• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NOLI: “Ujku sulmon me dhëmbë, … greku sulmon me kishë!”

June 3, 2016 by dgreca

NOLI: “Ujku sulmon me dhëmbë, … greku sulmon me kishë!”

NDERSA KONICA E NOLI “KELTHITNIN” KUNDER MEGALI-IDHESE GREKE, SHTETI YNE I HAP DYERT/

Nga Idajet Jahaj/Vlorë/

 Eshtë e njohur, shumë e njohur thënia sarkastike e Nolit të madh se “Ujku sulmon me dhëmbë, … greku sulmon me kishë!”

Sa reale, sa luftarake, sa të sakta janë këto fjalë! Në këtë shrehje gjëmon shpirti lëngues i një atdhetari të madh, të kulluar, dertues, i cili natë e ditë mendon për mbrojtjen e kombit të vet.

Dhe këtë rrezik e shpreh Fan Noli, i cili, që në rininë e vet, e ka njohur veprimtarinë antishqiptare të klerit e Patrikanës greke. Ka njohur synimet e saj të mbrapshta ndaj Shqipërisë, qëllimin asimilues të atij kleri ndaj popullit shqiptar. Ka njohur historinë se si Patrikana greke ka iniciuar, frymëzuar e udhëhequr veprimtarinë antishqiptare, gjakderdhëse të shtetit grek, qe prej një shekulli e gjysmë…

Kështu ka këlthitur edhe kombëtari tjetër i madh, Faik Konica, ky pendëartë i gjuhës dhe i mendësisë shqiptare. Ai ka nënvizuar se “Me dobësimin e Turqisë, Patrikana dhe shteti grek mprehën dhëmbët për grabitjen e tokave të jugut shqiptar”. Dhe shumë herë ja kanë arritur qëllimit.

Kështu kanë vepruar edhe shovenët e Patrikanës së Beogradit ndaj veriut shqiptar, duke goditur popullsinë tonë, duke zaptuar tokat tona e duke i populluar me kolonë të tyre.

Sot, për tragjedi të vendit tonë, veprimtaria gllabëruese e shovinizmit grek vallëzon përsëri, por këtë herë nëpërmjet diversionit fetar. Nuk u mjaftuan grekërve rrëmbimet me luftë të të gjithë territorit të Çamërisë e të viseve lindore të saj: Konicë, Përlep, Follorinë, etj…Kjo hapësirë zinte një të katërtën e trojeve të kombit shqiptar. Tani fqinji jugor synon futjen brenda territorit tone, duke deklaruar hapur programin e tyre të helenizimit. Kjo në fakt do të thotë pushtim gradual i hapësirës shqiptare.

Tema është shumë e gjerë. Zinxhiri i fakteve – shumë i gjatë. Mjafton të përmendim vetëm disa hallka të këtij zinxhiri shoven: Vendosja e Janullatosit në krye të kishës sonë Ortodokse që në vitin 1991. Ky ishte një diversion i tmerrshëm i tyre, i cili e ktheu Autoqefalinë tonë në kishë autoqefale greke. U vendos kështu një pykë për të zhbiruar shpirtin e popullit shqiptar, për të mohuar gradualisht gjuhën shqipe, e një varg hapash të tjerë të shovinizmit “paqësor” grek.

Grekët tallen në fshehtësi me shtetin shqiptar. Programi i tyre helenizues vazhdon ditë për ditë duke u përkrahur edhe nga drejtuesit tanë të politikës, të cilët kryejnë kështu një akt të pastër renegatësh ndaj kombit e popullit të tyre.

Tashmë, për ironi dhe për fushë të lirë veprimi, Janullatosi i bën predikimet në gjuhën greke! Pra, ia arriti qëllimit të realizojë aspiratën e Shën Kozmait se: ”Gjuha shqipe është gjuhë shpellash” dhe, si e tillë, duhet zëvendësuar me greqishten!

Ndërsa faktet helenizuese hapin ulërimën në këtë tokë: Futja e sherrit për hapje të kishës greke në Përmet, hapja e shkollave greke në Himarë, Korçë, Boboshticë, etj… ku u mësohet fëmijëve se këtu është tokë dhe histori greke. Kishat greke vazhdojnë të ngrihen edhe atje ku s’ka asnjë ortodoks si në Greshicë, Memaliaj, etj…

Drejtuesit tanë të politikës, të të dy krahëve, i puthin dorën shovenit Janullatos, këtij korbi të Megali-idhesë, i cili kërkon të tjetërsojë qenien shqiptare. Lobi grek në Amerikë i kërkoi Lulëzim Bashës përsëri çështjen e detit dhe ngritjen e një kishe në Llogora si memorial për paraardhësin e tyre shoven – Shën Kozmain. Dhe shtetarët tanë përsëri u bëjnë amin kasnecëve të Megali-idhesë.

Pra: Jepu copa atdheu shovenëve! Jepu me grushte si Esat Pasha – Shkodrën, si Ahmet Zogu – Shën Naumin, etj…Dhe kështu të gjithë politikanët tanë të ashtuquajtur demokratë! Faktet tragjike vazhdojnë: Janullatosit i dhanë edhe sallën ku ka vepruar Noli, në Tiranë (për shkollë greke)! Busti i Nolit, këtij Ati të Ortodoksisë sonë, nuk pranohet në kishat tona ortodokse, me urdhër të Janullatosit! Përjashtohen nga organizimet qëndrore fetare e atdhetare të Ortodoksisë sonë figura të tilla sublime si At Nikolla Marku, etj…si dhe veprimtarë të tillë të palodhur si Elida Jorgoni, etj…

Të tilla veprime kanë shkaktuar një indinjatë të thellë në mbarë popullin patriot shqiptar! Shoveni Janullatos deklaron: “Në jugun shqiptar pritet një revolucion fetar grek!’ Për ç’revolucion e ka fjalën ky kolonel i Asfalisë greke?! Apo do të lëshojë treqind ushtarët e kalit të Trojës për të zënë në gjumë Trojën – Shqipëri?!

…Vazhdon financimi i kishave, shkollave, parrullave, i memorialëve fallco, i varrezave të ushtarëve pushtues grekë në jugun shqiptar! Dhe, për ironi të fatit, Janullatosi ka shprehur që edhe varrin ta ketë këtu, diku në Durrës,… që edhe zëvendësi i tij të jetë grek ose filogrek! Domethënë që pema e Megalidhesë greke të hedhë rrënjë e degë në këtë tokë e të punojë për tjetërsimin e Shqipërisë. Bukur e shprehu një patriot i yni: “Edhe uji, edhe ajri, edhe natyra jonë e bukur është ndotur me molekulat e Megali-idhesë greke!”

Duhet hequr sa më parë Janullatosi! Në rast të kundërt, politika jonë do të përballet me zemërimin mbarëpopullor të shqiptarëve! Ne kemi plot drejtues të talentuar dhe atdhetarë të kulluar që të vendosen në krye të Kishës sonë Autoqefale.

Dhe shteti të marrë masa të gjithanshme për frenimin e kësaj vale të shovinizmit grek, i cili rrezikon pavarësinë tonë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis dy kombeve.

 

3 qershor 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Idajet Jahaj, Konica, Megalidheja, noli

NJE VJERSHE E NASE BENIT PER HIMAREN( 1914)

May 17, 2016 by dgreca

-nga IDAJET JAHAJ-/
 
Nase Beni ishte një patriot i zjarrtë, një luftëtar i shquar. Kishte mërguar në Amerikë para vitit 1912; erdhi në atdhe në pragun e ngritjes së Flamurit. Gëzoi për pavarësinë e Atdheut nga Turqia, por trishtoi për sulmet shoviniste të fqinjëve ndaj vendit tonë. Shkroi me gjak trishtimi:
 
… Pesëqind vjet ç’i përballe
Tramundanët e Turqisë,
Dhe nashti që t’erdh’ liria,
Ti veshe rrobat e zisë,
Se të pllakosi Greqia
Në bregdet të Shqipërisë!
 
Dhe shkruan (ndoshta në fletoren e tij që mbante në torbë maleve të Çikës) apo këndon, sipas rastit, me shokë apo në davete të ndryshme, ku e improvizonte këngën – të përsosur, aty për aty. Shkruante haptazi kundër oktapodit shoven të jugut. Qorton rëndë Himarën e tij të dashur, e cila ka vezulluar si dritë në histori, por tani … e prishi, ngaqë dëgjoi disa të shitur “priftërinj e dhaskalë”, që i shërbenin megali-idhesë greke. Në këtë frymë shkroi vjershërimin e zjarrtë “O Himarë e Toskërisë”, në vitin 1914, kur greku doli në Himarë e  gjakprishuri Spiro Milo përçau popullin duke predikuar kombësinë fallco greke në etninë e moçme himarjote shqiptare. Vjersha u shkrua në fillim të shekullit të XX, por, po me aq vezullim ajo ndriçon edhe sot, kur, me të njëjtën egërsi, megali-idheistët e Fanarit i janë vërsulur krahinës heroike, për ta deheroizuar atë, për ta çngjyrosur e bastarduar:
 
O Himarë e Toskërisë,
Si u qeshe këtë radhë,
Moj nëna e trimërisë
Në çdo punë del e parë.
 
Të gënjyen moraitë,[1]
Priftërinjtë me dhaskalë;
U qeshe si çilimitë,
Të prishën me propagandë!
 
Ç’t’u desh flamur’ i rruspisë,[2]
Kur e di që të bën varrë,
Mohon gjakn’ e kombësisë,
Dhe humb’ emrin shqiptar!
 
Qani nëna e qani motra,
Qaj, namuz’[3] i Shqipërisë,
Qani me ligje të forta,
Për atë ditën e lirisë.
 
Me penë doja t’i thoja
Gjithë mendimet e mia,
Dhe me zogj do t’i dërgoja,
T’i dëgjojë akëcia… 
 
Kush ishte akëcia? – Shqipëria, njerëzit, bota. Gjithsecili, kushdo. Ky patriot i vyer bërtet, kumbon, trishton, kushtron për gjëmën shpirtërore që zhvillojnë megali-idheistët në Himarë. Aktualitet  dritë-fortë pas një shekulli.
 
 Shqiptar i kulluar
Poeti popullor Nase Beni, nga Vunoi i Himarës, kushtron në vaj baladesk: “Qani nëna, qani motra”. Ai ishte një patriot i zjarrtë, një shqiptar i kulluar. Me frymë rilindëse në gjakun e tij. Donte të mbronte atdheun me çdo mjet. Por mjetin më efikas që përdori ishte vargu e kënga. Dhe përsërit: “Me penë doja t’i thoja”. Mjeti i penës përforcon mendimin se Nase Beni ishte i shkolluar, kishte mësuar shqip, por edhe gjuhë të huaja, se kishte qenë në Amerikë, në emigrim. Pra, jo vetëm një talent i lindur, por edhe i kultivuar. Me elementin baladesk të zogjve, ai donte të shpërndante nëpër qiellin shqiptar vargjet e tij të ndritshme. Ai ishte luftëtar me pushkë e me penë për mëmëdhenë. Pak është shkruar për këtë atdhetar. Ai ishte i zjarrit të betejave (si në Kallarat 1914, në Kaninë e Vlorë, 1920), po ashtu edhe i zjarrit të vargjeve. Kumbimit poetik të epikës, ai i jep ison e ëmbël lirike, karakteristike e poetëve të shquar të Bregut. Në vargje ai kumboi emrin shqiptar. Me ‘të skaliti epose të paharrueshëm.
Ai rrojti 33 vjeç (1888-1921), duke lënë pas vizionin e ndritur të patriotit, luftëtarit me armë në dorë dhe poetit popullor me këngën e tij të pavenitur.


[1] grekët
[2] kurvës
[3] Fama, name, nderi

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, NJE VJERSHE E NASE BENIT, PER HIMAREN( 1914)

VRIMA E ZEZE E HELENIZIMIT “PAQESOR” GREK

April 22, 2016 by dgreca

NGA IDAJET JAHAJ/
Prej një shekulli e gjysëm shteti grek ka vënë në programin e tij dhe është përpjekur vazhdimisht me dhunë e dinakëri, me gjak e demagogji të helenizojë jugun shqiptar. Tendenca të tilla helenizuese ka ai edhe ndaj Maqedonisë e Bullgarisë, por tokat e jugut shqiptar përbëjnë boshtin e asaj strategjie. Dikush mund të thotë se fjala “shovene” është e rëndë, sidomos në kushtet e rrjedhave të sotme evropiane e të miqësisë së mirë të dy vendeve. Po kur kjo fjalë shpreh të vërtetën objektive, ç’vlerë kanë subjektet historike pastaj?
“Kemi emigrantët atje” – mund të thotë dikush tjetër. Atëherë, sipas këtij morali (të nënshtrimit), në emër të miqësisë e të emigrantëve, ne të lejojmë, siç u lejua, që Greqia të valëviste flamujt e saj në tokën shqiptare të Himarës?!
Nga faktori i madh emigrant lulëzohet Greqia, më shumë se sa ata (emigrantët) ngrenë jetën e tyre. Këtë të vërtetë e dijnë dhe e pohojnë të gjitha vendet e Evropës. Edhe ndaj emigrantëve dihet imponimi shoven i mekanizmave të shtetit apo shoqërisë greke: helenizimi i tyre me anë të ndërrimit të emrave, të pagëzimeve, puthjes së kryqit, vendosja e tij në qafë, krijimi i lehtësirave dokumentare për ata që pranojnë një konvertim të tillë, etj. Shqiptarët janë përhapur në dhjetëra vende të botës, por asnjë nga këto shtete apo shoqëri nuk u ka imponuar atyre një robëri të tillë. Edhe kjo është një e vërtetë si drita e diellit.
Rrënjët e helenizimit grek ndaj Shqipërisë zgjaten thellë në shekuj. Ata kanë synuar jugun shqiptar me termin e tyre artificial “Vorio-epir”, me terror, me ushtri, me luftëra, gjakderdhje, me demagogji, rekrutim agjentësh shqiptarë…, për synimin e tyre të madh: aneksimin në “gjirin e kryqit grek”! Sot ajo luftë tradicionale e tyre vijon në “paqe”, me dhrahmi (të konvertuara në euro!), me pensione, me blerje karakteresh e trush të “varfanjakëve” shqiptarë, të të përulurve, të shiturve… Pra, e ka fshehur thikën, ka tundur e tund kryqin (atë kryq, i cili është lyer me gjakun e martirëve etnikë shqiptarë, sidomos në dy shekujt e fundit!). Pra, përçarja dhe magnetizimi korruptim i shqiptarëve – ja metoda e sotme e helenizimit të vjetër grek ndaj Shqipërisë. Është e njohur parulla e tyre e vjetër: “Si mund të lejojmë që … barbarët shqiptarë të bëjnë jetë të pavarur në gjirin e qytetërimit helenik?!”
A nuk e shprehu edhe zëvendësministri i jashtëm grek në ditën e përurimit të godinës së shkollës greke në Himarë: “Me të gjitha mënyrat jemi përpjekur për këtë ditë?!” Po sa ditë të tjera (helenizuese) kërkojnë të gëzojnë ata në tokën shqiptare?!
Shkolla greke në Himarë ishte vetëm një piketë e këtij helenizimi. Vetëm një piketë. Edhe në Evropën e Bashkuar Greqia ka shprehur e shpallur planin e saj të “helenizimit Ballkanik”. Kush e di ç’e quan Evropa këtë plan të anëtares së saj “të sinqertë”: miqësor, paqësor, kulturor? Domethënë Greqia “të zbutë” Ballkanin… së pari duke i ndërruar gradualisht etninë shqiptarëve të jugut! (A e ka në planin e saj moral Evropa “ndërrimin e etnive”?) Kush e shtron për diskutim këtë gjë?
Në shkakun e madh Greqia shfrytëzon varfërinë e shqiptarëve për të realizuar ekspansionin e vet helenizues, në fakt megali-idheist, të mbuluar me maska kulturore e me mburojë “evropianizuese”.
Një objektiv ata e arritën: shkollën greke në Himarë. Nuk u përfill fare flamuri e shteti shqiptar aty. Vetëm flamurët grekë, me vija të kaltra, domethënë: u çel Greqi në tokën shqiptare! Ky hap shoven u krye me këngë e valle, me himn grek, bile edhe me parullën “ti bashkohemi Greqisë!”. Kryqi grek nxinte bashkë me rrason e priftit që buzëqeshte si te vëllai i tij i hershëm i filmit “Udha e shkronjave”, me buzëqeshje të jashtme dhe me thikën nën gunë…! Entuziazmi i tij ishte gati … kozmik, fluturues. Piketa helene u ngul. Shteti shqiptar bënte letargjinë e … Esat Pashës! Vetëm një shtetar yni qe atje, – zëvendës Ministri i integrimit (emri nuk i mbahet mend!), veçse cilësia e tij – agjent i çiltër i megali-idhesë greke! Ai, si në një kopsht privat, i “dha viston” patrikanës greke. I tha: “Merre dhe hape shkollën tënde! Më vonë … pagëzojmë edhe tokën!” Ndërsa lumi i dhrahmive (ose eurove) i ka shndritur fatin agjentit, në sy të të gjithë botës shqiptare!                 
Ky ishte përfaqësuesi i shtetit tonë! A thua se etniteti e toka shqiptare menaxhohen nga një zëvendës-ministër? Dikur Greqia, të tillët, nga radhët e shqiptarëve, i kërkonte me pishë skutave e maleve, i lante me dhrahmi, sot ata – ajo i gjen me bollëk dhe fare lirë, bile brenda shtetit shqiptar! Tragjedia shqiptare vallzon! A do mbijetojë ky komb, më i vjetri i botës? Apo do ta tjetërsojë një kryq ogurzi, si ai i shovenëve të jugut?!
Në Himarë u tund e u valvit një lulishte (nëngjyrëshe!) me flamuj grekë! Asnjë fjalë s’u tha aty për Shqipërinë, në tokën e saj!!!… Kish pamje më të kulluar (bile lirike) shovene se kjo?
Dhe, si e gjeti shtegun ky shovinizëm i kulluar? –Nëpërmjet piketës së vogël të shkollës! Shkolla greke për ta është vrima e fundit e kavallit shoven. Kavalli i madh i tyre është dominimi grek mbi etninë shqiptare, pra, helenizimi. Konvertim i popullsisë shqiptare në fenë, gjuhën, ngjyrën e tiparet greke. Që ky popull të përulet (të përkulë pavarësinë!), të puthë kryqin e të ngrohet nga dielli grek! Ky ka qenë edhe qëllimi esadistëve (renegatëve) shqiptarë, si Zografi, Spiro Milo, etj. Atëherë populli himarjot e i jugut u damkosi atyre në shpatull vulën e tradhëtisë, ndërsa tani, për ironi të fatit (!…) himariotët i tundin vetë flamurët e megalidhsë! Edhe vetë këmbëngulin se “janë grekë” (!) kur e dijnë mirë se rrjedhin nga Kruja, Kurveleshi e Lumi i Vlorës! Kjo është pjesëz e tragjedisë shqiptare. Kombi shqiptar sot ka dy vektorë: forcimin në Veri (Kosovë), e dobësim në jug, nëse nuk do t’i bëhet parapritë megali-idhesë greke. E trishtë, por e vërtetë.
Flamurët grekë në Himarë! Ngjyra e tyre e kaltër sjell ogurin e zi për tokat shqiptare. Po toka, malet edhe brigjet, bregdeti e gjiret himariotë, të kujt janë, të Venizellosit? Apo të Micotaqit? Himariotët, të konvertuar në idenë e gjakun grek, s’i përgjigjen dot kësaj pyetjeje. 
Megali-idheistët gjithmonë kanë thënë se “gjuha shqipe është gjuha e shpellave”, “e mallkuar” etj. Dhe kështu, sipas atyre shovenëve, gjuha më e lashtë e botës duhet zëvendësuar me gjuhën helene, megjithëse edhe këtë e dijnë ata, që gjuha e tyre është e shartuar dhe e kryqëzuar.
Sigurisht, të mbrojtur me maskat evropiane, ata nuk i shpallin hapur këto fraza, por ato përbëjnë shtresën e parë të qëllimit të tyre. Ato qëndrojnë në themelin e programit famëkeq të helenizimit të jugut shqiptar. Ata i kanë ngritur tashmë dy furkat: shkollën greke në Korçë e në Himarë. Si një tra mbi këto dy furka, qëndron vija e afërme e helenizimit, pra, vija Himarë-Korçë e poshtë i takon hapësirës greke (sipas tyre!) Për këtë punojnë ata, për këtë gëzojnë e ëndërrojnë. Gjithë kësaj politike e praktike i prin kryqi ogurzi, i spërkatur aq dendur në histori me gjakun e martirëve shqiptarë.
A u harruan lumenjtë e gjakut të shqiptarëve të derdhur nga grekët (megal-idheistët) pikërisht për ekspansion gjeografik ndaj Shqipërisë: më 1878 në Lëkurës e Sarandë, më 1913 në Janinë, 1914 në Bregdet, Delvinë e Kurvelsh, më 1944-45 në gjithë hapësirën çame, ku therën brenda disa ditëve edhe masa shqiptarësh deri në 400 vetë? Historiku i megali-idhesë greke ndaj shqiptarëve është i shkoqur, i qartë. Ai kullon gjak shqiptarësh në çdo pore e gërmë të programit helenizues. Ka patur edhe një frazë në programin e tyre: “të shfarosim pa mëshirë shqiptarët!”
Nuk u mjaftoi shovenëve grekë tërë ajo hapësirë e begatë nga Arta në Kostur, Konicë… e gjithë Çamëria…, dhuratë kjo që ua bëri Evropa më 1913? Tani shovenët, duke fshehur thikën, plumbin e helmin… ndjekin “rrugën evropiane” (!): atë të dëshirës së “grekërve” në Himarë: të tundin lulishten e flamujve të tyre! Dhe ja, sipas tyre, këtë e do populli “i persekutuar” himarjot, në emër të të drejtave të njeriut!
Tentoi me ushtri Greqia edhe më 1949 ndaj vendit tonë, por atëherë kish zot palo-hauri ynë! Tani ç’zot ka? Parlamentarët e politikanët tanë janë në rrjetën e megali-idhesë greke: organizojnë kacafytjet me njëri-tjetrin në parlament, dhe … nuk kanë kohë të shikojnë lulishten e flamurëve grekë në Himarë! (Ndoshta me qëllim!) Po kush do ta shikojë këtë çështje? Populli i revoltuar i Vlorës? Apo presin që flamuri grek t’u dalë në parlament?
Dhe strategjia shovene e grekërve vazhdon: me rritje pensionesh të atyre që pranojnë kombësinë greke (edhe pa qenë të tillë), me … martesa të djemve lebër me “të krishtera”, me lehtësime vizash e punësh të të helenizuarve në Greqi, me pagëzime e përgëzime të çfarëdo lloji, me investime në kisha greke, e, mundësisht në shkolla të reja si ajo e Himarës, me ardhje ministrash e zv. ministrash grekë (të paftuar) në Himarë, me helenizim të ethshëm të afro gjysëm milioni shqiptarësh në tokën helene, etj, etj.
Dhe, valëvitje: kryqe, flamuj e himne grekë. Kjo është “miqësia evropiane” e Greqisë ndaj Shqipërisë.
Jo vetëm kaq, ato i kanë shtrirë kthetrat e tyre edhe në fusha të tjera të jetës shqiptare: në politikë, ekonomi, muzikë… Mjafton të përmendim vetëm një plan, atë të muzikës popullore shqiptare (të jugut): programet që jepen janë me 25-30% me muzikë greke (e fjalët shqiptare). A thua se je duke dëgjuar një koncert të përhershëm festiv shqiptaro-grek.
Qëllimi i megali-idhesë është që në këto këngë mundësisht të harrohen edhe tekstet shqiptare! Dhe për këtë qëllim ajo paguan e rekruton agjentë të thjeshtë edhe për këngët. Megali – idhea do të godasë kështu gjuhën shqipe, këngët, vallet tona, shkollat tona… duke paguar mohimin e tyre, duke përfituar nga varfëria e shqiptarëve.
Shovinizmi grek ka ndërruar pamje e ngjyrë. Por në qëllim është po ai, i para një shekulli e gjysmë: helenizimi me çdo mjet i jugut shqiptar. Vija Himarë – Korçë është skalioni i parë i këtij invadimi; skalioni i dytë është trekëndëshi tjetër Vlorë-Korçë (a nuk ka rënë balalajka greke “Tepeleni qe Avllona?”); dhe vija e tretë e tyre është ajo e Naçertanies (1854) – vija e lumit Shkumbin, vijë e ndarë vëllazërisht me serbin, të cilit ia theu e shqeu planet UÇK-ja dhe bombat e NATO-s. Po këto – duart e zgjatura të megaliidhesë kush do t’i presë? Topat, thikat dhe helmet e dikurshme ajo i ka zëvendësuar me rrezet rëntgen të dhrahmisë (euros) greke, aq famëkeqe në qëllimin e lëvrimit të saj. Ata ndjekin e do të ndjekin politikën e korruptimit të brezave shqiptarë, të blerjes së truve dhe karaktereve të tyre, deri në mohimin prej tyre të përkatësisë etnike shqiptare. Të firmosen formularët e pranimit të etnisë e fesë greke, e kështu, megali-idheistët të kërkojnë (me konventën e të drejtave!) regjistrimin e popullsisë së jugut, e cila, sipas tyre duhet të dalë më shumë greke, … e kështu ata të kërkojnë referendum qeverisës… (si në Himarë), të bëjnë “Kongresin Vorioepiriot” (si më 1878 në Gjirokastër), dhe në vendin tonë të vendosin e të qeverisin grekët, grekofonët, pasardhësit e Zografëve e Spiro Milove… Bollanot me shokë…
Ky ogur i zi a do ta mbulojë jugun shqiptar? Mos qoftë thënë, por lufta e kuçedrës së jugut është e ngrehur që prej një shekulli e gjysmë, … do të vazhdojë edhe vite, dekada e shekuj të tjerë…
Dikur renegati ynë Esat Pasha, ka thënë: “Tokat nën vijën Himarë – Korçë le t’i marrë Greqia! S’kemi probleme në marrëdhëniet me ta!” Po shteti i sotëm shqiptar pse bën qorrin e shurdhin me megali-idheistët që nxorrën kokën në Himarë? Sa të ketë hyrë tek ata rëntgeni i dhrahmisë greke? Sa molekula të Esat Pashës të kenë në gjakun e tyre?!… Po për integrimin në … “grek” se në atë “evropian” ai as e kishte për moral fare. Dosja e shkollës greke, – tha filogreku Bollano, – kaloi nga një zyrë të ministrisë së integrimit…! Pra, fati i të drejtave shqiptare qenka në duart e një zyre e jo të parlamentit!
Bukur: Këtë bëri edhe Esat Pasha që firmosi shkëputjen e Shkodrës për t’ia dhënë Malit të Zi, dikur këtë edhe Ahmet Zogu për Shën-Naunin mbi Pogradec apo Hotin e mbi Shkodrës, etj…
Zëri i Avniut po ngjallet, bëhet njësh me hymnin e UÇK-ës: “Dhe Kosova është Shqipëri”. Po kjo do vazhdojë: “Edhe Çamëria është Shqipëri!”
Jugut shqiptar i kërcënohet një rrezik potent: vrima e zezë e shovinizmit “paqësor” grek. Ajo do të shkërmoqë e të thithë tërë Shqipërinë.
Kjo përballohet kur çdo subjekt shqiptar, individ apo grup, apo organizëm… të ketë e të forcojë në gjakun e vet UÇK-në etnike të simbolit shqiptar…
 

Filed Under: Analiza Tagged With: "PAQESOR" GREK, Idajet Jahaj, VRIMA E ZEZE E HELENIZIMIT

KORBAT SHOVENË ME RRASO SHENJTËRIE

March 29, 2016 by dgreca

Nga Idajet Jahaj, Vlorë/

 Shkak për këtë meditim m’u bë një artikull i autorit Vasil Çika në gazetën “8 Nëntori” të korrikut 2006, me titull “Shën Kozmai dhe Janullatosi nuk janë njerëz të perëndisë”. Autori, me shqetësim atdhetar dhe me argumente të bollshme, jep fytyrën e vërtetë të këtyre megaliidheistëve grekë që “çjerrin” tokën shqiptare me … fjalët e kazmat e tyre ogurzeza, si në zhvarrimet e Kosinjës në Përmet, etj.
Njohuritë për qëllimet, veprimet dhe teoritë e tyre – janë të shumta. Por me të drejtë, tek çdo shqiptar i vërtetë vibron një shqetësim: prej dy shekujsh vazhdon kjo çjerrje! Vazhdon edhe sot, më shumë se kurrë, bile jo larg, si dikur, por brenda tokës sonë!
Vërej fotografinë e Janullatosit (në gazetë) dhe bëra krahasimin e fytyrës së tij me atë të priftit grek tek filmi “Udha e Shkronjave”. Sa të ngjashëm: në rraso, në veshje, në kapuçin e zi të kokës, ku ruajnë aq qëllime të zeza, në zinxhirin e gjatë me kryqin e varur mbi gjokset e tyre të zes. Mjekra apo duart e tyre të bardha janë mashtruese, fshehëse të qëllimeve të tyre shovene; nga ato s’mund të pikojë gjë tjetër, veçse gjak shqiptari (si tek thika e priftit të filmit) që goditi në kurriz bartësin tonë të urtë të shkronjave të bekuara shqipe. Qielli dhe dielli i shkronjave tona është verbues për këta kroba shovenë të megaliidhesë.
Pra, dy korba: Shën Kozmai, i shekullit të 18-të dhe Janullatosi i sotëm, të dy këta – të simbolizuar – bukur te prifti i “Udhës së Shkronjave”. Prifti (i filmit) ngriti thikën, këtë mjet ogurzi të patrikanës greke ndaj shqiptarëve. Por, i bazuar dhe i puthitur në të, edhe kryqi ogurzi e gjakpikues. Shën Kozmai i Janullatosi e një sërë korbash të tjerë kanë goditur e goditin me thikat e fjalëve të tyre për “gjuhën e ëmbël greke” e “për gjuhën barbare shqipe”, për “Greqinë e bukur” e “Shqipërinë e mallkuar”, për hapjen e shkollave të tyre në tokën tonë e për lënien pas dore të tonave, etj., etj.
Shovinizmi grek, me prarojë këta korba shovenë me rraso të zezë, është nga shovinizmat më kriminalë të planetit. Kryqet, thikat dhe fjalët e tyre kanë rrjedhur vazhdimisht gjak shqiptarësh.
Duke gjetur një fushë të lirë veprimi këta korba tash rrëmbyen edhe kazmën dhe rrëmuan nëntokën tonë, në Kosinjë të Përmetit, për të nxjerrë e varrosur në kishat tona eshtrat e “martirëve” të tyre të luftës së Dytë Botërore, në tokën tonë! Nuk gjetën sa duhet eshtra të tyre, dhe i plotësuan me eshtrat nga tonat, shpesh edhe me eshtra kafshës (gomarësh) (kështu u përhap lajmi). Por shpërndanë gjithandej mbi tokë eshtra nga të baballarëve të fshatit Kosinjë, të burrave, gjyshërve, grave apo fëmijëve shqiptarë. Sikur vendi këtu të mos kishte zot fare.
E kështu shovenët hodhën vallen e hijenave e dhelprave të varreve që e bëjnë tokën limer për të lëpirë ndonjë kockë të thatë! Dhe lëndina e Kosinjës ngjan kështu me eshtra të shpërndara sipas një darke bishe greke!
Ndërsa korbi i shovenëve, Janullatosi, që populli shqiptar nuk e di ende kush e ka vënë atë këtu (ose edhe e di, po i ka ngecur sharra në gozhdë!), e pse qëndron akoma, – ai, duke shkelur autoqefalinë e Fan Nolit, në kishën tonë ortodokse, flet lirisht në ekranet tona që “brezat e rinj shqiptarë të mësojnë gjuhën ideale greke!” Dhe bekon veprimet e zhvarrosjeve makabre. Kështu kishat tona ata i “shenjtërojnë” me megaliidhé, me helenizim të tokës sonë. 
Mbarë populli shqiptar është indinjuar jashtë mase nga kjo liri e shovenëve të jugut. Ata po lejohen të përdhunojnë atë ç’ka është më e shtrenjtë: truallin tonë etnik. E pse? Sepse shteti ynë bën njërin sy qorr e njërin vesh shurdh për krushqinë (financiare) me fqinjët shovenë të jugut. Popullorçe kjo përkthehet: lëre pushtin për një kohë të gjatë pranë gruas apo nënës, mos kundërshto, se prishesh me ‘të, e të prishen llogaritë. Ai do lodhet nga ky shoqërim e do iki vetë!
Mërmërima e revoltës rrit dallgët e shpirtit revoltues të këtij populli që s’ka pranuar kurrë të shkelet nga i huaji… kundër shovenëve grekë, por edhe ndaj renegatëve tanë.
E ky ngre në ekranin e kujtesës historike e në qiejt e atdhetarisë sonë dy vargje poetësh tanë të mëdhenj:
-të Ali Asllanit:
“Varen eshtrat e shqiptarëve
Mu në sqepat e skifterëve”
E tani kjo duhet thënë:
“Varen eshtrat e shqiptarëve,
Mu në sqepat e shovenëve”!
Dhe, i dyti, rilindësi i madh, Pashko Vasa:
Kët’ nënë të dashtun a do ta lamë
Që t’vijë i huaji e ta shkelë me kambë?
Jo, jo, kët marre askush s’e do!…
 (2009)

Filed Under: Analiza Tagged With: Idajet Jahaj, Korbat shovene, me rraso shenterie

MAKSIMA PER PATRIOTIZMIN

March 16, 2016 by dgreca

-mbledhur nga IDAJET JAHAJ- Vlorë/

Patriotizmi është qielli i zemrave të bashkëkombasve për dheun e lindjes.Eshtë deti i aspiratave për komb-lulëzim. Eshtë drita dhe fari, optimizmi dhe kuptimi i ekzistencës, frymëmarrja dhe kënga nën këtë qiell…Sa mendime të kristalta janë thënë për këtë atdhe, sa fjalë të urta e të arta, vargje të florinjta, esenca, sentenca , vrunduj filozofikë,…nëpër shekuj e mijëvjeçarë, nëpër vite e dekada…Ja disa maksima prej tyre , nga korifej të mendimit tonë filozofik, poetik e të atdhetarisë sonë :

-Nëpër majat e lisit tonë kombëtar po fryn një erë hyjnore. (De Rada)
-Kur do të vijë ajo ditë kur mbi kështjellën e Rozafës në Shkodër të ngremë flamurin e dielltë të Ilirisë sonë ?…(Dora d’ Istria )
-Shqipëri, o jetëgjatë, / Ty të kemi mëmë e atë… (Naimi )
-Mëmëdhe quhet-ë toka / Ku më ka rënur-ë koka. (Çajupi )

-Se për mua ti, o atdhe / je një lule aq e vyer / sa nuk gjendet përmbi dhe / shpirtin tim për ta ushqyer… (Asdren)
-Unë jam mirë, kur asht Shqypnia mirë… (Isa Boletini)
-Fund e maje nji a Shqipnia / e nji gjuhë t’ gjithë na bashkon…(Ndre Mjeda )
-E përqark ksaj rrokullie / si Shqipnia nji vend nuk ka…(Fishta)
-Patriotizmi është një lule që nuk vyshket kurrë… (Noli)
-Ç’ do të thotë patriot ?/ -Një tufë ah e një tufë lot…/Dhe një diell-Shqipëri…(Ali Asllani)
-Shqipëri- o hallemadhja ime shekullore…(Agolli)
-Atdheu- një prill i pikëlluar në shpirt…(Fatos Arapi)
-Vizioni rilindas mbetet bazë edhe për botën e sotme shqiptare… (Kadare)

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, MAKSIMA, PER PATRIOTIZMIN

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT