Mborja, Loni Kristo, Pandeli Cale, Pandeli Evangjeli, Sejfi Vllamasi, Sotir Peci, Banush Hamdi, Eshref Frashëri, Tefik Panariti e Kristo Kirka. Sipas kësaj liste, grupi i përfaqësuar nga Koço Kota, kaloi në minorancë.
Për votusit korçarë kishin mbetur vetëm dy mundësira: -Ose të votonin kandidatët sipas listës qeveritare ( lista e paraqitur nga Pandeli Cale), – Ose nuk duhej të mernin pjesë në votim ( pasi Koço Kota e tërhoqi listën me kandidatët e grupit të tij). Në këto kushte, kur u panë haptazi edhe favorizimet e qeverisë për kandidatët e sajë të përfshirë në listën e Pandeli Cales, grupi i përfaqësuar nga dr.Koço Kota, më 10 shkurt 1921 dha orientimin që të krishterët shqiptar të mos mernin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Sipas kësaj deklarate botuar në shtypin ditor “Gazet e Korçës” date 16 shkurt 1921, thuhet: “Si lajmërohemi, Shqiptarët e Krishterë të Qarkut t’onë, duke parë se Qeverimi i Shtetit Shqiptar, që kur se u njojt Shqipëria si shtet më vehte, nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit të Turqisë, gjë që shkaktoj gjer më sot shum’herë rrëzike të jetës politike e kombëtare të Shtetit t’onë, dhe duke qënë të sigurtë se vazhdimi në këtë mënyrë qeverimi, ka për ti sjellë vdekjen Shtetit e Kombit t’onë, për të shpëtuar Atdheun e dashur nga rrëziqe të sigurta, vendosnë për mosmarje pjesë në votimet e pa-ligjshme, q’u krijuan prej Qeverisë, dhe ti shfaqim kësaj me anë të një permendoreje kërkimet e tyre të bazuara mbi themele të provuarë e të sigurtë për shpëtimin e vetëm shpëtimin t’Atdheut, përndryshe, duke u a lënë përgjegjësinë Qeverisë dhe elementit Muhamedan, Shqipëtarët e Krishterë do të heqin dorë fare dhe do mos marrin pjesë në organizimin e Shtetit. Si po lajmërohemi, përmendorja po i paraqitet Prefekturës në këto dy a tri ditë”.

Filed Under: Histori Tagged With: e Shqiperise, Harallamb Kota, Kongresi i Lushnjes, nis Hitoria moderne

95-vjetori i Memorandumit të Parë të Korçs 13-19 shkurt 1921 (2016)

February 13, 2016 by dgreca

*Qeveria e Iliaz Vrionit, nuk reagoi ndaj Përmendores së paraqitur nga të krishterët korçar, dhe të dërguarit e saj/
-Memorandumi i parë me rëndësi historike që paraqet dhe nivelin e dr.Koço Kotës/
-Koço Kota më datë 13 shkurt 1921, i drejtoi qeverisë një Memorandum ku kërkohej krijimi i një situate të privilegjuar në favor të elementit të krishterë/
– Shqipëria u njoh prej Konferencës Londrës si shtet indipedent e neutral, që nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit oriental të Turqisë/
– Kombi Shqiptar, është e vërtetë që është një komb homogjen, porse ndryshimi i fesë dhe i kulturës, e kanë ndarë në dy komenta zakonesh/
– Gjermanët dhe pas humbjes së luftës, vazhdojnë të jenë gjith ata gjermanë të bashkuar, sado të ndarë në mbretëri dhe krahina politikërisht dhe fetarisht /
Ne Foto_ Kabineti i Kryeministrit Koco Kota(Kryemitri ne mes)/
Shkruan:Harallamb Kota, studiues i historisë/
Qeveria e Iliaz Vrionit, nuk reagoi ndaj Përmendores së paraqitur nga të krishterët korçar, dhe të dërguarit e saj përkrahnin vetëm kandidatët e paraqitur nga Pandeli Cale. Si pasojë grupi i Koço Kotës më datë 13 shkurt 1921, i drejtoi qeverisë një Memorandum ku kërkohej krijimi i një situate të privilegjuar në favor të elementit të krishterë. Memorandumi u botua në organin “Gazet e Korçës” më 19 shkurt 1921. Nisur nga rëndësia historike që paraqet dhe lidhja organike me dr.Koço Kotën, Memorandumin po e botojmë të plotë.

Titulli:
Memorandumi i të Krishterëve Shqiptarë

Teksti:
Ne të Krishterët Shqiptarë të Korçës e të Qarkut, duke parë se qeverimi i Shtetit Shqiptar, që më 1913, d.m.th. që kurse Shqipëria u njoh prej Konferencës Londrës si shtet indipedent e neutral, nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit oriental të Turqisë, e kështu shkakëtoj shumë herë rezike të jetës politike e kombëtare të Shtetit t’onë, dhe duke parë se gjithë kjo mënyrë qeverimi është duke vazhduar, sikurse sheshaz dhe me fakte është provuar në tërë këtë periudhë të qeverive të ndryshme, deri në kohët e zgjedhjeve, me gjithë programet e bukura që i janë shfaqur popullit prej këtyre qeverive të ndryshme, gjë e cila sigurisht i sjell vdekjen Kombit; për të shpëtuar këtë nga rëziket e sigurta, vendosmë që të mos marim pjesë në zgjedhjet e paligjshme parllamentare që u krijuan prej qeverisë dhe t’i çfaqim pik së pari kësaj, pas detyrës që kemi, programin t’onë, të bazuar mbi themele të sigurta e të provuara në të gjitha shtetet e qytetëruara të botës, i cili është i vetëmi mjet që mundet të sigurojë jetën politike të Kombit t’onë dhe përparimin e tij. Por, përpara se ti parashtrojmë Qeverisë së ndershme përmbajtjen e programit t’onë, shofim të arësyeshme që të bëjmë më parë një hyrje historike të zhvillimit të kombeve të qytetëruara të botës. Historia e gati tërë shteteve, qartas provon se qeverimi qendror, ka sjellë gjithëmonë edhe në shtetet më omogjene, shkatërimin e tyre, për arësye se kjo mënyrë qeverimi, duke u bazuar mbi federalizmin, i cili ka të vetëm qëllim të thithurit e gjakut të popullit, natyrisht sjell një paralizim të gjymtyrave të trupit shtetnor dhe ka si përfundim të domosdoshmen, shkatërimin e shtetit e të kombit. Përkundrazi, qeverimi çqendror (decentralizimi), i cili u zbatua në shekullin e fundit, në të tëra gati shtetet e qytetëruara të botës, ka sjellë përparimin e tyre, sepse duke qënë në shëndet të plotë ç’do gjymtyrë e trupit në vetë vehten, përfundimisht tërësia e Shtetit është në shëndet të plotë e në përparim. Dy shëmbulla vetëm mjaftojnë, që të na provojnë bazën e therorive të nalttreguara. Turqia, duke mos dashur të pranojë e të zbatojë administratën çqendrore, me gjithë rekomandimet e qeverisë Gjermane dhe Austrohungareze, shkakëtoi jo vetëm çkatërimin e saj, por provokoj edhe atipathinë, si të gjithë elementëve nacionale e fetare që përbënte, si edhe të tërë botës qytetëruar, passi në një periudhë jete shteti mjaft të gjatë, nuk mundi të kryejë detyrën e saj civilizatrise mbi kombet që ajo përbënte. Kurse përkundrazi, monarshia Austro-ungare me mënyrën zivilizatrise të qeverimit të saj, edhe pas shkatërimit, vazhdon të ketë sympathitë, jo vetëm të popujve e kombeve që përbëheshe, por edhe të botës tërë, duke u konsideruar si një element civilizator i domosdoshëm për Europën. Sistemi pra i decentralizimit, nuk është vetëm i domosdoshëm për sigurimin e jetës politike të shteteve omogjene ose eterogjene, por edhe i vetëmi mjet që mundet të sjellë e të sigurojë bashkimin kombëtar të vërtetë dhe jo të syperfuqishëm. Këtë gjë, e shifim të gjallë sot, sidomos pas luftës europiane, në kombin Gjerman, i cili sado që shtet i ndarë në shumë mbretërira, dukata e qytete të lira, vazhdon të ketë një lidhje kombëtare të tillë, që përgënjeshtroj të gjitha theoritë e atyre politikanëve, të cilët mbesonin se rënja e militarizmit, do të shkakëtonte dhe të ndarit të krahinave gjermane në krahina armike njeara kundrë tjatrës; e kështu Gjermanët dhe pas humbjes së luftës, vazhdojnë të jenë gjith ata Gjermanë të bashkuar, sado të ndarë në mbretëri dhe krahina politikërisht dhe fetarisht. Kombi Shqiptar, është e vërtetë që është një komb homogjen, porse ndryshimi i fesë dhe i kulturës, e kanë ndarë në dy komenta zakonesh dhe qytetërimi të ndryshëm, e kështu nuk është kursesi e mundur që të vijë bashkimi i vërtetë dhe përparimi i kombit Shqiptar, sa që sundimi i krahinës të Shqipërisë Jugore të jetë në dorë të elementit Muhamedan, i cili për arësye të kulturës orientale, është tepër e vështirë që të adaptojë qytetërimin oksidental. Përveç kësaj, pasandaj edhe një interesë e madhe politike, kërkon doemos që krahina e Shqipërisë Jugore, e cila është kufi me Greqinë, shtet shumë më i përparuar dhe i cili ka pamje politipe të shkakëtuara prej qeverimit oriental; që kjo krahinë të ketë një administratë të mbaruar europiane, e me këtë mënyrë të çduken prej vetiut këto qëllime politike, që i trashëgoj qeverimi i tiranisë turke, e të sigurohet jeta politike e kombit dhe e shtetit t’onë. Meqënë pra, se zhvillimi i kombeve u shtrohet njësisht ligjave natyrele dhe është gjë e pa mundur që kombi t’onë të jashtohet prej këti lloj zhvillimi, prandaj;
Ne të Krishterët Shqiptarë, me anë të kësaj përmendoreje, po i parashtrojmë Qeverisë Qendrore, programin t’onë mbi mënyrën e administratës së Shqipërisë Jugore, të bazuar mbi fakte të provuara, duke dekllaruar se vetëm në rasë pranimi të programit t’onë, i cili është i vetëmi shënjëtim i jetës politike të kombit t’onë, do të marrim pjesë në organizimin e Shtetit, e përndryshe do të heqim dorë krykëput, duke u lënë të gjithë përgjegjësinë Qeverisë dhe bashkatdhetarëve t’onë Muhamedanë.

Programi i Ynë mbi Organizimin e Shqipërisë Jugore është ky:

1) Shqipëria Jugore, të ketë një administratë të veçantë, të regulluar në këtë mënyrë;
2) Kjo krahinë, të administrohet prej një Guvernatori të përgjithshëm dhe një Këshillë departementore.
3) Guvernatori i përgjithshëm, do të zgjidhet me shumicën e votive të gjymtyrave të këshillës departemantore dhe do të aprovohet prej Qeverisë qendrore.
4) Këshilla departemantore, e cila do të zërë vëndin e një farë parllamenti të departamentit, do të përbëhet prej një numëri këshillonjësve, të cilët do të zgjidhen me vota drejt për drejt pe popullit dhe do përmbajë 2/3 të krishterë dhe 1/3 muhamedanë.
5) Kjo këshillë, do të ketë për detyrë të bisedojë e mendohet mbi tërë çështjet e krahinës, ekonomike, administratore, arësimore e gjyqësore, do të votojë ligjat e nevojshme të krahinës dhe ndrimin e tyre pas nevojave dhe zhvillimit të popullit, si edhe ligjat e tjera, që u përkasin ekonomisë, administratës, arësimit et.t. pas nevojës dhe shvillimit të krahinës.
6) Të gjithë nënpunësit e krahinës, do të emërohen prej Guvernatorit të përgjithshim, pas vendimit e pëlqimit që do të meret prej këshillës departemantore dhe do të aprovohen prej Qeverisë Qendrore.
7) Të ardhurat e krahinët tonë, do të prishen të gjitha për nevojën e saj; vetëm do të marrë pjesë në shpenzimet e përbashkëta, për Qeverinë qëndrore dhe legacionet e jashtme, pas ligjës themelore që do të votojë mbledhja konstituente për tërë Shtetin, porse gjithmonë në një analogji me krahinat e tjera të Shqipërisë.
8) Passi shteti Shqiptar është njohur që në fillimin si një shtet neutral dhe passi sot gadi në gjithë botën po çfaqen deshira dhe tendancione për një çarmatim të përgjithshëshim, krahina tonë, do të mbajë një gjendarmëri të mjaftë, sa për të mbajturit e qetësisë të vëndit. Për këtë gjë, këshilla do të ketë të drejtë të votojë, që të sjellë oficerë europianë, aq sa të ketë nevojë organizimi i Gjendarmërisë.
9) Gjithashtu, këshilla do të ketë të drejtë të votojë, që të sillen organizatorë të huaj dhe për të gjitha degët e tjera, që kështu t’i nepet sa më shpejt krahinës sonë, një organizim e përparim europian, e kështu të bëhet një model edhe për krahinat e tjera të Shqipërisë.
10) Nënpunësit si edhe oficerët e gjendarmërisë, për shpëtimin e Kombit e të Atdheut, do të jenë 75% të Krishterë e 25% Muhamedan,deri sa të bëhet një transformasion i kombit, kur atëherë do të jetë çdukur më mantaliteti oriental në krahinën t’onë dhe nuk do të jetë më nevoja e kësaj mase.
11) Qendra e Guvernatorit të përgjithëshim dhe të këshillës të regjionit të Shqipërisë Jugore do të jetë qyteti i Korçës.

KOMISIONI:
Koço Kotta, Llambro Mborja, Efklidh Shomo, Thoma Orolloga, Kol Rodhe, Milto Sotir-Gurra, Jorgji Lukeri, Llambi Bimbli, Aleks M.Lubonja.
( Vazhdojnë nënshkrimet e popullit të Krishter ).

Vlerësime të ndryshme lidhur me “Memorandumin e Korçës”

Patriotët shqiptarë në prefekturën e Korçës, duke gjykuar që popullsia shqiptare në Jug të Shqipërisë, “i përket në shumicë besimit ortodoks dhe atij bektashian”, siç e theksuam më lart, hartuan në 13 shkurt 1921 një “Memorandum” të cilin ja paraqitën qeverisë shqiptare të kryesuar nga kryeministri Iliaz Vrioni. Hartuesit e memorandumit ishin Koço Kota dhe grupi i mbështetësve të tij: Llambro Mborja, Efklidh Shomo, Thoma Orollogo, Kol Rodhe, Milto Sotir-Gurra , Jorgji Lukeri, Llambi Bimbli, Aleks M.Lubonja dhe populli i Krishter. Për qartësimin e kësaj ngjarje, po japim disa versione të pikpamjeve të shënuara në literaturën e botuar, të cilat pavarësisht objeksionit individual të gjithsecilit, kanë vlerat e tyre historike dhe analizuese.

Sipas Organizatës “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës, në artikullin e botuar më 12 mars 1921, në “Gazet e Korçës”, ndër të tjera thuhet: Po thua se nga gjithë gazetat t’ona, të cilat gjer më sot u muar me memorandumin e të Krishterëve Shqiptarë të Korçës, vetëm “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës, nuk shpetoj t’ë denojë si antikombëtare që në pamje të parë, por se ajo tregon me të vërtet një paanësië e interes patriotik, duke këshilluar gjiak-ftohtësie e studijim të thellë, për para ç’do lloj kritike. Prandaj edhe ne, me kënaqësi të madhe, po hyjmë në një bisedim shkencor, me simotrën t’onë, mbi Memorandumin e përmendur, sepse vetëm kësimënyre do të munt të kthellohat e të dale në shesh e drejta e themes së parashtruarë. Shkurtimi i përmbajtjes së artikullit të simotrës s’onë, mundet që të përmblidhet në kaq: “Që nuk ishte koha e mënyra e duhurë sot për sot për një memorandum të tillë, sepse ndodhemi në një periudhë provimi prej anës së Europës, në është se meritojmë për një jetë politike si atë, që na u dha në Konferencë të Londrës më 1913, e vetëm bashkim’ i gjithmbarëshëm i Kombit, do të japë shenjën më të bukur për meritën t’onë”. Cok kjo periudhë provimi është, që i shtyn Shqiptarët e Krishterë, që t’i heqin vërejtjen Qeverisë, pas detyrës që ka ç’do Shqiptar, e kështu të meren masa të shpejta e radikale, për sigurimin e jetës politike të Shtetit t’onë, sepse me fakte u pa, se, në një periudhë qeverimi mjaft të gjatë, Qeverit’ e ndryshme të Shqipërisë, jo vetëm që nuk muar ndo një fare mase për këtë gjë, por përkundrazi, duke vepruar me sistemin e matalitetin e Anadollit, prunë shkatërimin e po rrëzikojnë edhe sot jetën e Shqipërisë t’onë të dashurë. Në artikullin t’uaj, po thoni se sot vepra më e bukurë e urtia më e madhe nga ana jonë do të jetë bashkimi i Kombit gjithëmbarë, e madje shtoni “bashkimi i shejtë (shënjtë hk) e i pastër”. Jemi pikë për pikë një mëndjeje. Por, a thoni se munt të vijë një bashkim kombëtar i vërtetë, kur njësia mungon plotësisht, e i Krishteri shihet po me nj’atë sy, që shihej në kohën e Turqisë ?. Katundet të krishtera të qarkut t’onë janë përmbledhur në qytet, dhe me gjith që punët n’Amerikë jenë të mbyllura, preferojnë të largohen nga atdheu i tyre e të ikin për atje, nga se nuk kuxojnë të venë në shtëpi’e pronja e tyre, të cilat u a kanë zaptuar të fuqishmit. Por dhe ata që rojnë nër katunde, po tiranizohen me çfarë do mënyrë; shtëpitë po i u digjen dhe me ç’do mënyrë po shtrëngohen që të lënë plenk e pronjë shkretë; e mandej nuk kuxojnë as që të qahen, se për ndryshe edhe jeta e tyre është në rrezik. Shtypi ka bërtitur e po bërtet për dita mbi këto të gjitha, por se Qeveria as është tundur, as që do që të tundet e të marrë masat e lipsura. Pra, një shtet, i cili nuk ka një administrat të bazuar në njesie të plotë, nuk është e mundur që të rojë, sado në rrugë të mirë të jetë politika e jashtme e ati shteti, sepse jeta politike e një shteti, në çdo pikëpamje, ësht’ e siguruar sa që administratë e mbrëndëshme të jetë e bazuar në themele të shëndosha dhe jo të kalbura. Jemi të mëndjes se duhet çporur, në na dhembet me të vërtet atdheu, ai mantaliteti turk, të cilët kujdesoheshin vetëm për t’ë mshehur në sytë e të huajvet kalbësinë e ndërtesës së tyre shtetnore, pa i marrë dhe masat e meremetimit, se përfundja do të jetë “humbje e përjetëshme”.

Sipas Dr.L. Krati, në artikullin e tij botuar më 26 mars 1921 në “Gazet’ e Korçës”, shkruan: Për Memorandumin, që disa shokë të asaj klike (Cale & Shok.h.k.),duan të thonë që është një akt anti patriotizmë, njoftojmë popullin që përkundër është një akt patriotik, i cili na dha të drejtat të njeriut, të çmpira në Francë më 1789 prej M.Robespierit, i cili la kokën e vet në gijotinë për me i mbrojt ato të drejta dhe cilatë po rrojnë sot në gjithë botën, na kërkojnë që jo vetëm çdo tufë, po ç’do nënshtetash ka të drejtë me çpall mendimet e vet çka i përket Atdheut dhe shumica e votave është e lirë a do pranojë a jo këto mendime. Nuk marim vesh, ku është antipatriotizmi i atyre që nënshkruan atë të famshmin Memorandum?. Vetëm në mëndje të asaj klike, që ka ba më të mëdhatë intriga deri sot dhe ka vue në rezik jetën e Shtetit Shqiptar !. Në Shkodër, as njeri nuk e hodhi nderë për me u ba vegla e njenit ose’ e tjetrit, për me filue (fitue. hk) klika si ajo e Korçës, por të gjithë të krishtenëtë të bashkume me klerë, u mblodhë në kishë të madhe dhe vendosnë që të mospranojnë të dërkojnë deputetë, derisa të mos pranohetë deshira e popullit, cila kërkoi të jenë: 7 Deputetë të krishterë e 3 muhamedanë, dhe për me arirë këtë qëllim, i nderçmi At.Thaçi, i vëllai i ish Deputetit Shkodrës, si orator i dytë që pat fol në mbledhje, pat thënë; që kemi ndihmës dhe krishterëtë të Korçës. Pra e kanë me thanë klika e Korçës: “që dhe Shkodranëtë janë antipatriotë se mprojnë të drejtat lokale, cilatë janë jeta e Shtetit….”.

Sipas z. Loni Logory, në artikullin e tij më 26 mars 1921 në “Gazet’ e Korçës”, shkruan:
Me qënë shkruani mi mementesien (mentalite) orientake, ju dërgoj një pjesë nga ribieri (raporti) i Lord-it Milnor me punët t’Egjyptës. “Muslimani ka një sduresë (impatience) të mfshehur pa të gjallë, kundër bindësies ti. Në ligjën të Krishtianit, Muslimani qi ka një bice të latër a nji ofiq politik tyke qënë nënë urdhër të një Krishtiani, është kundër frymës funndimetake (fondamentale) të Isllami-it, dhe ndjenjat qi kanë mbirë nga kjo frymë, rojnë shumë kohë pas, megjithë që parimet fetare janë fortësisht lëpirë sot, janë fare shuar”. Që kur dolli Memorandumi, shumë ditare shkruhan artikuj me shënjëtyrën mohamedane, tyke sharë, hedhur gurë dhe cilësuar me shumë cilitake (qualificatifs) të poshta leader-it të ati memorandumi. Nuk mund të ketë asnjë dyshim mbi patriotizmin të atyre Zotërinj dhe është e tepër të kapemi mbi atë kapiter (chapitre). As njeri nuk u ndoth djer sot të kërkonjë kavshën të ati memorandum-i dhe nga ky mburoj, nga seë rrodhi. Në u ndodhë të 5 (pesë), të gudzojnë të marrin inisien të kësaj pune, dhe tyke pandehur se ata janë të shitur, populli qi i ndoqi në këtë mëndje, ka mbrenda njerës qi nuk hanë kashtë dhe nuk hiqen për hunde. Shijetaku (l’esseutiel) në këtë punë, është që Krishtianët nuk janë të kënaqur. Nga seë? përse?. Këtë të kërkojnë shënjëtarët të artikujve. Për këtë të pyesin Qeverinë, dhe këtë të kërkojnë të gjenjë Qeveria. As njeri nuk pyeti as kërkoj të mësonjë ngasseën, përseën. Nuk them që asnjeri nuk ka kovi të çëpkatnj Memorandumin dhe të shohë cilë anë ka të mirë dhe cilë anë ka të keqe. Ay njeri, qi shan dhe qerton dhe largohet nga bisidimi, rëfen vehten mae fajtor.

Sipas Sejfi Vllamasit, shënuar në librin “Ballafaqime Politike në Shqipëri 1897-1942”, fq. 239, Koço Kota me shokë, të shtytur nga një ambicje e shfrenuar, deklaruan gjendjen e jashtëzakonshme t’elementit të krishterë dhe me një “Memorandum” që i drejtuan qeverisë, kërkonin krijimin e një situate të privelegjuar në favor të elementit të krishterë në Jug. Por qeveria më 26 shkurt 1921 u përgjigjet, duke u thënë se është jashtë kompetencës së saj për të biseduar mbi pikat e shënuara në Memorandum, të cilat mund të shqyrtohen vetëm nga Parlamenti. Kjo marrëzi u bë me inisiativën e Koço Kotës nga një pakicë e verbuar nga ambicja dhe u përkrah nga një pjesë e grekomanëve, por u përbuz me indinjatë prej të gjithë patriotëve dhe prej popullit të krishterë e musliman të Korçës. Megjithatë, thekson Sejfi Vllamasi, kur Greqia deshi ta shfrytëzonte këtë çështje në favor të saj, Koço Kota me shokë, me një telegram që i bënë Lidhjes së Kombeve, deklaruan se “të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brëndshme”.

Sipas librit “Historia e Popullit Shqiptar” botim i vitit 2007 i Akademisë së Shkencave të RSH f.179, trajtimi i memorandumit paraqitet si më poshtë: “Kështu disa kandidatë për deputetë të “grupit popullor” të Korçës të kryesuar nga Koço Kota, me të kaluar të mirë atdhetare, por të pakënaqur me listën e kandidatëve të propozuar nga partia e tyre, u bën thirje të krishterëve që të bojkotonin zgjedhjet. Kur kjo përpjekje nuk pati sukses, hodhën një hap tjetër përçarës. Me një Memorandum drejtuar qeverisë më 13 shkurt 1921, ata kërkuan të krijohej në jug të vendit, ku bashkësia e të krishterëve ortodoksë ishte e madhe, një administratë e veçantë “autonome”, me parlament të vetin e me qendër në Korçë. Në të njënjtën kohë filloi të gjallërohej edhe kleri katolik, i cili kërkoi krijimin e një kantoni të veçantë në krahinat veriore me banorë të besimit katolik. Këto kërkesa, objektivisht çonin ujë në mullirin e atyre vendeve që nuk ishin për stabilizimin e Shqipërisë, si Jugosllavia e Greqia, prandaj u kundërshtuan nga opinioni publik shqiptar. Ato u jepnin të huajve, sidomos shteteve fqinje argumente për të luftuar shtetin e ri shqiptar në arenën e jashtme. Këto orvajtje i shfrytëzoi sidomos propaganda e Athinës dhe brenda vendit mitropolia e Korçës, që drejtohej nga peshkopi grek Jakovi, si edhe shtypi i Beogradit. Në këto rrethana Koço Kota e pasuesit e tij deklaruan botërisht që; “të huajt nuk kishin pse të merreshin me problemet e brendshme të Shqipërisë”.

Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botuar nga Akadermia e Shkencave e Shqipërisë Vëll.II,f.1327, zëri KOTA Kostaq (Koço) formuluar nga historiania Fatmira Musaj, trajtimi i Memorandumit paraqitet si vijon: Koço Kota më 13 shkurt 1921 i drejtoi qeverisë një “memorandum”, ku kërkonte që në Shqipërinë Juglindore të ngrihej një “Administratë Autonome” me parlament dhe legjislacion të vetin, me qendër në Korçë. Ky veprim u kritikua nga qarqet patriotike, brënda dhe jashtë vendit, si i dëmshëm e i mbarsur me rreziqe për rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe pavarësinë e tij.

Prof.Dr.Hysni Myzyri, në librin e tij “Pandeli Evangjeli” shënon. -I pyetur nëse nënshtetasit shqiptarë kishin ose jo të drejtë të parashtronin përpara qeverisë ndonjë projekt të ri administrimi ose ndryshim ligji, Pandeli Evangjeli u përgjigj: “Si një nënshtetas ose më shumë, kanë të drejtë medoemos t’i adresohen qeverisë për çdo gjë të nevojshme për të mirën e atdheut”. Madje ai shton, se sipas kushtetutave “të botës së qytetëruar”, asnjë person apo grup personash, nuk mund të bëhen objekt ndjekjeje nga organet shtetërore, sepse ata i kanë drejtuar qeverisë ndonjë projekt “për të mirën dhe sigurimin e shtetit” dhe që nuk është “në kundërshtim me jetën themelore të shtetit”. Sipas Evangjelit, “Shqipëria duhet të jetë një shtet konstitucional dhe kurrë absolutist”.
Lidhur me “Memorandumin e Korçës”, Pandeli Evangjeli është shprehur: Për tu qeverisur Shqipëria, më duket se do të jetë mirë një “decantralizim administrative”, sepse centralizimi ka shumë të meta dhe smund të sjellë ndonjë dobi përveçse dëmit”. Kurse “Memorandumi i Korçës” nuk është bërë me një qëllim separatizmi (ndarje), sidoqë ka dhe pak të meta. Memorandumi gabon në konsideracionet e tij dhe më tepër në atë pjesë ku bën fjalë për proporcionin e nëpunësve dhe në shkallën kulturore të ndryshme midis elementit shqiptar, fakt i cili shkakton ftohtësinë midis dy feve”. Kjo i kishte dhënë shkas shtypit për kritika të ashpra, por edhe disa “njerëzve politikanë të huaj, të cilët me çdo mënyrë, kërkojnë një pjesë të tokës së atdheut tonë” dhe e përdorën “faqe botës këtë situatë si armë kundër interesave të shtetit tonë, duke e shpjeguar, pa të drejtë, si një shenjë separatizmi në dëshirat e shfaqura me anën e permendores (memorandumit)”. Por thekson ai, nuk duhej vënë aspak “në dyshim patriotizmi i të krishterëve shqiptar, i cili është rëfyer me punë, me vepra dhe jo me fjalë, dhe aq më tepër i atyre të Korçës. Se, kur asnjë zë nuk dëgjohej për lirimin e Shqipërisë, këta punonin pareshtur në fushën kombëtare”.

Sipas Historianes Marela Guga, e cila i referohet edhe gazetës “Fjal e Lir” botuar në Vlorë në 1 mars 1921, e trajton këtë akt politik (Memorandumin), në librin e saj “Prefektura e Beratit” f.76-77 si më poshtë: “Fushata zgjedhore për Qeverinë Vrioni nuk ishte e qetë. Ajo u përball me shumë probleme, si: problemi fetar për qëllime kantonale në Shkodër, luftën politike të disa qarqeve në Korçë, për një “qeverisje autonomiste”. Më tej ajo vazhdon: “Qarqet greke u përpoqën të bojkotonin zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri, një mënyrë për të realizuar strategjinë e tyre, që do të shërbente si provë bindëse e “shpirtit iredentist të popullsisë greke” në këtë rajon. Më tej ajo thotë: “Me një Memorandum drejtuar qeverisë, më 13 shkurt 1921, ata kërkuan të krijohej në jug të vendit një “Administratë Autonome”, aty ku bashkësia e të krishterëve ortodoksë ishte më e madhe, e cila të kishte një parlament të vetin me qendër në Korçë. Populli shqiptar e dënoi këtë përpjekje të qarqeve greke, po kështu edhe qytetarët e Beratit e quajtën antipatriotike. Më 24 shkurt 1921, komuniteti i dy besimeve fetare në Berat, i dërgoi një telegram proteste kryeministrit të vendit, ku dënohej ky koncension në kurriz të Shqipërisë së Jugut. ….Qeveria e Iliaz Vrionit mbajti një qëndrim të matur ndaj autonomistëve”.

Sipas Burhan Çirakut, shënuar në artikullin e tij “Zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri”, publikuar me Librin, “Mbi Lëvizjen Kombëtare dhe Demokratike Shqiptare 1919-1924”, botim i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë USHT, në faqen 162-165 thuhet: Grupi i Koço Kotës kur pa se zgjedhësit e dytë nuk premtonin të zgjidhnin deputet Koço Kotën me shokët e tij, i shtytur nga një ambicje e shfrenuar, deklaroi gjendjen e jashtëzakonëshme të elementit të krishterë. Më 13 shkurt 1921, i drejtoi qeverisë një Memorandum, ku kërkohej krijimi i një situate të privilegjuar në favor të elementit të krishterë. Kundër Memorandumit shpërtheu një vale e madhe zemërimi dhe proteste në të gjithë vendin. Edhe vetë Koço Kota me shokët e tij, kur pa se Greqia deshi ta shfrytëzonte këtë çështje në favor të saj, i bënë një telegram Lidhjes së Kombeve, me anën e të cilit deklaronin se: “të huajtë nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brendëshme”.

III-Vlerat Atdhetare të Memorandumit të Korçës

Duke dashur të kontribuoj sadopak në çështjen e gjykimit të vlerave dhe rolit të “Memorandumit” kaq shumë të debatueshëm, qysh kur u shfaq në skenën politike shqiptare, aq të ngarkuar veçmas për shkak të etapës së re, kthesës historike që nisi për shtetin shqiptar të saporimëkëmbur nga vendimet historike të Kongresit Kombëtar të Lushnjës, pasi parashtrova komentet e bëra, të cilat fatkeqësisht janë ngatëruar në vorbullën e shprehjes popullore “digjet i njomi me të thatin”, ndjej të nevojshme të shfaq edhe unë mendimet e mija. Me të drejtë, vëmëndja e shtypit patriotik kombëtar e intelektual si dhe e popullit shqiptar, ndaj rreziqeve turko-greko-sllave dhe bashkëpunëtorëve të tyre, në dëm të çështjes shqiptare dhe të krijimit të shtetit shqiptar, ka qenë dhe vazhdon të jetë e lartë. Por abuzimi me termin “vigjilencë” sjell dëme të mëdha dhe nuk e justifikon njollosjen e patriotëve shqiptar pa argumenta bindëse dhe prova të dokumentuara, me përcaktorin: armik, vorioepirot, grekoman, shkie, turkoman, etj. Memorandumi, thotë Sejfi Vllamasi, u hartua nga verbëria e luftës politike. Kjo është e vërtetë, pasi kjo verbëri politike po shoqëronte patriotizmën shqiptare qysh pas krijimit të Shqipërisë. Pikërisht, për të luftuar këtë verbëri politike, u krijua organizata patriotike “Krahu Kombëtar”, e cila kishte si synim të shuante ambiciet për pushtet dhe të bashkonte anëtarët e saj në përpjekjet e përbashkëta për ta ndërtuar Shtetin Shqiptar. Mirëpo, fatkeqësisht këto ambicie krijuan konflikte edhe brenda “Krahut Kombëtar”. Për pasojë, dy nga anëtarët më të vjetër dhe patriotët më të dalluar, Pandeli Cale dhe Koço Kota, ishin armiqësuar jo vetëm nga ambiciet e Pandeliut për pushtet, por edhe të qëndrimit të palëkundur të Koço Kotës ndaj vlerave të Ismail Qemalit. Duke njohur këto qëndrime, duam të besojmë që nxitje për hartimin e “Memorandumit”, paskeshin qenë jo vetëm ambiciet politike, por edhe disa ngjarje, të cilat po i radhitim si më poshtë:
Pranimi i “Listës së Pandeliut” nga administrata Qendrore Shtetërore e Tiranës, nxiti zëmërimin e grupit të Koço Kotës dhe u bë shkak për hartimin e “Memorandumit”, që në fakt ishte i parakohëshëm e i nxituar dhe u shfrytëzua nga segmentet grekomanë, të cilët u munduan ta paraqesin para Fuqive të Mëdha, si “paaftësi shtetformuese e shqiptarëve” dhe për qëllimet e tyre aneksioniste.
Rrethanat historiko-politike, që ndodhej ende Shteti Shqiptar në atë kohë, kur Koço Kota ja paraqiti Memorandumin (cituar më sipër) Qeverisë Shqiptare, ishin të tilla:
Shqiptarët qeveriseshin ende me ligjet e Perandorisë Osmane. Shqiptarët e Krishterë trajtoheshin si në kohë të Turqisë. Ende vazhdonin thirjet: “duam babën”, “gegët të sundojnë mbi toskët” dhe për një “Shqipëri nën Turqi”.
Krahas faktorëve që paraqitëm më sipër, të cilët kanë si qëllim të nxjerin në pah, arësyet që e shtynë grupin e Koço Kotës për hartimin e “Memorandumit”, po sjellim para lexuesit të nderuar edhe mjaft argumente që hedhin poshtë pretendimet e disa shkrimeve historike e publiçistike lidhur me figurën dhe personalitetin e patriotit Koço Kota.
Historiania Marela Guga, në librin e saj ka konkluduar si më poshtë: “ndërkaq shteti grek filloi të intensifikojë provokacionet. Qarqet greke u përpoqën të pengonin zhvillimin e zgjedhjeve të para parlamentare në Shqipëri, një mënyrë për të realizuar strategjinë e tyre, që do të shërbente si provë bindëse e “shpirtit irredentist të popullsisë greke”, në këtë rajon ?!! .”.
F 14
Të përgëzoj z. Marela lidhur me evidentimin e ngjarjeve të cilat kanë lidhje me armiqësitë e grekomanëve ndaj shqiptarëve, por ç’lidhje kanë manovrat e tyre me “Memorandumin”. Hamendësimi është letërsi, ndërsa faktet historike nuk mund të komentohen as politikisht dhe as në këndvështrimin e përkatësisë fetare. Sipas këtij këndvështrimi, Kostaq apo Koço Kota duke patur emër ortodoks është i lidhur padyshim me grekomanët ose vorioepirotët. Znj.Marela, je ende në kurthin e ngritur nga armiqtë e shqiptarizmës, të cilët shqiptarët me emëra musliman i quanin turq dhe shqiptarët me emëra ortodoks i quanin grek apo vlleh. Mendoj, që është rrëshqitje nga udha e Rilindasve tanë të Mëdhenj, kur kushdo qoftë, i trajton shqiptarët jo sipas përkatësisë kombëtare por sipas përkatësisë fetare dhe fare “padashur” i damkos grek apo vlleh ata shqiptar pse janë ortodoks. Rasti i patriotit shqiptar Koço Kota është tipik për tu trajtuar. Veç tij kemi edhe mjaft personalitete dhe figura të të tjera të rëndësishme, shqiptarë ortodoks, që janë shkruajtur “gabimisht” në librat e historisë duke u cilësuar grek apo vlleh. Midis tyre përmendim: Naum Bredhi (Veqilharxhi), Pionerin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe hartuesin e abetares së parë shqipe, Vasiliqin, gruan e Ali pash Tepelenës, Kleoniqi Surmelin, gruan e Ismail Qemalit, Pandeli Evangjelin, patriotin e madh shqiptar, Spiro N.Konda –filologun e shquar shqiptar, hartusin e dy veprave të çmuara: “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik” dhe “Mbi Etruskët”, Dr.Nuçi K.Kota, hartusin e veprës madhore “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”,etj. Mjaft patriot shqiptar me emëra ortodoks, janë sakrifikuar për ta bërë Shqipërinë. I sakrifikuari i parë është udhërëfyesi i ndritur Dhaskal Todri, që na kujton Prometeun në mitologjinë pellazgo-ilire, duke udhëtuar si Ulissi homerik me germat shqipe në torbat e tij, ndeshur me zonjën greke fanarite -Çirçen dinake e të pabesë dhe helmuar prej sajë. Pas dhaskalit, Fanari grekoman, vrau e helmoi Naum P.Bredhin, Papa Kristo Negovanin, Petro N. Luarasin, Kol Kotën, Llambi N.Kotën, Aristidh P.Kolën e mjaft të tjerë. Historian të nderuar, ruhuni nga marëveshjet patriarkano-osmane dhe sllavo-greke. Mos e besoni “shejtanin”. Emërat e shqiptarëve nuk janë përcaktor të kombësisë. Përcaktor i etnisë pellazgo-iliro-arbënoro-shqiptare është vetëm gjaku shqiptar që na rjedh në deje. Ky gjak rjedh në shekuj edhe në kurmin e pinjollëve Kota dhe padyshim edhe në atë të patriotit shqiptar Koço N.Kota. Shikimi i ngjarjes historike me këndvështrim politik dhe fetar, dashur pa dashur, e shtrëmbëron të vërtetën historike dhe objektivitetin e ngjarjes. Si pasojë, bashkthemeluesin e federatës panshqiptare “Vatra” në Amerikë, e quajtur “Një copëz Shqipëri”, mbështetësin e Fan Nolit dhe Ismail Qemalit, bashkthemeluesin e organizatës patriotike “Krahu Kombëtar”, përfaqësuesin e Korçës në Kongresin e Lushnjës dhe senatorin Koço Kota të zgjedhur në këtë kongres, nuk e trajton me faktin historik të momentit e rrethanave historiko-politike që ndodhej ende Shteti Shqiptar në atë kohë, kur Koço Kota ja paraqiti Memorandumin Qeverisë Shqiptare. Duhet të kujtoj se ende vazhdonin thirjet: “duam babën” apo “gegët të sundojnë mbi toskët” dhe ende vepronin qarqe të caktuara që shpreheshin për një “Shqipëri nën Turqi”. Sipas burimeve historike cituar më sipër, “Fushata zgjedhore për qeverinë Vrioni nuk ishte e qetë, ajo u përball me shumë probleme, si: problemi fetar për qëllime kantonale në Shkodër, luftën politike të disa qarqeve në Korçë, për një qeverisje autonomiste”. Pra në të njënjtën periudhë paskan ndodhur dy lëvizje autonomiste, në Korçë qyteti juglindor ku kishin qeverisur francezët dhe në Shkodër qyteti verior ku ishin vendosur komandat e ushtrive austrohungareze dhe pas luftës së parë botërore shtabet e Fuqive Aleate.

Filed Under: Histori Tagged With: 95 vjetori i memorandumit, Harallamb Kota, Koco Kota

Ish-Kryeminsitri, Koço Nuçi Kota

January 6, 2016 by dgreca

Më 5 shtator 1928, dr.Koço Kotta u zgjodh Kryeministër dhe Ministër i P.Brëndshme/
Nga, Harallamb Kota/
Studiues i Historisë/
( Jetëshkrim )/
Ne Foto;Koco Kota, ne mes/
Kostaq Kota ose Koço, siç i pëlqente ta quanin, lindi më 14 mars 1888 në Korçë, qytet shqiptar i dalluar për lëvizjet e mëdha patriotike, për lirinë e mëmëdheut, për kulturë dhe arësimimin në gjuhën shqipe, procese në të cilat ishin përfshirë historikisht edhe kontribuon intensivisht familjet Kota. Origjina e tyre është nga Kalaja e qytetit të Beratit. Koço ishte djali i dytë i Nuçit, i cili kishte edhe dy djem të tjerë, Kristaqin dhe Ilian, si dhe një vajzë Leonorën. I jati ishte njeri shumë praktik, tregëtar dhe merrej me tregëti lëkurësh. Koço lindi. u rrit dhe u formua në një mjedis familjar të lidhur ngushtësisht me fatet e atdheut dhe të kombit, për interesin e të cilëve ishin të angazhuar pandërprerë. Ky mjedis ndikoi fuqishëm në formimin e karakterit të Koços dhe e bëri atë vazhdues të paepur të traditës familjare, idealit kombëtar dhe ndjenjave patriotike e atdhetare të saj. Koço e kreu arësimin fillor në Korçë, arësimin e mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, arësimin e lartë në Universitetin e Athinës, ku u diplomua në Shkencat Politike. Arsimi i lartë i dha mundësinë të njihet me figura të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe shpejt u lidh dhe nisi bashkëpunimin me ta, duke u bërë një nga më aktivët e të dalluarit e saj. Në udhën e jetës së tij pati fatin të takonte, të punonte, madje shpesh herë të bashkëpunonte ngushtësisht me tre nga figurat qëndrore të kombit shqiptar gjatë katër dekadave të para të shekullit XX,me Fan.S.Nolin me Ismail Qemalin, dhe Ahmet Zogun.
Koço Kota pasi përfundoi studimet e larta dhe mbrojti diplomën, në qershor të vitit 1911 u largua nga Athina dhe u vendos në qytetin e Vlorës nga ku, pas pak kohe, emigroi në Amerikë. Në SHBA, u anëtarësua në shoqërinë e emigrantëve shqipëtarë, “Përlindja” ose “Malli i Mëmëdheut” dhe u zgjodh Kryetar i saj. Mbështeti Fan Nolin në veprimtaritë e tij atdhetare, lidhur me çështjen kombëtare shqiptare, kishën ortodokse autoqefale, bashkimin e shoqërive të emigrantëve shqiptar në Amerikë etj. Në saj të veprimtarisë patriotike Koço Kota shpejt u bë i njohur në radhët e emigrantëve shqiptarë dhe midis drejtuesve dhe organizatorëve të tyre. Atje, ai ishte një nga pesë anëtarët e Komisionit nismëtar që shqyrtoi, diskutoi dhe vendosi për themelimin e Federatës “VATRA” shoqëri patriotike e emigrantëve shqiptarë në SHBA, e cila siç dihet u themelua në Boston (SHBA) më 28 prill 1912. Vatra ishte nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet, dhe më jetëgjata në Diasporën Shqiptare.
Më 1912 Federata Vatra e zgjodhi Koço Kota-n si një nga përfaqsuesit e tij delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës i cili më 28 nëndor 1912, shpalli pavërësinë e Shqipërisë. Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, drejtuesit e Kuvendit e ngarkuan Koço Kotan me detyrat e shkruesit (sekretarit). Me formimin e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali, e emëruan në detyrën e inspektorit të përgjithshëm në ministrinë e Arësimit të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin dhe programin e tij qeverisës, lidhur me reformat: administrative, arësimore dhe agrare, të cilat u sabotuan nga elementi turkoshak dhe nga pronarët e mëdhenj të tokave.
Në fillim të marsit 1914 Koço Kota bashkë me figura dhe personalitete patriotike të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare, themeluan në Durrës organizatën politike “Krahu Kombëtar” e cila u përpoq të organizonte dhe drejtonte lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e stabilizimin e shtetit shqiptar
Në datën 20 mars 1914, Koço Kota-n e emëruan në Ministrinë e Arësimit, e cila drejtohej nga dr.Turtulli Ministër Arësimi në qeverinë e Turhan Pashës.
Meqenëse shkolla shqipe thuajse nuk funksionoi, ai u largua nga Durrësi dhe u vendos në Berat, ku punoi në profesionin e tij të juristit -Avokat.
Më 4 shtator 1914, shkoi në Shkodër, sëbashku me patriotët shqiptar të “Krahut Kombëtar”.Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, komanda ushtarake e ushtrisë malazeze që pushtoi Shkodrën, e arrestoi Koço Kota-n bashkë me patriotët e tjerë dhe i internoi në Mal të Zi. Pasi doli nga burgjet malazeze u largua dhe shkoi përsëri në Amerikë.
Më 27 janar 1916, u rikthye në Shqipëri pas largimit të Esad Pashës dhe ardhjes së austrohungarezëve.
Në fund të shkurtit 1916, Koço u caktua anëtar i Gjykatës së Apelit në Prefekturën e Beratit. Në fillim të gushtit 1916, u largua nga Berati dhe shkoi në Shkodër, ku e caktuan inspektor arësimi në Drejtorinë Arësimore, të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Qëndroi në këtë detyrë deri më 30 tetor 1918, kur ushtritë austrohungareze u larguan nga Shqipëria dhe në teritorin shqiptar u vendos ushtria italiane.
Luigj Gurakuqi, ministri i Arësimit në qeverinë e Turhan Përmetit më 30 dhjetor 1918, e emëroi Koço Kota-n “Inspektor Arësimi” pranë Prefekturës Berat.
Në shkurt të vitit 1919 shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N.Kotta.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nisi në Paris Konferenca e Paqes, e cila u hap më 18 janar 1919. Në atë Konferencë, morën pjesë edhe delegacioni shqiptar. Më 30 prill 1919, Kostaq (Koço) Kota Inspektori i Arësimit, bashkë me një grup patriotësh përfaqësues të popullit të Beratit, (Hekur be Vrioni Kryepari i Katundariës, Zarif Aga Haznatari-Kryetar i klubit“Bashkim”,Fevzi Ruli-Advokat, Themistokli Kassapi -Notablë i krishter, Salih Gjuka -direktori Arsimit, Adem Shehu -sekretari i Arësimit, Islam be Vrioni -Notabël muhamedan,Melek be Frashëri -Kapitanë, Xhevdet Meqemea–Advokat,Zejnel be Prodani–Notabël,Teki be Selenica-Notabël, Zoj Tonçi –Tregtar,Todi Naska -Nëpunës drejtësie,Bektash H.Berberi-Zanatli,Gaqe papa Zaharia-direktori i Kancelarisë së Prefekturës, Emrullah Psarizi-Sekretari i Perlimentares, Hajredin Kuçi –Notabël,Andon Capo –Tregtar, Hysni aga Kafasi -Këshilltari i Perlimtares, Nuri Osman Smundja -Sekretari i Drejtësisë), bëhet nismëtar për hartimin e një “Memorandumi” në favor të çështjes shqiptare, drejtuar Komandës Franceze në Shkodër, Konsullit amerikan në Shqipëri e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ku ndër të tjera kërkohej: “Nëse, shteti shqiptar duhet të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë na dëshirojëm mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojëm e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë”.
Më 6 shtator 1919, sëbashku me patriotët dhe vullnetarë berates Koço Kota ishte ndër drejtuesit më aktiv në komisionin “Mbrojtja e Korçës”, në organizimin e forcave vullnetare e mbledhjen e ndihmave materiale për mbrojtjen e krahinës dhe qytetit të Korçës nga agresioni dhe sulmet e andartëve grek
Më 21 dhjetor 1919 shkoi në Korçë, për të mobilizuar dhe organizuar patriotët dhe vullnetarët korçare dhe përkrahësit e tyre, në luftën vendimtare kundër synime aneksioniste greke dhe për krijimin e kushteve që edhe Korça ti bashkëngjitej Shqipërisë. Ai u shpreh hapur publikisht kundër marrëveshjes italo-greke dhe ishte i bindur e besimplot tek amerikanët.
Më 21-31 janar 1920, Koço Kota mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës si delegat dhe përfaqësues i Korçës, midis 50 përfaqësuesve të gjithë krahinave të përfshira më 1913 në kufijtë e shtetit shqiptar. Sikurse dihet Kongresi Kombëtar i Lushnjes ishte ngjarje me rëndësi të veçantë, mori vendime për rimëkëmbjen e shtetit Shqiptar, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë teritoriale të tij. Drejtuesit e Kongresit e caktuan Koço Kota-n Sekretar të Kongresit. Në fund të punimeve Kongresi i Lushnjes e zgjodhi Koço Kota-n anëtar të Këshillit Kombëtar, përfaqësues të krahinës së Korçës në atë organ me 37 anëtar që kryente funksionet e parlamentit shqiptar, organ i krijuar për here të pare në Historinë e Popullit Shqiptar dhe që shënoi fillimin e parlamentarizmit dhe të demokracisë parlamentare. Në këtë mënyrë, vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjes në të cilin mori pjesë mjaft aktive edhe Koço Kota, shënuan një moment kthese në Historinë e Shqiptarëve, shënuan fillimin e një periudhe të re. Përmbajtjen e procesit të ri historik, Koço Kota jo vetëm e kuptoi qartësisht dhe plotësisht, por me ndërgjegje e bindje të patundur i kushtoi angazhimin pakushte dhe devocionin e paepur mbi 20 vjet të jetës së tij.
Dokumentet arkivore të kohës, dëshmojnë se Koço Kota gjatë vitit 1920, sipas kërkesës së ministrisë së Arësimit, hartoi tekstin e parë të matematikës në gjuhën shqipe, për tre klasat e para të shkollës fillore. Më 21 qershor 1920, Qeveria e Sulejman Delvinës e emëroi Koço Kota-n Prefekt të Korçës. Përballja me pronarë të mëdhenj tokash dhe me pushtetarë turkoman, e detyruan Koçon ti shprehte Ahmet Zogut Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e S. Delvinës, indinjatën e të krishterëve shqiptar ndaj ligjeve osmane në fuqi dhe praktikave diskriminuese turkomane. Paralajmëroi strukturat shtetërore, për rrezikun e madh që i vinte shtetit Shqiptar nga vazhdimi i zbatimit të legjislacionit otoman, parimet dhe praktikat e të cilit ishin në kundërshtim me parimet e Rilindjes Kombëtare dhe me vendimet e mara në Kongresin Kombëtar të Lushnjes.
Qysh në fillimin e fushatës së zgjedhjeve të para parlamentare pluraliste në Shqipëri në janar të vitit 1921, Koço Kota konstatoi dhe kundërshtoi parregullsitë në hartimin e listave të kandidatëve për deputet në dëm të përfaqësuesve të popullsisë ortodokse. Për ti bërë presion qeverisë, që të merrte masa për mënjanimin e parregullsive, i inkurajuar edhe nga mbështetësit e tij, u tërhoq nga kandidimi. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Koço Kota me një grup intelektualësh korçarë, më 13 shkurt 1921 i paraqitën qeverisë Vrioni një “Memorandum”, ku kërkonin që në Shqipërinë Juglindore të ngrihej një “Administratë Autonome” me parlament dhe legjislacion të vetin, me qendër në Korçë por e varur plotësisht nga pushteti qendror i shtetit Shqiptar. Në Memorandumin drejtuar Qeverisë Shqiptare, K.Kota e personalitetet që e mbështetën, i paraqitën edhe argumentet që spjegonin dhe justifikonin parashtresën e tyre. Ata analizonin shkaqet dhe arsyet politike, sociale, fetare, kulturore, legjislative (juridike) specifike dhe të veçanta të krahinave të Juglindjes së shtetit Shqiptar, shkaqe të cilët diktonin, sipas hartuesve të memorandumit, nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të saj si njësi e posaçme teritoriale-administrative autonome, por të varur plotësisht nga pushteti dhe administrata qendrore e Shtetit Shqiptar. Madje në Memorandum i sillnin në vështrim Qeverisë Shqiptare edhe organizime të tilla shtetërore të suksesshme në shtete të ndryshme të Europës.
Kur qarqet drejtuese shtetërore Greke u përpoqën ta shfrytëzonin këtë çështje në favor të tyre Koço Kota e tërhoqi Memorandumin dhe me një telegram dërguar Lidhjes së Kombeve, deklaroi: “Të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brëndshme të shtetit Shqiptar”.
Në korrik të vitit 1921, qeveria e Iliaz Vrionit e caktoi dr.K.Kota-n Prefekt të Beratit, detyrë të cilën e kreu deri në fund të vitit 1923. Në ushtrim të detyrës së prefektit, u njoh me situatat social ekonomike të popullsisë krahinore dhe ju përvesh punës për çeljen e fondeve dhe fillimin e punimeve botore. Gjatë viteve 1921-1923, periudhë gjatë të cilës K.Kota ishte Prefekt i Beratit u hapën 19 shkolla të reja; në Sinjë, Sadovicë, Pobrat, Drobonik, Tomorr dhe Kapinovë, duke e çuar numërin e tyre në 61 shkolla fillore
Më 14 tetor 1921,ai u përfshi në hartimin e një plani konkret veprimi lidhur me shkëputjen e familjeve ortodokse të Toskërisë nga Patriarkana dhe lidhjen e tyre me Kishën Katolike.
Nga 10-19 shtator 1922, me përkrahjen e K.Kota-s që ishte Prefekt i Beratit dhe mbështetjen e kryeministrit Xh. Ypi, ministrit të P.Brendshme A.Zogu, në Berat (në sallën e Shkollës së Mangalemit) u mbajt Kongresi Themeltar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (KOASH)..
Më 27 dhjetorit 1923, dr.K.Kota u zgjodh deputet i Korçës për Asamblenë Kushtetuese e cila u mblodh në janar 1924. Më 30 mars 1924 K.Kota u emërua minister i Punëve .Botore dhe i Bujqësisë, në qeverinë Vërlaci.Më 27 maj të vitit 1924, në qeverinë Vrioni mbajti të njëjtin portofol.
Më 16 qershor 1924, Noli u zgjodh kryeministër i Shtetit Shqiptar, por më 24 dhjetor 1924, Zogu i mbështetur nga forcat mercenare jugosllave erdhi në Tiranë. Qeveria demokratike e Fan Nolit u rrëzua. Më 6 janar 1925, Ahmet Zogu zgjidhet President i Shqipërisë, njëkohësisht Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Brëndshme.
Më 6 janar 1925, Kostaq Kotta në qeverinë e Ahmet Zogut, caktohet me dy detyra tepër të rëndësishme: Ministër i P. Botore dhe zv.Ministër i P.Brëndëshme.
Më 21 janar 1925, Shqipëria shpallet Republikë. President u rizgjodh Ahmet Zogu. Më 2 mars 1925 u miratua kushtetuta e parë e shtetit shqiptar.
Më 17 maj 1925, Dr.Koço Kota u zgjodh deputet i popullit të Korçës, në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga Presidenti Ahmet Zogu.
Më 18 korrik 1925, Asambleja Legjislative e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Senati dhe Dhoma e Deputetëve, vendosi për ndërimin e kufive të vijës Vermosh e Shën Naum në favor të Jugosllavisë.
Më 23 shtator 1925 dr.Koço Kota u caktua me detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe më 28 shtator 1925 u zgjodh Kryetar i Dhomës së Deputetëve
Më 11 maj 1928 kryeministri Ahmet Zogu e emëroi K.Kota-n Ministër të P. të Brëndëshme.
Më 17 gusht 1928, Ahmet Zogu në cilësinë e Presidentit të Republikës, shpërndau Asamblenë dhe shpalli zgjedhjet e reja.
Më 1 shtator 1928 u mblodh Asambleja Kushtetuese, e cila në mbledhjen historike të saj procedoi me një zë:“Shqipëria është Mbretëri Demokratike Parlamentare Trashëguarë” dhe e shpalli Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve.
Më 5 shtator 1928, dr.Koço Kotta u zgjodh Kryeministër dhe Ministër i P.Brëndshme. Ahmet Zogu i kurorëzuar Mbret, nxiti reformat legjislative në marëdhëniet civile, tregëtare dhe agrare. Kryeministri u angazhua tërësisht, për ndarjen e fesë nga shteti, për reformën arsimore, për krijimin e shkollës kombëtare e laike dhe për herë të parë u projektuar një program pesëvjeçar zhvillimi. Gjatë mandatit të tij, u ndërtuan ministritë, bulevardi i madh, disa spitale, burgu i Burrelit dhe disa burgje të tjera. Më 4 mars 1930, Kryeministri Kota, duke mos dashur të bëjë hapa prapa, dha dorëheqjen. Në letrën drejtuar Mbretit Zog, kryeministri Kota theksonte, se shkak i dorëheqjes së tij “ishte mungesa e harmonisë midis qeverisë dhe Parlamentit, gjë që pengonte zhvillimet e veprave të rëndësishme”.
Në vitin 1930, K.Kota u zgjodh deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, i cili në mbledhjen e pare të tij zgjodhi dr.Koço Kota-n Kryetar Parlamenti.
Gjatë ushtrimit të mandatit, shqyrtoi në seancë parlamentare dy ligje: më 13 prill 1930, Ligjin “Mbi Reformën Agrare”, i cili u miratua po atë ditë dhe ligjin për Reformën Legjislative dhe Kodin Civil.
Në vitin 1932 dr.Koço Kota, mandatohet përsëri deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, ku zgjidhet përsëri Kryetar Parlamenti. Diskutimet e deputetëve në legjislaturat parlamentare, përqëndroheshin mbi problemet e arësimit e luftës kundër dukurive dhe shfaqjeve që nuk i përkisnin kulturës dhe tradidave të popullit shqiptar. U dekretuan tre ligje: modifikimin e ligjeve 197,206,207, për shtetëzimin e shkollave, “Mbi ndalimin e Mbulesës së Fytyrës dhe Mbulesën e Kresë të grave; Mbi ndalimin e martesës së nëpunësave me gra të huaja.
Mbreti Zog më 9 nëndor 1936, dekretoi dr.Koço Kota-n Kryeministër dhe Ministër i Punëve Botore dhe i Ekonomisë Kombëtare(Bujqësisë), për ta pasur në kontroll dhe për të ndjekur nga afër investimet në sektorët e industrisë e bujqësisë.
Më 31 janar 1937, parlamenti i dha votbesimin qeverisë së Koço Kotës. Në detyrën e Kryeministrit, Koço Kota u kujdes për organizimin e xhandarmërisë, duke marë masa drastike për të vendosur rendin në Shqipëri dhe për të goditur çdo ideologji e qëndrim kundër monarkisë. Edhe administrimi i bashkësive fetare, bëhej sipas ligjit të hartuar nga Koço Kota dhe dekretuar nga mbreti Zog-I, më 16 korrik 1929. Sipas këtij ligji, klerikët nuk kishin të drejtë votimi e nuk mund të kishin asnjë detyrë publike. Bashkësitë nuk duhej të mernin asnjë ndihmë e subvencion nga jashtë. Ata kishin për detyrë të mbanin qëndrim patriotik. Beteja për kishën shqiptare, e nisur nga patrioti dhe rilindasi i madh Fan S.Noli, qysh në vitin 1909, i cili themeloi kishën autoqefale shqiptare në Amerikë, u përfundua në prill të vitit 1937 nga Ahmet Zogu dhe Koço Kota.
Më 23 prill 1937, qeveria shpalli një dekretligj për fajet kundër rendit shoqëror dhe ekonomik, sipas të cilit ndalohej formimi i shoqatave që kishin për qëllim “vendosjen e diktaturës së një klase mbi një tjetër”, përmbysjen me forcë të rendit shoqëror-ekonomik në fuqi dhe përhapjen e ideve komuniste.
Në 15 maj 1937, shpërtheu në Delvinë një lëvizje antiqeveritare e organizuar nga Ethem Toto, ish ministër i P.Brendëshme në qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri, e cila u shtyp me lehtësi. Për uljen e tensioneve politike me emigracionin, Ahmet Zogu dërgoi Koço Kotën në Paris, për të biseduar me ta, të arinte kompromise dhe tu mbushte mëndjen që të ktheheshin në Shqipëri, por misioni dështoi. Pasi qeveria jugosllave i ndërpreu ndihmat financiare, emigrantët antizogist, pas shumë dilemave vendosën kthimin në Shqipëri.
Në gusht të vitit 1938, Koço Kota vajti për një kurim në Paris. Për të realizuar qëllimin e tyre, anëtarët e komitetit drejtues, shfrytëzuan ardhjen e Kryeministrit, u takuan me të e i paraqitën kërkesën e kthimit në Shqipëri. Mbreti e dëgjoi me vëmëndje kryeministrin e i tha: -Tashmë është tepër vonë për kundërshtarët e mi.
Më 1 shtator 1938, u festua me pompozitet të madh dhjetë vjetori i Monarkisë Shqiptare. Në shtator 1938, Koço Kota, në kontakt të vazhdueshëm me Mustafa Krujën, u informua për një “Lëvizje italiane” në ndihmë të patriotizmës shqiptare, për largimin e Zogut, me kushtin që në vendin e tij “shqiptarët të pranojnë një princ Italian”.
Në shtator 1938,Koço Kota,Mustafa Kruja, Qazim Koculi, Angjelin Suma, Kol Tromara, Rrexhep Mitrovica e Sejfi Vllamasi, firmosën një Marëveshje lidhur me aprovimin e “lëvizjes italiane” me kushtin e mospranimit të një princi italian për Shqipërinë. “Marëveshja e Parisit” quhej e shfuqizuar, në rastin e një pushtimi italian të Shqipërisë dhe vënien e sajë nën kurorën perandorake të Savojës.
Më 11 janar 1939, Konsullata italiane në Tiranë, e njofton Legatën italiane, për pregatitjen e një “Lëvizje për largimin e Koço Kotës nga Qeveria”.
Më 7 prill 1939, nisi agresioni ushtarak fashist italian në brigjet shqiptare.Mbreti sapo kapërceu Kapshticën e shpërndau qeverinë dhe kaloi në mërgim si Sovran i arratisur. Shqipëria mbeti pa një qeveri antifashiste në mërgim.
Më 7 prill 1939, Koço Kota i zhveshur nga funksioni i kryeministrit, u shkëput nga oborri mbretëror dhe u sistemua në Selanik.
Në periudhën pas 7 prillit 1939 deri në dhjetor 1944, ish kryeministri Koço Kota, i palëkundur në qëndrimin e tij atdhetar nuk u përfshi në asnjë Qeveri Kuislinge të formuar gjatë pushtimit Italian të Shqipërisë dhe në asnjë nga Qeveritë Rregjencë të ngritura nga Ushtria Gjermane.
Në pranver të vitit 1944, për të ndalur marshimin sllavo-komunist në Ballkan, Mithat Frashëri ideoi një dokument lidhur me një aleancë të forcave të djathta shqiptare dhe greke, si dhe krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar federatë apo konfederatë. Sipas Mithat Frashërit, delegacioni i të djathtës shqiptare do të përbëhej nga Dhimitër Fallo –përfaqësues i Ballit Kombëtar dhe Koço Kota –përfaqësues i Legalitetit. Projekti shqiptar pranonte si kufij jugorë të Shqipërisë ato të vitit 1939, ndërsa kërkonte mbështetjen greke për përfshirjen e Kosovës e tokave shqiptare në zonën e Dibrës në shtetin shqiptar të pasluftës. Kushti i palës greke, që pala shqiptare të pranonte dorëzimin e Vorio Epirit, ishte toleruar nga Balli, por u quajt i papranushëm nga Legaliteti. Dr.Koço Kota i kërkoi z.Dhimitër Fallo, një shtesë në materialin e ideuar nga z.Frashëri, si më poshtë: “Përfaqësia shqiptare kishte kujtuar gjithashtu se të dyja shtetet janë nën të njëjtin pushtim dhe që të ketë sukses bashkimi duhet të ndërmarin aksione të përbashkëta kundër gjermanëve”. Projekt-idea e fundit,e paraqitur nga Fallo-Kota, pra një front greko-shqiptaro-turk kundër nazistëve dhe rrezikut sllavo-komunist, ishte krejtësisht e papranushme nga qeveritë kuislinge shqiptare dhe greke. Operacioni diplomatik e njëkohësisht politik i Mithat Frashërit, falimentoi në muajt prill-maj 1944.

Pas vendosjes së rregjimit komunist në Shqipëri
Një rruge në Kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë të cilës në vitet 30-të i qe vënë emri Rruga “Koço Kota”, pas pushtimit fashiste italianët asaj rruge ia hoqën emrin K.Kota dhe i vunë emrin Rruga “Galeaco Çiano”, pas vendosjes së rregjimit komunist po asaj rruge iu hoq emri Galeaco Ciano dhe iu vu emri Rruga “Qemal Stafa”.
Më 1945, Koço Kota u rrëmbye në Selanik nga një oficer i zbulimit sovjetik së bashku me oficerin shqiptar Andon Çeti, të ndihmuar nga EAM-i grek dhe u soll në Shqipëri. Në gjyqin special, Koxi Xoxe e akuzoi Koço Kota-n ndër të tjera, edhe për dy çështje.
Lidhur me mosorganizimin e rezistencës, kundër pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Koço Kota ka thënë: Më 7 prill 1939, qeveria jonë jo vetëm nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, ….Unë i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë….Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka patur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura.
Lidhur me marrëveshjen greko-shqiptare, për krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar
Koço Kota deklaroi: Nuk kam qenë kryetar i delegacionit shqiptar, nuk kam përfaqësuar Partinë e Legalitetit, por kam qenë pjesëmarës në bisedime si person privat.

Pavarësisht nga mospërfshirja e tij në organizimet e kundërshtarëve të rregjimit hoxhist, dr.Koço Kota u gjykua nga gjyqi farsë i drejtuar prej shërbëtorit të serbëve Koxi Xoxe.
Ish Kryeministri u dënua me burgim nga gjyqi special komunist shqiptar dhe vdiq në vitin 1949, në burgun e Burrelit. Me vdekjen e Koço Kotës, segmentet sllavo-komuniste, realizuan eleminimin fizik dhe moral të njërit prej kundërshtarëve të tyre më të vendosur, atdhetarit të paepur e të pakopromentuar, i cili jetën e tij ja kushtoi vetëm atdheut dhe kombit shqiptar.

Pas vendosjes së sistemit demokratik pluralist,
Më 24 Nëndor 2014, Dr Koço Kota u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, me medaljen “Nderi Kombit” pas vdekjes, me motivacionin: “Për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste”.
————————————————————————————————————Historia e jetës dhe e veprimtarisë politike kombëtare e patriotit Koço Kota, dhe kontributet e tij plot devocion në interes të Atdheut e të Kombit, nuk i harroj populli shqiptar, por i rregjistroi në analet dhe në kujtesën historike kombëtare, si pjesë e ndërgjegjes kombëtare, duke e vendosur figurën e tij në panteonin e patriotizmit shqiptar . Populli nuk i harron bijtë dhe bijat e tij, që i kanë shërbyer me ideal kombëtar, me shqiptarizëm dhe me përkushtim kanë bërë e dhënë gjithçka që kanë mundur për interesat e popullit, të Atdheut e të Kombit, siç veproi edhe Dr.Koço Kota.

Studiues i Historisë
Harallamb Kota

Tiranë më 31 dhjetor 2015

Filed Under: Histori Tagged With: Harallamb Kota, Koco Kota, Kryeministri i shqiperise

“Iliria, atdheu i parë i shqiptarëve” një libër atdhetar

May 25, 2015 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/
“Iliria, atdheu i parë i shqiptarëve”, është libri i fundit publicistik (historiko-studiues) i studiuesit tashmë të mirënjohur Harallamb Kota. Ky libër i dyti i këtij lloji i Harallambit (i treti në serinë e botimeve) që vjen fill pas botimit të suksesshëm të librit publicistiko-historik “Pendat Shqiptare dhe shkundja e harresës” përbën një hap para cilësor në mënyrën e stilit të të shkruarit, analizës, renditjes historike të ngjarjeve dhe pse jo dhe asaj artistike. Leximi i këtij libri më futi në labirinte historikë, në trajtesa faktesh dhe ngjarjesh, që në më të shumtën e rasteve i lexoja për herë të parë. E them me bindje, që nisma për libra të tillë, janë dëshmi e një pune titanike, e grumbullimeve dhe studimeve të detajuara, pasi çdo autor merr mbi vete përgjegjësi historike për vetë misionin e librave të këtij karakteri. Në tërë krijimtarinë e vet, autori ka një karakteristikë të veçantë, atë të trajtimit të ngjarjeve dhe historisë me karakter patriotik, duke përcjellë dokumente konkret ku lexuesin e lë të lirë të vozitë në ngjarjet, faktet, historitë dhe ta nxjerrë vetë konkluzionin. Kurrsesi autori në librat e tij nuk i ka vënë detyrë vetes imponimin, detyrueshmërinë e gjykimit sipas idesë së tij, por ai mundohet të jetë bindës në logjikën e të shkruarit, që lexuesi të ndihet komod dhe i lirë në vlerësim. Në katrahurën e pashembullt të botimeve mizëri në tregun e librit shqiptar, temat që merr përsipër autori Kota, përbëjnë një përqindje shumë të vogël, por me një domethënie shumë të madhe. Sot, patriotizmi është zbehur, është futur thellë në labirinte të padukshme, pasi paraja, etja për poste, dëshira për një jetë komode me pak vështirësi, e kanë bërë një pjesë të inteligjencës të mos marrin përgjegjësi, por ti përmbahen vetëm ligjësisë së përfitimit material, ku pjesa morale fshihet me ndërgjegje në skutat e mbijetesës së vështirë. Libri “Iliria atdheu i parë i shqiptarëve” që kemi sot në duar, ndahet në dy kapituj. Kapitulli i parë titullohet “Ilirët-Arbrit-Albanët” dhe Kapitulli i dytë “Ngjarjet në Berat”. Në kapitullin e parë autori thekson se sipas burimeve historike dhe arkeologjike, konioni më i rëndësishëm i Ilirisë, ishte Parthania e cila përfshinte territoret e ultësirave nga lumi Vjosa deri në lumin Mat dhe territoret malore deri në liqenet Lynkeste bashkë me Kosturin. Kryeqendra e Parthanisë ishte qyteti Partha (Berati ). Brenda këtij konioni lulëzoi qyteti mitik Brysaka i ndodhur rrëzë malit të Vilës dhe grykrjedhës së lumit Erzen, e cila ishte selia e mbretit Ilir Glaukia. Partha ruajti brenda mbretërisë Ilire vetëqeverisjen e qytetit duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e jetës ekonomiko-kulturore të zonave përreth saj. Për më tej autori nënvizon në mënyrë korrekte se në vitin 168 pk, si rezultat i inkursioneve pushtuese të “Perandorisë Romake”, u shemb mbretëria 300 vjeçare Ilire dhe gjithë Ballkani u pushtua nga romakët. Thrakët dhe Dakët, popuj pellazg të ngjashëm me ilirët u romanizuan dhe u quajtën romenj. Por në këtë fakt historik, autori sjell me dokumentacion të saktë se Ilirët nuk u romanizuan, por ruajtën identitetin, kulturën dhe traditat e trashëguara brez pas brezi, në vijimësinë e paraardhësve të tyre pellazgë. Ushtritë romake rrafshuan kështjella dhe vendbanime të panumërta të Ilirisë. Partha i shpëtoi shkatërrimeve duke ruajtur të gjallë në themelet e kështjellës mitike, historinë e saj mijëravjeçare dhe gjurmët e vazhdimësisë të ilirëve nga pellazgët. Ajo që veçohet në këtë dëshmi historike (për mendimin tim) është ajo që thekson autori në mënyrë shkencore se Roma i ndau vendbanimet e ilirëve në tre provinca: Epiri i Ri, Maqedonia dhe Iliriku. Në Provincën Ilire “Epir i Ri”, krahinën e kufizuar nga lumenjtë Erzen dhe Mat, bashkë me prapatokën deri me liqenet Lynkeste, administrata romake e quajti Albanoi. Në shek.II mk, gjeografi Aleksandrin Ptolemeu, njofton praninë e një fisi ilir me emrin Arbër në hapësirën midis Durrësit e Ohrit. Në fakt edhe pas këtij shekulli burimet vazhdojnë të përdorin termat Ilirë apo Iliri, për të treguar vendin dhe popullsinë e rajoneve të Ballkanit Perëndimor. Burimet e antikitetit të vonë e mesjetës së hershme shek.V-VI, ku përfshihet edhe Prokopi i Qezaresë, shënojnë se kufiri mes Ilirisë dhe Greqisë ndodhej paksa në veri të Selanikut. Ky përcaktim është bërë edhe pas përmbysjeve etnike të shkaktuara me dyndjet sllave në shek. VI-VII, ku burimet flasin për ilir dhe Iliri deri në “farë ilire” apo “popull ilir”. Gjithë kapitulli i parë është një sintezë shkencore, korrekte e paanshme e historisë së paraardhësve tanë, të cilët nëpër vorbullat e historisë kanë punuar, luftuar dhe mësuar për të mbijetuar dhe për të mos u asimiluar kurrë. Kjo mbijetesë tregon cilësitë dhe virtytet e larta morale të popullit tonë, që nëpër historitë e shekujve ka ditur të gjejnë rrugën e shpëtimit me dinjitet dhe kryelartësi. Në tërë këtë histori rrëfimtare, autori nuk është treguar i njëanshëm, nuk ka rënë në prehrin e miklimit, të sentimentalizmit atdhetar, por me kurajë ka thënë të vërtetën, ka përcjellë fakte historike dhe ngjarje rrëqethëse, që historia i ka vërtetuar katërcipërisht dhe sot na vijnë edhe njëherë të gjalla nëpërmjet penës lakonike të Harallambit. Në një moment autori vë në dukje se: “Po ti referohemi Porfyrogjenetit, thotë Prof. P.Xhufi, ai ndikohet mjaft nga terminologjia administrative e kohës së tij dhe hapësirat e banuara nga iliro- arbënorët i përcakton jo mbi baza etnike por mbi baza territoriale. Në këtë kuptim, ai me termin “Durrës” nënkupton temën bizantine me të njëjtën emër krijuar në shek. IX e cila ka vazhduar deri në shek XII dhe përfshinte tokat prej Tivari në Himarë. Në përputhje me emrin e Temës së Durrësit edhe banorët thirreshin durrsakë edhe strategu quhej “strateg i Durrësit” edhe malet quheshin “malet e Durrësit” etj. Mjaft historianë të huaj si Straboromani, Eustathi, Pahimeri, Skutarioti, e Kritobuli, duke filluar nga shek. XI deri në shek. XV, kanë përdorur vazhdimisht në burimet e tyre termin antik Ilir dhe Iliri krahas termit mesjetar Arbër dhe Arbëri (latinisht alban dhe albani), duke na bërë me dije barazvlershmërinë e tyre. Në një dokument të fillimit të shek. XV me autor S.Lambros thuhet: “Shqiptarët janë farë ilire”. Edhe administrata e Perandorisë Osmane ndoqi po ashtu qëllimet asimiluese të shqiptarëve, duke i emërtuar ata sipas përkatësisë fetare: shqiptarët musliman i rregjistronte me identitetin turq, shqiptarët ortodiksë i rregjistronte me identitetet grek ose vlleh dhe ata katolik me identitetin latini. Kjo ishte një arësye më shumë që shqiptarët u organizuan në kuvende dhe u ngritën në kryengritje të vazhdushme deri në shpalljen e Shqipërisë shtet sovran më 28 nëndor 1912, thekson autori. Në Kapitullin e dytë “Ngjarjet në Berat”, autori portretizon në mënyrën më të bukur, më fisnike, më të qytetëruar, më reale qytetin e origjinës, Beratin mijëravjeçar. Për këtë qytet magjik janë shkruar dhe shkruhen çdo ditë, por, Harallambi dhe pse nuk ka jetuar asnjë ditë në qytetin e origjinës, ka ditur të zhbirojë në mënyrë shkencore detaje historike që ndoshta mungojnë për qytetin e shumë dritareve. Ndoshta nostalgjia e origjinës, ndoshta kuriozitetet, legjendat, enigmat, librat e pafundmë dhe historitë e shumta për këtë qytet, e kanë bërë autorin, të jetë tepër i vëmendshëm dhe i kujdesshëm në faktet dhe përshkrimin e tij, sa me të vërtetë, pasi lexon librin thua me entuziazëm: Po, në këtë libër mësova diçka të re për Beratin! Një kapitull i shkruar me plot pathos, i detajuar, i lëmuar në mënyrë skrupuloze, ku autori ka ditur të përcjellë një Berat ndryshe, të palexuar dhe të pa evidentuar në shumë dëshmi dhe përshkrime historike, apo fantastiko-shkencore. Në lëmin e këtij kapitulli gjen realitete, gjurmë, kuriozitete, saktësi, korrektësi, letërsi, përshkrime, histori, filozofi që në të tërën përcjellin një mozaik kulturoro-historik që përbën një risi. Sipas autorit, duke studiuar shkrimet historike të publikuara nga shumë botime, arrijmë të besojmë që emrin Berat, ky qytet e ka marrë në vitin 1204, me formimin e shtetit të arbërit, pasi në fillim të vitit 1205, në një buletin të kohës thuhet: “…Despotati Epirit u shtri prej Drinit deri në gjirin e Korintit. Nën vartësinë e tij hyri përkohësisht edhe shteti i Arbërit pas vdekjes së Dhimitrit. Pas vrasjes së Mihalit I në Berat, më 1205……” . Pra theksojmë faktin që më 1205, “Qyteti Kala” quhej me emrin Berat. Duke qënë se shteti i Arbërit u krijua në vitin 1204, është e besueshme që edhe qyteti kala të jetë quajtur Berat qysh në vitin 1204 ( faqe 453).Duke studiuar titujt e botuar në F.E.SH, për periudhën Bizantine, periudhat e principatave të Arbërisë në shek. XII – XV dhe periudhën e perandorisë osmane nga viti 1450-1912, vërejmë që historianët shqiptarë kanë nënvizuar dhe kanë nxjerrë në pah emrin Berat, të qytetit kala, qysh nga viti 1204 e në vazhdim.
Pasi është përcaktuar viti 1204 kur qyteti kala mori emrin Berat, bëhet pyetja: Çfarë kuptimi ka fjala Berat. Është pranuar nga historianët shqiptarë që qyteti kala është quajtur në një periudhë të ekzistencës së tij me emrin Beligrad. Për më tej autori thekson se: Për ta qartësuar çështjen,lidhur me fjalën shqipe “Qytet i Bardhë”, i drejtohemi shpjegimit të arkeologut Neritan Ceka. Në librin e tij “Ilirët”, arkeologu i njohur në faqen 123 na bën me dije sa më poshtë: “Konioni më i rëndësishëm u bë ai i parthinëve….. Kështu dolën në skenën politike parthinët, të cilët kishin kryeqendër Parthën, që mund të evidentohet me Beratin. Fjala Partha mund të shpjegohet me fjalën shqip Bardha dhe ka mundësi që edhe emri sllav Beligrad-Qyteti Bardhë, mbështetet në toponimin ilir Partha-Bardha-Berat. Ndërsa në librin “Kalatë Ilire”, në faqen 91 shënohet një pjesë nga ditari i Çezarit në luftën e tij kundër Pompeut në vitin 48 p.k., ku ai shkruan se: “Çezari dërgoi një pjesë të ushtrisë për të pushtuar “kryeqëndrën e parthinëve” …që sipas përshkrimeve kjo ishte Partha dhe se ajo përputhet plotësisht me Beratin. Emëri Partha shpjegohet me shqipen e sotme dhe do të thotë Bardha, pra “kështjella e bardhë”. Ky emër vjen sigurisht nga ngjyra e bardhë e mureve të kështjellës, për shkak të përdorimit të blloqeve gëlqerore.
Për këtë arsye edhe bullgarët, kur e pushtuan qytetin në shek IX e përkthyen emrin në Beligrad. Ky është në vija të përgjithshme libri i ri i autorit Kota. Një libër që i duhet çdo biblioteke, një libër i shkruar me dashuri, për historinë shqiptare, i cili është një mesazh për qarqe të caktuara brenda dhe jashtë atdheut duan ta deformojnë, ta fshehin, ta çojnë në shtretër jashtë atdhetarë. Dhe ky mesazh është sinjifikativ: Kushdo që do deformojë historinë e kësaj toke të lashtë, kurrsesi nuk do të mundin, ata do të fitojnë terren në momente të caktuara të historisë, po asnjëherë nuk do të mund të zhysin në terrin e harresës historinë, kulturën, traditat e një vendi prehistorik, që ka qenë prijës i zhvillimeve politiko-kulturore në Ballkan dhe më gjerë. Nga kjo tokë gjithmonë kanë dalë dhe do të dalin intelektualë trima dhe tepër të zgjuar, që me dijet e tyre do tua bëjnë(siç ua kanë bërë të qartë) të gjithë pseudohistorianëve dhe pseudopatriotëve, që askush nuk do të guxojë të të transformojë dhe denigrojë historinë dhe kulturën e një kombi të lashtë. Ky libërth modest në pamje por i thellë në gjykim, i dedikohet atdhedashurisë, fjalës më të bukur të zemrës, virtytit më të lartë shpirtëror, ndjenjës më të spikatur, së cilës i kanë kënduar, poet, shkrimtarë, shkencëtarë, filozofë, këngëtarë, njerëz të thjeshtë me fjalët e qëndisura në flamurin e përjetësisë. Ky libër publicistik, aktualisht, është jetë pjesë e jetës së gjithkujt, pjesë e atij realiteti ku secili përpiqet të hedh një gur të ndritur në themelet delikate por shumë shprehëse të atdhedashurisë. Populli i ka thurur lavdet e tij kësaj ndjenje kaq të madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës. Dashuria për atdheun është një zë nga brenda vetes që kërkon të flasë, kërkon të dalë nga errësira, të tregojë me forcën e shpirtit detyrimet që kemi për fjalën më të bukur, ATDHE!

Filed Under: Kulture Tagged With: atdheu i pare i shqiptareve. Zholi Albert, Harallamb Kota, Illiria

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT