Nga Frank Shkreli/Nëntori 2017 shënon 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik. Historia tregon se një natë tëftohtë në Petrograd, 100-vjetë më parë, një grup i vogël Rojesh të Kuqe morën nën kontroll Pallatin Dimëror dhe instaluan qeverinë e parë komuniste në botë. Revolucioni Bolshevik shënoi fillimin e një shekulli, gjatë të cilit mbështetësit e ideologjisë komuniste bënë disa prej krimeve më të tmershme që ka njohur historia e njerëzimit.Me rastin e këtij përvjetori, Fondacioni Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington, me 7-9 të muajit që vjen, organizon në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, ceremoni përkujtimore dhe konferenca akademike, ku do të marrin pjesë anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe një numër ekspertësh dhe historianësh të dalluar të kësaj fushe, të ardhur nga Evropa dhe nga Amerika.
Ne Foto:Dega e Vatres ne Washington, pjesmarrse e rregullt ne veprimtarite per krimet e komunizmit prane monumentit perkates ne Washington./
Në njoftimin për zhvillimin e punimeve, në shënim të 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, Fondacioni në fjalë shprehet se me këtë rast, “Do të mblidhemi për të nderuar kujtimin e më shumë se 100-milionë viktimave të komunizmit, njëkohësisht, edhe për të festuar lirinë atje ku ka triumfuar tanimë, por edhe për të vazhduar përpjekjet tona, për një botë të lirë nga komunizmi.”
Sipas programit të njoftuar, përkujtimi i viktimave të komunizmit me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik në Rusi, dita e parë e punimeve me 7 nëntor, do të fillojë me një konferencë për shtypin dhe me shfaqjen e filmit, “Gratë e Gulagut”, një film dokumentar ku pasqyrohen tregimet personale tragjike të 6-grave që kanë vuajtur si të burgosura politike në gulagun Stalinist sovjetik.Njoftohet se me 8 Nëntor, në njërën prej sallave të ligjvënsëve amerikanë të Bibliotekës së Kongresit, do të mbahen me këtë rast, ligjërata nga anëtarë të Kongresit, ndërsa panelistë të njohur në fushën e historisë së komunizmit, do të diskutojnë dhe do të shqyrtojnë lidhjet midis ideologjisë marksiste dhe praktikave politike, ekonomike, kulturore dhe të politikës së jashtme, të përdorura nga regjimi i ish-Bashkimit Sovjetik. Në mënyrë më specifike, thekson programi, ekspertët do të diskutojnë se si idetë e Karl Marksit — në të vërtetë — u pasqyruan në përdorimin e praktikave revolucionare, në themelimin e regjimit komunist Bolshevik dhe të Bashkimit Sovjetik, si entitet politik e shtetëror. Temat për diskutim, nga një listë e gjatë e disa prej ekspertëve më të njohur të kësaj fushe në Amerikë dhe në Evropë, sipas njoftimit të Fondacionit Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, do të përfshijnë edhe luftën totalitare që sovjetikët kanë përdorur gjatë sundimit të tyre, kundër institucioneve vullnetare që përbënin shoqërinë civile, por do të preken edhe subjekte si imperializmi sovjetik, Kombet e Robëruara nga komunizmi dhe Lufta e Ftoftë, ndër të tjera.
The Victims of Communism Memorial Foundation
Dita e dytë e kujtimit të viktimave të komunizmit në Washington, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, do të përfshijë gjithnjë komente nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara si dhe diskutime nga ekspertë të ndryshëm dhe të njohur botërisht për ekspertizën e tyre historike të komunizmit gjatë shekullit të kaluar. Ndër subjektet që pritet të diskutohen – sipas programit të njoftuar deri më tani – janë edhe lidhjet midis të Vërtetës, Kujtimit dhe Drejtësisë, me qëllim llogaridhënjen dhe përgjegjësinë për krimet e bëra, por edhe për të pranuar dhe për t’u përballur me të kaluarën e krimeve të regjimeve komuniste. Përveç kësaj, një vend të posaçëm në diskutimet e ditës së fundit të përkujtimit të viktimave të komunizmit, do të zenë aktivitetet subversive sovjetike jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, përmasat e krimeve të komunizmit mbrenda vendit, si dhe pengesat me të cilat përballen sot historianët në përpjekjet e tyre për të shkruar një histori të vertëtë të krimeve të regjimeve komuniste. Specifikisht, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik dhe të viktimave të komunizmit, ekspertët e ftuar dhe ligjvensit amerikanë do të theksojnë sidomos edhe rëndësinë e kujtimit, të pajtimit dhe të drejtësisë për viktimat e komunizmit, por edhe rrezikun që paraqesin përpjekjet e tanishme për të treguar, ndryshe nga e vërteta, historinë e periudhës komuniste dhe nëse është e mundur të tejkalohet trashëgimia sovjeto-komuniste dhe nëse, si përfundim, populli rus më në fund, mund të jetojë në liri të vërtetë.
Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, që po organizon ceremonitë në nëntor, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, ka ftuar gjithashtu që në këtë përkujtim të marrin pjesë edhe përfaqsues të shumë nga vendet ish-komuniste, ose ish-Kombet e Robëruara, siç njiheshin me fjalorin e Luftës së Ftohtë. Njoftohet se nga Shqipëria është ftuar në Washington të marrë pjesë në këtë përkujtim të viktimave të komunizmit edhe Z. Simon Mirakaj — ish i përndjekur politik, familja e të cilit për dekada ka vuajtur internimet e tmershme të regjimit të Enver Hoxhës dhe aktualisht anëtar i Autoritetit për Informim i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit nga 30 Nëntori 1944 deri në 2 korrik të vitit 1991, në Shqipëri. Në një intervistë ditët e fundit me gazetën Telegraf në Tiranë, Z. Mirakaj, në kapacitetin e tij si anëtar i këtij Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, u shpreh se, “Diktatura komuniste duhet të shihet si një e keqe e përbashkët nga i gjithë spektri politik” shqiptar, duke shtuar se, “Ballafaqimi me të kaluarën komuniste dhe dënimi i saj është një domosdoshmëri për të pasur një të ardhme të sigurt drejtë Evropës së bashkuar. Çdo nismë për të ndaluar simbolet e komunizmit, mendoj se i shërben të ardhmes, i shërben demokracisë”, përfundoi Z. Mirakaj.
Besoj se gjatë vizitës së tij në kryeqytetin amerikan për të marrë pjesë në ceremonitë që do të shënojnë 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik, Z. Mirakaj do të gjejë mbështetje të fortë në Washington për qëndrimin e tij se edhe Shqipëria, pas 27 vjetë post-komunizëm, duhet që, më në fund, të përballet seriozisht me të kaluarën e saj komuniste – në këtë 100-vjetor të Revolucionit Bolshevik – duke iu bashkuar pjesës tjetër ish-komuniste të Evropës, për të kujtuar viktimat e shumta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, me qëllim dhe shpresë që e kaluara të mos përsëritet më dhe që të ketë gjithashtu një distancim serioz dhe zyrtar nga trashëgimia e atij regjimi, trashëgimi që fatkeqsisht edhe sot pas më shumë se një çerek shekulli, vihet re kudo në jetën politike dhe shoqërore shqiptare –shpeshëherë me aprovimin zyrtar ose dukuria publike e kësaj trashëgimije trajtohet në heshtje nga ana e e autoriteteve. Tirana zyrtare e ka për detyrë që, të pakën aq sa Washingtoni, që nuk ka vuajtur kurrë nga komunizmi, të tregojë më në fund gatishmërinë dhe seriozitetin e saj që duhet t’i kushtojë rëndësisë së kujtimit të krimeve të komunizmit, të pajtimit kombëtar dhe të drejtësisë për viktimat e e atij regjimi — të gjallë e të vdekur në Shqipëri — ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore, e të cilat sot janë anëtare të plota të organizmave euro-atlantike. Ky duhet të jetë një obligim solemn dhe angazhim serioz dhe i pa hile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore të Shqipërisë, nëqoftse vendi dëshiron të shkojë përpara.
https://centennial.victimsofcommunism.org/index/schedule