• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA-Imzot Mark Sopi (1938-2006)

January 11, 2021 by dgreca

– në përvjetorin e 15-të të vdekjes-11 Janar 2006-11 Janar 2021-/

Nga Don Lush Gjergji/

Jeta dhe vepra/

Imzot Mark Sopi, lindi në Binçë më 26 shkurt 1938. Pas shkollës fillore në Viti, gjimnazit klasik në Pazin të Kroacisë, studimet filozofike dhe teologjike i kishte filluar në Zagreb dhe përfunduar në Romë.Shugurohet meshtar në Romë, më 29 qershor 1968.  Don Dedë Ramaj, famullitari i Stubllës dhe Binçës, në fjalën e rastit gjatë drekës kremtore pati thënë në mënyrë profetike:“Mos harro biri i kujt je, së pari i Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i tyre, pastaj i famullisë dhe së fundi i familjes… Ndero të parët dhe ndero vetveten, sepse ke gjurma për të ndjekur nga lashtësia dhe historia…”.        

Pesë vitet e para të meshtarisë ishte famullitar në Ferizaj dhe sekretar i Imzot Nikë Prelës. Gjatë viteve 1974-1991 famullitar në Zllkakuqan, me shërbime të palodhshme në çdo kuptim dhe drejtim: baritor, bamirës, organizativ, ndërtimor, për objektet kishtare, përgatitjen për themelimin e dy famullive të reje, të Klinës dhe të Budisalcit, në pajtimet e gjaqeve…

Ishte edhe intelektual i mirëfilltë dhe punëtor i palodhshëm nëpër revista të ndryshme, sidomos “DRITA” e Ferizajt dhe “Vëgim drite” të Durrësit. Si fryt i kësaj pune ka dhuruar këto botime: “Baca Kolë dhe famullitari”(1995), “Martirët e Karadakut”(1996),” Koncilet ekumenike” (2000) dhe “Shën Luçia”  (2003).

Papa Gjon Pali II. e emëroi ipeshkëv të Kosovës më 23 nëntor 1995, pas shërbimit katërvjeçar në Durrës, dhe më vonë e shuguroi në Vatikan më 6 janar 1996. Udhëheqjen e Ipeshkvisë e mori në Prizren, më 18 shkurt 1996, me plot flijim, kujdes dhe përkushtim, e udhëhoqi deri në ndërrimin e jetës, më 11 janar 2006.

Tiparet vepruese dhe dalluese

 Nga jeta dhe profili i tij ka shumë tipare vepruese dhe dalluese, unë do t’i theksoj vetëm disa.

Parimor dhe guximtar në çdo rrethanë të jetës dhe të veprimit, para, gjatë dhe pas Luftës së vitit 1999. Ishte Bariu i Mirë i grigjës së besuar, jo vetëm i asaj katolike, por i të gjithëve, sidomos atyre që s’kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet. Gjatë këtyre dhjetë viteve ishte kudo lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët dhe ndërkombëtarët, gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën e përbashkët, për t’i ngushëlluar të pikëlluari dhe ndihmuar të varfëritë, për të qenë aty ku njerëzit tanë vuajnë, ishin të goditur dhe kërcënuar.

Me qëndrime të qarta dhe largpamëse, me zemër të madhe dhe bujare për të varfër dhe nëpërkëmbur. Gjithnjë në kërkim për shërbimin e Zotit, Kishës sonë, në çështje shoqërore, kulturore, arsimore, sidomos në mishërimin e jetës dhe të veprës së Nënës Tereze në traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë.

Ëndrra e tij jetësore ishte ndërtimi i Shenjtërores – Katedrales së Nënës Tereze në Prishtinë, si fanar në detin tonë të trazuar, si dhe zgjidhja fatlume e çështjes së Kosovës.

Posaçërisht, dua të theksoj aftësitë e tija për komunikim me të gjithë, me përfaqësues të huaj në Kosovë apo gjetiu, për paraqitjen dhe mbrojtjen e çështjes sonë madhore dhe për të mirën e përbashkët.

Me një fjalë, Imzot Mark Sopi ishte njeri urëlidhes mes skajshmërive, veprues në çdo kënd dhe vend, flijues për të mirën e të gjithëve, me gjakftohtësi dhe me urti, me fe të gjallë, shpresë të ngultë dhe dashuri flijuese dhe dhuruese për Zotin, për Kishën, për popullin Shqiptar, për të gjithë.

Imzot Mark Sopi fill pas rrënimit të diktaturës në Shqipëri, së bashku me Mons. Damjan Kurti, shkoi në Durrës si misionar për ta ndihmuar dhe shërbyer këtë Kishë dhe Popull martir, duke dëshmuar kështu dashurinë flijuese dhe dhuruese.

Testamenti shpirtëror i Imzot Mark Sopit

“Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. E kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” ( Gjn 11, 25-26).

Jezusi na pyet edhe ne sot, siç e pyeti dikur Martën: “A e beson ti këtë?”. “Po, Zotëri! Unë besoj se Ti je Mesia, Biri i Hyjit – ai që duhej të vijë në botë!” (Gjn 11, 26-27).

I vdekuri jeton dhe flet, për ne që besojmë në Zotin, në vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtin, në jetën e pasosur. Pra, Imzot Mark Sopi është i gjallë ndër ne, jo vetëm në  mendje dhe në kujtime, por para së gjithash në Zotin, në pritje të ngjalljes së trupit dhe në jetën e pasosur.

Kjo është zanafilla e fesë së krishterë,  Kishës Katolike, Imzot Mark Sopit, feja jonë që na ka mbledhur rreth Sofrës së Krishtit  në dhjetëvjetorin e kalimit të tij në amshim. Është rast i mirë që edhe ne të forcohemi në fe, të ngjallemi në shpresë dhe të ndizemi në dashuri, për Zotin, për Kishën, për njëri-tjetrin, t’i zgjojmë ndjenat e nderimit dhe të falënderimit ndaj Kishës dhe barinjve të saj që na kanë udhëhequr në rrugën e shëlbimit.

Në këtë shtyllë Imzot Mark Sopi e ka ndërtuar jetën  tokësore dhe veprimtarinë e tij baritore, në personin e Jezu Krishtit, të mishëruar, të vdekur dhe të ngjallur, si burim i pashtershëm feje dhe dashurie, si mundësi konkrete për dëshminë e krishterë.

Pa këtë lidhje dhe trinom  Jezu Krishti – Kisha – Populli Shqiptar, ne s’mund ta kuptojmë, shpjegojmë dhe zbërthejmë jetën dhe veprimtarinë e Imzot Mark Sopit ndër ne, me ne dhe për ne,  rrezikojmë ta cungojmë apo edhe të japim  interpretime të njëanshme dhe të gabuara për të.

Imzot Mark Sopi ka jetuar dhe vepruar për Krishtin e ngjallur,  ka besuar, predikuar dhe dëshmuar gjithnjë ngjarjen kulmore të ngjalljes së tij, si fitore jona,  është frymëzuar dhe flijuar për Atë. Krishti i ngjallur  është shpërblim  më i madh i tij në amshim.

Njësia e dytë e jetës dhe veprës së tij ishte pa dyshim Kisha katolike, si “Mësuese dhe Nënë”, të cilën ai e ka dashur dhe shërbye me tërë qenien e tij njerëzore dhe të krishterë. Pra, Krishti dhe Kisha  ishin dy binaret e jetës, të cilat ai kurrë nuk i ndau dhe harroi, por me mendje dhe me zemër i pranoi dhe përqafoi duke i shërbye deri te ofshama e fundit të kësaj jete.

Shpesh thoshte kështu: “Tash Kisha jonë e stërlashtë dhe martire, ka gjasa të lulëzojë, pas dimrit kaq të rëndë dhe të gjatë shekullor. Ne duhet t’i rrimë gati “arës së Zotit”, ta përgatisim dhe mbjellim sa më mirë. Zoti do të bëjë të rriten të korrat…”.

Sot mund të themi se pati të drejtë. Frytet e para të kësaj “pranvere” shihen dhe hetohen dukshëm kudo ndër ne.

Kishte njohuri, nderim dhe admirim, dashuri të madhe për paraardhësit tanë, “Martirët e Karadakut”, që i kishte studiuar nëpërmjet dokumenteve të arkivit “Propaganda Fide” në Romë,  si model i jetës  dhe dëshmisë së krishterë.

Ishte i lidhur qenësisht me Popullin tonë Shqiptar në të mira dhe të vështira, gjithnjë në shërbim dhe flijim të të gjithëve, pa dallime dhe përjashtime. E Lumja Nëna Tereze ishte hallka dhe unaza që i lidhte këtë trinom, Krishtin, Kishën, Popullin Shqiptar, gjithnjë nën ndikimit e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.

Imzot Mark Sopi Nënën Tereze e pati takuar në Romë gjatë studimeve, dhe që nga ajo kohë lidhja kurrë nuk ishte ndërprerë. Atë  e ka pasur si model të përsosur të jetës së kushtuar, si fryt të Kishës tonë martire, dhe si përfaqësuese të denjë të Kishës dhe Popullit Shqiptar në botë, tash edhe në amshim. Në vizitat e saja nëpër Kosovë dhe në Shqipëri, ishte së bashku me Nënën Tereze, duke e  pranuar dhe përcjellë,  po ashtu edhe këtu në famullinë e Zllakuqanit. Ishte shumë i gëzuar dhe i lumtur në pjesëmarrjen e lumturimit të saj në Romë, më 19 tetor 2003, edhe pse kishte disa halle shëndetësore.

Jo rastësisht dha shpirt në Prishtinë, gjatë një bisedimi në Komunë rreth ndërtimit të Katedrales dhe Shenjtërores së saj, më 11 janar 2006. Pra, dëshira, testamenti i fundit i Imzot Mark Sopit, ishte i ndërlidhur me Nënën Tereze, ndërtimin e Kishës dhe Katedrales me emrin e saj, me jetën dhe porosinë e saj për ne dhe për botën.

Tash, shpresoj dhe uroj, që së bashku ta shijojnë amshimin e lumtur në parajsë dhe të luten e të ndërmjetësojnë për ne, për Kishën dhe Popullin tonë./Kortezi- drita.info

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 vjet nga Vdekja, don Lush Gjergji, Imzot Mark Sopi

CEREMONIA PERKUJTIMORE PER PRESIDENT RUGOVEN E IMZOT SOPIN…TEELEGRAMI I NGUSHELLIMIT DHE NJE KUJTIM I 2005-sës

January 13, 2016 by dgreca

Kosovë-Në Katedralen Nënë Tereza, meshë në nderim të Presidentit historik Rugova dhe Imzot Sopit
-Guri themeltar i Katedrales Nënë Tereza është vënë në 26 gusht 2005 nga Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova dhe Kardinali i Katedrales së Uashingtonit, Teodor Mekarik (McCarrick)/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Janar 2016/ Në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, është mbajtur mbrëmë meshë në nderim të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe Imzot Mark Sopit, në 10 vjetorin e kalimit të tyre në amshim.
“Disa muaj para se të kalonin në shtëpinë e Atit tonë qiellor, që të jetonin në amshim, e kurorëzuan veprën e tyre mbi tokë, duke bekuar gurin e këndit të kësaj Katedraleje”, kujtoi Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Gjatë meshës, ai ka përkujtuar veprat e mëdha të dy personaliteteve të shquara të Kosovës, njëri i Shtetit e tjetri i Kishës, duke bërë thirrje që të ndiqet rruga e trasuar nga ta dhe që të realizohen amanetet e tyre.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë të vendit e të pranisë ndërkombëtare, morën pjesë në meshë dhe, po ashtu, vizituan ekspozitën e hapur në ambientet e Katedrales në nderim të dy korifejve të kombit, Presidentit historik Rugova dhe ish-Ipeshkvit të Ipeshkvisë se Kosovës, Imzot Sopit. Ekspozita do jetë e hapur deri në 22 janar.
Guri themeltar i Katedrales Nënë Tereza është vënë në 26 gusht 2005 në oborrin e ish-gjimnazit “Xhevdet Doda” në qendër të kryeqytetit, Prishtinës, nga Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova dhe Kardinali i Katedrales së Uashingtonit, Teodor Mekarik (McCarrick).
***
Telegrami i ngushëllimit i para 10 viteve:

PRESIDENTI RUGOVA NGUSHËLLON IPESHKVINË E KOSOVËS ME RASTIN E VDEKJES SË IMZOT MARK SOPIT
Me rastin e vdekjes së Imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Ipeshkvisë së Kosovës.
Më poshtë po e japim tekstin e plotë të këtij telegrami:
11 janar 2006
Prishtinë, Kosovë
Ipeshkvisë së Kosovës
Prizren
Ipeshkvi e nderuar,
Me rastin e vdekjes së Imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia të thella dhe të popullit të Kosovës.
Në historinë më të re të Kosovës Imzot Mark Sopi do të mbetet një burrë i madh që gjithë jetën punoi për fe e për atdhe. Duke vepruar për forcimin e kishës katolike shqiptare, pra të Ipeshkvisë së Kosovës, që e drejtoi për një dekadë të tërë, u bë njeri i dashur dhe i nderuar për të gjithë popullin e Kosovës. Imzot Mark Sopi gjithmonë ishte me popullin e Tij dhe me Zotin. Kjo i bën njerëzit të jenë të mëdhenj e të nderuar përgjithmonë.
Imzot Mark Sopi me vite të tëra u angazhua për pavarësinë e vendit tonë, Kosovës, duke na dhënë zemër e forcë se ajo do të bëhet së shpejti nga miqtë tanë.

Sot në këto momente të dhembjes, ndihem krenar që pata një mik të tillë, çfarë ishte Imzot Mark Sopi, të cilin gjithnjë e kisha krah të fortë pranë vetes në punët shtetërore në momentet më të vështira e më të mira.
I falemi kujtimit të Tij të përjetshëm.I qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë.
Zoti e bekoftë Imzot Mark Sopin, siç e ka bekuar.
Zoti e bekoftë Familjen Sopi.
Zoti e bekoftë Ipeshkvinë e Kosovës.
Zoti e bekoftë Kosovën.
Dr. Ibrahim Rugova
President i Kosovës
***
KUJTESË- NJË TAKIM, SI NJË BEKIM
Në ditëfestën e 28 Nëntorit – të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar, para më shumë se 10 vitesh, në vitin 2005, kam shkruar si në ditar një shënim për një takim në Prishtinë me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin folëm edhe për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha deri në numrin e fundit dhe në angazhimet për ta rikthyer të përditshme. Shënimi, që e gjejë sot në një mesazh të dërguar me e-mail, ishte ky:
Takimi spontan me Imzot Mark Sopin
Tek po festonim në Grand 28 Nëntorin, ku kishte shumë personalitete, me shumë prej të cilave edhe u takova personalisht dhe ngritëm dolli, një emocion e përshtypje shumë të veçante më solli momenti i takimit me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin nuk isha takuar ndonjëherë më parë ashtu drejtpërdrejtë.
-Besoj se nuk po gabohem, je Behlul Jashari, më tha derisa po më afrohej dhe pas shtërgimit të duarve edhe më perqafoi.
Më përgëzoi për angazhimet për Rilindjen dhe më ftoi për një vizitë në Ipeshkvi. Më vlerësone dhe më njihte edhe nga shkrimet. Dhe për vendosmërinë per Rilindjen.
E përjetova këtë edhe si një bekim.
E falënderova shumë për vleresimin, nderin dhe përkrahjen që më bëri. Dhe, me shumë kënaqësi iu përgjigja ftesës për vizitën.
Behluli
28 Nëntor 2005

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, ceremonai, Imzot Mark Sopi, President Rugova, telegrami

Kosovë-Meshë në nderim të Presidentit Rugova dhe Imzot Sopit

January 12, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 12 Janar 2016-B.Jashari/ Në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, është mbajtur sonte meshë në nderim të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe Imzot Mark Sopit, në 10 vjetorin e kalimit të tyre në amshim.
Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, gjatë meshës, ka përkujtuar veprat e mëdha të dy personaliteteve të shquara të Kosovës, duke bërë thirrje që të ndiqet rruga e trasuar nga ta dhe që të realizohen amanetet e tyre.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në meshë dhe, po ashtu, vizitoi ekspozitën e hapur në nderim të dy korifejve të kombit.

Filed Under: Featured Tagged With: Imzot Mark Sopi, meshë, ne nderim, President Rugova

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT