• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Më raftë pika…

November 17, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260Sapo mësoi që isha shqiptar, Xheni më thirri e më tha se dinte shqip. Nuk kish më shumë se dy orë që u njohëm. Do punonim bashkë. Mosha ime, flokë verdhë, sy bojëqelli, një përmbledhje mes vajzës gjermane dhe asaj irlandeze. Çova buzën në gaz duke i thënë se duhej të vinte nga New Yorku, aty ka shqiptarë në kuptimin e komunitetit. Dhe mua më ka rastisur shpesh me njujorkezë të më thonë që fqinji im është shqiptar, shoku i shkollës, i fëmijërisë etj. Kjo më ka krijuar një pandehmë të gjetur se ata amarikanë që vine nga New Yorku medoemos duhet të dine diçka më shumë për ne. Xheni (Jennifer) pohoi me kokë dhe pa gajle më foli se si i dashuri i saj i pare kish qënë shqiptar. Tashmë jam mësuar me këtë që, i dashuri i pare apo i dytë. Qesha sërisht pasi në kohën time dhe andej nga vija unë ishin kocepte që kishe frikë t’i çoje nëpër mend, jo t’i aplikoje. Nuk kishte dhe nuk ka femër në këmbë të flasi për të dashurin e pare. Sigurisht ka meshkuj me shumicë, por ata i përdorin në variantin e meritës, rrahjes së gjoksit. Shët, mbylle mëndjen dhe gojën. Një nga ato perversitet e kulturës sonë që, mbajmë mbuluar si puna e maces të pëgërat me hirin e vatrës. Po nejse, nuk është kjo tema e rrëfimit. Xheni më zbrazi një vargan fjalësh të sojit, o trap, pelë trutharë, dreq, buqe, kurva, koqja etj. Një arsenal nga ai koloriti me pështyma i joni për të rrëzuar tjetrin. Ngriva në vend. Kisha rastisur edhe më pare kur një vajzë e re me prindër…, babai nga Shqipëria dhe mamaja amerikane, që një e më dy më thoshte o zagar, o buqe.

(Me të qeshura) Si përvojë nga grindjet e të mëdhënjëve. Dhe…, edhe pse kishin kaluar plot njëzetë e kusur vite, nga ndarja me sukses të plotë e shqiptarit me amerikanen, zagari dhe buqja nuk i iknin memories së saj.

Sa të kem frymë më tha, nuk kam për t’i harruar. Biles kur dua t’i zbrazem ndonjë shoku a shoqe shkolle, kështu e mbyll…, ik moj buqe e dreqit. Ose, pusho ti zagar. Ndjeva një lloj përhumbje me përfundimin, se, ku mbaron të të mbajturit mend puna e shqiptarit. E burrit a njeriut të rracës sonë. Ku mbarojmë e mbahemi mend si soj. Tek kjo lërishte poronomesh plot mllefe e pështyma. Kur e pyeta Xhenin se, po ndonjë fajlë tjetër, më të hajrit, si mund ta them, a dinte. Dhe ajo mu përgjigj se, duke më thënë shpit. Mbeta, nuk po e gjeja. Më shkoi pandehma tek ajo sharja me rob a prag shpie. Shpit, me një fjalë shtëpitë. Po desh e i dha udhë vet ajo duke shtuar, shpit i im. Atëhere u kthjellova, e kuptova e kishte fjalën për dhelet, o shpirt, shpirti im etj. Dhe vuri dorën tek gjoksi duke më folur anglisht my hart, zemra ime, ë? Pohova me kokë dhe kurioz e pyeta se, edhe kështu, shpirt im a zemra ime, i dashuri shqiptar i fliste? Jo, mu përgjigj dhe më shpjegoi se ishte gjyshja e tij. Biles nuk e kishte kuptuar dot asnjëhere faktin shprehimor të saj, kur sa here që grindej me djalin dhe kjo mbyllej e mërzitur, rrinte pa ngrënë, gjyshja i afrohej dhe i thoshte, eja se ke gjithë ditën pa ngrënë. Kjo nuk pranonte. Kurse gjyshja duke e parë të mërzitur në kulm, ngulte këmbë, duke i thënë . Të mërziti që më rëntë pika mua. Dhe e fërkonte nga koka. Çfarë ishte kjo më rëntë a më raftë pika që gjyshja e merrte tek vetja. Ose e donte tek vetja si e si sytë e Xhenit të qeshnin? Kjo i kishte mbetur peng. Çfarë ishte kjo pika që gjyshja donte t’i binte pikërisht asaj për shkak të zënkave të tyre?! Kurrë nuk ia kish mësuar domethënien. Sigurisht në anglisht nuk ja përktheja dot pa i shpjeguar konceptin që kemi ne mbi pikën e diellit, kokës. Dhe që herë e përdorim si mallkim për tjetrin, por herë edhe për veten në kuptimin e një pendese. Dhembshurie me plot keqardhje. Me një fjalë gjyshes i vinte keq për ty, të donte të shihte të qeshur, i shpjegova unë. Ndaj i merrte mbi vete fyerjet e nipit. Mallkonte veten si e si ti dhe nipi të ishit të lumtur. Xheni u gëzua si fëmijë dhe mbushi sytë me lot.

Kurse unë me mendjen time thashë shkoqur. Dhentë Zoti e Xheni nga sot e tutje të na mbaj mend për gjyshet e mira se sa fjalorin vulgar të nipave tanë.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Më raftë pika

Peshq kemi boll, po rrjeta a kemi mjaftueshëm?

November 10, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/Reforma në drejtësi, filloi me një peshk 300 milionësh. Këto në para shqiptare. Dhe shumë prej nesh mendojnë se vërtetë në fund të këtij viti, a nga pranvera e vitit tjetër, burgjet do jenë mbushur plot me peshq. Dhëntë zoti t’i kenë marrë masat se gjasat janë që Shqipëria ka nevojë të menjëhershme të katërfishojë institucionet e vuajtjes së dënimit.
Ky që sapo kapët është një cironkë o të uruar. Një nga ato për të kuar grepin. I cili ashtu si puna e demave që kullosin qesat, gjeti rastin e mori ca kallinj nga ara e madhe.
Eshtë një naivitet klasik i yni pasi e gjitha nuk është asgjë tjetër, por një zhurmë e radhës. Ky me këto 300 million lekë është një ngecje sa rastësore aq edhe kurbanizim për të bërë me dije peshqit baballarë. Ata që lëvizin rëndë në ujët e oqeanit shqiptar. Që ato që keni poshtë jastëkut, a brenda sustave të dyshekut, gjejuni vendin sa më shpejt.
Llogaritë bankare të publikuara janë ajo aurora e qumështi në buzët e fëmijës. Paratë reale, shumat, janë subjekte të bankave anonime, dyshekëve a kasafortave në mure. Ndarjeve bashkëshortore të pronësisë dhe objektet e lëshuara me qera. Shitëblerjet e mjeteve etj. Të gjitha janë kollaj të verifikueshme sa kohë një njeri ka nje aktivitet të deklaruar. Të gjitha! Nuk ka asgjë të pamundur për t’u verifikuar mbi bazën e të ardhurave nga paga. A, honoraret e biletat e shërbimit një trend shqiptar për majmjen e xhepave të shushunjave dhe anamizimin e shoqërisë shqiptare.
Si? Me lëmosha sociale, pensione apatike etj.!
Shqiptarët kurrë nuk duan ta kuptojnë atë që janë të pushtuar, në një kolaps të plotë politik, pasi i kanë të dy krahët plot me peshq të mëdhënj. Ku do t’i fusni? A keni vend? Dhe a keni gjeneratë t’i zëvendësoni? Janë të pushtuar nga ata që bëjnë debate të zhurmshme në kuvend. Enkas, plot pështyma. Plot vrer karshi njëri-tjetrit. Janë totalisht të pushtuar se invazionet sllave të kohës, më keq se nga turqit. Italia dhe shovinizmat e tjera rajonale. Janë në kolaps pasi nuk arritën të sjellin prurje ndryshe, si përshembull Greqia me Ciprasin, Franca me Makronin, Austria me 31 vjeçarin Sebastian Kruz etj. Janë të pushtuar nga qillotat e Edi Ramës dhe lufta frontale e Sali Berishës për jelekët antiplumb të Zenit. Duhet gjak i ri për reforma reale. Janë karvane të tëra maunesh me soje rasatesh e përmasash gati katastrofike. Ky 300 milionshi në lekë, një ballgjër a karas koprative është. Me 300 milionë në lëkë shqiptare. Po si i bëhet halli me ata që I kanë këto miliona në valutë?
Të huajt nëse vërtetë e kanë seriozisht që do na ndihmojnë, duhet të na afrojnë kafazë me shumicë. Se çështja është ajo që a kemi mjaftueshëm burgje? Kjo është e vërteta dhe kolapsja jonë. Pa eshqit i kemi me shumicë. Kishin nga një dhomë e guzhinë, sot kanë resorte, hotele, ferma. Duart plot I kanë. Kurse ju vetëm arka me tranguj e domate plot hormone.

Filed Under: Analiza Tagged With: a kemi mjaftueshëm?, Ilir Levonja, Peshq kemi boll, po rrjeta

Mirë ua bën

November 9, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Këtu në Fort Lauderdale kam një familje tiranase, me të cilët ma ka ënda të pi kafen e mëngjesit. Kuptohet kur jemi pushim. Më shumë jam unë që u avitem, kjo edhe për faktin se ata kanë një kopësht të mrekullueshëm. I zoti i shtëpisë i do shumë pemët dhe nuk ka lënë soj pa mbjellur. Nga ato tonat që ia kanë sjellur me kalema në shishe plastike, deri tek drurët frutor të tropikut si avokato, starfrutin, mangot e plot të tjera. Një merakli tipik shqiptar, nga ai soji që e blen një prone me mendjen si ta meremetojë e ta bëj si ja do ënda. Dhe ky, zot tiranas, shqiptar, i tillë është, si ajo kënga që thotë, ”ç’të sheh syri ta bën dora”. Një kopësht ku bleron veç paqja dhe qielli përsipër. Një shtëpi që dallon mes të tjerave, thjesht për atë se kush vë dorë, shplodh sytë e kalimtarëve. Mirëpo para ca muajve po ankohej për faturën e ujit. Nga ana tjetër i vinte keq të hiqte pemët, lulet, për më tepër një shegë Shqipërie që edhe pse nuk lidh kokrra për shkak të të nxehtit me tepricë, gjelbëron e i kujton kopshtijet e Tiranës. I dha karar punës, të hapte një pus e të zgjidhte një here e mire punën me faturat e ujit. Se këtu nuk të thotë njeri mjaft e harxhove ujin, përkundrazi të thonë harxhoje se aty e ke faturën, poshtë derës. Di që u lidh me një kompani shpimesh dhe si përfundim pusi u hap, u montuan dhe pajisjet sa po ta shohësh duket si një vepër arti, jo një pus me pompa e beton si ato që kanë mbushur banesat private, por edhe hyrjet e pallateve. Për atë shkak gangrene të zhvatjes së fondeve dhe keq menaxhimit të ujrave në Shqipërinë, që, sa mban mend kujtesa e çdo të gjalli. Ujë, ujë. Nuk ka ujë. Ujë pa lekë, uji vidhet. Hap një kanal, ça një xhade, shtro një tub, gërr e vërr.

U bëra kurioz pas deklaratës së shkëlqesisë sonë Edi Rama, për faturimet e pusave private, për shkak se uji është i të gjithëve. Qesha dhe mu kujtua ai filmi shqiptar ”I teti në bronz” kur dy misonarë të nacional çlirimtares i rrëmbyen kripën tregtarit dhe ia ndanë popullit me preteksin se ajo vjen nga deti dhe deti është i të gjithëve. E mora në telefon mikun dhe e pyeta nëse paguan faturë uji nga pusi që hapi. Për leje, që nxorri apo ajo, e të tjera si këto? Ma ktheu që lejen e siguroi përmes firmës që është e autorizuar për shpime. Dhe se faturë nuk ka kujt i paguaj veç korentit të shtëpisë. I thashë se kështu e ashtu, ai kryeministri ynë, atje në Shqipëri do faturojë puset për marrjen e ujit të të gjithëve nga familjet, a privatët. Dhe ai ma ktheu shkurt, se mire ua bën, ka gjetur. Ai është një i çmendur. E solla të gjithë këtë për të kuptuar jo marrëzinë e nismës Edi Rama, por susllëkun tonë social. Se sa do i ngrejë peshë buxhetit të shtetit, kjo tarifë, është një vlerë e pallogaritshme. Por zakonisht pushtetet i bëjnë këto për disa arsye. a) Ushtrimin e dhunës nga një njësh me qillota. b) Zhvendosjen e vëmendjes nga skalndalet qeveritare. c) Rënia e pashmangshme në luftën brenda llojit. d) Mbajtja e pushtetit me çdo kusht për t’iu shmangur reformave. dh) Kthimin e restove aleancës kundërshtare, për ruajtjen e krahëve, e hapjen e krahut në një të ardhme jo të largët.

Kur një shtetar kërcënon me aplikim faturash nga gjithësia, qytetarëve u duhet thënë me gojën plot, mirë ua bën.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Mirë ua bën

Çfarë dreqin bën provë në Shqipëri?!

November 5, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/Për shtetin, shtetarët e të tjerë sejmenë, patentat e Sajmirit nuk përbëjnë provë. Paratë po! Emrat e përfolur nuk përbëjnë provë. As ato që thotë drejtësia italiane etj. Droga e kapur këtu apo aty nuk është provë. Fikja ”rastësisht” e radarëve nuk është provë. Për shtetin, shtetarët e të tjerë sejmenë, ulërimat e vendit fqinj për dyndje kontenierësh, motoskafësh etj., nuk janë prova. Biles as plantacionet ku shfaqen me pamje, asgjesimi i kanabisit nga bujqit me uniforma kamuflazhi, nuk përbëjnë prova. As dëshmitë me pamje serash moderne ku kultivohen varjetetet me cikle të shpejtë zhvillimi, nuk janë prova. Pra për shtetin, shtetarët dhe të tjerë sejmenë asgjë nuk është provë. Dhe mund të mos jenë prova. Mund të mos jenë vërtetë për një drejtor policie, për policinë e shtetit. Për prokurorinë, gjykatat. Mund të mos jenë prova edhe për kabinetin qeveritar. Mund të mos jenë prova për shpurën e militantëve që çirren ha mut o gogol ha. I çirren sojit. Se soji me sojin nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, vetëm sa çirren. Bëjnë sikur, dhe, presin radhën. Pra për institucionet mund të mos ketë asnjëherë prova. Por nuk kuptoj, për ju o njerëz? Akoma nuk ka prova? Akoma në tribuna stadiumesh do rrini. Duartrokit këtej, duartrokit andej. Sehirxhinjë pazaresh të prishura. Strategjish me t’ja futur njëri-tjetrit. Mbetët duke i besuar verbërisht deklaratave që, po, çfarë ka këtu, e çova unë çunin të blej ca kile hekur. E çova në pazar…, çfarë ka këtu? O njerëz që flini më këmbë. Çfarë dreqin është provë në Shqipëri, që ju të kuptoni se si bëhet shteti. E ta bëni Shqipërinë me shtet, me shtet tuajin të shqiptarëve, jo të hajnave. Çfarë dreqin bën provë për ju të kuptoni se sa thellë ua kanë futur. Dhe se, përdita, me sa kënaqësi po ua fusin? Çfarë dreqin bën provë për ju që të ngriheni?! Kë prisni Lulzim Bashën? As mos e çoni nëpër mend. Mjafton ajo telajo blu, ato dy gishta përpjetë si shalë kurvash. Aq e fërko duart. Çfarë dreqin bën provë që të kuptoni se kur merr fund një kastë. Kur, të ndjeni se si u është mbushur trupi me shushunja? Dhe se ju me atë horinë e stadiumeve nuk po bëni asgjë tjetër veç po rrihni ujin në hava. Ikën vitet, po i afrohet gjysmës ky shekull i ri dhe ju, veç lojën e gogolit, ha mut o gogol, tirr lesh o gogol. Çfarë dreqin bën provë për ju që të kuptoni se djemve u duhet dhënë shanci, të drejtojnë e jo, t’i nënshkruani gjakhupës nën emrin e Ramës dhe ndonjë murtaje tjetër aty. Kolera u ka rënë dhe ju avazin.

Çfarë dreqin bën provë, pra?

Filed Under: Komente Tagged With: Çfarë dreqin bën provë, Ilir Levonja, ne Shqiperi

Mos urre Fejsbukun zemër, mjaft me urrejtje!

October 30, 2017 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Dje u nda nga jeta një gazetare e re dhe as që diskutohet që është një dhimbje. Një jetë e këputur mes qindra planeve
ia dyfishon kobin vdekjes. Për më tepër kur e kemi bërë të udhës të solidarizohemi në një lloj horie të ”dhunshme” të një dashurie të cilën dime ta shfaqim si duhet vetëm pas vdekjes.
Sado që nënat tona thonë shpesh që, duam sa më ke, mos u kujto për këtë kur mos të jem më. Por tek ne vepron më shumë e kundërta se sa e mbara. E çuditshme! Të bën të mbledhësh supet. T’i nënshtrohesh! Kjo ndofta na ka çuar edhe në atë garën të tregojmë se kush do më bukur. Se sa e madhe ka qënë dashuria jonë. Kjo ndofta na shpie edhe tek gara tjetër, se, kush mund dhe e bën qivurin më të bukur a më të shtrenjtë. Dhe po të vazhdojmë kështu, edhe pak dekada ta dini, qytetet më të bukura tek ne, për nga shkëlqimi i mermerit, kangjellave, do jenë qytetet e të vdekurve. Bota ka kohë që i ka kthyer në lëndina. Ne na rroftë shprehja, i lehtë të qoftë dheu i lëndinës.
Para pak ditësh u nda nga jeta dhe Robert Elsie. Një qytetar kanadez i dashuruar me albanologjinë. Me shqiptarët. Vloi horia e patriotëve sa ta shpifnin kur thoshin do ta varrosim këtu, amaneti i tij të varroset në Shqipëri. Ta varrosim. U vendos do varroset tek ne. Në të vërtetë ashtu është, ne të varrosim. Të varrosim të gjallë a të vdekur. Edhe pse kemi shprehjen prehet. Do të prehet, u prehtë në paqe. Ne, vrull varrosje, vrull xheneti. Mirëpo mes kësaj horie të djeshme, plasi edhe një kundër hori. Urrejtja për fejsbukun? Shumë njerëz shpesh i kundëvihen instrumentit, jo dorës, mendjes, a shpirtit që e luan keq. Pak sentimentalizëm, natyra, mali, shëtitja, qetësia e shprishur prej ikjes së realitetit. Dukesh simpatik, apo jo? Desha të them se nuk ka e ka fajin fejsbuku? Ashtu si shumë gjëra të tjera edhe ky i ururari fejsbuku, që i qofshim fal këtij djali nga Nju Jorku me emrin Mark Zuckerberg, është një mjet. Çdo njeri të mund të ketë televizionin e tij, gazetën a institucionin. Kaq. Dhe nuk ka më bukur. Dikur ishte privilegj i një pakice që e bëri komunikimin pushtet të katërt, po aq të pa sukseshëm sa pushtetet e tjera. E ka fajin kultura. Mendësia…, horia për tu dukur. Facebooku është një mundësi komunikimi. Kaq! Do e hap, do nuk e hap. Do e shikon, do nuk e shikon. Nuk bën zhurmë, nuk ta prish qetësinë fejsbuku, por mendësitë.
E sidomos dje kur bota shqiptare sapo bëhej gati të kacafytej me vendimin e fundit të Mustafait që, është apo nuk është hero Azem Hajdari? U desh të humbte me natë herët, ai shpirt i bukur që ne t’i shmangeshim Muçit. Ndofta Muçi ka qënë më i trishtuari dje. I iku dorësh zbulimi i fundit mbi heronjtë. Eshtë një instrument, një mundësi…, tjetër gjë se dikush e përdor me edukatën e fëmijës karshi lodrave, tjetër gjë se dikush e përdor me kënaqësinë kafshërore të vrasësve. Dhe tjetër gjë se ca mendojnë se ju kufizua pushteti mbi të drejtën për tu shprehur. I të drejtës se vetëm një pakicë që e ka aftësinë për të lëvizur si ta duan njerëzimin. Tjetër gjë se abuzuesve më të mëdhenj mbi qarkullimin e vlerave, u vjen plasja, rrahin dyshemenë me këmbë, duan që gjithçka ta dirigjoj mendja e tyre. Eshtë një larmi e madhe dhe koha po verteton se sa talente janë vrarë padrejtësisht për shkak të pritjes në radhë tek dyert e redaktorëve. Por kjo nuk ia vlen fare.
Ka plot pse të tjera që të dërrmojnë bashkë me vdekjen e një bukurie. Një nga këto është edhe kultura e të heshturit, një panik njerëzor në shqoërinë tone për të mbajtur të fshehtë sëmundjet. Shqiptarët e kanë frikë mjekun. Shkojnë tek mjeku kur takojnë vdekjen. Jetojnë me mendësinë mos trego, se sëmundja është turp. Ndofta mungesa e një edukate të tillë sjell shpesh situata ku edhe habitemi se si vdiq kaq papritur ky apo ai person. Këtu janë problemet tona, tek mendësia me të cilën jetojmë. Dhe këtu duhet t’i mëshojmë ndreqjes së vetvetes. Jo tek fejsbuku… a qetësia që na ”prish” ai.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, mjaft me urrejtje!, Mos urre Fejsbukun zemër

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT