• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

…Burri i harruem i ngritjes flamurit…

November 26, 2017 by dgreca

Kushtue nismëtarit të Pamvarsisë, atdhetarit të pashoq Imzot Nikollë Kacorrit/1 dom kacorriNga Pjeter Logoreci/

Jena në vigjilje të Festës së Pamvarsisë, të Flamurit e të themelimit të Shtetit Shqiptar, por, jo pa shkak,  një ndjesi trishtimit e zemrimit vlon mbrenda meje.1 VllazniaSi mundet që: …mbasi eshtnat e Imzot Nikollë Kacorrit u harruen, prej  të githa qeverive shqiptare, për 94 vjet në dhe të huej; prap sot ky burrë, ndera e kombit tonë, vazhdon me kenë i harruem prej shtetit shqiptar, anipse vepra e tij asht në themelin e pamvarsisë e të krijimit të qevisë të parë shqiptare?

2FJSi nuk u gjet nji qeveritar, nuk duel nji personalitet i shtetit, që, në ditën e madhe të flamurit me u kujtue me nderue, figurën e ndritun të fatosit të Pamvarsisë së Shqipnisë, Imzot Nikollë Kacorrit? Ashtu si mue edhe cdo shqiptarit liridashës i lind pyetja: …si mundet nji qeveri e nji popull, me e kremtue e me shijue madhështinë e festës kombëtare, tuj lanë në harresë e tuj mos kujtue, numrin dy, HEROIN E PAVARSISE, atë qi i kushtoj Atdheut jeten e vet, atdhetarin Nikollë Kacorri?

Si ka mundësi që ky personalitet vazhdon të paragjykohet nga “petku i priftit” e jo nga vepra e tij në të mirë të kombit e të lirisë?

Si studius e njohës i veprës dhe personalitetit të Imzot Nikollë Kacorrit dhe  si nismëtari i sjelljes së eshtrave të tij në atdhe, me anë të këtij shkrimi, I DREJTOJ NJE THIRRJE të gjithë personaliteteve shtetnore, duke fillue nga Presidenti i Republikës, Kryeministri i vendit, Kryetari i Bashkisë dhe Deputetët e Durrësit, qi pa u ndikue nga paragjykimet fetare e krahinore, të bajnë homazhe, në Durrës, pranë vorrit ku prehen eshtnat e Imzot Nikollë Kacorrit, atit të pamvarsisë e shtetit shqiptar. Jam i bindun që personat e masipërm, e shumëkush, do të “befasohet” nga fjalet “paragjykime fetare”,…. atëherë, cila asht arsyeja që ky tribun i lirisë injorohet me këtë paftyrësi?

Ja si e kanë nderue dhe vlerësue këtë burrë të madh, bashkësia shqiptare dhe studentore e Austrisë, nëpërmes gazetës “Vëllazënija”, të datës 5 Qershuer 1917, me rastin e vdekjes së tij në Vjenë:

 

Emzot Nikollë Kacorri vdiq

 

Nji lajm të tmershëm po i rrefejmë sot me zemër të thyeme lexuesavet t´onë: Emzot Nikollë Kacorri, nji ndër ma të ndritcmit Shqypëtarë, ndera e lulzimi i kombit t´onë vdiq me 29 maj në kohën ma të mirën pa i mbushë 49 vjet!

Emzoti i ynë i përmbledhte në vedi vehtësitë ma të mirat, qi ka populli shqyptar. Aj ish trim e besnik. Dashtënin e vet për kombësinë e vet e tregoj jo vetëm me fjalë, por edhe me të bame tuj u përpjekë me gjithë fuqit´e veta për përtrimjen e fatbardhësin´e popullit të vet. Me nji gjakftoftësi të pashoqe, gjithmonë gadi me ju ba ball trimnisht anmiqve u mundue që sa mot për të mirë të popullit shqyptarë. As salvimi, as të këqijat qi hoq e as burgu qi bani nuk j´a ndërruene menden qi mos me i mprojt ma të drejtat e popullit të vet; por si luftar trim deri në ma të mbramin sahat të jetës së vet e mbajti nalt flamurin e kombit të vet e vdiq si bir besnik i popullit të vet. Oh! sa gëzim të madh pat zemra e ti e sa herë e tregoj kënaqësin´e vet tuj e pa agimin e nji pritmjes së lume të dashtunës Shqypni.

Ideali ma i larti i këtij meshtari shpirtmadh ishte me i pa të gjithë Shqyptarët të bashkuem, për te ishin të gjithë Shqyptarët vëllazen. Kur para nji vjete e gjysë duel në dritë fletorja jonë, u gëzue fort përmbi emnin “Vëllazënija” qi e zgodhme për titull. Jetëshkurti tha atëherë këto fjalë: “Në dashtë populli shqypëtar me pa ditë të lume, lypset qi t´ë kuptojnë se jemi të gjithë vellazën”

Emzot Kacorri ishte në kler katolik përfaqësonjësi ma i dëgjuar i idesë kombjare. Si nacjonalist besnik si burrë pa frigë, tuj pasë gjithmonë para sysh të mirën e popullit të vet i vu të gjithë shpresët e veta në Monarkinë austro – hungareze; sepse e dite hollë se veprimi i Monarkisë ishte mprojtja ma e mira, ma e thjeshta e ma e fuqishmja për me e vu Shqypëninë n´udhë të mbarë.

Mjerisht, ky prift i ndritcëm, qi pa ndërlikim feje, kje dasht´e cmue prej të tanë Shqyptarëvet, i msheli syt´e vet para kohe e të gjithë ata qi e kanë njoftë vepren e ti kanë me vajtue e me mbajtë zi për të. Trupi i këti atëdhetarit të flaktë po pushon tash në dhe, por emni i ti s´ka me u harrue kurr në zemra të gjithë Shqypëtarvet e miqvet t´Arbnisë. Luftoj kurdoherë për nji qëllim shejt e psoj vetëm për dashtëni të pamasë, qi kishte për popullin shqypëtar. Atëdhetare të dashtun, t´a nderojm ket meshtar shpirtmadh tuj marrë mbrapa githë herë idealin e ti, të cilit j´a kushtoj krejt jetën e vet, e ky ideal i lartë kje: BASHKIMI E VELLAZENIJA E TE TANE SHQYPETARVET.

 

Prej jetës s´Emzot Kacorrit

(po nga gazeta Vëllazënija)

Emzot Nikollë Kacorri kish le në Lurë në vjetë 1868. Atje i filloj mësimet e veta e tuj  kenë 14 vjec u ba xhakue e hini në kolegjë të Shkodrës, ku mbasi i mbaroj mësimet e meshtarisë, kje shugurue prift në vjetë 1893. Mbasi mbet për pak muej si famulltar në Delvinishtë, u emnue prift famullije në Durrës e në kët vend qindroj deri sa vdiq. Në vjetë 1906 u emnue Protonotar i Papës, në vjetë 1913 Camberlan e në vjetë 1917 u ba Vikar i përgjithshëm.

Emzot Kacorri kje nji nder ma të vjefshmit atëdhetar shqypëtar, i cili që në djelmëni të vet u përpjek për atëdhen´e vet, e mbasi fjala e ti ecte edhe në fena tjera, i suell kurdoherë Shqypënisë të mira të panjehuna. Kacorri jo vetëm luftoj e punoj për atëdhe të vet, por edhe ka psue fort shumë. Në vjetë 1910 e bani Kurbini nji kryengritje për shkak të virgjisë e të shërbimit n´ushtri e Emzot Kacorri tuj hi ndërmjets e paqoj popullin me qeveri. Ma vonë kje paditë si pjestar i nji komplotit, e sado i pafaj, kje gjikue për katër vjet burg. Mbas lutjeve qi banë, u lëshue prej burgu mbas 13 muejsh, por mjerisht këtu e muer atë lengatë të vështirë në zgrof (shënimi autorit: zgrof = stomak), qi ja shkurtoj jetën.

Në kohë të luftës ballkanike ish agitatori ma i nxeti për vetqeverimin e Shqypënisë. Me 70 atëdhetar shqypëtar muer pjesë në proklamim t´indipendencës së Vlorës e kje zgjedhë si ndënpresident në kabinet t´Ismajl Qemalit, por mbas gjashtë muejsh dha dorëhjekjen e vet. Ma vonë u mundue Esadi me e ba për vedi, por bosh. Mbasi u cpallë lufta botnore vojti në Marienbad (Austri) për me shëndoshë semundjen e zgrofit, qi për vjetë ma tepër u ba  ma e rrezikshme e vetëm atëherë mujt me këthye në Shqypëni kur trupet austro-ungare e zaptuene Durrësin. Para tre muejve kje nderue prej Perandorit me Komturkreuz t´urdhnit të Frano Zefit.

Në fillim të majit lëngata e Kacorrit u ba ma e randë e shkoj në një Sanatorium të dëgjuar të Vjenës, në Sanatorium Fürth, ku kje mjekue prej doktorave ma të përmendun, por mbasi mjerisht sëmundja e ti ishte tepër e mocme, as dija, as marifeti i mjekëvet s´mujtne ma me e shpëtue.

 

Foto-ja e riatdhesimit të eshtnave, si sarkofagu i Imzot Kacorrit u prit në Rinas nga shteti, i mbështjellë me një thes ambalazhi, ska nevojë për komente të tjera. Po ashtu edhe zvarrisja e konkursit për bocetin e një shtatoreje për heroin e më pas caktimi i vendit se ku do vendoset, janë po ashtu një pikëpyetje e madhe. Aktualisht Imzot Kacorri ka vetëm një bust (të vogël),  të vendosun në Durrës, ndërkohe që statura e këtij atdhetari, meriton një shtatore në qendër të kryeqytetit shqiptar. Për sa i përket vlerësimit të kësaj figure, koha do ta vërtetojë se sa atdhetar e të përkushtuem janë klasa politike shqiptare.

Të presim e të shpresojmë.

Vjene, 17.11.2017

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Burri i harruar, i Flamurit, Pjeter Logoreci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT