IBRAHIM RUGOVA: JETA DHE VEPRIMTARIA LETRARE E POLITIKE/
1944/
Më 2 dhjetor u lind Ibrahim Rugova në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, apo siç njihej në ato anë, në familjen e Sadri Elezit. Familja është e njohur për tradita kombëtare dhe për qëndresë të pareshtur kundër pushtuesve. Familja i takon fisit Kelmendi, nënfisi Lajçi, e vendosur në fshatin Malaj të Rugovës, ku edhe sot i ka pronat e saj.
Sadri Elezi në historinë shqiptare njihet si pjesëmarrës, përfaqësues i trevës së Rugovës në tubimet e besëlidhjeve shqiptare te Verrat e Llukës dhe të Besëlidhjes së Pejës, “Besa -Besë”, të tribunit popullor, Haxhi Zekës. Gjatë asaj kohe të kryengritjeve të mëdha shqiptare kundër sundimit të Turqisë, Sadri Elezi ka qenë krah i djathtë i Haxhi Zekës dhe në betejat e shqiptarëve kundër ushtrisë turke 1908-1912, disa herë ka qenë i plagosur. Sadri Elezi ka pasur plagë, nga të cilat edhe ka vdekur dhe varri i tij është buzë minares së Xhamisë së vjetër të Istogut.
Dyndjet e kësaj familjeje në Rrafsh të Dukagjinit pasojnë pas njohjes së Sadri Elezit me tribunin e Pejës, Haxhi Zeka. Së pari familja vendoset ndërmjet dy luftërave botërore në Gllaviçicë të Pejës, pastaj në Bajicë fshat buzë Drinit të Bardhë te Banja e Istogut, dhe së fundit në Cerrcë, ku është edhe sot. Por shumë pasardhës të saj jetojnë edhe në Prishtinë dhe në shumë shtete të Evropës, më së shumti në Gjermani, Austri, Luksemburg, Zvicër dhe Itali.
Ibrahimi u lind rreth dy javë pas hyrjes së brigadave partizane, që veten e quanin çlirimtare, në Istog dhe në fshatrat e kësaj ane. Së pari vijnë brigadat partizane të Shqipërisë, e pas tyre edhe një brigadë partizane e Malit të Zi – Brigada e Bokës – e quajtur nga vendësit edhe Brigade e zezë, për shkak të krimeve që ka bëri mbi shqiptarët.
1945
Pa i mbushur as 6 javë, Ibrahimit partizanët ia arrestojnë babanë, Ukën (27-vjeçar), dhe gjyshin, Rrustën (67-vjeçar), rreth 10 janarit 1945 dhe i ekzekutojnë pa gjyq, mu sikur edhe mbi 70 shqiptarë të kësaj ane. Por varret e tyre kurrë nuk janë gjetur.
Me këto vrasje pushteti komunist mbjell tmerr e frikë në popull në atë dimër të acartë e me shumë borë. E trajtuar si familje “kullake e armiqësore”, familja Rugova në Cerrcë del me katër burra të vrarë e të zhdukur në luftë, me tërë pasurinë e tundshme të konfiskuar nga komunistët.
Në muajin shkurt, pas revoltës së armatosur në Drenicë, në Kosovë vendoset gjendja ushtarake, e cila edhe me tepër e rrit terrorin mbi shqiptarët. Njerëzit burgosen dhe ekzekutohen me procedurë të shkurtër.
Ibrahim Rugova një periudhë të fëmijërisë së hershme, bashkë me nënën e tij, Sofën, e kalon te dajallarët e tij, në familjen e Qerim Muriqit (Rugova) në Llukafc të Begut, fshat afër Istogut. Edhe familja e nënës ka qenë e traditës, e madhe dhe me shumë prona buzë lumit të Istogut, por edhe me prona të tjera në Koshutan të Rugovës nga e kishte prejardhjen. Nëna Sofë nuk do të martohet, por do të kujdeset për djalin e vetëm.
Siç pohon edhe vetë Ibrahim Rugova, dashuria e afërsia e dajallarëve, e sidomos e gjyshit Qerim, një mjeshtër i hollë e latues i gurit, do të ndikojë edhe në përkushtimin e tij ndaj punës dhe vlerës njerëzore e kombëtare, sidomos të traditës shqiptare.
Rininë e hershme e kalon në bashkësi familjare me dy xhaxhallarët e vet – Shabanin dhe Aliun – ndërsa më vonë vetëm me xhaxhain e vogël Aliun i cili kujdeset edhe për shkollimin e Ibrahimit. Por, mbi të gjitha, do të rritet “në prehër të dy gjysheve”. Pra përveç dashurisë së pakufishme të nënës Sofë, ai kishte edhe dashurinë dhe kujdesin e nënës së babait, gjyshes Shake, dhe gjyshes Razë, nga dajat. Që të dyja mundohen sa munden t’i kompensojnë dashurinë e humbur të njërit prind. E para vdes më 1972, kurse e dyta më 1989.
1948
Kur kishte vetëm 4 vjeç, duke lozur me fëmijët e lagjes, dëgjon dikë duke thirrë: “Ukë, eja hyn brenda”, dhe menjëherë me vrap shkon te nëna dhe i bie në prehër: “Nënë, e gjeta babën, ma kishin marrë Lushajt”! Domethënë, si fëmijë e dinte se babai i kishte humbur dhe sigurisht kishte dëgjuar nga të rriturit se ishte diku dhe ndoshta mund të kthehej!
1949
Gjyshi Qerimi do t’i falë dhuratën e parë, një laps. Shpesh në biseda private Ibrahimi do të flasë me admirim për gjyshin e tij si mjeshtër shumë i shkathët që ndërtonte dhe konstruktonte mullinj me ujë. Citonte fjalët e tij: “Bre dajë, si nuk pata do vjet shkollë, se gjyshi edhe aeroplanin e kish konstruktue”!
Por i dinte me dhjetëra objekte të ndryshme që kishte ndërtuar në ato anë. Vetëm në ndërtimin e një kulle prej mermeri kishte bërë 20 vjet.
Ndërkaq Ibrahimi për të thotë: “Njëfarë mase, (atij) ia kam borxh shprehinë e punës, të disiplinës, pavarësisë, besnikërinë ndaj parimeve, atë ‘rregull shtëpiak’ tradicional, të afërt me jetën, që e pengoi këtë familje të bëhej komuniste nga oportunizmi”.
1950
Që nga mosha gjashtëvjeçare do të mbajë në mend fëmijërinë e rëndë dhe me skamje. “Për mua, fëmijëria, para së gjithash, do të thotë vështirësi e jetës, sprovë për të mbijetuar. Më kujtohet një kohë, diku nga viti 1950, kur gjithë familja kalonte kohën duke u përpjekur të sigurojë ushqim”, do të rrëfejë Ibrahimi në librin “Çështja e Kosovës”. Për këtë vit ai thotë se “nisi uria e vërtetë, e cila do të zgjasë dhjetë vjet”.
Në përkushtimin e Ibrahim Rugovës ndaj traditës ka ndikuar edhe afria e tij që nga fëmijëria me burrat e njohur e të çmuar rugovas. Siç ishte traditë atëherë, burrat mblidheshin në oda, sidomos gjatë netëve të dimrit, tregonin histori, këndonin këngë trimërie, e sidomos këngë kreshnike me lahutë e çifteli. Axha i tij, Azemi, ishte një lahutar i njohur, daja i Ibrahimit, Rrustem Qerimi, ishte një këngëtar i dalluar me çifteli. Fëmijëria e Ibrahimit kalon në këto ambiente duke u brumosur që në atë moshë me kujtesë të theksuar historike për traditën shqiptare.
“Xhaxha i tim atë (e ka fjalën për Azemin) rrëfente apo këndonte çdo mbrëmje pas darke deri vonë, pastaj e ndërprente rrëfimin në mes të situatës më dramatike dhe thoshte, ‘do të vazhdojmë nesër’. Ai këndonte ngjarjet me episode, njëfarë fejtoni, t’i themi. Gjithë ditën, ne të vegjlit, të pesë djemtë, flisnim se çka do të ndodhte”. (Çështja e Kosovës),
1952
Ishte 7 vjeç kur zakonisht fëmijët regjistroheshin në shkollën fillore. Ai pa vullnet shkon në shkollë. I vetëm, pa shoqëri, pas tri ditësh e braktis shkollën, nuk don të shkojë më. Me gjithë insistimin e nënës dhe të familjarëve, në kohën kur duhet të nisej për në shkollë, fshihej diku, vetëm për të mos shkuar. Afër shkollës ku duhej t’i ndiqte mësimet ndodhej një godinë që banorët e quanin “Kulla e popit”, burgu komunist. Me siguri kishte dëgjuar se aty ia kishin arrestuar, torturuar dhe zhdukur pa gjurmë babanë dhe gjyshin. Ai si fëmijë do të ketë dëgjuar të flitet nga të rriturit për atë godinë.
1954
Pra, rrethanat e rënda të asaj kohe në të cilën kaloi familja dhe frika nga dhuna e pushtetit komunist, bëjnë që Ibrahim Rugova të fillojë në Istog shkollën fillore me dy vjet vonesë.
Tashmë ishte nëntë vjeç dhe nis të shkojë në shkollë. Por tash nuk shkon vetëm. Në të njëjtën kohë regjistrohet edhe djali i xhaxhait të tij, Rrustemi. Ata dy së bashku do të ndjekin mësimet që nga klasa e parë e fillores deri në përfundim të së mesmes.
Kur njëherë do ta kapë librin në dorë nga ai më nuk do të ndahet kurrë. Kështu do t’i kenë thënë nënës së tij të brengosur plakat e fshatit.
Ai menjëherë dallohet si më i miri i brezit të vet, e më vonë i të gjitha brezave të shkollës fillore në Istog. Për një kokë ishte mbi brezin e tij.
Si nxënës i shkollës fillore fillon të lexojë libra, revista e gazeta të kohës që i sillte në shtëpi xhaxhai i tij, Aliu, por mbi të gjitha ishte interesimi i tij i madh për të lexuar librat e bibliotekës së qytetit dhe të shkollës.
Si nxënës i fillore nis të shkruajë poezi që i lexonte në orët letrare.
1961
Më 3 tetor boton vjershën e parë me titull “Erdhi vjeshta” në gazetën “Rilindja” (për fëmijë). Ndërsa, më 28 nëntor boton edhe vjershën e dytë me tri strofa, me titull “Uroj – atdheut”. Në dy vargjet e para këndon: “Uroj – atdheut tim/Dy pranvera n’mot”. Në dy vargjet e fundit: “Uroj – atdheut/Përherë liri”!
1962
Në numrin 1 të muajit shkurt të revistës letrare “Jeta e re” boton poezinë me titull “Nanës”, me të cilën e fillon bashkëpunimin me këtë reviste të vetme letrare në Kosovë. Si nxënës shembullor, çdo vit zgjidhet kryetar i klubeve letrare të shkollës.
Si nxënës i fillores me disa anëtarë të familjes gjatë verës shkon në pronat familjare në Rugovë, një rrethinë malore, por shumë piktoreske, ku merr frymëzimet e para djaloshare.
Pas mbarimit të shkollës fillore tetëklasëshe në Istog, menjëherë në qershor regjistrohet në Shkollën e Normale në Prishtinë. Për herë të parë shkon në Prishtinë dhe meqenëse mbërrin me vonesë, i duhet të kalojë natën nën qiellin e hapur në qytetin e panjohur për të, për të pritur mëngjesin e nesërm. Mu në qendër të Prishtinës, aty ku tani gjendet shtatorja e Nënës Tereze, nga mesnata e zë gjumi. Vjen një polic dhe e qorton pse po flinte aty. Pasi i tregon se nuk kishte para për fjetur në hotel, polici ia kërkon letërnjoftimin që nuk e kishte. Por ia tregon përse kishte ardhur në Prishtinë dhe pasi ia sheh notat në dëftesë, polici e lejon të flejë aty.
Por në shtator çelen dy paralele të Shkollës Normale të Pejës në Istog. Për shkak të gjendjes ekonomike, kthehet në Istog, ku i mbaron dy klasët e para.
Gjatë dy klasëve të normales në Istog si nxënës shembullor dhe sadokudo që e njihte serbishten bashkë me disa nxënës të tjerë e detyrojnë që të ndjekë mësimet në serbisht. Por përsëri është nxënësi më i mirë i brezit.
1964
Tri klasët e fundit të normales i kryen në Pejë, por tani mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Edhe atje dallohet si nxënës, sidomos në lëndën e gjuhës shqipe dhe lëndëve shoqërore. Por hartimin e parë të tij në normalen e Pejës, profesori i gjuhës shqipe e noton me notë negative. I thotë se ka kopjuar, nuk beson se një nxënës mund të shkruajë aq bukur. Por pasi e sheh se edhe hartimet e tjera janë po aq të bukura, atëherë bindet.
Si familje e shenjuar “armiqësore”, nuk i japin bursë dhe kushtet ekonomike i ka të rënda. Por tani i ka mundësitë më të mëdha për të lexuar dhe për të thelluar njohuritë e veta.
Përveç literaturës në gjuhën shqipe, që ishte e pakët, në serbisht lexon veprat e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë si Balzakun, Servantesin, Lorkën, Shekspirin, Bajronin, Shelin, Tolstoin, Dostojevskin, Pushkinin, Jeseninin. Disa poezi të këtij të fundit më vonë do t’i përkthejë me përkushtim nga origjinali në shqip.
Më vonë si student, për disa prej tyre do të shkruajë me një frymëzim të veçantë.
Lexon me përkushtim çdo gjë që botohet në revistat shqipe. Si normalist përveç poezisë, shkruan edhe proza poetike.
Siç pohonte edhe vetë, gjatë shkollës së mesme nuk çan fort kokën për disa lëndë që nuk i interesonin. Gjatë atyre orëve lexon letërsi apo filozofi. Profesorët kishin mirëkuptim!
1967
Pasi mbaron shkollën e mesme regjistrohet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Vitin e parë e kalon në një gjendje të rëndë ekonomike. Pa bursë dhe pa kurrfarë ndihme. Jeton në konviktin e studentëve, por siç thuhej atëherë “ilegal”.
1968
Ky vit është shumë domethënës për Kosovën. Kanë kaluar dy vjet nga rënia e Rankoviqit dhe UDB-ja nuk është më ajo që ka qenë. Hetohet një frymë më liberale. Njerëzit marrin frymë më lirisht. Madje në një kohë shumë të shkurtër diskutohet për Kosovën republikë, por shpejt ndërpriten. Ndërsa nëpër Evropë shpërthejnë demonstrata të mëdha studentore.
Në Kosovë për herë të parë sillen libra nga Shqipëria. Është ky vit që kalon në shenjë të shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, për të cilin shkruhet pothuajse çdo ditë në shtypin e atëhershëm. Në muajin maj organizohet nga pushteti i atëhershëm edhe një simpozium ndërkombëtar për Skënderbeun. Në Prishtinë, pas 1948, për herë të parë vijnë edhe katër studiues nga Tirana. Përgjithësisht hetohet një zgjim i ndjenjave kombëtare që ishin ndrydhur me vite.
Një tjetër ngjarje me rëndësi ndodh në Prishtinë: organizohet Konsulta e njohur gjuhësore. Gjuhëtarë, shkrimtarë dhe ekspertë të ndryshëm nga Kosova dhe viset shqiptare përreth marrin pjesë dhe diskutojnë për tri ditë me radhë dhe miratojnë unisimin e gjuhës standarde shqipe, mu sikur në Shqipëri.
Ndërkaq një ngjarje tjetër që shënon atë vit janë demonstratat e njohura studentore dhe të rinisë shkollore në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera.
Atë vit Ibrahim Rugova tashmë është në vitin e dytë të studimeve, por prapë pa bursë. Shtrëngohet të punojë arsimtar në shkollën fillore në Obiliq, tetë km. larg Prishtinës dhe të studiojë. Në të njëjtën kohë i ndjek studimet dhe shkruan në revistat e gazetat e kohës.
Do të mbahet në mend artikulli që boton Ibrahim Rugova në gazetën e studentëve “Bota e re” në numrin e 28 nëntorit të vitit 1968, në prag të demonstratave të studentëve dhe të rinisë shkollore të 27 nëntorit të atij viti, me titull “Pavarësia kombëtare”, me të cilin sikur paralajmëron nismën e ideve të veta intelektuale e politike, të cilat, 20 vjet më vonë, në një kohë shumë të rëndë, do t’i shprehë në mënyrë të qartë dhe konsistente si trinom – Liri, Pavarësi, Demokraci. Ai shkruan me rastin e përvjetorit të ngritjes së Flamurit kombëtar më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, dhe pasi e quan një nga ditët më të bardha të historisë sonë, vazhdon: “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”. Ndërsa fare në fund thotë: “Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë”.
Gjatë kësaj kohe, në radhë të parë lexon pareshtur dhe siç pohon vetë, zbulon letërsinë “moderne”, të asaj kohe, shkollën franceze (simbolizmin, Malarmenë, Bodlerin), letërsinë bashkëkohore (Sartrin, Kamynë, Beketin).
Por tani bëhet shumë aktiv në aspektin kulturor e letrar. Bashkë me disa studentë të tjerë (Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Sabri Hamiti etj.) siç pohon vetë Rugova, krijojnë “një rreth të mendimit të hapur ndaj tendencave të reja të teorive estetike dhe linguistike, të cilët i tërhiqte kritika e re franceze dhe strukturalizmi”.
“Ishte grup pak i fortë, jo nacionalist, por modern, me një orientim nacional. E gjithë kjo më hapi edhe mua që isha veçanërisht i mbyllur nga natyra, ndaj botës, ndaj të tjerëve”.
Ndërkaq Sabri Hamiti thotë: “Ibrahim Rugova i përket brezit të 68-tës, dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës”. Një lëvizje e fuqishme studentore që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare në Kosovë dhe rreth Kosovës, e cila, siç thotë, “do ta shpërndante ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë”.
1969
Ibrahim Rugova shkruan intensivisht në revistën për kulturë art e letërsi të Prishtinës “Fjala”, ku hap një rubrikë të përhershme të titulluar “Zenitet letrare” që nga numri 3 i muajit mars të po këtij viti. Shkruan për Jeseninin, Shelin, Bodlerin e Preverin, por edhe për Migjenin e Nolin.
Dhe menjëherë i bie në sy lexuesit të vëmendshëm dhe të shkrimtarëve.
Kah fundi i atij viti, Rugova bashkë me disa miq të tij studentë merr ta drejtojë gazetën e studentëve “Bota a re”, të cilën do ta bëjë një nga gazetat më të lexuara të kohës dhe që mban vulën e modernitetit të ideve, por edhe të kritikave shoqërore.
Sabri Hamiti shkruan se “lëvizja kulturore e intelektuale e përqendruar në brezin universitar e bëri gazetën e vet kulturore, revistën e vet kulturore (Dituria) dhe formoi shtëpinë e vet botuese. Kjo, në mënyrë të pashpallur, artikulonte alternativën e njëshit pushtetor në kulturë”, i cili kishte një gazetë të përditshme, një revistë letrare, një radio, një shtëpi botues në shqip.
1970
Ibrahim Rugova dhe Rexhep Ismajli që janë shtyllat kryesore të gazetës “Bota a re”, komentojnë veprat më aktuale filozofike e letrare të kohës ose përkthejnë punime apo fragmente të veprave të tyre. Nga filozofët e asaj kohe në faqet e gazetës “Bota a re” mund të ndeshen emrat si Leshek Kolakovski, Betrand Rasel, Rozhe Garodi, Lysien Goldman, Karl Jaspers, Erih From etj. Por nuk mungojnë as punimet kritike origjinale. “Atëherë mund të botoja artikuj mjaft të angazhuar, tejet modernistë”, thotë Rugova për atë periudhë.
Prandaj më se njëherë kujdestarët ideologjikë të partisë, duke u shtypur gazeta në shtypshkronjë heqin faqen e parë, ose ndonjë faqe tjetër.
Po në këtë vit, po ky grup krahas gazetës, nxjerr edhe revistën “Dituria”, ku përfshihen kryesisht punime të studentëve të fushave të ndryshme dhe në këtë kuadër botojnë edhe disa vepra letrare.
1971
Rugovën edhe pak muaj e lanë në “Bota e re” e “Dituria”. Në pranverë të këtij viti pushteti e përzë bashkë me miqtë e tij. Përkohësisht fillon të punojë në revistën “Fjala”. Diplomon në Fakultetin Filozofik.
Boton veprën e parë letrare “Prekje lirike”, një përmbledhje të shkrimeve të “Zeniteve letrare”, në të cilën, “manifestoi qartë mëvetësinë dhe pavarësinë e vështrimit dhe të gjykimit, autonominë personale në fushën e kritikës dhe të interpretimit letrar”, por edhe “revoltën kundër shkrimeve kuaziobjektive që shkruheshin për letërsinë, duke zbritur më shpesh në një sociologjizëm vulgarizues”. Këtë vepër ia kushton tre më të dashurve të vet:
Atij, që s’e njoha asnjëherë.
Asaj, që i kushtova me jetë.
Asaj, që më ktheu me fytyrë kah jeta.
Tash vonë kritiku i ri Kujtim Shala për këtë vepër shkruan:
“Çelësi për ta lexuar Rugovën përballë kritikës së kohës është libri “Prekje lirike”. Ky libër refuzon leximin e jashtëm/ sociologjizues/ideologjizues, dominant në kulturën letrare shqipe, dhe provon fuqishëm kritikën si rikrijim të veprës letrare. Aty normën e leximit e përcakton estetika e tekstit letrar e jo skemat sociale”.
Në vjeshtë e dërgojnë për një vit në shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Slloveni.
1972
Pasi kthehet nga ushtria punësohet si bashkëpunëtor shkencor në sektorin e letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Po ashtu regjistrohet në studimet pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë këtyre viteve në të përkohshmen e atëhershme boton vazhdimisht punime të ndryshme kritike dhe teoriko-letrare. Përcjell me vëmendje zhvillimet në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Qarku Kulturor i Prishtinës tashmë përqafon programin e qartë letrar e kulturor nacional, por edhe rrymat moderne perëndimore të kohës. Ishte periudha kur edhe në Kosovë fillon të flitet dhe të shkruhet edhe për strukturalizmin, semiologjinë…
1975
Në mars të këtij viti martohet me Fanë Vuthajn, me të cilën kishte rënë në dashuri katër vjet më parë.
1976-1978
Më 8 janar i lind djali i madh, Mendimi. Boton “Bibliografinë e kritikës letrare shqiptare – 1944 -1974” (së bashku me Isak Shemën).
Në vjeshtë të këtij viti merr një bursë franceze specializimi. Tetë muaj i kalon në Paris në “Ecole des Hautes Etudes en Sciences Sociales”, siç thotë si stazhist te Rolan Barti, të cilit, 20 vjet më vonë do t’ia kushtojë ligjëratën e Sorbonës, me rastin e shpalljes Doktor Nderi të Universitetit VIII në Paris. Por njëkohësisht ndjek edhe ligjërata të tjera në Sorbonë.
“Isha shumë aktiv, e ajo që më stimulonte më së shumti, ishte liria e atij sistemi të mësimit…Ishte shkurt, por mësova shumë. Ishte koha kur filozofët e rinj (Andre Glyksman, Bernar-Anri Levi) kishin përplasjet e mëdha, e unë shikoja gjithë çka mundja. Kisha raporte me Bartin dhe studentët e tij, sidomos me të huajt”, kujton më vonë me entuziazëm Rugova ditët e Parisit.
Por qysh në atë kohë, siç pohon vetë, nën influencën e Bartit mediton gjatë studimeve “mbi relacionet pushteti-dija dhe funksionimin e shtetit, raportet mes strukturës intelektuale dhe shoqërisë; pikërisht kështu mund t’i qasemi çështjes së ekzistencës së një lëvizjeje për liri”. (Shih Çështja e Kosovës). Pranon se ka qenë njeri krejtësisht apolitik, edhe pse interesohet shumë rreth teorisë së pushtetit. “Më vonë propozova një analizë për marrëdhëniet mes pushtetit dhe rezistencës me librin Strategjia e kuptimit (1980) dhe në Refuzimi estetik më 1987. “Fjala ishte për formën e vetme të rezistencës së mundshme ndaj shpërdorimeve të rënda të pushtetit kundër shqiptarëve të Kosovës, e kjo i minonte edhe parimet mbi të cilat mbështetej ky sistem”. (Po aty).
1978
Boton veprën e dytë – Kah teoria. Është interesant se dy tekstet e para në fillim të këtij libri Letërsia si differentia specifica dhe Një korrektiv estetiko-teorik, i shkruan në vitin 1973, atëherë bashkëpunëtor i ri në Institutin Albanologjik. Janë këto pjesët kryesore të veprës, në të cilat “shtron problemin e krijimit të një rrafshi sa më autentik të trajtimit të letërsisë si krijimtari shpirtërore intelektuale”.
Në pranverë të këtij viti Rugova kthehet nga Parisi plot jetë dhe fillon projektin e vet të madh – monografinë për Pjetër Bogdanin. “Isha i mahnitur me Bogdanin”, pohon Rugova. Ndërkaq duke folur për metodën që përdor, thotë se “isha i inspiruar drejtpërdrejt nga strukturalizmi, prandaj hutoi shumë shqiptarë”.
1979
Botohet Kritika letrare (nga De Rada deri te Migjeni) (së bashku me Sabri Hamitin).
1980
Rektorati i Universitetit të Prishtinës do t’i bëjë të mundur qëndrimin njëmujor kërkimor (mars-prill) në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Atje do të mbledhë lëndën për tezën e doktoranturës “Kahe dhe premisa…”, të cilën do ta mbrojë më 1984.
Në qershor i lind djali i vogël, të cilin do ta pagëzojë me emrin e babait të tij, Ukë, traditë kjo shqiptare që nipi të trashëgojë emrin e gjyshit.
Po këtë vit, Ibrahim Rugova boton veprën tjetër të radhës – “Strategjia e kuptimit”. Vepra ndahet në tri pjesë: ese, kritikë dhe teori e poezisë shqipe. Në këtë vepër përfaqësohen pikëpamjet e Rugovës për kritikën, ndërsa këta tre kapituj shenjojnë pikat kryesore të interesimit të tij si kritik prej më se dhjetë vjetësh.
Për këtë vepër, ku përpiqet të gjurmojë se cilat janë mundësitë e kundërshtimit të vdekjes së kuptimit të botës bashkëkohore, Rugova përdor konceptin e “strategjisë negative”, që siç thotë, një koncept në plan të parë polemik, në mënyrë që më vonë konceptin e vet intelektual ta investojë në politikë. “Në histori ndodh që intelektualët të jenë të fundit ata që nuk lejojnë të bjerë populli”, do të pohojë Rugova më vonë.
Shkruan një parathënie inspirative me titull “Arti i dhembjes universale” të kompletit të veprave të Ismail Kadaresë, në botim të “Rilindjes” në Prishtinë.
1981
Në mars dhe në prill shpërthyen demonstrata të mëdha të studentëve dhe të rinisë pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës, në të cilat kërkohej që Kosova të bëhej republikë në kuadër të federatës jugosllave. Ato u shuan me gjak. Gjatë atij viti organizohen shumë procese politike gjyqësore, në të cilat pjesëmarrësit marrin dënime maksimale të parapara me ligj – deri në 15 vjet. Në procese të tilla dënohen rreth 6.000 shqiptarë.
Në Kosovë u vendos gjendja e jashtëzakonshme. Pastaj filloi procesi i diferencimit ideopolitik në të gjitha institucionet. Pati përjashtime nga puna. Me një fjalë, nisi një terror i vërtetë propagandistik sidomos ndaj intelektualëve. Për një fjalë goje dënoheshe me burg.
Ibrahim Rugova punon intensivisht për ta kryer projektin për Bogdanin që e kishte nisur që nga viti 1980. Tash i kishte mbetur t’i jepte dorën e fundit tekstit të shkruar.
“Ishte gjendje e jashtëzakonshme, kishte ushtarë gjithandej, makina të policisë, autoblinda që shëtisnin nëpër rrugët e Prishtinës, e unë isha mbyllur dhe shkrova këtë (librin)”.
1982
Del nga shtypi vepra aq e pritur – “Vepra e Bogdanit 1675-1685” për të cilën Rugova kishte dhënë aq shumë mund e përkushtim, por do të ndjejë edhe kënaqësi të posaçme që kryen një punë të madhe.
Vepra pritet mirë nga kritika dhe lexuesit.
Duke sqaruar në parathënien e librit se çfarë e shtyri të shkruajë këtë vepër thotë se është “habitur dhe befasuar” ku ka gjetur se si Bogdani, “pos çështjeve të tjera filozofike -teologjike e filozofike-shkencore, fliste edhe për metaforat, për tropologjinë dhe për figurat e ndryshme të retorikës, si dhe për disa aspekte të poetikës”. “Mirëfilli u entuziazmova dhe iu ktheva punës që këtë intuicion dhe entuziazëm ta kthej në argument dhe në vlerësim, shkurt në njohje të veprës”.
Në të vërtetë Rugova, i entuziazmuar me veprën e Bogdanit “Çeta e profetëve”, ndërpret përkohësisht punën në tezën e disertacionit, që e kishte marrë më 1979, dhe e shkruan monografinë për Bogdanin.
Për këtë vepër R. Musliu shkruan: “Bogdani i monografisë në fjalë, thënë shkurt, është Bogdani i Ibrahim Rugovës. Kjo monografi antologjike më në fund hap periudhën e studimeve bogdaniane, por aq edhe të letërsisë së vjetër shqipe”,.
Ismail Kadare shkruan më 1990 se si s’është e rasti që Rugova para se të niste udhën e lirisë u zhyt në botën bogdaniane. “Vjersha kozmogonike e Bogdanit, ajo që e mahniste Poradecin, është quajtur prej një prej studiuesve të tij, mikut tim Ibrahim Rugova, tani kryetar i Partisë (Lidhjes, v.j.) Demokratike të Kosovës ‘Krijimi i rruzullimit’”.
Monografia për Bogdanin do të ribotohet edhe njëherë në Prishtinë më 1990 dhe në të njëjtin vit edhe në Tiranë.
1983-1984
Punon intensivisht vetëm në disertacionin e doktoranturës.
Gjatë vitit ’84, në Universitetin e Prishtinës mbron tezën e doktoranturës me titull “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare, 1504-1983”.
1985
Në muajin prill Ibrahim Rugova bashkë me disa përfaqësues të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovë merr pjesë në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad, ku ndodh përplasja e parë me shkrimtarët serbë që tashmë ishin instrumentalizuar nga regjimi i Beogradit dhe ishin vënë në ballë të propagandës së egër antishqiptare.
Ai paraqet kumtesën me titull “Liria konkrete”. Para se ta lexojë kumtesën bën një replikë distancuese ndaj fjalimit të kryetarit të shkrimtarëve të Serbisë Miodrag Bullatoviq, i cili me fjalët më brutale sulmon shqiptarët dhe madje i akuzon për “gjenocid” mbi serbët e Kosovës. Rugova flet për tendencat restriktive të viteve të fundit që t’i imponohen letërsisë shqipe në Jugosllavi. Ai do të pyesë kolegët e tij shkrimtarë nga mbarë Jugosllavia: “Si mund ta përjetoj lirinë unë si intelektual shqiptar në kohën kur nga forca të ndryshme me pikëpamje dogmatike, më imponohet asimilimi apo dysia. Dhe si mund ta përjetoj lirinë, kur sot, tashmë 3-4 vjet nga publicistika e verbër dhe nga pseudoshkenca e pseudoletërsia kërkohet të zhduket historia ime kombëtare, realiteti historik dhe realiteti shoqëror, me pretekst të cungimit: hiq këtë, hiq atë, madje edhe në pikëpamje kushtetuese”, tërheq vëmendjen Rugova për ato që do të pasojnë më vonë nga regjimi i Beogradit ndaj Kosovës.
1986
Boton në Prishtinë veprën Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare (600 faqe), në të cilën kishte punuar disa vite dhe kishte derdhur aq shumë mund. Kjo vepër do të ribotohet dhjetë vjet më vonë edhe në Tiranë (më 1996).
Studiuesi i letërsisë shqiptare dhe pa dyshim njohësi më i mirë i opusit letrar të Ibrahim Rugovës, Sabri Hamiti, për këtë vepër shkruan se “me ndërtimin, strukturimin, kërkimin, argumentimin, referencat gati shteruese, kapërcen qëllimet fillestare të një monografie dhe merr përmasat e një enciklopedie për kritikën shqiptare si disiplinë të mendimit dhe të kritikës letrare shqipe”.
Pasi e vlerëson si veprën më të madhe e më të ndërliqshme kritike të I. Rugovës, dhe si një enciklopedi të kritikës. S. Hamiti thotë se ajo është edhe “një nga veprat më të mëdha të kritikës shqiptare, duke e bërë vetvetiu autorin njërin ndër mendimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë për letërsinë”.
Në tetor Rugova merr pjesë në Takimet ndërkombëtare të shkrimtarëve në Beograd dhe në kuadër të tyre zhvillohet diskutimi me temë “Apokalipsi dhe letërsia sot”. Mirëpo gjatë tërë kohës shkrimtarët serbë diskutojnë vetëm për Kosovën me një diskurs tejet negativ. Pas provokimeve dhe insistimit që edhe Rugova të flasë për Kosovën, ai nuk pranon të flasë ditën e parë, për shkak të atmosferës së rëndë emocionale, por të nesërmen, ku ishin të pranishëm rreth 40 shkrimtarë të huaj. Hedh poshtë të gjitha pohimet për Kosovën, duke thënë se “fare nuk i pranoj”.
“Tash disa vjet po çajmë kokën për Kosovën dhe me nacionalizmin, sa që është bërë punë e mërzitshme, e padurueshme”. Rugova diskutimet që zhvillohen i quan “diskurs në nivel të shtypit të verdhë për Kosovën”
“Kam pritur nga shkrimtarët që në frymë të vokacionit të tyre, të flasin për Kosovën si humanistë. Këtu vërehet një dyfytyrësi e madhe: në njërën anë për vete kërkohet demokraci, e për të tjerët një represion dhe negacion total. Mendoj se për Kosovën duhet kërkuar më shumë demokraci, humanizëm e mirëkuptim e më pak represion, se do të jetë më mirë”.
Kundër fjalimit të Rugovës reagon shkrimtari nga Maqedonia Ante Popovski, i cili kërkon përgjegjësi nga Rugova, pastaj e sulmojnë Milan Komneniq e Miodrag Bulatoviq. Ky i dyti për shkak se Rugova po kërkonte demokraci për shqiptarët, që sipas tij, nuk e meritojnë. (Revista “Fjala”, 15.12. 1986).
1987
Rugova boton librin “Refuzimi estetik” dhe kjo është vepra e tij e fundit letrare. Libri e ka marrë titullin nga eseja që është në ballë të librit. Në parathënien e librit Rugova sqaron se vështrimi përqendrohet në refuzimin estetik, si kategori e teorisë së funksionit të artit në një kuptim më të çliruar e jo si funksion i drejtpërdrejtë. Por ai thekson se kjo kategori ka edhe konotacione të tjera, se si “para situatave të caktuara që sjell rrjedha e kohës, nuk bën t’i mbyllësh sytë, po të forcosh vetë dijen letrare… të insistosh në krijimin e hapësirave të krijimit…”. “…sepse në qenien njerëzore është të refuzojë dhe të aprovojë, po të refuzojmë kur duhet, cilësi e vërtetë njerëzore dhe intelektuale”.
Por si e shpjegon vetë Rugova refuzimin në këtë ese?
“Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm”.
Pothuajse 20 vjet më vonë Mark Marku në promovimin e veprave të Rugovës në Tiranë do të shkruajë për këtë libër se “refuzimi estetik parapërgatit refuzimin e madh politik të shqiptarëve, rezistencën e kësaj bote ndaj represionit të ushtruar nga aparati serb i dhunës”.
“Kalimi nga një refuzim në tjetrin është krejt i natyrshëm dhe për këtë vepra e plotë e Rugovës është model i koherencës së njeriut të ideve dhe të njeriut të veprimit, i ideologut dhe politikanit, i njeriut të rrethanave dhe njeriut largpamës të së ardhmes”.
Emërohet kryeredaktor i revistës shkencore “Gjurmime albanologjike” që e boton Instituti Albanologjik në Prishtinë.
Rugova në një intervistë për gazetën “Bota e re”, duke folur për raportin inteligjencia-shoqëria thotë se “pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor”. Ai thotë se intelektuali në Kosovë një kohë të gjatë është konsideruar si “agjent” i shtetit amë, nga i cili koncept lirohen pak në vitet 1966-1981. Rugova konstaton se “kohëve të fundit po shfaqen tendenca reaksionare dhe shoviniste jashtë Kosovës që intelektuali shqiptar të etiketohet si element ‘antishtetëror’, duke ia mohuar legjitimitetin kombëtar e kulturor në emër të një kozmopolitizmi etatist, të një ortodoksizmi e bizantinizmi primitiv mesjetar të pashembullt në botën bashkëkohore”.
1988
Ibrahim Rugova zgjidhet kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Ishte koha kur politikanët shqiptarë ishin gjunjëzuar para sulmeve të egra të Beogradit dhe vetëm po zbatonin urdhrat e tij. Ishin shkrimtarët që u vunë në mbrojtje të popullit dhe iu kundërvunë propagandës së shfrenuar të regjimit serb.
Rugova bashkë me disa përfaqësues nga Kosova merr pjesë në Beograd në muajin prill në bisedat mes shkrimtarëve serbë e shqiptarë me temë: “Serbët dhe shqiptarët sot në Jugosllavi”.
Ishte koha kur propaganda e regjimit të Beogradit kishte arritur kulmin kundër Kosovës dhe shqiptarëve dhe haptas kërkohej suprimimi i autonomisë së Kosovës, që edhe do të ndodhë një vit më vonë.
Në atë takim Rugova lexon fjalimin e titulluar “Strategjia negative”, në një atmosferë të rëndë, ku kishte shumë publik.
Mes tjerash Rugova thotë se “sot nocioni për Kosovën në Jugosllavi, e sidomos në Serbi, po vdes dita-ditës” dhe se “nuk ka më kuptim njerëzor ndaj ka rënë në shkallën më të ulët të mundshme”. Në anën tjetër, thotë Rugova, serbët krijuan shenjat mbrojtëse si shpërngulja e serbëve, drama kosovare, tragjedia kosovare, eksodi i serbëve, dyndjet e serbëve, dhunimet, përdhosjet, djegiet, dëmet etj., të cilat bëhen etiketa të reja dhe shumë të forta.
Rugova konstaton se ky është “kuptimi i zeros së bardhë” dhe që mbështetet në “kuptimin mitik” dhe “brenda rrafshit të mitologjive moderne”, që bëhen surrogate të ideologjive të ndryshme”. Më tej ai thotë se gjatë shtatë viteve të fundit janë krijuar etiketa të hekurta që i shërbejnë një “strategjie të fshehtë negative siç janë: nacionalizmi shqiptar apo irredentizmi, separatizmi, kundërrevolucioni, gjenocidi, fashizmi, shqiptarofobia, shqiptarizmi, çështja e inteligjencies shqiptare, anarkia eksplorimi popullativ dhe shumë e shumë të tjera”. (Shih I. Rugova: Pavarësia dhe demokracia”, Prishtinë 1991).
Edhe përfaqësuesit e tjerë të Kosovës u kundërvihen shkrimtarëve serbë që sulmonin dhe akuzonin shqiptarët me etiketimet më të ashpra.
Në maj caktohet takimi i ri bisedave serbo-shqiptare, por nuk do të organizohen kurrë.
Në tetor shkrimtarët serbë në Kosovë japin dorëheqje nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës (SHSHK). Rugova dorëheqjet e shkrimtarëve serbë i cilëson si përpjekje për suprimimin e SHSHK dhe si përpjekje që ta kthejnë atë në statusin e një seksioni të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, çfarë ishte më herët.
Në Kosovë vazhdojnë mitingjet serbëve që kishin filluar një vit më parë, kurse në Beograd në nëntor organizohet një miting ku marrin pjesë rreth një milion njerëz në mbështetje të serbëve të Kosovës. Në këtë kohë suprimohet autonomia e Vojvodinës.
1989
Edhe ky vit fillon me ngjarje dramatike. Beogradi po përgatiste suprimimin e autonomisë së Kosovës. Në muajin shkurt minatorët e Trepçës ngujohen në zgafellë në një grevë urie në shenjë proteste kundër këtyre paralajmërimeve dhe kundër disa udhëheqësve shqiptarë që zbatonin verbërisht urdhrat e Beogradit. Pas dhjetë ditësh përfundon greva dhe burgosen shumë prej tyre.
Nënshkruhet Apeli i 212 intelektualëve shqiptarë kundër suprimimit të autonomisë së vitit 1974. Por në vend se të merret parasysh apeli i tyre, ata sulmohen si nacionalistë e separatistë.
Më 23 mars Kuvendi i Kosovës, që ishte rrethuar me forca të mëdha policore dhe me tanke, nën trysninë e madhe miraton ndryshimet kushtetuese me të cilat suprimohet kushtetuta e vitit 1974.
Po atë ditë shpërthejnë demonstrata të mëdha: me dhjetëra të vrarë. Më 28 mars Kuvendi i Serbisë triumfalisht shpall se Serbia është një e tërë. Po atë ditë përsëri demonstrata në Kosovë dhe përsëri me dhjetëra shqiptarë të vrarë. Në Kosovë masa të jashtëzakonshme dhe orë policore. Nga mbarë Jugosllavia dërgohen forca të mëdha policore.
Ibrahim Rugova duke komentuar protestat do t’i deklarojë shtypit italian: “Kjo që po ndodh është kryengritje e popullit kundër dhunës – për shkak të dhunës. Populli lufton për autonomi, për të drejtat e tij”. (L’Unita, Romë 30 mars 1989).
Në fillim të prillit arrestohen mbi 200 intelektualë të profileve të ndryshme nga mbarë Kosova dhe dërgohen në izolim nëpër burgje të ndryshme të Serbisë, ku torturohen në mënyrën më mizore. Askush nuk guxon të flasë dhe të pyesë. Në vend mbisundon një terror i vërtetë. Ibrahim Rugova është i vetmi që publikisht denoncon dhunën dhe terrorin mbi shqiptarët. Pothuajse është i vetëm në selinë e Shoqatës e Shkrimtarëve të Kosovës. Të tjerët heshtin.
Ai vazhdimisht u jep intervista nëpërmjet telefonit gazetarëve të huaj dhe të republikave të veriut të Jugosllavisë që vijnë në Prishtinë.
Gazeta “Veçer” e Mariborit (Slloveni), më 22 prill 1989, shkruan në hyrje të një intervistë me Rugovën: “Më duket se Dr. Ibrahim Rugova ende është i vetmi shqiptar në Kosovë që ka guxim të flasë ashtu siç mendon”.
“Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”, i thotë Rugova gazetarit, i cili habitet se si është e mundur që ende flet kështu. Ndërkaq Rugova parashikon se e ardhmja e Kosovës “do të jetë e rëndë, e tmerrshme, e zezë”.
Kremtimin e serbëve të 600-vjetorit të betejës së humbur të Kosovës nga turqit, Rugova e quan provokim për shqiptarët. “Është thjesht një festë shoviniste serbe”, thotë ai.
Dy ditë para se në Gazimestan afër Prishtinës të vijnë rreth një milionë serbë dhe tërë krerët e Jugosllavisë dhe Serbisë, Ibrahim Rugova do t’i deklarojë gazetës së njohur gjermane “Shpigel” më 26 qershor:
“Nëse Serbia përpiqet për të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë një kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë një populli i vogël. Në të kaluarën sa herë që një popull i vogël është përpjekur të luajë rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e tij”. Pas kësaj deklarate Rugova kërcënohet seriozisht nga pushteti.
Në ditën e kremtimit të betejës së Kosovës, ku kishte folur Millosheviqi, Rugova në banesën e tij i jep intervistë gazetarit të “Zëri të Amerikës” që kishte përcjellë manifestimin e serbëve, në të cilën denoncon kremtimin si shovinist dhe antishqiptar.
Në muret e hyrjes së ndërtesës ku banonte Rugova serbët kishin shkruar një parullë shoviniste e makabër: “Samo mrtav shiptar je dobar shiptar” (Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë).
Rugova në vjeshtë për herë të parë shkon në Nju-Jork, ku merr pjesë dhe flet në një tubim kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit të tij të dashur Pjetër Bogdani.
Në këtë kohë, në vendet e lindjes filluan manifestime të ndryshme dhe nisma të proceseve të pluralizmit. Në tetor bie muri i Berlinit.
Në Jugosllavi fillon pluralizmi partiak dhe formohen partitë e para në republikat veriore.
Ibrahim Rugova vihet në krye të partisë së parë alternative, të themeluar më 23 dhjetor – Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Fillimisht në shtator të atij viti, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore, ranë dakord pothuajse spontanisht që të themelonin një parti politike, e cila do t’i artikulonte kërkesat politike të shqiptarëve dhe do të bëhej nismëtare e proceseve të pluralizmit. Kuvendi themelues u mbajt në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku në atë kohë edhe zhvilloheshin të gjitha aktivitetet jo vetëm letrare por edhe vlimet shoqërore dhe politike.
Në Kuvendin themelues, përveç Këshillit të zgjeruar nismëtar për themelimin e LDK-së, morën pjesë gjithsej 96 veta, të cilët me nënshkrimet e veta dhe me deklarime të lira i vendosën themelet e partisë së parë politike. Megjithëse prezentë ishin disa gazetarë vetëm tri media do të njoftonin për themelimin e LDK-së, ndër të tjera edhe gazeta “Rilindja” me një gjysmëlajmi. Ndërkaq, TV Prishtina e kontrolluar rreptësisht me shtatë ditë vonesë, ndërkohë që lajmi kish marrë dhenë në botë.
Pra, vetëm 9 muaj nga rrënimi me forcë i pozitës kushtetuese të Kosovës nga Beogradi, Rugova vihet në krye të një force të re politike, e cila shumë shpejt do të rritet në një lëvizje të madhe gjithëpopullore, të cilën do ta drejtojë për 16 vjet.
1990
Në LDK shumë shpejt do të aderojnë me mijëra anëtarë. Menjëherë, në fillim të vitit, nis formimi i degëve të saj nëpër Kosovë. Emri i saj bëhet i njohur edhe jashtë kufijve të shtetit. Rugovën nga të katër anët e përgëzojnë. Por në të njëjtën kohë politikanët vendës komunistë dhe sidomos shtypi serb vazhdon sulmet më brutale ndaj Rugovës dhe stigmatizimin e tij, kurse LDK-në e përshkruajnë si organizatë të “separatistëve dhe nacionalistëve” shqiptarë.
Ende vazhdon gjendja e jashtëzakonshme. Gjatë janarit dhe shkurtit shpërthejnë protesta fillimisht në Prishtinë e pastaj edhe në qytetet e tjera. Përsëri me dhjetëra të vrarë, mu sikur vitin e kaluar. Por tani numri i të vrarëve është dyfish më i madh.
Mediat vazhdojnë të jenë të kontrolluara nga pushteti represiv.
Rugova vazhdon të komunikojë vetëm me mediat e huaja dhe ato të veriut të Jugosllavisë (Kroacisë dhe Sllovenisë). Për politikën represive serbe thotë se ka nxjerrë në “sipërfaqe territore, vullnetarë dhe armë” dhe se “satrapët nuk mund të bëhen demokratë”. Në LDK për një muaj anëtarësohen 150 mijë vetë.
I pyetur në shkurt po të këtij viti nga gazeta e njohuri italiane “Corriere della Sera” se cila do të ishte zgjidhja për Jugosllavinë, Rugova thotë “një konfederatë moderne, e bazuar në komunikimin dhe respektimin e diversiteteve”.
Në Beograd dështon Kongresi i komunistëve të Jugosllavisë, pasi përfaqësuesit nga Sllovenia dhe Kroacia braktisin atë. Në Kosovë shqiptarët largohen nga Lidhja e Komunistëve në mënyrë masive, ndërsa nga Lidhja Socialiste kalojnë në LDK.
Por në muajin mars edhe një e keqe godet shqiptarët: shërbimet sekrete serbe dhe ato ushtarake helmojnë nxënësit nëpër shkolla madje edhe nëpër çerdhe. Statistikat shënojnë rreth 7000 nxënës të helmuar.
Në muajin prill Rugova bashkë me një grup, që, siç thuhej atëherë, përfaqësonin alternativën e Kosovës, qëndron në SHBA për të dëshmuar në Kongresin amerikan, ku paraqitën fakte për dhunën që ushtrohej mbi shqiptarët në Kosovë, si burgosjet, vrasjet, izolimet, përjashtimet e njerëzve nga puna, për proceset e montuara politike, për sulmet brutale ndaj kulturës dhe historisë së shqiptarëve etj. Gjatë asaj dëshmie në Kongres përfaqësuesit serbë (në mesin e tyre edhe Dobrica Qosiq dhe disa priftërinj) akuzuan shqiptarët se po djegin manastire se gjoja në Kosovë po zhvillohet luftë fetare se gjoja serbët mbrojnë krishterimin, kurse shqiptarët islamizmin.
Rugova në një intervistë të botuar më 15 në “Fjala”, duke komentuar debatet që zhvillohen në at ë kohë për rregullimin e Jugosllavisë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur kushtetuese apo të pavarësisë, siç do të quhet më vonë, më 2 korrik të atij viti.
Pak më vonë do të deklarojë se “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb).
Më 2 korrik në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe deklaratë për pavarësinë. Më 5 korrik Rugovën e urdhërojnë të paraqitet në polici ku e kërcënojnë.
Regjimi serb menjëherë okupon dhe mbyll TV Prishtinën dhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe “Rilindja” dhe vazhdon me masa edhe më të egra.
Gjatë korrikut Rugova shkon në Parlamentin Evropian si mysafir i Partisë së popujve të vegjël “Arc en Ciele” (Ylberi), ku e zgjedhin anëtar nderi të këtij parlamenti. Gjatë atij sesioni PE miraton edhe një rezolutë për Kosovën.
Rugova në atë kohë, duke folur për afrimin me Shqipërinë, kërkon të mos ketë mure të Berlinit. “Unë do të dëshiroja të shkoja në Shqipëri për të pirë kafe, ashtu siç bëjnë të gjithë evropianët”, thotë ai.
Në fund të muajit gusht në Kosovë vjen një delegacion i senatorëve dhe kongresistëve amerikanë në krye me senatorin Bob Dol. Policia me masa represive e me gaz lotsjellës nuk lejon tubimin e shqiptarëve për t’i përshëndetur mysafirët, madje mezi lejon ardhjen e tyre nga aeroporti deri në hotelin Grand.
Më 7 shtator deputetët miratojnë në Kaçanik edhe Kushtetutën e pavarësisë.
Nga fundi i shtatorit Rugova viziton SHBA-të. Ndërsa ndodhej në Nju-Jork, në Prishtinë, më 29 shtator, i lind vajza Teuta, të cilën e pagëzon nga atje.
1991
Në fillim të vitit Rugova vendos kontakte me personalitetet nga Shqipëria, pas formimit të Partisë Demokratike. Po ashtu në Kosovë qëndron një delegacion i Parlamentit Evropian.
Rugova gjatë kësaj periudhe bën një turne nëpër disa vende të Evropës Perëndimore, viziton Francën, Zvicrën dhe Gjermaninë. Ai do të shprehet se “Kosova në këto qarqe tashmë ka hyrë si temë që kërkon zgjidhje”. Në Zvicër takon përfaqësuesin e PD-së, Gramoz Pashkon, kurse në Paris shkrimtarin Ismail Kadare. Në Gjermani bisedon për Kosovën në Ministrinë e Jashtme të këtij vendi.
Duke folur në një intervistë rreth idesë së bashkimit kombëtar që qarkullonte në atë kohë, Rugova thotë se shqiptarët si qëllim kanë pasur dhe do ta kenë bashkimin, por duhet punuar me mençuri. “Bashkimi me forcë, me dhunë, vështirë tolerohet sot nga Evropa. Por tash për tash të mendojmë dhe ta bëjmë integrimin në kuadër të Evropës. Njëherë për njëherë duhet të njihemi, të shihemi, e pastaj t’i realizojmë kërkesat tona, edhe pse na është thënë se në të dy anët e kufirit, kemi edhe pikëpamje të ndryshme ideologjike. Por këto janë shpifje e gënjeshtra, që u doli boja, sepse nuk është e mundur që një popull të ketë dy ideologji”.
Më 5 maj të këtij viti mbahet edhe Kuvendi i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ibrahim Rugova zgjidhet me aklamacion kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në fund të Kuvendit, në një fjalim përmbyllës, Rugova deklaron se “LDK-ja kontribuoi që sot shqiptarët pa frikë mund të shtrojnë kërkesat politike dhe të gjitha problemet që i preokupojnë, jo vetëm karshi pushtuesit, por kemi arritur që të lirohemi brenda vetvetes”. Ndërkaq për rezistencën paqësore, ai thotë se “kjo rrugë është opsion dhe ide evropiane për zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe të vatrave të krizës në botë”.
Në Deklaratën politike të këtij kuvendi thuhet se “është e drejtë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike të komunikojnë e të bashkëpunojnë në format që i konsiderojnë vetë më të përshtatshme, sikur që është e drejtë e tyre që në hapësirën gjithëshqiptare, në frymën e ecurive të sotme politike e civilizuese evropiane, të bashkëpunojnë të papenguar dhe të kërkojnë që kufiri me Shqipërinë të shndërrohet nga një mur i pengimit në një vijë të takimit e të komunikimit të lirë ndërshqiptar”. Ndërkaq për krizën dhe gjendjen e rëndë në Kosovë thuhet se është “rezultat i agresionit hegjemonist, përmes sulmit brutal ushtarako-policor të pashembullt në historinë e shteteve federale, Serbia, me miratim të Jugosllavisë, shkaktoi vrasje e plagosje, burgosje, ndjekje e persekutime”.
Ibrahim Rugova në muajin korrik zgjidhet kryetar i Këshillit të porsaformuar Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovë. Ky këshill formohet “me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare”.
Më 26-30 shtator mbahet Referendumi me të cilin Kosova shpallet Republikë sovrane dhe e pavarur.
Në muajin tetor miratohet Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit është Ibrahim Rugova. Kjo deklaratë njihet sidomos për tri opsionet e saj për zgjidhjen e çështjes shqiptare.
1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.
Më 19 tetor formohet Qeveria e përkohshme e koalicionit e Republikës së Kosovës dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm në jetën konstitucionale dhe politike.
1992
Më 24 maj, përkundër kërcënimeve të forcave serbe, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës. Me shumicë dërrmuese të votave Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, ndërsa partia e tij LDK fitoi shumicën absolute të vendeve në Parlament. Vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia si dhe vëzhguesit e partive që morën pjesë në zgjedhje i vlerësuan ato demokratike dhe të organizuara mirë. Akti i votimit të lirë, pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime dhe atmosfera e krijuar, u shndërruan në demonstrim dhe manifestim të vullnetit politik për pavarësi dhe demokraci të Kosovës.
Presidenti Rugova merr një telegram urimi nga Ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, i cili, në emër të Gjermanisë, e përgëzon për zgjedhjen e tij President.
Më 15 shtator Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova takohet me ministrin e Jashtëm të Austrisë Alojz Mok nga i cili kërkoi përkrahjen e Austrisë për vendosjen urgjente të misioneve vëzhguese në Kosovë. Alojz Mok nga ana e tij deklaroi se çelësi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës gjendet në respektimin e vullnetit politik të popullit të saj.
Më 6 tetor Presidenti Rugova qëndron në Londër me ftesë të Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe, ku takohet me zyrtarë të lartë të Britanisë.
Në muajin tetor Presidenti Rugova qëndron për vizitë zyrtare në Slloveni ku takohet me Presidentin slloven Milan Kuçan dhe kryemi-nistrin Janez Dërnovshek, ku kërkon përkrahje për zgjidhjen e statusit të Kosovës si shtet neutral dhe të pavarur
Më 22 tetor Presidenti Rugova takohet në Sofje me Presidentin e Bullgarisë Zhele Zhelev, i cili përshëndeti rrugën paqësore që ka marrë Dr. Rugova dhe populli i Kosovës për arritjen e qëllimit me mjete politike dhe potencoi se duhet të respektohet vullneti politik i shqiptarëve.
Në Shkup Presidenti Rugova takohet me Presidentin e Maqedonisë Kiro Gligorov. Të dy Presidentët theksuan se janë të vendosur për gjetjen e mënyrave paqësore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të Maqedonisë.
Më 28 nëntor Presidenti Rugova qëndron në Vlorë në festimin e 80-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai realizon takime me Presidentin Berisha dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar.
Në dhjetor, në Bruksel, Presidenti Ibrahim Rugova takohet me sekretarin e shtetit të Amerikës Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje Pesidentit Rugova si lider i popullit shqiptar për kontributin e tij në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari i shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.
1993
Më 5 shkurt Presidenti Rugova kërkoi që çështja e Kosovës të zhvendoset nga Konferenca e Gjenevës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. “Ne mendojmë se Këshilli i Sigurimit mund ta parandalojë konfliktin dhe mund të gjejë zgjidhje politike për çështjen e Kosovës”, theksoi Presidenti.
Më 16 shkurt Dr. Ibrahim Rugova udhëheq një delegacion nga Kosova, që kishte shkuar në Amerikë me qëllim që të njoftojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtypjen e të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti Rugova bëri publik planin dhjetëpikësh të veprimit për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’u dhënë fund padrejtësive. Për herë të parë kërkon një protektorat civil ndërkombëtar në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në Uashington Presidenti Rugova u prit nga Tomas Najllz, ndihmëssekretar i shtetit për Evropë dhe Kanada si dhe në Komitetin e Kongresit Amerikan për Marrëdhënie me jashtë nga kongresmenët Li Hamilton, Tom Lantos dhe Ben Gilman.
Nga 17 deri më 19 shkurt Presidenti Rugova merr pjesë në tubimin kushtuar problemit të ish-Jugosllavisë të organizuar nga “Qendra Karter” në Atlanta të SHBA-ve.
Më 23 shkurt Presidenti Rugova kërkon në Gjenevë zbatimin e menjëhershëm të rezolutës të miratuar nga OKB-ja dhe të masave preventive për t’i dhënë fund krizës së Kosovës para “sulmit të paevitueshëm ushtarak të forcave serbe”.
Në takimin që Presidenti Rugova pati në Gjenevë më 24 shkurt me zonjën Sadako Ogata, komisare e UNHCR-së, kërkoi që të ndalet rikolonizimi i Kosovës me refugjatë serbë dhe ndryshimi i strukturës etnike të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Francë më 27 shkurt Dr. Rugova u prit nga zëvendësministri për Punë të Jashtme i Francës, Zhorzh Kizhman, ministri i Shëndetësisë Bernar Kushner dhe nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Asamblesë Nacionale Andre Bello. Presidenti i Kosovës, Dr. Rugova kërkoi vendosjen e vëzhguesve të OKB-së në Kosovë, si masë preventive për parandalimin e eskalimit të konfliktit.
Më 11 mars Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Gjatë qëndrimit në Itali ai takon kryeministrin italian Xhuliano d’Amato, nga i cili kërkoi angazhimin e qeverisë italiane për vendosjen e forcave paqeruajtëse në Kosovë si hap i parë për shtensionimin e situatës dhe fillimin e zgjidhjes së krizës.
Më 12 prill Presidenti Rugova pret një delegacion të Kongresit Amerikan në përbërje Eliot Engëll, Sjuzan Molinari, Bill Pakson dhe Pitër King. Kongresistja Molinari falënderoi Presidentin Rugova për, siç tha ajo. “që na keni lejuar të kemi nderin ta mbrojmë kauzën tuaj në Amerikë”.
Më 27 prill gjatë vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti Rugova takohet me të në Tiranë dhe i dhuron një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin.
Në kuadër të vizitës së tij në Suedi, Dr. Ibrahim Rugova u takua më 31 prill në Stokholm me ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, baroneshën Margareta af Uglas. Me këtë rast Dr. Rugova kërkoi që në Kosovë të dërgohen forca paqeruajtëse të OKB-së, të vendoset protektorati i OKB-së në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova gjithashtu u takua edhe me ministren suedeze të Kulturës dhe të Emigracionit, Birgit Frigebo.
Më 4 maj Presidenti Rugova dhe ai i Shqipërisë Berisha u takuan në Tiranë, ku biseduan për mundësitë e zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës.
Më 25 maj Presidenti Rugova takon në selinë e tij në Prishtinë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Vitali Çurkin, i cili e njoftoi Presidentin e Kosovës lidhur me planin për paqe të miratuar në Uashington nga ana e pesë anëtarëve të përhershëm të KS të OKB-së.
Në një letër dërguar më 31 maj Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Butros Butros Galit lidhur me grevën e urisë të gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, Presidenti Rugova shkruan: “Kërkoj nga Ju, zoti Sekretar, që të ndërmerrni aksion konkret për të shpëtuar jetën e grevistëve dhe që të mbroni një të drejtë themelore të një populli të shtypur, që rrugën paqësore e ka pranuar si mjet për zgjidhjen e të gjitha çështjeve”.
Më 11 gusht Dr. Rugova i shkruan letër ambasadores së SHBA-ve në OKB, zonjës Medlin Ollbrajt, të cilën e falënderon për angazhimin e saj për miratimin e rezolutës për vazhdimin e misioneve vëzhguese në Kosovë si dhe kërkon që si preventivë Kombet e Bashkuara të marrin në protektorat Kosovën për të normalizuar jetën dhe evituar konfliktin.
Më 18 gusht policia serbe mban Presidentin Rugova më se një orë në një stacion të policisë në Prishtinë. Ai po kthehej nga një darkë pune më një delegacion të Bundestagut gjerman kur u ndalua dhe u dërgua në stacion policor.
Më 1 tetor, Dr. Rugova i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që sanksionet ndaj Serbisë të kushtëzohen edhe me çështjen e Kosovës. Po ashtu, ai përshëndet kërkesën e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Klaus Kinkel për vendosjen e kontingjentit të OKB-së, si preventivë në Kosovë dhe marrjen e Kosovës nën mbrojtje ndërkombëtare.
“Mund të them se Presidenti Rugova me urtinë, mençurinë, tolerancën e qëndresën, e meriton plotësisht Çmimin Nobel dhe do të ishte në nderin dhe dinjitetin e atij Komiteti që Presidentin Rugova ta laureonte me këtë çmim”, thotë më 19 tetor Presidenti i Shqipërisë Dr. Sali Berisha.
Më 4 nëntor Presidenti Rugova njofton Ministrin e Jashtëm të Francës, Alen Zhype, se nuk mund të udhëtonte për ta takuar pasi autoritetet serbe i kishin mohuar lëshimin e pasaportës,
Presidenti Rugova takon në Tiranë, më 17 nëntor, Presidentin e Shqipërisë Sali Berisha. Të dy Presidentët theksuan se çdo tentativë për heqjen apo lehtësimin e embargos ndaj Serbisë është direkt apo indirekt një nxitje për agresionin e Serbisë. Heqja e embargos ndaj Serbisë, është e domosdoshme të kushtëzohet me zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe pakësimin e potencialit ushtarak të Serbisë në nivelet e lejuara nga KSBE-ja.
Më 24 nëntor Presidenti Rugova flet para deputetëve të grupeve parlamentare në Bundestagun gjerman, ku argumenton kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur e neutral.
Ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Dr. Alojz Mok, pret më 2 dhjetor në Vjenë Dr. Ibrahim Rugovën. Ai thekson se politika e Dr. Rugovës është e drejtë, sepse ka evituar luftën dhe ka ruajtur qenien fizike të popullit të Kosovës. Ministri Mok premton që kjo politikë do të përkrahet.
Sekretari britanik i Shtetit, Dagllas Hog, pret Presidentin Rugova në Foreign Office në Londër. Dagllas Hog dhe Rugova e diskutuan çështjen e Kosovës në aspektin juridik, etnik e historik dhe konstatuan se është i nevojshëm një aksion i shpejtuar ndërkombëtar me qëllim të evitimit të konfliktit. Dr. Rugova argumentoi përcaktimin politik të shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur, neutral dhe të hapur për rajonin e Ballkanit.
Më 13 dhjetor në Romë, ministri i Jashtëm i Italisë, Benjamino Andreata, pret në takim Presidentin e Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. “Ideja për protektorat ndërkombëtar në Kosovë, krahas evitimit të konfliktit, nënkupton edhe krijimin e kushteve për bisedime të barabarta për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës”, deklaron me këtë rast Presidenti i Kosovës. Ndërsa, ministri Andreata përkujton që ia kanë bërë të ditur Beogradit se çështja e Kosovës është një çështje ndërkombëtare që duhet zgjidhur në mënyrë adekuate.
Realizohet më 23 dhjetor takimi i Presidentit Rugova me ministrin e Jashtëm të Francës, Alen Zhype. Presidenti Rugova e njoftoi ministrin Zhype për projektin politik për Kosovën e pavarur e neutrale, duke respektuar vullnetin politik të popullit të Kosovës, të shprehur përmes Referendumit të vitit ’91, duke përsëritur kërkesën për një protektorat ndërkombëtar mbi Kosovën. Franca, tha Zhype, përkrah të drejtat politike të shqiptarëve dhe ajo do të angazhohet që këto të drejta të realizohen
Më 25 dhjetor në Shkup Presidenti i Maqedonisë, Kiro Gligorov takon Presidentin Rugova. Bisedohet për situatën në Kosovë e në Maqedoni.
Më 27 dhjetor pas vizitave zyrtare në Gjermani, Austri, Itali, Britani të Madhe dhe Francë, Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova kthehet në Prishtinë ku deklaron: “Në këto takime u shpreh bindja e të gjithëve për domosdonë e parandalimit të ndonjë të keqeje në Kosovë dhe për kërkimin e një zgjidhjeje politike e paqësore për çështjen e Kosovës, sepse po të shpërthejë ndonjë konflikt në Kosovë do të ishte rrezik për tërë rajonin. Në të gjitha takimet që patëm u theksua se çështja e Kosovës nuk është problem i brendshëm i Serbisë, por çështje ndërkombëtare”
1994
Më 4 shkurt Presidenti i Republikës së Kosovës takon në Uashington Presidentin e SHBA-ve, Bill Klinton. Takimi u zhvillua në hotelin “Hilton” të Uashingtonit, para fillimit të Lutjes kombëtare të mëngjesit, që organizohet për çdo vit në kryeqytetin amerikan. Presidenti amerikan Klinton, nënpresidenti All Gor e personalitete të tjera ndërkombëtare, prezentuan sfidat aktuale dhe ftuan për çaste të prehjes shpirtërore, udhëheqjes morale dhe paqësore të politikës botërore.
Pas kthimit në Prishtinë më 14 shkurt, Presidenti Rugova vlerëson si shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm takimin me Presidentin Klinton, i cili shfaqi shqetësime për gjendjen në Kosovë dhe vlerësoi lart politikën tonë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me mjete politike e në rrugë paqësore. Klinton dhe Al Gor përsëritën qëndrimin se SHBA-të nuk do të lejojnë zgjerimin e konfliktit në Kosovë.
“Unë e kam takuar Presidentin Rugova dhe jam admirues i flakët i tij si dhe i hapave të rëndësishëm që populli i Kosovës i ka bërë për zvogëlimin e mundësive të përhapjes së një dhune me përmasa të gjera. Ne po e vëzhgojmë situatën për së afërmi atje. Për të penguar konfliktin në rajon ne kemi dërguar trupat tona në Maqedoni”, deklaron All Gor më 27 prill.
Në fillim të majit, Dr. Rugova në Prishtinë takon ministrin britanik të Shtetit, Dagllas, i cili thotë se kjo është një vizitë e vullnetit të mirë, qëllimi i së cilës është të gjenden mënyra për dialog dhe për zgjidhje të çështjeve në ish-Jugosllavi, ku çështja e Kosovës ka një rëndësi të veçantë. Rugova thekson se qytetarët e Kosovës e kanë shprehur vullnetin e tyre politik në Referendumin për Kosovën e pavarur dhe neutrale, si dhe përkujton se ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare vendosjen e një protektorati ndërkombëtar civil të përkohshëm mbi Kosovën, me qëllim të evitimit të konfliktit e të normalizimit të jetës dhe të krijimit të kushteve për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës.
Në prill të këtij viti në Paris botohet libri Çështja e Kosovës – biseda me Ibrahim Rugovën nga botuesi i njohur Fayard. Autorë të librit janë Marie Françoise Allain, dhe Xavier Galmiche, me një parathënie të shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare.
Më 19 maj Presidenti Dr. Ibrahim Rugova takohet në Kopenhagë me kryeministrin danez Pol Nyrup Rasmusen, i cili deklaron se e njeh mirë çështjen e Kosovës. Duke i dëshiruar mirëseardhje, kryeministri Rasmusen tha se është i nderuar me këtë takim me Presidentin Rugova dhe se e njeh mirë çështjen e Kosovës.
Më 27 maj, Dr. Rugova takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Bjorn Tore Godal. Rugova thekson se problemi i Kosovës kërkon një zgjidhje urgjente e angazhim konkret dhe përmbajtësor nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.
Në korrik Rugova u shkruan letër pjesëmarrësve të Samitit G-7 në Napoli të Italisë dhe kërkon që të ndërmerren veprime konkrete nga bashkësia ndërkombëtare për t’i dhënë fund politikës serbe të agresionit, okupimit dhe të spastrimit etnik të Kosovës, si dhe demilitarizimin dhe mbrojtjen ndërkombëtare të saj.
Ibrahim Rugova rizgjidhet më 14 korrik kryetar i LDK-së në Kuvendin e Dytë zgjedhor të kësaj partie.
Më 10 nëntor Presidenti Rugova takohet me ministrin e Jashtëm të Holandës Hans van Mierlo. Ministri i Jashtëm holandez shprehu shqetësimin e tij për gjendjen në Kosovë dhe në rajon, duke vënë në pah kontributin e madh të shqiptarëve për ruajtjen e paqes dhe evitimin e konfliktit.
Më 16 nëntor Rugova takohet në Bruksel me kryetarin e Senatit belg, Frank Svilen dhe me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të KSBE-së, kurse disa ditë më vonë me ministrin e Jashtëm të Zvicrës, Flavio Koti. Zvicra është e shqetësuar nga gjendja në Kosovë, thotë ministri zviceran, duke shtuar se vendi i tij është i gatshëm të ofrojë shërbimet e mira në drejtim të dialogut dhe zgjidhjes së duhur të çështjes së Kosovës.
Në fillim të dhjetorit Rugova takohet në Uashington me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Strob Talbot, i cili thekson se ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë, njeh mirë historinë dhe realitetin kosovar dhe se administrata amerikane është e interesuar të pengojë konfliktin dhe të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për Kosovën. Po ashtu, ai zotohet se SHBA do të vazhdojnë presionin e tyre diplomatik për zgjidhjen e problemit të Kosovës, si dhe bashkëpunimin dhe kontaktet me udhëheqjen e Kosovës. Një takim tjetër të rëndësishëm Presidenti Rugova pati me ambasadoren e SHBA në OKB, Medlin Olbrajt, e cila thekson se “vërejtja e Kërshëndellave” e Presidentit Bush drejtuar Beogradit, që është përsëritur edhe nga Presidenti Klinton, qëndron.
Më 17 dhjetor Dr. Rugova takohet në Bon me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Klaus Kinkel. Dr. Rugova thekson se Kosova është nën pushtim klasik dhe aparteid të hapur nga Serbia, kurse Kinkel deklaron se vendi i tij, Gjermania, ndjek me shqetësim zhvillimet e gjendjes në Kosovë dhe veprimet e papranueshme serbe atje.
1995
Në fillim të prillit, Presidenti Rugova takohet me ministrin britanik të Punëve të Jashtme, Dagllas Hërd dhe me sekretarin e Shtetit, Dagllas Hog. Presidenti Rugova thekson se opsioni për Kosovën e pavarur dhe neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, është shprehje e përcaktimit politik të shqiptarëve të Kosovës. Kjo është zgjidhje optimale dhe realiste, që ka bazë edhe në pozitën që ka pasur Kosova në ish-federatën jugosllave, si njësi konstituive e saj. Dagllas Hërd zotohet Londra do të bëjë presion në Beogradin për fillimin e dialogut me përfaqësuesit e Kosovës për zgjidhjen e çështjes së saj. Po ashtu, në Londër Rugova takohet me zonjën Margaret Theçër, ish-kryeministre e Britanisë së Madhe.
Më 26 prill Presidenti Rugova u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë Lena Hjelen – Uallen. Dr. Rugova thekson se zgjidhja më reale dhe më optimale është Kosova e pavarur dhe neutrale. Ndërkaq, Ministrja e suedeze, znj. Uallen thekson se vendi i saj është i brengosur për shkak të gjendjes në Kosovë dhe se ajo është e informuar mirë me situatën në Kosovë dhe në rajon dhe se përkrah një zgjidhje të pranueshme politike për Kosovën.
Më 15 qershor Presidenti Rugova u takua me ministrin e Jashtëm spanjoll Havier Solana ku thekson se vetëm në saje të maturisë dhe sakrificave të mëdha shqiptarët kanë arritur t’i ikin konfliktit të hapur që do të ishte me pasoja të paparashikueshme për tërë rajonin. Kosova e pavarur dhe neutrale është zgjidhje optimale dhe realiste e çështjes. Solana shfaq mirëkuptim për çështjen e Kosovës dhe angazhohet për një zgjidhje paqësore dhe të drejtë të saj.
Më 22 qershor Presidenti Rugova, takohet në Uashington me sekretarin amerikan të Shtetit, Uoren Kristofer. Kristofer thotë se SHBA-të e njohin problemin e Kosovës dhe e siguron Presidentin Rugova se SHBA-të nuk do të qëndrojnë anash në rast të konfliktit në Kosovë. Ai thekson se pa zgjidhjen e pranueshme të çështjes së Kosovës nuk do të ketë heqje definitive të sanksioneve ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Po ashtu, Presidenti Rugova takohet me liderin e shumicës në Senatin amerikan, Robert Dol. Senatori Robert Dol tha se çështja e Kosovës është preokupim i vazhdueshëm i Senatit amerikan dhe se SHBA-të përkrahin të drejtat legjitime të popullit shqiptar të Kosovës.
Më 1 shtator, në një konferencë për shtyp, Presidenti Rugova, në kontekst të integrimeve shqiptare, paralajmëroi se së shpejti do të bisedojë me Presidentin e Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, për fillimin e projektit për ndërtimin e autostradës në rrugën e vjetër Lezhë-Prizren-Prishtinë. Kjo, tha ai, është një arterie kryesore që tradicionalisht ka lidhur Kosovën me bregdetin. Realizimi i këtij projekti kërkon kohë, por duhet të mendojmë për të tashmen dhe të ardhmen – do të nënvizojë Dr. Rugova.
Presidenti Rugova më 22 nëntor nderohet me Çmimin për Paqe dhe Liri i Fondacionit danez PL – FONDEN. Në njoftimin e këtij fondacioni thuhet: “Arsyeja pse çmimi ju jepet sivjet Ju është puna Juaj brilante për paqe dhe liri në Kosovë, si dhe lufta Juaj kundër diskriminimit etnik në rajon”.
Më 7 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës takohet me nobelisten shqiptare Nënë Terezen. Takimi u zhvillua në aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington. “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.
Më 8 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova takohet në Uashington me sekretarin amerikan të Shtetit Uoren Kristofer, i dyti brenda gjashtë muajve. Rugova shfaq shpresën se SHBA-të, pas suksesit diplomatik në Bosnjë, do të angazhohen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës që është çështje kyçe në Ballkan. Uoren Kristofer thekson se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në pozicionin e njohur të artikuluar nga ish-presidenti Bush dhe të ritheksuar nga administrata e Klintonit se nuk do të lejohet konflikti në Kosovë.
Presidenti Rugova takohet më 12 dhjetor me ministrin gjerman Kinkel dhe e njofton për situatën e rëndë në Kosovë dhe për vazhdimin e gjendjes represive dhe të shtypjes së popullit të saj. Ai paraqet qëndrimin rreth zgjidhjes së problemit të Kosovës, të artikuluar përmes Referendumit për Kosovën e pavarur dhe neutrale. Kinkel premton përkrahje politike në institucionet ndërkombëtare për shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ky ishte takimi i dytë i Presidentit Rugova me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme brenda një viti.
1996
12 janar: Dr. Ibrahim Rugova përshëndet paralajmërimin e ndihmës-sekretarit të shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një zyre amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, thekson Rugova dhe shfaq shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapin zyra të tilla në Kosovë.
Në janar, me iniciativë të Komitetit Danez për Kosovën, Komitetit të Nobelit në Oslo iu dërgua kandidatura e Presidentit Rugova për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 1996. Në kërkesën për ndarjen e Çmimit Nobel për Paqe, jepen shënime biografike, shkencore e politike të Presidentit Rugova dhe përfshihen momentet më të rëndësishme politike të viteve të fundit në Kosovë.
Në pranverë, Dr. Ibrahim Rugova zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës (ASHAK).
Presidenti Rugova, bashkë me familjen, merr pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë më 6 qershor. Hapjen e bëri Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum.
Nën presion ndërkombëtar dhe me ndërmjetësim të organizatës Shën Exhidio, në shtator nënshkruhet Marrëveshja për Arsim, gjegjësisht për kthimin e nxënësve dhe studentëve shqiptarë në objektet e tyre shkollore, nga të cilat ishin dëbuar nga regjimi serb më 1991. Kjo marrëveshje, megjithë insistimin dhe trysnitë ndërkombëtare, nuk është realizuar kurrë.
Në dhjetor, Presidenti Rugova nderohet me titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit VIII të Parisit (Sorbonë).
Presidentja e Universitetit Paris VIII, Irene Sokolgarsky, tha për Rugovën: “Dr. Ibrahim Rugova, teoricien dhe kritik letrar para se shqiptarët të goditeshin përsëri nga gjëmat e errëta të historisë evropiane, është përcaktuar për aksion politik në mbrojtjen e ‘ekzistencës’. Po ky nxënës i vjetër i Roland Bartit, i cili ka medituar dhe shkruar shumë mbi relacionet forcë-dije, nuk është angazhuar në një rrugë të çfarëdoshme, por universalizmi i tij është vullneti absolut për të luftuar për të drejtat e njeriut dhe për demokracinë. Kjo e ka shtyrë të praktikojë dhe të bëjë të ndiqet një politikë e mosdhunës, absolute, e cila dukej e parealizueshme në kontekstin e luftës dhe të vlimeve nacionaliste.
I etshëm për tolerancë dhe hapje ndaj Evropës, Universiteti Paris VIII është shumë i nderuar me pranimin në cilësinë e doktorit të nderit të Ibrahim Rugovës, shkrimtar pacifist dhe i guximshëm në rrugën e tij. Të mos pyesim ne sot “se ç’presim nga Ibrahim Rugova”, por më mirë të pyesim “se ç’pret një njeri i tillë nga ne”.
Ndërsa, biografja franceze e Rugovës, Mari Fransoa Alen, deklaron: “Për shkaqe të ndryshme të interesit, shkrimtari, mund të shkruajë për dashurinë, xhelozinë, për dështimin… për Zotin, ka një gjë të vërtetë që ky nuk mund ta evitojë kurrë, kjo është historia – situata sociale, epoka e tij, që njëkohësisht do të thotë vetë politika”.
Rugova është ky lloj shkrimtari që ka pranuar të mbajë mbi supe fatin e popullit të vet; është figurë e jashtëzakonshme, figurë e rrallë pacifisti jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime. Këtë e ka vërtetuar tash shtatë vjet me gjithë pengesat dhe grackat e provokimet që ka. Rugova mban ekuilibrin mu nga ajo se si shkrimtar ka shkruar për përgjegjësinë dhe raportet e së mundshmes dhe pushtetit.”
1997
Në prag të konfliktit të armatosur, Rugova bën thirrje që çështjen e Kosovës ta udhëhiqnin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa për të, si dhe për vendet e tjera të Evropës Juglindore, të vendosej aty dhe në Bruksel, krahas kryeqendrave të tjera.
„Kërkojmë që çështjen e Kosovës ta udhëheqin SHBA-të, në bashkëpunim me BE-në në bazë të vullnetit politik të popullit të Kosovës për pavarësi e liri“.
Rugova përsëriti dhe një herë qëndrimin e tij të njohur për pavarësi të vendit si opsionin më të mirë, por thekson se Kosova duhet përkohësisht të jetë e hapur ndaj Shqipërisë dhe ndaj Serbisë, por po kështu ajo duhet të jetë e hapur veçmas ndaj SHBA-ve. “Kosova shtet i pavarur dhe neutral, i hapur ndaj Serbisë dhe ndaj Shqipërisë, me të gjitha garancitë për serbët lokalë, me një protektorat civil ndërkombëtar, si fazë kalimtare, është zgjidhje optimale, e cila do të qetësonte rajonin”.
Në fillim të vitit Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për Kosovën, në të cilën bëhej thirrje për ndaljen e represionit serb, vazhdimin e sanksioneve ndaj Serbisë dhe hapjen e një zyreje të BE-së në Prishtinë. Rugova bënte thirrje në atë kohë për masa preventive dhe për prani civile ndërkombëtare në Kosovë.
Rugova përsëri kërkon hapjen e një zyre të BE-së në Kosovë.
Në pranverën e këtij viti shpërthejnë trazira të mëdha në Shqipëri dhe vendi ndodhet buzë luftës qytetare, kurse shteti pothuajse po përmbysej, në një kohë kur Kosovës po i shtohej dhuna e egër e regjimit të Beogradit.
Rugova shpreh shqetësimet me zhvillimet e atjeshme dhe bën apel për gjakftohtësi. Për shkak të të gjitha atyre që po ndodhnin në Shqipëri, do t’i thotë si në shaka zyrtarit të lartë amerikan Xhon Kornblum në Prishtinë se opsioni momental për Kosovën do të ishte “Kosova e mbyllur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë dhe e hapur ndaj SHBA-ve”.
Në maj Rugova bëri thirrje për anëtarësim të Kosovës si vend i pavarur në NATO.
Ndërkohë, si duket i inkurajuar me ato që po ndodhnin në Shqipëri, njëri nga krerët e institucioneve të Kosovës, sulmon me fjalë brutale Rugovën. I pyetur nga gazetarët për këtë sulm, ai vetëm do të thotë: “Dikush duhet të mbajë shtëpi, edhe kur i ka meshkujt e këqij”!
Në fillim të shtatorit shkon për vizitë në Gjermani ku takon për të satën herë ministrin e Jashtëm, Klaus Kinkel, dhe rithekson se “Kosova shtet i pavarur dhe neutral, i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, me të gjitha garancitë për serbët lokalë, me një protektorat civil ndërkombëtar, si fazë kalimtare, është zgjidhja optimale, e cila do të qetësonte gjithë rajonin e Evropës Juglindore”. Ndërkaq Kinkel deklaron se Kosova nuk do të jetë problem i brendshëm i Serbisë dhe se “Gjermania assesi nuk do ta harrojë popullin e Kosovës. Në të ardhmen do të angazhohemi më fuqishëm për Kosovën”.
Në shtator të këtij viti ai vihet në mbrojtje të studentëve dhe të rinisë, të cilët protestonin ndaj dhunës serbe. “Studentët dhe të rinjtë e Kosovës janë brez me guxim dhe me kulturë politike dhe shtetërore”, deklaronte ai, duke i mohuar zërat se ai nuk i përkrahte protestat e studentëve ndaj diskriminimit serb.
Sipas kultit të traditës ai e shpalli Nënën Tereze “nënë të njerëzimit, qytetare të parë të nderit të Republikës së Kosovës e simbol të kombit shqiptar”.
Në shtator ai përkufizon të drejtën e përfaqësuesve legjitimë të Kosovës për llojin e bisedave me Serbinë, duke i paraprirë qëndrimit të institucioneve për bisedimet e përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare në Vjenë, gjashtë vjet më vonë. “Me serbët do të bisedojmë vetëm për jetësimin e shtetit të Kosovës”, thoshte ai.
Presidenti Rugova më 22 nëntor deklaron se “me fuqinë tonë kemi arritur të mbijetojmë dhe që Kosova të mbetet plot”. “Mund të flasim, të kritikojmë, por duhet të jemi fanatikë në përcaktimet tona për pavarësi”, thotë ai në një intervistë.
Në fund të vitit Rugova ripërcakton edhe një herë frymën e lëvizjes së viteve ’90, duke e shquar si përcaktim të vetëm ndërtimin e shtetit dhe të rendit demokratik, si kundërvënie ndaj dhunës, të cilën e ushtronte Serbia.
Ibrahim Rugova në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës më 28 dhjetor të këtij viti shpall zgjedhjet e dyta parlamentare dhe presidenciale për datën 22 mars 1998.
1998
Në fillim të vitit Presidenti Rugova këmbëngul që lëvizja demokratike kishte ruajtur më të çmueshmen – substancën etnike – dhe se kishte ndërtuar shoqërinë civile në një lëvizje pa dhunë, që e ka evituar konfliktin.
Rugova më 25 shkurt në Kuvendin III rizgjidhet kryetar i LDK-së, gjatë punimeve të të cilit një grup braktis partinë i pakënaqur me ndryshimet në statut që i jepnin të drejtë kryetarit që të propozonte dy të tretat e anëtarëve të listës nismëtare për Këshillin e Përgjithshëm.
Më 9 mars, Ibrahim Rugova në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës shpall dy ditë zie për viktimat e terrorit serb në Prekaz e Llaushë të Drenicës.
Dr. Ibrahim Rugova rizgjidhet President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.
Rugova u dërgon një apel Presidentit amerikan Klinton, kryeministrit britanik Bler, Presidentit francez Shirak dhe kancelarit gjerman Kol për të bërë presion mbi Beogradin që të ndërpresë sulmet e policisë dhe të ushtrisë serbe në Drenicë. Ai është në kontakt të vazhdueshëm me qendrat vendimmarrëse të botës për masat preventive në Kosovë.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare më 22 mars, Kongresi Amerikan miraton një rezolute, në të cilën krahas kërkesës që SHBA-të të mos lejojnë të përsëritet një Bosnje tjetër në Ballkan, kërkohet që zgjedhjet në Kosovë të mos pengohen. Ndërkaq ndihmëssekretari i Shtetit, Strob Talbot deklaron: “Ne kemi një shprehje në anglisht: “zgjedhje në hije”. Por, ne presim me padurim që kosovarët të mbajnë zgjedhje në dritën e diellit”.
Më 29 maj Presidenti Rugova në Uashington takohet me Presidentin amerikan Bill Klinton. Pas takimit ai deklaron: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërkaq Klinton thotë se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s. Me insistimin dhe organizimin amerikan Rugova shkon në Beograd dhe takohet me Millosheviqin më 15 maj.
Më 19 korrik konstituohet Parlamenti i Republikës së Kosovës, në të cilin Presidenti i Republikës, Dr. Ibrahim Rugova, premton se “tërë fuqinë e tij do t’ia kushtojë arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë së Kosovës”.
Në shtator nga Gjermania jep një deklaratë me rastin e vdekjes së Nënës Terezë, të cilën e vlerëson si “Nënë shqiptare dhe Nënë të njerëzimit, qytetaren e parë nderi të Republikës së Kosovës, simbol të kombit shqiptar, që vjen nga thellësitë iliro-shqiptare, duke bërë dritë me kurorën e saj në epokën tonë”.
Më 22 tetor jepet njoftimi nga Parlamenti Evropian se Ibrahim Rugova është laureat i Çmimit Saharov. Rugova të nesërmen deklaron se “kjo vjen në ditët e vështira për Kosovën dhe është një nderim për popullin dhe gjithë qytetarët e Kosovës”. “Kjo është një mirënjohje për rezistencën paqësore të popullit të Kosovës për liri, pavarësi, demokraci si dhe për sakrificat e tij”.
Më 13 dhjetor shkon në Paris ku kryeministri francez Lionel Zhospen ia dorëzon Çmimin e Francës për Drejtat e Njeriut. Me atë rast takon edhe Presidentin francez, Zhak Shirak, si dhe sekretaren amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt.
Presidentit Rugova i dorëzohet çmimi “Saharov” i Parlamentit Evropian më 16 dhjetor. “Pavarësia e Kosovës do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Së pari do të qetësonte Shqipërinë, Maqedoninë madje edhe Serbinë. Pra do të ishte një faktor stabilizues në rajon. Po punojmë në një marrëveshje kalimtare për Kosovën, e cila do të qetësonte gjendjen, do të linte derën e hapur për të ardhmen e saj”, tha ai në ceremoninë e marrjes së çmimit. Nërkaq dy ditë më vonë në Pragë e merr çmimin “Homo homini”.
1999
Pas intensifikimit të përgatitjeve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit, më 6 shkurt fillon Konferenca e Rambujesë. Kosova përfaqësohet nga i gjithë spektri politik e ushtarak. Konferenca mbaron më 23 shkurt pa rezultate përfundimtare. Thirret vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris. Ndërkohë, Presidenti Ibrahim Rugova kthehet në Prishtinë.
Në mes të marsit, Rugova dhe përfaqësuesit e tjerë të Kosovë, nënshkruajnë Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën. Pala serbe refuzon ta nënshkruajë. Hapet rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë. Mirëpo kjo periudhë në mes të dy takimeve të Rambujesë dhe Parisit shfrytëzohet nga regjimi i Beogradit për të sjellë trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake shtesë. Numri i forcave serbe, në kulmin e luftës, sipas vlerësimeve të kohës, mund të ketë arritur në 130.000.
Presidenti Ibrahim Rugova kthehet në Prishtinë më 21 mars. Më 24 mars fillon fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.
Më 31 mars, forcat policore serbe hyjnë forcërisht në rezidencën e Presidentit Rugova, duke mbajtur atë dhe familjen e tij në arrest shtëpiak deri më 5 maj.
Në të njëjtën kohë Serbia vazhdoi me intensitet të shtuar spastrimin etnik të Kosovës, duke i përzënë afër një milion shqiptarë nga Kosova.
Më 1 prill Presidentin Rugova e detyrojnë të takohet me Presidentin serb Millosheviq, pamje të të cilit u dhanë në televizionin shtetëror serb për qëllime propagandistike dhe diskreditimin e personalitetit të Ibrahim Rugovës.
Më 5 maj, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash të Qeverisë italiane dhe të Selisë të Shenjtë, Rugova së bashku me familjen largohet për në Itali.
Me t’u vendosur në Itali, Papa Gjon Pali II e pret në audiencë Presidentin Rugova së bashku me familjen. Nga Italia nis aktivitetin e tij intensiv diplomatik për çështjen e Kosovës. Kërkon intensifikimin e fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë.
Gjatë muajit maj Presidenti Rugova takon kryeministrin britanik Bler, kancelarin gjerman Shrëder, shefin e diplomacisë franceze Vedrin, Sekretaren e Shtetit të Amerikës Ollbrajt.. Ndërkaq, në qershor viziton Spanjën dhe takon Mbretin Huan Karlos, dhe Kryeministrin spanjoll Aznar. Po ashtu, në qershor viziton shtabin e NATO-s në Mons të Belgjikës, ku takohet me Sekretarin e Përgjithshëm, Havier Solanën, dhe komandantin e NATO-s, Ueslli Klark.
Po ashtu gjatë muajit maj Presidenti viziton refugjatët kosovarë të luftës në Gjermani, Itali dhe Maqedoni.
Presidenti Rugova, në fund të qershorit, merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Krans Montanës në Zvicër, ku i jepet Çmimi i këtij Forumi, Çmimi i “Fondacionit 1999”. Rugova deklaron se “ky është lajm i mirë për mua dhe për popullin e Kosovës, lajm i dytë pas atij të vendosjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe kthimit të popullatës kosovare në shtëpitë e veta”.
Në diskutimin e vet në Forum, Rugova flet për nevojën e rindërtimit të Kosovës së shkatërruar nga lufta “rindërtim ky politik, demokratik, ekonomik, social e fizik, sepse, siç e dini, Kosova ka pësuar shkatërrime të mëdha”.
Presidenti Rugova u takua më 29 korrik në Romë me sekretaren amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt.
Pas qëndrimit të tij gati tremujor në Itali (për shkurt edhe në Gjermani), Presidenti Rugova kthehet më 15 korrik për një ditë në Prishtinë, i pritur përzemërsisht nga mijëra qytetarë prej Hanit të Elezit deri në Prishtinë. Këtu u takua me administratorin e parë të OKB-së në Kosovë, Serxho de Mello. I përshëndetur nga mijëra njerëz përgjatë rrugës nga kufiri me Maqedoninë, e sidomos në Han të Elezit e në Ferizaj, Dr. Rugova mbërriti rreth orës 12.50 para selisë së UNMIK-ut në Prishtinë, ku u prit me brohoritje dhe entuziazëm nga disa mijëra banorë të Prishtinës. Për ta pritur Presidentin Rugova kishin dalë edhe anëtarë të Kryesisë së LDK-së, bashkëpunëtorë të Dr. Rugovës, drejtues të Kuvendit të Kosovës, drejtues të partive politike etj.
Masa e tubuar para selisë së UNMIK-ut mbante portrete të Dr. Rugovës dhe brohoriste “Rugova-Rugova”, “Rugova-NATO”, “USA” etj. si dhe këndonte këngën “Besa-besë”. Një veturë me një fotopankartë të Presidentit Rugova qarkulloi rrugëve të Prishtinës, e përshëndetur nga banorët dhe kalimtarët.
Presidenti Rugova me të arritur në Prishtinë takohet me përfaqësuesin e posaçëm të OKB-së për Kosovën, Serxho De Mello dhe bisedon me të për gjendjen më të re në Kosovë.
Presidenti Ibrahim Rugova takon më 15 korrik në Prishtinë me administratorin civil të OKB-së në Kosovë, Bernar Kushner, i cili ka ardhur në Kosovë për të marrë detyrën e re.
Presidenti takon më 15 korrik edhe me komandantin e forcave të KFOR-it, gjeneralin Majk Xhekson.
Më 31 korrik Presidenti Ibrahim Rugova takon në Prishtinë kryeministrin e Britanisë së Madhe Toni Bler, i cili ka ardhur për vizitë në Kosovë. Rugova e falënderon përzemërsisht kryeministrin Toni Bler dhe Britaninë e Madhe për përkrahjen e gjithanshme që i dhanë Kosovës dhe për angazhimet e tyre të pakursyera politike e ushtarake në kuadër të forcave të NATO-s.
Në një konferencë për gazetarë, mbajtur 24 shtator në Prishtinë, Presidenti Rugova nënvizon se formimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës është një ngjarje me rëndësi në Kosovën e lirë dhe shton se inteligjencia ushtarake e Kosovës do të ketë mundësi që të zhvillohet më tej. Po ashtu, të rinjtë e Kosovës do të kenë mundësi që të ushtrohen në këto trupa dhe t’i kontribuojnë zhvillimit demokratik të Kosovës. Ky është një transformim pozitiv i UÇK-së dhe i inteligjencës sonë ushtarake, konstatoi Presidenti Rugova.
Në të njëjtën ditë, President Rugova përshëndet fillimin e punës së Radiotelevizionit të Kosovës.
Në gusht, Presidenti Rugova, në një intervistë për të përjavshmen autoritative gjermane “Der Spiegel”, tha se pavarësisht se kush do të sundojë në Jugosllavi, Kosova do të jetë e pavarur.
“Pa marrë parasysh se në Jugosllavi do të sundojë Millosheviqi apo opozita, Kosova do të jetë e pavarur”. Presidenti Rugova shtoi se statusi aktual i Kosovës, në të vërtetë, është një shkallë që i paraprin pavarësisë së Kosovës.
Më 2 shtator, Presidenti Ibrahim Rugova bisedoi me ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Sharping për gjendjen më të re në Kosovë dhe për bashkëpunimin e subjekteve politike me faktorët civilë dhe ushtarakë ndërkombëtarë në Kosovë.
Presidenti Rugova takohet me 13 gusht me kryekomandantin e forcave të NATO-s për Evropë, gjeneralin Ueslli Klark.
“Nuk është e vërtetë se në Kosovë është krijuar një klimë fashiste. Unë këtë fjalë as që dua ta përmend. Atë duhet ta hedhin poshtë edhe gazetarët, edhe qytetarët edhe forcat politike, edhe institucionet në Kosovë. Nëse flitet për rastet e dhunës, që bëhen nga personat e papërgjegjshëm, ne po i ndërmarrim të gjitha masat bashkë me aktivistët tanë që i kemi në terren”, theksoi Presidenti Rugova në një konferencë për shtyp më 20 gusht, në përgjigje të konstatimeve të një publicisti se “është krijuar një klimë fashiste” në Kosovë.
Në tetor, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, viziton Kosovën. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova vlerësoi se njohja e pavarësisë së Kosovës është zgjidhje e vetme reale politike. Në një intervistë që nga fundi i nëntorit u dha të përditshmes polake “Rzeczpospolita”, Rugova ka hedhur poshtë konfederatën ndërmjet Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës. “Kemi pasur federatën e mbretërisë dhe atë komuniste, që me dekada ka ekzistuar dhunshëm”, shtoi Rugova, duke shtuar se “nuk mund të merret parasysh kurrfarë varësie e Kosovës nga Beogradi”.
Më, 25 nëntor në Paris, Presidenti Ibrahim Rugova, pas përfundimit të forumit “Ballkani nga stabiliteti tek ndërtimi”, nënvizoi se zgjidhja e vetme e drejtë dhe që do ta qetësonte rajonin është pavarësia e Kosovës. “Kombinimet nuk kanë pasur sukses asnjëherë në Ballkan, prandaj duhet të bëjmë zgjidhje të qëndrueshme dhe të gjitha shtetet që dalin nga ish-Jugosllavia duhet të lidhen drejtpërsëdrejti me Brukselin”.
Nuk dëshiron të deklarojë shumë gjëra për fatin e tij gjatë luftës. Atyre që atë e shihnin si humbës politik ai u përgjigjet preras: “Unë jam President i Kosovës”. Zgjedhjet e para nacionale të vitit 2001 e rikonfirmuan fuqinë e tij politike: ai u zgjodh President i parë i vendit në Kosovën e pasluftës.
2000
21 janar: Presidenti Rugova takohet me shefin e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë së UE-së, Havier Solana.
31 janar: Në Prishtinë mbahet mbledhja e pestë plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën, mes tjerash, u shqyrtua raporti i punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për periudhën 1991-2000. Presidenti i Republikës, Dr. Ibrahim Rugova, i drejtohet Kuvendit më një fjalë rasti. Ai tha se çështje me rëndësi të veçantë dhe që hap perspektivë është formimi i strukturave të përbashkëta me UNMIK-un. “Ne e bëmë këtë hap me qëllim që Kosova dhe UNMIK-u të jenë më efikas në ndërtimin institucional, ekonomik e social të vendit tonë”. Këto struktura të përbashkëta do të funksionojnë deri në zgjedhjet e reja nacionale e lokale në Kosovë, tha ai.
8 prill: Në ditën e parë të takimit në Budapest, ku debatohet në temën “Shqiptarët dhe fqinjët e tyre”, bashkëkryesuesi i Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës (KPA) dhe kryetari i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, u deklaroi gazetarëve se pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë si për situatën në rajon, përkatësisht në Shqipëri, në Maqedoni, në Shqipëri si dhe në vetë Serbinë, ndonëse këtë Beogradi me këmbëngulje e refuzon.
Prill: në një intervistë për “Botën Sot”, pasi foli për Këshillin e Përkohshëm Administrativ të Kosovës (KPA) si për një Qeveri të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova tha se pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ në Kosovë e ka Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Bernar Kushner. Por, është bërë një përpjekje që në këtë pushtet apo administrim civil ndërkombëtar të marrin pjesë edhe kosovarët, në mënyrë që qeverisja të jetë sa më e efektshme, tha ai
Lidhur me heqjen dorë nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, Rugova tha se “heqjen dorë nga institucioni i Presidentit të shtetit, ju them me sinqeritetin më të madh, e kam bërë për të mirën e popullit të Kosovës. Siç e dini, unë jam zgjedhur President i shtetit të Kosovës me votime të drejtpërdrejta nga populli i Kosovës. Por, kemi dashur të formojmë struktura të përbashkëta të qeverisjes së përkohshme deri në zgjedhjet e reja në Kosovë dhe e falënderoj popullin për mirëkuptim”, tha Dr. Rugova.
Prill – “Tashmë ne jemi jashtë Jugosllavisë”, thotë kryetari i LDK-së në një intervistë revistës së njohur “Der Spiegel”. Duke komentuar Rezolutën e OKB-së 1244, Rugova tha: “Ky ka qenë një kompromis i madh për të përfunduar lufta në Kosovë. Në të nuk është përjashtuar pavarësia e ardhshme. Dyert për këtë janë të hapura. Çdo gjë tjetër përveç pavarësisë për ne është e papranueshme… nëse bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, këmbëngul në integrimin e Kosovës në Jugosllavi, do të ketë një luftë të ardhshme. Ne të gjithë, pra i gjithë populli kosovar, do të ngriteshim në barrikada. Përveç kësaj, do të paraqiteshin edhe qarqe politike në Kosovë, të cilat do të kërkonin bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet. Në Maqedoni momentalisht 30 për qind e popullsisë është shqiptare. Edhe në Mal të Zi po shtohet numri i shqiptarëve. Ne jemi një popull i ndarë”.
19 maj: Në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës (KPAK), të cilin e drejtoi z. Bernar Kushner, u debatua për privatizimin e ekonomisë së Kosovës. Kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, përkrahu procesin e privatizimin. Përmes tij, hapen perspektiva të reja për investime dhe për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, u tha Rugova gazetarëve.
12 qershor: Me rastin e 12 qershorit, ditës së hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova i dha një deklaratë Radio-Televizionit të Kosovës (RTK), në të cilën thuhet: “Dita e 12 qershorit është ditë e lirisë së Kosovës, dita e hyrjes së NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë, dita e kthimit të popullit të Kosovës në vendin e vet”. Rugova kërkoi angazhim për ndërtimin e lirisë, të demokracisë dhe të pavarësisë së Kosovës.
15 qershor: Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vizitoi qytetin e Gjilanit. Kjo është vizita e tij e parë një komune dhe një dege të LDK-së brenda kësaj dekade. Vizita e rikonfirmoi popullaritetin e madh të Rugovës te populli i kësaj ane. Lideri i LDK-së arriti pikërisht në orën 9.30 para selisë së degës së LDK-së në Gjilan. Aty kishin dalë për ta pritur shumë aktivistë dhe simpatizantë të LDK-së, duke brohoritur Rugova-Rugova, Rugova-Berisha, Rugova-Kosova.
24 maj 2000: Me ftesë të Komitetit për Politikë të Jashtme të Asamblesë Kombëtare të Francës, kryetari i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, foli për zgjidhjen politike të çështjes së Kosovës. Rugova theksoi se pavarësia e Kosovës do t’i qetësonte shqiptarët dhe do t’ia bënte të qartë Beogradit se Kosova është e humbur për të përgjithmonë.
19 qershor: Përfaqësuesit e zyrave të pesë vendeve të Grupit të Kontaktit në Prishtinë u takuan me anëtarët e Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës. Përfaqësuesit nga SHBA, Anglia, Franca, Italia dhe Gjermania dhe anëtarët e KPA-së diskutuan për mundësitë e hartimit të një kushtetute të përkohshme për Kosovën, për përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet lokale, si dhe për mundësitë e caktimit të një date të përafërt për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Dr. Rugova tha se LDK-ja angazhohet për një sistem të kombinuar të sistemit proporcional me atë mazhoritar.
1 korrik: Kryetari i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, viziton qytetin e Podujevës. Mijëra qytetarë nga Podujeva dhe fshatrat përreth që nga orët e mëngjesit kishin mbushur rrugët e qytetit për të pritur kryetarin e LDK-së dhe bashkëkryesuesin e KPA-së. Dr. Rugova mbërrin në Podujevë në mesditë, i shoqëruar nga Kolë Berisha, nënkryetar dhe Sabri Hamiti, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, si dhe nga këshilltarët Xhemail Mustafa dhe Skender Hyseni. Mijëra llapjanë mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe fotografi të Dr. Rugovës, duke brohoritur emrin e tij. Para mijëra qytetarëve, Rugova tha: “Kam kënaqësinë që sot ndodhem në Podujevën e lirë. Ju ishit ata të cilët luftuat dhe sakrifikuat për këtë tokë të lirë. Llapjanët dhanë shumë dëshmorë për lirinë e Kosovës.
Rugova në varrezat e fshatit Bradash të kësaj komune vuri kurora lulesh mbi varrin e Enver Malokut, ish-shef i Qendrës për Informim të Kosovës dhe bashkëpunëtor i tij i ngushtë.
9 korrik: Në orën 23.00, në afërsi të rezidencës së Presidentit Rugova, në lagjen “Velania”, nga një veturë në lëvizje persona të panjohur shtien me armë zjarri në dy raste. Raste të ngjashme në afërsi të rezidencës së Presidentit Rugova ka pasur edhe më parë, si në muajin tetor të vitit 1999.
26 korrik: Pas Konferencës katërditëshe në Early House afër Uashingtonit, u nënshkrua një deklaratë me titull: Pakti kundër dhunës, midis përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre serbë që e organizoi Instituti Amerikan për Paqe. Deklaratën e nënshkruan të gjithë pjesëmarrësit sipas radhës alfabetike, por vetëm si individë dhe jo në emër të ndonjë partie.
27 korrik: Pas përfundimit të konferencës në Early House afër Uashingtonit Dr. Ibrahim Rugova, bashkë me një pjesë të delegacionit të shqiptarëve, pati takime me ndihmëssekretarin e shtetit Tomas Pikering dhe me këshilltarin e Medlin Ollbrajtit, Xhems O’Brajan. Rugova pati një takim të veçantë e të përzemërt në Uashington me ambasadorin e SHBA-ve në OKB, Riçard Hollbruk.
29 gusht: Rugova, bisedoi me kryesuesin e Komisionit ndërkombëtar për personat e zhdukur, Robert Dol. Takimi u mbajt në Zyrën amerikane në Prishtinën dhe aty ishte i pranishëm edhe shefi i kësaj zyre, Kristofer Dell.
31 gusht: Kryetari i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, takohet në Prishtinë me Komisionerin për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë i BE-së, Havier Solana. Në takim u bisedua për gjendjen më të re politike e të sigurisë në Kosovë dhe për domosdonë e një procesi zgjedhor tolerant dhe demokratik.
28 tetor: Mbahen zgjedhjet e para lokale në Kosovën e pasluftës. LDK-ja e prirë nga Rugova fiton 58 për qind të votave dhe pushtetin në shumicën dërmuese të komunave të Kosovës gjatë zgjedhjeve të sponsorizuara ndërkombëtarisht.
23 nëntor: Në Prishtinë, në një atentat, u vra Xhemail Mustafa, këshilltar i Rugovës, bashkëpunëtor shumëvjeçar i tij.
2001
Më 26 janar Hans Hakerup dha Dokumentin e parë të Udhëtimit (pasaportën), lëshuar nga UNMIK-u. Marrësi i parë është Ibrahim Rugova.
Më 1 shkurt, për të zgjidhur një problem në skajin e ndarë të Kosovës, në Mitrovicë, një plan katërpikësh e nënshkruan Hans Hakerup, Karlo Kabixhiozu dhe liderët shqiptarë të përfaqësuar nga Këshillin e Përkohshëm Administrative (KPA), Rugova, Thaçi dhe Haradinaj.
Më 22 prill, Korniza Kushtetuese e Kosovës i dorëzohet KPA-së, e panënshkruar dhe pa pajtimin mes liderëve e ekspertëve vendës me ata ndërkombëtarë. PSSP Hakerup e nënshkroi këtë Kornizë, e cila mundësoi formimin e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse (IPVQ), më 15 maj, një ditë pasi që kishte shpallur se zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të mbaheshin më 17 nëntor 2001.
Në tetor fillon fushata zgjedhore, pasi është shpërndarë Këshilli Tranzitor i Kosovës (KTK).
Liderët shqiptarë nuk e dinë çfarë përmban marrëveshja UNMIK-Beograd për të kandisur serbët që të dalin në zgjedhje, e arritur në mes të PSSP Hakerup dhe nënkryetarit të Qeverisë së Serbisë, Çoviq. Ky dokument u nënshkrua më 5 nëntor. Kur shpaloset, Rugova, në takim me kryetarët e degëve të LDK-së, e quan të papranueshëm këtë dokument.
Më 17 nëntor mbahen zgjedhjet e përgjithshme (parlamentare) në Kosovë, të vëzhguara nga ndërkombëtarët. dy ditë më vonë OSBE shpall rezultatet e zgjedhjeve: LDK 46 për qind, PDK 26 për qind, AAK 8 për qind… Është hera e dytë që LDK-ja, e prirë nga Dr. Ibrahim Rugova, i fiton zgjedhjet në Kosovën e pasluftës. Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nacionale të mbajtura më 17 nëntor të vitit 2001 në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e prirë nga Dr. Ibrahim Rugova, ka fituar 45.65 për qind të votave, ose 359,851 vota, gjegjësisht 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Më 28 nëntor, në Prishtinë vendoset shtatorja e Skënderbeut. Kishte me dhjetëra mijëra pjesëmarrës. Rugova mban një fjalim në manifestimin që shpërfaq divergjencat në mes politikanëve shqiptarë. Opozita nuk merr pjesë në manifestim.
Në fillim të dhjetorit, Rugova takohet me Hashim Thaçin e Ramush Haradinajn në përpjekje për të gjetur formulën e qeverisjes mbi bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 17 nëntori. Pa rezultat.
Më 10 dhjetor konstituohet Kuvendi i Kosovës. Seanca e parë e pasuksesshme, liderët shqiptarë pa marrëveshje mes tyre.
Tri ditë më vonë vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës: Rugova nuk fiton votat për President të Kosovës. Seanca e re e Kuvendit shtyhet deri në fillim të janarit.
2002
As vazhdimi i tretë i seancës së parë të Parlamentit të Kosovës, mbajtur më 10 janar, nuk zgjedh Presidentin e Kosovës. Kjo do të bëhet në fillim të marsit.
Ibrahim Rugova mban fjalë rasti në ceremonitë e rivarrimit të Gërvallajve në Dubovik më 24 shkurt. Stuhi moti të keq përcjell këtë ngjarje, por edhe kundërthënie të shkaktuara nga anëtarë të familjeve Gërvalla.
Më 28 shkurt, Në rezidencën e tij në Prishtinë, PSSP-ja i ri, gjermani Mihail Shtajner, takon Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacin, në të cilën kërkohej formula për zgjedhjen e Presidentit dhe të Qeverisë së Kosovës. Aty nënshkruhet marrëveshja politike për ngritjen e institucioneve të Kosovës.
Më 4 mars, në një seancë të Kuvendit të Kosovës, Kosova plotëson strukturën e lartë pushtetore të vendit. Kuvendi i Kosovës zgjedh për President të vendit Dr. Ibrahim Rugovën, dhe për kryeministër Bajram Rexhepin. Ai që njihej si Kryetari Rugova dhe Kryetari i Republikës së Kosovës për një dekadë, bëhej tani President i njohur ndërkombëtarisht i Kosovës.
Më 12 prill, Presidentit Rugova pret në rezidencën e vet për një takim të përbashkët PSSP Shtajner, Komandantin e KFOR-it, Valenten, Kryeministrin Rexhepi e Kryetarin e Kuvendit, Nexhat Dacin.
Me përshëndetjen “mirë se erdhe, gjeneral”, më 16 prill, Presidenti Rugova pret për herë të parë komandantin e TMK-së, gjenerallejtënant Agim Çekun.
Më 3 maj, Presidenti Rugova nis dëshminë e tij kundër ish-diktatorit serb Millosheviq në Tribunalin e Hagës. Dëshmia mbaron më 6 maj. “Serbia deshi ta shkatërrojë me luftë Kosovën dhe shqiptarët…Unë kurrë nuk kam pasur frikë dhe nuk jam ndier i rrezikuar nga UÇK-ja”, thotë Rugova në gjyqin e Hagës.
Më 8 qershor, në Kuvendin e katërt zgjedhor të LDK-së, Ibrahim Rugova rizgjidhet kryetar i partisë.
Në fund të qershorit, Presidenti Rugova merr pjesë në një konferencë triditore ndërkombëtare në Krans Montana të Zvicrës, në të cilën mbajti një fjalë për Kosovën. Presidenti i Kosovës foli në sesionin plenar në temën “Kosova është e gatshme për investime të huaja” si dhe në temën “Zgjerimi i Evropës dhe Evropa Juglindore – konsolidimi i demokracisë është çelësi”.
Më 2 korrik, 12-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese, para mijëra pjesëmarrësve Presidenti Rugova zbulon bustin e Nënës Tereze në Prishtinë. “Prej sot shtatorja e Nënës Tereze, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Prej sot fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe”, tha Rugova dhe theksoi: “Ne ndihemi krenarë që jemi popull i Skënderbeut, që jemi popull i Nënës Tereze, Nënës sonë të shenjtë”.
22 gusht mban datën shkrimi “Përurimi i veprës së madhe të Sabri Hamitit”, teksti i mbramë që Ibrahim Rugova shkroi e botoi për së gjalli në fushën e dijes letrare.
Më 23 gusht, Presidenti Ibrahim Rugova zbulon në Gllamnik të Podujevës lapidarin e bashkëpunëtorit të tij, këshilltarit për informim, Xhemail Mustafës, i vrarë në mënyrë mizore në një atentat më 23 nëntor 2000 në Prishtinë. Presidenti e përjetoi rëndë humbjen e bashkëpunëtorit të ngushtë shumëvjeçar.
Më 10 shtator nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 26 tetorit në Kosovë
11 shtator, Presidenti Rugova dhe PSSP e shpallin “11shtatorin” Ditë të Përkujtimit në Kosovë në nderim të viktimave të 11 shtatorit të vitit 2001.
Më 17 tetor, Presidenti Rugova përuron rrugën dhe sheshin Bill Klinton në Prishtinë. Mban një fjalë rasti në rrugë, në lagjen Dardania të Prishtinës.
Më 24 tetor mbyllet fushata zgjedhore 2002, ndërsa më 26 tetor në Kosovë votohet për herë të dytë për pushtetin lokal. Zgjedhjet kalojnë në atmosferë të qetë dhe pa incidente. Të nesërmen, më 27 tetor, në Leshan të Therandës, vritet kryetari i kësaj komune Ukë Bytyçi dhe dy shoqërues e tij. Bytyçi kishte dalë të festonte fitoren e partisë së tij, LDK-së së udhëhequr nga Ibrahim Rugova.
Më 3 nëntor, PSSP Shtajner nënshkruan rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të dyta lokale në Kosovë: LDK fiton 45.12 për qind të votave, PDK 29.10 për qind, AAK 8.55 për qind në nivel të vendit.
Në zgjedhjet e dyta lokale në Kosovën e pasluftës, mbajtur më 26 tetor 2002, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar në 19 komuna (nga 30 sa ka Kosova), kurse mbi 50 për qind të votave në 11 komuna: në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Burim, Therandë, Podujevë, Vushtrri, Kastriot, Fushë-Kosovë dhe Viti. LDK-ja ka fituar më shumë se partitë e tjera edhe në Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren, Rahovec, Dragash, Klinë dhe Dardanë.
Më 8 nëntor 2003, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë emëroi ambasadorin Bob Dol (Bob Dole), senator shumëvjeçar amerikan, si Ambasador Nderi të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rugova e vlerëson senatorin legjendar Dol si mik të madh të Kosovës. ”Emërimi i senatorit Dol është një moment i rëndësishëm për mua dhe për popullin e Kosovës”, thuhet në dekretin e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Rugova takohet me Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, i cili arrin për një vizitë në Kosovë më 18 nëntor.
Më 23 dhjetor, Presidenti Rugova e shpall “Shtëpi të Pavarësisë” të Kosovës ish- ndërtesën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila në vitet e nëntëdhjeta të shekullit XX ka shërbyer si seli e institucioneve shqiptare të Kosovës që bënë rezistencë ndaj okupimit serb. “Ishte kjo shtëpi shtetërore e Kosovës, po ashtu ishte shtëpi përfaqësuese e Kosovës dhe e interesave të saj, sepse nëpër të kanë kaluar me qindra diplomatë, kongresmenë, senatorë e deputetë amerikane, evropianë dhe të shumë vendeve të tjera”, tha Dr. Rugova. “Mund të themi se pas Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, që ishte shtëpi e lidhjes së të gjithë shqiptarëve, sot në kryeqytetin e Kosovës po e përurojmë ‘Shtëpinë e Pavarësisë’, që do të jetë shtëpi e lirisë, e pavarësisë, e popullit të Kosovës”, tha Presidenti Rugova.
2003
Në fillim të shkurtit mori pjesë në Lutjen e Mëngjesit në SHBA. U takua me zyrtarë nga Departamenti i Shtetit dhe anëtarë të legjislativit amerikan, përkrahës të çështjes së Kosovës.
Më 13 shkurt, Presidenti Rugova takon në Romë kryeministrin italian, Silvio Berluskonin.
Të nesërmen, më 14 shkurt, në qytetin Terni, në afërsi të Romës, Rugova mori Çmimin “Shën Valentini”, të cilin ia ndau bashkia e këtij qyteti. Këtë çmim e ka marrë para Rugovës edhe nobelistja Nëna Tereze.
28 shkurt: një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes për Qeverinë e Koalicionit, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Nexhat Daci e Bajram Rexhepi, nënshkruajnë Deklaratën me të cilën tregojnë përkushtimin për ruajtjen e koalicionit.
Gjatë tri ditëve, duke filluar nga data 9 qershor, Kosova shënon 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit të Kosovës. Ditën e parë, Presidenti Rugova njofton se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës me dekoratën “Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me dekoratën “Hero i Kosovës”. Në kuadër të shënimit të 125-vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë “Hero të Kosovës”, tha Presidenti.
Më 10 qershor Presidenti Rugova dhe flet para deputetëve të Parlamentit Evropian në Bruksel. Interesimi i deputetëve është të dëgjojnë fjalët e udhëheqësit autentik të kosovarëve. Takon shumë eurodeputetë, njohës dhe përkrahës të çështjes së Kosovës.
Në fund të qershorit, Presidenti Rugova merr pjesë në Forumin e Krans Montanës në Zvicër. “Kosova është në rrugë të mirë të ndërtojë një demokraci aktive dhe moderne”, thotë Rugova në atë tubim ndërkombëtar.
Më 8 korrik, Presidenti Rugova takon për herë të dytë komandantin e TMK-së, gjeneral Agim Çekun. “Në fazën tjetër, TMK do të jetë një forcë mbrojtëse e Kosovës”, thotë Rugova.
29 gusht: Në fshatin Hajvali, afër Prishtinës, Presidenti Ibrahim Rugova vë gurthemelin e Tempullit të Paqes. “Kosova ka traditë paqësore. Për më shumë se dhjet vjet, e frymëzuar nga Nëna Tereze, Kosova ndërtoi një rezistencë dhe lëvizje paqësore për liri e pavarësi, dhe shtetin e vet që u mbrojt nga kosovarët dhe miqtë tanë SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO”, tha Rugova,, duke vënë re se “ky tempull do të jetë më i madhërishëm, sepse e mban emrin e Nënës sonë të madhe Tereze, nobelistes së paqes, dhe i kushtohet asaj”. Në manifestim merr pjesë dhe flet ministri italian për çështje të Bashkimit Evropian, Roko Butilione.
17 shtator: Shefi i Shtatmadhorisë i ushtrisë amerikane, gjenerali Riçard Mejers, viziton Kosovën , ku takohet me Presidentin Ibrahim Rugova dhe viziton ushtarët amerikanë në kampin “Bondsteel”. Gjatë takimit në rezidencën e vet, Rugova i kërkon gjeneralit Mejers ndihmën e mëtejme të ushtrisë amerikane për Kosovën.
19 shtator: Presidenti Rugova takohet dhe bisedon në Prishtinë me ish-Presidentin amerikan Bill Klinton, i cili, po atë ditë, u shpall Doktor Nderi i Universitetit të Prishtinës.
30 shtator: PSSP Hari Holkeri, i cili kishte arritur në këtë detyrë në muajin paraprak, pas takimeve me liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës, Serbisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare, bën të qartë 14 tetorin si datë të fillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi për çështje praktike, që do të mbahen në Vjenë.
14 tetor: mbahet takimi i parë midis Prishtinës e Beogradit pas luftës së vitit 1999. Pas shumë përpjekjeve të Hari Holkerit dhe të bashkësisë ndërkombëtare, takimi fillon në pallatin Hofburg të Vjenës, për siç ishte thënë “çështje praktike” në mes të dy kryeqyteteve. Në këtë takim marrin pjesë përfaqësues të lartë të BE-së, OSBE-së, NATO-s dhe të Grupit të Kontaktit. Nga kosovarët morën pjesë Presidenti Rugova dhe kryeparlamentari Daci, kurse nga serbët Kryeministri Zhivkoviq dhe zëvendëskryeministri Çoviq. Takimin e ka hapur kancelari austriak Volfgang Shysel. “Kosova demokratike dhe e pavarur është e gatshme t’i pranojë obligimet ndërkombëtare”, ka potencuar në fjalimin e vet Presidenti Rugova.
Presidenti Ibrahim Rugova merr pjesë në Vatikan, më 19 tetor, në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i dytë ka lumturuar Nënën Terezën, së cilës Vatikani iu referohet si “Nënë Tereza e Kalkutës”. Në ceremoni merr pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, po edhe qindra personalitete nga Kosova dhe Shqipëria.
Më 23 tetor, Presidenti Rugova organizon për herë të parë “Darkën e Lamës” në Prishtinë. E quan festë iliro-shqiptare të falënderimeve, manifestim që do të bëhet tradicional.
Papa Gjon Pali II pret në audiencë Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, më 19 dhjetor. Rugova takohet në Vatikan edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Sodano. Rugova kërkon nga Papa që ta ushtrojë ndikim e tij për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës
Më 24 dhjetor, në vigjilje të festive të fundvitit, në prani të mediave, Presidenti Rugova nënshkruan Rregulloren për Dekoratat, Urdhrat dhe Tituj e nderit që i jep Presidenti i Kosovës, mbi bazë të dispozitave kushtetuese në fuqi.
2004
Presidenti Rugova i raporton për herë të parë para Kuvendit të Kosovës, duke mbajtur një Fjalim Vjetor më 22 janar.
Presidenti Rugova merr pjesë në ndarjen e çmimit Saharov që Parlamenti Evropian ia ndan OKB-së dhe Kofi Ananit. Rugova takohet me Kofi Ananin më 29 janar.
Në Antverpen të Belgjikës, Presidenti Rugova shpallet Senator Nderi i Evropës.
Më 5 mars, Rugova, bashkë me Holkerin e Rexhepin, marrin pjesë në varrimin e Presidentit maqedonas Boris Trajkovski në Shkup, i cili më 26 shkurt kishte humbur jetën afër Mostarit, në Bosnjë.
12 mars – Në rezidencën e Presidentit Rugova në Velani, në orët e hershme të mëngjesit hidhet një granatë dore. Shkaktohen vetëm dëme materiale, janë dëmtuar xhamat e përparmë të dritareve të ndërtesës, por nuk ka të lënduar. Presidenti me gjithë familjen ka qenë në rezidencë në kohën e sulmit. Muhamet Hamiti, zëdhënës i Presidentit të Kosovës, në reagimin e parë, këtë akt e quan “sulm të rëndë kriminal mbi institucionin më të lartë të vendit”, vlerësim që pranohet përgjithësisht nga spektri institucional. Kryesia e LDK-së vendos që më 17 mars (e mërkurë), në orën 12:00, në Prishtinë, të mbahet një protestë paqësore, si reagim ndaj këtij sulmi kundër institucionit të Presidentit të Kosovës dhe kundër dhunës dhe akteve të tjera kriminale.
Më 14 mars, Holkeri cakton 23 tetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të dytat në Kosovën e pasluftës.
16 mars: në veri të Mitrovicës, tre fëmijë shqiptarë nga Çabra mbyten në ujërat e lumit Ibër, ndërsa pohimet e para të një fëmije tjetër që ka mbijetuar flasin se “ata janë ndjekur me qen prej serbëve dhe janë detyruar të hidhen në lumë”. Gjatë ditës ndërkaq, në Prishtinë, mijëra protestues kishin bërë thirrje kundër politikës së administratës ndërkombëtare, posaçërisht ndaj veprimeve që ata i kanë quajtur kundër vlerave të luftës çlirimtare. Protesta të ngjashme janë mbajtur njëkohësisht në 27 komuna të Kosovës.
Për tri ditë, 17 –19 mars, Kosova përballet me ngjarjet më të rënda të pasluftës, të njohura si ngjarjet e marsit të vitit 2004. Presidenti Rugova dhe udhëheqja vendore, me ndonjë përjashtim, akuzohen nga ndërkombëtarët për reagim të ngadaltë dhe të pamjaftueshëm.
22 prill: Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu viziton Kosovën.
Më 27 prill, në selinë e OKB-së në Nju Jork, Presidenti Rugova takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan; kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës. Anan, ndërkaq, insiston në formulën e përmbushjes së standardeve para definimit të statusit politik të Kosovës. Rugova gjatë kësaj vizite në SHBA takon edhe guvernatorin e Nju -Jorkut Xhorxh Pataki dhe 20 ambasadorë të shteteve anëtare të OKB-së.
21 maj: Rugova ia dorëzon kontratën për projektin zbatues të autostradës Prishtinë-Durrës kompanisë gjermane BPI-Consult. Presidenti Rugova kishte hedhur idenë e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Durrës kah mesi i viteve nëntëdhjetë të shekullit XX. Ajo tanimë njihet si ‘autostrada e Rugovës” .
19 qershor: Ibrahim Rugova rizgjidhet në krye te LDK-së në kuvendin e pestë të kësaj partie.
Më 2 korrik, në 14 vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, e njohur më vonë si Deklarata e Pavarësisë, Presidenti Rugova shpall se do të dekorojë deputetët e Kuvendit të Kosovës, “delegatët e 2 Korrikut”, me Medaljen e Artë të Pavarësisë.
Më 9 korrik, Presidenti Rugova merr pjesë në varrimin e Presidentit austriak Tomas Klestil. Gjatë qëndrimit në Vjenë, Rugova takohet me guvernatorin e Kalifornisë, Arnold Shfarcenegerin, i cili ishte i deleguar special i Presidentit Bush në varrimin e Presidentit austriak.
Më 8 shtator, Presidenti Rugova e viziton Shqipërinë, ku nuk kishte qëndruar që prej vitit 1997. Takohet me Presidentin Moisiu, Kryeministrin Nano, liderin e opozitës Berisha.
Po ashtu, merr çmimin Doctor Honoris Causa, me të cilin e nderon Universiteti i Tiranës.
18 shtator: Rugova nderon Otto von Habsburgun me “Medaljen e Artë të Lirisë”, ndërsa Rugova vetë nderohet me “Çmimin e Evropës 2004”, i cili i dorëzohet në Prishtinë nga Habsburgu.
8 tetor: Ish-senatori amerikan Robert Doll arrin për një vizitë në Kosovë. Një ditë më vonë Presidenti Rugova ia dorëzon atij “Medaljen e Artë të Lirisë”.
21 tetor: Përfundon fushata zgjedhore 2004.
23 tetor: Mbahen zgjedhjet e dyta parlamentare në Kosovë.
Rezultate e shpallura nga OSBE në fillim të nëntorit japin këtë pasqyrë rezultatesh zgjedhore: LDK kishte fituar 45.42 për qind të votave, apo 47 deputetë në Kuvend, PDK 28.85, apo 30 deputetë, AAK 8.39, apo 9 deputetë, “Ora” 6.23 apo 7 deputetë…Shefer, Solana e Kofi Anan i lavdërojnë zgjedhjet dhe kërkojnë formim të shpejtë të institucioneve.
Pas shumë negociatave, më 17 nëntor, LDK dhe AAK arrijnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës, bashkë me PSHDK-në dhe disa subjekte minoritare joserbe. Marrëveshja mundëson që Rugova të zgjedhet më pas në Kuvend sërish President i Kosovës, Haradinaj Kryeministër, ndërsa Daci Kryetar i Kuvendit. Në opozitë mbeten PDK dhe “Ora”. Marrëveshjen e njeh shefi i UNMIK-ut Jesen- Petersen, i cili deklaron se do të ishte jodemokratike t’i thotë “jo” Haradinajt (për Kryeministër), ndërkohë që Solana deklaron se Haradinaj nuk është personi më i përshtatshëm për këtë post, për shkak të zërave që dilnin se ai mund të paditet nga Tribunali i Hagës.
23 nëntor: LDK dhe AAK i caktojnë ministrat e vet, pasi ditë më parë kishin arritur marrëveshjen e koalicionit.
26 nëntor: Rugova e dekoron Adem Jasharin me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
3 dhjetor 2004: Presidenti Rugova me vota të fshehta u rizgjodh në krye të vendit edhe për një mandat pas tre rrathësh të votimeve në Kuvendin e Kosovës. Në dy rrathët e para kundërkandidat i Ibrahim Rugovës ishte Ramë Buja nga PDK, i cili në rrethin e tretë u tërhoq nga votimi i mëtejshëm. Në fund, nga 99 deputetë, pro Ibrahim Rugovës votuan 64, kundër ishin 32 dhe tri vota ishin të pavlefshme.
7 dhjetor: Rugova e Haradinaj takohen në Velani, për herë të parë pas zgjedhjes së tyre në krye të institucioneve.
23 dhjetor: LDK shënon 15-vjetorin e themelimit. Rugova dekoron LDK dhe një numër veprimtarësh të LDK-së me “Medaljen e Pavarësisë”.
2005
Me rastin e Vitit të Ri 2005, Presidenti Rugova organizon më 12 janar një pritje tradicionale për korin diplomatik të akredituar në Prishtinë. Përveç përfaqësuesve të zyrave të huaja diplomatike, janë të pranishëm edhe shefi i UNMIK-ut Soren Jesen Petersen, komandanti i KFOR-it gjenerali Iv dë Kermabo, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë Paskal Fieski, kryeparlamentari Nexhat Daci, Kryeministri Ramush Haradinaj me anëtarët e kabinetit të tij qeveritar, komandanti i TMK-së gjenerali Agim Çeku dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë dhe të jetës institucionale e kulturore. Rugova tha se në vitin që sapo filloi pret përkrahjen më të madhe të diplomatëve të huaj në Prishtinë dhe të vendeve të tyre, sepse siç u shpreh, “kjo i duhet Kosovës për të ecur më shpejt”.
Presidenti Rugova, mban fjalimin Vjetor në Kuvendin e Kosovës më 26 janar. Ai zotohet se institucionet do të punojnë për njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës. Opozita kërkon debat për fjalimin e tij, por ky nuk pranohet nga shumica qeverisëse.
23 shkurt: Presidenti Rugova merr vendim, pas presioneve të autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, që të tërhiqet nga posti i kryetarit të LDK-së.
Më 15 mars, Presidenti Rugova i shpëton një atentati në qendër të Prishtinës. Ngjarja ndodh rreth orës 8 e 20 minuta, derisa ai po kalonte në rrugën “Agim Ramadani”, për të shkuar në takim me Komisionerin për Politikë të Jashtme Havier Solanën në ndërtesën e Kuvendit. Besohet se mjeti shpërthyes që ishte vendosur në një kontejner afër “Slovenia Sportit”, ishte aktivizuar me teledirigjues, ndërsa burime të afërta me mbrojtjen e Presidentit kishin thënë se atë e kishte shpëtuar shkalla e lartë e sigurisë së makinës në të cilën gjendej, gjegjësisht shkalla e blindimit të saj. “Për fat të keq, ende ka elementë, ende ka njerëz që dëshirojnë ta destabilizojnë Kosovën”, tha Rugova në lidhje më atentatin, pas takimit me Solanën.
Më 18 mars Rugova nominon për kryeministër Bajram Kosumin, pas dorëheqjes që kishte dhënë dhjetë ditë më herët kryeministri Haradinaj, në vazhdën e ngritjes së aktakuzës së Tribunalit të Hagës ndaj tij.
Më 7 prill, Presidenti Rugova kryeson delegacionin e Kosovës që merr pjesë në varrimin e Papa Gjon Palit II, i cili vdiq në Vatikan më 3 prill.
12 prill: Presidenti Rugova refuzon një takim me Presidentin serb Boris Tadiq “para se të njihet pavarësia e Kosovës”. Takimi mund të ndodhë vetëm në rrafsh multilateral, në ndonjë konferencë ndërkombëtare, insistonte Rugova.
21 prill: Pas kërcënimeve dhe një paralajmërimi, sipas policisë, për rrezik, SHPK-ja merr nën kujdesje Rezidencën dhe Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova.
Në cilësinë e kryesueses së Institutit Kombëtar Demokratik (National Democratic Institute NDI), ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Medlin Ollbrajt (Madeleine Albright) qëndron në Kosovë nga 4 deri më 6 korrik.
Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një solemnitet rasti, i dorëzoi më 5 korrik ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, Medaljen e Artë të Lirisë, me të cilën e ka dekoruar më 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e Ditës së Lirisë të Kosovës.
7 korrik: Në Kosovë qëndron kongresisti amerikan Eliot Engëll, të cilin Presidenti Rugova e nderon me “Medaljen e Artë të Lirisë” për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës. Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Engëll thotë se Kosova do të jetë shumë shpejt e pavarur.
15 korrik: Presidenti Rugova pret në takim në Prishtinë me kryetaren e Unionit Demokratik të Gjermanisë (CDU) Angela Merkel, udhëheqëse e opozitës gjermane, e cila do t’i fitojë zgjedhjet nacionale në Gjermani tre muaj më vonë. Pas një takimi me Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe Kryeministrin Kosumi, Merkel deklaron: “I di dëshirat e kosovarëve për statusin”.
Më 24 gusht, Presidenca e Kosovës njofton se për shkak të një ftohjeje, siç ishte menduar asokohe, Presidenti Rugova ka reduktuar veprimtaritë zyrtare. Ky njoftim vinte disa ditë pasi Rugova ishe kthyer nga pushimet verore që i kishte kaluar në Itali.
Gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales katolike në Prishtinë, më 26 gusht, Presidenti Rugova tha: “Sot është një ditë e madhe për Kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”.
Gurthemeli i Katedrales vihet për nder të 95-vjetorit të lindjes së Nënës Tereze nga ana e Presidentit Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik, në oborrin e gjimnazit Xhevdet Doda. Katedralja nis të ndërtohet në 600 vjetorin e lindjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Në këtë ceremoni nuk marrin pjesë përfaqësuesit e opozitës dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ndërkaq, “ftohja” për të cilën fliste Zyra e Presidentit dukej më serioze gjatë kohës kur Rugova mbajti fjalën në ceremoninë e Katedrales: me frymëmarrje të vështirësuar, dukshëm i molisur.
Më 27 gusht, Presidenti Rugova udhëton për në qendrën mjekësore amerikane në Landstuhl të Gjermanisë për ekzaminime mjekësore. Një javë më vonë, më 4 shtator, Rugova kthehet në Prishtinë.
Më 5 shtator, Presidenti i drejtohet kombit me njoftimin për sëmundjen e vet. “Mjekët kanë gjetur se vuaj nga kanceri i lokalizuar në mushkëri, prandaj më kanë caktuar një terapi intensive shëruese”, tha ai, për të shtuar: “Jam i bindur se me ndihmën e Zotit do të kapërcej edhe këtë betejë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku më fuqishëm për njohjen e pavarësisë së vendit tonë, Kosovës, sa më parë nga miqtë tanë amerikanë e evropianë”.
7 shtator: Presidenti Rugova pret në takim ambasadorin Kai Aide dhe PSSP-në Jesen Petersen.
13 shtator: Ibrahim Rugova cakton Ekipin negociator të Kosovës, atë që u quajt “Ekip i Unitetit” edhe pas vdekjes së themeluesit dhe udhëheqësit të tij.
28 shtator: Kuvendi i Kosovës miraton Ekipin negociator të Kosovës, në një seancë që nga opozita cilësohet si e “dështuar”, ndonëse dy anëtarë të opozitës (Thaçi dhe Surroi) bëhen pjesë e Ekipit pesanëtarësh.
6 tetor: Në Rezidencën e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova mbahet takimi i parë i Ekipit negociator të Kosovës ku marrin pjesë Rugova, Daci, Kosumi, Thaçi, Surroi dhe koordinatori i grupeve punuese Blerim Shala.
12 tetor: Tribunali i Hagës vendos që pas lirimit me kusht, t’i mundësojë kryeministrit Ramush Haradinaj të merret me politikë, një vendim ky që shfuqizohet menjëherë, dy ditë më vonë, pas ankesave të Prokurorisë. Vendimi i ri pritet të merret pas festave të fundvitit, ndërsa në ndërkohë Haradinaj kishte zhvilluar një takim me Rugovën, më 14 tetor.
28 tetor: Grupi Negociator i Kosovës përmbyll takimin e dytë pa vendim për grupet punuese. Pas këtij takimi disa nga pjesëmarrësit thanë se ka pasur edhe ofendime midis vetë anëtarëve të grupit.
1 nëntor: Mediat njoftojnë se Marti Ahtisari është emëruar kryenegociator për Kosovën. Presidenti Rugova i dërgon letër Nikollas Bërnsit dhe Grupit të Kontaktit, në të cilën thuhet se populli i Kosovës është zotuar për Kosovën e pavarur dhe sovrane, të njohur në kufijtë e saj.
7 nëntor: Ibrahim Rugova takohet në rezidencën e vet me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov në Prishtinë. Lavrov hap Zyrën Ruse në Prishtinë.
15 nëntor: Rugova i jep mbështetje transformimit të TMK-së në forcë mbrojtëse gjatë një takimi që zhvillon me gjenerallejtënant Agim Çekun.
20 nëntor: Ekipi Negociator i Kosovës formulon qëndrimet përfundimtare para ardhjes së Ahtisarit në Kosovë.
21 nëntor: Ahtisari vjen në Kosovë për të filluar misionin e tij. “Jam i lumtur që po fillojmë zgjidhjen e statusit të Kosovës”, deklaron ai në Aeroportin e Prishtinës. Delegacioni i Kosovës miraton dokumentin mbi pozicionin kosovar për statusin.
22 nëntor: Grupi Negociator ia dorëzon Ahtisarit dokumentin për vizionin e kosovarëve për statusin final.
Më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit, në Prishtinë, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së pranojnë se natën midis të hënës dhe të martës kanë hequr nga shtyllat elektrike flamujt e Presidentit Rugova, të vendosur nga KK i Prishtinës dhe i djegin publikisht ata para ndërtesës së KK të Prishtinës me pretekstin se vendosja e flamurit personal, siç e kanë quajtur ato flamurin e Presidentit, ka qenë një “provokim”. Në anën tjetër, Presidenti Rugova e dënon këtë akt, duke i quajtur persona të pandërgjegjshëm ata që e kanë djegur flamurin që ai e ka propozuar për flamur të shtetit të ardhshëm të Kosovës.
10 dhjetor: Presidenti Rugova bën paraqitjen e fundit publike jashtë rezidencës së vet. Ndez “Bredhin e festave të stinës” në qendër të Prishtinës dhe mban një fjalë rasti.
23 dhjetor: Presidenti Rugova dhe kryeministri Kosumi, pas një takimi të përbashkët në rezidencën e Presidentit, e vlerësojnë vitin 2005 të suksesshëm për Kosovën dhe luten që në vitin 2006 pavarësia të realizohet . LDK kremton 16 vjetorin e themelimit. Presidenti Rugova u drejtohet kryetarëve të degëve të LDK-së më një fjalë të shkurtër. Paraqitjet e kësaj dite do të jenë paraqitjet e fundit publike të Presidentit Rugova.
2006
6 janar: Presidenti Ibrahim Rugova merr urime nga Presidenti Bush dhe kryeministri Bler për festat e fundvitit.
11 janar: Pas një sulmi në zemër, vdes në moshën 68 vjeçare Imzot Mark Sopi, ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës. Presidenti Rugova shpall ditën e shtunë, 14 janar 2006, ditën e varrimit të Imzot Sopit, “ditë zie në tërë territorin e Kosovës”.
16 janar: Presidenti Ibrahim Rugova priti kardinalin e Venedikut, Anxhelo Skola dhe shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg. Këto ishin takimet e fundit që Presidenti Rugova kishte zhvilluar me diplomatë të huaj para se të ndërronte jetë.
21 janar: Presidenti Ibrahim Rugova ndërron jetë. Zyra për Shtyp e Presidentit lëshoi një njoftim pas orës 12:00, në të cilin ndër të tjera thuhej: “Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë, ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.
Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”. Në ndërkohë, zëdhënësi i Presidentit, Muhamet Hamiti, u kishte deklaruar medieve ndërkombëtare: “Rugova e zhvilloi betejën e vet me kancerin me dinjitet dhe guxim të madh deri në frymën e fundit”.
21-25 janar – Këshilli i Varrimit, i udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, në të cilin marrin pjesë figura eminente vendore por edhe autoritetet më të larta ndërkombëtare në Kosovë, cakton fillimisht 5 ditë zie, për të vendosur në fund që për Presidentin Rugova Kosova do të mbante 15 ditë zie – deri më 6 shkurt. Bëhen përgatitjet e plota për ceremonitë mortore të Presidentit Rugova. Qindra mijëra njerëz, simbas vlerësimeve të mediave të huaja mbi një milion, me gjithë motin e ftohtë me temperatura deri në -18 gradë celsius që mbretërojnë në Kosovë, i bëjnë nderime Presidentit të ndjerë, trupi i të cilit ishte sjellë për homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës.
26 janar – Rreth një gjysmë milioni njerëz marrin pjesë në funeralin e Presidentit Rugova, i cili pasditen me acar varroset në Varrezat e Dëshmorëve në Velani. Rugova varroset me nderimet më të larta shtetërore e ushtarake, që janë quajtur “ceremoni kombëtare”. Mbi 50 delegacione nga vende të ndryshme të botës, udhëhequr edhe nga delegacione presidenciale, marrin pjesë në shërbesat përkujtimore. Arkivoli me trupin e Presidentit Rugova, mbështjellë me Flamurin e tij propozuar për Flamur shtetëror të Kosovës, bartet në “Shtratin e Topit” nga formacione të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, që kryen ceremonitë ushtarake të një funerali shtetëror, gjatë kortezhit që niset nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, për të kaluar, nëpër Rrugën Nëna Tereze, rrugës kah Fakulteti i Filologjisë dhe Instituti Albanologjik, ku kishte studiuar e punuar Rugova, përpjetë drejt sallës “1 Tetori”. Fjalë përkujtimore në ceremoninë qendrore mbajnë PSSP Soren Jessen-Petersen, kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, kryeministri Bajram Kosumi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Havier Solana, anëtari i kabinetit të Presidentit amerikan Bush, Xhekson, dhe nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha.
Rreth orës 14.35 minuta kortezhi funebër, pasi kalon nëpër rrugën Agim Ramadani, dhe rrugës përpjetë drejt Varrezave të Dëshmorëve, mbërriti në vendin ku do të pushojë përgjithnjë – në Varrezat e Dëshmorëve në Velani, jo shumë larg nga rezidenca ku kaloi 12-13 vjetët e fundit të jetës. Trupi i Presidentit Rugova u lëshua në tokën e Kosovë pak minuta më vonë, para orës 15:00. Varri i Presidentit Rugova, mbuluar me pllakë të bardhë mermeri, ruan me shkronja të arit shënimet elementare: Ibrahim Rugova, 1944-2006.
I gjithë funerali i Presidentit – nga ora 09:00 e mëngjesit – transmetohet drejtpërdrejt në të tri televizionet me shtrirje kombëtare në Kosovë – RTK, RTV21 dhe KTV, por edhe nga stacione televizive nga Shqipëria. Ndërkaq, disa televizione të huaja kohë pas kohe kyçen në transmetim të drejtpërdrejtë.(Pergatiti per DIELLIN:Behlul Jashari-Prishtine”
***
Kryeministri Mustafa: Presidenti Rugova, themelues i shtetit dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës/
PRISHTINË, 2 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar sot Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e shënimit të 72 vjetorit të lindjes. Gjatë ditës, kryeministri Mustafa, ka bërë homazhe pranë varrit të Presidentit Rugova si dhe ka vizituar Familjen Rugova.
Mesazhi i kryeministrit Mustafa me këtë rast:
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Me rastin e shënimit të 72 vjetorit të lindjes, përkujtojmë sot me krenari Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.Republika e Kosovës dhe populli i saj shprehin respektin për jetën dhe veprën epokale të Presidentit Rugova, i cili me vizionin, vendosmërinë dhe lidershipin e tij, e udhëhoqi Kosovën drejt realizimit të synimeve shekullore për liri, pavarësi dhe demokraci.Si themelues i shtetit të Kosovës dhe arkitekt i pavarësisë, Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës së qytetarëve të Kosovës, duke pasur përkrahjen e të gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.Qeveria e Kosovës ashtu si të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në Kosovë, janë të përkushtuar për fuqizimin e shtetit të pavarur, për thellimin e miqësisë me SHBA-të si dhe për integrim të plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, vlera shtetërore dhe parime demokratike të përfaqësuara dhe të promovuara nga Presidenti Rugova.
Isa Mustafa,
Kryeministër i Republikës së Kosovës