(Prindërve të Maria Shollës)/
Nga Ilir Levonja/
Drama, fatkeqësia juaj ka filluar sot, e do të vijojë në ditët në vazhdim, të zbulohet pak e nga pak. Me kërshërinë e syve të shtypit. Ndofta dhe shumë e shumë njerëz, bëjnë pyetjen si është e mundur? Kaq të varfër vërtetë? Kaq të mjeruar? Kaq injorantë? Kaq të pazotë? Sa lënë fëmijët nëpër kisha dhe ikin më këmbë për ditë e ditë me radhë? Kaq blozë fare paskan qënë, sa as pesë lekë për pasaportat nuk kishin? Vërtetë deri këtu janë katandisur shqiptarët? Vërtetë punoje tokat e fshatit me pesëmijë lekë dita? Pastaj me atë ndjesinë e kopetentit për gjithçka. Do thonë, o po pse pjellin? Kur nuk i ushqejnë dot? Po, pjellin…, jo lindin. Ne vdesim për ta denigruar tjetrin. Dhe kënaqësinë më të madhe e kemi kur e krahasojmë me kafshën. Ndjejmë kënaqësi kafshërore. Fërkojmë barkun.
Dhe ju që rrëfeheni. Kujtoni se po prekni teletat e kështjellës shtetërore. Kështjellës shoqërore. Dhimbjen e nënave të tjera që shqyhen protestave të partive. Dhimbjen e burrave që vriten në emër të iks lideri. Duke sheshuar githçka në synim politik, të krahut. Të partisë etj. Të interesit të oborrit personal. Me strategjinë e kafshës kur kufizon territorin që preferon të dominojë.
Ju rrëfeni. Jepni intervista. Dhe të gjitha nënat të kuptuan ty. Që e le vetëm gocën tënde atje në lumë. Dhe tani na qan. E ndjenë dhimbjen tënde. Janë veshur me të zeza. Burrat, po pinë cigare. Po diskutojnë. Ky është shtet muti. Këta burra që të vrasin për partinë. Të tjerë që kanë ca lekë a valutë të palosur në xhep. Thonë, prapë avazin e mendjeplotit, po dhe ata paskan qënë rreckë fare… punonin për pesë mijë lekë. Dhe në vesh, u pyesin. A keni nevojë për ndonjë lek? Se keni hall? Jo për gjë. Vulëhumburit ju. A nuk e kuptoni. Më shumë fiton duke u marrë me llafe se sa duke punuar. Qoftë edhe me një, dy apo pesëmijë lekë.
Ju jepni intervista. Në këtë stinë temperaturash të larta. Lotët tuaj apo mizerja juaj është habi. A e di përse. Pasi në këto njëzetë e pesë vite, Shqipëria është ngucur drejt qëndrave. Dhe nuk e di më. Ose nuk beson se akoma ekzistojnë provincat. Se ekzistojnë Makondot e realizmit magjik. Çfarë është Makondo? Një fshat, ku një i ”mënçur” u shiste të gjore akull për diamant.
Jo, shqiptarët nuk besojnë se ekzistojnë provincat. Megjithëse, atyre fshatrave, blejnë mish të gjallë për Italinë dhe dritat e kuqe të Greqisë. Ato provinca ku mund të mbjellësh hashash, kanabis sativa, kërp etj. Ku mund të ulësh për qejfin tënd, fluturak vocërrak.
Nga ana tjetër, këto Makondo mbajnë si pika e ujit të pakët, ndonjë gjeneral të liruar. I cili, në këto Makondot tona, u shet sapunin për djath, ju mjeranëve. Një shitës me listë. Me shiritin ceremonial të shtetit. Kuq e zi. Ju vë në radhë. Ju jep thërrimet. U kon me kafshata. Dhe u cakton edhe pesëmijëlekshat për punë me bel arash. Sot, në kohën e bujqësisë me tezga dheu. Me kate. Me skela. Me pemë hekuri dekorative, ku nëpër degë varen kovat me material shkume deti, plot perime. Ju punoni arat me bel. Sot kur mekanizimi i bujqësisë ka arritur pikun e zhvillimit.
Të mirë prindër. Ju jeni zogj që keni dhe jetoni në një kafaz. U mbushet mendja të fluturoni, por hekurat u thyejnë krahët. Emri i Grevenesë, vendi, ai lumi. Madje edhe kënga qeraxhiu i Grevenesë, u tundojnë shpirtrat. Do u tundojnë tërë jetën. Maria është një humbje e pazevendësueshme. Shpirtrat fisnik dhe të gëzuar ikin. Ajo ishte e tillë. Këtë e dëshmon detaji i ditarit. A e dini, të mbash ditar është prova e sinqeritetit. Eshtë libri më i vështirë për t’u shkruar. Maria e bëri. Ndaj është humbje e madhe. Ne kemi vetëm fillimin e tij. Por sa të tilla në këtë tranzicion shekullor shqiptar. Sa shumë kanë vdekur andej, maleve dhe lumenjëve të Greqisë. Sa shumë janë shfytyruar dhe sa shumë janë dhunuar. Sa shumë zogj, nga një atdhe kafaz? Kjo është një histori më vete. Që për fatin tonë të mbrapsht, do harrohet shumë shpejt. Eshtë harruar.
Eshtë vdekje ta thuash, por ka qytetarë që nderojnë ”heronjtë” e partive, ndërsa harrojnë humbjet shpirtit të tyre, fëmijën, djalin, vajzën etj…, maleve me borë. Për pak para, për pak jetë më të mirë. Përpos zhbërjes shpirtërore, ndjehuni gjysmë triumfatorë për shkak të përpjekjes për një jetë larg asaj shqiptares. Ku anëtarësimi në parti, të bën me një thes mielli më shumë. Me një vend pune të pasiguruar. Me një armik shoqëror…, duke filluar nga motra apo vëllai, fqinji etj. Ku të bën pronar tokash të lëna me qera. Qytetarë burrash shteti që shahen nga nënat. Që u përdorin ju si model të injorancës kur duan të fyejnë njëri-tjetrin. Por kjo nuk është ajo që na duhet sot. Të kërkosh të ikësh sot, në një vend të pashpresë. Eshtë shpresë. Mos urreni Greqinë, mos urreni lumenjtë, Grevenanë etj. Ua dha këtë short të keq. Vendi amë, i lumtur me arritjet e shumimit të palmave.
Nga lufta e reformave tek Maria e Ardenicës
Nga Ilir Levonja-Florida/
Që ta rilindësh atë vend Kryeministër, do ishte mire që statuti yt I fb. Herët sot në mëngjes , të hapej me bllokun e shënimeve të Maries nga Ardenica. Një familje pa drita. Pa të ardhura. Pa shpresë jete. Pa dashuri për të vazhduar aty. Aty ku u ngrit. Në Ardenicë. Në vendin me kodra që shohin fushën dhe buzën e detit. Në vendin e shenjtë. Aty ku vuri kurorë edhe Skënderi ynë. Gjergji i Kastriotëve. Një familje e degdisur, me djem nën mëshirën e kishave. Me një vajzë që luante me ëndrrat e saja. Që ishin poezia dhe Gjermania. Dhe që andej nga Bavaria, buzë Renit a buzë Spresë. Të shkruante për bukuritë e vendit të saj. Por nuk arriti. Nuk arriti se nuk kishte tavolinë, drita, ujë për tu larë. Ku në vendin tënd. Në vendin tonë. Dhe vendi i pashpresë Greqia, dukej si shpresë. Shpresë e bregut për ta hedhur në Gjermani. Shpresë e udhës përmes tokës. Ku mund të shkohet akoma në këmbë. Një familje, që sado e varfër, sado e papunë, sado e pa ditur. Prapë diçka e mënxyrtë ia mbesh duarve, pamundësinë për të patur tetëmbëdhjetëmijë lekë për tri pasaporta. Një pamundësi që ka emrin skamje. Jo varfëri. Dhe zgjidhja është folklori. Karvani…, shtegtimi. Rrugëtimi më këmbë.
Çfarë është një reformë. Po e lë për pak arsimin. Sikur ato drita që digjni duke u zënë gjithë natën. T’ia kishit shpënë Maries. Ajo sot do ishte gjallë. Sikur ato romuze, fyerje, përdalje, pëprballje prej egoistash, që derdhi ditë e natë. T’i mbysnit lumenjëve tanë, gjoleve, apo tenderave familjare. Maria dhe qindra Marie të tjera, nuk do mbyteshin. Nuk do bëheshin prostituta. Nuk do vrisnin veten nga depresioni. Nuk do akuzoheshin e përgojoheshin edhe pse pa jetë. Për lezbike, gej etj. Edhe pse viktima të depresionit shoqëror. Edhe pse kufoma. Kufoma nën zinë e prindërve. Sikur ta kuptonit vetëm një here, se reforma më e madhe është jo kur I prek rrudhat një burri, babai, gruaje apo nëne të shtrydhur nga jeta. Për hir të votes që ju të ruani dietat e shtrenjta. Por kur qan me ata, qanë si ata, vdes si ata. Dhe njeh dhimbjen njerëzore.
Që ta rilindim atë vend qytetarë, do ishte mire jo të debatonit me Edin, por të bashkoheni me humbjen e familjes. Triumfi si dhe dështimi, janë pjesë e sl njëjtës familje. Ashtu siç bëjmë kur mburremi. Ashtu të bëjmë edhe kur turpërohemi.
Maria është një këngë e pakënduar. Eshtë një vjershë e pa shkruar. Eshtë një libër i parealizuar. Reforma që kurrë nuk u bë.
Skamja jonë.
Që ta rilindim atë vend qytetarë, mos u zini me njëri-tjetrin për prindërit. Për atë që u duket e pabesueshme se si një vajzë nuk ka di not.Edhe pse buzët detit. E ka thënë Noli, anës detit i palarë/ anës dritës i paparë. Dhe vdiq nën entuziazmin e lirisë mes ujrave të lumit. E bindur se mësoi notin. Eshtë gjëm. Gjëm dhe mjerë prindit që i ra për pjesë.
Atje është Kuba
Nga Ilir Levonja/
Që nga janari i vitit 1961, kanë kaluar plot 54 vjetë. Kaq zgjati dhe lufta e madhe e revolucionit të vëllezërve Kastro, në Kubë përballë një vendi të madh dhe demokratik si Amerika. Ose propoganda marksiste e tyre, duke mallkuar për çdo rast, në fjalën publike, nga podet e presidiumeve a të tjera mbledhje byrosh, apo kongresesh. Që për memorien tonë, janë akoma të gjalla me bandat frymore, flamujt, paradat. Dhe ne në rresht në dy anët e bulevardit të madh të Tiranës. Edhe vëllezërit Kastro këtë bën. Mirëpo ndërsa Europa lindore filloi përmbysjen nga muri i Berlinit, minatorët e Karpateve, shpërbërja e URSS, (Bashkimi Sovjetik) deri tek Tirana. Kuba u bë akoma më grusht. Më e përsosur në propogandën anti imperializëm, aq sa muret e Havanës u mbushën me parulla mallkime kundër Amerikës.
1)Çfarë e lidh Amerikën me Kubën? Pasi shpesh përmenden interesa, synime etj. Çfarë e lidh Kubën me Amerikën. Vendi i servirur si i frikshëm, imperialisto kapitalist etj…, prej Kastrove për gjatë gjithë këtyre viteve. Aq sa dje në mëngjes një pjesë e madhe e kubanezëve nuk po i besonin syve kur panë të valvitjes flamuri amerikan në qëndër të Havanës. Ndërsa me qindra të tjerë u rreshtuan menjëherë në radhë, ndanë kangjellave të saj për të aplikuar për vizë. Pra çfarë i lidh këta dy vende? Dhe çfarë i bëri armiq për vdekje? Ndërkohë që vitet iknin dhe Kubanët e mbetur në ishull, ngrenin llogoret. Kubanët e arratisur, pikoheshin me sytë nga jugu i Floridës. Unë i kam parë me sytë e mi. Aty ku është ndërtuar pika më e fundit e Amerikës së Veriut. Key West. Vizitova shtëpinë e shkrimtarit Ernest Heminguej. Ca blloqe më poshtë vura re njerëz që i drejtoheshin fundit të rrugës. Atje ndodhej pika. Pika e fundit. Pastaj oqeani. Ishin me qindra. Luteshin dhe ia bënin me dorë pamjes blu, anës përballë. Kubës së tyre të dashur.
Pra çfarë i lidh këto dy vende? Së pari Kuba i detyrohet Amerikës për pavarsinë e saj nga kolonizimet shekullore Angli dhe i Spanjës. Heqja e skllavërisë dhe dhënia formë e një vendi apo shteti. Deri sa ajo mori një pavarsi të plotë më 1902 por në protektoratin amerikan. Madje dhe ndërtimet qeveritare, si pallati presidencial, apo i popullit. Janë pamje e përkryer e Kongresit Amerikan. Protektorat njësoj si Porto Riko. Por ndërsa sot Porto Riko është akoma nën Amerikën. Kuba u nda me rrevolucion. Së dyti shkëmbimet në kohë. Shkëmbimet e ndërsjella. Investimet. Sidomos ato të amerikanëve të cilat Fidel Kastro i zeroi me reforma agrare të rrevolucionit. Së treti, njerëzit e ndarë në dy anë, midis ishullit Kubë dhe gadishullit të Floridës. Pengjet njerëzore, brenda të së njëjtës familje, shoqërie e miqësie. Shkëndija e parë qe viti 1980, kur dhjetra e mijra kubanezë shqyen ambasadën e Perusë. Kështu futja në Ambasada është një detaj i hershëm.
Mirëpo këtë vit Kastro do i bënte edhe një dhuratë Amerikës. Përpos disidencës, njerëzve kundër poltikës së tij. Ai do pastronte dhe burgjet ordinere e të tjera. Rezltuoi më vonë që rreth 125 mijë kubanezë, lanë vendin me se dhe si mundën.
2)Majemi është sot atdheu i tyre. Kudo qosheve shikon Havana Club. Bukë kubaneze, kafe kubaneze etj. Shikon televizione private që operojnë dhe konkurojnë fuqishën në tregun amerikan. Shkolla dhe kolegje. Shikon investitorë dhe pjesëmarrës aktivë në jetën e këtij vendi të madh. Janë edhe oponentë të fuqishëm ndaj regjimit në vendin e tyre të izoluar. Megjithëse nuk reshtin se punuari edhe në mbledhjen e ndihmave. Së pari për veshmbathjet dhe pajisje elektroshtëpiake. Aq sa u lejon regjimi i Kastros. Dhe sado që fliteshin si bisedime të fshehta, midis Obamës dhe Raul Kastros. Eshtë përpjekja e tyre. Madje ndofta dhe gjaku latin që ngriti nga Vatikani edhe papa Françeskun dy vite më parë. Shkurt aty, në Majemi është tërësisht Havana. Bashkangjitu edhe shtetasit e tjerë të vëndeve nga Amerika Latine, spanjishtja është dominante. Jo tërthorazi, por drejtpërdrejtë, më mirë të dish spanjisht se sa anglisht. Pra Kuba nuk është në ishull. Në ishull është regjimi.
3)Para një muaji, një kolege e imja kubaneze, shkoi në Kubë pas plot njëzet vitesh nga arratisja. Sa herë që më tregon për gomonen me të cilën erdhi kur ishte pesëmbëdhjetë vjeçe. Mua më kujtohen ato arratisjet me gomone deri vonë të shqiptareve. Më kujtohen telat me gjëmba. Të arratisurit tanë. Të vrarët në kufi. Dhe sigurisht të mbijetuarit. Pesëmbëdhjetë vjeçe me disa të afërm. Nuk e dinte se si do të përballej me të ëmën, babain dhe më të vegjëlit pas saj. Për vite kishte një brengë. Çfarë niste që këtej, a i shkonin familjes? Kuba ishte shumë hermetike. Megjithatë prapë bëri pako, pako me rroba. Pako me çfarë i falnin. Po m’i lanë mirë, po nuk m’i lanë prapë mirë. Kështu thoshte. Mezi po priste t’i tregonte prindërve dhe djalin e saj. E pyesja për telefonin, internetin, etj. Ajo mblidhte supet. Mua më kujtoheshin radhët tek posta e jonë. Emigrantët…, me telefonat e klubeve të rrugës, të ndonjë pronari. A ku ta dish më. Kur erdhi ishte dhe e gëzuar dhe e pikëlluar. Dhe ndryshuar për mirë, por edhe me sy të trishtuar. Njerëzit e saj. Jeta, Kuba. Atje gjithçka po lëviz dhe gjithçka e ka marrë në dorë një grup njerëzish. Ata më afër pushtetit. Ata janë bërë investitorë dhe çmimet për turistët kanë kapur majat. Ato që ajo kishte nisur prej vitesh kishin mbërritur në thërrmija. Por dollarë asnjëherë.
4)Por çfarë i dha revolucioni Kubës. Fideli dhe Rauli. Për sistemin lirinë. Madje krenaria e tyre atje të thonë Kuba e lirë. Por po të futesh në të dhënat e ekonomisë, përkrah vendit ish aleat dhe ish armik. Të kap tmerri. Po ashtu mirëqënia dhe makineria e regjimit ka mbetur akoma me ato që i ndërtoi Amerika. Lëviz akoma me ato që i dha Amerika. Dhe mbahet me naftën e një vendi gjysmë komunist si Venezuela.
Megjithatë është e çuditshme se si zgjat një regjim. Sado dogma, sado dhunë, prapë është e çuditshme. Përpiqem t’a përjetojë si ndjesi. Ose duke u qasur kohëve. Madje dhe memories për ndonjë shpjegim. Qoftë dhe një thënie burri të mençur. Por gjithçka më bllokohet në çast. Përballë kam me dhjetra parrulla, njerëz në togje, ushtri, gardhe… propogandë. Dhunë. Regjim.
Pra si Kuba dhe Amerika janë brenda njëra-tjetrës. Dhe në një të ardhme të jo të largët emri i Kastros do jetë një vulëz. Ndofta fytyra e vërtetë e modelit të keq. Kushedi…
Megjithatë nëse një pjesë e kubanezve pro sistemit, rrevolucionarët e dëshpëruar etj. Janë të befasuar nga valvitja e flamurit amerikan. Një pjesë tjetër , që po shtohet ora orës, po zgjatet tek kangjellat e vizës për në Amerikë.
Ndërsa amerikanët vet, pyesin… (Referuar New York Times) A do hiqet embargoja? A do i njohi Kuba të drejtat e njeriut? Po jeta e kubanezve me të ardhura 20 dollar në muaj, a do rregullohet? Po diktatori, a do qëndrojë? Pyetje që do na sqarohen në të ardhmen. Qofshin transformime të buta. Që Kuba të mos e pësojë si ish aleatët e saj të Europës lindore, që e armiqësuan me Amerikën. Vendin që ata e ëndërrojnë.
Nuk shkohet kështu në Çamëri
Përmes Rrogozhinës dhe paradhomës së Kuvendit nuk fitohet çështja çame.. Rrogozhina nuk është Paramithia/
Nga Ilir Levonja/
Çamëria nuk është plaga e vetme e shqiptarëve, por një nga ato më të dhembshet në historinë e tyre. Por po ashtu, si shumë vraje kohërash, edhe ajo nuk i ka shpëtuar koklavitjes për së pari brenda Shqipërisë, midis Greqisë dhe Europës. Megjithatë më prapësia është si ngahera mendësia, pa aftësia, pa zotësia…, a gërrgërrja brenda sojit. Sojit tonë. Pra inati me njëri-tjetrin dhe mos konkludimi në një unifikim shqiptar. Ai i tipit demagog. Që në emër të një çështje kërkon të qëndrojë përjetësisht në pushtet.
1)Shumë herë kam dashur të shkruaj për Çamërinë. Më saktë për punën e shqiptarëve çemër. Për të drejtat e tyre mbi pronën, genocidin, dëbimin apo shkëmbimin e popullatës. Por është një sprovë e madhe. Që kërkon përkushtim. Dhe nuk kam droje të them se më luhatet dora. Janë në mes një mori historish e fatkeqësi, përdhunime, vrasje, plaçkitje, poshtërimi, ashtu sikur edhe koha e atyre viteve. Por nuk jam ulur. Edhe këtë opinion e quaj diçka përkitas për shkak se në këto dy ditë, ku çamët tashmë me parti të konsoliduar, po grinden me inat për një ministër grek, që bën një vizitë sa të zakonshme aq dhe premtuese për momentin në Shqipëri. Kjo nisur edhe nga acarimi i marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Të mos harrojmë, jo më larg se në maj të 2015-ës, Kryeministri grek refuzoi ftesën e Ramës për pjesëmarrje në Samitin e Kryeministrave të Rajonit. Organizuar nga qeveria jonë, në Tiranë. Dhe midis të tjerave më habiti fakti se si në pritjen, në Kuvendin e Shqipërisë. Pikërisht aty ku duhej, pranë Metës, nuk u shfaq nënKryetari i Kuvendit. Dhe Kryetari i çemërve Shpëtim Idrizi?
Mua më duket se pikërisht, këtu. Tek bërja e Partisë. Apo ekzistenca e Partisë mori fund dhe një çështje kaq e madhe. Pasi pas ikjes së ministrit grek, Idrizi foli sikur e kishte përgjuar atë. I mbyllur diku. Në një kthinë të Kuvendit. Kur shefi i madh fliste me grekun.
Pra retorika e natyrës me patos patriotik, është pikë së fundi, politikë. Jo më Çamëri.
2)Por le t’i kthehemi për pak memories, për të kuptuar gërrgërrjen, retorikën politike. Dhe largimin nga çështja madhore.
Në fillim çemërit tanë ishin një pjesë e madhe demokratë. Një pjesë socialistë. Një shoqatë. Më pas parti. Jo larg nga sot, shkurt 2011. Atë botë më erdhi mirë. Në fund të fud të fundit janë pjesa e shqiptarëve ndër më të përsekutuarit. Madje deri edhe nga ne vetvetja e tërë. Por shpejt e gjykova se partia do e dëmtonte çështjen. Thjesht, çështja nuk është politikë për tu përfaqësuar në legjislativ. Jo se çemërit nuk duhet të qeverisin. Jo se ata nuk duhet të drejtojnë. Përkundrazi ata janë pjesë organike e qënies shqiptare. Kështu edhe çështja çame. Ndërsa në këtë formë, me parti, duket sikur ka marrë pjesën e një pakice kombëtare. Brenda nesh. Përndryshe pse i duhej Shpëtimit posti i nënKryetarit të Kuvendit? Për të përgjuar nga paradhomat e Metës, bisedën me grekun maskara? Për ca vende pune? Për integrim? Ku? Në shtëpinë e vet?
3) Përse jemi gërrgërras. Dhe patriotë të padobishëm? Vura re dje, midis të tjerave, tek-tuk. Një lloj inati nga grekërve. Ndaj grekut. Që mirë apo keq, në kohën më të vështirë për Greqinë. Marksisti i poshtër, udhëton edhe në Kosovë. Pi dhe një kafe faqje të gjithë me Hashim Thaçin. Kur Greqia nuk e ka njohur Kosovën. Dhe Partia e Shpëtimit e ka në program edhe Kosovën. Në aspektimin e bashkimit kombëtar. Pra ka tentativë për bisedime. Por ne këto nuk i bëjmë. Ose nuk dimë të bisedojmë. Ndaj përdorim patosin patriotik duke u thënë shqiptarëve se sa nazist, se sa diskriminues ishte greku. Madje na habit se si nuk kërkoi falje.
Tani kjo puna e të falurit nga të huajt është kollajllëk për ne. Ne akoma nuk i kemi kërkuar të falur njëri-tjetrit. Një burri i mençur çam, më fliste dikur edhe për martesat brenda fisit. Në mënyrë që të mos u shuhej soji. Dikur e quajti gabim. Dhe në atë pleqërinë e syve me lot më tha se, kemi ne gjynahet tona. Por gjynahi më i madh është kur tall vëllai vëllain.
Akoma për faljen. Një nga gjeneralët e parë që kishim, Teme Sejkon, e vdiqëm me tortura Akoma nuk i kemi kërkuar falje.
Akoma për faljen. Dhe me që jemi te gërrgërrjet tona. Sidomos kur përdorim retorikën e demaskimit me përbuzje të grekut të poshtër, grek i pa besë. Qelbësirat. Komunistët e vjetër apo marksist-leninistët që i përkëdhel Europa. Në analogji mund t’i përgjigjet edhe gërrvërrja jonë e parë. Ne vetë i themi njëri-tjetrit…, ose kur duam të poshtërojmë dikë, sidomos për pabesi, i themi çam i pabesë. Ose çamin më të mirë vare në qëndër të qytetit. Dhe nga ana tjetër, edhe pse mburremi se i kemi dhënë strehë, i kemi trajtuar me mëshirë. I kemi përdorur si karrocierë, zanatellinjë dhe pak në poste të larta.
A i ka kërkuar falje vëllai, vëllait? Hiç fare. Si mund të presim nga greku.
4) Së pari nga vetë çamët. Këta shqiptarë që e kanë izoluar veten në një ishull, brenda familjes sonë të madhe. Këtë ishullizim e shoh sot pikërisht përmes Partisë së tyre, PDIU. Asaj faqe blu me degën e ullirit dhe me pjesëmarrje kaq të gjërë në zgjedhje politike. Duke marrë vendin e nënKryetarit të Kuvendit. I cili ndenji në paradhomë ndërsa Meta postoi kudo me vrap fotot nga takimi me grekun. Kishte arsye, i duhej të rehabilitohej. Nuk ia vari as Merkeli nga Gjermania, as Nuland nga SHBA. Po ashtu me vrap nxitoi edhe Basha. I kërkoi llogari. Nuk e bëri sa ishte në pushtet. Nuk e kanë bërë deri dje thuajse të gjithë qeveritarët tanë. Ose e kanë bëlbëzuar. I hapën dyert Greqisë, deri tek kockat e besimit. I lumturoheshin arratisë nëpër male të robve të tyre, duke fërkuar duart për buxhetin e bjerrur. Si shenjë progresi i ekonomisë formale.
Përkundrazi edhe në pikën e hallit greku ishte më i përgatitur. Dhe më i qetë se kushdo nga ne. Por kur kënaqesh me paradhomën e Kuvendit. Me Bashkinë e Rrogozhinës, Konispolit etj. Një çështje kthehet në shtratin e gërrgërrjes shqiptare. Ligji i luftës, ligji i ujrave. Një deklaratë që duhej, që greku ta bënte. Ndërkohë kur dihet qartësisht se, asnjë deklaratë, asnjë marrëveshje ndër qeveritare nuik pi ujë pa miratimin e Kuvendit të Greqisë. E bëri Papandreu i madh dikur, dhe nuk piu ujë. Ashtu mbeti, një marrëveshje qeverish. Por që të shkohet deri tek Kuvendi, duhet për së pari të mundim veteveten. Gërrëgërrjen. Jo të fitojmë Rrogozhinën. Përmes Rrogozhinës dhe paradhomës së Kuvendit. Nuk fitohet çështja çame. Asnjëherë. Rrogozhina nuk është Paramithia.
Në krye të urimeve
Nga Ilir Levonja/
Kur uron populli popullin është kënaqësi. Që t’i thotë gëzuar Bajramin, mbarësi, shëndet, paqe, mirësi etj…, është kënaqësi dhe normale. Festat e çilido besim kanë në vetvete atë thelbin e të luturit për një jetë më të mirë. Sepse, prandaj njerëzit e krijuan besimin në Zot, për tu lutur. Për të pakësuar dhimbjet, hallet apo përvojat e vështira dhe të paparashikuara. Pra të luten për gjëra që nuk i kanë në dorë e tyre. Dhe t’ia urojnë njëri-tjetrit mirësinë. Në fund të fundit Zoti i plotfuqishëm është mbi ta. Ndaj rri lart. Poshtë është bataku. Dhe ata për t’i shpëtuar këtij bataku, shikojnë lart. Nga qielli. Nga Zoti.
Kështu që, duke e ditur që, atë që nuk ta bën perëndia. Ta bën qeveria. Ata thonë, ruajna o Zot. Në dorën tënde Allah. Në dorën e mëshirëmadhit. Ndaj dhe urimi është njerëzor. I prekshëm. I shijshëm. Ia vlen sakrifica. Dhe të shplodh mirësia e atyre duarve që shërbejnë bukë. Pra populli për popullin. Njeriu për njeriun, besimtar apo jo. Ata aq kanë fjalën dhe vullnetin. Kush ka diçka më shumë e ndanë me atë që ka më pak. Kaq.
Por kur e bëjnë këtë, ata që kanë gjithçka në dorë. Pra kur urojnë politikanët popullin, është shpifësirë. Megjithatë ata vërsulen të parët. Urime, gëzuar, paqe e begati. Rehati shpirtërore. Jetë e mirëqënie Zoti ju dhëntë. Allahu ju ndimoftë në familjet tuaja. . Gëzuar Bajramin e madh. Zoti ju dhëntë më të mirat, etj.
Rezultati për popullin. U shtrojnë tavolina në sheshe publike. Dhe populli besimtar shkon e ulet. Hanë. Kurse ata, vila në gjirin e Lalzit. Në malin e Robit. Shtëpi verore. (Sapo e pashë këtë modën e fundit shqiptare). Pse? Sepse dallimi është i thjeshtë…
Që të ketë paqje një popull, e ka në dorë Zoti.
Që të ketë begati një popull, e ka në dorë Zoti.
Që të ketë të mira materiale një popull, e ka në dorë Zoti.
Që të ketë këto të mira, që janë ujë, drita, rrugë, punë, siguri, rend; çfarë tjetër…, qytetari europiane. E ka në dorë veç Zoti. Ndaj nga unë, president, kreministër, kryeparlamentar, shef opozite, ligjëvënës. Nga unë një drejtor që të marr 5 mijë euro për një vend pune. Gëzuar Bajramin. Paçi fat, mirësi e begati nga Allahu. Se të tjerat janë për mua. Lutjet janë kthyer në urime.
- « Previous Page
- 1
- …
- 84
- 85
- 86
- 87
- 88
- …
- 102
- Next Page »