• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100-vjetori i pavarësisë në Kongresin amerikan

November 30, 2012 by dgreca

Anëtarë të Kongresit amerikan dhe personalitete të tjera përkujtuan rolin e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore/

Nga ILIR IKONOMI/

Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, anëtarë të Kongresit amerikan dhe personalitete të tjera përkujtuan rolin e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veprimtaria u organizua nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën drejtimin e çiftit Joe dhe Shirley Dioguardi.
Në Kongresin amerikan, 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë u përkujtua në një mënyrë të veçantë. Një numër anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve e të Senatit, si dhe personalitete të rëndësishme të lobit hebre në Shtetet e Bashkuara, u mblodhën të nderojnë shqiptarët që me një vepër unike gjatë Luftës së Dytë Botërore fituan simpatinë e botës.

Senatori nga Nju Jorku, Charles Shummer, ka paraqitur në senatin amerikan një rezolutë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në rezolutë vlerësohet populli i Shqipërisë dhe i Kosovës për shpëtimin e jetës së hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, kur 6 milion hebrej u asgjësuan egërsisht, Shqipëria ishte i vendi vend në Evropë që kishte më tepër hebrej se sa përpara fillimit të luftës.”
Kjo, tha senatori, flet për mikpritjen, trimërinë dhe humanizmin e shqiptarëve.

Prapa rezolutës dhe organizimit të këtij aktiviteti prestigjoz në Kongresin amerikan qëndron çifti Joe dhe Shirley Dioguardi, udhëheqës të organizatës lobiste Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

“Tani ekziston një lidhje reale që po forcohet akoma më shumë, mes popullit shqiptar dhe Kongresit amerikan. Kjo ka rëndësi. Ne festojmë 100 vjetorin e pavarësisë. Por vetëm në vitin 1919 Shqipëria u njoh si shtet. Kjo ndodhi falë presidentit demokrat Woodrow Wilson. Pastaj, në vitin 2008, ishte Presidenti republikan George W. Bush që solli njohjen e Kosovës. Prandaj, unë mendova se ishte një ide e mirë që festimi i pavarësisë të bëhej në selinë e Kongresit amerikan, në Kapitol”.
Agim Aliçkaj nga Nju Jorku është i biri i Arif Aliçkajt, njëri prej atyre që shpëtuan hebrej në Kosovë. Ai bëri thirrje që shteti i Izraelit të njohë Kosovën.
“Babai im nuk kërkoi ndonjë shpërblim. Ai na tregoi se kishte shpëtuar hebrej por kurrë nuk mendoi se kjo do t’i njihej një ditë me mirënjohje. Ai mendonte se ishte detyrë morale e një shqiptari për ta bërë këtë dhe vdiq pa e ditur se sot ai do të kujtohej në një rezolutë të Kongresit amerikan. Ai do të ishte i lumtur nëse do ta kishte ditur këtë. Babai im do të ishte akoma më i lumtur nëse shteti demokratik i Izraelit do ta njohte Kosovën si shtet i pavarur”.
Zonja Shirley Dioguardi, një veprimtare aktive e çështjeve shqiptare, është dakord.
“Izraeli ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë për shkak të asaj që shqiptarët bënë gjatë Holokaustit.”
Kryetarja e komisionit të punëve të jashtme në Kongresin amerikan, Ileana Ros Lehtinen, kujtoi rrugën e vështirë të popullit shqiptar gjatë 100 viteve që nga shpallja e pavarësisë:
“Vendosmëria e popullit shqiptar për të qenë të lirë nuk u lëkund kurrë megjithë koston e lartë. Njëzet vjet më parë, populli shqiptar përmbysi sunduesit komunistë dhe filloi rindërtimin e vendit. Kush do ta kishte besuar se shqiptarët do të bëheshin kaq shpejt një demokraci, anëtarë të NATO-s, dhe aleatë të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Zonja Shirley Dioguardi thotë se pjesëmarrja e kongresmenëve dhe senatorëve me ndikim në këtë veprimtari ishte me rëndësi për shqiptarët.
“Ky takim i sotëm bëri që anëtarët e Kongresit të pohojnë edhe një herë se shqiptarët janë forca më pro-amerikane dhe më prodemokratike në Evropë”.
Dana Rohrabacher është kongresmeni që e paraqiti rezolutën për 100-vjetorin e pavarësisë në Dhomën e Përfaqësuesve:
“I jemi mirënjohës popullit shqiptar për aktin e tyre. Jam krenar që ndodhem mes jush në këtë takim për të falenderuar popullin shqiptar, i cili i tregoi botës se qëniet njerëzore në kohë krizash janë në gjendje të veprojnë me guxim”.
Në takimin e djeshëm ndodhej edhe artistja e njohur Kara Dioguardi, e bija e zotit Joe Dioduardi.
“Jam shumë e gëzuar që ndodhem këtu për të kremtuar gjithë ato gjëra që kanë bërë shqiptarët pçr popullin hebre dhe jam shumë krenare për këtë. Është me shumë rëndësi fakti që ata shpëtuan shumë jetë njerëzish. Ne duhet t’i falenderojmë ata për vlerën e tyre të madhe që babai im e quan besa, pra kur dikush të vjen në shtëpi, ti e pranon dhe e nderon”.

Filed Under: Kronike Tagged With: 100 vjetori, Ilir Ikonomi, ne Kongresin amerikan, zeri i amerikes

UDHETIMI I PAHARRUAR-NJE LIBER KU SHPALOSET DASHURIA PER KOMBIN

November 12, 2012 by dgreca

Mendime rreth librit:  Ilir Ikonomi “Pavarësia –  Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”/

 NGA ZYBA HYSEN HYSA/

Të shkruash me dashuri për kombin, do të thotë të përpiqesh të nxjerrësh në dritë të vërtetat e historisë, që brezat t’i njohin, të mësojnë dhe të nxjerrin mësime për të marrë në dorë frenat e ardhmërisë kombëtare, të shkruash me dashuri për kombin do të thotë që në paraqitjen e fakteve të drejta dhe të gabuara të ketë vërtetësi fisnike, jo egoiste, se edhe gabimet e historisë janë çelësi i suksesit të sotëm: atë që bëmë gabim dje, të përpiqemi t‘i rregullojmë sot, që nesër të mos ripërsëritet historia në dëmin e kombit tonë, të shkruash me dashuri për kombin do të thotë, të mos harrojmë as dhe një gur që kanë vendosur të parët tanë për zhvillim e përparim, se ai gurë ka ndihmuar në ndërtimin e kështjellës historike.

Këto i lexova dhe i pashë me sytë e mendjes, i bëra pjesë të qenies sime dhe më besoni, u ndjeva më krenare se kurrë për historinë dhe për figurat historike që në të kaluarën i njihnim bardhë e zi, pra:  ky patriot, ky tradhtar…

Në librin e Ilir Ikonomit futeshe me kureshtje dhe nuk dëshiroje të dilje pa i vjelë frytet e një periudhe të shkurtër kohore, por që fara kishte shekuj që ishte mbjellë, kishte mbirë, ishte rritur, kishte lulëzuar dhe ishin pjekur frytet dhe ai na e jap qartazi që këputja e këtyre fryteve erdhi jo lehtas, por përmes një rrugëtimi të gjatë e të rrezikshëm që bëri Ismail Qemali nga Stambolli, në Bukuresht, më pas në Vjenë e Budapest e përsëri në Vjenë drejt Triestes, në Durrës, Kavajë, Cermë, Divjakë, Libofshë, Fier, Novoselë, më në fund në Vlorë, ku nuk qe rastësi, apo fat i saj, por aty ishin patriotët më largpamës që përkrahën ideatorin Ismail Qemali në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Librin “Pavarësia –  Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit” të Ilir Ikonomit e përshkruan tej e tej fryma e dashurisë për aktorët politikë shqiptarë të 100 viteve para, secili prej tyre kishte mendimet dhe bindjet e tij për ardhmërinë e Shqipërisë, ai nuk ndërhyn që të nxijë, apo të zbardhë faktet, duke ngritur njërin e duke ulur tjetrin, kjo e bën librin të jetë shkruar me një kulturë të lartë e me një frymë të re demokratike për të përcjellë tek lexuesi erën njerëzore të perëndimit.

Të jetosh në Amerikë, nuk do të thotë se i ke të gjitha dhe vetëm luga të mjafton për të ngrënë “pilaf”, por Amerika është vendi që i lë hapsirë njeriut të shpalosë idetë, mendimet dhe rrugën e ke të hapur nëse idetë dhe mendimet tua i shërbejnë zhvillimit, pavarësisht nga kundërshtitë, fiton më e mira. Qenka e thonë që njeriu kur shkruan larg Atdheut, edhe momentet, apo veprimet  e gabuara i rrëfen me dashuri, këtë besoj e bën nga kultura e fituar në një shtet demokratik, siç është Amerika, si kusht vendimtar për të pasur një komb të bashkuar shpirtërisht, pavarësisht nga feja dhe bindjet politike.

Ky libër është edhe një “shkollë” për politikën e sotme kombëtare që të mos dëgjojmë më “Këtë e bëri keq …”,  Atë e bëri mirë…”, apo ky është tradhtar”, “Ai është patriot”…,  por në rrjedhën e historisë secili ka atë “gurin” e tij të vogël, apo të madh, por e rëndësishme është të themi se cili skaliti di të skalisë  “gur – qoshen:” që mban në këmbë kështjellën e historisë.

Nëpër rreshtat e librit të Ilir Ikonomit gjen hapësirë të lexosh edhe mes rreshtave e kjo hapësirë shkruan shumë për sytë e historianëve, politikanëve dhe intelektualëve të mirëfilltë, aty ka mesazhe të trishta dhe të gëzueshme, por unë dua t’u jap ngjyrë shprese, se vetëm duke shpresuar, nuk ndalim punën dhe luftën për të arritur qëllimet tona.

Dua të nxjerr në pah idenë e librit brilant, se kundërshtari politik, nuk është armiku yt, apo i kombit tënd, si dhe vazhdimi i kësaj ideje, se kur fiton njëri, duhet ta mbështesë edhe tjetri, pavarësisht se nuk fitoi ideja e tij, për çështjen kombëtare, lihen mënjanë mëritë dhe egoizmi personal, kjo i ndan diktatorët nga demokratët.

Jemi lodhur nga përplasjet politike “Non stop” 24 orë të politikanëve shqiptarë të sotëm, shpalosja e ideve dhe programeve fillon me fillimin e fushatës zgjedhore e mbaron me përfundimin e zgjedhjeve, më pas ka bashkëpunim, kjo është demokracia dhe kjo ishte rruga e Ismail Qemalit që e pse ishim me mendime dhe ide të ndryshme, por me një qëllim me Syrja bej Vlorën, ai e ftoi në Kuvendin e shpalljes së Pavarësisë. Kështu në faqe 218 thuhet: “Në qoftë se delegati i tij, Veli bej Këlcyra nuk do kishte mbërritur, vendin e tij ta zinte Syrja bej Vlora. Ndërkaq, i biri, Eqremi, ishte caktuar delegat i Vlorës. As Syrja bej Vlora dhe as Eqremi nuk ndodheshin në Vlorë, por ata nuk mund të liheshin jashtë listës, qoftë për shkak të emrit që kishin, qoftë për faktin se kishin qen nismëtarët e përpjekjes për thirrjen e kuvendit, paçka se u dështoi puna.”

Të dy ishin liderë të përpjekjeve për të krijuar një shtet shqiptar, të dy kërkonin mbështetjen e shteteve dashamirëse, por çelësi i suksesit të Ismail Qemalit qe se nuk i shkëputi lidhjet me patriotët shqiptarë, i dëgjonte dhe i vlerësonte, se ishte më e vështirë të mblidhje Kuvendin se sa të merrje mbështetjen e shteteve të huaja, se siç e thekson autori në faqen 216 – 217: “Ishte gjë e rrallë të shihje parinë shqiptare të mbledhur në një konak. E rrallë sepse shqiptarët ishin të ndarë në fise dhe klane, nderonin tri besime të ndryshme dhe nuk kishin gjuhë të njehsuar kombëtare… sepse shqiptari individualist dhe krenar, që nuk duron dot as hijen e vet, e kishte të vështirë të pranonte një shqiptar tjetër mbi krye… Megjithatë, kishte diçka të padukshme, që i bënte veriorët dhe jugorët të mblidheshim bashkë në këto rrethana të veçanta, kur po turrej e liga… Pra, sado të ndryshëm të ishin këta njerëz, si rrjedhojë e atij brumi të përbashkët ata nuk ishin shkrirë me kombe tjera, as nuk e kishin holluar gjakun. Ata ishin thjesht shqiptarë.”

Me politikën ndodh si me letërsinë, krijuesit rendin për të arrirë vlerat e klasikëve, politikanët duhet të rendin për të arrirë vlerat e kuvendeve, se vetëm ashtu do ketë demokraci, bashkim dhe zhvillim, jo bashkim kufijsh të diktuar, por të ardhur si rezultat i bashkimit shpirtëror, se “Bashkimi kombëtar nuk arrihet me klitha, apo metra katrorë flamujsh, ai bashkohet duke qenë bashkë shpirtërisht, mendërisht dhe financiarisht, çdo trumbetim, apo rrahje gjoksi, është kot, ai e dëmton bashkimin tonë, ndaj të gjithë duhet të regjistrohemi në “Shkollën e Ismail Qemalit” për të zgjidhur një herë e mirë çështjen tonë kombëtare…” , kam shkruar në librin tim të fundit “Sharrajt në jetën e kombit”. Dhe jam shumë e kënaqur që më ra në dorë libri “Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit” se vërtet leksionet e tij përbëjnë “Shkollën e Ismail Qemalit”, kjo më bën të besoj, se midis krijuesve ka fije mistike që bashkëveprojnë dhe ne na duket rastësi që ndodhin gjërat, por “një dorë”, që truri ynë nuk ka arritur ta dallojë i drejton mendjet dhe dalin vepra që lidhen njëra me tjetrën.

Nuk dua të zgjatem në këtë përsiatje, se nuk do kisha mbarim në nxjerrjen dhe përcjelljen e mesazheve me vlera aktuale, ku përfshihet edhe përmendja e ndërtimit të “Rrugës së Kombit” përgjatë udhëtimit serb për të gjetur një dalje në Adriatik dhe dëshira e tyre për ta pasur Shëngjinin port e sot kjo rrugë të çon në Shëngjin, ku qeveria jonë ia ka lënë Kosovës për të dalë në det për të transportuar mallrat…

Nuk dua të flas më shumë, lexuesi të mendojë vetë, se ky është fati ynë i madh sot, kemi shumë intelektualë, por për fat të keq pak flasin duke lexuar midis rreshtave. Kështu në faqen 102 thuhet: “Ishte mëngjesi i datës 9 nëntor 1912, kur në Prizrenin me borë një kolonel serb, i quajtur  Dimitrie Buliç, iu drejtua me këto fjalë ushtarëve të rinj: ‘Djema! Divizioni ynë i Shumadijes duhet të kryejë edhe një detyrë tjetër të vështirë, por të rëndësishme… Kemi pushtuar mjaft lugina pjellore dhe qytete të bukura, por tani na ka mbetur të dalim në Adriatikun serb për t’i hapur atdheut tonë një rrugë të lirë drejt botës…’ Ushtarët iu përgjigjën me thirrje dhe pllaja ushtoi. Batalionet e Shumadijes e nisën marshimin nga Prizreni. Kaluan nëpër krahinën e Lumës, pak a shumë në ato vise, që sot përshkohen nga Rruga e Kombit dhe ku udhëtarët modernë kanë një rast të mirë për të reflektuar mbi historinë…”

Libri “Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit” është shkruar me një stil shkencor – historik e letrar – publicistik, një stil që e bën autorin jo vetëm të qëmtojë, por aty – këtu edhe të japë mendimet e tij e pse jo të tërheqë vëmendjen pa fjalë. Kjo është një vepër që i ka munguar lexuesit shqiptar, ndaj leximi i tij do ketë shumë vlera, se do na sjellë pas 100 vjetësh, jetën dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë e në veçanti, të Ismail Qemalit deri në ditën e shpalljes së Pavarësisë e më pas. Ky është ndër librat e veçantë që janë botuar në këtë jubile të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, se krahas tjerave, ai na mahnit me përshkrimet e qyteteve, personazheve dhe na bën ta duam dhe të punojmë më shumë për këto troje të lara me gjak nga brezat deri në Bashkimin përfundimtar të Kombit tonë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ilir Ikonomi, udhetim i paharruar, Zyba Hysa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT