• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të fala nga vëllai që lanë pjata në Amerikë

November 6, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA-1-A laj pjata?Po vëlla, pjata laj sa bretku më bie. Kam korrur edhe bar e pastruar gjerdhishte. Haletë kam pastruar. Dhe nuk më ka ardhur turp. Nuk kam parë as majtas e as djathtas, nëse po më shikon ti a kush tjetër që më njeh e më tall nëpër tavolina. Por kam kuptuar se sa shumë e dashka punën njeriu edhe kur lanë haletë. Hamall kam punuar. Bojaxhi krahu se nuk i blija dot takëmet menjëherë. Në vend të tyre kam përdorur thonjtë. Me turne kam punuar e punoj. Në fund të fundit inxhinjerët, arkitektët a shefat e zyrave ishin këtu para se të vija unë. Por dyert nuk m’i kanë mbyllur. Më kanë ofruar edhe shefllëkun veç me punë, me standartet sociale të karrierës, jo me skuthllëkun e mikut shqiptar. Me tarifën në dorë etj. Jam me fat që jam pjatalarës këtu, se sa kontigjent i atyre që hanë fara luledielli rrugëve të vendlindjes dhe mendojnë se kur do ikin, ku do venë, kush do i presi etj. A laj pjata? Po vëlla, por jam rob i Zotit, i lirisë time. Madje më i fortë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara.
              2) Kurrë në Shqipëri nuk është diskutuar kaq gjatë, mbi zgjedhjet Amerikane se kësaj here. Ka ditë të tëra që studiot janë plot. Dhe për më tepër dërrmuese për faktin se një vend i ndarë juridikisht në pesë ngjyra, nga inatet personale të unit otoman, i degraduar ekonomikisht, i rrëzuar moralisht pasi akoma ka në krye institucionalistë të regjimit, debaton zgjedhjet amerikane. Eshtë tmerrësisht e dhimbshme kur shikon zellin si nga një komentues gjoja i majtë, ashtu dhe një gjoja po i djathtë, mbi palët me gjoja homologet në vendin me demokracinë më të konsoliduar. Të jeni të sigurtë, nuk keni asnjë lidhje. Nëse do kishit lidhje, sot studiot e Shqipërisë sfidës amerikane, pra zgjedhjeve do i kushtonin një orë punë dhe kaq. Koha tjetër do ishte mbi programet e suksesit nga ekonomitë e konsoliduara, nga demokracitë e tilla ku baza e progresit është rotacioni dhe balancimi i pushtetit. Por kjo nuk ndodh. Madje as si shoqëri nuk keni asnjë lidhje. Këto janë të tjera çoka që u bien kokës. Nëse fiton Biden apo Trump nuk ka asnjë ndryshim. Biles më mirë kur fiton kundërshtari. Rotacioni është shëndet, por kujt ia thua. Nuk ka ndryshim për Shqipërinë për faktin e thjeshtë, pasi ne duhet të kuptojmë një herë e mirë se përpara se të na ndihmojnë të tjerët, duhet të ndihmojmë ne vetveten. Pra shkurt, mos u merrni me faktin se kush ka fituar, se kanë vjedhur votat apo jo? Por sheshoni problemet tuaja siç edhe bën shoqëria amerikane. Qoftë me masa, qoftë me studio, qoftë me ligj.
            3) Cilat janë problemet tuaja? A mund t’i përmbledh në pak radhë? Asesi. Gangrena fillon kur një analist i/e majtë, quan dështim adresimin në gjykata të kundërshtarit që duket se po humbet. Në vendin tonë ky i/e majtë nuk i dhemb fakti që vendi i tij nuk ka gjykata. Por e shqetëson fakti që ai që po humbet zgjedhjet do i drejtohet gjykatës. E shqetëson sepse i dhemb ajo që po i prishet imazhi i fairplay-it amerikan. E quan absurde vjedhjene votës në Amerike dhe normale në Shqipëri. Dhe ky standart shqiptar është sa i ligjshëm aq edhe i moralshëm. Shkurt një neveri, një mendësi që nuk i duhet vendit. Zoti ju ndimoftë e t’i jashtqitni menjëherë se ndryshe regresi vazhdon. Ashtu sikur një i/e djathtë i bie gërrnetës mbi vjedhjet. Mbi meritat e Trampit karshi Shqipërisë dhe Kosovës. E para Trampi na ngjiti pullë poste me vendet e lindjes së mesme, na cilësoi si vend mysliman. Na futi në atë shpurën e mendësisë që po na ha të gjallë, që akoma na mbyt në kalendat e botës si vend me përqindje të lartë myslimane. Ne bash bregu i mesdheut, një përzierje me adrelinë të theksuar si kur pimë raki, si kur debatojmë, si kur predikojmë Krishtin, Muhametin, apo dhe sektet e tyre. Aq sa harrojmë që jemi shqiptarë.
        4) Amerika ka sot problemet e veta. Ato janë të shumta. Por marrin zgjidhje. Ne duhet të na shqetësojnë problemet tona, ato që kurrë nuk marrin zgjidhje. Duhet të na shqetësoj përshembull se si liderët tanë me paratë tuaja, të cilat i qarkullojnë me metoda tenderimesh, paguajnë shuma të majme për një foto me presidentin e Amerikës. Qoftë ky demokrat apo republikan. Duhet të na shqetësoj fakti pse jemi radhitur me zellin e të majtit të kulluar apo të djathtit kristal, respektivisht në Biden e Trump. Lërjani amerikanëve këtë zanat se e bëjnë shumë mirë. Sot të ngjisin në krye, nesër të zbresin poshtë. Po ne, a e bëjmë?
         5) Tramp erdhi në pushtet me premtimin se do ta bënte Amerikën të madhe si koha e dikurshme. E madhe në kuptimin e jetueshmërisë jo gjeografisë. Pra punë me shumicë, para, ekonomi.
Një Amerikë që të minimizonte vrimat e zeza nëpër botë ku shkojnë shuma të konsiderueshme dollarësh, ku ndodhin konflikte ushtarake etj. Për më tepër që vendi prej kohësh mbante sytë tek krahu i punës nga Kina. Luftoi politikat sociale të paraardhësit etj. Që për konceptin kapitalist amerikan, janë si ato në vendet socialiste. A i bëri? Nuk ka asnjë rëndësi përgjigja. Ose ajo mund të jetë tek rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Por si t’ja bëjmë ne shqiptarët, kur dështimin e vet shtetari ia hedh atij tjetrit. Si përshembull Francës kur vendos veton e jo-së, Hollandës po ashtu. Dhe në zgjedhjet pasardhëse ky dështak fiton akoma.
         6) Ky tjetri ka ardhur me premtime sociale që janë thuajse të natyrës së djathtë, për taksa më të forta dhe siguracione mjeksore më gjithëpërfshirëse. Vjen edhe nga tradita e Amerikës që vë dorën në plagë ku ka konflikte. Ne na duket se do zgjidhi një herë e mirë çështjen e Kosovës. Dhe ajo që të ngjall krupën këtë ide e suportojnë takëmi i nomeklaturës. Të ashtuqujturit gjoja të majtë në Shqipëri. Ku referuar viteve pas luftës së dytë botërore, qeverisjes së tyre, janë pikërisht ata që e dorëzuan pa kushte Kosovën. Sot atdhetarizmi është boria motorike e tyre. Dhe kjo ka vetëm një emër, neveri.
       7) Si përfundim Shqipëria dhe shqiptarët duhet të kuptojnë një gjë, ajo çka na duhet nga Amerika është modeli dhe jo koha e djegur duke u marrë me Trump e Biden. Jo retorikat bajate dhe fyese që degradojnë deri në plane personale, deri në edukatën bajate shqiptare se kush je ti, sa di ti, kë ke lexuar, po ta them unë, ti gënjen. Apo zelli urdhërues pusho, mos më ndërpre se ta dhashë kokës etj. Mund të dish shumë, mund të kesh lexuar shumë, por asgjë nuk ka dobi nëse nuk ka vullnet të mirë dhe liri reciproke mendimi. Asgjë nuk bën dobi nëse bëhesh palë me atë që do të poshtëronte edhe ty po të ishe në vendin e atij që po poshtëroni. Kurse për një shoqëri asgjë nuk ka dobi kur nuk dominon balancimi i pushtetit, rotacioni, e mbi të gjitha ligji. Me zë ulët po ua kujtoj se Amerika këto i ka, po ne a i kemi?

Të fala me shëndet nga vëllai që lanë pjata…

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, te fala, velali qe lane Pjata

Greva e grave dhe Çak Norris

October 28, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Greva e grave të naftëtarëve, është një nga ato raste që do mbahet mend në Shqipëri. Kjo për faktin se e filluan burrat dhe po e mbyllin gratë e tyre. Një vendimarrje që të kujton folklorin, por ja që është një realitet i prekshëm. Një këmbim ushtarësh nga fronti. Një lloj vendosmërie për t’u admiruar. Nga ana tjetër për të kuptuar se sa unik është suporti familjar. Përballë është një administratë shteti kaq shumë e kalbur, sa kujton se do mbylli dështimin me show Delta Forcë a Çak Norrisi kur shpëtonte robërit në Lindjen e Mesme a Vitnamin e largët. Unë gjithmonë i jam drejtuar shoqërisë në kuptmin e përkrahjes. Por vë re se sytë e saj i rrëmben sa Çak Norrisi i filmave të viteve 80-të, aq edhe krijimi i forcave të reja politike. Dhe ky vit pandemik ka prodhuar një bum syresh. Por me tone të dallueshme nga opozita. Zakonisht forcat e reja lindin nga pushteti, sot në Shqipëri po lindin nga opozitarizmi. Dukej normale ca vite më parë dalja e Libras së Ben Blushit. Në fund të fundit me atë që ka çelsat do merresh, me atë që lëviz binanë, lëvron fondet, devijon vendin në vend që ta drejtojë atë. Nuk mund të merresh me të mundurin. Dhe sado ta anatemojnë Blushin, bëri atë që është  më se normale në demokraci. I tha zeusit që po vepron gabim, shpalli një program paralel, humbi dhe u largua. Sot forcat që po krijohen, po merren me spiunët brenda llojit, me korin e të indinjuarve se sa me devizën për të përmisuar jetën e shqiptarëve. Shkurt karvanit prej 136 partive, shqiptarëve që po firohen ditë më ditë, u duhen edhe nja katër a pesë parti të reja. Dhe është kjo arsyeja që Çak Norrisi shqiptar, laj e thaj me një avion Airalbania, zbret shkallët si triumfator a shpëtimtar i robërve. Në fakt shqiptarët duhet ta shtyjnë një orë e më parë nga maja e shkallëve ku del e ekspozohet, pasi sot vuajnë tërësisht probleme të tilla me pikëpyetje pa përgjigje? Përse ikin shqiptarët në Siri? Përse shteti e ka humbur kontrollin në raport me institucionet fetare? Përse shteti nuk kontrollon dot burimet financiare të tyre? Përse shqiptarët e dërrmuar nga tërmeti, nga pamundësia e financimit, nga mos pasja e banesave normale, kanë më shumë minare e kryqe për banorë, se sa shtëpi a prona. Ashtu sikur kishin më shumë bunkerë dikur? Por jemi ke gratë në grevë urie. Si nuk ju vjen ndoht të dëgjoni broçkulla studio mbi shpëtimtarin Çak Norris. Dhe nuk kuvendoni në një emision për gratë e naftëtarëve. Mendoni të ishit vet në pozitat e tyre. Janë disa familje që kanë muaj që vuajnë po njësoj si pengjet në Siri. Pengje janë edhe ato, pengje nga punëdhënësi dhe shteti amë. Shteti që është edhe aksioner. Shteti i një shallvarexhiu që zihet studiove. Kudo dominojnë replikat mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Hori e tërë. Kush ka të drejtë? Kudo skenat e atij lajthaj-it shqiptar, Lasgushit. Kudo gallofi që nuk beson se e shohin, edhe pse është 2 metra. Nuk janë problemet tuaja, nuk është ekonomia juaj, nuk janë xhepat tuaj. Rindërtimi a besimi juaj. Janë regresi, vdekja e butë. Problemet tuaja janë ato gra ballshiote ngujuar për të drejtën e familjes së tyre, punën e pa paguar.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Çak Norris, Greva e grave, Ilir Levonja

Heronjtë e harruar të qytetit tim

October 20, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja-

1) Vitet e fundit, qyteti im është shpesh objekt i kronikave të krimit.Televizionet sikur vrapojnë të shpallin mandate, autorët e krimit, viktimat në rrugë etj. Ky është pjesë e këtij grupi, ky i grupit tjetër. Hakmarrja e radhës, vrasje e porositur etj. Megjithëse është qyteti i një plejade artistësh apo intelektualësh deri me shkenctarë në fushën e bujqësisë. Ka patur dikur një nga Institutet më në zë të vendit, me kotribut amerikan. Madje kujtoj se si një intelektual me emrin Vladimir Bano, luftoi me nerva e plot argumenta që ky objekt të ruhej, të mos jepej kurkund, të bëhej Universitet. Dhe ishte mëse e logjikshme, jemi hambari i Ballkanit. Po kujt i fliste…, ata që janë anëtarësia, janë një kontigjent që të mbysin me urrejtje dhe jo me argumenta. Mund të kesh flori në duar, por duart e kujt janë?

          2) Vitet e socializmit e dërrmuan deri diku Lushnjen e vjetër. Kjo në moton e ndërtimit me kontribut dhe njeriut të ri, apo qytetit të ri. Në demokraci u përvëluam nga fondacionet dhe ligji 7501, ku nuk mbeti kamarier a shitës pa u bërë pronar. Një reformë agrare e dytë aq sa ka futur në konflikt gjithkënd me ata që ka përreth. U përvëluam edhe nga letrat e me vlerë, ku ndërrmarrjet i blenë njerëzit më pa vlerë. Kurse kulturës i është dashur të mbijetojë, duke kontribuar me shpenzimet e xhepit, ashtu si thuajse 99.99% e autorëve në gjithë Shqipërinë. Them se pikërisht këta mëtonjës janë edhe heronjtë. Kam parasysh edhe veten se si në një përgatitje shfaqeje, vjen një grup të fortësh dhe më marrin orkestrën. Jo që nuk më pyetën, por as që m’i hodhën sytë. Ishin kohë të vështira post 97-ta. Kultura ime apo e një regjisori si Haxhi Rama, nuk u hynte në punë të fortëve.

         3) Herojtë e kulturës, shkencës, bujqësisë janë sot statuja të harruara. Megjithëse në kapërcyell etapash kanë luajtur rol të madh.Në shkurt të vitit 1991, një shkrimtar me emrin Halil Jaçellari, i shkruan nga Lushnja një letër të hapur Ramiz Alisë. Mund të ketë qënë një nga letrat më të guximshme dhe që luajti një rol të fuqishëm në jetën e vendit, gazeta Republika u shit e gjitha e në një kohë rekord. Sot këtë material nuk e gjen të ekspozuar gjëkundi.Të paktën Muzeu i Qytetit duhet ta disponoj. Me domosdo. Eshtë hstoria e tij. Për më tepër që u shkruajt aty. Por vite më parë, konformizmin a shabllonitetit e kohës, e kishte trazuar edhe një intelektual tjetër, poeti Faslli Haliti. Me poemën Dielli dhe rrëkerat 1972. Kur bisedon me një palë e quajnë poetin të majtë, një palë tjetër të djathtë etj. Në fakt Faslliu nuk ishte as njëri dhe as tjetri, për arsyen e thjesht, prirja a vokacioni shpirtëror. Ishte thjesh poeti. Dhe normalisht kontraversi me sistemet, është fryma magjike ajo që e bën këtë diferencë. Eshtë poetllëku.

4) Heronjtë e harruar janë me shumicë, megjithatë janë mundur nga anëtarët e partive. Kjo është më se normale kur ke rënë poshtë. Kur të del nami me grupet. Për më tepër kur të gjithë forumet si nga e majta dhe djathta, kanë urrejtje për krijuesit. Njohin vetëm një logjike, o me ne, o kundërshtar. Megjithëse vet këta, i kishin kapërcyer me kohë këto barriera. Madje kuvendonin gjatë në kafene. Njihet fakti se si një inxhinjer poet si Vasil Bozo, u jepte strehë shkrimtarëve të persekutuar si Sherif Bali apo Baki Nezha. Apo shkrimtari Fatbardh Rustemi i jepte post një poetit të deklasuar si Sherif Bali. Apo një shkrimtari të ri si Ilir Levonja, t’i ofronte një post drejtori në një shkollë fshati. Apo një arsimtar i urtë si Bilbil Cami aplikonte fondacioneve për ca mure tulle që t’i bënin një shtëpi poetit Sherif Bali.

   5) A mundet sot heronjtë e harruar të kenë sikur nga një degë gështenje a bredhi si postrehë. Ky apel i drejtohet atyre që militojnë në kulturë, pushtetit lokal, këshillit bashkiak. Mblidhini këto bulëza vese me fushë e Darsi, se është historia jonë e vërtetë. Mos e lini vetëm Vaçen. Presin të gjallë e të ikur, se nuk ma nxë goja të them të vdekurit. Nuk ka poet më autokton, më me sharm Myzeqeje se Faslli Haliti. Nuk ka tregimtar a romancier më me sharm Myzeqeje se Halil Jaçellari, sikur një tregim t’i përmendësh, Beun e Karatoprakut. Nuk harroj një bisedë me Ilia Shytin, e kam shkruar. E trishtonte fakti që një rrugë e kalldrëmtë nuk ekzistonte më. Po ashtu një kolipse kaba. Megjithatë nuk i kemi dhënë një pëllëmbë truall. Vath Koreshi, romancier, kineast, nuk e ka një pëllëmbë truall.  Kur e shoh në ëndërr nuk i justifikohem dot. Mos i kërkoni heronjtë në arshiva. Një vend u jepni. Një sallon në Bibliotekën tuaj. Që të keni se çfarë u tregoni vizitorëve. Ndërkohë hidhni themelet e historisë tuaj. Se janë shumë ata. Dhe i dua të gjithë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Heronjtë e harruar, Ilir Levonja, të qytetit tim

Mbi artin poetik të Faslli Halitit …

October 17, 2020 by dgreca

 Nga Ilir LEVONJA-

Për shkak të mos përgatitjes së tekstit, duke patur parasysh se në atë kohë (1996-’97) kishte një mungesë të theksuar syresh, në provimin e komentit letrar u paraqita me vjershën Mehmetit tim të poetit turk Nazim Hikmet, shkruajta në mënyrën time dhe çuditërisht pedagogu me vlerësoi me notë maksimale. Këtë ia tregova si kurozitet Faslliut kur po pinim kafen e mëngjesit tek bredhi i Buçit dhe ai më tha midis të tjerave se, kisha fituar nga që pata folur me çiltërsi. Ashtu duhet bërë komenti, të flasim për atë që shohim atë që dëgjojmë dhe atë që prekim, tha ai. Ndofta nga ajo kohë këshilla për komentin u kthye në një lloj makthi, pasi në versionet pedagogjike struktura, ritmi, kadenca, përfshi edhe figurat stilistike, duket sikur e ngarkojnë teorinë e letërsisë. Qëllimi nuk është të mohojmë komponentët përbërës, por të rrëfejmë në një mënyrë ndryshe, pra si me thënë të ndërtojmë një koment me prioritet ndjesinë e përftuar nga konstatimi lirik i Oktavio Paz-it (Octavio Paz) kur thotë se, Unë shoh me mollzat e gishtërinjëve/ atë që prekin sytë e mi.

Faslli Haliti, portret nga i biri, Helidoni….

Sistemi figurativ dhe boshtet strukturore le të mbeten thjesht element funksional, të cilët doemos do të na ndihmojnë të ullukuzojmë afshin e ndjenjave, në mënyrë të atillë që të jemi gjakftohtë dhe jo të përciptë në interpretimin e poezisë.

Faslli Haliti-Portret nga mjeshtri Skender Kamberi…

Në këtë aspekt Faslli Haliti na jep mundësinë e madhe për shkak të individualizmit të tij, jo vetëm në formën strukturore por edhe në përmbajtje; mënyra se ai shprehet, afeksioni poetik merr paraqitjen arkitektonike të ndjenjës, si me thënë se frymon edhe guri, betoni, abstrakja, etj., përshembull …

Dheu

Ha gjithçka.

Dhëmbët, që hanë s’i

Ha. 

Unë e di mirë dhe besoj se të mendosh e gjykosh me zemër të madhe, për fatet e njerëzve të tu, me përpjekjen e tyre që afrojnë dritën, siç thotë Pol Eluar-i,(Paul Eluard’) do të thotë ta radhitësh veten në një front me ndryshimin. Kjo është normale për artistin dhe anormale për njeriun e thjeshtë, artisti e mban pezull atë tërësi vlerash që ka trashëgimia qytetare në të gjitha drejtimet, Faslliu provincën e ktheu në vëmendje dhe punën me kulturën në një akademi.

Pas luftës së dytë botërore krahas hoveve shumplanëshe që pati treva e Myzeqesë, risia kulturore qe një bum në aspektin e arritjeve, emra të tillë si Vaçe Zela, Ilia Shyti, Margarita Xhepa, Vath Korreshi, Pavlina Mani etj., shënuan fillimin e një epoke të shkëlqyer për historinë kulturore të qytetit të Lushnjes. Nga ajo kohë tashmë mes gjithsecilit ka mbetur në mes vetëm pesha e mallit, se rrugicat e kalldrëmta, qiparisët, pjergullat, avllitë, nuk ekzistojnë më. Rendi ushtarak i krijoi një tjeter fytyrë qytetit. Pas gati tridhjetë e kusur vitesh piktori Zoi Shyti, do të vizitonte Lushnjen për tu nderuar. Ai deklaroi me keqardhje atë që vërejti, Po kjo nuk është Lushnja ime. Liceisti Faslli Haliti jeton me tempin e kohës, madje nisur nga vështrimi i tij intilektual e poetik, mpreh lapsin  dhe vizaton vesin, pikturon huqin, flet për priviligjenin, për meritën që bëhet antimeritë, degradimin për të drejtën antiuniversale të luftës së klasave nën diktaturën e proletariatit. Dhe kur, atëhere kur poetit i duhej në fakt të përshtatej me atë detyrë që i kishin caktuar, siç shkruan R. Elsie në Historia e Letërsisë Shqipe, fq. 417. Frymëzimi i Faslliut kthehet në shmangie nga deviza e mësipërme partiake, për shkak të trajtëzimit, shpërbërjes së tij me talentin, pra të njeriut me krijuesin. Po sipas R. Elsit nga Historia e Letërsisë Shqipe, fq. 417., dy radhë më sipër nga paragrafi që cituam, vetvetiu, nga natyra, poezia mbetet individuale dhe shpesh është e vështirë të përputhet me shoqërinë e planifikuar.

Ai që e njeh Faslliun nga afër nuk e ka vështirë të kuptoj thelbin e kësaj, pasi Faslliun nuk e ndan dot nga poezia. Ai dhe poezia janë një lloj njëjtëzimi prej kohe dhe uji, vesi i tyre është keqardhja, po edhe poezia e tij (përshtypja ime kjo), është e gjitha një keqardhje. Dhe kjo zakonisht ndodh me krijuesin e frymëzuar. Një keqardhje që tingëllon fine deri në çeljen e ngjyrave të natyrës, emocioneve njerëzore.

E kam të vështirë të jap një gjykim përmbledhës për poezinë e tij, ku edhe qënia ime është lëndë poetike, po deri këtë diell dite këtu në Florida, në tokën e Oskeolës dhe të Seminollëve, gjykoj se keqardhja poetike e këtij trajtëzimi ka sjell një individualist model në Letërsinë Shqipe.  Në konteks me këtë, sintetizimi i lirikës shqipe në aspektin universal tek Faslliu merr vërtetësi, formë dhe ekzistencë. Pse? Sepse ka një gërshetim të përsosur të tingullit, trajtës, vesit, dhe absurdit. Pra le ta quajmë lirikë unikale e sensit social, sintezë të identitetit; gjithsesi me prirjen që të ndihmojë njerëzimin, përpjekjen për të lartuar shpirtin. Ndofta nga kjo na krijohet përshtypja se poezia e tij si flutura prek gjërat në mënyrë rrethanore, sa lirika me tipare sociale shpallet si fryt i dashurisë me tokën. Është një lloj lirizmi enumerativ i tipit Faslli, shkallëzues fët e fët, i ngjyrtë, i akuarelt, me aromë Myzeqeje, plisi e kallami.

*Fëshfëritja si habi në vend të klithmës së munguar.

                Nëna

Si më the ashtu në çastet e fundit

-Mbylle lesën, mbylle lesën…

Derën e apartamentit mbylla unë

Më çove në fëmijëri,

Më çove në ato vite,

Kur më thoshe në muzg

”Shko mbylle lesën Çaçi!”

Pse vargu është ndjesor dhe jo deklamativ…, sepse ka brenda habinë njerëzore të drejtpërdrejtë në efektin intim të keqardhjehabisë. Si më the ashtu…., nën një drithërim personal me muzikalitet të përftuar nga konstatimi. Nëse poeti do të shprehej se, Ti, në çastet e fundit më the…., tërësia e përcaktimit të mësipërm do humbte trajtën, për faktin se në rastin e dytë kemi deklamim, diçka që thuhet pa praninë tëndë. Po le të kthehemi në komentin e variantizuar mësipër, pra të flasim për atë që shikojmë, të themi atë që që konsiderohet idiomë e ndjesisë përfytyruese të tipit Paz-it (Octavio Paz) kur thotë: unë shoh me mollzat e gishtave/ atë që prekin sytë e mi.

Vargjet Më çove në ato vite/ Kur më thoshe:/ Shko mbylle lesën Çaçi!., bëjmë digmën ku afërmendja flatron me sy ëndërrimtar kopshtijet fëminore. Aty bredh nje djal, i cili për sytë e kalimtarin po kryen thjesht një veprim, po mbyll lesën e oborrit. Në Myzeqe lesë quhet porta e thurur, një lloj porte që ka më tepër funksion detaji sesa fortifikimi, lesa me rakita është një e tillë. lesë thuprash. 

Vrapoja une në muzg;

Lesën e oborrit mbyllja me vrap,

Lesën e madhe thurur me rakita,

Dhe kthehesha rrugicës duke parë prapa,

Dhe futesha në prehrin tënd nga frika.

Përveç vargut metonimik Vrapoja unë muzg vargjet e tjera janë krejt të zhveshura nga figurat, po tablloja e paraqitur përmes tyre është mirëfilli një kompozim ku bredh ndjenja, ankthi, trembja. Djali që kthehet me kokën prapa, të mugtit që mvaret nëpër gjethnaja, rrugica gardhesh.

*Inversi si metodë por jo si qëllim.

Dheu

Ha gjithçka.

Dhëmbët, që hanë s’i

Ha.

Çfarë shohim…, fytyrën e vërtetë të ironisë ku pa gajle mund ta vizatojmë edhe ne, gjithsejcili prej nesh, padiskutim, mjafton të mbyllim sytë dhe masiviteti i dheut me fytyrën e Shrekut, përpinë gjithçka. E bluan, e nxjerr, jashtëqitje, produkt, quajeni si të doni, vetëm të jeni mëse të sigurtë që në fund ka kocka, ka eshtra, ka dhëmbë. Pse?! Po…, Dheu/ Ha gjithçka/ Dhëmbët, që hanë s’i ha.

*Dinjiteti si ndjesi, jo strategji…, performancë e kumtit njerëzor ku bën pjesë Njerëzimi i madh, pra përcaktori alla Nazim Hikmet.

Vdiq babai.

Bota s’i uli flamurët,

Dhe ne qefi s’na mbeti 

(Nuk kishte përse,

Bota të ulte flamuret).

Ne keq nuk erdhi aspak

Që bota babanë nuk e qau,

Por mirë na erdhi sa s’ka

Që babanë se shau.

Përfytyrimi njerëzor rrok një tablo allasoj, ku paralelizma midis Njerëzimit të madh dhe individit të madh, në rastin e tragjedisës njerëzore, fatkeqësisë, sjell nuancat e keqardhjes. Pra paralelizma e klithmës vdiq babai me vargun parabolik bota s’i uli flamurët, nxjerr një mllef mbi mospërfilljen. Pastaj kthjelltësinë, qetësinë…, atë qetësinë që përfton përroi kur shtrohet në fushë, e cila në vetvete trajtëzohet ose trupëzohet, në natyrën e vërtetë të Njerëzimit të madh. Ka edhe dhimbje po edhe habi, ironi, preteks, mbrojtje ose një farë spjegimi sepse çështja e të të përsosurit është e përjetshme. Po fondamentale për poetin është aftësia, ndjeshmëria pa të cilat ne s’mund ta përfytyrojmë Njerëzimin e madh. Tek strofa e dytë, metonimë e vargut të parë e zgjidh shkakorja e vargut të dytë, dhe atë të të tretit e zgjidh ajo e të katërtit. Pra…ne keq nuk na erdhi aspak/ që bota babanë nuk e qau, por mirë na erdhi sa s’ka/ që babanë se shau.

*Struktura tekstore ……….,  si risi, një prurje më vete… (Shumë krijues tentojnë, eksperimentojnë, në këtë aspekt Faslliu vetoi qysh në krye).

 Zhurmë

Futu në turmë

Bërtit me të madhe,

Bëj

Zhurmë!

Ç’pret më?

Sot kërkohet zhurmë

S’ka nevojë për zë!

Nëse leximi do të ishte rrafshor, horizontal, përftesa ishte një fjali e thjeshtë urdhërore; futu në turmë, bërtit me të madhe. Bëj zhurmë, ç’pret më? Sot kërkohet zhurmë, s’ka nevojë për zë! Po, shkallëzimi strukturor i jep një tjetër pamje verbit, që i gjithi, është një parabolë. Përfytyroni, ti ecën mes gjindjes, je brënda poteres, afshit, rrëmujës. Paradoksi, ironia, pasi sipas poetit, sot kërkohet zhurmë/ s’ka nevojë për zë!.*Aforizma në shkallëzim …,  si pjesë e origjinalitetit të mësipërm.

Ligji

Ligji

Eshtë se qeni,

S’e ha të zotin.

Qentë po hanë popullin.

Në fakt bëhet fjalë për një ligj moral atë që populli e përmbledh në krijimtarinë e vete kolosale në atë që, qeni s’e ha të zotin…, po pse duhet të hanë popullin?!. Inversi poetik, zhvendosja kuptimore, sipas tonalitetit përshkallëzues poetik, ngre një pikëpyetje të madhe. Në të njëjtën kohë, shohim një konstatim. Kurse ritmi sjell shfrym, pakëz inat, apo ironi.

*Enumeracioni në përshkallëzim….,  kollajllëku lëviz volumin. 

Mosmirënjohje

Gjithë

Peshat e rënda

Peshat vigane

Peshat sa një mal Tomorri

Sa një mal Korabi

Me levën time i ke ngrirë

Me levën time vazhdoni t’i ngrini.

Çudia është se poezia ka në strukturën e saj përsëritje, peshat tri herë, mal dy herë, togjet me levën time dy herë dhe nuk krijon bezdi aspak. Përfytyrimi na jep një botë të pa   imagjinueshme emocionesh si lëvizja e maleve, zhvendosja, kollajllëku. Pavarsisht se Arkimedi nuk përmendet, poeti na ka dhënë shancin të të jemi ne Ai, Arkimedi. Dhe…, nën përemrin e munguar vetorin Ti, le të ndihet kush nuk përfytyron dot, ai që nuk kupton se edhe sendi e ka një ëndërr.

*Epilogu.

(Disa radhë për Faslliun, një vizatim, a, portret, në akuarel, në përfytyrim). I shkurtër në shtat (kujtoni poezinë e tij në formën e gërmës N me diagonalen e mezit të këputur në krye, mes Fatbardhit dhe Visarit), kur ecën duket sikur i tërheq këmbët zvarrë, vishet bukur dhe gjithë kohën është i pastër. Ka flokë të grinjtë, dendës, disi të gjatë, buzëqesh. Mban syza optike të cilat i shkojnë aq shumë sa të duket sikur ka lindur me to. Nuk mund të kuptohet xhepi i këmishës së tij pa një stilolaps, ashtu siç nuk mund të kuptohet dora e tij pa ndonjë gazetë a dorëshkrim. Kur ecën në profil ngjan me një pinguin, me vështrimin lart, sikur kërkon t’i  gjejë të tjerët përmes syve. Ai që e shikon për herë të parë nuk e ka të vështirë të zbulojë tek personi i tij, poetin, piktorin, mësuesin dhe intelektualin…., tituj që i gëzon edhe shkresërisht.

                                                                                                       

Lushnje, pranverë 2000

Filed Under: ESSE Tagged With: Arti poetik, Ilir Levonja

Zoti ju dhëntë forcë naftëtarë !

October 13, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja-

Para pak ditësh shkruajta diçka për grevën e urisë së naftëtarëve në Ballsh. Më shumë i adresohesha shoqërisë me qëllim për një sensibilizim social karshi njëri-tjetrit. Eshtë një ngërç social i mundur nga politika. Edhe pse mund të jemi plot që i japim të drejtë naftëtarëve, mbledhim supet. Sidomos ata me prirje politike pranë qeveritarëve. Por edhe ata anti qeveri, kanë hallin e tyre. Madje këtë e kupton menjëherë sapo i avitesh titujve në shtypin e ditës. Greva është e fundit, ose nuk e gjen askund. Kudo dominon debati midis Ramës dhe Metës. Eshtë një debat i ashpër, batuta, qoka, fyerje sa kokat e shqiptarëve kthehen në kor, sa tek Rama aq edhe tek Meta. Megjithatë problemi i shqiptarëve nuk është fare lufta e ashpër mes kreut të shtetit dhe kryeministrit. Po fare ama. Eshtë vetvetja, mungesa e theksuar hallit të përbashkët, ekonomia e tyre. Krahas kësaj prishja një herë e mirë e asaj kulture të mbrapshtë me dhurim lopësh, a ca shtëpi kuvli që po inagurojnë aty e këtu me një batalion kamerash sikur kanë kapur qiellin. Qytetari ka nevojë për dinjitet, jo për lëmosha. Dhe dinjiteti vjen duke e angazhuar atë në punë, me pagë të plotë, me mundësi pagesash si për taksa por edhe siguracione. Eshtë alarmante shifra prej 4% e shoqërisë që aplikojnë siguracionet e pronës. Dhe nuk kanë faj, me çfarë ta paguajnë. Lekët që duhet të marrin shkojnë për show fushate me Eli Farën a Valbona Selimllarin. Pornostaret që eksitohen kur i vihet tritoli bash skenës ku shkeli këmba e Kadri Roshit apo e Drita Pelingut. Çfarë mund të presësh nga kësilloj bibash të tilla. Progres? Asesi! Të paguhen pagat e naftëtarëve? As mos e çoni nëpër mend. Shkojnë për pagat e ndonjë bibe tjetër, nga ato të studiove a nga ato që do flasin sonte në Opinion. Ose nga ato që do dalin nesër dhe do i thurin lavde dështakëve. Atyre që u vjedhin pagat tuaja. Shqiptarët paguajnë pa ngurim siguracionin e makinës, por jo të pronës. Dhe kjo jo vetëm për fajin e tyre, por të kësaj vrimë ekonomie informale gati 30 vjeçare që me taksta tuaja nxjerr në fushatë pornostaret. Të asaj kulture informale nga zyrat e Westernunion-it etj. Për shkak të asaj pritje me sytë nga shtetari që t’u vij e t’u bëj dhoro ndonjë lopë a ndonjë derr. Kurse kur vjen puna tek një aset kombëtar siç është nafta, naftëtarët, edhe pse aksioner, shteti ngre duart përpjetë. Nuk kemi çfarë të bëjmë, e ka privati. E thotë kalimthi, pastaj studiot do dominojnë me debatin Rama Meta. Kjo është absurde për faktin se ekonomia e tyre duhet të jetë e para. Dhe Rama Meta të fundit. Si shoqëri jemi alarmuar kur na është prekur deti. U alarmuam me marrëveshjen e qeverisë Berisha Karamalis në 2009. Edhe tani me këtë Konventën e detit nga ku sipas Ramës, pra nga kjo Konventë Greqia fiton 12 milje etj. Por nuk revoltohemi se si një aset kombëtar si nafta, u është dhënë tregjeve të pista lindore që nuk kanë ndrequr veten dhe jo të na ndreqin ne. Dhe për më tepër kur është e pa mundur që pas aq e kaq viteve të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, si vend të mos kemi kapacitetin e duhur të specialistëve për të menaxhuar arin e zi. Deri këtu është katandisur vendi ynë sa më perspektivë ka një mut  partie se sa një gjeolog a naftëkërkues. Më shumë të ardhme ka një çërr i partisë se sa një konstruktor anijesh a një shkencëtar bërthamor.  Nëse do vazhdojmë edhe ca me këtë tifozllëkun harbut  karshi politikës, pa u kujtuar për njëri-tjetrin, e humbëm fillin përgjithmonë. Dhe mos pyesni duke bërë sehir trotuarëve a kafeneve, mes llogjeve me nga një teke përpara, se ku t’i gjej qeveria lekët për naftëtarët. Eshtë shumë e thjeshtë, shkurtoni fondet në ribërjen e legjislacionit zgjedhor, pagat e një Kuvendi informal dhe u krye ajo punë. Aferim naftëtarëve!

Filed Under: Featured Tagged With: Greva e naftetareve, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT