Ilir Cubi/
Udhëtimi në Vatikan ishte një prej eksperiencave më të pa harrueshme në jetën time. Udhëtim i shenjtë për të nderuar institucionin shpirtëror që ka frymëzuar e drejtuar shqiptarët në kohërat më të vështira të ekzistencës sonë. Kjo vizitë e shenjtë vjen në një moment delikat për mbarë botën. Paqja dhe njerëzimi është i kërcënuar nga lufta. Lutjet e Vatrës e vatranëve në Vatikan për paqe, bashkim e vëllazëri mes vendeve e popujve e bëjnë këtë moment shumë special për të gjithë ne që morëm pjesë. Më shumë se 100 vatranë e shqiptaro-amerikanë, miq tanë nga Europa e trojet tona nderuan me vizitën në Vatikan duke u lutur për paqe për çdo shqiptar sidomos për Kosovën. Për mua ishte një nder i veçantë që kalova kohën me burra dhe gra të tilla të përkushtuara e të nderuara të Federatës sonë të dashur të Vatrës, kjo ishte një shenjë kuptimplote në historinë tonë moderne. Me zemrat dhe shpirtrat tanë, me mendjet tona të vendosura të lutemi për të gjithë njerëzimin në çdo kohë e sidomos për kombin tonë. Kosova më shumë se kurrë nevojë për mërgatën shqiptaro-amerikane. Me në krye Vatrën, shqiptarët e Amerikës ndjehen të nderuar e të fuqishëm. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët dhe Zoti e bekoftë Amerikën. Ishte ëndrra e Dr. Ibrahim Rugovës, që Vatikani ta njohë Kosovën në Katedralen e Shën Nënë Terezës. Nëse është një ëndërr, ne dëshirojmë ta ndajmë me të dhe të bëhet realitet. Vatikani dhe qytetërimi Perëndimor janë kurdoherë frymëzimi dhe orientimi i shqiptarëve.