• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Homazh për Edip Tërshanën

June 13, 2017 by dgreca

Me rastin e 110 vjetorit të lindjes dhe 70 vjetorit te ekzekutimit/

1 edip

Nga Reshat  Kripa/Fisnikëria lind bashkë me njeriun. Ajo trashëgohet brez pas brezi. Atë nuk mund ta përçudnojë asgjë. Ajo është një dhuratë e Zotit, të cilën nuk mund ta kenë fat të gjithë.  Ky gjak nuk mungonte në dejet e familjes Tërshana. Edipi, i lindur më 15 mars  1907, ishte djali i katërt i Abdurrahmanit dhe Sabries.  I ati, anëtar i klubit patriotik “Bashkimi“, merr pjesë në Kuvendin e Dibrës më 23 korrik 1909. Punon për hapjen e shkollave shqipe me alfabetin latin dhe është pjesëmarrës me armë në dorë i përpjekjeve të mëdha të viteve 1912 – 1913 kundër serbëve.

Shkollën fillore Edipi e filloi në vitin 1916 në shkollën shqipe të Dibrës. Më 1920 ajo mbyllet dhe ai fillon punë si çirak në një repart qeleshepunuesish. Në vitin 1922 vendosen në Peshkopi. Po atë vit vazhdon shkollën qytetëse të hapur në Tiranë me vendimin e qeverisë së Sulejman Delvinës, për fëmijët dibranë. E  mbaron në vitin 1923 dhe po atë vit fillon shkollën normale në Elbasan të cilën e mbaron në vitin 1928.

Më 16 shtator 1928 fillon punë si mësues i klasës së parë në shkollën plotore Shijak. Kështu vazhdon vite me rradhë. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti me indinjatë. Refuzon me përbuzje propozimin për t’u regjistruar si anëtar i partisë fashiste. 27 nëntor 1942, 30 vjetori i shpalljes së pavarësisë. Me nismën e tij vihet në skenë drama e Foqion Postolit “Lulja e Kujtimit“. Entuziazmi ishte i paparë. Sallën e ndezën më tepër fjalët e zjarrta të Edip Tërshanës dhe Beqir Haçit. Të nesërmen manifestimi i madh në shesh për  ditën  e  flamurit.  Përleshje me forcat e kuesturës.

Në   pranverën   e   vitit  1942  bie  në  kontakt  me elementë antifashistë si Irfan Hajrullai dhe Mustafa Gjinishi. Ata e njohin me punimet e Konferencës së Pezës. Në bazë të vendimeve të saj, shtruan nevojën e krijimit të këshillit antifashist të Dibrës. Me krijimin e tij zgjidhet kryetar i këtij këshilli. Motivi kryesor  ishte lufta kundër pushtuesve fashistë. Në të bënin pjesë të gjitha forcat politike. të vendit

Më 8 shtator 1943 Italia kapitullon. Edipi merr kontakt me kapitenin anglez Hendz dhe komandantin e batalionit italian “Firence“ Armando Picci, për të ardhmen e batalionit. Vendosin që forcat e këtij batalioni të vihen në dispozicion të Komandës së Divizionit të Lartë Aleat të Lindjes së Mesme. Divizioni largohet nga Dibra. Këshilli antifashist del nga ilegaliteti. Por rrugët morën një rrjedhë tjetër, fare të papranueshme. Mbrojtjen e qytetit e mori komanda partizane që priste kthimin e Haxhi Lleshit. Çuditërisht filluan plaçkitjet në qytet. U dogjën edhe disa shtëpi, kryesisht të nacionalistëve.  Më 9 shtator 1943 organizohet një mbledhje në prefekturë. Edipi kërkon shpjegime për gjendjen, por askush nuk i kthen përgjigje. Tradhëtia e madhe e konferencës së Mukjes kishte filluar të vihej në zbatim nga krerët e lëvizjes komuniste. Edipi detyrohet të jap dorëheqjen nga kryetar i këshillit antifashist në shenjë proteste.

Tashmë pasojat e Mukjes ishin shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Edipi dhe kapiteni anglez Hendz kërkojnë të gjejnë një rrugë pajtimi ndërmjet forcave që po venin drejt një lufte vëllavrasëse.. Më 24 shtator 1943 organizohet një takim i Mit-hat Frashërit, Hasan Dostit dhe Isuf Luzit me krerët dibranë Fiqiri Dine dhe Cen Elezi që kishte si qëllim organizimin e  një  komiteti  kombëtar  dibran. Por  ngjarjet  kishin  marrë  rrugë. Komunistët kishin mundur të marrin në dorë drejtimin e këshillit. Sipas udhëzimeve të tyre, krahas flamurit shqiptar u ngrit edhe ai maqedonas. Shenja e parë e tradhëtisë së madhe që do të vazhdonte më vonë me dorëzimin e këtyre krahinave Jugosllavisë. Edipi heq dorë përfundimisht nga ky këshill.

Në mars 1945 shkon të takojë dhëndrin e tij Habib Gegën që ndodhej në burg. Merr kontakt me Qenan Dibrën, i cili i rekomandon për avokat Suat Asllanin. Ata e informojnë për lëvizjen antikomuniste që kishte filluar në Tiranë, me pjesëmarrjen e personave të rrymave të ndryshme.  Ata i parashtruan organizimin e një organizate të tillë antikomuniste dhe demokrate në Dibër. Këtë gjë Edipi filloi ta vinte në zbatim porsa mbërriti në qytetin e tij. Aty takohet me miqtë e tij Shefqet Shehun, Eqerem Kukelin, Rasim Fetahun, Islam dhe Xheladin Ndreun me të cilët krijon bërthamën e organizatës që do të quhej “Bashkimi Demokratik“ dhe që do të përmblidhte rreth vetes përfaqësues nga rryma të ndryshme si social-demokratë, monarkistë dhe të grupit të rezistencës. Lidhjet me Tiranën i mbante nëpërmjet Qenan Dibrës.

Aktiviteti i mësipërm nuk kishte si të mos binte në sy të sigurimit të shtetit. Për këtë, sipas udhëzimeve nga qendra Edipi tërhiqet për pak kohë. Cen Elezi me djemtë Islam dhe Xheladin Ndreu, Dan Kaloshi dhe Menajt e Lurës detyrohen të marrin malet. Shefqet Shehu, Rasim Fetahu dhe Eqerem Kukeli arrestohen.  Po ashtu arrestohen në Tiranë edhe Qenan Dibra, Suat Asllani, Ivzi Golja dhe të tjerë. Kishte filluar terrori i tmerrshëm komunist.

Ardhja e Hysni Alimerkos si profesor i letërsisë në fund të shtatorit 1946, i dha një hov të ri lëvizjes. Ajo kishte gjetur në personin e tij njeriun që dinte të drejtonte dhe të jepte leksione të shkëlqyera organizimi.  Hysni Alimerkua, i lindur në Tragjas të Vlorës, mori mësimet fillore dhe të mesme në vendin e tij. Pastaj shkoi për studimet e larta në Firence të Italisë, ku u diplomua për letërsi. Gjatë luftës ka qenë sekretar i financës së Komitetit Krahinor të organizatës së Ballit Kombëtar për Vlorën. Takimi me Edipin bëri që pikëpamjet e tyre të ishin të njëjta. Së bashku me Jani Ikonomin, Alqi Nushin dhe  Kozma   Gjergon   u   bënë   strumbullari   i   lëvizjes antikomuniste në Peshkopi.

Më 17 maj 1947 në Dobrovë, shefi i sigurimit krimineli Kopi Niku kryen arrestimin e Edip Tërshanës.  Arrestohen gjithashtu  edhe Hysni Alimerkua, Jani Ikonomi, Alqi Nushi dhe të tjerë.Për të detyruar të arrestuarit  të pranonin akuzat false, u provuan llojet më të tmerrshme të torturave. Vetëm ata që i kanë provuar ato  në shpinën e tyre, mund t’ju tregojnë për to. Por më mirë të mos flasë. Ato duken si të pabesueshme dhe të sajuara. Megjithatë një gjë dihet. Të gjithë qëndruan si luanë, pa u përkulur para dhunës së ushtruar. Në mbarim të hetuesisë Edipin e lejojnë të takojë vajzën dhe djalin. Ky takim la mbresa në shpirtin e tij. Iu kujtua e kaluara. Ata i kishin sjellë disa ushqime të mbështjella me një gazetë “Bashkimi“ që qarkullonte në atë kohë. Anët e kësaj gazete përdori Edipi për të shkruar dy letra, njërën për të bijën, Lirinë, kurse tjetrën për diktatorin Enver Hoxha.  Pastaj vendosi t’i jap fund jetës duke prerë damarët. Të mbytur në gjak e gjeti një nga rojet rastësisht. Në letrën drejtuar Lirisë shkruan:

“Ëndrra ime është që Shqipëria të bëhet siç  dua  unë.  Ajo do të realizohet dhe ju do të gëzoni emrin si bij të saj. Të jeni  kryelartë  se vdes si shqiptar”.

Ndërsa në letrën drejtuar diktatorit, ndër të tjera,  thekson  me  krenarinë   e  një nacionalisti të vërtetë:  “Ideali kombëtar më ka ba qi të jem kundra Lëvizjes Nacionalçlirimtare, unë qi kam qenë krijuesi i saj. Ju jo vetëm hoqët dorë nga Kosova dhe Dibra, por sot pushteti juej i quejtun popullor asht në robëni të Belgradit politikisht dhe ekonomikisht Kjo asht tradhëti!

            Jam kundra për vrasjet me gjyq dhe pa gjyq qi i bahen këtij populli. Jam kundra për burgosjet e 20.000 apo 30.000 shqiptarve vetëm e vetëm se nuk janë komunistë. Dhe kjo vetëm pse kështu don sllavi.  Kjo  asht tradhëti”!

Më 17 nëntor 1947 filloi gjyqi kundër 12 të akuzuarve. Para gjykatësve kukull ndodhen: Edip Tërshana, Hysni Alimerkua, Jani Ikonomi, Alqi Nushi, Rexhep Mborja, Selim Graceni, Adem Shehu, Rifat Dibra, Mahmut Ndreu, Elez Selishta, Ferit Pervizi dhe Munir Shatku. Para gjykatësve të arrestuarit qëndruan si heronj.

`           Më 21 nëntor jepet vendimi. Edipi, Hysniu dhe Jani dënohen me vdekje me pushaktim. Të tjerët me burgime të rënda. Të arrestuarit kthehen në qeli në pritje të zbatimit të vendimit. Në fund të dhjetorit lejohet takimi i fundit. Xhevria, e shoqja, dërgon fëmijët. Fjala e fundit e Edipit drejtuar atyre ishte:

– Mos vishni petkun e tradhëtisë

Personalisht kam patur fatin të njihem me dy nga personazhet kryesorë të këtij grupi. Avokatin Jani Ikonomi e kam njohur në kampin e Urës Vajgurore. Një burrë i veçantë. Një intelektual dhe idealist i rrallë. Një mësues i ndjenjave nacionaliste për ne të burgosurit e brezit të ri.. Shpesh herë na thoshte:

– Mos u ligështoni, mos u përkulni para torturave dhe urisë! Qëndroni me kryet lartë, ashtu si kanë qëndruar paraardhësit tanë! E ardhmja e Shqipërisë është e sigurtë. Gjaku i të rënëve është ushqimi i saj. Do të vijë koha kur njerëzit do shkëputen nga demagogjia e kuqe dhe do fillojnë të ndërtojnë të ardhmen e atdheut, të ardhmen me të vërtetë demokratike! Për këtë jam i sigurtë,

Sot Jani nuk jeton më, por ideali i tij trimfoi mbi dogmat komuniste.

Me Hysniun u njoha pasi doli nga burgu,. por më tepër u lidhëm me ndryshimet demokratike, kur luftonim në Shoqatën e të Përndjekurve Politikë, për realizimin e amanetit të të rënëve tanë, për çrrënjosjen e komunizmit nga vendi ynë. Idhulli i tij ishte Edip Tërshana. Kur u lirua nga burgu i Burrelit pas njëzet vjetësh dhe po kthehej për në shtëpi, ndaloi në qytetin e Kavajës. Donte të takonte Xhevrien, Lirinë dhe Nihatin, familjen e mikut të tij më të mirë, të cilët banonin atje.  Trokiti në portë. Ajo u hap dhe ata mbetën të shtangur. Iu duk sikur para tyre u shfaq Edipi. Të nesërmen ai u nis për në Vlorë.

Shpesh herë Hysniu më tregonte çastet e fundit të mikut të tij të pavdekshëm, Edipit,  duke i  shoqëruar me dhimbje:

– Kishte kaluar mesi i natës dhe ne, qoftë nga  ngarkesa  psikologjike, qoftë nga të ftohtit, nuk na kishte marr gjumi. Duhet të ketë qenë ora dy e gjysmë e natës, kur dëgjojmë një urdhër që u jepet ushtarëve:

– Përgatitni armët!

Nga biruca e tij dëgjojmë zërin e Edipit që na thotë:

– Nuk janë shenja të mira. Unë jam njëqind për qind i vdekur. Sidoqoftë, kushdo që do të shpëtojë, t’u tregojë fëmijëve të vërtetën. Amanet djalin!

S’vonoi shumë kur dëgjojmë  Kopi  Nikun  që  i  drejtohet Edipit:

– Qenke bërë gati? Dil atëhere.

E hipën në makinë dhe u nisën. Zhurma e saj u dëgjua edhe pak kohë, pastaj e mbuloi zhurma e lumit. Pas pak u dëgjua një breshëri armësh. Edipi ishte ndarë prej nesh. Një rreshter nga Pogradeci që shërbente aty na tregoi çastet e fundit të tij. Kur e kishte pyetur prokurori për fjalën e fundit ai thirri:

– Rrnoftë Shqypnia!

Në sytë e Hysniut pashë të rridhnin dy pika lot.

Filed Under: ESSE Tagged With: homazh, për Edip Tërshana, reshat kripa

Homazh për atdhetarin e diplomatin e shquar, Gani Azemi

December 5, 2016 by dgreca

1 enver Bytyci

Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi/

gani-azemi-ibrahim-rugova

Në historinë tonë kombëtare brezat kanë lënë një trashëgimi të pashtershme, e cila i frymëzon shqiptarët në udhën e lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Ndërsa periudha e dekadave të fundit të shekullit XX ishte për Kosovën koha e rilindjes së saj, për shkak se djemtë dhe vajzat e Kosovës u shkolluan dhe mësuan se nuk mjafton vetëm pushka për ta fituar lirinë. Ndër këta më të spikaturit ishte padyshim Gani Azemi, një personalitet politik, diplomat, gazetar, veprimtar i shquar dhe pse jo edhe krijues e poet i talentuar. Gani Azemi lindi më 1951 në fshatin Babush, afër Gadimes së njour në Kosovë për shpellën e saj të famshme me kristalet e mrekullueshme. Ndoshta këtu, ku dhe mbaroi studimet e para, ai u formua si idealist i kristaltë, me shpirtin e lirisë dhe dashurinë e pakufishme për vendin e tij, Kosovën. Mbaroi normalen e Ferizajt e më pas universitetin e Prishtinës. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u përfshi në protestat dhe demonstratat e vitit 1968 për “Kosovën Republikë” dhe natyrshëm një protestues i kësaj moshe nuk mund ta tradhëtonte veten e tij në asnjë moshë tjetër. Prandaj nuk iu nda veprimtarisë patriotike për një Kosovë të lirë e të pavarur, derisa nën presionin e forcave të sigurisë e të shërbimit të fshehtë serb u detyrua më 1978 të arratiset nga vendi e të kërkonte azil në Bruksel. Eshtë interesant fakti se kur Ganiu u arratis nga Kosova në Perendim po kryente shërbimin ushtarak në armatën jugosllave. Të guxoje të ikje nga ai shërbim ishte një guxim i dyfishtë, që shprehte veç tjerash vendosmërinë e tij për të sfiduar regjimin e Beogradit në Kosovë. Një sfidë, të cilën pak njerëz e kanë realizuar. Dhe për këtë arësye Gani Azemi ishte në shënjestër të goditjeve dhe të atentateve të UDB-së. Shërbimi sekret serb nuk mund të pranonte këtë sfidë, si dhe devotshmërinë dhe punën atdhetare të tij me qëllim lirinë e shqiptarëve në Kosovë. Prandaj u përpoq që ta likuidontë atë fizikisht, siç kishte bërë me patriot të mëdhenj të asaj kohe si Jusuf e Bardhosh Gërvalla (1981) apo Enver Hadrin më vonë (1990). Ai u largua dhe dezertoi nga ustria jugosllave pas një dhune e torture të zgjatur në kohë, për ç’shkak ishte dobësuar dhe do të përballes edhe me ndonjë sëmundje. Ashtu, I dobët, por me vullnet të fortë Ganiu i tha “JO” shërbimit ushtarak, i tha “JO”, torturës e dhunës fizike e psikologjike të regjimit të Beogradit. Gani Azemi u shfaq në Bruksel asokohe jo si një punëkërkues, por si një luftëtar lirie. Shpirti i lirisë ishte dhe shpirti i Kosovës, e cila pak më vonë do të bëhej përsëri pre e dhunës dhe terrorit serb. Ndodhën ngjarjet e vitit 1981, të krahasueshme me ato të vitit 1968, dhe Prishtina e qytete të tjera të vendit u pushtuan nga tanket, ushtria dhe policia federative e Jugosllavisë (saktësisht Serbisë). Zoti Azemi prej këtij momenti organizoi mërgatën e Brukselit, më pas të të gjithë shqiptarëve në Belgjikë e më vonë me ndikim tek e gjithë mërgata në Europë e deri në Amerikë, për të denoncuar dhunën shtetërore të Beogradit në Kosovë. Denoncimi i atyre veprimeve antihumane e antishtetërore ishte një detyrë parësore për shumë arësye. – Sepse Serbia ishte shfaqur para opinionin europian si viktima e shqiptarëve dhe e kombeve të tjera në Ballkan dhe me evidentimin e dhunës serbe e denoncimin e saj, ajo do të shihej me sytë e një realiteti ekzistues. – Sepse shqiptarët, ata në Shqipëri dhe shumë shqiptarë të Kosovës në diasporë nën ndikimin e ideologjisë komuniste hoxhiane, u shfaqën në opinionin perendimor si nacionalistë, si njerëz problematikë, që duan të ndryshojnë hartën e Ballkanit me dhunë. Ky qëndrim i Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, duke thirrur në ndihmë të pushtetit nacionalizmin e përforcoi përceptimin se “serbët janë vërtet viktima të shqiptarëve”. Në vend të ankoheshin shqiptarët, ankoheshin serbët, në vend që shqiptarët të qanin për varret që hapeshin, ata mburreshin me heroizmat e tyre dhe me dëshmorët fiktivë të tyre, duke e ndihëmuar procesin e viktimizimit të Serbisë e të serbëve. Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, Gani Azemi punoi me mish e me shpirt për bashkimin e diasporës shqiptare në botën e Perendimit dhe për këtë qëllim bashkëpunoi ngushtë me shumë patriot të tjerë me emër, si Jusuf Gërvalla në Gjermani e Hysen Gërvalla në Zvicër. Në këto përpjekje ai u shpreh gjithnjë kundër indoktrinimit të shqiptarëve me ideologjinë komuniste, që vinte si propagandë e regjimit komunist të Tiranës. Sipas tij “nuk fitohet përkrahja e botës demodratike me parulla komuniste, por vetëm duke kërkuar mbrojten e të drejtave të njeriut dhe të popullit për shqiptarët të Kosoves”. Duket se Deklarata e të Drejtave Universale të Njeriut si dhe zhvillimet që kishte marrë mbrojtja e këtyre të drejtave pas Konferencës së Helsinkit kishin shënuar një ndikim të jashtëzakonshëm te ai. Bashkatdhetarët e tij mërgimtarë e mbajnë mend Gani Azemin si një personalitet me cilësitë e një njeriu të mençur e të urtë, karizmatik e më një zë të fuqishëm si vocal e në përmbajtje, si një intelektual që ushqente besim, krijonte atmosferë entusiazmi dhe dëshmonte fuqinë e mendimit të tij patriotic e demokratik. Vokali i tij ndoshta ishte i trashëguar nga babai, i cili ishte një imam (hoxhë) I zoti në fshatin e tij të lindjes. Gani Azemi nuk u tundua nga kjo lloj megalomania, u tërhoq nga vetëmburrja. Ashtu i qetë, paqësor, dukë prodhuar gjithnjë energji positive ai iu ngjiz jo vetëm fakteve, ngjarjeve, të dhënave, argumenteve që prodhonte sidomos grupi për të Drejtat e Njeriut, të cilin ai e drejtonte bashkë me Enver Hadrin, por i tillë u shfaq para bashkëbiseduesve europianë. Rastësisht ose jo ai jetoi dhe militoi në kryeqytetin e Europës së Bashkuar. Aty gjeti bashkëbisedues të shumtë, me të cilët kontaktoi çdo ditë e çdo orë, duke ndarë me ta ngjarjet e Kosovës, sidomos dhunën e terrorin serb që ushtrohej mbi shqiptarët. Nuk u ndal asnjë moment dhe punoi me përkushtim në marrëdhënie të ngushtë me politikanët e diplomatët europianë të Brukselit, me median europiane, me personalitete të kulturës dhe shkencës. Bashkëshortja e tij, Mejreme Azemi, e cila është ende sot e angazhuar me shtypin dhe medien në Bruksel, u bë një mbështetje e jashtëzakonshme për Gani Azemin, duke krijuar kështu një çift të aftë e të suksesshëm në përpjekjet e mundimshme në ndihmë të çeshtjes kombëtare shqiptare. Natyrisht që dalja e Dr. Ibrahim Rugova ne skenën politike dhe të lidershipit të Kosovës krijoi një hapësirë të re për përpjekjet e vazhdueshme të diasporës shqiptare në ndihmë të çlirimit të vendit nga sundimi e dhuna e Serbisë. Duhet thënë se diaspora e shqiptarëve të Kosovës mund e duhet shënuar si kontribuesja kryesore e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe për shkak të pamundësive për të vepruar në territorin e saj. Gani Azemi kishte shumë arësye të ishte në një linjë me Rugovën e të bëhej krahu i djathtë i tij në kryeqytetin europian, ku vendimmarrja ishte shumë domethënëse për lirinë e shqiptarëve. Ai kishte një profil të lartë intelektual, kishte kapërcyer, ashtu si edhe Rugova, nëpër shumë realitete të dhimbshme për vendin, kishte marrë pjesë në barrikadat e luftës për liri, kishte një përvojë të gjatë të luftës “guerile” kundër pushtetit e dhunës serbe në Kosovë. Nga ana tjetër kishte një temperament të qetë, e urrente protagonizmin, por punonte fort për të informuar botën demokratike për çka po ndodhte në Kosovë. Ai ishte i urtë, i kthjellët, karakteristika këto që i pëlqenin liderit historik të Kosovës. Për të gjitha këto arësye mund të thuhet se Rugova dhe Gani Azemi u mirëkuptuan që së paku në Bruksel të plotësonin njëri-tjetrin. Nëpërmjet Gani Azemit Ibrahim Rugova ishte çdo ditë i pranishëm në Parlamentin Europian e në Komisionin Europian, por edhe në Këshillin e Europës. Ai u bë urëlidhëse midis Prishtinës e Brukselit si dhe mbështetja kryesore e Ibrahim Rugovës në ndërtimin e promovimin e çeshtjes shqiptare të Kosovës në Bruksel. Dhe jo vetëm në institucionet europiane, por edhe në selinë e NATO-s Gani Azemi u gjend kurdoherë si bashkëbisedues dhe ndërlidhës i politikave të lëvizjes çlirimtare të Kosovës me interesat, konjukturat dhe rrethanat në të cilat duhej të vepronte Aleanca e Atlantikut. Nëse ka patur ndonjë lidhje të qëndrueshme e të pakompromis për lirinë e Kosovës midis dy personaliteteve, si dhe midis Kosovës dhe Europës, midis Prishtinës dhe Brukselit, kjo lidhje padyshim mund ta marrë emrin si lidhja midis Dr. Rugovës dhe Gani Azemit. Në këtë mënyrë zoti Azemi u bë “ambasadori” i parë i presidentit Rugova në Bashkimin Europian, u formua praktikisht e teorikisht si një diplomat i klasit të lartë, u shqua për një marrëdhënie miqësore, mirëkuptimi e kompromisi me partnerët e tij të politikës dhe diplomacisë euripiane e euro-atlantike, duke shkuar hap pas hapi te krijimi i bindjes se “Kosova vuan një regjim aparteidi”, dhe se “duhet dalë nga kjo situatë dhune e terrori të pandërprerë të regjimit të Milosheviçit”. Sa më shumë shtohej terrori serb në Kosovë, aq më shumë i rriste Gani Azemi kredencialet e vendit të tij dhe përçonte argumentet e ndërhyrjes nga jashtë për zgjidhjen e konfliktit. Por edhe kur lindi UÇK, ai me shumë maturi e largpamësi dalloi se lëvizja paqësore e Dr. Rugovës dhe Lëvizja e Armatosur për Çlirimin e Kosovës ishin dy aleatë të pandashëm për lirinë e saj. Qenë shumë pak ata njerëz që Luftën dhe UÇK-në e kuptuan dhe e interpretuan si të tillë, si zgjatim i përpjekjeve të shqiptarëve për liri e pavarësi, fillimisht përmes lëvizjes paqësore active të refuzimit të regjimit serb në Kosovë. Ndër ta spikati Gani Azemi, duke dhënë mesazhin e bashkimit të shqiptarëve në luftën kundër përpjekjeve të Milosheviçit për asgjësimin e tyre. Pas Luftës Gani Azemi thjesht iu gëzua çlirimit të Kosovës dhe mbeti gjithnjë besnik i vijës së urtë e filozofisë përbashkuese të presidentit Rugova. Ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, qeveria e Kosovës e emëroi Gani Azemin si këshilltar-Ministër në ambasadën e saj në Bruksel. Nuk e di nëse do të gjendej apo u gjet ndonjë diplomat tjetër si ai për ta përfaqësuar Kosovën si ambassador në kryeqytetin europian! Por ky aspekt nuk është çeshtje që mund të trajtohet në këtë homazh me rastin e 4 vjetorit të asaj dite të dhimbshme, kur njeriu i urtë e besnik i Rugovës dhe i Kosovës ndërroi jetë. Kam pasur fatin ta njoh Gani Azemin, të bisedoj me të, madje në librin tim “Ibrahim Rugova: Filozofia politike dhe nacionale”, kam vënë disa vargje të poemës që ai i kushtoi presidentit historik të Kosovës, Dr. Rugovës. Me këtë dua të përmend faktin se Gani Azemi nuk ishte thjesht një politikan dhe diplomat, ishte gjithashtu poet, eseist, gazetar dhe një personalitet, vepra e të cilit mund të konsiderohet shumëdimensionale, para së gjithash humane e shoqëruar me vendosmërinë, përkushtimin dhe devotshmërinë e pafund për t’i dhënë Kosovës lirinë e pavarësinë e saj.

Filed Under: ESSE Tagged With: diplomati, Enver Bytyci, Gani Azemi, homazh

HOMAZH PER XHEVDET KALOSHIN

October 11, 2016 by dgreca

1-shenje-zije-2

1-xhevdet-ok

Nga Reshat KRIPA/

Homazh për Xhevdet Kaloshin /

Ike i nderuar Xhevdet! Ike dhe na le vetëm në rrugën tonë. Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë për ty. Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për fjalën tënde. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Në këto çaste para syve më del shprehja e filozofit të shquar Niçe që thoshte:Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku…        

 Dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj. Bijtë e një familjeje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira.  Po, Xhevdet i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak Kaloshi, nje fis i dëgjuar i krahinës së Dibrës qw i dhuroi atdheut gjakun e shumw bijve tw vetw dhe midis tyre gjakun e “Nderit tw Kombit” tw paharruarit birit twnd Bujar Kaloshi.

Ishe fare i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Çfarë të të kujtoj më parë i dashur mik, Tepelenën e tmerrshme apo Savrën dhe Gradishtën por ti qëndrove si  “një copë graniti që u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit”, siç shkruante Migjeni i madh.                                                                                  

  Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. U lidhe me shoqatën e të përndjekurve politikë pasi asaj i përkisje plotësisht. Por u lidhe, së bashku me gjithë familjen tënde, edhe me Partinë Demokratike duke i qëndruar pranë asaj deri në çastet e fundit të jetës tënde. Këto  nuk do t’i harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.

  Ti i përkisje asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Doje të jetoje i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën tënde. Doje të jetoje në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut,  jetoje në një epokë të gabuar. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe.  

Të nderuar familjarë. Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë.  Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë. Xhevdeti ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur, por edhe ne nuk  humbëm pak. Ne humbëm mikun tonë më të mirë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes mikun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.                       

  Qoftë i lehtë dheu që do t’ i  bjerë përsipër!

Filed Under: Komente Tagged With: homazh, PER XHEVDET KALOSHIN, reshat kripa

SHUHET KORÇARJA QË E DESHTE AQ SHUMË DARDHËN

April 11, 2016 by dgreca

-Homazh për Margarita Panin/

Shkruan: Fuat Memelli/Boston/
Rrallë ndodh që një vajzë e lindur dhe rritur në qytet, të ketë një dashuri aq të madhe për fshatin e burrit, sa Margarita Pani ( Papaagjiri). Dashuria e bashkoi me dardharin, Sotir Pani dhe ajo u lidh pazgjidhshmërisht me fshatin e tij, gjatë jetës 58 vjeçare që kaluan së bashku. Si në fillim kur jetonin në Korçë e më pas në Tiranë, dëshira e saj për të kaluar pushimet, ishte Dardha. Ky fshat me bukuritë e tij, me klimën e pastër dhe ujin e ftohtë, me pyjet dhe lulet, me njerzit e saj të dashur, u bë vendlindja e dytë e Margaritës. Kur shkonte në Dardhë, si një fshatare e vjetër, përvishte krahët dhe bënte gjithë punët e fshatit. I gatuante edhe lakrorët, si gjithë dardharet. Një lakror me saç, i gatoi edhe ish ambasadorit amerikan, Rajerson, kur ai shkoi në Dardhë në vitin 1993 dhe fjeti në shtëpinë e tyre. Për thjeshtësinë dhe fjalën e ëmbël që kishte, dardharët e deshin si vajzën e tyre. Tok me të shoqin, ajo punoi për ngritjen e muzeut familjar në shtëpinë e tyre, kushtuar dy patriotëve të shquar, Josif e Vasil Pani, përkatësisht gyshi dhe babai i Sotirit.( Vasili ka qënë 15 vjet kryetar i Vatrës.)

Por, cila ishte Margarita ose Ritka, siç e thërrisnin shkurt? Kishte lindur në Korçë, në vitin 1935. Ishte vajza e Kristaq Papaargjirit, mjeshtër i gdhendjes së gurit, i shpalluar “Artist i Popullit” dhe “Qytetar Nderi i Korçës”. Një rrugë në këtë qytet, mban emrin e tij. Shumë punime guri në këtë qytet si te parku i Rinisë, te lulishtja ku është monumenti i Themistokli Gërmenjit, te busti i Mihal Gramenos, te lëndina e Lotëve, shumë shtylla guri të gdhendura , etj, mbajnë autorësinë e tij. Margarita kishte mbaruar shollën e Mesme Pedagogjike në Korçë dhe Institutin Pedagogjik në Shkodër. Kishte punuar mësuese në shkollën e Progrit në Devoll e më pas kur u transferua në Tiranë, në shkollën “29 Nëntori”. Për punën e saj , ishte vlerësuar me medaljen “ Naim Frashëri”.

Në vitin 1996, Margarita bashkë me Sotirin , ardhën në Boston, ku më parë kishin mbritur edhe dy djemtë e tyre, Andrea e Vaska. Për 20 vjet, ajo jetoi në Boston por me mëndje dhe zemër, ishte në atdhe. Sa herë shkonte në Shqipëri, krahas të afërmve, takonte edhe shoqet e saj mësuese si dhe ish nxënësit, të cilët i deshte aq shumë. Herën e fundit, ishte para dy vjetësh. Nuk qëndroi  shumë, pasi pati një krizë zemre, nga e cila vunte prej vitesh. Kish dëshirë të shkojë përsëri në Tiranë e në Dardhë, por nuk mundi. Zemra e ndërpreu jetën e saj më 29 mars të këtij viti. 150 shqiptarë që jetojnë në Boston dhe qytete të tjerë të Amerikës, e përcollën Ritkën në banesën e fundit. Midis shumë buqetave me lule, njëra ishte prej shoqeve të saj mësuese nga Tirana. Ceremonia mortore, u krye nga Hirësia e tij, Peshkop Ilia Ketri, me origjinë nga Sinica. Shiu nuk rreshti atë ditë. Dukej sikur edhe qielli, derdhte lotë për Margarita Panin….

***

PS: Federata VATRA dhe Gazeta “Dielli” i percjellin ngushellimet me te thella Sotir Panit dhe te gjithe familjes Pani. Shpirti ne Paqe Margarites!

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli, homazh, për Margarita Panin

Homazh për atdhetarin Ramiz Mena

July 28, 2015 by dgreca

Nga Luftar Pepmarku/
Ne Foto: Nga e djathta: Prof. Miftar Spahija, dr. Fuad Myftija,Ramiz Mena dhe Ndrec Gjergji ne Nju Jork/
Me datën 24 korrik 2015 ditën e premte ( e xhuma ) ora 13 e 30 minuta, u nda nga jeta njëri nga bijte e familjes së nderuar të fisit Mena të Lurës, Ramizi. Ai si njëri nga vazhduesit e denjë të traditave më të shkëlqyera të kombit, mbështetur në përvojën e paraardhësve të familjes së tij, e mbylli faqen e fundit të librit të madh të jetës, me plot dinjitet. Pa shkuar larg në historinë e familjes së tij, nuk mund të lë pa përmendur, ndonjë shembull që mendoj se, ka qënë busulla orientuese e gjithë qëndrimeve të Ramizit, në jetën e tij plot tallaze e dallgë të stuhishme. Gjyshi i tij Ali Mena, ishte përfaqësues i krahinës së tij, në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”. Në vazhdën e qëndrimeve të tija atdhetare, kur trupat e ushtrisë malazese kishin pushtuar Shkodrën dhe po marshonin në drejtim të Lezhës, ai vritet në ballë të luftimeve, bashkë me nipin e tij Isuf Mena në Malin e Kakarriqit, në vitin 1912. Gjyshi i tij Ali Mena, ishte përfaqësues i krahinës së tij, në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”. Në vazhdën e qëndrimeve të tija atdhetare, kur trupat e ushtrisë malazese kishin pushtuar Shkodrën dhe po marshonin në drejtim të Lezhës, ai vritet në ballë të luftimeve, bashkë me nipin e tij Isuf Mena në Malin e Kakarriqit, në vitin 1912. Forcat e Bajrakut të Lurës, nën udhëheqjen e Ali Menës, përbënin formacionin e parë të luftimeve të inkuadruara nën drejtimin e të riut 17 vjeçar Ahmet Zogu. Baba dhe axha i tij, përkatësisht Hakiku dhe Selmani e vazhduan rrugën e Aliut në të gjitha ngjarjet pasardhëse, që u zhvilluan në gjysmën e parë të shekullit XX-të. Ata do të shihen në mbështetje të Ahmet Zogut, në shpalljen e pavarësisë, në mbrojtje të trojeve amëtare gjatë luftës së parë botërore, në Kongresin e Lushnjes, në vendosjen e rendit dhe krijimin e stabilitetit, deri në 7 prillin e zi të pushtimit të vendit tonë nga fashistët italianë. Edhe në këtë rast, ata me gjithë djemtë e tyre, do të ishin në qendër të dhunës së kësaj force pushtuese, mbi 40 herë më e madhe se Shqipëria, me një potencial të madh armatimi dhe nga më modernët e kohës. Baba i Ramizit, Hakiku, i shpallur si kundërshtarë i forcës pushtuese, arrestohet dhe e çojnë në pikën e grumbullimit në qytetin e Beratit, prej nga ku do t’i nisnin në ishujt e Italisë. Mosha e vjetër dhe rëndimi i gjendjes shëndetësore, i detyruan autoritetet pushtuese t’ia dorëzojnë familjes, për ta kthyer në Lurën e tij të dashur. Këtu i mbylli sytë përgjithmonë edhe ky luftëtarë i vendosur i familjes Mena, kariera e të cilit kishte filluar në vitet e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, me mbarimin e shkollës ushtarake në kryeqytetin e perendorisë, në Stamboll. Në këtë kohë, gjimnazisti i viteve të para Ramiz Mena, u bashkohet protestave dhe demostratave antifashiste, ku ishte angazhuar rinia e kohës. Rrjedha e ngjarjeve e vuri familjen e tij në llogoren e një lufte të re, me rrëmbyesit e flamurit të fitores së luftës, kur lufta me pushtuesit kishte mbaruar dhe nuk do të kishte të mbaruar, ajo mes shqiptarëve. Ramizi edhe në këtë luftë, do të ishte krah vëllezërve dhe axhës së tij me djem, nga të cilët 9 u vranë maleve të Shqipërisë, nga forcat e diktaturës. Gjatë viteve të burgut jetoi me dinjitet mes vëllezërve Ali, Isa, nipit Mexhit Mena. Mes miqve e shokëve Sami Kupi, Xhaferr Kurti, Zini Dervishi, Akil Basha, Enver Hasa e mjaft personalitetesh të tjera me emër, në historinë e qëndresës antikomuniste shqiptare. Ai nuk u dëgjua të fliste ndonjëherë për vuajtjet e tija në mal, gjatë viteve të arratisë, në burg gjatë viteve të vuajtjes së dënimit, në internim ku e kaloi jetën bashkë me familjen e tij, deri në vitin nëntëdhjetë, të shekullit XX-të. Ndonëse kujtonte me dhimbje dhe tregonte rrjedhshëm e deri në detaje, për qëndresën dhe vuajtjet e shokëve në burgjet dhe kampet e internimeve. Skena të tmerrshme nga qelitë e burgjeve, Këneta e Maliqit, Kampi i Bedenit e deri te mbathja e nallçeve, në shputat e këmbëve me gozhdë në Kalanë e Gjirokastrës, janë disa nga skenat rrënqethëse që nuk të shqiten nga mendja. Ai do të shprehej me respekt e konsideratë të lartë mes të tjerësh, për Ibrahim Sokolin, Dom Mikel Koliqin, Ahmet Kolgjinin, Ded Gjonmarkajn, Angjelin Martinajn e shumë të tjerë. Nuk ishte në natyrën e tij, të përgojonte e të fliste keq edhe për ndonjë,që vuajtjet dhe turturat mund ta kishin përkulur. Pas vitit nëntëdhjetë, do të shfaqej madhërisht mes një grupi idealistësh siç ishin, Ibrahim Sokoli, Sami Kupi, Ahmet Kolgjini, Lin Martini, Akil Basha, Skënder Kalaja ( Zogolli ) Gjon Përjaku e shumë të tjerë, që do të duhej një listë e gjatë për t’ i përmendur të gjithë. Ramizi shquhej midis tyre, për një përkushtim të jastëzakonshëm, një maturi dhe durimi të admirueshëm, gjithnjë modest në qëndrimet e tija, larg bujës e të dukurit në rreshtat e parë apo tribunave të kohës. Me këto vlera që posedonte, do të fitonte shumë shpejt simpatinë dhe respektin e NMT Lekës I Mbreti i Shqiptarëve, Nipit të Mbretit zog ing. Skënder Zogut, nipit tjetër të mbretit Princ Tatit, Fuat Myftisë, Hysen Mulosmanit e shumë të tjerëve nga diaspora shqiptare. Gjithnjë konseguent në qëndrimet e veprimet e tija, mes legalistëve, bashkëvuajtësve, rrethit shoqërorë e miqësorë. Për ilustrim të modestisë së tij, po sjellë në kujtesë një episod në njërin prej takimeve të viteve të para, pas legalizimit të PLL. Ishim në vendlindjen e Mbretit Zog I, në fshatin Burgajet të Matit. Shumë veta ngjisheshin pas stomit ku do të flisnin oratorë të ndryshëm. Mbaj mend në këtë takim veç të tjerësh ishte edhe doktor Fuat Myftia. Aty rreth tij u vu re një lëvizje njerëzish. Dikush tha: Po kërkojnë z. Mena për ta pas në krah në vendin nga ku do të mbaheshin fjalimet. Kur e shohin diku nga cepi i turmës me vështrimin matanë kodrave të Burgajetit, në drejtim të Klosit. E thirrën dhe erdh e u bashkua me shokët, në krah të Fuat Myftisë. Më vonë dikush e pyeti: -Përse e bëre këte shmangie atë ditë në Burgajet? Ai u përgjigj: -Kisha vite pa ardhur këtyre anëve, se e kishim të kufizuar lëvizjen. Merre me mend, deri në vitin 90-të, në mal, në burg dhe në internim, pa e patur një ditë të vetme lirie. E shpeshherë, më duket sikur dëgjoj zërat e vëllezërve të vrarë dhe të axhës Selman. Mjerë kush mbetet i fundit, për t’ i kujtuar tmerret e viteve të diktaturës. Isha përqëndruar me vështrim nga pylli i fshatit Mallunxë. Atje u rrethuam befasisht dhe mbetën të vrarë nga familja jonë, Mixha Selman me tre nga djemtë e tij. Asnjë nga ne që shpëtuam, nuk doli pa plagë në trup, nga ai rrethim. E çfarë të kujtosh më parë nga jeta e tij. Bashkëvujtësit e tij, shumica janë larguar nga kjo botë me kohë. Natën e parë të buajtjes së trupit pa jetë të Ramizit në shtëpinë e tij, ishin pasardhës të bashkëvuajtësve të tij. Ata e ngrysën natën pa mbyll sy, duke kujtuar episode nga jeta e Ramizit. Vdekja është njëri nga ligjet e natyrës. Asajë nuk i shpëtojnë as shenjtorët, as mbretërit e perandorët. Por e rëndësishme është kur njeriu le pas vetes, pasardhës dinjitoz. Vdes me faqe të bardhë dhe kanë se çfarë të kujtojnë për mirë të gjallët pas tij. Kujtime këto që shpresoj t’ua lehtësojnë dhimbjen fëmijëve, vëllait, motrave, nipave e mbesave, miqëve e shokëve, të gjithë atyre që e deshën dhe i deshi aq shumë në jetë. Sado të shkruaj, është e pamundur të përshkruhen të gjitha ngjarjet e një jete kaq të mbushur me vuajtje e sakrifica të përballuara me dinjitet e ndershmëri. Në jetën e Ramizit prej gati 90 vitesh, shkëlqyen mrekullisht vitytet dhe thjeshtësia. Po e mbyll këtë shkrim duke uruar që ti kenë jetë pasardhësit dhe qoftë i paharruar kujtimi i tij.(E dergoi Hakik Mena)

Filed Under: ESSE Tagged With: homazh, Luftar Pepmarku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT