• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTOJMË AT ZEF PLLUMIN, SIMBOLIN E KUJTESËS -PËRBALLË HARRESËS

June 29, 2021 by dgreca

NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË KUJTESËS SË VIKTIMAVE TË TORTURAVE, KUJTOJMË AT ZEF PLLUMIN, SIMBOLIN E KUJTESËS – PËRBALLË HARRESËS /Nga Frank Shkreli/

26 Qershori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Mbështetje të Viktimave të Torturës – një ditë kjo kur — anë e mbanë botës — kujtohen e nderohen viktimat e torturës, ndërkohë që të mbijetuarve të torturave në të kaluarën, u ofrohet mbështetje. 

Anë e mbanë botës kjo ditë u shënua në mënyra të ndryshme duek filluar nga Organizata e Kombeve të Bashgkuara () dhe nga shtete të ndryshme siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në një deklaratë me rastin e kësaj dite përkujtimore, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutierrez tha se “Tortura është një praktikë e neveritshme dhe urrejtëse, njëkohësisht edhe një dhunim i dinjitetit njerëzor dhe shkelje e të drejtave të njeriut.” 

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden në mesazhin e tij në ditën ndërkombëtare të kujtesës së viktimave të torturës u shpreh se “Tortura kudo dhe kurdoherë që të përdoret, përbën një njollë të zezë në ndërgjegjen tonë morale. Të gjithë ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për tu dhënë fund një herë e mirë praktikave të tilla jo njerëzore.”  Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken në deklaratën e tij në Ditën Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës iu drejtua, shteteve anë e mbanë botës si dhe të gjithë atyre që janë kundër përdorimit të torturave, me këto fjalë: “Sot është një rast që vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, shoqëritë civile dhe individët e interesuar anë e mbanë botës të bashkohen kundër përdorimit të torturave dhe të bëjnë thirrje për zbulimin e të vërtetës, për drejtësi dhe për ndëshkueshmëri për dhunuesit dhe shkelsit e të drejtave të njeriut.  Për derisa në botë ekzistojnë të tillë individë që përdorin torturën si mjet ndëshkimi për kundërshtarët, Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga angazhimi i tyre për ta zhdukur torturën njëherë e mirë”, ka deklaruar kyrediplomati amerikan në mesazhin e tij, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës.

Ndonëse nuk pashë asnjë lajm në media as deklaratë në lidhje me këtë ditë, nga Tirana dhe Prishtina zyrtare – megjithëse të dy vendet janë ndër vendet më të njohura ku tortura përdorej rregullisht dhe ashpërsisht ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Për këtë arsye, modestësisht, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës, po kujtoj me pak fjalë, At Zef Pllumin —Frank Shkreli: At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit | Gazeta Telegraf — i cili për fatin tonë dhe për hir të së vërtetës, “rrnoi për me tregue” për torturat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm ndaj tij dhe shumë vëllëzërve të tij françeskanë, por edhe për vuajtjet dhe torturat ndajë përfaqsuesve – kundërshtarë të tjerë të regjimit komunist — më të dalluar të ajkës së Kombit shqiptar të gjysëm shekullit të kaluar.

Po e kujtoj At Zef Pllumin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturave, sidomos për veprën e tij monumentale, “Rrno Për me Tregue”, me të cilën ka lenë pas një dëshmi të gjallë historike dhe të vërtetën mbi torturat e tmershme të shqiptarit kundër shqiptarit dhe një histori vuajtjesh të pa imagjinueshme të një pjese të madhe të shqiptarëve, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Viktimave të Torturës është një ditë me rëndësi edhe për shqiptarët.  Duke kujtuar këtë ditë fund javën që kaloi, Presidenti Joe Biden, besoj se u shpreh për të gjithë njerëzit vullnet mirë, kur tha se, “Torturat, kudo dhe kurdoherë përbëjnë një njollë të zezë në ndërgjegjen tonë morale…”. Ismail Kadare gjithashtu e ka vlerësuar librin “Rrno për me Tregue” – si një përshkrim të tmershëm të vuajtjeve mizore të ndërmarra nga një regjim i pamëshirshëm kundër një popullësie të pafajashme – si një vepër për të cilën, sipas Kadaresë, “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos për më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët.  Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.  Shkurt për të ka nevojë ndërgjegja jonë”, ka thënë Kadare.

Dua të shtoj se në këtë Ditë Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës – në mungesë të ndonjë deklarate zyrtare në kujtim të viktimave të torturës në Shqipëri dhe në Kosovë – ia vlen që vepra e At Zef Pllumit të shërbejë si pikënisje për kujtimin e viktimave të torturës komuniste në trojet shqiptare, si një përpjekje e domosdoshme për pajtim kombëtar.   Sidomos në këtë periudhë sot, kur jo vetëm indidvidë dhe organizata shtetërore e madje edhe përfaqsues të qeverisë shqiptare kanë bërë deklarata favorizuese për ish- regjimin komunist të Enver Hoxhës, që ka shkaktuar aq shumë vuajtje që përshkruhen me aq hollësi nga At Zef Pllumi – deklarata të zyrtarëve të lartë shqiptarë që, fatkqesisht, duket sikur kanë për qëllim jo vetëm shtrembërimin e fakteve historike, por edhe mohimin e tyre.  Madje edhe 30-vjet “post-komunizëm”, At Zef Pllumi nuk u lë të mohoni as të shtrembëroni historinë e vërtetë të vuajtjeve të shqiptarëve nën komunizëm! 

“Torturuesit duhet të ndëshkohen për krimet e tyre dhe regjimet të cilat mundësojnë torturat duhet të shemben ose të transformohen”, tha Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutierres, duke shtuar se “Tortura është një krim kundër njerëzimit”.  Kombet e Bashkuara e kanë dënuar që në fillim torturën si një nga aktet më të shëmtuara e të liga të njeriut kundër njeriut.  Tortura, sipas Kombeve të Bashkuara, ka për qëllim të asgjësojë personalitetin e viktimës, të mohojë dhe të dhunojë dinjitetin ekzistencial të njeriut. 

At Zef Pllumi nuk është më midis nesh fizikisht – por është gjithnjë me ne ashtu siç qëndronte gjithmonë — i pamposhtur, shpirtërisht dhe moralisht. Prandaj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës, të kujtojmë atë dhe dëshmitë e tija si due vikimat e torturave të ish-regjimit diktatorial komunist – ndër më të egërit e ish-botës komuniste.  Ashtuqë nepërmjet dëshmive të tija t’i bashkohemi botës së qytetëruar – të cilët si më sipër, me deklaratat e tyre shënuan këtë ditë për të kujtuar e nderuar mijëra viktima – të gjallë e të vdekur, “heronjë të heshtur” — të regjimit komunist të Enver Hoxhës që humbën jetën nga torturat më çnjerëzore, përballë një qëndrese paqësore.  Sidomos sot, 30-vjet “post-komunizëm”, kur heshtja zyrtare për krimet komuniste është mbytëse dhe refuzimi zyrtar i politikës shqiptare për tu përballur me atë të kaluar të errët të historisë kombëtare, ndërkohë që shumica e të mbijetuarve të torturave për të cilat ka dëshmuar At Zef Pllumi në librin e tij monumental, “Rrno për me Tregue”, po vdesin dalngadalë, ndërsa njohuria për “gulagun komunist shqiptar” po zhduket gjithashtu, sidomos në radhët e brezit të ri. Ndoshta ky është edhe objektivi, jo vetëm i përpjekjeve të viteve të fundit për të promovuar “të mirat” dhe “anën pozitive” të ish-regjimit komunist, siç kemi dëgjuar kohët e fundit nga zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, por edhe i heshtjes së Tiranës zyrtare me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës. 

“Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell; një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur…” (Dhiata e Vjetër, Predikuesi 3:  

Bashkohuni me botën e qytetëruar! Ka ardhur koha për të FOLUR dhe për të kujtuar viktimat e pafajshme të torturave si dhe krimet e komunizmit gjysëm shekullore, në përgjithësi! 

See the source image
See the source image

                   . See the source image…   Disa nga udhëheqsit botëror që shënuan Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturave me 26 qershor, 2021 – Presidenti I Shteteve të Bashkuara, Joe Biden – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutierres dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken

Filed Under: Featured Tagged With: At Zef Pllumi, Dita e Kujteses, Frank shkreli

DITA E KUJTESËS SË VIKTIMAVE NGA REGJIMET TOTALITARE

August 26, 2020 by dgreca

Me datën 23 gusht në  Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, Europa kujton me pietet viktimat e regjimeve totalitare të cilët likuiduan me miliona individë, ndërsa vendet e ish kampit socialist ende hezitojnë të denojnë krimet e tilla që dëshmon mungesën e vullnetit politik pothuaj në të gjitha vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore. Mungesa e shënimit e një datë të tillë në nivel shtetëror  si dhe mungesa e një memoriali kushtuar viktimave të komunizmit në vendet e tilla, dëshmon në mënyrë transparente një konstatim të tillë. Në pjesën e tyre viktimave bëjnë pjesë edhe shqiptarët, si popull autokton të ndarë në disa shtete të cilët përjetuan golgotën nga sistemet e vendëve përkatëse, ku veçohet shteti amë Shqipëria ndër vendet me kriminale komuniste në regjion.

Shkruan: Nail  Draga/

Në sajë të Deklaratës së Parlamentit Europian nga data 23 shtator 2008, Dita e 23 gushtit në Europë është shpallur Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Kemi të bëjmë me  një datë simbolike, sepse me 23 gusht të vitit  1939 është nënshkruar marrëveshja Ribentrop-Molotov, në lidhje me mossulmimin në mes Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik.

Por, në rrethana të reja shoqërore pas  falimentimit të ideologjisë komuniste dhe dështimit të sistemit socialist, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit(8.11.1989) dhe miratimit të pluralizmit në vendet e ish kampit socialist, filloj rishkrimi i historisë me argumente, duke dëshmuar vuajtjet e përsekutimet e qytetarëve në sistemet totalitare. Dhe është kjo koha e lirisë personale e shoqërore e cila ka eliminuar paragjykimet duke shpalosur të kaluarën e popujve nën pushtetet diktatoriale komuniste me pasoja të mëdha për qytetarët e tyre vendëve, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare.

Ende pa përcaktimin e ditës së viktimave në Mal të Zi

Në lidhje me këtë çështje  Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006  ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Europës: nr. 1096, nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, por dita e kujtimit të tyre viktimave deri më tash ënde nuk është përcaktuar. Nga një qendrim i tillë pushteti në Mal të Zi nuk ka respektuar rekomandimin e Parlamentit Europian, duke dëshmuar mungesën e vullnetit politik për tu ballafaquar me të kaluarën.

Po ashtu, Parlamenti europian ka miratuar rekomandimin ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ia përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj edhe sot nuk ekziton një datë e cila do të shënohej si Dita e kujtesës së viktimave të komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet tjera nga ish kampi socialist.

Qasje të dyfishta të pushtetit


Me këtë rast  duhet cekur se Kuvendi i Malit të Zi në vitin 1992 ka miratuar Deklaratën së shteti obligohet të rehabilitojë viktimat e Goli Otokut(1948), si dhe të  dëmshpërblejë familjet e tyre.
Nga një qendrim i tillë del qartë  se kemi standarde të dyfishta, duke eliminuar krimet para vitit 1948, ku trajtojnë vetëm ata të Goli Otokut, athu se krimet e komunizmit kanë fillu nga ajo kohë, e jo  më parë nga instalimi i komunistave në nëntor të vitit 1944. Një qasje e tillë është diskriminuese sepse do të legalizoheshin krimet e më hershme, ndërsa viktimat do të mbeteshin të pa evidentuara ndërsa ekzekutorët të pa ndeshkuar.

Pra, qasja duhet të jetë e pranueshme për të gjithë e jo të ketë diferencime, në aspektin kombëtar, sepse represioni ka pasur  përmasa të mëdha varësisht rrethanave shoqërore. Në këtë aspekt deri më tash  nuk janë cekur fare viktimat e shqiptarëve, sikurse është Masakra e Tivarit(1.4.1945), duke mbetur temë e pa trajtuar për opinion e gjerë në Mal të Zi.

Krimeve nuk iu skadon afati kohor

Por, në deklaratën e Parlamentit europian  të miratuar në shtator të vitit  2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit thuhet se „në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit“. Andaj, për të trajtuar çështjet e tilla duhet pritur një moment tjetër më të përshtashëm sepse për tash  nuk ekziston vullneti politik i pushtetit, për ballafaqim më të shkuarën e krimeve të komunizmit në Mal të Zi.

Pikërisht duke marrë parasysh së nuk ekziston qasje unike mendoj se duhet  inicuar Ligjin për të rehabilituar qytetarët të cilët kanë përjetuar krime nga koha e komunizmit, nga viti 1944-1990. Madje duhet paraparë dëmshpërblimin ndaj familjeve të viktimizuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të eliminohej një padrejtësi ndaj qytetarëve të pafajshëm në kohen e komunizmit.

Shqipëria vendi me i përsekutuar në ish kampin socialist

Si askush tjetër në Europë, shqiptarët nga Shqipëria kanë arsy ta përkujtojnë këtë ditë, sepse  nga pushteti komunist i instaluar janë ekzekutuar më mijëra me dhe pa gjyq, për liri dhe demokraci për të ndërtuar një shoqëri sipas vlerave demokratike europiane. Të dhënat për periudhën kohore në Shqipëri (1944-1991) janë trishtuese që iu ka tejkaluar nazistëve, e ate nga pushtetarët vendas në emër të ideologjisë komuniste. Deri me tash statistika në Shqipëri ka dhënë këto informacione:

34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike.

59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi.

7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak.

984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit.

6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.

Nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.

Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Europë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, dëshmon se pushteti kriminal si qellim kishte për të zhdukur edhe gjurmët e krimit të tyre.

Mungon memoriali kushtuar krimeve të komunizmit

Ndonëse po bëhën tri dekada nga faleminitimi i komunizmit si ideologji e socializmit si rënd shoqëror, ndaj çështjës së krimeve të komunizmit nuk është bërë aq sa ata meritojnë nderimin e sakrificës për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Mendoj se nuk mund të arsyetohet më asgjë mos inicimi i një memoriali përkujtimor në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Sepse është obligim moral dhe kombëtar të nderojmë sakrificën e atyre që kanë kontribuar  për lirinë, demokracinë dhe kombin shqiptar. 

Çdo pakujdësi në këtë aspekt nuk është në favorin e vlerave humane dhe  demokratike, por duhet vepruar si vepron bota e qytetëruar për të nderuar viktimat nga dhuna e sistemeve totalitare, ku edhe shqiptarët kanë qenë pjesë e vuajtëve të tilla, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare. 

Rezoluta e Kongresit të SHBA-ve

Pikërisht në lidhje me këtë çështje Kongresi i SHBA me 21 maj 2014 ka miratuar rezolutën në mbeshtetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste “për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40-vjet, nëpërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…”, forma shtypëse këto që gjatë dekadave kanë “çuar në krime jashtëzakonisht të mëdha të bëra me paramendim kundër miliona njerëzve duke shtypur në mënyrën më flagrante të drejtat e tyre bazë të njeriut, duke i ndarë ata nga bota demokratike me një perde të hekurt dhe me Murin e Berlinit”, thuhet, ndër të tjera, në rezolutën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kushtuar Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit. 

Memorial kushtuar gjenocidit kundër shqiptarëve

Duke marrë parasysh peshën shoqërore dhe historike në nivel kombëtar e ndërkombëtar nuk mjafton që një çështje e tillë  të trajtohet vetëm me 23 gusht, si datë europiane, por të punohet vazhdimisht për të shpalosur e prezantuar  dhunën e diktaturës  ndaj  qytetarëve  në  kohën e monizmit. 

Në lidhje me këtë çështje dua të ceki se kur trajtohet kjo temë vazhdimisht merren parasysh  vetëm shqiptarët në shtetin amë në Shqipëri, por janë harruar ata jashtë Shqipërisë politike në hapësirën e tyre etnogjeografike në ish Jugosllavi dhe Greqi, që kanë përjetuar gjenocid ideologjik e kombëtar nga viti 1912 e më pas, deri në ditët tona. Apo ndoshta për të tillët planifikohet ndonjë memorial tjetër, i cili do të ishte dëshmi e mbijetesës së shqiptarëve nga dhuna e shpërnguljet nga vendi i tyre.

Description: http://telegraf.al/wp-content/uploads/2019/08/34c21da42b9a77f53271377901172137_XL.jpg

Mision për brezat

Andaj përkujtimi i Ditës së Kujtesës ka për mision të ruhet kujtimi ndaj viktimave të  komunizmit dhe nazizmit, siç ishin  burgosjet, vrasjet me e pa gjyqë, deportimet, internimet, kampet e punës dhe te përqendrimit, izolimet etj., duke qenë dëshmi me argumente për brezat e sotëm e ato që do të vijnë më pas. 

Nuk ka dilemë se çdo pushtet i dinjitetshëm, do të trajtonte  me guxim çështjet e dhimshme nga e kaluara, duke prezantuar përgjegjësinë për kuadrin e kohës dhe rehabilituar viktimat e asaj kohe. Andaj, është koha për sjellje me pietet ndaj të gjitha viktimave, duke i nderuar sikurse bëhët në vendet demokratike, sepse ballafaqimi me të kaluarën është dëshmi e kapacitetit demokratik dhe humanitar në çdo shtet të konsoliduar. 

(25 gusht 2020)

Filed Under: Analiza Tagged With: Dita e Kujteses, Nail Draga

DITA E KUJTESES NE OKB

January 28, 2013 by dgreca

– OKB: U shënua 27 janari, dita Ndërkombëtare e Holokaustit me një serë veprimtarishë në Selinë e Kombeve të Bashkuara në New York/

– Shpëtimi i hebrejve nga shqiptarët – u kujtua në ditën Ndërkombëtare e Holokaustit në OKB – Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit : “Shqiptarët një shembull i pashembulltë në të gjithë botën” për mbrojtjen e herbrenjëve./

-“Rrefimi i jashtezakonshem i Shqiperise, ku nje komb i tere, si popullate, ka vepruar bashkerisht per t’i shpetuar hebrenjte, eshte nje rrefim i papershkrueshem. Shqiperia e Luftes se Dyte Boterore u be streha me e sigurt e hebrenjve te perndjekur nga nazizmi. Me qindra çifute u mirepriten dhe nuk u tradhetuan kurre nga familjet mbajtese”./

Nga BEQIR SINA, New York/

OKB – NEW YORK : Dy sallone të mëdha me fotografi dhe piktura u hapën për publikun në katin e parë të ndërtesës së OKB -ës, në New York. Ekspozita këto që u vizituan këto ditë nga mijëra viztorë, shumica e tyre turistë të huaj u hapën në Lobin e Visitorve në Selinë e Kombeve të Bashkuara. Të dyja ekspozitat u hapën në fillim të javës së kaluar e martë,22 janar dhe u mbyllën mbrëmë me 27 janar. Ato ishin si pjesë e një serie – të aktiviteteve javore që zhvilloi Organizatat e Kombeve të Bashkuara në Përkujtimim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit, e cila është dedikuar në nderim të viktimave të Holokaustit, 27 janarit, në përputhje me temën e respektimit të këtij viti, “Shpëtimit gjatë Holokaustit: Guximit Kurajos dhe të Kujdesit”.

Hapja dhe mbyllja e kësaj ekspozite, e cila organizohet dekadën e fundit vit për vitë në në Selinë e Kombeve të Bashkuara, shoqërohet me një ceremoni të përbashkët zyrtare dhe pritjes që jepet në Galerinë Kryesore të Lobit Visitorve. Kësaj rradhe ekspozita ishte titulluar “Bota e dinte – Misioni Jan Karski për njerëzimin” dhe “Kushdo që shpëton një jetë më vete … Shpëtuesit e hebrenjve gjatë Holokaustit”.

Pavioni i parë tregon jetën e Jan Karski, një oficeri i ri polak dhe ish diplomat në Ministrinë e Jashtme për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u fokusuar veçanërisht në misionin që ai ndërmori si një shpëtimtarë.

Pavioni i dytë përbëhej nga foto, objekte, dokumente dhe video- filma bardhë e zi, me tregimet e më shumë se 40 shpëtimtarëve – hebreje dhe jo-hebre – që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrejtë gjatë Holokaustit.

Një pjesë të rëndësishme në këto veprimtari në Kombet e Bashkuara zunë edhe pavionet e ekspozitës të cilat lidhen me tregimet heroike të katër shpëtimtarëve: Gazetarit nga Shtetet e Bashkuara Varian Fry i cili ka ndihmuar mijëra Jewish të shpëtojnë nga pjes e kontrlluar në Vichy- Francë;Qytetari italiani Lorenzo Perrone, që shpëtoi jetën e disa Jewish-ve të tjerë. Primo Levi, i cili gjatë burgimit të tij në Aushvic; nëpërmjet një punëtore shoqërore Irena Sendler, ka punuar nëpërmjet organizatës Zegota në mënyrë “nëntokësore” për të kontrabanduar fëmijët hebrenj nga getot e Varshavës dhe për të gjetur vende të sigurta për t’i fshehur. Një pavion të veçantë zuri edhe Shqipëria, njëri prej shpëtimtarëve Veselis, një shqiptarë që shpëtoi jetën e një familje hebreje, familjes Mandili, duke u fshehur ato në shtëpinë e tyre.

“Bota e dinte – Misioni Jan Karski për njerëzimin” është kuruar nga Muzeu Historik polakë në Varshavë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe bashkë-sponsorizuar nga Misioni i Përhershëm i Polonisë në Kombet e Bashkuara, me temën “Kushdo që shpëton një jetë më vete … Shpëtuesit e hebrenjve gjatë Holokaustit” dhe është paraqitur nga Fondacioni hebre në SHBA.

Aktivitetet e përkujtimit të Holokaustit në Kombet e Bashkuara – u udhëhoq nga Muzeu i Holokaustit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara Outreach i Departamentit të Informimit Publik.Programi, është i themeluar nga Asambleja e Përgjithshme sipas Rezolutës 60/7, e cila synon të mobilizojë shoqërinë civile për përkujtimin e Holokaustit dhe edukimit, në mënyrë për të ndihmuar në parandalimin e akteve të ardhmen e genocidit.

Kombet e Bashkuara shënuanë gjatë gjithë kësaj jave në New York, Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të holokaustit Veprimtaritë e organizuar në New York dhe rreth e përqark botës ishin të fokusuar në njohjen e guximit dhe dhembjen e shpëtimtarëve të shumtë të të gjitha besimeve dhe kombësive që shpëtuan jetën e hebrenjve dhe të tjerëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Shpëtimtarët gjatë Holokaustit: Guximi Kurajo dhe Kujdesi” ishte tema që paraqiti këto ditë Departamenti i Programit të Informimit Publik të Holokaustit, pranë Kombeve të Bashkuara që të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të holokaustit

Javë e aktiviteteve të Përkujtimit, ka kulmuar më 27 janar me ceremoninë dy-orëshe të quajtur Holokaust Memorial dhe që u mbajtë në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.

Ceremonia, u organizua nga Peter Launsky-Tieffenthal, Nën-Sekretari i Përgjithshëm për komunikim dhe informim publik në Kombet e Bashkuara . Kjo ceremoni përfshiu edhe një video mesazh nga Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon, e ndjekur nga një deklaratë të dhënë nga Raymond Serge Bale, Përfaqësuesi i Përhershëm i Kongos në OKB dhe Zëvendës-President i sesionit të 67 të Asamblesë së Përgjithshme, Ron Prosor, Përfaqësuesi i Përhershëm i Izraelit, dhe Signe Burgstaller, Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm i Suedisë, gjithashtu ka bërë deklaratë.

“Ata që rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë dhe të tjerët prej shfarosjes masive në Luftën e Dytë Botërore janë bërë sot frymëzim për kurajon për të luftuar për një botë më të mirë,” tha në një video mesazh Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon në veprimtarinë që u zhvillua në Kombeve të Bashkuara, gjatë kësaj jave në New York.

“Le të jetë ajo sot për të frymëzuar njerëzimin nga ata që kishin kurajon, guximin për t’u kujdesur – ata ishin njerëzit e zakonshëm që morën hapa të jashtëzakonshme për të mbrojtur dinjitetin njerëzor,” tha zoti Ban në një video mesazh të transmetuar këtë javë në një ceremoni të mabjtur para Asamblesë së Përgjithshme për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në kujtim të viktimave të Holokaustit.

Respektimi edhe këtë vit i Ditës Ndërkombëtare të Holokausit është ndërtuar rreth temës “Shpëtimi gjatë Holokaustit: Kurajo dhe Guximi për Kujdesje,” profilizimin e shpëtuesit individualë –
Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban, vuri në dukje se këtë vit ky aktivite zhvillohet kur po shënohet edhe 50 vjetorin i Programit të Kombeve të Bashkuara në memorialin Yad Vashem në Izrael, i cili është i përkushtuar për të identifikuar dhe shpërblimin heronjëve të tillë nëpër botë.

Pas transmetimit të fjalimit të zotit Ban, u shpalosën para vizitorëve dhe zyrtarëve të lartë të OKB -ës,profilet e shpëtimtarëve, duke filluar nga Irene Sendler, një grua polake që kontrabandojë fëmijë nga Ghettot e Varshavës, në familjen Veseli, që përfaqësoi shqiptarët që shpëtuan Jewisht, duke mos dorzuar as edhe një Jewish të vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veseli, vetë fshehu një familje hebreje në fermën e tyre.

Raymond Serge Bale , zëvendës-kryetar i Asamblesë së Përgjithshme, tha se ” ishte rezoluta e OKB-ës 60/7 ajo që është deklaruar në përkujtimin e Holokaustit dhe shërben sot si një thirrje jo vetëm për përkujtimin e vuajtjeve të viktimave të Holokaustit, por edhe ato të shkaktuar gjatë regjimeve diktatoriale, luftërave për liri. Ajo është një detyrim moral për gjithë njerëzimin sot për të paralajmëruar kundër tmerreve të urrejtjes dhe paragjykimit, për të parandaluar akte të mëtejshme të gjenocidit” tha ai.

“Vlerat e demonstruar nga ata që sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët le të shërbejë si parime udhëzuese për të mbrojtur të drejtat njerëzore të brezave të ardhshëm – kurajo, dhembshuria, udhëheqja morale, vetë-sakrificë, përgjegjësia shoqërore, integriteti dhe drejtësia”, tha Raymond Serge Bale, zëvendës-kryetar i Asamblesë së Përgjithshme .

Gjatë kësaj ceremonie Cantor Chaim David Berson i Qendrës hebreje në New York City lexojë lutjet përkujtimore, dhe Ansambli Motyl kryeu tre pjesë muzikore. Grupi muzikor New York City- me bazë në OKB – luajti pjesë klasike e cila përfshinte muzikantë Julie Artz Becker dhe Aleeza Wadler në violinë, Ellen Rose Silver në violonçel dhe Anoush Simonian për Violë – Më tej ata paraqitën muzikën e shkruar nga kompozitorë të cilët ishin të detyruar në mërgim ose të cilët u zhdukën gjatë Holokaustit.

Çfarë është Holokausti?

Holokausti është një njollë e errët në historinë e njerëzimit. Holokausti është një sistem persekutimi sistematik, i një shteti burrokratik që vrau afërsisht 6 milionë çifutë (Hebrej) nga regjimi nazist dhe bashkëpuntorët e tij. Fjala “Holokaust” e ka origjinën nga greqishtja e vjetër që do të thotë “Sakrificë për pasion”. Me ardhjen në pushtet në Gjermani të regjimit nazist në Janar 1933, besonin se gjemanët ishin “Superiorë për nga raca” dhe se çifutët cilësoheshin ose klasifikoheshin si “Inferiorë” dhe se ata ishin “të padenjë për jetë”. Të paktën 200,000 persona me të meta fizike apo mendore u vranë si pjesë e programit “Euthanasia”. Gjatë viteve të luftës, nazitët dhe bashkëpuntorët e tyre krijuan getot, kampet tranzite, si dhe kampet e punës së rëndë. Më rënjen e kapitullimin e Gjermanisë naziste, pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovietik, dhe vendet e kapmit komunistë, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, krijuan ata burgjet politike, kampet e presekutimit, si dhe kampet e punës së rëndë.

 

Filed Under: Histori, Kronike Tagged With: Beqir Sina, Dita e Kujteses, Holokausti, Joe DioGuardi, OKB

“DITA E KUJTESËS” DHE KRENARIA SHQIPTARE

January 27, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Ka ngjarje në historinë e njerëzimit që shënojnë epokat ose i venë vulën e tyre periudhave të ndryshme. Lufta e dytë botërore, me sasinë e viktimave (50 milionë), është një nga ngjarjet më tronditëse e më të tmerrshme të gjithë qënies mijravjeçare të shoqërisë njerëzore. Në kuadrin e saj, holokausti, zhdukja fizike e gjashtë milionë viktimave të pafajshme, vetëm e vetëm në sajë të prejardhjes racore apo përkatësisë një besimi fetar, apo një etnie të caktuar është një nga njollat më të zeza që, ajo kohë, la në nënëvetëdijen e njerëzimit në përgjithësi, por kryesisht në ndërgjegjen e atij brezi njerëzish që e shkaktuan, bënë të mundur, apo lejuan një tragjedi njerëzore të përmasave të tilla.

Prej disa vitesh 27 janari është dita e kujtesës, e rikthimit ideal në thelbin e asaj tragjedie të stërmadhe, në matjen e përfytyruar me të e pasojat e saj, në një bilanc të heshtur të çdo populli me përmasën e përgjegjësisë së tij në mëdyshjen brejtëse të asaj që bëri, që mund të bënte, që nuk e bëri…. Ky bilanc vjen natyrshëm në çdo 27 janar, kur historia na paraqet llogarinë, duke na përballuar jo vetëm me të shkuarën, por edhe me të sotmen ku, në forma e përmasa të ndryshme, vazhdojmë të ballafaqohemi me dukuri t’urryera.

Për shqiptarët 27 janari, krahas dhimbjes njerëzore për miliona jetë të flijuar në altarin makabër të racizmit më të egër, është dhe një ditë krenarie. N’atë bilanc të heshtur t’atyre ngjarjeve, përgjegjësive e pasojave, n’atë gjyq të përfytyruar të ndërgjegjeve të popujve, të kombeve, të klasave politike, të fuqive ushtarake të një kontinenti të tërë, në një nga epokat më të errëta të Evropës së qytetëruar, ne, shqiptarët dalim ballëlartë e me ndërgjegjen e pastër : nga toka shqiptare që për pesë vite qe e pushtuar nga trupat e huaja, nga ushtritë italiane e gjermane, asnjë hebre nuk shkoi në kampet e çfarosjes. Në tokën shqiptare gjetën strehë e mbrojtje 2265 vetë, banorë të këtij trualli, apo t’ardhur n’ata vite të vështiura nga Vende të tjera fqinje, apo më të largëta.

Në vitin 1937, në Shqipëri banonin gjithsej 191 hebrenj. (“Hebrenjtë në Shqipëri” Katalog dokumentash të A. Q. Sh. të Republikës së Shqipërisë” nga Nevila Nika dhe Liliana Vorpsi)

“Në vitet 1941 – 1942 vërehen shpërnguljet më të mëdha të hebrenjve nga vendet e rajonit ballkanik (Jugosllavi, Bullgari) dhe vendosja e tyre në kampe përqëndrimi në qytete dytësore të Shqipërisë, duke pasur kujdesjen shtetërore për ushqim, strehim, veshje dhe nevoja të tjera.

          Deri në fund të Luftës II botërore numri i hebrenjve në Shqipëri u dhetëfishua. Asnjë hebre s’u bë viktimë e luftës.”

           Janë disa nga përfundimet e kreut të dytë të vëllimit “Hebrenjtë në Shqipëri Prania dhe shpëtimi”, i shkruar nga Prof. Shaban Sinani dhe i botuar më 2009.

Shifrat e pranisë së hebrenjvet e shpëtimit të tyre në trojet shqiptare ndryshojnë nga një autor tek tjetri, ato nuk janë të përcaktuara plotësisht, mbasi studimet mbi to kanë filluar në dhjetëvjetëshin e fundit dhe ende nuk janë të përfunduara, falë vështirësive që hasen në shqyrtimin e mijra dokumentave të arkivave, por edhe të mos paraqitjes në dokumenta të shumë veprimeve t’asaj kohe. Por të gjithë studjuesit janë të një mëndjeje se shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri nuk është një legjendë, por një fakt i pakundërshtueshëm e, si i tillë, mbetet një nga të paktat dukuri të tilla në të gjithë Evropën e asaj periudhe.

Në shqyrtimin e një dukurie të tillë bëhet i detyrueshëm krahasimi me përvojat e popujve të tjerë në të njëjtën periudhë e në të njëjtat kushte historike. Nga vëllimi “Hebrenjtë në Shqipëri nën fashizmin Një histori për t’u rindërtuar”, italisht, me autorë Laura Brezzo e Michele Sarfatti, shkëpusim këtë paragraf që i referohet disa të dhënave të studjuesve M. Grmek dhe B. Kovacic në “Messager européen” N.5 1991 : “Vetëm nga dora e regjimit ustasha të Paveliçit u masakruan gjatë luftës së dytë botërore 300.000 serbë, 26.000 hebrenj, 16.000 romë.”

Nga i njëjti vëllim në kapitullin “Shoah në Serbi e Maqedoni” (1941 – 1943) të studjuesit Milovan Pisarri jepen këto shifra : “Në këto krahina më 1941 jetonin rreth 21.000 hebrenj, prej të cilëve 13.000 në Serbi e 7762 në Maqedoni. Në Serbi kishte veç tyre dhe 5000 – 6000 hebrenj të shpërngulur nga Evropa Lindore, në pritje për të vazhduar rrugën për në Palestinë. Në fund të luftës mbijetuan më pak se 3.000 vetë.

          Më 22 mars 1943 u nis treni i parë që mbartëte 2409 hebrenj maqedonë. Vend mbërritja, më 28 mars, mbas një udhëtimi nëpërmjet Serbisë dhe Evropës Qëndrore, ishte Treblinka. Më 25 e 29 mars u nisën dy trena të tjerë me, përkatësisht 2399 dhe 2550 vetë. Asnjë prej këtyre nuk u kthye i gjallë. Në të njëjtën ditë u përzunë nga Thraka, me rrugë lumore nëpër Danub deri në Vjenë, 4221 hebrenj vendas.”

Dhe ja përfundimi : “Sa vetë arritën të ikin në Shqipëri nga Serbia e nga Maqedonia, fatkeqësisht, nuk është e mundur të përcaktohen me saktësi, së paku tani për tani. Këta refugjatë janë një pjesë e pak hebrenjve, që arritën t’i mbijetojnë Shoahut në Serbi e Maqedoni : pak më shumë se 10% në krahinën e parë, rreth 5% në të dytën.” 

Simbas këtyre shifrave, të dhëna nga studjues të huaj, del qartë se Shqipëria bëri një përjashtim në Ballkan, në praktikën e përndjekjes së hebrenjve, që ishte një strategji globale e hitlerianëve, të cilët e kishin pushtuar Ballkanin. Qeveritë shqiptare, jo vetëm nuk dorëzuan hebrenjtë vendas, por u bënë edhe shpëtimtarë të shumë të tjerëve, që arritën të hyjnë në kufijtë e Shtetit të tyre. Kjo dukuri ka një vlerë morale shumë të madhe, është një nga meritat më të shkëlqyera të kombit në të gjithë historinë e tij, një motiv krenarie të ligjëshme në ndihmesën e dhënë qytetërimit botëror. Ky i fundit nuk është vetëm arritje veprash madhore në fushat e ndryshme të dijes, artit, shkencës etj., është dhe pohim e mbrojtje vlerash universale, siç është jeta njerëzore, madje ky duhet të jetë edhe synimi më i lartë i tij.

Nëse të tjerët na e venë këtë kurorë dafinash të mirënjohjes e vlerësimit mbi kokë, ne vetë jemi refraktarë kundrejt vlerave tona. Për një gjysëm shekulli të regjimit komunist nuk u zu në gojë asnjëherë dukuria e shpëtimit të hebrenjve në tokën shqiptare. Ajo ishte varrosur, së bashku me shumë të vërteta të tjera të periudhës së luftës, siç ishte bashkimi i trojeve shqiptare më 1941 – 1944. Mbas tjetërsimit të sistemit, studjues të ndryshëm, ndër të parët z. Mërgim Korça, dëshmitar në vetë të parë i një episodi të rëndësishëm t’asaj dukurie, filluan të shkruajnë për të vërtetën historike. Politika, natyrisht, e mori argumentin për t’a nxjerrë në pah që prej disa vitesh kur, më 1 nëndor 2005, Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara vendosi përkujtimin e Shoas për datën 27 janar, në përputhje me datën e rrëzimit të portave të kampit të Aushvicit, si pasojë e hyrjes së ushtrisë sovjetike në rrugën e saj për në Berlin.

Politika dhe mediat, në pjesën dërmuese të tyre, mbasi zbuluan “thesarin” e krenarisë kombëtare, filluan të japin dhe ftillimet e tyre, duke e paraqitur atë dukuri, shpëtimin e hebrenjve, si një meritë të vetme të familjeve shqiptare që strehuan ata në shtëpitë e tyre, madje dikush evokoi dhe një miqësi të lashtë mijëvjeçare mes dy popujve. Ky ftillim paraqiste vetëm një pjesë të së vërtetës, por anashkalonte rolin e autoriteteve qeveritare italiane e të komandës gjermane në Shqipëri, nga njëra anë, dhe qeverive shqiptare t’asaj periudhe, nga ana tjetër. Thjeshtimi i interpretimit të një dukurie, tepër komplekse në zhvillimet e saj, ishte një mënyrë e tërthortë dinakërie, për të mbuluar të vërtetën historike. Duke zhvendosur nga teatri i ngjarjeve klasën politike shqiptare t’asaj periudhe e rolin e saj në shpëtimin e hebrenjve, jo vetëm që opinionit publik shqiptar e të huaj i servirej një përrallë me mbret, aspak bindëse, por bihej ndesh me vetë faktet historike e dokumentat pasqyruese të tyre. Ishte një përpjekje, në vazhdën e njohur të historiografisë mashtruese komuniste, jo për të zbuluar një të vërtetë historike, në tërë përbërësit e saj, por për t’a tjetërsuar atë me metoda manikeiste qesharake deri në marrëzi. Në këtë grackë ranë dhe autoritetet shtetërore e të politikës që në këta vite, duke u ballafaquar me problemin në mjedise ndërkombëtare, bënë një figurë jo të mirë kur dikush u tha se hebrenjtë, në rradhë të parë, i ishin mirënjohës qeverive “kolaboracioniste” shqiptare, që luajtën rolin vendimtar në shpëtimin e tyre.

Në këtë treg idesh, faktesh e interpretimesh meriton një vëmëndje të veçantë studimi i Prof. Shaban Sinanit “Hebrenjtë në Shqipëri  prania dhe shpëtimi”, një përpjekje objektive e shkencore për t’a paraqitur dukurinë në termat e saj të vërteta. “Një nga arsyet që kjo pjesë e historisë shqiptare s’njihet mirë është dhe frika se, duke njohur këtë realitet, mund t’i njihet tërthorazi ndonjë meritë edhe mbretërisë apo fashizmit. Në të vërtetë, kjo vetëm do t’a nderonte historinë e vendit dhe asgjë më shumë.” shprehet autori. Përgëzime atij për këtë diagnozë të saktë të studimeve tona historike, nga praktika e të cilave, nëpërmjet kësaj vepre, duket se don të shkëputet. Uroj që të jetë një hap i madh përpara, për të shërbyer tempullin e shkencës dhe së vërtetës, duke braktisur demagogjinë politike që ka prodhuar vetëm shtrembërime të tyre.

Në faqen 127 të librit gjejmë dëshminë e rëndësishme, të shkëputur nga libri me kujtime të Mëkëmbësit të Mbretit, Francesco Jacomoni, me titull “Politika e Italisë në Shqipëri”, në dobi të Kryeministrit Kruja e Qeverisë së tij, në lidhje me kërkesën gjermane për dorëzimin e hebrenjve në Kosovën shqiptare dhe masat e marra për të mos e zbatuar atë. Më poshtë autori bën pyetjen :

“Por ç’ndodhi me qeveritë bashkëpunuese, kuislinge, që ishin në dijeni të hyrjes së hebrenjve në Shqipëri, që nuk e penguan ardhjen e tyre, përkundrazi, lejuan dhe fshehjen e identitetit, dhe së fundmi nuk u a dhanë listat që kërkuan autoritetet naziste, për t’i çuar hebrenjtë e Shqipërisë në të njëjtin fund katastrofik ?” për t’u përgjigjur po vetë, i bazuar në gjashtëqind dokumentat që ruan A.Q.Sh. shqiptar, në të cilin profesori ka qenë drejtor : “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është i lidhur me faktin thelbësor që asnjëra prej qeverive bashkëpunuese, megjithëse të ngritura në pushtet me fuqinë e armëve të fashistëve apo nazistëve, nuk hartoi e nuk përshtati asnjë ligj antihebraik, në një kohë kur në ligjet antihebraike në vendet e tjera të kontrolluara nga këto ushtri dhuna antihebraike u detajua deri në një të tetën…”

Aq është e vërtetë kjo tezë sa që, në librin e sipërpërmendur të Brecos e Sarfatit, sillet një fragment shumë i rëndësishëm i kujtimeve të Jakomonit : “Një tjetër çështje qe objekt kundërshtie me Romën : ajo e shtrirjes së ligjeve raciale në Shqipëri. Udhëzime për t’u shpallur u dhanë vazhdimisht, por me shfaqjen gjithmonë të  problemeve të reja nuk u arrit të bëhej gjë.” Duhet theksuar në këtë rast fakti se Roma zyrtare e kishte hartuar dhe miratuar dekretin kundër-hebraik që më 14 maj 1939. Ai dekret përbëhej nga 21 nene, në të katërtin e të cilëve thuhej : “ Hebrenjtë e huaj që, në datën e shpalljes së këtij dekreti gjenden në Mbretëri, duhet të lëshojnë menjëherë territorin e saj, brënda një muaji  (pastaj 6 muaj) nga data e botimit të vetë dekretit.”

Ky dekret nuk u bë as i njohur në opinionin publik shqiptar sepse asnjë qeveri  nuk pranoi t’a shpallte, mbasi binte ndesh me traditat e mikpritjes së hershme shqiptare e përbënte një shkelje të ligjeve e zakoneve të mbrendëshme të popullit tonë. I mbetet lexuesit të krijojë nga këta fakte opinionin e tij mbi ngjarjet dhe personazhet e asaj epoke, të paraqitura me ngjyrat më të errëta për gati tre të katërtat e shekullit. Në këtë kuadër është për t’u përmendur marrëveshja ndërmjet Qeverisë shqiptare dhje Komandës gjarmane më 17 tetor 1943, mbas kapitullimit të Italisë, të cilën studjuesi Sinani e sjell në faqen 142 të librit të tij : “ Burimet arkivore shqiptare dëshmojnë se marrëveshja midis qeverisë së Shqipërisë dhe komandës politike e ushtarake të ushtrisë gjermane u arrit mbështetur në formulën : “Të trajtohen armatat gjermane si ushtri kalimtare, me kusht që nga autoritetet e Reich-ut të mos ndërhyhet në qeverisjen e brëndshme të shtetit shqiptar”….. Duke iu referuar formulës së paktit dhe reagimit të institucioneve të Reich-ut, mund të përfundohet pa gabuar se, në vështrimin e autoriteteve naziste, në Tiranë çështja hebreje quhej “çështje e brëndshme”.

E veçanta e kësaj marrëveshjeje, e pakonceptueshme për kushtet e kohës, do t’a bënte studjuesin amerikan H.Sarner të shprehej : “Fraza për “ mosndërhyrje në punët e brendshme” mori një rëndësi të posaçme për fatin e hebrenjve, kur komanda naziste i kërkoi regjencës që të dorëzonte listat e tyre në tërë Shqipërinë” Madje është mjaft interesante konsiderata e Sarnerit për Ministrin Xhafer Deva e veprimet e tij në mbrojtje të hebrenjve : “…Sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t’i bindte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve.”

Në libër gjejnë pasqyrim edhe përpjekjet e klerit katolik për shpëtimin e hebrenjve, nëpërmjet kthimit të tyre në besimin e krishterë. Në këtë drejtim përmenden emrat e Dom Shtjefën Kurtit dhe të At Pjetër Meshkallës. Po i mbyll këto konsiderata për objektivitetin e Prof. Shaban Sinanit duke sjellë një pohim që tregon jo vetëm profesionalizëm por edhe ndershmëri intelektuale :

“Shumëve u duket si i tepruar ngulmimi për rolin pozitiv të autoriteteve qeverisëse shqiptare gjatë luftës për shpëtimin e hebrenjve. Këta mendojnë se asnjë fjalë e mirë nuk mund të thuhet për kolaboracionistët, meqë ata e penalizuan veten me qeverisjen nën armët e ushtrive naziste. Por njerëzit e thjeshtë kishin në dorë t’u jepnin hebrenjve bukë, punë dhe strehë. Njerëzit e thjeshtë nuk i kishin listat e tyre. Këto lista i kishin autoritetet qeverisëse dhe nuk i dhanë. Ato arin e Shqipërisë e dorëzuan, por këto lista jo. Ka pasur funksionarë të qeverive bashkëpunuese që jo vetëm nuk kanë dorëzuar lista hebrenjsh, jo vetëm kanë raportuar se në juridiksionin e tyre nuk ka hebrenj, por madje kanë kërkuar prej komandës naziste të lirojë ata hebrenj që ajo i kishte kapur gjatë mërgimit nga thellësitë e Ballkanit drejt Shhqipërisë (Kruja, Hurshiti, Mulleti, Korça, Çoba, Preza).”

          Ja dhe përfundimi i autorit me të cilin pajtohem plotësisht : “Hebrenjtë në Shqipëri nuk i shpëtoi as nacionalizmi, as komunizmi, as ndonjë faktor tjetër politik, por etnotipi shqiptar, në thelbin e të cilit është mbrojtja e tjetrit në rrezik. Ky është një tipar që shqiptarët e kanë përsëritur shpesh në sjelljen me “tjetrin”.

Së fundi, duke zgjeruar pak konceptin e profesorit, më duket me vend që në kujtesën historike të popullit tonë të kenë vendin e merituar ata që “etnotipin shqiptar” e shpalosën në çdo kohë, edhe në atë të luftës së dytë botërore, duke i lënë bashkatdhetarëve të tyre krenarinë e përkatësisë një kombi që, në rastin e shpëtimit të hebrenjve, ka mishëruar vlerat madhore e të përjetëshme të vetë njerëzimit.

Janar 2013

Filed Under: Featured Tagged With: Dita e Kujteses, Eugjen Merlika

Artikujt e fundit

  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
  • NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN
  • Meet a NYCHA Construction Partner: STV  
  • KUVENDI  I  GREÇES , KRYEKUVENDI  KU MORI  JETË PROGRAMI  POLITIK I PAVARESISË  SË SHQIPERISË…
  • GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS
  • Mirënjohje dhe vlerësim

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT