TEKSTET E DY DEKRETEVE KUNDËRHEBRAIKE TË PËRGATITUR POR TË PASHPALLUR/
Ne Foto: Nje grup izraelitesh due u zhvendosur per vendbanimet e perhershme. Tirane 1945/
Dekreti mbi hebrejtë e huaj[1]/
Neve, Mëkëmbësi i Përgjithshëmi N.M. së Tij Viktor Emanueli III, me hirin e Zotit dhe vullnetin e Kombit, Mbret i Italisë dhe i Shqipërisë, Perandor i Etiopisë.
Në sajë të Autoritetit që na është dhënë.
Duke mbajtur parasysh vendimin e Asamblesë Kushtetuese të 12 prillit 1939 XVII, me të cilin i janë kaluar fuqi të plota Qeverisë.
Mbasi dëgjoi Këshillin e Ministrave mbi propozimin e Kryetarit të Këshillit, në ujdi me Ministrin e Brëndshëm e të Drejtësisë, duke e quajtur të nevojshme e të ngutëshme zbatimin e masave kundrejt hebrejvet banues në Shqipëri, kemi dekretuar e dekretojmë : Neni 1. Nga data e botimit të këtij dekreti në Gazetën Zyrtare, i ndalohet hebrenjve të huaj të kenë një qëndrim të përhershëm në Mbretëri.
Neni 2. Quhet hebre, në bazë të këtij dekreti, edhe ai që ka lindur nga dy prindër prej rracës hebraike, ka një besim fetar të ndryshëm [pastaj e riformuluar me përcaktimin besim i ndryshëm nga ai hebraik]
Neni 3. Dhënia e nënshtetësisë shqiptare, sido e kurdo të jetë bërë, për hebrejtë e huaj, anullohet.
Neni 4. Hebrejtë e huaj që, në datën e botimit të këtij dekreti, gjënden brënda Mbretërisë, duhet të lenë territorin e saj brënda një muaji [pastaj 6 muajsh] nga data e botimit të vetë dekretit.
Dekreti hyn në fuqi të njëjtën ditë të botimt në Gazetën Zyrtare.
Tiranë 14 Maj 1939 XVII
DEKRETI I PËRGJITHSHËM KUNDËRHEBRAIK[2]
Skemë e dekret-ligjit mbi mbrojtjen e rracës
Neni 1. Martesa e qytetarit shqiptar të rracës ariane me persona që i përkasin një rrace tjetër [më pas të rracës hebreje] është e ndaluar. Nuk njihet asnjë lloj martese që nuk mban parasysh këtë ndalim.
Neni 2. Nëpunësi i gjëndjes civile, të cilit i kërkohet shpallja e martesës, është i detyruar të vërtetojë, pavarësisht nga deklaratat e palëve, rracat e tyre. Në rastin që i përket nenit të parë ai nuk vazhdon as në shpalljen, as në kremtimin e martesës. Nëpunësi i gjëndjes civile që shkel dispozitën e këtij neni ndëshkohet me një gjobë nga 100 deri në 1000 franga.
Neni 3. Për efekt të ligjit.
- Është i rracës hebraike ai që ka lindur nga prindër, të dy të rracës hebraike, edhe
se i përket një besimi fetar të ndryshëm nga ai hebraik.
- Quhet i rracës hebraike cilido që ka lindur nga prindër të përzier, njëri i rracës
hebraike e tjetri me kombësi të huaj.
- Quhet i rracës hebraike cilido që, edhe nëse i lindur nga prindër shqiptarë, njëri
prej të cilëve i rracës hebraike, i përket besimit hebraik, ose sidoqoftë i shkruajtur në një bashkësi izraelite, apo të ketë kryer, në çfarëdo mënyre tjetër, shfaqje të hebraizmit.
Neni 4. Të gjithë ata që i përkasin rracës hebraike, simbas përcaktimeve të nenit paraardhës duhet të bëjnë kallzimin në zyrën e gjëndjes civile të komunës së banimit brënda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij dekreti.
Ata që nuk plotësojnë këtë detyrim, brënda afateve të caktuara ose japin të dhëna të pasakta apo të paplota, ndëshkohen me arrestim deri në një muaj dhe me gjobë deri në 500 franga.
Neni 5. Përkatësia rracës hebraike duhet shënuar në regjistrat e gjëndjes civile dhe të popullsisë. Të gjitha dokumentat e regjistrave të mëparëshme dhe çertifikatat përkatëse, që kanë të bëjnë me pjestarë të rracës hebraike, duhet të përmendin hapur një shënim të tillë.
I njëjti njoftim duhet të bëhet edhe në aktet e lejeve apo autorizimeve të autoriteteve publike.
Shkelësit e dispozitave të këtij neni ndëshkohen me gjobë deri në 400 franga.
Neni 6. Qytetarët shqiptarë të rracës hebraike nuk munden :
- Të kryejnë shërbim ushtarak në kohë paqeje dhe as në kohë lufte.
- Të ushtrojnë detyrën e kujdestarit ose të mbarështuesit të të miturve apo të
të paaftëve jo të rracës hebraike.
- Të jenë pronarë apo mbarështues me çfarëdo titulli të ndërmarrjeve që kanë
Interesa në mbrojtjen kombëtare, ose të ndërmarrjeve të çfarëdo lloji që punësojnë 100 ose më shumë vetë, as të kenë drejtimin e tyre, as të kenë ofiqin e administratorit apo të kryetarit të bashkisë.
- Të jenë pronarë tokash që në tërësi vlerësohen më shumë se 1000 franga
[më pas përtej 25 hektarëve].
- Të jenë pronarë ndërtesash që, në tërësi, kanë një vlerë më shumë se
4000 franga [më pas më shumë se ….. lokale].
- Të pranohen në çfarëdo zyre apo nëpunësie të çfarëdo shkolle të ndjekura nga
nxënës shqiptarë të rracës ariane. [pastaj i fshirë]
- Të shkruhen në shkolla të çdo lloji, publike e private, të ndjekura nga nxënës
shqiptarë të rracës ariane. [pastaj i fshirë]
Neni 7. Prindit të rracës hebraike mund t’i hiqet pushteti atëror mbi bijtë që i përkasin një besimi fetar tjetër nga ai hebraik, kur të vertetohet se ai u jep atyre një edukatë që nuk përkon me parimet fetare apo qëllimet kombëtare të tyre. Kundërvajtësit gjobiten nga 200 deri në 1000 franga.
Neni 9. Nuk mund të kenë në vartësi njerëz që i përkasin rracës hebraike :
- Administratat shtetërore.
- Partia Fashiste shqiptare dhe organizatat që varen ose janë të kontrolluara prej saj.
- Administratat e enteve vetëqeverisëse dhe në përgjithësi të Enteve dhe
Instituteve të së drejtës publike, që janë nën mbikqyrjen apo mbrojtjen e Shtetit, ose të cilët Shteti i mban me ndihmesën e tij të përherëshme.
- Administratat e Ndërmarrjeve të bashkëngjitura apo të varura nga Entet, për
të cilët flet neni paraardhës.
- Administratat e Bankave të interesit kombëtar dhe ndërmarrjeve private të
Sigurimeve.
Neni 10. Dhënia e nënshtetësisë shqiptare hebrenjve të huaj, mbas datës 31 janar 1925 [më pas 1 janar 1919] anullohet.
Neni 11. I ndalohet hebrejve të huaj të kenë banim të përhershëm në Mbretëri.
Neni 12. Hebrejtë e huaj, kundrejt të cilëve zbatohet neni 10, e të cilët kanë filluar qëndrimin në Mbretëri mbas datës 31 janar 1925 [pastaj 1 janar 1919], duhet të lenë territorin e Mbretërisë brënda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e këtij dekreti.
Ata që nuk do të plotësojnë këtë detyrim brënda afatit të sipërshënuar do të ndëshkohen me arrestim deri në tre muaj ose me gjobë deri në 1000 franga e do të përzehen simbas normave të ligjit të policisë.
Neni 13. Dispozitat e nenit paraardhës nuk zbatohen tek hebrejtë e kombësisë së huaj të cilët, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij dekreti :
- Kanë mbushur moshën 65 vjeç.
- Janë martuar me persona të nënshtetësisë shqiptare.
Me synimin e zbatimit të këtij neni, t’interesuarit duhet të paraqesin një kërkesë
të dokumentuar në Ministrinë e Brëndëshme, brënda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij dekreti.
Neni 14. Ҫështjet që lidhen me zbatimin e këtij dekreti do të zgjidhen rast për rast, nga Ministria e Brëndëshme, duke dëgjuar Ministrat e interesuar eventualisht dhe duke marrë mendimin e një Komisioni të emëruar prej tij në ujdi me Ministrin sekretar të Partisë Fashiste Shqiptare.
Mbi masën nuk do të ketë asnjë lloj përgjegjësie, si nga ana administrative ashtu edhe nga ajo juridike.
Neni 15. Asgjë nuk ndryshon për sa i përket ushtrimit të lirë të kultit dhe praktikave të jashtëme, në përputhje me ligjet.
Neni 16. Me dekret Mbretëror, sipas propozimit të Kryetarit të Këshillit të Ministërve, në ujdi me Ministrin e Brëndshëm, Ministrin e Financavet dhe Ministrin Sekretar të Partisë, do të shpallen normat plotësuese për zbatimin e këtij decreti.
Ky dekret do t’i paraqitet Këshillit të Lartë korporativ Fashist, për kthimin e tij në ligj.
Kryeministri propozues është i autorizuar të paraqesë projekt – ligjin, në ujdi me Ministrin e brëndshëm, Ministrin e Financavet dhe Ministrin Sekretar të Partisë fashiste Shqiptare.
[1] Bocë e dekretit mëkëmbësor, të datës 14 maj 1939, e ruajtur në A.Q:SH., 163/1939/345/1-2, të riprodhuar me treguese mes pllakave katrore dhe në korsiv, të ndryshimeve të një farë rëndësie, të pranishme në një tjetër bocë, të redaktuar në Romë e të ruajtur në ASMAE, SSAA, b 13, fashikulli Masa kundrejt hebrejve banues në Shqipëri.
[2] Bocë e dekret-ligjit, mbas 2 qershorit 1939, e ruajtur në ASMAE, SSAA, b 13, fashikulli Masa kundrejt hebrejve banues në Shqipëri , e riprodhuar këtu me tregues mes kllapave katrore dhe në korsiv, të ndryshhimeve të një farë rëndësie, që përmban një bocë e mëvonëshme, ndoshta e datuar 30 qershor 1939, e ruajtur në të njëjtin fashikull.