• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dashuri me pantallona të shkurtra

December 5, 2015 by dgreca

Tregim nga Ilir Levonja/

Po përgatitemi për manifestimet e majit. Shirat kanë mbaruar. Zakonisht në këtë stinë më duket sikur jeta hapet. Të qeshurat janë të kumbueshme. Aq më tepër që vishemi edhe me ndërresa të reja dhe të lehta. Kur shkojë në shkollë kalojë mes katër kopshtijeve. I bie për shkurt. Tek kopshti i Vasos marrë bistakë bajamesh. Janë si thile, të gjelbra. Ta mbushin gojën plot ujë të freskët. Tek kopshti i Lekos marr  kumbulla të kuqe. Tek ai i Bariut, trendafilë. Ka nga të gjitha llojet. Kuqalash kërmes. Të verdhë, rozë vocërrakë. Nga ata që lëshojnë papushim petale. Veç nga një marr, nuk bëj buqeta se pastaj më tallin shokët. Kurse tek Mali, zymbylë të blunjtë. Nga ato si me veshë lepuri.

Fqinjët i kam të mirë dhe nuk më thonë gjë.

Ndonjëherë qëllon që të zgjatem pa gajle se po më shikon apo jo ndonjë nga të shtëpisë së fqinjit. Një ditë Vaso po pinte kafenë më këmbë. Aty tek shkallët e verandës. Unë që erdha nga mbrapa, u zgjata të kap nja dy bistake. Ai u kollit. I zënë në faj mbeta me dorën në ajër dhe sytë nga ai.

-Këputi, këputi po ta dish se nuk ka bajame për tët’ëm  në dhjetor. E de kur të bëjë bakllavanë e vitit të ri. Hajde ik tani se vonohesh edhe për në shkollë.

Unë nuk bëra përpara. Më erdhi ca turp.

-Burrë me pantallona të shkurtra, – vazhdoi ai duke qeshur.

I dolën në pah dhëmbët e rregullt por që ia kishte bërë si me vraga të nxirash tymi i duhanit. Ai nuk e hiqte cigaren nga goja.

Qesha dhe dhe unë. Megjithstë e mora atë dyshen që ma bënte me sy dhe ika me nxitim. Ushtrimet fillonin për dhjetë minuta. Më ra për pjesë të isha në vendin e parë për shkak të gjatësisë. Në fillim hezitova. Por kur pashë Sonilën në krye të rreshtit të vajzave, përbri meje. U mjaftova vetëm me një heshtje të thellë. Nga ato ku njeriut i pëlqen të dëgjojë se si i kumbon zemra brenda kraharorit.

Jam pesëmbëdhjetë vjeç. Nuk dua ta them. Më vjen turp. Por nuk e përmbaj dot dëshirën për të patur një të dashur. Nuk e di. Nuk e di me gjithë mend. A është mosha? A jam në kohë? Ndofta shumë herët për të menduar për njeriun e së ardhmes tënde. Pasi përpara janë vite e vite dhe kushedi se çfarë përvoje tjetër të ofron jeta. Megjithatë më pëlqen kaq shumë të fle herët, si e si në atë gjysmë terr, sidomos kur pullazet gjerbojnë me ujra të lëbyrta, për një botë tjetër, e cila duket se i ngjan vetëm atyre të librave, ose filmave ku ka një subjekt për t’u mbajtur mend. Por mua pikërisht librat nuk më pëlqejnë. Dhe për më keq akoma, nuk kam një shok me kë ta ndajë të fshehtën time. Si më quajti Vaso, burrë me pantallona të shkurtra. Po çfarë të keqe ka? Pastaj sikur nuk e di ai, që po përgatitemi për ushtrimet e manifestimit. Jo vetëm ne në shkolla. Kudo, i gjithë qyteti. Maji po afron. Edhe sheshet e ndërrmarjeve vlojnë.

Kur u futa në oborr, shkolla ishte rreshtuar. U vendosa në vendin tim. Sonila më buzëqeshi. I ofrova bajamen dyshe, si thile.

-E majta lart, e majta, dëgjon e majta, – bërtiti ai që drejtonte ushtrimin.

-Faleminderit, – më tha Sonila.

Unë vetëm sa i qesha. Më pas erdhi ora e mërzitshme e trigonometrisë. Sonila nuk më hodhi asnjë vështrim. Biles aq shumë po punonte me librin të thuash sikur kishte gjetur aty dashurinë e vërtetë. Në ato konvencione trekondorësh, këndi, katetet dhe hipotenuzën. Po me që ra edhe fjala. Që unë dua ta them. Në fund të fundit, me vete po flas. Por të paktën më duket sikur ia them dikujt tjetër. Dhe ke parë ti, që këto gjëra të shpëtojnë nga ndonjë akuzë e paparashikuar prej çunave të klasës. Po të më eci, do u them çunave pse bëni sikur nuk e dinit ju? Po nuk më eci, do u them, hë mo se shoqëri kishim me njëri-tjetrin. Por ju kot na i hapët namin. Por e vërteta është e vërtetë. Sonila nuk di asgjë që unë e dua. Të paktën derisa nuk i kam thënë asgjë. Veçse nuk e kam të vështirë të ndjejë atë që në raport me djemtë e tjerë të klasës. Asaj i pëlqen të rrijë më shumë me mua. Ndofta edhe ajo torturon veten si unë. Ndofta edhe jo. Por çfarë rëndësie ka?

Një ditë, Jurgeni më tha:

-Asaj ia ka qejfi me ty nga që i sjell lule baçja. Kështu është ajo, gënjëhet me vocërrima bebesh.

Kaq dhe asgjë më shumë. Kaq që atëhere. Mirëpo këtë vit, ai e ka marrë disi me seriozisht. Më ndjek me sy. Më ndjek kudo. Përjashta në oborrin e shkollës sidomos. Megjithëse Sonila pak vjen vërdallë. Do i dali ndonjë punë kabineti. A kushedi se çfarë. Gjithë kohën është e zënë. Tani ushtrimet e manifestimit, Jurgeni është i treti. Në krah ka Aidën. Edhe ajo e bukur është. Po ai mban sytë nga ne. Dhe çuditërisht, edhe pse shokë klase bashkë për vite e vite me radhë. Nuk u miqësuam prej vërteti. Edhe pse nuk e ngacmojë kurrë. Ai do gjej diçka tek mua. Mënyrën se si kam krehur kokën. Si jam qethur. Si jam veshur. Apo do më përqeshi kur them diçka. Kur diskutojmë në klasë. Si e si të uli, që të tjerët të qeshin. Por unë nga që e kam kuptuar me kohë se, të gjitha i bën nga inati që Sonila nuk ia var. Ose nuk afrohet me atë si me mua. Ndofta është zgjedhja e saj që e ka bërë atë si të thuash armikun tim.

Pasi mbaruam ushtrimet drejtori na tha përmes mikrofonit se nga e nesërmja do i vazhdonim përgatitjet në stadiumin e qytetit.

-Do visheni me uniformë, që ju kemi thënë të përgatisni, blu me të bardhë. Dhe shallin e kuq rreth qafës. Kurse në këmbë këpucët më të mira që keni, – tha ai.

U futëm brenda për të filluar mësimin. Tek shkallët kryesore, ai më vuri pengesë nga mbrapa. Dhe unë gati sa nuk theva dhëmbët. Mu errën sytë dhe në të e sipër vura re se më doli gjak nga hundët. Shkova gati me vrap në banjo. Aty u pastrova, por gjaku nuk pushoi. U detyrova të mbaja kokën lart për dhjetë a pesëmbëdhjetë minuta.

Nga darka nxorra uniformën. Vendosa me kujdes bluzën e bardhë sipër krevatit, pantallonat shkurtra. Dhe këpucët e llustrafinit nga poshtë. I mbaja me një valixhe kartoni, për raste. Këto këpucë i bleva para një jave. Me lekët e mia. Deri kavanoza qelqi shita.

Vonë pas mesnate ra një shi i dendur. Me gjëmimeme dhe shkrepëtima. U ngrita i trembur. Dhoma zbërdhylej herë më herë. Dridheshin xhamat. Sqota rrihte dritaren. Përballë kisha dollapin e madh. Dhe aty në pasqyrë shfaqesha gjysmë gafil dhe i habitur.

-Çfarë është ky kismet, -thashë me vete.

Ai në pasqyrë, humbi në errësirë. Pastaj kur shkrepëtiu vura re se nuk ishte aty. Preka trupin tim. E ndjeva veten, por u kujtova që isha futur në shtresa. Ndaj në pasqyrë reflektoi vetëm shtrati me kurrizin prej batanije ushtari.

Errësira është një libër që nuk lexohet, por shikohet. Shikohet faqe më faqe si në një film. Veçse me ndryshimin që ngjarjen, rrjedhën, fundin e saj njeriu e stis si ia ka qejfi. Natyrisht me një fund të lumtur.

Të nesërmen u zgjova me një diell brilant. Por duke e ditur se për shkurt, nga kopshtet e fqinjëve nuk kaloja dot. Dhe se rruga duhej të ishte akoma e lagur, i vendosa këpucët në një çantë qese. Nga ato me pejzazhe që kishin filluar të ishin në modë. Vesha këpucët e vjetra. Dhe nxitova.

Kur po afrohesha tek stadiumi, më zuri rrugën Jurgeni. Gjysmë me të tallur, gjysmë me të shtyrë. Më hodhi keq në një pusetë. U tmerrova nga dhimbjet dhe nuk e di se ku më fluturuan këpucët. U përmenda në spital dhe aty mësova se kisha thyer këmbën e majtë, afër kaviljes.

Qe viti më i zi për mua. Humba ushtrimet, shkollën dhe e kalova verën me paterica. Në shtator dhashë për vjeshtë, më shumë formalitet pasi mësuesit e kishin ndarë mëndjen për notën, provimet e pjekurisë. Gjimnazin e fillova me vonesë. Por e dija. Sonila nuk ishte me ne. Nuk ishte aty. Familja e saj qe transferuar në veri, në një qytet të ri. Që e kishin ndërtuar krejt nga e para, pasi ai vjetri po fundosej në ujrat e një liqeni të madh. Kurse Jurgeni më në fund ndërroi mëndje. Dhe u bëm shokë të mirë.

Nga ajo kohë ka kaluar tanimë mbi tridhjetë e kusur vite. Jetoj në Athinë, si emigrant. Jetoj vetëm fare. Pasi Zoti nuk më dha shancin të gjeja edhe unë gruan e duhur. Eshtë budallallëk ta thuash, sepse as vet nuk e di se çfarë lloj gruaje dua. Dhe nganjëherë dërrmohen duke ftilluar një pyetje, gruaja është ajo që do dhe si e do ti? Apo është thjesht grua si gjithë të tjerat. Që ha, shkon në banjo, lahet, etj. Me një fjalë siç do të jetë ajo. Ashtu siç do të jesh edhe ti. Dhe ndofta fakti që kësaj mëdyshje nuk i ka ardhur fundi. Unë do vazhdoj përjetësisht, më shumë të mendojë, se sa të kërkojë të jetojë me një grua.

Dola përjashta me xhepat mbushur.Kam vite që kursej. Sot të vëje ku të vej. Kam edhe ditëlindjen. Se sa vjeç jam. Nuk po ua them. Por mjafton të t’ju kujtojë se pi ilaçe tensioni. Megjithatë u kënaqa. U futa në një tavernë. Dhe piva uzo, hëngra gjiro me pite e xaxiqe sa u shëmba. Piva dhe qerasa. Nja dy djem rusë me që një shoqja e tyre më ngjasoi me Sonilën e dikurshme. Nuk e dini se, burri është gjëja më e shpifur kur qeras me interes kësisoj, por më fisniku  pasi e bën në emër të zemrës së mirë. Kështu edhe unë. Dhe me që nuk banoja larg nga aty. I mora rrugicat e mëhallës që i thonë Plakat, më këmbë. E dua Athinën. Nuk ngopem ta jetojë. Ndaj ndala edhe diku tjetër. Ktheva një uzo me gotë të gjatë.

Në mëngjes u çova me përtesë. Ndjeva se dikush fëshfëritej tek dera. U afrova dhe e hapa. Çfarë të shikoja, një alamet kutie e mbështjellë për bukuri rrinte sus. Përsipër flinte macja e fiqnjës. E mora dhe e hapa me kujdes. U drodha sikur të më kishte zënë korenti. Gjeta një palë këpucë llustrafini dhe një kartolinë ku më uronin, u bëfsh edhe 100.

Besoj se e merrni me mend kush m’i solli. Dhe që t’ua shuaj kuriozitetin, unë e gjeta Sonilën. Ne u gjetëm. Tani ajo është gruaja ime, ndofta edhe për faktin se unë ndalova së arsyetuari se si, e qysh, duhet të jetë një grua. Tani unë mendoj se gruaja duhet jetuar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dashuri me, Ilir Levonja, pantallona, të shkurtra, Tregim

I PERSEKUTUAR

November 26, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Në vegjën e kujtesës sime, rrinë si rroba të nderuara disa terma që kanë të bëjnë me kohën e fëmijërise dhe rinisë. I deklasuar, me biografi të keqe, i prekur, i halanosur etj. Por jo termi i persekutuar, apo dhe i përndjekur politik.

Dallimin për së pari e bën dashuritë. E bëri dashuria. Kur në sojin shqiptar kishte një mendësi. Me të prekurit nuk mund të dashuroheshe. Me të halanosurit nuk mund të martoheshe.
Por nuk ishte e ndaluar t’i shkelje. Madje me mënyrën e gjelit të fushës, kur ndjek pulën. Dhe po ashtu i krekosur të mburreshe me duart në xhep se bërë një akt të lart ndërkryerje të racës njerëzore që ishte edhe armiku i shoqërisë.
Dallimin tjetër e bën dashuritë e para. Sidomos dhimbja e tyre. Sidomos kur shikoje që, pranë, në shkollë përshembull kishe një bukuri të brishtë. Të vjollcëzuar, që u ngjante shqerrave në lëndinat e ekskursioneve. Që e zemrat e patrazuara nga yshtjet e baballarëve, nuk na pengonin të ndanim, atë bukën me vete, me djath e vezë, mbështjellur në letër të ashpër. Ne ishim armiq. Kurse zemrat jo. Ndjesi që i kam ezauruar në romanin ”Zemra nuk e njeh armikun”.
Termi i persektuar, i përndjekur zuri fill më vonë. Dhe nën zhgunin e terminologjisë. Aty u përfshinë, ose nxituan të përfshihen edhe viktimat e sistemit. Pra, ideatorët, milituesit, bashkëpunëtorët. Të cilët për strategji të njëshit. Apo dhe inate të njëri-tjetrit, përfunduan në gjirizet e vuajtjes së dënimit si kundërshtarë politik.
Viktimat e njëri-tjetrit. Nga tre xhelatë, fitoi njëri. Dhy dy dolën të persekutuar. U shpallën armiq të popullit. Ndërkohë kur ishin armiq të njëri-tjetrit. U dërguan të kryejnë denim, me qejf, me vullnet të plot. Pikërisht në skëterrat që i projektuan vet. Pra lufta personale u kthye në luftë për liri. Për lirinë e imagjinuar, jo realen. Jo lirinë që është si të thuash, ekzistenca e vertetë e një thesari të ëndërruar.
Kështu të deklasuarit, të prekurit, të halanosurit… në ditët e para e të demokracisë. Fluturuan përtej kufijve. Disa të tjerë, këta nga dora e të ashtuquajturve të perseketuar nxituan të kapin depot, institucionet gafile të sistemit, deri kazermat dhe repartet, disa ndërrmarrje të veremesorua nga koha. Duke rikompesuar përgjysëm vetveten. Pasi asnjë thesar nuk rikuperohet duke fluturuar dhe duke marrë diçka. Për sa kohë që nuk ka dallim esencial midis lirisë së munguar dhe shtetit të së drejtës qytetare.
E gjitha është një histori midis atyre që e braktisën skëterrën. Dhe atyre që morën nga një zarzavate nga kazani prej bloze i çorbës shqiptare.
Ndaj sot duket si normale lufta e deklaratave. Përpjekja plot pështyma rreth spiunëve. Përpjekja për të nxjerrurr kush e kush veten më larë se tjetri. Energjia për mos ekzistencën apo ekzistencën e dhunës dhe përdhunimeve. Eshtë lufta e të perseketuarve. Jo e të halanosurve. Eshtë lufta e mëkatarve, jo e shenjtorëve.
E gjitha kjo më erdhi si një revansh ironie. Kur edhe pas njëzet e kusur vitesh. Vështron një grup njerëzish, në krye të të cilit një person me kollare flet për lirinë. Ndërsa të tjerët, pjesa më e madhe janë akoma të përgjumur, disi të rreshkur nga gjëndja pa ujë, pa dritë, pa të ardhura. I pari ka kollare dhe artopolant. Në emrin e ideale i ka ftuar në shesh. Duke i dhënë nga një birrë dhe dy qofte.
Nga ana tjetër jo të gjitha webet e transemetojnë këtë protestë.
Nga ana tjetër, pyetja e kohës. Përse të halanosurit u vetcilësuan si të persekutuar?. Të përndjekur? Përse janë ndarë në grupe interesi.? Si në kohën e luftës me njëri-tjetrin.? Përse disa vetdigjen? Dhe përse disa të tjerë mbajnë në dorë çelsa ngrehine me emrin Institucion? Përse në emër të Lirisë? Përse duken sikur i përkasin dikujt tjetër tashmë. Dhe jo të deklasuarve…, të prekurve, të halanosurve?!
Eshtë fare e thjesht, liria ideale është mbi individin. Dhe individët që ta pranojë këtë, janë në arrati.
Zbrazëtinë e të halanosurve e kanë zënë të persektuarit. Përfaqësuesit e tyre janë në pushtet. Dhe marrëveshje me pushtetin në emër të lirisë ideale nuk mund të bëhet asnjëherë.

Filed Under: Analiza Tagged With: I persekutuar, Ilir Levonja

Dy shokë klase

November 24, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/Dy shokë klase, nga Ottawa, djem të Universitetit Carleston, Kanada. Jae Deen dhe Karter Zaher, në janar të këtij viti, nisën një projekt pas shkollor. T’i përçonin njerëzimit mesazhe të gëzueshme. Këtë përmes pasionit të tyre, që është muzika rep. Sinonim i moshës djelmore në mbarë globin. Veçse prirja e tyre iu dedikua botës myslimane. Ndofta për faktin se sot, besimi mysliman është më shumë se asnjëherë tjetër në një periudhë gjykimi, mallkimi, përçudnimi dhe ftohje me shpirtin njerëzor.
Ata po identifikohen kudo nëpër botë si njerëz të xhihadizmit, Al Qaedas, Hamasi, Isis-it etj. Qytetari perëndimor ka frikë të rrijë pranë atij njeriu, që për së pari, qoftë edhe nga një mjekërr e gjatë. Nga veshja,kefie në kokë apo tab, ajo roba e gjatë e bardhë që tregon se nga vjen. Ka frikë pasi mendon se nën atë mund të ketë dinamit. Mund të ketë bomba me kurdisje, a ku di tjetër se çfarë.
Këngët e djemve nga Ottawa si, ”Shkoj në xhami çdo të premte” ”Më prit Mekë” ”Nuk jam terrorist” ”Burri mysliman” ”Brenda Teqes” etj. Janë bërë sot hite të suportuara nga gjigandëd e produksionit botëror, si ai britanik BBC dhe ai kanadez CBC.
Mirëpo krahas suksesit, aktiviteti virtual i tyre. Edhe pse me mesazhe të thekshme, për çfarë është në të vërtetë njeriu mysliman. Çfarë është terroristi…, çfarë është mallkimi dhe përçmimi që i bëjnë të tjerët Islamit. Prapë ka nëmje të tipit muzika juaj është haram në vëndet tona myslimane.
E thënë shkurt, sot, thuajse e gjitha bota islame është në një krizë të ekzistencës së besimit. Lufta e ashpër midis të indinjuarve dhe të atyre që vrasin në publik, në emër të Allahut, e dëshmon më së miri këtë. Shto edhe indinjatën botërore, solidaritetin në masivitet, mallkimin. Dashur pa dashur kanë ngritur konturet e plotë të një krize besimi. Nga ata që vërtet Allahun e shikojnë si paqe shpirtërore. Përballë atyre që e përdorin si mjet frymëzues për vepra terroriste. Duam apo nuk duam ne, koha e kryqëzatave është prezente. përmes tritolit, panikut dhe xhihadit. Ndofta jo me fronte taboresh.por me vatra zjarri gjithandej. Dhe më së pari fajin e kanë vetë besimtarët myslimanë. Sot të bisedosh me një sheet, apo me një sunit. E kupton shumë shpejt se përse ndodhin të gjitha këto. Në mes është një urretje e madhe. Paragjykimi se kush dhe qysh e posedon Allahun apo veprën e tij.
Dy shokët e klasës së Ottawës duhet të shpikeshin në Damask, Bejrut, Riad, Teheran, Kajro, Bagdat, Tripoli, Kabul, Jerusalem etj. Jo në Kanadanë e skajshme. Por koha i mban çuditërisht larg fenomet. Kjo thjesht edhe për shkak të nështrimit, dorëzimit…, që një shoqëri ia imponon vetvetes.
Këtë dukuri e shoh të ndodhi edhe në Shqipërinë tonë. Ka një ngucje të futjes së islamit radikal.
Qoftë përmes veshjes, mjekrave. Aq sa një besimtar shqiptar, më shumë i pëlqen të duket arab se sa shqiptar mysliman.
A do ia dalin shokët e klasës të fusin në rrugën e duhur shoqërinë islame? Kjo është një pyetje që nuk i dihet fundi. Të paktën përpjekja e tyre është sa njerëzore, aq dhe bukur, aq dhe e artë.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: dy shoke klase, Ilir Levonja, Jae Deen dhe Karter Zaher

Dil se vetëm rojet janë në punë

November 17, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Ndër bëmat e bukura të Ataturkut, babait të Turqisë. Shqiptarit nga Selaniku. Gjeneralit. Pashait të luftrave të jashtëme dhe të brendshme. Ishin edhe daljet blic në administrate. Biles thuhes se ishte një metodë me efikasitet të madh. Ishte koha e ndërtimit të Turqisë moderne. Dhe shqiptarët si gjithmonë, ishin mjaft të aftë të ndërtonin administrata jashtë vendit amë. Si në Egjipt e Turqi. Por asesi në Shqipëri. Soji i shtet formuesve fironte aty. Ikte, si ajo vija e ujit në fushën me rërë,
Ndofta këtë po përpiqet të bëj edhe Edi Rama. Megjithëse shoqërisht, duhet t’i themi. Mos vazhdo kështu. Se sikur 1 javë. E nxorre administratën nëtë lerë të nënës.
Vendet e punës aty janë fituar me konkurs partie, paraje, pazare koalicioni. Dogana… ashtu si në përgjithësi administrata. Shikohet nga nënpunësi me mendësinë e lopës. Çdokush shkon aty me kovën në dorë. I pari dhe në mëngjes herët. Çdokush aty çfarë nuk do japi për një vend pune në shtet. Në zyrat e thjeshta të shërbimeve periodike. Po a e merr me mend se çfarë do të thotë të punosh në doganë? Atyre edhe postin e Kryeministrit t’u lëshosh nuk kanë se çfarë e duan. Aq më tepër kur kontrabanda, shmangia e taksave hyrëse etj. Bëhen në nëpër peshkore apo bërxolla skare. Që ti e di shumë mire këtë. Nuk e luan as topi. Por vajtja blic ka dy kuptime. Dukshmërinë për popullaritet dhe karshillëk koalicionit.
Në fakt do zemër të madhe. Do mendje të madhe të bësh reforma.
Dhe me që e nisëm me një krahasim. Jo figurash. Por xhestesh. Apo strategji liderësh. Ai babai I Turqisë thonë se vishej edhe ndryshe. Si e si të verifikonte gjëndjen me sytë e tij. Shkonte edhe për shërbime fare normale. Si qytetar, në një zyrë të administrates së tij. Dhe nuk e kishte shumë të vështirë. Pasi mungonin iterneti, webet sociale. Për dekonsipirim. Madje gazetat ishin privilegj. Kështu që e kishte disi të lehtë. Kurse sot të nxjerrin bojën. Aq më tepër kur bëhen për të fituar popullaritet. Kurse ai e bënte për t’i vënë në punë. Për të forcuar autoritetin e shtetarit të madh. Pasi ashtu i donte drutë mushka. Megjithatë ai vërtetë bëri marrëveshje të mëdha. Për së pari brenda. Por edhe jashtë. Më e madhja ishte ajo me Venizellosin. Me grekët…, më 1932. Ti e di se duhen turqit dhe grekët. Ti me grekët na fute në frigorifer. Italianëve dhe Europës I kërkon llogari. Kurse ballkanasve u mburresh me miqësinë personale me Vuçiçin. Po nejse.
Megjithatë është fakt që ndër suportuesit dhe firmëtarët që Ataturkut t’i jepej çmimi Nobel për paqen, është edhe Eleftherios Venizelos.
Pra duhen njerëz të mëdhenj për arritje të mëdha.
Në këtë drejtim, aty mbetën disa të tillë. Ata që ngelën duke e thirrur njëri-tjetrin, vajmedet, depozitë, qelbësirë, kriminelë, padrone, klane kartelesh, shqupistë etj. Kafeneve. Kuvendit. Kështu që normale…, që, vetëm rojen do të gjesh në punë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dil se vetëm, Ilir Levonja, në punë, rojet janë

Një mysliman nuk vret fëmijë

November 15, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Ndërsa në Paris në sheshin Republika, ikin dhe vinë dritat. Ku aludohet me panik për sulme rishtas. Në botën amerikane qytetarët debatojnë me Obamën për prejardhjen e tij myslimane. Fjalimet ku ai e përmend këtë, apo ato drejtuar Iranit, besimtarëve. Për rrugën e paqes që parashikon Kurani etj. Edhe pse janë paqësore. Edhe pse janë bashkëkohore. Edhe këtu ka mëndje të nxehta. I përgjigjen me mllef pjesëmarrje një numër i madh qytetarësh. Midis shumë indinjatave, vlon një mendësi.”Islami është një armik i mendimit të lirë”. Ashtu sikur ka edhe një masë të madhe që kundërshtojnë, duke u solidarizuar me mëndjet e qeta.
Pra në botën me demokraci të konsoldiaur.
Nga ana tjetër, Webet e botës po gjallojnë nga një thirrje …, sidomos twietteri. ”Jo në emrin tim”. Eshtë një video promovuese e zërit të qytetarit mysliman. I një grupi të rinjsh londinezë nga shtatori i 2014. Kryesisht fëmijë emigrantësh. Të cilët nga ana e tyre kanë bërë publike distancimin nga islami me terror. Këtë e bën edhe në fillim të këtij viti. Kur ekstremi dogji e vrau zyrat e Charlie Hedbos në Parisi. Konkretisht më 7 janar 2015. Parisi këtë vit për një apo dy arsye. Eshtë arena e gjakut terrorist. Thonë për shkak se është vendi simbol i të drejtave të njeriut. Sidoqoftë, ata që kumtojnë thirrjen mos bëj terror nën emrin tim. Ata janë muslimanë nga e gjithë bota. Njerëz të thjeshtë. Besimtarë të urtë. Nismën e të rinjlve londizë e ka përfshirë fryma globale. Shumë prej tyre pohojnë se, ”Një mysliman kurrë nuk mund të jetë terrorist, ashtu sikundër dhe një terrorist kurrë një mysliman”. Tjetër…”Për njerëzit mendje prishur çfarë ne jemi dhe besojmë si myslimanë. Asnjëherë mos e harro, mos fol dhe bëj në emrin tim. Një mysliman nuk vret fëmijë. Një mysliman nuk vret një njëri të sëmurë. Një mysliman nuk vret një të moshuar, qoftë burrë apo grua. Një mysliman nuk vret një prift apo një hoxhë. Një mysliman nuk shkatërron kisha apo xhami. Një mysliman nuk përdhos të vdekurit. Një mysliman nuk vret gjën e gjallë. Një mysliman nuk vret robin e dorëzuar. Një mysliman nuk vret një të burgosur. Një mysliman nuk vret pas shpine”
Nuk është e vështirë të kuptohet, se bota është tërësisht në një luftë nervash. Në një luftë përbuzje midis njeriut për njëriun. Nuk është e vështirë të thuash se sa shumë besim kemi humbur tek njeri-tjetri. Se shumë e paragjykojmë shoku-shokun dhe se ideja e superioriteti na ka vënë poshtë.
Pra hë për hë ne jemi tërësisht në krizë mbi besimet. Sado që kanë kaluar vite. Predikuesit e tyre nuk kanë mundur dot së pari vetveten. Nuk kanë mundur dot atë që quhet radikalizëm. Apo linjat e ashpra. Ndaj dhe, valës së soldiratetit në internet, pak e shohim në publik. Përmes tempujve të besimeve. Ose vullnet kontributi. Mjaftohen vetëm me atë se çfarëmund të bëj një shtet. Duke i kapur, burgosur. Çuditërisht xhamitë apo kishat sikur kanë pranuar nënshtrimin. Janë të pakta ato që po mbajnë mesha apo përshpirtje. Më vjen mirë që një e tillë po mbahet në Kosovë.Duhet edhe në Shqipëri. Derisa nxjerrim me qejf video, të atyre që kërcënojmë me gish. Duhet të na vijë turp për gjithë çfarë pretendojmë në lidhje me Allahun. Kanë një heshtje marroke që nuk i shkon aspak frymës së besimtarëve. Sado të përpiqen shtetet, sado të nxjerrin ushtritë, terrorizmi është frymë. Nuk ka nevojë të kalojë armë dhe municione nëpër dogana. Ato i gjen kudo. Në fund të fundit, më së pari… Janë institucionet fetare që duhet të kuptojnë tashmë. Se lufta është për ta. Besimi është duake vuajtuar midis së zezës dhe të bardhës. Një rracë njerëzore me etje për superioritet gjinor, familjar e fisnor. Kërkon dhe pushtet. Dhe masakron nën emrin e Allahut. Hidhuni një sy faqeve të internetit. Nga Arabia, Irani, Iraku, Siria e masakruar. Nga Veriu i Afrikës, deri në vendet perëndimore, ka një indinjatë që nuk i shkon për shtat sharmit të Institucioneve të Kultit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Një mysliman, nuk vret fëmijë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT