• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO PËR HOLOKAUSTIN KOMUNIST SHQIPTAR KUR DO TË FLITET?

October 31, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli- Javën që kaloi në Shqipëri u mbajt “Forumi Ballkanik kundër antisemitizmit”.  Ishte kjo një nismë shumë me vend e Kuvendit të Shqipërisë, në bashkpunim me Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, forum, në të cilin morën pjesë zyrtarë të lartë ballkanikë, përfaqësues të Bashkimit Evropian, Izraelit dhe madje edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, iu drejtua forumit virtual me një fjalim të shkurtër.  Ishin mjaft përfaqsues të vendeve pjesëmarrëse forumin virtual – përfshir edhe ata të Shqipërisë, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi.  Folës të ndryshëm, përfshir zyrtarët e lartë shqiptarë, diskutuan se si vendet e Ballkanit mund të bashkpunojnë për zhdukjen e antisemitizmit dhe për krijimin e shoqërive tolerante për brezat e ardhëshëm.  Është kjo një thirrje shumë me vend, pasi është venë re se antisemitizmi është një fenomen që, kohët e fundit, po shtohet anë e mbanë botës.  Një fenomen që duhet të luftohet e të zhduket që në zanafillë, në cilën do shoqëri qoftë.  

Sa interesant thashë me vete, që udhëheqsit shqiptarë, në një forum ndërkombëtar, siç ishte ai që u mbajt virtualisht në Tiranë – flasin para botës për masat dhe bashkpunimin kundër antisemitizmit dhe për krijimin e shoqërive tolerante: “Sfida e luftës kundër antisemitizmit në format e veta më të sofistikuara duhet të jetë sot, më shumë se kurrë, një thirrje ndaj ndërgjegjes sonë kolektive”, u shpreh Kryeministri shqiptar, Edi Rama.  Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi i tha forumit se “Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën, duhet t’i bashkohen frontit kundër antisemitizmit”, deklaroi kryetari i Parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi.  

Çfarë shprehjesh thashë — gjithnjë duke folur me veten — nga zyrtarët më të lartë shqiptarë, të cilët edhe botës demokratike i japin mësim për demokraci, pluralizëm, diversitet e tolerancë dhe më në fund Kryeministri shqiptar thekësoi nevojën për një, “thirrje ndaj ndërgjegjës kolektive”, për të vepruar.  Thashë me vete gjithashtu, si mund të përputhen këto shprehje të dy udhëheqsve të lartë shqiptarë në Forumin Ballkanik mbi antisemitizmin me deklaratat,  pikërisht, të këtyre dy zyrtarëve shqiptarë në Parlamentin  e Shqipërisë, mbi meritat e komunistëve dhe të komunizmit, pothuaj 50-vjeçar në Shqipëri.  Dihet se komunizmi, ashtu si edhe nazizmi — sidomos regjimi komunist i Enver Hoxhëls, nuk ishte aspak tolerant ndaj kundërshtarëve politikë dhe segmenteve të caktuar të popullësisë shqiptare që kundërshtonin regjimin e tij.  Kur dëgjova fjalët e zotërinjve Rama e Ruçi në Forumin kundër antisemitizmit në Tiranë, pyeta veten se cili është Rama i vërtetë dhe cili është Ruçi i vërtetë – ata që deklaruan se disa javë më pare se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë dhe se shqiptarët ishin ndarë që në vitin 1944 (duke justifikuar kështu të gjitha krimet e regjimit komunist në Shqipëri si dhe mos tolerancën politike ndaj njëri tjetrit, e pasqyruar këto 30-vitet e fundit) – apo ndoshta  zotërinjt Rama e Ruçi për fat të mirë të Kombi – paskan pësuar një metamorfozë të mirëseardhur më në fund, që u pasqyrua në fjalimet e tyre në forumin kundër antisemitizmit, ku folën për “tolerancë”, “demokraci” dhe “ndërgjegje kolektive”, ndaj së kaluarës.  Toleranca është një virtytë njerëzor dhe shoqëror, por disa shoqëri vuajnë, fatkeqësisht, nga toleranca ndaj së keqës. Heshtja ndaj çeshtjeve me rëndësi morale për një komb, është në vetvete një pranim i (heshtur) i së keqës, ka thenë një amerikan i madh i shekullit të kaluar. (Fulton Sheen).  Parimet morale nuk varen nga vota e shumicës. E keqja është e keqe, krimi është krim, edhe kur shumica është në rrugë të gabuar, ka thenë ai.

Prandaj është me rëndësi të dihet e vërteta, nëse udhëheqsit aktualë të Shqipërisë do të vazhdojnë të heshtin për çeshtjet e mëdha morale të Kombit – përfshirë krimet e komunizmit dhe përballjes me të kaluarën komuniste të vendit, pasi shqiptarët – sidomos ata dhjetëra e qindra mijëra që kanë vuajtur, janë vrarë ose zhdukur nga regjimi komunist, vetëm e vetëm, se nuk pajtoheshin me atë regjim. Ata presin për 30-vjet tani – që të këthehen në veprim fjalët tolerancë, ndërgjegje kolektive, demokraci e vërtetë, zgjedhje të lira, pajtim kombëtar, kërkim faljeje për krimet ndaj njerëzve të pafajshëm, gra, pleq e fëmij – që më në fund të këto vlera të mëdha universal të këthehen në një çështje të madhe morale kombëtare për të cilën nuk mund të heshtet më. 

Nganjëherë njeriu shpreson edhe kundër shpresës. Sbpresova se diskutimet në “Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit”, t’u kenë kujtuar, të pakën për një moment udhëheqësve shqiptarë edhe holokaustin komunist shqiptar ndaj mijëra shqiptarëve kundështarë të regjimit komunist, në përgjithësi, dhe holokaustin fetar shqiptar në veçanti.  Këto mendime po më sillen në kokë, ndërkohë që Kisha Katolike Universale dhe sidomos Kisha Katolike Shqiptare — anë e mbanë trojeve arbërore — po përgatitet që me 5 Nentor, 2020 të shënojë Festën e Martirëve të Lumë shqiptarë – Vinçenc Prenushi me 37 shokët — festën pra të 38 martirëve: qendresën, virtytet e tyre njerëzore, morale, kombëtare, shpirtërore si dhe mesazhin e tyre për aktualitetin e sotëm shqiptar politik dhe moral, për shoqërinë por sidomos për udhëhqesit aktual të Shqipërisë.

Shpresojmë e shpresojmë, për zgjimin e një ndërgjeje morale mbarëkombëtare, por deri kur?  Unë nuk e di se ku e gjeni ju forcën morale – si udhëheqës të atij vendi – që haptas të vazhdoni të mbroni një regjim gjakatar siç ishte komunizmi.    Nostalgjikët e komunizmit shqiptar ende nuk e kanë kuptuar se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të mbahen të mbyllura përgjithmonë në çmendurinë e metalitetit të Enver Hoxhës, me të cilin ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë.  

Heret ose vonë, shoqëria shqiptare do të ketë një “zgjim të ndërgjegjes kolektive”, përsa u përekt krimeve të komunizmit. Por në këtë ndërkonë, me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja duke mbrojtur një regjim që nuk mund të mbrohet — ju nuk i bëni nder as vetes, as Kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur peng Shqipërinë e mjerë, larg Evropës ku e ka vendin e saj të denjë dhe larg vlerave perëndimore.  Ndërkohë që me deklatrata e juaja, në favor të komunizmit,viktimat e atij rgjimi po i vrisni për së dyti, për së treti e për së katërti, në të vërtetë sado herë që hapni gojën në mbrojtje të atij regjimi diktatorial.  Dhe jo vetëm këta të lumtur të Kishës Katolike dhe të Kombit – të cilët do të kujtohen javën që vjen — por të gjitha viktimat e tre feve kryesore në Shqipëri, nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve shqiptarë —  tani bota e njeh pak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit të regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi.
Për 30-vjetë tani, jo vetëm historia e Kombit shqiptar pret përgjigje prej autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve due pjesëmarrësve në këto krime   të institucioneve të dhunës komuniste. Presin përgjigje gjithashtu edhe martirët, në ditën kushtuar atyre me 5 Nentor, 2020.  Ata duan dhe kërkojnë të dinë pse-në. Duan të dinë pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga autoritetet e vendit me deklaratat e papërgjegjshme të nostalgjikëve të regjimit enverist, madje edhe nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit e të qeverisë shqiptare? E gjithë kjo ndodhë në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i cili mburret me anëtarësimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO, ndërkohë që botës i japin mësime për demorkaci e tolerancë dhe bejnë thirrje botës për  gjoja, “ ndërgjegje kolektive” ndaj së kaluarës.

Vetë martirët e Kishës Katolike shqiptare në ditën e tyre me 5 Nentor, nuk kërkojnë as hakmarrje as dënime ndaj askujt, pasi në prag të martirizimit të tyre, ata i kishin falur xhelatët komunistë. Por martirët e pafajshëm u kërkojnë sot autoriteteve shqiptare, zbulimin e të vërtetës ndaj të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës – kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre në shekullin XXI – në emër të të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri, një përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:


“Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit. Ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën? Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi?  Por nuk ka gjâ, mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u ringjallë s’bashkut!”. (Marrë nga vepra “Çinarët” e françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, nga Radio Vatikani).


Ka ardhur koha për veprim.  Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta propagandistike boshe që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra, se më në fund, pas 30 vjet postkomunizëm jeni gati – personalisht, institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni, të pranoni dhe të njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerëzore të regjimit të Enver Hoxhës.  Sepse për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, është një domosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist — të gjallë e të vdekur — në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u kthehet një pjesë e dinjitetit të tyre” dhe siç u shpreh edhe Sekretari Amerikan Shtetit, Mike Pompeo në fjalën e tij në Forumin Ballkanik kundër anti-semitizmit, “Duhet të garantohet siguria e çdo personi, për të mundësuar që të gjithë të jetojnë krah për krah në paqe”, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine ose pikëpamjesh politike. Shqipëria duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve!


Kthejani pra, dinjitetin dhe nderin jo vetëm viktimave të komunizmit, por mbarë Kombit shqiptar duke i bërë “thirrje ndërgjegjes sonë kolektive” për përgjegjësitë që mban historia e kaluar komuniste dhe udhëheqsit aktualë të shtetit shqiptar ndaj viktimave të pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës.  Unë jam i bindur se, eventualisht, edhe në Shqipëri, më në fund, “E vërteta dhe dashuria do të fitojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet”. (Vaclav Havel.)

                                   Martirët e lumtur të Shqipërisë

*Skicat më poshtë, të botuara një vit më parë, hedhin pak dritë mbi kampet e vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës.

                                       Piktori është Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pikërisht kampi famëkeq në Tepelenë, është njëri prej tyre.                      

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Holokausti, Komunist shqiptar

KANCELARJA MERKEL: ”NE PO PËRBALLOHEMI ME HISTORINË”

January 31, 2013 by dgreca

 Zhytja e Gjermanisë në fashizëm 80-vjetë më parë duhet të shërbejë si kujtesë për të gjithë, se sigurimi i të drejtave   dhe i dinjitetit bazë të njeriut nuk ndodhë vetvetiu, por nevojitë njerëz me kurajo dhe vigjilentë për t’i mbrojtur ato./                            

Nga Frank Shkreli/

Të mërkurën, Gjermania shënoi 80-vjetorin e ardhjes në fuqi të Adolf Hitlerit, –ose ditën kur vdiq republika Weimar — duke e kujtuar këtë përvjetor me një ekspozitë në Berlin e titulluar, ”Berlini 1933 — rruga drejtë diktaturës”,  ekspozitë këjo që u hap në memorialin e Topografisë së Terrorit, i ndërtuar mbi themelet e kryeqendrës së Policisë Sekrete naziste SS dhe afër një pjese të Murit të Berlinit, që shërbën si një kujtim tjetër i diktaturës së dytë të Gjermanisë, diktaturës komuniste .     Deutsche Welle njoftoi se ekspozita  u hap nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe udhëheqës të tjerë gjermanë.   Këjo rrugë, sipas drejtorit të memorialit, Andreas Nachama, i cili citohet nga agjensia AFP, tregon,  “erozionin e përditshëm të institucioneve demokratike’’, nën regjimin hitlerian, rrugë këjo që eventualisht,  ”mori fund në Auschwitz”,  por jo para se Hitleri të suspendonte të gjitha liritë civile, të anullonte veprimtarinë e partive politike të opozitës,   që dal ngadalë çoi në krijimin e një shteti policor e totalitar.    Me këtë rast, Angela Merkel tha se është me rëndësi të jashtzakonshme që të shënohet këjo periudhë e errët e historisë gjermane — pasi, sipas saj, ardhja në fuqi e Hitlerit qe ”mbështetur nga heshtja e shumicës”.    Lajmet bëjnë të ditur se edhe parlamenti gjerman Bundestag mbajti një ceremoni përkujtimore për viktimat e regjimit të Hitlerit.

Kancelarja Merkel tha se zhytja e Gjermanisë në fashizëm 80-vjetë më parë duhet të shërbejë si kujtesë për të gjithë, se sigurimi i të drejtave   dhe i dinjitetit bazë të njeriut nuk ndodhë vetvetiu, por nevojitë njerëz me kurajo dhe vigjilentë për t’i mbrojtur ato.   Sipas Deutsche Welle-s, Kancelarja gjermane shtoi se Hitleri mundi të merrte fuqinë në dorë, ”sepse një pjesë e elitës dhe e shoqërisë gjermane nuk e kundërshtoi atë, por mbi të gijtha, ai mori pushtetin në dorë sepse pjesa më e madhe e gjermanëve e toleroi atë.   Sepse shumica dërmuese heshti, ” tha Zonja Merkel.

Gjithashtu në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, më 27 Janar, e caktuar si e tillë nga Kombete Bashkaura  në vitin 2005,  sipas agjencisë së lajmeve AFP, Kancelarja gjermane tha në portalin e saj se ”Gjermania ka një përgjegjësi të përjetëshme për krimet e nacional-socializmit, për viktimat e Luftës së Dytë Botërore, dhe mbi të gjitha, për Holokaustin.   Këjo duhet të jetë e qartë nga brezi në brez, dhe duhet të theksohet me trimëri dhe kurajo morale,  se secili individ mund të kontribojë që racismi dhe anti-semitizmi të mos kenë mundësi të ringjallen më”.

Kancelarja Merkel deklaroi trimërisht  se ndërkohë që, ”Ne jemi duke u përballuar me historinë tonë, ne nuk po fshihemi pas ndonjë perdeje për asgjë  dhe nuk po përmbaheni  duke mos fshehur asgjë nga ato që kanë ndodhur.    Është e doemosdoshme”,  shtoi udhëheqësja gjermane,  ”që ne të përballohemi me këte histori, për të siguruar se jemi një partner i besueshëm në të ardhmen, ashtu siç jemi edhe sot…”.    Zonja Merkel tha, duke iu referuar ardhjes së Hitlerit në pushtet 80-vjetë më parë se,  ”ardhja në fuqi e Hitlerit duhet të jetë një paralajmërim konstant për ne gjermanët”.  Ajo shtoi se,  “fakti që Hitleri mundi të shkatërronte demokracinë gjermane vetem brenda  një periudhe të shkurtër prej  gjashtë muajsh, duhet të shërbejë si një paralajmërim  se çka mund të ndodhë  nëqoftse publiku  zhytet në apati.

Kancelarja gjermane u foli bashkatdhetarëve të saj, por  nepërmjet tyre ajo sikur iu drejtua edhe evropianëve  — por edhe më gjërë – të cilët kanë përjetuar diktaturat naziste, komuniste e të tjera,  duke thënë se,  “një shoqëri dinamike ka nevojë për njerëz të cilët çmojnë dhe kanë respekt për njëri tjetërin, për njerëz të cilët marrin përgjegjësinë për vetveten dhe për të tjerët, për një shoqëri ku  njerëzit marrin vendime të guximshme dhe transparente, si dhe për njerëz  të cilët janë gati të pranojnë kritikën dhe opozitën’’.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit,  u deklaruan, ndër të tjerë, edhe Papa Benedikti  XVI dhe  Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama.  Papa Bendikti me origjinë gjermane,  duke folur në Vatikan të djelën që kaloi i tha turmës në sheshin e Shën Pjetrit se “njerëzimi duhet të jetë gjithmonë pararojë kundër përsëritjes së racizmit vrasës e diskriminues….’’,  dhe bëri thirrje “për  respekt  dhe dinjitet për çdo person.’’    Presidenti amerikan Barak Obama, nga ana e tij,  u shpreh se , “duhet të angazhohemi  që të kundërshtojmë urrejtjet dhe persekutimet e të gjitha formave’’.   Presidenti Obama, në emër të vendit të tij u zotua se , “Shtetet e Bashkuara së bashku me komunitetin ndërkombëtar, janë të vendosura që të kundërshtojnë  çdo tiran a diktator që bën krime kundër njerëzimit.”

Kancelarja e Gjermanisë  Angela Merkel, si asnjë udhëheqës tjetër në Evropë,  ka deklaruar pikëllimin dhe turpin  e saj ndaj krimeve që janë bërë nën regjimin nazist dhe komunist në Gjermani dhe në Evropë  si dhe gatishmërinë e saj për t’u përballuar me të kaluarën pa frikë– dhe si asjnë udhëheqës tjetër evropian, ajo përpiqet vazhdimisht të promovojë një  kulturë  kujtese dhe mos harrese në vendin e saj dhe anë e mbanë Evropës, që krimet e kryera nga këto  dy regjime anti-njerëzore të shekullit 20-të, të  kujtohen vazhdimisht dhe me çdo rast – se sipas saj ua kemi borxh viktimave të pafajshme – por gjithashtu siç tha ajo,  që ato krime kundër njerëzimit të mos harrohen nga brezi në brez, ashtuqë të mos përsëriten më.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Holokausti, Kancelarja Merkel, nazizmi

DITA E KUJTESES NE OKB

January 28, 2013 by dgreca

– OKB: U shënua 27 janari, dita Ndërkombëtare e Holokaustit me një serë veprimtarishë në Selinë e Kombeve të Bashkuara në New York/

– Shpëtimi i hebrejve nga shqiptarët – u kujtua në ditën Ndërkombëtare e Holokaustit në OKB – Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit : “Shqiptarët një shembull i pashembulltë në të gjithë botën” për mbrojtjen e herbrenjëve./

-“Rrefimi i jashtezakonshem i Shqiperise, ku nje komb i tere, si popullate, ka vepruar bashkerisht per t’i shpetuar hebrenjte, eshte nje rrefim i papershkrueshem. Shqiperia e Luftes se Dyte Boterore u be streha me e sigurt e hebrenjve te perndjekur nga nazizmi. Me qindra çifute u mirepriten dhe nuk u tradhetuan kurre nga familjet mbajtese”./

Nga BEQIR SINA, New York/

OKB – NEW YORK : Dy sallone të mëdha me fotografi dhe piktura u hapën për publikun në katin e parë të ndërtesës së OKB -ës, në New York. Ekspozita këto që u vizituan këto ditë nga mijëra viztorë, shumica e tyre turistë të huaj u hapën në Lobin e Visitorve në Selinë e Kombeve të Bashkuara. Të dyja ekspozitat u hapën në fillim të javës së kaluar e martë,22 janar dhe u mbyllën mbrëmë me 27 janar. Ato ishin si pjesë e një serie – të aktiviteteve javore që zhvilloi Organizatat e Kombeve të Bashkuara në Përkujtimim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit, e cila është dedikuar në nderim të viktimave të Holokaustit, 27 janarit, në përputhje me temën e respektimit të këtij viti, “Shpëtimit gjatë Holokaustit: Guximit Kurajos dhe të Kujdesit”.

Hapja dhe mbyllja e kësaj ekspozite, e cila organizohet dekadën e fundit vit për vitë në në Selinë e Kombeve të Bashkuara, shoqërohet me një ceremoni të përbashkët zyrtare dhe pritjes që jepet në Galerinë Kryesore të Lobit Visitorve. Kësaj rradhe ekspozita ishte titulluar “Bota e dinte – Misioni Jan Karski për njerëzimin” dhe “Kushdo që shpëton një jetë më vete … Shpëtuesit e hebrenjve gjatë Holokaustit”.

Pavioni i parë tregon jetën e Jan Karski, një oficeri i ri polak dhe ish diplomat në Ministrinë e Jashtme për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u fokusuar veçanërisht në misionin që ai ndërmori si një shpëtimtarë.

Pavioni i dytë përbëhej nga foto, objekte, dokumente dhe video- filma bardhë e zi, me tregimet e më shumë se 40 shpëtimtarëve – hebreje dhe jo-hebre – që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrejtë gjatë Holokaustit.

Një pjesë të rëndësishme në këto veprimtari në Kombet e Bashkuara zunë edhe pavionet e ekspozitës të cilat lidhen me tregimet heroike të katër shpëtimtarëve: Gazetarit nga Shtetet e Bashkuara Varian Fry i cili ka ndihmuar mijëra Jewish të shpëtojnë nga pjes e kontrlluar në Vichy- Francë;Qytetari italiani Lorenzo Perrone, që shpëtoi jetën e disa Jewish-ve të tjerë. Primo Levi, i cili gjatë burgimit të tij në Aushvic; nëpërmjet një punëtore shoqërore Irena Sendler, ka punuar nëpërmjet organizatës Zegota në mënyrë “nëntokësore” për të kontrabanduar fëmijët hebrenj nga getot e Varshavës dhe për të gjetur vende të sigurta për t’i fshehur. Një pavion të veçantë zuri edhe Shqipëria, njëri prej shpëtimtarëve Veselis, një shqiptarë që shpëtoi jetën e një familje hebreje, familjes Mandili, duke u fshehur ato në shtëpinë e tyre.

“Bota e dinte – Misioni Jan Karski për njerëzimin” është kuruar nga Muzeu Historik polakë në Varshavë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe bashkë-sponsorizuar nga Misioni i Përhershëm i Polonisë në Kombet e Bashkuara, me temën “Kushdo që shpëton një jetë më vete … Shpëtuesit e hebrenjve gjatë Holokaustit” dhe është paraqitur nga Fondacioni hebre në SHBA.

Aktivitetet e përkujtimit të Holokaustit në Kombet e Bashkuara – u udhëhoq nga Muzeu i Holokaustit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara Outreach i Departamentit të Informimit Publik.Programi, është i themeluar nga Asambleja e Përgjithshme sipas Rezolutës 60/7, e cila synon të mobilizojë shoqërinë civile për përkujtimin e Holokaustit dhe edukimit, në mënyrë për të ndihmuar në parandalimin e akteve të ardhmen e genocidit.

Kombet e Bashkuara shënuanë gjatë gjithë kësaj jave në New York, Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të holokaustit Veprimtaritë e organizuar në New York dhe rreth e përqark botës ishin të fokusuar në njohjen e guximit dhe dhembjen e shpëtimtarëve të shumtë të të gjitha besimeve dhe kombësive që shpëtuan jetën e hebrenjve dhe të tjerëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Shpëtimtarët gjatë Holokaustit: Guximi Kurajo dhe Kujdesi” ishte tema që paraqiti këto ditë Departamenti i Programit të Informimit Publik të Holokaustit, pranë Kombeve të Bashkuara që të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të holokaustit

Javë e aktiviteteve të Përkujtimit, ka kulmuar më 27 janar me ceremoninë dy-orëshe të quajtur Holokaust Memorial dhe që u mbajtë në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.

Ceremonia, u organizua nga Peter Launsky-Tieffenthal, Nën-Sekretari i Përgjithshëm për komunikim dhe informim publik në Kombet e Bashkuara . Kjo ceremoni përfshiu edhe një video mesazh nga Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon, e ndjekur nga një deklaratë të dhënë nga Raymond Serge Bale, Përfaqësuesi i Përhershëm i Kongos në OKB dhe Zëvendës-President i sesionit të 67 të Asamblesë së Përgjithshme, Ron Prosor, Përfaqësuesi i Përhershëm i Izraelit, dhe Signe Burgstaller, Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i Suedisë, gjithashtu ka bërë deklaratë.

“Ata që rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë dhe të tjerët prej shfarosjes masive në Luftën e Dytë Botërore janë bërë sot frymëzim për kurajon për të luftuar për një botë më të mirë,” tha në një video mesazh Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon në veprimtarinë që u zhvillua në Kombeve të Bashkuara, gjatë kësaj jave në New York.

“Le të jetë ajo sot për të frymëzuar njerëzimin nga ata që kishin kurajon, guximin për t’u kujdesur – ata ishin njerëzit e zakonshëm që morën hapa të jashtëzakonshme për të mbrojtur dinjitetin njerëzor,” tha zoti Ban në një video mesazh të transmetuar këtë javë në një ceremoni të mabjtur para Asamblesë së Përgjithshme për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në kujtim të viktimave të Holokaustit.

Respektimi edhe këtë vit i Ditës Ndërkombëtare të Holokausit është ndërtuar rreth temës “Shpëtimi gjatë Holokaustit: Kurajo dhe Guximi për Kujdesje,” profilizimin e shpëtuesit individualë –
Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban, vuri në dukje se këtë vit ky aktivite zhvillohet kur po shënohet edhe 50 vjetorin i Programit të Kombeve të Bashkuara në memorialin Yad Vashem në Izrael, i cili është i përkushtuar për të identifikuar dhe shpërblimin heronjëve të tillë nëpër botë.

Pas transmetimit të fjalimit të zotit Ban, u shpalosën para vizitorëve dhe zyrtarëve të lartë të OKB -ës,profilet e shpëtimtarëve, duke filluar nga Irene Sendler, një grua polake që kontrabandojë fëmijë nga Ghettot e Varshavës, në familjen Veseli, që përfaqësoi shqiptarët që shpëtuan Jewisht, duke mos dorzuar as edhe një Jewish të vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veseli, vetë fshehu një familje hebreje në fermën e tyre.

Raymond Serge Bale , zëvendës-kryetar i Asamblesë së Përgjithshme, tha se ” ishte rezoluta e OKB-ës 60/7 ajo që është deklaruar në përkujtimin e Holokaustit dhe shërben sot si një thirrje jo vetëm për përkujtimin e vuajtjeve të viktimave të Holokaustit, por edhe ato të shkaktuar gjatë regjimeve diktatoriale, luftërave për liri. Ajo është një detyrim moral për gjithë njerëzimin sot për të paralajmëruar kundër tmerreve të urrejtjes dhe paragjykimit, për të parandaluar akte të mëtejshme të gjenocidit” tha ai.

“Vlerat e demonstruar nga ata që sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët le të shërbejë si parime udhëzuese për të mbrojtur të drejtat njerëzore të brezave të ardhshëm – kurajo, dhembshuria, udhëheqja morale, vetë-sakrificë, përgjegjësia shoqërore, integriteti dhe drejtësia”, tha Raymond Serge Bale, zëvendës-kryetar i Asamblesë së Përgjithshme .

Gjatë kësaj ceremonie Cantor Chaim David Berson i Qendrës hebreje në New York City lexojë lutjet përkujtimore, dhe Ansambli Motyl kryeu tre pjesë muzikore. Grupi muzikor New York City- me bazë në OKB – luajti pjesë klasike e cila përfshinte muzikantë Julie Artz Becker dhe Aleeza Wadler në violinë, Ellen Rose Silver në violonçel dhe Anoush Simonian për Violë – Më tej ata paraqitën muzikën e shkruar nga kompozitorë të cilët ishin të detyruar në mërgim ose të cilët u zhdukën gjatë Holokaustit.

Çfarë është Holokausti?

Holokausti është një njollë e errët në historinë e njerëzimit. Holokausti është një sistem persekutimi sistematik, i një shteti burrokratik që vrau afërsisht 6 milionë çifutë (Hebrej) nga regjimi nazist dhe bashkëpuntorët e tij. Fjala “Holokaust” e ka origjinën nga greqishtja e vjetër që do të thotë “Sakrificë për pasion”. Me ardhjen në pushtet në Gjermani të regjimit nazist në Janar 1933, besonin se gjemanët ishin “Superiorë për nga raca” dhe se çifutët cilësoheshin ose klasifikoheshin si “Inferiorë” dhe se ata ishin “të padenjë për jetë”. Të paktën 200,000 persona me të meta fizike apo mendore u vranë si pjesë e programit “Euthanasia”. Gjatë viteve të luftës, nazitët dhe bashkëpuntorët e tyre krijuan getot, kampet tranzite, si dhe kampet e punës së rëndë. Më rënjen e kapitullimin e Gjermanisë naziste, pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovietik, dhe vendet e kapmit komunistë, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, krijuan ata burgjet politike, kampet e presekutimit, si dhe kampet e punës së rëndë.

 

Filed Under: Histori, Kronike Tagged With: Beqir Sina, Dita e Kujteses, Holokausti, Joe DioGuardi, OKB

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT