1) Duhet të ketë qënë viti 1984-85 kur nga ato aksionet e shkollave të Myzeqesë, pambuk, misër etj. Kthehesha më këmbë anës xhadesë. Nga fushat e Plukut. Më kujtohet si tani, kur një burrë me mustaqe, majë një biçiklete kineze më ofron të hipi në portobagal. Si ta kishte kuptuar lodhjen time. Përfshi dhe një zënkë moshe që më bëri të humbja autobuzin. Më tha se e kishte rrugën për Lushnje. Dhe unë pranova. Erdha shumë mirë dhe e falenderova.
Por kurrë nuk ia mësova emrin. Veçse tani vonë, aty e ca vite më parë. Në një nga ato kronikat me vrasje për efekt të detyrës. Pashë atë. Në krye të familjes. Viktima ishte i biri. Një oficer i policisë së shtetit. Dhe që vrasja e tij kurrë nuk u zbulua deri sot që unë po e kujtojë. Shkurt njeriu i mirë i memories sime. Vinte nga një familje e persektuar. Dhe vrasja e të birit, mos vënia para drejtësisë e autorëve, është padiskutim persekutimi i tij i dytë. Ky i demokracisë otomane shqiptare. Së cilës në një apo tjetër mënyrë iu bashkua edhe shtresa e të persekutuarve. Së cilës në një apo tjetër mënyrë, iu bind zvarritjes së reformave të vërteta, aq të domosdoshme për një vend, mjaft që tek-tuk morën pak pushtet, pak kompesim pronash si depot e çarmatosura të regjimit. Duke bërë kështu kompromisin më të ulët, përballë vuajtjeve dhe përndjekjes gjysmë shekullore. Ndërkohë që një pjesë e madhe ikën botës, për shkak të lidhjeve historike që familjet e tyre kishin me regjimet, një pjesë të dorëzuar nga ëndrrat dhe makthet diktatoriale. Me vulën se ai vend kurrë nuk ka për tu bërë. Një mundësi e artë kjo për të gjithë nomeklaturën e djeshme. A një batalion aparatçinjsh që dispononin edhe medaljen e familjes së dëshmorit, heroit të punës etj. Dhe së fundi atë të të përndjekurit dhe të persekutuarit politik.
Kjo ishte panaroma e fillimeve të demokracisë.
2) Fushat e qytetit tim që ishin edhe kazermat e borgjezisë, e antiregjimit, ordinerëve gjysmë politikë, e të shushaturve nga zakonet e gjakmarrjes, kosovarëve të arratisur nga raprezaljet. Dhe të fundit, byroistë të çmontuar që ndiheshin pjella të ironisë së fatit, për shkak se u duhej të jetonin me produktin e dhunës së sistemit të tyre. U zbrazën vrullshëm. Aq sot në ato kampe kanë mbetur ca baraka iterniti. Dhe hallexhinj nga malësia rreth malit të Tomorit. Ca si ruajtës prone, ca si zabtues të saj.
Myzeqeja është e paqtë. Mund ta mbjellësh farën me gisht.
Të përndjekurit, tashmë skajeve të globit. Ose skajeve të kompromiseve me xhelatin shkojnë aty sa për të bërë foto. Për të bërë ca deklarata dhe për të rrëfyer pa u lodhur kalvarin e vujatjeve.
Në një farë mënyre këtë bënin edhe persekutonjësit me luftën e tyre. Me heroizmat në emër të popullit.
3) Në prillin e vitit 2015, Kuvendi i Shqipërisë miraton ligjin për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit. E gjitha një panoramë ku po t’i kthehesh kujtesës. Një inisiativë e një maxhorance që duam apo nuk duam ne, ka lidhje të drejtpërdrejtë me persekutorët. Një tjetër ironi e fatit të të persekutuarve, ligjin e relaton një ministër i mirëqënies sociale. Kur duhet të ishte ndryshe. Ndofta nje relatim i karakterit me lot mes vidjove horror. Mbi mëkatet, torturat, shantazhet deri nga motra për vëllanë, vëllai për vëllanë, gruaja për burrin, burri për gruan, shoku për shokun etj. Të gjithë ishin të një gjaku. Dhe gjaku o falet në shesh burrash. Ose nuk falet kurrë.
Duhet të ishte një relatim nga një komision që nënshtron qeveritë. Dhe jo nga ministra të përkrahjes sociale.
Persekutimi nuk ishte çështje mirëqënie. Por mënyra sipërore e çnderimit, përçudnimit e një klase shoqërore. A një pjese të shoqërisë që mendon ndryshe nga ty. Që siç e tha edhe martirja e madhe e jona, Musine Kokalari…, se përse mendoj ndryshe nga ju, nuk do të thotë që nuk e dua vendin tim.
Por nga prilli i 2015 e deri sot qeverisë dhe Kuvendit iu desh tetë muaj për të emëruar një kryetar për komisionin që do zbatojë këtë ligj. Tetë muaj dhe me 69 vota pro. Jo me plot kapacitetin e domosdoshëm dhe të nevojshëm që e kërkon koha. Ndërsa qeverive shqiptare plot 26 e vjet …, edhe pse aty ka akoma të përsektuar që rrahin gjoksin me vuajtjet e sojit. Marrin vota me shumicë. Dhe abstenojnë kur nuk janë më në pushtet. Po thjesht deputet. Abstenojnë jo se u dhëmbin vuajtjet. Po për inat të ministrit të punëve sociale. Ose atij të keç-up-it. Ose Ilir Metës që iku e bëri aleancë me armiqtë.
4) Të persekuturët i njohin persekutorët e tyre. I dinë se ku janë. Çfarë postesh kanë. Madje i tregojnë me gisht sapo ndonjë nga ata u ngrihet nga tavolina. Kuptohet pasi ka paguar kafenë dhe pijet.
I dinë se kush ua nënshkroi dëshmitë, dënimin.
E dinë tashmë që në këto 25 vite demokraci. Dosjet kyçe kanë ikur në drejtim të paditur. Ose janë bërë kontigjent shantazhi mes socialistit dhe demokratit. Ashtu sikur edhe mes të persektuarit me të persekutuarin. Nuk u kujtohet rasti i këngëtares Hisku. Një denoncim të sajin më shumë e sulmuan të persekutuarit se sa krahu i persekutonjësve. Nuk u kujtohet se si një burrë shteti i tha botës së po të hapen dosjet shqiptarët do vriten pasi kanë spiunuar njëri-tjetrin. Një llogjikë si ajo barcaleta me burgjet jashtë vendit, ku hekurat e qelive të shqiptarëve janë të rralla dhe pa gardianë. Pasi shqiptarët ruajnë njëri tjetrin.
Të persektuarit sot kanë dhe një seli, por shumë shoqata.
Sidomos kur vjen fjala për përvetësime fondesh, a marrje bursash.
Sidomos kur duan ndonjë favor. I nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Edhe pse përbetohen në varje njerëzish. Në koka të prera.
Në fakt i janë larguar çështjes së tyre, me këto kompromise thërrime rehatie. Duke i quajtur vujtjet si kriter për ndreqjen e jetës së tyre. Jo të çështjes së madhe.
5) Dhe ky komision, i ngritur kështu…, mes këtyre kompromiseve përciptas. Eshte persekutimi yt i tretë miku im biçikletës. Mjafton edhe një xhest i thjesht për tu mbajtur mend. Të tjerat janë lojrat e radhës brenda sojit.
Bërtit Basha gjum xhaxhai
Opinion nga Ilir Levonja/Florida/
1) Ndofta njerëzit më të sikletshëm në studion e mbrëmshme të opinionit,ka qënë regjisori dhe kameramanët e emisionit. Sa herë që portretizohej Basha, një burrë në moshë…, nga ai auditori me 5 mijë lekë ora, luftonte me gjumin. Hera herës të krijohej përshtypja se flinte tek supi i Bashës. Ose, i Kryeministrit të ardhshëm, të Shqipërisë. Një nga ata, që, duam apo nuk duam ne, ashtu si Edi Rama, i përket korridoreve të fondacionit Soros….Krejt kundër natyrës së tij, ka kohë që i është kthyer debatit të ashpër. Madje dhe përforcoi konceptin e vegjetimit në parti. Kjo për shkak të meritokracisë. Duke vazhduar denjësisht atë tezën e vegjetimit në parti. Që sot shqiptarët e quajnë si zyra e karrierës, suksesit, lavdisë etj. Por edhe e mbajtjes së shpirtit gjallë.
Midis të tjerave ai shpalli edhe kandidaturën e preferuar të partisë demokratike, në lidhje me presidentin. Zgjedhja e tij po afron.
2) Duhet të ketë, qënë korriku i 2016 kur një grup intelektualësh me në krye Ben Blushin dhe Mimoza Hafizin, iu drejtuan shqiptarëve me një nismë. Zgjedhja e presidentit nga populli. Për shkak se partitë kanë uzurpuar të drejtën e votës së madhe. Kësaj nisme iu bashkangjita edhe unë. Duke qënë se gjithmonë u marrë njerëzve anën e mirë. Pastaj demokracia jonë ka nevojë të domosdoshme në zgjerimin e gamës së vendim marrjes. Duket si e padrejtë që vendi, sa herë që ka për të zgjedhur presidentin, futet në një lloj rrokapjekje buajsh lluce. Si është moti në kokën e njërit e tjetrit. Të dy a tri burrave që sa më fort e shajnë shoqi-shoqin, aq më poshti bie prespektiva europiane.
Nga ana tjetër në këto vite presidenca, apo presdienti është për shqiptarët. Shtetari më i nëpërkëmbur, më i tallur, më i shenjuar me gisht. Aq sa trajtohet me të njëjtën mënyrë të urrejtjeve nacionale midis shqiptarëve, serbëve, grekëve etj. Duke e zhvleftësuar burrin e shtetit të tyre…, më parë ata se të huajt.
Kjo nismë sot u susos. Por kemi nga ajo një parti që i bie të jetë e 138-ta. Në poligonin e politikës të një Shqipërie të lodhur.
3) Vjen një çast kur një popull duhet të kuptojë se, sado teknikave ligjore. Përmbajtjes së Kushtetutës…, ndryshimin e formës së qeverisjes. Apo sistemit nga parlamentar në presidencial etj.
Se nuk ka gjë që s’lëviz vendit. Nuk ka gjë që nuk bëhet. Përveç respektit reciprok. Atë që shqiptarët po e vdesin përditë. Se pari duke u bërë palë në korin e fyerjeve. Dhe së dyti duke u dhënë të drejta pa kufij një pakice që flet 24 orë në ditë, veç në emrin e tyre.
Ndaj në këto 27 vite demokraci, presidenti është legen, ulok, qurravec, socialist i qelbur, demokrat i ndyrë, kapter gavetash etj.
Provoni të respektoni institucionet, jo njerëzit. Ndofta atëhere do filloni të mendoni si në demokraci. Pasi deri më sot, e gjitha i ngjan një kori tifozash kohësh të mbrapshta. Ku vetëm pështymat e bërjes së nënave apo motrave të njëri-tjetrit. Mbushte pa hesap skutat e gjokseve plot urrejtje. Shkurt e saktë, përpara se të shajmë një president përshembull. Duhet të na vi keq për shpërdorimin e së drejtës sonë në demokraci.
4) Basha tha se me Lsi-në, Pd-ja nuk do bënte më kurrë koalicion. E tha disa herë jo, jo, jo. Dhe me të bërtitur… por ai që flinte tek supi i tij nuk u zgjua. Përkundrazi, ra thellë e më thellë në gjumë. Pasi një parti ku vegjetojnë. Ku luftohet mes Sorosit dhe shkollës së vjetër të Berishës. I bie pikë për pikë që vetëm në politikë mos thuaj kurrë jo. Ndaj ndryshimet politike i bie të jenë sërish tetë vjeçare. Një traditë tashmë e mirëkuptuar palëve.
5) Megjithatë Basha përmendi disa ide kyçe për shqiptarët. Jo votimin, por financimin e partive politike. Dhe tregun e përbashkët mes shqiptarëve në dy shtetet e tyre.
E para edhe pse i përket perspektivës. As që zihet shpesh në gojë.
Madje të parët që i injorojnë mundësitë e shtetit për të suportuar forcat politike në vendin e tyre. Janë pikërisht këta shtetarë që na e kanë ulur këmbëkryq dështimin. Të gjithë janë gati të thonë të njëjtat fjalë, – je në vetë, mundësitë e shtetit kaq janë 35 milion lekë të gjitha. Kurse zgjedhjet kushtojnë 35 milion euro. Do ngjyehn autobuzët. Do mbushen me militantë. Do çohen mitingjeve. Do paguehen këngëtarët e kasetave.
Ja çfarë shteti kanë ngritur burrat tanë.
Tani a beson njëri prej jush, se, në zgjedhjet e ardhshme këta që investojnë ta kthejnë Shqipërinë një hambar të kanabisit. E besoni që nuk do jenë në kuvendin e ardhshëm. A ka mëndje naive ta besojë këtë.?
Merreni me mend. Se sa haraçinjë ka dyerve të Ps-ës, Pd-ës, Lsi-s etj. Sa shushunja. Ndaj mllrfi jonë zbrazet tek njëri-tjetri. Me inat Rame e Berishe. Dhe plot kunguj në sqetulla.
E dyta, tregu i përbashkët i shqiptarëve. Nëse vërtet shqiptarët, sikur dhjetë përqind e patosit të urrejtjes, energjitë e tija, t’i investonin në tregun e përbashkët shqiptar. Porta e Brandeburgut, midis shqiptarëve, do të ishte shembur me kohë. Atëherë shqiptarët nuk do humbnin kohë duke u marrë me deklaratat e një ministri barkalec nga vendi fqinj. Me kushtet, apo me detyrat e shtëpisë që jep Europa. As me idetë e nacionalizmave plot atdhedashuri të rreme. Plot besim të rremë etj. Por do ishin faktor vendimtar i fateve tona.
Gjermani i fundit
Nga Ilir Levonja/1)Sherrin më të madh ne shqiptarët e kemi me gjermanin e fundit.
Kur iku. Kur e kapërceu gardhin aty në fushën e Shtojit. Një soj argumenti që mund të bëj qesharak çdo kastë akademikësh. Sidomos kur nxjerrin ca korrespodenca me letra nga fretërit katolikë.
Këtej themi iku? Këtej flasim për fitore. Pa vënë re se shprehja na e vë në dyshim triumfin.
2)Në luftën e dytë botërore shqiptarët u gjënden gafil. Edhe pse kishin një shtet të tyre. Megjithatë dolën disa oficerë që duam apo nuk duam ne. Zbrasën armët. Edhe pse mbi koka kishin zhurma të hekurta të një superfuqie që i ishte drejtuar jugut të mesdheut.
Njëri nga këta doli armik, tjetri hero.
Më vonë ndryshuan raportet por sherri nuk u shua.
3)Ato dështime, apo kapitullime aleatësh. Sidomos në Abisini dhe Greqi. Të fashistit Duçe. I mori përsipër sivllau nazist. Siberia e madhe iu kthye një varr. Aq sa urrejtja mes popujve kaloi në një kafshëri njerëzore. Në drejtim të krimeve dhe shfarosjes. Ku nuk munguan edhe eksperimentet me qëniet e gjalla. Dhe ku padyshim edhe ne kishim rriskun tonë.
4)Në këtë kohë lufte. Edhe ne krijuam frontet. Që më pluset apo minuset. U përfshinë në ato grindjet tekash prej bejlerësh dhe pashallarësh. Tipare që i shohim edhe sot.
Njëra palë mendonte ashtu. Tjetra kështu. Në fund të gjithë flisnin për vendin e çliruar. Për luftë pushtuesit etj. Në fund, gjysma dolën armiq, gjysma u harruan. Gjysma u skllavëruan. Gjysma e gjysmës u dënua me gjyqe publike. Madje po publikisht u demaskuan në sheshe kryesore. Ca si tradhtarë, ca si kuislingë, ca si bashkëpunëtorë të italianëve, gjermanëve, inglizit, asfalisë, udbës, simit, inteligjent servisit etj.
Ndjeshmëria kombëtare u bë aq elektrike sa pretenca armik i popullit mund të priste koka me bollëk dhe bindje kristiane.
Tradhtia kombëtare u bë modë e ditës.
5)Megjithatë si me pushtuesin e parë, si me të dytin. Shqiptarëve iu dha rasti të ndiheshin komb. Një Shqipëri që sot tërbon fashistët moderne. Po ashtu dhe nazistët me kostume pushtetarësh pluralist.
6)Dhe sikur të fitonte boshti. Mbase sot do kishim heronjë të tjerë.
7)Në fillimet e qeverisjes, fitimtarët u thanë njerëzve që, me që Skëndërbeu ngriti flamurin më 28 nëntor. Po kështu edhe Ismail bej Vlora. Edhe ne po i bëjmë dy gëzime në një ditë. Flamur e çlirim.
Pastaj në një entuziast pijesh dhe internocialistësh, miqësish me Beogradin. Për nder të datëlindjes së Jugosllavisë, 29 nëntor 1943.
E bënë dhe shqiptarët si aleatët.
Megjithëse praktikat e shteteve në vende të rajonit argumentohet ndryshe. Deri me datën e çlirimit të kryeqytetit. Por jo me togfjalshin gjermani i fundit. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi.
Rasti jonë është unik. Vetëm ne dimë ta bëjmë mizën buall.
Për dyzet vjetë nuk e diskutuam. Vendosëm dhe pikë.
8) Në demokraci na u shpik kjo sëmundje. Gjermani i fundit.
9)Dhe me që e kemi me gjermanin. Ky 28 e 29 nëntor i 2016-ës është më ironiku i fatit tonë. Brenda dy tre ditëve u shqyem duke sharë një gjerman. U shqyem duke mallkuar Gjermaninë pushtuese. Dhe bashë kësaj Gjermanie po i lutemi.
Madje kësaj here një femre me emrin Angela Kasner Merkel.
Një bashkëkombase me atë gjermanin e fundit në fushën e Shtojit.
10)Sapo erdhi nga lëpirjet e shtetarit radhor, shqiptar.
Kyeminstri më i paftë i ballkanit perëndimor. Një pinjoll i atyre që pretendojnë se i panë shpinën gjermanit të fundit. U dha një darkë me shishe plastike. Nga ato të shumicës. Me Fanta, cola e sprite.
Një grupi gjysmë gjumë dekoratash kallpe. Atyre që pak vite më parë i konsideronte si shkaktarë të një lufte vëllavrasëse.
Duke kërcyer bythësh, i mburrej se si ia mori premtimet sundimtares së re. Atë që e kërkonin ”tradhtarët” e kombit vite më parë.
I dha darkë e i ngopi me demagogji gjysma gjumët. Të cilët në vend që t’ia derdhni shishet e shumicës në kokë. Dëndën veten me premtimet perverse të shtetarit të radhës. Ndofta mbase dhe u pëlqen të kështu. Të ndarë në një vend të ndarë. Në një vend plot heronjë sa për aspirina e fenaskonë. Dhe plot me tradhtarë.
11)Kur ia thanë Angela Kasnerit. Apo Angela Merkelit historinë e sherrit të shqiptarëve me gjermanin e fundit. Qeshi dhe tha:
-Shqiptarët vdesin për dashnoren e fundit. Më qëlloi të shihja edhe një lokal me emër të tillë.
Petro Markos në 106 vjetorin e lindjes
Nga Ilir Levonja/
Sot është 25 nëntor. Datëlindja e Petro Markos. Këtij brigadisti shqiptar që luftoi në Spanjë. Aty ku idetë fashiste dhe ato të proletarëve nga e gjithë bota. E bënë Spanjën një vend të luftës civile. Këtij komunisti idealist që provoi mbi kurrizin e vet, të gruas, djalit…, familjes së tij. Mënxyrat më çnjerëzore të asaj platforme politike së cilës ai i kushtoi jetën. Këtij humanisti që fati i mbrapsht i yni na e flijoi për së gjalli. Për të kuptuar idetë kristiane përmes kalvarit, martirizmit, persekutimin. Po ne ishim në gjumë. Kishim rënë në gjumë prej kohësh. Dhe më magjikja … pamja e jetës ssë tij, si një univers detar. Për të kuptuar devijimin e bashit të anijes nga pika e horizontit të një perëndimi dielli. Për ku u nis ajo anije, ku ai, ia krruajti ashtin, ia mbushi vatrën,i shërbeu si një marinar shembullor. Dhe ku u ankorua! Në një bllok vilash me histori shekspiriane. Që një komb i tërë i mbuloi. Herë duke manifestuar mes lulëkuqeve të majit. Herë në nëntorët e traditës jugosllave.
Sot po sjell një pasazh nga vet Petroja. Me shpresë që të shohim se sa hendek i madh është devijimi.
****
Shqiptarët komunistë dhe jugosllavët.
Nako më kishte thënë që ta bënim ”Bashkimin” si ”Borbën” e Beogradit. Unë e kisha kundërshtuar me po ato fjalë që i thashë edhe N H në mbledhje, se dhe ai nxorri nga xhepi një ”Borba” dhe tha se edhe ne duhej ta bënim ”Bashkimin” si ”Borbën” . Unë shkova në dhomën tjetër, mora koleksionin e ”Bashkimit” të vjetër dhe thashë se ”Bashkimi” sot ndjek gjurmët e ”Bashkimit” të vjetër.
Ne kemi shtypin tonë siç ka çdo shtet shtypin e vet. Çdo shtet ka traditën e shtypit të tij. Ne me ”Borbën” , -thashë, – ndryshojmë nga forma, por kemi atë përmbajtje ashtu si në Itali ”Unita”, si në Francë ”Humanite”, si në Greqi ”Rizospastis” e të tjera. Pse të mos bëhet ”Borba” si ne, që është më e re se ”Bashkimi”?.
Pas disa diskutimesh qetësuese nga Omer Nishani, thanë ta mbyllnin mbledhjen.
Pas disa ditësh Jugosllavia kishte një festë dhe ne të kulturës (të Radios, të Agjensisë Telegrafike dhe shtypit) ishim ftuar në ambasadë. Dhe shkuam në ambasadën Jugosllave për të uruar. Unë kisha marrë me vete edhe shoqen time Safon. Josip Gjergja, ambasadori më mori pranë dhe folëm shqip. Ngritëm gotat. Kur ceku gotën me timen, më tha: – E në mos u bëftë ”Bashkimi” si ”Borba”, le të bëhet ”Borba” si ”Bashkimi”.
Gotën as nuk e vura fare në buzë, por e lashë mbi tryezë. Ai buzëqeshi me ironi dhe më tha:
-Pse?
I thashë:
-Ju nuk i njihni mirë zakonet tona. Ne themi ”hallet e shtëpisë” nuk nxirren në pazar.
Edhe ai e uli gotën dhe e la mbi tryezë. Më pa me ironi dhe më tha me zë autoritar:
-Unë nuk jam pazar!
Atëhere unë iu përgjigja:
Në këtë rast për mua, po.
_________
Shkëputur nga Retë dhe gurët, e autorit Petro Marko, Tiranë 2000.
*****
Eshtë nga qindra pasazhet që i shkon vështrimit eseistik, thjesht për të konstatuar. Eshtë koha kur shqiptarët komunistë, fitimtarët, përpiqen me një kinezeri kolektive t’i ngjajnë, të imitojnë komunistët jugosllavë. Madje u hapin hambarët e depove të ushtrive të huaja, mbetur aty…, si kavalerizëm qeveritar përballë nomeklaturës jugosllave. Ndërkohë që vendi vunate nga skamja dhe malarja.
Kinezëria arrin deri aty sa, edhe abetaret në klasat fillore dalin me emrin e Enverit dhe të Titos. Madje vazhdojnë deri sot me këtë datën e çlirimit të vendit. Me preteksin e ushtarit të fundit gjerman. Duke mbuluar me inat ambasadorësh faktin që data 29 përkon me themelimin e federatës tashmë të shpërbërë, asaj jugosllave.
Petro Markon e arrestojnë që të nesërmen. Ishte pranvera e vitit 1947. Këtu fillon kalvarin i ri. Ai i vuajtje për pasojë e luftës brenda sojit. Për pasojë të devijimit të anijes. Që padiskutim nuk i përkiste racës së sojit Petro Marko. Por atij soji që na e shpjegon vetë Petroja përmes një dialogu midis atyre që ishin aty në qeli.
Flet Petroja:
-Aty në birucën e katit të poshtëm gjeta tre veta: Asim Abdurrahmanin që e njihja se ishte dhëndrri i Bedri Pejanit; gjysh Dedën, një shkodran; Asllan Ypin. Sapo më panë u habitën. Edhe ti këtu?! Aty dëgjova Asllan Ypin të na tregonte për jetën e tij dhe të Enverit në Francë. Pastaj tregonte edhe për në Tiranë.
-Një ditë kalova andej dhe e pashë që pozonte në derën e dyqanit ”Flora”, ku njoha disa komunistë. I thashë në frëngjisht: ”Po ti Enver, ç’kërkon këtu me të kuqtë?”
Dhe ai po frëngjisht: ”Jam këtu me qëllim që tua q… nënat gjithë komunistëve. Asnjë nuk do të lë në këmbë”…
_________
Shkëputur nga Retë dhe gurët, e autorit Petro marko, Tiranë 2000.
*****
Gëzuar datëlindjen maestro. Të qoftë era e bregut melhem për plagët tona.
25 nëntor 2016
.
Pas Hillarit në Sarandë, Trump në qytetin e emigrantëve vendas-Kamëz
Shqiptarët nuk kanë të sosur me paradokset e tyre. Pas Sarandës kohë më parë. Kur shpalli Hillari Klinton-in qytetare nderi, rendi i erdhi Kamzës. Qytezës së krijuar nga migrimet. Pra lëvizjet e popullatës brenda vendit. Një lloj i sojit të emigrimit. Kështu edhe Kamza. Qyteti i minierave dhe instituteve bujqësore të planeve pesë vjeçare në Shqipërinë socialiste. Atë demokratike etj. Do mblidhte në gjirin e saj popullatë heterogjene mes malsisë së Martaneshit, pra Burrelit. Dhe asaj rreth Korabit e Tomorit. Duke e bërë sot një qytet të madh. Aty në brinjë të kryeqytetit të shqiptarëve. Shkurt e saktë, është një qytet migrantësh. Të cilët sot janë ashti i saj. Mirëpo, ashtu si përciptas që jemi. Ashtu fluturaksa. I detyrohemi një medalje kallpe të porsazgjedhurit presdient i shteteve të bashkuara, Donald Trump. Megjithëse në politikat e fushatës së tij elektorale. Ai doli dhe deklaroi se gardhin prej hekuri midis Amerikës dhe Meksikës, do ta bënte mur të lart betoni. Si e si të ndali ardhjet e meksikanëve në tokën e premtuar. Sot ky është një mur ekzistent, i papërfunduar. Që presidencë pas presidencë shton miljet. Ose kilometrat…, Nga Kalifornia drejt lindjes nga gjiri i Meksikës. Madje ai përdori një shprehje vulgare të tillë si, do jenë pikërisht vetë meksikanët ata që do mbulojnë shpenzimet e betonit.
Kjo deklaratë është një nga hitet e botes së internetit edhe sot e kësaj dite. Shumë meksikanë gazmorë nga ana tjetër e kangjellave prej hekuri. Qeshin nën hijet sombrerove dhe thonë se do hapin më shumë pika shitje ambulantësh. Do shtojnë shkallët dhe padyshim që fitimi nga dhënia me qera e tyre, do jetë më i madh. Pra pa iu futur më thellë historikut të shëmtuar të murit. Të mureve në përgjithësi. Apo të gjerdheve me tela ku Europa është kampione e dasimeve. Që nga koha e blloqeve dhe e Gjermanive, deri sot tek rrjetat e Hungarisë, Bullgarisë etj…, me emigrantët sirianë. Pa përmendur shifrat e të vdekurve. Të atyre martirëve kacavirur kangjellave. Terur hekurave për të qënë të lirë. Dhe ku Shqipëria e ka më zi akoma këtë plagë njerëzore. Ne shkojmë e dekorojmë, bash aty në vendin e migrantëve. Atë më anti emigrantin. Kjo për të plasur syrin e keq. Të absurdeve me ok, tonat. Si një ironi e hidhur e vetvetes. Edhe pse kemi me dhjetra heronjë të heshtur. Njerëz nga e përditshmja jonë, që do zbukuronin më fort ashtin e sojit tonë. Prapë ne shkojmë përtej. Përciptas. Të bindur se po bëjmë më të mirën për vendin tonë. Kjo është një marrëzi që vetëm sojit shqiptar i përket. Dheut ku heronjtë e së përditshmes shesin sallatë jeshile. Mbijetojnë… në provincat si ato të El Dorados. Nën hijet e statujave në ajër. Gjoja të lavdishme për bindjet politike. Pikërisht pse janë kundër ekzistencës së tyre. Asaj së sotshmes. Mbledhur, gëzuar, dashuruar e trashëguar me njëri-tjetrin. Bërë fqinjë. Nga malësitë e Martaneshit, Korabit e Gramshit.
U qofshin ditët e marrëzive sa më të shkurtra bashkiakë provincash.
Ndryshe nuk ka se si i shpëton vithisjes ai dhe i bekuar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 56
- 57
- 58
- 59
- 60
- …
- 102
- Next Page »