• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aleppo sot

December 16, 2016 by dgreca

1-aleppo-11-femijet-ne-gjak1-al-bashar4-grate-aleppo3-aleppo2aleppo

Nga Ilir Levonja/Portalet e botës janë përqëndruar në Alepo. Një qytet i gjithi nën terror. Ca ditë më parë regjimi i Bashar al Asadit, mori kontrolllin e munguar. Një shfrymje dufi, të cilën një qytetar i thjeshtë, një i ri sirian…, e ka përmbledhur me pak fjalë. Ata po dëfrejnë mbi trupat tanë. Kjo falë internetit. Gjëndet në faqen e parë të gazetës The New Yorks Times me titullin, ”E fundit lamtumirë për Asadin”. E gjitha nën atë shpresën e arratisë. Fal atij armëpushimi të shkurtër nga e djeshmja. Kur karvane autobuzësh nga Kryqi i Kuq Arab nisën evakuimin e njerëzve drejt Turqisë e më tutje. Një armëpushim që u ndërpre krejt papritur, duke e futur Alepon sërish nën hijen e ftohtë të një të nesërme të pasigurtë. Pamjet e tjera që serviren, ngjajnë me atë që grigja njerëzore e sjell si shembull kur do të përcaktojë, shtazërinë kafshërore. Që domethënë, shfarosja është ulur këmbëkryq në Alepo. Dhe në këtë kontekst, shfarosja e njeriut prej njeriut, ia ka kaluar instiktit kafshëror. Ndaj duhet të përgatisni veten, duhet të kujtoheni se keni apo nuk keni zemër të fort. Pasi pamje si ato i gjeni vetëm në filmat horror. Sheh burra që nxjerrin nga kupola betonesh të thyer, fëmijën e vdekur. Civilë të dorëzuar që vriten në vend sikur të jenë kunguj gardhi. Se si një ndërtesë në anë të rrugës, u shëmbet njerëzve përsipër. Me mijra sy që u mëshirohen kapuçonëve të zinj të ushtrisë. Shikon se si përdridhet nga qafa një grua në sy të fëmijëve. Si zhveshin e rrahin një kryefamiljar të moshuar. Se si buzë një grope predheje, diku në një rrugë rrethine, gjëndet një gjysmë kufomë njeriu…, me, vetëm këmbët në kalldrëm.

Nga ana tjetër, pro qeveritarët që vendosin posterat e Asadit, mbi rrënojat dhe kufomat e një populli të vdekur.
Siria gjëndet në një luftë civile, tashmë prej pesë vitesh.
Vendi që është një ndërthurje besimesh. Fusha e betejës ndër shekuj midis osmanllinjëve dhe arabëve, francezëve dhe vet sirianëve. Deri sa erdhi në pushtet familja Asad. Duket se ka humbur plotësisht besimin tek vetvetja. Ndryshe nuk ka se si, në kohët e sotshme, të zgjasë kaq shumë një luftë civile. Aq më tepër që një regjim me para të huaja, me gjak vëllezërish…, do i tregojë at me gisht në të ardhmen.
Paralelisht me kaosin sirian. Eshtë në një mëdyshje të madhe edhe mbarë opinioni botëror. Një lloj ndarje që ndofta një ditë do të konsiderohet si fatkeqësia botërore siriane. E cila infektoi ndarjen, apo mëdyshjen tek njerëzimi. Të shteteve apo qeverive të tyre. Njëra palë i quan ithtarë të lirisë, tjetra rrebelë. Aq sa në mes të një kohe evakumi, një ministër i jashtëm, i një vendi të madh si Rusia, u kërkon forcave të regjimit të mos ndalin marshimin, deri në dëbimin e banditit të fundit. Kështu një kapuçon i zi nuk e ka për gjë të qëllojë mbi ata që duan t’i largohen masakrës. Ndaj lufta civile aty u ka dhënë shkak interesave të ngushta të shefave në kabinetet e tyre. Në fakt ka plot qeveri që injorojnë qëllimisht thertoren siriane. Kjo jo vetëm për çështjet e koklavitura nga kabineti i Putinit, Ankarasë apo Shtëpia e Bardhë etj. Por nga autoriteti i pushtetit për të sunduar.
Kjo edhe për firot e shoqërive civile, si paktet me pushtetin. Heshtja.
Siç është dhe rasti i arrestimeve pafund në Turqi.
Dhe më e keqja ndodh nga besimi i humbur i njeriut për njeriun. Dhe këtë rënie, këto disfata sociale i sjellin zakonisht renditja verbërisht pas një doktrine politike prej grupesh interesi. Pra…, çështja, pushteti mbi të gjitha. Eshtë kjo arsyeja që sot e pesë vjetë, në Siri nuk ndryshon asgjë. Eshtë kjo arsyeja që nga kjo luftë e ashpër civile nuk e ka për gjë që djali i tezes, apo i dajës, i xhaxhait etj…, të vrasin njëri-tjetrin.

Filed Under: Politike Tagged With: Alepo sot, Ilir Levonja

Shqiptarëve të Maqedonisë: Bëni shtetin që u takon!

December 14, 2016 by dgreca

….Çfarë mund t’i ofrojë Shqipëria faktorit politik të të njëjtit gjak në Maqedoni? Nisur së paku nga këto 26 vite pluralizëm politik? Por edhe nga hobeja e kryeministrit tonë që herë më herë, i thërret liderët politikë shqiptarë atje, sikur të ishte Putini i Ballkanit?! Eksperiencën parlamentare? Bashkëqeverisjen? Komunikimin politik të tipit perëndimor? Suksesin me theqafje të ekonomisë më informale në pellgun e Europës qëndrore?/

1-ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të vinë fare në Tiranë. Nuk e di përse e bëjnë këtë. Përse i binden shtetarëve aty. Ndofta për mirësjellje? Ndofta nga ajo ndjenja që kanë brenda vetes për atdheun amë?! Duhet të provosh fatin e tyre që ta kuptosh. Por pluralizmi politik, zhvillimet demokratike, dëshmojnë se vendi amë, Shqipëria nuk e ka arritur atë stadin e duhur për të qënë faktor bindës. A për tu marrë si model për mirë nga shqiptarët jashtë kufijeve.

Çfarë mund t’i ofrojë Shqipëria faktorit politik të të njëjtit gjak në Maqedoni? Nisur së paku nga këto 26 vite pluralizëm politik? Por edhe nga hobeja e kryeministrit tonë që herë më herë, i thërret liderët politikë shqiptarë atje, sikur të ishte Putini i Ballkanit?! Eksperiencën parlamentare? Bashkëqeverisjen? Komunikimin politik të tipit perëndimor? Suksesin me theqafje të ekonomisë më informale në pellgun e Europës qëndrore? Modelin ekstravagant të parlamentarizmit të tipit Braçe, Berisha, Tahiri, Balla, Paloka, Frroku etj. Çfarë? Madje situata në rajon, me shqiptarët si në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës etj. Duhet të reflektojë thellë tek politika shqiptare në shtetin amë.
Por kjo nuk ndodh. Dhe kjo dëshmon atë që, se sa e personalizuar është lufta politike karshi fatit të shqiptarëve në përgjithësi.
Shqipëria në vetvete ka një sërë problemesh që në lidhje me pluralizmin, bashkëqeverisjen, shtetin e së të drejtës, krimin e organizuar, korrupsionin etj…, i kanë çakorduar balancat midis qytetarit dhe shtetit. Ndaj sot qyetari shqiptar ka dy alternativa zgjedhje. Dy, vetëm dy… Ose të iki, ose të anëtarësohet në LSI. Demokratëve më shumë se fati i një populli të tërë. U intereson lufta e ashpër parlamentare. Socialistëve më shumë se përmirësimi i jetës së një vendi. U intereson sharmi i disa ministrave me prejardhje revoltash karshi Sali Berishës. Ata që duan të hedhin ndonjë ide ndryshe, shpallen menjëherë kundërshtarë politikë, sikterisen. Deri me përjashtim…, duke mbushur me sukses radhët e LSI-s. Po edhe aty ku shkojnë, shkojnë sa për sharm, sa për luk. Pasi përjetësia i përket baba Likes nga Tomorrica.
Çfarë mund t’i ofrojmë ne shqiptarët vëllezërve tanë në Maqedoni? Një temë që ia vlen ta ritrajtosh ditë më ditë.
Ata kanë 5 parti që në raport me popullatën është një numër më se normal. Ne kemi 136 a 138 parti që në raport me popullatën është një shifër anormale. Kemi kryetarë që rrinë si të tillë deri sa vdesin. Edhe pse nuk fitojnë sikur gjysmën e votave të duhura për të qënë deputet. Po i bashkangjiten partive të mëdha dhe vegjetojnë aty, duke u prerë rrugën shanceve të vërteta të një individi që sapo nis karrierën politike. Kështu edhe partitë e mëdha kthehen në lojra të xhaketave të vjetra. Të aleancave shterpe me braktisje bastionesh, mandatesh etj. Të paktën PDSH-ja në këto vite pluralizmi ka ndërruar dy. BDI-ja asnjë. Lëvizja Besa një parti e re. Apo tu afrojmë modelin e dorëheqjes sa për të thënë. Dhe prapë jemi ne kryetarë.
Shqiptarët e Maqedonisë sot u duhet…., e para, të kuptojnë një herë e mirë se janë pjesë e shtetit të tyre. E dyta, kanë shancin historik të luajnë rolin që u takon, bashkëpunimi me opozitën e Zaevit. Duke u bërë kështu faktor i gjallë i ekzistencës së shtetit të tyre. Por dhe e ekzistencës reale si shtetarë formues. Plot imponim e të drejta.
Lëreni Tiranën në shenjterinjë e sherreve të saja. Mbase kështu i jepni edhe një mësim të duhur politikës konfliktuale, treçershekullore të saj.
Këtë jo për ide të njërit apo tjetrit. Por si shtetarë të Maqedonisë. Dhe përgjegjës për përmisimin e jetës, apo plot të drejtave të munguara nga aleancat dhe qeverisjet e deritanishme. Nga përçarja juaj.
Gjykoni vetëm një fakt, luftën e nëndheshme të përgjimeve Gruevski. Një qeveri që u përgjon, ka marrë fund. Eshtë e sojit të hajnave. Për më tepër jepini një mësim botës se shqiptarët janë të aftë në ndërtimin e një shteti. Mjaft adhuruat atdheun e sëmurë, duke jetuar e punuar në Zvicër e Gjermani. Lartësitë e Sharrit janë si ato të helveteve. Madje më të bukura. Eshtë shanci t’i jepni vetes dhe vendit, atë që meritoni.

Filed Under: Politike Tagged With: Bëni shtetin, Ilir Levonja, që u takon

Partia dhe e dashura

December 11, 2016 by dgreca

1-ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

Sot është njëzetë e gjashtë vjetori i Partisë Demokratike. Që për shqiptarët është partia e studentëve të dhjetorit 1990. Por sapo shkon në webin e kësaj force politike, gjen vetëm një emër të tillë. Atë të Azem Hajdarit. Dhe ky sot, tashmë i vrarë. Të tjerët janë grupi i intelektualëve që fillimisht shkuan si dialogues në ambjentet e studentëve. Dhe dolën që andej si shefa seksionesh të partisë. Që nga ajo kohë, megjithë rrokapjekjet, deri ndarjen nga njëri-tjetri, deri në shpalljen armiq për njëri-tjetrin. Dhe pajtimin publik me njëri-tjetrin, sidomos në kohë qeverisjesh. Ky grup intelektualësh, në masën 85% është edhe sot e kësaj dite, një forcë dominante në parti.

Studentëve u kanë lënë kurbetin, vitrinat e muzeut të partisë dhe pluralizmit shqiptar. Që meritojnë plotësisht fjalët e atij prefekti komik nga Tirana. Se kur zdryp katunaria në qytet, mjerë vendi. Studentët janë zogj shtegtarë. E kam thënë dhe në një shkrim tjetër, ku nuk i kam gjetur, deri në Kanada. Shërbejnë kafe dhe ngasin kamiona,apo trailera nga ato që u ngjajnë anijeve në rrugë.
Dhe ajo që është më e trishtueshmja, një lloj mjaftueshmërie nga vetë studentët. Një mjaftueshmëri me kaq. Mjaft që disa të shkojnë atje në ditë përvjetorësh. Mjaft që të shpërndajnë ndonjë statut fb me foto nga koha. Si relike tradicionale militantësh karshi derës së të dashurës.
Sa herë që vjen kjo ditë, e përvjetorit. Më shkon mendja tek një poezi e Orhan Veliut, poetit turk. Puna e një kostumi, e rrobave shik etj. Puna e tij me të dashurën. Ai e dashuronte shumë një vajzë, por i druhej vetvetes, veshjes. Vinte nga shtresat e varfëra.
Dhe i thotë midis të tjerave se nuk po blinte dot një kostum për shkak të borxheve. Pasi të lante borxhet, do ta blinte edhe ai një. Do vishej shik. Por në fund i thotë se mos mendo se kur të vesh atë kostumin, do të çmoj ty më shumë se tani, që jam si një zhelan.
Kështu e shikonim edhe ne shqiptarët, Pd-ën, e, atyre viteve gri. Dhe nuk besoj se tani, veshur shik, me kostume firmato etj. Me marka makinash nga hollet luksoze, ta duam siç e donim atëhere.
Tani prezenca tek dera e saj është aritmetikë Olimbi. Jo dashuri e një njerëzimi të lodhur që deshi vërtetë rilindjen kombëtare.
Mirëpo kur themi si parti e studentëve, parti e dhjetoristave. Një parti e lirisë gabojmë. Nuk ka liri brenda një force politike kur krerët e saj, nuk çlirojnë së pari vetveten. Çdo gjë tjetër është demagogji.
Lulëzim Basha ka disa ditë që flet për një rioarganizim të PD-ës.
Edhe pse vonë, është lëvizja më e domosdoshme. Madje në këtë dhjetor opozitar. Ku situatat krahason me 90-ën, duhej të ishin të parët studentët. Mundësisht ashtu me pantallona doku. Me flokët (kujt i kanë ngelur) pa brilantinë. Thjeshtë për të kuptuar devijimin nga aspiratat e rilindjes kombëtare në vitet 90-të.
Për të kuptuar se sa bajate është politika klanore e denoncimit të krimit, korrupsionit, varfërisë, kurvërisë etj…, nga foltorja e hollit të selisë. Duke mos u dhënë shqiptarëve mundësinë për të patur, pas 26 vjetëve pluralizëm, sikur një institucion, qoftë një… i cili të jetë po aq i fortë sa vet qeveriu. Dhe se çfarë do të thotë program politik, çfarë do të thotë masë, çfarë do të thotë ndryshim. Për të ardhur në pushtet me këmbë të mbarë siç e do edhe bota e demokracisë.
Për të kuptuar dhe pranuar dështimin. Ashtu sikur trumbetojmë arritjet. Për të balancuar raportet, forcat. Dhe për tu thënë xhaketave të vjetra, se koha e astarit, e kthimit të teritalit ka mbaruar. Nëse PD duhet të festojë edhe shumë e shumë përvjetorë të tjerë. Nëse PD duhet të qeverisi që, tua bëj jetën shqiptarëve më të mirë. Jo për inat të mullixhiut. Por thjesht se ata e meritojnë. Ky është edhe misioni i një force politike. Ky është misioni i PD-ës, dallandyshes së demokracisë shqiptare.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Partia dhe e dashura

Solidarnost

December 10, 2016 by dgreca

Kryesolidarnostët e pellgut të mesdheut janë sot aktorët më të mëdhenj. Një lloj kaste që interpreton puthjen e dorës, deri në perfeksion. Një tregues klasik i njeriut që predikon se është përfaqësuesi i Zotit. I sundimtarit që ka ndërruar lukun, por jo tiraninë e tij. /

1-ilir-levonja-2-288x300-1Nga Ilir Levonja/

1) Solidarnosti, ky term frymëzimi në perandoritë moderne të lindjes, pas luftës së dytë botërore. Që ndryshe mund të shqipërohet edhe si proletarë të të gjitha kafeneve bashkohuni. Eshtë fryma që kërkonte dënimin publik. Masiv…, etj. Të një individi, një klase shoqërore deri tek një komb i tërë. Dhe format masive të suportuara nga sipër. Nga krerët e një shteti, nga masmedia që marrin financa nga traditat arkaike ai është me ne. Ai është dora jonë etj,. Dhe jo nga tregu dhe konkurenca etj. Këtu përfshihen edhe një grup që i zë menjëherë gripa e patriotizmit. Dhe tështijnë nga që janë akoma nën efektin e solidarnostit nga koha e flet-rrufeve. Një lloj demaskimi publik, në xhamat e ndonjë këndi emulacioni ndërmarrje. A dyqan qëndër qyteti. Kohë të cilën një devolli nga bashkimet profesionale. E përmblodhi së fundi në pak fjalë. Kam bërë flet-rrufe, sepse sipas xhaxhi Enverit më i rrezikshëm ishte indeferenti se sa i damkosuri. Ndryshe nuk kishte solidaritet me partinë. Nuk kishte solidarnost kuadër e parti. Popull e parti etj. Dhe kjo ndodh me shumicë në vende ku popujt e humbin kuptimin e ekzistencës së tyre. Dorëzohen dhe ia lënë fatet e tyre ca shtetarëve dështak. Dhe ca kryetarëve që dirigjojnë forcat nacionaliste. Fanatike. Apo tashmë me tradita mentale të bërjes së karrierës përmes partisë, rryfshetit, mikut, grupeve të interesit etj.

Të dyja palët, pra kryetarë e grupim… i bëjnë për disa arsye. Për të sunduar dhe për të mbuluar dështimin në përmisimin e jetës së vendit. I bëjnë të ndërgjegjshëm duke vdekur përfundimisht vlerat vitale të një vendi. Edhe pse gjithë ditën flasin nën sharmin e flamujve kombëtarë.
Kjo fatkeqësi e solidaritetit në masë, është sot një lloj epidemie që vendeve të mesdheut do t’u duhet një karantinë shekullore për të çrrënjosur.
2) Kryesolidarnostët e pellgut të mesdheut janë sot me shumicë. Dhe e kanë depozituar sundimin e tyre duke i tërhequr për hundësh popujt. Kështu njerëzit kafshojnë njëri-tjetrin dita ditës. Ndaj sot pellgu i mesdheut i ngjan një tavoline të shtruar me japrak. Apo dollma. I thoni si të doni. Ushqim është. I thjesht…, fare, ca oriz me erza bahçeje mbështjellur në gjethe rrushi. Të gjorat amvisa, e bënin nga halli. Mezi prisnin të çelte gjethi dhe kopra. Burrat do ndërtonin bunkerë, fortifikime, metalurgji që Kina vetë, apo Rusia, i kishin nxjerrë nga koha e tyre.
Mirëpo deri sot e kësaj dite, mesdhetarët të dërrmuar nëpër botë, zihen po nëpër botë se i kujt është japraku.
A duhet ta mbajë një shqiptar në Greqi një flamur të tijin tek dera e shtëpisë? A duhet ta mbajë një grek në Shqipëri, një flamur të tijin tek dera e shtëpisë? A duhet t’i mbajnë ata flamujt e tyre gjatë ditës në makina.? A të thonë ndërsjellas se janë grekë, se janë shqiptarë.? Se ndihen grekë, se ndihen shqiptarë?
Kryesolidarnostët e pellgut të mesdheut janë sot aktorët më të mëdhenj. Një lloj kaste që interpreton puthjen e dorës, deri në perfeksion. Një tregues klasik i njeriut që predikon se është përfaqësuesi i Zotit. I sundimtarit që ka ndërruar lukun, por jo tiraninë e tij.
3)Nga aradha e solidarnostëve shqiptarë, një burrë i vogël. Të cilin shqiptarët e quajnë konia e parlamentit. U bën thirrje njerëzve të solidorazihen për të mbrojtur Mimin. Kjo nga nga konflikti i fundit. Midis dy minitrave të mbrojtjes. Dy solidaronstëve të pellgut të mesdheut. Atij të Greqisë dhe tonit. Dy kastave solidarnostëve të shtypit grek dhe shqiptar, shoqërive mesdhetare në kohën e një unioni të përbashkët europian, kohë aleancash të mëdha. Në kohën e një globalizmi, të një qytetari botëror. Evokojnë terminollogji të tilla si i pabesë, tradhtar, tinzar, i poshtër. Do vrarë me bukë në gojë etj. Vegël e tij dhe e këtij… bashkëpunëtorë të fashizmit apo gjermanit etj. Ky burrë i vogël, ky ”patriot”. Aq sa ia kaluar edhe gjatësisë së shefit të tij. I dhëmb krahasimi me punëtoret e klubeve të natës. Që mediat solidarnoste të Greqisë, i bëjnë shefes tonë të mbrojtjes. O bir nëne, që sundon 26 vjet demokraci. Ti dhe kasta jote. Qoftë aty në Shqipëri e qoftë në Greqi. I kemi dhënë prostituta Greqisë, punëtore nate, kabaresh me shumicë. Dhe kjo, jo për inat të Greqisë. Jo për inat të patriotizmit tënd infantil. Por për shkak të atij sundimit tënd dështak, që i bëri shqiptarët të lënë kockat maleve. Të fryhen, përbuzen, shahen, përdoren etj. Dhe ky nuk është faji i Greqisë, por i yti. I kastës së sojit tënd solidarnost, solidarizmit pas teje.
Kështu që, përpara se tu kërkoni shqiptarëve të solidarizohen pas deklarate shtypistash, rregullojini jetën. Ndrequani të ardhmen. Forconi shqiptarin ekonomikisht, bëjeni qytetar të botës. Dhe nxirrni nga skena politike kastën e sojit tuaj. Ndofta ai Zot që ju i puthni dorën, do u falim edhe mëkatet e rrjepjes kolikteve.
Se dëgjova që po zhurmonit aq shumë, së fundi…. edhe për përçarjen e shqiptarëve në Maqedoni. Ndarë në 5 parti. Zhytur në varfëri, mizerje, ithtarë të Isis-it, në shërre. Në merita dhe antimerita. Vegla të maqedonësve etj. Nuk kanë se kujt i ngjajnë. Kanë Tiranën dhe Prishtinën model. Burra që gjithë ditën pështypjnë njëri-tjetrin. Femra me bomba nëpër shalë.
4)Nga ana e tyre shqiptarët, grekët, turqit, italianët, sllavët etj… mësyjnë sipas stinëve njëri-tjetrin. Nga kaukazi drejt mesdheut, nga mesdheu më në brendësi. Anasjelltas gjithë kohët. Dashurohen dhe vriten. Martohen e shumohen. Paralelisht ecin edhe mëkatet, edhe virtytet. Një akademik, artist, shtetar grek deklaron se është shqiptar….një akademik, artist, shtetar shqiptar deklaron se është grek. I kemi dhën Greqisë edhe prostituta, edhe kriminelë. I kemi treguar edhe dhëmbët. Dhe Greqia na i ka kthyer me të njëjtën monedhë. Na ka sakatuar. Na ka djegur, na siktisur sikur të ishim pjellë sëmundjesh epidemike. Pse? Nga soji ekzistencial i solidarnostëve. Sojit yt.
5) Grekë dhe shqiptarë, tregojuni njëri-tjetrit dashuritë, martesat, fëmijët. Këto anë të mbara të njeriut. Se si i dhatë strehë shoqi-shoqit. Se si i këndoni këngë njëri-tjetrit. Se si shtroni tryeza të bukura, si kërceni, deheni…e plot virtyte të tjera. Por mos harroni tu tregoni edhe sojin solidarnost. Atë që u vret ato.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Solidarnost

Mbi artin poetik të Faslli Halitit (në ditën e Lindjes)

December 5, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/*

Individualisti/1-faslli-haliti-2Mbi artin poetik të Faslli Halitit/

                 Koment/h

Për shkak të mos përgatitjes së tekstit, duke patur parasysh se në atë kohë (1996-’97) kishte një mungesë të theksuar syresh, në provimin e komentit letrar u paraqita me vjershën Mehmetit tim të poetit turk Nazim Hikmet, shkruajta në mënyrën time dhe çuditërisht pedagogu me vlerësoi me notë maksimale. Këtë ia tregova si kurozitet Faslliut kur po pinim kafen e mëngjesit tek bredhi i Buçit dhe ai më tha midis të tjerave se, kisha fituar nga që pata folur me çiltërsi. Ashtu duhet bërë komenti, të flasim për atë që shohim atë që dëgjojmë dhe atë që prekim, tha ai. Ndofta nga ajo kohë këshilla për komentin u kthye në një lloj makthi, pasi në versionet pedagogjike struktura, ritmi, kadenca, përfshi edhe figurat stilistike, duket sikur e ngarkojnë teorinë e letërsisë. Qëllimi nuk është të mohojmë komponentët përbërës, por të rrëfejmë në një mënyrë ndryshe, pra si me thënë të ndërtojmë një koment me prioritet ndjesinë e përftuar nga konstatimi lirik i Oktavio Paz-it (Octavio Paz) kur thotë se, Unë shoh me mollzat e gishtërinjëve/ atë që prekin sytë e mi.

Sistemi figurativ dhe boshtet strukturore le të mbeten thjesht element funksional, të cilët doemos do të na ndihmojnë të ullukuzojmë afshin e ndjenjave, në mënyrë të atillë që të jemi gjakftohtë dhe jo të përciptë në interpretimin e poezisë.

Në këtë aspekt Faslli Haliti na jep mundësinë e madhe për shkak të individualizmit të tij, jo vetëm në formën strukturore por edhe në përmbajtje; mënyra se ai shprehet, afeksioni poetik merr paraqitjen arkitektonike të ndjenjës, si me thënë se frymon edhe guri, betoni, abstrakja, etj., përshembull …

Dheu

Ha gjithçka.

Dhëmbët, që hanë s’i

Ha. 

Unë e di mirë dhe besoj se të mendosh e gjykosh me zemër të madhe, për fatet e njerëzve të tu, me përpjekjen e tyre që afrojnë dritën, siç thotë Pol Eluar-i,(Paul Eluard’) do të thotë ta radhitësh veten në një front me ndryshimin. Kjo është normale për artistin dhe anormale për njeriun e thjeshtë, artisti e mban pezull atë tërësi vlerash që ka trashëgimia qytetare në të gjitha drejtimet, Faslliu provincën e ktheu në vëmendje dhe punën me kulturën në një akademi.

Pas luftës së dytë botërore krahas hoveve shumplanëshe që pati treva e Myzeqesë, risia kulturore qe një bum në aspektin e arritjeve, emra të tillë si Vaçe Zela, Ilia Shyti, Margarita Xhepa, Vath Korreshi, Pavlina Mani etj., shënuan fillimin e një epoke të shkëlqyer për historinë kulturore të qytetit të Lushnjes. Nga ajo kohë tashmë mes gjithsecilit ka mbetur në mes vetëm pesha e mallit, se rrugicat e kalldrëmta, qiparisët, pjergullat, avllitë, nuk ekzistojnë më. Rendi ushtarak i krijoi një tjeter fytyrë qytetit. Pas gati tridhjetë e kusur vitesh piktori Zoi Shyti, do të vizitonte Lushnjen për tu nderuar. Ai deklaroi me keqardhje atë që vërejti, Po kjo nuk është Lushnja ime. Liceisti Faslli Haliti jeton me tempin e kohës, madje nisur nga vështrimi i tij intilektual e poetik, mpreh lapsin  dhe vizaton vesin, pikturon huqin, flet për priviligjenin, për meritën që bëhet antimeritë, degradimin për të drejtën antiuniversale të luftës së klasave nën diktaturën e proletariatit. Dhe kur, atëhere kur poetit i duhej në fakt të përshtatej me atë detyrë që i kishin caktuar, siç shkruan R. Elsie në Historia e Letërsisë Shqipe, fq. 417. Frymëzimi i Faslliut kthehet në shmangie nga deviza e mësipërme partiake, për shkak të trajtëzimit, shpërbërjes së tij me talentin, pra të njeriut me krijuesin. Po sipas R. Elsit nga Historia e Letërsisë Shqipe, fq. 417., dy radhë më sipër nga paragrafi që cituam, vetvetiu, nga natyra, poezia mbetet individuale dhe shpesh është e vështirë të përputhet me shoqërinë e planifikuar.

Ai që e njeh Faslliun nga afër nuk e ka vështirë të kuptoj thelbin e kësaj, pasi Faslliun nuk e ndan dot nga poezia. Ai dhe poezia janë një lloj njëjtëzimi prej kohe dhe uji, vesi i tyre është keqardhja, po edhe poezia e tij (përshtypja ime kjo), është e gjitha një keqardhje. Dhe kjo zakonisht ndodh me krijuesin e frymëzuar. Një keqardhje që tingëllon fine deri në çeljen e ngjyrave të natyrës, emocioneve njerëzore.

E kam të vështirë të jap një gjykim përmbledhës për poezinë e tij, ku edhe qënia ime është lëndë poetike, po deri këtë diell dite këtu në Florida, në tokën e Oskeolës dhe të Seminollëve, gjykoj se keqardhja poetike e këtij trajtëzimi ka sjell një individualist model në Letërsinë Shqipe.  Në konteks me këtë, sintetizimi i lirikës shqipe në aspektin universal tek Faslliu merr vërtetësi, formë dhe ekzistencë. Pse? Sepse ka një gërshetim të përsosur të tingullit, trajtës, vesit, dhe absurdit. Pra le ta quajmë lirikë unikale e sensit social, sintezë të identitetit; gjithsesi me prirjen që të ndihmojë njerëzimin, përpjekjen për të lartuar shpirtin. Ndofta nga kjo na krijohet përshtypja se poezia e tij si flutura prek gjërat në mënyrë rrethanore, sa lirika me tipare sociale shpallet si fryt i dashurisë me tokën. Është një lloj lirizmi enumerativ i tipit Faslli, shkallëzues fët e fët, i ngjyrtë, i akuarelt, me aromë Myzeqeje, plisi e kallami.

*Fëshfëritja si habi në vend të klithmës së munguar.

                Nëna

Si më the ashtu në çastet e fundit

-Mbylle lesën, mbylle lesën…

Derën e apartamentit mbylla unë

Më çove në fëmijëri,

Më çove në ato vite,

Kur më thoshe në muzg

”Shko mbylle lesën Çaçi!”

Pse vargu është ndjesor dhe jo deklamativ…, sepse ka brenda habinë njerëzore të drejtpërdrejtë në efektin intim të keqardhjehabisë. Si më the ashtu…., nën një drithërim personal me muzikalitet të përftuar nga konstatimi. Nëse poeti do të shprehej se, Ti, në çastet e fundit më the…., tërësia e përcaktimit të mësipërm do humbte trajtën, për faktin se në rastin e dytë kemi deklamim, diçka që thuhet pa praninë tëndë. Po le të kthehemi në komentin e variantizuar mësipër, pra të flasim për atë që shikojmë, të themi atë që që konsiderohet idiomë e ndjesisë përfytyruese të tipit Paz-it (Octavio Paz) kur thotë: unë shoh me mollzat e gishtave/ atë që prekin sytë e mi.

Vargjet Më çove në ato vite/ Kur më thoshe:/ Shko mbylle lesën Çaçi!., bëjmë digmën ku afërmendja flatron me sy ëndërrimtar kopshtijet fëminore. Aty bredh nje djal, i cili për sytë e kalimtarin po kryen thjesht një veprim, po mbyll lesën e oborrit. Në Myzeqe lesë quhet porta e thurur, një lloj porte që ka më tepër funksion detaji sesa fortifikimi, lesa me rakita është një e tillë. lesë thuprash.

Vrapoja une në muzg;

Lesën e oborrit mbyllja me vrap,

Lesën e madhe thurur me rakita,

Dhe kthehesha rrugicës duke parë prapa,

Dhe futesha në prehrin tënd nga frika.

Përveç vargut metonimik Vrapoja unë muzg vargjet e tjera janë krejt të zhveshura nga figurat, po tablloja e paraqitur përmes tyre është mirëfilli një kompozim ku bredh ndjenja, ankthi, trembja. Djali që kthehet me kokën prapa, të mugtit që mvaret nëpër gjethnaja, rrugica gardhesh.

*Inversi si metodë por jo si qëllim.

Dheu

Ha gjithçka.

Dhëmbët, që hanë s’i

Ha.

Çfarë shohim…, fytyrën e vërtetë të ironisë ku pa gajle mund ta vizatojmë edhe ne, gjithsejcili prej nesh, padiskutim, mjafton të mbyllim sytë dhe masiviteti i dheut me fytyrën e Shrekut, përpinë gjithçka. E bluan, e nxjerr, jashtëqitje, produkt, quajeni si të doni, vetëm të jeni mëse të sigurtë që në fund ka kocka, ka eshtra, ka dhëmbë. Pse?! Po…, Dheu/ Ha gjithçka/ Dhëmbët, që hanë s’i ha.

*Dinjiteti si ndjesi, jo strategji…, performancë e kumtit njerëzor ku bën pjesë Njerëzimi i madh, pra përcaktori alla Nazim Hikmet.

 

Vdiq babai.

Bota s’i uli flamurët,

Dhe ne qefi s’na mbeti 

(Nuk kishte përse,

Bota të ulte flamuret).

Ne keq nuk erdhi aspak

Që bota babanë nuk e qau,

Por mirë na erdhi sa s’ka

Që babanë se shau.

Përfytyrimi njerëzor rrok një tablo allasoj, ku paralelizma midis Njerëzimit të madh dhe individit të madh, në rastin e tragjedisës njerëzore, fatkeqësisë, sjell nuancat e keqardhjes. Pra paralelizma e klithmës vdiq babai me vargun parabolik bota s’i uli flamurët, nxjerr një mllef mbi mospërfilljen. Pastaj kthjelltësinë, qetësinë…, atë qetësinë që përfton përroi kur shtrohet në fushë, e cila në vetvete trajtëzohet ose trupëzohet, në natyrën e vërtetë të Njerëzimit të madh. Ka edhe dhimbje po edhe habi, ironi, preteks, mbrojtje ose një farë spjegimi sepse çështja e të të përsosurit është e përjetshme. Po fondamentale për poetin është aftësia, ndjeshmëria pa të cilat ne s’mund ta përfytyrojmë Njerëzimin e madh. Tek strofa e dytë, metonimë e vargut të parë e zgjidh shkakorja e vargut të dytë, dhe atë të të tretit e zgjidh ajo e të katërtit. Pra…ne keq nuk na erdhi aspak/ që bota babanë nuk e qau, por mirë na erdhi sa s’ka/ që babanë se shau.

*Struktura tekstore ……….,  si risi, një prurje më vete… (Shumë krijues tentojnë, eksperimentojnë, në këtë aspekt Faslliu vetoi qysh në krye).

Zhurmë

Futu në turmë

Bërtit me të madhe,

Bëj

Zhurmë!

Ç’pret më?

Sot kërkohet zhurmë

S’ka nevojë për zë!

Nëse leximi do të ishte rrafshor, horizontal, përftesa ishte një fjali e thjeshtë urdhërore; futu në turmë, bërtit me të madhe. Bëj zhurmë, ç’pret më? Sot kërkohet zhurmë, s’ka nevojë për zë! Po, shkallëzimi strukturor i jep një tjetër pamje verbit, që i gjithi, është një parabolë. Përfytyroni, ti ecën mes gjindjes, je brënda poteres, afshit, rrëmujës. Paradoksi, ironia, pasi sipas poetit, sot kërkohet zhurmë/ s’ka nevojë për zë!.*Aforizma në shkallëzim …,  si pjesë e origjinalitetit të mësipërm.

Ligji

Ligji

Eshtë se qeni,

S’e ha të zotin.

Qentë po hanë popullin.

 Në fakt bëhet fjalë për një ligj moral atë që populli e përmbledh në krijimtarinë e vete kolosale në atë që, qeni s’e ha të zotin…, po pse duhet të hanë popullin?!. Inversi poetik, zhvendosja kuptimore, sipas tonalitetit përshkallëzues poetik, ngre një pikëpyetje të madhe. Në të njëjtën kohë, shohim një konstatim. Kurse ritmi sjell shfrym, pakëz inat, apo ironi.

*Enumeracioni në përshkallëzim….,  kollajllëku lëviz volumin.

Mosmirënjohje

Gjithë

Peshat e rënda

Peshat vigane

Peshat sa një mal Tomorri

Sa një mal Korabi

Me levën time i ke ngrirë

Me levën time vazhdoni t’i ngrini.

Çudia është se poezia ka në strukturën e saj përsëritje, peshat tri herë, mal dy herë, togjet me levën time dy herë dhe nuk krijon bezdi aspak. Përfytyrimi na jep një botë të pa   imagjinueshme emocionesh si lëvizja e maleve, zhvendosja, kollajllëku. Pavarsisht se Arkimedi nuk përmendet, poeti na ka dhënë shancin të të jemi ne Ai, Arkimedi. Dhe…, nën përemrin e munguar vetorin Ti, le të ndihet kush nuk përfytyron dot, ai që nuk kupton se edhe sendi e ka një ëndërr.

*Epilogu.

(Disa radhë për Faslliun, një vizatim, a, portret, në akuarel, në përfytyrim). I shkurtër në shtat (kujtoni poezinë e tij në formën e gërmës N me diagonalen e mezit të këputur në krye, mes Fatbardhit dhe Visarit), kur ecën duket sikur i tërheq këmbët zvarrë, vishet bukur dhe gjithë kohën është i pastër. Ka flokë të grinjtë, dendës, disi të gjatë, buzëqesh. Mban syza optike të cilat i shkojnë aq shumë sa të duket sikur ka lindur me to. Nuk mund të kuptohet xhepi i këmishës së tij pa një stilolaps, ashtu siç nuk mund të kuptohet dora e tij pa ndonjë gazetë a dorëshkrim. Kur ecën në profil ngjan me një pinguin, me vështrimin lart, sikur kërkon t’i gjejë të tjerët përmes syve. Ai që e shikon për herë të parë nuk e ka të vështirë të zbulojë tek personi i tij, poetin, piktorin, mësuesin dhe intelektualin…., tituj që i gëzon edhe shkresërisht.

_____________________________

Shkëputur nga përmbledhja eseistike

Hiret e Letërsisë Moderne Shqipe,

Botoi Manifestimi Letrar Ditet e Naimit,

Tetove 2016.

  • Redaksia e Gazetes Dielli ne SHBA uron poetin, piktorin, me rastin e Ditelindjes.
  • Faslli Haliti ka lindur në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935. Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut.

Filed Under: ESSE Tagged With: (në ditën e Lindjes), Ilir Levonja, Mbi artin poetik, të Faslli Halitit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT