• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT, Koncerti për Nënë Terezën në Romë

September 3, 2016 by dgreca

Inva Mula, Ermonela Jaho, Gëzim Mushketa, Rita Ora e artistë të tjerë të mirënjohur shqiptarë janë mbledhur në Romë për të kremtuar së bashku me shqiptarët, që ndodhen në kryeqytetin italian këto ditë, shenjten shqiptare, Nënë Terezën, e cila do të lartohet në nderimet e elterit nesër, 4 shtator, me meshën e kremtuar nga Papa Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në orën 10.30. Pikërisht për këtë koncert, i cili fillon në orën 19.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve.Cilët janë artistët e koncertit të madh shqiptar për Nënë Terezën? Dje, shkuam për të dëgjuar e parë provat e tyre në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve në Romë. Artistët hynin njëri pas tjetrit për të provuar pjesë si “Ave Maria”, “Panis Angelicus”, por edhe “Valsin Hyjnor”, himn kushtuar Nënë Terezës, interpretuar nga e mirënjohura Inva Mula.

Baritoni i njohur Gëzim Myshketa është pa dyshim një nga artistët më interesantë të brezit të vet, por edhe njeri i impenjuar në ndihmën për të varfërit, së bashku me Ermonela Jahon dhe Inva Mulën.

Sopranoja Ermonela Jaho, që me interpretimet e saj të shkëlqyera e ka çuar artin dhe zërin e shqiptarëve në të gjithë botën. është mjë tjetër yll i skenës botërore pjesë e këtij koncerti Jo më larg se 15 shtatori e deri në tetor, ajo do të interpretojë Desdemonën në shfaqjen e operës Otello në Teatrin e Madridit. E njohim edhe përmes Karitasit Shqiptar, me të cilin ka bashkëpunuar disa herë për mbrëmje bamirëse.

Tenori Ramë Lahaj, fitues i çmimit Plaçido Domingo Operalia 2016, është nga Kosova, por flatrat e artit muzikor e kanë çuar në gjithë botën.Sopranoja Elbenita Kajtazi,eshtë nga Mitrovica e Kosovës, por jeton e këndon në Gjermani.  Edhe ajo eshte pjese e koncertit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Artistet qe performojne, i Nene Terezes, në Vatikan, Shenjtërimi

NISHANI: TE IDENTI FIKOHEMI SI VENDI DHE POPULLI I NENE TEREZES

May 9, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit shqiptar: Identifikimi si vendi dhe populli i Nënë Terezës është një standard për ndërgjegjen tonë, një pasqyrë morale në të cilën duhet të këqyremi çdo ditë me kurajë, teksa gruaja shqiptare përpiqet mes shumë vështirësish të gjejë çdo ditë Nënë Terezën brenda vetes.

8 maj 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani, në bashkëpunim me Fondacionin Kulturor “Nënë Tereza” organizuan sonte, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Nënës, një veprimtari solemne që çeli siparin e festimeve për nder të shenjtërimin të bamirëses shqiptare “Nënë Tereza” ku ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Nënkryetari Edmond Spaho, deputetë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, krerë të Kishës Katolike në vendin tonë dhe nga Kosova dhe të bashkësive të ndryshme fetare shqiptare, drejtues institucionesh të artit dhe kulturës, personalitete të artit dhe kulturës, etj.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi: “Sot  është  Dita Ndërkombëtare e Nënës,  një ngjarje  sa përkujtimore aq edhe reflektuese për pozicionin jetik të gruas në shoqërinë bashkëkohore për  sfidat  dhe pritshmëritë që e harkojnë atë. Në këtë kontekst ndjeshmërish dhe standardesh shpesh të diskutueshme ka vend për të diskutuar shtruar e gjatë. Roli i gruas  në botën shqiptare, nderimi që duhet t’i blatojmë asaj  për sakrificat e pafund që bën, ndjesa për fajet tona të përditshme ndaj tyre, loja retorike për barazinë gjinore më shumë si tis, se sa si realitet,  evidentimi i plagëve sociale e kulturore që çojnë te dhuna e pa justifikuar, dramat sociale, papunësia, varfëria, sfidat në familje e karrierë e shumëçka tjetër do të ishin tema të pashmangshme, por lutem të më falin dhe  të më kuptojnë pse  nuk po ndalem gjatë mbi to.”

“Në këtë ditë kam zgjedhur si referencë një shembull, një model, një histori unike,  sintezë shpirtërore e popullit tonë, e cila u  shndërrua në vlerë universale e botës dhe humanizmit. Pa vështirësi mendja  shkon te Nënë Tereza, murgesha shqiptare, e cila më 4 shtator do të kanonizohet si shenjtore në Qytetin e Vatikanit, në atë vend ku Arbërit me Kryezotin Gjergj Kastriot-Skënderbeun farkëtonin aleancat e tyre qytetërimore. Kjo ndodh pas dekretit të Papa Françeskut, Atit të Shenjtë, i cili në pak vjet u dëshmua si mik i madh i kombit tonë duke i ofruar atij mbështetje dhe dashuri pa kushte. Fatmirësisht ne jemi bashkëkohës të një ngjarje të madhe tredimensionale, për historinë tonë kombëtare, për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin. Në këtë pikëtakim nëpërmjet Nënë Terezës, kësaj lartësie ndërtuar me përvujtni, shqiptaret marrin vendin e merituar në trashëgiminë shpirtërore të popujve. Unë mendoj se çdo shoqëri mund të frymëzohet nga Nënë Tereza e ndoshta pak më tepër çdo grua, nënë a bijë, e mbase disi më shumë, gratë shqiptare, sepse ajo ishte dhe mbetet njëra prej tyre. Pajisur me forcën e besimit  si gurrë e dashurisë për tjetrin, për të ndryshmin, për të braktisurin, për të dobëtin pa e përkufizuar atë nga raca, ngjyra, feja, kombi por duke e parë thjesht si krijesë të Zotit, ajo rrëfeu  fuqinë mrekullibërëse të dashurisë. Në vetë të parë ajo na tha si mund të mposhtet egoizmi, si mund të sfidohen rrethanat e disfavorshme, si mund të delegjitimohet  degradimi i njeriut nga njeriu, si shpresa dhe përpjekja përballen me dorëzimin dhe nënshtrimin duke mbrojtur jetën. Me gjeste të pashlyeshme Nënë Tereza fjalën e Zotit e shndërroi në vepër duke pohuar madhështinë e vetë njeriut. At Zef Pllumi, një ikonë e Kishës Katolike shqiptare po aq një ushtrues i madh i lirisë kundër tiranisë na ka lënë për shenjtoren tonë një përkufizim, të cilin dua ta ndaj me të gjithë ju: ‘Ajo nuk pati kurrë as kapitale, as pushtet shtetnor; kje vetëm shpirti i dashunisë për jetën, për njeriun e për Zotin, që e bani të madhe para njerzve të këtij shekullit.’” – u shpreh Presidenti Nishani.

“Nënë Tereza është emblema e imazhit shqiptar po aq sa shpirti rinovues prej Shën Françesku i Kishës Katolike të përbotshme! Ne duhet t’i bindim të tjerët se ajo nuk është një rastësi, se shoqëria jonë e ka këtë fuqi, gruaja shqiptare po kaq. Evenimente të tilla si shenjtërimi i saj duhet të shndërrohen në një procesion të komunikimit me njëri-tjetrin dhe botën. Një rol në këtë drejtim padyshim mund ta luajë edhe Parlamenti dhe Qeveria shqiptare. Identifikimi si vendi dhe populli i Nënë Terezës nuk është një dëshirë folklorike, por një standard për ndërgjegjen tonë, një pasqyrë morale në të cilën duhet të këqyremi çdo ditë me kurajë teksa gruaja shqiptare përpiqet mes shumë vështirësish të gjejë çdo ditë Nënë Terezën brenda vetes.” – theksoi Kreu i Shtetit shqiptar.

Pas përshëndetjeve të themelueses dhe Presidentes së Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza” zonjës Liri Berisha e të Nuncit Apostolik në Tiranë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Presidenti Nishani vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Don Lush Gjergjin, biografin e Nënë Terezës me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij jetësore në drejtim të nxitjes së tolerancës dhe vëllazërimit ndërfetar në trevat shqiptare; për punën e përkushtuar shumëvjeçare intelektuale për nxjerrjen në pah të historisë, trashëgimisë dhe identitetit të popullit shqiptar dhe figurës së ndritur të Nënë Terezës” si dhe Misionaret e Bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës” me Dekoratën “Nënë Tereza”: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme, për humanizmin dhe bamirësinë e pakursyer ndaj njerëzve  të pamundur. Për kontributin e vyer të motrave misionare, si mishërim i dashurisë dhe mëshirës pa dallim të Zotit për njerëzit në nevojë, nën shembullin e ndritur të Nënë Terezës”.

Në vijim të veprimtarisë solemne, të pranishmit ndoqën me ëndje interpretimin artistik të artistes Roza Anagnosti dhe aktorit e regjisorit nga Kosova, Enver Petrovski të disa shprehjeve të famshme dhe lutjeve të vyera të shenjtores së ardhshme dhe vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast me objekte të bamirëses së madhe shqiptare Nënë Tereza në hollin me të njëjtin emër të Institucionit të Presidentit të Republikës.

Filed Under: Kronike Tagged With: i Nene Terezes, Nishani, TE IDENTIFIKOHEMI SI, VENDI DHE POPULLI

Radio Vatikani- Kujtojmë përvjetorin e lumturimit të Nënës Terezë

October 19, 2015 by dgreca

Me 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Ganxhe Bojaxhiun – Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e altarit.
Ja fjalët e çastit kulmor, shqiptimi i FORMULES SE LUMTURIMIT nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003::
“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.
Sot pra, me 19 tetor, nuk është festa liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall Festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga Qqielli, ndërsa vijon të na kujtojë se:
“Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë, se Zoti na do, e se ne, duhet ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Ai na do ne. Po ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si fillon? Duke iu lutur së bashku Zotit. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar, do ta doni e respektoni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë e paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Jini të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.
Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes- pati thënë Papa Shën Gjon Pali II.
Ja çka shkruhet në motivacionin e lumturimit të Ganxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës:

“Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës – Gonxha Bojaxhiu (1910 – 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjerë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar”.
Veç asaj që u tha më sipër, shtohet edhe se gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Radhitet kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në altar në një kohë tepër të shkurtër. E duke kujtuar figurën e madhe të së Lumes Ganxhe Bojaxhiut, në mendje, në zemër e shpirt tonë, jehojnë përsëri dëshmitë e shqiptarëve, të cilët nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, shprehen emocionet e thella të atij çasti historik kur, më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, si rrallëherë, mbarë bota përsëriste me nderim të thellë Emrin e Kombit Shqiptar, që kishte nxjerrë nga gjiri i vet Ganxhe Bojaxhiun, personalitetin e së cilës, Papa Shën Gjon Pali II e përshkoi gjatë kremtimit të lumturimit të 19 tetorit të vitit 2003, Figurën Simbolike të misionit të Kishës Universale, Nënë Terezën e cila shtrëngonte, me njërën dorë një fëmije e, me tjetrën, mbante Rruzaren Shenjte.
“Sot, shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës, është bërë burim frymëzimi, për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën dhe për mbarë njerëzimin!”. Kështu u shpreh Papa Gjon Pali II që e lartoi në nderimet e altarit Nënë Terezën më 19 tetor 2003, e ne sot e kujtojmë me respekt, mirënjohje dhe dashuri të Lumen Nënë Terezë, shembull jete personale e kombëtare.
Në përfundim të këtij përkujtimi, ti bëjmë tonat fjalët e Papës Wojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan me 19 tetor 2003:
“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”.
Le të vazhdojmë, pra, ta ndjekim e ta imitojmë shembullin e saj, dhe të jemi mjete të dashurisë hyjnore në realitetin shqiptare e kudo tjetër.
Po kujtojmë të Lumen Nënë Terezë, me jetëshkrimin e botuar në libretin e Kapelës papnore me ritin e lumturimit, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, më 19 Tetor 2003:
“Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”. Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfrit ndër të varfër. “Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t’u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij”. Në shpirtin e saj, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : “Të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore”.
Kjo lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit. Më e vogla e pesë fëmijëve të Nikollë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze, mori Kungimin e parë në moshën pesë vjeç e gjysmë e u krezmua në nëntor të vitit 1916. Që ditën e Kungimit të parë, ndjeu në zemër një dashuri të thellë për shpirtrat njerëzore. Me vdekjen e papritur të babait, në sa Anjezja nuk i kishte mbushur endë 8 vjetët, për familjen filluan vështirësitë ekonomike. Dranja, grua burrneshë, i rriti fëmijët plot dashuri, duke ndikuar shumë në karakterin dhe rrugën e jetës që do të zgjidhte e bija. Më pas formimi fetar i Gonxhes u thellua në famullinë Zemrës së Krishtit, nën drejtimin e jezuitëve, në sa merrte pjesë gjallërisht ndër të gjitha veprimtaritë.
Në moshën 18 vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t’u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin “Motrat e Loretos”, në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Në Kalkutë arriti më 6 Janar të vitit 1929. Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St. Mary për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti kushtet e përjetshme duke u bërë, siç tha ajo vetë: “Vashë e Jezusit” për “amshim”. Që nga ajo ditë e tutje u quajt Nënë Tereza. Vazhdoi të jepte mësim në St. Mary dhe më 1944 u emërua drejtoreshë e shkollës. Grua që ia kishte kushtuar jetën lutjes, që i donte fort motrat dhe nxënëset e saj, Nënë Tereza jetoi e lumtur në Loreto për njëzet vjet me radhë. E njohur për zemërgjerësi, bujari, guxim, aftësi të posaçme në kryerjen e punëve më të rënda dhe për talent të natyrshëm organizativ, ajo e jetoi përkushtimin e saj ndaj Jezusit, ndërmjet motrave, me besnikëri dhe gëzim.
Më 10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu “frymëzimin” e ri, “thirrjen brenda thirrjes”. Atë ditë, si e qysh ajo nuk e tregoi kurrë, etja e Krishtit për dashuri e për shpirtra njerëzore e pushtoi zemrën e saj dhe dëshira e flaktë për ta shuar etjen e Zotit u bë qëllimi kryesor i jetës. Në javët dhe muajt e më pasmë, ajo nisi të dëgjonte një zë që i fliste shpirtit të saj e të shihte vegime. Krishti i zbulonte kështu dëshirën e zemrës së Tij ndaj “njerëzve, që duke u flijuar për dashurinë”, “do të rrezatonin dashurinë e tij ndër shpirtra”. “Eja, të jesh drita ime”- iu lut – “nuk mund të shkoj vetëm”. E i tregoi sa vuante duke parë mospërfilljen ndaj të varfërve, sa i dhimbte, kur mendonte se ata nuk e njihnin e sa dashuri të zjarrtë kishte për ta. Jezusi i kërkoi Nënë Terezës të themelonte një bashkësi rregulltare, Misionaret e Bamirësisë, që do t’i kushtoheshin shërbimit ndaj më të varfërve ndërmjet të varfërve. Kaluan rreth dy vjet arsyetimesh e verifikimesh, para se Nënë Tereza të merrte lejen për fillimin e misionit të saj të ri. Më 17 gusht të 1948-ës, veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe la pas shpine kangjellat e kuvendit të Loretos, të cilin e donte aq shumë, për të hyrë në botën e të varfërve.
Pas një kursi të shkurtër pranë Motrave Mjeke Misionare në Patna, Nënë Tereza u kthye rishtas në Kalkutë ku gjeti një strehë të përkohshme pranë Motrave të Vogla të të Varfërve. Më 21 dhjetor shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve: vizitoi familje, u lau plagët disa fëmijëve, u kujdesua për një plak që dergjej në rrugë të madhe dhe për një grua që po vdiste nga uria e nga tuberkulozi. E niste ditën me Jezusin në Eukaristi; pastaj, me rruzaren në duar, dilte për t’i gjetur dhe për t’u shërbyer atyre që janë: “të braktisur, të padashur, të papërkujdesur”. Disa muaj më vonë, me të u bashkuan, njëra pas tjetrës, disa nga ish-nxënëset e saj.
Më 7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë. Në muajt e parë të vitit 1960, Nënë Tereza filloi t’i dërgonte motrat e saj në të katër anët e Indisë. E Drejta Papnore, lëshuar Kongregatës nga Papa Pali VI në shkurt të 1965-ës, i dha zemër të hapte një shtëpi misionare në Venezuelë. Menjëherë pas saj u themeluan shtëpi të tjera në Romë e në Tanzani dhe, pak më vonë, në të gjitha kontinentet. Duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën.
Për t’iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike, ashtu dhe atyre shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza më 1963 themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave; më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët e Sëmurë dhe të Munduar, njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë e shtyu të themelonte më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si “rrugë e vogël që i çon në shenjtërim” ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj.
Gjatë këtyre viteve, në sa misioni i saj përhapej me të shpejtë, bota filloi t’ia ngulte sytë Nënë Terezës dhe veprës që ajo kishte nisur. Meritoi shumë çmime për veprën e saj, duke filluar nga Çmimi indian Padmashri, në vitin 1962, për të vijuar me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen, më 1979, ndërsa mjetet e komunikimit filluan t’i ndiqnin veprimtaritë e saj me interes gjithnjë e më të madh. Si çmimet, ashtu edhe gjithçka që e vinte në qendër të vëmendjes, i pranoi “për lavdinë e Zotit e në emër të të varfërve”.
Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin. Por duhet theksuar edhe një virtyt tjetër heroik i kësaj gruaje të madhe, i cili u bë i njohur vetëm pas vdekjes së saj. E fshehur nga sytë e të gjithëve, e fshehur deri nga ata që i qëndruan më pranë, jeta e saj e brendshme u vu në provë: pati përshtypjen e dhimbshme e të vazhdueshme se ishte ndarë nga Zoti, madje se ai e kishte braktisur, ndërsa në shpirt i rritej gjithnjë e më tepër dëshira për ta pasur pranë. Atë që po provonte e quajti “errësirë”. “Nata e dhimbshme” e shpirtit të saj, e cila nisi në kohën kur sapo kishte filluar apostullimin mes të varfërve e që vijoi gjatë gjithë jetës, e çoi Nënë Terezën në një bashkim edhe më të thellë me Zotin. Përmes errësirës, mori pjesë mistikisht në etjen e Krishtit, në dëshirën e tij të dhimbshme e të zjarrtë për dashuri, duke u njësuar me mjerimin e të varfërve.
Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t’i printe Kongregatës së saj dhe t’u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Sot Kongregata 4000 motra, të pranishme në 730 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Si pati takuar Papën Gjon Pali II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besojmave të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit “Eja, të jesh drita ime!”, u bë Misionare e bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit.
Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.

Filed Under: Histori Tagged With: 19 tetor, i Nene Terezes, lumturimi, Radio Vatikani

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT