• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KU E DHA JETËN ZENEL GJOLEKA?

March 5, 2016 by dgreca

Nga Idajet JAHAJ/ Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Rrapo Hekali e Çelo Picari përbëjnë katërshen e famshme të kapedanëve të Shqipërisë së Jugut (Kurveleshit e Mallakastrës) në gjysmën e parë të shekullit të XIX. Ata drejtuan lëvizjet e mëdha popullore që i paraprinë Rilindjes Kombëtare e që u bënë aq shqetësim për Portën e Lartë.

Ku e dha jetën kryetrimi Gjoleka?
 Labëria ra në sërë
Mbenë gratë me lesh stërrë!…
 Rrallë mund të ndodhë në jetën sociale të një populli – një dert, kuje e zi e tillë masive për individin e shquar. Këtë e bën heroi, jeta e të cilit është shkrirë plotësisht për jetën dhe idealet e përbashkëta e kolektivitetit. Zenel Gjoleka ishte bir i dashur i çdo dere, prandaj u nxinë edhe flokët e grave për vdekjen e tij:
 …Mbajnë zi p’r ata të mjerë
Që nxiruan Labërinë,
Për Gjolek, Hodo Alinë
Mbenë lark nga vendi inë[1]
Me karadakas u grinë
Për të ruajtur kufinë.
 
Më 1852 malazestë sulmuan Shkodrën, nga veriu dhe jugu i liqenit të saj. Udhëheqësit e rezistencës popullore lëshuan kushtrimin dhe kërkuan ndihmë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ndihmat nuk vonuan, edhe nga Bregdeti, Himara, Dhërmiu, Vunoi, Qeparoi, Lumi i Vlorës, Kurveleshi, etj.
 
Shqipëtarët u lëshuan
Se ish lufta në kufi,
Nga gjithë anët shkuan
Me Gjolekën në Mal të Zi.
 
Kapedani lab pasqyrohet me epizëm të rrallë:
 
Karadak bëhet sefer[2]
Vjen Gjoleka serasqer
Me karadakas u ther
………………
Dërgon Vlladikë[3] qafiri:
-Ju karadakas sa jini,
Qafën e Kërstiqit ziri,
Vjen Gjoleka, po t’i bini!…
 25 vjet luftë kish bërë ky kryetrim. Ishte bërë tmerri i hordhive otomane që vinin valë-valë për të nënshtruar Jugun. Tani, edhe vdekjen e dha atje, në vijën e shenjtë, kufirin verior të Atdheut. Vajtojca labe e qorton:
 Gjolekë, të rëntë pika,
Të mbet koka në Vlladika!
Po kush ish Gjoleka i famshëm?
Disqet orale të këngëve të popullit e pasqyrojnë atë me nota të theksuara epike e liriko-elegjiake. Rrallëkujt populli i ka kënduar ashtu, me një pafundësi ndjenje e krenarie:
Që pa i dirsur mustaqja, kur ishte ende 18 vjeç, Zenel Gjoleka, ky djalë i ri kuçiot, zbatoi udhëzimin e Tafil Buzit (nga mërgimi) për vrasjen e Kaftanazit turk në Janinë, duke i marrë kështu hakën Ismail Vlorës (gjyshit të Ismail Qemalit) të cilin turqit e kishin vrarë me të pabesë në Janinë (1829):
 Dërgon Gjolekë spanoi:
-Tafil Buzit të m’i thoi,
Gjoleka s’e turpëroi,
Kaftanazin ç’e martoi,
Nëpër dyzetmijë shkoi!…
 Ai u bë udhëheqësi kryesor i kryengritjeve të viteve 1830-1850 që u bënë në Jug të Shqipërisë, sidomos asaj të vitit 1847, “më e madhja që nxori ky vend” sipas historianit grek Arvantinoit.
Atë vit “edhe ujët e lumit Shushicë” u bë i kuq nga gjaku i të vrarëve” – thotë gojëdhëna e popullit.
Kjo kryengritje pati jehonë të madhe edhe në Evropë. “Heroi i ditës kudo është Zenel Gjoleka” – shkruan një historian francez i kohës.
Lira popullore bashkëbisedon me trimin, si në legjendë:
 Kini parë a s’kini parë,?
Si Zenel Gjolekë labnë?
Me njëmijë kapedanë…
O Gjolekë, a derëzi
Qish nuk t’u tremp ai si[4]
Me një goxha Rumeli?
 Vajtojca e ledhaton me krenari:
 
O Gjolekë trëndafili,
Mua s’ma priste fiqiri
Të bëneshe kaq i miri
Sa të të kërkon veziri…!
I bën portretin e saktë kaçakut kryengritës, të tmerrshëm e simpatik:
O Gjolekë, lab i Kuçe,
Fustani mbi gju hajduçe,
Pall’ e larë me cullufe
Dyfeku me dyzet strufe.
…Pall’ e larë vetëtimë,
E shkreta i rrih pëqinë…
 
I flet, sikur i drejtohet legjendës, hyjnisë mbrojtëse të vegjëlisë:
O Zenel, të keqen – o,
Hipi balashit[5] e shko,
N’ato male më qëndro,
Pashallarët m’i shkurto,
Dhe nizamët[6]m’i lësho…
 
Jeta e trimit kaloi në luftë. Përfytyra e vargut e ngrin si në film:
Ç’është ai që si veriu
Nga gryk’ e Kuçit arriu?
Shtatëqind pas vetiu
Është Gjolek mandileziu,
Gjithë një jetë majë doriut,
Turqit me pallë ç’i griu,
Palla në dorë ç’i ngriu!…
 
Më në fund monumenti moral:
Sa rroi’ palla s’iu ter,
I erdhi vdekja me nder.
 
Dhe kryemotivi:
U trete, Gjolekë, u trete,
Sos u përpoqe për vete.
Po për gjithë vilajete.
Pse lufton, a derëzi,
-Sos për mua a për ty,
Po për gjithë Shqipëri!
 
“Për gjithë Shqipëri!”.
Kjo thënie – aforizëm qëndron në themelet e formimit dhe unifikimit të kombit. Është deviza e një kalorësi të madh të lirisë, i cili e shkriu tërë jetën dhe më në fund e dha edhe atë nga njëri skaj i Atdheut në tjetrin, pikërisht atje në vijën e shenjtë…
 


[1] nga vendi ynë (krahina)
[2] luftë
[3] komandanti I malazesve
[4] Trajta dialektore: qysh, sy…
[5] kalit
[6] bijtë e popullit shqiptar

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, KU E DHA JETËN, ZENEL GJOLEKA?

VARGJET E POPULLIT PËR TËRËSINË ETNIKE SHQIPTARE

November 20, 2015 by dgreca

Nga IDAJET JAHAJ/
Sa mallëngjim shkaktojnë vargjet e popullit për dertin e madh të kombit-atë të çështjes etnike! Me muzën e tij të madhërishme, ai i kënduar qëndresës heroike të shqiptarëve në shekuj dhe krenarisë për këtë mbijetesë. Janë shumë të njohura vargje të tilla – sintezë për Shqipërinë e flamurin:

Ç’bën, moj Shqipëri sërmaja?
Qysh të qiti haritaja,
Të shoi topi e mortaja,
Që kur është zënë dynjaja,
Lufton shtetet e mëdhaja,
Se kërkon flamur’ e saja…

A nuk gjëmoi e llamburiti edhe në fundin e shekullit që shkoi, lufta legjendare e kosovarëve për pavarësi e flamur? Ai flamur e ai gjak që u derdh për ‘të, u pa me admirim nga të pesë kontinentet e botës.
Sa aktualizim të përhershëm kanë shprehur e shprehin vargjet e famshme:

Shqipëri, shkëmb’ e gur,
Kështu ke qenë që kur,
Vrite, prite për flamur,
Pesëqind vjet e kusur,
Bota hiq e tinë vur…

Jo pak përpjekje ka sot në pjesë të tjera të Ballkanit që duan ta lenë në hije, ta eklipsojnë flamurin shqiptar, i cili drithëron në vatrat e në duart e popullit të pamposhtur. Por loti i madh i shqiptarëve për ndarjen etnike (që i bënë fuqitë e mëdha më 1913) pasqyrohet edhe në folklor me një epicitet tragjik të rrallë. I derdhi lumenjtë e gjakut populli, por atdheun ia copëtuan, duke i lënë pjesën më të madhe jashtë. Këtë tragjedi muza popullore e pasqyroi me tonet më elegjiake:

U mbëlodhë gjithë tok,
Tërë njësh-gegë e toskë,
I shtërnguan duart fort,
Rreth zhgabës me dy kokë…

Kështu më 1878-tën, me 1912 – tën etj, por më pas gjëma e madhe ndodhi: Kosova e Çamëria mbetën jashtë trungut amtar! (Ulqini u ish dhënë të huajve më përpara).

Ç’bën, e shkreta Shqipëri,
Rreth e rreth si në avlli,
Ndarë në katër sini…

Loti ka shprehur dertin, por edhe thirrjen, kushtrimin, mbajtjen gjallë të ndjenjës së atdhetarisë:

Qaj, Kosovë e Çamëri,
Që kini mbetur në botë,
Ca Greqi, ca në Sërbi,
Jini këputur si zogjtë,
S’është e mirë ajo zoi,
Që jini ndarë me shokë…
Me ne do kini bashki,
Ësht’ e shkruar në Evropë.

Poeti popull kujton, por edhe mediton: Nuk mund të ekzistojë Shqipëria ashtu e coptuar (më katërsh!) si asnjë komb tjetër në botë! Ka kombe të tjerë, që janë ndarë në dy pjesë, po jo në katër!
Vetëm në fundin e shekullit të 20-të Shqipëria pati gëzimin e madh të çlirimit të një pjese të saj – të Kosovës. Po pjesët e tjera? Sa shekuj duhet të punojnë për ‘to, që t’i kthehen gjirit të MËMËS?
Çamëria martire, Çamëria e përgjakur dhe e shkulur, thërret në dhjetëvjeçarë:

-Pse po klan, moj Çamëri?
-Ç’të mos klaj, moj Shqipëri,
Gjithë huduti i Çamërisë
I mbeti resto Greqisë!

Dhe pastaj ajo vazhdon kushtrimin e mbijetesës nën dimrin e shovenëve të jugut:

Klajn’ Preveza me Janinë,
Klan Narta me Thesalinë,
Kërkon Shqipja Shqipërinë
S’rrojmë dot nën Greqinë!…

Dhe vaji çam për kombin e coptuar është i gjatë, drithërues, lebetitës:

…Pa shikoni varret tanë,
Për një pikëz ujë qajnë.
Në varret e të parëve tanë
Lulet e bari janë tharë!…
Aty lule duhen mbjellë,
Kombi ujë duhet të hedhë…
Në buzët e detit Jon,
Ku gjaku i shqipes kullon…

Pra, populli, nëpërmjet megafonit të madh të vargjeve kërkon vetveten, të drejtat e tij natyrore, të ligjshme. Duke prekur plagët e historisë së tij, ai evokon krenarinë e bukurinë e vetvetes, të historisë e etnisë:

Shënëdreu trembëdhjetë,
Më këmbë u ngrit vegjëlia.
Ç’e gjeti Sazan’ e shkretë?
Na e mori Italia!
Trëndafil me katër fletë,
E kish zili Evropia.

Aludimi është i qartë: Kur ish e bashkuar, me të katër vilajetet e saj së bashku, Shqipëria hijeshonte në Ballkan si komb e popull i barabartë me të tjerët. Me të katër vilajetet, pra, katër fletët e lules së rrallë – trëndafilit. Evropa e kish zili. Më pas, po ajo Evropë e coptoi, ia veçoi petalet. (Tashmë kohët kanë ndryshuar.)
Të tilla simbolika brilante gjen folklori për të shprehur dashurinë e madhe për këtë atdhe të shumëvuajtur. Populli ynë është humanist i vërtetë, demokrat e përparimtar. Kjo nuk thuhet për propagandë. Shtetet e afërt-fqinjë, por edhe të largëtit, i kanë shumë borxhe popullit tonë. Por ky, si demokrat e progresist që është, në natyrën e tij, nuk mban mëri me ta, përkundrazi, shpreh aq pastër, aq çiltër, me aq urtësi:

Ne jemi në tokën tonë,
Gjë të huaj nuk kërkojmë;
Gjitonët i lajmërojmë,
Mos na ngisni në punën tonë,
Ne duam demokracinë,
Me gjitonët – miqësinë…

E kështu, në linjën e vet, në filozofinë historike, populli ynë nënvizon atë që Udhëheqësi e flamurtari i tij i madh – Ismail Qemali, shkroi pas vitit 1913: “Kjo ndërtesë Ballkanike mund të forcohet vetëm me forcimin e Shqipërisë, e cila përbën kollonën e katërt që e mban”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, tersia etnike, Vargjet e popullit

HAPËSIRA FILOZOFIKE NË VEPRËN E NAIM FRASHËRIT

October 24, 2015 by dgreca

NGA IDAJET JAHAJ/
Naim Frashëri – ky gjigant i mendimit shqiptar, gjigant i ndjenjës dhe poezisë, këtë muaj[1] mbush 100 vjet nga vdekja e tij. Kombi e ka vajtur atë si rrallë kush, i ka dhënë titullin “kombëtar”, pas atij të Skënderbeut (heroi kombëtar). Ai bëri në poezinë e filozofinë atdhetare atë që bëri Skënderbeu me shpatë.
Ku nuk shtrihen e shkëlqejnë fushqetat shumëngjyrëshe të mendimeve të tij? Në të gjitha aspektet botëkuptimore që kërkonte shoqëria shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të nëtëmbëdhjetë, shekull në të cilin çështja kombëtare mori hov e flakë.
Kishte dalë para tij edhe shatërvani kombëtar i ndritshëm deradian, që skuqi qiellin shqiptar, por dielli-Naim do ta lbyrte atë, do ta ngrohte e do t’i jepte rreze këtij trualli. Një diell i fortë që u dha gjak të gjitha luleve të shpirtit të këtij kombi.
Vargjet e tij, sa delnin, merrnin me vrap të gjitha trevat dhe skajet e atdheut, tokën arbërore, thitheshin me etje nga populli i shumëvuajtur. Populli i shqipeve thithi me krenari këngën e ëmbël të Naimit, ajo u bë pjesë e qenies së tij, e të gjithë brezave. Lumi poetik naimian u bë abetarja e madhe kombëtare, abetare me shkronja zjarri. Ishte lumë i madh që fati po ia jepte Shqipërisë me bollëk: mijëra vargje për krenarinë etnike, për heronjtë, pellazgjinë, gjuhën, shkollën, mësimet, urtësinë, humanizmin, filozofinë, zotin, natyrën, pamjet e mrekullishme të jetës e gjithësisë, që dehin njeriun dhe vijojnë jetën e tij të përtërirë mbi tokë. Abstragimi i tij futet thellë në kozmos:

Botërat janë paanë,
Fund e krye nukë kanë;
Dielli është një yll i zjarrtë,
Që ndrin porsi top i zjarrtë,
Teje kanë lindur yjet endacakë,
Dora jote i ka ndezur porsi flakë.
Bija jote është endacakja Tokë,
Afërdita e Mërkuri me kaq shokë.
Që kur teje këto dritëza u ndanë,
Si pa mend enden qiellit të paanë…
…Se sa trupa ka të ndritur, madhështorë,
Por i shkurtër është syri ynë i gjorë…

Astronomia e tij poetike “zbret” në Tokë:

Dheu është një yll i qiellit,
Që lëvrin në hapësirë
Vjen rreth e rrotull diellit
Në të ngrysur, më të gdhirë…

Vëzhgimi i poetit ecën me shkencën bashkëkohore.
Ai zbret tek njeriu e njerëzimi, dhe këtu, në këtë planet, si një mrekulli të natyrës, si një pikëz të ndritshme në univers, zoti ka zbritur një komb-shumë të vjetër – Shqipërinë:

Bota që kur është zënë
Shqipëria gjallë ka qënë…

Atdheu për ‘të është fokusi, filozofia dhe qëllimi. Atij ai i evidenton çdo njohuri, çdo poezi. Ai përbën refrenin, sentencën, esencën, përvijimin dhe kuptimin e qenies:

Shqipëri, të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë!

Vargjet e tij ndriçojnë të gjithë shekujt, me aktualitetet të pashuar. Këtij atdheu ai i fal gjithçka: njohjen, iluminizmin, humanizmin, bukurinë, jetën, shkollën e diturinë, meritën e ekzistencës dhe madhështinë e heronjve. Në qoftë se atdheu do ndriçojë, atëherë do të shijohet më mirë edhe bukuria e botës dhe e jetës së banorëve të tij. Në këtë atdhe “jemi një fis e një farë”/; Për Shqipërinë / ditët e mira / paskëtaj vijnë / shkoi errësira.

Sërish aktualiteti, sikur Naimi të jetonte sot:

Do të ngrihetë kjo rezë,
Që na i rri mbi kokë e zezë!
…Mos e lini Shqipërinë
Duke marrë arratinë!

Midis njerëzve duhet të mbretërojë paqja, kultura, sjellja njerëzore:
Është vetëm njerëzia / Që i duhet njerëzisë/ … prandaj:
Bashkoni dhe ju q’u dua
Zënë e zemërën me mua,
Ish shumë trim shqiptari
Dhe i bukur si fill ari…
Vetë poeti ishte “një shkëndijë prej qielli / dhe një drudhëzë prej dielli”. Këtë dritë ai e shpërndante me çdo mjet e mënyrë poetike, me të gjitha degëzimet e lumit të tij të madh filozofik. Naimi ynë është ndër krenaritë filozofike të kombit, ndër më të mëdhenjtë.
Veshja poetike që u bënte këtyre mendimeve, i bënin ato të llamburinin me një dritë të madhe e të ëmbël, që nuk shlyhen nga kujtesa. Iluministi shkëlqen kur thotë: “Dhe dritë e diturisë – përpara do na shpjerë” / apo:
Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu, o dritë,
Se arriti kohë e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë!…

“Nga vlera e diturisë – tek froni i perëndisë” – filozofon ai.
Optimizmi i tij i përsëritur tejkalon edhe këtë shekull:
Kam shumë shpresë / te perëndia/
Që të mos jeshë / kështu Shqipëria/
Po të ndriçohet / të lulëzohet…

Kamera e tij filozofike rrok qiejt. Natyra për ‘të është një lumë i madh, me shfaqje e pamje të ndryshme e të panumërta. “Të lexojmë librin e madh të natyrës” – kjo ishte motua e tij. Meditimet të mrekullojnë:
“Sa e dua gjithë jetën,
Se atje gjej të vërtetën;
Yjtë, hënën, hapësirën,
Të mugtit, natën, ditën,
Mëngjesin, diellin, dritën,
Mbrëmjen, dh’ atë errësirën…
………………
Oshëtimën, pyjet, drurët,
Shkëmbenjtë, gërxhet e gurët,
Lulet, barërat që mbijnë,
E shpezët që fluturojë,
Edhe këngëra këndojnë,
E nëpër dega lëvrijnë…

Më tej tek “Mejtimi”:

Rri, mejtohem shumë herë,
Tek perëndon ylli i zjarrtë,
Edhe hapetë një derë,
Soje rrjedh një dritë e artë…

Oh, sa të bukura janë,
Fushatë që gjelbërojnë,
Qiejt, që s’kanë anë,
Dhe lulet që lulëzojnë…

Peneli i tij poetiko-filozofik prek çdo anë e lule të jetës së kombit si yllësi ndriçojnë lajtmotivet:
O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë,
Fushat e gjëra me lule që u kam ndërmend ditë e natë.
Malet e fushat e tokës arbërore, ku punojnë si yjtë – shqiptarët, ai i qëndis me vargje e mëkon ndërgjegjen e brezave:

A e shihni gjithësinë? Yjtë diellin, hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën e Kumtërit, shënjën?
Si janë përveshurë gjithë edhe lëçijn’ e punojnë,
Njëri-jatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
…dhe burrat trima me besë dhe shpirtmirë e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë…
Dua të dal majë malit të shoh gjithë Arbërinë
Vëllezërit shqiptarë si venë në punë e vinë…

Zjarri i atdhedashurisë naimiane është i pakrahasueshëm. “Bagëti e Bujqësia” e tij është një homeriadë shqiptare. Naimi – poet, mësues i kombit, mendimtar, ëndërrues, edukator, iluminist, humanist. Atdheut ai i nënshtron edhe perëndinë:

Nata atje është tjatër natë, edhe dita tjetër ditë,
Në pyjet e gjelbëruar atje rrijnë perënditë.

Për çdo sferë të krijimtarisë së Naimit mund të bësh studime, libra, filozofime e meditime. Frymëzimi që ai ka ngjallur në zemrat e shqiptarëve në çdo kohë, ka qenë epokal. Ai le gjurmë të madhe e të ndritshme edhe në një fushë tjetër filozofike – atë të fesë. Ndjek e predikon rrymën më të përparuar të islamizmit – bektashizmin. E quan atë fé të shqiptarëve, dhe i mëshon aq shumë, saqë u bë apostull shpirtëror të tij. E identifikon perëndinë me njeriun e njerëzimin:

Zot’ i madh e i vërtetë
Kur desh të dil në shesh vetë,
Krreu në jetë njerëzinë…
Për t’u treguar i tërë,
Vetë ay njeri ësht’ bërë…

Fetë janë të ndryshme, por zot ka vetëm një. Dhe ai është brenda njeriut, gjithësisë. Panteizmi i famshëm naimian bëri për vete zemrat e shqiptarëve, sepse në ‘të frynte era e pastër e thirrjes për Komb, bashkim, ndriçim e përparim, në emër të perëndisë. “Kush do të njohë perëndinë / le të shohë mirë njerinë / – thotë poeti filozof.
Në të gjitha aspektet që shkruan, i madhi Naim ndriçon njeriun e njerëzimin, stili i tij merr flakë sidomos kur i skuq si vetëtimë ajo – hyjnorja – Shqipëria:

Zemrën’ e varfër time aty ndër ju e kam mbuluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj’ i ftoht’ e i kulluar;
Jam larg jush i dëshpëruar edhe s’e duroj dot mallë,
Po s’e di si dua unë, do t’ju shoh një herë vallë?!…

Vepra e Naimit kapërxen shekujt duke ndriçuar si një disk i madh diellor… si një pllakë e madhe plot flakë e melodi atdhetarie.
Vetë AI- identitet i Shqipërisë në botë.

[1] Tetor 2000, me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së poetit të madh

Filed Under: LETERSI Tagged With: E NAIM FRASHËRIT, HAPËSIRA FILOZOFIKE, Idajet Jahaj, NË VEPRËN

UJI, ZJARRI DHE MORALI

October 7, 2015 by dgreca

   -nga një kallzim-/
Nga Idajet Jahaj/
 
Patën një periudhë që ata u mërzitën me popullin e tyre. Populli ishte vesves, ters dhe kryeneç. Diskutonte keq e i shpërfillte në çdo gjë.
Secili prej pjestarëve të tij turfullonte me tjetrin, pa ndjenjën e tolerancës.
Kështu vepruan edhe në një kuvend sqarimi me ujin, zjarrin e moralin. Se pjestarët e popullit ishin sherrxhinj e donin t’i dëbonin.
-Mosni,-i tha popullit zjarri, shumë i nevrikosur.-Mosni, se unë, po ika, nuk kthehem më te ju! Vetëm në ndonjë pyll do më shikoni, duke përpirë gjethet e degët e tij të thata apo të blerta.
Populli qeshi dhe nuk ia vuri veshin kësaj fjale.
Zjarri iku e ata (populli) e panë vërtet nga larg duke përpirë pyllin.
-Do vemi ta marrim,-thanë pjestarët e tij.-Kemi gabuar ndaj zjarrit. 
Dhe thonë se morën farën e tij, pas një hezitimi të gjatë…
Por nuk e patën mirë punën me ujin. E shpërdoronin, talleshin, e hidhnin ndaj njëri-tjetrit me grushte, e shanin.
-Mosni,-u tha uji,-se, po ika, nuk kthehem më, si zjarri. S’do më gjeni dot. Do futem thellë në tokë!
S’e besoi këtë gjë populli, dhe vijoi mospërfilljen ndaj ujit.
Po uji, i mërzitur shumë, iku nga sipërfaqja e u fut thellë në tokë. Populli ulëriti, se s’duronte dot për ‘të. Plasi nga etja, për pak ditë. Pjestarët e tij gulçonin e shfrynin ndaj vetes për gabimin me jetën e tyre-ujin. Ku nuk e kërkuan, po nuk e gjetën. Vendosën të gërmojnë tokën. Thellë, thellë, e, më në fund, gjetën një sylynjar të tij. Si u shndritën sytë kur e panë! Gërmuan e gërmuan, e, si e lanë të madhohej, i vunë çikrik e e nxorrën në sipërfaqe. Tashmë çdo pikë të tij e puthnin më parë se ta pinin! “Kemi gabuar shumë,-thoshnin me njëri-tjetrin kokëulur,-na fal o syri-qelibar i jetës!”
Por, duke qenë vesves, populli mërziti edhe moralin. E shanin kot, e qesëndisnin, nuk e përfillnin. Por morali, në kulmin e inatit të tij të kristaltë, ia pat popullit:
-Rri urtë, se, po ika, nuk më gjen dot më, si zjarrin dhe ujin.-Aha, unë një fjalë kam e s’e kthej dot më. Nuk do më gjeni, sikur edhe tokën e qiellin të bëni bashkë.
Nuk e besoi populli e vijoi sharjet e tij prej vesvesi.
Dhe thonë se morali iku. Me të vërtetë. Ku nuk kërkoi populli: në det, në tokë, në qiell. Gërmoi brenda vetes,-në tokën dhe qiellin e ndërgjegjes. Pa me përcëllim, kujoi me brengë, po moralin nuk e gjeti më.
-E shihni?-thanë për një gojë zjarri e uji.-Ai s’u kthye, si ne. Ne u treguam zemërgjerë.
Moralit s’i dëgjohej kurrkund triva1) e zëri. Populli pa ‘të mbeti si kufomë, meit2) i verdhë, e s’i vërshëllente kush.
 
________ 
1)triva-rruga
2)si i vdekur 

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, UJI, ZJARRI DHE MORALI

GRUEVSKI:SHQIPTARET NUK JANE INDIGJENTE, JU ERDHET NGA URALET….

May 12, 2015 by dgreca

Nga Idajet Jahaj-Vlore/
I përtypi edhe 14 shqiptarë milosheviçisti Gruevski !
U theu kafkat.
U derdhi gjakun!
Urrejtja sllave gëloi rrugëve e rrugicave.
Qëlloi mbi lagje.
Qëlloi mbi popull.
Me armë të rënda !
Natën !
Në gjumin e thellë.
Dhe u tha shqiptarëve: indigjenë !
Kush janë indigjenë:shqiptarët, që janë prej mijëra vjetësh këtu, apo ju, që keni ardhur që përtej Uraleve?
Siç duket, në stadiumin -shtet të milosheviçistit-Gruevskinuk është tundur mirë DRONI ynë kuqezi.
Por do tundet !
Revolta e një populli të tërë shqiptar do kulmojë dallgëzimet e veta…
Karikatura: Kortezi:Almakos- A e kishte mbeshtetjen e pozites dhe opozites Shqiptare Kryeministri Gruevski? Kush tha se JO?!

Filed Under: ESSE Tagged With: autoktone, Gruevski, Idajet Jahaj, maqedonsit, shqiptaret, Uralet

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT