Ambasador…Ti u fole minatorëve të korrupsionit. Që rendin, ligjin, shtetin tend e duan thjesht për të pushuar.
Pasi Amerikën e ëndrrave e kanë aty…./
Nga Ilir Levonja/
Në një pasdite Tirane. Nga ato koferencat rutinë. Deri të mërzitshme. Një ambasador u drejtohet të korruptuarve duke u thënë se unë i di. I di se kush ata janë. I njoh etj. Ai flet atyre sikur ata të ishin përjashta. Kur i kishte përballë.
Megjithatë, respekte. Në fund të fundit revolucioni edhe pse term I nëpërdhosur. Për shkak të devijimit të individit. Për shkak të dhunës, viktimave. Të njëriut që ha njeriun. Tek ne ka filluar dhe suportuar nga të huajt. Por është tmerrësisht e vështirë. Pasi në atë shkretëtirë të pamatë.
Paraqitja jote është prej milingone. Dukesh tmerrësisht i vogël. Një krijesë e brishtë. E cila përpiqet të shtyjë një sferë gati miliona vjet më të madhe se vetja. Respekte që edhe na i thua troç,
Në shqip. Edhe pse e di që Edi Rama, nga bilardot e Lezhës, ku e qerasën me një kupon… ka ironizuar me të folurën tënde. Ai vdes t’u kujtojë të tjerëve se si i flasin gjuhët e huaja. Respekte se, duke qënë në Shqipëri u flet shqiptarëve shqip. Një prioritet intelektual, për t’u ndjerë më afër njerëzve. Më afër shpirtit të tyre. Gjë që nuk e bëjnë njerëzit e besimit. Rrasot e besimeve flasin për territore. Xhihad. Luftojnë me shtetin. Me të vdekurit. Ndajnë prona dhe forcojnë muret e avllive.
Shqipëria ka një mani të madhe ndaj botës. Sidomos Perëndimit. Këtë e verteton edhe rekordi në sportelet e Llotarisë. E vertetoi viti 2015. Regjistrimet në daljet doganore. Në të njëjtën kohë, ka dhe një mani që është privilegj, i auditorit të cilit ti i fole. Shkollimi i fëmijëve jashtë shtetit. Ka dhe një mani jetese, po këtej. Edhe pse burimin e arit e marrin aty. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar kaq vite demokraci. Kërkund se shikon shenja të Perëndimit. Të paktën të qytetarit. Të intelektualit as që çohet nëpër mend. Edhe pse tregojnë diploma, edhe pse flasin nga tre apo katër gjuhë të huaja. Prapë nuk i largohen dot koracës. Sojit unik të fërkimit të barkut. Vetëm në Shqipëri ndodh që reformat të quhen të vështira. Dhe nisin diskutimet. Të zjarrta. Plot sharje, akuza, fyerje. Vetëm në Shqipëri ndodh që reformat të zgjasin nga njëzet e pesë vjetë. Thua që ata diskutojnë nuk kanë asnjë lloj pushteti. Ata që diskutojnë nuk kanë asnjë lloj mundësie.
Diskutojnë sikur ndaluesit, antireformatorët, janë përjashta. Intelektuali flet, intelektuali dëgjon.
Dhe intelektualët vendosin. Kjo është elementare. Mirëpo jo aty. Sepse ne grupet, ”intelektualët” kemi paranojën e së ardhmes. Për shkak se e kemi bërë me ndërgjegje krimin. Ndaj puna e Shqipërisë është shtoj ujë e shto miell. Llurbë brumore.
Një intelektual e merr peng vendin e vet, sapo gjykon se është I pazëvendësueshëm. Sapo nuk jep dorëheqjen. Sapo pranon të riciklohet. Sapo i flet kundërshtarit, në faqe të njerëzve, me fjalorin më ntë ulët. Nuk ka burrë fisnik, nuk ka burrë të madh, nuk ka burrë të kombit…, kur nga goja e tij del pështymë, orgji, fyerje.
Respekte që ke mësuar shqip, që u flet shqip. Por thuaji ju. Mbase nga tejngopja ata bëjnë një marrëveshje. Të paktën nuk do ta dënojnë njëritjetrin. Ose ta dënojnë me verdiktim e tejngopjes në vilat e tyre përgjatë bregdetit. Të jetojnë e të tresin dhjamin. Të ulin ritmet e sheqerit dhe kolesterolit. Ose, ose, t’ia kërkojnë këtë pakt popullit. Mënyra se si ti flet shqip, ngjan nga ato që i thua gjërat cop. Hashiqare…, thuaja. Me siguri populli do i fali. Pasi ne kemi falur përjetësisht.
Çuditërisht dhe magjishëm, frymëzuesit e dhunës. Dhunuesit. Kapot. Kapobandat… Por asnjëherë nuk i kemi kërkuar ndjesë viktimave. Edhe pse ato janë nga gjiri ynë.
Eshtë një komb i tërë që ka një tuf intelektualësh që thonë unë. Njëri që tha ne, ne intelektualët, ne poetët, se poeti është fajtor për çdo krim që vën vendi i tij. Ne e vramë filanin. Atë e quajtën të çmendur. Të lajthitur. Tani mburren me ‘të. I kanë bërë dhe një shtatore të madhe buzë liqenit të Ohrit. E quajnë Lasgush. Një lloj Whitmani shqiptar.
A do ta dish se çfarë intelektualësh ka ai vend? Çfarë soji nga ata që i kishe përballë në sallë.
Shkoju si qytetar. Shkoju pa rruar, me ca rroba ndryshe. Pa Chevroletin e zi. I mbajnë sirtarët gjysmë hapur. Mbajnë dhe seriozitet syzash race. Shko në një Bashki, do të lënë tek dera shtatë orë. Do të kërkojnë të përtërish letrat shtatë here në vit. Duke të shikuar nga duart. Duke të thënë hajde nesër se ja këtu gati i kam. Do të shtrydhin, pastaj do të japin dhe ca shqelma nga pas. Që të jesh gati, i terosur, i lagur, i parruar për javën tjetër. Për pushtetin tjetër.
Ti u fole minatorëve të korrupsionit. Që rendin, ligjin, shtetin tend e duan thjesht për të pushuar.
Pasi Amerikën e ëndrrave e kanë aty.
Jemi të lirë të luajmë futboll
Nga Ilir Levonja/
Ca gërrvërre ”patriotësh” kanë filluar brenda dhe jashtëbrenda Shqipërisë. Kosova dhe Shqipëria luajnë nesër, futboll. Ca gërrvërre mistrecësh. Që më shumë se halli i kombit. I përfaqësueve. Duan që t’u shkoj e tyrja. Ca inate që vetëm ata e dinë se me kë i kanë. Ca inate që të bëjnë të thërrasësh sërish serbët. T’u thuash rrini në kufi me tanke që shqiptarët të kuptojnë një herë e përgjithmonë që janë shqiptarë. Ca gërrvërre që jo flamuri blu, jo i kuq. Ky tradhtari. Këta që na vjedhin gurët e shtëpisë. Këta çuna që janë prej këtej apo prej andej. Shife si deklarohen. Shiko se çfarë tha ky. Dhe si ia ktheu ai. Dëgjo sepse nuk duan të vinë tifozët kuqezi. Ca gërrëvërre prej ithtarësh arkaik …, nga skutat më të prapambetura, më vulgaret. Ca gërrvërre të tipit të atij futbollisti shqiptar që qan atë që iku. Duke i quajtur me fat djemtë shqiptarë nga të katër anët e botës. Jashtë Shqipërisë dhe jashtë Kosovës, Maqedonisë apo Malit të zi. Si djem që nuk e eci në vendet ku janë ndaj zgjodhën Shqipërinë. Po je se kushedi se çfarë janë? Ca gërrvërre që kanë kulturën nga territoret e vilajeteve shqiptare prej Perandorisë Osmane. Dhe ti mendon se koha ka shkuar. E kaluara ka mbetur atje larg. Jo, aspak. Qoftë edhe kur një i vetëm, një… Shkon e vritet në Siri. Lufton e shan çifutët. Apo zihen mbi të drejtën e territoreve palestineze. Të thuash se edhe ILIRIA e tyre është gadishulli i fiseve nga Egjipti i lashtë. Që quhet Palestinë. Vendi i tyre, apo kombi i tyre. Dhe nuk e kanë për gjë të vriten…, në emër të vëllezërve arabë. Në emër të ndjenjës së tyre të lart karshi islamizmit. Ta dini janë ata që akoma nuk e besojnë Kombin. Akoma nuk e bëjnë dallimin. Megjithëse janë gati të shqyhen në thirrjet e ”patriotëve” që asnjëherë nuk i janë dashur këtij dheu.
Në vitet e ekzistencës së saj e gjora Shqipëri, nuk ka pasur asnjëherë kombëtare futbolli. Si mund ta quaje të tillë brezin e djemve të artë. Nga Boriçi e deri tek Demollari. Kur ata përfaqësonin, në bazë të tekave, inatit apo direktivave të partisë shtet. Gjysmën e Kombit.
Si mund ta quaje të tillë, pra kombëtare, brezin me djemtë e artë të Kosovës, Vokrri, apo ndonjë tjetër që luanin për Federatën Jugosllave. Për Jugosllavinë e Titos. Kombëtaren e shqiptarëve. Si mund të quaje kombëtare, edhe ata shqiptarë të Maqedonisë apo Malit të zi, që përfaqësonin po Jugosllavinë. Pa përmenduar edhe ata bij emigrantësh të natyralizuar nëpër botë, në vendet ku jetonin e ndërtonin të ardhmen.
Në historinë e shqiptarëve është viti, shekulli, realiteti. Që shqiptarët kanë Kombëtaren e tyre. Deri tani janë përfaqësuar. Nuk kanë patur një të tillë. Po. Dhe u dha rezultati. Shqiptarët…. që deri dje tifozë të kombëtareve nëpër botë. Nga deti i veriut, në vendet e ulta…, deri tek Amerika e largët në jugun e globit. Tifozë ekranesh, sheshesh, bastesh, fanellash, flamujsh. Tifozë që nga dashuria për ata lojtarë te rracave të ndryshme. Ua përjetuan emrat te fëmijët e tyre. Madje pa u dridhur qerpiku për traditën. Ndaj i lini gërrëvërret. I lini sedrat e djemve. Epitetet. Marritë kolektive të ngjyrës blu apo të kuqe. Se do i bëni me turp heronjtë. Ata që ne u thërrasim Nderi i Kombit. Jemi të lirë, le të luajmë futboll.
Edi po ecën vet
Ilir Levonja/
Me duart në xhepa. I gjatë si ai. Me bluzë herë me numrin e partisë në fushatë. Herë me stemën e OKB-ës. Herë me ngjyrën e rilindjes së tij. Po ecën. Më këmbë. Dhe ne që e postojmë me vrap në internet. Facebook, twitter, instagram. Kemi një kryeministër që ecën vet. Më këmbë. (Megjithëse në distance, truprojat mbajnë barkun me duar.) Vështrojnë sa majtas e djathtas. Edi po ecën në këmbë. Me duart në xhepa. Me ato buzëqeshjet e tia gjysmë të hidhura. Nganjëherë edhe nevrikoset. I bërtet, gazetarëve. Madje u tregon se sa për ibret të zotit janë bërë. Po ecën …, po shkon tek Iliri. Tek ai, me të cilin bëri gallatë për vite me radhë. Pozita dhe depozita etj.
1)Ndërsa po ndiqja mbrëmë deri vonë, një studio të radhës në Opinion. Ku njëri dëshmonte i gjallë. Dhe tjetri kërkonte fakte shkresore. Ku ziheshin për të folur. Ku në mënyrë përfekte sajohej një pyll zhaurimash. Një suferinë natyrale. Njëri ironik, tjetri pioner i devotshëm. Realiteti përpëlitej si puna e asaj presë’ në këmbët apo kthetrat e një grabitqari.
Pastaj sërish të njëjtin avaz. A ka krisje mes Edi Ramës dhe Ilir Metës? Përse iku ministri? Iku vet apo e detyruan.? Jepni përgjigje. Çfarë ka mes tyre.? Pastaj a vidhet në dogana? Vërtet, a keni dokumenta? Keni fakte? (Megjithëse përballë, në ekran një qënie e gjallë raportonte për kapjen e shtetit. Me emra… me aktivitet të deklaruar. Prapë, a keni fakte?). Shkurt, rrëmujë dhe paga të mira për të folur.
2)Sot vendi ynë është i kapur nga një ankth? Si po shkon humori I kryeministrit me kryeparlamentarin.? Duket sikur shëndeti jonë varet nga gjëndja e tyre shpirtërore. Ose të paktën kështu mendojmë ne. Një rast për debat të zjarrt. Mundësi për të treguar devotshmëri. Cili prej tyre është më i forti. Cili më i ndershmi.
Më pas e njëjta pyetje. Çfarë kërkon të tregojë Ilir Meta me lëvizjet në qeveri? Jo e ka kapur, jo nuk e ka kapur kryeministrin. Suferinë fjalësh. Kur është fare e thjesht. Qartësisht e dukshme. Kryeministri deklaron që nuk do ketë lëvizje ministrash. Kryeparlamentari bën të kundërtën. Prapë ne pyesim. Jo për çfarë e bën. Çfarë do t’i tregojë. Ndërkaq postojnë foto se si Edi ecën vet. Se si shkon tek zyra e padronit. Më këmbë, mes qytetarëve dhe truprojave. Moderni, kryeminstri ynë.
3)Me atë numër deputetësh, që ka … Ilir Meta jo që e kapur Edi Ramën prej fyti. Por me garipllëk i kërkon edhe takime. Madje me qetësi i thotë t’i bëj publike. Ta shikojnë shqiptarët se si ai ecën vet. Se i shkon në zyrë. Dhe keqardhjen më të madhe, sado që përpiqen ta lajnë e fshijnë nëpër studio e Opinionit. E kanë vet socialistët. I sillen vërdallë këtij buçkoje të rrëgjuar nga dietat. Gati ta mbysin. Por, çfarë të bëjnë? U desh kaq përpjekje bojkotike, kaq autobuzë ngjyrë violetë, kaq mund fushate, kaq guxim të fortish nëpër qytetet e Shqipërisë së lodhur. Që të vinin në pushtet. Sa inatin dhe duhmën për t’i dhënë shqelmin këtij buçkoje. E kthejnë në dhele idhnakësh. Edhe pse kombëtarja e Berishës është e shpërbërë. Nuk është larguar fantazma.
I pari që hallakatet kështu, që po u bën vetëm një shërbim të mbrapsht shqiptarëve. Socialistëve gjithashtu…, është Edi Rama.
Edhe pse është koha të tregojë largëpamësi politike. Ai nuk ka kurajo. Politkanë të tillë i vine rrallë një vendi. Do të jetë vonë kur ai të arsyetojë se…, (mbase kur të shkruaj librin e kujtimeve) prishja e një aleance. Çuarja e vendit në zgjedhje të parakohëshme. Nuk është fundi i botës. Përkundrazi një largëpamësi politike. Eshtë koha kur vendi, qytetarët kanë nevojë për një shanc. Që të largojnë të keqen.
4) Eshtë shanci i madh Edi. Me këtë krisje dhe ndarje që ka Pd-ja. Ca të Saliut, ca të Lulit. Ca në shtëpi pasi duan që të shkojnë e t’i luten. Ca në luftë për Primin elektoral. Dhe ca si e thashë, në një kombëtare të lodhur Kuvendi. Dhe po të kthehesh nga krahu tjetër, ku haraçi i aleancës me LSI e ka futur shqiptarin në një panik jetësor. Me rekorde ikjesh dhe aplikimesh pranë Llotarisë Amerikane. Me këtë karshillëk reformash etj. Nuk ke për ta çuar atë anije asnjëherë në Europë. Asesi ta rilindësh. Megjithatë, është shanci i madh…, për një politikan bashkëkohor. T’i japi qytetarëve mundësinë. Që ai të kuptojë nëse është apo jo një rilindas i vendit të vet.
Rumani ëndërr lajmëtare
Nga Ilir Levonja/
Një lëvizje qytetare në dhjetorin e vitit 1989, për ndryshimin e sistemit, e sollën Rumaninë beftësisht në qëndrën e vëmendjes botërore. Gjermano lindorët sapo kishin rrëzuar murin e Berlinit. Kampi socialist po shpërbëhej. Megjithatë shumë vende të tjera, përfshi këtu edhe ne, mbanin sy e veshë nga përtej. Por prapë nuk guxuam. Megjithatë Rumania u bë frymëzim. Një frymëzim që reflektonte me shkëlqim sysh. Sidomos për ne njëzetvjeçarët. Akoma nuk e kishim të qartë pluralizmin. Aq sa me naivitet mund të besonim se ndryshimi mund të vi edhe prej të akuzuarit. Prej sunduesit vet. Dukej sikur ishte koha për një paqje shpirtërore midis njerëzve.
Megjithatë rumunët e ekzekutuan publikisht këtë sundues. Pamjet ishin brutale. Ndërkohë u pa edhe zhgënjimi I pare. Minatorët e Karpateve, zbritën dhe pushtun sheshet. Në emrin e ruajtjes së shtetit post diktaturë, rrihnin protestuesit. (Pikërisht për këtë mobilizim të një armate me pajime prej nëntoke, e akuzuan këto ditë ish presidentin Iliesku. Pasardhësin e diktatorit Nikolae
Çauçesku.) Duket si një vëllavrasje. Sërish pamjet ishin dëshpëruese. Çfarë po ndodhte aty? Kush fitoi dhe për çfarë fitoi? Megjithatë, ne mësuam se shenja me dy gishta, u bë simboli i njerëzve që duan demokracinë.
Po cilën demokraci?
Edhe sot e kësaj dite, ka një dëshpërim social. Aq sa rumunët ndihen të lodhur. Por midis tyre heraherës dalin zëra që përpiqen të ringjallin shpresën për ndryshim . Për vazhdimësinë. Ashtu siç po ndodh tani, kur deklarojnë se më 1989 luftuam për ndryshim, liri dhe demokraci. Sot duhet të
luftojmë për drejtësi.
Çfarë lidhje mund të gjejnë shqiptarët sot. Në raport me protestat e Bukureshtit.?
Ka të tilla plot. Ashtu sikur ka edhe gjëndje që i mbyt këto argumenta. Lidhja e pare është korrupsioni, drejtësia dhe politikat dëshpëruese, me tendenca të qarta stanjative. Në vend numëro, për hir të transformit të idealeve sociale në ato personale. Lidhja e dytë, ajo që buron nga këto të parat.Eshtë domosdoshmëria, dalja në skenë e shoqërisë civile. Ose e një avanguarde të re politike. Kjo edhe përmes forcave ekzistuese. Gjë që duket e pamundur në Shqipëri. Për shkak të kapjes së partive nga grupet klanore. Kthimin e tyre në prona kryetarësh dhe liderësh. Dhe jo të statutit të partisë.
Ricklim pervers i xhaketave, i humbësve, me tu lutur. Kompaktësia bajate me figura të përjetshme.
Aq sa kemi një ekip me element të 90tës. Thua se vuajmë shterpësinë dhe sterilitetin klasërisht?
Ose ose, e ndonjë force të re. Të pa konsumuar. Gjë që prapë e themi, se në Shqipëri duket e vështirë. Ashtu sikur nuk mund ta quajmë dot lëvizje grupimin e vezëve të këtyre ditëve.E shumta dërrmuese e të rinjëlve tanë, bëjnë tifozllëk për të vjetrit. Vet u pëlqen të mbeten radhorë.Të rrinë në rresht.
Pra të gjitha këto, jo se nuk janë, jo se nuk ekzistojnë aty. Pasi dihet se 95% e lejeve të dhëna për biznese nate apo dite. Nuk i kanë të parashikuara emergjencat. Janë firma të dhëna me qejf.
Kjo edhe për shkak të kulturës sonë në raport me ligjin dhe miqësinë. Firma që vrasin. Për këtë u arrestua kryetari i Bashkisë në Bukurusht. Për këtë po proteston Rumania. Pra janë komponentët.
Pasi edhe ne indinjohemi. Edhe ne revoltohemi. Edhe ne trishtohemi. Por ne na ka mbytur gjëndja e tifozllëkut pas liderëve partiakë. Ndaj nuk është e rastësishme që Rumania proteston për drejtësi.
Pa përkrahje dhe suport opozitar.
Megjithatë është një ëndërr lajmëtare. Si ajo e njëzet e kusur viteve të shkuara.
Ditëlindja e poetit
Nga Ilir Levonja/
Poezitë që kam zgjedhur, janë nga krijimtaria e poetit Faslli Haliti. Ai te Enjten, 5 Nentor*, mbushi 80 vjeç. Një arritje e madhe. Pra ka ditëlindjen. I kthehem memories. Ashtu si shumë krijues nga qyteti i Lushnjes edhe unë, kam kujtime të bukura. Në të njëjtën kohë jam pjesë e kujdesit dhe e vëmëndjes së tij. E para sepse Faslliu është ndofta nga ata persona që i përket gjithkujt nga pak edhe shumë. Ai njohu shiun poetik, diellin poetik dhe qiellin poetik. Ai është metafora e së përditshmes. Poeti i fjalës prej uji. Piktori i imazheve me fjalë plot ngjyra dhe xixa.
Për poezinë e tij është thënë shumë. Janë shkruar shumë. Përfshi edhe mua…, me disa reçensione e komente në shtypin shqiptar. Unë sot nuk do bëj analizë, por sado kohë që kalon, sërisht më forcohet në brendësi të qënies sime. Ai meditimi artistik i kahershëm se, poezia e tij është një konstatim me keqardhje. Për njeriun naivist që jeton me mendje prej mishi dhe gjaku njerëzor. Që beson thjesht, pa djallëzi. Që rritet duke të dashur, pa djallëzi. Që vlon me keqardhje se detyrat i kreu, pa djallëzi. Që nuk e di se bën faj, kur nuk të pëlqen ty. Dhe që pa djallëzisht beson se e vërteta, është si drita e diellit.
Cikli i mëposhtëm kap disa dekada nga idoma e tij artistike e këtij kapërcyelli jete në mes dy shekujve. Thjesht si memorie e bukur. Si urim dhe falenderim për këto lule poetike, me erë Myzeqeje që ai ndau me ne. Jetë e shëndet poet.
1)LAMTUMIRË
Drejtimi:
Majtas!
Unë,
Drejtë përpara.
Drejtimi:
Djathtas!
Unë,
Drejtë përpara.
Urdhri:
Prapakthehu!
Unë
Përpara, përsëri
Lamtumirë kapedanët e mi!
2)NJERIU ME KOBURE
Ai pret të fryjë era
Jo që të zhvishen pemët.
Jo që të shkunden gjethet e verdha,
Por që t’i ngrihet cepi i xhaketës,
Të duket pas brezit koburja.
Ai pret të vijë pranvera.
Jo që të mbjellë e të korrë,
Por që të zhveshë xhaketën,
T’i duket pas brezit
Koburja.
3)NATË MAJI
Hëna varet si vath në veshin e natës,
Neonet ndriçojnë me dritë dëbore,
Ne bisedojmë nën një mimozë bionde
Si nën një hënë tokësore.
Pranë nesh kalon një makinë,
Dy buqeta dritash na dhuron
Dhe ikën nëpër natë e gëzuar,
E gëzuar nga dashuria jonë.
4)KUR
50 vjet,
Na folët për dritën socialiste,
Tani na flisni për errësirën 50 vjeçare.
50 vjet,
Na folët për lirinë,
50 vjet
Na folët për demokracinë e vërtetë proletare.
50 vjet
Na folët për parajsën komuniste
Tani na flisni për 50 vjet ferr komunist,
Kur na e keni thënë të vërtetën?
Dje,
Apo tani?
Ç’e pandehni ju popullin
Foshnjë,
Ç’e pandehni ju popullin
Çilimi?
5)PËRSOSJE
Ju Tregoni me gisht kriminelin tek ai,
Tek ai
Të gjithë shohin delen;
Ju tregoni me gisht hajdutin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin Nobelin;
Ju tregoni, me gisht spiunin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin besnikun;
Ju Tregoni me gisht Don Zhuanin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin familjarin;
Ju tregoni Me gisht Frikacakun tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin Skënderbenë;
Rrini, pra, me gisht në gojë!”
6)KENDOVA
Zbathur
U këndova këpucëve
I leckosur
U këndova pardesyve
I uritur
U këndova drithërave
Në
Errësirë
U këndova dritave
Në
Terr
U këndova ngjyrave
Në
Zi
U këndova dasmave
Në
Pranga
I këndova lirisë.
Shpresa më mbajti ison…
* Ka nje Lapsus ne Ditelindjen e Poetit. Ai ka lindur me 5 Dhjetor. Gjithesesi nje urim i parakohshem,s’eshte gje tjeter, vecse deshire per urim. Le te jete ky urim i Ilirit, nje paralajmerim per miqte e Poetit Faslli haliti.(Dielli)
- « Previous Page
- 1
- …
- 78
- 79
- 80
- 81
- 82
- …
- 102
- Next Page »